• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDROMENO – I PËRVETËSUAR PËR NJË COPË BUKË INTERNIMI

July 5, 2019 by dgreca

Nga KOLEC P. TRABOINI KOL IDROMENO/

Ka misione e misionarë të çuditshëm në këtë botë të pleksur keq, siç e konsideronte Shekspiri, të cilët kinse duke kërkuar të nxjerrin prej historisë vlera, në deduksione e amulli vetanake nuk mungojnë të hedhin shkulmë terrine edhe mbi atë që ndrin e të bën krenar si komb.

Dihet se gjithherë ka pasur nga ata që nga dëshira e ndezur shpirtpërvëluese për të hyrë në analet e historisë, ndërkohë në paaftësi të plotë të krijojnë, kanë ndjekur një tragë tjetër të kundërt me atë të krijimit. Janë përpjekur për të shtënë në hije atë që kanë krijuar paraardhësit apo bashkëkohësit e vet. Ai që dogji Romën quhej Neron dhe e vuri emrin në histori po aq të spikatun sa dhe perandorët që e ngritën lart emrin e perandorisë dhe e bënë të ndritshme atë. Zumë një emër rrënuesi, por historia na jep plot shëmbëllesa shekull pas shekulli, për të ardhur deri në ditët tona. Nuk i kanë shpëtuar kësaj dhune historike as emrat tanë të mëdhenj si Gjergj Fishta, e jo vetëm. Paradoksalisht edhe pse sistemet e dhunshme ndërrohen simptomat e përçmimit dhe përçudnimit të historisë e kulturës vazhdojnë. Ka një tollovi të madhe edhe ndër bashkëkohësit tanë, nga ata që kërkojnë të dalin e të bëjnë show mediatik me ide kinse të reja. Nuk do t’i hyja trajtimit të këtij aspekti sikur vitet e fundit të mos i ishin përveshur edhe Da Vinçi-t shqiptar, Kol Idromeno. Një prej atyre që përpiqen thekshëm të bëjnë “zbulime” në këtë siujdhesën tonë ballkanike është piktori Mustafa Arapi, i cili në “Gazeta Shqiptare” të datës 1 qershor 2017, shkroi më të pabesueshmen në fushë të artit, kinse portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk është vepër e Kol Idromenos. Më vjen ta pyes me zë të lartë sa të dëgjojë edhe Kol Idromeno në varr: Po kush e ka bërë, o Mustafa? Meqë i hyn valles çoje deri ne fund. Na thuaj emrin e piktorit të aluduar, sepse emri Nikolla Idromeno në telajon ku shfaqet mrekullia “Motra Tone” nuk qenka e mjaftueshme për ju. Për më tepër si është e mundur që Kol Idromeno, ky personalitet kaq i madh i artit shqiptar, i paska lejuar vetes të vërë emrin e vet poshtë veprës së një tjetri nga Italia, ku, e theksojmë, nuk e dimë të ketë shkuar Antonia Skanjeti-Idromeno. Por edhe në pastë shkuar nuk ka qenë e veshur me rrobe tradicionale shkodrane por europiane. Ajo e kishte bashkëshortin intelektual italian, mësues dhe veshja e saj e përditshme ka qenë allafrënga si në familjen prindërore, po njëjtë edhe në atë të martesës, Skanjeti. Jo vetëm e pabesueshme kjo pandehmë, por edhe e përzishme. E përzishme për çdo dashamirës arti, aq më tepër për ne që jemi pak a shumë të afërt me familjet Idromeno e Skanjeti, sepse Motra Tone para se pikturë ka qenë një njeri. E gjithë pandehma e këtij kritiku të vonuar është se nga ana stilistike ndryshon portreti “Motra Tone” nga veprat e mëvonshme, qofshin këto portrete apo kompozime. Po çfarë ka këtu për t’u çuditur. Ndryshe prej çdo vepre tjetër, Motra Tone e mëvonshme, me veshje allafrënga, është dhembja e thellë e Kol Idromenos, pikëllimi piskamë i vëllait për motrën e vdekur në moshë të re. Është vuajtje shpirtërore që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë. Këtë ndjesi humbëse nuk e ka pasur Kol Idromeno në vitin 1883, kur datohet krijimi i portretit të parë, anipse askush nuk e vërteton dot se ajo vepër nuk ka ardhur duke u përsosur në detaje nga dora e piktorit edhe pas atij viti. Që vuajtja e piktorit ka qenë e madhe e tregon fakti se dekada më vonë ai krijon portretin e dytë të “Motres Tone”. Mesa duket me kërkesën e vajzave të saj që tashmë qenë rritur. Po ashtu ai krijoi dhe portretin e babait të tyre, burrit të motrës Tone, Andrea Skanjeti. Trajtimi dhe tonaliteti i të dy portreteve të bashkëshortëve është pothuajse i njëjtë. Të kërkosh këtu shkëlqimin kromatik të portretit të vitit 1883 është si të kërkosh të ngjallësh të vdekurin. Dy portretet e prindërve janë dhurata e Kol Idromenos për pesë mbesat e tij, vajzat e “Motrës Tone” për t’i ruajtur në kujtesë, sepse ato kur vdiq nëna e tyre ishin ferishte, ndërsa babai kishte ndërruar jetë në vitin 1908. Ato e njihnin nënën vetëm nëpërmjet pikturës me veshje tradicionale. Por e vërteta është se Motra Tone atë veshje tradicionale e ka pasur vetëm në pajë e jo si veshje të përditshme. Ajo ishte gruaja e një italiani, Andrea Skanjetit (i pari) që ashtu si Pietro Marubi, erdhi nga Italia e dha një kontribut të madh në shkollimin e pinjollëve të familjeve shkodrane duke krijuar një brez intelektualësh që do të bëheshin krenaria e qytetit të Shkodrës. Pra vajza shkodrane Antonieta Skanjeti ishte ndër më të emancipuarat e kohës së vet. Ajo vishej me rroba europiane e të modës së kohës, rroba që vinin nga Italia. Edhe vajzat e saj po ashtu, të cilat, i shohim me veshje tradicionale vetëm në fotografi. Kol Idromeno më shumë se angazhim artistik, në portretin me veshje allafrënga të Motrës Tone, ka pasur qëllim të krijojë imazhin e saj, dhe meqenëse ajo nuk jetonte më, ai nuk mund t’i jepte atë shkëlqim drithërues që ka portreti i vitit 1883. Nuk mendoj se kjo diference e madhe stilistike e kualitative në përdorimin e ngjyrave e pasurinë e detajeve ka të bëjë me venitjen e talentit të piktorit ndër vite, siç thonë skeptikët. Kurrsesi. Përkundrazi është e shpjegueshme, gjithçka i nënshtrohet qëllimit për të cilin është krijuar portreti në telajo. Ndërsa në veprën e parë këndojnë ngjyrat e tonet janë të gëzueshme, sepse piktura është krijuar kur Motra Tone ishte gjallë, në të dytën tonet janë serioze, madje diku-diku të trishtueshme nga që figura e krijuar tregon portretin e një njeriu që nuk jetonte më. Ishte pra një përkujtim e përshpirtje e nuk mund të kishte shkëlqimin e veprës se vitit 1883. Prandaj na duket e pa arsyeshme dhe pa asnjë bazë pretendimi se Motra Tone e vitit 1883 ka dorën e dikujt tjetër. Se pari duhet të kujtojmë se, tjetër ndjesi ka njeriu kur këndon e tjetër kur përkujton amshimin, ani pse ai që i përjeton ndjesitë e kundërta është i njëjti njeri. Edhe në trajtimin ngjyrave në telajo funksionon kështu. Ngjyrat kanë ndjesinë dhe frymën e atij që krijon. E njëjta dukuri qëndron edhe për vargjet poetike, por edhe për muzikën. Po si vazhdon historia me skeptikët mbi veprën e për më tej edhe jetën e Kol Idromenos? Lexojmë edhe pse nuk duam të besojmë: “Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare”. (Gazeta “Shqip” – Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare – Eleni Laperi, 15 gusht 2017). Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinçi shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën “Shqip”, me firmë e me vulë të studiueses në fjalë. Ky po që është studim-zbulim me tronditë edhe mendjet më të kthjellëta. Por le të vazhdojmë ta lëçisim edhe më tej zonjën Laperi, që të përpiqemi sadopak të kuptojmë ku e ka pasur ngulmimin studiues që të konsiderojë Kol Idromenon tragjikun e pikturës shqiptare. Pse pra na paska qenë Idromeno një piktor me thelb tragjik?: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi. Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi të tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë, të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, e që sot i admirojmë edhe të huajt, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës kthyen paraqitjen e këtij qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë e frymë nga Europa, zhvillimi më i madh në këtë qytet bashkë me lulëzimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin europian, shprehje e të cilit në këtë rast është arkitektura. Të krijosh një Europë të vogël në Shkodër të Shqipërisë së robëruar pesë shekuj, është me të vërtetë një punë e madhërishme. Historia nuk ia jep çdo kujt këtë mundësi e këtë lavdi. Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas tërmetit shkatërrues vitit 1905 dhe rindërtimin të qytetit mbi principe moderne, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit. E njëjta ndjesi të krijohet edhe sot kur kalon në pedonalen që mban emrin e Kolës, e cila në të vërtetë duhet të mbante emrin e atit dhe të birit, sepse ishte vepër e përbashkët. Dhe është e nevojshme të theksojmë se Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo studiuesja kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, i cili bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të rrethit familjar nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” të jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit dy vjeçar, Zefit, si dhe motrës në moshë të re, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kishte aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëlluese romantike siç e fantazon jetën e artistit Eleni Laperi. Fantazitë e kësaj zonje që shkruan në irealitet vazhdojnë: “Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.” Janë këto një retorike fjalësh pa ditur se kujt i adresohen e për çfarë. Një mendim skematik për të shkuarën tragjike, se e shkuara na qenka vetëm tymnajë. E kemi vuajtur këtë mendësi gjysmë shekulli në mungesë të lirisë. Gjykime të tilla nihiliste dhe kategorike nuk i shërbejnë askujt. As atyre që i kanë dhe i shprehin. E vërteta është se shpesh herë dritën e diellit më shumë se në qiell duhet ta kemi në mendje. Sado e shkëlqyer të jetë drita ndodh që nuk arrijmë ta shohim. Pse e them këtë? Sepse të konsiderosh Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak tragjik është një guxim i çartun. Më të vërtetë është krejt e pa konceptueshme dhe shkrime të tilla nuk meritojnë të kenë vëmendje e as të lexohen. Veç tundimi i madh më bën të reagoj e të them se jeta e artistëve nuk është një terren ku mund të fryjmë e shfryjmë egoizmin tonë, qoftë ky profesional, studimor apo përsiatje vetanake jashtë vetkontrollit. Pa shkuar një kohë e gjatë, që kur ka hedhur një shkul terrinë e hije mbi talentin e Kol Idromenos, kjo zonjë e nderuar, Eleni Laperi pra, del e flet ne media, për kë do thoni ju, bash sak për meritat e Kol Idromenos, me atributin kjo zonjë si “këshilltare e Ekspozitës” së Galerisë Kombëtare të Arteve figurative Tiranë për Kol Idromenon. Dhe kinse ka zbuluar portretin e Monsinjor Dom Ernest Çobës të punuar nga daja i tij Kol Idromeno. Monsinjorit, të cilit portretin ia morën në Galerinë e Artit, por jetën ia shuan në qelitë e burgjeve të diktaturës. Kësisoj nuk ka pasur kurrfarë nevoje e gjë prej gjëje për të zbuluar, sepse nipat e Monsinjorit janë gjallë dhe e kanë pasur Monsinjorin dhe portretin e tij në shtëpi. Këtu është vendi për të treguar më shumë për njeriun që është pikturuar në të, sepse gjithëherë portretet në telajo e kanë një histori po aq interesante e me vlerë sa dhe mjeshtëria e ngjyrave dhe kompozimit. Piktura në këtë rast është njeriu, i pandashëm kurrë prej saj. Dihet që Kol Idromeno e kishte shtëpinë e studion në rrugën Gjuhadol në Shkodër. Meqë nuk kishte trashëgimtar ka marrë gjithnjë pas vetes Orsolina Skanjetin, bijën më të vogël të Motrës Tone. Ajo ishte martuar me një pinjoll të familjes Çoba, Luigjin, që e thërrisnin Xhixhi. Orsolina Skanjeti – Çoba, pas vdekjes para kohë të bashkëshortit të vet, bashkë me gjashtë fëmijët, katër vajza dhe dy djem (Gjyzepina, Gjyliana, Vitorja, Linda si dhe Ernesti dhe Leci) vazhdonin të jetonin në shtëpinë e dajës së vet. Me vdekjen e dajës Kol Idromeno dhe Cinës, të cilët nuk kishin trashëgimtarë, Orsolinës i mbeti çdo gjë që kishte lënë Kol Idromeno. E këtu hyjnë shtëpia, studio fotografike dhe pikturat e tij. Por kur trashëgimtarët e Orsolinës vendosën ta shesin shtëpinë, shumëçka nga studioja e Kol Idromenos mbeti në dorën e fatit. Kam qenë mjaft herë në atë shtëpi me Dadën Katrinë kur isha fëmijë, kam në kujtesë mjaft detaje, çardakun, odën e xhamave, pusin në oborr dhe ndonjë pikturë varur në mure. Një herë që kthehesha nga shkolla në rrugën Gjuhadol, te cepi shtëpisë së Kol Idromenos ku kishin hyrë pronarë të rinj, më kapi vështrimi shumë xhama të thyer. Ishin xhama të hollë dhe të zinj, çfarë nuk kisha pasur rast të shihja më parë. Mora disa prej tyre në dorë dhe vura re disa figura njerëzore si hije nate, që m’u dukën të frikshme. Megjithatë mora njërën prej tyre, që ishte sa gjysma e një fletoreje dhe e futa në çantë. Kur shkova në shtëpi gjeta Dadën Katrinë që po gatuante. Më pa me duar të pista e më pyeti pse të janë nxirë ashtu. I tregova xhamin e zi e të thyer. Më pyeti se ku e mora dhe unë i tregova se kalova para shtëpisë së teze Orsolinës. Dada Katrinë u vrenjt dhe në çast e kuptova se u mërzit shumë. Ajo çfarë ruaj në kujtesë janë fjalët: “Paskan shkatërruar odën e xhamave të dajës.” Fjalë që tani më tingëllojnë akoma më pikëlluese se asaj dite kur, si harabel i gëzuar kaloja në rrugën Gjuhadol, për të shkuar tek Dada Katrinë me një copë xham të thyer të dajës së saj Kol Idromeno. Ishte një humbje që i kushton kohës aq shumë. Gjithësesi interesi për veprat e Kol Idromenos nga Galeria e Arteve Tiranë kanë qenë menjëherë pas hapjes së saj në janar 1954. Dhe meqenëse familja e Orsolina Çobës ishte në gjendje jo të mirë ekonomike, me gjithë hezitimin, më së fundi pranuan ta shisnin portretin e Motres Tone, nënës së Orsolinës, Katrinës, Milenës (nëna e poetit Zef Zorba kjo e fundit) si dhe dy motrave të tjera që ndodheshin në Kosovë. Në kujtesën time është e fiksuar dita kur Dada ime Katrinë erdhi në shtëpi e solli një sasi paresh të cilat i vuri në komo duke thënë “e kanë shitur portretin e nanës Tone dhe më dhanë pjesën teme”. Ky detaj është familjar e mbase nuk ka rëndësi, por gjithsesi pohon një të vërtetë, Galeria e Arteve Tiranë e dinte se në shtëpinë e Orsolina Çobës ndodheshin dhe vepra të tjera të Idromenos. Rin Andrakja, që mban emrin e dajës, Monsinjorit Ernest Çoba, me të cilin shoqëroheshim në fëmini dhe në rini, më kujtoi së fundi tërë peripecitë që kishin të bënin me portretin e dajës, por dhe familjen e vet. Pas ndalimit të fesë ku Kisha e Madhe pësoi fatin e keq të bëhej pallat sporti, Dom Ernest Çoba, Arkipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, u largua nga Qela (rezidenca e klerikëve katolikë) ku mbante dhe portretin e bërë nga daja i vet Kol Idromeno. Atë e kishte si gjë të shtrenjtë. Mbaj mend se jo shumë kohë më parë, në vjeshtë 1966, kur isha me leje nga ushtria, kisha shkuar për të takuar Dom Erneston në Qelë. Shoqëruesi që bënte detyrën e portierit, më çoi në paradhomën e apartamentit të Dom Ernestos dhe aty në mur qëndronte pikërisht portreti për të cilin po flasim. Dom Ernesto u detyrua të jetonte me familjen e motrës Gjyljanë e cila kishte dy fëmijë, Toninin dhe Rinin. Burrin e kishte italian dhe ishte riatdhesuar. Ishin katër persona në familje dhe nuk jetonin më në shtëpinë e Kol Idromenos, të cilën e kishin shitur, por në një shtëpi me qira. Ishin në gjendje të vështirë ekonomike. Dom Ernesto ishte i sëmurë, merrte ilaçe, gjë që e vështirësonte akoma më shumë gjendjen. Pikërisht në këtë kohë arrestohet nëna e djemve, motra e monsinjorit. Djali i madh, Tonini, ishte mësues në fshatrat e Pukës. Dom Ernestoja i tha një ditë Toninit se, meqë kushtet janë të vështira të shikonte se mos e blenin në Tiranë portretin që i kishte ba daja Kolë. Tonini kishte shkuar në Galerinë e Arteve dhe ata ia kishin mbajtur për t’i bërë ekspertizën dhe vlerësimin. Po kjo donte shumë muaj i kishin thënë. Ndërkohë kishte ndodhur një ngjarje dhe fati i Toninit ishte i përcaktuar tashmë. Kur ishte arrestuar Gjyljana Çoba- Andrakia, hetuesit dhe policia e kishin bastisur shtëpinë. Diku sirtarëve kishin gjetur një fletore me vjersha rinore të Tonin Andrakes. I morën fshehurazi, i analizuan sipas programit për të zbuluar armiq dhe i konsideruan pesimiste, prandaj u arrestua dhe dënua edhe ai si e ëma me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Mesa duket sigurimi komunist ia kishte vënë syrin kësaj familjeje për ta shkatërruar. Nuk mjaftuan me kaq. Gjëma kësaj herë do të binte mbi pjestarin e tretë të familjes, Dom Erneston. Rin Andrakia mbeti vetëm në familje. Por edhe atë nuk do ta kursenin. E internuan në Dragot të Elbasanit. Rini tregon se pasi kishte bërë katër vjet internim në fshat, i afruan lirimin një vit para kohe me kusht që të jetonte aty e të mos ikte në Shkodër. Një dinakëri e pashoqe kjo për t’i shpërbërë familjet katolike shkodrane që ata të mos ktheheshin më në vendlindje. Kur isha në gjysmë lirie, tregon Rini, i kishte ardhur një letër. Aty thuhej se një pjesëtar i familjes Andrakia kishte lënë para katër vjetësh një portret në pikturë për ta vlerësuar dhe duhej të vinte për ta mbyllur çështjen. Vetë Rini nuk e dinte se për cilën pikturë bëhej fjalë. Kur shkoi në Galerinë e Arteve i thanë se kemi një pikturë të familjes tuaj. “Kanë kaluar vite e në bazë të rregullit nëse edhe më tej nuk interesohej njeri vepra konfiskohej nga shteti”. Ishte në dilemë Rini. Kaq halle kishte mbi supe, pjesëtarë të familjes burgjeve e vetë në internim, sa nuk e vuri fare në sy problemin e pikturës. U tha ta gjykonin ata si ekspertë që ishin. Do të japim një sasi të vogël lekësh, ia prenë shkurt. Rini hezitoi dhe u shpreh se më mirë do të merrte pikturën se nuk mund të vendoste ai për shitjen e saj. Mirë, i thanë, të vinte ai që e ka dorëzuar. Vetëm atij ia jepnin. Rini u tha hapur se prurësi ishte i vëllai që ndodhej në burg. Atëherë gjithçka ndryshoi. Meqë ai nga burgu nuk vinte vepra konfiskohej e mbetej pronë e galerisë. Çështja ishte kopsitur aq mirë nga aparatçikët. Shkuan në Ministrinë e Arsimit e pas disa sorollatjeve ia thanë hapur, merr ca para se kjo vepër nuk iu kthehet më. Dhe sa më afruan, thotë Rini, dymijë lekë të asaj kohe. Sa për të blerë një metër stof për pantallona. Kështu portreti i dajës që tashmë kishte vdekur në burg, kujton Rin Andrakia, i cili sot e ndan jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, mbeti në Galerinë Kombëtare të Arteve për një copë bukë internimi. Tani çfarë ka këtu për t’u përpjekur e stërmunduar se kush është në këtë portret kur gjithçka flet për dom Ernest Çobën, martirin e fesë katolike, i lindur në Shkodër më 16 shkurt 1913, i arrestuar më 29 prill të vitit 1976, dënuar pa asnjë fakt me 25 vjet heqje lirie, vrarë me injeksion në spitalin e burgut të Tiranës më 8 janar të vitit 1980. Mbeten lapidare fjalët që iu thoshte gjykatësve komunistë “E kam urryer, e urrej e do ta urrej komunizmin sa të kem frymë!”. Shënojani këto fjalë të martirit poshtë portretit që i bëri daja i vet Kol Idromeno, aty në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ai është një portret i identifikuar qëkur është krijuar në vitin 1927. Dhe për ta mbyllur, bash për këtë na venë punët mbarë ne shqiptarëve, se kemi këshilltarë që bëjnë “zbulime” dhe një mjeshtrit të madh si Kol Idromeno, që na ka dhuruar një “Xhokondë” shqiptare dhe një “Dasëm shkodrane”, t’i vëmë në dyshim talentin. O Tempera, o Mores!

Filed Under: Opinion Tagged With: Kolec Traboini- Idromeno- I pervetsuar

BALLKANET NË SALLËN E PRITJES S’EVROPËS

July 4, 2019 by dgreca

SI T’I NDIHMOJMË PA U SHKËRMOQUR/

Nga  SERGIO ROMANO/

“Corriere della Sera”, 29 qershor 2019, E përktheu Eugjen Merlika/

Ballkanet perëndimorë janë bërë për Bashkimin Evropian një sallë pritjeje e sikletëshme. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kërkojnë me ngulm fillimin e bisedimeve për pranimin në BE dhe kanë mbetur shumë të zhgënjyer kur Këshilli i ministrave vendosi së fundi të shtyjë vendimin për tetorin e ardhshëm. Për dy Vende të tjera (Serbia dhe Mali i Zi) tashmë ka një datë (2025), por është rënë n’ujdi në tetorin e 2018, kur klima ishte më mikpritëse. Sot qëndrimi i shumë antarëve të BE është bërë më dyshues dhe i rreptë. Është rritur numuri i antarëve të BE që janë mosbesues kundrejt të ardhurve të rinj e që pyesin se ç’do të ndodhë kur në dyert e Bashkimit të trokasin edhe Bosnje – Herxegovina e Kosova. Është rritur numuri i antarëve të BE për të cilët këta Vende nuk janë ende Shtete të së drejtës.
Këta shqetësime janë të ligjëshme, por i detyrohen mbi të gjitha përvojës së këtyre viteve me vendet e Evropës Qendër – lindore që janë antarë të BE që nga 2004. Veçanërisht dy prej tyre (Polonia dhe Hungaria) po reformojnë sistemin e tyre gjyqësor me norma që kërcënojnë pavarësinë dhe autonominë e gjykatave. Të tjerë duket se i quajnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara më të rëndësishme se ato që kanë me Brukselin. Zgjerimi i ngutshëm, i sendërtuar mbas shkërmoqjes së bllokut sovjetik, qe një gabim tragjik.
I kemi hapur dyert e Bashkimit evropian Vëndeve që, në dy brezat paraardhës, kaluan përvoja krejtësisht të ndryshme. Gjashtë Vendet themeluese (së bashku me Greqinë, Portugalinë dhe Spanjën) e quanin bashkimin e Evropës si përgjigjen më të volitëshme kundrejt kombëtarizmave që kishin shkatërruar kontinentin; dhe ishin të gatshëm, për të arritur këtë qëllim, të humbisnin një pjesë të mirë të sovranitetit të tyre. Ndërsa Vendet që kishin qënë pjesë të bllokut sovjetik donin të rifitonin sovranitetin e humbur dhe shihnin në BE, mbi të gjitha, një burim të mirash ekonomike. Ndërmjet këtyre Vendeve dhe atyre që janë tani në sallën e pritjes të gadishullit ballkanik, ka megjithatë një ndryshim të rëndësishëm. Grupit të parë mund t’u kishim dhënë përfitime ekonomike pa i pranuar në klubin tonë.
Grupit të dytë duhet t’i japim shumë më tepër. Nëse nuk duam që të përfundojnë në krahët e ndonjë fuqie tjetër (ndërmjet të cilëve Kina, Turqia e Rusia) duhet t’u japim, së bashku me përfitimet ekonomike ndjenjën e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë që rrjedhin nga përkatësia në një institucion demokratik. Natyrisht nuk duhet të harrojmë se një zgjerim i mëtejshëm mund t’a bëjë Evropën gjithënjë e më pak të qeverisëshme. Por për këtë rrezik ka një shërim: heqja dorë nga rregulla e njimendësisë, sot në fuqi në Këshill “për të gjitha çështjet që quhen të ndjeshme”. Rregulla e njimendësisë u zbatua nga Dieta polake dhe “liberum veto”(siç thuhej atëherë) qe një nga shkaqet e zhdukjes së Shtetit polak më 1795. Nuk duam të arrijmë të njëjtin fund.
“Corriere della Sera”, 29 qershor 2019     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani-salla e parities se Evropes-Sergio Romano-Eugjen Merlika

HAPPY JULY 4TH!-GEZUAR FESTEN E PAVARESISE AMERIKE!

July 4, 2019 by dgreca

HAPPY JULY 4 USA!/
 
GEZUAR FESTEN E PAVARESISE AMERIKE! (4 korrik 1776- 4 korrik 2019)/
Si një magnet gjigand Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr vazhdimisht njerëz nga vende të mdryshme të botës.

Ky udhëtim i gjatë që vazhdon edhe në ditët tona, nisi katër shekuj më parë kur paraardhësit e këtij vendi të madh guxuan ta ndrrojnë Evropën e mbretërve me një botë të re, në gjëndje të egër, por të lirë.
Të ardhurit e parë mbijetuan. Pasardhësit e tyre e quajtën veten ‘amerikanë’ dhe e shndëruan vëndin nga koloni të perandorisë britanike në një superfuqi botërore.
 
NGA ALBANA M LIFSCHIN/*

-Ne festen e Pavaresise se SHBA kujtojme fillimin e ketij eksperimenti njerezor kolosal.
Ato ishin 13 koloni që me gjithë mozaikun e ngjyrave kishin një gjë të përbashkët: Dëshirën për të krijuar një jetë të re, të lirë dhe të pavarur nga Perandoria Britanike. Për të arritur atë ditë, ato kaluan një proces formimi të vështirë edhe interesant që filloi me krijimin e kolonisë së parë Xhejmstaun, (Jamestown) në 1607, që kolonistët i vunë emrin e mbretit te tyre dhe vazhdoi për më shumë se një shekull me krijimin e kolonisë së 13-të, Xhorxhas (Georgia), 1733, së cilës gjithashtu i dhanë emrin e mbretit Xhorxh të Anglisë. Duket sikur edhe pse pakënaqësia i dërgoi mijra mile larg vëndit “mëmë”, kolonistët nuk do të bënin dot pa të.
Koha provoi që ata jo vetëm që ishin të aftë për t’u vetqeverisur, por madje edhe për të ngritur sistemin më të përparuar të kohës.
Kolonitë e bashkuara krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke vënë në themel parimin monumental “të gjithë njerezit janë krijuar të barabartë”, që theu të gjitha barrierat midis qënieve njerezore. Ky parim ishte sa i guximshëm aq edhe e pakonceptushëm për Evropën e asaj kohe.
Kolonistët e parë të ardhur nga Anglia ngritën banimet e tyre në brigjet verilindore të Amerikës, buzë Atlantikut, për arsyen e
thjeshtë se pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm ai u ndodh
stacioni më i afërt. Kështu në bregun verilindor u formuan kolonitë e Massachustes,Rhode Island, New Hampshire dhe Connectikut.
Në pjesen juglindore u formuan Virginia, Maryland, North Karolina,South Karolina, dhe Georgia. Kolonitë e mesme ishin New York, New Jersey, Delaware, dhe Pennsylvania.
Kolonistët e parë erdhën nga një botë qytetare e kultivuar, për të filluar jetën në një tokë ku pemët harliseshin në atë lartësi ku syri të shikonte vetëm qiell e zogj.
Mjaft prej tyre i shtyu shpirti i aventures, mendimi se në “Botën e re “ do të gjenin flori. Por vetëm një dekadë më pas njerezit filluan ta linin Anglinë jo për floririn por për Lirinë. Sidoqoftë jo të gjitha kompanitë tregëtare që morën përsipër
udhëtimin e tyre u treguan se po i shpinin drejt
një bote krejt të virgjër në primitivitetin e vet.
Qytetari Jonas Michaelius pasi arriti në Nju Jork në 1628, në letrën që i shkruante familjes në Evropë i thosh: “Premtimi që më dhanë zotërinjtë e kompanisë se këtu do gjeja shtëpi, s’doli i vërtetë. Këtu nuk gjen as shtëpi, as kuaj, as lopë, as punëtorë që t’i blesh me para.
Vëndi ofron gjëra të mira por këto janë në gjëndje të egër..”
Qytetarët që lanë shtëpitë e tyre në Londër, në “Botën e re” e filluan jetën nga pastrimi tokës, nga prerja e drurëve e shkurreve nën kërcënimin e shigjetave të fiseve indiane që shfaqeshin papritur për t’u marrë jetën.
Gjenerata e parë e kolonistëve mbijetoi. Gjeneratat e reja e quajtën veten e tyre me një emër të ri: Amerikanë
Procesi i kalimit nga “Amerikani britanik” në
qytetarin “Amerikan” erdhi gradualisht e në
mënyrë të natyrshme. Kishte kaluar një shekull
e gjysëm nga koha që kolonistët e parë kishin
zbritur në kontinent e ndërkohë historia amerikane
kishte hyrë në zhvillimin e vet. Ndryshimet që
egzistonin midis amerikanit dhe evropjanëve, me kalimin e kohës po bëheshin sa vjen e më të mëdha. Ndjenja e të qënit “amerikan” u bë një ndjenjë natyrale. Gjeneratat e reja e quajtën veten “amerikanë”.
Në vitin 1750, kur fermerja e njohur Eliza Pinkni* nga Karolina Jugut u paraqit në oborrin e Mbretit Xhorxh të Anglisë, ajo insistoi që ta prezantonin si “amerikane.”
Në Karolinën e Jugut në një diskutim lidhur me shpënien e fëmijëve për studime në Angli, u mbrojt mendimi se “vështirë të besohet se arsimi anglez u përshtatet më fëmijëve të Amerikës.” Ezra Stajlls hartoi planin e ngritjes se një Akademie “Amerikane” të Shkencave, ku mendohej që të drejtën e anëtarësisë në të, duhej ta gëzonin vetëm
të lindurit “amerikanë.”
Po këtë vit, në një gazetë të Bostonit reklamohej dalja e një birre amerikane. Njerëzit nxiteshin të çliroheshin nga ndjenja inferiore e admirimit të produkteve të ardhura nga Evropa. Benxhamin Frenklini në almanakun e tij, në vitin 1750, përdorte termin”patriotët amerikanë”. Kur kongresi u mblodh në Filadelfia, për here të parë,
Petrik Henri tha: “ Nuk ka më dallim midis virxhinasve,
njujorksve,pensilvenasve.. Unë nuk jam virxhinias, por jam
amerikan”
Pra, ndërsa perandoria britanike e shikonte Amerikën ende si një pjesë të saj, amerikanët po shkruanin historinë e tyre sipas së cilës ata nuk ishin më anglezë që kishin ndërruar vënd, por amerikanë qe e shndëruan vëndin nga ish koloni ne nje superfuqi boterore
—
Dy fjalë nga parathenia e autores.
Kur u ula të shkruaj librin “Udhëtim në Historinë Amerikane,
fillimisht qëllimi im ishte që t’u vija në ndihmë emigrantëve që kishin ardhur dhjetëvjeçarin e fundit në Amerikë dhe që 
po përpiqeshin të integrohen në shoqërinë amerikane.
Në kursin e jetës së përditshme njohja me historinë e
Amerikës, ashtu sikurse me gjuhën angleze, për shqiptaro-amerikanët është një domosdoshmëri. Ndërkohë që punoja me librin ky mendim u zhvillua më tej. Në ditët tona kur SHBA është vënë në shënjestër të grupeve terroristeve ngado në botë, del e nevojshme që njerëzit, në përgjithësi, të njohin historinë e këtij vendi që lindi e u zhvillua mbi parimet e demokracisë së vërtetë.
Për mua ishte e rëndësishme që ta jepja historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një formë të thjeshtë e interesante, të kuptueshme për të gjitha moshat. Nga ana tjetër u përpoqa që libri të kishte më shumë një karakter informativ e argëtues, se sa akademik. Madje këtë përshtypje doja ta jepja që në titull.
Për të arritur këtë qëllim më ka ndihmuar studimi dhe
përdorimi i rreth 60 librave të karakterit historik, shoqëror, biografik e letrar.
Në ndërmarrjen e kësaj pune të madhe e të guximshme, më ka inkurajuar fjala e kolegëve e veçanërisht përkrahja që më kanë dhënë Profesorët e njohur e të respektuar Nikolla Pano, Petër Prifti, Sami Repishti e Aleks Luarasi të cilëve u jam shumë mirënjohëse për vlerësimin që i kanë bëre punës sime.
Kenaqesine me te madhe e kam marre nga lexuesit e interesuar qe pergatiteshin per te ardhur ne kete vend dhe natyrisht te porsa ardhurit.

*Albana Melyshi Lifschin
(Marre nga libri “Udhetim ne historine e Amerikes”, 
botuar ne 2003, ribotuar ne 2006,dhe ne 2010 nen kujdesin e Ministrise se Kultures Rinise dhe Sporteve te Kosoves)
 

Filed Under: Featured Tagged With: Happy July 4th-USA- Albana Lifschin

ZGJEDHJET E 30-QERSHORIT: NJË POSHTËRSI PËR QEVERINË SHQIPTARE….

July 3, 2019 by dgreca

….NJË DËSHTIM PËR OPOZITËN, NJË TURP PËR NDËRKOMBËTARËT, DHE NJË FATKEQËSI PËR KOMBIN SHQIPTAR!/

                                               Nga Frank Shkreli/

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30-qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar.  Gjatë viteve, nepërmjet shkrimeve modeste, jamë përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq — mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demkoracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura.  Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time.  Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips.  Nëqoftse këto fjalë të mia mund tu duken pakëz si të ashpra, u kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani i cili e do Kombin e vet, dhe i cili mendon dhe beson se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë — meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos regaimet e diasporës e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjëndjen e krijura në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjëndje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakarta në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?

Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtarë?   Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar?  Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vet procesin. 

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar.  Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të djelën që kaloi, i kini me veten, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Duhet t’a dini gjithashtu se populli shqiptar është lodhur me të gjithë ju.  Fatkeqsisht, me këto votime, kjo klasë politike i mbetet besnik trashëgimisë së saj edhe pas 30-vjet post-komunizëm: e “fikur dhe e koritur”, para Kombit dhe para botës.  

Ç’të them për ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre me këtë rast, përfshir atë të OSBE/ODIHR-it?  Unë dua të rrëfej se që nga viti 1989 e këtej, si pjesë e punës kam ndjekur me kujdes dhe për nga afër misjonet e OSBE-së anë e mbanë botës ish-komuniste dhe kam pasur gjithmonë respektin më të madh për punëne tyre. Kam pasë fatin madje të jem edhe disa herë anëtar i delegacioneve për mbikqyrjen e zgjedhjeve në vendet ish-ko,muniste, përfshirë edhe delegacionin e parë të Departamentit Amerikan të Shtetetit në zgjedhjet e para pluraliste në mars/prill 1991 në Shqipëri.  Megjithëse me shumë të meta dhe mungesa serioze standardesh, me keqardhje më duhet të them se organizimi i atyre zgjedhjeve nga regjimi i Ramiz Alisë, pothuaj 30-vjet më parë, i plotësonte më shumë standardet e zgjedhjeve të përcaktuara nga OSBE-ja, në krahasim me votimet e organizuara nga qeveria Rama të djelën që kaloi — tre dekada pas shembjes së komunizmit.  

Prandaj, deklarata e delegacionit të OSBE-së të hënën që kaloi ishte zhgënjyese, në krahasim me ato që vërtetë duhej të thonin për votimet vendore në Shqipëri.  Konstatuat se ishin të qeta!  Është ky një prej standardeve, por të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e komunizmit, por a mund të thoni se këto ishin të lira, të drejta dhe demokratike – standardet kryesore për cilësimin e zgjedhjeve në një vend që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s.  Unë nuk dua tu mësoj ju të nderuar Zonja e Zotëri, se cili duhej të kishte qenë raporti i juaj paraprak për këto zgjidhje, sepse ju jeni ekspertët ndërkombëtarë.  Por dua tu pyes, në cilin vend tjetër të Evropës do e pranonin procesin e zhvillimit të votimeve si ky që u mbajt në Shqipëri fund javën që kaloi, me një pjesëmarrje më pak se 20%  dhe në shumicën e rasteve vetëm me paraqitjen e kandidatit të Partisë Socialiste – pa kundërshtar?  Demorkatike ishin këto?

Unë si shtetas amerikan prej pothuaj gjysëm shekulli dhe si një shqiptaro-amerikan që, për arsye të ish-detyrës, kam pasur fatin të bashkpunoj gjatë karierës time me shumë diplomatë amerikanë, jo vetëm në Shqipëri por anë e mbanë botës dhe për të cilët kamë zhvilluar dhe ruaj gjithnjë respektin më të madh për punën e tyre në rrethana shpesh të vështira – më habiti edhe reagimi i Ambasadës amerikane në Tiranë për këto votime, ashtu siç ka habitur edhe shumë shqiptaro-amerikanë me të cilët kam biseduar kohët e fundit, e të cillët janë shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit atje, e sidomos me reagimet/mosregaimet ndërkombëtare ndaj atyre zhvillimeve. 

Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, citon deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave votimet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata e cituar nga VOA shqip.  “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë.  Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”.   Deklarata e Ambasadës dakordësohet gjithashtu me OSBE/ODIHR-in se,  “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve”, duhet të presin një ent juridik që, sot për sot, nuk ekziston, “Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në atë deklaratë.  

Reagimet e ndërkombëtarëve ndaj votimeve të së dielës në Shqipëri po konsiderohen nga shumë ekspertë brenda dhe jashtë Shqipërisë si mbështetje prej tyre e një procesi illegal dhe jashtë standardeve ndërkombëtare.   Një mik imi këtu në Amerikë më solli ndër mend kohën e fashizmit kur Italia dërgonte në Shqipëri njerëz gjysmakë, sidmos në fushën e mjekësisë, duke i aryetuar si, “e buono per Albania”.  A mendojnë ndërkombëtarët se qeveria që kanë shqiptarët, “e buono për Albania”, sepse kaq meritojnë shqiptarët?  Pse deklaratat e juaja mbi aktualitetin politik nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në atë vend, përfshirë korrupsionin në të gjitha nivelet? Thoni të vërteten!  Kaq presin shqiptarët prej jush.Unë nuk e kuptoj se pse duhet të pritet dy muaj që OSBE/ODIHR të lëshojë një raport mbi këto votime, kur është tejet e qartë se çfarë ndodhi, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por mbi të gjithë, populli shqiptar e sheh mirë se ç’po ndodhë në vendidn e tyre dhe janë duke votuar me këmbë duke u larguar vazhdimisht nga trojet e veta mijavjeçare.  Nëqoftse ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjëndjen, atëherë do i këshilloja që të pakën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysëm deklarata të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjëndjes në Shqipëri.  Më mirë heshtni fare. Sepse në fund të fundit, është kjo një gjëndje e krijuar nga vet klasa aktuale politike dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe atdhetare e saj, që sa më shpejt – nepërmjet dialogut politik dhe me pjesëmarrje të gjërë edhe të shoqërisë – të dali nga ky qorrsokak politik, para se të bëhet vonë – me qëllim të mënjanimit të një fatkeqësie kombëtare, përballë të cilës gjëndet sot Kombi Shqiptar – falë papërgjegjësisë së saj politike dhe kombëtare. Klasa politike shqiptare duhet që sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend dhe ndërkombëtarët duhet gjithashtu të reflektojnë thellë për rolin e tyre gjatë këtyre dekadave – ashtu që i vetmi fitues të jetë Kombi Shqiptar në marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë atlantiko-veriorë.  Koha është tani, jo nesër, jo pas nesër, jo dy muaj pas sodit, në pritje të një raporti të OSBE-së, jo kur të krijohet ky ose ai ent juridik ose politik!  Shqiptarët kanë pritur mjaft dhe janë të lodhur.  Por shqiptarët presin një fillim të ri.  Nëqoftse ini shqiptarë, dialogu gjithëpërfshirës për një fillim të ri duhej të kishte filluar dje — në interesin madhor të KOMBIT!   

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Zgjedhjet e 30 Qershorit-TURP

PËR HERË TË PARË: EKSPOZOHET DEKLARATA KUSHTETUSE E 2 KORRIKUT 1990

July 3, 2019 by dgreca

SPECIALE NGA KOSOVA-Ekspozohet për herë të parë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 /

-Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur, ekzemplari origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 30 Maj 2019 është dërguar në Arkivin Shtetëror nga gazetari Behlul JASHARI – korrespondenti nga Prishtina, i cili dokumentin historik viteve më parë e ka dërguar si foto për botim në Gazetën DIELLI/

PRISHTINË, 3 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Ekspozohet për të parën herë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990  për pavarësinë e Kosovës, në një ekspozitë të hapur në Prishtinë të Arkivit Shtetëror të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur, e shkruar me makinë shkrimi, ekzemplari origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 29 vjetorin e saj, është dërguar në Arkivin Shtetëror nga gazetari Behlul Jashari, i cili  për herë të parë e ka dërguar si foto për botim në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë si korrespondent nga Kosova nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, si dhe në Gazetën DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, korrespondent i akredituar i së cilës është tani ka më shumë se katër vite.

Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dokumenti origjinal është dorëzuar me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

Në redaksional theksohej se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Dokumenti historik i 2 Korrikut 1990 i Kosovës drejt pavarësisë është pjesë e ekspozitës “Figurat kombëtare dhe familjet e njohura shqiptare në veprat e artistëve evropianë”,  të autorit Eqrem Zenelaj, e hapur mbrëmjen e djeshme në një ceremoni ku mori pjesë edhe drejtori i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.

Për rëndësinë Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe ecjet e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, në hapje të ekspozitës, foli kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Arkivave të Kosovës,  Ramë Manaj, ndërsa një fjalë rasti mbajti drejtori për Veprimtari Arkivore, Ruzhdi Panxha, duke theksuar arritjet.

Pranë Deklaratës Kushtetuese janë ekspozuar edhe faqe të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me shkrimet për ngjarjen historike të 2 Korrikut 1990, e cila u pasua me Kushtetutën që shpalli Kosovën Republikë në 7 Shtator 1990 dhe me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Me këtë Deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në mbedhjen para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike korrespondenti i Gazetës DIELLI, Behlul Jashari, e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

Ekspozita që do qëndrojë e hapur gjatë javës në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë  ka sjellë para publikut 139 portrete – gravura e dokumente të figurave kombëtare shqiptare me përmasa ndërkombëtare.

“Në këtë ekspozitë sjell 139 portrete-gravura e dokumente të figurave kombëtare shqiptare me përmasa ndërkombëtare – nga Skënderbeu, Gjergj Dhimitër Basta, Papë Shqiptar Albani, Dinastia Shqiptare në Moldavi e Rumuni, Gjika deri tek gjeniu i hekurudhave, Karl Gasper Gega, e Mehmet Aliu i  Egjipt. Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe portretet e Ali Pashë Tepelenës, Ismail Qenalit dhe pjesëtarëve të familjes, etj”, theksoi autori, profesori Eqrem Zenelaj – hulumtuesi i 22 arkivave të Evropës.

U bë e ditur se, ekspozita e shënimit të 2 Korrkut u organizua edhe me rastin e pensionimit të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj.

Në biografi shkruan mes tjerash se Ramë Manaj “në vitet 1977 – 1979 ka punuar në Gazetën e përditshme ‘Rilindja’ – korrespodent i rregullt nga Komuna e Klinës”, se “prej vitit 1990 politikisht ishte i angazhuar dhe vazhdimisht aktiv në forume të larta të Lidhjës Demokratike të Kosovës-anëtar i Kryesisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i saj” dhe se “në legjislaturën e tretë ka qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe  Zëvendës Kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës”. Poashtu theksohet se, “ka punime dhe botime profesionale në editorial të ndryshëm në vend dhe jasht Kosove”.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Ekspozohet Deklarat e 2 Korrikut-Behlul jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 958
  • 959
  • 960
  • 961
  • 962
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT