
SPECIALE NGA KOSOVA-Ekspozohet për herë të parë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 /

-Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur, ekzemplari origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 30 Maj 2019 është dërguar në Arkivin Shtetëror nga gazetari Behlul JASHARI – korrespondenti nga Prishtina, i cili dokumentin historik viteve më parë e ka dërguar si foto për botim në Gazetën DIELLI/

PRISHTINË, 3 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Ekspozohet për të parën herë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, në një ekspozitë të hapur në Prishtinë të Arkivit Shtetëror të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur, e shkruar me makinë shkrimi, ekzemplari origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 29 vjetorin e saj, është dërguar në Arkivin Shtetëror nga gazetari Behlul Jashari, i cili për herë të parë e ka dërguar si foto për botim në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë si korrespondent nga Kosova nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, si dhe në Gazetën DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, korrespondent i akredituar i së cilës është tani ka më shumë se katër vite.

Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dokumenti origjinal është dorëzuar me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:
“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990. Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.

Në redaksional theksohej se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Dokumenti historik i 2 Korrikut 1990 i Kosovës drejt pavarësisë është pjesë e ekspozitës “Figurat kombëtare dhe familjet e njohura shqiptare në veprat e artistëve evropianë”, të autorit Eqrem Zenelaj, e hapur mbrëmjen e djeshme në një ceremoni ku mori pjesë edhe drejtori i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.
Për rëndësinë Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe ecjet e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, në hapje të ekspozitës, foli kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, ndërsa një fjalë rasti mbajti drejtori për Veprimtari Arkivore, Ruzhdi Panxha, duke theksuar arritjet.
Pranë Deklaratës Kushtetuese janë ekspozuar edhe faqe të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me shkrimet për ngjarjen historike të 2 Korrikut 1990, e cila u pasua me Kushtetutën që shpalli Kosovën Republikë në 7 Shtator 1990 dhe me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
“Me këtë Deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në mbedhjen para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.
Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike korrespondenti i Gazetës DIELLI, Behlul Jashari, e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.
Ekspozita që do qëndrojë e hapur gjatë javës në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë ka sjellë para publikut 139 portrete – gravura e dokumente të figurave kombëtare shqiptare me përmasa ndërkombëtare.
“Në këtë ekspozitë sjell 139 portrete-gravura e dokumente të figurave kombëtare shqiptare me përmasa ndërkombëtare – nga Skënderbeu, Gjergj Dhimitër Basta, Papë Shqiptar Albani, Dinastia Shqiptare në Moldavi e Rumuni, Gjika deri tek gjeniu i hekurudhave, Karl Gasper Gega, e Mehmet Aliu i Egjipt. Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe portretet e Ali Pashë Tepelenës, Ismail Qenalit dhe pjesëtarëve të familjes, etj”, theksoi autori, profesori Eqrem Zenelaj – hulumtuesi i 22 arkivave të Evropës.
U bë e ditur se, ekspozita e shënimit të 2 Korrkut u organizua edhe me rastin e pensionimit të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj.
Në biografi shkruan mes tjerash se Ramë Manaj “në vitet 1977 – 1979 ka punuar në Gazetën e përditshme ‘Rilindja’ – korrespodent i rregullt nga Komuna e Klinës”, se “prej vitit 1990 politikisht ishte i angazhuar dhe vazhdimisht aktiv në forume të larta të Lidhjës Demokratike të Kosovës-anëtar i Kryesisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i saj” dhe se “në legjislaturën e tretë ka qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Zëvendës Kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës”. Poashtu theksohet se, “ka punime dhe botime profesionale në editorial të ndryshëm në vend dhe jasht Kosove”.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli