• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NË MIQËSI TË PËRHERËSHME ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!” 

January 22, 2024 by s p

Në 18 -vjetorin e shkuarjes anë amshim të Presidentit historik të Republikës së Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugovës dhe në kujtim të 35-Vjetorit të vizitës së Tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1989).

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë historik i ...

Aktivitete dhe ceremoni sot në Prishtinë, me rastin e 18-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e Presidentit të parë historik, Dr Ibrahim Rugova. Morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Nën patronatin e Presidencës së republikës së Kosovës Sh.Së.Dr Vjosa Osmani-Sadriu mbahet, “Akademi Përkujtimore Për Ptresidentin Ibrahim Rugova.

May be an image of 7 people

“Kosova ishte me fat që kishte për prijës njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani gjatë një fjalimi me rastin e një ceremonie përkujtimore me këtë rast.

May be an image of 4 people, television, the Oval Office and text

“Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë”, është shprehur Kryeministri I Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

              May be an image of 8 people and the Oval OfficeKryeministri Albin Kurti bashkë me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe Ministrin Çeku, kanë vizituar familjen Rugova, ndërkohë njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës zyrtare të Presidentit Ibrahim Rugova.

May be an image of 12 people and the Tomb of the Unknown Soldier

Udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës bënë dnerimet e rastit pranë varrit të Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.

Ndodh që ky vit shënon gjithashtu edhe 35-vjetorin e vizitës së parë të Presidentit historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovës në Shtetet e Bashskuara të Amerikës, në  vitin 1989. 

A group of men sitting on a bench

Description automatically generated

Foto ekskluzive nga vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Washington — Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqët e dashur kaluan dy netë e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj.  Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të Zërit të Amerikës.

A group of men standing together

Description automatically generated

Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989.  Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

Unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë as për Dr. Rugovën as për Dr. Sedajn, perveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në New York me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Megjithëkëtë, e prita mirë vizitën e tyre pasi ishte një privilegj për të patur në shtepinë time dy mysafirë të tillë, të nderuar.  Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qënder të informatcionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakëta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çeshtjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte.  Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtëme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve, torturave dhe krimeve që diktatura serbe bënte mbi popullësinë shqiptare në atë krahinë.  

A group of men sitting on a couch

Description automatically generated

Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989

Kanë kaluar 35-vite, por me kënaqësi e kujtoj atë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithse isha pak më i ri nga mosha.  Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhëshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenen ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si studiues i mirë i historisë dhe  atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqët nga armiqët e Kombit shqiptar. Megjithse ishte vizita e parë e tij në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte bindur në mendjen e tij se Kosova dhe shqiptarët — në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar — do të gjenin mikun dhe përkrahsin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur c’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson, e këtej.

Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vet këtë gjë në atë kohë — mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosoves, ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u këthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miqë të tij mund të thonë se i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.

Historia e mëvonshme tregoi se megjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hesitim ia venin në dukje vazhdimisht disa edhe sot — jo vetem Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte në Ibrahim Rugovën, një zëdhenës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë.

Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqsues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme — si nga pikëpamja historike  ashtu dhe njerëzore.  Si askush tjetër – para tij ose pas tij — Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta ndëgjonte dhe më në fund filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare. 

Natyrisht, se kushdo që është takuar me Dr Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë, ruan kujtime të mrekulueshme. Në këtë 35-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, deshta vetëm të shënoj dhe të ndajë me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht — por për mua të paharrueshme — nga ajo vizitë Dr. Rugovës në shtëpinë time në Washington, me 1989.   Ajo vizitë nuk më harrohet mua as familjes time dhe njohuria ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumë vjeçare, deri sa ai ndërroi jetë.  

Frank Shkreli: Presidenti Dr. Ibrahim Rugova - Udhërrëfyesi i Kombit

Takimi i fundit i autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005

Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këte udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këte është se, si asnjë udheheqs tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar në shekullin e XXI, për tu radhitë ndërshmërisht në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit euro-atlantik të Kombit shqiptar.

Ndër të tjera, e kam respektuar Dr Ibrahim Rugovën për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatëkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e XX dhe për faktin se ai besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë. 

Ibrahim Rugova fliste pak. Nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë për Kombin e vet, duke i dhenë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. 

E respektova Dr. Rugovën sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste – as në mendime as në veprime — si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot dhe për klasën aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare. 

Unë jam sigurt se në këto dy përvjetorë sot – 18-vite nga kalimi i tij në amshim dhe në kujtim të 35-vjetorit të vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Dr Ibrahim Rugova do të kërkonte nga klasa e sotëme politike Arbërore që, urgjentisht, të bashkojë të gjitha forcat e veta për të kapërcyer krizat e vështira aktuale që po pëson Kombi shqiptar, në këtë këthesë të historisë – sidomos të përballen me zbrazjen tragjike të trojeve shqiptare, para se të bëhet vonë!

Frank Shkreli

A person in uniform standing in front of a wreath

Description automatically generated

Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006

*Ribotim i përpunuar dhe përditësuar –

Filed Under: Politike

Presidentja Osmani: Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi

January 21, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, djali i Presidentit Rugova Ukë Rugova, zëvendëskryeministret Donika Gërvalla, Emilija Rexhepi si dhe kryetarë të komunave.

Presidentja Osmani, në fillim të fjalimit përkujtues për presidentin historik, citoi vargun e famshëm  të poetit Ali Podrimja: “Unë biri yt, Kosovë”.

“Nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm e më të thellë për karakterin e një Presidenti i cili nuk ishte vetëm President, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën e trashëgiminë e vendit të vet; njeri i dijeve, i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshme trashëgiminë e popullit të vet; prijës nga ata që, sikur thoshte at Zef Pllumi, ishte “ma i dijuni e ma i urti i të gjithëve”, ka thënë Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, asgjë më mirë nuk mund ta tipizonte Presidentin Rugova më mirë e më thellë sesa shprehja “Unë biri yt, Kosovë”, e cila e lidhë me vendin, me popullin, me vlerat e trashëgimisë, si dhe me përkushtimin për ta krijuar shtetin e ruajtur lidhjen me aleancën euroatlantike.

“Ai qe vërtet biri i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit dhe për këtë e mori dashurinë e përhershme të popullit të saj”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë  e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë.

“Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme.  Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”, ka pohuar Presidentja.

Sipas Presidentes Osmani, Presidenti Rugova i dha politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, atë human.

“Në personalitetin e Dr. Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj. Sa më shumë e ka njohur historinë e popullit të tij, ai e ka njohur dhe kultivuar edhe filozofinë e popullit të tij. Sa më shumë e ka kultivuar ndjenjën e refuzimit si koncept filozofik, aq më shumë e ka njohur e kultivuar sjelljen e urtë e të matur, por jashtëzakonisht të vendosur; sprovat për të kanë qenë provë qëndrueshmërie, sa më shumë është sprovuar në jetë, në politikë e në letra, është bërë aq më i durueshëm, e më këmbëngulës. Ai fliste shkurt, por fjalët i kumbonin shumë. Jehona e tyre u ndie larg, dhe atë jo vetëm në Kosovë. Ai e rizgjoi ndjenjën kombëtare e ndjenjën për liri dhe bashkoi një popull të tërë rreth kësaj kauze. Mbase poezia “Unë biri yt, Kosovë”, poezia që na kujton se dashuria për atdheun është e pafund, mund të mbante sot edhe një titull tjetër: Ne bijtë e bijat e tu, Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë”, ka thënë Presidentja.

Ajo, më tej ka thënë Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse ai përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi.

“Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme. Roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejt lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euro-atlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë. Vdekja e tij, në datën e acartë të 21 janarit të vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën e veprës së tij e kumbimin e përhershëm të personalitetit të tij. Përkundrazi, sot ai është fanar që na udhëheq teksa punojmë për mirëqenien dhe suksesin e vazhdueshëm të vendit tonë dhe popullit tonë”, ka shtuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, për Presidentin Rugova miqësia e besimi ishin vlerë. Prandaj, i kultivonte fort miqësitë e i forconte ato. Njohu respektin e personaliteteve më të mëdha botërore, sepse dinte ta shprehte mirënjohjen ndaj miqve dhe të punonte ngushtë me ta. Këto miqësi, ishin aty kur ju deshtën më së shumti popullit të Kosovës. Amerika qe busulla orientuese për veprimin e tij politik e për ndërtimin e jetës demokratike, modeli i vyer dhe udhërrëfyesja e tij për Kosovën e lirë.    

“Përfundimisht, presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij.  Lidhjen e tij me popullin e dëshmoi edhe vargu i pafund i njerëzve të cilët në ditën e shkuarjes së tij në amshim, më 21 janar 2006, nuk iu nënshtruan acarit e të ftohtit por pritën me orë të tëra, për ta përcjellur prijësin e tyre historik. Ky lum i pafund i njerëzve, shprehte dashurinë e pafund të një populli për atë që i priu qytetarëve tanë në një mision, në një kauzë, por mbi të gjitha, në një rrugëtim: rrugëtim drejt Kosovës së pavarur e sovrane, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Filed Under: Reportazh

“Kolonia Shqiptare” e vitit 1980, gazeta që bashkoi nacionalistët shqiptarë në New York, New Jersey e Connecticut

January 21, 2024 by s p

Sokol Paja/

Shtypi i shkruar nacionalist i mërgatës shqiptare të emigracionit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një epokë të ndritur të përpjekjeve patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Historia e shqiptarëve të Amerikës është pjesë e pandarë e historisë së medias që ky komunitet krijoi në dekada përpjekjesh për atdhe, komb dhe komunitet shqiptar. Organi mediatik i patriotëve nacionalistë “Kolonia Shqiptare” ishte një fletore në formë gazete u botua në New York në muajin maj të vitit 1980. Ishte organ mediatik i patriotëve shqiptarë me bazë në New York dhe përfshin veprimtarinë e mërgatës nacionaliste edhe në New Jersey e Connecticut. Kjo fletore mediatike në formë gazete ishte organ përvjetor, u themelue prej patriotëve me qëllim trajtimin e festimeve të ditës së flamurit kombëtar. Si organ i komunitetit shqiptar në botën e lirë, kjo gazetë kishte në thelb veç trajtesa patriotike kushtuar ditës së pavarësisë. Kjo gazetë u bënte thirrje për bashkim të gjithë patriotëve vullnetmirë në New York, New Jersey e Connecticut që të kontribuonin për komb shqiptar dhe flamur kombëtar.

“Kolonia Shqiptare” ishte gazetë që bashkoi nacionalistët e kolonisë politike antikomuniste në New York e më gjërë. Në vitin e parë të botimit, në numrin e parë, në faqen 3 paraqiten detaje të mbledhjes dhe bashkimit të të gjitha organizatave patriotike shqiptare në New York, New Jersey e Connecticut. Mbledhja e përgjithshme e nacionalistëve u zhvillua më 9 shtator 1979. Morën pjesë:

Qendra Islamike Shqiptare(Imam Isa Hoxha, Abdullah Kaloshi), Lidhja Katolike Shqiptare(Mons. Zef Oroshi dhe Don Rrok Mirdita), Komiteti “Shqipnija e Lirë” (Dr. Rexhep Krasniqi), Organizata Kombetare “Levizja e Legalitetit”(z. Reis Agaj e z. Rasim Sina), Blloku Kombëtar Indipendent(Dr. Gjon Buçaj), Bashkimi Demokrat Shqiptar(z. Adem Hodo e z.Jonuz Ndreu), Lidhja Prizrenit në Mërgim (Ismet e Selim Berisha), Organizata Balli Kombëtar (z.Qazim Emra e z. Banush Laze), Qendra Ortodokse Shqiptare(Zef Mirakaj), AANO(Zef Mirakaj), si observator Federata Vatra (Tonin Mirakaj, Ymer Doda) gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe personalitete të shquara si zonja Lume Juka, Adem Hodo, Ndue Kola dhe organizuesi Zef Mirakaj. Komisioni përgatitor që u votua për festën e flamurit kombëtar kishte këtë përbërje: Abdullah Kaloshi, Qazim Emra, Dr. Fuad Myftija, Ismet Berisha, Adem Hodo, Zef Mirakaj, Fran Sokoli, Rexhep Krasniqi dhe Lume Juka. Në faqen 17 gazeta i bën jehonë fjalimit kryesor të festës së flamurit kombëtar mbajtur nga Dr.Rexhep Krasniqi i cili thekson rëndësinë e bashkëpunimit e bashkimit kombëtar të faktorit politik e patriotik në mërgim. Përveç lutjes fetare të darkës së pavarësisë udhëhequr nga Mons.Zef Oroshi e fjalimeve të rastit, gazeta boton specifikisht një mesazh patriotik dërguar popullit shqiptar prej bashkësisë shqiptare të New York-ut me rrethe që mban firmën e Dr.Rexhep Krasniqit ku përveç trajtimit të çështjes së shtypjes së popullit shqiptar në regjimin komunist, e ngre lart simbolikën e ditës së lirisë kombëtare si frymëzim për brezat dhe mbarë popullin shqiptar. Në këtë gazetë patriotike përveç se përmblidhet jeta kulturore, atdhetare e sociale e mërgatës, publikimi ka një vlerë të jashtëzakonshme arkivore e historike për një periudhë të pa studiuar më parë rreth rolit dhe veprimtarive atdhetare e antikomuniste të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

#SiSot, më 21 janar 1920, nisën punimet e Kongresit të Lushnjes

January 21, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Paraditen e kësaj date, pas lajmërimit paraprak në gjithë trojet e Shqipërisë dhe të Kosovës, u mbajt në Lushnje takimi i parë i Mbledhjes Kombjare (Asamblesë Kombëtare). Qëllimi i Kongresit ishte reflektimi mbi gjendjen e Shqipërisë dhe kontekstin gjeopolitik, me qëllim ndërmarrjen e masave për shpëtimin e vendit nga copëtimi.

Punimet u zhvilluan deri më datë 31 janar 1920, kur pjesëmarrësit e Kongresit emëruan kabinetin e qeverisë të kryesuar prej Sulejman Delvinës, si dhe zgjodhën anëtarët e Senatit. Po ashtu, Kongresi:

1. Kundërshtoi planet e Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë.

2. Miratoi i një Kushtetute të njohur si “Statut i Lushnjes”, sipas së cilës Shqipëria do të ishte monarki kushtetuese.

Autoritetin e mbretit e përfaqësonte Këshilli i Lartë ose Regjenca, që përbëhej nga 4 anëtarë. Ndërsa, Këshilli Kombëtar ose Senati kryente rolin e Parlamentit, duke ushtruar veprimtari legjislative dhe vepronte i pavarur nga Këshilli i Lartë.

Bashkëlidhur, paraqitet procesverbali i mbledhjes së parë dhe një foto e delegatëve në Kongres.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#FototekaAQSH

#AQSH

#KongresiiLushnjes

Filed Under: Histori

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

January 21, 2024 by s p

Prishtinë, 21 janar 2024/

Në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, të shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule të freskëta te varri i tij.

Kryeministri tha se Presidentin Rugova e kujtojmë për rolin dhe kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile. Ai shtoi se si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta.

Paraprakisht në mëngjesin e ditës së sotme, kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministri Çeku, kishin vizituar familjen Rugova të cilën e njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova.

Deklarata e plotë për media e Kryeministrit Kurti pas homazheve:

Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e saj, zonjën Vjosa Osmani Sadriu dhe me kolegë të tjerë nga institucionet e shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili është edhe Presidenti i parë i Republikës së Kosovës kur republika ishte republikë për rezistencë ndaj okupimit dhe aparteidit të Serbisë në Kosovë, por edhe Presidenti i parë i Kosovës së çliruar.

Sot, në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile.

Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta.

U prehtë në paqe dhe i qetë.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1188
  • 1189
  • 1190
  • 1191
  • 1192
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT