• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Requiem për vdekjen e dashurisë…

October 6, 2019 by dgreca

Shejtneshës e nanës Tereze/

Nga Anton Çefa/

                        I

Mbi këte kaos të përbotshëm/

ku dashuria kryqëzohet çdo ditë/

si dy mijë vjet ma parë/

në rrugën e Golgotës/

ngjizun me zjarr Prometean/

dhe brishtësinë e materies,/

i tregove botës ma të fortin e elementeve/

dashurinë./

Ç’është tabelë e Mendelievit

dhe tabelat e tanë elementave të rruzullit

veç brishtësi e thyeshme

përballë ligjit tand,

para të cilit shpërbahet landa e të gjithë elmentave

si prush materiesh qi shuhen drejt asgjasë.

Me gjurmën e hapit tand të zdathun

do të ecish në kujtesën e njerëzimt

aureolë e gjakut tonë.

                        II

Le të çohet në kambë leproza

e sida,

kërthijt e braktisun trotuareve të botës mbarë

le të ngrihen!

Le të ngrihet në kambë mjerimi

e në nji kor madhështor

të këndojnë rekuiemin për vdekjen e dashurisë !

Nga majet e Himalajeve

te krepat e Sharrit,

nga Kalkuta në Shkup,

nga Shkupi në Kalkutë

të perplasen e të thyhen pentagramet e dhimbjes 

e të gjamës,

Oji more Oji !

Nuk të shuhet jo

flakëza e qiriut të jetës.

S’qe flakëz, por meteor, yjesí e prush yjesìsh,

 që si vulkan do ta përndezin botën

me dritën e vetëflijimit,

*     *     *

Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit

Portret për Nënë Terezen

Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave ma të ndryshme filozofike për qellimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nanë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bani ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e kambës së saj të zdathun.

Ajo krijoi nji urdhën fetar, që u shtri mbi njiqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për ma të vorfnit e të vorfenve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisunit. Kjo asht vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo ma randësishmja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, asht ngrehina madhështore e tempullit shpirtnor të dashurisë e të vëllaznimit në krahnorin e gjanë të njerëzimit. Kjo asht vlera ma universale e veprës së saj.

Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e mbrendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.

Në botën pagane, ajo të kujton një Prometè, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nanë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton nji Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet ma parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nanë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit të njeriut: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.

Në orvatje për me vlerësue veprën e saj, mbretën e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj nji mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë ma mirë se kushdo – i dhanë titullin ma të madhnishëm: Nanë. Nga nji “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u ba Nanë e të gjithëve, Nanë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e nji Nane të tillë ?

Për mbarë njerëzimin, Nanë Tereza asht nji vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo asht diçka ma tepër, nji vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, landë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nanë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Defa-Requiem për vdekjen- e dashurisë

NGA “VARREZAT E VASHAVE”, DREJT KORABIT…

October 6, 2019 by dgreca

 Nga Enela Shehu Markja /

…me diell nis dita në qytetin tim të lindjes. Zhurma e përroit dhe rrezet e diellit që shponin me forcë e depërtonin përtej perdeve të errëta, ma nxorrën gjumin në dhomën e hotelit në vendlindje. Me kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë shëtis nëpër rrugë, mes lulishteve me lule e plot gjallëri rinore, – sikur të jem në ëndërr…, ndërsa buria e një makine më zgjoi përsëri kësaj here ku isha në mes të rrugës, përballë ish-shtëpisë time; shumë emocione mu përshtjelluan në ato pak sekonda, frika, pasioni, endrrat e lëna pas, jeta plot ngjyra e qytetit të vogël, emocionet dhe miqësitë, lotët dhe gëzimet.

         U ndjeva e humbur mes kujtimeve të mia, realitetit të qytetit dhe jetës sime tashmë. Ashtu si dhe ne, dhe kjo qyteze paska ndryshur, sa shume…

Në dalje të qytetit (në fund te Bulevardit tashmë me kalldrëm shtruar) ishte pika e takimit të grupit tonë për tu nisur për Radomire.  Nxitova hapat me çantën mbi shpinë dhe këpucët e mbërthyera deri mbi kyçe.

Korabi ishte sfida e dy ditëve të ardheshme.

Ajo rrugë gjarpëruese në drejtim të Kukësit e asfaltuar dhe e mirmbajtur kalon përmes fshatrave të Sohodoll, Kastriot, Shumat, Sllove e Vleshë. Pak mbi Restorant Ujmir, ne fshatin me të njëjtin emër, ndjekim rrugën e Radomirës për në fshatin Tejës. 

Ndërsa udhëtonim, në kujtimet e mia shikoja ato klasa gjimnazistësh që ktheheshin nga aksioni i vjeljes së mollëve, misrit e groshës.

Kastrioti Enelë – thotë miku jonë që na shoqëronte me makinën e tij – vendi i mollëve.

Po, – i thashë, pa i dhenë atij të kuptoj që me mëndje kisha ikur shumë larg, dhe u ktheva përsëri në të tashmen.

Pranë Vleshës makinat e parkuara në krah të rrugës më bënë kurreshtare të pyesja.

„Uji i ftohte i Vleshës“ – ma kthen miku ynë persëri – është një ilaç i vërtetë dhe bën cudira për shëndetin. Në kthim duhet të ndalojme patjeter, të freskojme këmbët – sigurisht thashë – tek dëgjoja nga larg zhurmën e burimit.

Në Sllovë bëmë një ndalesë të vogël tek Lapidari i Luftës. Jo të paktë në këtë zonë ishin bunkerët, të cilët me shumë veshtirësi mundohen të fshehin praninë e tyre, me tepër të mbuluar nga pluhuri i kohës se sa të huazuar nga natyra. Për pak kilometër ndoqëm një rrugë të pashtruar në drejtim të Liqenit të Gramës, gjithashtu një pikë e bukur turistike dhe një nga rrugët që të çojnë në Korab, e cila bukurinë magjepse e ka në fillim të verës kur bora ju le vendin luleve.  

Rruga e makinës mbaron në qendër të fshatit Tejës në Radomirë, në Komunën e Kalasë së Dodës, e cila ndodhet rreth 1200 m mbi nivelin e detit.  Makinën e parkuam para Hotel-bar-Restorant Setkiu, ku rezervuam dhomat për atë natë. Ndërsa po mbërthemin mirë këpucët e po bisedonim me udhërëfyesin tonë nga Radomira, Bujarin, ndalojmë para hotelit dy Mikrobuzë të mbushur plot me turistë. Ishe një grup turistësh nga Hungaria, që kishin të njëjtin qëllim si dhe ne. Për ato, ecja në malin e Korabit do të ishte eskursion një ditor. Në kafenenë e fshatit ato mbushën vetëm shishet me ujë, i cili është në këto zona tejet i pastër, i shëndetshëm ashtu si vetëm natyra di ta bëjë dhe ta japë falas. Tek ndiqja me sy grupin e turisteve e tundja filxhanin me shprese qe te nxjerrë dhe nje pikë kafe, me qindra ide më lindnin në kokë në ato momente; mendoja se si turizmi mund ta zhvillojë këtë zonë, duke mos e prishur kete dhuratë të natyrës kaq të virgjër, kryelartë, plot ngjyra … dhe thjesht të bukur. I dëgjuar është emri i malit të Korabit, por të pa shkelura shumë ato lëndina mahnitëse mes shtigjeve të thepisura e shkrepa te mermertë me liqene malor dhe përrenje të zhurmshëm.

Mikpritës janë banorët e kësaj zone – bukë, kripë e zemër të bardhë pë këdo që u troket në derë!

Marshimi filloi duke lënë prapa Liqenin e zi e duke dëgjuar Bujarin, udhërrëfyesin tonë, teksa tregonte me dorë drejt një lëndine të bukur qe quhej „Varrezat e vashave“. Legjenda, vazhdon Bujari, thotë qe vashat e zonës, para se në ato male të shkelte turku, nuk pranuan të martohen me të huaj dhe vendosen te gjejnë preh në atë lëndinë të bukur mes malesh…

Bujari rrëfente me origjinalitet dhe me dialektin e zonës për jetën në fshat, organizimin, kullotat, bagetinë, mirëmbajtjen e pyllit si dhe përgatitjet për dimrin e ashpër e të egër që bën në këto zona, për besimin e fortë që kanë për të mos e shitur truallin tek persona të huaj dhe jashtë komunitetit të zonës, për shkollën dhe arsimin që herë herë është dhe i munguar pavarësisht dëshirës së fëmijëe dhe prindërve për të vazhduar më tej arsimimin, për të rijntë që emigrojnë në Angli. Të zhurmshme buçisnin burimet e Korabit – me ujin e të cilave furnizohet gjithë qyteti i Peshkopisë.

Pas lamë stanet që në fund të gushtit ishin boshatisur, vazhduam rrugën përmes livadheve e më pas përgjat kurrizit të gurrtë e malor të një përroi të thatë.  Në një livadh, mes shkëmbinjëve të fuqishëm, përballë „Portave të Korabit“ u ulëm të bëjmë një pushim. Bujari, malësor mikpritës, nxorri nga canta e tij bukë, djath e dhallë, – të cilat në kombinim me ajrin dhe pamjet magjepsëse, shijonin më tepër se cdo gjë tjetër.

Të fuqizuar vazhduam perseri marshimin tonë.

Brezi i butë, – thote Bujari dhe tregon me dore drejt një linje gjarpëruese. Të gjithë heshtëm, dhe para syve na erdhën për pak caste ato ditë të errëta në komunizëm. Të butë e kishtë bërë natyra këtë Brez, po për shumë të rrinj që guxuan të besonin se mund të jetonin ndryshe nga sa sistemi diktonte ishte ky „Brez“ vdekjeprures…

Çfarë është „Brezi i butë” teze – me pyet mbesa ime 18 vjecare? Duke ja përkëdhelur atë kokë të kacureltë e duke menduar sa mirë që rritet në një kohë tjetër, – i shpjegoja “Brezin e butë”.

Etapën më të vështirë atë mbasdite e kishim akoma përpara, ndërsa pas linim livadhet, përpara nesh natyra e ashpër me shkembinj të copëtuar dhe jo shumë larg dhe maja e Korabit, na jepte gjithmonë e më shumë kurajo. Pas shkembinje te rahur e copetuar nga moti i eger ju ngjitem nje lendine te pjeret e nderkohe mbuluar me bar te zverdhur, krejt e vecante ne ato lartesi prej 2500 meter drejt majes se Korabit.

Mbas 5 orësh ngjitje arritëm majën më të lartë të vendit tonë, prej 2764 m të atij vargmali prej 40 kilometrash mes Drinit të Zi dhe Radikës mes Shqipërisë e Maqedonisë Veriore.

Per mua si gjeografe, por për më tepër si „Cuce dibrane“ ishte një ndjenjë e papërshkrushme plot krenari e emotione – pamje maramendëse, para syve Shqipëria, nga krah Maqedonia e pak më në veri Kosova. Në atë lartësi nuk kish kufi.

Nga lart vështroja anën Veriore dhe perëndimore me shkëmbinjë të thepisur e natyrë të zhveshur. Rruga të cilën ndoqëm ne, nga ana Junglindore, kishte zona shkëmbore e shkëmbinjë të thyer, por gjthashtu dhe livadhe që lehtësojnë ngjitjen. 

Zbritja zgjati rreth tre orë përgjatë të njëjtës rrugë. Në fshat u kthyem me ditë dhe të urritur. Setkiu shpërdau në fillim ujë e nga nje pjatë kos që kishte formën e djathit e mund të pritej me thikë. Në sac po përgatitej tepsia me Fli, tipike e zonës së Radomirës.

Shpejt perëndoi dielli në Tejës mes malesh.

Enela Shehu Markja, Shtator 2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Entela Shehu Makja- Drejt Korabit

SHUHET GJONI ATHANAS, LIRIKU I SHQUAR I SKENES SHQIPTARE

October 6, 2019 by dgreca

-I jepet lamtumira e fundit ne Boston, kengetarit te shquar lirik, Gjoni Athanas-


SHKRUAN: FUAT MEMELLI-Boston/ Gazeta”DIELLI”


Më 1 tetor të këtij viti, në moshën 94 vjeçare, ndrroi jetë në Boston, këngëtari i shquar lirik, Gjoni Athanas. Ai bënte pjesë në plejadën e artistëve të shquar të Teatrit të Operas e Baletit, që tok Avni Mulën, Ibrahim Tukiçin, Mentor Xhemalin, Luk Kaçaj, Ndrek Gjergjin, Maliq Herin, etj. bënë histori në këtë teatër.

Gjoni lindi në 4 nëntor 1925 në Brockton të shtetit Massachusetts në Amerikë. Prindërit e tij, Olimbia dhe Thanasi, të dy me origjinë shqiptarë dhe jetuan në Amerikë për më shumë se 15 vjet.U kthyen në Shqipëri në vitin 1927, në fshatin Grapsh të Devollit , qarku i Korçës, ku babai i tij kishte vendlindjen. Atèhere Gjoni ishte vetëm 2 vjeç. Qysh në moshë të re, ai filloi të këndojë psalme bizantine në kishën ortodokse të Grapshit, ku babai i tij shërbente si prift. I jati vuri re se i biri kishte vesh muzikor dhe e nxiti për të kënduar. Në moshën 14 vjeçare Gjoni shkon në Korçë, ku krhas shkollës, njihet më nga afër me këngët korçare, të cilat shërbyen si frymëzim për vazhdimin e rrugës së këngës. Këtu mer pjesë në korin e Mitropolisë si dhe atë të grupit “Lira” .Qysh në këtë kohë bie në sy talenti i tij si tenor me një zë të bukur e të fuqishëm. 


RRUGA E ARTISTIT
Në në vitin 1947, Gjoni shkon ushtar në Tiranë dhe meret në korin e Asamblit të Ushtrisë, nën kujdesin e drejtorit Gaqo Avrazi. Kori dha shfaqje në Shqipëri dhe në shumë vende të Evropës Lindore.

 Në vitin 1952, ai u zgjodh si një nga talentet më të mirë në Shqipëri dhe fitoi bursë për të studiuar në Konservatorin Tchaikovsky në Moskë për tenor, në vitet 1952-1957. Pasi fitoi gradën e tij në Belcanto, në të njëjtin vit u shpërblye me çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të zërave të rinj operistikë në Moskë, ku mernin pjesë 110 pjesëmarrës nga e gjithë bota.Pasi mbaroi studimet, u kthye në Tiranë dhe filloi karrierën në Teatrin e Operas.  Gjatë viteve të punë interpreton shumë role si atë Turidu nga “Cavalleria Rusticana” e Mascagnit, Canio nga “Pagliacci” i Leoncavallo, Lenskey nga “Eugene Onegin” i Tchaikovsky, Schaunard nga “La Boheme” e Puccini, Don Basilio nga “The  Martesa e Figaros” të Mozartit, Dhimitri nga “Lulja e kujtimit” e K.Konos, “Bash Murgjini” nga “Borana” e A.Mulës, “Kuestori” nga “Heroina” e V. Nova, Doda nga “Mrika” e  P. Jakovës, etj. Përveç interpretimit si solist në Teatrin e Operës në Tiranë, ai mer pjesë në shumë koncerte e turne nëpër botë si në Rumani, Bashkimin Sovjetik, Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari, etj. Skena e donte atë dhe ai e donte skenën. Kudo që performoi, solli zërin e tij dhe talentin artistik, duke marë si ”shpërblim” nga njerëzit ovacionet e tyre. 
Gjoni dha mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë për rreth 20 vjet. Ish studentët e tij e kujtojnë me dashuri e respekt të veçantë pedagogun e tyre.. Ka botuar libra për teknikat e të kënduarit si “Të kënduarit, një mënyrë e të shprehurit dhe të komunikimit” , “Teknikat e frymëmarrjes për këngëtarin” si dhe një libër me një koleksion të këngëve të rralla popullore shqiptare. Gjoni e kujtonte me mall këtë udhëtim në shumë fshatra të Shqipërisë, ku gjeti thesare këngësh. Ai e quante këtë si një nga përvojat më të mira të jetës së tij.Në vitin 1960 martohet me Sekine Sharofi Athanas, një balerinë klasike. Kjo dasmë bëri bujë atëherë, pasi ai ishte djalë prifti, ndërsa Sekineja qe vajza e drejtorit të Medresesë në Tiranë. Rrugëtimi i tyre vazhdoi për 49 vjet. Ai ka dy vajza, Mirelën dhe Edlira si dhe mbesën Julia dhe nipin Easton.


SKÈNDERBEU-ROLI I JETÈS SÈ TIJ

Në ditarin personal të Gjonit, shkruar midis viteve 1957-1993 numurohen 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operash. Por, roli që e ngriti atë në piedestalin e shfaqjes së tij artistike, ishte ai i Skënderbeut, në operan “Skënderbeu” të Prenk Jakovës.  Kompozitori, e donte shumë zërin e tij dramatik. Skënderbeu, heroi legjendar shqiptar, i vënë në skenë në vitin 1967 nga Teatri i Operas së Tiranës, ishte për Gjonin roli i jetës së tij. Këtij roli ai i kushtoi aq shumë kohë duke u përgatitur, pasi nuk ishte e rëndësishme vetëm interpretimi në mënyrë vokale, por më e rëndësishme ishte imazhi dhe forca e heroit legjendar që duhej të portretizohej me sa më bukur. Studioi shumë libra të shkruara për Skënderbeun. Në ditët e përgatitjes për rolin e Skënderbeut, punonte duke u përgatitur si vokalist, por edhe si një aktor që përgatitet për një rol të vështirë e në një kohë shumë të shkurtër. Studioi shënimet për çdo lëvizje të vetme, në përputhje me atë që kishte lexuar për heroin.  Kur hyri në skenë, figura e tij e gjatë dhe energjike, aktrimi dhe zëri i tij i fuqishëm, u duk sikur Skënderbeu i vërtetë hyri në skenë.  Fotografitë e tij që interpretojnë këtë rol, janë përdorur për të ilustruar Skënderbeun në mësimet e historisë.
RIKTHIMI ATY KU LINDI
Një kapitull tjetër i jetës së tij hapet kur të kthehet në Amerikë në vitin 1994, vendin ku edhe kishte lindur Ai banoi në zonën e Bostonit dhe pati rastin të vizitojë edhe një herë shtëpinë ku lindi e jetoi 2 vitet e para të jetës së tij, në Brockton.Ishte një vizitë shumë emocionuese , pasi ai kurrë nuk kishte menduar se kjo do të ndodhte në jetën e tij.Vërtet këtu erdhi në moshën e pensionit, por zëri i tij vazhdoi të jehojë. Këndonte në veprimtaritë e ndryshme të shqiptarëve, si në festen e 28 Nëntorit, për Vitin e Ri si dhe në koncerte të ndryshme kur vinin këngëtarë nga Shqipëria, si me Aurela Gaçen, etj. Ai këndoi në Boston edhe për komunitetin italian dhe atë rus. I mbeti merak që nuk mori dot pjesë në koncertin e Inva Mulës, që do organizohej në Boston më 8 tetor. I la një porosi vajzës së tij Edlirës, e cila është edhe organizatore e këtij koncerti :” I thuaj Invës që krahas të tjerave, të këndojë edhe këngën”Lule borë”. Përcjellja e tij për në banesën e fundit, u bë me një përshpirtje në kishën e Shën Gjergjit, mbajtur nga kancelari i kësaj kishe, At Artur Liolini. Është një koincidencë e veçantë: në vendin ku lindi, Gjoni Athanasi edhe do të prehet.
VLERËSIME PËR GJONI ATHANASIN
Të shumta janë vlerësimet brenda e jashtë Shqipërisë për tenorin e shquar shqiptar.Gazeta “Kultura” e Moskës në vitin 1959 shkruan: ” Çdo teatër në botë do të nderohej të kishte një tenor si Gjon Athanasi”. Brymorov, profesori i mirënjohur i Konservatorit Bullgar ka vlerësuar zërin e Gjonit si “një zë i rrallë  që meriton respekt botëror “. Toti dal Monte, soprano e famshme italiane, pasi e dëgjoi në një nga studiot e Moskës, tha:” Gjoni është një zë i rrallë i një tenori dramatik “.Në përcjelljen e tij për në banesën e fundit, morëm disa mendime nga shqiptarë që jetojnë në Boston. Stefan Koçi, ish konsull Nderi në Boston:”Shumë shqiptarë që erdhën këtu pas viteve ’90, sollën punën , ndërsa Gjoni solli diçka shpirtërore, solli artin e tij. Ai ishte i pa partuar kudo që ta ftoje”.Agron Gjerasi: “ Zëri i tij kumbonte dhe nuk kishte nevojë për mikrofon. Shquhej për një humor të veçantë. Unë e mbaja veten si i parë këtu në Boston për barcaleta, por kur erdhi Gjoni, me çoi në vendin e dytë”.Nga ngushëllimet e shumta për ndarjen nga jeta të Gjoni Athanasit, shkëputa fjalët e artistes së njohur, Suzana Turku:” Brezi im i artistëve ka qënë mëe fat që ka studjuar dhe ka punuar me artistë të brezit të Gjoni Athanasit”.Në vitin 2006 Gjoni është vlerësuar nga presidenti i Republikës me Medaljen e Mirënjpohjes për karierën e tij si dhe interpretimin e rolit të Skënderbeut. Megjithatè ky vlerèsim na duket i pakèt për artistin e madh, ndërkohë që në këto vite të tranzicionit, ka patur vlerësime pafund.U shua kështu edhe një zë i shquar i operas shqiptare, por zëri i tij do të mbetet i paharruar për të gjithë ata që e dëgjuan, në Shqipëri e nëpër botë, kudo ku ai këndoi me zjarrin e zemrës. Të mbushësh shpirtin e publikut, do të thotë të japësh pasuri dhe Gjoni dha pasuri me shpirtin e zërin e tij.Boston 5 tetor, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Fuat Memelli-Shuhet Gjoni Thanas

DIOGJENI

October 6, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Natyrë e qetë, njeriu gjithmonë i gënjyer, kurrë nuk e njeh të vërtetën. Kjo e bën atë cinik në shprehje që kërkon ta tregojë duke u veshur ndryshe, fare thjesht, pa kostumin e radhës, por me një mantel të hedhur krahëve dhe një shkop për t’u mbështetur. Nga veshja ndryshe dalloheshin cinikët në botën antike. Manteli ishte aludim për Sokratin dhe mënyrën e veshjes së tij, ndërsa shkopi ishte simbol i Alkaeut, Alkidit apo Herakliut, birit të Zotit ose Zeusit. Manteli dhe shkopi u bënë aq domethënës në kohën e lashtë sa ata që dinin të shkruanin mendonin se duke u veshur keq, mund të bëheshin filozofë.
Historia e cinizmit fillon me Antistenin, rreth vitit 400 pes. Debatet ai i zhvillonte në Athinë në gjimnazin Cynosarges – Qeni i bardhë – quhej sheshi. Kështu, fjala cinik – qen, filloi të përdorej si fyerje për pasuesit e tij. Antisteni ishte bashkëkohës i Platonit dhe nxënës i Sokratit. Por pikëpamjet e tij filozofike ishin më komplekse sesa thjeshtimi i mëvonshëm që pësoi shprehja cinizëm.
Sipas Diogjenit, ai (Antisteni) shkruante mbi gjuhën, dialogun dhe letërsinë duke i vënë ato mbi etikën apo politikën. Ndjekësit e filozofisë së tij predikonin një jetë të varfër:
“Kam mjaft për të ngrënë derisa uria ime të shuhet, mund të qëndroj pa ujë derisa etja të marrë fund. Ç’nevojë kam për një këmishë më të ngrohtë kur kam muret e zhveshura të shtëpisë sime?”
Diogjeni (412–323 pes), mbizotëron historinë e cinizmit – si filozofi – si asnjë figurë tjetër. Ai fillimisht shkoi në Athinë, duke ikur nga qyteti i lindjes, Synope, pasi babai i tij, hyri në telashe për falsifikim monedhash. Kjo akuzë e ndoqi edhe Diogjenin; shprehja “mbrojtës i monedhës” u bë proverbiale kur kundërshtoheshin vlerat e tij. Tradita thotë se Diogjeni u bë dishepulli i Antistenit, por nuk dihet në se dy filozofët u takuan ndonjëherë.
Diogjeni megjithatë ndoqi mësimet e Antistenit dhe mënyrën askete të jetesës. Asket vjen nga greqishtja askein – ushtroj, por edhe për të treguar njeriun që “s’ka”.
Ekzistojnë shumë anekdota për asketizmin ekstrem të Diogjenit; ai hoqi dorë nga çdo pasuri që kishte dhe flinte në një qyp në anë të rrugës, mishin e hante të gjallë, ndërsa ditën predikonte duke kritikuar “njerëzit e këqinj që i binden epshit ashtu si shërbëtorët u binden zotërve të tyre”. Megjithëse është e pamundur të tregohet se cilat nga këto histori janë të vërteta, ato ilustrojnë karakterin e njeriut filozof përherë cinik, që linte të kuptohej se interesat filozofike qëndrojnë mbi politikën dhe ndryshojnë në varësi të kohës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Diogjeni

Schengeni apo Shëngjini? – Rama dhe Rilindja e Eurosllavias

October 6, 2019 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Tani që ideja e shkëmbimit te kufijve Kosove –Serbi u hodh poshtë nga Gjermania, edhe Rama del e thotë se nuk e mbështet këtë ide. Nga ana tjetër  në lidhje me mini Schengenin Rama- Vuçiç- Zaev nëse do te jetë patriot, nuk mund dhe as duhet ta marrë këtë vendim pa marrë parasysh interesat dhe mbështetjen e Kosovës dhe qeverisë së saj. Apo tani nga dëshira për  lavdi tani që duket pas qëndrimit te qartë holandez kundër hyrjes se Shqipërisë ne BE kërkon “Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja”. Cila e keqe?

Kryeministri Edi Rama në studion e emisionit “Real Story” në “News 24” pohoi se është dakord për një Schengen Ballkanik. Madje ai deklaroi se “kjo nuk ka të bëjë fare me Jugosllavinë, por me zhdukjen e kufijve mentalë të ballkanasve”. -Vërtet?

“Ka folur Fatos Nano dhe disa janë tallur. Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja. S’kemi pse merremi me këto, jo u hap kufiri e jo nuk u hap. Është plan A dhe jo B. Ne paralelisht me integrimin tonë si shtet, nuk ka lidhje me Jugosllavinë kjo. Do të bëjmë një treg të madh në Ballkan. Duhet që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të heqin kufijtë. Do hiqet kufiri i Shqipërisë me Kosovën dhe do bëhet si të shkosh nga Shkodra në Vlorë”, tha Rama. Vërtet?!. Por sa fisible është kjo politikisht dhe ekonomikisht?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pas vizitës në New York, duke folur për nismën e “Schengenit të vogël” dhe bashkëpunim më të ngushtë ekonomik në Ballkanin Perëndimor përmes heqjes së pengesave, tha se nuk ishte çështje unifikimi, sepse sa herë përmendet bashkimi, disa filluan të flasin për hegjemoninë serbe.  Edhe këtu edhe Vuçiçi po si Rama, por Vuçiçi të paktën është i sinqertë” : Në këtë drejtim, ai tha , siç shkroi agjencia malazeze Mina, se Serbia së shpejti do të jetë motori i drejtimit ekonomik të të gjithë rajonit, për këtë arsye prodhon një reagim të tillë.”-Ahaa.

Më tej ai theksoi se është e rëndësishme që vendet e rajonit të kuptojnë se ata do të përfitojnë prej tij, për njerëzit tanë të kuptojnë se ne po veprojmë në një front të bashkuar, sepse do të jemi shumë më të respektuar në Evropë nëse kemi qasje të përbashkëta. Kjo duket si qëndrim me bon sens. Por nëse qenka i pranueshëm kjo hapje kufijsh , pse nuk qenka i pranueshëm për Vuçiçin një ‘mini Schengen Shqipëri-Kosovë? .

Kur më 19 maj të këtij vit ai reagoi ashpër dhe u shpreh se shqiptarët janë bashkuar dhe do të përpiqen të bindin të gjithë ndërkombëtarët që t’i mbështesin. “Është e qartë për mua se ata do të ndërtojnë planin e tyre dhe kur edhe do të fshijnë kufijtë në fund të marsit. Shqiptarët janë bashkuar dhe do të përpiqen të bindin të gjithë ndërkombëtarët që t’i mbështesin. Kjo aso kohe u mbështet edhe nga ministri i Mbrojtjes Aleksandër Vulin: “Heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se vendet që e kanë njohur Kosovën tani mund të heqin dorë nga “frika” se do të krijohet Shqipëri e Madhe. Ata nuk do ta kuptojnë të keqen që po u bëjnë vetes.” –Frika nga fantazma e Shqipërisë së madhe përsëri.  

Interesant, kujt t’i besosh. Ndoshta Rama kujton se mos shqiptarët e kanë memorien e shkurtër. 

Kjo më bëri të rilexoj një shkrim tim te vitit 2003 “Federata Ballkanike, testim apo strategji”. Ka nja njëzet vjet, e ndoshta më shumë, që në Ballkanin Perëndimor e zë një ide, e cila merr emërtime të ndryshme e tash së fundmi mbërrin në media si “mini-Schengeni ballkanik” Dhe kjo ide e liberalizimit tregtar në rajon del sa herë shihet se rajoni po shkon tejet ngadalë drejt integrimeve evropiane. Ajo është përsëritje e tezës ,n ë formë të thjeshtësuar, e Evropës me dy shpejtësi. Prej ku del në pah pyetja, si mund të kërkojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në tregun e përbashkët evropian ndërkohë që nuk kanë krijuar të njëjtat lehtësi qarkullimi të qarkullimit të mallrave, të shërbimeve, kapitalit dhe personave mes tyre? 

Kjo ide e integrimit me dy shpejtësi kishte emrin Eurosllavia, para Luftës dhe pavarësimit të Kosovës, apo të Federatës Ballkanike. Ajo qe botuar si Projekti Euroslavia “Il Progetto Euroslavia”, lançuar dhe botuar në revistën italiane të politikes se Jashtme “Limes” qysh më (n. 4/1995), dhe kishte dalë si ide e politikës së jashtme italiane. Ndërsa pas Clirimit të Kosovës më 2003, ministri i Jashtëm grek, i kohës  Jorgos Papandreu, i tregonte së përditshmes gjermane Sueddeutsche Zeitung në një intervistë, një ide të vjetër për krijimin e një Federate të vendeve ballkanike, që, sipas Greqisë, do të mirëpritej nga Bashkimi Evropian. Por kjo deklaratë e Papandreut, nga njëra anë, dukej shpresëdhënëse për vendet Ballkanit, nga ana tjetër shkaktoi një reaksion deklaratash, kryesisht jugosllave të Gjinxhiçit për rishikimin e Dejtonit, pra, rishikim kufijsh në Ballkan. Në atë moment të skenës politike ballkanike po dukej një kontradiktë, mes tendencave centripete dhe centrifuge të integrimit ballkanik dhe atij evropian. Presidenca greke citonte Papandreun që ka thënë se nuk ka “më vrima të errëta në Ballkan dhe se shumë vende ballkanike po përpiqen të hyjnë në BE, dhe kjo gjë, sipas tij, do të ndodhë shumë shpejt Në fakt, kjo nuk është një ide e re e vetë Papandreut.  Ishte koha kur Greqia nuk kishte kaluar krizën e fundit. Ai, theksonte atëherë se qysh me rënien e regjimit të Milosheviçit në shkurt të vitit 2000, i pat dhënë radios jugosllave B92 një intervistë, në të cilën ai sqaronte se një gjë të tillë ai e kishte pasur diskutuar edhe me Millosheviçin në atë kohë. Porse, qysh atëherë, sqaronte ai, koncepti kishte ndryshuar. Papandreu e përcaktonte kështu konceptin e tij për Federatën si “rrugë për futjen e Ballkanit në institucionet evropiane’.

 “Schengeni Ballkanik” i Rama – Vuçiçit, është ëndrra e “Jugosllavisë së Re”, na largon nga Evropa. Rama – Vuçiç në dakortësi për një “Schengen të Ballkanit”, ringjallin një teori të vjetër e të rrezikshme, veçanërisht për shqiptarët’’ reagoi jo pa fakte, ish-deputeti demokrat Tritan Shehu.

Kjo deklaratë aventureske e Ramës erdhi  mbas goditjes që i dha atij Bundestagu dhe Hollanda edhe për çështjen e kufijve, e kërkon të mashtrojë shqiptarët se ky “Schengen” mund të zëvendësojë BE-në, apo se integrimi do të jetë kolektiv e jo sipas standardeve të çdo vendi.

Kjo duket dhe nga kjo deklarate e Ramës që do meritonte 5 Pinokio nëse do të kishte shtyp të pavarur në Shqipëri. E vetmja e ardhme për ne si shqiptarë dhe ballkanas është të koncentrohemi secili e si rajon në përmbushjen e standarteve evropiane, të cilat në procesin e integrimit do të na bashkojnë me Evropën. Në qoftë se Rama me Vuçiç kërkoj ta kthejë këtë “iniciativë” edhe në një hakmarrje apo kërcënim për Evropën, ashtu siç kishte hedhur më parë idenë e bashkimit me Kosovën, por ndërkaq po dëmton rëndë interesat tona më të mëdha kombëtare. 

Ky skenar Rama – Vuçiç, antishqiptar e antieuropeist, si ai Enver – Tito dikur, apo dhe ideja e Dimitrovit dhe  e Vuktanovic Tempos. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, u përqendrua në bashkëpunimin rajon në Ballkan. duke përdorur strategjinë serbe të ‘paternalizmit në Ballkan’, Vuçiç përmendi në fjalimin e tij investimet në infrastrukturë të cilat tregojnë angazhimin e Serbisë për fqinjësi të mirë me vendet e tjera ballkanike. Por investimet serbe në infrastrukturë synojnë idenë e vjetër serbe të daljes në det. Pra interesin e Serbisë dhe jo të rajonit. Imagjinoni si mund t’i hapë kufijtë Serbia për mallrat shqiptare, ku nuk ka kufij të drejtpërdrejtë, nëse Kosova dhe Mali i zi nuk do te aderojnë në këtë nismë për arsye që dihen. apo t’i bjerë si Magelani: Serbi, Maqedoni Shqipëri? Pavarësisht intencionit ideja në këtë fazë të raporteve ndërballkanike mbetet utopi ekonomike. Apo mos vallë Rama kërkon atë që nuk dha si eskluzivitet si port Shën Gjinin, Kosovës, t’ia lerë tani me PPP, Serbisë?

Ideja për “mini Schengenin Ballkanik” pritet të diskutohet me 9 dhe 10 Tetor në qytetin e Novi Sadit në mes të kryeministrit Rama, kryeministrit maqedonas Zaev dhe presidentit serb Vuçiç. Kjo gjë është pritur me entuziazëm në Serbi.  Në kornizën politike evropiane në qëndrimin ndaj Ballkanit, në ndryshim nga strategjia dhe politika amerikane ishte parashikuar krijimi i një grupimi shtetesh në Ballkan, që duhet të integroheshin së pari mes tyre. Në këtë kuadër, integrimi i ish-Jugosllavisë shihet si primar. Por ky integrim dhe në vetë konceptin evropian të Eurosllavias, kur nuk ishte përcaktuar roli i Kosovës, për shkak të statusit të papërcaktuar të saj në atë kohë dhe kur Sllovenia dhe Kroacia nuk ishin në BE. Madje dhe kryeministrit me demokrat serb i kohës i ndjeri, Zoran Gjingjiçit për javoren gjermane “Shpigel”, asokohe, pohonte se “Beogradi do të kërkojë konferencë të re të Dejtonit për caktimin e kufijve të rinj në Ballkan, nëse shqiptarët e Kosovës do të insistojnë në pavarësinë e krahinës” Duke e pare ne dritën e këtij citimi te 15 vjetëve me pare kuptohet se ideja e “Schengenit ballkanik” synon të justifikojë dhe Vuçiçin para serbëve nacionaliste për humbjen definitive te Kosovës. Por kjo do te ishte dhe thike pas shpine Kosovës për taksen e saj te 100 %. Ore kam një pyetje? A ta ketë cekur këtë çështje me Ministrin Caka, Rama? 

Javën e ardhshme, në Novi-Sad të Serbisë do të fillojë përpjekja e radhës për të shtyrë përpara bashkëpunimin regjional. Presidenti i Serbisë, Vuçiç, do të jetë nikoqir i kryeministrave të Shqipërisë, Rama, dhe të Maqedonisë Veriore, Zaev, për të filluar projektin e tregut të përbashkët fillimisht mes këtyre vendeve që pastaj pritet t’i përfshijë edhe të tria vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Malin e Zi, BeH dhe Kosovën.   Por sa fisible është kjo ide politikisht dhe ekonomikisht, pasi dihet për arsye të ndryshme si Mali i zi ashtu edhe Kosova nuk pranojnë të jenë në çfarëdo juridikisoni kufijhapur me Serbinë?

Ideja është po ashtu që, në formë të butë, të kuptohet se ky do të jetë projekti i ri politik pas mossuksesit të projektit të kaluar që e shihte Serbinë në anëtarësim të shpejtuar më 2025, me të cilin, si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt, BeH do të dilte nga jofunksionaliteti dhe Kosova nuk do të ishte më shtet i kontestuar nga jashtë dhe i kapur nga brenda, pohonte së fundi analisti kosovar Veton Surroi”.

 Emërtimi “mini-Schengen ballkanik” është krejtësisht i pavend, sepse Marrëveshja e Schengenit ka të bëjë me krijimin e një zone të qarkullimit të lirë me unifikim të procedurave hyrëse në BE. Dhe kjo Marrëveshje u bë shumë vjet pasi që ishte krijuar bashkimi ekonomik i shteteve të BE-së. Të tria vendet do të diskutojnë, në fakt, se si t’i liberalizojnë tregjet e tyre ashtu siç bënë shtetet e Vishegradit. Por këtu analogjia çalon, sepse shtetet e Vishegradit nuk kishin çështje të pazgjidhura politike mes vete. “Nëse nuk është as “Schengen” e as “Vishegrad”, çka është ajo që pretendon të jetë “Novi-Sad”?

Presidentit Vuçiç mund t’i thuhet se Marrëveshje të tregtisë së lirë ka tashmë (në formën e CEFTA-s), por kjo nuk zgjidhi problemin mes Serbisë dhe Kosovës. Për më tepër, Serbia që gëzoi treg të papenguar në Kosovë nuk shkoi duke zgjidhur problemin me Kosovën, por duke e ndërlikuar atë.  Linja e Interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë e bllokuar pa afat nga Beogradi  Afati i përcaktuar për Serbinë, 31 dhjetori 2016, u shkel qysh 3 vjet dhe Serbia nuk pritet të ketë pasoja nga kjo shkelje, ndërsa Shqipëria dhe Kosova po paguajnë rreth 70 milionë euro kredi për një linjë interkonjeksioni që nuk ka funksionuar asnjë ditë. 

Tani që ideja e shkëmbimit të kufijve Kosovë –Serbi u hodh poshtë nga Gjermania, edhe Rama del e thotë se nuk e mbështet këtë ide. Nga ana tjetër  në lidhje me mini Shengenin ,Rama, Vuçiç, Zaev nëse do te jetë patriot nuk mund dhe as duhet ta marrë këtë vendim, pa marrë parasysh interesat dhe mbështetjen e Kosovës dhe qeverisë së saj. Apo tani nga dëshira për  lavdi tani që duket pas qëndrimit te qartë holandez kundër hyrjes se Shqipërisë ne BE kërkon “Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja”. Kjo tingëllon si Delire du grandeur.

Kryeministrit Rama mund t’i thuhet se ka pasur hapësirë të papengueshme për të liberalizuar komunikimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk e ka ndërmarrë këtë mision mes Shqipërisë e Kosovës edhe pse mes dy vendeve ka hapësirë lirie ekonomike. Kur shitja e patateve të Shishtavecit, penguakan tregtinë mes Shqipërisë e Kosovës, si e bëka Rama heqjen e kufijve mes Shqipërisë e Serbisë?  

Siç duket Ramës dhe Vuçiçit i ka ngelur në dorë një patatja e nxehtë “Merkel”  dhe s’dinë si të veprojnë dhe gjetën këtë, modus operandi.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi- Rama- Schengeni-Shengjini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 865
  • 866
  • 867
  • 868
  • 869
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT