• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË REFLEKTIM PERSONAL NË 10-VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM  TË SH. T. Imzot RROK MIRDITËS KRYEIPESHKVIT TIRANË-DURRËS

December 8, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në 10-vjetorin e kalimit në amshim të Sh. T. Imzot Rrok Mirditës, dëshiroj ta kujtoj atë me nderim. Imzot Rrok Mirdita, Ipeshkëv i shuguruar nga duart e Papës historik të shekullit të kaluar, Shenjtërisë së Tij, Shën Gjon Pali II.  Imzot Rrok Mirdita ka shërbyer me përkushtim si Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit nga viti 1992 e deri në vitin 2015, kur ndërroi jetë duke mbyllur përgjithmonë shërbimin e tij ndaj Zotit dhe Atdheut. Siç dihet, periudha që ai shërbeu në Shqipëri si udhëheqës i Kishës katolike, dallohej si një prej kohëve më të vështira të tranzicionit politik në atë vend edhe për Kishën Katolike Shqiptare të vuajtur e të martirizuar për pothuaj gjysëm shekulli nga komunizmi enverist ndërkombëtar.

Imzot Rrok Mirdita, gjatë kësaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ai u bë një zë shprese, besimi, paqeje dhe udhëheqjeje shpirtërore, jo vetëm për besimtarët katolikë por edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithsi. I quajtur edhe “ipeshkvi i lirsë”, Perendia e zgjodhi Mons Rrok Mirditën për misionin më të vështirë apostolik të kohës, duke e vendosur atë – për të ringjallur Kishën Katolike shqiptare, duke predikuar dashurinë dhe mirësinë e fesë së tij të Jezu-Krishtit, mu në qëndër të “antikrishtit” botëror në Tiranën e Shqipërisë komuniste – e cila me krenarinë dhe bindjen më të madhe ateiste kishte shpallur, me ligj, Shqipërinë vendin e parë në botë kundër Zotit.  

Megjithë vështirsitë që shpesh dukehsin të pa kapërcyeshme, nën udhëheqjen e tij të urtë, Kisha Katolike në Shqipëri gjeti stabilitet, dinjitet dhe hapje ndaj së ardhmes. Me urtësinë dhe busullën e tij morale, fetare dhe atdhetare, shpresojmë ai të ketë kontribuar ndaj atij që eventualisht, të jetë themelimi i një shoqërie më të drejtë, më të dashur dhe më njerëzore ndër shqiptarët, pa dallim dhe kudo

Por ky është një përvjetor – 10-vjet pass kalimit të tij në amshim,  për të kujtuar figurën e shquar të Monsinjor Rrok Mirditës — baritorit të urtë, meshtarin e përkushtuar dhe shqiptarin fisnik, i cili për gati gjysmë shekulli i shërbeu Kishës dhe kombit me përulësi e dashuri të pashtershme. Këto kujtime të mia nuk janë të reja pasi i kam shprehur edhe më heret, nga burime të ndryshme – kujtime, që në një mënyrë ose në një tjetër, i kam shënuar edhe në shkrime të tjera modeste gjatë dekadave mbi jetën dhe veprimtarinë e Mons Rrok Mirditës. Frank Shkreli: U nda prej nesh Monsinjor Rrok Mirdita | Gazeta Telegraf  Frank Shkreli: Një vit pa Imzot Rrok Mirditën | Gazeta Telegraf —Frank Shkreli: 60-vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork | Gazeta Telegraf – e tjera burime

Më duket e pabesueshme por kanë kaluar 10-vjet pa Mons Rrok Mirditën. i pabesueshëm është edhe fakti se sa e gjatë mbetet midis nesh edhe mungesa e njerëzve si Rrok Mirdita, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë kishtare dhe shoqërore të Shqipërisë post-komuniste. Me “Dom Rrokun” – kështu në të vërtetë i referohemi atij edhe sot, të gjithë që e kemi njohur atë gjatë dekadave – më kanë lidhur shumë ngjarje e zhvillime private e personale të jetës time dhe të familjes.  Duke filluar nga njohja me ‘të pas shugurimit të tij meshtar në Klleznën e tij të dashur, në vitin 1965 mos qofsha gabim. Lidhjet e mia dhe ato familjare me Dom Rrokun u forcuan edhe më tepër kur ai erdhi në Amerikë për t’i shërbyer komunitetit katolik në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1970-ave. Ai ishte instrumental si “ndërmjetës” në fejesën time, që çoi në martesën me Vitoren –duke zyrtarizuar kështu, bekimin me kurorën shënjte, në ceremoninë që Dom Rroku bëri me 3 Janar, 1976 – pothuaj 50-vjet më parë, në Kishën Zoja e Këshillit të Mirë në lagjën Bronks të Nju Jorkut.  Për të vazhduar kontakte me të për dekadat që pasuan, në Nju Jork, Washington e më vonë edhe në Shqipëri.

Për Mons Rrok Mirditën unë kam shumë kujtime të mira që lidhen me mua dhe familjen time, por kam edhe më shumë kujtime të paharrueshme mbi rolin e tij si udhëheqës publik dhe fetar gjatë dekdave në vendlindjen tonë të përbashkët në rrethin e Ulqinit, por më vonë në Amerikë dhe në Shqipëri. Janë kujtime të veçanta respekti dhe ndjesie njerëzore që, pëgjithsisht, ai i përcillte tek të gjithë bashkbidesuesit pa dallim,gjithmonë në qetësinë dhe urtësinë, që e dallonte atë.

Nuk e harroj kurrë mënyrën si fliste – ngadalë, me një ton të qetë, pa e ngritur zërin as kur çështjet ishin tepër të ndërlikuara dhe ndonjëjherë edhe konfliktuale. Kishte një aftësi të rrallë për t’i zhvendosur njerëzit nga tensioni i bisedës ose argumenteve, drejt reflektimit, nga dyshimi drejt shpresës dhe zgjidhjes së problemeve. Edhe kur nuk thoshte shumë, thoshte mjaftueshëm për të vendosur drejtimin e duhur për zgjidhjen e çeshtjeve. Ishte pikërisht kjo prani fisnike dhe e matur ajo që më ka lënë një mbresë të përhershme, gjatë gjithë kohës që e kam njohur dhe deri në ditët e sotëme.

Ndonëse Mons Rrok Mirdita, nuk ishte i vetmi ndër udhëheqsit fetarë e publikë shqiptarë të këtyre dekadave të fundit, me veti dhe vlera të dalluara fetari e shqiptari, por ky përvjetor i kalimit të tij në amshim më bën të reflektoj se sa shumë do i nevojiteshin shoqërisë aktuale konfliktuale shqiptare — asaj publike, politike dhe fetare — njerëz si Dom Rrok Mirdita qoftë në trojet shqiptare, por edhe në diasporë ku ai ka shërbyer për një kohë të gjatë.

Në nivel personal fetar dhe publik, Monsinjor Rrok Mirdita do mbetet një pikë reference shembullore, bashkjetetse. Jo sepse ishte i përsosur — askush nuk është — por sepse ishte i sinqertë në qëllim dhe i qëndrueshëm në vlera. Ai dinte të dëgjonte. Dinte të prekte plagë pa i hapur ato, siç shprehej dikur Profesor Sami Repishti, ish- i dënuari i regjimit komunist në Shqipëri. Dinte të jepte shpresë jo me fjalë të mëdha, por me atë lloj qetësie që vjen vetëm nga besimi idhe bindja e brendshëme shpirtërore.

Në këtë dhjetëvjetor, e ndiej sikur kemi humbur, jo vetëm, një figurë të madhe të Kishës, por edhe një busullë morale njerëzore të një kohe që sot mungon në rrafshin publik, shoqëror dhe ndoshta edhe fetar. Por, pavarësisht, viteve që kanë kaluar, Dom Rroku mbetet i pranishëm në kujtesën time dhe të gjithë atyre që e kanë njohur si një shembull i udhëheqsit të heshtur, i një force të qetë dhe i mirësisë, por edhe i vendosur, kur ishte nevoja, ndërsa kurrë nuk kërkonte vëmendje ndaj personit ose veprimtarive të tij. Prandaj në këtë 10-vjetor të kalimit në amshim të Imzot Rrok Mirditës, kujtoj me mall bashkvendasin, mikun e bashkpuntorin figurën e shquar fetare dhe publike të 5-dekadave të fundit, por për të gjithë të tjerët që e kanë njohur, bariun e urtë, meshtarin e përkushtuar dhe shqiptarin fisnik, i cili për gati gjysmë shekulli i shërbeu Kishës dhe Kombit me përulësi e dashuri të pashtershme. Uroj që Mons Rrok Mirdita të mbetet shembull për të gjithë ata që e kanë njohur sadopak se shërbimi ndaj t[ af[ërmit tëndë është forma më e lartë jo vetëm e shërbimit ndaj Zotit, por njëkohsisht edhe dhe ndaj Atdheut.

 I paharruar qoftë kujtimi i tij! 

Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes Katoliko-Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Komente

Letërsia shqiptare mes sfidave e dilemave

December 8, 2025 by s p

Artan Nati/

Panairi i librit, ai që lëvizi nga Tirana në New York nën kujdesin e “Vatra”-s, nuk ishte thjesht një festë letrash. Ishte një radiografi emocionale e dy anëve të mëdha të kulturës shqiptare: madhështisë së autorëve tanë dhe mjerimit të sistemit që i vlerëson.

Nga njëra anë, nëpër stendat e panairit në Shqipëri u ndje fryma e jashtëzakonshme e letërsisë shqiptare që po kap standardet botërore. Romane të thella, poezi të guximshme, ese që dialogojnë me idetë më moderne, të gjitha dëshmonin se talenti shqiptar nuk ka as kufij, as komplekse.

Por nga ana tjetër, nën dritat e sallës, dukej hije një realitet më i hidhur: procesi i vlerësimit të librave në Shqipëri vazhdon të jetë i turbullt, shpesh i kapur nga miqësira, interesat dhe qokat. Çmimet që duhej të ishin simbol i meritës shpesh shndërrohen në dekor të marrëdhënieve personale.

Kështu, panairi në Shqipëri nuk tregoi vetëm librat që kemi: tregoi edhe sistemin që na mungon. Letërsia jonë është gati për botën; mbetet të pyesim nëse bota jonë institucionale është gati për letërsinë.

Në vend që të kemi një qarkullim të natyrshëm të librit, ku lexuesi kërkon autorin dhe autori konkuron me talent e jo me tavolinë kafesh, kemi një panoramë satirike ku letërsia është bërë një aktivitet ceremonial, një ritual i butë i qokës. Në Shqipëri motua e funksionimit te shoqërisë është: Më mirë një mik se një çiflik. Në tregun letrar? Me mirë një qokatar se një libër i mirë letrar. Në këtë terren, është krejt e kuptueshme që ne nuk mund të krijojmë dot më shkrimtarë të rangut të Martin Camajt, Gjergj Fishtës, Migjenit apo Ismail Kadaresë. Jo sepse Shqipëria nuk ka talente natyrale, por sepse terreni sot nuk i ushqen, nuk i mbron, nuk i përball me asgjë që mund t’i kthejë në zëra të rëndësishëm. Ashtu si te “Darka e gabuar” e Kadaresë, ku një ftesë përmbys gjithë hierarkinë, edhe sot letërsia shqiptare ecën me të njëjtën logjikë: s’vlen kush shkruan, por kush ulet në tavolinë. Autori i vërtetë mbetet në korridor, ndërsa qokatarët kryesojnë tryezën duke ngritur dolli për libra që askush s’i ka hapur. Letërsia? Një darkë tjetër e gabuar, vetëm se tani ka më shumë selfie dhe shumë më pak letërsi.

Qoka letrare është, në thelb, versioni kulturor i tenderit publik: kush e merr punën nuk varet nga projekti, por nga kafja e fundit.

Këta kolosë të djeshëm ishin të mëdhenj sepse shkruanin në përplasje me kohën e tyre. Fishta godiste psikologjinë kolektive me satirë kirurgjikale, duke e thyer mendësinë provinciale me një forcë që e bën ende të duket i pakalueshëm sot. Migjeni shkruante në zjarrin e revoltës së varfërisë, duke parë realitetin në sy, dhe jo vetëm për ta denoncuar, por për ta çjerrë, për ta shpuar me një estetikë që rrallë ka pasur vend në letërsinë tonë. Camaj ndërtoi një univers të vetin, të pandikuar nga estetika e rreme e kohës, një botë që nuk kërkonte as lavdi dhe as dekorata. Dhe Kadareja sintetizoi mitet, historinë, diktaturën, tragjedinë moderne dhe metaforën universale në një sistem letrar që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë dhe ndoshta as më pas. Secili prej tyre pati një konflikt me realitetin që i detyroi të përdornin fjalën si mburojë, si armë, si shenjë shpëtimi. Letërsia e tyre nuk ishte profesion, por mision, shpesh i rrezikshëm, i vështirë dhe i pakompromis.

Në këtë klimë është ironike të kërkosh një Camaj të ri, një Fishtë të ri, një Migjen të ri apo një Kadare tjetër. Këta figura nuk u prodhuan nga sistemet e qokës, por nga presioni i ndërgjegjes, nga konfliktet personale, politike, estetike dhe shpirtërore, nga guximi për t’u përplasur me realitetin e vendit të tyre dhe me defektet e shoqërisë. Ata nuk u bënë të mëdhenj pse u përkrahën; u bënë të mëdhenj sepse i mbijetuan indiferencës, censurës, paragjykimit dhe rrëmujës së epokës së tyre. Ndërsa sot, shkrimtari shqiptar nuk ka kundërshtar real. Ka vetëm mungesë interesi. Dhe mungesa e interesit është më e rrezikshme se censura, sepse të zhduk pa zhurmë.

Letërsia e sotme funksionon si skemë: qokatarët e rritur me ngrohtësinë e partisë në pushtet lidhin krahët me shtëpitë botuese, të cilat lidhen me juritë e çmimeve letrare, të cilat lidhen me autorët, të cilët lidhen me… edhe një faturë tjetër. Si në çdo rreth vicioz, gjithçka lëviz rreth një boshti të vetëm: qokës perfekte, ku sasia e duhur e komplimenteve, favoreve dhe telefonatave mbrëmjeje bën më shumë punë sesa cilësia e dorëshkrimit.

Me ardhjen e komunizmit, letërsia shqiptare prodhoi një brez autorësh që u ngritën në piedestal për bindjet e tyre politike dhe jo për vlerat artistike si Fatmir Gjata, Dhimitër Shuteriqi, Kolë Jakova, Luan Qafzezi apo Llazar Siliqi, të cilët u botuan dhe u nderuan pafund gjatë regjimit, por pas viteve ’90 u zhdukën pothuajse plotësisht nga qarkullimi letrar, sepse veprat e tyre ishin të lidhura ngushtë me propagandën, moralin socialist dhe skematizmin ideologjik që lexuesi i sotëm nuk e përthith më.

Pas 90-s, disa autorë të dalë nga burgjet u ngjitën në piedestal me mitin e viktimës, por koha tregoi se miti qe më i fortë se letërsia. Kasëm Trebeshina u shpall gjenial pa u lexuar, dhe sapo u lexua doli se proza ishte hermetike dhe e çrregullt. Visar Zhiti mbeti peng i të njëjtit toni trishtues, vajtues, që e lodhi lexuesin. Pjetër Arbnori u ngrit si simbol politik, por romanet e tij mbetën më shumë dëshmi sesa letërsi. Ndërsa Fatos Lubonja la pas prozën për polemikën, duke e zbehur zërin letrar. Piedestalet ranë sepse ishin ngritur me emocion, jo me kritere estetike. Duket se ne mallkojmë censurën e vjetër, por nderojmë të privilegjuarit e rinj.

Në letrat shqiptare të tranzicionit, figura si Ben Blushi, që u ngjit në majë të vëmendjes si politikan, u trajtua për vite si “shkrimtar i rëndësishëm” vetëm sepse fama politike i dha volum mediatik, ndërsa Artan Fuga, i ardhur nga akademia dhe debati publik, u trajtua shpesh si autor “i padiskutueshëm” më shumë për shkak të autoritetit publik sesa ndikimit letrar. Në të njëjtën logjikë, përmenden shpesh edhe Preç Zogaj, i cili përfitoi dukshëm nga pozicionet politike dhe mediatike për t’u vendosur në një piedestal kritik që sot nuk përkthehet më në lexim real. Këta autorë nuk janë “të dështuar”, por janë shembull ku kapitali politik dhe mediatik ndikoi më shumë sesa vetë pesha letrare.

Tragjedia shqiptare: Politika na ka dhënë shkrimtarë, por letërsia rrallë na ka dhënë politikanë. Shkrimtarët tanë ndërtojnë mitin për veten, por nuk ndërtojnë botën e lexuesit. Atje ku shteti është i shëndetshëm, letërsia është udhërrëfyesi i tij; ku shteti është i sëmurë, letërsia është robi i tij. Kjo e fundit ndodh në Shqipëri.

Promovimi i librit tek ne nuk është hapje debati, është liturgji. Libri nuk lexohet: shugurohet. Autori nuk prezantohet: adhurohet. Në këtë teatër solemn, kritika është mëkatare, njëlloj si të pyesësh priftin pse predikimi nuk kishte kuptim. Pyetje të tilla nuk bëhen jo se s’kanë përgjigje, por se prishin ceremoninë.

Tek ne, kritika nuk shihet si instrument i arsyes, por si akt armiqësor, si një atentat metafizik ndaj “krijuesit”. Kritiko një libër në promovim dhe je automatikisht: i lig, i frustruar, ose akoma më keq… i sinqertë. Në një kulturë ku vlerat shpesh simulojnë vetveten, sinqeriteti është forma më brutale e dhunës.

Ironia është se ne flasim për letërsi, pra për territorin ku e vërteta, stili dhe ideja duhet të jenë të pacenueshme. E megjithatë, pikërisht aty ku libri del para publikut, ai mbrohet me një imunitet pothuajse teologjik. Kritikë në promovim? Jo, faleminderit, më mirë i bëjmë temjan.

Pyetja e vërtetë nuk është “A është e pamoralshme të kritikojmë autorin në promovim?”, por: A është morale të vazhdojmë ta quajmë këtë proces kulturë? Nëse kritika shihet si herezi, atëherë promovimi nuk është më akt intelektual, është thjesht një ritual ku nderojmë letërsinë pa e lexuar dhe autorin pa e sfiduar.

Deri sa të mësojmë ta duam të vërtetën më shumë se qokën, promovimi i librit do të jetë skena ku të gjithë pëshpëritin lëvdata, ndërsa kritika rri jashtë, e dëbuar, si një e vërtetë që askush nuk ka guximin ta ftojë brenda.

Deri kur të ndryshojë ky mentalitet, deri kur fjala të rifitojë peshë dhe lexuesi të rifitojë kërkesë, deri atëherë do të vazhdojmë të mbetemi një vend ku librat botohen me bollëk por nuk lexohen, ku autorët promovohen por nuk diskutohen, ku talenti ekziston por nuk qarkullon. Dhe këtu qëndron ironia më e madhe: letërsia shqiptare ka gjithçka, përveç leximit. Dhe një komb pa letërsi mbetet një komb pa shpirt.

Letërsia shqiptare është pasqyra e një vendi ku meritokracia është teori abstrakte, ndërsa qoka është metodë shkencore. Dhe derisa kultura të mos financohet nga favoritizmi, por nga lexuesi, letërsia do të vazhdojë të rrotullohet rreth atyre që ulen në tavolinë, jo rreth atyre që shkruajnë. Në fund të fundit, në Shqipëri një gjë është e sigurt: qokat ndërrohen, por sistemi mbetet.

Filed Under: ESSE

VATRA NË MBËSHTETJE TË ROBERT LULGJURAJT NË GARËN PËR KONGRESIN AMERIKAN

December 8, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra po mbështet fuqishëm kandidatin republikan Robert Lulgjuraj i cili po kandidon për Kongresin Amerikan, si përfaqësues i Distriktit 10 në Michigan. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha dhuroi 2 mijë dollarë në emër të Vatrës dhe u bëri thirrje të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve që ta mbështesin me çdo kusht kandidatin shqiptar për Kongresin Amerikan. Kryetari Berisha në këtë takim elektoral e patriotik shoqërohej nga anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi e vatranë të tjerë. Gjatë bisedës së ngushtë Dr. Berisha e ka përgëzuar kandidatin Lulgjuraj për fushatën, profilin profesional, mesazhet e forta dhe platformën elektorale fituese. Dr. Berisha u shpreh për Diellin se “Z. Lulgjuraj ka një shans të artë për të shënuar një arritje historike për të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vatra do ta shoqërojë dhe mbështesë Robert Lulgjurajn në të gjitha takimet e New York-ut.

Filed Under: Opinion

Sot, më 8 Dhjetor, festohet Dita e Rinisë!

December 8, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

𝟯5 𝘃𝗶𝘁𝗲 𝗺𝗲 𝗽𝗮𝘀, 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗯𝗼𝗿𝘅𝗵 𝗺𝗲 𝘀𝘁𝘂𝗱𝗲𝗻𝘁𝗲𝘁 𝗲 𝗱𝗵𝗷𝗲𝘁𝗼𝗿𝗶𝘁.

35 vjet më parë, studentët e asaj kohe kryen një akt me të vërtetë madhor, që do të ndryshonte gjithë rrjedhën e Historisë Shqiptare.

Dhe ata, Studentët e Dhjetorit ‘90, LIBERATORËT, u bënë iniciatorë të kthesës së madhe historike, që solli rënien e komunizmit dhe lindjen e Demokracisë në Shqipëri.

Ata, Studentët e Dhjetorit ’90, dolën në ballë të epokës, të një epoke, që, ndoshta kërkonte prestigjiatorë.

Dhe ata…, pa ulërima dhe pa lajka, i thanë gjërat me emrin e tyre. U ndeshën me konservatorizmin dhe forcat regresive qeverisëse të Shqipërisë. Dhe paraqitën një propozim tjetër për atdheun. Propozuan dhe ofruan demokracinë, lirinë e besimit, mendimit, fjalës, veprimit…

8 Dhjetori i 1990-ës merr një vlerë të veçantë, e cila kurrë nuk do të zbehet. Studentët e Dhjetorit ’90 meritojnë mirënjohjen më të thellë, sepse bëhet fjalë për një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shpëlanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza 20- 22 vjeçarë ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare.

Një brez djemsh e vajzash 20 vjeçarë që bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën. Një brez 20 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë.

Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë edhe kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët i rrihnin me shkopinj gome, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.

Respekt e mirënjohje për ata studentë e pedagogë të guximshëm e demokratë, të cilëve Historia u ka borxh!

Respekt e mirënjohje për ata studentë që nuk kërkuan që rreth tyre të thurreshin legjenda e mite, që luftuan që të shemben njëherë e mirë idhujt e mitet e rremë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, studentët kërkuan në emër të një populli, atë ç’ka i mungonte Shqipërisë e shqiptarëve: pluralizmin politik, Lirinë e Demokracinë.

Idealet e rinisë studentore të Dhjetorit ‘90 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike, më njerëzore të shqiptarëve.

Ndaj dhe 8 Dhjetori ‘90 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj.

Është dita e “bijës” së kësaj Lëvizjeje, Partisë Demokratike, e cila nëpërmjet liderit të saj, Sali Berisha, themeluesve të tjerë Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Arben Broci, Arben Imami, Pjetër Arbnori rikthyen atdheun në botën perëndimore, në liri e demokraci.

Është dita e nderimit të udhëheqësit të tyre, Azem Hajdarit.

Është dita e Heroit të Demokracisë, Arben Broci dhe e të gjithë atyre që u sakrifikuan për Demokracinë.

Është dita e nderimit të studentëve protagonistë: Azem Hajdari, Arben Broci, Arben Lika, Shenasi Rama, Tefalin Malshyti, Mesila Doda, Mimoza Ferraj, Arian Manahasa, Ilir Dizdari, Ardi Stefa, Skënder Madani, Luan Meçaj, Ridvan Peshkëpia, Arben Sulo, Edvin Shvarc, Ndue Lugja, Bardhyl Ukcamaj, Afrim Krasniqi, Arben Muça, Ilir Nikolla, Bislim Ahmetaj, Albert Kushta, Agim Parllaku, Arben Ibro, Spiro Curra, Aleksandër Biberaj, Roland Bejko, e dhjetëra studentë të tjerë, që u vunë në ballë të protestave.

Në këtë datë do të dëshiroja të falenderoja dhe veçanërisht të gjithë studentët vlonjatë, Mimoza Ferraj, Ardi Stefa (që i ngarkuar nga Komisioni Nismëtar solli në Vlorë Programin dhe Statutin e PD, për themelimin e degës), Alma Bendaj, Albert Kushti, Arian Nika, Ermal Arapi, Alban Arapi, Enela Pici, Enkeleida Stefa, Dorian Sofia, Alban Xhiku, Arben Meçaj, Besnik Dervishi, Arben Petro, Lad Kordhaj, Sokol Bala, Edmond Ruçi, Altin Llupa, Edmond Banushi, Marsela Ahmeti, Petrit Zeqiri, Luan Meçaj, pedagogun Herkole Sava, e dhjetëra të tjerë, të cilët me guxim, kurajo e vendosmëri ishin në ballë të protestave, ishin nga firmëtarët e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kontribuuan në themelimin e degës së Vlorës dhe qëndruan konseguentë të vlerave e idealeve të Dhjetorit ’90!

Ju jemi mirënjohës përjetësisht!

***

Sot, 35 vite më pas, ende Partia Demokratike u është në borxh këtij brezi studentësh, pesëdhjetëvjeçarë, tashmë. Shumë prej tyre u larguan ose i larguan nga politika aktive.

Shumë prej tyre provuan emigrimin dhe represionin e qeverive socialiste. Provuan varfërinë ekonomike, papunësinë, provuan dhunën fizike e shpirtërore.

Por asnjëherë ata nuk tradhtuan idealet e tyre demokratike, me të cilat ishin mbrujtur.

Gjithmonë pranë PD edhe pse në heshtje e pa kërkuar asnjëherë asgjë. Sepse në ADN-në e tyre qëndronte e qëndron idealizmi, demokracia, vlerat e vërteta njerëzore.

E, pra. Partia Demokratike u ka ende detyrim atyre studentëve, atij brezi.

Sa të përfaqësuar janë ata në parti?

Dhe pse u “fshi” si me gomë ideja e drejtë e kryetarit të PD, z. Sali Berisha, që Studentët e Dhjetorit dhe ish të Përndjekurit Politikë me shoqatën e tyre të jenë në PD me statusin e organizatave partnere, njëlloj si FRPD dhe LDG, dhe të kenë përfaqësim sipas kuotave që u takojnë në Këshillin Kombëtar dhe në organet e tjera vendimmarrëse?

Duhet korrigjuar urgjentisht; duhet të thërritet përsëri Këshilli Kombëtar e të rishikojë vendimin.

Ish- Studentët e Dhjetorit ’90 dhe ish- të Përndjekurit e vërtetë Politikë duhet të kenë vendin e tyre në organet vendimmarrëse të PD.

Studentët e Dhjetorit ’90 nuk duhen trajtuar si element dekorativ në raste datash të shënuara, apo si veteranë, për të marrë prej tyre kapital politik!

Janë ende të rinj. Kanë çfarë t’i japin ende atdheut. Kanë ide, pjekuri politike, qytetare e profesionale, vrull, energji e idealizëm.

Ata janë nga ai brez, që do të jetë gjithmonë i gatshëm që po t’i thërrasë atdheu t’i rrëzojnë edhe një herë diktaturat!

Filed Under: Politike

Zgjedhjet e 28 Dhjetorit 2025: Testi vendimtar për konsolidimin e shtetit të Kosovës

December 8, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Kosova përballë një prove vendimtare shtetërore

Zgjedhjet e 28 Dhjetorit 2025 përfaqësojnë shumë më tepër sesa një proces të rregullt elektoral. Ato përbëjnë një provë të rëndësishme politike, institucionale dhe morale për Republikën e Kosovës, në një fazë delikate të konsolidimit të saj shtetëror. Në thelb, qytetarët përballen me një dilemë thelbësore: forcimin e një shteti funksional, të bazuar në ligj, profesionalizëm dhe përgjegjësi publike, apo vazhdimin e një praktike qeverisëse të karakterizuar nga improvizimi politik, diletantizmi institucional dhe personalizimi i pushtetit.

Kur diletantizmi politik institucionalizohet

Sfida kryesore e Kosovës nuk lidhet me mungesën e kornizës ligjore apo institucionale, por me mënyrën se si pushteti është ushtruar në praktikë. Në shumë raste, qeverisja është perceptuar dhe trajtuar jo si shërbim ndaj interesit publik, por si instrument për realizimin e interesave personale apo partiake. Ky realitet ka mundësuar shndërrimin e diletantizmit politik, në bashkëpunim me klientelizmin dhe kapjen e institucioneve, në një model funksional të ushtrimit të pushtetit.

Si pasojë, antivlerat janë normalizuar, ndërsa standardet profesionale dhe meritokracia janë margjinalizuar, duke e dobësuar ndjeshëm efektivitetin dhe besueshmërinë e institucioneve publike.

Antivlerat si kërcënim për integritetin shtetëror

Në praktikat e shteteve me demokraci të konsoliduar, korrupsioni moral dhe institucional konsiderohet një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin kombëtar. Në rastin e Kosovës, tolerimi i zgjatur i praktikave të tilla ka krijuar një proces degenerues, që vepron gradualisht mbi themelet e shtetit. Mosndëshkimi i vazhdueshëm i këtyre dukurive ka minuar besimin e qytetarëve në institucione dhe ka thelluar distancën ndërmjet aparatit shtetëror dhe shoqërisë.

Shtetet e vogla dhe pamundësia për të toleruar antivlerat

Përvoja ndërkombëtare tregon qartë se shtetet e vogla dhe të reja nuk e përballojnë dot luksin e institucioneve të dobëta dhe qeverisjes joprofesionale. Modele si Finlanda, Estonia dhe Singapori dëshmojnë se suksesi shtetëror nuk është produkt i retorikës politike, por i ndërtimit sistematik të institucioneve të forta, të bazuara në meritokraci, kompetencë dhe respekt ndaj ekspertizës.

Roli i elitës intelektuale dhe përgjegjësia publike

Elita intelektuale dhe akademike – profesorët, studiuesit, juristët, ekonomistët dhe profesionistët e fushave strategjike – përbëjnë një nga shtyllat themelore të zhvillimit shtetëror. Heshtja e tyre në raport me deformimet institucionale krijon një boshllëk të rrezikshëm, i cili shpesh mbushet nga mediokriteti politik. Historia evropiane dhe praktika demokratike dëshmojnë se reformat e qëndrueshme nisin nga mendimi kritik dhe angazhimi akademik, jo nga propaganda ose improvizimi politik.

28 Dhjetori 2025: Zgjedhje për shtetin dhe rendin institucional

Zgjedhjet e ardhshme paraqesin një moment vendimtar për vetëdijen qytetare. Ato janë një mundësi për të zgjedhur mes forcimit të një shteti funksional, të bazuar në standarde morale dhe profesionale, dhe vazhdimit të një modeli qeverisjeje të dominuar nga personalizimi i pushtetit dhe servilizmi politik.

Kosova nuk ka nevojë për figura të rastësishme apo për qasje populiste ndaj pushtetit. Ajo ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me kompetencë profesionale, integritet moral dhe vizion shtetëror. E ardhmja e Republikës së Kosovës ndërtohet mbi meritokraci, forcim institucional dhe respekt ndaj parimeve të qeverisjes së mirë, jo mbi narcisizëm politik dhe improvizim.

Përvoja historike e dëshmon në mënyrë të qartë: shtetet e vogla mbijetojnë dhe zhvillohen vetëm kur udhëhiqen nga elita e përgjegjshme dhe profesionale.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 2858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT