• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Havzi Nela në revoltën e Spaçit

August 9, 2019 by dgreca

Nga:Msc. Florin Zyberaj/

Abstrakt:Revolta e Spaçit është organizuar nga të burgosurit politik në datat (21-23) maj 1973. Kjo revoltë, është trajtuar gjithmonë në korniza të trasha, pavarësisht së përbën një ngjarje madhore dhe shënon një qëndresë të fortë kundër regjimit komunist.
Megjithatë, shqyrtimi i këtij fenomeni historik është i mangut për nga trajtesa nga njëra anë, dhe nga ana tjetër nuk është plotësisht shterues apo i plotë, pa u ballafaquar dhe sinkronizuar me dokumentacionin arkivor. Në këtë kontekst, për përgatitjen e këtij shkrimi kam përdorur dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit që administrohen nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, artikuj në gazeta (material përkujtimor e dosier) dhe një studim historik kushtuar Havzi Nelës.
 
Hyrje
Shkrimet kushtuar mësuesit Havzi Nela në shtypin shqiptarë dhe në portalet online, në shumicën e rasteve janë të karakterit publicistik dhe propagandistik. Në shumë pak shkrime gjejë elemente studimore rreth figurës së tij. I them atij mësues, pasi në asnjë dokument arkivor në AQSH, AMPB, apo në AIDSSH, nuk përmendet emiri i tij si poet. Po kjo situatë më rezulton edhe në shkrimet e para viteve ‘90-të. Havzi Nela, si poet u njohë vetëm pas viteve ‘90-të, me daljen në dritë të fletoreve me poezi që ai i kishte shkruajtur fshehurazi nëpër kampburgjet e sistemit komunist. Sa herë që përkujtohet dita kur u ekzekutua, emri i tij përmendet shpeshherë jo për të nderuar atë, por për të kritikuar dhe sulmuar emra kryesisht politikë. Kjo situatë aspak e denjë ndodhë, sepse nderimi, përkujtimi, vlerësimi i figurës së tij merr dimension tjetër vetëm nëse ka mbështetje nga propaganda politike.
Persekutimi i tij politik zë fill, kur ai kundërshtoi të deleguarit partiakë, ku evidentuan apo shtruan tri aksione politike si: 

1.    Hyrja në kooperativën bujqësore; 

2.    Prishja e objekteve të kultit; 
3.    Ndërrimi i veshjes nga veshja tradicionale në atë bashkëkohore.
Për sa i përket këtyre reformave në Shishtavec të Kukësit, më 20 prill 1967 u zhvillua një mbledhje me iniciativë të përfaqësuesve të PPSH-së në Kukës, si kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Mëhill Doçi etj., ku merrnin pjesë kuadro të zonës, mësues të lokalitetit si dhe banorët e fshatrave të Shishtavecit, Novosejt, Shtrezes, Kollovozit etj.
Më 24 prill 1967, në orën 1330në shkollë u zhvillua mbledhja e këshillit pedagogjik në Topojan ku punonte edhe vetë Havzi Nela. Kjo njihet ndryshe si “Mbledhja e Topojanit”. Mësuesi Nela refuzoi të bënte autokritikë dhe të kërkonte falje gjoja se kishte folur keq në mbledhjen e Shishtavecit në dëm të Partisë e pushtetit popullor. Nën trysnin në rritje të ushtruar ndaj tij, ai u detyrua të arratiset. Dhe arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga atdheu së bashku me bashkëshorten e tij për në Kosovë (Jugosllavi) është kërcënimet me burgim dhe dërgim në kampin e Bulqizës që u bënë në këtë mbledhje nga të deleguarit partiak, si drejtori i shkollës etj. Arratisja e tij qe afatshkurtër. 
 
Me 6 maj 1967 pala jugosllave i dorëzon tek autoritetet shqiptare, në postën kufitare, në Morinë. 
Menjëherë pas gjyqit të 22 majit 1967, ku u dënua me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, Havzi Nelën e dërguan në burgun e Tiranës. Nga burgu i Tiranës, e çuan në kampin e Elbasanit. Dënimin prej 11 muajsh, Havziu e vuajti në kampin e Elbasanit. Dhe nga Elbasani më vonë e kanë transferuar në kampin e Vlorës, ku ka qëndruar deri më 26 shtator të vitit 1970. Nga viti 1970 e transferuan në Spaç, ku punoi në nëntokë (në galeri) deri në fundin e vitit 1974.
Revolta e të revoltuarëve
Urrejtja e akumuluar në kampin e shfarosjes së Spaçit shpërtheu si “vullkan” më 21 maj 1973, pas refuzimit të ushqimit dhe derdhja e kazaneve me gjellë nga ana e të burgosurve politik. E quajnë kamp i shfarosjes pasi Spaçi ndodhet në fundin e një grope dhe ku lart shihet vetëm qielli dhe asgjë tjetër. Në këtë gropë jetonin qindra të burgosurish politikë me vite të tëra. Të burgosurit, ishin  thjeshtë dhe vetëm skllevër të galerive dhe vegla që mernin frymë.Kjo revoltë në fillim nisi si një protestë nga të burgosurit kundër keqtrajtimit të shokut të tyre, Pal Gjergj Zefi në regjim biruce, e vazhdoi në një protestë që tronditi regjimin komunist.Pas gjendjes alarmante të raportuar brenda kampit, në mëngjesin e datës 22 maj, në kamp mbërriti zv/Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu. Pasi zbardhi dita, bëhet e ditur se rojet kishin vënë re, se në katin e tretë të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq komunist. Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, bëhet e ditur se shqiponjën mbi flamur e kishte përgatitur i burgosuri Mersin Vlashi. Po me 22 maj, rreth orës 1200në mensën e burgut sipas dokumentave ishte mbajtur një mbledhje, e cila quhej “Mbledhja e Këshillave Krahinorë”. 
Në këtë mbledhje u caktuan nga një individ për çdo krahinë. Për rrethin e Kukësit, u caktua mësuesi Havzi Nela si një drejtues vizionar i cili qëndronte më lartë nga individët e tjerë nga kjo krahinë. Ai ishte shumë i vendosur, dhe me karakter të fortë në qëndrimet dhe idealet e tij. Gjendja psikologjike dhe fizike nuk qe aspak në favorin e tij në këtë kohë. Por sidoqoftë me gjithë vështirësitë e xhelozitë për caktimin e tij në mbledhjen krahinore ai mori pjesë. Një aktivist si gjithë të burgosurit e tjerë politik. Duhet theksuar se H. Nela, pak kohë më parë i shpëtoi një atentati të bërë ndaj tij në Spaç, ku një i burgosur tentoi ta qëllonte me thikë atë. Në këtë mbledhje morën pjesë të dënuar nga gjithë krahinat që vinin të burgosurit, ku u diskutua për moblizimin dhe vazhdimin e revoltës. Më këtë mbledhje ata vendosën: 
1) Të këshillohen personat që nuk marrin pjesë në mbledhje që të qëndrojnë të vendosur në revoltën që filluan ;
2) Të thuhet që revolta lindi e rastit, shkaktarë ishte operativi me nënoficerët që lidhën Palin ;
 3) Të mos pranonte asnjë i dënuar të futej në galeri etj.
Havzi Nela i mëshoi pikës së tretë ku kërkoi jo vetëm lirimin e të burgosurve, por që të mos punonin më në galeri. Situata doli jashtë kontrollit, mori një dimension tjetër. 

(Faksimilja e personave që morën pjesë në Revoltën e Spaçit. Havzi Nela rënditet i 75-ti)
Kështu që pushtetin në dorë e morën të revoltuarit e diktaturës komuniste. Kampi menjëherë ishte rrethuar nga katër anët me ushtarë të cilët ishin urdhëruar edhe të qëllonin kundrejt të burgosurve. Në këto rrethana shpërtheu kjo revoltë, që në histori njihet me emrin “Revolta e Spaçit” ose “Revolta e të burgosurve politik në Spaç”.
 
Parullat që u hodhën në këtë revoltë qenë të shumta si: “poshtë diktatura”, “poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha”.“Ja vdekje ja liri” “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, “Do t’ju djegim si Stalini” “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi” “Poshtë komunistët” “Poshtë komunizmi”, “Ushtarë hidhni armët”, “Populli është me ne”, “Kooperativa u pret”, “Bashkohuni kundër qeverisë”, “Po jam armik dhe kështu do vdes”, “Flamuri pa yll”, “Poshtë Enver Hoxha”, “Poshtë partia”, “Këtë që po bëni ju nuk e ka bërë as nazizmi” etj.
Në arkivin e Autoritetit mbi Infofmimin mbi Dokumenta e Ish-Sigurimit të shtetit evidentohet një ekstrakt i përzgjedhur nga agjentura brenda kampit që drejtohej nga punëtori operativ Fejzi Liço. Në rrjetin sekret bënin pjesë këto bashkëpunëtorë: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e bukur”, “Shigjeta e kaltër”, “Bakri”, “Zjarri” (2), “Pushka”, “Libri”, “Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa”, “Vullnetari”. Më poshtë një ekstrakt i përzgjedhur dhe sistemuar nga raportimet e bashkëpunëtorëve. P.sh: “Planeti”raportonte: “….Dervish Bejko tha se e kanë bërë sakat e nuk do më jetën […] Latif Haxhiu i tha zëvendësministrit (Feçor Shehu): “Po na mbani nga 25 vjet në burg more të poshtër”. I dënuari Havzi Nela ka bërë agjitacion e propaganda […] ka kërkuar lirimin dhe të mos punonin më në minierë. 
Pas shtypjes së revoltës, mësuesi Nela u denoncua nga të burgosurit e tjerë që ndodheshin në Spaç. Pikërisht këto denoncime u shfrytëzuan nga regjimi i kohës për ta dënuar atë edhe me 8 vjet të tjera (vendvuajtja e dënimit do ishte Rrësheni). I burgosuri Naim Uka dhe Zenel Balliu raportuan sidomos mbi ngjarjen e ndodhur në revoltë. Më konkretisht ata shprehen
Naim Muhamet Uka, para hetuesit tregonte se: “… Havziu më tha se këto (Komunistët –shënimi im) u trembën nga ato 600 burra që bënë revoltën këtu në Spaç që ishin edhe pa armë dhe mblodhën ushtrinë për të shuar atë, e jo më të mos kenë frikë nga të huajt, se këto e kanë keq edhe nga konferenca e Sigurimit Europina (KSBE sot OSBE – shënim) dhe kur të marrë fund ajo, edhe këto do të marrin fund së qeni etj që tani nuk i mbaj mend. Unë Havziun e kam parë edhe në revoltë duke bërë thirrje për kundër pushtetit e partisë, por ky nuk u dënua me këtë rast”.Zenel Haqif Balliu, pohonte: “…Kam për të thënë se kur ndodhi revolta e Spaçit, unë jam ndodhur këtu brenda dhe e kam parë Havziun se ky ishte nga më aktivistët aty duke hedhur parulla kundër pushtetit e partisë, ka marrë pjesë në mbledhjen krahinore të dënuarve nga Rrethi Kukës që u bë gjatë revoltës”.
Epilogu
Përleshja trup më trup zgjati tri ditë dhe tri netë. Luftonin herojtë e lirisë për një Shqipëri të lirë e demokratike, pa bukë dhe pa ujë, me forcat speciale të regjimit. Nga kjo revoltë, prej organeve të Sigurimit u rregjistruan 93 pjesëmarrës aktiv, mes tyre edhe Havzi Nela. U zhvilluan 5 procese politike, u dhanë shumë vite burg dhe u pushkatuan katër persona. Revolta u shtyp në trysninë e armëve, por ajo hyri si një thikë në zemrën e dikturës komuniste. Jehona e revoltës kaloi kufijt e Shqipërisë politike të rrethuar me tela e gjëmba.
Referenca:
·      
Agim Musta, Kujtime rrënqethëse nga burgu i Spaçit: si u organizua dhe u shtyp revolta historike, Gazeta Republika, 21 maj 1998.·      
AIDSSH, F. 140 ,V.1962, D. 5925-A.  ·      
AIDSSH, F.1, V.1967, D. 9912/2-A.·      
AIDSSH, F.1, V. 1975, D. 9912/3-A.
· Bedri Myftari, Revolta e Spaçit, gazeta Kosova, 1 shtator 1991.
·     Florin Zyberaj, Havzi Nela martir i fjalës së lirë/studim (Tiranë: M & B, 2019).
·      Kastriot Dervishi, 1973/Revolta e Spaçit, 93 persona me të dhëna agjenturiale-operative, 4 të pushkatuar,Gazeta “55”, 20 maj 2019.
Kastriot Dervishi, Revolta e Spaçit e spiunuar nga brenda, Gazeta “55”, 17 maj 2019.·      
Marenglen Kasmi, 45 vjet nga Revolta e Spaçit, Gazeta Dita, 20 maj 2018.

(Faksimilja e dëshmisë ku bëhet e ditur kërcënimi që iu bë Havzi Nelës)

Filed Under: Politike Tagged With: Florin Zyberaj-Havzi Nelaj-Revolta e spacit

Abdyl Ramaj, ZJARR QË USHQENTE SHPIRTIN KOMËBTAR

August 9, 2019 by dgreca

-Përkujtim me rastin e 20-vjetorit te vdekjes –

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia/

                  Abdyl Ramaj, ishte miku im i jetës, ashtu siç ishte mik i madh edhe i shumë e shumë të tjerëve. Ai ishte mik i afërt, bashkëveprues  korrekt e serioz me të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh nivelet, gjinitë, mjedisin dhe moshat. I tillë ishte në të gjitha kohët e hapësirat, kudo e kurdo që gjendej, Abdyli i tillë ishte, që nga lindja, më 12 maj 1943 në Reçan të Therandës-ish-Suharekës, e deri në vdekje, sot e njëzetvjet më parë, 12 Gusht 1999. Miqësia e afërsia shpirtërore e Abdylit me bashkëkombësit kishte emërues të përbashkët çështjen kombëtare, afërsinë shpirtërore, nxitjen për punë dhe zgjerimin e rrethit të njerëzve, bashkëmendimtarë të veprimtarisë  kombëtare. Që nga ditët e djalërisë e deri në këtë kohë të vlimeve të rënda, e të lavdishme të aspiratës sonë historike. Gjithnjë ishte shok i respektuar i të gjithë bashkënxënësve, që  nga mësimet fillore që i mori në Reçan e Therandë deri në mësimet universitare, Shkollën Normale e filloi në Prizren, të cilën e përfundoi më 1965 në Ferizaj, ndërsa Fakultetin Filozofik-Degën e Pedagogjisë e vazhdoi dhe e kreu me sukses të shkëlqyer më 1969 në Prishtinë, për të magjistruar më 1981 në Universitetin e Zagrebit. Abdyli sa ishte i afërt, korrekt e i dashur për miqtë, po aq ishte i ashpër e  jotolerantë kundër atyre, të cilët, çështjen kombëtare nuk e merrnin me seriozitet, apo ishin mospërfillës ndaj saj. Përkundër vlerave të larta njerëzore, ai kishte vlera të larta pozitive të moralit, ai kurrë nuk tregonte ftohje miqësie me miqtë, ishte vazhdimisht stabil e optimist i pakontestueshëm, por real, modest  dhe i qëndrueshëm, gjithnjë ishte korrekt, i fortë dhe rrespektiv. Abdyli ishte shumë i pranueshëm për bashkëveprimtarët, ai sakrifikonte çdo gjë prej vetës. Ai ishte zjarr që ushqente shpirtin për çështje kombëtare, Ishte udhëheqës i sinçertë e korrekt, gëzohej shumë për sukseset e shokëve bashkëpunëtorë, gëzim që e manifestonte me kënaqësi, dhe e ndjente sikur të ishin suksese të Tija. Por, edhe prekej e shqetësohej thellë e rëndë, kur dikush nga shokët gjendej në rrethana e pozita të rrezikimit. Shkurt e shqip, Abdyli ishte me tipare të njeriut me shpirt revolucionar, të vuajtur e sentimental dhe në qenie mbante një vullkan ambiciesh për jetën praktike e punën arsimore, veprimin politik e punën shkencore. Për miq të sinqertë çmonte të gjithë shqiptarët e mirëfilltë, dhe për të tillët nuk kursente sakrificën personale që me gjithë qenien ofronte ndihmë shpirtërore, profesionale e materiale. Gjithmonë, e në çfarëdo rrethane, dëshmonte qeniën e Tij me qëndrime e veprime të moralit të lartë dhe ndërgjegje të përgjegjshme dhe të arsyeshme. I tillë ishte në jetën praktike, në punën shkencore e në veprimtarinë atdhetare e politike, siç është rasti i Letrës së njohur të Abdylin dërguar Hans Van Den Bruk më 1991. Ishte fort i ashpër, këmbëngulës e i pakontestueshëm në argumente faktike, kur ndodhej në përballje me kundërshtarët, veçmas me ata që ishin të shtresuar në anën e kundërt  të substancës kombëtare shqiptare.

              Nuk është vetëm rastisje që, Abdyl Ramaj vdiq, vetëm pak kohë pas ekzekutimit, likuidimit barbar të autoritetit të pakontestueshëm për çështjen shqiptare Akademik Fehmi Aganit. Pranë të cilit Abdyli qëndroi politikish e kombëtarisht, që nga koha e studimeve në Prishtinë, e deri në ditët e fundit të jetës, Viteve të fundit të jetës ishin me Profesor Aganin veprimtarë të Kryesisë së LDK. Vazhdimisht qëndronte në krah të Profesorit të respektuar, që kur ishte student i profesorit nga i cili merreshin, jo vetëm leksionet shkencore të sociologjisë, por nga profesor Agani gjithë studentët, edhe Abdyli, ndër më të afërmit me te, merrte edhe mësime për veprimet politike e kombëtare, aktuale me kohën dhe ngjarjet. Abdyli vazhdimisht gjendej në pozita të  rëndësishme, të rrezikshme e të rënda, siç ishte rasti i ngjarjeve e nëntorit të 1968 Demonstratave të Studentëve, më 1970 në veprimet lidhur me konstituivin e Universitetit, që ishte njëra nga kërkesat e studentëve në demonstratat e 1968. Punoi e veproi me kulturë e disiplinë politike e kombëtare, gjithnjë sipas mësimeve e kritereve të rrepta të veprimit politik e të drejtave kombëtare, arsimore, shkencor e politike të Fehmi Aganit. Abdyli popullin e vet e dëshironte sa më të ditur e sa më të ngritur.  Por, mbi të gjitha, Abdyli popullin shqiptar e dëshironte të lirë e të pavarur.

Arriti kohën të jetë bashkë me popullin në tokën e premtuar

 Ai, jo vetëm që shpirtërisht vuante, por vazhdimisht e paralelisht punonte edhe për kompromisin alternativ të mundshëm, Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe emocionalisht shkriente zhvillonte e përahapte ndjenjat kreative të vlerave shpirtërore e matreriale kombëtare, e pa u ndalur së punuari për shkëputjen e Kosovës nga e zeza më e madhe, Serbia e komunizmit ortodoks sllav, nga edhe u tret për te dhe në përkushtim të kësaj veprimtarie. Shpirti dhe qenia e tij shpirtërore e kombëtare u tret mu në agun e lirisë, kthimit  monumental biblik e historik të popullit të ndjekur nga kjo tokë e djegur. Këtë kënaqësi jetësore Abdyli vetëm sa e pa me sy, dhe nuk arriti të përjetojë këtë kënaqësi fizike e shpirtërore. Ai realisht mbeti vetëm një Maradhonomak fizik, por jo edhe të përjetojë kënaqësinë e pritur shpirtërore. Ai arriti kohën të jetë bashk me popullin në hapësirë e tokës së premtuar, vetëm fizikisht, kur kur kësaj hapësire shqiptare, që kerxcnohej deri në fanitje nga dhuna barabre ortodkse sllave. Doli,si nga legjenda, zëri i pushkës së Adem Jashari dhe Ushtrisë çlirimtare në aleancë me forcat e NATO-së dhe kësaj hapësire shqiptare, ju ndërprenë vrasjet, masakrimet, ndjekjet e shkatërrimet materiale serbe mbi shqiptarët, kur tfilloi rifillimi e rrugëtimi i jetës dhe punës në Kosovën e pasluftës.

                   Abdyl Ramaj, kudo e kurdo, që e barti jeta 56 vjeçare, lehtë gjeti shokë, bashkëmendimtarë e miq të afërt. Sa ishte nxënës, ishte shok dhe i kandëshëm për të gjithë nxënësit, ishte i çmuar e i respektuar nga të gjithë mësimdhënësit, të cilët patën nderin ta kenë Abdylin nxënës, edhe pse ndaj shokëve dhe mësimdhënësve për veprime e qëndrime të liga, ai shpeshherë dinte të ishte i ashpër dhe qortues i rreptë. Ishte student e shok shembullor i të gjithë studentëve. Në strallin e lirisë, në Demonstratat e 1968, ishte ndër më aktivët e fort i matur. Madje, mu për këtë veprimtari, edhe pse studimet i përfundoi në afatin optimal dhe me notë shembullore, profesorët antishqiptarët serb, që asaj kohë mbanin mësim në fakultetet e Prishtinë; si, Velko Branoviq, ish-ministër i mbretërisë serbe të karaxhorgjeviqëve, e antishqiptari e pseudoshkencëtari tjetër serb Sveta Çanoviq, Abdylit i pamundësuan të pranohet asistent në katedrën e Pedagogjisë. Abdyli për sa vjet ishte redaktor i më se 350  botimeve të teksteve shkollore të shkollave fillore, i dalluar për kritere mjaftë të larta shkencore dhe autor e koautor i 16 librave e teksteve shkollore dhe botimeve profesionale, ka të botuar mbi 100 artikuj e punime shkencore në periodikun kohor vendor “Shkëndija”, “Përparimi” e revista tjera shkencore jashtë Kosovës. Ishte autor i disa veprave autoriale shkencore në lëmin e pedagogjisë. Punimi i tij i doktoratës “Formësimi Didaktik i Lëndës në Tekstin Mësimor” të cilin e përfundoi më 1995 dhe pas vdekjes u botua nga Shtëpia Botuese “ Libri Shkollor” më 2001 në Prishtinë. Punim të cilin Abdyli, nuk  arriti ta mbrojë para mentorit dhe komisionit shkencor në Zagreb, ku edhe i pat mbaruar studimet pasuniversitare. Ky punim doktorate është dëshmi, jo vetëm e pjekurisë së nivelit të lartë shkencor, ku ai vente gjitha energjitë e jetës shkencore didaktike dhe analitike-kamparative Por, kjo vepër është edhe një dëshmi bindëse e të arriturave shkencore të nivelit evropian në Kosovë. Në dy mandate 1994 e 1997 Ishte drejtor në Shkollën e Lartë Pedagogjike e udhëheqës me autoritet, veprimtar partiak e kuadër politik në kohën më të rëndë të okupimit të hekurt serb 1990/1999, nga doli shumë i vendosur kombëtarisht e i guximshëm. Objektivisht gjatë dekadës së okupimin serb, për një kohë ishte veprimtar i respektuar në KMDLNJ,  mori pjesë në themelimin e LDK-së më 23 dhjetor 1989,  në Kuvendin e Dytë të këtij subjekti u zgjodh anëtar  kryesie, dhe po nga ky subjekt, në dy zgjedhjet parlamentare e presidenciale 1992 dhe 1998, u zgjodh deputet nga Theranda. Vazhdimisht ishte i angazhuar të konstituohet e të veprojë ky parlament, në të cilin për një kohë kreu detyrën e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë e Kulturë. Abdyli kudo që vepronte dëgjohej, jo vetëm nga bashkëveprimtarët e vetë, por nga ai kishin venerim e drojë të veçantë edhe palët e kundërta, siç ishte rasti me dialogun me okupuesin e egër serb  3+3 për lirimin e lokaleve shkollore, nga për rejtingun politik, polli e quajtura “Marrëveshje për lirimin e lokaleve shkollore”. Në të cilën Abdyli, nga sinqeriteti personal dhe bindja e pastër për veprim politik e kombëtar, ashtu siç e parashikuan projektuesit, aspiruan ta njollosin e ta hedhin në batakun e lakadredhave të arkitekturës për ngritje vlerave të tyre personale. Sipas skenarit ai duhej të ndëshkohej si Kirenari, karshi shkelësve të kushtetutës aktuale, vullnetit, votës së lirë dhe besimit të sovranit, votës së popullit.  

Abdyli pranonte të sprovohej vetëm para popullit

Abdyli ishte kooperativ e transparent, që nuk mbyllte hapësirë dialogu, mirëkuptimi e bashkëpunimi për të miren e shkollës shqipe dhe shqiptarëve, por vazhdimishkt duke pasur kujdes edhe ndaj hapësirave për keqkuptim. Shkurt, për kundër ndërskamsave nga “kopilministrat” e arsimit, që vepronin në Kosovë paralel me Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Kosovës në ekzil. Kontributi i Tij në qeverisjen e arsimit, në kohët më të rënda në historikun e shkollës shqipe, bashkë me profesor Aganit dhe Xhavit Ahmetit ishte i madh.  Ai pati virtyt edukativ e kulturë të veprimit politik, ai nuk njihte prapaskenat e veprimeve tinëzare, këtë nuk ia mësoi korrektësia e sinqeriteti, asrsimimi dhe edukim kombëtar i fituar gjatë jetës së tij praktike, Abdyli ishte i tillë edhe në punën arsimore, shkencore e në gjithë filozofinë e veprimit politik, edhe pse ishte i vetëdishëm se, sinqeriteti dhe korrektësia në veprimet politike, shpeshherë kushtojnë shtrenjtë. Por,  Abdyli këtë e kishte edukim dhe përcaktim jetësor ndaj çështjes kombëtare dhe respekt para popullit. Ai popullin e kishte arbitër të vetëm dhe vetëm para Tij, dhe ndërgjegjes së pastër, ishte i gatshëm të sprovohej. Abdyli gjithnjë popullin e pati për mësues të vetin më të madh. Ai, para kombëtares e dha provimin dhe me punë e veprën për te, ai u shpërblye me uratën e madhe të popullit, që aq shumë e deshi. Abdyli kurrë nuk deshi t’ia kthejë shpinën Kosovës,  madje as në ditët më të rënda e më të rrezikshme për popullin, vendin dhe ate personalisht. Për Abdylin, me të drejtë thotë miku i tij Dr.Abdullah Vokrri, “më shumë vlerë kishin varret e të parëve në trollin kosovar, se sa të gjallët jashtë Kosovës”. Ai në 78 ditët e katrahurës e golgotës shqiptare, dhe të rezistencës krenare kombëtare të UÇK-së, të pritur 20 shekuj, përjetoi qaste shumë të rënda. Falanga serbe ushtroi lloj-lloj presioni fizik e psikik. pasi ishte i vendosur të mos nënshtrohet kërkesave të barbarisë serbe,  dy-tre herë refuzoi propozimin e ofruar në Pallatin e Velanisë për të marr postin e Ministrit të Arsimit në Qeverinë kuislinge të Kosovës, Por, me këtë veprim të madh atdhetarie,  me këtë veprim të guximshëm politik e kombëtar, me rezikshmëri të Abdyl Ramës, si edhe vrasja e Profesor Fehmi Aganit, u rrënua dhe u ndërpre ndërtimi i“arkitekturës” të projektur për formimin e Qeverisë “korzo” e cila ishte  produkt i “arhitektëve” të Marrëveshjes Rugova-Milosheviq. Më kot kryepopi ortodoks, Nikollaj nga Rusia, bashkë me Milosheviqin pritën ardhjen e Abdylit, në cilësi të Ministrit të Arsimit, për një takim  në Beograd. Derisa kreatori i qeverisë kuislingë pushonte në folenë “ Doimo” të Italisë e bronzohej në rivierën e Adriatikut të kaltër italian. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Intelektualët shqiptarë si Abdyli dëshmuan se, ata nuk kishin ngelur në Kosovë për të formuar qeveri marionete. Por, ata ngelën në Kosovë, për t’i dhënë formë e përmbajtje kombëtare, shtetësisë ushtarake e politike të Kosovës, ngelën aty për ta mbrojtur dinjitetin dhe nderin historik, kombëtar e njerëzor. Sepse Kosova, në ato momente historike, pa shqiptarë dhe UÇK-në, do të ishte e pakuptimtë.  Dhuna e barbarisë sllave, Abdylin për padëgjueshmëri, e dërmoi  shpirtërisht e fizikisht, nga e cila pasoi vdekja e parakohshme më 12 gusht 1999, kur Abdylit, ju ndalën të rrahurat e zemrës në tavolinën e operacionit, nga tumorit në kokë, në një qendër mjekësore në Romë të Italisë, si pasojë e një sëmundjeje 10 vjeçare të tumorit në tru, për çka  Abdyli, sa ishte i gjallë, nuk është ankuar dhe askush nuk dinte se ai vuante nga kjo sëmundje fatale. Ai përkundër aktivitetit dhe posteve politike, arsimore, shkencore e shoqërore që mbante sa ishte i gjallë, u varros në Prishtinë më 15 gusht 1999, vetëm si një qytetar i zakonshëm, nën përkujdesen e familjes dhe miqve të ngushtë, pa ndonjë formalitet organizativ “këshill të varrimit”, pa asnjë lloj ceremoniali apo fjalim përmbajtjesor të nivelit për jetën dhe veprimtarinë e tij.

              I tillë ishte Abdyl Ramaj, Ai, tash 20 vjet pushon dhe do të pushojë përjetë me nderë dhe i qetë, në tokën e dashur e të lirë të Republikës së Kosovës, të cilën ai e dashti shumë, e për të cilën punoi gjithë jetën. Toka e Kosovë, e ujitur me djerës dhe e larë me gjak ndër shekuj, tash bijtë e vetë, si Abdylin, veprimtar i veçantë arsimor e politik i çështjes kombëtare, heronjët, dëshmorët dhe martirët e rënë për çlirimit e Kosovës dhe lirinë e shqiptareve të kësaj hapësire kombëtare, që me krenari e ngrohtësi i ruan në gjirin e saj. Sepse ata, vetëm këtu, ku “balta është më e ëmbël se mjalta”, duke kërkuar që me korrektësi të përgjegjshme nga të gjallët kërkojnë realizimin e amaneteve. Vetëm kështu ata  pushojnë të qetë në tokën e lirë, për lirine e së cilës derdhen gjakun e dhanë jetën e tyre.

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia-20 vjetori-Abdyl Ramaj

Ohajo dhe Teksasi e presin Trumpin me protesta

August 8, 2019 by dgreca

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vizituar dy qytetet ku ndodhën të shtënat në masë, por vizita u shoqërua me protesta dhe grindje me politikanët lokalë.Presidenti Trump bëri thirrje për unitet pas sulmeve në Teksas dhe Ohajo, pasi vizitoi të mbijetuarit e sulmeve dhe zyrtarët e emergjencës.Megjithatë, kritikat për retorikën e tij dhe mungesën e veprimeve për kontrollin e armëve, nuk pushuan.

Në El Paso të Teksasit, disa protestues bartnin parulla duke thënë “Racist, shko në shtëpi”.

Skena të ngjashme pati edhe gjatë vizitës në Ohajo. Përkrahësit e presidentit Trump gjithashtu dolën në rrugë.

Gjatë fundjavës, nga të shtënat me armë në El Paso dhe Dejton vdiqën 31 njerëz dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Si u prit presidenti Trump në El Paso?

Presidenti Trump dhe gruaja e tij Melania u takuan në aeroport me guvernatorin e Teksasit Greg Abbott dhe kryebashkiakun e El Pasos, Dee Margo.Më pas, ata kaluan më shumë se një orë në Qendrën Mjekësore Universitare të qytetit duke biseduar me stafin dhe viktimat para se të udhëtonin në qendrën e operacioneve të urgjencës.Disa protestues përgjatë rrugës mbajtën pankarta me mbishkrimet: “Shkoni në shtëpi. Ju NUK jeni të mirëpritur këtu!”.Kongresistja demokrate që përfaqëson El Pason, Veronica Escobar, nuk pranoi ta takonte atë, duke thënë “fjalët dhe veprimet e tij raciste dhe urrejtëse” i kishin shkaktuar dhimbje komunitetit dhe vendit të saj.Të shtënat në El Paso, që lanë 22 persona të vdekur, po trajtohet si një krim i mundshëm i urrejtjes.Pjesa më e madhe e qytetit identifikohet me origjinë hispanike dhe i dyshuari që mendohet se është autori i një teksti të postuar në internet, në të cilin thoshte se “ky sulm është një përgjigje ndaj pushtimit hispanik të Teksasit”.

Si kaloi vizita e presidentit në Dejton?

Pasi çifti presidencial u takuan në një bazë ajrore lokale me kryetarin e bashkisë së Dejton, Nan Whaley, shkoi në Spitalin e Miami Valleyt të Dejtonit për të takuar të mbijetuarit, dhe punonjësit e urgjencës si dhe stafin.”Ju keni pasur shikimin e Zotit. Unë dua që ju të dini se ne jemi me ju””, u tha presidenti të mbijetuarve dhe familjeve të tyre.Protestuesit në Dejton mbajtën pankarta me mbishkrimet “Bëni diçka” dhe “Shpëtoni qytetin tonë”.Kryetari i qytetit, Whaley, dhe senatori demokrat i Ohajos, Sherrod Brown, e vlerësuan të drejtë vizitën e presidentit amerikan duke thënë se ai ishte pritur mirë nga viktimat.Komentet e presidentit Trump u bënë pas të shtënave masive me armë zjarri, në Teksas dhe Ohajo, ku mbetën të vrarë 31 persona, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.

“Këto ideologji të gabuara duhet të mposhten”, tha Trump në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

“Urrejtja nuk ka vend në Amerikë. Urrejtja shtrëngon mendjen, shkatërron zemrën dhe gllabëron shpirtin”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai bëri thirrje për reforma të kontrollit të armëve; një fund për madhështimin e dhunës në shoqëri, dhe dënimin me vdekje për ata që qëndronin pas sulmeve.

“Me një zë, kombi ynë duhet të dënojë racizmin, fanatizmin dhe supremacinë”, tha Trump.

Presidenti tha se kishte urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të punojë me autoritetet lokale dhe kompanitë e mediave sociale për të zbuluar sulmet para se të ndodhin.Ai tha se interneti, media sociale dhe video-lojërat e dhunshme, kishin ndihmuar në radikalizimin e njerëzve.Nëntë njerëz vdiqën në të shtënat në Dejton. Sulmuesi, 24-vjeçari Connor Betts, u qëllua për vdekje nga policia brenda 30 sekondave pasi ai hapi zjarr. Motra e tij ishte ndër viktimat.

Policia ende nuk ka vendosur për motivin përfundimtar që çoi në sulmin që ndodhinë Dejtoni, por thotë se ata kanë zbuluar prova “se sulmuesi ishte duke eksploruar ideologji të dhunshme”.

Çfarë kishte thënë presidenti Trump pas sulmeve?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje për veprime të menjëhershme për të parandaluar dhunën me armë zjarri, duke thënë se amerikanët duhet të “dënojnë racizmin, urrejtjen dhe supremacinë”.Përgatiti: Kestrin Kumnova-Evropa e Lire

Filed Under: Politike Tagged With: Vizitat e Presidentit-Trump- Ohajo-Teksas

ZHURMA BAHET ME HARRUE !

August 8, 2019 by dgreca

KOLEGJI  SAVERIAN SHKODER

SIKUR…

Në ballin e Kolegjit n’foto asht Stema me Shqipen Dykrenare, dhe e shkrueme “Per Zot, Per Atme e Perparim”.Gjithshka e pershtatun me kulturen dhe qytetnimin Europjan. Aty u zbatuen programet ma të zgjedhuna e metodat ma të perparueme të formimit të brezit të rij në lamin e gjithanshem Perëndimor. Aty zbatohej arsimi dhe kultura ma e plota.Ajo shkollë i referohej tre drejtimeve themelore: “Punë –  Shkencë – Disiplinë”.Mësimi zhvillohej në klasa, kabinetet e fizikës, të kimisë dhe biblioteka shumë e pasun e Jezuitëve. Këtu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, dhe ‘Gramatika’ e parë Shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thonte Don Ndre Mjedja; e para gramatikë në Ballkan; veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj., skedari i famshëm i Atë Zef Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat ma vonë do të grabiteshin nga “dr. prof., e Akademisë së Shkencave RPSSh…” 

Duhet kujtue Don Luigj Maca, dhurues i 1100 napolonave, si dhe familjet e nderueme të Shkodres që ndihmuene hapjen e kësaj qendre edukative e mësimore të rallë në Ballkan.

Në pullazin e Kolegjit ishte edhe Stacioni Meteorologjik, i vetmi në gjithë Ballkanin…

Në 1906 Prifti anglez Ruter solli një top me disa rregulla futbolli të shkrueme, që u bane loja e dashtun e Vllaznisë mavonshme, ku lulzoi Loro Boriçi e mbarë Rinia Shkodrane! 

Volejbollistët e basketbollistët zanafillen e vet e kanë në oborrin e këtij Kolegji. Këtu pat lëshue trup edhe Mark Çuni, i Pari Demokrat i Europës Lindore në Maji të 1945, per të cilin Don Mark Hasi, bashkohës i Tij thonte: “Ai nuk i vjen ma Rinisë Shqiptare !”(1954)

1841, SIKUR… VJOLLCAT EDHE  SHKODRA !.. 

Ndertesa në krahun e djathtë, pra ndertesa me harqe, që siper kishte Teatrin e Kolegjit, i Pari në Shqipni.., të fliste nga gurt’ e varrosun n’ atë Tokë të Bekueme, mbas vitit 1960.., dhe të shpjegonte sesi aty u le arti dramatik me vlera të panjohuna edhe sot gati mbas 200 vjetësh, që i dha jetë dhe lavdi kulturore Kryeqytetit Ilirisë, Shkodres… Asaj Bij’ së re, të bukur dhe Burrneshë të Rozafës së Pavdekshme, Heroinë e Nderueme nder shoqet e veta të Ballkanit, Trimneshë e Bujare e Sokolave të Kastriotit, ku sofrat e fitoreve u janë shtrue e çue prej pasuesve të Oso Kukës dhe, deri tek Martirët e paharrueshem t’ Atyne Maleve që nuk njohin mort e marre nga Kullat e Prek Calit, Ded Cokut, Gjelosh Lulit e sa mija të tjerve.., rreth Votres Shkodrane të shemun të Luigj Gurakuqit… E, deri poshtë Drinit nder rranojat e At Gjergj Fishtës, ku Flamuri i Shqipnisë vazhdon me u valvitë nder vargjet e Lahutës së Malcisë!..E shitun dhe e turpnueme perjetë të jetës, nga pasues tradhtarë e “Rilindas” vrastarë, të pjellun nder sarajet sllavo – anadollake të Tiranës… 

               Melbourne, 8 Gusht 2019.                                

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani- Kolegji Saverian- Shkoder

8 GUSHT, KUR U NDAL RILINDJA E KOSOVES….

August 8, 2019 by dgreca

NGA FRITZ RADOVANI/
Gazeta historike Rilindja, si nuk u ndal edhe kur u ndalua para 29 viteve…/ 
-Në 8 Gusht 1990 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk doli, natën ishte ndaluar në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë/ 
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 8 Gusht 2019/ Kosovës para 29 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, por nuk arriti ta ndalë. 
“Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Në mëngjesin e para 29 viteve – të 8 Gushtit 1990, me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë me makinë shkrimi. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…
“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve), t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.
Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.
Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja në revistën Fjala me shpeshtime botimi vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…
Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.
Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.
Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.
Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.
Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.
“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.
“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis.       
 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.
 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…
Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi  për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja”.
“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.
Në arsyetimin e  kërkesës për 
privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës 
Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të 
Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.
Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
RILINDJA NË KOHË LUFTE,  NË RAPORTIME TË SHKURTIT 1999 TË QENDRËS PËR INFORMIM TË KOSOVËS DHE TË AGJENCISË SHTETËRORE-ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË:
http://www.kosova.com/ arkivi1997/i990212b.htm
 
U shënua 54-vjetori i gazetës së përditshmes “Rilindja” 


Prishtinë, 12 shkurt (QIK) – Sot në Pallatin e Shtypit në Prishtinë, gazetarë dhe punonjës të shumtë shënuan përvjetorin e 54 të botimit të gazetës së përditshme “Rilindja”.
Përvjetorin e kësaj gazete e shpalli të hapur Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar i “Rilindjes”, i cili në fillim nga të pranishmit kërkoi një minut heshtje në nderim të gazetarit dhe kolegut të kësaj gazete, Afrim Maliqi, dhe për viktimat e rëna nga terrori shtetëror serb.
Në vazhdim, z. Jashari theksoi se “sot për herë të parë po e shënojmë përvjetorin e kësaj gazete pa botimin e saj, përkatësisht pas ndalimit të dytë të gazetës sonë nga regjimi serb”. Në vazhdim z. Jashari foli për shembëlltyrën dhe personalitetin e çmuar të Afrim Maliqit, i cili u vra dhjetorin e kaluar nga shërbimi sekret serb. Duke folur për të ardhmen e të përditshmes “Rilindja”, z. Jashari shfaqi shpresën se së shpejti e përditshmja “Rilindja” do të jetë sërish në duart e lexuesve, pasi për këtë ekziston edhe një vullnet nga ana e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.
Në vazhdim, fjalën e mori zëvendëskryeredaktori i “Rilindjes”, z. Bajram Kabashi, i cili theksoi se “përvjetori të cilin e po e shënojmë sot, për herë të parë në historinë mbi gjysëmshekullore të daljes së “Rilindjes” është i veçantë, sepse këtë ditë jemi tubuar që përpos të përkujtojmë historinë dhe traditën e bujshme të gazetës sonë, së bashku me juve kolegë të nderuar të profesionit, jemi tubuar këtu të shprehim pezmin dhe kundërshtimin tonë për ndalimin e gazetës “Bujku” që nga 16 dhjetori i vitit të kaluar. Kjo u bë me pretekstin e gënjeshtërt e manipulativ, se kinse i paskemi borxh fantom organizatës “Panorama”, e cila lindi si rezultat i heqjes së gjysmëautonomisë së Kosovës para një decenie”.
Në vazhdim Bajram Kabashi theksoi se “Rilindja’ filloi të botohet këtu e 54 vjet më parë, ndërsa si e përditshme, gazeta jonë botohet tash e 41 vjet. Ndalimi i “Bujkut” në fund të vitit të kaluar, shënon përpjekjen e fundit të Serbisë për të shuar zërin autentik të “Rilindjes” dhe të traditës pozitive të gazetës, e cila gjithnjë ishte në shërbim të aspiratës së popullit tonë për liri e pavarësi nga regjimi serb.
Kërkojmë urgjentisht nga regjimi serb që të na e kthejë pasurinë e plaçkitur me vlerë prej 400 milionë markash gjermane. Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës shqipe dhe për këtë kemi mbështetje e solidarizim gjithkombëtar e ndërkombëtar”, përfundoi Kabashi.
Në vazhdim zëvendëskryeredaktori i “Rilindjes”, i njoftoi të pranishmit se juria e përbërë nga gazetarët Shyqri Galica, Ali Cenaj e Frrok Kristaj, vendosi që çmimin për gazetar të decenies (çmim ky që e përditshmja “Rilindja e ndan për herë të parë), t’ia ndaj korrespodentit të “Rilindjes” nga Klina, z. Prend Buzhala, ndërsa shpërblimi tradicional “Gazetar i vitit” iu nda dy gazetarëve të “Rilindjes”, Evlianë Beranit e Zeqir Bekollit, si dhe fotoreporterit të kësaj gazete, Ilaz Bylykbashit.
Në fund të këtij përvjetori, gazetari Behlul Jashari i njoftoi të pranishmit se tash e tutje çmimi “Gazetar i vitit”, të cilin e përditshmja “Rilindja” e ndan çdo vit, do të ndahet me emrin e gazetarit dhe kolegut të nderuar Afrim Maliqi, propozim ky i cili nga të pranishmit u pranua me emocione e duartrokitje.
Nga ky manifestim iu dha përkrahje e plotë delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë, si dhe u përshëndet uniteti i këtij delegacioni.
 
http://www.hri.org/news/
balkans/ata/1999/99-02-22.ata.html




[14] Rilindja appears in Prishtina after nine-year ban
PRISHTINE, Feb 22 – ATA correspondent reported that the Albanian daily Rilindja was published on Monday in Prishtina after nine-year ban imposed by the Serb regime.The daily was published despite the fact that the ban was still in place. It was printed in a private printing house because the Rilindja publishing house and all its property in Kosova worth 400 million marks were occupied and seized by the Belgrade regime.
The preparation for the newspaper was done under extremely difficult conditions outside the building of the Press Palace where the Serb police had banned the work of its employers since last year when Bujku was also banned. /la/ak/

Albanian Telegraphic Agency
 

(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës “Bujku” që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Kur u dal Rilindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 921
  • 922
  • 923
  • 924
  • 925
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT