• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAVZI NELA…

August 10, 2019 by dgreca

Në përvjetorin e ekzekutimit/Nga Reshat Kripa/

 10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të jetonte i lirë dhe nuk e linin as për të jetuar.

            Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas njëmbëdhjetë vitesh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

            24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosin dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

            Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek, në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar lexues.

            Megjithatë vargjet e tij  mbijetuan. Ato  vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

A e dini çfarë kam hjekë,

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: – Ai urreu mizorin! –

Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

            Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

            Brenda vetes time ndjej një revoltë. Dua të thërras, dua të çirrem. Askush nuk më jep përgjigje. Heshtja sundon kudo. Më dhemb zemra për këtëpoet të madh që Atroposi i preu fillin e jetës. Ndaj pyes:

            –    Deri kur do t’i kemi mbi krye vrasësit e poetëve? Deri kur?

Kjo pyetje kërkon përgjigje. 

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa-Havzi NELA-Pervjetori

SHTETI, QË FYEN POETIN MARTIR HAVZI NELËN

August 10, 2019 by dgreca

Nga Besim Ndregjoni/

      31  VITE MË PARE VAREJ POETI I LIRISE  HAVZI NELA  /  

Sot mbushen 31  vite që poetidisident , martir i lirisë, ndahet tragjikisht dhe fizikishtë nga Kollovozi e Kukësi nga Shqipëria atdheu i tij i dashur që i kushtoi jetën e tij në mbrotje të  lirise dhe dashurise njerzore.  Cdo vit   përkujtimor, përveç ritualit  të  kujtesës mbi ata që nuk janë më midis nesh e që u a morën jetën pa të drejtë  e ka të pashmangshëm edhe bilancin e ndërgjegjes sonë mbi ta, refleksionin e marrëdhënieve tona me ta, përderisa i kemi pranuar si pjesë e pandarë e kuptimit të ekzistencës sonë.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashte  politikës , është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij,  janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën  çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Kukësi ia ka bërë nderimet , duke i vënë emrin e tij nje shkolle gjimnazi. Dhe mbas 31  vitesh i ban nje bust dhe e vendosen para gjimnazit që mban emrin e tij, dhe jo aty ku ishte varur ne litar. Presidenti, e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me  nderimin e  poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë.  Por nuk është aspak kështu për poetin që shkruante nga katakombet komuniste për “Frymën e Helsinkit”.  Poezi hym, edhe sot mbas dhjetra vitesh. Nuk është aspak kështu, sepse atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet,  për poetin që vargjet i shkruante qelive,  duke sfiduar xhelatët e  diktaturës , për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë, për këtë poet, pra, shteti ynë e paska të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e ka fyer  kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Shteti nuk nderon Havziun , por ata që vrane lirine e Havziut..

Drejtësia e shtetit tonë nuk ka  marrë mundimin për këta 31  vjet të hapë një proces penal për të gjithë ata që ideuan, organizuan dhe përmbushën me gjakftohtësi, si në skenat mesjetare, varjen e poetit në litar më 10 gusht 1988, duke shënuar rekordin e turpit dhe të së keqes në krejt globin tokësor.  Të gjithë ata persona që ishin pjesë  e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata një e nga një ? Ekzekutorët e tij  patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e profesionale                          

Së paku tre prej tyre që kanë hedhur firmat në aktin e dënimit me varje të Havzi Nelës, dihen. Ish-Presidenti diktator komunist Ramiz Alia, të cilin shteti e përcolli zyrtarisht me një ceremoni funerale si një hero, në shtrat të topit dhe për të cilin, të nesërmen u shkrua nëpër gazeta me lavde e superlativa dhe politikanët  tanë e pagëzuan si politikan të matur, të qetë e liberal, një lloj Gorbaçovi  shqiptar që shmangu gjakderdhjen, duke e lënë krejt në harresë faktin se të gjitha aktet e pushkatimeve i firmoste po ajo dorë kriminale “ që druhej mos derdhë gjak”(!). Dy personat e tjerë që firmosën dokumentin janë gjallë. Ata kanë njohur kulmin e karrierës politike e administrative në shteti demokratik shqiptar. Njëri, ish-deputet, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dekoruar më 8 janar 2004 me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa tjetra, ish-kryetare e I. l D.P, e dekorurar me po këtë titull në vitin 2009 nga Presidenti tjetër i radhës. Nuk është vetëm rasti i Havzi Nelës, por edhe i martirëve të tjerë. Po njësoj janë dekoruar më parë xhelatët që vranë Trifon Xhagjikën, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin. Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë, të gjithë ata që çuan në vrasjen e poetëve. E pakta moralisht duhej të bênte  pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e politike.  Standardi i këtij shteti demokratik  është i dyfishtë, kriminal, hipokrit fyes, si për kujtimin e viktimave, ashtu dhe për ndërgjegjen tonë qytetare tani që e kemi mësuar të vërtetën. Shteti demokratik   me  këto nderime jep  shembullin më të keq: të nderojsh  viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapësh  mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament.  Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tone.  Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm. Cdo ditë shtypi shqiptar boton jetshkrimet e udhëheqëve komunist. Mbushen faqet e gazetave me tituj bombastikë e emisione televizive, se si Nexhmija i kushtonte kujdes Enverit që mos të na vdiqte nga seksi natën. Dhe në faqet e shtypit dhe emisionet televizive nuk ka kohe e mundësi për Hvziun, Pjetër Meshkallën, për Fishtën, e Visarin me herojt e Spaçit dhe Burrelit. Shtypi gjerman shkruan në Shqipëri nderohet diktatori nëpër Muze dhe përbuzen viktimat… Ismail Kadareja bën një sugjerim  ne 20 vjetorin e varjes poetit.. “Poeti është  në botë e  amshuar, por shoqeria shqiptare  a është e qete.”. Në rrugëtimin tone  drejt përparimit dhe Europës, është  shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “Frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht , politika  shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të verteten e krimit komuniste. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet. “Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Vilsonit dhe Gencit, thjesht sepse ata ishin njerëz realë, se litari, plumbat e togës dhe vdekja e tyre qe reale dhe se vepra e tyre letrare vazhdon të jetë reale, të dëshmojë për ta. Europa si ëndërr, së cilës po i sillemi vërdallë, frymoi për së pari si ajër i vjedhur lirie në Kollovoin e Havzi Nelës,  e në  Bërzhezhdën e Vilsonit dhe Gencit,  nëpërmjet vargjeve të poetëve martirë. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist  shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me  Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashte Europes se ajo nuk na pranon me vrasesit e poeteve por me matirizimin e poeteve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët: Vdekja për liri nuk më tremb aspak. Si e duron robninë zemra e një trimi?Kështu shkruane një vit para vdekjes poeti ynë Havzi Nela.

Besim Ndregjoni

Filed Under: Politike Tagged With: Besim Ndregjoni-31 vite- Varja e Havzi neles-Shttei

SI ESHTE E MUNDUR?

August 10, 2019 by dgreca

-Tiranë, enigma e Memorialit kushtuar viktimave të grushtit të shtetit në Turqi-

Në Tiranë, me rastin e 3 vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, në 15 korrik të vitit 2016, është ngritur një Memorial kushtuar viktimave të asaj ngjarjeje. Ky fakt u zbulua vetëm sot nga mediat shqiptare, ndonëse veprimtaria, në të cilin ka marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, është zhvilluar pikërisht më 15 korrik. Veprimtaria ka nisur me një marshim nga qendra e Tiranës, ka përfunduar në një nga zonat e Parkut të Liqenit, ku sipas një postimi në Facebook, ambasada turke në Tiranë, bën të ditur se “me pjesëmarrjen e vëllezërve dhe motrave shqiptare, me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Veprimtaria duket se është organizuar nga ambasada turke, ndërkohë që mbetet i paqartë roli i Bashkisë së Tiranës. Në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë njoftim, qoftë dhe për pjesëmarrjen e nënkryetarit Mazniku. Por nga ana tjetër emërtimi i një rruge apo një parku, është kompetencë e Bashkisë dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin. Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë patur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në veprimtarinë për Memorialin apo inaugurimin e ‘’Rrugës së Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkut të Demokracisë së 15 Korrikut”.

Në fakt, duket se bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë, pasi në Shqipëri, nuk rezulton të ketë monumente dedikuar ngjarjeve të ndodhura në një shtet të huaj, siç ishte rasti i grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autoritetet turke fajësuan klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO.

Tre ditë pas këtij zhvillimi në Tiranë, kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta, me kreun e Shtetit turk. Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj si dhe me kryeministrin Edi Rama “për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim”, tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Enigma e Memorialit-Viktimat e grushtitit te shtetit-Turqi

ZËRI SHPOTITËS I METAMORFOZËS SUNDUESE

August 10, 2019 by dgreca

– Rreth romanit “Metamorfoza e një kryeqyteti” i shkrimtarit Ylljet Aliçka -/

Nga Visar Zhiti/

Shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë urgjente njohjen e vetvetes, të cilën më mirë se gjithçka e bën letërsia, dhe se vetë realiteti madje. Sa pas është lënë e kaluara, kur nuk ndahesh dot prej saj dhe sa larg është Europa e kulturuar, brenda së cilës jemi, ç’vizione dhe strategji ka për të ardhmen, sa të përçarë janë politikanët dhe pse janë nën nivelin e mesatares se intelektualëve dhe a janë intelektualët në avangardë? Po shkrimtarët ç’botojnë?

Pse s’mbaron tranzicioni shqiptar, aq sa, po të shohim rendjen përpara të vendeve të tjera, duket sikur po ecet mbrapsht si në një stacion, kur sheh nga dritarja e vagonit trenin pranë që ikën.                                                     Sa lexojmë? Kur jashtë lexojnë dhe nëpër trena aq sa ai duket si bibliotekë lëvizëse. Që të njohim sa më shumë vetveten, mungesat dhe dobësitë, forcën dhe vlerat që të kuptojmë të tashmen dhe të ardhem ta bëjmë sa më shpejt të tashme.                                                                                          Një shkrimtar i mirë është si një pushtet i dytë…

*   *   *

Romani më i ri i shkrimtarit Ylljet Aliçka, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, është me të vërtetë i ri për prurjet dhe të shkruarin, ku ngërthehen ndryshimet e befta sociale me humorin gri, ngjarjet që duket sikur mbërrijnë deri në çastin që po lexojmë, me personazhe që na ngjajnë se i njohim, aq sa mëdyshemi se mos janë vetvetet tona të maskuara.

Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, ironia e pa mëshirshme ndaj alienimeve dhe shtirjeve, stili i veçantë e shpotitës etj,  e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjithë botimeve në letërsinë e postdiktaturës, kohë e cila bën antiheronj dhe që ata me groteskun e tyre e zhbëjnë. 

Po, po, dëshmohet këtu me një buzagaz të dëshpëruar.

         Vëmendja duket si e përqendruar në planin etik, në atë moral, parimet e të cilit duhet të kishin një evoluim përmirësimi siç forcohen themelet, por jo të ndryshonin aq në të kundërt me ndryshimin e rrethanave dhe të sistemit, për rrjedhojë dhe i mendësive sipas ideologjisë në pushtet, thjeshtë për mbijetesë të privilegjuar.

         Metamorfoza e një kryqyteti janë shndërrimet e befta të një pjese të njerëzve të saj, një elite intelektuale socialiste afër sundimtarëve të kuq, afër “Bllokut” a në “Bllok” siç quhet lagjia e bujshme, ku banonin diktatori dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët dhe ndërroheshin si kuajt e haneve, me një ndryshim, kush hiqej, internohej, burgosej, edhe pushkatohej me pasoja për familjen dhe të njohurit e tij dhe me shtimin e frikës dhe propagandas shtypëse në vend.

         Ankthi ekzistencial për të qenë vazhdimisht me fitimtarët sollën aftësinë për përshtatje, konvertimim demokratik, amoralitet dhe mendje të mbyllura e shpirtra shterpë te ajo elitë dhe kthesa e tyre me shndërrimet e sistemit, pas rënies së perandorisë komuniste, është sa grotesk i trishtë, po aq dhe dëm social në klimën e tranzicionit. 

         Pikërisht në naracionin e kësaj dukurie shkrimtari Ylljet Aliçka është mjeshtër, ndryshimet në marrëdhëniet sociale ndryshuan dhe karakteret e moralin e tyre, madje dhe mënyrën e rrëfimit – çelsi i kësaj vepre, sipas meje, që përcaktoi dhe stilin shpotitës me dashamirësi shkrimtari.

  1. RRËFIMTARI SI MENDËSI

…pasi kthen dhe faqen e fundit të romanin, kur gjatë gjithë leximit s’të është ndarë një buzagas dëshpërues, teksa ndjehesh ende mes tufës së personazheve të një lloji të përcaktuar, të shqetësimeve të tyre në mbrojtje të privilegjeve, të marrjes së pushtetit ekonomik, shtirjeve të bëra zakon, përditshmëri, pra mes një mjedisi të kameleontë dhe absurdit, etj, etj, befas zbulon se aty (në roman si në realitet) është dhe nje personazh, që s’duket kurrkund e është kudo, pa emër, as me maskë e as me fytyrë. Nuk bën asgjë, e megjithatë jo vetëm që s’është tepër, por është dhe më i rëndësishmi. 

         Është ai që rrefen, pra rrëfimtari që gjithsesi nuk është autori e as identifikohet me të e as me kurrkënd e me gjithkushin. 

         Rrëfimtari ka raste që ka rëndësi më të madhe se rrëfimi në një vepër siç është e vërtetë dhe e ndërsjellta. Kjo është një çëshjtje e hershme sa vetë letërsia. Madje edhe te eposi homerik, Uliksi, mbasi bën masakrën me mëtonjësit në shtëpinë e tij në Itakë, lë gjallë vetëm lahutarin aty, se ti do të tregosh ngjarjen, i thotë.

         Diktaturat lënë gjallë ata që do të rrëfejnë ashtu siç do ajo. Rrëfimtar të ndryshëm nga autori ka dhe te “Don Kishoti i Mançes”, te Gogoli, etj, e deri dhe te nobelisti më i fundit, anglo-japonezi Kazua Ishiguro, që te romani i tij “The remains of the  day”, – sjellë në shqip mjaft mirë nga poeti Parid Teferiçi, – na tregon një maxhordom njëlloj si jetën e vet modeste dhe ngjarjet botërore.

         Në memuaristikë flet vetë autori. Shembuj janë dhe vepra monumentale “Rrno vetëm për me tregue” e At’ Zef Pllumit, së fundmi dhe botimi i bujshëm “Blloku” i doktorit personal të diktatorit, Isuf Kalo.

Rrëfimtari te romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” i Ylljet Aliçkës është dhe s’është praní dhe ka marrë përsipër barrën të na kumtojë, pa iu kërkuar dhe kjo është e bukura, se duket si akt që ndjehet si nevojë dhe detyrë. Ai ka vendosur të na shpalosë tramën, që është e të tjerëve, bëmat, personazhet, trishtueshmërisht me humor, memosstiline tij, që është stili i veprës, duke na kujtuar pa dashje se me të kaluarën edhe qeshet, duke mos u ndarë mërzia e zhgënimeve, ku përplasen e kaluara me ato që ikin si hije të zbehura dhe e ardhmja me ato që vijnë prapë si hije, por më të përndritura deri në paqartësi. Natyrisht iluzione optike këto, por rrëfimtari i ka përzgjedhur t’i sjellë. 

         Shpesh ai është më i vërtetë se dokumentet dhe faktet. Trilli ndihmon për të kuptuar më mirë se kujtimi, sidomos kur nuk është shndërruar në përvojë. 

Ashtu i pa identitet, i pa lëndët, rrëfimtari i Metamorfozës, duke mos ditur ç’punë bën, nga është dhe ku, futet te çdo personazh dhe del nga çdo ngjarje, në fakt ai është vetëm zë, sa i brendshëm po aq bëhet dhe psikikë kolektive, botkuptim i përgjithshëm, vrastar i së brendshmes, të kërcënuar nga e përjashtmja, bëhet kujtesë dhe ndërgjegje apo mos ndërgjegje e asaj që po rrëfen, me njëanëshmërinë e vet, britmë dhe ngashërim, tulatje dhe rrahje gjoksi dhe heshtje dhe shqyerje e madhe së qeshuri. 

         Romani është i veçantë, aktual, pra dhe cinik si aktualiteti, madje ka dhe epizëm me shenjën minus, me antiheronj mynxyrqeshur.

Në fakt duket se ndryshimi është i madh së jashtmi dhe i vogël së brendshmi, veçse janë zbuluar se cilët ishin, as siç janë tani e as siç kanë qenë. por qenie që marrin format që u duhen, jo si në metamorfozën kafkiane ku dhe kahu është i kundërt, jo për të ikur, por për të qendruar, aq sa e pësojnë po aq e duan dhe e bëjnë vetë shndërrimin, të konvertuarit edhe pse s’i lë e kaluara dhe kodeksi i tyre është ky: jo t’i shërbejnë ndryshimeve, por ndryshimet t’u shërbejnë atyre.

Personazhet e Metamorfozës se një Kryeqyteti janë të pathyeshëm, por të përkulshëm, madje shumë të përkulshëm, që dhe pse në rrethinë të “Bllokut” të bujshëm, bëjnë që të kuptohet dhe brendësia e atij blloku me personazhe famëzinj dhe e blloqeve sociale në tërësi, ku me hipokrizinë edhe ndaj vetes, me mossinqeritetin edhe ndaj vetes, mbeten arrivistë të bezdisshëm që krijojnë gjendje negative komiciteti, mes të cilit bie si meteorit dhe tragjizmi.

Po ata s’janë të tillë, s’e mbartin dot tragjiken, i vidhen asaj, nuk thyhen, siç thamë, por përkulen, arrijnë tokën, jo për t’u lutur a kërkuar falje, janë shpirtvegjël e të pa kulturë si ateizmi i tyre, përkulen për t’u ngritur prapë me guxim të trembur a me trembje të guximshme, gjithsesi grabitqarë shembullorë.

Rrefimtari bën shumë kujdes, ai do veç të rrëfejë “duke qenë brenda” dhe pa dashje dhe çmitizon duke shkaktuar buzagaz të njëllojtë si me diktaturën dhe me postdiktaturën se demokracia ngjan për ata si e pjellë aksidentalisht dhe e dhënë për adoptim.

         2. QENI NË EPILOG

Protagonistët e Metamorfozës kanë emra te zgjedhur, Beniamin, që duket sikur thotë “amin” apo Vladimir, rastësi jo e rastësishme në socializëm, ishte emri i Leninit, po dhe i Majakovskit. Edhe Vladimiri i Aliçkës bën punë politiko-artistike, jep tituj kalorsiakë donkishoteskë, dukë dhe kontër në demokraci, teksa Beniamini i tij, teksa ishte poet gati zyrtar, që dhe e çzyrtarizonin, pësonte goditje, rënie, etj, u përshtatet kushteve të reja postidiktatriale me vargje po aq të mërzitshme si më parë, për dobësinë e të cileve duhej ndëshkuar.  

Gjithsesi, vepra më përdëllyese nga fundi i gjysmës së dytë, (të moshës, të shekullit, të romanit?) është marrja e një qeni, shoqërimi me të, teksa mbetet gjithnjë e më vetëm dhe krerët e mëparshëm të romanit dhe të mëpastajmët, – tregime të bashkuara, – mua më duket se mund të ndahen në kohën para se të kishte qen dhe në kohën pasi ka qen.

 Nëpërmend festën në bodrum diku në “Bllokun” e udhëhqjes dikur a pranë tij, (ku ishte qeni?), fejesa, vetëvrasje, martesë tjetër, etj, ku kulmohet me kreun e skulptorëve, me ata që kishin bërë shtatoren e diktatorit e do të bënin dhe maskën e vdekjes së tij. (Po qeni kur vjen?)

Gafat e poetit gati zyrtar që dëmtojnë ideologjinë e kohës, propagandën e saj janë më pak absurde se gafat që bën regjimi ndaj tij. Humori erret ashtu siç përshfaqet dhe vetë koha, keqane, me shume fytyra, që po t’i mbledhesh nuk bëjnë asnjë fytyrë. 

Ndërkaq rrëfimtari s’ka pritur distancën e duhur kohore për t’i parë më mirë dukuritë, ai nuk ka nevojë për të, por sjell, si të thuash pasqyrën e padukshme si për t’u parë dhe le ta shajnë a thyejnë atë, pasqyrën, e keqja ka përparuar sa dhe vdekja nuk e bën më njerëzore gjindjen. Kjo si pa vetëdijshëm.

Me vetëdije është qeni. Duhet, kanë kaluar aq ngjarje dhe peripeci, internime, pushkatime, Dhe demokracia nuk është e lehtë. Ke kundër dhe veten.   

Të rritur me luftën e klasave, pra me kulturën e urrejtjes, në socializëm p.sh. qytetarët nuk mbanin kafshë zakonisht në shtëpi, macet ishin të rralla. 

Madje kujtoj fushata të vrasjeve të qenve rrugëve natën në qytetet e mëdha në prag kongresesh a festash kombëtare.

Dashuria, dhëmbja, përkujdesi duhej të ishin vetëm për partinë, jo qen, por vepra të shokut Enver. 

Ndërkaq do të doja të hidhesha në atë botimin tjetër, “Blloku” i Dr. Kalos, dalë njëkohësisht me “Metamorfozën…” e Aliçkës, ku dhe gjejmë, sado pak, dhe lëndë të përbashkët, ku shumëçka që do të ishte thjesht kërshëri ndaj ‘Bllokut”, tejkalohet si e tillë duke u bërë dëshmi e vyer, që na përshfaq vanitetin, egoizmin, luksin socialist, adulterin- por jo me partinë, pasigurinë, pabesinë, etj, etj, ku, mes të tjerave na zbulohet se Udhëhqësi na paskësh patur mace në shtëpi, madje në dhomën e tij. Me të flinte, jo më me të shoqen.

Natyrisht ai ia lejonte vetes dhe këtë dashuri si një ledhatim të ndenjave të veta pas gjithë atyre masakrave që ushtronte sistemi i tij mbi popullin dhe vrasjeve të epëshme të bashkëpunëtorëve, që ndokund dalin dhe në romanin e Ylljetit. 

Pas gjithë asaj trusnie që ke pësuar dhe ke ushtruar mbi të tjerët, pas mëkateve, kur nuk ke munduar të duash tjetrin, deri edhe familjarët e tu, i gjendur befas në një tjetër sistem, i pa aftë për të kërkuar falje në një shoqëri që nuk e dënon të keqen, një qen është ngushëllim, madje ndihmon në larjen e gjynaheve, edhe pse komunistët nuk e kishin zakon të donin kafshët.

Protagonisti I i Metamorfozës tani shëtit me qen dhe kujdeset, p.sh., në epilogun e romanit të mos i futet në ujë, se pikërisht aty, te ujët e atij liqeni në kryeqytet është mbytur një grua, vetë, por nga shkaku i atij ama dhe ai që s’ka forcë për asgjë, qenkësh dhe vrastar… ndaj dhe vargjet e protagonistit II janë aq për ibret, ku i këndohej më të pa këndueshmes, Sigurimit të Shtetit dhe më pas abuzohet me dhimbjen duke bërë epitafe të porositura si në një roman të Antonio Tabucchi-it. Po është dhe te një komedi e Çajupit.

Le të kthehemi te qentë, ka ndryshime, se ja ata po rrinë dhe me shqiptarë (kupto: komunistë fanatikë), kam thënë në fillim të viteve ’90.

Ndërkaq në librin “Blloku” të mjekut të talentuar të diktatorit, ku flitet për macen e tij, përshfaqet dhe një merak tjetër, prej sëmundjeve që kishte diktatori se mos vdiste gjatë aktit seksual, se dhe kishte ndodhur, madje dhe me familjarë të “Bllokut”.

E si do të ishte maska e vdekjes, si do ta bënin personazhet e Metamorfozës së kryeqytetit? Nuk ndodhi për fat ashtu, por diktatorët të gjithë vdesin gjatë aktit të përdhunimit të atdheut. 

Nga përdhunimet, boshatisjet shpirtërore, mashtrimet, të tjerëve dhe vetes, të vetë kohës, metamorfozën negative të saj rrëfen natyrshëm dhe shkrimtari Ylljet Aliçka, personazhet e tij në veprën e tij më të re duke na përforcuar idenë se letërsia shpesh ka më forcë se realiteti, duke qenë dhe shqetësim i përditshmërive, qortim artistik, duke u bërë dhe ndërgjegje dhe përgjegjshmëri qytetare dhe gjyq e ndëshkim moral. Dhe të gjitha këto të shpalosura bukur. Me emocion. Te Ylljeti edhe gëzueshëm, më e vështira te letrat. 

*   *   *

Botimi i romanit “Metamorfoza e një kryeqyteti” nga “Onufri” është sa dinjitoz po aq dhe respekt për lexuesin, gjë që merr vlerë edhe më të madhe në kohën kur ka një shkujdesje kapriçoze ndaj krijuesve dhe prodhimtarisë së tyre. 

         Letërsisë tonë të sotme iu shtua një zë, ai i rrëfimtarit të Ylljet Aliçkës.

Pikërisht mes shumësive të zërave trallisës, kësaj zhurmnaje, autori zgjodhi atë të rrëfente, që është mendësi e dikurshme, që ndjen dhe kupton ashtu si dikur, kumton si dikur, edhe sot si avokat i metamorfozës, pra me këtë zë i është dhënë tonusi dhe ngjyra veprës, aq sa shpesh të vjen të bërtasësh, megjithë zbutjet që përftohen nga ai humor i trishtë dhe ai trishtim me humor që e bëjnë lexuesin veçse të qeshë hidhur. 

Dhe arritja e atij zëri, aq sa është gjetur me zgjuarsi, po aq bëhet më domethënësi duke qenë dhe mos qenë zëri i “autorit’. Është zë kohe, i gjymtimit të saj, një ish zë, që merr forcë të tanishme, edhe pse çalaman, zë i mediokritetit general, po aq dhe i veçantë, bulçifryrëz, deri edhe presidencial, që derdhet mbi roman, gurgullon i turbullt, i pafaj, megjithëse ka fajin që nuk i kupton fajet, shkretan pa e ditur pse, kureshtar dhe indiferent njëkohësiht, aq sa të vjen të pyesësh fort me zë: realitetet i deformojnë vetvetet kështu apo vetvetet krijojnë realitete të deformuara?

Por rrëfimtari ndërkaq është zhdukur larg. Duke lenë shkrimtarin udhërrëfyes, që të brengos dhe të këndell si rrallë kush me këtë vepër. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti- Metamorfoza e nje Kryeqyteti-Ylljet Aliçka

…Pak mbi Trojën

August 10, 2019 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Troja, e quajtur Ilium, që na dha Iliadën, ka një histori madhështore, me heronjtë më heroikë sesa në çdo kohë; me gratë më të bukura se të gjitha të tjerat pas tyre; dhe me perëndi më afër njerëzimit sesa në ditët tona.
Winston Churchhill citohet të ketë thënë se “Willian Gladstone e lexonte Homerin për qejf, çka i shërbeu mirë.” Gladstone shërbeu për 12 vite si kryeministër i Britanisë nga mesi i shekullit XIX.
Fjalët e Homerit sot nuk kanë aq shumë vlerë sa ç’duhet të kishin. Nëse Ajaksi (Gjiganti), heroi trup madh muskuloz, do të kishte menduar se emri tij do të përdorej për larje teshash ((Ajax), ai do të kishte vrarë veten më herët. Sofokliu shkroi një shfaqje me të njëjtën temë, ku thotë se Ajaksi u zemërua me krerët grekë për dhënien e armaturës së Akilit, Odiseut dhe komplotoi për të vrarë Agamemnonin dhe Menelausin. Ai vrau në vend të tyre shumë akeas; por kur zemërimi i rra, dhe pa se ç’kishte bërë, Ajaksi vrau veten.
Hektor (i fortë si Hekuri para se ky metal të ishte shpikur), heroi krenar i trojanëve  që sfidoi më të fortët, madje edhe Akilin, përfundoi në “hektor” që anglisht do të thotë “i mërzitshëm”. Edhe “Kali i Trojës”, që i dha fitoren akeasve, është tashmë virus kompjuterash që vjedh numrat e kartave të kreditit dhe të dhënat në facebook.
Është Odisea, Udhetari, ose siç e quanin romakët, Uliksi, i cili e rimori fronin e Itakës, duke “u ulur” në ‘të, pas kthimit nga Troja.
Është po ashtu Enea, “numër njëshi, i riu, i pari”,, që udhëhoqi trojanët në udhën e gjatë plot vuajtje të migrimit dhe i bëri të vendoseshin në gadishullin italik. Pasardhësi i tij, Romuli, sipas traditës, u bë themeluesi i Romës.
Këto, dhe të tjera na shtynë ta konsiderojmë librin e Elena Kocaqit që thotë se Lufta e Trojës ishte luftë pellazgo-ilire. Për këtë tezë, Kocaqi përdor burime të shumta nga autorë të lashtë, shkrimet e të cilëve i sheh si të keq-përkthyera ose të interpretuara qëllimisht gabim. Shpesh vepra të tilla që kërkojnē të hedhin nje dritë të re, si gjithçka e re, fillimisht qesëndisen, më pas konsiderohen dhe në fund pranohen. Le të shpresohet që idea e hedhur nga Kocaqi të ndjekë këtë udhë.
Por në vazhdën e heronjëve akeas është edhe Akili ose “Jo-grua”, sepse fillimisht u tregua frikacak, pasi u fsheh duke u veshur si grua, kur e thirrën për të luftuar
Edhe vargjet e Homerit citohen sot akoma më pak:
“Është kjo fytyra që lëshoi njëmijë anije,
dhe dogji kullat e pamposhtura të Iliumit?”
ose
“E ëmbla Helenë,
më bë të pavdekshëm
me puthjen tënde”
Por këto vargje janë nga Christopher Marlow (1564-1593). Në fakt, ndoshta i vetmi varg cituar nga Homeri, është nga William Cullen Brunt më 1878, ku Agamemnon lutet të vrasë Hektorin, për:
“ta shtrirë në tokë,
ta bëjë të hajë dhe”

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi-pak mai Trojen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 918
  • 919
  • 920
  • 921
  • 922
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT