Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të bjerë. /
Nga K. P. TRABOINI/
Një mik në Facebook, nuk po e rëndoj ti përmend emrin se më duket një mjerim i madh, më shkroi plot pezëm e mllef kundër Teatrit Kombëtar. Biseda u zhvillua kësisoj. Pasi që shkroi sfidues të shembet teatri kombëtar, i shkrova: “po për ato 6200 metra tokë publike që vidhet për 6 kulla, o njeri, si nuk ta dha shpirti të flasësh një fjalë, apo bëji nënën pasurisë së popullit. Si para 90-tës dhe tani… Një avaz”. Pas kësaj mora këtë mesazh publik: “Fola për teatrin e jo për Ramën e Bashën … se ajo kufomë, që quhet teatër, nuk e mban dot luftën që bëhet midis të djathtës dhe të majtës”. Duke qenë se unë personalisht nuk bëj luftë as për të djathtën e as për të majtën (nuk kam qenë as anëtar i PPSH për dijeni të folësit ish komunist), por për vlerat, traditat e historinë kombëtare, i ktheva këtë gjegje sharësit të atij Teatri që unë e konsideroj një altar të fjalës së bukur shqipe: – Vërtetë ti fole për Qengjin, të mora vesh, dhe jo për Ujkun. Fajin e paska qengji (Teatri) se po ja turbullon ujin Ujkut të Zi të Tiranës. Me sa po shoh po ta turbullon edhe ty. Çudi… Alegori sfilitëse kjo për mafiozët e pushtetit dhe ata që u shkojnë pas si hije. Bishtukaxhijtë e shallvarexhiut, që mjerueshëm më kujton Haxhi Qamil Xhametën e Sharrës, që i ngeci qafa në litar. Atë fund paçin të gjithë zullumqarët që e tundojnë dhe e keqtrajtojnë popullin e vet. Nëse kalon nga Teatri Kombëtar kur të vish me pushime nga New Yorku, aty tek sheshi më ke. E di që të marrët mund ta prishin me një ngazëllim neronësh , por qëndresa e kundërshtimi ndaj të keqes që ka pllakosur Shqipërinë nuk duhet të na stepë, ndryshe kemi humbur më të çmuarën në jetë, lirinë. Teatri si ngrehinë është preteksti i sinjor shallvares, këtij Arturo Ui i kohës sonë postkomuniste, që na ka pllakosur e nuk dimë si do shpëtojmë prej tij. Agjenda e tij është më e gjerë sigurisht. E të mos harrojmë se kështu kanë nisur të gjitha tiranitë dhe rreziku i diktaturës nuk është vetëm një ëndërr e keqe. Nuk kemi përtuar të jemi në ballë të situatave në janar- shkurt 1991, e si mund të topitemi tani përballë vemjeve moniste të diktaturës e të mafies që kërkon të gllabërojnë pasuritë kombëtare me dëshirën e çmendur për pushtet absolut. Nuk ka artistë të vërtetë që ti lëpihen qeverive, përkundrazi artistët e vërtetë janë opozitarë me çdo qeverisje të keqe. Koha ka treguar dhe po e tregon përditë se, lëpirësit janë e mbetën vetëm lëpirës, ndyrësisht, jargë e pështymë sundimtarësh. Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të bjerë. 30 korrik 2019
Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto