• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BARDHYL GRACENI, MËSUESI DHE PEDAGOGU I PASIONUAR, STUDIUESI DHE HISTORIANI I ZELLSHËM

December 26, 2023 by s p

Prof.Dr.Roland Gjini/

Të shkruash një artikull e të pasqyrosh në mënyrë të plotë kontributin e një njeriu që tërë jetën ia kushtoi arsimit, forcimit të shkollës dhe studimeve në fushë të pedagogjisë e të historisë, nuk është edhe aq e lehtë. Për më tepër, në rastin tonë, vështirësia rritet më tepër sepse duke njohur nga afër të tëra përmasat e personalitetit dhe të aktivitetit të Prof. i asoc. Dr. Bardhyl Gracenit e kemi të pamundur t’i shpalosim tërësisht ato.

Bardhyl Graceni i përket asaj plejade të apasionuar normalistësh elbasanas të viteve ‘50, që pas përfundimit të Normales, filluan me zell e përkushtueshmëri profesionin sa fisnik aq edhe të vështirë të mësuesit. Militoi si mësues në çdo shkollë ku e emëruan, jashtë qytetit të lindjes. Edhe më pas, për vite të tëra, me familjen e re që krijoi, banoi larg shtëpisë së tij dhe pranë shkollës ku mësonte nxënësit e tij.

Kudo, si mësues, u dallua për dashuri ndaj profesionit e ndaj nxënësve, për profesionalizëm e korrektësi në punë. Paralelisht me ushtrimin e profesionit të mësuesit ndoqi e përfundoi studimet e larta në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën histori-gjeografi me rezultate të mira. 

Si mësues gëzonte respektin dhe dashurinë e nxënësve, të kolegëve si dhe të njerëzve të shumtë që e njihnin dhe e nderonin si mësues të aftë e të përkushtuar. Për këtë mjafton të bisedosh me banorë të qytetit të Cërrikut ku ai punoi gjatë si mësues, duke u vendosur në këtë qytet megjithë familjen e tij.

Që herët, në vitet ’60-të, Bardhyl Gracenin e ka tërhequr jo vetëm profesioni i mësuesit por, edhe fusha e kërkimeve dhe e studimeve shkencore. Që nga kjo kohë e deri në fund të jetës së tij, ai ka dhënë një kontribut të gjerë në fushën e studimeve pedagogjike dhe të shkencës historike. Veprimtaria shkencore e Bardhylit është shumëplanëshe. Nga vitet ‘70 e deri në vitin 1997, kur ndërroi jetë, Bardhyl Graceni mund të renditet si një nga studiuesit e botuesit më të njohur e më të zellshëm të qytetit të Elbasanit në fushat e mësimdhënies, të historisë së arsimit e të shkencës historike.

Studimet e tij ai i ka referuar e kumtuar në mjaft simpoziume e konferenca shkencore jo vetëm lokale por edhe kombëtare e ndërkombëtare. Ka botuar nga artikuj deri në tekste e monografi. Ka dhënë një kontribut të vyer në kualifikimin e mësuesve të historisë, duke referuar me dhjetra kumtesa e informacione të karakterit pedagogjik e shkencor. Studimet e shkrimet e tij në fushën e arsimit, rrokin problematika të tilla, si të metodave të mësimdhënies, të përmirësimit e ristrukturimit të planeve, programeve e teksteve shkollore dhe universitare. Për t’u përmendur në këtë rast, është kontributi i tij në fillim të viteve ‘80, së bashku me grupin e punës, për konceptimin dhe ndërtimin e kurrikulumit (planeve e programeve) të degës së re që përgatitmësues me arsim të lartë për klasat I-IV të shkollës 8-vjeçare.

Është për t’u theksuar edhe këmbëngulja e tij për hapjen e degës së re Histori-gjeografi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, sot Universiteti “Aleksandër Xhuvani”. Ai me argumenta, pranë hallkave shtetërore, shtroi me forcë domosdoshmërinë e hapjes së kësaj dege edhe në Elbasan. U arrit kështu që në vitin shkollor 1990-1991 të hapet pranë Universitetit të Elbasanit dega e mësuesisë për lëndët histori-gjeografi.

Një përkujdesje dhe vullnet të veçantë Bardhyli tregoi për tërheqjen si pedagogë të kësaj dege të një stafi të aftë e të kualifikuar. Në marrëdhënie me ta ai nuk rreshti për t’i ndihmuar e për t’i nxitur në rrugën e kualifikimit të mëtejshëm dhe në punën shkencore. Një drejtim tjetër i aspektit arsimor që tërhoqi vëmendjen dhe interesin e Bardhyl Gracenit, veçanërisht pas vitit 1990, ishin problemet e edukimit qytetar të brezit shkollor.

Periudha e tranzicionit, pas shembjes së regjimit totalitar, krijoi probleme të reja sociale. Situata e re kërkonte edukimin e mentaliteteve të reja, veçanërisht në moshat shkollore. Bardhyli gjykonte se shkolla do të kishte rolin parësor për edukimin qytetar të brezit të ri në kushtet e një shoqërie demokratike. Ai mbështeste mendimin që edukimi qytetar në shkollë realizohet me sukses atëhere kur janë përgatitur kuadrot me mësues të aftë dhe të specializuar. Ishte pikërisht iniciativa dhe përkushtimi i tij për të hapur në Universitetin e Elbasanit një degë të re, që krahas përgatitjes së mësuesve të historisë e të gjeografisë, të përgatiste edhe specialistë për edukimin qytetar për shkollat 8-vjeçare. Nga kontributi i tij dhe i pedagogëve të departamentit të historisë që ai drejtonte, u arrit të hartohet një modalitet i plotë dhe një kurrikulum i arrirë për degën histori-gjeografi-edukatë qytetare. Ministria e Arsimit, duke gjykuar dokumentacionin e paraqitur nga Universiteti i Elbasanit në vitin shkollor 1999-2000, miratoi hapjen e kësaj dege të re, e para degë kjo në universitetet e Shqipërisë për këtë profil.

Veprimtaria e gjerë studiuese e Bardhylit në fushën e arsimit dhe të mësimdhënies u pasqyrua edhe në shtypin shkencor të Institutit të Studimeve Pedagogjike. Në Revistën pedagogjike, organ shkencor i këtij Instituti, ai botoi artikuj si “Veçori të shkollës shqiptare në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare” në vitin 1978, “Aleksandër Xhuvani mbi sistemin e ri arsimor” në vitin 1979, “Mbi përgatitjen me arsim të lartë të mësuesve të ciklit të ulët’, 1982 etj. Mjaft artikuj pedagogjikë ai botoi edhe në gazetën “Mësuesi” si dhe në shtypin lokal.

Bardhyl Graceni ka qenë një bashkëpunëtor i afërt i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. Ai ka marrë pjesë si bashkëautor në hartimin e disa librave shkollorë të historisë si “Historia e kohës së sotme” (për shkollat e mesme profesionale) botim i vitit 1970,“Histori e kohës së re” (për shkollat e mesme të përgjithshme) botime të viteve 1983 dhe 1988. Në fund të viteve ‘80-të bashkëpunoi me grupin e punës të caktuar nga ministria e Arsimit për të rikonceptuar programin dhe tekstin e Historisë së Shqipërisë për klasën e IV të shkollës 8-vjeçare. Ishte një ideator aktiv në hartimin e programit të ri të kësaj lënde që historia të trajtohej me koncepte e njohuri më të thjeshta e më të kuptueshme për nxënësit e kësaj moshe shkollore. Ai mori pjesë edhe në hartimin e tekstit të kësaj lënde, i cili u titullua “Të njohim historinë e popullit tonë”, botuar në vitin 1989 dhe ripunuar në vitin 1990, tekst i cili është ende në përdorim (viti 1999). Me ideimin dhe ndërhyrjen profesionale të Bardhylit,materiali mësimor i këtij teksti u ndërtua duke ndërthurur trajtimin shkencor me paraqitjen e letrarizuar të ngjarjeve e proceseve historike.

Në vitin 1988 ishte bashkëautor në hartimin e tekstit universitar “Historia e Shqipërisë” për studentët e degës së mësuesisë së klasave I-IV të shkollës 8-vjeçare. Gjithashtu leksionet, që Bardhyl Graceni përgatiste dhe mbante me studentët e tij, ishin të një niveli të lartë shkencor e pedagogjik. Ka punuar vazhdimisht që kurrikulumi i degës Histori-gjeografi të përmirësohet duke iu referuar edhe standarteve e modeleve të përparuara botërore.

Prof. i asoc. dr. Bardhyl Graceni ishte edhe një shkencëtar i zellshëm dhe i apasionuar pas shkencës së historisë. Ai është marrë me një sërë studimesh, një pjesë të të cilëve i ka botuar apo referuar nëpër konferenca e simpoziume shkencore. Fushat e studimeve të tij janë të ndryshme. Ai ka ndërmarrë studime për probleme të rëndësishme të historisë së trevës së Elbasanit si dhe të rrafshit kombëtar, për figurat kryesore të historisë sonë kombëtare, për historinë e arsimit shqiptar etj.

Në organin shkencor të Institutit të Historisë, “Studime historike”, ka botuar artikujt “Kriptokristianizmi në Shpat në fund të shekullit XIX deri në vitin 1912” në vitin 1984 dhe “Laramania e shpatarakëve dhe ndërhyrja e tri kishave të huaja” në vitin 1987. Pas vitit 1990, një drejtim i rëndësishëm që tërhoqi vëmendjen e tij si studiues ishte studimi dhe rivlerësimi i jetës dhe aktivitetit të mjaft personaliteteve të kulturës së qytetit të Elbasanit që rregjimi komunist i kishte harruar apo denigruar.

Një pjesë e mirë e studimeve të Bardhyl Gracenit janë botuar, por duhet thënë se mjaft të tjera ai i la në mes, mjaft dokumenta historike të mbledhura në arkiva e burime të ndryshme nuk mundën të interpretohen e të studiohen deri në fund, megjithëse ai punoi në mënyrë intensive deri ditët e fundit të jetës së tij. Aleksandër Xhuvani, një ndër personalitetet e kulturës së Elbasanit e mbarë kombit, për vite të tëra tërhoqi vëmendjen e Bardhylit si studiues. Pas një pune disa vjeçare, ai arriti që në vitin 1980 të botojë monografinë për këtë figurë të shquar të kombit tonë. Në vitin 1995 së bashku me një mikun e tij francez, studiuesin Dr.Gerard Gardes botuan një libër njohës për Shqipërinë, “Le guide de L’Albanie” që u prit mirë në opinionin lexues të Francës. Ky libër është ribotuar tri herë në Francë dhe në një konkurs të zhvilluar në Lion në vitin 1996 ka marrë çmim të parë.

Ka qenë pjesëmarrës në disa studime të ndërmarra nga institucionet shkencore të vendit. Kështu, ai ka marrë pjesë në grupin e punës të ngritur nga Instituti i Studimeve Pedagogjike dhe ka kontribuar dukshëm në kryerjen e studimit për historinë e arsimit në Shqipëri. Ka qenë pjesëtari më aktiv ndër historianët e Elbasanit në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave.

Ishte i përkushtuar dhe i aftë për organizimin dhe zhvillimin me sukses të veprimtarive shkencore. Me një aftësi dalluese përcaktonte problematikat e konferencës apo simpoziumit shkencor, mbante kontakt me personalitete të shkencës historike jo vetëm brenda vendit por edhe me historianë të huaj. Përpiqej që të realizonte pjesëmarrjen e tyre në aktivitet. Janë disa veprimtari shkencore të ideuara e të organizuara nga Bardhyl Graceni. Por ne po përmendim njërën prej tyre, që pati një sukses të dukshëm.

I propozoi kolegëve të vet të departamentit të historisë për mbajtjen e një simpoziumi shkencor për çështjen e feve në Shqipëri. Idenë e tij e thelloi më tej duke ftuar historianë nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë dhe Arkivi Qendror i shtetit. Duke shfrytëzuar njohjen e vet personale me disa studiues të huaj, të njohur për trajtimin e problemeve fetare në Ballkan e Shqipëri, hyri në lidhje me ta dhe i ftoi për të kumtuar. Në fillim të viteve ‘90-të, sapo kishte dalë nga botimi studimi i profesorit italian Roberto Maroko dela Roka “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, i përkthyer edhe në shqip. Megjithëse me këtë studiues nuk kishte njohje të mëparshme, hyri shpejt në lidhje me të dhe arriti të marrë premtimin e tij për të kumtuar në këtë aktivitet. Kështu që në 6-7 qershor të vitit 1994 në ambientet e Universitetit “A.Xhuvani” mbahet kolokiumi (simpoziumi) ndërkombëtar me temë “Rrënjët historike të tolerancës fetare të popullit shqiptar”. Në këtë aktivitet, që është ndër më seriozët e më cilësorët të zhvilluar në këtë universitet, iniciuar e organizuar nga Bardhyl Graceni, referuan e kumtuan studiues jo vetëm nga departamenti i historisë dhe historianë të njohur nga Tirana, por edhe personalitete shkencore nga shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, studiues të huaj nga Franca, Gjermania, Italia e Greqia.

Në vitet ‘90 ishte ndër të parët studiues të Elbasanit që ndjeu nevojën e përgjegjësinë e rivlerësimit dhe të rishkrimit të historisë sonë kombëtare për mjaft probleme që gjatë viteve të sistemit totalitar ishin shmangur ose ishin deformuar. Me modesti bisedonte me çdo koleg, edhe me ne më të rinjtë, kërkonte mendime, ballafaqonte ide, shtronte sipërmarrje të reja në fushën e studimeve. Ndërkohë forconte lidhjet me miqtë e tij studiues të huaj, kërkonte nga ata literaturë dhe mendime. 

Me respekt e nostalgji e kujtoi, pas vdekjes,  prof Bardhylin një nga miqtë e tij të ngushtë, studiuesi grek Teodoris. Madje ai na nxiti që ne të shkruajmë sa më shpejt këtë shkrim. Por kujtimin dhe respektin më të madh profesor Bardhyli e la te kolegët e shokët e vet, te studentët dhe populli i Elbasanit, te familja e tij për të cilën ai u përkushtua deri në fund, te të gjithë ata që e njihnin dhe e nderonin.

Filed Under: Sociale

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE STRATEGJIA USHTARAKE E SAJ

December 26, 2023 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Situata politiko-ushtarake në të cilën u krijua Lidhja

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua dhe veproi prej 10 qershorit të vitit 1879 deri më 30 prill të vitit 1881, në periudhën e krizës që kishte përfshirë Lindjen. Kriza Lindore e viteve 1877-1878 e shoqëruar me përfundimin e luftës ruso-turke dhe disfatën e Turqisë, përkeqësoi autoritetin dhe aftësitë e kësaj perandorie për të ruajtur sferën e influencës mbi shtetet që kishin qenë pjesë e saj. Situata e krijuar me Turqinë dhe veçanërisht vendimet e Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, i cili parashikonte copëtimin e trojeve shqiptare në interes të vendeve fqinjë, shtoi rreziqet për Shqipërinë. Në këto situata, Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët shovinistë të Shqipërisë nuk njohën kombin shqiptar dhe nxituan ta coptonin atë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit mëshiroi në të njëjtën kohë edhe vetë lëvizjen kombëtare që zhvilloi populli shqiptar për të realizuar programin e Rilindjes Kombëtare. E lindur në situata kërcënime e agresione, Lidhja qysh në fillimet e saj mori përmbajtjen e një organizate politike me karakter të theksuar luftarak. Synimi i saj kryesor ishte të mos lejonte copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare nga shtetet fqinje dhe të arrinte shpalljen e autonomisë nga Porta e Lartë. Meqënëse kërkesat e Lidhjes nuk u morën parasysh, lufta me armë për mbrojtjen e territoreve shqiptare u bë objektivi kryesor politik dhe ushtarak i veprimtarisë së saj.

Përcaktimi i qëllimit kryesor dhe i strategjisë ushtaarke

Në përputhje me strategjinë politike, si qëllim kryesor të luftës, Lidhja përcaktoi mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe thyerjen e çdo agresioni të mundshëm nga jashtë. Nisur nga ky qëllim, lidhja përcaktoi edhe konceptin strategjik, thelbin e të cilit e përbënte kryesisht karakteri mbrojtës i luftës, por pa hequr dorë nga lufta për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara nga Mali i Zi dhe Serbia gjatë viteve 1877-1878. Në këtë kuadër ajo formuloi edhe strategjinë e saj ushtarake, objektivat kryesorë të së cilës ishin: organizimi dhe kompletimi i ushtrisë vullnetare; pajisja dhe armatimi i saj; hartimi i planeve për mbrojtjen e territoreve si dhe të kundërmësymjes për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara; organizimi i prapavijës dhe zgjidhja e problemeve të drejtimit etj.

Në kërkesat e saj për mobilizimin e burimeve njerëzore, lidhja synonte për një angazhim mbarëkombëtar, baza kryesore e të cilit do të ishte vullnetarizmi i tyre. Kriteri bazë i mobilizimit mbështetej në traditën shumë shekullore “një luftëtar për shtëpi”, por në raste të situatave kritike dhe në krahinat kufitare shpesh gjente zbatim parimi “tre luftëtarë për shtëpi”. Forcat e Armatosura do të quheshin “Roja Kombëtare” dhe bazuar në regjistrimin e popullsisë të bërë nga Lidhja do të arrinte në 260.000 veta. Në varësi të situatës, koncepti për mobilizimin e popullsisë do të realizohej i pjesshëm dhe i përgjithshëm. Mobilizimi i pjesshëm do të bëhej për kompletimin e reparteve dhe njësive që do të përdoreshin për mbrojtjen e zonave kufitare në rast mësymje të armikut. Mobilizimi përfshinte moshat 15-70 vjeç. Të mobilizuarit, grumbulloheshin në “Kampe Ushtarake”, në të cilat pas organizimit në reparte dhe njësi, i nënshtroheshin stërvitjes ushtarake. Qendra të tilla u krijuan në rajonet kufitare si në Ulqin, Shkodër, Plavë, Guci, Pejë, Novipazar, Gjakovë, Shkup etj.

Strukturat e Lishjes Shqiptare të Prizrenit

Struktura e “Rojës Kombëtare” do të përbëhej nga pesë korpuse, prej tyre katër në Shqipërinë e Veriut dhe një në Shqipërinë e Jugut. Çdo korpus do të përbëhej nga disa brigada dhe në tërësi do të ishin forca këmbësorie. Në disa drejtime forcat e Lidhjes u përforcuan me artileri, mjete lundruese, ndërlidhje, shërbim të zbulimit, reparte shetitëse dhe reparte të mbrojtjes së kalave. Në planet e Lidhjes kërkohej që në çdo batalion këmbësorie të formohej kompania kalorëse e cila do të përdorej për transport njerëzish dhe të materialeve luftarake. Strukturat e mëdha ushtarake, korpusi dhe divizioni nuk konceptoheshin si njësi të përhershme. Ato qëndronin të grumbulluara për aq kohë sa vazhdonte kërcënimi për luftë. Karakteristikë ishte se strukturat dhe organikat luftarake ishin përcaktuar me detaje. Çdo njësi, repart e nënrepart kishte të përcaktuar strukturën vartëse, sasinë e luftëtarëve, strukturat mbështetëse, nivelin e gradave të drejtuesve etj. Sipas organikave të përgatitura çdo kompani do të kishte 100 luftëtarë; batalioni do të kishte katër kompani këmbësorie dhe një kompani kalorësie me efektiv të përgjithshëm 500 veta; një regjiment do të kishte katër batalione me efektiv të përgjithshëm 2.000 veta; ndërsa brigada do të kishtë 4.000 veta. Në raste situatash të ngutëshme strukturat mund të reduktoheshin, kështu batalioni mund të kishte 3.000 veta, regjimenti rreth 1.200 veta dhe brigada rreth 2.500 veta. Sipas përllogaritjeve të Lidhjes “Roja Kombëtare” do të kishte 380 batalione në Shqipërinë e Veriut dhe 100 batalione në Shqipërinë e Jugut.

Në pikëpamje të përdorimit të forcave sipas nevojave për përballimin e kundërshtarit, lidhja ngriti një sistem të admirueshëm gadishmërie i cili përfshinte forcat e ruajtjes, zbulimit, sigurimit, të përballimit të agresionit etj. Në varësi të veprimeve të kundërshtarit, të kohës së nevojshme për futje në luftim, largësisë së rajoneve të mobilizimit, forcat e gadishmërisë ndaheshin: të radhës së parë, të dytë dhe të tretë. Forca të radhës së parë ishin repartet kufitare, të ruajtjes dhe të zbulimit, të cilat zakonisht formoheshin nga vullnetarët e popullsisë kufitare. Detyra kryesore e këtyre reparteve ishte vrojtimi, zbulimi dhe pengimi i kundërshtarit.

Forca të radhës së dytë ishin forcat që formonin njësitë kryesore për mbrojtje. Ato formoheshin nga vullnetarë, nga popullsia në thellësi të territorit të vendit dhe organizonin mbrojtjen për të përballuar mësymjen e armikut.

Forca të radhës së tretë ishin forcat e rezervës strategjike dhe dilnin nga viset e thella të vendit. Detyra kryesore e tyre ishte përforcimi i mbrojtjes dhe dhënia e kundërgoditjeve dhe kundërmësymjes. Në planin e lidhjes, forcat e Shqipërisë së Mesme ku bënin pjesë popullsia e Matit, Krujës, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit përbënin rezervat strategjike të Lidhjes dhe do të përdoreshin për në përforcimin e mbrojtjes në drejtim të Shkodrës si dhe do të merrnin pjesë në kundërmësymjen për të rimarrë territoret e pushtuara nga Mali i Zi. Në konceptin e saj për mbështetjen, lidhja krijoi aparatin e prapavijës, i cili do të merrej me sigurimin e armatimit, municionit, ushqimit, veshmbathjes, strehimit të efektivave etj. Në krye të këtij aparati qëndronte një komision i cili kishte strukturat vartëse në çdo krahinë. Këto komisione kishin në varësi reparte speciale shëndetësore, transporti dhe ruajtje.

Drejtimi dhe organizimi ushtarak i Lidhjes

Drejtimi – Organizimi më i lartë ushtarak i Lidhjes ishte Seksioni i Financës dhe i Mbrojtjes. Ky seksion mori formën e një Këshilli dhe Shtabi Ushtarak Madhor duke vepruar kështu deri në fund të aktivitetit të Lidhjes më 1881, kohë kur Lidhja u shyp nga ushtria turke. Seksioni i mbrojtjes kishte për detyrë të hartimit të planeve dhe urdhërave për mobilizimin dhe plotësimin e formacioneve luftarake; të organizimit e të kontrollit të gadishmërisë; të drejtimit e bashkëveprimit strategjik etj. Ky sektor drejtohej nga Sulejman Vokshi dhe aktiviteti i tij drejtues u ndje në njësitë e Shqipërisë Veriore, Kosovës, Rafshit të Dukagjinit, Dibrës dhe Shkupit.

Organe drejtuese politiko-ushtarake të një shkalle më të vogël ishin “Komitetet e Mbrojtjes” të degëve kryesore të Lidhjes. Këto komitete kryesisht morën karakterin e shtabeve ushtarake dhe u morën me problemet e organizimit të mbrojtjes. Në situata të veçanta këto komitete edhe shtabe ushtarake speciale të cilat merreshin me drejtimin e operacioneve të veçanta u quajtën edhe “Komitete shpëtimi”, “Qendra të operacioneve“, ose “Këshillat e oficerave të divizioneve” etj.

Zgjedhja dhe përcaktimi i kuadrit komandues u vlerësua si një nga çështjet më serioze në organizimin e strukturave ushtarake. Udhëzimet e dhëna nga Lidhja ishin që përzgjedhja të bëhet nga njerëzit që kishin aftësi, përvojë dhe autoritet. Zgjedhja e tyre të bëhet vetëm me pëlqimin e popullsisë. Një kontigjent i mirë komanduesish ishin dhe ish-ushtarakë shqiptarë që kishin shërbyer më parë në ushtrinë turke. Për realizimin e objektivave ushtarake, Lidhja formuloi edhe “Planet Strategjike”, qëllimet e të cilave shpehen qartë në urdhëresën ushtarake të saj të 18 qershorit 1878 ku parashikonte: “….ndarje pune për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë prej veriut deri në jug, ndihmën ushtarake të shoqishoqme”. Në planet strategjike jepen udhëzime për organizimin e mbrojtjes me drejtime të përcaktuara strategjike.

Drejtimet kryesore strategjike

Drejtimet kryesore strategjike u vlerësuan ai kundër Malit të Zi dhe Serbisë e më pas vinte ai Greqisë. Në këtë kuadër ishte parashikuar edhe ndarja e përgjegjësive dhe detyrave operacionale të strukturave ushtarake që kishte Lidhja. Kështu Korpusi i Kosovës, i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta duhej të mbronte një front prej 250 km. Detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes Serbe, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara nga serbët para vitit 1878. Korpusi i Shkodrës i cili parashikohej të arrinte 60.000 veta duhej të mbronte një front prej 200 km. Detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes malazeze, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara të tyre. Korpusi i Shkupit i cili parashikohej të arrinte 40.000 veta duhej të mbronte një front prej 40 km. Detyra kryesore e tij ishte mbrojtja në drejtim të Bullgarisë. Ky korpus ishte parashikuar të përforconte Korpusin e Kosovës për mbrojtje si dhe gjatë pjesëmarjes në kundërmësymje. Korpusi i Shqipërisë së Jugut i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta, detyrë kryesore të tij kishte përballimin e agresionit grek. E veçanta ishte se mbrojtja në këtë drejtim parashikohej me sektorë të veçantë. Korpusi i Novipazarit, i cili parashikohej të arrinte 20.000 veta, do të shërbente si forcë plotësuese e Kopusit të Kosovës dhe atij të Shkodrës dhe nuk kishte front të veçantë mbrojtje.

Vlerësimi i terrenit dhe madhështia e Lidhjes

Vlerësimi real i terrenit, veçanërisht i viseve kufitare shqiptare ku pjesën dërmuese të tij e përbënte terreni i thyer malor, bëri që organizimi i mbrojtjes të bëhet me drejtime, duke mbuluar rrugëkalimet dhe luginat kryesore. Kjo bëri që fronti i vendosjes për mbrojtje të zvogëlohej dhe njëkohësisht krijonte mundësi të kursimit të forcave të cilat mund të përdoreshin në drejtime të tjera. Në kuadër të parashikimit të kalimit në kundërmësymje veçanërisht në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë Lidhja parashikoi jo vetëm sasinë e forcave pjesëmarrëse, por edhe masat që do të shoqëronin këto operacione si mbështetja dhe sigurimi i prapavijës materialo-teknike, kryerja e manovrës së forcave, organizimi i bashkëveprimit midis njësive të mëdha etj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në të njëjtën kohë një lëvizje kombëtare e mbarë shqiptarëve, të cilët kudo që u ndodhën, në qytet apo në fshat, në malësi apo në fushë, në atdhe apo në mërgim, luftuan për të realizuar programin e saj, pavarësisht nëse bënin pjesë në hallkat e saj organizative. Veprimtarinë e saj tre vjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e zhvilloi në rrethana politike të brendshme dhe të jashtme më të ndërlikuara se ato të lëvizjeve antiosmane të shekujve të kaluar. Këtë radhë shqiptarët patën kundër tyre jo vetëm Perandorinë e Gjysmëhënës, jo vetëm qarqet feudale dhe klerikale sulltaniste, por edhe reaksionin ndërkombëtar, të gjitha Fuqitë e Mëdha që diktonin fatin e popujve të vegjël së bashku me monarkitë fqinje ballkanike.

Madhështia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qëndron në faktin se duke vepruar në kushtet e zgjidhejs shekullore të huaj ajo u lëshoi sfidë të gjithë armiqëve të Shqipërisë. Madhështia e saj qëndron në udhëheqjen e lëvizjes kombëtare për autonominë e Shqipërisë në mënyrë të shkallëzuar por gjithnjë në rritje, derisa arriti në momentin e saj kulmor, të formonte qeverinë e përkohshme shqiptare dhe të hynte në luftë të armatosur me Portën e Lartë për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.

Filed Under: Komente

MUNGESA E LIBRAVE UNIVERSITARË NË GJUHËN SHQIPE SI PASOJË E REVISTAVE TË “NEOKOLONIALIZMIT AKADEMIK”

December 26, 2023 by s p

Prof.Milazim KRASNIQI/

Tashmë që jam jashtë stafit të rregullt universitar, e kam edhe më të qartë pamjen lidhur me tiraninë që imponohet lidhur me botimet e punimeve shkencore në revista të huaja, si kusht brutal për avancim në tituj universitarë. Në fakt, ka pasur dhe ka gjithnjë e më shumë një zhvillim shumë kundërthënës në këtë punë: sa më shumë që mësimdhënësit tanë botojnë punime shkencore në revista në platforma të njohura, (Scopus) aq më pak ka libra universitarë në gjuhën shqipe. (Ndërsa punimet botohen vetëm anglisht dhe publiku shqipfolës nuk ka mundësi t’i lexojë! Ato as nuk shkruhen për studentë, prandaj jo gjithnjë mund t’u shërbejnë.)

Puna është e vendosur mbrapshtë që nga fillimi, sepse mësimdhënësit detyrohen të formulojnë tema që mund të zgjojnë më shumë interesin e revistave të huaja për botim. Temat e tilla shumë herë janë më shumë teorike ose „kozmopolite“, e jo tema që do të kishin për objekt hulumtimi probleme konkrete e aktuale të ambientit tonë ekonomik, shoqëror, kulturor, kombëtar, shëndetësor, teknologjik, etj. E dyta, standardizimi i punimeve i bën të duken disi si prodhim serik, çka e dëmton kreativitetin e studiuesve. Në këso punimesh për platformat e njohura, studimi futet në një kallëp teorik, metodologjik e strrukturor, gjë që e imponon botuesi, e jo hulumtimi dhe rezultatet e studimit. E treta, punimet u dedikohen studiuesve në fushat respektive, e jo studentëve ose ndonjë komuniteti pak më të gjerë. E katërta, meqë ka shumë universitete e shumë mësimdhënës, të cilët janë të detyruar të botojnë punime në aso revistash për t‘u avancuar, atëherë kjo konkurencë abnormale u merr shumë kohë e shumë energji. Bile ka revista që i detyron autorët të paguajnë para, për t’ua botuar punimet.

Njëra nga pasojat e kësaj politike të mbrapshtë, që në instancë të fundit mua më duket si një formë e neokolonializmit akademik, është se mësimdhënësit nuk kanë as kohë, as energji as interes që të shkruajnë libra univeristarë për studentë. Bile as të përkthejnë libra universitarë. Pse? Sepse ajo punë faktikisht nuk vlerësohet për avancim. Më shumë vlerësohet një punim i botuar në një revistë të huaj, dikund në rrotë të samës, se sa një studim monografik, i botuar në universitet. Prandaj, mungesa e librave univeristarë në gjuhën e studimit, pra në gjuhën shqipe, vërehet shumë në universitetet tona. Besoj edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut gjendja është njësoj e keqe. Nuk e di a është përkeqësuar, por disa vitesh e kam bërë një matje të thjeshtë dhe rezultati ka qenë shokues: rreth 60% e librave që janë në syllabuse në programet e studimit në Universitetin e Prishtinës, nuk kanë qenë fare të përkthyera e të botuara në gjuhën es tudimit, pra në gjuhën shqipe. Ky është një absurd i llojit të vet: studentëve u jipen literaturë e obligueshme libra që nuk janë në gjuhën në të cilën ata/ato studiojnë. Meqë shumë prej tyre nuk dinë anglisht dhe ata që eventualisht dinë anglisht, nuk kanë para që t’i blejnë, i bie që ata nuk arrijnë t’i lexojnë ata libra. Pasoja e kësaj është direkte në formimin e tyre akademik: nëse 60% të vëllimit të literaturës nuk e lexojnë, i bie që për tri vite studime, marrin vetëm rreth 40% të kredive. Problemi i të rinjve në tregun e punës është tregues i këtij defekti. Prandaj mendoj se duhet të rishikohet kjo politikë e këtij farë akademizmi, që bën kujdestari policeske mbi avancimet. Fjala vjen, nëse një mësimdhënës boton një libër universitar (natyrisht me recensionim komptetent e rigoroz) ajo punë do të duhej të vlerësohej me përparësi për avancim. Natyrisht botimin dhe qarkullimin do të duhej ta bënin universitetet, duke e vlerësuar e kompensuar atë punë të dobishme për studentët. Natyrisht në këtë rast do të duhej të funksiononte edhe respektimi i të drejtave të autorit e jo që puna e tij të shkojë për lesh nga fotokopjimet pirate që bëhen në mes të ditës, afër kampuseve, siç ndodhë për gjithë këto vite. Realisht edhe pitateria e ka shkatërruar vullnetin e shumë mësimdhënësve që të shkruajnë libra universitarë, pasi ato vidhen dhe shumëzohen ilegalisht, që në momentin që del në qarkullim një ekzmeplar.

Nga pozita ime e tashme, kur nuk e kam sikletin e avancimeve, e kuptoj edhe më shumë tërë këtë situatë absurde. E kam të qartë se punimet shkencore që kam botuar ndër vite për avancime, mund t‘i kem harruar edhe vetë. Ndoshta mund t’i hyjnë ndokujt në punë vetëm për ta zgjatur bibliografinë. Ndërsa librat univeristarë që kam shkruar (e botuar vetë dhe shumicën dhënë falas studentëve) ende u hyjnë në përdorim studentëve. Me siguri që ata libra universitarë nuk janë librat më të mirë në ato fusha. Por e sigurt është që në procesin e aftësimit profesional e akademik, studentët e mi kanë përfituar prej tyre. Umberto Eko pati thënë në një rast se librat mbi komunikimin e gazetarinë që janë më të vjetër se njëzet vite, po të pyetej ai, nuk do t’i linte në qarkullim. Eko njësoj mendonte edhe për librat e vet. Unë mund të jem dakord me të, por ata libra duhet të zëvendësohen paraprakisht me libra më të mirë. Ama në rast se më askush nuk ka hapësirë të shkruajë libra univeristarë për studentët tanë, ngase në mënyrë policeske kushtëzohen nga botimi i punimeve në revista të huaja dhe në gjuhën angleze, si do të bëjmë për librat? E fundit: kjo politikë e avancimeve është thjesht një marrëzi, sepse i trajton mësimdhënësit domosdoshmërisht si shkencëtarë, ndërsa mësimdhënësit mund të mos jenë shkencëtarë, po vetëm transmetues korrekt të njohurive shkencore tek studentët. E dyta, u kërkojnë mësimdhënësve të shkruajnë punime shkencore për komunitetin e shkencëtarëve, ndërsa ata paguhen t‘u shërbejnë studentëve. Pra, shkruajnë për shkencëtarët që ato çështje realisht i dinë e nuk shkruajnë për studentët, të cilëve u shërbejnë.

Në instancë të fundit, në rastin e botimit në revista të huaja e në platforma të caktuara, fjala është për një biznes të madh e të dyshimtë. Fjala është për një industri të revistave që përfaqësojnë neoklolonializmin akademik, i cili ka synim të mbajë nën kontroll arsimin dhe kulturat kombëtare. Vetëm po ta shikoni gjendjen aktuale të programeve studimore albanologjike, e kuptoni më qartë se është fjala për një formë të neokolonializmit akademik. Degët nacionale, si gjuha shqipe, letërsia shqipe, historia, antropologjia, praktikisht janë para mbylljes. Çdo vit zvogëlohet numri i studentëve në këto departamente. Të diplomuarit e këtyre departamenteve nuk kanë fare treg të punës, sepse ua kanë hequr me Fakultetin e Edukimit. Bile sa jam në dijeni, edhe revistat albanologjike tashmë janë mbyll. Duhet të shkruash anglisht për problemet albanologjike e ta botosh punimin në platformën Scopus, qoftë edhe në revistat e shteteve ku nuk ekziston një ide mbi albanologjinë.

Filed Under: LETERSI

PIKA E UKSHIN HOTIT HAPI PORTAT E HISTORISË SË KOSOVËS

December 26, 2023 by s p

Në 80 vjetorin e lindjes, kujtojmë kolosët tanë: “Ukshini nuk ka ditë vdekje, është peng i shprehjes së lirë që nga viti 1981”.

Shkruan: akademik, Dr. Feti Mehdiu

Ukshin Hoti, i biri i Nazifit dhe i Fatimes, i lindur me 17 qershor 1943, i tha SKJ (Lidhjes Komunisteve të Jugosllavisë) dhe LKK-ës,(Lidhjes Komunisteve të Kosovës) në vitin 1981: “në konviktin e studentëve të Universitetit të Prishtinës, me 11 mars,  POLICIJA PËRDORI DHUNË KUNDËR STUDENTËVE DHE “PIKË”!. Kjo  ishte “pikë” jetës së Ukshinit, qysh në vitin 1981, edhe njëherë u hapën portat e historisë së Kosovës. Këtë “PIKË” të Ukshin Hotit SKJ-u dhe LKK-ës e shndërruan në “prese” dhe vazhdoi dhuna deri në vitin 1990, kur shqiptarët e Kosovës u bashkuan më qëllime të përbashkëta, se liria nuk fitohet me miklime por me pickime. Dhuna e filluar në konviktin e studentëve u shtri në tërë Kosovën, përmes Universitetit të Prishtinës, të cilin LKJ- e kishte shpallë BASTION I NACIONALIZMIT, dhe LKK, iu bë krah për të luftuar vetveten duke i shpallë luftë Universitetit të Prishtinës nën maskën DIFERENCIMI IDEO-POLITIK i kuadrave universitare, që si qëllim përfundimtarë kishte eliminimin e personelit arsimor në Universitet.Jam i privilegjuar, por edhe i obliguar, që me rastin e tetëdhjetvjetorit të lindjes së Diplomatit të rrallë shqiptarë të fundshekullit XX-të, të shpalos ca kujtime personale që, mbase do t`i shërbejnë të ardhmes së ndritshme të këtij populli liridashës.

I

Ukshin Hotin e njoha në Shoqatën Kulturore-Letrare të studentëve shqiptarë “PËRPJEKJA” në Beograd,  në vitet 1969-1971. Deri në vitet 1990-94, herë pas here, më ka rastis ta takoj edhe privatisht edhe zyrtarisht, dhe gjithmonë kemi këmbyer mendimet tona për dobi të kulturës shqiptare. Ai  vijonte studimet pasdiplomike kurse unë isha në studimet themelore në Fakultetin e Filologjisë, dega: Filologji Orientale. Kur u njohëm së pari here, sikur iu duk interesant fusha e studimeve të mia, gjuhë arabe dhe gjuhë turke.Unë i përfundova studimet, dhe me Ukshinin na mbante lidhja kulturore-letrare, ajo që kishte mbi dhe vepronte në  shoqatën  “Përpjekja”, në Novi Beograd. I kërkova ndihmën që e fejuara e tij Edi Shukriu, që ishte anëtare e grupit letrar në Shoqatën “Përpjekja” të më jepte biografinë dhe nja dy a tri poezi, që m`i kërkonte Abdulatif Arnauti, në Siri për një botim në gjuhën arabe me poezi të femrës shqiptare. Më afroi ndihmë të pakursyer Ukshini dhe ai projekt u realizua me sukses. Në Siri, u prezantuan në gjuhën arabe përveç Edi Shukriut dhe Flora Brovinës edhe poetesha tjera, si Afërdita Skenderi dhe Sadete Emërllahu nga Kosova, e disa poetesha nga Shqipëria.

II

Në vitin 1976, kur u ktheva nga specializimi për gjuhë arabe, në Kairo, Ukshin Hoti ishte Sekretar Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme. Përmes këtij organi kisha fituar bursën një vjeçare për qëndrim në Universitetin e Kairos, dhe ishte obligim imi që pas kthimit nga specializimi të paraqes një raport lidhur me qëndrimin tim në Kairo.Përgatita raportin, me shkrim në tri faqe dhe kur shkova ta dorëzoj,  në Sekretariatin Krahinor,per Merdhenie me Boten e Jashtme (ndërtesa ku sot ështe Kuvendi i Republikës së Kosovës), në recepcion, ai kërkoi që të shkoja personalisht në zyrë. Hipa në katin e dytë, ia dorëzova raportin e daktilografuar në tri faqe, i hodhi një sy dhe vazhduam bisedën, fillimisht profesionalisht dhe miqësisht lidhur me qëndrimin dhe kushtet, pritjen në Egjipt, përfitimi profesional etj. 

Para se të largohesha, Ukshini  m`u drejtua, ashtu si e kishte ai qëndrimin e vet, tash, shoku Feti, ma thuaj zyrtarisht, si sekretar krahinor për Marrëdhënie me botën e jashtme, “A është e dobishme që të vazhdohet kjo formë e marrëdhënieve kulturore me Egjiptin apo jo”?Pa u hamendur,  u përgjigja: Po dhe desha ta arsyetoj pohimin tim.  Falemnderës, më tha, nuk më la ta vazhdoj më tej. Më përcolli, si e kërkonte protokolli dhe u përshëndetëm miqësisht.

III

Në pranverën e vitit 1981, kur filloi kryengritja në Kosovë kundër riokupimit serbosllav, filloi fushata  e njohur DIFERENCIMET IDEO – POLITIKE kundër inteligjencës shqiptare, në radhë të parë asaj universitare ngase Beogradi e kishte shpallë Universitetin e Prishtinë  BASTION I NACIONALIZMIT. Në mbledhjet e Organizatës LKK, që i mbanim veçmas, nuk kemi qenë në një  Organizatë THemelore të LKK, por përjetonim të njëjtën atmosferë që vinte e ashpërsohej dita-ditës. Pasi që nga kuadri arsimor nuk u identifikua asnjëri që të kishte qenë i kyçur në organizimin e ngjarjeve të pamira, demonstratave armiqësore të studentëve, kështu përpiqej politika e LKJ ta amortizonte Kryengritjen e vitit 1981, ndërtuan tjetër strategji. Filloi ndjekja e arsimtarëve të cilët kishin shpreh vetëm me fjalë vlerësimin e tyre lidhur me ndërhyrjen brutale të policisë në Konviktin e studentëve.  Atëherë kur në OTHLKK- te unë, kërkohej eliminimi i prof. Rexhep Ismajlit dhe prof. Murat Blakut, ngase ata ishin shpreh se në konvikt ka pas dhunë, dhe ne aty manovronim me shprehje që amortizonin kërkesat partiake. Ukshin Hoti, në mbledhjen partiake të degës ku bënte pjesë ai, e kishte mbyllë diskutimin e vet, ashtu si dinte ai të shprehet qartë, drejt e kategorikisht: “në konviktin e studentëve është ushtruar DHUNË DHE PIKË “!  Dhe Mbledhja ishte mbyllë.Kurse kjo pika e Ukshin Hotit kundër dhunës, rezultoi  në PIKË për jetën e tij, ngase dhuna vazhdoi për ditë e më tepër, jo më vetëm në konviktin e studentëve dhe jo më vetëm kundër studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës dhe profesorëve të tyre, por edhe kundër nxënësve, punëtorëve, buqëve, zejtarëve…. KUNDËR TËRË POPULLIT SHQIPTARË,  dhe jo vetëm në Kosovë. Dhuna  mori hov dhe  në vitin 1999,  Ukshin Hotin  e” lëshoi toka”, sapo kaloi pragun e burgut në Dubravën famëkeqe, mu në mjedis të Kosovës.

Tani, kur bëhen 80 vjetori nga lindja e tij (qershor, 1943-qershor 2023), vetëm kjo është e saktë, sepse shenimi “Died”: 1999,  Niš, Serbia ”  nuk është i saktë!

Ukshin Hoti është peng i shprehjes së lirë kur e tha zëshëm: “tu je bilo nasilje i TAČKA” Nuk vdes UKSHIN HOTI!  Nuk e lënë të vdesi “… emnat e më shumë se 1400 jetë e fëmijve që I ka viktimizuar gjenocidi Serb” nga viti 1981-1999,   nuk e lënë të vdesi ata yjet e Nusret Pllanës e Hanëmshahe Ilazit, me zërin e KOSOVËS SË LIRË. 

Ai NUK VDES deri atëherë kur ajo rreze e vogël drejtësie që është strukur dikund,  të marrë guximin dhe t`i thotë  të zezës  E ZEZË dhe të bardhës  E BARDHë!.  Platforma e SKJ-u pas prillit 1981, me ISON e LKK-ës, (Lidhjes Komuniste të Kosovës) vazhdoi fushatën e përndjekjes së intelektualëve  shqiptarë, sidomos atyre  të arsimit, dikush pse ka fol, dikush pse s`ka fol, apo pse nuk ka aplauduar kur kreu politik i Kosovës u tha profesorëve të Universitetit të Prishtinës: “ ju jeni manjakë“!,etj.

Ukshin Hoti foli, por jo në valët e ISOS së LKK dhe e pagoi me HUMBJEN e lirisë PERSONALE për disa vjet. U dënua me burg  për shkak të “pikës” në  mbledhjen diferencuese. Dhe vazhdoi nga  burgu në burg!

IV

Ende i kam në kujtesë edhe dy takime me Ukshin Hotin, që mendoj se e vlen t`i ndajë me opinionin e gjerë: Në dhjetor të vitit 1991 në Shkup, u mbajtë Simpoziumi: SHQIPTARËT E

MAQEDONISË, që zgjati disa dit. Ishim vendosur në lokalet e Medreses Isa Beg, ku zhvilloheshin seancat, edhe fjetja ishte në internatin e Medrese.  Një mbrëmje pas darke vazhduam ndejë të lirë, Ukshini dhe dy historian nga Prishtina, edhe një filolog unë. (Liman Rushiti, dhe Haki Kasumi). Ishte koha kur formoheshin lëvizje e parti politike. Bisedohej për rrjedhat e kohës dhe opsionet e mundshme për ndonjë subjekt të ri politik, por unë si filolog, nuk isha futur n`ato diskutime. Nuk e shihja veten se jam i denjë për atë diskutim. Madje as nuk e merrja vesh sa duhet diskutimin konkret.

Edhe diskutuesit, në një far mënyre ishin në valë të ndryshme: një diplomat (kishte të botuar Lufta e ftohtë  dhe Detanti, 1975) dy historian, (edhe ata me vepra të botuara nga fusha e historisë,) kurse unë vetëm si dëgjues!

Unë, iu drejtua Ukshin Hoti,  kolegëve historianë, ose jam budalla, ose jam GJENI, që nuk mund të merrem vesh me ju.

V

Në tetor të vitit 1992, në Prishtinë, u mbajtë simpoziumi: FEJA, kultura dhe tradita  islame ndër shqiptarët, që zgjati tri dit. Në simpoziumet shkencore, sa janë të rëndësishme prezantimet e studiueseve, po aq janë të dobishme edhe pauzat e shkurtra të kohëpaskohshme midis seancave. Një pauzë e tillë, për mua ka mbet  e pazëvendësueshme, nuk do të përsëritet kurrë, sepse nuk është më Ukshin Hoti! Ne të tjerët (tre: Limani, Hakija dhe unë akoma jetojmë.) Në një seancë u trajtua edhe  një qasje e formimit të shtetit Shqiptarë në vitin 1912. Në kohën e lirë në prani të Ukshin Hotit dhe dy tre kolegëve historian, unë u shpreha: “shqiptarët në vitin 1912 humbën  shtetin e tyre, kur nga 100,000 (njëqindmijë km katrorë, mbetën me një Shqipëri politike  me 25-30,000 km. katrorë.”E dija se flas para tre historianëve dhe një diplomati. E dija edhe faktin se unë nuk jam historian, por kandari im, mbështetur në ata pak burime që i dija atëherë, ashtu ma kishte kap mendja dhe ashtu e thash.Njëri nga historianët brofi, si shokë që ishim, “çka je tu thënë ti…ti nuk je normal! Çfarë shteti thua ti  nën sundimin e Turqisë”… edhe unë e vazhdova, “..ani tash kah do t`a qojsh Shqipërinë ashtu të gjymtë… Po Kosovën…?!”Kolegët tjerë heshtnin, vetëm ne dy dëgjoheshim me opsionet tona… njëri historian tjetri filolog… herë thumbit… herë  atkonit…ndonjëherë as thundrës…! Ukshin Hoti na shikonte të dyve, por nuk fliste. E hetuam se dëshiron të thotë diçka dhe u ndalëm…ANI MORE, iu drejtua historianit, nuk ka nevojë me u nxe aq shumë! Fetiu e tha ashtu si e tha, edhe ti e the mendimin tënd… s`ka nevojë për nevrikosje!Filloj seanca e radhës dhe më nuk e zumë n`gojë atë “muhabet”. Nuk munda ta kuptoja se kah anonte kandari i Ukshin Hotit, por pas dy-tri vjetësh, kolegu historian, duke u përshëndetur kalimthi, më ndali pak dhe…. “ m` duket se kishe të drejtë ti – tha!”Edhe unë ia ktheva… “…ty akoma të duket se kam pas të drejtë, por unë jam edhe më i sigurt sot, se sa  aso here, që kam të drejtë dhe kështu mbaroi ajo bisedë.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Opinion

Katedralet

December 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Cili ishte defekti më i madh i dizajnit që ka ndodhur ndonjëherë në histori? Si u rregullua? Nëse ishte një e metë e projektimit, kjo është e diskutueshme. Për një inxhinier modern, do të duheshin studime tokësore për të shmmangur dështimin – megjithëse, ndoshta në atë kohë ajo që ata bënë ishte më e mira që mund të kishin bërë.

Katedralja e Salisbury-t (Uells), filloi në vitin 1175 dhe u shenjtërua në 1239. Gjatë njëqind e ca viteve të ardhshme dhe një tërmeti, kulla qendrore filloi të fundosej dhe të plasaritej, pasi toka nën të nuk mund të mbante më.

Për të hedhur peshën në tokë të fortë në të dyja anët e kullës, një mjeshtër i shkëlqyer murator, projektoi dy shtylla kryqëzuese në formën X për të transferuar ngarkesën. Katedralja është mbajtur që atëherë.

Gjëja magjepsëse është se llogaritjet strukturore ishin mjaft primitive në atë kohë. Dhe nuk ekzistonte asnjë ide, përveç se forcat janë dinamike.

Novelisti britanik Ken Follett shkroi një libër të mrekullueshëm, Shtyllat e Tokës (fiksion historik i hulumtuar mirë), i cili ka shumë informacione mbi katedralet, megjithëse nuk thotë se si u ndërtuan.

Matematika thjesht nuk ishte e përshtatshme për ndërtimin që donin të bënin, dhe madje më shumë se më parë dështimi e çoi inxhinierinë përpara.

Gjërat do të kishin qenë ndryshe nëse Arkimedi do të kishte lënë shënime për idetë e tij mbi llogaritjen nga të cilat do të përfitonin Njutoni dhe Leibniz.

Katedralja e Salisbury-t (Uells) u ndërtua në një moçal, dhe një burrë i pajisur me një kostum primitiv zhytjeje e kaloi pothuajse të gjithë jetën e tij thellë në themelet ujore, duke i mbështetur ato për të shpëtuar ndërtesën e lavdishme.

Në janar 2014, si pjesë e festivalit të filmit Bath, katedralja e Salisbury priti një shfaqje speciale të filmit “The Last Temptation of Christ” të Martin Scorsese. Kjo provokoi disa polemika, por kisha mbrojti vendimin e saj për të lejuar shfaqjen.

Salisbury u zhvendos, në shekullin e trembëdhjetë, nga një vend mbrojtës në majë të kodrës – ku rrënojat e katedrales së vjetër janë ende të dukshme – në një livadh të hapur, duke treguar se paqja e përhershme kishte ardhur. Por pyetja që shtrohet është – Pse u ndërtuan këto kisha?

Ka përgjigje të thjeshta – për lavdinë e Perëndisë, kotësinë e peshkopëve e kështu me radhë – por ato nuk mjaftojnë. Ndërtimi i katedraleve mesjetare është një fenomen mahnitës evropian. Ndërtuesit nuk kishin mjete elektrike, ata nuk e kuptonin matematikën e inxhinierisë strukturore dhe ishin të varfër: princat më të pasur nuk jetonin aq mirë sa, të themi, një i burgosur në një burg modern. Megjithatë, ngritën ndërtesat më të bukura që kanë ekzistuar ndonjëherë dhe i kanë ndërtuar aq mirë sa janë ende këtu, qindra vjet më vonë, që njeriu t’i studiojë dhe të mrekullohet.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1241
  • 1242
  • 1243
  • 1244
  • 1245
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT