– “Nëse atdhedashuria është një fe, sa më pak të flitet për të aq më i fuqishëm do të jetë autoriteti i saj”- Remy de Gourmont (1858 – 1915), poet, prozator e kritik francez-/
–“Nëse atdheu është në rrezik, nuk ka më të drejta për askënd, ka vetëm detyra.” Kështu shprehet një dramaturg, jo shumë i njohur gjerman i shekullit XIX, Ernst von Wildenbruch. I takon presidentit të ndriçojë më mirë kuptimin e atyre fjalëve që hedhin një hije të zezë mbi të sotmen e t’ardhmen e Vendit tonë….. Uroj të mos i mungojë guximi e ndershmëria intelektuale t’i bëjë të njohur bashkatdhetarëve të tij, shqetësimet e cekura, por ende të pashprehura çiltër prej tij./
NGA EUGJEN MERLIKA/
2 marsi I vitit 1444 është një datë e shënuar në historinë tonë. Qe dita e tubimit të princave shqiptarë, të thirrur nga Gjergj Kastrioti në sipërmarrjen më të rëndësishme të epokës së tyre, që u kurorëzua me një lidhje bese për bashkimin e forcave në përballimin e vërshimit të ushtrive otomane drejt tokës arbërore.Kjo lidhje në çerek shekullin e madh pati luhatjet e saj, por qe tabani mbi të cilin u mbështet epopeja zulmë-madhe arbërore.
Duke kujtuar atë datë, kryetari i Shtetit shqiptar, z. Ilir Meta, mbas 556 vitesh lindi idenë e një beslidhje të re n’emër të “mbrojtjes së Kushtetutës” e ftoi qytetarët shqiptarë në një tubim të madh në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, në një kohë kur në më shumë se 80 Vende të botës, me urdhëresa qeveritare porositen njerëzit të mos qëndrojnë më pak se një metër larg njëri tjetrit, për shkak të infektimit nga koronavirusi. Dy ngjarjet në hapësirë kohe më shumë se pesë shekuj e gjysmë, janë po kaq larg edhe si synim projektesh. Ndërsa më 1444 Gjergj Kastrioti i kërkonte prijësve të krahinave arbërore besën e lashtë të tyre për t’i bërë ballë një pushtimi të mundshëm të Atdheut nga hordhitë e Anadollit, më 2020, Ilir Meta kërkoi përkrahjen e popullit, apo më mirë të përkrahësve të tij, për të zhvilluar luftën politike kundër ish ortakut të tij, Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Edhe se kjo luftë motivohet me parulla “të mëdha”, gjithmonë të lidhura me “interesat e popullit e të demokracisë”, si kushtetueshmëria apo lufta kundër krimit të organizuar, e ashtuquajtura K.Ç. K., thelbi qëndron në një betejë të gjatë për pushtimin e shtetit, të cilën dy miqtë kundërshtarë kanë më shumë se një të katërt shekulli që e zhvillojnë në forma të ndryshme.
“Çuditërisht” këto beteja përkojnë me kthesa të mëdha në rrugën e shoqërisë shqiptare, siç janë kërkesat e Shqipërisë për të filluar bisedimet me BE. Sikur të ishte një marrëveshje e fshehtë nën rrogoz, herë Rama, më pas Berisha e Basha, tani Meta, janë të gatshëm të ndezin flakadanin e “revoltës”, që sjell si pasojë shtyrjen në pafundësi të fillimit të bisedimeve që, natyrisht, nuk mund të nisin me një Vend të paqëndrueshëm nga pikpamja institucionale e me probleme të shumta të bashkëjetesës mes përbërësve të politikës. Kjo është fasada e hershme e demokraturës shqiptare, ndërsa mbas saj fshihet një marrëveshje e përsosur në mbrojtjen e interesave lëndore e morale të secilit, për të marrë pjesën e vet në tortën e madhe që është Shqipëria. E gjithë ecuria e këtyre viteve të pas komunizmit vërteton këtë tabllo të zymtë që përcakton fatkeqësinë e mbetjes mbrapa të Shqipërisë në rrugën evropiane.
Në fjalën e gjatë të presidentit del me të gjithë larminë e saj kjo tabllo: Shqipëria e sotme ka një “sistem drejtësie të kapur prej fyti nga sekti anti-shtet”; “ekonomia e shumicës dërmuese të shqiptarëve është në ditët më të errta”; “ata miratuan një ligj për të favorizuar në mënyrën më antikushtetuese, më korruptive, por edhe mafioze, oligarkët dhe klanet e tyre”; “ky nuk është shteti i së drejtës dhe i qytetarëve, por është një instrument shtypës, diskriminues e poshtërues i disa puçistëve të pushtetit të oligarkëve dhe klientëve të tyre”; “në muajin shkurt 2019 një vit më parë, ata e provokuan opozitën për t’a larguar atë nga Parlamenti”; “400 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj, janë larguar nga Vendi gjatë viteve të fundit”; “qëllimisht Shqipëria është lënë pa Gjykatë Kushtetuese, sepse në kokën e puçistëve ka vetëm një synim, kapjen me çdo kusht të shtetit për interesa të pushtetit të tyre”; “grabiten e vidhen në mes të ditës kompetencat që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës”; “ky grusht shteti nisi me vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Dosjet që flenë edhe sot e nuk hetohen”; “Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri…..”.
Me pak shprehje të nxjerra nga fjalimi na del parasysh përfytyresa e një Vendi me njëmijë probleme, me një qeveri të jashtëligjëshme, që harton ligje antikushtetuese, që është përgjegjëse për prapambetjen ekonomike, për largimin e shqiptarëve nga atdheu, për shkelje të ligjit e pushtim të gjithë institucioneve, për vjedhje votash etj.
Kjo fjalë mund të ishte një kalë beteje i Opozitës, mund të ishte një shkrim i cilitdo gazetari, mund të ishte lëndë për një mesazh presidencial qortues Kuvendit të Shqipërisë, por nuk mund të jetë një fjalim i një Kryetari Shteti, drejtuar një tubimi të qytetarëve të tij.. Në rast se konflikti ka shkuar në pikën e moskthimit mbrapa, në rast se për të dy institucionet është i shtrenjtë interesi i Vendit, njëri apo të dy duhet të bëjnë një hap mbrapa e t’i hapin rrugën të tjera zgjidhjesh të problemit.
Pa hyrë në shtjellimin e hollë të gjithë argumentave të presidentit, vjen natyrshëm një vërejtje proverbiale e lashtë: “nga çfarë amvone vjen predikimi”, duke mbajtur parasysh faktin që presidenti i sotëm është në drejtimin e shtetit shqiptar, prej shumë vitesh në detyra të ndryshme. Nëse Shqipëria është sot Vendi që vizaton presidenti, një “meritë” për të gjitha të këqijat që shfaq e ka dhe ai e partia e tij, që gjatë dy legjislaturave ka praktikuar korrupsionin në shkallë të gjërë, nëpërmjet sistemit të punësimeve e kushtëzimit të nëpunësve të ndërmarrjeve të saj, në bashkëpunim me PD në hapësirën kohore 2009 – 2013 e me PS në atë 2013 – 2017. Nëse largohen nga Shqipëria njerzit kanë arsye objektive dhe dukuria është e shtrirë në të gjithë vitet e në të gjitha qeveritë. Presidenti mund të ketë të drejtë në disa nga vërejtjet e tij, por nuk ka zgjedhur as vendin as kohën e duhur, pa folur për mënyrën e veprimit. Rilindja që sulmon aq ashpër ai është kriijesë e tij së bashku me Edi Ramën. Kundërshtia e theksuar sot mes atyre të dyve në përceptimin e përgjithshëm ka vulën e interesave të ndërsjellta dhe nuk i sjell asgjë të mirë Vendit që sot është në një gjëndje tepër të brishtë e do të kishte nevojë për një udhëheqje të ndritur e jo për kalorës me pallë zhveshur, që i japin beleg njëri tjetrit nga dy pozitat më të rëndësishme të shtetit.
Presidenti bën dy pyetje retorike: a ka ndonjë Vend të NATO-s apo n’Evropë që ka qëndruar një orë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese? A ka ndonjë Vend në NATO apo n’Evropë që ka qëndruar një ditë të vetme pa Gjykatë të lartë? Ka një dozë të theksuar demagogjie e humbjeje kujtese nga ana e tij për të marrë përgjigjet e atyre pyetjeve që lidhen me një vendim të marrë me hir apo pahir, katër vite më parë, kur ai ishte Kryetar i Kuvendit, për të kryer reformën në Drejtësi, një vendim që u përshëndet si një sukses i madh i demokracisë shqiptare nga të gjitha forcat politike brënda Vendit, madje si arritje e rëndësishme nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe amerikane. Nëse për Shqipërinë u bë i domosdoshëm Vettingu në organet e Drejtësisë dhe në sfera të tjera të jetës së saj administrative, ky fakt është dëshmia më tronditëse e paaftësisë apo keqdashjes së klasës së saj politike që ndërtoi një sistem të bazuar mbi paligjshmërinë, mos resppektimin e rregullave e ligjeve dhe korrupsionin e përhapur në të gjithë gjymtyrët e shtetit, kryesisht në fushën e Drejtësisë. Në papërgjegjësinë e asaj klase politike për të emëruar në rangje të larta të organeve të Drejtësisë, njerëz me probleme morale t’asaj shkalle që nuk arrijnë të kalojnë Vettingun, është e kuptueshme edhe arsyeja pse Shqipëria qëndron ende pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë. Në këtë katrahurë, në të cilën u katandis Drejtësia dhe jeta administrative shqiptare mbas tridhjetë vitesh të tjetërsimit të sistemit, përgjegjësinë e mbajnë të gjitha forcat politike, ndër të parët vetë presidenti së bashku me drejtuesit e tjerë që prej më shumë se njëzet vitesh janë alternuar në mbarështimin e pushtetit. Virgjëria, që duan të tregojnë duke paditur njëri tjetrin, nuk i mbulon aspak prapësitë e tyre për të cilat besoj se shumica e shqiptarëve janë të vetëdijshëm.
Deri tani edhe Drejtësia e re shfaq shenja që bëjnë të lindin dyshime nëse është gjithshka në rregull, kur ndodhin dukuri të tilla që lirojnë nga burgjet njerëz të dënuar me burgim të përjetshëm, por që venë nën padi, madje arrestojnë si një kriminel një njeri si z. Henri Çili, i cili edhe nëse do të ketë ndonjë problem me drejtësinë, mund t’a përballojë si një qytetar i lirë. Arrestimi i bujshëm i tij mendoj se i ngjet atyre arrestimeve të dhjetra viteve më parë, që bëheshin për të mbjellë terrorin mes njerëzve e të cilin i nënëshkruari e ka provuar në lëkurën e tij. Nëse edhe në Drejtësinë e re ka mendësi të tilla, jemi ende tepër larg standarteve të kërkuara evropiane.
Duke u kthyer tek tubimi i presidentit i 2 marsit, desha të theksoj një shprehje tronditëse: “E di, por duhet të dini një gjë, që unë në publik, për hir të disa interesave shtetërore nuk kam treguar as 10 % të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe kundër reformës në drejtësi.”Po ndalem në këtë frazë, e cila së bashku me emërtimin “organizata ndërkombëtare mafioze”, besoj se kërkojnë një shpjegim më të hollësishëm, për të mos i lënë shteg një ndërpretimi të gabuar nga ana e shqiptarëve të thjeshtë. Në pamje të parë besoj se aluzioni është i qartë: nuk mund të jetë Rusia dhe Kina, me të cilat shteti i ynë nuk ka marrëdhënie të ngushta politike. Gjatë viteve të pas komunizmit, fatmirësisht, Shqipëria është rreshtuar, në tërësinë e saj të jetës politike, nga ana e Perëndimit. Është antare e NATO-s dhe pret hapjen e bisedimeve me BE. Madje ka refuzuar edhe ndonjë ftesë që vjen nga Rusia për pjesëmarrje në organizma ndërkombëtare rajonale nën përkujdesjen e saj.
Por cilët janë antarët e “organizatës ndërkombëtare mafioze” që kanë “kryer krime kundër sovranitetit të shqiptarëve dhe reformës në drejtësi”? Mendoj se presidenti duhet të jetë më i hapur e t’u tregojë me fakte e argumenta bindëse bashkatdhetarëve të tij, se cilët janë dhunuesit e sovranitetit të tyre e cili është qëndrimi i vërtetë i tij kundrejt tyre.
Pa hyrë në hollësitë e trajtimit të kësaj teme vlen t’i kujtohet presidentit se shumë shqiptarë janë ende dëshmitarë të një epoke, në të cilën kanë jetuar me demagogjinë kriminale të “kalasë së vetme të socializmit në botë” e besoj se nuk janë më të prirur t’a përsërisin edhe njëherë atë përvojë të llahtarëshme. Një Shqipëri, jashtë skemave të bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, do t’ishte fatkeqësia m’e madhe e saj në shekullin 21. Prandaj, pa humbur kohë, presidenti duhet të shpjegojë 90 % të krimeve që kanë rënduar në këta vite mbi shpinën e shqiptarëve. Nuk ka asnjë thirrje kuq e zi që të mund të shmangë këtë domosdoshmëri, sepse atdhedashuria, sido që të shprehet, nuk mund të ligjësojë kurrë një të keqe të madhe dhe shqiptarët duan të jenë të qartë mbi synimet e drejtuesve të tyre në veprimtarinë shtetërore në shërbim të tyre. Besoj se kambiale të bardha si ai që i dhanë më 29 nëndor 1944 Enver Hoxhës, për ta nuk janë më të mundëshme dhe as të pranueshme.
“Nëse atdheu është në rrezik, nuk ka më të drejta për askënd, ka vetëm detyra.” Kështu shprehet një dramaturg, jo shumë i njohur gjerman i shekullit XIX, Ernst von Wildenbruch. I takon presidentit të ndriçojë më mirë kuptimin e atyre fjalëve që hedhin një hije të zezë mbi të sotmen e t’ardhmen e Vendit tonë….. Uroj të mos i mungojë guximi e ndershmëria intelektuale t’i bëjë të njohur bashkatdhetarëve të tij, shqetësimet e cekura, por ende të pashprehura çiltër prej tij.
Mars 2020