• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kristo Dako, një ndër shqiptarët e ditur të Amerikës

February 22, 2024 by s p

A ishte Dako, Kryetari i parë i “Vatrës”?

Dr. Gjovalin Gjeloshi

Pedagog në Kolegjin Universitar “Qiriazi”

Tiranë

Kristo Anastas Dako, u lind në qytetin e Korçës në vitin 1876. Mësimet e para i përfundoi

në qytetin e Korçës dhe më pas kur familja emigroi në Rumani, Bukuresht, (Kristo ishte vetëm

11 vjeç) ai vazhdoi dhe përfundoi mësimet në shkollën e mesme. Studimet e larta universitare i

kreu në Universitetin e Bukureshtit, Dega Matematikë. Në Bukuresht është anëtar aktiv i shoqërive të shqiptarëve që ishin formuar aty dhe aktiviteti i tij zgjerohet edhe në qytete të tjera

të Rumanisë, veçanërisht në Braila, ku u themelua shoqëria “Djalëria shqiptare” dhe Kristo Dako

zinte vendin e nderit. Më vonë, emigroi në SHBA dhe në vjeshtën e vitit 1906, ai regjistrohet në

degën e filizofisë në universitetin e Oberlindit, Ohajo.

Për arsye të kushteve të vështira që u krijuan në Shqipëri, ai i ndërpreu studimet dhe më

1908 u kthye në atdhe.Më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit dhe shërbeu nëvijimësi si drejtor e mësues i shkollës amerikane, të themeluar nga misionari Charles Telford Ericksonnë Elbasan si dhe në Normalen e Elbasanit.Më pas, pas shumë peripecive që kaloi nën regjimin xhonturk, në gusht 1912, së bashku meParashqevi Qiriazin, u rikthye përsëri në SHBA, pët të vijuar studimet e lëna përgjysëm.

Nëpërmjet mikut të tij amerikan, Charles Crane, Dako ka pasur mundësinë t’ibëjë me dije Presidentit tëShteteve të Bashkuara WoodrowWilson,  interesat kombëtare të Shqipërisë.Miqtë amerikanë të Dakos qenë të shumtë. “Kumbara” i miqësisë me Crane qe profesori i Kristos në Kolegjin e Oberlinit, E. L. Bosworth, i cili ia rekomandoi Crane-it, si shoqërues për të vizituar Shqipërinë e viteve 1911-1912. Edhe pse Crane mbetet “kryemiku”, sipas shënimeve që ka lënë vetë Dako, miqësia e Dakos me misionet amerikane që filluan të vepronin në Shqipëri,  është e hershme, qysh në vitin 1908, kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi. Madje zonja Kenedi kishte qenë shoqe shkolle e Sevasti Qiriazit (Dako), qysh në shkollën fillore amerikane të Manastirit. Ndërsa për Frederic Howe, një avokat i shquar dhe profesor në disa universitete të SHBA, Dako shkruante: “Zoti Frederic, me të cilin patmë nderin të piqemi e tënjihemi për së afërmi, ka një mendim shumë të mirë për shqiptarët”. Të tjerë miq qenë edhe zonja Louisa Byington, zonja dhe zoti Artur Baldwin, Mis.Carolina Borden e të tjerë. Mike e çiftit Dako qe edhe anglezja e madhe për ne shqiptarët Miss. Edith Durham.

Pas Kenedëve, që ishin amerikanët e parë që shkelën tokën shqiptare, gjashtë muaj më vonë erdhi Ericksoni, bashkë me familjen e tij.Dako edhe me këtë të fundit pati një miqësi të ngushtë dhe marrëdhënie të vrullshme pune, edhe në shërbim të kombit.

Po kush janë marrëdhëniet e Kristo Dakos me Federatën Panshqiptare “Vatra”? Po t’u referohemi shënimeve e botimeve të ndryshme për atë kohë, Vatra u themelua si bashkim i disa shoqërive të ndryshme të shqiptarëve, në mars të vitit 1912 dhe në korrik të atij viti “Vatra” zhvilloi kongresin e parë. Në këtë kongres u vendos që Vatra të mos kishte kryetar, por një sekretar të përgjithshëm.Me shumicë votash u zgjodh sekretar Faik Konica, i cili ishte në garë me Kristo Floqin. Sekretari i përgjithshëm do të ishte edhe redaktori i Diellit1). Ilir Ikonomi në librin e tij, ardhjen e Kristo Dakos në SHBA, e cilëson si “ardhjen e një shqiptari tjetër tëditur”2)… Atij, i mësuar me drejtimin e shoqërive të emigrantëve shqiptarë në Europë, nuk iu desh shumë kohë për t’u ingranuar në detyrat që e prisnin. Një orator i lindur, një korçar i zgjuar (në mes të shumë korçarëve të ishin vendosur në Amerikë) dhe një burrë i palodhur, ai zhvilloi shumë biseda e takime me shqiptarëte Amerikës në të gjitha qytetet ku ishin vendosur, duke iu hapur sytë e ndriçuar mendjen se, nëse nuk arrijmëtë kemi dashuri në mesin tonë, do të vijojmë të mbesim përsëri mbrapa popujve të tjerë. Kristo Dako luftoi shumë për të nxitur integrimin e shqiptarëve në vendin ku kishin ardhur, dhe kjo do të bëhej pikë së pari nëpërmjet mësimit të gjuhës. Dakoja hapi kurse falas në Natik, për t’u mësuar shqiptarëve anglishten, për të gjetur punë më lehtë dhe premtonte t’u mësonte shqipen atyre që nuk dinin ta shkruanin.3).

Në qershor 1913, zgjidhet në kryesinë e drejtimit të “Vatrës” dhe njëkohësisht i besojnë drejtimin editorial të “Diellit”, organit zyrtar të Federatës4).Nuk kaloi shumë kohë, thotë Ikonomi dhe Kristo Dakoja u zgjodh redaktor dhe menaxher i Diellit.Më 20 korrik 1913 Vatra mbajti një kuvend të jashtëzakonshëm dhe e zgjodhi Dakon president5).

Historinë ne duhet ta shkruajmë ashtu siç është: me ulje-ngritjet e saj, me polemikat, me kthesat, me personazhet, me ndodhitë e me ngjarjet, sido që të jenë. Persona që kanë vizituar ambjentet e Federatës Panshqiptare “Vatra” nëShteteve e Bashkuara të Amerikës (unë nuk kam qenë në Boston), kanë vërejtur se emri i Kristo Dakos nuk figuron si një ndër presidentët e saj në kohë, le më pastaj të artikulohet edhe si presidenti i parë. Është e vërtet se Dakoja nuk është një ndër themeluesit e parë të“Vatrës”.Emri i tij nuk është krahas Faik Konicës, Fan Nolit apo Kristo Floqit.Por nuk duhet të mohojmë se në këtë kohë (20 korrik 1913), Kristo Dako zgjidhet presidenti i kësaj Federate.Ne nuk duhet të analizojmë sot konjukturat e atëhershme të shqiptarëve të zgjuar të Amerikës, të cilët edhe pse me këtë status, nuk kapërcyen dot grindjet dhe polemikat që kishin mes vedi. Edhe pse “të mëdhenj”, Noli, Konica, Floqi, Dako, Çekrezi, Sotir Peci etj, që ishin në Amerikë, apo edhe Grameno më vonë e deri te Aleksandër Xhuvani në Kajro, patën mosmarrëveshjet apo grindjet e momentit mes njëri tjetrit, që edhe herë afroheshin e herë largoheshin. Ishte koha që mbarteshin koncepte e mentalitete të ndryshme, se si do të zgjohej shqiptari nga gjumi letargjik, si do të mbrohej Shqipëria e porsaformuar, prej ku do të bëhej lufta për Shqipërinë, prej Brenda vendit apo prej emighracionit apo edhe në cilat Fuqi tëMëdha duhej të mbështeteshim më parë e më fort. Nuk ishte e lehtë të dilej në njëmendje të përbashkët.Aq më tepër që “kjo mendje” ka munguar historikisht tek shqiptarët.

Nisur nga këto realitete, ne të sotmit nuk duhet të biem pre e veprimeve nganjëherë tënxituara të paradhësve tanë, në rastin konkret të atyre që kanë themeluar apo kanë drejtuar Konfederatën “Vatra”, ndër vite.Vërtet në themelim, Vatra nuk pati kryetar, por vetëm sekretar të përgjithshëm.Noli në një moment e shpjegon edhe arsyen se pse u vendos kështu. Por në kohën kur në krye të Vatrës, figuron posti i kryetarit dhe jo sekretari i përgjithshëm, kryetari i parë i saj është Kristo Dako. Dakoja qëndroi vetëm një muaj si president6), por kjo nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk e zhbën faktin se ai ka qenë presidentii parëi saj.Ai u largua për në Shqipëri, sepse e prisnin detyrime të tjera, ashtu si para tij ishte larguar nga SHBA edhe vetë Noli apo Faik Konica.

Jo i qetë për krizën që po kalonte Shqipëria, në periudhën pas shpalljes së pavarësisë,kryesisht krahina e Korçës, e cila ishte aneksuar nga grekët, ai kthehet në Atdhe për të dhënëkontributin e vet. Pas mbylljes së shkollës së vajzave, në korrik 1914, bashkë me familjen aishkon përsëri në Bukuresht e prej andej në Bullgari. Bashkë me Themistokli Gërmenjin drejtojnë

“Lidhjen Kombëtare” dhe Dako është redaktor i organit të saj “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”.Pasnjë qëndrimi njëvjeçar (të ndarë përgjysëm) në Bukuresht dhe Sofje, Dako dhe motrat Qiriazimarrin rrugën përsëri për në Amerikë.Këtu drejtoi “Lidhjen Kombëtare”, e cila krahas “Vatrës”,përfaqësonte shqiptarët ë Amerikës.Ndërkohë botoi “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” si vijim i asaj të Sofjes.Gjatë këtyre viteve është ndër aktivistët kryesor të Partisë Politike.

Gjatë qëndrimit tëtretë të tij në SHBA, nuk munguan polemikat e ashpra në gjirin e “Vatrës”, në epiqendër të të cilave ishin shpesh herë Dakoja me Nolin.

Në fillim të 1921 Dako u kthye nga Amerika në Tiranë.Më 1921-1922 qe deputet i parlamentit të parë shqiptar, si përfaqësues i Partisë Përparimtare, në grupin e “Deputetëve tëDrinit”, siç thirrej atëherë gupi i deputetëve të prefekturës së Dibrës. Më 1921 u caktua ministër

i Arsimit në qeverinë e Hasan Prishtinës. Ndërkaq mbajti edhe portofolin e ministrit të jashtëm7).Pas dorëheqjes së qeverisë, u përjashtua nga parlamenti dhe e detyruan të largohej nga Atdheu, duke shkuar tek familja e tij në Bukuresht.

Pas kthimit nga Rumania, u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Në tetor 1922, ështënjë ndër tre themeluesit e Institutit “Kyriaz-Dako”, në Tiranë.

Kristo Dako është autor i të parit “Kod të gazetarisë shqiptare”, i botuar në revistën “Yll’

i Mëngjesit”. Dako njihet si publicist dhe orator i shquar. Kristo Dako ka botuar veprat: “Cilët

janë shqiptarët”, Manastir 1911;  “Shqipëria, çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, Boston, 19198), që ishte ndër të paktët libra për historinë e Shqipërisë9); “Fuqia e Ndërgjegjes kombëtare të Popullit Shqiptar”, Boston 1919; “Të drejtat dhe kërkesat e Shqipërisë për pavarësi dhe integritet tokësor”, Boston 1919;  “Shënime nga jeta dhe vepra e N.M. tij,Zogut I, Mbret i Shqiptarëve”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Bukuresht 1912.Kristo Dako ka hyrë nëhistorikun e letrave shqipe edhe si hartues tekstesh mësimore, në matematikë dhe histori. “Unë epashë të nevojshme, thotë Dako, të jap kontributin tim edhe në fushën e arsimit, duke shkruardhe botuar tekste për shkollën shqipe të vashave”. Pothuajse të gjitha tekstet për lëndëtmatematikore të përdorura në këtë shkollë, por edhe në Normalen e Elbasanit mbajnë firmën e tij: Arithmetika, Algjebra, Gjeometria, Trigonometria dhe Kozmografia. Gjithashtu ai ka botuar edhe një tekst mësimor mbi “Historinë e Shqipërisë”.Ai qe mësimdhënës në shkollën e vajzave në Korçë, në Instituin “Kyrias-Dako”, në Normalen e Elbasanit dhe në shkollën amërikane të Elbasanit të themeluar nga Eriksoni. Në fushë të teksteve,  Faik Konica njoftonte te “Albania”: “Zoti Kristo Dakua, i ndershmi kryetar i shoqërisë letrare  shqipe “Shpresa” e mbaroi dorëshkrimin e Gjeometrisë dhe të Dhêmasës që po përgatiste prej kohësh. Ja një libër për të cilin duhet të gëzohen të gjithë shqiptarët”10). Libra dhe tekste të tjera mësimore qenë: “Independenca e Shqipërisë e domosdoshme për paqen e Ballkanit”, “Zëri i Shqipërisë”, “Idea Kombëtare: kur u lind dhe qysh u zhvillua”, “Sofizmat greke mbi Epirin”, “Mjeshtëria për të mësuar anglisht”, “Të zhvilluarit e gjuhës”, “Bisedime fillologjike”11).

Ai ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i bashkëshortes së tij, Sevasti Qiriazit (Dakos) dheParashqevi Qiriazit, në veprimtarinë e tyre fisnike të arsimimit dhe emancipimit të femrësshqiptare.Për aktivitetin e tij të shquar patriotik dhe si rilindas i gjuhës dhe arsimit shqip, Kristo

Dako radhitet dhe zë një vend nderi ndër emrat më të shquar të patriotëve shqiptarë më aktiv në

Evropë dhe në botë, të kohës së tij si: Faik Konica, Fan Noli, Kostë Çekrezi, Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, etj, etj.

Dako u lind në dhjetor dhe u nda nga jeta në dhjetor. Në mes të dy dhjetorëve kishtevetëm 65 vite. Me Fishtën, veç letrave, i bashkon edhe urrejtja e pashoqe që shfaqi pushteti i

vitit1945 ndaj tyre: trupin e balsamosur të Dakos, e nxjerrin nga varreza familjare në Kodër Kamëz, ku prehej prejpesë vitesh dhe e dhunojnë barbarisht. Ky luftëtar i dijes që kishte për pasuri vetëm idealinkombëtar, librat dhe shkollën, ashtu si Gjergj Fishta, mbeti “eshtërhumbur”, pa varr dhe i mbuluar me pluhurin e pamëshirshëm të harresës.

Me Fishtën e bashkon edhe vlerësimi “Nderi i Kombit” që Kryetari i Shtetit Shqiptar i bën Kristo Dakos në vitin 20176). Ky vlerësim i kryetarit tështetit  vinte 86 vjet më pas, nga vlerësimi që i kishte bërë, po një kryetar shteti: me rastin e 40 vjetorit të themelimit të shkollës së vashave në Korçë (Institutit Femëror në Kodër Kamëz), Mbreti Zogu I e dekoron Dakon me “Urdhërin e Skënderbeut”.

______________________________

  1. Ilir Ikonomi: “Fan Noli”. Vëllimi i parë-Apostulli, faqe 129-130. UET Pres, Tiranë 2023.
  2. Po aty, faqe 52
  3. Po ty, faqe 53.
  4. Kristo Dako: “Çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, Arbëria, Tiranë 2003, fq, 191.
  5. Ilir Ikonomi: “Fan Noli”, vëllimi i parë, faqe 171.
  6. Po aty.

                7. Dhimitër Dishnica: “Përball të vërtetës-jeta dhe vepra e Kristo Dakos”. Botues Erik 2004. Faqe 308.

8.Ky libër u paraqit në prag të Konferencës së Paqes në Paris, me qëllim që pjesëmarrësit të njihnin të vërtetat mbi Shqipërinë. Disa kopje janë botuar posaçërisht për delegatët e vendeve pjesëmarrëse, me lidhje special, por interesant është botimi “në njërën faqe”, dmth, njëra anë e fletës është bosh. Kjo u bë me synim që “lexuesit e rëndësishëm” tëkishin mundësi të bënin shënimet përkatëse. Të lexonin një faqe dhe të bënin shënime në faqen përball e cila ishte bosh.Njëkopje e këtij libri e botuar në këtë formë, gjendet në shtëpinë e Robert Dakos, nipit të Kristos.

9. Librat për Shqipërinë në anglisht ishin të rrallë në atë kohë, por edhe ata që mund të gjendeshin në treg qenë mjaft të vjetëruar në përmbajtje, thotë Ilir Ikonomi nëlibrin  “Faik Konica-Jeta në Uashington”, (UetPress, Tiranë 2017, fq. 110) . Dhe duke e përmbledhur, Ikonomi flet vetëm për dy libra të asaj periudhe: libri i Kostë Çekrezit “Shqipëria, e shkuara dhe e ardhmja” si dhe libri i Kristo Dakos “Shqipëria, çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, i cili i jepte një përshkrim të vendit deri në vitin 1914. Tëdy librat   u shtypën në shumë kopje. “Që tëdy këta libra u drejtoheshin atyre që merrnin vendimet [për Ballkanin] – citon Edëin E. Jacques në librin “Shqiptarët-historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”. (Kartë e Pendë, Tiranë 1995, fq.404).

10. “Albania, korrik 1903, nr. 7, faqe 108 (138).Ribotim DDS, Durrës 2014.

11. AQSH, F. 52, 1932; D. 23, fl. 3.

12. Kristo Dakos iu dha dekorata “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), me numër dekreti 10564, datë 11.07.2017, nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.    

Filed Under: Featured Tagged With: agron gjeloshi, Kristo Dako

LEGJENDA QË RUAJNË ENDE PRUSH NËN HIRIN QË I MBULON

February 22, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Përpunimi i brumit të miteve dhe legjendave në magjen e prozës artistike është një dukuri botërore që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përcjelljen e ngjarjeve dhe karaktereve në konvejerin e shekujve. At Gjergj Fishta, më i fundmi që ngacmoi prushin e legjendave deri në fillim të shekullit XX, te vepra madhore “Lahuta e Malcis” risjell këngën e Gjergj Elez Alisë në gojën e rapsodit Kaçel, dhe duke qendruar brenda kornizës së epikës legjendare, ka bërë edhe një përpunim të saj, e natyrshme për raspsodët, madje fragmenti i mëposhtëm mund të vlerësohet edhe si përgjigje që duhet parë me vëmendje për pyetjen e kahershme: Si ka mundësi që një njeri që vuan prej nëntë vitesh me nëntë plagë në trup, jo vetëm të ngrihet në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit, por edhe të triumfojë mbi Harapin që kish dalë prej detit?
“Dy javë veten e ka mbajtë,
Bukë prej djerrit ai tue hangër,
Mish taroçi ai tue ngranë,
Venë tri vjeçe edhe tue pi,
Edhe atin e ka mbajtë
Tagji orizi n’ strajcë tue i qitë,
Venë me pi për ujë tue i dhanë.
Krye dy javësh, mbushë dy javë,
Veten Gjergji e ka provue:
Një lis t’madh kish pasë n’oborr;
Me dy duert Gjergji e ka shkulë…”
(Kënga V, Veprat, vol. 4, f.58)
Ismail Kadare te “Legjenda e legjendave” (Pejë, 1996) ka një kapitull mjaft interesant ku rimerr këngën e Gjergj Elez Alisë për një zbërthim të ri të figurës së bajlozit, prapa të cilit Kadare shikon një ambasador që vë kushte të papranueshme në trojet ilire, kurse fjalën “xheza” e çmonton si dramë fiskaliteti. Në pjesën e dytë të esesë analitike, gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Kjo rrokje pas legjendave ka brenda saj demaskimin më therrës të sistemeve diktatoriale, posaçërisht të diktaturës komuniste në Shqipëri, është një lloj zbrazje e vrerit të mbledhur me vite.
Shkrimtari kosovar Rushit Ramabaja para gjysmë shekulli dhe shkrimtari i ri Ervin Nezha para dy vjetësh kanë provuar ta bëjnë këtë përpunim me këngën e Gjergj Elez Alisë. Ervin Nezha me këtë ndërmarrje ka dëshmuar se ka gjetur mjetin e vet më të përshtatshëm për të hapur shtegun e vet letrar në xhunglën e egër të krijimit, ka hedhur në tregun letrar mjegullën jo vetëm në titullin e librit, por edhe fund e krye legjendës, mjegullën si tipar të qëndrueshëm natyror të një qyteze malore, mjegullën si metaforë e kompleksitetit që krijon raporti i shqiptarit me pushtuesin dhe mes vetë shqiptarëve.
Vepra e Nezhës fillon me kalin dhe kalorësin që në dy fjalitë e para të saj, një përdorim që lidhet me kontekstin historik të legjendës për Gjergj Elez Alinë, kohë kur terreni pushtohej me patkonjtë e kuajve të luftës dhe fati i betejës përcaktohej nga forca e krahut që përdorte shpatën, shtizën, tarozgën apo topuzin. Ramabaja i qaset legjendës duke i dhënë mjaft hapësirë marrëdhënies mes njeriut dhe kafshës, rifillon që nga vdekja e Elezit, kur Gjergji ishte ende fëmijë, rrjedhimisht fasha dyditore e këngës shtrihet në vite dhe kali mbetet brenda tipareve legjendare. Nga katër elementët bazë të jetës autori përdor tre për rijetësimin e legjendës: fillon me ujin, vazhdon me ajrin dhe përfundon me zjarrin. Nezha operon ndryshe, parapëlqen vetëm elementin e katërt – tokën, ndryshe nga kënga, nuk ka ndonjë marrëdhënie të veçantë mes Gjergjit dhe kalit, njeriu nuk e ndan suksesin me kafshën, edhe pse në një mjedis me orë, zana, shtriga e shtojzovalle kjo do të kishte mirëkuptim. Kalorësit hipin e zbresin, ndërsa kuajt e përmbushin misionin e tyre me trokthin dhe hingëllimat në udhët e ngushta që zgjaten buzë humnerave.
Nezha është më i kursyer në kohë, i mjaftojnë vetëm një numër takimesh që limitohen ditë pas dite, nga kërkesa e gjeneralit për bisedime me dukën vendas, deri në skadimin e afatit dhe përmbylljen me ftesën kalorsiake për duel. Gjithsesi, nuk është një ngjarje rastësore, por një përpjekje e përhershme e pushtuesit venedikas për të vjelë taksat me hir a me pahir. Është zbritje me këmbë në tokë jo vetëm nga identifikimi i Naltinisë si vend dhe hedhjes dritë mbi peizazhin e tij, por edhe vështrim real i marrëdhënieve ndërkombëtare si proces i paraqitjes së kërkesave të njërës palë shoqëruar me kërcënime, ashtu siç ndodh edhe sot me sanksionet. Kjo e çon autorin dhe lexuesin në retrospektivë për një ballafaqim të mëparshëm me gjeneralin Teodato Zorzi pa një prerje kohore në shiritin mijëvjeçar të Republikës së Venedikut, po sigurisht para se në skenën e historisë të ngjitej Kastrioti. Është një kurth i dyfishtë dhe i mençur që ngre Gjergj Elez Alia për robërit në një zonë që del jashtë kornizës së këngës, është çlirimi i parë i fantazisë së prozatorit për të zgjeruar trasenë mbi të cilën do të rinisë udhën legjenda, është demonstrimi i parë i mençurisë në interpretimin e materialit: “Njeriu ka lindur me një dashuri të madhe për veten dhe ndonjëherë kjo dashuri që shpërthen brenda në një çast dobësie, kur kërcënohet ekzistenca, bëhet perde edhe për krenaritë më të forta.” (f.13) Ka një largim të guximshëm nga legjenda kur dashi i pjekur, vajza e përdhunuar, kreshniku i vrarë, krahina e djegur zëvendësohen me futjen e një prifti si ndërmjetësues për bisedime mes palëve sepse “administratori i ri i këtij territori nuk donte të qeveriste një tokë pa njerëz.” (f.20) Një gjetje e zgjuar e autorit është thirrja në skenë e Monun Stazit, komandantit të kullës dhe krah i djathë i Gjergjit, por edhe një personazh i bindur nën urdhrat e autorit për të injektuar pikëpamjet e veta që aludojnë për ngjarje moderne dhe njerëz bashkëkohës. Shërbimi i djalit të ri pranë Gjergjit dhe motrës së tij Naisina, natyrshëm mund të prodhojë një romancë, por ardhja për bisedime e gjeneralit venedikas Marko Gali dhe mjegulla e takimit të tij vetëm për vetëm me Naisinën, nuk mund të mos shkaktojë xhelozi te Monuni, gjë që e shtyn drejt një akti të nxituar që bie në kundërshtim me kodin e nderit në marrëdhëniet me të huajt.
Transformimi i këngës në prozë të gjatë do të kërkonte edhe degëzime legjendash që i ngjiten trungut kryesor, siç janë humbja e djallit në mjegull duke ndjekur një nuse, takimi i motrës së Gjergjit me fallxhore dhe bashkëpunimi me shtojzovalle, gëlltitja e një gogle dushku prej një vogëlushi që i shkaktoi mbytjen, pastaj nga varri i tij mbiu një filiz ku shkon motra që lindi më vonë dhe demonstron dashurinë e motrës për vëllanë që kalon çdo dashuri tjetër. Edhe zëvendësimi i blirit me dushkun më duket si një prirje pozitive për të futur diçka nga vendlindja e autorit.
Kur je përballë një armiku që kërkon dhe nuk je i gatshëm t’i japësh asgjë, taktika e parë që duhet zgjedhur përpara përplasjes së pashmangshme është shtyrja e luftës së më gjatë që të jetë e mundur për ta shfrytëzuar çdo ditë paqeje për t’u përgatitur për ditën më të keqe. Shtyrja e javës së parë vjen si marrëveshje xhentëllmenësh, edhe pse gjenerali ka një mik, Abelerio Ponten, që shikon te kjo shtyrje edhe çmendurinë, edhe dashurinë. Marko Gali që kishte ardhur me një mision të përkohshëm, tundohet nga ideja e qëndrimit në Naltini sepse ka pesë arsye të mjaftueshme: miqësia që krijoi me priftin, përshtypja që i la takimi me vajzën e vogël që përqafonte vëllain-dushk, ndershmëria e banorëve vendas, ndjenja që i shkaktoi Naisina e bukur. Por mbresa më e jashtëzakonshme në sytë e gjeneralit ishte nderimi që tregonin vendasit për të vdekurit edhe kur ishin kufomat e armiqve duke kujtuar përdhosjen që i kishte bërë Akili trupit të Hektorit, kurse autori e përdor skenën e përcjelljes për të pasqyruar diçka nga gjama e cila më futi edhe mua në kthetra se më rierdhi përshkrimi që i ka bërë At Zef Pllumi te libri “Rrno vetëm me tregue.”
Vjen një çast dhe trysnia e legjendës bëhet e papërballueshme. Plagët nëntëvjeçare të Gjergjit janë si një kështjellë e papushtueshme, si një lumë i pakapërcyeshëm, apo si një mal i pakalueshëm. Pritja ka një kufi dhe mund të kthehet nga tehu i mprehtë. Gjenerali i Venedikut i kërkon Gjergjit të heqë dorë nga pushteti dhe t’ia dorëzojë atij por ka dhe një kërkesë tjetër – Naisinën për grua me hir apo me pahir. “Kjo ishte pika që kishte derdhur gotën për Gjergjin.” (f.58) Autori kërkon një shpjegim të ndryshëm për atë hedhjen e menjëhershme të Gjergjit në këmbë duke e ftuar venedikasin në duel. Magjinë e shërimit dhe aftësinë për t’u përballur ia beson Naisinës e cila i ngjitet malit me dëborë për të gjetur trëndafilin e zi çudibërës. E mbajti lulen si kupë dhe hëna u mënjanua dhe prej saj filluan të pikojnë pika drite. “Pikat binin mbi lule, ndërsa hëna i ngjante një ene të verdhë, që vazhdonte të zbrazej, derisa një çast drita e hënës mbaroi.” (f.64) Kjo lule magjike bëri mrekullinë.
Ngjyra e kalit në këtë vepër përcaktohet si reflektim i një tradite të lashtë që e vendos vajzën-nuse mbi shpinën e një kali të bardhë dhe shkon më tej kur e kthen në mishërim të së mirës duke i kundërvënë kalorësin e hipur mbi kalin e zi. Naisina hip kalin e bardhë, kurse Monuni që i ndërlikon marrëdhëniet me venedikasit, edhe pse është krahu i djathtë i Gjergjit, hip një kalë të zi. Kjo antitezë rivjen me një forcë qartësisht të dukshme te dueli mes Gjergj Elez Alisë mbi kalin e bardhë dhe gjeneralit venedikas Marko Gali mbi kalin e zi.
Dueli kalorsiak vihet para dy sprovash që mund ta zhvlerësojnë. Monuni organizon një sulm të paautorizuar mbi venedikasit duke bërë që gjenerali Marko të mendonte se kishte besuar verbërisht te nderi i vendasve. Në se ai do të ishte vrarë, atëherë mund të interpretohej si shmangie e qëllimshme e duelit dhe pastaj Gjergjit duhej t’i këndohej një këngë turpi. Nga ana tjetër “Republikës së Venedikut i interesonte politika e saj e sukseshme dhe jo trimëria.” (f.72) Ky është një zhvillim interesant që i atribuohet tërësisht autorit dhe sjell atë mjegullën e ndërlikimeve të paralajmëruar që në titull: sulm i paparalajmëruar ndaj një misioni që ka zgjdhur rrugën e bisedimeve në vend të luftës, dënimi me vdekje i Monunit brenda një qerthulli kundërshtish, dorëzimi i vullnetshëm seksual i Naisinës te një njeri që nuk e pati dashuruar dhe do të varet, fshehja e dënimit për turmat dhe shpallja hero nga ata që e dënuan, përfshirja e priftit në bashkëpunim si pjesë e një loje të sofistikuar dhe së fundi një fund i ndryshëm nga ai i këngës – Gjergji nuk e gjen të motrën në shtëpi.
Dueli realizohet duke respektuar kodin e nderit, Naisina lë një trëndafil të kuq mbi varrin e Marko Galit, Gjergji që nuk vdiq nga plagët vdes nga lodhja e duelit, nga hidhërimi për vdekjen e Monunit dhe rrënimi i krahinës së tij, së fundmi edhe nga ikja e beftë e së motrës.
“Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
Kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
Kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
Kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!”
Këto janë katër vargjet e fundit të këngës, edhe Fishta nuk shkon më tej, por shkrimtari Nezha ka një përmbyllje të ndryshme. Ai është edhe analist dhe këtë e shpalos në epilogun e veprës. Një ushtri e huaj vjen për pushtimin e radhës disa vite pas vdekjes së Gjergj Elez Alisë, por largohet pas kryer asnjë aksion ushtarak. “Nëse nuk i sulmojmë, ata do të shkërmoqen vetvetiu… Kur ne të mos vijmë, ata do të hidhërohen, do t’i harrojnë të gjitha, do të harrojnë edhe veten dhe kur t’i harrojnë të gjitha, do ta harrojnë edhe atë, sepse ai thjesht nuk do t’u duhet më.” (f.83).

Filed Under: ESSE

Shoqata Shqiparo Amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi 16-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në New York

February 22, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e qendrës “BrightSide” me pronar z. Isham Hadidi Astoria Queens, Shoqata Shqiptaro Amerikane Skenderbej Inc. nën drejtimin e bordit me President z.Mark Qehaja dhe kryetar të Bordit ekzekutiv inxh. Gëzim Lamçaj organizuan një drekë madhështore për të festuar 16-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Bordi i drejtorëve si z.Bashkim Shehu, z.Faton Zogiani bashkë me kryesinë me anëtarë plot kulturë dhe integrim si: Doris Zefi, Edmond Kortoçi, Enes Basha, Pjetër Vatnikaj, Diar Xani punuan së bashku në organizimin e këtij aktiviteti.  Muaji shkurt është muaji i Kosovës këtu në New York, pasi festohet kudo plot dashuri dhe respekt.

Në një ditë të dielltë si vetë Liria e Kosovës anëtarë të shoqatës, bordi, kryesia, dashamirës të shumtë u mblodhën së bashku si motra dhe vëllezër për të festuar Ditën e Shenjtë të Pavarësisësë s ë Kosovës. Në hyrje të sallës të mirëprisnin anëtarët e rinj dhe plot vitalitet si Doris Zefi, Enes Basha dhe Edmond Kortoçi.  

Në këtë aktivitet atdhetar nderuan me pjesëmarrjen dhe përshëndetjet e tyre si Konsulli i Pergjithshëm i Republikës së Kosovës në NY, Ambasador Blerim Reka si dhe Konsullja e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka.

Midis pjesëmarrësve kishte ish luftëtarë, drejtues e familjarë të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ftuar të tjerë me kontribute të spikatura në Shqipëri, Kosovë dhe në komunitetin Shqiptare në New York, 

Cermonia u hap me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës. 

Fjala e hapjes u mbajt nga Kryetari i Bordit Ekzekutiv inxh. Gezim Lamçaj i cili  falënderoi të pranishmit për këtë pjesësmarrje të gjerë e shumë dinjitoze në një aktivitet të tillë që përkujton ngjarjen e rëndësishme historike, Pavarësinë e Kosovës. 

Në fjalën përshëndetëse z.Mark Qehaja President i Bordit të Drejtorëve u përqëndrua shkurtimisht në luftrat e shqiptarëve gjatë historise për Liri, rolin e arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, të Komandantit legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, rolit përcaktues në shpalljen e Pavaësise se Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjes së vendeve më të fuqishme perëndimore, të ambasadorit William Walker që lëshoi kushtrimin në mbarë botën e civilizuar për krimet kundër njerëzimit e gjenocidin serb kundër popullsisë së pafajshme në Kosovë.

Me ndërhyrjen ushtarake të NATOs iu dha fund pushtimit barbar serb të Millosheviqit.

Nderim për jetë Presidentit Xhorxh W Bush e Bill Klinton e të gjithë atyre që kontribuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.

Aktiviteti u moderua nga studentja e shkëlqyer dhe simpatike në Washington Kendra Duli anëtare e stafit të TV “Alba Life”, NY.

Ajo tha se: “Në këtë ditë të shënuar 16 vite me parë në të gjitha vendet ku kishte Shqiptari pati gëzim dhe hare, sepse më në fund Kosova shpalli Pavarësinë. Sot ne jemi mbledhur po njësoj si shqiptarët atëhere me po të njëtin zjarr dhe dashuri. Shihni rrotull jush sa shumë bashkatdhetarë janë këtu në mesin tonë! Muaji i Dardanisë tonë festohet nga Shqiparët kudo! 

Ajo u ndal dhe në rolin e të rinjve duke përmendur dhe organizimin e studentëve në Washington DC në eventin e organizuar me Ambasadorin e Kosovës z.Ilir Drugolli dhe Ambasadorin e Shqipërise z.Ervin Bushati në kuadër të ditës së Pavarësisë së Kosovës me qëllim, zhvillimin e një diskutimi të hapur ne lidhje me rrugëtimin e Kosovës dhe të Shqiperisë drejt antarësimit në BE.    

Ambasadori Dr. Blerim Reka me një elekuencë në të folur midis të tjerash foli për rëndësinë që ka çështja e Kosovës si një faktor shumë i rëndësishmë për paqen  dhe stabilitetin  në rajon. Ai përmendi rëndësinë e pasdiskutueshme të SHBA- ve në rrugëtimin e shtetformimit të Kosovës.  Konsullja e Shqipërisë ne NY, znj.Valentina Loka u foli per rëndësine e bashkëpunimit midis komuitetit dhe institucioneve si  një vlerë e shtuar e diasporës shqiptare jo vetëm ne SHBA, por dhe në vendet e tjera ku ka shqiptarë.     

Me shumë emocion u mirëprit përshëdetja me video nga znj. Shukrie Ramadani bashkëshortja fisnike, trimëresha e Kosovës dhe e Heroit Agim Ramadani.  Nga Kosova përshëndeti gjithashtu Kolonel Feriz Trezhjeva i cili foli mbi kontributin e formacioneve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës që ai drejtonte,

Kolonel Trezhnjeva shërbeu me përkushtim në institucionet e larta të shtetit të Kosovës si këshilltar i mbrojtjes e sigurisë të Ministrit Mbrojtjes se Kosovës. 

Me plot dashuri dhe respekt përshëndeti Doktori i Shkencave mjekësore në Kosovë z.Nazim Qehaja i cili njihet si një atdhetar i flaktë për ngritjen e qendrave shëndetësore për t’u ardhur në ndihmë ushtarëve gjatë luftës për Çlirimin e Kosovës .

Një buqetë me lule të bukura iu dhurua mikes së dashur Vera Qehaja nga David Bronson, një artist amerikan qe mori pjesë plot respekt dhe dashuri në festimin e 16-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Duke marrë aromën e luleve, I gëzohesha integrimit të saj në Amerikë që së bashku me Markun dhe fëmijët e mrekullueshëm, studentë të shkëlqyer kanë qenë tëangazhuar në mbarëvajtjen e shoqatës.  

Dy artistë të shquar si z. Shaban Lajçi dhe Tom Gjergji interpretuan për Kosovën duke performuar profesionalisht dhe artistikisht.  Z. Isa Breçani anëtar i Shoqatës performoi artistikisht vargje atdhetare dhe patriotike për Kombin. 

Autorja e shkrimit dhe Anëtare Nderi e shoqatës pati kënaqesi të interpretonte për publikun poezinë të krijuar në Ditën e Pavarësisë së Kosovës me titull: “Tungjatjeta Kosovë”. Njëkohesisht u ndal për Heroin legjendar të Kosovës Adem Jasharin dhe familjes e tij kombëtare si dhe rolin e të rinjve në shoqatë, premtimin e tyre për të ardhmen.

Z. Faton Zogiani, anëtar i bordit të drejtorëve ftoi të pranishmit për të marrë pjesë në dokumentarin që u shfaq në Manhattan për Yllin e kinemasë botërore, artistin nga Kosova, Bekim Fehmiun që u organizua nën kujdesin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skënderbej Inc. në New York dhe TV “Alba Life”, artistëve Diar Xani dhe Arens Leka.

Gjallëri, emocion dhe hare sollën nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx, degë e familjes së madhe “Alba Life” që ka një konsolidim profesional, atdhetar dhe shumë të përkushtuar.  Ata intepretuan vallen e Rugovës nën kujdesin e asistenteve Edona Gjidiaj, Erlinda Shala dhe Kaltrina Gecaj.  Ato intepretojnë sikur të jenë valltare të Ansamblit shtetëror. Nga Shkolla Shqipe “Alba Life” nderonin dy mësuese të shkollës si Mehrije Shala dhe Rozeta Hyseni të cilat kishin ardhur me bashkëshortët e tyre fisnikë. Kaltrina Gecaj intepretoi plot dashuri këngën hymn: “Çohu Adem Jashari! 

Nxënësja e shkëlqyer Eliona Shala dhe shumë e talentuar interpretoi këngën e bukur “Lulja e Dukagjinit”.  

Aktiviteti u filmua nga Z.Qemal Zylo, themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York.  Aktiviteti po transmetohet në kanalet televizive. 

Pas kumtesave pjesëmarrësit patën një drekë festive për Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe u argëtuan nën tingujt e DJ Hermes.  

Rroftë Kosova!  Rroftë Shqipëria etnike!  

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

21 shkurt 2024 

New York

Filed Under: Reportazh

“Sherbestari i Shqipërisë” dhe kontributi i shtypit politik të mërgatës së Amerikës në çështjen kombëtare

February 22, 2024 by s p

Sokol Paja/

Nën moton “Shqipëria e shqiptarëve” revista “Sherbestari i Shqipërisë” organ i rinisë së “Ballit Kombëtar”, botuar në Detroit në vitin 1960, me 34 faqe, përbën një kontribut të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm në çështjen kombëtare. Në vitin e 6-të të botimit, në numrin 11-12 që po ia paraqesim publikut, shkrimin kryesor redaksional nën autorësinë e N.Tchami e zë “Çamëria”. Aty paraqitet imtësisht krahina shqiptare e Çamërisë, historia e saj, gjeografia, popullsia, bujqësia e gjithçka lidhet me Çamërinë. Abas Ermenji i dedikon një shkrim kulturës kombëtare dhe moralit kombëtar, pasuar në botim nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, një shkrim rreth Konferencës së Paqes së Parisit etj. Revista ka frymë të pastër nacionaliste dhe trajton tema madhore historike kombëtare.

Shtypi politik i partive politike antikomuniste në mërgatën e Amerikës përbën një aspekt shumë të veçantë të trashëgimisë së mërgatës dhe arritjeve të tyre shumëplanëshe. Është e mahnitshme mënyra e qasjes që gazetat dhe revistat e kohës së mërgatës kishin ndaj bashkatdhetarëve e publikut të gjërë shqiptaro-amerikan, niveli i lartë profesional, thellësia e mendimit kritik e analitik dhe mbi të gjitha boshti kombëtar i veprimtarisë mediatike janë aspekte pak të trajtuara dhe prej historianëve e studiuesve.

Nxjerrja në pah e këtij shtypi të disa dekadave më parë jo vetëm rikthen për informim masiv perla nga një plejadë intelektualësh por imtësisht ekspozon një epokë të panjohur mediatike dhe veprimtarie komunitare atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e kombit në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Temat e trajtuara, thellësia analitike, gjuha, stili dhe argumentet që gjenden në shtypin patriotik e fetar në vitet 80-të përbëjnë një shkollë më vete dhe për gazetarinë e sotme. Pas viteve 80-të mërgata në USA ishte fuqizuar në aspektin ekonomik, politik dhe intelektual. Zhvillimi i mediave të shkruara në këto kohë është një prej treguesve për rritjen e kapaciteteve të mërgatës. Protestat më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej mërgatës shqiptare kundër komunizmit erdhën pas viteve 80-të dhe u fuqizuan vit pas viti deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri. Roli i mërgatës shqiptare në USA për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare si Kosova, Çamëria, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe luftës kundër komunizmit në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm. Media e shkruar e kohës u jepte një përkrahje të paimagjinueshme. Media ishte syri, mëndja dhe zemra e mërgatës. Gazeta “Dielli” i paraqet para publikut këto revista e gazeta jo vetëm për të ekspozuar punën kolosale intelektualëve e patriotëve shqiptarë në Amerikë por për tu shprehur mirënjohjen për përkushtimin për përpjekjet e dedikimin këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë por dhe për të lidhur organikisht të djeshmen dhe të sotmen në mërgatën shqiptare të Amerikës dhe përpjekjet historike për komb dhe atdhe. Në historinë e shtypit shqiptar të mërgatës, shtypi i shkruar në Amerikë mban vulën kryesore të ndikimit, rolit, shërbimit dhe trashëgimisë për vetë specifikat, terrenin, kushtet dhe rrethanat historike e politike ku u zhvillua ky shtyp. Është detyrë në çdo kohë e kërkuesve shkencorë, gazetarëve e punonjësve të instituteve albanologjike në shtetet amë e trojet etnike që të hulumtojnë mbi veprimtarinë e shtypit të mërgatës shqiptare në Amerikë pasi rëndësia historike e këtij shtypi si regjistër historik kombëtar, si dëshmi e fakteve, historive epokale, kronikave, episodeve dhe ngjarjeve e mbi të gjitha të trashëgimisë kulturore, politike, sociale, ekonomike dhe komunitare të shqiptarëve në Amerikë, është e jashtëzakonshme.

Njohja e shtypit të kohës, është një mundësi njohjeje ekskluzive sesi u zhvillua dhe u rrit mërgata shqiptare në Amerikë.

Filed Under: Opinion

21 SHKURTI DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE

February 22, 2024 by s p

“Nuk duhet të mbushim gjuhën tonë engjullore me gjemba e me ferra se nuk i qërojmë dotë më vonë” – (Hafiz Ali Korça ).

Bledi Filipi

Si fillim, dua ta nis këtë shkrim me një citim të Dokumentit të UNESCO-s: “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (anglisht: International Mother Language Day) është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë. Dokumenti 16/C i UNESCO-s nga viti 1970 thotë: “Gjuha amtare shënon rrugën e qenies njerëzore dhe përmes saj ajo hyn në shoqëri, bën kulturën e grupit të cilit i takon dhe vendos bazat për zhvillimin e aftësive intelektuale të saj.”

Në vendin tonë ky vit është shpallur si viti i gjuhës shqipe. Një nismë e përkryer! Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar, pika e vetme e bashkimit që na bën një kudo jemi. Populli ynë ka pasur një histori të hidhur, dhe nuk e teprojmë të themi që jemi i vetmi komb i copëtuar në gjashtë pjesë.

Sado që të pangopurit luajtën me fatet e kombit tonë, sërish një gjë nuk e shuajtën dot, dhe ajo është gjuha shqipe. Kjo gjuhë e cila u trashëgua brez pas brezi, u shkrua me gjakun e martirëve të saj, u bën ballë më së miri nevojave të kohës.

Gjuha shqipe është një gjuhë e pasur, ajo kaherë ka tërhequr vëmendjen e gjuhëtarëve botërorë, të cilët kanë bërë kërkime voluminoze për të.

Gjuhësia shqiptare ka pasur dhe ka arritjet e saj që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Arritja më e madhe pas Kongresit të Manastirit (1908), mbetet Kongresi i Drejtshkrimit (1972). Ky kongres mbetet baza e formësimit të gjuhësisë shqiptare, pasi, bëri një shqiptarët kudo ndodheshin. Prej më se 52 vitesh shqiptarët kudo janë shkruajnë dhe flasim në të njëjtin standard.

Pas këtij kongresi do të vinin veprat e tjera madhore, si, “Gjuha Letrare Shqipe për të Gjithë ” (1976); “Gramatika e gjuhës Shqipe” I, II; “Fjalori i Drejtshkrimit” (1976); FGjSSh 1980, 1984; FGjSh, 2002, 2006, 2020 dhe FMGjSh që pritet të dalë së shpejti, janë vepra kodifikuese të gjuhës sonë. Kësisoj, ato mbeten libra pune për çdo shkrues të shqipes.

Arritjet janë të mëdha edhe në historinë e gjuhës, fonetikën historike, etimologjinë shkencore, ku mund të përmendim: Joklin, Pedersenin, Mayerin, Orellin etj; Çabej, Domi, Demiraj, Topalli etj..

Mendimi im është që :

a) Programet shkollore duhet të kenë tema të posaçme që të parapërgatisin nxënësit për të dalluar etimologjinë e vërtetë të fjalës nga etimologjinë popullore;

b) Televizionet duhet të ftojnë specialistë me emër, që të ndërgjegjësohen qytetarët;

c) Të ketë ligj të posaçëm për zbatimin e standardit dhe njohjen e arritjeve të shkencës.

Në këtë ditë të veçantë, institucionet duhet të ndërgjegjësohen dhe, meqenëse ky është viti i gjuhës shqipe, duhet të ketë aktivitete të ndryshme, të ndahet gjuha shqipe nga letërsia, të pajisen bibliotekat shkollore me literaturë gjuhësore dhe letrare.

Është detyrë e çdo institucioni të kujdeset për gjuhën amtare, madje atje ku ajo dëmtohet të ketë edhe gjoba.

Ka ardhur koha që midis shteteve tona të copëtuara të kemi një Akademi Shkencash të përbashkët, dhe tekstet e gjuhës shqipe të jenë të njëjta, për këtë nuk besoj se na ndal kush.

Si përfundim, jo vetëm kjo ditë, por dhe ditë të tjera duhet t’i kushtohen gjuhës amtare, me qëllim që ta flasim dhe shkruajmë bukur atë. Ne jemi një komb sepse kemi një gjuhë, një gjak, një flamur dhe një kulturë!

BOTOHET ME SHKURTIME.

May be a doodle of child

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

88

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1130
  • 1131
  • 1132
  • 1133
  • 1134
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT