• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush është profesori Sami Repishti i Universitetit Adelphi të New York-ut?

March 30, 2024 by s p

Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Shpesh në diasporën shqiptaro amerikane, për dekada me radhë kanë vepruar figura të shquar, të cilët, me veprimtarinë e tyre të panderprerë atdhedashëse kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe çëshjes shqiptare të shtetit amë dhe në trojet e tjera etnike. Një nga këto personalitete më të ndritura të komunitetit tonë është edhe intelektuali antikomunist dhe pedagogu i Universitetit, profesori i shquar Sami Repishti, i cili, qysh kur erdhi në SHBA dhe deri në ditët tona, po punon pa u lodhur për dekada me radhë, për çështjen shqiptare në forma të ndryshme, si në tubimet e shpeshta dhe atikuj të shumtë sensibilizues për Qeverinë, Senatin dhe Kongresin Amerikan.

Sami Repishti (1925), lindi në Shkodër, në një familje patriotike me tradita dhe kulturë tradicionale qytetare. Sipas kujtimeve të botuara të prof. Sami Repishtit, mësojnë, se gjyshi i tij, ka nënshkruar Memorandumin e 13 qershorit 1878 të Lidhjes së Prizrenit, Shkodër.

Babai hafiz Ibrahim Repishti, ishte një besimtar me bindje, duke qenë një udheheqës shpirtëror i lagjes së vet. Ai si vullnetarë kishte marrë pjesë në rezistencë me armë në dorë, në brojtje të qytetit nga agresioni malazez në vitet 1912-1913, duke qenë komandant i tyre.

Gjithashtu ai bashkë me atë Gjergj Fishtën O.F.M., atë Ambroz Marlaskaj O.F.M., Luigj Gurakuqin, e të tjerë ishte deputet në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë, gjatë vitëve 1923-1924. Kështu 11 vite më vonë, ai ishte viktimë e terrorit fashist italian në vitin 1943. Për këto ngjarje të historisë së qytetit antik të Shkodrës dhe Shqipërisë, prof. Sami Repishti shkroi një libër me kujtime, ku, një vend të rëndsishëm në hyrje të autobiografisë zë edhe historia e familjes së tij.

Prof. Sami Repishti, shkroi librin “Pika e Loti” (tregime burgu, Shkodër, 1997), me 340 faqe, ku, në hyrje ka perkushtimin e tij: “Gruas shqiptare, fisnikërisë së kryqezueme pa faj! Bashkëshorteve, nanave, bijave e motrave tona, vuetja dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore.” Libri, është i konceptuar në formë autobiografie, me 32 pjesë, të përmbledhur si përjetime jetësore historike brenda 340 faqeve të veprës.

Autori, shkruan: “Dëshmorëve të lirisë dhe viktimave të tiranisë, të të gjithë vendeve e të të gjitha kohëve. Mendjeve fisnike, që transformojnë tragjedinë tonë kolektive, në nji kryqëzatë kundër Torturës, në çdo vend e në çdo kohë, me mirënjohjen ma të thellë.”

Autobiografi, bëri 10 vjet burg (1946-1956), në Shqipërinë komuniste të diktatorit Enver Hoxha, në burgjet e Shkodrës, në kampet e punës së detyruara të vdekjes së Bedenit dhe Maliqit, Beratit, Fierit, Lushnjës dhe Tiranës.

Autobiografi shkodran dhe sot shqiptaro amerikanë prof. Sami Repishti kujton, se kushëriri i tij, është ekzekutuar nga nazistët pushtues gjermanë, në kampin famkeq të Mat’hauzen-it në vitin 1944. Në vitin 1937, Samiu 12 vjeçar festonte 25-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, ku, djepi i kulturës, qyteti Shkodra menjëherë e griti Flamurin Kuq e Zi në kështjellën e lashtë historike “Rozafa”.

Një ditë 17-vjeçari, gjendet para një të papriture. Ai mbarimin e provimeve të matures, sëbashku me 28 shokët e klasës dhe ekipin pedagogjik të mësuesve, i ka si kujtim të përjetshëm në fotografi.

Në Tiranë, niset për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. Rreth 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar një bursë studimi pranë Universitetit të Firencës në Itali. Gjatë vjeshtës përgatitet për të udhëtuar drejt Italisë. Me një anije mallrash, kaloi ujërat e kaltra të Detit Adriatik e u afrua pranë portit të Brindizit.

Ai kujton se më shumë se 200 studenta shqiptarë, u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, duke demostruar para syve të policisë fashiste vendase. Shpalosja e flamurit kuq e zi dhe këndimi i himnit nacional ishte kulmi i tubimit. Pushtimi i Shqipërisë nga nazistët gjerman, do të gjej Samiun, si gjithnjë neutral ndaj erërave të egra politike të kohës.

Nacionalistët në Shkodër, shikoheshin me dyshim nga komunistët, ndërsa vetë nacionalistët i shikonin komunistët si shërbëtorë të pansllavizmit rus, dy epitete negative që sundonin në qytet.

Samiu, kujton: “Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekullimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë, që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun…”

Ekipi i zyrës së Samiut, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtarë” të rregullt. Fryti i punës së tyre dukej qartë, në rindërtimin e urave të vogla, shtrimin e një rruge të demtuar ose përmirësimin e ndërtesave qeveritare. Në prill 1945, u organizua në Shkodër një demostratë para ndërtesës së prefekturës. Parakaluesit, bërtisnin: “Duam Triesten”. Askush nuk kërkonte Kosovën.

Ata mbanin parulla të udhëheqësve jugosllavë, sovjetikë e ndonjë shqiptarë. Ata, kërkonin antarësimin e Shqipërisë në OKB dhe aneksimin e Triestes së Italisë drejt oreksit të Jugosllavisë së Josif Broz Titos. Pamja e qytetarëve robot, që ishin mbledhur, manifestonin e shpërndaheshin me urdhër i la një përshtypje të keqe shkodranit Repishti.

Samiu, përfshihet në grupin kundërkomunist, që vepronte në mënyrë aktive e klandestine në Shkodër. Gjatë muajit maj 1946, u zhvilluan demostratë e para kundërkomuniste, të qeta, spontane, nën sytë e vëzhgimit të Sigurimit. Asokohe ishte momenti i funeralit të Aqipeshkvit katolik imzot Gaspër Thaçit, ndërsa mbahej në gjendje arresti në shtratin e vdekjes. Proçesioni mortor elektrizoi Shkodrën nga kathedralja e shën Shtjefinit deri tek vorrezat e qytetit të Rrmajit. Turma të mëdha njërëzish katolikë dhe muslimanë ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet, kundër dikturës së kuq që ishte instaluar në Shqipëri.

Samiu, kujton me shumë respekt fjalët e vendosmërisë së atë dr. Gjon Shllakut O.F.M., gjatë takimit të paharruar: “Nuk do të provokojmë; nuk asht roli jonë. Por njikohësisht, nuk mund të heqim dorë nga Feja e nga Kisha e Romës. Ata janë Jeta e Nana e Jonë. Pa Ata, qënia jonë si klerikë s’ka kuptim.”

Gjatë atyre ditëve, Samiu me shokë kishte hedhur në mënyrë ilegale 2 trakte e kishin protestuar me anë të një Memorandumi, shkruar në gjuhën franceze, për manipulimin e votimeve, duke sensibilizuar autoritetet “aleatë” syleshë e veshshurdhër, që kishin vizituar Shqipërinë ato ditë. Megjithatë, grupi ku bënte pjesë Sami Repishti, kishte arritur një sukses, sepse forcë e Sigurimit të uritur ishin hedhur në sulm.

Vuatjet dhe torturat në burg

Me 22 tetor 1946, në vendin e punës së tij mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun Sami Repishti. Shokët e shikonin me keqardhje, por nuk kishin mundësi t’a ndihmonin. Në kuesturën komuniste, fillon rutina e dhunës sistematike fizike. Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive. Qëllimi i Sigurimit, nuk ishte e vërteta, por procesi i detyruar, me pranu atë që nuk di, duke plotësuar planet e parapërgatitura të diktatorit.

Dhoma e qelisë së ftohtë, pranë Kuvendit Françeskan në Shkodër, ku qendroi Samiu, kishte një shtrat fjetje e asgjë më shumë. Aty më parë kishte fjetur një frat i kishës katolike, por që nga plumbat e togës së pushkatimit kishte përfunduar në morg, e prej aty në ujërat e ftohta të lumit Kir, ku komunistët i hidhnin kufomat e personaliteteve të shquara antikomunistë. Ai qëndroi i lidhur në këmbë, kurse duart ia zgjidhën. Çdo ditë kishte metoda të reja torture sfilitëse ndaj Samiut.

Akuzave të Sigurimit dhe kapitenëve xhelatë, Samiu, u jepte përgjigjen mohuese. Sërisht përtokë në kolaps, para se vdekja ta merrte në krahët e saj.

Sipas një akuze të parafabrikuar thuhej, se: “Sami Repishti, ishte përpjekur për të rrëzuar pushtetin popullor me focë”, në lidhje me “agjentët e fuqive të huaja

Një klerik katolik dhe një hoxhë të lidhur bashkë me zinxhirë

Grupi i të burgosurve, ku qëndroi S. Repishti, kishte 22 vetë, të lidhur me zinxhirë dy e nga dy, e të rrethuar nga dy rreshta roje partizanësh të armatosur. Kështu dy të burgosurit e parë ishin klerikë shkodranë: një fraçeskan katolik dhe një hoxhë (imam) mysliman. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e një ipeshkëv katolik shqiptar.

Ata sapo dolën në rrugë, turma histerike e përgatitur nga partizanët çirrej: “Trathtarë! Trathtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit!”

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë së Shkodrës. Tashmë, në vendin, ku dikur qëndronte orkestra frymore e qytetit (ish-Banda e Bashkisë), kishin vendosur 22 karrige për të pandehurit dhe pak më larg qëndronin “avokatët”, që nuk kishin të drejtë të takonin klientët e tyre. Rezultati i dënimeve me burgime, në pretencën e Gjyqit Ushtarak, dhënë nga Prokurori, që përfaqësonte diktaturën e hurit e litarit, ishte skandaloz e për faqe të zezë.

Nga 9 të akuzuar, duke përfshi edhe Ipeshkvin trim, u dënuan me vdekje-pushkatim. Të tjerët, morën dënime prej 15 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Qytetari shkodran Sami Repishti, dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie.

Më 28 nëntor 1947, kolona e të burgosurve shoqërohej në të dy anët nga forcat partizane të armatosura, që mbronin të burgosurit e lidhur më zinxhirë. Ai sërisht në burg, takohet dhe bisedon me atë Ciprijan Nikën (1900-1948), njeriun diturak, zotërues i disa gjuhëve të huaja, shumë bujar e fisnik në shpirt dhe kaloi disa ditë në qelitë e Sigurimit.

Atij i ka mbetur e ngulitur në kujtesë, burrëria e fratit të patundur, për ideale të shenjta Atdhe-Fe: “Biri im, me vrasjen time, komunistët duen me vra të vërtetën!” Frati atë Çiprijani, i la amanet të riut bashkëvuajtës Sami Repishtit, që të tregoj të vërtetën, kurdo që të dalë nga burgu, tregoje të vërtetën e futjes së armëve në kishë nga një seminarist i përjashtuar nga shkolla, për shkelje të rregullave të Kuvendit.

Mbas lirimit nga burgu, Samiu niset në qytetin e lindjes me një makinë të rastit. Shkodra, tashmë ishte kthyer në qytet karantine mjerimi, ku afishet e propagandës komuniste gjendeshin kudo. khyri në shtëpi, motra e njoftoi se banonin në një dhomë përdhese dhe pjesa tjetër e shtëpisë ishte e zënë nga qeraxhinj, të vendosur aty nga qeveria.

Pasuria e gjithë familjes ishin tre krevatë, një tryezë, disa karrige e divani. Vëllai i Samiut prej disa kohe ishte arratisur nga Shqipëria., ndërsa vëllai tjetër ishte me shërbim ushtarak. Nëna e motra, shikonin Samiun, por nuk flisnin. Me kokë të ulur poshtë, nëna tha: “Nuk kemi bukë… nuk kemi triska… e motra nuk gjen punë…!” Nga burgu i qelisë drejt një burgut të madh kolektiv deri sa ai arratiset nga Shqipëria dhe më vonë ai sërisht arratiset edhe nga kampi i Gerovës drejt Italisë.

Këtu ai qëndron në kampin e refugjatëve ndërkombëtare, ku, më pas niset drejt botës së lirë dhe demokratike të SHBA-së…

Sami Repishti, PH.D. City University of New York, “Lotë – Lavdi e Lumnim”

Sikurse e cekëm edhe më lart, profesor Sami Repishti në çdo kohë dhe situatë, që i është krijuar mundsia, ka shkruar kujtime me ngjarje të hidhura të kohës së tij, të cilat i ka botuar në shumë revista dhe gazeta të botës shqiptare.

Para 4 vitëve, në vitin 2016, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38-martirëve të klerit kaotlik shqiptar, Shkodër, në muajin nëntor të vitit 2016, nën kujdesin e Botimeve Françeskane, Shkodër, ka botuar librin “Lotë – Lavdi e Lumnim” gjithsej 140 faqe, të cilat janë mirëpritur shumë mirë nga kritika bashkëkohore shqiptare, dhe nga shtresa e bashkëvuajtësve të tij, të cilët sot janë në moshë të thyer.

Prof. Repishti dhe Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York

“Por Kisha e juej “Zoja e Shkodrës” këtu në SHBA është gjithashtu edhe nji monument i gjallë, nji permendore, që ngrihet si dokumenti i nji memoriali të shkruem, për karakterin e saj kombëtar gjithëshqiptar, në kuadrin e universalizimit të Kishës nanë Katolike Apostolike Romake. Kisha e juej asht nji vepër, që po skalitet në gur, nji shkamb i shqiptarizmit, nji objekt, që shenon punën tuej dhe vullndetin e të gjithë besimtarëve si ju, të mbeten deshmitarë të shqiptarizmit, dhe të identitett kombëtar gjithëshqiptar.” – Prof. Sami Repishti, New York

Profesor Sami Repishti, ka qenë dhe mbetet edhe sot e kesaj dite, miku dhe bashkëpunëtori me i ngushtë e i dashur i kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York.

Në një shkrim dedikuar sakrificave të klerit katolik apostolik roman shqiptar, prof. Sami Repishti shkruante: “…. për 38 martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruar nga terrori komunist…. për atë madhështi të pa shkallë, që përvuejtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide, qellim të vetëm të jetës së tyne…. Sherbim për Zotin dhe krijesën e Ti, je që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët, me mirënjohjen dhe respektin tim ma të thellë!”

Ai, si një intelektual i përgatitur dhe shumë largpamës, atdhedashës dhe si një shqiptar i devotshëm, ka qenë dhe është i pranishëm në të gjitha ngjarjet kombëtare, kulturore, përkujtimore të figurave te shquara të klerit katolik dhe atdhetare, që ka organizuar vazhdimisht prej disa dekadash, Qendra Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në New York.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burg në Shqipëri, ai ka parë nga afër me sytë e tij persekutimin e shumë figurave të shquara të klerit katolik, me të cilët ka ndarë vuatjet, kujtimet dhe mbresat e një jete shumë të vështirë, plot plagë e vuajtje në qelitë e tmerrshme të burgjeve të vdekjes, të regjimit komunist të dikatatorit Enver Hoxha.

Këto episode dhe kujtime të dhimbshme, ai i ka shkruar dhe referuar në shumë takime kulturore dhe historike, që shpesh janë mbajtur në ambientet e kishës Zoja e Shkodrës në New York.

Kështu 21 vjet më parë, ai ka mbajtur një fjalim shumë domethënës, gjatë kohës së celebrimit për Konsakrimin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, më 25 prill 1999 në New York, kumtesë e cila më vonë u botua edhe në faqet e revistës kulturore fetare Jeta Katolike, që prej vitit 1966 vazhdon të botohet, nën perkujdesin e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, me drejtor botues meshtarin e palodhur dom Pjeter Popaj dhe kryeredaktorin e saj Mark K. Shkreli, redaktorin Klajd Kapinova dhe Simon Vukel.Dhe aktivisti dhe kryetari i këshillit të kishës tonë zoti, Tonin Mirakaj.

Po ashtu 15 vjet më parë prof. Sami Repishti, më 2 maj 2005, mban një fjalim në ambientet e kishës katolike shqiptare në New York, me temë: Papa Gjon Pali II: “Mos Kini frike!”, pra, një muaj mbas kalimit të Atit të Shenjt në amshim.

Me këtë rast, ai i bën një përshkrim dinjitoz, duke e përkujtuar papën polak Karol Wojtyla, i cili, ishte një antikomunist i vendosur, një intelektual, shkrimtar (poet) dhe figurë e shquar e historisë së papatit në Selinë e Shenjt në Vatikan.

Ata që kanë njohur nga afër këtu në New York, jetën dhe veprën e profesorit shkodran Sami Repishti, kanë ndjekur me kujdes edhe kumtesën e tij për kohën e perskeutimit të përbindshëm bolshevik, gjatë diktaturës ateisto-komuniste në Shqipëri, në harkun kohor të vitëve 1944-1990.

Prof. Repishti, shkruan një artikull tjetër shumë të bukur, në revistën Jeta Katolike në New York, me titull: “Surgite, Mortui! – Le të Ngrihen të Vdekurit”, një punim me ngjarje të jetuara historike, i cili, në vetvete përmban kujtime të kohës së zezë në Shqipëri, kur diktatura e protelariatit bënte kerdi (masakra) mbi popullin e pafajshëm shqiptarë.

Temat e preferuar e prof. Repishtit ishin bashkëvuajtesit e tij klerikët katolikë franceskanë dhe jezuitë, të cilët historikisht nder shekuj kanë qenë ajka e vërtetë e kombit tonë. Këto prelatë dhe klerikë të thjeshtë të dy Urdhërave të famëshme Franceskane dhe Jezuitëve nga qyteti i lashtë i Shkodrës, vinin nga dy shkolla të së njejtës kulturë përparimtare kristiane.

Prof. Sami Repishti edhe mbas viteve 1990, është munduar të mos shkëputet nga vendlindja e tij Shkodra, duke shkruar shpesh kujtime për qytetin, impresionime dhe banorët e tij. Me shumë interes janë edhe letërkembimet e prof. Sami Repishtit, me mikun e tij të vjetër imzot Rrok Mirditen, Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës, i cili, disa vite më parë ka ndërruar jetë.

Leterkembimi i përket periudhës së muajve korrik-gusht të vitit 2003. Repishti-Mirdita, janë një pasuri e madhe për studiuesit, sepse aty sheh sesi dy intelektualët i trajtojne tematikat shqiptare dhe kulturore në terësi.

Mons. Mirdita e falënderon nga zemra prof. Repishtin, për vizitën që ai i bën në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Durrës-Tiranë (sot Tiranë-Durrës), në kryeqytetin e Shqipërisë. Prof. Repishti e falënderon Monsinorin, për dhurimin e librit të tij: “Për një Shqipëri me Zotin”.

Sami Repishti Profesor në Universitetin e New York-ut

Ishte pjesëtar i rezistencës, kundër pushtuesve italian e gjerman në Shqipëri, si student, kundërshtoi diktaturën komuniste të prosavendosur në vendin e shqiponjave. Më 1946 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burgim të rëndë, kryesisht për kërkesën e tij për demokraci dhe zgjidhjen e problemit dardan. Nëna, vëllai dhe motra e tij, vuajtën në kampet e internimit në Berat dhe Tepelenë.

Më 1959, u arratis në ish Jugosllavi, ku, u burgos përsëri, e mbas shumë vuajtjesh, emigron në ShBA (1962), ku, jeton edhe sot me familjen. Ai ka bërë studimet e mesme në Shkodër, dhe ata universitare në Firenze (Itali), në Paris (Francë) dhe ka dokturuar pranë departamentit të Frëngjishtës në City University of New York në vitin 1977.

Intelektuali i shquar dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja prof. Sami Repishti, për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane dhe në Adelphi University.

Prof. Sami Repishti, ka qenë kryetar i departamentit të Gjuhëve të Huaja për gjimnazet e qytetit Malverne, New York, dhe pedagog i jashtëm porsavendosur pranë Aldephi University (N.Y.). Në vitin 2020, prof. Repishti, është autor i më shumë se 770 studimeve dhe artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut, kryesisht për shqiptarët në ish Jugosllavi dhe çamët, të botuar në shtypin amerikanë dhe shqiptarë.

Ka qenë koordinator për ish Jugosllavinë dhe Shqipërinë, pranë Amnesty Internacional në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan, për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane dhe qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar.

Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington D.C., që u aprovua nga Presidenti i ShBA-së William Jeferson Clinton më 1993. Që nga viti 1965, vazhdon të jetë njeri nga aktivistët më të njohur për kontaktet e vijueshme me përfaqësuesit e Kongresit, Departamentit të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, në mbrojtje të interesave të mbarë popullit shqiptar, pa ngjyra ideologjike.

Prof. Repishti, është bashkëthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutib (1989-1992), themelues dhe president i Kosova Relief Fund, USA., Inc. (1978 dhe sot); bashkthemelues i Amerrican Friends of Albania dhe sekretar/arkëtar i saj (1992-1996); bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC, 1996) dhe president i parë (1996-1998).

Ai është antar i Bordeve drejtuese të disa organizatave shqiptaro amerikane. Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është i martuar me Diana Cipin, një vajzë gjirokastrite dhe ka dy fëmijë një djalë Daren me profesion mjek dhe vajzën Ava avokate. Ai ka pesë nipa e mbesa.

Se fundi, dua të them me shkrimin tim modest në perkushtim të intelektualit të shquar prof.Sami Repishtit,për ne shqiptarët kudo që jetojmë është simboli i shqiptarit të madh,i atdhetarit të pamposhtur,i cili sfidoi tri diktaturat më të mëdha të shek.XX; diktaturën fashiste, diktaturën naziste dhe atë komuniste.Profesor Samiu është shembulli i intelektualit rrallë të atdhetarit vetmitarë,i cili vuri gjithcka,pasurinë,familjen,jetën e tij për të mirën e kombit vetë Shqipërisë,që ne shqiptarët sot të jetojmë si kombet e tjera të qytetruara në paqe dhe qetësi,duke vlerësuar kontributin madhor,për mendimin tim,professor,Sami Repishti, qëndron në krye të intelektualëve dhe është krenaria e diasporës shqiptaro-amerikane.Profesor,Sami Repishti është dhe mbeti në zëmrat e të gjithë shqiptarve, symbol i genies së races s’onë ,intelektuali ma i nderuari i të gjithë kohërave,dhe shquet edhe si nji nga polemistët ma të mprehët të kohës,e prijës i idealeve më të larta kombëtare,model i kësaj bote të qytetruar,profesor, Sami Repishi mbeti figure e madhe , e pjesë e gjerdanit të artë të histories së lavdishme, e përsonaliteti i shquar i kohës,njeriu i famëshëm në enciklopedinë e komunitetit Shqiptaro Amerikan.

Ne, sot ndjehemi krenar për atë që prof. Sami Repishti i ka lënë si trashegimi kulturore, patriotike dhe shkencore kombit shqiptare dhe diasporës sonë në SHBA.

Filed Under: Politike

Gërvalla: Arbëreshët shembull unik i ruajtjes së gjuhës dhe identitetit

March 30, 2024 by s p

V.Thaçi / RTKlive/

Me një pritje të ngrohtë dhe plot emocione në komunën e Shën Benedhitit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministren, Liza Gashi kanë nisur vizitën në komunat arbëreshe në Kalabri të Italisë.

Në takim me kryetaren e kësaj komune, Rosaria Capparelli, ministrja Gërvalla shprehu falënderimet e saj për mikpritjen dhe vullnetin e gatishmërinë e arbëreshëve të Kalabrisë për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me Kosovën, përmes të cilave, siç tha ministrja, qytetarët e dy vendeve tona do të kalojnë e bashkëpunojnë jo vetëm në sferën e kulturës, por edhe përmes shkëmbimeve tregtare dhe fushae të ndryshme, ku arbëreshët e Italisë shquhen me shekuj.

“Ruajtja dhe trashëgimia e gjuhës, kulturës dhe identitetit për kaq shekuj është frymëzim dhe shembull edhe për mërgatën dhe diasporën tonë në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore brez pas brezi“.

Kjo vizitë vjen në kuadër të angazhimit të MPJD-së për të forcuar lidhjet kulturore dhe shoqërore mes Republikës së Kosovës dhe komunave arbëreshe të Kalabrisë, përmes projekteve që përafrojnë qytetarët e dy vendeve në njërën anë dhe njëkohësisht rrisin bashkëpunimin ndërinstitucional mes komunave nga të dy vendet, në kulturë, arsim dhe trashëgimi kulturore, por edhe ekonomi, tregti dhe shkëmbim ekspertize në fusha të ndryshme.

Filed Under: Komente

“Nderim mësuesve të kombit tonë”

March 30, 2024 by s p

Mësuesja nga Gjilani i Kosovës zonja Nazmije Xhaferi (Hasani) zhvilloi një vizitë të përzemërt në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, zv.arkëtari z.Ilir Cubi dhe editori i Diellit. Mësuesja Nazmije Xhaferi (Hasani) ka kontribuar 42 vite në sistemin arsimor të Kosovës duke edukuar gjeneratat e kombit tonë. Nazmije Xhaferi (Hasani)

u lind në fshatin Pogragjë te Gjilanit, më 04.01.1952. Që nga viti 1974, filloi të punojë si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe, fillimisht në Qendrën për Arsimin e Mesëm të Orientuar, pastaj në SHMB “Arbëria”, respektivisht në SHM te Agrobiznesit dhe Teknologjisë, në Gjilan, ku punoi deri në pensionim (2017). Deri më tani ka botuar 5 përmbledhje me poezi: “Shtrengoma doren si gjyshja nënë”, “Prushi i votrës së vjetër”, “Kështjellë ëndrrash”, “Na sill verën dhuratë”, dhe “Vallja e ringjalljes”. Për kontributin e saj të çmuar arsimor në Kosovë, Federata Vatra e vlerësoi me një certifikatë mirënjohje në shenjë respekti e nderimi për dedikimin e punën e shkëlqyer për mbi katër dekada.

Filed Under: Vatra

LE RADICAL (1926) / “FRANCA DUHET TË ANGAZHOHET MË SHUMË NË SHQIPËRI…” — INTERVISTA NË HOTELIN MOLIÈRE (PARIS) ME IMZOT VISARION XHUVANI, ISH-SENATOR, ISH-DEPUTET DHE ISH-DREJTOR I GAZETËS “SKËNDERBEU”

March 30, 2024 by s p


Visarion Xhuvani (1890 – 1965) — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Visarion Xhuvani (1890 – 1965) — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Mars 2024

“Le Radical” ka botuar, të mërkurën e 3 marsit 1926, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive me Imzot Visarion Xhuvanin në Paris mbi angazhimin asokohe të Francës në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështjet ballkanike

Franca në Shqipëri 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Imzot Visarion Xhuvani, peshkop, ish-senator, ish-deputet dhe ish-drejtor i gazetës “Skënderbeu”, i cili gjendet aktualisht në Paris, na priti në rrugën Molière, në hotelin Molière, ku po qëndron dhe ndaj pyetjeve tona bëri deklaratat në vijim mbi situatën në vendin e tij :

“Për nga pozita e saj gjeografike dhe toka e pasur, Shqipëria ka qenë gjithmonë një qendër tërheqëse për shtetet fqinje.

Nën dominimin turk, ajo ishte në një farë mënyre fushëbeteja e konkurrencës reciproke austro-italiane.

Që kur kemi ekzistuar si komb i pavarur, vendi ynë ka luftuar me vështirësitë që çdo shtet i ri duhet të kapërcejë në fillimet e tij, për të konsoliduar ekzistencën e tij. Duan të na ndihmojnë dhe na ndihmojnë, por patriotët e vërtetë shqiptarë ndjejnë njëfarë shqetësimi duke vënë re mungesën e Francës që ne e duam dhe pjesëmarrja e së cilës do të ishte garancia më e mirë për sigurinë e ekzistencës sonë si një komb vërtet i pavarur. E shihni, një kompani angleze ka koncesionin ekskluziv për shfrytëzimin e naftës tek ne. Për sa i përket Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ajo është formuar, në pjesën më të madhe, me kapital të kompanive italiane, i cili ka përparësi për çdo angazhim industrial dhe të punëve publike në vend. Oficerët italianë kujdesen për organizimin dhe stërvitjen e ushtrisë, ndërsa anglezët për xhandarmërinë.

Megjithatë, do të kishim dashur shumë që oficerët francezë të ishin instruktorë për ushtrinë dhe xhandarmërinë tonë. Ata janë gjithashtu në Poloni, Çekosllovaki dhe vende të tjera. Do të dëshironim gjithashtu ta shihnim Francën më aktive në jetën ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë. Vendi im do të fitonte shumë dhe po ashtu edhe Franca. Duke marrë pjesë në punët e vendit tim, Franca do t’i shërbente jo vetëm interesave të saj dhe të Shqipërisë, por edhe kauzës së paqes në Ballkan.

Kapitali francez do të gjente një investim të shkëlqyeshëm në Shqipëri, ku ka shumë gjëra për të bërë: të ndërtojë rrugë, hekurudha, të zhvillojë portet, pa përmendur shfrytëzimin e pasurisë minerale dhe pyjore.

Askush nuk mund të parashikojë me siguri se konfliktet mes popujve nuk do të ndodhin më kurrë. Kjo është arsyeja pse do të ishte në interesin e Francës që të interesohej më shumë për punët e vendit tim.

Mjafton të kujtojmë ngjarjet e luftës për të kuptuar rëndësinë e pozitës gjeografike të Shqipërisë dhe rolin që mund të luante në një ngjarje të tillë.

Organizimi i brendshëm po konsolidohet; Çështjet fetare janë krejtësisht të përjashtuara nga jeta politike dhe nuk ngrenë ndonjë divergjencë mes shqiptarëve katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, të cilët janë mbi të gjitha shqiptarë dhe synojnë të jetojnë si vëllezër në shtetin e tyre kombëtar dhe të pavarur. Organizimi fetar i myslimanëve dhe katolikëve është mjaft i mirë. Fatkeqësisht, organizimi i kishës autoqefale shqiptare lë ende shumë për të dëshiruar. Por, shpresojmë që edhe ajo të zgjidhet për nder të ortodoksisë kombëtare shqiptare.

Përfaqësuesi francez në Shqipëri me aktivitetin e tij ka fituar vërtet të gjitha simpatitë dhe vlerësimin e shqiptarëve. Por, besoj se ai do të kishte sukses edhe më mirë në interesin e përbashkët të dy vendeve, nëse do të kishte të njëjtët tituj dhe atribute diplomatike si kolegët e tij nga kombet e mëdha dhe të vogla mike dhe aleate të Francës, të cilët përfaqësohen atje nga ministra të plotfuqishëm.

Pas zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme me popujt fqinjë, shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në paqe me ta dhe të bashkëpunojnë sinqerisht në konsolidimin e gjendjes së punëve në Ballkan në përputhje me parimin “Ballkani për popujt e Ballkanit”.”

Filed Under: Kulture

Çaste shprese e ankthi – një përjetim personal

March 29, 2024 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

24 Mars 1999, fillimi i fundit të vuajtjeve të Kosovës dhe lindjes së nje epoke të re në liri.

Më 24 mars të vitit 1999 forcat e NATO-s filluan bombardimet kundër ushtrisë serbe në Kosovë dhe pikave e objekteve strategjike ushtarake në Serbi. Serbia e kishte nbushur kupën duke kryer krimet më të tmerrshmë që nga Lufta e Dytë Botërore në shumicën e teritorit të ish-Jugosllavisë e që kulmuan me krime makabre e pastrim etnik ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Është shkruar mjaft për këto ngjarje gjatë kësaj periudhe vuajtjesh e sakrificash mbinjerëzore, prandaj, nuk ka nevojë që të përsëriten në këtë shkrim të shkurtër. Por, po sjell ca përjetime personale, edhe pse isha me mijëra kilometra larg vendit të ngjarjes ku po kryheshin krime të tmerrshme, po ndodhenin masakra, trgjedi, drama njerëzore midis jetës e vdekjes.
Si të gjithë shqiptarët anembanë botës, edhe une i prita këto bombardime me shumë entuziazëm dhe me besimin se NATO do ta kryente punën deri në fund, deri në mundjen e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. Kthim prapa më nuk kishte dhe as tërheqje të NATO-s pa e përfunduar misionin që më në fund e kishin ndërmarrë. Natën vonë shkova në shtrat pasi i kisha përcjellur në TV aksionet e para të bombardimeve të NATOS-s. Aty kah ora 5 e mëngjesit telefoni cingëroi, u zgjova menjëherë. Ishte vëllau im, Shaipi, nga Zvicra. Fjalët e mia të para ishin se kishin filluar bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe, por ai menjëherë ma ktheu se gjendja në Suharekë/Therandë ishte kaotike, forcat paramilitare serbe i kishin filluar represaljet ndaj popullsisë së pafajshme e të pambrojtur shqiptare. Më tregoi se vëllezërit Haliti e Sedati i kishin telefonuar se rreziku po u kanosej edhe atyre dhe ndoshta ajo ishte edhe biseda e fundit në mes tyre. U ndieva shumë i pafuqishëm e i trishtuar nga ato fjalë. Biseduam edhe pak dhe shprehëm mendimin, dyshimin nëse udhëheqja e NATO-s dhe shteteve përendimore e dinin se çka po ndodhte me popullsinë civile në ato çaste.
Isha me mijëra kilometra larg e i pafuqishëm, pa kurrëfarë mundësie për të bërë diçka konkrete për të ndihmuar, për ta ndryshuar gjendjen. Megjithatë, u mundova që të bëja diçka në mënyrë të tërthortë: mora telefonin dhe u mundova që të kontaktoja me Shtëpinë e Bardhë për t’i njoftuar se çka po ndodhte në Kosovë, me idenë që ata ta kontaktonin Millosheviqin dhe t’i kërkonin që t’i ndalnin krimet ndaj popullsisë shqiptare. Përndryshe, atë do ta mbanin përgjegjës dhe një ditë do të përgjigjet për ato krime. Telefoni cingërontë, por askush nuk lajmërohej. Pastaj u mundova ta kontaktoja rrjetin televiziv, CNN. Telefoni cingëronte, por edhe aty askush nuk lajmërohej. Këto përpjekje i vazhdova për një kohë të gjatë, por pa sukses. Aty diku rreth orës 9 të mëngjesit e kontaktova zyrën e Senatorit Arlen Spekter (1930 – 2012), atëherë senator i rëndësishëm nga shteti i Pennsylvanias. Zonjës që e mori telefonin i tregova se përse po e thërrisja, me pak fjalë ia përshkrova gjendjen që më kishte treguar vëllay dhe i kërkova që Senatori ta kontaktonte Shtëpinë e Bardhë, për të bërë diçka për të ndaluar masakrat që po ndodhnin dhe që do të ndodhnin në ditët në vijim. Tani nuk e di nëse senatori e kishte kontaktuar Shtëpinë e Bardhë apo jo, por në ato çaste mua vendi – vend nuk më zihej, edhe nga larg mundohesha të bëja diçka, ndoshta të pamundur, por që duhej provuar. Si në gjithë Kosovën edhe në Suharekë/Therandë kanë ndodhur, tragjedi, masakra, krime të tmerrshme. Më 26 mars janë vrarë 21 anëtarë të pafajshëm të familjes së ngushtë Berisha dhe mbi 25 fqinj të tyre: gra, burra, adoleshentë e fëmijë të mitur. Për këtë ngjarje kanë shkruar shumë gazeta shqiptare e botërore, janë bërë dokumentarë të shumtë. Një artikull i gjatë është botuar në qershor të vitit 1999 në revistën javore prestigjioze amerikane, Neësëeek. Aty në mënyrë të detajuar është përshkruar sesi ka ndodhur kjo masakër dhe kush e ka kryer atë. Në lagjen tonë në Suharekë/Therandë që ndodhet rrëzë malit në periferi të qytetit, ishin tubuar edhe shumë familje të tjera, të cilat së bashku me familjen tonë më vonë ishin larguar nga aty, fillimisht duke bredhur nëpër fshatrat përreth nën plumbat e armikut. Vëllau ynë i vogël, Sedati, një ekspert i shkëlqyer i elektronikës, kishte arritur që ta merrte me vete telefonin dhe lidhjen telefonike. Ai telefon ishte lidhja e vetme me botën e jashtme për ata qindra bashkëqytetarë që i kishin braktisur me dhunë shtëpitë e tyre.Më vonë familjarët kishin arritur, me njëqind mundime, që të kalonin në Shqipëri, Por, dy vëllezërit, Haliti e Sedati, me disa nipër e të tjerë kurrësesi nuk kishin pranuar që ta lëshonin vendin. Edhe ata kishin bredhur nëpër bjeshkë e disa fshatra përreth, pa ushqime, pa siguri. Por, kur gjendja ishte qetësuar pak ata ishin kthyer në shtëpi, me kokë në torbë, siç thotë një fjalë e jona. Pasi kishin përjetuar shumë çaste ankthi e pasigurie, edhe ata më vonë e kishin shfrytëzuar rastin për t’u larguar [ër në Shqipëri, ku ishin bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes. Secili njeri, secila familje që i ka përjetuar ato ditë të vështira ka për të treguar drama familjare, ngjarje të tmerrshme, tragjedi.
Në atë kohë unë ndodhesha në Lubbock të Texasit ku punoja si postdoktorant në Texas Tech Universitë, por atë ditë që filluan bombardimet e NATO=s ndodhesha në Philadelphia për ta vizituar familjen. Ne kishim vendosur që nga Texasi të zhvendoseshim në Philadelphia. Për shkak të shkollës së fëmijve, bashkëshortja dhe fëmijët kishin ardhur më herët, ndërsa unë pak më vonë, sepse isha në përfundimin e sipër të disa projekteve shkencore. Me t’u kthyer në Lubbock i dhashë një intervistë kanalit televiziv, 6abc, ku i njoftova për ato që po ndodhnin në Kosovë. Po ashtu, i dhashë një intervistë edhe gazetës universitare, “The University Daily”. Gazetari-student i kishte dhënë një titulli të qëlluar artikullit: “Close to home” (“Afër shtëpisë”). Pra, edhe mijëra kilometrave larg këtyre ngjarjeve të tmerrshme, në mesin e tyre ishte dikush që kishte familje atje, që po i perjetonte ato ngjarje me shumë ankth e pasiguri – ngjarje që kishin ndikim në gjendjen e tij shpirtërore. Ishin këto intervista edhe për ta bërë më të ndjeshme, më të afërt çështjen e Kosovës, për të siguruar përkrahjen e gjërë të popullit dhe zyrtarëve amerikanë: Administratës e Kongresit.
24 Marsi i vitit 1999 ishte dita qe shënoi fillimin e mbarimit të terrorit shekullor serb në Kosovë, ishte dita e ringjalljes së shpresës për liri. Le të jetë kjo një ditë falenderimi, mirënjohjeje e reflktimi – të mos i zhgënjejmë miqtë tanë, të mos e zhgënjejmë popullin tonë. Populli ynë mjaft ka vuajtur ndër shekuj, të dimë si ta gëzojmë lirinë tonë e të bëjmë përpjkje të vazhdueshmë që Kosova të bëhet një vend i lulëzuar e demokratik. Pavarësia e Kosovës është fryt i përpjekjeve mbinjerëzore, luftërave të pandërprera të brezave të tërë të shqiptarëve dhe ndihmës vendimtare të aleatëve tanë përendimorë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1244
  • 1245
  • 1246
  • 1247
  • 1248
  • …
  • 2958
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT