![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2018/10/1-Astrit-Lulushi-286x300-2-2.png)
Nga Astrit Lulushi/
Vdekja është si një tunel, pa dalje, megjithatë, çuditërisht, njeriu vrapon i lumtur sikur të mos e dijë se kalon nëpër rrugë të verbër. Është e qartë se vdekja do të vijë, prej saj nuk ka ikje; është një e vërtetë për të cilën njerëzit përgjigjen me frikë dhe shpesh krijojnë mbrojtje që dukshëm ndikojnë karakterin e tyre.
Liria nuk është diçka që mund të konsiderohet burim shqetësimi. Është krejt e kundërta. Liria në përgjithësi shihet si një koncept pozitiv, por në kontekstin e mbijetesës, koncepti i lirisë i frikëson njerëzit. Liria i referohet faktit se një njeri është përgjegjës vetëm për jetën dhe veprimet e tij. Nëse është i vërtetë fakti që njeriu vetë e krijon botën vet, kjo do të thotë që ai nuk qëndron në tokë të fortë dhe se poshtë tij ekziston humnera. Ndryshe nga përvoja e përditshme, njeriu jeton vetëm përkohësisht, vjen dhe shkon nga një botë që nuk është as koherente, as e strukturuar mirë. Ushtrimi i lirisë hap rrugën e përgjegjësisë, e cila është burim i rëndësishëm ankthi për njerëzit. Njerëzit ndryshojnë shumë, varet nga shkalla e përgjegjësisë që ata mund të marrin. Disa fajësojnë të tjerët për atë që u ndodh, ose kushtet e jetës, apo bosët e tyre. Të tjerët mohojnë plotësisht ekzistencën e përgjegjësisë duke e konsideruar veten “viktima të pafajshme” që vuajnë nga ngjarje të jashtme, ndoshta duke shpërfillur nëse vetë ata i kanë vënë në lëvizje këto ngjarje.