Shejtneshës e nanës Tereze/
Nga Anton Çefa/
I
Mbi këte kaos të përbotshëm/
ku dashuria kryqëzohet çdo ditë/
si dy mijë vjet ma parë/
në rrugën e Golgotës/
ngjizun me zjarr Prometean/
dhe brishtësinë e materies,/
i tregove botës ma të fortin e elementeve/
dashurinë./
Ç’është tabelë e Mendelievit
dhe tabelat e tanë elementave të rruzullit
veç brishtësi e thyeshme
përballë ligjit tand,
para të cilit shpërbahet landa e të gjithë elmentave
si prush materiesh qi shuhen drejt asgjasë.
Me gjurmën e hapit tand të zdathun
do të ecish në kujtesën e njerëzimt
aureolë e gjakut tonë.
II
Le të çohet në kambë leproza
e sida,
kërthijt e braktisun trotuareve të botës mbarë
le të ngrihen!
Le të ngrihet në kambë mjerimi
e në nji kor madhështor
të këndojnë rekuiemin për vdekjen e dashurisë !
Nga majet e Himalajeve
te krepat e Sharrit,
nga Kalkuta në Shkup,
nga Shkupi në Kalkutë
të perplasen e të thyhen pentagramet e dhimbjes
e të gjamës,
Oji more Oji !
Nuk të shuhet jo
flakëza e qiriut të jetës.
S’qe flakëz, por meteor, yjesí e prush yjesìsh,
që si vulkan do ta përndezin botën
me dritën e vetëflijimit,
* * *
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit
Portret për Nënë Terezen
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave ma të ndryshme filozofike për qellimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nanë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bani ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e kambës së saj të zdathun.
Ajo krijoi nji urdhën fetar, që u shtri mbi njiqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për ma të vorfnit e të vorfenve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisunit. Kjo asht vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo ma randësishmja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, asht ngrehina madhështore e tempullit shpirtnor të dashurisë e të vëllaznimit në krahnorin e gjanë të njerëzimit. Kjo asht vlera ma universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e mbrendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Prometè, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nanë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton nji Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet ma parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nanë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit të njeriut: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për me vlerësue veprën e saj, mbretën e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj nji mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë ma mirë se kushdo – i dhanë titullin ma të madhnishëm: Nanë. Nga nji “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u ba Nanë e të gjithëve, Nanë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e nji Nane të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nanë Tereza asht nji vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo asht diçka ma tepër, nji vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, landë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nanë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.