• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA DREJT AUTORITARIZMIT

March 9, 2020 by dgreca

––  rezistenca e shqiptarëve kundër autoritarizmit duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve!-

– Paul Lendvai, njeri prej ekspertëve më të njohur të çështjeve shqiptare dhe ballkanike, e ka cilësuar kohët e fundit për gazetën Der Standard, Shqiperinë si një shtet i brishtë, ndërkohë që paralajmëron se autoritarizmi i Kryeministrit shqiptar, Z. Rama duhet marrë seriozisht.

Nga Frank Shkreli/

Gjithnjë e më shumë po dëgjohen zëra, brenda dhe jashtë Shqipërisë, se ai vend është duke rrëshqitur shpejt drejt autoritarizmit. Këta zëra ekspertësh, analistësh dhe organizatash vendase dhe ndërkombëtare të drejtave të njeriut, po shprehin shqetësimet e tyre tepër serioze mbi gjendjen  aktuale politike në vend: se Shqipëria nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama po shkon me hapa të shpejt drejt autoritarizmit. Ata nënvijzojnë përpjekjet dhe masat  e marra prej tij – de facto dhe de jure – për të kontrolluar të gjitha entet qeveritare dhe shtetërore të vendit, duke përfshir ekzekutivin, parlamentin, gjykatat, sistemin juridik në përgjithësi dhe pothuaj të gjitha bashkitë e vendit, dhe një pjesë të madhe të medias, duke e kërcnuar atë me ligje të reja të ashtuquatura antishpifje. Lufta që Kryeminstri Rama ka shpallur kundër zyrës së presidentin të vendit- i vetmi ent shtetëror që deri tani nuk kontrollohet nga Kryeministri Rama dhe shumica e tij socialiste, duket se ka zgjuar shqiptarët nga gjumi, siç tregoi edhe manifestimi masiv i para disa ditëve në Tiranë. Ishte kjo një shprehje e qartë e shqiptarëve se mjaft është mjaft , një mesazh i fortë ky për kryeministrin Rama dhe shumicën e tij socialiste, se populli shqiptar është i gatshëm ti thotë STOP prirjeve autoritare dhe arrogancës së Kryeministrit Rama dhe diktaturës së tij të shumicës socialiste.

Paul Lendvai, njeri prej ekspertëve më të njohur të çështjeve shqiptare dhe ballkanike, e ka cilësuar kohët e fundit për gazetën Der Standard, Shqiperinë si një shtet i brishtë, ndërkohë që paralajmëron se autoritarizmi i Kryeministrit shqiptar, Z. Rama duhet marrë seriozisht. Tonet e herë pas hershme nacionaliste të Ramës shkruan ai, nuk duhet të merren me aq seriozitet dhe shton se, “Me shumë kujdes i duhet kushtuar asaj që kritikohet si kapja e institucioneve të drejtësisë dhe ndikimit të hatashëm të karteleve të drogës në Shqipëri”.

 “Unë u përkas opinionistëve të paktë që kanë përjetuar diktaturën më mizore në Evropë, regjimin vrastar të Enver Hoxhës”, shkruan Lendvai dhe u drejtohet diplomatëve ndërkombëtarëve  në Tiranë me këtë thirrje: “Forca mahnitëse e rezistencës së popullit shqiptar kundra prirjeve autoritare duhet pa tjetër të gjejë mirëkuptimin, ndihmën dhe solidaritetin e komunitetit ndërkombëtar”, ka shkruar para nja tri javësh Paul Lendvai, për gazetën austriake Der Standard.

Fatkeqsisht,  mbështetja dhe përkedhelja e autoritarëve dhe diktatorëve anë mbanë botës nga bota perëndimore nuk është diçka e re. Historia ka shënuar dyzina rastesh kur ndërkombëtarët, nëqoftse nuk kanë mbështetur haptazi diktatorë aktualë ose në formim e sipër, atëherë ata i kanë mbyllur sytë dhe veshët përball veprave të tyre, për interesa të ndryshme. 

Më kujtohet një thënje që i atribohet ish-presidentit amerikan Franklin Delano Roosevelt, i cili thuhet të jetë shprehur për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kishin akorduar diktatorit të Nikaraguas,në atë kohë, Anastasio Somoza. “Somoza may be a son of a bitch, but he is our son of a bitch”. Eshtë pak banale ta përkthej këtë thënje nga anglishtja por pak a shumë do të thotë: “Somoza mund të jetë një diktator, por ai është diktatori ynë”, një frazë kjo që edhe sot përdoret në raste kur është vështirë të justifikohet mbështetja e vendeve demokratike për diktatorë që abuzojnë me të drejtat bazë të qytetarëve të tyre. Sot kemi dyzina vende të tilla anë e mbanë botës, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Por kjo nuk duhej të ndodhte me Shqipërinë!

   Është e vërtetë se ndërkombtarët duhet të merren me qeverinë e zgjedhur në cilindo vend qoftë, përfshir Shqipërinë. Pasi pa njëfarë marrëdhënjeje normale midis dy palëve nuk mund të bëhet asnjë përparim. E kuptoj edhe balancin e interesave dypalëshe. Por ajo që nuk kuptoj është heshtja publike e ndërkombëtarëve në Tiranë karshi kapjes së institucioneve shqiptare nga një person e nga një parti politike – diçka që nuk përputhet fare as me interesat dypalëshe dhe as me vlerat e përbashkëta perëndimore që pretendojmë.

  Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimore për pothuaj një shekull tani kanë balancuar interesat e vendeve të tyre me respektin për vlerat perëndimore, respektin për të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë përfaqsuese, e tjera. Heshtja e ndërkombëtareve në Tiranë ndaj shkeljes flagrante të këtyre të drejtave të sanksionuara edhe ndërkombtarisht, përfshir kapjen e institucioneve, nuk është në interesin e perëndimit — se në interesin e shqiptarëve, jo se jo!

   Kjo duhet të jetë kauza e ndërkombëtarëve në marrëdhëniet e tyre me Kryeministrin shqiptar, me qeverinë e tij dhe me të gjitha  entet e tjera të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar. Për ndryshe, përball kaosit politik aktual në Shqipëri, taksapaguesit amerikanë dhe evropiano-perendimorë,me të drejtë, mund të bëjnë pyetjen: ku është suksesi në Shqipëri që është premtuar nga derdhja e fondeve marramendse këto 30-vjet post-komunizëm.

   Rezistenca e shqiptarëve sot ndaj prirjeve autoritare në vend, ka nevojë më shumë se kurrë, siç sugjeron edhe analisti evropian i çështjeve shqiptare, Paul Lendvai – për mirëkuptimin, ndihmën dhe solidaritin e diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë.
 Për ndryshe, në sytë e popullit shqiptar- që dita ditës po largohet masivisht nga vendlindja, si rezultat i kaosit politik – ju do të dukeni të pa aftë dhe të diskredituar.

Filed Under: Politike Tagged With: shqiperia

ALBA LIFE NE FESTEN E SHKOLLES SHQIPE

March 9, 2020 by dgreca

7 MARSI,FESTA E SHKOLLËS SHQIPE U FESTUA ME MADHËSHTI EDHE  NË NEW YORK/

– Shkolla Shqipe “Alba Life” në të gjitha lagjet e Nju Jorkut festoi 7 Marsin Ditën e Mësuesit në Bronx, NY/

– Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj vlerësoi me çertifikata mirënjohjeje mësueset dhe stafin e shkollës Shqipe “Alba Life”

Nga Keze Kozeta Zylo/

Diaspora Shqiptaro Amerikane festoi 7 Marsin Ditën e Shenjtë të Mësuseit me nxenësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Bronx të Nju Jorkut.

Ndonëse guvernatori i Nju Jorkut Andrew Mark Cuomo ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të epidemisë botërore “Coronavirus” dhe padyshim ky lajm ka bërë efektin e duhur për t’i stepur njerëzit për t’u grumbulluar në mjediset publike, përsëri festa e 7 Marsit erdhi plot dashuri dhe mirënjohje nga prindërit, mësuesit, nxënësit dhe Diaspora.

Në një të shtunë me diell të ngrohtë si vetë zemrat e mësuesëve që e presin plot përkushtim dhe dashuri këtë ditë të shenjtë u mblodhën së  bashku me nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në  Bronx në Shkollën Publike amerikane Christopher Colombus.

Sipas historisë, më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe.  Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Për këtë ditë të shenjtë është derdhur shumë gjak dhe janë helmuar shumë mësues si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj. Figura të ndritura të Rilindjes ishin si motrat Qiriazi, familja e ndritur Qiriazët, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman për pesë shekuj bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Programin artistik për festën e mësuesit e hapi nxënësi Arelt Xhaferri, në nderim të  hapjes për herë të Shkollës Shqipe në Bronx nga “Alba Life”.

Programin e prezantoi me plot kulturë  dhe profesionalizëm, vajza e talentuar anëtare e stafit të  Shkollës Shqipe “Alba Life” Rea Ulaj.

Ajo tha se është  viti i 13–të  që ne festojmë  Ditën e 7 Marsit, këtë ditë të shenjtë, e festojmë së  bashku me ju dhe duke sjellë  fëmijët në skenë të flasin shqip.  Çfarë krenarie ndjej kur i shikoj këta fëmijë të flasin SHQIP! 

Shkolla Shqipe “Alba Life”që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut si në  Staten Island, Brooklyn, Queens dhe Bronx si dhe në  Manhattan për vite me radhë , i ftoi nxënësit përfaqësues të shkollave të vinin me pankartat në duar si: Arelt Xhaferri, Ilirjan Thaqi, Kelvin Rustani, Thomas Gjika dhe Kaltrina Mushkolaj.

Programi u hap me Hymnin e Shkollës Shqipe “Alba Life” “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë”  si dhe vazhdoi me nxënësit në Staten Island, Brooklyn, Queens dhe Bronx të cilët intepretuan mjeshtërisht si “Alfabeti Shqip” poezi, këngë si dhe vallet si “Vallja e Kosovës”, “Kuq e Zi je Ti” dhe “Vallja e Tropojës”.

Këngët “Kuq e Zi, kuq e Zi” u shoqëruan nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj e cila përshëndeti me zërin e saj brilant me këngën “Jam Arbnore”.  Artistja Peraj i është bashkuar programit të “Alba Life” ndërkohë dhe djali i saj i vetëm ka ardhur pranë Shkollës Shqipe në Bronx.

Të gjitha këngët si: “Një lahutë dhe një  Flamur”, “Kënga e mësueses”, “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë”  etj, u dirigjuan nga mësuesja plot përvojë Adelina Laçaj njëkohësisht dhe udhëheqëse artistike e programit.

Nxënësit që interpretuan poezi nga të gjitha shkollat e Nju Jorkut ishin: Dea Watkins, Erona Beka  Ervin Beka, Viktoria Kola, Loriana Thaqi , Ariana Daci, Amina Gashi, Gloria Puli, Natalia Sinani, Rilind Bardhi, Amina Shegaj, Dion Salillari, Gloria Puli, Onida Grainca, Emma Watkins: Lorian Kasemi, Arjon Rexha, Blin Beqiri, Rubin Beqiri, Suada Dema, Antonio Kulla, Kelvin dhe Enea Rustani, Blenda Sehu, Erla Lamçe, Elio Tahiri, Altea Bala, Jessica Ndregjoni, Jonathan Ndregjoni dhe Keldi Çekrezi, Laurent Bardhi, Thomas Gjika, Erla Ahmet, Nevil Vadahi, Agim dhe Arlind Huna,  Dorotea Gjika, Ena dhe Eva Mato, Edion Shiqerukaj Gretel Sadikaj Bora Kurtolli, Simelba Xhaferraj, Fatjona Gjocaj, Leon Gashi, Yllza Sejdiu, dhe Lediana Hasanaj, Arelt Xhaferri, Keida Shiqerukaj, Kaltrina Mushkolaj, Nora Balidemaj, Dea Shatri, Ksenia  Cili Rinesa Bajraktari, Vanesa Bajraktari, Adea Gashi, Rina Haizeraj, Saide Gashi dhe Albert Hasanaj

“Kënga e nënës” u këndua nga Jori Lamçe dhe Enzo Rustani shoqëruar nga kori.

“Rrjedh në këngë e ligjërime” e kënduan vëllezërit Rustani.

Emma Watkins interpretoi në piano: “Tring zilja, tring zilja tingëllon”, ndërsa Dea Watkins “Eja eja lule bore” si dhe “ Fur Elise” një nga kompozimet më të njohura në botë të Bethovenit realizuar në vitin 1867.

Programi u mbyll me këngën “Xhamadani Vija Vija” kënduar nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj dhe shoqëruar nga kori i Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Me këtë këngë u mbyll spektakli madhështor i festës së 7 Marsit Ditës së Shenjtë të Mësuesit realizuar nga nxënësit nën kujdesin e mësueseve të dashura dhe të gjithë Bordit të Shkollës

 .

Mirënjohje nga Bashkia e Nju Jorkut dhe përshëndetjet

Në këtë Festë të Shenjte të Mësuesit nderuan me pjesëmarrjen e tyre Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj i cili falënderoi z.Qemal Zylo dhe familjen e tij si themelues dhe drejtor të Shkollave Shqipe “Alba Life” si dhe gjithë mësueset për kontributin e tyre të vyer në dhënien e mësimit të Gjuhës Shqipe në New York.  Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” gjithmonë të befason për kohën dhe pëkushtimin e tij ndaj Amerikës dhe Shqipërisë, ndaj Diasporës kudo në botë, puna dhe vepra e tij do të çmohet ndër breza.  Z.Gjonaj u ndau çertifikata mirënjohjeje të gjitha mësueseve si Adelina Laçaj, Entela Muda, Vlera Selaj Thaqi, Brunilda Puli, Denisa Sinani, Gela Bulku, Ardita Miloti Vadahi, Alva Gjika, Klaus Sharra, Alda Ahmet, Majlinda Tafaj, Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Veseli, Dr.Valbona Zylo Watkins dhe Kozeta Zylo si dhe koordinatorëve në Bronx Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj.

Përshëndeti në podium z.Lulëzim Krasniqi Këshilltar pranë Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York i cili pasi uroi të gjithë stafin dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” ai tha se ju keni hyrë në historinë e Kosovës për këtë punë tejet të vyer.  Themeluesit e Shkolles Shqipe “Alba Life” i janë përjetësisht mirënjohës Kosovës për mbështetjen pa kushte qe i kanë dhënë Shkollës Shqipe “Alba Life” duke frymëzuar më tej për këtë mision kombëtar.

            Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre editorja për gjuhën angleze znj.Rafaela Prifti e cila do të sjellë së shpejti një kronikë të veçantë dhe njëkohësisht dha mendim që midis nxënësve të bëhet një konkurs për gazetën “Dielli” për shkrimin më të bukur rreth përshtypjeve të këtij spektali madhështor në nderim të festës së Mesuesit.

Gjithashtu nderoi me pjesëmarrjen e saj znj.Teuta Ulaj nga Bordi i Edukimit në

Staten Island.

Në emër të shoqatës shqiptaro amerikane Skënderbej përshëndeti kryetari i saj z.Mark Qehaja, shoqatë tejet patriotike që edhe pse ka 3 vjet që është krijuar gjithmonë dhe çdo herë i është ndodhur pranë Shkollës në të gjitha aktivitetet e saj. Z.Mark Qehaja së bashku me z.Imer Laçaj n/kryetar dhe kryesinë me vizionin e tyre po e çojnë shoqatën vetëm në rritje të aktiviteteve kualitative dhe plot përkushtim kombëtar.

Në emër të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro amerikanë përshëndeti kryetar i saj z.Mhill Velaj, i cili shprehu mirënjohjen për “Alba Life” dhe si ish mësues në Kosovë kujtoi me nostalgji jetën e mësuesit.  Ai intepretoi një poezi të ndjerë kushtuar tragjedisë së familjeve në Shqipëri që humbën jetën nga tërmeti, njëkohësisht dhe homazh për viktimat.

Një përshëndetje surprizë nga ish gjimnazitja e Çajupit Dr.Manjola Duli

 Një përshëndetje surprizë dhe tejet emocionuese për të gjithë pjesëmarrësit erdhi nga  Dr.Manjola Duli ish nxënëse e shkollës së mesme të përgjithshme “Çajupi” Tiranë.  Fjala e saj me lot malli në sy solli shumë emocion tek pjesëmarrësit.  Këto lot të gjimnazistes sime të “Çajupit” Tiranë s’mund t’i harroj kurrë, ato janë Monumenti i Lotit…

Këtë titull ia kam kushtuar librit tim të parë me poezi dhe që ilustrohet kaq magjishëm me lot emigrantësh.

Ishin emocione, lot, kujtime shumë të bukura, por dhe te idhta siç ishte viti i mbrapshtë i 97-ës, kur unë dhe familja ime u larguam nga lufta civile për në Amerikë…

Në atë vit jepnim mësim dhe në të njejtën kohë i mbronim nga fugonat e policisë u shpreh ish gjimnazistja ime e mënçur dhe plot kulturë, sot ajo është pedagoge dhe mban titullin

Dr. Shkencash.

Mall, lot, mirënjohje, kur takohesh me një gjimnaziste të Tiranës pas 23 vitesh dhe sot e shikon në nivele të larta akademike.

Per mësuesin nuk ka kënaqësi më të madhe kur studentët e tij ngjiten shumë lart…

Spektakli u filmua nga kameramanët Valon Gërbeshi dhe Bujar Sadikaj, fotot nga Elton Xhaferri dhe Todd Watkins, ndërsa në DJ performuan z.Odisa Salillari njëkohësisht kryetar i shoqatës “Devolli” si dhe Fatjon Mavrici.

7 Mars, 2020

Bronx, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Festa e Mesuesit, Keze Kozeta Zylo

TRI FESTA NË NJË DITË NË SHKOLLËN”KUQ E ZI” NË ASTORIA, NEW YORK…

March 9, 2020 by dgreca

-Mësonjtorja Shqipe”Kuq e Zi” i bashkoi të tri festat në një ditë: 7 Marsin-Ditën e Mësuesit; 8 Marsin -Ditën Nënave, dhe 5 vjetorin e çeljes së shkollës Shqipe në Astoria-Queens, New York….

Nga Lame Konda /Dielli/

Shumë Bukur !S’ka më bukur kështu; ti bashkosh tri festa bashkë!- Shkolla Shqipe”Kuq e Zi” në Queens, New York, i bashkoi të tri festat në një ditë: 7 Marsin-Ditën e Mësuesit; 8 Marsin -Ditën Nënave dhe 5 vjetorin e çeljes së shkollës Shqipe KUQ E ZI- RED AND BLACK.

 Të Djelën ëe 8 Mars, nxënësit e mësuesit e mësonjtores “Kuq e Zi” së bashku me prindërit e tyre e të ftuar të tjerë festuan Ditën e Mësuesit, Ditën e Nënës si dhe 5 vjetorin e hapjes së kësaj mësonjtoreje .Sot ambjentet e kësaj mësonjtoreje në Kafen Kuq e Zi të bashpatriotit tonë, Kristaq Foto ,qenë kthyer në një ambjent festiv ,në një sallë shfaqjesh për këta fëmijë të vegjël .Provat për shfaqjen janë bërë mbas kohës së mësimit për të mos mbetur prapa me programin mësimor .Në këtë mësonjtore funksionojnë tre nivele të mësimit të gjuhës shqipe që drejtohen nga mësuesit: File Shehu , Pavlina dhe Kristaq Papa .Sapo hyra brenda ndjeva një atmosferë të gëzuar dhe një padurim të fëmijëve për të filluar shfaqjen .Repertori, i zgjedhur nga mësuesit me kujdes, përmbante poezi ,fabula dhe një fragment nga komedia “Pas Vdekjes” e Anton Zako Çajupit .Qenë pjesmarrës në këtë shfaqje, gati të gjithë fëmijët e kësaj shkolle ,që nga Ernea e Naile Tollja ,Alba Bundo e Eva Sholla, që janë në nivelin e pestë e deri tek më të vegjlit e nivelit të dytë ,që merrnin për herë të parë pjesë në një shfaqje artistike. Përmendim :Leart e Arlind Tollja ,Aleks Myftaraj,Klara e Gabriel Shuku ,Mia Shabani ,Preston e Evia Papa. Ndërkohë që shfaqja vazhdonte e fëmijëve u janë larguar emocionet e fillimit ,ndonjeri syresh shkëputet nga “skena “e qetë -qetë shkon dhe i jep një të puthur nanës së vet…e salla oshtinë nga të qeshurat me seriozitetin e veprimit të Gabrielit !

Enrik Myftari,Amelia Semini,Mason e Eron Papa ,Thomas Ford e Lukas Sholla, që janë nxënës në nivelin e katërt ,reflektojnë që janë tanimë si “zotët e skenës”, e si ata s’ka.

– Fragmenti i komedisë së Çajupit ,me dy Adhamudhët e Ernea e të Evës dhe me Zenelin e Nailes, mori duartrokitje dhe shkaktoi të qeshura ndër spektatorë, po nuk ngeli mbrapa edhe inskenimi i” Dhelprës dhe rrushët” ,që ishte inskenuar shumë bukur.

     Në fund të tërë fëmijët pjesmarrës, përcollën copëza mesazhesh nga simboli i kombit shqiptar, Shenjtëresha Nënë Tereza ….

      Prindërit ,shprehen në fund gëzimin e tyre për përparimin që kanë bërë fëmijët në përvetësimin e gjuhës shqipe si dhe falenderuan mësuësit për punëne e tyre shumë të madhe, plot perkushtim, që kanë bërë me këta fëmijë dhe i uruan suksese.

               Fjalët, që u përdorën më së shumti në fund të veprimtarisë festive, ishin: “shumë ,shumë bukur ,ju lumtë ,qenkeni artistë të vërtetë ,shumë bukur ….!

            E mua, më mbeti në mendje ky vlerësim për këta fëmijë të mrekullushëm ,që mësojnë ,këndojnë e interpertojnë në gjuhën e të parëve të tyre .Shumë Bukur!

 Shqiptarë të Amerikës: I shtoni sa më shumë Mësonjëtaret si kjo në Astoria; Shkolla Shqipe”Kuq e Zi”!

Astoria, Queens, New York, Marcj 8,2020

Filed Under: Featured Tagged With: Kristaq papa, Kuq e zi, Shkolla shqipe

N Ë N A…

March 8, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ/

Është ora pesë pasdite dhe pasi kemi arrdhur nga galeritë e kemi ngrënë atë pak supë,si gjithë të burgosurit e tjerë, i lodhur jam shtrirë edhe unë në dyshekun e kashtës në katin e dytë dhe me sytë drejt dërrasave të katit të tretë që shërbejnë edhe si tavane për ne të katit të dytë, mundohem tu jap rrugë e ti arratis mendimet dhe mallin për familjen, kur dëgjohet zeri i tellallit të burgut që thërret emrin tim për takim me familjen.
Ngrihem menjëherë nga dysheku e përpak përplas kokën në dërrasa.Emocione të shumta më pushtojnë papritur.Është takimi i parë me familjen pas gjithë atyre muajve në qeli.
Bashkëvuajtësi pranë meje më thotë me zë dashamirës;
Ishallah është Nëna !.Sytë më mbushen me lot dhe një lëmsh më mblidhet në fyt.
Qëndro i fortë- më thotë sërish bashkëvuajtësi- duke më rrahur supet – jepi kurajo Nënës e mos ua bëj qejfin hjenave të kuq e unë veç tund kokën pa nxjerrë asnjë fjalë.
E prisja me ditë këtë takim e tani që isha veç pak çaste e hapa larg ,mezi tërhiqja këmbët duke ngjitur shkallët e ashtu mbërthyer nga emocionet, u nisa drejtë portës së madhe prej hekuri që shërbente edhe si postbllok ,edhe si vend takimi me familjet me vështrimin e etur për të dalluar cili pjestar i familjes kishte arrdhur.Në hetuesi kryetari i degës së brendshme Llambi Peçini dhe nënkryetari Meramet Hila me kishin thënë se ju jeni një strofkë ujqërish si familje,armiq të betuar të partisë dhe popullit dhe tani do t’ju kalbim të gjithëve në burg dhe kjo më kishte munduar më shumë se gjithë torturat gjatë kohës që isha në qeli.Mos ndoshta dikush tjetër nga familja ishte bërë kurban ? Në horizont dallova siluetën e një gruaje veshur me të zeza me dy trasta në duar që vinte drejt portës.Kur u afrua edhe më,zemra më rrahu fort dhe shtërngova duart në hekurat e portës. Ishte Nëna .Pas Nënës vinte vëllai madh edhe ai ngarkuar me trasta që vështronte herë majtas e herë djathtas ngaqë nuk më shihte mua që qëndroja në koluben midis hekurave.
Kur mbriti te porta,sa më pa,Nëna lëshoi trastat në tokë,drejtoi trupin,morri frymë thellë,rregulloi shaminë e zezë ne kokë dhe me buzët dhe duart që i drridheshin,s’mundi ti fsheh dy pika loti prej syve të përgjëruar që ngrine si dy copa akulli në fytyrën e saj dhe me kokën lart ,që në çast mori pamjen e një copë gjigande mermeri,lëshoi një oh që përshkoi qiellin e gërvishur me shtylla e gjemba teli e si një shkrepje vetëtime, ju bashkua ofshamave të pafundme të Nënave spaçiane;
Po me ty ç’patën biri i vogël i nënës,nuk u ngopën gjithë jetën me ne ?
Polici ju bëri me shenjë të futen në koluben që ndahej në dy sportele hekuri ku i burgosuri dhe familjarët mundet vetëm të takonin duart.Njeri polic qendroi në anën e tyre e tjetri kaloi në anën time.
I zgjata duart,i preka dhe nisa ti lëmoj gishtrinjtë e ftohtë që i dridheshin dhe i thashë;
Ti je mësuar me dallgë o Nënë,do kalojë dhe kjo stuhi,kështu na ke mësuar – dhe u përpoqa ti buzëqesh ,buzëqeshje që në çast u shndrrua në shtërngim dhëmbësh dhe pastaj shtërngova duart e vëllait i cili pasi mi shtërngoi fort shpërtheu;
Qëndro burr,do të të vimë prapa kudo që të jesh, sa të kemi frymën – dhe disa pika lot i rrëshqitën faqeve dhe si ai Luani plagosur shkundi kokën.
Vëllanë e madh e kishin thirrur për bashkëpunim me armën famkeqe të sigurimit të shtetit para arrestimit tim e ai natyrisht ua kishte dhënë reston e në ato çaste, ai ndoshta e ndjeu veten ”fajtor” që unë më i vogli i familjes isha kryqëzuar në vend të tij.
Në çast u ndje zëri i policit që lajmëroi mbarimin e takimit.
Me njerën dorë shtërgova duart e Nënës dhe tjetrën ato të vëllait .
Ah mor bir – psherëtiu Nëna – Nuk më bëjnë këmbët të iki !
E si mund të ndodhte ndryshe në ato çaste të dhimbshme kur një portë gjigande hekuri ku sipër dy kupola me ushtarë me bajoneta e automatikë drejtuar nga ne e ndërtuar nga mendja djallezore e hijenave të kuqe,ndante Nënën nga djali e vëllanë nga vëllai më pa të drejtë.
Shpejt ,shpejt – klithi polici – po presin të tjerët në rradhë !
E brenda portës me duart shtërnguar në hekurat e saj,i pafuqishëm për ta shqyer,veç i vështroja si largoheshin e tërhiqnin këmbët zvarë me shikimin prapa nga unë.
Në çast mu kujtuan vargjet e Kudret Kokoshit në burgun e Burrelit kur ai kishte takuar për herë të parë Nënën pas shumë kohësh.

Të pashë o Nënë pas kaq kohe larguar
Te krrusur,te plakur e të tretur
Të pashë o Nënë mbi një shkop mbështetur
Mermer i gjallë vuajtjesh e mjerimi.

E ashtu si në vegim tek i shikoja të largoheshin si hije, dëgjova klithmën e policit.

Ç’pret – merri trastat e zhduku apo don ti flak në përrua !

DITARI I BURGUT Spac Gusht 1979

Filed Under: Opinion Tagged With: nena, Pellumb Lamaj

PRESIDENTI I RRJETIT TË BIZNESEVE SHQIPTARE NË BOTË NË SELINË E VATRËS

March 7, 2020 by dgreca

– BIZNESMENI NAZAR -NICK MEHMETI URON KRYETARIN E VATRËS DHE REGJISTROHET ANËTAR  I FEDERATËS/

– Së Shpëjti do të nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Botë dhe Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA”-

– Biznesmeni Nazar-Nick Mehmeti dhuroi 2500 dollarë për VATRËN-

            Të Shtunën në mesditë, 7 Mars 2020,Presidenti i Rrjetit të bizneseve të Diasporës Shqiptare në botë, zoti Nazar Nick – Mehmeti,i shoqëruar nga Dr. Naim Deduashaj,drejtor Ekzekutiv i Rrjetit,të Bizneseve, ka vizituar selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra.

Z. Mehmeti ia ka uruar mirëseardhjen Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha, i cili në fjalën prezantuse tha Nazar Nick Mehmeti përfaqëson shqiptaro-amerikanin e suksesshëm në SHBA, si dhe njërin prej dhuruesëve më bujar për luftën në Kosovë, që ka dhënë mijëra dollarë për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai është njëri prej lobuesëve me peshë për çështjen shqiptare në Washington. E ndjej veten me fat, tha z. Berisha, që me Presidentin mehmeti,  së bashku me z. Naim Dedushaj dhe shumë bashkëkombas të tjerë, bashkëpunojmë në rrjetin e bizenseve shqiptare në botë.

Kryetari i Vatrës i kërkoi z. Mehmeti një bashkëpunim më të ngushtë të Rrjetit të Bizneseve me Vatrën me qëllim që të ngrihet niveli i lobimit për çështjen shqiptare në Washington, ç’ka duhet të pranojmë se kohët e fundit ka një zbehje shqetësuse.

Po ashtu, kryetari i Vatrës, kërkoi mbështetje edhe për idenë që ai hodhi gjatë takimit në Vatër me Kongresisitin Eliot Engel, Kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan: Për të  lehtësuar dhënien e vizave të përkohshme shqiptarëve të kualifikur për të punuar këtu në SHBA në bizneset e shqiptaro-amerikanëve.

Në fjalën e tij z. Nazar-Nick Mehmeti tha se ndjehej i emocionuar që ndodhej në selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës për të uruar mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha, si dhe për të shprehur respekt për të gjithë brezat e vatranëve, për gjithçka ata kanë bërë për Kombin. Ai i uroi suksese Vatrës gjatë mandatit të kryetarit Berisha, për të cilin tha se ishte i bindur se do të bëjë më të mirën e  mundshme. Në shenjë respekti për Vatrën dhe kryetarin e saj, z. Mehmeti, plotësoi formularin e anëtarësimit në Federatë. Po ashtu ai dhuroi 2,500 dollarë për Vatrën.

Presidenti i Rrjetit Global të Bizneseve u tregua i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të nënshkruar në një të ardhme të afërt Memorandumin e bashkëpunimit të Rrjetit të Bizneseve shqiptare në Botë me Vatrën.

  Edhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Bizneseve dr. Naim Dedushaj, e falenderoi presidentin e Rrjetit të Bizneseve për vizitën e tij në Vatër dhe premtoi bashkëpunim.E kam ndjekur Kuvendin e Vatrës, kam vlerësuar ecurinë e tij, kam pëlqyer formën e mirëkuptimit dhe jam besim plot për forcimin e saj, tha z. Dedushaj. Ai e uroi Kryetarin Elmi Berisha për ta çuar Vatrën në një stad më ta lartë dhe u tregua i gatshëm që së bashku me pjestarët e tjerë të Rrjetit të Bizneseve të forconin bashkëpunimin me Vatrën. Edhe z. Dedushaj u regjistrua anëtar i federatës Vatra.

         Kryetari i Vatrës shoqërohej nga anëtarët e Kryesisë Anton Raja dhe Dalip Greca. Vizitën e ndoqi edhe anëtari i Vatrës, gazetari i TV 21 Halil Mulaj, Gani Haxhaj dhe Pellumb Vatnika.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 697
  • 698
  • 699
  • 700
  • 701
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT