• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër e hapur Zonjës Leyla Moses-Ones

June 3, 2019 by dgreca

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë/

            E nderuara zonja Moses-Ones,

                Jam një qytetar që i përkas asaj shtrese të popullsisë së vendit që në periudhën e sundimit totalitar të sistemit komunist, kishte dëshirë për të mësuar dhe nuk e linin të mësonte, kishte dëshirë për të punuar dhe nuk e linin të punonte, kishte dëshirë për të jetuar dhe nuk e linin as të jetonte. Megjithatë munda të mbijetoj.

            Tani jam në moshën 83 vjeçare. Duke qenë i pranishëm në këto ditë të turbullta që po kalon vendi ynë, para syve më del një shprehje e studiuesit të njohur Giovani Sartori që në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë” shkruante:

            ”Njerëzit që kurrë  nuk  e  kanë  njohur  diktaturën  dhe  tiraninë  e  kanë  të  lehtë  të  jepen  pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të  shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjimend“.              

                Janë pikërisht këta njerëz, këta lakej të sistemit të përmbysur, që e kanë ndihmuar të qëndrojë në këmbë atë sistem, që sot janë në krye të organeve qeveritare, partive politike dhe organizatave jo qeveritare dhe japin leksione  demokracie. Shembulli më i qartë i hipokrizisë në rradhët e organeve më të larta të vendit.

            Më lejoni tani, e nderuara Moses-Ones, t’ju tregoj disa të dhëna rreth personit tim. Rrjedh nga një familje intelektuale, tregëtare nga qyteti i Vlorës. Im atë ishte pronari i një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit, e cila u shtetëzua nga qeveria komuniste në vitin 1946. Atëhere unë isha vetëm dhjetë vjeç. Shikoja tim atë që pothuajse për çdo mbrëmje dëgjonte në radio emisionin e lajmeve të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe dhe këto i komentonte me zë të ulët me miqtë e tij më të ngushtë.

            Duke dëgjuar këto komente, dalëngadalë në zemrën time filloi të forcohej bindja se shpëtimi  Shqipërisë do t’i vinte vetëm nga Shtretet e Bashkuara të Amerikës. Kështu i kishte ardhur edhe në vitin 1919, në Konferencën e Paqes pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur disa nga fuqitë e mëdha europiane kishin rënë dakord që ta copëtonin Shqipërinë dhe ishte Presidenti Willson ai që e kundërshtoi dhe bëri të mundur njohjen e kufijve ekzistues.

            Duke patur këto mendime, kur isha në moshën 15 vjeç, së bashku me dy shokë, krijuam një organizatë antikomuniste, e cila shpërndante trakte kundër sistemit komunist në qytet. Ja një shembuull i një trakti të shpërndarë, ku reflektohej respekti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

            “Poshtë Partia Komuniste! Rroftë nacionalizmi Anglo-Amerikan, mësonjësi  jonë! Poshtë Stalini dhe Enveri dhe kulishat e tyre! Poshtë komunizmi!”                 

            Por, në atë moshë që ishim ne, nuk mund të mos binim në kthetrat e sigurimit të zi të komunizmit. Kështu, më 24 maj 1951 arrestohemi dhe mbyllemi në qelitë e errëta. Edhe atje na mbajti gjallë shpresa se shpëtimi do të vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ja si iu përgjigja hetuesit kur më pyeti nëse isha penduar:

            Unë Reshati, deklaroj se rrugën që kam ndjekur, duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë, për deri sa gjendja në vendin tonë nuk do të ndryshojë dhe unë këtë ndryshim e pres nga të arratisurit jashtë shtetit, nga Anglo- Amerikanët dhe të tjerë.”

            Kështu filloi kalvari nëpër burgjet dhe kampet e tmerrshme të punës së detyruar. Atje rashë në kontakt me burra të tillë, diplomuar në universitetet më të mira të botës perëndimore që ishin dënuar vetëm sepse ishin adhuruesit e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të lira. Mund t’ju përmend disa nga këto figura të paharruara: Padre Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Doktor Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Fatosh Kokoshi dhe Meçan Hoxha, Haki Karapici dhe plot burra të tjerë. Kështu në zemrën time Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë simboli i lirisë dhe demokracisë.

            Por, së fundi, komunizmi u përmbys dhe ne, shtresa e të përndjekurve politikë, filluam të marrim frymë lirisht. Të përndjekurit politikë arritën deri në majat më të larta të pushtetit dhe partive politike. U krijua Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politikë, me në krye një figurë të rrallë, të nderuarin Osman Kazazi me 40 vjet burg dhe internim në periudhën komuniste. Unë u zgjodha Sekretar i Degës së Vlorës së shoqatës dhe  anëtar i Kryesisë Kombëtare të saj.

            Në këto vite përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte e jashtëzakonshme dhe në mënyrë të veçantë për ne, shtresën e të përndjekurve politikë nga regjimi totalitar. Do të mbeten të paharruara për mua takimet që zhvillonim në atë kohë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zotin William E. Ryerson, i cili ishte i pranishëm në çdo aktivitet që zhvillonte shoqata e jonë. Këto  takime vazhduan deri në largimin e tij nga Shqipëria më 13 tetor 1994. Marëdhëniet u ruajtën edhe me ambasadorët pasardhës Joseph E. Lake dhe Marisa R. Lino.

            Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Viti i zi 1997 do t’i përmbyste të gjitha arritjet e atyre pesë viteve të para të demokracisë. Edhe sot, njëzetenëntë vjet nga përmbysja e sistemit komunist, ndihet një qëndrim injorues karshi problemeve të shtresës së të përndjekurve politikë.

            Më lejoni t’ju paraqes disa fakte për sa thashë më sipër.

            Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshilit të Europës miratoi rezolutën Nr.1096  “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”. Në Shqipëri nuk u dha asnjë njoftim, megjithëse vendi ynë ishte anëtar i Këshillit të Europës dhe e kishte nënshkruar këtë rezolutë, madje edhe shtypi i shkruar dhe ai televiziv heshtën. Përse?

            Në Rezolutën 1481 (25 janar 2006) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nënshkruar edhe nga delegacioni ynë, në pikën 7 thuhet:            

            “Asamblea është e bindur që njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së kryerjes së krimeve në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi  moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishjëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për të ardhmen”

            Në mbështetje të kësaj Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Në seancën e miratimit të kësaj rezolute, deputetet socialistë, me urdher te kryetarit, Edi Rama, dolën nga salla..

            Kanë kaluar  dymbëdhjetë  vjet  nga  miratimi  i  kësaj  rezolute  dhe  nuk  është  realizuar 

pothuajse asnjë nga pikat e saj. Lidhur me sa më sipër na dalin disa pyetje:                                      1. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori,  frymëzuesi,  dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore? Kur do t’i hiqen titujt dhe dekoratat e fituara nga pushteti komunist (pika 8)                                                                                                                   2.  Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist  që  shënojnë  instalimin diktaturës komuniste? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist? Kur do të hiqet basorelievi nga fasada e Muzeut Historik Kombëtar, një vepër e realizmit socialist, ku dy të tretat i zënë partizanët dhe ndërtimi i socializmit në Shqipëri dhe vetëm një e treta për gjithë historinë e kombit tonë dhe ku, në mënyre të veçantë, mungojnë trojet e tjera shqiptare?  (pika 9)                                                                                                                    3. Kur   do  të  bëhen  publike  dokumentat  që  dëshmojnë  krimet  e  rregjimit  komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve? (pika 10)   4. Kur do të hapen dosjet  e  ish-bashkëpuntorëve  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive dhe të shkruara? (pika 11)                                                5. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve  dhe  të  zhdukurve  me  ose  pa  gjyq  për arsye politike? (Pika 15)                                                                                                                                  6. Kur  do  të  organizohet  konferenca  kombëtare  me  pjesëmarrjen  e  përfaqësuesve  të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? (Pika 17).                             Të gjitha këto janë të përfshira në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë. Për të gjitha këto. për fat të keq, nuk ka asnjë përgjigje. Heshtja sundon. Për më tepër ka filluar një fushatë  e egër kundër të vetmit institucion të ngarkuar për zbardhjen e pikërisht këtyre krimeve. Fjala është për Institutin e Studimit dhe Pasojave të Regjimit Komunist, të drejtuar nga një figurë e njohur, i nderuari Agron Tufa. Para disa ditësh Kuvendi i Shqipërisë i hoqi të drejtën e studimit të krimeve të kryera në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.       Le të vazhdojmë më tej’                                                                                                                     Në muajin mars 2010  një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkoj  Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit do të thotë se ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo. Ky njoftim nuk u publikua fare për shtetasit shqiptarë.  Gjithashtu më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi.                              Dy lajme me të njejtën përmbajtje. Ka kohë që  Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shipërisë, ku unë bëj pjesë, e ka ngritur zërin me forcë për këtë problem, madje në  vitin 2007, në Kongresin e XV-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Çeki, ku mori pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë, u mor vendimi për t’i kërkuar BE-së ngritjen e nje Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Lidhur me këtë në muajin tetor të atij viti, u mbajt në Tiranë, me nismën e shoqatës tonë,  konferenca shkencore me temë “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare” ku, nëpërmjet kumtesave të mbajtura, ngrihesh domosdoshmëria e kësaj gjykate. Por reflektimi i kësaj ngjarje në opinionin publik ishte fare i vakët, megjithëse vetëm një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar rezolutën mbi dënimin e krimeve të  rregjimit komunist. Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri ua kalojnë disa  herë  atyre  të  kryera në ish-vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një  shembull. Sipas deklaratës  së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, dënimi i fundit me  vdekje për motive politike  në  Sllovaki  ishte  dhënë  në  vitin 1956,  ndërsa  te  ne  në  vitin  1988,   me varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim është kryer kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit  të  jetës  ai  kërkonte  gjak.                                                                                                             Sot në Shqipëri nuk ka një memorial kushtuar viktimave të komunizmit, në një kohë kur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ngritur një memorial madhështor, nuk ka një burg apo kamp të punës së detyruar të kthyer në muze, ndërkohë që ato ekzistojnë në pothuajse të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore që ishin nën sundimin komunist. Ka mbi dhjetë vjet që është krijuar shoqata për kthimin e kampit të punës së detyruar të Spaçit në muze dhe ende nuk po gjen përkrahje për t’u ngritur.Në Shqipëri nuk ka asnjë president, kryetar parlamenti, kryeministër, deputet apo  kryetar partie që të ketë kërkuar falje për krimet e  kryera  në  kohën  e  komunizmit,  në  një  kohë  kur  i ndritshmi Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në mesjetë, Kancelarja Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi, madje edhe një qytetar gjerman kërkoi  falje për krimin që kishte kryer ati i tij, duke marrë pjesë në masakrën e Borovës këtu në Shqipëri. Kjo gjendje ka marrë përpjestime të mëdha në ditët tona kur Shqipëria është përfshirë në revoltat popullore që kanë shpërthyer në të gjithë vendin. Jam dakord me ju per denimin e përdorimit të dhunës në protesta, por nuk shoh asnjë reagim për shkaqet që çuan popullin në këto protesta.

           Cilat janë këto shkaqe?                                          

1. Çështja  e  Reformës  në  Drejtësi  dhe  Ligjit  të  Dekriminalizimit  të  miratuara  nga Kuvendi i Shqipërisë.

            Faktikisht reforma po zhvillohet vetëm për organet e drejtësisë (i ashtuquajturi “Veting”). Kjo reformë nuk po shtrihet edhe në organet legjislative apo administrative, që janë të mbushura me elementë ish-lakej të sistemit të përmbysur. Lidhur me sa më sipër më datën 20.06.2015, Dega e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokrate të Shqipërisë për Tiranën, në të cilën unë isha kryetar, i dërgoi Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe Komisionit Parlamentar për dekriminalizimin, si dhe për dijeni ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Lu dhe ish-Ambasadores së Bashkimir Europian, zonjës Romana Vlahutin, shkresën me Nr. Prot. 5,  me anën e së cilës i propozonte komisioneve të mësipërme që në ligjet përkatëse të shtohej edhe një nen ku të përjashtoheshin nga zgjedhja në organet e larta të Kuvendit të Shqipërisë, Pushtetit Ekzekutiv dhe atij të Drejtësisë, të gjithë ata ish-gjykatës, ish-prokurorë dhe ish-hetues pjesëmarrës në gjyqet e periudhës komuniste që kishin dhënë dënime të padrejta, si dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ish-punonjësit e organeve të diktaturës së proletariatit                                                                                            Prisnim një përgjigje prej tyre por jo vetëm komisionet në fjalë, por edhe ambasadorët nuk denjuan të na kthenin një përgjigje. Një gjë e tillë na shkaktoi një dhimbje në ndërgjegjen tonë. Ishte shtresa e jonë ajo që u përndoq dhe u eliminua egërsisht nga sistemi komunist vetëm e vetëm sepse kishim  besim se zgjidhja do të vinte pikërisht nga Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Por përgjigja nuk erdhi. Përse?

            Sot zhvillohet vetingu vetëm për sasinë e pasurive që ka deklaruar sejcili gjykatës i Këshillit të Lartë Gjyqësor,  Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të apelit dhe atyre të shkallës së parë, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithëshme dhe prokurorive te rretheve, dhe pa u thelluar në të kaluarën e sejcilit prej tyre., siç parashikonte propozimi i më sipërm i shoqatës tone. Kjo ka sjellë që në krye të këtyre organeve të jenë ende shumë nga ata që na pushkatuan, na dënuan, na internuan dhe  na mohuan  çdo mjet jetese.

           2. Çështja e dorëheqjes së Kryeministrit. Në shumë vende të botës janë të njohura dorëheqjet e bujshme të shumë burrave të shquar. Unë do të përmend vetëm disa prej tyre:                                                                                      Richard Nixon. Ishte Presidenti i 37-të i SHBA-së që ka qëndruar në këtë post nga viti 1969 deri në 1974-n. Ai është i vetmi President i Amerikës që ka dhënë dorëheqjen. Është i njohur skandali i “Watergate”-it, i cili rrëzoi Nixon-in nga posti i Presidentit dhe ngriti lart famën e gazetarisë amerikane. Ishte viti 1972 kur disa hajdutë thyen zyrat e Partisë Demokratike në hotelin “Watergate” në Washington, ngjarje që fillimisht u komentua si vjedhje ordinere. Por në fakt, dy gazetarë zbuluan se këta njerëz kishin hyrë në zyrat e Partisë Demokratike për të vënë përgjues, sipas porosive të ndihmësve të Nixon-it. Kështu që ai mund të përgjonte gjithçka thoshin kundërshtarët e tij politikë.                                                                                                                Romano Prodi,  Kryeministër i Italisë që nga maji 2006, kur koalicioni ku ai bënte pjesë fitoi zgjedhjet parlamentare përballë ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, qeveria Prodi do zgjaste vetëm nëntë muaj, kjo pasi disa vendime të saj nuk u miratuan në Parlament. Qeveria italiane e humbi votën në Senat, megjithë paralajmërimet e ministrit të Jashtëm, Massimo d’Alema, se humbja do të thoshte dorëheqje për qeverinë. Disa parti në koalicionin qeverisës, kundërshtuan dislokimin e 2000 trupave në Afganistan, si edhe planin për zgjerimin e bazës ajrore amerikane në Vicenza. Menjëherë pas mosmiratimit të vendimeve, Romano Prodi i paraqiti dorëheqjen e tij Presidentit  Giorgio Napolitano.                                                                                                         Margaret Thatcher është kryeministrja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, duke mbajtur këtë post që nga viti 1979 deri në 1990-n. “Zonja e Hekurt”, është një nga politikanet britanike më të shquara në historinë e politikës së Anglisë. Pas 11 vitesh në krye të qeverisë dhe Partisë Konservatore, Thatcher sfidohet nga ish-kolegu i saj, Michael Heseltine, për lidershipin e partisë, duke tërhequr mbështetje të mjaftueshme në raundin e parë të votimeve për të bërë një votim të dytë. Megjithëse fillimisht Thatcher tha se do ta kontestonte votimin e dytë, pasi u konsultua me ministrat e saj, ajo vendosi të tërhiqej nga kontestimi. Më 22 nëntor ajo njoftoi se nuk do të  ishte

kandidate për kreun e partisë në votimin e dytë. Charles De Gol njihet si një nga gjeneralët më të shquar gjatë Luftës së II-të Botërore dhe si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Francës. Gjatë luftës, ai ishte lideri i qeverisë në ekzil të Francës së lirë dhe kryetar i guerrilasve antinazistë. Ai ka dhënë dy dorëheqje gjatë karrierës së tij. Pas Luftës, ai ishte kreu i qeverisë së përkohshme që nga shtatori i 1944-ës deri në 20 janar të 1946-ës, kur dha dorëheqjen pas konflikteve mes partive politike dhe pas mos aprovimit të draftit të kushtetutës për Republikën e Katërt. Ndërsa dorëheqja e tij e dytë ishte në vitin 1969. Që në vitin 1958 e deri në këtë vit, ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Pestë të Francës. De Goli dha dorëheqjen pas dështimit të referendumit të tij për të transformuar Senatin (Dhoma më e Lartë e Parlamentit frëng, që ka më pak fuqi se sa Asambleja Kombëtare), në një organ këshillues.                                                                                                                                            Boris Jeltcin, largimi nga politika në vitin 1999 i presidentit të Rusisë është cilësuar pa dyshim si një nga dorëheqjet më të mëdha të historisë botërore. Boris Jeltcin, njeriu që drejtoi Rusinë pas rrëzimit të regjimit komunist në vend, nga viti 1991 deri në vitin 1999, dha dorëheqjen për shkak të krizës që kishte pushtuar vendin. Atëhere kur personalitete të tillë të politikës botërore japin dorëheqjen, përse kryeminstri ynë nguron ta bëjë një gjë tillë? A mos vallë shkaqet që i detyruan këto personaliteteve janë më të mëdha se ato të kryeministrit tonë? Mbi kryeministrin tonë rëndojnë  akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet parlamentare dhe atyre lokale, rëndojnë shtimi, përpunimi dhe eksporti i lëndëve narkotike duke e bërë vendin tonë një qendër të trafikimit ndërkombëtar të këtyre lëndëve, e rëndon shtimi i korrupsionit në rradhët e organeve qeveritare, shtimi i ekzodit të pakrahasuar i të rinjve nga atdheu drejt perëndimit dhe plot raste të tjera të panjohura. Aktualisht Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 122 anëtarë, kur normalisht duhej të kishte 140. Vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Këto fenomene nuk kanë ndodhur gjatë sundimit të qeverive të mëparëshme, qofshin ato të djathta apo të majta. Përplasjet e mëdha midis kryeministrit dhe pjesës më të madhe të vendit tonë dhe në interes të gjendjes së qetësisë për të cilën ka nevojë atdheu,  mos vallë nuk janë të mjaftueshme që një kryeministër të japë dorëheqjen?

            3. Çështja e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin lokal më 30 qershor 2019.                                   Duke hedhur një vështrim për rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2015 do të shohim se pjesëmarja në këto  ishte 47,5 %. Nga kjo përqindje 63,48 % e saj ose 30,15 % e votuesve dhanë  votën për koalicionin e majtë. Rekordin në këto zgjedhje e mban Bashkia Vlorë ku pjesëmarrja ishte 35 % dhe nga këto koalicioni i majtë fitoi  61,7 % të saj ose 21,59 të votuesve të bashkisë.

            Gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pjesëmarrja në votime ishte 46,77 %. Nga kjo përqindje koalicioni i majtë fitoi 48,34 % ose 22,6 % e votuesve të vendit.

            Të gjitha këto të dhëna janë nxjerrë nga vendimet mbi rezultatet e zgjedhjeve lokale 2015 dhe atyre të përgjithëshme 2017,  nga Komisioni Qëndror i  Zgjedhjeve.

            Sipas të dhënave aktualisht në 35 bashki  votimi do të kryhet pa kundërshtarë politikë pasi kanë vetëm nga një kandidaturë, atë të partisë qeveritare. Madje kryeministri ka deklaruar se do t’i  fitojë të 61 bashkitë. A nuk është kjo kthim në sistemin monopartiak të shëmbur njëzetenëntë vite më parë?

            Duke u mbështetur në këto të dhëna rezulton se në rast se zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor ku, natyrisht koalicioni i djathtë nuk do të marrë pjesë, pjesëmarrja në votime do të jetë nën 30 %. Atëhere, a do t’i njohin institucinet ndërkombëtare këto zgjedhje? A do t’i konsiderojnë si të drejta dhe legjitime? A ka ndodhur në ndonjerin prej vendeve perëndimore një fenomen i ngjashëm me këtë që po ndodh në Shqipëri?

            Këto janë disa nga pyetjet që unë dua t’jua drejtoj juve, e nderuar zonja Leyla  Moses-Ones duke shpresuar në shqyrtimin me seriozitetin më të madh të tyre dhe duke pritur një përgjigje prej jush.                                                                                        

   Me respekt

                                                                                                                                                  Reshat   Kripa

P.S.      Dërguar nëpërmjet linjës postare datë 30 maj 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat-Kripa-Leter- Leyla Moses-Ones

Mbi lirinë

June 3, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vdekja është si një tunel, pa dalje, megjithatë, çuditërisht, njeriu vrapon i lumtur sikur të mos e dijë se kalon nëpër rrugë të verbër. Është e qartë se vdekja do të vijë, prej saj nuk ka ikje; është një e vërtetë për të cilën njerëzit përgjigjen me frikë dhe shpesh krijojnë mbrojtje që dukshëm ndikojnë karakterin e tyre.
Liria nuk është diçka që mund të konsiderohet burim shqetësimi. Është krejt e kundërta. Liria në përgjithësi shihet si një koncept pozitiv, por në kontekstin e mbijetesës, koncepti i lirisë i frikëson njerëzit. Liria i referohet faktit se një njeri është përgjegjës vetëm për jetën dhe veprimet e tij. Nëse është i vërtetë fakti që njeriu vetë e krijon botën vet, kjo do të thotë që ai nuk qëndron në tokë të fortë dhe se poshtë tij ekziston humnera. Ndryshe nga përvoja e përditshme, njeriu jeton vetëm përkohësisht, vjen dhe shkon nga një botë që nuk është as koherente, as e strukturuar mirë. Ushtrimi i lirisë hap rrugën e përgjegjësisë, e cila është burim i rëndësishëm ankthi për njerëzit. Njerëzit ndryshojnë shumë, varet nga shkalla e përgjegjësisë që ata mund të marrin. Disa fajësojnë të tjerët për atë që u ndodh, ose kushtet e jetës, apo bosët e tyre. Të tjerët mohojnë plotësisht ekzistencën e përgjegjësisë duke e konsideruar veten “viktima të pafajshme” që vuajnë nga ngjarje të jashtme, ndoshta duke shpërfillur nëse vetë ata i kanë vënë në lëvizje këto ngjarje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Mbi lirinë

DITËT SHQIPTARE NË BAVARI

June 3, 2019 by dgreca

–
Prezenca e jashtzakonshme e sopranos me famë botërore Ermonela Jaho , interpretimet e artistëve te rinj: Flaka Goranci , mezo soprano, Ausilijo Mehmeti, pianist, formati mjaft i bukur me të cilin ishte konceptuar kjo veprimtari çelëse …/

NGA MARJANA BULKU/

Identifikimi i shqiptarëve nëpër botë në ditët e sotme perbën një nga sfidat akute të shekullit aktual në kushtet kur bota shqiptare e ka më shumë sesa jetike bashkimin e vlerave, individëve, historive të tyre të punës, progresit dhe suksesit.”Ditët shqiptare ne Bavari” nisën me një veprimtari të veçantë ideuar dhe organizuar nga Konsullata Shqiptare në Mynih ,konsulli i përgjithshëm zoti Arten Hanku dhe një grup pune që mbështetën,sponsorizuan dhe  organizuan një veprimtari të veçantë jo vetëm në axhendën e Konsullatës por edhe për komunitetin e shqiptarëve të cilët jetojnë aty.

Prezenca e jashtzakonshme e sopranos me famë botërore Ermonela Jaho , interpretimet e artistëve te rinj: Flaka Goranci , mezo soprano, Ausilijo Mehmeti, pianist, formati mjaft i bukur me të cilin ishte konceptuar kjo veprimtari çelëse krijuan një impakt mjaft pozitiv edhe për miqtë gjermanë të ftuar të shumtë të cilët e ndoqën këtë event  mbresëlënës.

Veprimtari të tilla duket se janë intesifikuar vitet e fundit në Mynih, shprehen disa prej pjesmarrësve ndërsa për Konsullin Arten Hanku ky është vetëm fillimi pasi sipas tij kapacitetet akademike , kulturore e intelektuale nuk mungojnë dhe duhen ca energji të përbashkëta dhe vullnete pozitive për ti vene ne pah në mjedise si këto .

Paneli i mbrëmjes i thjeshtë në dukje por jo aspak në përmbajtje i vendosur në një sallë prestigjioze në zemër të Mynihut kishte ,  në qendër ekranin gjigand me disa spote interpretimesh madhështore të Ermonela Jahos në Madrit, Londër , Washington, Nju Jork, Australi, Gjermani dhe dy karrike ku   Ermonela Jaho (soprano) dhe Shpresa Gazheli ) permes një  komunikimi të veçantë, dialogues, transmetuan mesazhe  të cilat i dhanë mbrëmjes elemente të shumfishta emocionesh por edhe informacionesh me vlerë.Madhështia e artistes u shkri me rrëfimet e udhëtimit të saj artistik plot me sfida e vështirësi, plot me shkëlqime dhe vlerësime nga kritikët mē të mëdhenj të cilët e ndjekin artisten në axhendën e saj të pandalshme. Rolet tragjike të Jahos, plastika interpretative, duartrokitjet e pandalshme, vlerësimet e kritikëve dhe shtypit prestigjioz ndërkombëtar duket se nuk do ta zëvëndësonin dot këtë ditë shqiptare në Bavari që nis dhe kulmon me një prej ikonave shqiptare e cila është kaq e thjeshtë dhe e brishtë në komunikimin e saj po aq sa madhështore dhe magjike në interpretimet dhe rolet operistike skenave botërore. 

Ditët shqiptare në Bavari , një traditë pothuaj tre vjeçare bashkojnë qindra shqiptarë të cilët jetojnë , sfidojnë dhe arrijnë suksese nē Gjermani duke mos harruar vendin nga vijnë. Profesorë, mjekë e specialistë i japin duart njëri tjetrit duke dëshmuar se nuk ka qenë e lehtë t’ ja nisësh nga e para në vend të huaj , por është bukur kur së bashku dëshmojnë arritje e vështirësi duke dëgjuar dhe ndihmuar njëri -tjetrin. Ndërsa për brezin që rritet këtu , ditë si këto janë më shumë se historike, janë pesha e kohës që ata nuk e njohin por që është prezente nëpër rrënjët e tyre prindërore.

Ditët shqiptare në Bavari  do vazhdojnë për një javë me evente të tjera të cilat do identifikohen mes produkteve më tē mira të botës shqiptare këtu, – shprehet Konsulli shqiptar Arten Hanku i cili është nxitësi , iniçuesi dhe organizatori i këtyre ditēve që lënë pas jehonë të gjatë sa vërtet bëhen të domosdoshme në rutinën e pêrditëshme të jetës së shqiptarëve të Gjermanisë

31 maj 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku-Ditet Shqiptare-Bavari

SHKOLLA E VATRES NE CLEWATER FESTOI 1 QERSHORIN

June 3, 2019 by dgreca

NE SHKOLLEN SHQIPE NE CLEARWATER FLORIDA,FESTOHET 1 QERSHORI DITA NDERKOMBETARE E FEMIJEVE/

SHKRUAN: NDUE GJEKAJ /Clewater-Florida/

Festa e 1 Qershorit, dita ndërkombëtare e femijeve,tani është kthyer në traditë të zakonshme edhe ne shkollen shqipe ne Clearwater Florida. Nen kujdesin e Deges se Federates Pan Shqiptare te Amerikes”VATRA”  te Tampa bay dhe te mesueseve te kesaj shkolle Mimoza Tragaj e Ana Kullaj ne mjediset e kesaj shkolle u mblodhen te festonin se bashku prinder dhe femije. Ceremonia ishte emocionuese. Ne fjalen e hapjes mesuesja Mimoza Tragaj pershendeti femijet, mesueset dhe prinderit. nder te tjera ajo nenvizoi arritjet e shkolles: “kete vit shkollor pati arritje te shkelqyera si te nje pjesmarrjen me te gjere te femijeve ne mesim, ashtu dhe ne nivelin e perversimit te programit mesimor”. Ajo falenderoj degen e Vatres dhe kryetarin e saj z.Tasim Ruko per interesimin mbeshtetjen dhe kontributin e tyre, c’ka ka bere te mundur funksionimin normal te kesaj shkolle. Nje falenderim special ajo percolli per  prinderit e e mrekullueshem,qe gjate te gjithe vitit shkollor jane perkujdesur per marvajtjen ne mesime te femijeve te tyre, ku vecoje prinderit Ardina Naqo, Ante & Genta Zizolli, Blendi Priftin, te cilet kane dhene kontribute et vecanta per shkollen.

Pas fjales se mesueses Mimoza Tragaj,do ta merrnin fjalen femijet, te cilet i dhane nje gjalleri te vecante festes se tyre. Moderatorja e veprimtarise festive kushtuar 1 Qershorit,  nxenesja e kesaj shkolle Sara Bako,hapi programin e pregatitur posacerisht me kenge,valle dhe recitime ne gjuhen e embel shqipe, ku ishin aktivizuar pothuajse te gjithe nxenesit. Interpretimet e bukura si ne te folurit shqip,ashtu dhe lojen aktoreske,bene qe salla te shperthente me duartrokitje te panderprera. Nga emocionet prinderit nuk i mbajten lotet e gezimit tek degjonin femijet e tyre qe flisnin e interpretonin aq bukur ne gjuhen e nenes, ne nje shqipe te paster. Jo vetem Alisa e vogel,Kostina,Andrea dhe Izabela, por te gjith pa perjashtim;,Katja, Sierra,Kostina,Kledi,Migeli,Diari,Joeli,Saranda,Nadja, Mariza,ishin te mrekullueshem.

 Pas programit artistik,mesuese Mimoza,nderoj me certefikata nxenesit per rezulttet e shkelqyera ne mesime per vitin shkollor 2018-2019.

Nxenesit, mesuesit dhe prinderit, i ka pershendetur dhe kryetari i deges se Vatres Z.Tasim Ruko i cili falenderoi te pranishmit,e ne vecanti vlersoi kontributin dhe punen e pa lodhur te mesueseve dhe prinderve ne funkesion te mbarvajtjes se shkolles shqipe. Ai duke cituar vargjet e Fishtes: “Pra mallkue njaj bir shqiptari/ Qe kete quhe te perendise/ Trashigim qe ja la i pari/ Trashigim s’ja len ai f’mise”….

Z. Ruko u beri thirrje te gjithe komunitetit shqiptar,qe te punojne per trashegimin e kesaj gjuhe tek brezat, duke ju bashkengjitur shkolles shqipe. Ne fund, per nxenesit dhe gjithe te pranishmit me mbeshtetjen e Vatres dhe te prinderve,u shtrua nje koktej me pije freskuese,embelsira etj , me sponsor New York pizza Tampa,dhe kaluam shume momente te bukura gezimi e lumturie,qe prania e femijeve sjell ne shpirtin e cdo prindi….

Clearwater me 1 Qershor2019.

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla Shqipe Cleawater-Tasim Ruko

Hans Joachim Lanksch dhe poeti ynë Zef Zorba

June 2, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Në gzetën Illyria #2558, May 24 – May 30, të këtij viti, lexova shkrimin e idhtë e të dhimbshëm të  largimit fizik nga kjo botë të përkthyesit të letërsisë shqipe në gjermanisht Hans Joachim Lanksch. Si mirëdashës dhe përkthyes i pasionuem i letërsisë shqipe në gjermanisht, ai do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe në mendjet e shqiptarëve që merren me letra.

 Kur punoja si editor në gazetën “Dielli”,në vitin 1994 dhe më vonë, pata ra në kontakt me Lanksch-in dhe u bëmë miq; natyrisht: me korrespondencë. Ajo që dua të vë në dukje është fakti që Lanksch nuk u muar vetëm me përkthimet e poetëve tonë në gjermanisht, por ushtroi një veprimtari të gjërë kulture. Kur Lanksch ra në kontakt me poezinë e poetit tonë Zef Zorba, në vitin 1996, e vlerësoi atë dhe organizoi një komision të përbërë  prej atij vetë, prej prof. dr.alter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut) dhe prof. dr. Ilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut) që i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj. Argumenti: “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkruar në Shqipni”.1).

 1). Hans-Joachim Lanksch: “Arti autonom i fjalës”,  revista“Phoenix”, 1997 / 1, f. 49-52).

*   *   *

Kush është Zef Zorba

 (1920-1993)–

Zefi pati ndërprerë studimet e larta në Itali, në kohën e luftës, dhe qe kthyer në atdhe. Duke punuar si regjizor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, në vitet 1945-46, vuri në skenë pjesën dramatike “Juda Makabe” të Fishtës, e cila trajtonte luftën për çlirim dhe tradhtinë kombëtare, problemet më të mprehta kombëtare, në atë periudhe kur në fshatrat per rreth Shkodrës, në Postribë, në Malësi të Madhe dhe në Mirditë vlonte lufta për të mos rënë nën thundrën komuniste ose për ta përmbysur atë. (Zef Zorba, “Disidenca e parë e organizuar e intelektualëve të Shkodrës”, “Hylli i Dritës”, numër i posaçëm, Tiranë, 1996). Kështu, Zorba e shpalli vetën haptas si disident i regjimit, që porsa kishte filluar të lëshonte rrënjë. Për këtë ai vuajti burgun e rëndë të viteve 1946-1951. Mbasi doli nga burgu, punoi si llogaritar në ndërmarrjet e qytetit. 

Pas vdekjes, nën kujdesin e Stefan Çapalikut, iu botua vëllimi poetik “Buzë të ngrira në gaz”, një përmbledhje poezish lirike të shkruara brenda skajeve të një jete të tërë, prej rreth 40-50 viteve. “Buzë të ngrira në gaz” është shqiptimi i një poetike të lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, pse jo edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend dhe të shkëputur nga bota.

“Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e një intelektuali të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë moderne, duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Hungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T. S. Eliot, dramaturg si Shou. Pirandelo, Uelld, Uajllder, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer, etj., etj.” (Stefan Çapaliku, në shënimin në kopërtinën e fundit të librit “Buzë të ngrira në gaz”).

Në vitin 1989, mbasi shkroi edhe një pasthënie, e cila hedh dritë mbi lëndën poetike të përmbledhjes, natyrën sintetizuese rigoroze të poezisë së tij, që “në realitet ka qenë gjithmonë tipar i poezisë” në përgjithësi. ( Zef Zorba, “Pasthënie” e librit “Buzë të ngrira në gaz”, f. 98-101).

Me punën e lodhshme e të stërmundimshme të mjeshtrit, Zorba kërkon një komunikim të plotë me lexuesin “komunikim që s’i drejtohet një leçitësi të plogtë, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër.” (Z. Zorba, po aty).

Menjëherë mbas përmbysjes së diktaturës, Zorba filloi bashkëpunimin me revistën “Hylli i Dritës”, organ i françeskanëve. Në fushë të krijimtarisë origjinale, ai përveçse autor i përmbledhjes poetike, që përmendëm, është edhe autor i disa pjesëve dramatike e librete operash. Pjesë e rëndësishme e prodhimit të tij letrar është edhe një fond i rëndësishëm publicistik e studimor. (Stefan Çapaliku, refrenca e cituar më lart).

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Lanksch-Zef Zorba

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 996
  • 997
  • 998
  • 999
  • 1000
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT