
Nga Astrit Lulushi/
Shumë e njohin Ivan Pavlovin përmes eksperimentit të tij me qentë të cilët mësohem të hanë me orar të përcaktuar nga rënia e ziles.
Por ekziston edhe një zbulim më pak i njohur, por po aq i rëndësishëm e me ndikim në psikoterapinë e sotme. Studimi “Refleksi i Qëllimit” zë fill në vitin 1924. Shkrirja e akullit në Shën Petersburg gjatë pranverës së atij viti bëri që Lumi Neva të përmbyste bodrumin, ku Pavlovi kishte vendosur laboratorin e tij. Uji vërshoi në kafazet e qenve që ai i mbante për eksperimente. Qentë mbijetuan përmbytjen, por pasi uji u tërhoqur ata mbetën të shokuar; një pjesë u çrregulluan në sjellje, të tjerë qëndronin shtrirë pa asnjë interes për çfarëdo që mund të ndodhte rreth tyre.
Pavlovi e interpretoi këtë gjendje si shenja të frikës që qentë kishin provuar gjatë përmbytjes. Tani dihet se palëvizshmëria fizike dhe humbja e kuriozitetit janë gjithashtu tipike për njerëzit e traumatizuar.
Disa prej qenve rrinin duke u dridhur në cep të kafazeve të tyre, ndërsa të tjerë përuleshin e bindeshin kur dikush i godiste – përsëri, sjellje të njohura sot tek njerëzit e traumatizuar.
Pavlov tregoi se pas ekspozimit ndaj stresit ekstrem, kafshët gjejnë një ekuilibër të ri të brendshëm. Qentë e traumatizuar vazhduan të veprojnë sikur të ishin në rrezik të madh, shumë kohë pasi ujërat e Nevës ishin qetësuar. Kur Pavlovi mori matjet për kontrollin e shëndetit të tyre, ai gjeti se zemra ishte bërë më e ndjeshme ndaj streseve të vogla dhe ia atribuoi këto ndryshime ekzistencës së dy impulseve të kundërta të qenieve në konflikt: gjatë përmbytjes qentë ishin imobilizuar fizikisht – të bllokuar në kafazet e tyre – ndërsa trupat e tyre ishin programuar të iknin me vrap kur ndodheshin përballë kërcënimit. Kjo rezultoi në përplasje midis dy proceseve të kundërta; ngacmimit dhe frenimit, vështirë për t’u akomoduar njëkohësisht…që shkakton prishje të ekuilibrit, kur organizmi nuk mund të bëjë asgjë për të ndikuar në të pashmangshmen….
Në Shqipëri, të gjithë ata që janë përballur me realitetin e errët të “diktaturës së proletariatit” mbetën të pafuqishëm, të ngrirë përballë pashmangshmërisë, fenomen që mjekët sot e quajnë kritik për të kuptuar dhe trajtuar qeniet njerëzore të traumatizuara e poshtëruara.
Në fund të fundit, agonia e qenëve në kafazet e tyre përgjatë lumit Neva mund të mos kenë qenë shumë ndryshe edhe nga ajo e fëmijëve, të cilët pengohen nga prindërit ose mësuesit e tyre dhe pastaj nga që nuk kanë ku të shkojnë, luftojnë brenda vetes me dy impulse të kundërta, për t’u nënshtruar ose për të ikur për t’i shpëtuar dhimbjes.