• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia 65-vjeçare e arratisjes nga Shqipëria të emigrantit politik Pjetër Kolë Smajlaj ….

November 20, 2019 by dgreca

Klajd Kapinova/

Diaspora në pasqyrë/   Vitet e para të shekullit XXI, në gjirin e komunitetit të madh shqiptaro amerikanë, janë shoqëruar me botimin e librave, shkrimeve në formë dossier-ve, që i kushtohen emigrantëve të parë ose atyre që ende jetojnë e punojnë në shtete të ndryshme të ShBA-së. Rendia pas kërkimeve serioze dhe të thellësishme shkencore, do të ishte një pikë shumë e mirë mbështetëse për hartuesit e enciklopedive të ardhshme mbarëshqiptare, që për fat të keq mungojnë.   Mikëpritja një zakon i hershëm i popujve fisnik   Si zakonisht ditë diele, sa herë që shkoj në kishën shqiptaro amerikane “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, ndalem për disa çaste, për të parë vitrinën e librave dhe sendeve të tjera, që janë të ekspozuara me përkujdesje nga aktivisti i palodhur dhe shumë i kulturuar Pjetër Kolë Smalaj. Ai, me një buzëqeshje të një fisniku malësie, më fton brënda dhe me tregon me radhë botimet e fundit, që kanë mbërritur në institucionin shpirtëror e atdhetar nga dashamirësit e kulturës e artit shqiptar. Pjetri, më thotë, se qëllimi kryesor nuk është tregtia e tyre, por që bashkatdhetarët, krahas lutjes shpirtërore të ushqehen edhe me nektarin e gurrës së pashtershme të kulturës shqiptare, që ka mbetur si perlë e shkruar nga pararendësit tanë të ndritur deri në ditët tona. Buzëqeshja e përhershme, që me sa duket qenka pjesë e jetës së Pjetrit fjalëmbël, më shoqëron edhe kur unë kërkoj të di diçka më shumë mbi historinë e familjes së tij, që për 65 vjet endet udhëve të vështira të emigracionit nga vendlindja, ish-Jugosllavia, Evropa dhe deri në stacionin e fundit në New York. Shtëpia e tij ndodhet në Bedford Park, pranë Universitetit “Lehman Colleg” në Bronx NY. Ajo është e modeluar me objekte bashkëkohore amerikane, ku, nuk mungojnë elementët me motive të pastra shqiptare. Librat e shumta në gjuhën shqipe e anglisht janë pasioni i tij, për të cilët, ai të flet me durim e kujdes për ngjarjet e shkruar nga autorët dje dhe sot. Në oden e pritjes, qëndron krenar flamuri shqiptar, ku ruhen fitoret e humbjet e arbërorëve gjatë shekujve të historisë. Portreti i Nënë Terezës në miniskulpturë, Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit etj., janë sfondi, që hijeshojnë ambientet shqiptaro-amerikane në familje.   Historia e familjes Smalaj në rrjedhat e kohës   Një ditë, duke parë më kujdes albumet e shumta të familjes së Pjetër Smalaj, më tërhoqi vëmendjen “Pema Gjeneologjike e Familjes Smalaj” dhe evolucioni i saj gjatë shekujve. Me shumë interes e pyeta Pjetrin, të më tregonte zanafillën. Ai, me një modesti malësori, filloj të tregoj për gjyshin Pjetër Gjon Smalaj, që në shenjë respekti banorët e kanë thirrë Gjolo. E kështu, biseda jonë filloj për të mbaruar pas disa muajve, përmes rrëfimeve të sinqerta gëzimet, peripecitë në emigracion, hidhërimet e mëdha, vdekjet e njëpasnjëshme të 11 fëmijëve, përjetimet e babait të tij dhe deri në ditët tona në New York… Pjetri, flet shtruar dhe me një kujtesë të freskët, për çdo gjë, që ka përjetuar familja, qysh nga koha, kur kanë jetuar në krahinën e mirënjohur të Hotit, që historikisht ka nxjerrë trima të pushkës, besës, bujarisë dhe trimërisë së papërshkruar arbërore. Në limanin e fortë të Hotit, është rritur e pjekur ndër shekuj nacionalizmi i kulluar shqiptar. Jashtë kësaj vorbulle, nuk ka mbetur as dera e familjes fisnike të Pjetër Gjon Smalaj, që është edhe gjyshi i nipit të mëvonshëm, që mban emrin e tij, sipas traditës së moçme të maleve. Gjyshi, është marrë me çështjen atdhetare, duke kryesuar krahinën e Hotit. Ai ka vdekur pa lindur nipi i tij. Sipas gojëdhanave popullore dhe nga disa hulumtime, që kanë bërë studiues vendas, del se Pjetri, ka luftuar me armë në dorë, kundër pushtuesve shumëshekullorë turq, sëbashku me patriotët: Dedë Elez Shabi, Prekë Nikë Smajlin, Mark Dosh Frangaj, Kolë Maçi, Nikollë Luc Drezhaj, Deli Met Bajraktari (prej shtëpisë së Çun Mulës), Gjeto Mark Ujkaj, Çokë Gjushi etj. Nga historia shkëpusim një fragment të rëndësishëm, që ka mbetur e ngulitur thellë në kujtesën e malësorëve, kur patriotët e shkrepave kreshnike kanë zhvilluar një kryengritje të njohur në Rrapsh të Hotit, që njihet në histori si Kryengritja pararendëse e 6 Prillit të vitit 1911 e drejtuar nga fatosi i maleve Dedë Gjo’ Luli. Gjatë përleshjeve me përfaqësuesit e Portës së Lartë, spikat patrioti i flaktë i lëvizjes çlirimtare antiosmane hotiani Dedë Elez Shabi. Ai u ndihmua nga Pjetër Gjon Smalaj. Deda, në paraqitjen e tij (sipas atyre që e kanë njohur), e kanë ruajtur në kujtesë si njeri me shtat të lartë, fytyrë të pjekur nga vuajtjet e kohës, i veshur me kostumin popullor tradicional, me qeleshën e bardhë dhe pushkën ngjeshur në krah si gjithmonë. Edhe pse me gjashtë plagë dhe këmbë të copëtuar rëndë nga plumbat, ai nuk pranon që ta heq edhe pse rrezikonte jetën. Nëna e tij fisnike që e dëgjonte shpesh kërkesën e miqve u përgjigj: “Ulatin tim, nuk do ta shtie copa-copa n’dhe, por te tan kur desin”. Deda, pati një jetë shumë të gjatë, duke jetuar edhe 40 vjet të tjera. Sa herë që është përkujtuar Kryengritja e Malësisë së Madhe e 6 Prillit të vitit 1911, në shenjtë nderimi dhe respekti, ai është vënë në krye të familjeve patriotike në tribunë, duke u pasuar edhe më vonë nga i biri Gjeto Elez Shabi, i cili, ka marrë dekoratat në nderim të babait të tij. Pjetri, ka qenë shumë aktiv. Ishte bujar, mikëpritës e fisnik në shpirt, sikurse ka qenë në traditë e hershme e gjithë fisit Smalaj e njohur në tërë krahinën. Malësori, ka pasë një energji trupore të admirueshme. Ai ka mbajtur në shpinë bashkëluftëtarët e plagosur rëndë dhe me katër mauzere, duke përshkuar dhjetra kilometra nga Cetina deri tek spitali në Mal të Zi. Vendosmëria antikomuniste e Kolë Pjetër Smalaj (1898-1978) Kanë kaluar 41 vjet nga vdekja e Kolë Pjetër Smalaj, por në Hot, Kelmend ende përmendet emermiri, dashamiri, fisniku e trimi i pamposhtur Kolë Smalaj, që mundi të kalonte kufirin e territ komunist natën, nëpër minat e rojës kufitare të diktaturës. Kola, ka lindur në Rapsh (Bajraku i Hotit-Malësia e Madhe) dhe mbas 6 muajsh, atij i vdes nëna Tereze Lucia, duke e lënë jetim. Ajo, kishte qenë e bija e Luc Gjeloshit, prej katundit të Kastratit. Kola ishte fëmija i dytë i Pjetrit dhe për mirërritjen e tij janë përkujdesur dajat e vet. Familja për 3 vjet është vendosur në katundin Bullakia të Trushit (Shkodër), meqenëse ishin të përzënë nga qeveria malazias. Ishte koha, kur ushtritë malazias të  udhëhequr nga Krajl Nikolla, janë nisur në marshin e tyre ushtarak, për të rrethuar qytetin e Shkodrës më 1913. Ata kanë qëndruar në Bullakia deri më 1915 kur trupat austro-hungareze kanë hyrë në Veri të Shqipërisë. Këtu kanë bujtur në shtëpinë e Mark Selmanit, që është kushëriri i patriotit të madh nacionalist e antikomunist Prekë Calit (1873-1945). Tregojnë, se Marku, që ishte afërsisht 80 vjeç dhe në mëngjez herët delte në livadhin jashtë shtëpisë dhe falej, për të parët e vet, që kanë qenë të besimit islam, kurse në mbrëmje pranë sofrës së zjarrit, përpara fugurës së Pajtores së Shqipnisë (“Zojës së Shkodrës”) është lutur, duke thënë rruzaren me të gjithë robët e familjes së vet dhe me axhën e Pjetrit, Doden dhe baben e Pjetrit, Kolen… Në fillim të vitit 1915, familja Smalaj rikthehet në trojet e veta të hershme, ku kanë jetuar dhe kanë vdekur brez pas brezi shumë njerëz të njohur të trungut familjar, që i pasqyron Pema Gjenealogjike, e ruajtur me fanatizëm nga Pjetri në New York. Gjatë jetës së tij, Kola është marrë më shumë me blegtori dhe punët e përditshme që kishte një derë e madhe. Ai ishte krahu i djathtë i babait të Pjetrit e gjyshes Gjuke, e cila e ka dashtë si loçken e zemrës. Kur Kola mbush moshën 22-vjeçare ndahet nga familja, gjyshja e tij e dashur, që e ka ruajtur si sytë e ballit, duke i shkaktuar një plagë të thellë në shpirt. Gjatë periudhës së nxehtë të historisë, kur shtetet fqinje kërkonin copëtimin e trojeve shqiptare secili për llogari të vetvetës dhe në vitet në vijim, më 1924, ai u bashku me lëvizjet e kohës, duke qenë përkrah imzot Fan Nolit, imzot Nikollë Kaçorri (N/Kryetar i Qeverisë së Vlorës të udhëhe më 1912), Luigj Gurakuqit etj. Kola, radhitet përkrah forcave të opozitës popullore të asaj periudhe. Disa vite më vonë, i pjekur dhe i përgatitur për të hapur e mbajtur familjen e re të tij në vitin 1934 nis jetën bashkëshortore, duke u martuar me Terezen, vajzën e Fran Kolës nga krahina e Kelmendit e mirënjohur, për famën që gëzonte për respektimin me rigorizitet të Kanunit të Maleve (Lekë Dukagjni), vlera të spikatura patriotike. Dasma u bë në Hot të Malësisë së Madhe, ku pati një jehonë të madhe dhe respekt për ritet tradicionale vendase. Nusja u përcoll me flamurin nacional shqiptar.   Në një shkrim të publicistit Mujë Buçpapaj, të botuar nga gazeta “RD” (Tiranë, 1996) dhe ribotuar në gazetën “Illyria” (#585, 27-29 nëntor, 1996, NY, USA, fq.53), lexojmë për amanetin, që i Kola i la Pjetrit, ndërsa po vdiste, që ta varroste në tokën shqiptare, pranë eshtrave të të parëve. I biri e kreu amanetin, duke e rivarrosur në Hot të Malësisë. Shoqata e ish-Përndjekurve Politikë Malësi e Madhe, organizuan nën drejtimin e të birit Pjetrit ceremoninë e rivarrimit të Kolë P. Smalajt në vendlindje, ku ishte lindur dhe ishte rritur ky bir trim i papërkulur, aty ku preheshin 11 fëmijët e vdekur dhe të afërmit e tjerë. Më 7 shtator 1993, Pjetri qetësohet shpirtërisht, se babai i tij i ndjerë pushon në lumnin e pasosun pranë tokës që e deshti aq shumë. Kolë P. Smalaj u dekorua, post mortum, me Dekret Nr. 1479, të dt. 26.4.1996, në motivacionin e së cilës shkruhet: “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri të lirë e demokratike, masakruar mizorisht si familje nga rregjimi komunist”. Nënshkrimi mban firmën e ish Presidenti Prof. Sali Berisha, i cili e dekoroi me Urdhërin e lartë të “Martirit të Demokracisë”. Ceremonia u organizua në praninë e mijëra malësorëve në Bajzë të Kastratit, më 17 maj 1996. Ndërsa i biri Pjetri, pas fjalimit të mbajtur nga ish Ministri i Jashtëm Prof. Tritan Shehu, i emocionuar për shoqërimin me dhimbje, që po i bënin mijëra malësorë tha: “Dekorimi i babait tim nga Presidenti, asht nji nderim i madh, jo vetem për babain tim qi e deshi aq shum atdheun, jo vetem për familjen ton t’gjan e për njerzit e vendlindjes ton, t’cilt nuk i harroi kurr baba, dhe t’cilin nuk e harruan as ata, por për t’tan martirt e demokracis, për ata qi diktatura komuniste ua mohoi nji pllëmb tokë për t’i preh eshtnat aty ku ishin lindun e rritun…”. Duke lexuar me kujdes librin monografik, mbi krahinën e Klemendit, të shkruar nga studiuesi gjeograf Kolë Progri, mësojmë nga shfletimet e dokumenteve historike, se kjo familje hotiane, ruan një emër shumë të mirë dhe të respektuar në histori. Kolës, iu desht për të kaluar prova të vështira në jetën e tij, për të mbetur përjetësisht i nderuar në historinë e lavdishme të krahinës në fjalë…   I vetmi nga 12 fëmijë, që mbeti gjallë si dëshmi   Kjo familje e re, gëzohet me fëmijën e parë Tonen, e cila nuk pati jetë të gjatë. Nga 12 fëmijë, që do që do të lindë sokolesha Tereze, shtatë ishin vajza dhe pesë djem. Për fat të keq, nga kjo familje në mënyrë të herpashershme kanë mbyllë sytë para kohe 11 fëmijë. Kjo ishte dhimbje e madhe për Kolën e Terezën, të cilët me forcë të madhe mundën të përballojnë fatkeqësitë që pati dera e tyre. I vetmi që ka mbetur gjallë si dëshmi e historisë së gjatë të familjes është Pjetër Kolë Smalaj dhe nëna 90-vjeçare Tereza (1914). Kjo familje, ka jetuar buzë kufirit politik me Mal të Zi. Shtëpia e tyre, ka qenë ndërtuar në shekullin XVIII, me material guri, sipas stilit alpin, me një shije arkitektonike të kohës. Pamja e saj në formën e kullave me frengji sipas traditës shqiptare, i ka dhënë një paraqitje madhështore, krahas simotrave të tjera në zonë. Ndërtesa e banimit tipike malësore ka qenë dykatësh, ku kanë jetuar në shekuj të parët e familjes Gjomarku. Në mesin e shekullit XVII deri në fillim të shekullit XIX, familja e njohur e Gjomarkut, që quhen Smajaliaj, sipas dëshmive historike dhe gojëdhënave të transmetuar brez pas brezi në kullën e madhe kanë jetuar 60 antarë. Ata merreshin me bujqësi, blegtori, shitjen e prodhimeve bujqësore e produkteve blegtorale në qytetet e afërta. Burrat dhe djemtë e rinj, janë përkujdesur për pronat e tyre dhe kanë administruar të ardhurat e familjes së madhe. Gratë e vajzat merreshin me punët e shtëpisë, mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të vegjël. Kjo derë e madhe është e njohur edhe për miqtë e shumtë që e kanë vizituar në çdo kohë konakun e tyre. Mik i familjes Smalaj, ka qenë Padër Pali, sikurse e thërrisnin të gjithë. Kola, është takuar disa herë me Arqipeshkvin e Shkodrës imzot Luigj Bumçin, i cili nga rregjimi antiklerikal komunist pati një fund tragjik. Gjatë periudhës së Luftës II Botërore, Kola është përfshirë në gjirin e lëvizjes nacionaliste dhe si antikomunist i vendosur. Ai asnjëherë nuk është marrë me aktivitete politike apo i zgjedhur në poste e detyra politike, gjatë kohës që komunistët dhunojnë vendin, duke marrë me dhunë pushtetin politik në Shqipëri më 28 nëntor 1944… Si pasojë e pakënaqësisë e spiunlleqeve që bëhen ndaj familjes Smalaj dhe të afërmve, fillon periudha më e zezë e kalvarit të përbindshëm komunist, me arrestime, keqtrajtime e burgosje. Kështu, vëllai i nënës së Pjetrit, daja Mirash Fran Rrukaj (1918-1945), në moshën 27-vjeçare, duke qenë i martuar u vra në përpjekje me forcat komuniste mes maleve, mbasi ai nuk e donte sistemin bolshevik. Ai mbeti deri në pikën e fundit të gjakut, si besnik i nacionalistit të madh të Shqipërisë Etnike Prekë Calit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të të njëjtave ideale të pastra shqiptare, kundër mashtrimeve të komunistëve, që me divizione sulmojnë krahinën antikomuniste të Kelmendit. Përsekutimi ndjek me radhë edhe njerëz të afërm të tjerë të familjes Smalaj. Kështu Nikollë Dodë Smalaj (1927-2001), që është nipi i Kolë Pjetër Smalaj, është arretuar në Rapsh të Hotit në vitin 1953, në kohën kur ngordh diktatori i ish-Bashkimit Sovjetik, Stalini dhe diktatori me suitën e tij po lotonte në mes të Titonës së kuqe, duke kthyer një popull të tërë në lotues të sllavizmit…. Forcat e Sigurimit, të kryesuar nga oficeri besnik famkeqi Spiro Duka, i ardhur posaçërisht (nga Shqipëria e Jugut) për kontrolle të rrepta operative në zonën e Hotit kishte urdhëruar se nëse shikohet ndonjë shkelje të kufirit nga shqiptarët që kërkonin të iknin nga “lumturia socialiste” duhet t’i arrestonin dhe t’i dërgonte menjëherë në burg. Nikolla, kur nuk ishte më shumë se 26 vjeç arrestohet në sy të familjes në shtëpinë e vet dhe e dërgojnë me urgjencë në burgun e Tiranës. Mbas hetuesisë së stërgjatë dhe torturave, në pretencën finale të prokurorit, iu dha dënimin maksimal me pushkatim. Martin Smalaj, që jeton sot në Shkodër, një ditë shkoi për vizitë për të takuar të vëllain e vet në burg.  Ai kujton: “Nikolla ne qeli, kishte çarë lëkurën e gishtit me dhëmb dhe me gjakun që i rridhte curril kishte lënë të shkruar në këmishën e bardhë këto fjalë: “Por shokve t’mi qi u besova ju fika e vet marova. N’kjoftse kush mundet me ma pshtue jeten, filan kapidan… qi kam krye ushtrin me te, se tjetër kush nuk mundet mem pshtue…”. Martini, kur mori ndërresat e tij dhe i çoi në shtëpi për t’i larë, gjeti të shkruar fjalët që përmendëm më lart. Si përfundim, pas shumë peripecive, dënimi me vdekje për Nikollën kthehet me 25 vjet burg. Ai dërgohet në ferrin famkeq ose Aushvicin shqiptar, që njihet sketerra komuniste e burgut të Burrelit, ku vuan vitet e privimit të lirisë civile. Asokohe herë pas here nga qeveria shqiptare janë bërë Falje (Amnisti) dhe ulje të kohës së vuajtjes së dënimit. Këtë fat, ka patur edhe Nikolla, i cili nga 25 vjet burg vuan 12 vjet në Burrel.     Arratisja nga rregjimi i hienave në ditën e Sh’Markut   Pjetër Kolë Smalaj u lind më 15 gusht 1951 në Rapsh në Bajrakun e Hotit. Ai ishte fëmija i shtatë i lindur, ku deri atëherë në familje kishin vdekur gjashtë fëmijë, tre djem e tre vajza. Nga viti 1951-1953, për 3 vjet me radhë, familja ka jetuar në vendlindje (Rapsh). Ishte koha, kur rregjimi komunist kishte mprehur dhëmbët dhe kërkonte gjahun e vet, që ishin bijtë më të mirë të popullit shqiptar. Midis shumë nacionalistëve, që kërkoheshin për t’u arrestuar, prangosur e pushkatuar ishte Kola, babai i Pjetrit, që nuk e donte rregjimin komunist. Ai kërkohej në krahinë, për arsye, se ka ndihmuar Mark Çunin (nga Merturi), që të largohet nga Shqipëria. Marku, asokohe gjendej në Vlorë dhe një ditë kishte biseduar me mikun e vet çoban që ta ndihmonte të arratisej. Marku, që kishte ardhur në vendlindje, ka pyetur nënën e vet, se kush është në Bjeshkët e Kelmendit (Bjeshkët e Nemuna) sot me bagëti. Ajo i është përgjigjur, se është Kolë Smalaj. I siguruar në shpirtin dhe moralin e pastër të burrit fisnik Kolë Smalaj, Marku i ka thënë nënës së vet, se: “Kol Pjetër Smalaj nuk m’pret n’bes”. Dhe kështu, Marku ka lënë një herë e përgjithmonë Shqipërinë, i nxitur nga dhuna e terrori komunist në të gjithë vendin… Më 9 Maj, Sh’Marku i Kastratit, si festë fetare lutet çdo vit në Malësi të Hotit. Tradicionalisht, familjet shqiptare në Malësi si bajraqe e kudo shkëmbejnë vizita reciproke, për të përkujtuar me devocion festën fetare të Sh’Markut në shtëpitë e njeri-tjetrit. Edhe Kola, shkon për të uruar: “Për shum mot Sh’Markun” familjen e Pashko Pretashit, ku është e martuar motra e tij Pashka, që ishte halla e Pjetrit të vogël 3 vjeç. Nga ana e tjetër, vetë kryefamiljari Pashko, kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu komunist, ku kaloi 9 vjet në qelitë e akullta, duke përballuar torturat më çnjerëzore, që dinin të bënin vetëm xhelatët e kuq. Pas vizitës së zakonshme, gjatë kohës që Pashko po përcillte vëllain e gruas Kolën, sipas traditës, në pragun e shtëpisë Kola i thotë: “Mik, mbaruem me t’mir e me t’keq”. Ndërsa Pashkoja i është përgjigjur: “Kurrgja s’u ka gjet me Nikollën, nipin tand, çka ka me u gjet tash e mrapa”. Kur është kthyer në shtëpinë e tij, kujton i biri Pjetri, babai i ka thënë gruas së vet Terezës: “Unë i gjall o dekun nuk rri ma n’Shqypni”. Mbasi ka kaluar ajo natë nën ankth, të nesërmen në mëngjez nëna e Pjetrit e ka pyetur Kolën për siguri dhe vendosmërin e tij se: “A je n’ato fjal qi m’ke than mram burr, apo ke nderrue mendje?!”. Në muajin mars 1954 në Tiranë po zhvillohej gjyqi dhe pritej që të denohej nipi i tij Nikolla. Babai i Pjetrit, është shprehur, se nuk do të lë Shqipërinë, pa e ditur se si e sa e dënojnë nipin e vet. Nikolla e ka pritur dënimin ose rrugën e hidhur të pafund të nipit dhe me zemër të lënduar është larguar në moshën 56-vjeçare nga toka e fisi i tij i dashur… Shën Marku, bëhet kështu shpëtimtari i Kolës, Terezës dhe fëmijës së vogël Pjetër… Kola i qetë dhe i vendosur në idenë e tij fikse i është përgjigjur gruas së vet shkurt si burrë malësie: “Njiato fjal e tjera s’ka”. Dhe kështu, në mëngjez herët (nadje), Tereza, si një nënë e përkujdesur për të birin e vetëm Pjetrin e zgjon me kujdes prej gjumit dhe i përgatit veshjet, sikur po niset për të udhëtuar drejt shtëpisë në Rapsh. Asokohe, malësorët shoqëronin bagëtitë e tyre për dimërim në stare të Hotit. Fëmija i vogël Pjetri, veshet trashë (me dy palë), pa e ditur ende, pse po bëhej gati me nxitim për udhëtim. Ai si fëmijë, mendonte se prindërit e tij do ta dërgojnë në shtëpi, ku do të takohej me bashkëmoshatarët, për të luajtur në oborr. Ai nuk e dinte se loja e tij tashmë ishte përballë mineve, që kufitarët i kishin vënë për të vrarë vëllezërit shqiptarë dhe jo pushtuesit apo “imperialistët”, që nuk shkelën asnjëherë në Shqipëri… Kola, me gjakftohtësi dhe zgjuarësinë që zotëronte, për t’i hedhë një hi syve banorëve të katundit, lëshon të gjitha berret (delet) dhe u jep drejtimin përpjetë drejt kufirit. Ai mori me vete krypë për bagëti. Kola, porosit gruan e vet, në mënyrë që të mos binte në sy ikja e familjes. Ajo niset për të marrë kortollat dhe disa plaçka që i nevoiteshin më shumë dhe që i kishte ruajtur në kutinë e pajes së nuserisë. Me këtë rast, askush nga pjesëtarët e familjes së nipave të Kolës, nuk ka ditur planin e familjes së Pjetrit për të ikur nga Shqipëria. Pjetri, sot mbas 50 vjetëve (1954-2004), përshkruan ditën kur ka lënë me dhimbje tokën e vet aq të dashur. Ai tregon: “Ishte ditë e kthjellt, me 29 Prill 1954, kur stina e pranverës sapo kishte nisë me dhanë buzëqeshjen e parë. Dhe me sa duket, kjo ishte edhe nji fat i mirë për familjen tonë. Nana ime ka për pajtore të vet Sh’na Nduen. Dhe atë ditë, që jemi nisë ne, ajo e ka pasë fuguren me vete dhe ka thanë rruzaren me mend pa ditë ne asgja. Kur kena dalë për buzë kufinit, mbasdite filloi të binte mjegull, e cila gradualisht filloj të çepej (ulej) për tokë. Zoti, me sa duket po na buzëqeshte dhe me bujari po na jepte dorën e Tij të ngroht për ndihm. Baba im para se me u nisë, kishte hetue me kujdes të gjitha lëvizjet e ushtarve të kufinit nga komanda në fushë (Leqet e Hotit) në drejtim të kufinit, ku kanë ba roje me pushkë në dorë mbrojtja e kufinit gjithë ditën”. Pjetri, i zhytur në vorbullën e asaj ngjarje plot emocione dhe frikë, se mund të deshtonin drejt arratisjes rrëfen më poshtë historinë e familjes së vet: “Ka fillue me ra nata dhe jena nis pa humb kohë. Baba po më thotë po kaloj unë lugun (luginen), kurse unë me nanen kam qendrue krejt në shpat të malit. Ai ma ban me shej mua kalo luginen e hajde tek unë. Mbrapa ka ardh edhe nana. Baba si vendali i vjetër e zotnonte shum mirë terrenin e krahines, mbasi ishte nji bari shumë i njoftun dhe shumë i zoti, që ka mund me kullotë 354 krerë dele në vitin 1954. Veshtirsia jonë, për kalimin e kufinit u rrit shumë, sepse babai e nana e dinin, se kufini ishte i minosun, ku shpesh ka pas edhe vdekje tragjike për të gjitha ata që gabimisht kanë ndeshë mbi ta. Ishim futur brenda nji grope, që ishte e mbushun plot me bar. Babai im i thotë nanës a të flejmë këtu, se po i drue minet me i kalue natën në kufi, sepse nuk shikohen telat që mbajnë lidhjet e mineve në seri në zonen kufitare në Bukoviç. I pari, u nis baba, i cili e kaloi priten pa problem. Ai, i tha nanes teme, se: “Nëse plasin minat, këto copa të trupit tem m’i hidhni përtej kufinit në Mal të Zi, se copat e trupit që të mund të mbeteshin në Shqipni mund t’i merrshin komunistët dhe të talleshin me ta në qytetet e katundet e Shqipnis, sikurse kanë veprue gjithmonë.” E fundit, që bashkohet me ne në anën tjetër të kufinit asht nana ime. Ishte ora 9 e mbramjes, kur na jemi gjend në tokën jugosllave. U futëm menjiherë në pyll dhe në mes të tij ishte nji livadh dhe aty pa ditë gja na doli përpara patrulla jugosllave. Ata me armë dhe elektrik dore të drejtueme drejt nesh na thanë serbisht: “Stoj!” (Ndal!). Baba im iu drejtue menjiherë me fjalën “albanes”. Na kanë marrë dhe na kanë çue në stanet ku verojnë bagtia e Vuksanlekaj të katundit Traboin të Hotit. Atë natë kena fljetë në shtëpinë e Marash Gjek Brelit, që ishte kumara i shtëpisë sonë. Ne e nesre, na kanë çue në shtëpinë e vogël të Tuzit. Rrugës jena takue me Pader Kolë Berishën, fratin e Traboinit. Në katundin Leshkopolje, na kanë marrë në hetime rreth nji muaj rresht. Daja im Gjon Dod Rrukaj prej Kelmendit, në ditën e dasmes së vet ka pas qef që me kenë në dasem edhe baba e nana me mua. UDB-ja, që kishte vendosur që të na mbante edhe nji muaj tjetër, me këtë rast vendosi të na lirojë.”   Arsyeja për të shkuar në Perëndim   Familja Smalaj, gjendej në Tuz. I zoti i shtëpisë Kola, mendonte, se nuk mund të jetohet në rrethin e Tuzit, për arsye të kushteve klimatike. Ata biseduan, që të shkojnë për të jetuar në Guci, mbasi vëllezërit dhe kushërinjtë e parë të gruas së Kolës do të jenë një ndihmë e mirë për porsardhurit. Pjetri i etur për dije shkollore ndjek rregullisht mësimet, duke përfunduar pas disa viteve gjimnazin e Podgoricës. Ndërsa babai i tij, duke pas aftësi si blegtor në Mal të Zi administrata bujqësore e blegtorale i ofrojnë detyrën e kryetarit të blegtorisë, por ai e refuzon atë. Qeveria e Jugosllavisë asokohe, kishte disa projekte përmes të cilave kryente misione zbulimi me një pjesë të shqiptarëve të arratisur. Një kërkesë të tillë i ofrojnë edhe Kolës, të cilit i thonë drejtpërdrejtë që të depërtojë në territorin shqiptar, për të parë se çfarë bëhej me familjen e tij etj., por ai nuk e pranon. Dhe mbasi këmbëngulin disa herë, agjentët jugosllavë tërhiqen nga kërkesa për të kompromentuar Kolën dhe e lënë kështu të qetë në hallet e veta familjare. Kjo edhe për fatin tjetër të mirë, se në verë të vitit 1954, pala jugosllave i shkëputi një herë e përgjithmonë misionet e saj sekrete në drejtim të Shqipërisë. Pjetri, në moshën 14 vjeçare pa shkëputje nga shkolla punësohet në një Fabrikë të Përpunimit të Pambukut. Për djaloshin e brishtë, kishin nisur qysh herët hallet e familjes. Atij i duhej të mbante familjen, mbasi babai ishte në moshë të madhe, ndërsa nëna si gjithmonë merrej me punët e përditshme të shtëpisë. Për 10 vjet e gjysëm, ata jetojnë në Guci dhe 3 vjet në Podgoricë. Këtu kushtet ekonomike ishin shumë të vështira, mbasi papunësia ishte shumë e madhe dhe puna fizike ishte e rëndë. Një ditë Smalajt vendosin që të emigrojnë në Perëndimit dhe më vonë udhëtojnë drejt “tokës së premtuar” të Shteteve të Bekuara të Amerikës, për një jetë më të mirë. Më 9 gusht 1967, Pjetri sëbashku me katër shokë arratisën nga Jugosllavia për në Trieste të Italisë, ku qëndrojnë 12 ditë. Ata i dërgojnë në kampin Capo në jug të Italisë, ku kishte emigrantë të tjerë shqiptarë. Menjëherë, pesë të rinjtë shqiptarë kanë mbushur formularët me kërkesën për bashkim familjar me antarët që i kanë lënë në Jugosllavi. Ata nga dita në ditë kanë qenë në pritje për ribashkimin e tyre në tokën italiane.   Njohja me klerikun patriot Dom. Prek Ndrevashaj   Pjetri, gjatë kohës së qëndrimit në Itali, ka pasë fatin e mirë të njihet me meshtarin e përkushtuar me të gjithë emigrantët shqiptarë pavarësisht nga besimi në Itali e ShBA, të arratisurin nga Shqipëria Dom. Prek Ndervashaj. Ky meshtar edhe në jetën baritore kushtuar Krishtit, ka vijuar të jetë një ndihmës i madh i emigrantëve të hershëm në Detroit (Michigan), ka udhëhequr shpirtërisht grigjën e vet në kishën shqiptaro-amerikane “Zoja Pajtimore”  në Beverly Hills. Kleriku, më 1967-1968 ka bashkëkryesuar Komisionin e “Konventës së Gjenevës” në Zvicër. Këtu Dom. Ndrevashaj, bashkëpunoi me italianin Marco Ivero, që ishte Kryetar i 18-të shteteve, që bënin pjesë në Konventën e Refugjatëve Politikë, të ikur nga ish-vendet komuniste të Evropës Qendrore e Lindore. Në saj të kontributit të tyre azilantët politikë shqiptarë, shumë shpejt fituan të drejtën, për të levizur lirshëm në drejtim të shteteve të tjera Perëndimore e ShBA-së. Më 1 nëntor 1967, pas dy muajsh e gjysëm familja Smalaj bashkohet në Bari të Italisë. Prindërit e tij Kola e Tereza, ashtu dhe e reja Drania, një nënë fisnike e burrneshë me tre fëmijët e vegjël: Elizabetën, Markun dhe Agen, ndjehen tashmë të lumtur, se u ribashkuan në botën e lirë. Sikur ta ketë jetuar tani, Pjetri shfleton kujtesën e vet të freskët dhe përmend me respekt e dhimbje gjyshin e Drandes, kelmendasin e mirënjohur Ujk Mash Lekën dhe kushëririn e saj vojvoden Gjon Sokol Lucin (të fisit Rrukaj), të cilët ushtarët komunistë i kanë marrë nga shtrati në orët e vona të mbrëmjes në “emër të popullit” (kur populli flinte gjumë) i kanë dërguar në mal, për t’i pushkatuar barbarisht pa bërë gjyq. Ishte pranvera e 1945, kur në Kelmend xhelati Mehmet Shehu (mbi të cilin rëndojnë male me kufoma të berë në Shqipërinë e Veriut), u betua gjatë ekspeditave ndëshkimore ushtarake, që kryesonte në Veriun “reaksionar”, me një urretje latente, se: “Nuk do të lë as një këndez (gjel) që të këndojë”. Në vend të gjelit, korbat kërcyen vallen e përhershme mortore mbi kufomat, që nuk u lejuan t’i merrnin familjarët e viktimave, por i lanë në mes të sheshit, që hienat e rregjimit të ushqehen për shumë vite me radhë në mënynë e gatuar nga Mehmet Shehu dhe urdhëruar nga skenaristi dhe regjizori antigegë Enver Hoxha.   Amerika një ëndërr e përhershme e shqiptarëve   Pjetri me familje, nisën me avion në ShBA më 28 shkurt 1968, ku mbërrijnë në aeroportin John F. Kennedy (JFK). Mbas 13 ditëve vijnë edhe prindërit e tij Kola e Tereza. Në ditët e para të emigracionit, familja prej 7 antarësh pritet nga dajat e Pjetrit e daja i Drandës, malësori fisnik e bujar Tomë Pjetër Pepaj, i cili kishte marrë përsipër garancinë e jetës së tyre në ShBA. Asokohe, miqtë, shokët dhe të njoftur të familjes Smalaj i bëjnë vizita, duke i uruar: “Të marrtë Amerika me të mirë”. Si çdo njeri, kujton Pjetri pas 50 vitesh në emigracionin e hidhur, se “vështirësitë kanë qenë pjesë e jetës sonë”. Ata marrin një banesë me qira dhe mbas një jave hynë në punë. ShBA, ishin angazhuar në luftën e vështirë të Vietnamit, për përmbysjen e komunizmit dhe punësimi nuk ishte problem. Në fillim, punësohet në një uzinë armatimesh në Queens të NY si punëtorë, ndërsa gruaja e tij Drania, futet si punëtore në një bankë amerikane në Manhattan, ku edhe sot mbas 36 vitesh është në të njëjtin vendpune. Viti 1969, do ta gjejë Pjetrin  të punësuar në fabrikën “STIL-MAN” në Bronx, ku punon 3 vjet. Më 1973, fillon të punojë si centralist, në një ndërtesë të madh familjarësh, ku punon për 25 vjet. Gjatë jetës në ShBA, më 22 shkurt 1973, familja e tij shtohet me një djalë, që e pagëzojnë me emrin Vasel…   Aktiviteti fetar e atdhetar     Pjetri, kujton gjatë kohës së qëndrimit në Itali më 1967, miqtë e idealeve antikomuniste. Ai përmend me respekt të madh, bisedat e takimet me njeriun e Derës së Kapidanit të Mirditës antikomunistin konseguent Pjetër Ndue Gjomarkun e Zef Shytin, të cilët kërkonin të organizonin emigrantët politikë shqiptarë në një lëvizje të fuqishme kundër rregjimit komunist. Pjetri, ka qendruar shumë pranë mikut të tij klerikut të nderuar Dom. Prek Ndrevashaj, që ishte dhe është mik i familjes. Në kampin e Triestes dhe të Capo-s në Casserta, ai e familja ndjekin si përherë më një devocion ritet fetare, duke marrë pjesë në meshët dhe lutjet për popullin shqiptar, që po masakrohej nga regjimi ateist, që i kishte shpallë luftë fesë dhe klerikëve katolikë, duke e quajtur edhe me Kushtetutë veten si “vendi i vetëm ateist në botë”, ku ndër të tjera thuhej, se: “Feja është opium për popullin”. Atij i vinte keq nga lajmet e makabre, që mbërrinin në kampet ku jetonin emigrantët politikë shqiptarë në Itali. Me një interesim të veçantë dëgjonte emisionet në gjuhën shqipe, që emetonte rregullisht  Radio-Vatikani. Midis shumë përshtypjeve, ai përmend shembullin më ekstrem, që pati jehonë të madhe, vrasja e klerikut martir Dom. Shtjefen Kurti. Për herë të parë, besimtari Smalaj, takohet në Romë me At Daniel Gjeçaj OFM (1913-2003), ku bisedojnë shpesh për gjendjen e klerit katolik në Shqipëri. Miqësia e tyre rritet dhe në shenjë respekti frati i kulturuar i dhuron librin e shkruar nga profesori i tij i madh Pader Anton Harapi OFM (1888-1946), për të cilin ishte përkujdesur vetë për ta botuar në Romë (me shpenzimet personale) me titull: “Andrra e Pretashit”. Më 1968, në përkujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Nacional Gjergj Kastriotit, në Romë zhvillohet një ceremoni madhështore. Në takimin e rëndësishëm në Vatikan, mes lotëve dhe gëzimit të papërshkruar, ku ishin të pranishëm të gjithë bashkëatdhetarët që ndodheshin në Itali, Pjetri, pati fatin, nderin, kënaqësinë e privilegjin të pritën në një audiencë të veçantë nga Papa Pali VI. Ai, e kujton këtë takim, si një kënaqësi të veçantë emocionale dhe shpirtërore dhe si një kuraje qëndrese të bashkuar me shpresën dhe besimin në Zotin, se një ditë edhe Atdheu ynë Shqipëria do të lirohet nga prangat e robërisë komunisto-ateiste. Për pos të tjerave Papa u tha shqiptarëve: “Nëse nuk do të ekzistonte shtëpia dhe qëndresa e madhe që ka bërë Dera e Kapidanit të Mirditës kundra Perandorisë Otomane, Shqipëria nuk do të ekzistonte”. Këtë audiencë të veçantë të shqiptarëve në Selinë e Shenjtë e pasqyroi gjerësisht edhe Radio Vatikani në gjuhën shqipe dhe e përditshmja, gazeta zyrtare e Vatikanit në gjuhën italiane “L’Ossevartore Romano”. Më 1968, përsonazhi ynë ka fatin e mirë të takohet me intelektualin e shkrimtarin e shquar dhe ish Ministrin e Arsimit prof. Ernest Koliqin dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë Shefqet Verlacin në Romë. Pjetri i shoqëruar nga dy shokë të tjerë të tij e pyesin Prof. Koliqin rreth mallit për vendlinjen dhe të “ardhmen” e Shqipërisë nën rregjimin komunist. Profesori, me një qetësi u tha: “Se ne o vllazën të mi shqyptar, dim se çka ka ken Shqypnia, se për t’ardhmen nuk mund ta din kerkush…”. Për pak kohë, Pjetri me familje qëndron në qetësinë e vet, larg problemeve të komunitetit të vogël shqiptar, meqenëse ishte I ri dhe ende nuk e njihte mjedisin shqiptar. Ai kërkonte që të stabilizohej me punësime më të mira etj. Më 1969, ai takohet për herë të parë me nacionalistin e shquar legalist Abaz Kupin, ku, ai i tregonte Pjetrit të ri në moshë, se si forcat nacionaliste i bënë një rezistencë të madhe pushtimit të zi fashist të vendit tonë më 7 Prill 1939. Në të njëjtin vit në nëntor, në një darkë të madhe në përkujtim të 28 Nëntorit të Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, në Manhattan NY, “Komiteti Shqipnia e Lirë”, për çdo vit kremtonte festën nacionale me bashkëatdhetarët e vet. Këtu Pjetri, ka fatin e mirë të njihet me ing. Xhafer Deven ish-Ministrin e Brendshëm dhe qysh nga viti 1962, ishte Kryetar i Organizatës Nacionaliste “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” në mërgim, me qendër në New York dhe dëgët në shumë vende të botës. Ai është marrë njëkohsisht edhe me organizimin e parashutistëve nga Kosova për të rrëzuar rregjimin komunist në Shqipëri, por që dihet nga burimet historike se ato janë trathtuar qysh në ajër nga agjenti i dyfishtë Kim Philby, që punonte për Perëndimin dhe Lindjen njëkohsisht. Si gjithnjë temë e shqtësimeve të tyre ka qenë Kosova e robëruar nga sllavët serbë dhe Shqipëria e tejlodhur nga rregjimi komunist, etj. Ai ka marrë pjesë shpesh në takimet midis ing. Xhafer Dedës dhe mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989), i cili shkonte shpesh për ta takuar meshtarin në kishën katolike shqiptaro-amerikane në New York. Për Pjetrin, mons. Oroshi mbetet kleriku i nderuar i popullit dhe bir besnik i vendlindjes së vet Oroshit të Mirditës, si pasues i denjë i trinomit “Fe-Atdhe-Përparim” dhe një ndër nacionalistët e vendosur, që me pushkë në dorë në malet e Shqipërisë iu kundërvu rregjimit komunist dhe nuk pranoi asnjëherë, që në kishë të hynte flamuri i Gjergj Kastriotit i përdhosur nga ylli bolshevik rus. Ai kujton, se qysh në fillim të vitit 1962 Dom. Zef Oroshi (sikurse e thërrisnin të gjithë), ka thënë meshën e parë në Bruklyn (NY), mes besimtarëve të paktë shqiptarë. Në çdo ditë diele të muajit nëntor (pavarësisht, nëse i binte ose jo që të ishte Dita e Pavarësisë), Mons. Oroshi çonte meshë drite për heronjtë e të gjithë kohrave, në përkujtim dhe nderim për historinë e lashtë të popullit shqiptar. Gjithashtu një mik i ngushtë i Mons. Oroshit dhe Pjetrit ka qenë Prof. Rexhep Krasniqi, kryetar i “Komitetit Shqipnia e Lirë”, ku vetë profesor Krasniqi ishte risjellë përmes CIA-s nga Australia në ShBA, për të organizuar grupet antikomuniste në emigracion. Ndryshe nga nacionalistët në emigracion, përfaqësuesit e përhershëm të Shqipërisë pranë selisë së OKB-së, përmes papagallëve besnik kremtonin “çlirimin” e vendit më 29 nëntor në një datë me siamezët komunistë të ish-Jugosllavisë askohe, që ishin njëherazi edhe kolonizatorët shekullorë në Kosovën martire. Pas viteve 1970, Pjetri futet në gjirin e lëvizjes antikomuniste në ShBA, duke zhvilluar biseda të ngrohta me përsonalitete të njohura shqiptare që kishin mundur të largoheshin nga ferri komunist i Shqipëria e Kosova. Kështu, tregon Pjetri për bariun e tij shpirtëror meshtarit, i duhej me thanë meshë në Arthur Avenue, në një shkollë 8-vjeçare për besimtarët e paktë asokohe. Për herë të dytë shqiptarët shohin meshë në Fordam University Catholic, mbasi nuk ishte e mundur të vijohen shërbesat fetare në vendin e mëparshëm. Atëherë Monsinjori (që ishte meshtar i emëruar për shërbesa fetare në St. Raymond në East Tremont në Bronx New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, ai gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit katolik shqiptar. Pjetri shton: “Nji dit Dom. Zefi, gjatë nji bisede tregon, se disa shqiptar shkojn tek meshtari, për t’i krye nji shërbim fetar, në kishen amerikane, ku ai çonte meshen. Pasi përfundon ritin, disa meshtar amerikan i thon: “Si mundesh ti me u marr vesht me kto gjind kshtu?!” Ai u tha, se: “Heroi ynë Nacional Gjergj Kastrioti, nuk e bani luften 25 vjet me rradhë as me serb, as me italian etj., por me bashkatdhetart e vet e ka ba luften çlirimtare e ka ngallnjye gjithmon”.  Përsëri një ditë tjetër, disa besimtarë iu ankuan meshtarit Dr. Oroshit, që të mendojmë së bashku për një kishë katolike, për të gjithë shqiptarët, mbasi ajo do të jetë shtëpia e përbashkët për t’i përkushtuar lutjet Zotit dhe halleve të shumta në emigracion. Ai, falë shpirtit të inisiativës dhe besimit që kishte në vetvete dhe popullin e devotshëm në fenë e Krishtit, menjëherë iu përgjigj me këto fjalë: “Për Kresht (Krisht), ata po na bajn nder, se do t’detyrona me ble kishen ton”. Dhe më 25 dhjetor 1969, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin “Fe-Atdhe-Perparim”, ku u tha edhe mesha e parë në natën e shenjtë të Kshnellave… Pjetri, ka qenë gjithnjë i devotshëm më lutjet për festën e “Zojës së Shkodrës”, Pajtore e qytetit më të lashtë me të njëjtin emër e vendosur në kishën rrëzë kështjellës “Rozafat”. Ajo njihet si pajtore për të gjithë mergimtarët shqiptarë qysh prej vitit 1467, ku edhe kisha merr emrin e saj, një vit para vdekjes së Gjergj Kastriotit. Fugurja e Saj, në mënyrë të mrekullueshme shkon në qytetin e Gennazano-s në Itali, 45 kilometra larg Romës. Çdo papë, që zgjidhet në fronin e lartë papanor, lutjet e para si ipeshkëv i kishës së shën Pjetrit i bën me përshpirtëri në gjunj para fugurës adhuruese të “Zojës së Shkodrës”, një privilegj e kënaqësi që e ndjejnë prej shekujsh të gjithë besimtarët katolik shqiptar kudo në botë. Këtu Pjetri dhe besmitarët e tjerë, shpesh kanë qenë peligrinë të përhershëm, duke thënë rruzaren, për familjet e tyre dhe lirinë e popullit shqiptar nga rregjimi atesto-komunist. Ai merr pjesë si besimtar në Shtegtimin e vitit 1988 nga New York-u në drejtim të Vatikanit, për t’u takuar me Papa Gjon Pali II. Në peligrinazh ishin 105 shqiptaro-amerikanë, të kryesuar nga dy barinjtë shpirtëror Dom. Rrok Mirdita dhe z/famullitari Dom. Pjetër Popaj. Më 1989 Pjetri së bashku me grupin prej 75 besimtarësh morën pjesë në Shtegtarinë drejt “Tokës së Shenjtë” në Jeruzalem. Përsëri më 1995, për të dytën herë sëbashku me djalin e vogël Vaselin, ai rishkon në Romë për t’u takuar në audiencë me Papa Gjon Palin II, këtë mik të madh të gjithë shqiptarëve. Në Shtegtimin në Selisë së Shenjtë ishin 54 besimtarë të udhëhequr si përherë nga bariu shpirtëror kleriku i nderuar Dom. Pjetër Popaj. 5 vjet më vonë, Pjetri niset në Shtegtimin më të madh, duke kaluar nëpër 5 shtetet më të njohura të Evropës (Londër, vendin e shenjtë të “Zojës Lourde” në Francë, “Zojës Fatima” në Portugali, në Spanjë dhe Genezzanno).

Filed Under: Histori Tagged With: Klajd Kapinova-Historia- Pjeter Kole Smajlaj

FESTIVALI QË PËR TRI DEKADA NGJIT NË SKENË TRI GJENERATA

November 20, 2019 by dgreca

– I pranishëm në Festival dhe përshëndeti miku i shqiptarëve, Kongresmeni Eliot Engel, Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan./

– Nderohen Fran Shala dhe Frank Çota/

NGA DALIP GRECA/
  Festivali Shqiptar që organizohet për 29 vjet radhazi në Nju Jork nën drejtimin e Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës-nën kujdestarinë e Qendrës Kulturore “Nëna Terezë”, edhe pse nuk është një festival i mirëfilltë klasik në përshtatje me kuptimin leksikor parësor të fjalës”Festival”, ai ka një mision të shenjtë:…të identifikojë, dokumentojë dhe të prezantojë artistë të folklorit nga komuniteti shqiptar dhe njëkohësisht të mbajë të bashkuar komunitetin shqiptar pa dallim feje apo krahine.

         “Festivali ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.Festivali i ofron spektatorit të thjeshtë mundësinë e mishërimit me thesarin e pasur të kulturës shqiptare dhe manifeston begatinë kulturore të komunitetit shqiptar si pjesë identifikuese e komunitetit të përgjithshëm amerikan.”
         Ky festival shqiptar në zemër të Amerikës, siç përcolli edhe në përshëndetjen e tij, i palodhur Dom Pjetër Popaj, famullitari i kishës katolike”Zoja e Shkodrës,-arkitetkti i këtij festivali(që nga i pari festival)-,bashkon në skenë tri gjeneratat.Dhe nuk ka më bukur se si gjenerata e dytë dhe e tretë, e lindur këtu, i dashuron me aq atdhdashuri këngët dhe vallet e bukura shqiptare, dashurohet aq shumë pas ngjyrave dhe formave të veshjeve popullore të zonave nga vijnë prinderit, që kërcejnë aq bukur dhe që me aq pasion këndojnë lirshëm e të emocionojnë, sa për 4 orët e festivalit mbetesh i magjepsur…Pa ti shohësh gjyshet dhe gjyshërit se si kënaqen kur nipërit a mbesat dalin në skenë, u shkëlqejnë fytyrat.
          Përgëzime Komisionit organizator të Festivalit: Famullitarit Dom Pjetër Popaj, kryetari i Këshillit të Kishës Nikollë Grishaj, Drejtor i Qendrës Nëna Tereza Marjan Cubi, drejtori i Festivalit Fran Çotaj, drejtor artistik Orsin Turmalaj, skenografëve Fran dhe Gjek Shala, regjisorit Pierre-Pandeli Simsia, Mark Shkreli, Leonard Berishaj e të tjerë.
               Festivali ishte konceptuar në dy pjesë, por pa pushim në mes, ç’ka e bën ca të lodhshëm qëndrimin nëpër karriga për 3-4 orë. Organizatorët kanë pasë parasysh se festivali organizohet ditën e dielë dhe të nesërmen fëmijët duhej të ngriheshin herët për të shkuar në shkollë, ndoshta do të ishte më mirë të organizohej të Shtunën me qëllim që e nesërmja të jetë ditë pushimi.
                Festivali është bërë shumë i dashur për komunitetin dhe është më e madhja veprimtari kulturore që po mbyll dekadën e tretë. Rrugë e gjatë për 29vite.Tonin Mirakaj, një veprimtar veteran i komunitetit së bashku me zonjën e tij në krah, Miliana,sot janë spektator, por ata janë nga të parët bashkëudhëtarë të këtyre festivaleve. Tonini ende ruan fletë-palosjen e festivalit të parë të organizuar me 20 tetor 1991, po këtu në këtë qendër të madhe të Artit, Lehman Center for the performing Arts. Komisioni organizator i festivalit të parë përbëhej nga: Father Rrok Mirdita e Peter Popaj, Tonin Mirakaj, Miliana Mirakaj, Marash Shkreli, Fran Shala, Gjovalin Nikçi, Vera Lejkocaj dhe Edward Mirdita. Grupi Rozafat i drejtuar nga Shpresa Uli dhe Fran Shala, shkëlqyen në skenë, ndërkohë që performuan edhe:Resmije dhe Rifat Kida, Lush Koçaj, Muhamet(Arben) dhe Shefqet Krasniqi, shoqëruar nga Nexhip dhe Nexhmedin Bakraçi, Saimir Kelmendi e Meli Qamili, po ashtu Zef Lucaj nga Trieshi, Ruzhdi Lumani nga Struga, Haxhi Maqellara nga Dibra, Martin Merturi nga Gjakova, Miliana Mirakaj nga Thethi-Dukagjin, Haxhi Nezaj nga Gjakova, Mark Vulaj nga Tuzi, e të tjerë.
Por le t’i kthehemi kronikës të Festivalit të 29-të, që u zhvillua të dielën me 17 Nëntor, duke filluar nga ora 5 pasdite e deri në orët e vona, në Lehman Center For the Performing Arts, një nga kolegjet më të hershme në Bronx New York, nën mbështejen e Këshilltarit të Bashkisë z. Mark Gjonaj. (Te plot Lexojeni ne Gazeten DIELLI ne Print)

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Festivali XXIX Shqiptar- Nju jork

UNIQUE FLAIR OF RUGOVA ABOUND AT NEW YORK CELEBRATION

November 20, 2019 by dgreca

by Rafaela Prifti/

The 11th anniversary of Shoqata Rugova (Rugova Society) was celebrated by a large gathering of Albanian-Americans, a wide range of community organizations and agencies representing many regions and age groups sitting at the tables in the main hall at the Maestro Restaurant in the Bronx. Among the guests of honor there were dignitaries and high-ranking officials as Ambassador Teuta Sahatqija and Counselor Albana Bylykbashi of the Consulate General of the Republic of Kosovo in New York, the New York City Council Member, Mark Gjonaj, the newly elected member of the Westchester County Board of Legislatures, Vedat Gashi, members of the Pan-Albanian Federation Vatra, representatives of Kosova Lindore (East Kosovo Society), the prominent philanthropist Richard Lukaj and others. Opening the evening with the national anthems, the Master of Ceremony, invited everyone to stand up for an a cappella performance by Leyla Lukaj of the Star Spangled Banner, followed by Besim Muriqi’s tuneful rendition of Albania’s Hymn to the Flag, succeeded by an intonation of the Kosovo anthem. The President of Shoqata Rugova (Rugova Society) Feriz Muriqi expressed his thanks as he acknowledged the honored guests, congratulated all the members for the support and dedication in service of the society’s goals as well as recognized the donors’ contributions. He presented the Rugova Autochthonous Ensemble and the epic lead singer – pun intended – Hysen Kurti of Kosovo. 

By way of reviewing, the President said that “Shoqata Rugova was founded in 2008 in New York. Its main mission is to preserve the Albanian language and Rugova tradition and to campaign for these values through events and cultural projects in the United States. Rugova and its inhabitants have been a part of the historic changes and the national development throughout decades.” While the New York based Shoqata Rugova (Rugova Society) continues to cherish the heritage and enrich the community ties while increasing the appreciation and respect for our cultural prosperity. In concluding, President Muriqi called upon ‘being united’ as the key to our strength that powers us to “make the impossible possible” and called for unifying around the community organizations even more.

The next speaker was the new Legislator of Westchester County, Vedat Gashi. He addressed the event briefly with heartfelt gratitude to everyone who helped with the campaign and who endorsed him. “Even people he didn’t know’ were there for me”, said Vedat Gashi. He was born in Kosovo under a repressive regime and was forced to flee with his family. His 2019 Candidate Profile states that he first moved to the Bronx and later settled permanently in Yorktown. “Vedat’s commitment to public service came from his family’s experience as political activists and refugees, opportunities he had working with inspiring leaders, and his experience helping to create a country out of the ashes of war.” Raised with strong principles, Gashi returned to Kosovo and engaged in formulating the legislation of the new country. “Upon passing the New York Bar, Vedat was called to service in Kosovo to join the US/EU effort to help establish the newly formed state of Kosovo – first through a grant from the Rockefeller Brothers Fund and later through the US Agency for International Development (USAID) and the United Nations. While in Kosovo, Vedat’s hard work lead to remarkable accomplishments, including drafting some of Kosovo’s foundational legal documents and establishing Kosovo’s Ministry of Local Government Administration. Vedat was later nominated by the United Nations to serve as the Chief Legal Advisor to Kosovo’s Prime Minister. Shortly after Kosovo declared independence, Vedat returned to his home in the United States,” states the website. It is a testament to the strength of character that gives the people of Rugova immense pride. New York City Councilman Mark Gjonaj spoke to the point. He began his remarks in Albanian by recognizing the place of Rugova region in the pages of history for ‘the noteworthy contributions” of its people and specifically by paying tribute to the main political figure of Kosovo, the late Ibrahim Rugova. He finished in English amid cheers and feelings of exaltation. Ambassador Teuta Sahatqija of the Consulate General of Kosovo in New York drew attention on the valiant past of Rugova and the bright present in New York in keeping with the region’s well-known contribution in education and in preserving tradition. She expressed appreciation for “giving hope to Kosovo” during a dark time and for continuously standing by it. In closing, Ambassador Teuta Sahatqija noted that two previous speakers were New York elected officials, which is cause for celebration because it signifies a new era of progress beyond the areas of business, economics, education, culture into politics and governance. “That is indeed cause for celebration just as we are tonight,” she said.

The artistic program by the Rugova Autochthonous Ensemble featured folk dance from the region performed by the women and men adorned in traditional outfits. Playing the cifteli and singing in the style of the legendary ‘epos of the mountains’, Hysen Kurti’s presentation brought back a part of the highlands of Rugova in New York.

Filed Under: Featured Tagged With: Rugova Society- The 11th anniversary-Rafaela Prifti-

TE MUZEU HISTORIK DHE TE FAMILJA QELESHI NE WORCESTER

November 20, 2019 by dgreca

DY GËZIME NË NJË DITË: TE MUZEU HISTORIK DHE TE FAMILJA QELESHI/

NGA THANAS L. GJIKA/

          Ishte e shtunë pasdite, 9 tetor 2019, Mikail Shollës dhe mua na u desh të merrnim pjesë në dy gëzime. Te familja Qeleshi për të uruar për ditën e emrit të z. Mihallaq dhe te Muzeu Historik i qytetit Worcester MA. Shkuam së pari te muzeu ku ishin mbledhur shumë shqiptaro-amerikanë, punonjës të muzeut, zyrtarë të Town Hall, etj. Takimin e kishin kërkuar zotërinjtë Greg Stefo dhe Frank Shkreli për të parashtruar planin për hartimin e historikut të komunitetit shqiptaro-amerikan të Worcester-it dhe fshatrave përreth. Komuniteti ynë në kvtë qytet ka një histori mbi 100 vjeçare dhe sot numëron mbi 20.000 anëtarë, por deri më sot nuk ishte marrë një nismë e tillë. Kurse komuniteti armen ai polak, grek, etj kanë libra me historikë dhe albume të ndryshme. Jemi prapa, por si thotë populli: më mirë vonë sesa kurrë.

          Në ekranin e sallës shfaqeshin foto të vjetra nga komuniteti ynë. Në një anë ishin tryezat me ëmbëlsira, pije freskuese, ujë, etj. Së pari u luajtën disa valle prej grupit “Vallet tona”, i cili ka 12 vjet që funksionon nën drejtimin e korreografit Dhimitër Demiri. Më tej iu dhuruan muzeut $ 1,000.00 ndihmë prej buxhetit që u krijua prej Festivalit Shqiptar në qershor. Më tej u shtrua ideja se si mund të krijohet një grup pune për të mbledhur materialet dhe historikët e familjeve të komunitetit. Pas zotërinjve Stefo dhe Zdruli foli drejtori i muzeut, z. Bill Wolace, i cili falenderoi për dhuratën dhe premtoi se ndihma e muzeut do të jetë e vijueshme derisa të perfundojë kjo nismë me vlerë. Më tej folën dhe disa pjesëmarrës të tjerë si z-nja Konstantina Lukas, Donna Colorio, etj…

* * *

          Pasi u larguam prej muzeut, Mikaili me makinën e tij na shpuri te shtëpia e z. Mihallaq Qeleshi, i cili sipas zakonit të besimtarëve ortodokë e feston çdo vit ditën e emrit, dmth ditën e Shenjtit Mikail. Korçarët ortodoksë edhe këtu në Amerikë e festojnë ditën e tyre të emrit. Shën Mikailin e festojnë të gjithë ata që kanë emrin e tij në format Mihal, Mihallaq, Mikail, Miha, Milo, Michael. Familja Qeleshi e mban derën hapur disa ditë për urim, por të shtunën e parë ajo e feston me gosti. Atë mbrëmje kjo familje fton edhe priftin, i cili e fillon festën me falenderimin e Zotit dhe me bekimin e ushqimeve. Miqtë e shokët venë sipas dëshirës, pa iu bërë ndonjë ftesë.

          Mihallaq Qeleshi dhe bashkëshortja e tij Efi janë një çift për t’u marrë shembull për jetën familjare dhe shoqërore. Ata dallohen midis nesh për biznesin e suksesshëm Coffee Mug, 286 Southbridge Street, Auburn MA, për anëtarësi të rregullt në kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme shoqërore, për ndihmën e pakursyer që japin rregullisht gjatë ditëve të Festivalit Shqiptar që organizon komuniteti ynë pranë kishës, për prodhimin e rakisë që e konsumon me shokë e miq, etj. Familja e tyre është një familje e bekuar me dy vajza të martuara. Secila prej tyre ka nga dy vajza njëra më e bukur e më e zgjuar se tjetra. Si thotë populli, kjo familje është si bletë e plotë. Midis pjesëtarëve të saj vlon puna, studimi, dëfrimi, respekti njerëzor. Shtëpia e Qeleshëve në Auburn MA është e madhe me dy hyrje, në njërën jeton Mihallaqi dhe Efi në tjetrën vajza e madhe Mariola me dhëndrin amerikan dhe dy vajzat e tyre. Vajza e vogël Adelaida e martuar me shqiptar dhe jeton në shtëpi më vete.

          Te shtëpia e Qeleshëve arritëm pak kohë pasi darka kishte filluar. Te hyrja na dhanë mirëseardhjen zonja Efi me vajzat. Bëmë urimet e rastit: “Gëzuar ditën e Shën Mikailit” dhe pasi mbushëm pjatat me ushqime të gatuara prej të zotëve të shtëpisë dhe dekoruar prej vajzave, shkuam te tavolina e madhe ku ishin ulur miqtë me bashkëshortet: Guri dhe Mariana Galloshi, Milo dhe Irma Treko, Mark dhe Sendy Dionis, Ben dhe Viola Çika, Gjergji dhe Raimonda Kote. Kurse dhëndurët (njëri quhet Mike) me shokët e tyre, meqenëse nuk dijnë të këndojnë këngët korcare ishin shtruar te livingroomi i Mariolës. Mihallaqi na ofroi pijet dhe na i mbushi gotat sipas dëshirave tona. Një moment interesant kishte ndodhur para se të vinim ne. Meqenëse Atë Mark Doku nuk kishte pasur mundësi të vinte për ta hapur e bekuar gostinë, këtë ceremoni e kishte kryer vetë Mihallaqi me mbesën e madhe Briele. Ata kishin falenderuar Zotin dhe kishin bekuar bukën dhe ujin e darkës, në kohën që gramafoni jepte liturgjinë Ati Ynë.

          Kur u ulëm te tavolina, doktor Guri Galloshi po tregonte ca historira nga koha kur kishte punuar tetë vjet në fshatrat e Kuksit. “Ato vjet më janë dukur si internim, sepse fshatarët ishin shumë të varfër e të prapambetur dhe unë bashkë me ta bëja një jetë plot mungesa.” – tha ai dhe vijoi: “Fshatrat që mbuloja unë ishin në një luginë ku gjatë dimrit kishte vetëm 5-6 orë diell. Respekti i fshatarëve më prekte, më vinin gjithnjë në krye të tavolinës, bashkë me shokët e pushtetit dhe drejtorin e shkollës. Malësorët sipas zakonit, nuk ankoheshin për dhimbjet e vogla dhe vinin te mjeku kur sëmundja kishte përpoaruar, kjo ma vështirësonte punën, po ata nuk e merrnin parasysh.”

          “Ajo jetë të bëri mirë të kaliti, prandaj këtu në Amerikë po punon nga dy punë dhe

nuk do të dalësh në pension, po vijon të punosh me qejf” –  i tha Milo Trekua.

          “A more Milo, ia preu Guri, unë po punoj nga dy punë sepse fëmijët i kam studentë dhe duhen ndihmuar për shpenzimet e shkollës. Më duket se nuk më ka lezet jeta po të mos sakrifikoj për shkollimin e tyre” – e mbylli doktori fjalën e tij…

          Miltua filloi të tregonte nga vuajtjet e tij si kryetar kooperative në disa fshatra malore të rrethit Librazhd, ku populli, po ashtu jetonte në varfëri ekstreme. “Në ato fshatra banorët ishin jo vetëm të varfër e injorantë, por dhe dembela. Eh ç’ hiqnim për t’i nxjerrë në punë!”

          “Fukarallëku, injoranca dhe dembellëku shkojnë bashkë.” – tha Mihallaqi dhe u ngrit e shkoi te një tavolinë e vogël ku kishte një gramafon. Vuri një pllakë me këngë korçare të vjetra. Në sallë u bë qetësi. Zëri i korrit kumbonte…

          “E gjeni dot cili korr i ka kënduar këto këngë? – pyeti ai dhe kur pa se ne mblodhëm supet, sqaroi: “Ky ka qenë korri i burrave të Usterit (Worcesterit). E ruaj këtë pllakë si gjë të rallë… Kur erdha këtu e arrita gjallë Rafail Xhorxh-in (George), një drenovar që këndonte për merak. Zëri i Rafaelit zotëronte mbi të gjithë. Vajza e tij, Linda, është martuar me dibranin e kulturuar, Bashkim Paçuku, këngëtar shumë i talentuar.”

         “Po po e njohim Bashkimin, thashë unë, por na vjen keq që komuniteti ynë nuk e mban afër. Ta kishte komuniteti grek ose ai Hebre, do ta kishte shfrytëzuar këtë këngëtar dhe do ta kishte popullarizuar si meriton. Ne e kemi lënë, si i lemë shpesh herë njerëzit e shquar e të talentuar. Bashkimi ka në shtije disa DVD me këngët e tij, po asnjë nga ne nuk ia ka blerë dhe gjatë ditëve të festivalit nuk i vemë në shitje. Ju u qatë për fshatarët e Kukësit e të Librazhdit, se ishin pa kulturë por në çdo drejtim ne shqiptarët, si në atdhe dhe në diasporë nuk shquhemi për kulturë e për vlerësimin që duhet t’u bëjmë njerëzve që shquhen realisht. Ne shkojmë pas miqësive dhe njohjeve. Edhe drogimi komunist nuk na ka dalë ende. Shikoni Fjalorin Enciklopedik Sqiptar, aty gjen plot zëra për njerëz që i shërbyen regjimit diktatorial që dështoi me turp dhe nuk gjen intelektualë e veprimtarë të shquar të diasporës.”

          “Ej, ç’ po bëni ju, ndërhyri e zonja e shtëpisë, vetëm muhabet, ngrehuni e mbushni pjatat se i keni boshatisur. Po ti Mihallaq humbe pas muzikës, mbushjau gotat, se dhe ato janë bosh.”

          U ngritëm të gjithë dhe pasi i mbushëm pjatat për së dyti, kur u kthyem i gjetëm gotat plot. Mihallaqi na i kishte mbushur, dikujt me verë dikujt me raki, sipas llojit të gotave që kishim. Filluam të hanim, por i zoti i shtëpisë nuk e zgjati muhabetin, ia mori këngës “Një ditë shkova nga Drenova”, dhe ne të tjerët e ndoqëm. Vijuam me këngë të tjera karakteristike korçare.

          Nostalgjia për vendlindjen na mbushi me mall. Na dukej vetja se ishim atje…

          Ben Çika kur mbaruam këngët u ngrit e tha: “Mos na lini pa e fiksuar këtë gosti të bukur në foto.” Dhe mbesa e madhe erdhi me vrap. Pasi hipi mbi një karrike, na porositi të zinim vendet dhe e shkrepi aparatin.

          Të gjithë i kishin bashkëshortet, vetëm unë me Mikail Shollën jo. Kur shkuam në shtëpitë tona u kërkuam grave të falur dhe premtuam se vitin tjetër nuk do të shkonim të festonim te Qeleshët Shën Mikailin pa ato….

Filed Under: Featured Tagged With: Thanas L.Gjika- Familja Qeleshi-Muzeu Historik-Worcester

DIKTATURA E SHUMICËS NDAJ PAKICËS SHQIPTARE NË MAL TË ZI

November 20, 2019 by dgreca

                                                Frank Shkreli/

Ja ndodhi përsëri.  Ndalohet, gjobitet dhe dëbohet një shtetas i Shqipërisë nga Policia e Malit të Zi sepse valviti flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Festivalin vjetor të Gështënjave në rajonin e Krajës, af;r Ulqinit.  Them flamurin shqiptar dhe jo flamuri i Shqipërisë, megjithëse është edhe i Shqipërisë, sepse për shqiptarët kudo, në trojet e veta shekullore dhe anë e mbanë botës kudo që gjënden në diasporë – ky flamur është i tyre — i të GJITHË SHQIPTARËVE kudo qofshin.  Ky është flamuri i Arbëreshve të Italisë, ky është flamuri i shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë dhe e shqiptarëve në Çamëri.  Është flamuri i shqiptarëve të shpërndarë anë e mbanë botës, në Evropën Perëndimore dhe lindore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada e deri në Australi e Argjentinë, e madje edhe e shqiptarëve në Ukrainë dhe kudo që janë 10- shqiptarë që bashkohen për të festuar – aty valvitet flamuri i të gjithë shqiptarëve pa dallim shtetësie, pa asnjë pengesë, me përjashtim të Malit të Zi.   Aty na qenka kundër ligjit që të valvitet flamuri shqiptar nga shqiptarët autoktonë prej mijëra vjetësh, në ato vise arbërore.    

Mediat vendase si Ulqinionline dhe ato ndërkombëtare si Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle raportuan rastin e sportistit Irfan Domnori nga Shqipëria. Ai kishte marrë pjesë  një javë më parë në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës dhe gjatë festivalit ka shpalosur dhe ka valvitur flamurin shqiptar. Disa burime njoftojnë se Domnori ishte i vetmi që valviti flamurin shqiptar në atë festival, gjë të le të kuptpohet se autoritetet malazeze kanë frikësuar  dhe kërcënuar tanimë popullatën vendase shqiptare se përdorimi i flamurit shqiptar në festivale të tilla mund të sjellë pasoja të rënda për ata që bëjnë një gjë të tillë.   Për këtë akt “antiligjor” të Z. Domnori, Policia e Malit të Zi e ka ndaluar duke e marrë në pyetje për “krimin” që ka bërë në territorin malazez, e ka dënuar me një gjobë prej 300-eurosh dhe i ka ndaluar hyrjen e tij në Mal të Zi për një periudhë një mujore.   Akuza zyrtare ndaj shtetasit shqiptar Domnori është se, sipas autoriteteve malazeze, ai na paska, “shkelur ligjin mbi rendin public” duke valëvitur flamurin e Republikës së Shqipërisë, një vepër kjo që kërcënon edhe paqën në vend, sipas autoriteteve malazeze.  Megjithëkëtë, nuk thuhet se si valvitja e flamurit shqiptar nga një shqiptar nga Shkodra, kërcënoi rendin publik dhe paqën në vend gjatë atij festivali!

Ajo që e bën këtë akt të Policisë Malaleze ndaj një shqiptari edhe më shqetsues është fakti se sipas radios gjermane Deutsche Welle (DW) shqip ky nuk është rasti i parë.  Ka pasur se raste të këtij lloji nga kombësi të tjera që kanë ndodhur në Mal të Zi por sipas radios gjermane, askush nuk është dënuar as gjobitur.  Ajo përmend një rast specifik.  Sipas DW Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi në mes të gushtit se do të ngrijë dy aktakuza kundër pjesëtarëve të minoriteteve, për gjoja përdorimin e simboleve të shteteve të tjera në Mal të Zi.   E para u njoftua kundër organizatorëve të koncertit humanitar “Për Kosovën e Metohinë tonë”, që u mbajt në Herceg Novi.   Ministria pohon se në këtë manifestim janë përdorur simbolet e Serbisë dhe është përdhosur himni kombëtar i Malit të Zi.   Gjithashtu, u bë një njoftim kundër organizatorëve të një ngjarje në lumin Cijevni afër Tuzit, sepse atje ishin vendosur vetëm flamuj shqiptarë, por jo edhe malazezë, sipas DW.

Por, as dy muaj më vonë ende nuk dihet nëse Ministria ka paraqitur ndonjë padi apo këto kanë qenë vetëm “kërcënime boshe”, njofton DW në gjuhën shqipe.  Sidoqoftë, duket se grupet e ndryshme në Mal të Zi kanë probleme me përdorimin e simboleve të tyre – si rrjedhim edhe i paqartësisë së ligjeve në fuqi — por fatkeqësisht, sipas të gjitha të dhënave, janë shqiptarët në atë vend, ata të cilët e pësojnë më keq për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.

Ndonëse aktorët politikë shqiptarë në Mal të Zi duket se bënë pak zhurmë në lidhje me ketë situatë, në këtë ndërkohë nuk kam parë ndonjë reagim zyrtar nga vendet fqinje dhe mike të Malit të Zi – dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova të cilat e kanë për obligim kombëtar të ruajnë flamurin kombëtar dhe të mbrojnë identitetin e shqiptarëve– ndaj dënimit të Irfan Domnori, vetëm e vetëm se valviti flamurin shqiptar në një festival kulturor në Ostros të Krajës.   Ishte vetë Irfan Domnori që vuri në dukje për median mungesën e mbështetjes nga autoritetet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.   “Më ndaloi policia, më kërkoi dokumentat dhe më pas më çuan fillimisht në komisariat e më pas në gjykatën e Tivarit.  Atje më thanë që është e ndaluar me ligj të mbahet flamuri shqiptar dhe më vunë gjobë 300 euro dhe të mos të hyj në Mal të Zi për 30 ditë.   Unë i thashë ju e dini, por ju ftoj në Shkodër të pini edhe një kafe, ju si trupë gjykuese, e merrni edhe flamurin tuaj Malazez, e keni me pa që nuk keni asnjë problem.   Për mu kjo nuk është normale po aq më thanë.   Na edhe Mali i Zi jena shtete në NATO, nuk duhet me ndodh kjo.   Duhet me reagu shteti apo instancat tjera, por në fakt këtu nuk ka reagu askush me thanë të drejtën.   I vetmi që është interesuar për këtë rast është numri dy i kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu”, është shprehur, Irfan Domnori në reagimin e tij për mediat.

U takon autoriteteve të Republikës së Malit të Zi që të sqarojnë ligjet e vendit të tyre mbi përdorimin e simboleve kombëtare në atë vend në përputhje me ligjet evropiane dhe ndërkombëtare mbi pakicat dhe u takon autoriteteve vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, përfshirë edhe përdorimin — pa pengesa dhe pa kushte — të simboleve të tyre kombëtare, përfshirë flamurin shqiptar – ashtu siç ndodhë në çdo vend anëtar të NATOs dhe më gjërë, e sidomos në një vend që aspiron gjithashtu të bëhet edhe anëtar i Bashkimit Evropian, siç është Mali i Zi.

Shqiptaro-Amerikanët me origjinë nga trojet shqiptare në Mal të Zi janë të shqetësuar nga mënyra se si sillen autoritetet malazeze me bashkombasit e tyre atje, përfshirë rastin e fundit të shqiptarit Irfan Domnori.   Shqiptaro-amerikanët dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë mbështetur, madje edhe në qarqet politike amerikane, shkëputjen e Malit të Zi nga ish-Jugosllavia, si dhe antarësimin e Podgoricës në NATO, me shpresën se shqiptarët në Mal të Zi, nën këto rrethana të reja gjeopolitike, do të trajtoheshin pak më mirë së në të kaluarën, për të mos thënë se shpresonim se do të trajtoheshin barabar me të tjerët, në një vend që thotë se e ka përcaktuar të ardhmene tij drejtë perëndimit.  Rasti i Irfan Domnorit, fatkeqësisht, tregon se mbetet shumë për tu bërë nga autoritetet malazeze në mbështetje të të drejtave të pakicës shqiptare atje nga shumica sllave, për të justifikuar mbështetjen që shqiptarët i kanë dhënë Malit të Zi, në përpjekjet e tija për pavarësi dhe për integrimin e Podgoricës në organizmat euro-atlantike, përfshirë antarësimin në NATO. 

Fatkeqsisht, trajtimi i deritanishëm i shqiptarëve autoktonë nga autoritetet e Malit Zi duket më shumë si një diktaturë e shumicës ndaj pakicës.   Alexis de Tocqueville në kapitullin “Tirania e Shumicës”, në librin e tij të njohur, “Demokracia në Amerikë”, e shikonte tiraninë e shumicës ndaj pakicave politike, shoqërore dhe kombëtare si një kërcënim të “vazhdueshëm ndaj demokracisë”.  “Shumica jo vetëm që i miraton ligjet, por ajo edhe mund t’i shkeli ato kollaj”, ka shkruar Tocqueville.  

Nuk është e nevojshme të shikojmë larg në histori që të bindemi se keqtrajtimet më ekstreme dhe krimet më çnjerzore ndaj pakicave janë bërë nga diktaturat fashiste dhe komuniste të shekullit të kaluar.  I tillë ishte edhe projekti i diktatorit komunisto-nacionalist serb Sllobodan Millosheviç për të krijuar “Serbinë e Madhe” nepërmjet spastrimit etnik nepërmjet shpërnguljses së detyruar, përfshirë edhe vrasjen e më shumë se 10,000 shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë – për tu ndaluar vetëm nga sulmet ajrore të NATO-s –një fushatë kjo që njihet si njëra nga ndërhyrjet më efektive ndërkombëtare në mbrojtje të një pakice kombëtare nga synimet djallëzore të një diktature të shumicës.

***

Captions: 1- Irfan Domnori me flamurin shqiptar (krahas flamurit të Malit të Zi në sfond) në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës — I ndaluar, i gjobitur dhe i dëbuar si i “rrezikshëm” për rendin dhe qetësinë publike në Mal të Zi, sipas autoriteteve malazeze.  Foto nga Ulqinionline

2- Pamje nga njëra prej paradave vjetore të shqiptarëve të Nju Jorkut, kur rrugët e këtij metropoli të madh këthehen në ngjyrat Kuq e Zi – ashtu siç bëjnë dhjetëra kombësi të ndryshme që jetojnë në Amerikë.  Jo vetëm që nga shprehje krenarie për prejardhjen e tyre nuk kërcënohet as rendi as paqja në Amerikë!  Përkundrazi, shfaqje të tilla inkurajohen nga autoritetet amerikane, në të cilat shpeshëherë edhe ata vet marrin pjesë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Mali i Zi- Diktatura e Shumices

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 822
  • 823
  • 824
  • 825
  • 826
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT