• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PREKAZI DHE KULLAT E JASHARAJVE, VENDI NGA MARRIM TRIMËRINË…

March 7, 2020 by dgreca

-Kryeministri Kurti: Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tone/

PRISHTINË, 6 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, që u mbajt në kuadër të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”. 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

 “I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari. I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë, e shkolla në emrin e tyre. I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:  

Sot është dita e dytë e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E filluam me një orë mësimore në të gjitha shkollat e vendit në mënyrë që fëmijët e Kosovës të mësojnë për çmimin e lirisë së saj; e mbajtëm seancën solemne në institucionin më të lartë, në Kuvendin e Republikës; e vazhduam me parakalimin e ushtrisë sonë; bëmë vizita e homazhe në Kompleksin Adem Jashari; dhe, tani jemi këtu, në këtë akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar, Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënëve për liri.

Mënyra se si ne i kujtojmë të rënët për liri tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë.

Liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt. Neve duhet të mirëmbajmë trungun që del prej këtyre rrënjëve e që është shteti, degët që dalin prej trungut e që janë institucionet e organet shtetërore, gjethet që bëjnë kurorën e pemës e që janë partitë politike dhe organizatat e ndryshme në vend, kurse frutat janë mirëqenia që duhet të ndahet, shpërndahet e rishpërndahet te qytetarët e vendit tonë.      

Sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari.

I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë e shkolla në emrin e tyre.

I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët.

I kujtojmë kur pyesim familjarët e të afërmit e tyre se çfarë shikimi kishte Ademi, çfarë e mërziste e çfarë e gëzonte atë, se cilat këngë i kishte qejf t’i dëgjonte e cilat i këndonte edhe vetë, apo si tingëllonte zëri i tij kur qeshte, çfarë ëndrra kishte ai po të mos ishte i predestinuar për komandant,.. Jemi aq shumë kurreshtar për atë që pak e njohëm të gjallë, dhe që s’ka të gjallë sot që nuk e njeh.

Në një nga intervistat që ka dhënë Besarta Jasharaj ku rrëfen për tmerrin që ka përjetuar në ato tre ditë të qëndresës heroike thotë se: “Hera e fundit kur e kam pa babushin ka qenë ky vend, e kam pyet se çka është ka bahet, çka është gjithë kjo zhurmë, ai na tha hini mrena edhe ma nuk e kam pa, veç kur e kam ndi zanin e tij duke kënduar”.

Kur bombat e plumbat ranë mbi shtëpitë e Jasharajve, Hamza e Ademi kishin marrë këngën dhe po këndonin me zë të lartë për të mundur zhurmën e krismave që po frikësonin fëmijët.

Besarta mbijetoi për të treguar. Mbijetoi për të na shërbyer si kujtim i gjallë se sa shumë ju kemi borxh Jasharajve dhe familjeve të të rënëve për lirinë që e gëzojmë sot.

E Bashkimi, edhe ai mbijetoi për të treguar, por edhe për të shpëtuar tjetrin. Ai çau rrethimin me 5 mars për të ndihmuar shtëpinë e familjen fqinje të Jasharajve që ishte njësoj nën rrezik të madh me dy pleq brenda e të cilët më pastaj shpëtuan.

Para më shumë se 300 viteve, i pari i familjes Jashari (nga sa mbahet mend), ishte Murati i cili shkon „asqer“ në Pleme të Vogël, në vend të vëllait të vet i cili ishte më i dobët fizikisht. Prej aty nuk kthehet kurrë më.  E len djalin e vetëm të vogël Fazliun, i cili rritet nga axha i tij. Që prej Muratit i cili nuk kthehet, te Baca Rifat që na e rikthen Muratin profesor dhe Fazliun student, e deri te emrat e ripërtërirë të Shabanit, Zahides, Zarifes nga Murati, të Ademit nga Lulzimi kolonel, të Hamzës nga Bekimi kryetar i Skënderajt, e deri të Igballit nga Bashkimi gjeneral, e dimë që kemi të bëjmë me me një familje të fortë, aq të fortë, saqë të fortë për gjithë neve.

Shtylla e fortë e kësaj familje emblemë, gjithsesi ishte baca Shaban Jashari, i cili krahas rritjes së 8 fëmijëve, ishte mësues e veprimtar, ish i burgosur politik e luftëtar çlirimtar.

Ka një episod të zakonshëm për Bacën Shaban e fascinues për të tjerët që e lidh Bacën Shaban me nipin e tij Lulëzimin. Në vitin 1995, Luli arrestohet e mbahet rob nga policia serbe. Policia e Serbisë frikësohej t’i afrohej kullës së Jasharajve dhe e thërret Bacën Shaban për bisedime, për negociata, siç thuhet sot. I thonë, nëse e don djalin të gjallë na e dorëzo armatimin. Pra, shpëto nipin e dorëzo pushkët! Baca Shaban ju përgjigjet: mbajeni Lulin, s’e japim armatimin, Lula kemi boll. Sot, e kemi këtu Lulëzim Jasharin, por e kemi edhe armatimin e FSK-së, dy gjëra këto që sërish i lidh Baca Shaban.   

Prandaj, sot, të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi, nuk mjafton që vetëm të ngremë flamurin, të mbajmë një minutë heshtje, të vejmë kurorat apo të thurim vargje të bukura që të konsiderojmë se puna jonë mbaron këtu.

Ne nderojmë e lartësojmë punën dhe idealin e tyre, kur në jetët tona ne punojmë vazhdimisht e pa u ndalur për të avancuar lirinë dhe demokracinë, mirëqenien dhe bashkimin, barazinë dhe drejtësinë, mbrojtjen dhe sigurinë, ideale për të cilat ata dhanë jetën.

Si qeveri, ne do të marrim përsipër zbatimin e duhur të Ligjit për Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë dhe guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tonë.

Kullat janë në gjendje të rëndë dhe kërkohet trajtim serioz dhe profesional për të ruajtur dhe mbrojtur kompleksin Adem Jashari.

21 vjet pas, vitin që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për vrasjen e familjes Jashari.

E kemi për obligim e detyrim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, e për të cilën familja Jashari dha gjithçka që të kërkojmë drejtësi pa u ndalur jo vetëm për ata.

Të ardhmen do ta ndërtojmë jo duke e harruar a rrafshuar të kaluarën tonë, por duke kërkuar drejtësi për neve. Për neve që jemi dhe për ata që nuk janë veçse fizikisht me neve.

Askujt nuk i kemi borxh që t’i kërkojmë falje pse na kanë vrarë në vendin tonë e në të drejtën tonë.

Vetëm drejtësia dhe kërkim falja garantojnë paqen e qëndrueshme.

Është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Para 22 vjetësh, unë mbaj mend shumë mirë kronologjinë e ngjarjeve të asaj kohe. Më 28 shkurt, masakrat në Qirez dhe Likoshan, më 2 mars është demonstrata më e fuqishme e vitit 1998 në Kosovë, që mbahet në Prishtinë, më 5, 6 dhe 7 mars janë Epopeja e UÇK-së, më 9 mars është demonstrata më masive në Kosovën e vitit 1998. Pra, nuk e flas kronologjinë për të relativizuar rëndësinë, mirëpo Epopeja e UÇK ndodhej midis demonstratës më të fuqishme dhe demonstratës më masive. Pas Epopesë së UÇK-së, Ushtria e Çlirimtare e Kosovës merr hovin vendimtar.

Më  9 mars nuk kishte shqiptarë të ulur. Ishte një popull në këmbë. Dhe, për më tepër, deklaratat e Grupit të Kontaktit për nga gjuha dhe përmbajtja ndryshojnë përgjithmonë në favorin tonë.

Jemi përherë krenarë e çdoherë mirënjohës për sakrificën e Jasharajve, përulemi para veprës së tyre dhe familjeve të tyre.

I kujtojmë ata, të rënët, që t’ia përkujtojmë vetes ngritjen.

Lavdi Jasharajve dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve e martirëve të kombit.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Familja Jashari, Prekazi

MEHMET GJEVORI, MËSUESI I MËSUESVE SHQIPTARË

March 7, 2020 by dgreca

“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz/

Gazeta DIELLI, sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2020,  riboton shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të para 10 viteve – 7 Marsit 2010:

KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËS

NGA BEHLUL JASHARI

PRISHTINË, 7 Mars 2010/  Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.

Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.

Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.

Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandanti Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:

“Më 11. 8. 2002

Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.

Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.

Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!

Mehmet Gjevori”.

Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.

Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore  si redaktor i botimeve kam  bërë  edhe  detyrën  e lektorit  në gazetën Rilindja. Para  dite punoja  në Redaksinë  e Botimeve kurse pasdite  në  redaksinë  e gazetës Rilindja… Kontrolloja  gjuhësisht  shkrimet  e  gazetës  që do të jipeshin për botim.”

Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.

“Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:

“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetë ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.
E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.
Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, Mehmet Gjevori

A mundet Michigani ta rrëzojë Berni Sanders nga gara?

March 7, 2020 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Ishte Michigani ku Sanders ndërtoi një mrekulli të zgjedhjeve paraprake katër vjet më parë, duke mërzitur Hillary Clinton dhe duke shtyrë axhendën e tij populiste në të gjithë Midëestin industrial. Rezultati tregoi jo vetëm pamundësinë e Clintonit për të fituar me votuesit e klasës punëtore në zgjedhjet e përgjithshme, por mbështeti argumentin e Sanders që, duke garuar përsëri, ai mund të kishte sukses aty ku Clinton dështoi, në një garë ndaj kundër Donald Trumpit.

Por a ka mundësi që këtë të martë, Sanders mund të mos ta fitojë shtetin? Edhe pse sondazhet e para së martës kanë shënuar nga humbje për Joe Biden, në të gjithë Jugun dhe në Massachusetts dhe Minesota – një sondazh i Detroit News / WDIV-TV e vendosi Biden përpara Sanders me gati 7 përqind në Michigan. Dhe kjo ndodhi përpara se Super e marta t’i jepte të gjithë forcën e momentit Bidenit që e siguroi nga fitorja në Karolinës së Jugut, duke bërë që demokratët e moderuar të bashkoheshin rreth tij dhe të bindnin më shumë votues të pavendosur që t’i bashkoheshin atij.

“Kjo gjë mund të përfundojë të gjitha zgjedhjet paraprake brenda tre javësh,” tha Paul Maslin, një sondazhues i lartë demokrat, i cili punoi në fushatat presidenciale të Jimmy Carter dhe Hoëard Dean, sipas gazetës së majtë “Politico”. “Nëse Joe nuk bën ndonjë gafë të tmerrshme. Ai do të fitonte votat e zezakëve minimalisht nga 25-75%. Pasi ai. nuk ka hijen negative të Hillarit. Dhe nëse njerëzit do të duan ta mundin Trumpin, atëherë kjo garë ka mbaruar ”.

Por këshilltarët e Sanders besojnë se zgjedhjet në Michigan mund të punojnë në favor të senatorit të Vermontit javën që vjen, me një fitore për të rivendosur vazhdimin e të mëtejshëm të tij në garë.

Përballja e javës së ardhshme përfaqëson një numër shumë më të vogël të delegatësh, por Michigan – me 125 delegatë – është një shtet kritik për zgjedhjet e përgjithshme dhe një tregues për demokratët. Një humbje këtu mund të minojë në mënyrë të konsiderueshme argumentin e Sanders për elektibilitetin e tij.

“Biden mund ta mundë, Bernien në Michigan,” tha Michael Ceraso, i cili punoi për Sanders në vitin 2016 dhe ishte drejtori i fushatës së Pete Buttigieg në New Hampshire para se ai të linte fushatën e tij. Biden, tha Ceraso, “e kupton që ndërtimi i koalicionit ka të bëjë me kompromisin, i cili do të ndihmonte atë në Michigan, ku elektorati është ekonomikisht i larmishëm, kryesisht i bardhë, me një popullsi të madhe votuese afrikano-amerikane.”

Biden ka pak gjurmë pranie në shtet dhe fushata e tij ka rezervuar vetëm 500,000 dollarë në kohën për reklama TV këtu. Por ai mund të gjejë rrugëdalje të reja.

Barry Goodman, një financues i Biden në Michigan, tha që Biden të hënën do të marrë pjesë në një fushatë mbledhje fondesh në shtet, nikoqirët e të cilit përfshijnë Goodman, ish-guvernatorin e Michiganit James Blanchard dhe kryebashkiakun e Detroitit, Mike Duggan.

“Të gjithë duan të hyjnë në bandën e tij tani,” tha Goodman. “Unë mendoj se nëse Joe fiton Michiganin me 10 Mars  Bernie mund të mos largohet ende. Por në javët në vijim, kur ai të humbasë edhe në Florida, Mississippi dhe Georgia, mendoj se ai do të duhej të tërhiqet. “

Fushata e Sanders ka qenë prej kohësh e sigurt për Michiganin, për shkak të përfundimit të fitores së tij në vitin 2016, si dhe pranisë së tij të kaluar midis punonjësve të bardhë të klasës punëtore dhe votuesve myslimanë. Në një sondazh të YouGov i bërë në mes të shkurtit, Sanders kryesonte mbi  Bidenin në Michigan me nëntë pikë përqindje.

Në fakt  Bernie Sanders është kandidat kryesor sot vetëm për shkak të mënyrës se si ne i rritëm fëmijët tanë vitet e fundit në SHBA.

Por, si arriti një socialist i prirur për gjithë jetën me ide te majta dhe madje komuniste që lëvdon Castron dhe dikush që kurrë nuk fitoi kurrë më parë në zgjedhje si demokrat, të jetë në krye të zgjedhjeve partiake demokrate.

Përgjigja e thjeshtë është, se ai po mbështetet nga miliona votues të rinj demokratë dhe ata janë votues aktivë të Sanders, edhe pse nëse prindërit e tyre nuk arrijnë ta kuptojnë këtë ?

Ja se si ndodhi kjo: Amerikanet u bindën se të gjithë kolegji ishte 100% i nevojshëm për fëmijët amerikane dhe më pas e bëmë të papërballueshëm. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, tufa e arsimtarëve, politikanëve dhe gazetarëve që e bënë të krijohet bindja se kolegji ishte thelbësor për suksesin në karrierë u bë shumë më i fortë dhe kjo mbyti çdo kundër argument.

Në të njëjtën kohë, kostot e shkollimit në kolegje kanë shpërthyer lart falë shumë programeve qeveritare që prodhuan pasoja të paqëllimshme, por të parashikueshme. Më së shumti filloi në 1978 kur u hodhën më shumë kredi dhe subvencione për një numër studentësh. Kostoja e shkollimit në kolegj është rritur gjashtë herë më shumë sesa shkalla e inflacionit duke filluar që nga vitet 1970. Tani, miliona të rinj amerikanë janë rënduar me shumë hua kolegji, që duken të pamundura për t’u shlyer. Borxhi i përgjithshëm i huave studentore në ShBA tani arrin në më shumë se 1.6 trilionë dollarë.

Ndaj a është çudi që kaq shumë prej tyre tërhiqen nga një kandidat presidencial , i cili jo vetëm premton të falë borxhet studentore, por e paraqet gjendjen e tyre në vështirësi, si rezultat i lakmisë së korporatave dhe përparësive të gabuara të qeverisë?

Për fat të mirë të Sanders, votuesit e rinj që e mbështesin atë për premtimet për faljen e borxheve te shkollimit të kolegjit nuk do të jenë shumë të interesuar në historinë e tij familjare. Gruaja e tij Jane Sanders ishte presidente e Kolegjit Burlington dhe ajo dhe administratorët e tjerë raportohet se ishin subjekt i një hetimi të gjatë të FBI-së pasi mashtruan oficerët e kredisë bankare për numrin real të fondeve të donacioneve të premtuara kolegjit. Hetimet e FBI për çështjen përfunduan në 2018, dhe Jane Sanders nuk u akuzua. Por politikat që ajo mbikëqyri e zbatoi, të cilat përfshinin presione për zgjerime të mëdha në kampus, ishin tregues i disa prej shkaqeve thelbësore të rritjes së kostove të studimit në kolegjet e Amerikës.

Establishmenti i të dyja partive i ka injoruar votuesit e rinj, sado e shenjtë dhe e rëndësishme është kjo gjë, pasi politikanët amerikanë e bëjnë gjendjen e arsimit në kolegje të shëndoshë. Kjo nuk është asgjë në krahasim me mënyrën se si liderët nga të dy partitë flasin për programe për amerikanët e moshuar si për Sigurimet Shoqërore dhe Medicare.

Asnjë prej tyre nuk është mister, pasi amerikanët e moshuar gjithmonë kanë pasur më shumë gjasa të votojnë. Edhe pse votuesit e moshës 18-29 vjeç kanë pasur rritje të numrit të pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit, qytetarët e moshuar ende përbëjnë pjesën më të madhe të kolegjit elektoral. Në vitin 2016, 71% e amerikanëve 65 vjeç dhe më të vjetër votuan në krahasim me vetëm 46% të moshave 18-29 vjeç. Në periudhën afatmesme të vitit 2018, ky  hendek u ngushtua në 66% në 36%, por gjithsesi mbetet një hendek dallues .

Të rinjtë janë mbështetës të zjarrtë por nuk janë të gatshëm të shkojnë në votime. Shtetet e Bashkuara kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së votuesve të rinj në botë. Në të dy zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe ato afatmesme, votuesit e moshuar dalin me dyfishin e nivelit të të rinjve. Ky model nuk ka ndryshuar në zgjedhjet e fundit. Në vitin 2018, sondazhet  vlerësuan nivele të larta historike të pjesëmarrjes së të rinjve; megjithëkëtë, edhe në këtë vit të mbarë për pjesëmarrjen e të rinjve, gjithsej 7 në 10 të rinj mori pjesë në zgjedhjet. Provat e hershme tregojnë se gjërat nuk do të duken shumë më ndryshe se në vitin 2020, përkundër faktit se të rinjtë do të kenë një sasi të konsiderueshme ndikimi nw zgjedhjet paraprake dhe se sa në zgjedhjet e përgjithshme.

Shumë njerëz argumentojnë se amerikanët e rinj nuk arrijnë të votojnë sepse janë apatikë ndaj politikës. Punëdhënësit  zakonisht përshkruajnë mijëvjeçarët si shumë cinikë, shumë të interesuar dhe të vetëmbyllur sesa për të hedhur një fletëvotim. Por kjo pretendim thjesht nuk është i vërtetë. Të rinjtë e sotëm janë shumë të interesuar për politikën. Nga 2000, 76% e të rinjve thonë se janë të interesuar për politikë dhe 74% thonë se i intereson ai që zgjidhet. Dhe këtu është ndryshimi.  Para zgjedhjeve, plot 81% e të rinjve thonë se synojnë të votojnë. Por çfarë i pengon ?  Megjithëse shumë të rinj duan të votojnë, ata kanë shumë më shumë gjasa sesa homologët e tyre të moshuar të largohen nga pengesat në rrugën e tyre pasi nuk kanë votuar më parë .

I gjithë ky përqendrim tek votuesit e vjetër dhe fondet e pensionit të tyre është një ndjenjë e bukur, por është e gabuar. Një studim i vitit 2017 mbi pasurinë e bazuar mbi moshën në ShBA tregon se një familje tipike e kryesuar nga një i rritur 65 vjeç apo më i vjetër ka 47 herë vlerën neto më shumë se një familjeje e kryesuar nga amerikanët e rinj. Pra gjyshi dhe gjyshja kanë para. Nga ana tjetër të ndihmosh njerëzit e moshuar që ndodh të jenë të varfër ose në kufijtë e varfërisë është diçka ndryshe. Por supozimi që shumë prej nesh ka për njerëzit e moshuar që kanë nevojë për më shumë ndihmë financiare në Amerikë është e kundërta e së vërtetës.

Po te shohim Obama Care Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, i cili fjalë për fjalë është marrëzi mbështetej nga Amerikanët e rinj dhe më të shëndetshëm që të plotësonin faturën financiare për të mbuluar njerëzit e moshuar dhe të sëmurë, dhe ju shihni pikërisht një model po këtu.

Sanders flet shumë për Sigurimet Shoqërore, dhe ai është padyshim vetë një qytetar i moshuar. Por ai zakonisht zgjeron premtimet e tij në fushatë për të përfshirë njerëz të rinj, siç bëri kur ai mori drejtimin me premtimin e Medicare for All në vitin 2017.

Tani kur Kongresi ishte në zjarr. Për të gjitha ndryshimet e politikave dhe minutat politike demokratët shpenzojnë të kur kritikojnë Presidentin Trump, sulmet më të qëndrueshme ndaj Trumpit nga institucioni Demokratik mbesin akuzat se Trump po mbështet epërsinë e të bardhëve dhe po kontrollohet nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Këto janë akuza të sipërfaqësore dhe është e vështirë të pranohet që edhe shumica e demokratëve të zgjedhur, në fakt, i besojnë ato.  Sanders mund të jetë një politikan në karrierë, por ai kurrë nuk ka qenë një politikan kryesor i Partisë Demokrate. Personi dhe marka e tij politike përshtatet shumë më mirë në narrativën e urrejtës se Partisë Demokratike. Establishmenti po korr atë që ka mbjellë. Si rezultat, duket gjithnjë e më shumë Sanders ka një moment të pandalshëm edhe pas Super se Martës dhe përtej, sidomos pas tërheqjes së Elisabeth Warren. Megjithatë të shohim?

Pyetja e madhe tani është nëse establishmenti demokrat do të përpiqet të shmangë Sanders përpara rasti është në Michigan ose gjatë Konventës Kombëtare Demokratike. Prandaj zgjedhjet ne Michigan me 125 delegatë këtë të martë kanë rëndësi. Por sido që të ndodhë, Partia Demokrate po luan me zjarrin pasi rrezikon të tjetërsojë përgjithmonë votuesit e rinj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Biden, Rafael Floqi, Sanders

ZOTI PRESIDENT, MOS E MBANI FSHEHUR NËNTËDHJETË PËRQINDËSHIN!

March 7, 2020 by dgreca

– “Nëse atdhedashuria është një fe, sa më pak të flitet për të aq më i fuqishëm do të jetë autoriteti i saj”- Remy de Gourmont (1858 – 1915), poet, prozator e kritik francez-/

–“Nëse atdheu është në rrezik, nuk ka më të drejta për askënd, ka vetëm detyra.”   Kështu shprehet një dramaturg, jo shumë i njohur gjerman i shekullit XIX, Ernst von Wildenbruch. I takon presidentit të ndriçojë më mirë kuptimin e atyre fjalëve që hedhin një hije të zezë mbi të sotmen e t’ardhmen e Vendit tonë….. Uroj të mos i mungojë guximi e ndershmëria intelektuale t’i bëjë të njohur bashkatdhetarëve të tij, shqetësimet e cekura, por ende të pashprehura çiltër prej tij./

NGA EUGJEN MERLIKA/

            2 marsi I vitit 1444 është një datë e shënuar në historinë tonë. Qe dita e tubimit të princave shqiptarë, të thirrur nga Gjergj Kastrioti në sipërmarrjen më të rëndësishme të epokës së tyre, që u kurorëzua me një lidhje bese për bashkimin e forcave në përballimin e vërshimit të ushtrive otomane drejt tokës arbërore.Kjo lidhje në çerek shekullin e madh pati luhatjet e saj, por qe tabani mbi të cilin u mbështet epopeja zulmë-madhe arbërore.

            Duke kujtuar atë datë, kryetari i Shtetit shqiptar, z. Ilir Meta, mbas 556 vitesh lindi idenë e një beslidhje të re n’emër të “mbrojtjes së Kushtetutës” e ftoi qytetarët shqiptarë në një tubim të madh në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, në një kohë kur në më shumë se 80 Vende të botës, me urdhëresa qeveritare porositen njerëzit të mos qëndrojnë më pak se një metër larg njëri tjetrit, për shkak të infektimit nga koronavirusi. Dy ngjarjet në hapësirë kohe më shumë se pesë shekuj e gjysmë, janë po kaq larg edhe si synim projektesh. Ndërsa më 1444 Gjergj Kastrioti i kërkonte prijësve të krahinave arbërore besën e lashtë të tyre për t’i bërë ballë një pushtimi të mundshëm të Atdheut nga hordhitë e Anadollit, më 2020, Ilir Meta kërkoi përkrahjen e popullit, apo më mirë të përkrahësve të tij, për të zhvilluar luftën politike kundër ish ortakut të tij, Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Edhe se kjo luftë motivohet me parulla “të mëdha”, gjithmonë të lidhura me “interesat e popullit e të demokracisë”, si kushtetueshmëria apo lufta kundër krimit të organizuar, e ashtuquajtura K.Ç. K., thelbi qëndron në një betejë të gjatë për pushtimin e shtetit, të cilën dy miqtë kundërshtarë kanë më shumë se një të katërt shekulli që e zhvillojnë në forma të ndryshme.

            “Çuditërisht” këto beteja përkojnë me kthesa të mëdha në rrugën e shoqërisë shqiptare, siç janë kërkesat e Shqipërisë për të filluar bisedimet me BE. Sikur të ishte një marrëveshje e fshehtë nën rrogoz, herë Rama, më pas Berisha e Basha, tani Meta, janë të gatshëm të ndezin flakadanin e “revoltës”, që sjell si pasojë shtyrjen në pafundësi të fillimit të bisedimeve që, natyrisht, nuk mund të nisin me një Vend të paqëndrueshëm nga pikpamja institucionale e me probleme të shumta të bashkëjetesës mes përbërësve të politikës. Kjo është fasada e hershme e demokraturës shqiptare, ndërsa mbas saj fshihet një marrëveshje e përsosur në mbrojtjen e interesave lëndore e morale të secilit, për të marrë pjesën e vet në tortën e madhe që është Shqipëria. E gjithë ecuria e këtyre viteve të pas komunizmit vërteton këtë tabllo të zymtë që përcakton fatkeqësinë e mbetjes mbrapa të Shqipërisë në rrugën evropiane.

            Në fjalën e gjatë të presidentit del me të gjithë larminë e saj kjo tabllo: Shqipëria e sotme ka një “sistem drejtësie të kapur prej fyti nga sekti anti-shtet”; “ekonomia e shumicës dërmuese të shqiptarëve është në ditët më të errta”; “ata miratuan një ligj për të favorizuar në mënyrën më antikushtetuese, më korruptive, por edhe mafioze, oligarkët dhe klanet e tyre”; “ky nuk është shteti i së drejtës dhe i qytetarëve, por është një instrument shtypës, diskriminues e poshtërues i disa puçistëve të pushtetit të oligarkëve dhe klientëve të tyre”; “në muajin shkurt 2019 një vit më parë, ata e provokuan opozitën për t’a larguar atë nga Parlamenti”; “400 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj, janë larguar nga Vendi gjatë viteve të fundit”; “qëllimisht Shqipëria është lënë pa Gjykatë Kushtetuese, sepse në kokën e puçistëve ka vetëm një synim, kapjen me çdo kusht të shtetit për interesa të pushtetit të tyre”; “grabiten e vidhen në mes të ditës kompetencat që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës”; “ky grusht shteti nisi me vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Dosjet që flenë edhe sot e nuk hetohen”; “Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri…..”.

            Me pak shprehje të nxjerra nga fjalimi na del parasysh përfytyresa e një Vendi me njëmijë probleme, me një qeveri të jashtëligjëshme, që harton ligje antikushtetuese, që është përgjegjëse për prapambetjen ekonomike, për largimin e shqiptarëve nga atdheu, për shkelje të ligjit e pushtim të gjithë institucioneve, për vjedhje votash etj.

            Kjo fjalë mund të ishte një kalë beteje i Opozitës, mund të ishte një shkrim i cilitdo gazetari, mund të ishte lëndë për një mesazh presidencial qortues Kuvendit të Shqipërisë, por nuk mund të jetë një fjalim i një Kryetari Shteti, drejtuar një tubimi të qytetarëve të tij.. Në rast se konflikti ka shkuar në pikën e moskthimit mbrapa, në rast se për të dy institucionet është i shtrenjtë interesi i Vendit, njëri apo të dy duhet të bëjnë një hap mbrapa e t’i hapin rrugën të tjera zgjidhjesh të problemit.

            Pa hyrë në shtjellimin e hollë të gjithë argumentave të presidentit, vjen natyrshëm një vërejtje proverbiale e lashtë: “nga çfarë amvone vjen predikimi”, duke mbajtur parasysh faktin që presidenti i sotëm është në drejtimin e shtetit shqiptar, prej shumë vitesh në detyra të ndryshme. Nëse Shqipëria është sot  Vendi që vizaton presidenti, një “meritë” për të gjitha të këqijat që shfaq e ka dhe ai e partia e tij, që gjatë dy legjislaturave ka praktikuar korrupsionin në shkallë të gjërë, nëpërmjet sistemit të punësimeve e kushtëzimit të nëpunësve të ndërmarrjeve të saj, në bashkëpunim me PD në hapësirën kohore 2009 – 2013 e me PS në atë 2013 – 2017. Nëse largohen nga Shqipëria njerzit kanë arsye objektive dhe dukuria është e shtrirë në të gjithë vitet e në të gjitha qeveritë. Presidenti mund të ketë të drejtë në disa nga vërejtjet e tij, por nuk ka zgjedhur as vendin as kohën e duhur, pa folur për mënyrën e veprimit. Rilindja që sulmon aq ashpër ai është kriijesë e tij së bashku me Edi Ramën. Kundërshtia e theksuar sot mes atyre të dyve në përceptimin e përgjithshëm ka vulën e interesave të ndërsjellta dhe nuk i sjell asgjë të mirë Vendit që sot është në një gjëndje tepër të brishtë e do të kishte nevojë për një udhëheqje të ndritur e jo për kalorës me pallë zhveshur, që i japin beleg njëri tjetrit nga dy pozitat më të rëndësishme të shtetit.

            Presidenti bën dy pyetje retorike: a ka ndonjë Vend të NATO-s apo n’Evropë që ka qëndruar një orë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese? A ka ndonjë Vend në NATO apo n’Evropë që ka qëndruar një ditë të vetme pa Gjykatë të lartë? Ka një dozë të theksuar demagogjie e humbjeje kujtese nga ana e tij për të marrë përgjigjet e atyre pyetjeve që lidhen me një vendim të marrë me hir apo pahir, katër vite më parë, kur ai ishte Kryetar i Kuvendit, për të kryer reformën në Drejtësi, një vendim që u përshëndet si një sukses i madh i demokracisë shqiptare nga të gjitha forcat politike brënda Vendit, madje si arritje e rëndësishme nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe amerikane. Nëse për Shqipërinë u bë i domosdoshëm Vettingu në organet e Drejtësisë dhe në sfera të tjera të jetës së saj administrative, ky fakt është dëshmia më tronditëse e paaftësisë apo keqdashjes  së klasës së saj politike që ndërtoi një sistem të bazuar mbi paligjshmërinë, mos resppektimin e rregullave e ligjeve dhe korrupsionin e përhapur në të gjithë gjymtyrët e shtetit, kryesisht në fushën e Drejtësisë. Në papërgjegjësinë e asaj klase politike për të emëruar në rangje të larta të organeve të Drejtësisë, njerëz me probleme morale t’asaj shkalle që nuk arrijnë të kalojnë Vettingun, është e kuptueshme edhe arsyeja pse Shqipëria qëndron ende pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë. Në këtë katrahurë, në të cilën u katandis Drejtësia dhe jeta administrative shqiptare mbas tridhjetë vitesh të tjetërsimit të sistemit, përgjegjësinë e mbajnë të gjitha forcat politike, ndër të parët vetë presidenti së bashku me drejtuesit e tjerë që prej më shumë se njëzet vitesh janë alternuar në mbarështimin e pushtetit. Virgjëria, që duan të tregojnë duke paditur njëri tjetrin, nuk i mbulon aspak prapësitë e tyre për të cilat besoj se shumica e shqiptarëve janë të vetëdijshëm.

            Deri tani edhe Drejtësia e re shfaq shenja që bëjnë të lindin dyshime nëse është gjithshka në rregull, kur ndodhin dukuri të tilla që lirojnë nga burgjet njerëz të dënuar me burgim të përjetshëm, por që venë nën padi, madje arrestojnë si një kriminel një njeri si z. Henri Çili, i cili edhe nëse do të ketë ndonjë problem me drejtësinë, mund t’a përballojë si një qytetar i lirë. Arrestimi i bujshëm i tij mendoj se i ngjet atyre arrestimeve të dhjetra viteve më parë, që bëheshin për të mbjellë terrorin mes njerëzve e të cilin i nënëshkruari e ka provuar në lëkurën e tij. Nëse edhe në Drejtësinë e re ka mendësi të tilla, jemi ende tepër larg standarteve të kërkuara evropiane.

            Duke u kthyer tek tubimi i presidentit i 2 marsit, desha të theksoj një shprehje tronditëse: “E di, por duhet të dini një gjë, që unë në publik, për hir të disa interesave shtetërore nuk kam treguar as 10 % të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe kundër reformës në drejtësi.”Po ndalem në këtë frazë, e cila së bashku me emërtimin “organizata ndërkombëtare mafioze”, besoj se kërkojnë një shpjegim më të hollësishëm, për të mos i lënë shteg një ndërpretimi të gabuar nga ana e shqiptarëve të thjeshtë. Në pamje të parë besoj se aluzioni është i qartë: nuk mund të jetë Rusia dhe Kina, me të cilat shteti i ynë nuk ka marrëdhënie të ngushta politike. Gjatë viteve të pas komunizmit, fatmirësisht, Shqipëria është rreshtuar, në tërësinë e saj të jetës politike, nga ana e Perëndimit. Është antare e NATO-s dhe pret hapjen e bisedimeve me BE. Madje ka refuzuar edhe ndonjë ftesë që vjen nga Rusia për pjesëmarrje në organizma ndërkombëtare  rajonale nën përkujdesjen e saj.

            Por cilët janë antarët e “organizatës ndërkombëtare mafioze” që kanë “kryer krime kundër sovranitetit të shqiptarëve dhe reformës në drejtësi”? Mendoj se presidenti duhet të jetë më i hapur e t’u tregojë me fakte e argumenta bindëse bashkatdhetarëve të tij, se cilët janë dhunuesit e sovranitetit të tyre e cili është qëndrimi i vërtetë i tij kundrejt tyre.

            Pa hyrë në hollësitë e trajtimit të kësaj teme vlen t’i kujtohet presidentit se shumë shqiptarë janë ende dëshmitarë të një epoke, në të cilën kanë jetuar me demagogjinë kriminale të “kalasë së vetme të socializmit në botë” e besoj se nuk janë më të prirur t’a përsërisin edhe njëherë atë përvojë të llahtarëshme. Një Shqipëri, jashtë skemave të bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, do t’ishte fatkeqësia m’e madhe e saj në shekullin 21. Prandaj, pa humbur kohë, presidenti duhet të shpjegojë 90 % të krimeve që kanë rënduar në këta vite mbi shpinën e shqiptarëve. Nuk ka asnjë thirrje kuq e zi që të mund të shmangë këtë domosdoshmëri, sepse atdhedashuria, sido që të shprehet, nuk mund të ligjësojë kurrë një të keqe të madhe dhe shqiptarët duan të jenë të qartë mbi synimet e drejtuesve të tyre në veprimtarinë shtetërore në shërbim të tyre. Besoj se kambiale të bardha si ai që i dhanë më 29 nëndor 1944 Enver Hoxhës, për ta nuk janë më të mundëshme dhe as të pranueshme.

            “Nëse atdheu është në rrezik, nuk ka më të drejta për askënd, ka vetëm detyra.”   Kështu shprehet një dramaturg, jo shumë i njohur gjerman i shekullit XIX, Ernst von Wildenbruch. I takon presidentit të ndriçojë më mirë kuptimin e atyre fjalëve që hedhin një hije të zezë mbi të sotmen e t’ardhmen e Vendit tonë….. Uroj të mos i mungojë guximi e ndershmëria intelektuale t’i bëjë të njohur bashkatdhetarëve të tij, shqetësimet e cekura, por ende të pashprehura çiltër prej tij.

Mars 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Presidentit Meta

BASHKË NË PREKAZ NË 22 VJETORIN E EPOPESË SË UÇK-së

March 6, 2020 by dgreca

-Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani në Prekaz: Ne kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve/

– Kryeparlamentarja Osmani: Sakrifica e Jasharajve i ka vënë themele të forta shtetit të Kosovës/

PREKAZ, 6 Mars 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, znj, Vjosa Osmani, kanë bërë sot homazhe te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe Familjes Jashari në Prekaz, me rastin e 22- vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”. 

Kryeministri Kurti tha se pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës dhe pas parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot, u bënë bashkë në Prekaz për të nderuar 22-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, për të bërë homazhe te varret e Jasharajve, të kësaj familjeje e cila siç theksoi kryeministri Kurti e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.

“Ne kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi”, u shpreh kryeministri Kurti, duke bërë të ditur se pas këtyre homazheve, do të vizitojnë edhe familjen Jashari, përkatësisht bacën Rifat.

Osmani: Sakrifica e Jasharajve i ka vënë themele të forta shtetit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetarja Osmani tha se në Prekaz janë për ta nderuar sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë.

 “Por më e rëndësishmja është që jo vetëm në këto data por në çdo ditë e në çdo moment, ta përkujtojmë këtë sakrifice, e cila i ka vënë themelet dhe ato, themele jashtëzakonisht të forta të shtetit tonë. Në të njëjtën kohë, ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës, duke bërë të ditur para syve të botës demokratike se populli shqiptar ishte një popull i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb”, tha kryekuvendarja Osmani.

Më pas Kryetarja e Kuvendit, zonja Osmani e shoqëruar nga kryeministri Kurti, deputetë, ministra dhe përfaqësues të FSK-së, e kanë vizituar familjen Jashari, ku janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari.​

* Per me shume fotografi shkoni ne fb Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Bashke ne Prekaz, Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 698
  • 699
  • 700
  • 701
  • 702
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT