• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festohet 141 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

June 10, 2019 by dgreca

-Në vitin 2003, kur festohej 125 vjetori, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  me Dekoratën Hero i Kosovës/

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 10 Qershor 2019/ Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, zhvillohen sot veprimtarit të shënimit të 141 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi. 
Vendimet e kësaj date, që u morën për vilajetet shqiptare në atë kohë, u bënë trase e rrugës tonë të deritashme dhe realizimit të aspiratës dhe të drejtës tonë shekullore”, shprehet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në 20 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme  të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 16 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

 “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë 20 vjet nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 11 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.

 Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre nëndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.

  
  
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:


Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.


SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.


Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.


Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.


Preshevë:

Riza Halimi.


Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi


Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.


Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.


Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari-Lidhja e Prizrenit-141 VJET

ALBRIGHT NË KOSOVË NË 20 VJETORIN E LIRISË

June 9, 2019 by dgreca

-Ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright në 12 Qershor në Sheshin “Sknderbeu” në Prishtinë në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë/

-Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999,  organizohen një sërë aktivitetesh, me organizime edhe  nga komunat/ Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Qershor 2019/ Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, në 11 vjetorin e pavarësisë. Ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

“Në 12 Qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, deklaroi sot Këshilli Organizativ.

Njoftimi i dërguar thekson se, ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright edhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.

 “Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Sekretaren Albright për kontributin e saj të vazhdueshëm për paqe dhe liri në Kosovë”, shprehet  Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

Albright ishte gruaja e parë në postin e Sekretares së Shtetit të SHBA-së. Në këtë detyrë, ajo ka shërbyer nga viti 1997 deri më 2010.

Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999,  organizohen një sërë aktivitetesh, me organizime edhe  nga komunat.

Prishtina edhe me panair libri po shënon 20 vjetorin e lirisë. Përmbyllet sot Panairi i librit “Prishtina 2019”, edicionin e 21-të, i hapor në  5 Qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për festimet e 20 vjetorit të çlirimit të kryeqytetit kosovar. 

Në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, në 12 Qershor në mesditë mbahet Akademi solemne dhe ndahen dekorata në sallën e Asamblesë Komunale, në mbrëmje mbahet Koncerti i Lirisë  i shoqërive kulturore-artistike prizrenase dhe Ansamblit Popullor të Tiranës në Sheshin Shatërvan. Para mesnate bëhet edhe lëshimi i fishekzjarreve festive nga Kalaja e Prizrenit.

ARKIV-5 KORRIK 2005: PRESIDENTI RUGOVA I DORËZOI ISH SEKRETARES AMERIKANE TË SHTETIT, MEDLIN OLLBRAJT, MEDALJEN E ARTË TË LIRISË

PRISHTINË, 5 Korrik 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solmnitet rasti, sot i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.
 
Presidenti Rugova zhvilloi edhe një takim me zonjën Ollbrajt ku bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë.

Presidenti Rugova pasi shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Ollbrajt, e çmoi si mike të madhe të Kosovës dhe të popullit tonë. Duke e falenderuar që sot ndodhet në vendin tonë dhe që ka gjetur kohë të jetë këtu, Presidenti tha se ajo “gjithmonë është e dashur dhe e respektuar”.

Duke folur për takimin, Presidenti Rugova tha se me zonjën Ollbrajt ka biseduar për progresin e Kosovës dhe se e ka njohur me arritjet që janë bërë, për gjendjen e mirë të sigurisë, stabilitetin e përgjithshëm.

“Po punojmë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme që të hapen bisedat për të ardhmen; punët që i kemi t’i kryejmë dhe natyrisht për të ardhmen, për pavarësinë”, u shpreh Presidenti Rugova, duke insistuar që të njihet sa më shpejt pavarësia nga SHBA-të BE-ja, po sidomos nga SHBA-të. Pavarësia, tha ai, do të hapte perspektiva të reja për të ardhmen e Kosovës, për popullatën e saj të re, duke u angazhuar për një mbrojtje dhe siguri të minoriteteve dhe të grupeve etnike.

“Kemi bërë një progres, por duhet të punojmë më shumë, po me pavarisinë do të bënim edhe më shumë. Unë punoj për këtë çështje, sikur edhe qeveria e grupet politike”.

Në fund duke i shprehur një falenderim të madh ish-sekretares së Shtetit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën, për lirinë e Kosovës, Presidenti tha se pret përkrahjen dhe ndihmën e mëtejshme të zonjës Ollbrajt në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën: “Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të”, tha Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Zonja shprehu kënaqësinë e madhe që sot ndodhet në Kosovë.

“Kosovës i kam kushtuar shumë kohë duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndjerë edhe e shqetësuar për të. Prandaj sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”, u shpreh pas takimit zonja Medllin Ollbrajt.

Ish-sekretarja e Shtetit porositi që në Kosovë duhet të zhvillohet demokracia dhe kërkoi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

“Unë e kam bërë të qartë në mesazhet e mia, ashtu edhe në bisedat me Presidentin se demokracia në Kosovës është shumë e rëndësishme. Unë tash jam shefe e Institutit Nacional Demokratik, i cili i është i përkushtuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë dhe në vende të tjera”, tha zonja Ollbrajt duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend shumetnik, ngase, siç tha, kjo e bën atë më të fortë.

Zonja Ollbrajt vlerësoi se është bërë mjaft progres, por duhet të bëhet edhe më shumë, duke premtuar se si qytetare amerikane dhe mike e Kosovës do të bëjë çmos që është e mundur që ta ndihmojë Kosovën edhe në këtë fazë.

“Të gjithë duan t’ju ndihmojnë. Unë nuk i përfaqësoj SHBA të zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t’ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”, theksoi zonja Ollbrajt.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albright ne Kosove-12 Qershor-Behlul Jashari

Mendjet e pushtura dhe presidenti

June 9, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Florida/

Shënjat e një pushteti absolut janë më të frikshme se sa një firmë çdekretimi zgjedhjesh. Kjo ka të bëj me pushtetin e Edi Ramës. Nëse në kohën e Hitlerit kishte një Gebels që i paraprinte propogandës me strategjinë e pushtimit të mendjeve, në rastin tonë është vetë Edi Rama. Ky ka arritur absolutizmin aq sot një qytetar socialist është i mahnitur ta zëmë nga një ngjyerje pallati, a një shesh publik që është transformuar me para publike por pa votën a aprovimin publik, të qytetarëve aty etj., sesa me çfarë ai përfiton nga qeverisja Rama. Se kur ka konsensus me publikun as fadromat nuk dalin natën, por me çeljen e diellit. Çfarë befenices dhe çfarë pozicioni social ka të garantuar përshembull në arsimimin e fëmijëve, integrimin social dhe të ardhurash ku ai të mund të imagjinoj të ardhmen e tij. Si vendoset sistemi taksimit qytetar në bazë të së cilës të ardhur? Papunësisë, pagës informale apo të atyre që sjellin emigrantët për baballarët dhe nënat? Apo në bazë të opinioneve të iksit, përshembull të tipit Peza në studiot e televizioneve? Në bazë të kujt? Çfarë arsyetimi financiar përdor qeveria në lidhje me ty si individ se, shpesh kryeministri të quan të pakualifikuar, nuk ke zanat etj. Kur e pyet se çfarë përfitove nga qeveria Rama një qytetar, të thotë një mut, të paktën rregulluam rimbursimin e ilaçeve Luftarit, por kaq ta bësh dhëmbin Ilir Metës nuk ja jap votën. Në fakt i miri njëri harron se ishte Rama bashkë me Erion Velinë që u ulën në një tavolinë peshku dhe me filozofinë e tyre gebeliste vendosën Ilir Metën ta bënin president. Dhe e bën duke shitur po me strategjitë gebeliste të pushtimit të mendjeve, si burrin më të mirë të politikës shqiptare. Urra thatë edhe atëherë, rroftë Rama strategu i përparimit. Kësisoj Rama me vetevendosjen e tij, duke u buzëqeshur vrastarisht, duke u ledhatuar fëmijët, ashtu gjysmë i përgjumur duke ua futur të gjithëve me ndjesinë se po u bën nder. Jo se po u shërben, por e theksoj po u bën nder, pushton mëndje e mëndje dhe sundon. Por pushtimi i mendjes të bën të harrosh veteveten dhe duke besuar absolutisht në ato që thotë Rama shkon plotësisht në një theqafje individuale dhe sociale. Sa për statistikë nga praktika të tilla, Gjermania i dha Gebelsit dhe Hitlerit rreth 5 milionë ushtarë dhe gati 80% të shoqërisë që punonin ditë e natë për të prodhuar tanke e aeroplanë bombardues. Kështu ka ndodhur edhe në shumë sisteme totalitare ku padyshim Shqipëria jonë nuk ka bërë përjashtim. Mendjet e pushtura janë me shumicë aq sot të gjithë flasin në emër të popullit. Respekti karshi tjetrit ka humbur përfundimisht për më tepër ekzsitenca instutucionale. Dhe një pjesë e mirë e njerëzve pyesin sot, nëse Ilir Meta do ishte një president i zgjedhur nga populli, a do ta çdekretonte ditën e zgjedhjeve? Do dukej kështu sikur një herë i kreh bishtin njërit e një herë tjetrit? Vërtetë mund t’i fshij me një firmë zgjedhjet një president? Por kjo është një pakicë afërmendsh e vogël, por që shpesh ndikon në zgjedhjet në Shqipëri. Herë e bën blu hartën elekorale, herë të kuqe. Gjithsesi, praktika e mendjeve të mbushura ka një dominim total dhe në një farë mënyre kjo ka ndikuar nga preferencat dhe nga ai inati shqiptar karshi njëri-tjetrit. Në fund të fundit, sado nopran, mafioz, hajdut, i kërkuar i drejtësisë, apo rrugaç politik të jetë Ilir Meta, ka të drejtën kushtetuese presidenciale të dhënë nga një darkë me peshk prej Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Kaq është produkt i ”suksesit” qeverisës të mjaftistëve Rama Veliaj. Si i shkoni nga pas mëndje mbushur kur mbillni një pemë a kur lyeni me bojë një pallat, shkojinin dhe tani. Fyeni, shajeni balanconi lavdërimet karshi Metës, veç jo në emër të popullit a shqiptarëve se ju e zgjodhët, nuk e zgjodhi populli. 

Shkoni e i thyni derën Ramës dhe Veliajt përpara se të ulërisni për kohën e mbushur të Ilir Metës në postin e presidentit. Se sa hajdut është presidenti etj. Ju po zbatoni kushtetutën dhe thoni se doni zgjedhje, po kështu edhe presidenti kushtetutën po zbaton thotë se nuk ka zgjedhje.

Por e gjitha nuk është asgjë tjetër, kohë dhe pushtet që prodhon kriza për shkak të mendjeve të pushtuara.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Presidenti Meta-Mendjet-Pushteti absolut

VATRA’S EDUCATIONAL FOUNDATION

June 9, 2019 by dgreca

VATRA’S EDUCATIONAL FOUNDATION/

Vatra’s Educational Foundation is currently accepting scholarship applications for the 2019-2020 academic year. Vatra has provided financial support in the form of scholarships to hundreds of Albanian American students for over fifty years. Vatra will be awarding several scholarships in the amount of $500-$1,000 to deserving students.

CRITERIA TO APPLY:

  1. The applicant must be enrolled as a full-time student at a college/university during the 2019-2020 academic year.  
  2. The applicant must be of Albanian descent. Priority will be given to members of Vatra and their children/grandchildren.
  3. Previous Vatra scholarship recipients are eligible to reapply for a total of two academic years. No more than two scholarship awards will be granted to the same applicant.

NECESSARY DOCUMENTS

  1. Scholarship Application Form (online)
  2. An official (sealed) transcript from your school (copies will not be accepted).
  3. Two letters of recommendation by individuals who have known you for at least one year. One of the recommendations must be written by either a professor, high school teacher, or guidance counselor. The letters must be sealed and signed.
  4. A résumé (no more than one page long) with a section on extracurricular activities. (8 ½ x 11).
  5. A personal statement on the topic of what you hope to accomplish in your field of study, not to exceed one page (8 ½ x 11, single-spaced).

EVALUATION CRITERIA

  1. Academic records
  2. Extracurricular activities
  3. Recommendation letters
  4. Personal statement

Late applications will not be considered.

DEADLINE AND SUBMISSION

All required documents must be received by Friday, September 13, 2019.  Awards recipients will be notified via email by Friday, September 20, 2019.

Interested applicants, please send an e mail to Mithat Gashi, Chair of Vatra’s Educational Foundation: Mithat.Gashi@gmail.com to request a link to the digital copy of the application.

Filed Under: Emigracion Tagged With: VATRA’S EDUCATIONAL FOUNDATION-MITHAT GASHI

VIDIO- PARADA PER CAMERINE DHE VATRA

June 9, 2019 by dgreca

NGA RAFAELA PRIFTI/

Vatra in the Albanian Parade – June 8, 2019

KLIKONI MBI VIDIO DHE SHIHNI PARADEN KUSHTUAR ÇAMERISE. FALEMINDERIT RAFAELA PRIFTI DHE NIPIT, DORIAN!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: VATRA-parada-per-camerine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 989
  • 990
  • 991
  • 992
  • 993
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT