• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jo si Shqipëria

November 21, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Dje në Shkup në një Forum të ministrave nga vendet e Ballkanit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev kundërshtoi hapur sugjerimin europian për një reformë në drejtësi. Megjithëse ky qe një sugjerim me modelin shqiptar, ai e refuzoi atë po me modelin shqiptar madje duke e cilësuar disa herë si një katastrofë. Po sipas tij sot Shqipëria është në një krizë të thellë politike pikërisht nga mungesa e organeve gjyqësore, një defiçit i të ashtuquajturës reformës në drejtësi. Zoran Zaevi e tha disa herë se kemi gjithsej kaq e aq juristë dhe se një sitim i tyre a një kalim në veting do e fironte thellë këtë shifër dhe se Maqedonia nuk ka kontingjent të ri për ta rikuperuar menjëherë. Krahasimi me Shqipërinë është një brutalitet kohor, një dhuratë që do na mbaj gjatë në kalendat e kohës. Ndofta në letër mund të dukej si një model i përsosur, por realiteti po tregon se jemi bërë gazi i botës. Në një farë mënyre sipas Zoran Zaevit i bie që shoqëria maqedone të bashkëjetojë me të korruptuarit se sa të mbetet pa institucione si rasti i Shqipërisë pa Gjykatë Kushtetuese. Duket si diçka e pamoralshme në raport me ne, ose më saktë e pa pranueshme për shijet tona ”reformatore”, pasi po na tall edhe Maqedonia etj., por ja që qenkemi bërë.

Jemi bërë derisa njerëzit nuk dinë se kush ka të drejtë përshembull Presidenti apo Kuvendi? Njerëzit nuk dinë kujt t’i besojnë Presidentit apo Taulant Ballës që del menjëherë pas numrit një të shtetit dhe e quan të çmendur që do pushuar nga puna. Thtotë ka shkelur Kushtetutën nga që nuk di ta lexoj. Kujt t’i besojnë? Vërtetë Presidenti i tyre nuk di të lexoj? Si ka mundësi që Taulanti me Edi Ramën u dha për president një analfabet? Kujt t’i besojnë një zonje që shkon e betohet tek noteri apo asaj tek Presidenti? Ka një boshllëk social plot mëdyshje sa me të drejtë Zorani na tregon me gisht. Se sa do ta pranojë Europa këtë, pra bashkëjetesën e Zoranit a Maqedonisë me të ”korruptuarit” mbetet për tu parë në muajt në vijim. Megjithatë kësaj strategjie prej Zorani, kjo Europë, pra kalo kë të mundesh dhe mbyll sytë kur të mundesh se në fund të fundit hoqëm një pjesë të mirë të të korruptuarve etj., por jo korrupsionin, iu rikthye vet së fundmi në Shqipëri. Mirëpo a kuptojnë shqiptarët se ky nuk është shpëtimi përfundimtar nga të korruptuarit dhe se nuk mund ta quajmë më reformë në drejtësi? Të paktën Zorani në Maqedoninë e Veriut e ka kuptuar, e bëri publike, na mori si shembull krahasues. Absolutisht që shqiptarët nuk e kanë kuptuar. Janë të gjithë të sugjestionuar në luftën e ashpër mes Presidentit dhe qeverisë, mes asaj filozofie hip se të vrava, zbrit se të vrava. Ndërkohë që një ministre financash deklaron ngrirjen e fondeve ose zero para investime për vitin 2020, që në një farë mënyre ka një shpjegim, mbartje faturash të pa paguara nga 2019 ose zero efiçensë nga partneriteti publik privat dhe përqindjet në xhepat e firmëtarëve. Që domethënë këta firmëtarët ia kanë lëruar nënën deri në skutat e fundit pusit të buxhetit dhe me të drejtë, se, kush do i gjykoj. Shkon zëvendës kryeministri vet, prezent i gjallë në sallën e gjyqit. Megjithatë ka akoma që besojnë në një reformë në drejtësi dhe tek partneriteti ndërkombëtar pa e kuptuar asnjëherë ulërimën e Zoran Zaevit nga Shkupi, Jo si Shqipëria. Ka akoma disa kategori, njëra palë verbane pas mjekrës së Edi Ramës dhe tjetra pas xhelit dhe hekurosjes së Lul Bashës, ky ka më priore njoftimin e partive popullore për gjendjen alarmante se sa gjendjen vet. Kjo është me e bërë politikën nga lart për poshtë dhe jo e kundërta. Por po shoh në internet që më rastin e 28 nëntorit do ketë një asfeksion pakënaqësie sociale deri mbarë kombëtare. Nga ana tjetër një ridalje sutendore për të drejtat e tyre në lidhje me kushtet ekonomike dhe integrimin e diplomave në tregun social, qofshin lajme të vërteta se boll më me parë e dëgjuar Edi Ramën e Taulant Ballën. Boll me reformat që kthehen në sherr, zhurmë, çreforma etj.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Rfeorme-Jo Si Shqiperia

Alfabetare e gjuhës shqipe dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II më 1879?

November 21, 2019 by dgreca

Shkruan: Jeni Myftari- Londër/*

Për librin “AΛFABETARℇ ℇ GLÚHESE ΣQIP” (Abetare e Gjuhës Shqipe) mësova rastësisht nga një artikull i botuar më 12 prill 2016, në faqet e Shekulli Agency, me titull “Libri që i dhurohet Sulltan Abdylhamidit II nga truprojët e tij shqiptarë”. Por, artikulli nuk ipte asnjë të dhënë për vendndodhjen e librit.

Librin e gjeta shumë kohë më vonë, në bibliotekën “Nadir Eseri Kütüphanesi”, në Stamboll, falë ndihmës së shqiptares së Arkivave Osmane, Ajten Krasiniqi-Ardel, drejtorit të bibliotekës “Yazma Eseri Kütüphanesi”, Salih Shahin dhe drejtorit të bibliotekës “Nadir Eseri Kütüphanesi”, Ebu Bekir Kaya, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën e ofruar.

Libri “AΛFABETARℇ ℇ GLÚHESE ΣQIP” është botuar nga shqiptarët e Stambollit më 1879, në Stamboll. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

Në kapakun e parmë të librit shkruhet:-

MAΔERISE TI ZOTIT MAθ Δℇ MBERETIT DAΣURE T’YNE

SULTAN ABD-YL HAMID-HANIT II

Në kapakun e pasmë të librit shkruhet i njëjti dedikim si më lart por në osmanisht duke shtuar fjalën “Arnavudlar” (shqiptarët).

Në kapakun e “Alfabetares së gjuhës shqipe” shënohet një thënie e Naum Vithekuqarit dhe viti dhe vendi i botimit të librit (Kostandinpoje 1879)

Libri ka rëndësi historike pasi ai është botuar në të njëjtin vit kur në Stamboll u themelua “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” dhe në një kohë kur Lidhja e Prizrenit ishte akoma aktive.

Libri është një abetare e gjuhës shqipe e përgatitur nga intelektualë shqiptarë të Stambollit, e cila përveç aspektit gjuhësor përfshin edhe disa të dhëna historike mbi origjinën e lashtë të shqiptarëve, njohuri mbi astronominë, krijimin e gjithësisë dhe të njeriut si dhe njohuri matematikore.

Libri fillon me alfabetin shqip dhe më pas jep një dëftonjës të shkronjave duke e përshtatur çdo shkronjë shqip me një shkronjë të alfabetit osman dhe duke dhënë shembuj për secilën.

Alfabeti me 36 shkronja, nga të cilat shtatë janë zanore dhe njëzet e nëntë bashkëtingëllore dhe, është një kombinim i alfabetit latin me disa shkronja greke.

Libri nuk ndahet në kapituj por, lehtësisht evidentohen në të shkrimet e individëve të ndryshëm, që për lehtësi studimi këtu do të referohen si kapituj ose pjesë.

Uδe ε te ϭkruarit të ſúhesε Σqip ( Udhëzues i të shkruarit të gjuhës shqipe)

Jani Vreto, praqet në libër një udhëzues për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai shpjegon përdorimin e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve në fjalëformin dhe bën dallimin në përdorimin e fjalëve në dialektet gegë dhe toskë.

Më shumë se një abetare, shpjegimi i Jani Vretos është një farë fjalori drejtshkrimor i gjuhës. Këtu emri i tij shënohet Ioan i Athanas Vrέtose nga Postenani[1]

Γuha Σqip (Gjuha shqipe)

Në këtë kapitull, Shemsedin Sami Frashëri shkruan për kombet dhe gjuhët si dhe historinë e zhvillimit të shkrimit.

Gjithashtu, ai flet për lashtësinë e kombit shqiptar dhe për rëndësinë e ruajtjes dhe shkruarjes së gjuhës shqipe. Ndër të tjera, Sami Frashëri thekson:- “Sot është dita që edhe shqiptarët të zenë të shkruajnë e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mund të ruajnë kombësinë.”

Frashëri përkrah idenë e përdorimit të alfabetit latin si alphabet të shqipes duke e argumentuar këtë me faktin se Shqipëria është vend evropian. Po kështu, ai shpjegon në detaje si u arrit të ndërtohet alfabeti me 36 shkronja i shqipes bazuar mbi alfabetin me 25 shkronja të latinishtes, të kombinuara me disa shkronja të alfabetit grek.

Më pas, Frashëri thekson se është Sultan Abdyl Hamiti II ai i cili ka mundësuar shkrimin e gjuhës shqipe.

“Të shkruarit e gjuhës shqipe u bë në kohën e mbretit dhe zotit tonë të math, Sultan Abdyl Hamitit të dytë, që Perëndia i zgjattë jetën dhe i shtoftë ditët! Kështu edhe shqiptarët zunë të ecin përpara e të ndriçohen me shkronja dhe dituri … -thotë Sami Frashëri.”

Σqypnija ε Σqyptârt   (Shqipëria dhe shqiptarët)

Pashko Vasë Shkodrani, një prej figurave të njohura të Rilindjes Kombëtare, sjell në libër një kapitull të veçantë ku shkruan për historinë e shqiptarëve si pasardhës të pellazgëve. Ai flet për origjinën e pellazgëve dhe shpërnguljen e tyre të herëshme nga Azia për t’u vendur në brigjet e detit të atyre tokave që sot njihen si toka greke. Më pas, ai tregon për luftërat mes pellazgëve dhe tre fiseve të tjera të ardhura një mijë vjet më vonë nga Azia dhe për lëvizjen e pellazgëve nga bregdeti për në brendësi të fushave e maleve, duke krijuar vendbanime dhe mbretëri të reja.

Sipas Pashko Vasës, ata pellazgë që zunë vend në zonat e Janinës, Gjirokastrës, Beratit e Vlorës, e quajtën vendin dhe mbretërinë e krijuar Epir, të tjerët që u shpërngulën në zonat veriore në Mat, Dibër, Shkup etj., e quajtën mbretërinë Maqedoni, ndërsa të tjerët që u vendosën në Dukagjin e ndër malet e Shkodrës, e quajtën mbretërinë dhe vendin e tyre, Iliri.

“Shqiptarët e sotëm -ve në dukje Vasa- janë pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve që populluan fillimisht bregdetin e atyre tokave që sot njihen si toka greke.”

Në vijim, Pashko Vasa flet për Filipin e Maqedonisë dhe Aleksandrin e Madh, për ndërmarrjet ushtarake të tyre dhe zgjerimin e pushtetit deri në Persi. Po kështu, ai flet për Pirron e Epirit, për mbreterit ilirë, Genci dhe Teuta, për Skënderbeun dhe luftërat e shumta të shqiptarëve.

Vasa e mbyll shkimin e tij duke i bërë thirrje shqiptarëve të shkollojnë djemtë dhe vajzat në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vasa në këtë pjesë të shkruar prej tij, vihet re ndikimi i gjuhës italiane.

ΔℇΣKROИE  (Dhe shkronjë)

Shemsedin Sami Frashëri, sjell një tjetër kapitull në libër, ku përcjell të dhëna gjeografike mbi kontinentet, qytetet, fshatërat. Ai tregon për Kristofor Klombin, i cili kreu lundrime të shumta në dete dhe zbuloi kontinente te reja. Gjithashtu, tregon ndarjen e kontinenteve, flet për shtet-qytetet, për numrin e popullsisë së këtyre vendeve etj.

Po kështu, Frashëri flet për kufijtë e Shqipërisë, për gjuhën dhe popullsinë e vendit, për ndarjen gegë e toskë dhe përmend qyetete të ndryshme shqiptare, një pjesë e të cilave sot ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë politike.

Πer Γiθeςiϭtene δε per Zόn’ ε jέtese εδε  per Иεrine, bόten’ ε vόgele.

(Për gjithëçishtenë (gjithësinë) dhe për Zotin e jetës edhe për njerinë, botën e vogël)

Kjo pjesë e librit është shkruar nga Jani Vreto. Ajo përmbledh njohuri mbi galaktikën, yjet, tokën, diellin, hënën. Ai shpjegon rrethrrotullimin e tyre dhe e lidh këtë me fuqinë e mbinatyrshme të Zotit.

Po kështu, Vreto shpjegon krijimin e njeriut nga Zoti. Ai shpjegon materien dhe shpirtëroren si dhe aftësitë që Zoti i ka dhuruar njeriut dhe që ky i fundit duhet t’i përdorë në dobi të të mirës dhe zhvillimit të njerëzimit.

Vreto gjen rastin të këshillojë njerëzit me urtësinë e të parëve kur thotë se, atë që nuk dëshiron të t’a bëjnë të tjerët ty mos ia bëj ti të tjerëve dhe e kundërta.

Në vazhdim Vreto flet për rëndësinë e besës, parë kjo në rrafshin moral dhe atë fetar.

Më pas ai shpjegon kuptimin e fjalëve “Memeδeθ” (mëmëdhe), komb, fis si dhe rëndësinë e dashurisë dhe kujdesjes për mbarëvajtjen e kombit dhe mëmëdheut.

Shkrimin e tij Vreto e mbyll duke këshilluar të rinjtë të martohen e të krijojnë familje dhe të ofrojnë dashuri e kujdes reciprok ndërmjet bashkëshortëve.

Në fund ai nënshkruan Ioan-Vretua Postelanasi.

Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vreto, vërehet ndikimi i greqishtes.

Porositë e Tovitit mbi të birë

“Porositë e Tovitit mbi të birë” është një pjesë e shkëputur nga Dhjata e Vjetër dhe e përshtatur në shqip nga ℇliniϭtja prej Koto-Anastas-Hoxhit Qestoratasit.

Numεremesoηë (Mësimi i numrave)

Jani Vreto sjell në libër një tjetër temë e cila flet për mësimin, shkrimin dhe leximin e numrave. Në këtë pjesë të librit Vreto shpjegon me shembuj veprimet matematikore të mbledhjes, zbritjes, shumëzimit dhe pjestimit.

Libri mbyllet me një pasqyrë për sqarimin e fjalëve të vështira.

Në fund të tij gjendet fleta e regjistrimit arkivor e cila shënon se në këtë bibliotekë gjendet vetëm një kopje e librit dhe se është shtypur më 1879.


[1] Postenan është një fshat i Kolonjës.

  • Shkrimi u dergua per Diellin nga Jeni Myftari, juriste, pjese e diaspores shqiptare ne Britanine e Madhe.

Filed Under: Politike Tagged With: Jeni Myftari-lfabetare e gjuhës shqipe -Sulltan Hamiti II

Mesazh nga Australia- 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES

November 21, 2019 by dgreca

8o VJET- 1940 – 2020AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !

                                                              PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë!

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                             

Me respekt, Fritz RADOVANI

Filed Under: Featured Tagged With: Radovani Fritz- 2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES

O e Bukura More…

November 21, 2019 by dgreca

  Esse nga Aristotel Mici/

Kënga e herëshme “O e Bukura More” është një dëshmi e gjallë, që pohon emocionalisht bashkëjetesën midis etnive iliro-pellazge dhe helene që nga thellesia e shekujve të antikitetit e deri në kohët moderne nëpër  trevat greke dhe arbërore. Kjo ide përftohet edhe nga leximi me vëmendje i veprës madhore të Herodotit, i cili përmes shumë episodeve na e bën të qartë këtë mundësi bashkëjetese midis fiseve pellazgo-ilire, edhe popullates helene, që vihet re për gjatë shekujve me radhë, duke nisur nga periudha e Tebës dhe e Orakullit të Dodonës e deri në periudhën e Luftës Greko-Persiane. Pikërisht, nga koha e kësaj lufte, Prof. R.d`Angeli na sjell në kujtesë një episod kuptimplotë nga Herodoti, atë të komandantit të ushtrisë persiane Mardonit. Sipas historianit, ky general Persian, mbas betejës detare të Salaminës, vendosi të fushonte në Thesali, me qëllim që të kalonte atje dimrin vetëm me një pjesë të këmbësorisë, që do të shoqëronte Kserksin ne ekspeditën e tij kundër Helladës. Po ky Mardoniusi gjatë kësaj kohe deshte të këshillohej edhe me Orakujt e Helladës për planet e veta. Dhe, për këtë qëllim dërgoi një njeri me emrin Misi,  që ishte me prejardhje nga qyteti i Europusit të Karisë. Ky Mesi, ndërmjet orakujve të tjerë, u këshillua edhe me atë të Apolonit në Ptoos, që u perkiste Tebanëve dhe ndodhej në Beoti. Atë e shoqëronin tre tebanë, si roje., të cilët qenë porositur që të kopjomin në tabelëza tekstin e Orakullit. Po kur hynë në vendin e shenjtë, profetesha nisi të bënte fat-thënien në gjuhën barbare, domethënë Pellazge, gjithnjë sipas Herodotit. Ndërkaq, tre tebanët, ngelën të shtangur, të befasuar, sepse po dëgjonin një gjuhë pellazge, atje ku ata prisnin të flitej gjuha helene. Atëherë, njeriu nga Karisa, Misi, i cili e kuptonte fare mire gjuhën që fliste orakulli, ua mori nga duart tebanëve tabelëzat edhe shkroi vetë në ato atë, që thoshte fat-thëna, duke deklaruar se profetesha po e rrëfente profecinë e saj në gjuhën pellazge të Karisë 12 Pra, studiuesi d`Angeli, me anë të këtij fragmenti, të shkëputur nga vepra e Herodotit,rikonfirmon se pellazgjishtja ka qenë gjuhë massive jo vetëm në periudhën e qytetërimitKreto-Mikenas, dhe të kohes së Homerit, po edhe gjatë dekadave të Luftës Greko- Persiane. Ky studiues, i qendron pa lëkundje pikëpamjes së tij se pellazgjishtja është një gjuhë shumë e lashtë universale, e cila në trajtën më të gjallë, na është transmentuar epërpiktë dhe e plotë në formën e gjuhës së sotme arbërore-shqipe. 2 Si rrjedhojë, nga kyepisod, lejohemi të bëjmë deduksionin se midis  pellazgo-ilirëve  dhe helenëve ka pas ekzistuar nje përzjerje dhe bashkëvajtje historike, që nga kohët më të vjetra historike dhe deri në  shekujt e fundit.  Ky është një mësim që nxjerrim nga Herodoti, që, si pasoj edhe arvanitasite periudhës së parë të Mesjetës, po edhe të kohëve më të vona mund të jenë vazhdimbreznish i pararendësve të tyre pellago-ilire, siç janë, fjala vjen, thesprotët në Thesproti (Camëria e sotme). Natyrisht, gjatë kohës së Perandorisë Bizantine mund të kenë vajturedhe valë shtresash të tjera nga krahinat e Arbërisë. Po Sidoqoftë, popullata arvanitaseshqipfolëse në trevat helene të Moresë prej shekujsh, gjithësesi, ishte shumë e përhapur, duke filluar nga malete Sulit, Konica, Korfuzi, e deri tek Paramithia , Arta, Parga, dhemë tutje si në More, Lemnos, Hidra, Spartë dhe Athinë, ku është dhe lagjja me emrin “Plaka”. Kjo hartë shqipfolëse e përhapur si në tërë Helladën e vjetër si edhe në krahinën e Moresë, e bën patriotin e shquar arvanitas, Aristidh Kolias, të deklaronte në veprën e tij se në Greqinë e vitit 1821 “Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri 90 përqind e heronjëve të Pavarësise së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po aq sa greqishtja, sa që u propozua të flitej në dy gjuhë, po që shpejtë u ndalua” 3 Kur flet kështu Aristidh Kolias ka para sysh shumë  sidomos heronjtë  arvanitas, të cilët derdhën gjakun dhe ranë deshmorë për lirinë dhë pavarësinë e Helladës më 1821,  siç janë Kiço Xhavella, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Laskarina Bubulina, Kostandin Kanari, Andrea Miauli , Teodor Griva e shumë e shumë të tjerë.

Po deklarim i studiuesit arvanitas A.Kolias është shumë vëllazëror dhe mirëdashës, kur ai vazhdon të thotë: Bashkëjetesa në shekuj dhe rrënjët pellazgjike, si popuj më të lashtë në:

1 Herodoti, Historitë,f. 501, shiko edhe Enigma, R.d`Angely, f.164

2 R. d`Dangely Enigma,

3 Kolec Traboini, E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias, Boston, 2005. f.32

Ballkan, na nxjerrin  më të afërt se çdo popull tjetër përqark, prandaj le të

lëmë luftrat dhe të shohim miqësinë dhe perparimin 4

Dendësia dhe përzjeraja e arvanitasve me popullatën helene, para revolucionit të vitit

1821, ka qenë mjaftë e dukshme; gjë që e kishin vënë re edhe dy personalitete franceze.

Përshtypjet e tyre, poligloti Rober d’Anxhely, i ka përfshirë në librin e vetë Enigma,i cili, në faqen 205 të veprës, ka shkruar:”

“…gjithë territoret e mbajtura, – më 1805 përshembull,-si helene, në realitet nuk kanë qen gjë tjetër veçse territore shqiptare dhe e vetmja gjuhë që kanë folur ka qenë shqipja. Dhe kjo gjendje në pjesën në më të madhe të këtyre territoreve vazhdon edhe sot të jetë po ajo.

Po kështu,  si mund ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë Shatobrianin 5 , kur, duke folurpër Athinën në veprën e tij“Itinerari i Palestinës”, e quan atë, (Athinën) “fshat shqiptar”. Po ashtu edhe Lamartini 6 , kur shkruan për familjen, që u kujdes për të në Greqi, sa kohë që ishte i sëmurë, thotë fare mirë:”familje shqiptare si të gjitha në të gjithë vendin (në Greqi)….kemi të bëjmë pra, në këto raste, me popullsi arvanitase, që ende fletë shqip” 7 ; Pra,  edhe me këto pohime  shikojmë një  realitet  të deklaruar nga dy personalitete të kulturës franceze.

Kënga , O e Bukura More,  siç e përendëm edhe në fillim të këtij shkrimi, na e demonstron bashkëjetesën shumë shekullore të Arvanitasve me  popullin Helen  në disa  treva  të Greqisë. Kjo këngë, gati 500-vjeçare ushtinë e gjallë ende në Horën e Arbërshëve, po edhe tek  disa  ngujimet të tjera arbërore në Itali. Kënga e ka zanafillën e vetë më 1534, me ardhjen e arvanitësve të Moresë në Piana degli Albanesi, një komune në Sicili. Këtë e gjejmë edhe në një një kronikë, që ka të bëjë më një aksion detar të admiralit Andrea Doria, i cili, me urdhër të mbretit të Napolit, më 1534, komandoi në atë vit  dyqind anije për të sjellë arvanitasit dhe helenët e Moresë në Napoli 8 . Shumë prej tyre do të vendoseshin në katundin “Piana degli Albanesi. Nga goja e të cilëve do të dilte kënga “O e Bukra More”, që i drejtohet vendlindjes me mall, brengë dhe dëshpërim, sepse kishin lënë pas njerëzit më të dashur, që nuk do t’i shihnin më kurrë, për shkak të dhunës dhe të mizorisë se turqve, që kishin pushtuar Morenë , Helladën si edhe Arbërinë:

O e bukura More,

Çë kur të lje,

Më nigjë të pe;

Atje kam unë Zotin- Tatë,

Atje kam u mëmën time,

Atje kam u tim vëlla.

O e bukura More

Që kur të lje

Më nigjë të pe 9

Mësimi i parë që nxjerrim nga kjo këngë ështe fakti që këta banorë vendas, arbëreshë (apo arvanitas) nuk kanë vajtur në More pas vdekjes së Skenderbeut, sepse nuk e shpëtonin dot kokën, duke lënë atdheun e zaptuar nga turqit dhe të shkonin në një vend tjetër të pushtuar po nga turqit. Mendimi më i drejtë është se ata atje, në More, duhet të jenë vendas të vjetër shekullor, Për këtë arsye ata i këndojnë me ngashërim Moresë si vendlindjes së tyre të stërlashtë- “Të Bukurës More”.

Kurse arbëreshët e ikur nga Arbëria në Itali i drjtohen mëmëdheut të tyre me apelativin

Arbëri:

Arbëri, matan detit na kujton,

Se ne të huaj po jemi te ky dhe!

Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron

Që turku na la pa mëmëdhe. 10

Kështu edhe nga nëndialekti, a po e folmja e tyre, kuptohet se kemi dy lloj eksodesh me

gen iliro- arbëror, që u vendosën në Itali, duke formuar koloni, katunde a po qyteza

shqipfolëse; pra, figurativisht kemi dy rrjedha të një gjaku dhe një gjuhe, që historia për shekuj i pat ndarë në trojet e tyre dhe koha i bashkoi në shtigjet e eksodit gati biblik.

9 Fjalët e këngës janë sipas variantit që jep Dh.Kamarda (1821-1882) në librin e tij “Apendice al Saggio di grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese, botuar më 1866, duke pasur për bazë dorëshkrimin e Kieutit, 1708.

10 Vargje nga poezia “Vrull” e librit Vjersha të Zef Serembes, Tiranë, 1965

5

Për arbëreshët e Moresë (arvanitasit), që këndojnë këngën “O e bukura More”, nuk ka

diskutim që janë vendës në More (Pelepones) dhe vazhdues të stërgjyshërve të tyre , para pushtimit turk, nga koha e Bizantit,  po, pse jo, edhe ajo e fiseve pellazgo-ilire, në ato troje, ku i kishte parë dhe dëgjuar Herodoti si në More, në Lemnos, në Thesproti a po në Atikë. Po, ndërkohë, edhe pse të veçuar gjeografikisht nga trungu arbëror, për arsye të ndryshme historike, arbëreshët e Greqisë, arvanitasit, i kanë rezistuar kohës, duke ruajtur gjuhën, këngët, dhe zakonet e të parëve. Gjuha e tyre amëtare është e arbërishtes së herëshme, që në gjuhësi, për veçantinë e saj, është quajtur nga Prof.Sh.Demiraj, edhe arbërishte arkaike 11 .

Pikërisht me këtë të folmen e tyre karakteristike, arvanitasit e ardhur nga Moreja në Piana dei Albanezi të Sicilies,( që sot njihet edhe me emrin Hora Arbëreshe), na kanë sjellë këngën mbresëlënëse, “O e Bukura More” që na emocionon sa herë e dëgjojmë.

Bibliografi

Aristidh Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, shtëpia bot. 55,Tiranë, 2007

Dhimitër Pilika, Pellazgët origjina jonë e mohuar, Botimet Enciklop,Tiranë, 2005.

Herodoti, Historitë, Botimet IDK, Tiranë, 2010.

Kolec Traboini, E vërteta përvëluese e Aristir Kolias, Boston, 2005.

Lutfi Alia, “Kronika e eksodeve arbëreshe në Itali”, Zemra ahqiptare, 14-2- 2016.

Nermin Vlora Falaschi, L’Etrusco Lingua Viva, Bardi Editori – Roma,1989.

Robber d’Angely, Enigma, Toena,Tirana, 1998

Shaban Demiraj, Epiri ,Pellazghët, Etruskët dhe Shqiptarët, Infbotues, 2008 .


11 Sh. Demiraj, Epiri,Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, f,34.

Filed Under: Featured Tagged With: Aristotel Mici-Moj e bukura More

Domosdoshmëria e Legalitetit

November 20, 2019 by dgreca

Me rastin e 76 vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2019/

Nga Ekrem Spahiu*/

Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillen që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu. Praktikisht, Legaliteti është një parti me një histori 95 vjeçare. Përmes Mbretërisë Shqiptare, nën drejtimin e Mbret Zog I, gjatë viteve 1928-1939 i ka dhënë shqiptarëve qeverisjen më të mirë në historinë e shtetit shqiptar. Legaliteti ka kontributin e vet të padiskutueshëm edhe në luftën kundër pushtuesëve fashistë e nazistë, në të cilën ka dëshmorët dhe heronjtë e saj. Ajo ka kundërshtuar me të gjitha mënyrat ardhjen e kumunistëve në pushtet dhe i ka rezistuar me stoicizëm për 45 vjet diktaturës më të egër në Europën komuniste. Legaliteti ka kontribuar maksimalisht në proceset demokratike në Shqipëri pas vitit 1990 dhe ka dhënë modelin më të mirë të përfaqësimit në Parlament e në këshillat vendore, si dhe në qeverisjen qëndrore e vendore, për përkushtim, aftësi, ndershmëri, qëndrushmëri politike dhe të suksesshëm.

Në kontekstin e Luftës së II Botërore dhe pushtimit të Shqipërisë nga okupatori nazi-fashist, legalistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pat deklaruar përpara delegatëve se: “jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”.

Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur Ballit Kombëtar, si dhe çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.

Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetem shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.

Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanëshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike.

Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë së njohur ndërkombëtarisht, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politik, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prillit 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, oficeri madhor Joho Caci, Hysen Meça, Xhemal Herri, Mark Mir Gjiri etj.

Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit; etj.

Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çoba, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi. U konstituan: Komiteti Qëndror, Sekretariati i Përgjithëshëm, Shtabi i Përgjithëshëm, Shërbimi Propagandistik, Rinia e Legalitetit, Shtypi, Seksioni i Ekonomatit dhe i Financës dhe Seksioni Sanitar (ky i fundit me atributet e mjekësisë gjatë kohës së luftës).

Forcat luftarake legaliste në atë kohë përbëheshin nga 5.000 deri në 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 Prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Damit, Suçit, Krujës, Vorze -Shkalla Tujanit, Prezës, etj.

OKLL u shtri nëTiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë, etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numëra të gazetës “Atdheu” me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte. Në 6 muaj u mbajtën 24 fjalime.

Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm duke informuar në detaje Mbretin Zog mbi situatën në Shqipëri, duke konkretizuar në këtë mënyrë ruajtjen në terren të vijimësisë politike të institucionit mbretëror. Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.

                        Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit, ishte atashuar misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike, por dënonin me ashpërsi organizatat, të cilat, nën maskën e luftës për liri, synonin përgatitjen e ndryshimeve politike në vend dhe vepronin në kundërshtim me parimet e Kartës së Atlantikut. E vërteta është se, lëvizjet nacional-çlirimtare në Ballkan filluan veprimtarinë e tyre me një program nacionalist, ku kërkohej të çlirohej vendi nga pushtuesit dhe pastaj vetë popujt të zgjidhnin regjimet e tyre demokratike, sipas parimeve të Kartes së Atlantikut. Por shumë shpejt u konstatua se këto lëvizje frymëzoheshin prej politikës sovjetike dhe përpiqeshin fort për të përgatitur terrenin për marrjen e pushtetit dhe për vendosjen e qeverive komuniste pro Moskës. Me këtë frymëzim, ato praktikisht u angazhuan gjithnjë e më shumë në luftën kundër organizatave rivale të tyre nacionaliste.
Ndërkohë, që organizatat me frymëzim kombëtar kërkuan gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.

Mirëpo, ky ishte një vendim absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e të drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht, me votim të organit përfaqësues të popullit shqiptar (Asamblenë Kushtetuese). Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në nje shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pat deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte.

Prandaj edhe mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejtë në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm. Në këtë pikë vlen të përmendet fakti se realizimi i të ashtuquajturit “bashkim personal” me kurorën e familjes mbretërore italiane, i cili e vendosi formalisht Shqipërinë nën regjimin e familjes mbretërore italiane, është konsideruar gjerësisht si një vendim fiktiv, i pabazuar të drejtën ndërkombëtare publike. Në kushtet kur edhe nga historiografia komuniste, ky ndryshim i formës së qeverisjes nga italianët është cilësuar si i pabazuar, rrjedhimisht pranohet fakti se nga pikëpamja juridike, në Shqipëri vazhdonte e njëjta formë qeverisjeje si përpara pushtimit fashist. Thënë kjo, Mbreti Zog nuk mund të anashkalohej në asnjë rast, nga asnjë vendimmarrje politike, e jo më t’i ndalohej kthimi në vend.

Në këto kushte, bazuar në argumentet si më lart, Legaliteti, vijoi të mbështetej në shtyllat e qëndresës kundër okupatorit dhe të kërkesës për marrëveshje kombëtare, një marrëveshje që, nëse do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, Shqipëria do kishte patur tjetër rrjedhë duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy shtylla nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.

*ish-deputet & kryetar i PLL  

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu- Domosdoshmeria- Legaliteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 821
  • 822
  • 823
  • 824
  • 825
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT