• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dëgjoni zërat tanë!”, edicioni i Krishtlindjes – Festojmë së bashku Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024!

December 25, 2023 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Në kuadrin e festave të fundvitit, nën kujdesin e Kryetarit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc.z. Imer Lacaj,kryesia organizoi edicionin e 3-të të ciklit “Dëgjoni zërat tanë!” me temë “Festojmë së bashku Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024! Të rinjtë dhe fëmijët e grupit “Bashkëbisedojmë bukur në gjuhën shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festuan magjishëm festat aq të dashura të shqiptarëve dhe jo vetëm, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Atmosfera tepër e ngrohtë, plot drita e ngjyra festive, muzika e Krishtlindjes në sfond në ambientet e bibliotekës në “Cadman Plaza” të jepnin një ndjesi aq të bukur edhe çlodhëse sa harroje gjithë lodhjen e këtij viti që po lëmë pas. Të mbushur me urime, shpresë e gëzim për pritjen e një viti të ri fëmijë, të rinj, prindër, anëtarë e miq të shoqatës bisedonin hareshëm e gëzueshëm me njëri-tjetrin. Aktiviteti i përgatitur nën kujdesin e veçantë të dy drejtueseve të programit dhe anëtare të shoqatës, Adelina Lacaj dhe Gela Bulku ishte i ndarë në dy sesione. Sesioni i parë nisi me të gjithë fëmijët e të rinjtë, që u ulën duke pikturuar një shtëpizë të vogël në kohë feste, në dëborë me dy bredha përreth, nën drejtimin e mësueses së talentuar të pikturës, znj. Melita Cakani. Ishte vërtet kënaqësi teksa i shihje të gjithë të përqendruar e zhytur në botën e artit.

Sesioni i dytë ishte i larmishëm dhe i ndërthurur me këngë, slideshows, kartolina urimi, balet edhe këngë. Programin e prezantoi nxënësi Kelvin Rustani. Nxënës të grupit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. përshëndetën kryetarin e kësaj shoqate edhe kryesinë për mundësinë që i jep brezit të ri për të ruajtur kulturën e vendit amë, si edhe për mësimin e gjuhës së bukur shqipe. Ata ftuan kryetarin e shoqatës z. Imer Lacaj për të mbajtur fjalën përshëndetëse. Z. Imer Lacaj, pasi përshëndeti të pranishmit ju uroi të gjithëve: “Gëzuar Vitin e Ri 2024 dhe qoftë një vit i mbarë për ju dhe familjet tuaja”, ai gjithashtu falënderoi përzemërsisht profesoreshën e pikturës znj. Melita Cekani për pjesëmarrjen në këtë edicion. Më pas filloi prezantimi i parë nga nxënësja Altea Bala, e cila shfaqi një kolazh me foto festive ndër vite. Prezantimi i dytë ishte nga nxënësja Erla Lamçe. Erla kishte përgatitur disa kartolina urimi për familjarët e saj, mësuesit edhe një kartolinë për të gjithë shqiptarët. Më prekëse ishte kartolina e saj për nënën e gjyshin që jetojnë në Shqipëri. Një pjesë e luajtur nga Enzo Rustani dhe Jori Lamçe, e cila përcillte mesazhin e shenjtë të lindjes së Krishtit, i cili është edhe drita e botës dhe shpëtimtari që erdhi në tokë për të shpëtuar të gjithë ata që besojnë në emrin e tij, mori duartrokitje të ngrohta. Ata kënduan edhe këngën “Njëherë në një stallë”, të cilën e shoqëroi në kitarë znj. Gela Bulku. Kelvin Rustani paraqiti projektin e tij ku fliste ndër të tjera pse në Shqipëri quhet bredhi i Vitit të Ri, kjo pasi në Shqipëri ishte e ndaluar të festoje Krishtlindjen në kohën e regjimit komunist. Jori Lamçe këndoi këngën “Dua më shumë Shqipërinë”. Enzo Rustani shfaqi në ekranin e madh një kolazh fotografish nga një dramë, të cilën e vuri në skenë për Krishtlindje në një nga kishat e Nju Jorkut dhe nga një projekt, të cilin e realizoi në shkollën ku mëson. Një balet nga NutCracker u interpretua nga balerina e talentuar, Anja Kojku. Jessica Ndregjoni dhe Sara Ndregjoni prezantuan projektin e tyre, i cili gjithashtu fliste për traditën e festave dhe vendet magjike që duhet të vizitojmë në Manhattan gjatë këtyre festave. Për ta mbyllur, të gjithë fëmijët, shoqëruar në kitarë nga nxënësi Eneo Rustani kënduan këngën “Ja na erdhi Viti i Ri”. Ndërsa këtij programi të ngjeshur festiv, i cili zgjati rreth katër orë i erdhi fundi, stafi i grupit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. uron të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri e kudo që ndodhen: Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024! Sa më shumë paqe, dashuri e mirëkuptim midis shqiptarëve kudo që janë! Gëzuar!

Filed Under: Komunitet

FESTA E KRISHTLINDJES, LLAMBADAR NË HISTORINË E LAVDISHME TË SHKUPIT

December 25, 2023 by s p

Në jetën publike e familjare të katolikëve shqiptarë të Shkupit, festat ishin pjesë e mbamendjes kolektive në përgjithësi, kurse krishtlindjet ishin buka dhe kripa e gjallnimit të tyre fetar e kombëtar.

Nga Skender ASANI

Kjo festë e Krishtlindjes na gjen sërish bashkë me shpresë që në ribërjen e historisë së kombit dhe fesë, Shkupi ynë iliro-dardan t’i rikthejë atributet e dikurshme që i kishte, atëherë kur Ipeshkvia Shkup-Prizren ishte një faktor mjaft i qenësishëm në ruajtjen e kohezionit tonë kombëtar e shpirtëror.

Në kalendarin e ngjarjeve kulturore e shkencore, festa e Krishtëlindjes paraqet një stacion të rëndësishëm edhe të ecjes sonë si Institut, sepse dimensioni shpirtëror që mbart ai, i atribuohet pikërisht ndriçimit të traditës dhe jetës së komunitetit katolik shqiptar në Shkup, si një llambadar që po mundohet ta ruaj shkëlqimin nga erërat e fuqishme të dezintegrimit dhe asimilimit.

Në jetën publike e familjare të katolikëve shqiptarë të Shkupit, festat ishin pjesë e mbamendjes kolektive në përgjithësi, kurse krishtlindjet ishin buka dhe kripa e gjallnimit të tyre fetar e kombëtar.

Prandaj, duke iu rikthyer kësaj tradite, ne si Institut po bëjmë përpjekje vetmohuese që në një kënd të kujtesës sonë historike këtu në Shkup, të bëjmë vend edhe për një pjesë të indit tonë kombëtar, i cili nuk guxon të përthahet dhe të asgjësohet. Sepse pa të kaluarën e lavdishme kulturore e fetare të katolikëve shqiptarë të Shkupit, historia jonë kombëtare do ti ngjante një libri vetëm me kopertina por pa asnjë fletë brenda.

Edhe kjo festë që po e shënojmë sot bashkërisht këtu në ITSHKSH, është një përpjekje modeste që këtij libri t’i rikthehen fletët e grisura të historisë së dhimbshme të komunitetit katolik shqiptar në Shkup , sepse ata e meritojnë t’i zhvillojnë të gjitha shërbimet fetare në gjuhën e ëmbël të Nënës Tereze. Për rrjedhojë, ne nuk kemi hequr dorë nga ideja që në Shkup të kemi një famullitar shqiptar, sepse vetëm kështu do të ketë kuptim ruajtja e këtij komuniteti nga shprishja e mëtetutjeshme.

Nëse nga Shkupi ynë doli një grua me përmasa planetare të madhështisë humane e njerëzore, siç ishte Nëna Tereze, pse pikërisht në Shkup të mos rikthejmë jehonën e këngëve dhe vjershave të Gonxhe Bojaxhiut përmes një bariu i cili do t’i drejtohej në gjuhën shqipe grigjës së tij.

Në furtunat e ndryshme të historisë, ne arritëm t’i përballojmë të gjitha sfidat që sjell shkombëtarizimi dhe ndryshimi i panatyrshëm i ADNsë sonë kulturore-identitare, dhe kjo u bë pikërisht në saje të epopesë bogdaniane, e cila filloi pikërisht këtu nga Shkupi dhe shpërndau rrezet iluministe në mbarë hapësirën arbërore. Këto epope po mundohemi ta ringjallim edhe në ditët e sotme, duke organizuar Ditët e Bogdanit, ku sivjet patëm në fokus tematik Lazër Mjedën dhe Shkupin në kohën e tij, si një demonstrim praktik i këmbënguljes sonë për t’i shpallur luftë harresës. Kjo gjithsesi edhe me një fakt shtesë që ndërlidhet me botimin e librit “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj” që si autor ka ipeshkvin e fundit të kësaj Ipeshkvie, Imzot Gaspër Gjinin. Ky botim i veçant nga ana e Institutit tonë do të qartësojë edhe më shumë optikën shkencore në ndriçimin e të kaluarës së lavdishme të Shkupit, dhe jo vetëm.

Nga këtu, edhe njëherë shfrytëzoj rastin t’iu uroj Krishtlindjen, dhe t’iu faleminderoj që sërish po i bashkoheni idesë sonë që tradita jonë sakrale të përplotësohet me shenjat dalluese të ilirisihtes së lashtë e cila mbetet bazamenti i identitteti tonë kulturor e kombëtar.

Filed Under: Kulture

Përballë tiranisë, zgjedhja për të rezistuar nuk është thjesht një opsion

December 25, 2023 by s p

Artan Nati/

Autoktatët ndalojnë vetëm kur ndalohen dhe çmimi vazhdon të rritet. Dëshira e botës së lirë për të injoruar dhe harruar këtë të vërtete vazhdon të shkaktojë vuajtje të patregueshme. Diktatorët dhe autoritarizmi janë në gjendje të ekzistojnë dhe të vazhdojnë të ushtrojnë pushtet derisa njerëzit nuk bëjnë asgjë për t’i ndaluar. Deri tani në Shqipëri ka funksionuar formula: diktatura ose autokracia është e mirë – përderisa unë jam diktatori. Por nëse unë nuk jam diktatori ose autokrati, jo edhe aq e mirë. Kjo është loja që kanë luajtur në Shqipëri drejtuesit e qeverive, bashkive, partive gjithashtu drejtuesit e opozitës dhe më tej. Dhe ne të gjithë çfarë kemi bërë? Thjesht kemi harruar se përballë tiranisë, zgjedhja për të rezistuar nuk është thjesht një opsion,por është imperativi që mbron liritë dhe ëndrrat tona. A nuk ndodhi kështu kur drejtuesit kryesorë të partive politike pas vitit 90 lëshonin vetëtima mbi ish diktatorin, për tu shndërruar vetë në autokrat duke kontrolluar të gjitha pushtetet kur vinin në krye të vendit ose kontrollonin me dorë të hekurt partitë respektive. Ndërkohë ne nuk bëmë asgjë edhe intelektualët dhe demokratët e ndershëm përfshirë këtu edhe ish të pëndjekurit mendonin dhe shpresonin se ata do të bënin gabime dhe do të binin nga pushteti dhe ata do të merrnin drejtimin e vendit dhe të partive politike së shpejti. Ata harruan se të njëjtin gabim bënë gjermanët me Hitlerin duke e konsideruar atë si një provincial të vrazhdë dhe të paedukuar, ashtu edhe italianët me Musolinin, por koha tregoi se ata jo vetëm u bënë diktatorë të vendeve të tyre, por edhe shkaktuan tragjedinë më të madhe botërore, pasi rreziku i tyre u injorua edhe nga liderët e botës demokratike. Po kështu ndodhi në kampin socialist ku Edi Rama pasi morri PS në dorë, eleminoi gjithë kundështarët e tij dhe emëroi gjthë servilët në postet drejtuese. Kështu u bë vjedhja masive me inceneratorët, duke eleminuar ministrin Shkëlqim Cani dhe vuri në vend të tij Arben Ahmetaj i cili shkaktoi skandalin më të madh të korrupsionit në vend dhe si për çudi Rama nuk dinte asgjë. Në kushtet e mungesës së eksperiencës demokratike dhe izolimit total nga europa si pasojë e pushtimit otoman dhe më vonë nga murtaja e komunizmit shoqëria jonë tenton të mitizojë figurat politike. Mitet politike lindin nga etja jonë e përbashkët për shpresë, me liderët që shfaqen si simbole që na drejtojnë drejt një të ardhmeje të mbushur me premtime dhe optimizëm. Dhe ne harruam se të gjithë njerëzit janë të barabartë, por jo të gjithë kanë aftësinë mendore për të vendosur se çfarë është më e mira për harmoninë dhe përparimin e një populli dhe siç thotë politologu amerikan Frank Herbert :”Pushteti absolut nuk korrupton absolutisht, pushteti absolut tërheq të korruptuarit”. Dhe pikërisht kjo ndodhi në vitet në vazhdim pamë se siç thuhet shpesh “Kujdes kujt i beson, djalli dikur ishte një engjëll.” 

 Sipas teorisë së kompensimit të psikoanalistit Austriak Alfred Adler, individët mund të përpiqen për pushtet dhe dominim për të kompensuar ndjenjat e inferioritetit ose paplotësueshmërisë së tyre. Duke ushtruar kontroll mbi të tjerët, ata përpiqen të kapërcejnë ose fshehin të metat e tyre të perceptuara. Këta individë kërkojnë pushtetin si një mënyrë për të përballuar pasiguritë dhe frikën e tyre. Të kesh kontroll mbi të tjerët mund të perceptohet si një mjet mbrojtjeje dhe një mënyrë për të menaxhuar ankthet personale. Dhe pikërisht në momentet pas viteve 90, por edhe më vonë, individët që u vunë në krye të lëvizjes demokratike, nuk ishin njerëzit dhe intelektualët e ndershëm, por uzurpatorët dhe spiunët e regjimit komunist të veshur me kostumin e demokratit dhe i përdorën studentët dhe të persekutuarit e regjimit si fasadë. Dhe pikërisht këta individë kur morrën pushtetin u korruptuan sepse siç thotë  nobelisti Amerikan John Steinbeck  :”Pushteti nuk korrupton. Frika korrupton… ndoshta frika e humbjes së pushtetit.” Kjo ishte arësyeja që këta lider ose uzurpatorë nuk do të ndaleshin para asnjë krimi ordiner apo korruptiv si dhe sulmi ndaj demokracisë në vend, në mënyrë që të kishin një pushtet të përjetshëm. Ata nuk u ndalën ndaj edhe çdo kompromisi midis tyre në dëm të demokracisë, vetëm që pushteti të mbetej medis tyre. Kështu ndodhi me marrëveshjen famëkeqe të 2008, ku PD në bashkëpunim me PS , ose më saktë krerët e tyre, miratuan ndryshimet në Kushtetutë, duke aprovuar  një sistem të ri zgjedhor, proporcional rajonal me lista të mbyllura. Kjo marrëveshje i dha pushtet të padiskutueshëm kryetarëve të partive. Këta  lider, që krijojnë marrëveshje mbi kurrizin e popullit për interesat e tyre, hedhin hije dhe varfëri mbi mirëqenien e atyre që pretendojnë se u shërbejnë, por tregon edhe frikën e madhe që kanë për humbjen e pushtetit. Në këto kushte duket se Shqipëa ndodhet në një ngërç dhe nuk duket ndonjë zgjidhje në horizont, por siç thotë Albert Einstein:”Problemet e rëndësishme me të cilat përballemi nuk mund të zgjidhen në të njëjtin nivel të të menduarit në të cilin ishim kur i krijuam ato.” Atëhere e vetmja zgjidhje që kemi fatin e madh të na ofrohet është investimi Amerikan në SPAK, si e vetmja mundësi, por edhe më e mira që i ofrohet vendit tonë. Kjo formulë ka funksionuar edhe në vende si Italia si dhe në vendet e tjera të Ballkanit, gjë që na bën optimist për suksesin e saj. Shumë analistë politikë si edhe politikanë ankohen dhe e gjylojnë SPAK-un si të njëanshëm apo jo të aftë profesionalisht duke mos dhën asnjë opsion real për daljen nga situata. Ajo që mund tu themi atyre është se: Nëse nuk ju pëlqen diçka zotërinj, ndryshojeni atë. Nëse nuk mund ta ndryshoni, atëherë ndryshoni qëndrimin tuaj për të, por çfarëdo që zgjidhni të bëni, mos u ankoni nëse nuk jeni të gatshëm të bëni diçka për të bërë një ndryshim për mirë. Sfida kundër diktatorëve dhe autokratëveë nuk është çështje preference, por është thelbi i ruajtjes së vetë strukturës së lirive dhe ambicieve tona. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se: Erërat e ndryshimit që vijnë nga jashtë mund të ndezin flakët e revolucionit, por jemi ne ata që duhet ta mbajnë zjarrin të ndezur.    

Filed Under: Komente

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN DHE VITIN E RI 2024

December 24, 2023 by s p

Të nderuar bashkombas,

Të dashur vëllezër e motra vatranë,

Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes sime, të Federatës Pan –Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës DIELLI, t’ju uroj: Gëzuar e Përshumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024.

Kaluam një vit të shkëlqyer me plot sfida e arritje. Këtë vit ishim më afër Kosovës, Shqipërisë, trojeve etnike e komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e Vatrës në Selinë e Shenjtë, Vatikan, pritje – përcjelljet e Presidentëve, Kryeministrave, Kryeparlamentarëve, Ministrave, Kryebashkiakëve, politikanëve e patriotëve nga Shqipëria, Kosova, e trojet etnike e kthyen Vatrën në një “Seli të Shenjtë” të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dashur vëllezër e motra:

Përzëmërsisht uroj për ju e familjet tuaja çdo bekim, sukses, paqe dhe mirësi në këtë Krishtlindje e Vit të Ri. Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin. Si Vatranë dhe shqiptaro-amerikanë në vitin e ri që po vjen, lutemi dhe do të punojmë për mirëqënien e çdo shqiptari kudo ku vepron, jeton e punon; Shqipëri, Kosovë, Trojet Etnike e kudo flitet, gëzohet dhe festohet shqip. Në këtë Vit të Ri uroj të kemi më shumë gëzim për të festuar e sa më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim si Vatër e komunitet shqiptar. Uroj të kemi sa më shumë ditë të lumtura, të bekuara e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit.

Fuqia hyjnore i udhëheqtë hapat tanë dhe ndriçoftë mendjet e zemrat e atyre që e kanë humbur rrugën, logjikën dhe moralin.

Uroj dhe lutem për paqe, për besim dhe lumturi në familjen e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare.

GËZUAR

Zoti i bekoftë shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë dhe aleatët e kombit tonë.

Më gëzim dhe lumturi për ju

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 24 Dhjetor 2023

Filed Under: Politike

VATRA DHE KËSHILLI SHQIPTARO-AMERIKAN PROMOVUAN “FAN NOLIN APOSTULL” TË ILIR IKONOMIT

December 23, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 23 dhjetor 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” në bashkëpunim me Këshillin Shqiptaro – Amerikan promovuan në Producers Club Theatres, Manhattan, New York, librin biografik “Apostulli” kushtuar Imzot Fan Nolit. Ky është libri i parë i biografisë prej tre vëllimesh për Fan Nolin i autorit Ilir Ikonomi i cili do pasohet edhe me dy vëllime të tjera. Nën prezantimin brilant të editores së gjuhës angleze në “Diell” Rafaela Prifti, fjalën përshëndetëse e hapi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili vlerësoi kontributin historik të Vatrës, jetëgjatësinë e saj, vlerat e librit dhe të gazetarit të shquar Ilir Ikonomi. “Vatra ishte një shkëndijë që punoi për realizimin e aspiratave kombëtare prej më shumë se 1 shekulli për Pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovën. Noli, Konica e patriotët e tjerë bënë një gjë të mrekullueshme se mbajtën gjallë lidhjet e mërgatës me trojet etnike dhe mbi të gjitha ruajtën miqësinë me kombin e shenjtë amerikan. Falenderim për regjimentin shqiptar që morën pjesë në luftën e Vlorës, falenderim për batalionin Atlantiku e çdo patriot që ka forcuar lidhjet me Uashingtonit” tha ndër të tjera kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.

Studiuesi i historisë Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij deklaroi se Noli ka një kontribut shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, mërgatën në Amerikë, në themelin e Kishës Ortodokse Shqiptare, themelimin e gazetës Dielli e Federatës Vatra dhe gjallërimin e jetës komunitare shqiptare me veprimtari patriotike, fetare dhe atdhetare në Amerikë. Aktivisti i komunitetit shqiptar Uk Lushi në fjalën e tij para të pranishmëve u ndal te vlerat e librit dhe cilësitë e Ilir Ikonomit si biograf. Imzot Noli paraqitet jo vetëm si mësues i trinisë së Shenjtë por dhe mësues i trinomit Shqipëria-kombi shqiptar- gjuha shqipe. Noli ishte Apostull i krejt shqiptarëve. Me “Apostullin” e Nolit, Ilir Ikonomi paraqet një standard të artë të biografisë moderne, tha z.Lushi. Përgjatë bashkëbisedimit me gazetaren Rafaela Prifti, Ilir Ikonomi tregoi rëndësinë e gazetës “Dielli” e gazetës “Kombi” për të pasqyruar veprimtarinë e Imzot Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizioni i Nolit dhe Konicës themeluan Vatrën dhe përcaktuan fatet veprimtarive kombëtare.

Pika diskutimi ishin në bashkëbisedim: themelimi i Vatrës, Diellit, marrëdhëniet Noli-Konica-Floqi, regjimenti shqiptar, situata politike në Shqipërinë e viteve 20-të, veprimtaria gjeografike e jetës politike, komunitare dhe fetare të Imzot Fan Nolit.

Pjesëmarrësit në promovim e pyetën autorin Ilir Ikonomi rreth përkthimeve të Imzot Nolit dhe aspekte të veprimtarisë publicistike dhe atdhetare. Gazetari Gjekë Gjonlekaj vlerësoi veprën “Apostulli” si të përsosur dhe Nolin si autori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, duke cituar Kadarenë që e quan Nolin gjeni. Z.Gjonlekaj u ndal te figura e Ilir Ikonomit si studiues dhe gazetar i Zërit të Amerikës. Mal Berisha në diskutimin e tij kujtoi vizitën në fshatin ku lindi Fan Noli, Ibrik -Tepe e fshatra të tjerë, diskutoi rreth Vatrës; ku vota të përcaktojë gjithçka e pakica ti bindet shumicës, e libri të përkthehet e tu shpërndahet të gjithë vatranëve. Ai bëri tri pyetje rreth jetës fetare të Nolit si: dorëzimi meshtarak, kisha ruse, Traktati i Londrës. Dr. Skender Murtezani vlerësoi librin dhe pyeti autorin Ikonomi rreth metodës shkencore të hulumtimit të dokumenteve, shkëndijën botuese të librit, Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe marrëdhëniet e Nolit me kishën ruse shpesh të keqpërdorura nga armiqtë e Nolit.

Imam Edin Gjoni e vlerësoi librin “Apostulli” si të përkryer dhe analizoi cilësi të veçanta të librit, aspekte të spikatura të gazetarit Ikonomi dhe pyeti rreth spiritualizmit të Fan Nolit.

Gazetari Beqir Sina falenderoi Adem Belliun e TV Kultura Shqiptare dhe gazetarin Ilir Ikonomi për punën e jashtëzakonshme në vëllimin “Apostulli”.

Nga bashkëbisedimi i autorit Ilir Ikonomi me pjesëmarrësit dolën në pak aspekte shumë të veçanta të jetës së Nolit që kompletojnë librin kryevepër kushtuar një prej shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar Imzot Fan Noli.

Pas promovimit, Federata Vatra shtroi një koktejl për të gjithë të pranishmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Ikonomi, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1244
  • 1245
  • 1246
  • 1247
  • 1248
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT