-Në vitin 2003, kur festohej 125 vjetori, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës/
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRIZREN, 10 Qershor 2019/ Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, zhvillohen sot veprimtarit të shënimit të 141 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të
vendit, për liri dhe pavarësi.
Vendimet e kësaj date, që u morën për vilajetet shqiptare në atë kohë, u bënë
trase e rrugës tonë të deritashme dhe realizimit të aspiratës dhe të drejtës
tonë shekullore”, shprehet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në 20 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb. Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.
Në 10 qershorin e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.
“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 16 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.
Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar
nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e
Presidentit historik Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37
personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si
dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë
themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero
i Kosovës.
“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.
“Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…
Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.
Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.
Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra, që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë 20 vjet nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 11 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.
DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.
“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.
Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Presidenti Rugova tha se Dekorata
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet
personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe
institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të
shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për
bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për
integrimin evropiane e evroatlantike.
Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre nëndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr.
Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:
Kosovë:
Idriz Ajeti,
Mark Krasniqi,
Fehmi Agani,
Adem Jashari,
Ali Hadri,
Imzot Nikë Prela,
Anton Çetta,
Mehmet Gjevori,
Zekeria Cana,
Pajazit Nushi,
Sabri Hamiti,
Rexhep Ismajli,
Muhamet Shukriu,
Eqrem Kryeziu,
Jusuf Gërvalla.
SHBA:
Xhim Xhema,
Sami Repishti,
Xhozef Diogardi.
Maqedoni:
Shukri Rrahimi,
Ali Aliu.
Mali i Zi:
Mehmet Bardhi,
Ferhat Dinosha.
Preshevë:
Riza Halimi.
Itali – arbëreshët:
Antonio Bellushi
Shqipëri:
Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,
Eqrem Çabej,
Ismail Kadare,
Bujar Hoxha,
Azem Hajdari,
Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,
Ernest Koliqi.
Nga bota:
Noel Malkolm,
Mishel Ruks,
Robert Elsie,
Leonard Foks.
Nga tradita:
At Gjergj Fishta,
At Shtjefën Gjeçovi.