• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

230 VJETORI I DIPLOMACISE AMERIKANE 1789-2019

July 31, 2019 by dgreca

Marrëdhëniet Diplomatike Shqiptaro-Amerikane/
                                            Nga Frank Shkreli*/

27 Korriku 2109 shënoi 230-vjetorin e themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH).   Sipas (DASH) ky përvjetor paraqet një rast unik për të nënvijuar historinë dhe trashëgiminë e rolit të rëndësishëm që ka luajtur diplomacia amerikane në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen.   DASH organizoi me këtë rast të veçantë, një ceremoni të sponsorizuar nga Sekretari aktual Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.   Pjesë e këtij aktiviteti me rastin e 230-vjetorit të themelimit të diplomacisë amerikane, ishte edhe disa nga gjigantët e kësaj diplomacie, përfshirë ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Henry Kisinger dheme biografin e tij zyrtar, Niall Ferguson, ndërsa ish-Sekretarët e Shtetit Madeline Albright dhe George Shultz kanë dërguar video mesazhet e tyre për të përshëndetur këtë përvjetor.   Të pranishëm ishin edhe një numër historianësh dhe ekspertë të diplomacisë amerikane.

Në fjalimin e tij me këtë rast, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha të pranishëmve se, “Me 4 Korrik, 1776, baballarët tonë deklaruan se të gjithë njerëzit kanë lindur me të drejta të barabarta.   Ata kanë thënë se të gjithë ne, secili prej nesh, jemi të pajisur (nga Perëndia) me të drejta të pa tjetërsueshme.   Ne të Departamentit Amerikan të Shtetit, tha kryediplomati amerikan, Pompeo, ndjekim shembullën e baballarëve tanë.   “Ne përdorim diplomacinë për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës.   Ne zhvillojmë negociata si me miqë ashtu edhe me armiqët tanë, për të mënjanuar konfliktet ushtarake me qëllim për të parandaluar vrasjen e njerzëve të pafajshëm.   Ky është një mision që ne duhet ta marrim shumë seriozisht në çdo moment të veprimtarisë tonë”, ka thënë Pompeo.   “Ne mbështesim kombet që duan të ruajnë pavarësinë e tyre nga influencat e huaja.   Jemi me fat se ne e kemi bazën e vendosur mbi autoritetin unik moral të vlerave amerikane, në mbështetje të atyre personave që nuk kanë asnjë zë në mbrojtje të drejtave tyre kur abuzohen të drejtat e tyre të njeriut”, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, në fjalën e tij në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.   Ai foli për të kaluarën e DASH, duke falënderuar të gjithë ata që për 230 vjet, kanë punuar në fushën e diplomacisë amerikane, duke përmendur disa persona me emër, të cilët, theksoi Pompeo, na kanë treguar me punën e tyre se çfarë enti diplomatik është DASH dhe se cili është misioni i diplomacisë amerikane.  “Këta heronjë diplomatikë, me shembullën e tyre kanë përgatitur rrugën për ne, jo vetëm duke mbrojtur lirinë nepërmjet punës së tyre, por duke qenë njëherazi edhe shembull shërbimi njerëzor”, ka thekësuar Pompeo.

Duke shikuar drejtë të ardhmes, Kryediplomati i SHBA-ve tha se është radha jonë tani që të përgatisim rrugën për ata që vijnë pas nesh, duke përcaktuar me punën tone sot se çdo të thotë të jeshë anëtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.   “Ne duhet të jemi, Një grup pune që bashkpunon për Një Mision të vetëm drejtë Një të Ardhme të vetme”, ka porositur ai kolegët e tij në DASH.   Kjo duhet të ndodhi, nënvijoi Pompeo, nga një administratë në tjetrën, nga një brez në tjetrin, si dhe nga detyra në detyrë, ashtu edhe prej një roli në tjetrin, cilët do qofshin ato – të angazhuar — theksoi Mike Pompeo — “Në mbrojtje të Kushtetutës dhe të popullit amerikan, duke shërbyer me profesionalizëm dhe integritet dhe me përgjegjësi për çdo veprim që ndërmarrim gjatë detyrës tonë”, është shprehur ai.

Sekretari Amerikan i Shtetit përfundoi fjalën e tij në ceremoninë e 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u bërë thirrje kolegëve të tij, që me punën e tyre sot, të shërbejnë si shembull për diplomatët e ardhëshëm amerikanë.   “Le të jemi shembull i mirë për ta, duke mbrojtur parimet amerikane, të cilat e kanë bërë Kombin tonë më të madhërishmin në historinë e botës.”

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane nuk mund të thuhet se ishin normale gjatë kësaj historie 230-vjeçare të diplomacisë amerikane.   Shtetet e Bashkuara, sipas portalit të DASH, kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në vitin 1922, pas shpalljes së pavarësisë më 1912 nga Perandoria Otomane.   Marrëdhëniet diplomatike midis Tiranës dhe Washingtonit janë ndërprerë në vitin 1939 për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-43) dhe nga Gjermania (1943-44), gjatë Luftës së Dytë Botërore.   Siç dihet pas luftës, për arsye të vet-izolimit diplomatik nga diktatori stalinist Enver Hoxha, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike.   U desht të pritej deri në prillin e vitit 1991 — kur me shëmbjen e Murit të Berlinit ra komunizmi në Evropën Lindore e Qendrore — që të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.   Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit arrijti në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe qëndroi atje në mars/prill, 1991.   Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më pak më vonë atë vit me 1 tetor 1991, me diplomatin Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë “ad interim”, i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Rajerson, i cili i paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Unë me disa shqiptaro-amerikanë patëm nderin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike në vitin 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.   Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z Rejmond G.H. Saitc, tha:  “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar.   Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që ka vizituar Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit nga regjimi i Enver Hoxhës.   Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, me batica dhe zbatica, nga koha në kohë, varësisht gjëndjes së brendshme politike të Shqipërisë, kryesisht si rrjedhim i konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis dy partive kryesore të vendit,si dhe për mungesë të rendit ligjor dhe të korrupsionit që ka përfshirë aktualisht nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi

Megjith vërejtjet dhe kritikat midis miqëve, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm, Kombi shqiptar nuk ka as nuk besoj se do të ketë mik më të madh se Amerikën.   Kjo është treguar herë pas here nga Washingtoni, madje edhe gjatë periudhës izolacioniste të Enver Hoxhës, ndërkohë që Washingtoni gjithmonë ka shprehur respektin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse jo për regjimin e asaj kohe.

Nëqoftse më lejohet një shënim personal – në këtë 230-vjetor të themelimit të diplomacisë amerikane dhe pothuaj 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Tiranë-Washington – e ndjejë veten të privilegjuar që isha në Tiranë me delegacionin e parë diplomatik të DASH – një ngjarje kjo që shënoi këthimin e pranisë diplomatike amerikane në Shqipëri pas një mungese prej pothuaj 50-vitesh.   Është normale që midis miqësh të ketë periudha ftohjeje në marrëdhëniet midis tyre. Kjo ndodhë edhe me aleatët më të ngushtë amerikanë.   Por lind pyetja se ç’duhet bërë që këto marrëdhënie të mos pësojnë ftohje, pasi keqësimi i marrëdhënieve Tiranë-Washington është më shumë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar se sa në dëm të htë Bashkuara.   Kyçi për qendrueshmëri në marrëdhëniet dypalëshe, janë vlerat e përbashkëta.   Nga pikëpamja ime, ashtu siç është rasti edhe me shtete të tjera të rajonit dhe botës, kjo miqësi midis dy Aemrikës dhe Shqipërisë shtohet me forcimin e demokracisë së vërtetë dhe të institucioneve të shtetit, me zbatimin e ligjeve, me luftën serioze kundër korrupsionit dhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut.   Por mbi të gjitha, lidhjet midis dy vendeve forcohen me bashkpunimin e të gjitha forcave politike shqiptare duke zhvilluar një diskurs normal politik, duke venë interesin e kombit dhe të popullit të vet mbi interesat personale e partiake, me përcaktimin e disa qëllimeve të qarta, afat shkurtëra dhe afatgjata kombëtare.   Gjatë 230 vjetë diplomaci, Shtetet e Bashkuara kanë treguar se një klasë politike, ose një politikan, kudo në botë, që nuk punon për të mirën e përbashkët dhe për mirëqenjen e popullit të vet, pa dallim, nuk është një aleat i denjë.   Mos të gënjehet ndonjë politikan shqiptar!   Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk varen nga ndonjë politikan i përkohëshëm, as nga ndonjë ideologji, as parti politike, por konsiderohen si marrëdhënie popull me popull, bazuar në disa vlera, parime dhe të drejta universale të njeriut, pa marrë parasysh se cili person ose cila parti udhëheq qeverinë shqiptare, në një kohë të caktuar.   Si me çdo shtet tjetër, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të bazuara në parimin se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barbarta, pa dallim.

Në këtë 230-vjetor të themelimit të Diplomacisë Amerikane, Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo u angazhua se Shtetet e Bashkuara – në marrëdhëniet e tyre me të gjitha shtetet — do të vazhdojnë të përdorin diplomacinë, duke u bazuar në, “Autoritetin unik moral të vlerave Amerikane”,   “për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme të njeriut, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës”, deklaroi të hënën në Washington, Mike Pompeo në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991.

Filed Under: Featured Tagged With: FranK SHKRELI-230 Vet-Diplomaci

Kush janë fitimtarët?

July 31, 2019 by dgreca

Mendime rreth një debati/

Nga Reshat Kripa/

            Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. E majta ngul këmbë se është ajo fitimtarja e kësaj beteje ideologjike. E djathta gjithashtu. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më trepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Këto debate zhvillohen ndërmjet po atyre figurave analistësh që i kemi parë dhe stërparë çdo ditë në këto ekrane. I kemi parë për të gjitha çështjet që preokupojnë opinionin publik shqiptar, që nga ato më të thjeshtat dhe deri tek më të rëndat. Për të thënë të vërtetën na ka marrë malli të shohim figurën e një analisti të ri, të studiuar në universitetet më në zë të botës demokratike. Por, çuditërisht, për këta individë dyert e televizioneve tona janë të mbyllura. Ato janë bërë pronë e analistëve të përjetshëm.

            Vetëm një gjë nuk kemi dëgjuar prej tyre, kush është fitimtari i kësaj beteje që ka vite që ka filluar dhe ende nuk po gjen zgjidhje. Pikërisht kësaj pyetje dua t’i kushtohem  në shkrimin tim. E di që disa do të më quajnë ballist, dikush tjetër legalist, një i tretë kolaboracionist e kushedi se çfarë tjetër. Për t’u hequr merakun do të doja t’u thoja se rrjedh nga një familje që nuk ka pasur asnjë pjestar nga fisi i saj me ballin apo legalitetitn, asnjë person  të arratisur jashtë shtetit për motive politike. Madje kemi qenë të lidhur, më tepër me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Nuk e them këtë se dua të mburrem. Përkundrazi, do të doja që të mos ishte kështu. Por situata e atyre viteve ishte e tillë që njeriu nuk arrinte të kuptonte se kush ishte rruga e  drejtë  që duhej  të  ndiqte, ndaj  jo rrallë herë zgjidhte rrugën e gabuar.

            Ju do të thoni atëherë se si ka mundësi që mendimet e mia bien në kundërshtim me prejardhjen familjare. Përgjigjen ua jap unë. Ishte vetë komunizmi që më bëri të tillë. Duke qenë në konditat e përshkruara më sipër, çuditërisht, një ditë vjeshte të vitit 1946 një makinë ndalet para portës tonë  në Tiranë dhe na rrëmben e dëbon në qytetin e lindjes, në Vlorë, ku pas atij çasti, trajtoheshim si armiq të sistemit komunist. Kjo bëri që unë të ngrihesha kundër tij. U ngrita dhe këtë e pagova me disa vite burg. Por, fatmirësisht, burgu u bë një shkollë e veçantë për mua. Aty, nëpërmjet disa figurave të paarritshme, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër nga ajo që unë kisha mësuar në shkollën komuniste. Mësova historinë e vërtetë të këtij kombi dhe këtë histori dua ta pasqyroj në këtë shkrim. Nuk jam as historian, as analist, por dua të shpreh atë që kam dëgjuar me veshët e mi dhe atë që mendoj se është e vërteta.

            Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa e paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Sikur forcat balliste të kishin qenë bashkëpuntore të pushtuesve, përse komunistët pranuan bisedimet me ta, madje arritën edhe në një marrëveshje së bashku  në Konferencën e Mukjes, marrëveshje që e braktisën pa u tharë ende boja me të cilën ishte nënshkruar? Përse ndodhi kjo? I kujt ishte faji? Natyrisht jo i nacionalistve, pasi ata i qëndruan besnik asaj. 

            Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës,  komunistët hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit  pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që legalistët, me në krye heroin e 7 prillit 1939, Abaz Kupin, të rreshtoheshin në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, parullë që solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon disa herë   atë   të  luftës   kundër   okupatorit, nga   të   dyja  forcat ndërluftuese.

            Lexojmë shpesh medimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që,  në të vërtetë,  u zjen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë  të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam  kujtimet e mia të fëminisë kur ata burra të shquar, në konditat e ferrit komunist më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte botuar në gazetën “Flamuri” në Itali në vitin 1946.  Titulli ishte “28 nëntor 1939”, ku shkruhej:

            A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”

            Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës.  Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:

            “Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg, mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm rreth. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas tanë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…

            Ndërsa në fund autori shkruante:

            Atë natë ne kënduam  me  zjarr. Atë  natë  ne folëm  me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të  lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll…

            Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…”Përse? Sepse komunistët nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi kryeqëndra e tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.   

Këto fjalë i thotë një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё janar tё vitit 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё lёvizjen antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. U vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishin vendosur edhe Mithat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinёfranceze nёUniversitetin e Bolonjёs. Nёvitin 1950 emigroi nёShtetet e Bashkuara. Nёmesin e viteve ‘50 filloi punёn pranёseksionit shqip tёRadio “Europa e Lirё”dhe nёvitin 1959 filloi punёn nёShkollёn Ushtarake tёGjuhёve nёqytetin Bloomington tёshtetit Indiana. NёUniversitetin Indiana mbaroi studimet e larta dhe nёvitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nёfushёn e gjuhёsisё. Nёvitin 1967 u emёrua profesor nёUniversitetin Western Kentucky ku qёndroi deri nёvitin 1972. Prej vitit 1974 e deri nёvitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nёTripoli tёLibisёdhe prej vitit 1978 e deri nёvitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nёNapoli tёItalisё. Gjatёkarrierёs sёtij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tёndryshme pёr gjuhёn shqipe. Nёvitin 1949 kishte botuar nёItali poemёn “Fytyrёe Kombit” kushtuar Mithat Frashёrit. Ky ishte Bardhyl Pogoni.

            Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri e mbylli me humbje jetën e tij. Jo, mor zotërinj! Ai humbi vetëm një betejë dhe këtë betejë e humbi sepse nuk ishte vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishte i prapaskenave të pështira si ju. Ai ishte për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të  botës së lirë. Ndoshta me të vërtetë gaboi, por ai nuk donte të derdhte gjak shqiptari si ju. Nuk donte të ngjallte ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donte bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira.

            Le të kthehemi tani në temën e ngritur në fillim  të këtij shkrimi: “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit,  të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit,  ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi,  ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

            Përfaqësuesit e idesë së parë  ishin Mithat Frashëri me pasuesit e tij. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona  për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruar fletën dhe u kthyet në socialistë apo demokratë.

            Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë,  pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij, sepse pikërisht idetë e tij fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. Tani për tani,  keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë juve ju prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Reshat Kripa-Debati-Fitimtaret

Jargë e pështymë lakejsh mbi teatrin kombëtar

July 31, 2019 by dgreca

Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të bjerë. /

Nga K. P. TRABOINI/

Një mik në Facebook, nuk po e rëndoj ti përmend emrin se më duket një mjerim i madh, më shkroi plot pezëm e mllef kundër Teatrit Kombëtar. Biseda u zhvillua kësisoj. Pasi që shkroi sfidues të shembet teatri kombëtar, i shkrova: “po për ato 6200 metra tokë publike që vidhet për 6 kulla, o njeri, si nuk ta dha shpirti të flasësh një fjalë, apo bëji nënën pasurisë së popullit. Si para 90-tës dhe tani… Një avaz”.  Pas kësaj mora këtë mesazh publik: “Fola për teatrin e jo për Ramën e Bashën … se ajo kufomë, që quhet teatër, nuk e mban dot luftën që bëhet midis të djathtës dhe të majtës”. Duke qenë se unë personalisht nuk bëj luftë as për të djathtën e as për të majtën (nuk kam qenë as anëtar i PPSH për dijeni të folësit ish komunist), por për vlerat, traditat e historinë kombëtare, i ktheva këtë gjegje sharësit të atij Teatri që unë e konsideroj një altar të fjalës së bukur shqipe: – Vërtetë ti fole për Qengjin, të mora vesh, dhe jo për Ujkun. Fajin e paska qengji (Teatri) se po ja turbullon ujin Ujkut të Zi të Tiranës. Me sa po shoh po ta turbullon edhe ty. Çudi… Alegori sfilitëse kjo për mafiozët e pushtetit dhe ata që u shkojnë pas si hije. Bishtukaxhijtë e shallvarexhiut, që mjerueshëm më kujton Haxhi Qamil Xhametën e Sharrës, që i ngeci qafa në litar. Atë fund paçin të gjithë zullumqarët që e tundojnë dhe e keqtrajtojnë popullin e vet. Nëse kalon nga Teatri Kombëtar kur të vish me pushime nga New Yorku, aty tek sheshi më ke. E di që të marrët mund ta prishin me një ngazëllim neronësh , por qëndresa e kundërshtimi ndaj të keqes që ka pllakosur Shqipërinë nuk duhet të na stepë, ndryshe kemi humbur më të çmuarën në jetë, lirinë. Teatri si ngrehinë është preteksti i sinjor shallvares, këtij Arturo Ui i kohës sonë postkomuniste, që na ka pllakosur e nuk dimë si do shpëtojmë prej tij. Agjenda e tij është më e gjerë sigurisht. E të mos harrojmë se kështu kanë nisur të gjitha tiranitë dhe rreziku i diktaturës nuk është vetëm një ëndërr e keqe. Nuk kemi përtuar të jemi në ballë të situatave në janar- shkurt 1991, e si mund të topitemi tani përballë vemjeve moniste të diktaturës e të mafies që kërkon të gllabërojnë pasuritë kombëtare me dëshirën e çmendur për pushtet absolut. Nuk ka artistë të vërtetë që ti lëpihen qeverive, përkundrazi artistët e vërtetë  janë opozitarë me çdo qeverisje të keqe. Koha ka treguar dhe po e tregon përditë se, lëpirësit janë e mbetën vetëm lëpirës, ndyrësisht, jargë e pështymë sundimtarësh. Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të bjerë. 30 korrik 2019 

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini-Teatri-idiot i trallisur

REFLEKSI I QELLIMIT

July 31, 2019 by dgreca

Refleks i qëllimit/
Nga Astrit Lulushi/

Shumë e njohin Ivan Pavlovin përmes eksperimentit të tij me qentë të cilët mësohem të hanë me orar të përcaktuar nga rënia e ziles.
Por ekziston edhe një zbulim më pak i njohur, por po aq i rëndësishëm e me ndikim në psikoterapinë e sotme. Studimi “Refleksi i Qëllimit” zë fill në vitin 1924. Shkrirja e akullit në Shën Petersburg gjatë pranverës së atij viti bëri që Lumi Neva të përmbyste bodrumin, ku Pavlovi kishte vendosur laboratorin e tij. Uji vërshoi në kafazet e qenve që ai i mbante për eksperimente. Qentë mbijetuan përmbytjen, por pasi uji u tërhoqur ata mbetën të shokuar; një pjesë u çrregulluan në sjellje, të tjerë qëndronin shtrirë pa asnjë interes për çfarëdo që mund të ndodhte rreth tyre.
Pavlovi e interpretoi këtë gjendje si shenja të frikës që qentë kishin provuar gjatë përmbytjes. Tani dihet se palëvizshmëria fizike dhe humbja e kuriozitetit janë gjithashtu tipike për njerëzit e traumatizuar.
Disa prej qenve rrinin duke u dridhur në cep të kafazeve të tyre, ndërsa të tjerë përuleshin e bindeshin kur dikush i godiste – përsëri, sjellje të njohura sot tek njerëzit e traumatizuar.
Pavlov tregoi se pas ekspozimit ndaj stresit ekstrem, kafshët gjejnë një ekuilibër të ri të brendshëm. Qentë e traumatizuar vazhduan të veprojnë sikur të ishin në rrezik të madh, shumë kohë pasi ujërat e Nevës ishin qetësuar. Kur Pavlovi mori matjet për kontrollin e shëndetit të tyre, ai gjeti se zemra ishte bërë më e ndjeshme ndaj streseve të vogla dhe ia atribuoi këto ndryshime ekzistencës së dy impulseve të kundërta të qenieve në konflikt: gjatë përmbytjes qentë ishin imobilizuar fizikisht – të bllokuar në kafazet e tyre – ndërsa trupat e tyre ishin programuar të iknin me vrap kur ndodheshin përballë kërcënimit. Kjo rezultoi në përplasje midis dy proceseve të kundërta; ngacmimit dhe frenimit, vështirë për t’u akomoduar njëkohësisht…që shkakton prishje të ekuilibrit, kur organizmi nuk mund të bëjë asgjë për të ndikuar në të pashmangshmen….
Në Shqipëri, të gjithë ata që janë përballur me realitetin e errët të “diktaturës së proletariatit” mbetën të pafuqishëm, të ngrirë përballë pashmangshmërisë, fenomen që mjekët sot e quajnë kritik për të kuptuar dhe trajtuar qeniet njerëzore të traumatizuara e poshtëruara.
Në fund të fundit, agonia e qenëve në kafazet e tyre përgjatë lumit Neva mund të mos kenë qenë shumë ndryshe edhe nga ajo e fëmijëve, të cilët pengohen nga prindërit ose mësuesit e tyre dhe pastaj nga që nuk kanë ku të shkojnë, luftojnë brenda vetes me dy impulse të kundërta, për t’u nënshtruar ose për të ikur për t’i shpëtuar dhimbjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-Refleksi i Qellimit

GRADOHEN DY POLICË SHQIPTARË NË NEW YORK

July 30, 2019 by dgreca

New York, 30 Korrik 2019- Sot në Police Plaza në Manhattan, Neë York, dy Policë shqiptare u promovuan ne graden e detectivitit. Dy detectivat e rinj shqiptarë janë: Krasniqi dhe Cevi.

          Diellit ia konfirmoi lajmin z. Elton Shametaj, oficer i policisё sё Nju Jork-ut,dhe aktivist i njohur pёr komunitetin shqiptar. Ai tha pёr Gazetёn “DIELLI” se ndjehet i gёzuar qё po shtohen radhёt e policёvё shqiptarё me djem të shkolluar dhe të aftë proefsionalisht, që nderojnë veten, Kombin nga vijnë, familjen dhe natyrisht edhe komunitetin shqiptar në SHBA,i cili mburret me ta.  

Oficeri Shametaj, përmes gazetës Dielli uron djemtë për suksesin, por edhe komunitetin. Ai kërkoi që lajmin e gëzuar ta përcjellë përmes gazetës më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës, e cila ka hyrë në vitin 111 të egzistencës së vet në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Faleminderit Elton!  

Oficeri Elton Shametaj i shkroi Diellit: Uroj nga zemra, që gjithmonë shqiptarët të arrijn të ngjiten në lartësitë që dëshirojnë, pasi ky shtete, djep i demokracisë na i jep të gjitha mundësitë…

Një urim të vecantë përcjellin Belis Kasafi dhe Agron Kaci,të cilët nё emёr tё organizatёs sё Policёve Amerikano-shqiptarё i urojnë sukses Kevin dhe shpresojnë se ai do ta cojё mё tej traditёn familjare.
Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i urojnё detekivët e rinj shqiptaro-amerikanë dhe përcjellin urime tё gjithё policёve shqiptaro-amerikanё, duke u uruar atyre suksese nё detyrё dhe të ndjehen krenarë për detyrën që kryejnë. Komuniteti shqiptar ndjehet i sigurt se në radhet e rujatësve te rendit janë edhe ata, bijtë e Shqipes, oficerët me origjinë shqiptare, që për të ruajtur rendin janë përherë në krye të detyrës.

Eshtë kënaqësi dhe cdo kush provon krenari që të shohë dy shqiptarë të marrin vlerën e vërtetë të punës së tyre dhe dijeve të fituara në këtë vend model të demokracisë. 

Përmes Gazetës Dielli, edhe organizata studentore”John Jay College” i uron detektivat e rinj për gradimin dhe shpreson që ata të arrijnë suksese të mëtutjeshme në radhёt e policisё.        Tash numri i policëve shqiptare ne Amerikë  është i ndjeshëm. Kombi ynë  ndjehet krenarë me ata, dhe ata vetë ndjehen përfaqësues krenarë të Kombit të vet!

Filed Under: Featured Tagged With: Gradohen-dy police shqiptar NY-Elton Shametaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 930
  • 931
  • 932
  • 933
  • 934
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT