• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Robinson: SHBA do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në fushën e sigurisë dhe drejtësisë

March 21, 2024 by s p

ZERI I AMERIKES

  • Leonat Shehu

Kosovo/Todd Robinson
Kosovo/Todd Robinson

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institucione thelbësore të sigurisë.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë, në kuadër të një vizite dy ditëshe në Kosovë.

““Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju do të ishte që Shtetet e Bashkuara janë këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar siguri thelbësore dhe struktura të drejtësisë dhe po punojmë për një Kosovë më të mirë sot dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen”, tha zoti Robinson.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se sukseset e institucioneve të vendit janë dëshmi e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheq ndihmës sekretari Robinson, duke përfshirë edhe themelimin e policisë së Kosovës e cila sot gëzon besimin e mbi 95 për qind e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu edhe të Agjencisë së Forenzikës, Akademisë të Sigurisë Publike të Kosovës e cila ka edukuar breza të tërë të policëve tanë si dhe Inspektoratit të Policisë i cili si institucion po sigurohet të ruhet profesionalizmi dhe respektohet ligji në çdo hap të institucioneve tona ligjzbatuese”, tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani tha se për Kosovën synim strategjikë mbetët anëtarësimi në Interpol, i cili tha ajo, do të ishte i pamundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona, duke përmirësuar përgjigje tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetarë të Kosovës pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në Interpol janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale trans-nacionale, është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe Shteteve të bashkuara që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha presidentja Osmani.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson gjatë vizitës në Kosovë do të takohet edhe drejtues të institucioneve të sigurisë dhe gjyqësorit, sektorë këta që vazhdojnë të mbështeten nga Shtetet e Bashkuara në forcimin e mundësive për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Filed Under: Rajon

TË PREZANTOSH VLERAT DHE BUKURITË E KOMBIT NËPËRMJET MODËS

March 20, 2024 by s p

Sokol Paja/

Dizenjo Lejda Troci rrëfen për “Diellin” e “Vatrës” në New York, punën e saj në fushën e modës në promovimin e fustaneve moderne të gërshetuara me elementë tradicionalë e kombëtarë shqiptarë, punuar e qëndisur me mjeshtri nga gjyshet e nënat shqiptare.

“NEW YORK FASHION WEEK 2024” NJË SUKSES DHE KRENARI SHQIPTARE

“New York Fashion week 2024” për mua ishte një event fantastik, një kënaqësi e papërshkrueshme si emocionale dhe profesionale. Një Punë mjaft e organizuar me një angazhim prej disa muajsh që pati sukses të madh në promovimin e kulturës kombëtare, bukurive të Shqipërisë e vlerave tona identitare. Ishte shumë sfiduese për mua pasi doja të nxirrja në pah mbi të gjitha zemrën e shpirtin e kulturës së kombit tonë. Morëm masat e duhura përgjatë gjithë eventit, patëm komunikim pothuajse javor me organizatorë e drejtues për të arritur rezultate që mendoj ishin të larta duke promovuar Shqipërinë në sytë e kamerave nga e gjithë bota.

MARKA SHQIPTARE QË EKSPOZOHET, PUNIMET, STILI

“Atangerine Design” është një markë që paraqet një kombinim me punime dore të një tradite shqiptare mjaft të hershme trashëguar brez pas brezi nga stërgjyshet e nënat tona dhe stile të kohërave moderne për të arritur një bashkëpunim midis historisë dhe të ardhmes. Ky gërshëtim shihet si domosdoshmëri edhe për të ruajtur traditën edhe për të përqafuar të ardhmen. Me synim për të promovuar veshjen shqiptare dhe bukuritë e Shqipërisë, mu në zemër të botës së modës, kinematografisë e biznesit si New York, Milano apo Paris gjykoj se i bëjmë një marketing të shkëlqyer kombit, shtetit e kulturës kombëtare sidomos për të njohur të huajt vlerat tona dhe për të rritur turizmin dhe njohjen e Shqipërisë gjeografike e kulturore. Gjatë sfilatës së modës kemi servizur vizualisht në sfond pamje fantastike të bregdetit të Shqipërisë, muzeve, kalave, kështjellave, monumenteve të trashëgimisë kulturore, amfiteatrot, ujëvarat, qytetet turistike e historike, kanionet, lumenjtë e liqenet, malet e larta e alpet tona që janë peisazhe të papërsëritshme gjeografikisht e kulturalisht.

“ATANGERINE DESIGN”… PAK HISTORI

Historiku i kompanisë sime “Atangerine Design” është shumë i thjeshtë. Kjo kompani u krijua si rrjedhojë e pyetjeve dhe kërkesave të të panjohurve nëpër museumet e Manhattan se ku i kisha blerë këto veshje kaq të veçanta të vajzës sime. Të gjithëve ju ka bërë përshtypje veshja dhe stili shqiptar. Fustane moderne të gërshetuara me elementë tradicionalë e kombëtarë, punuar e qëndisur me mjeshtri nga gjyshet e nënat shqiptare. Kompania u themelua pas lindjes së vajzës dhe emrin e këngës së preferuar që i këndonim pothuajse çdo ditë. Ekspozimi i veshjeve tona është një mundësi jo vetëm për të ruajtur vlerat e punimeve të veçanta tradicionale autentike shqiptare por mbi të gjitha për të zhvilluar e promovuar këtë markë shqiptare të veshjeve kombëtare si një risi dhe traditë gërshetuar së bashku.

PJESËMARRJA NË EVENIMENTET E MODËS

Falë punës profesionale dhe përpjekjeve të vazhdueshme pjesëmarrjet në evenimentet e modës kanë qenë gjithmonë me shumë rezultat duke filluar që nga Palm Beach Fashion Week,  New York Fashion Week, Milan Fashion Week dhe përgatitjet serioze për Paris Fashion Week. Kudo ku shkojmë promovojmë Shqipërinë, veshjet e saj, turizmin e saj, kulturën dhe identitetin e pastër e të pasur shqiptar.

E ARDHMJA…MËS ËNDRRAVE DHE SUKSESEVE

E ardhmja është gjithmonë e paparashikuar .. ëndrrat janë të mëdha .. Parisi është një nga qendrat e modës por Shqipëria ka nxjerrë gjithmonë figura të njohura dhe do të kisha dëshirë që sado pak kompania ime të valëvisë përsëri flamurin shqiptar në evenimentet e njohura të Parisit që në çdo kohë të kemi si synim promovimin e punimeve shqiptare, markës autentike të etnografisë sonë kombëtare. Tradita, kultura, aftësia janë të trashëguara brez pas brezi. Jam krenare për emrin dhe kombësinë time. Dua që midis punës sime të shpreh falënderimin për dhuratën më të çmuar që nëna ime më la, dëshirën dhe aftësinë për të krijuar veshje magjike. Dua që nëpërmjet punës time të ngre përsëri lart emrin shqiptar. Ishte mallëngjyese për mua të dëgjoja këngët e mërgimtarëve tanë arbëreshë “Moj e bukura more” ishte një krenari e paparë kur shihja flamurin dhe pjesëmarrësit mjaft të interesuar jo vetëm në veshjet por dhe në bukuritë e vendit tim. Do të ishte kënaqësi të kisha rreth vetes një rreth më të madh me mbështetje nga shqiptarët në diasporë por edhe kështu jam krenare. Le të bëjmë të gjithë diçka për të ngritur lart lavdinë e vendit tonë. Duke ngritur lart historinë tonë duke qenë krenare për atë që ne jemi, patjetër do të kemi sukses edhe në bizneset tona.

KUSH ËSHTË LEJDA TROCI? 

Kam lindur në Durrës. Jetoj në Florida. Në 7-8 vitet e fundit jam marrë me disenjo. Më pëlqen të bëj dizenjot dhe me idenë që të krijoj një grup me shqiptarë që merren me punën artizanale. Sidomos për prindërit apo të afërmit që kanë vështirësi të gjejnë punë për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze apo dhe moshës. Do të doja t’ju jepja sadopak mundësinë e punësimit. Më herë kam punuar si mësuese e shkollës fillore në Florida dhe zotëroj LCAM licencë në Florida. Më herët kam punuar si assistente sociale në Bari të italisë. Për 10 vite me radhë kam punuar vullnetare e përkthyese e Caritas Bari – Durrës. Jam vlerësuar nga Kryqi i Kuq Florida me certifikatë falenderimi dhe nga “Albanian Excellence” për ndihmën dhe lidhjet me Shqipërinë gjatë pandemisë globale.

Filed Under: Opinion

25 vjetori i Marrëveshjes së Rambujesë

March 20, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Bëhen 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, me të cilin iu hap rruga fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur dhe kapitullimit kriminelit Sllobodan Millosheviqi në Kumanovë. Pra firmosja e Rambujesë i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s, çlirimit të saj dhe pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008.

Në mbrëmjen e 18 marsit 1999 delegacioni shqiptar i Kosovës nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë me një ceremoni të thjeshtë pa fjalime dhe deklarata. Dy nënshkruarit ndërkombëtar, Wolfgang Petritsch dhe Cristopher Hill, e nënshkruan dokumentin si ndërmjetësues ndërkombëtar. Ndërsa rusi Boris Majorksi ishte i pranishëm, por nuk e nënshkroi. Pas nënshkrimit, delegacioni kosovar bëri të njohur letrën e hapur drejtuar kryesuesit të konferencës ndërmjetësuesve si edhe Sekretares Amerikane Madeleine Albright dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana. Në letër flitej për “ofensivën brutale të forcave serbe kundër popullit të Kosovës”, si edhe për “mizoritë shkatërrimet dhe plaçkitjet që në këto çaste ndodhin në Kosovë”. Bashkësisë ndërkombëtare i kërkohej ta vinte në jetë me besnikëri marrëveshjen “me përgjegjësinë njerëzore të shprehur qartë dhe shpesh prej Grupit të Kontaktit dhe të vinte përpara përgjegjësisë së plotë ata që kundërshtonin arritjen e asaj dhe vazhdonin pareshtur veprimet luftarake.”

Më 18 mars tre ndërmjetësuesit ndërkombëtar i dërguan letër të fundit kryesuesit të delegacionit serb-jugosllav, në të cilën shprehnin edhe një herë gatishmërinë për të filluar në çdo kohë bisedimet për vënien në jetë të marrëveshjes.

Pas kësaj ambasadori Petritsch i njoftoi ambasadorët e BE-së të mbetur në Beograd për dështimin e procesit të bisedimeve dhe ata menjëherë filluan të merrnin masat përkatëse për sulmet e pritshme të NATO-s. Petriztsch u largua nga Beogradi në pasditen e 24 marsit. Në mbrëmje e asaj pasdite filloi sulmi ajror i NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Serbë, në Kosovë, në Mal të Zi dhe Vojvodinë. Pritjet e Millosheviqit se bashkësia ndërkombëtare do ta detyronte NATO-n të ndërpresë sulmet dhe se Rusia do të vihej hapur në anën e Serbisë nuk u bënë realitet. Po ashtu pakënaqësia e popullsisë serbe me qeverinë e saj u shtua dukshëm nga fillimi i majit, pasi NATO-ja dukshëm kishte intensifikuar sulmet ajrore, të cilat fillimisht ishin penguar për shkak të planifikimit joadekuat dhe motit të keq. Më 3 qershor – pas vizitës së emisarit të posaçëm rus Viktor Çernomyrdin dhe kryetarit finlandez Martti Ahtisaari në Beograd – Parlamenti serb miratoi një plan të përgatitur nga shtetet e G-8-shes, i cili u plotësua më 9 qershor përmes një marrëveshjeje ushtarake të negociuar në Kumanovë (në veri të Maqedonisë), e cila u nënshkrua nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq. Ky i fundit, më pas është akuzuar nga trbunali ndërkombëtar i Hagës për krime lufte dhe gjenocid. Një ditë më vonë NATO i dha fund luftës pas 35’000 aksioneve ajrore. Marrëveshja e cila solli kapitullin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, parashihte që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare serbe, duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, paramilitare dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë nisi zbarkimi i trupave të para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa nisi largimi i forcave pushtuese serbe, të cilat me pak ndërprerje ishin prezentë në Kosovë që nga luftërat ballkanike 1912/13. Kjo ishte fitorja më e madhe shqiptarëve të Kosovës që nga Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nëntor 1912.

Foto 1: Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga Delegacioni i Kosovës

Foto 2: Firmosja e Marrëveshjes së Kimanovës nga Gjenerali i NATO-s Michael Jackson dhe ushtarët serbë

Foto 3: Nënshkrimet e palëve në Kumanovë me të cilën vulosej çlirimi serb i Kosovës

Filed Under: Rajon

Gazeta historike Rilindja, 19 Mars 2004: PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË

March 20, 2024 by s p

-Gazeta tradicionale Rilindja, që është histori e Kosovës, doli edhe në kushtet kur nuk mund të dilte, botim i jashtëzakonshëm për ngjarjet – trazirat e marsit 2004 në Kosovë… Në ballinë editoriali që kam shkruar me mbititullin MESAZHET E KOSOVËS e me titullin PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË/

-22 Mars 2004: Duke u përgjegjur në një pyetje nëse pas ngjarjeve të fundit, pavarësia e Kosovës është vënë në rrezik, Presidenti Ibrahim Rugova e mohoi këtë pikëpamje, duke thënë se shtypi ndërkombëtar dhe personalitetet e ndryshme pohojnë se është e domosdoshme dhe është urgjente pavarësia e Kosovës, por edhe vetë këtë e thekson vazhdimisht. “Këto ngjarje mund të dobësojnë imixhin e progresin e Kosovës, por të gjithë e kanë kuptuar se pavarësia është e domosdoshme”, nënvizoi Presidenti Rugova/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  17 Mars 2024/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, para 20 viteve, në ditën e 19 Marsit 2004, në botim të jashtëzakonshëm në  kryeartikullin në ballinë kishte mbititullin ZHVILLIME DRMATIKE E TRAGJIKE NË KOSOVË, DHJETËRA TË VRARË E QINDRA TË PLAGOSUR dhe kryetitullin APELE: VETËPËRMBAJTJA DHE QETËSIA JANË INTERESI MADHOR I KOSOVËS.

Kryelajmi në këndin lart ishte TRUPA SHTESË TË NATO-s ARRIJNË NË KOSOVË.

Tituj të tjerë në ballinë që paralajmëronin shkrime nga faqet e brendshme të gazetës ishin: HOLKERI: POLITIKA E UNMIK-ut NUK KA NDRYSHUAR; PRESIDENTI RUGOVA: PROTESTAT JANË KUNDËR PAVARËSISË; SHQETËSIM I THELLË I KUVENDIT TË KOSOVËS PËR ESKALIMIN E PROTESTAVE; QEVERIA FTON QYTETARËT QË MENJËHERË T’I NDALIN PROTESTAT.

Editoriali që kisha shkruar e botuar në ballinën e gazetës Rilindja me mbititullin MESAZHET E KOSOVËS e me titullin PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË i plotë është ky:

 MESAZHET E KOSOVËS

PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË

Behlul JASHARI:

Dhuna dhe destabiliteti janë tragjike për të gjithë në Kosovë, do të ishte mesazhi i parë i ngjarjeve të fundit të përgjakshme, që ishin edhe sinjal alarmi për mungesat në sigurinë e qytetarëve.

Tmerrin e mungesës së sigurisë e shpalosi në mënyrën më tronditëse mbytja barbare e tre fëmijëve shqiptarë, që si reagim u pasua me revoltën, me vrasjen e dhjetëra qytetarëve të tjerë të Kosovës, me plagosjen e qindra të tjerëve, si dhe me zjarrvënie.

Të gjithë ata që kujdesen në mënyrë të veçantë për sigurinë e serbëve në Kosovë tashmë duhet ta shohin e ta ndiejnë edhe më qartë mesazhin se nëse nuk ka siguri për shqiptarët nuk mund të ketë siguri as për serbët. Se, siguria dhe lëvizja e lirë duhet të mbretërojnë për gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk mund të arrihen me enklavizime e ndarje etnike, as duke paralizuar jetën me bllokimin e rrugëve.

Mesazhet u drejtohen atyre që sigurinë e kanë përgjegjësi të rezervuar, UNMIK-ut, KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, misionit aq shumë të dashur e të  kërkuar nga kosovarët, veçmas nga shqiptarët, që nga koha kur goditeshin egërsisht nga gjenocidi dhe spastrimi etnik.

Por, ato mesazhe nuk drejtohen me djegien e veturave të UNMIK-ut dhe me plagosjen e ushtarëve të KFOR-it.

Shumica e kosovarëve, më shumë se të gjithë, e dëshirojnë një përfundim të suksesshëm të Misionit të UNMIK-ut në Kosovë.  Dështimi i Misionit të UNMIK-ut do të ishte edhe më shumë dështim për Kosovën.

Mesazhet iu drejtuan edhe liderëve e institucioneve të Kosovës, që të kryejnë punët që duhen kryer, e që të përmbushin obligimet që kanë marrë para elektoratit që i ka votuar. Disa liderë dhe institucione morën edhe mesazhin se duhet të reflektojnë edhe pse nuk kanë ndikimin që mendojnë se e kanë kur u drejtohen qytetarëve me thirrjet e tyre në rastet kur revolta shpërthen.

Zhvillimet e fundit në Kosovë, edhe për ndërkombëtarët, edhe për vendorët, kanë edhe mesazhin se nuk duhet të lejohen skenaret, manipulimet dhe dirigjimet nga Beogradi. As strukturat paralele, as organizimet e qendrat e shërbimeve të fshehta serbe, që janë vazhdimësi e një kohe e një regjimi që gjykohet në Hagë. As synimet e Beogradit për t’u futur me forca në Kosovë dhe për ta shfrytëzuar situatën më të re për ndarjen përfundimtare të Kosovës.

Për të gjithë, e në veçanti për ata që shohin ëndrra për rikthimin e Serbisë në Kosovë është mesazhi: E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa vullnetin e kosovarëve.

Por, tash, mënyra më e mirë për përcjelljen e këtyre mesazheve dhe për të gjitha mesazhet e angazhimet e tjera për të mirën e Kosovës është: Rikthimi i qetësisë dhe paqes në Kosovë.

Dhe, është koha që të gjithë të jenë kundër dhunës. Asgjë nuk mund të arrihet me dhunë.

Dhuna nuk arsyetohet. Zgjidhjet e kërkuara do të gjenden në qetësi.

 NË BALLINË ME SHKRONJA TË BARDHA NË TË ZEZËN BOTOHEJ EDHE KY REDAKSIONAL: 

BOTIM I JASHTËZAKONSHËM, “RILINDJA” DEL EDHE NË KUSHTET KUR S’MUND TË DALË

“Rilindja” edhë në situatën që është dëshiron dhe është e përkushtuar t’i kontribuojë qetësisë, stabilitetit, demokracisë, tolerancës, orientimeve evroatlantike, aspiratave të Kosovës, të sotmes dhe të ardhmes më të mirë të qytetarëve të saj.

Është e përkushtuar për një informim të drejtë, profesonal, të jetë në nivel të proceseve e të standardeve për Kosovën.

Prandaj, “Rilindja”, që është histori e Kosovës qe 60 vjet, del edhe në kushtet kur nuk mund të dalë, botim i jashtëzakonshëm për ngjarjet e fundit në Kosovë. Ky numër u përgatit me llaptopë personalë, në mungesë të mjeteve për punë, e në shtëpi – në mungesë të lokaleve të punës, në një situatë të jashtëzakonshme, për të cilën opinioni është i njoftuar.

Besojmë e shpresojmë se së shpejti do t’i jepet fund mbylljes së gazetës tradicionale të Kosovës “Rilindja”, se do t’i krijohen kushtet për punë me kthimin në shtëpinë e saj në Pallatin e Rilindjes ose në lokale alternative. Presim të realizohen premtimet dhe zotimet e UNMIK-ut e të institucioneve të zgjedhura të Kosovës, realizimin e përkrahjes për të drejtën tonë të shprehur në një letër që na ka dërguar PSSP, Harrri Holkeri, që e vlerësojmë një ngjarje të madhe për “Rilindjen”.

SHËNIM NGA KRONIKAT E KOHËS – VITI 2004:
16 mars 2004: Në veri të Mitrovicës, tre fëmijë shqiptarë nga Çabra mbyten në ujërat e lumit Ibër, ndërsa pohimet e para të një fëmije tjetër që ka mbijetuar flasin se “ata janë ndjekur me qen prej serbëve dhe janë detyruar të hidhen në lumë”…Për tri ditë, 17-19 mars, Kosova përballet me ngjarjet më të rënda të pasluftës, të njohura si ngjarjet e marsit të vitit 2004… 

NGA RAPORTIMET E MEDIAS – QENDRËS PËR INFORMIM TË KOSOVËS NË 20 E 22 MARS  2004: 

PRESIDENTI RUGOVA, KRYEMINISTRI REXHEPI DHE KRYEPARLAMENTARI DACI KANË MIRATUAR MBRËMË NJË DEKLARATË TË PËRBASHKËT

Prishtinë, 20 mars 2004 – Tre udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës: Presidenti Ibrahim Rugova, Kryeministri Bajram Rexhepi dhe Kryeparlamentari Nexhat Daci kanë miratuar mbrëmë një deklaratë të përbashkët, me të cilën kanë vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë po përmirësohet.

Ata njëkohësisht kanë kërkuar që të shtohen përpjekjet për të kthyer gjendjen në suazat e normalitetit në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët të cilën e lexoi Presidenti Rugova thuhet se sulmet ndaj pjesëtarëve të pranisë ndërkombëtare janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, sikurse edhe akte të tjera të dhunës dhe të rrënimeve, që kanë ndodhur ditët e fundit në Kosovë.


“E përsërisim se sulmet ndaj pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake janë krejtësisht të papranueshme dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat jetike të Kosovës. Me këtë rast edhe njëherë theksojmë se shkatërrimet e objekteve fetare dhe kulturore, pasurisë publike dhe të shtëpive janë të papranueshme për popullin e Kosovës dhe të dënueshme”, thuhet në deklaratë.


Ndërkaq, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se nuk do të ketë gjendje të jashtëzakonshme, që të shpallet nga dikush për shumë arsye. “Nuk mundet një vend që nuk i kontrollon vetë kufijtë, që nuk e ka ushtrinë e vet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por këtë e kishim në shqyrtim”, ka thënë Daci. Ai shtoi se admirali Xhonson e bëri të qartë para gazetarëve që ngritet shkalla e masave të ndërmarra dhe ishim në pajtueshmëri të plotë.

 PRESIDENTI RUGOVA KA ANULUAR VIZITËN E PARAPARË NË SHBA PËR SHKAK TË ZHVILLIMEVE TË FUNDIT NË KOSOVË

Prishtinë, 20 mars 2004 – Për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme të këtyre ditëve në Kosovë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka anuluar një vizitë të paraparë për javën e ardhshme në SHBA.


Presidenti Rugova ka pasur një ftesë nga guvernatori i Pensilvanisë për të vizituar këtë shtet, ndërsa qëndrimi i tij në SHBA përfshinte edhe takime të nivelit shumë të lartë në Uashington D.C. dhe takime të rëndësishme në Nju Jork, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës.

NË KOSOVË MBËRRIJNË FORCA SHTESË TË NATO-s

Prishtinë, 20 mars 2004 – Në Kosovë po mbërrijnë përforcime për paqeruajtësit e NATO-s dhe aleanca është zotuar të vërë në kontroll dhunën që shpërtheu mes shqiptarëve dhe serbëve.


Më shumë se 2 mijë ushtarë amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, italianë dhe finlandezë, u dërguan për të ndihmuar 17 mijë trupat e alenacës që ndodhen në Kosovë.


Ushtarët britanikë po vendosen në pikat strategjike për të ndihmuar në vendosjen e rendit, pas shpërthimiet të dhunës etnike që la të paktën 31 njerëz të vrarë dhe 500 të tjerë të plagosur, duke përfshirë edhe 61 paqeruajtës.


Komandanti i NATO-s për Evropën Juglindore, admirali Gregori Xhonson, i përshkroi përleshjet e përgjakshme jo shumë të ndryshme nga spastrimi etnik dhe tha se ato duhet të marrin fund sa më parë.

LDK NË NJU JORK: KONFRONTIMI ME FORCAT E KFOR-IT DHE TË POLICISË ËSHTË RREZIK PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS

Nju Jork, 20 mars 2004 – Çmimi, të cilin po e paguan Kosova nga zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat u kurorëzuan me mbi 30 të vdekur e mbi 600 të plagosur, si dhe me dëme të mëdha materiale e pronësore, është një çmim tragjik për Kosovën dhe për përpjekjet e saj në ndërtimin e demokracisë e të pavarësisë.

Apelojmë te qytetarët e Kosovës, – thuhet në një deklaratë të Degës së LDK-së në Nju Jork me rrethe, duke shtuar se po rrezikohet e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës dhe duke apeluar për gjakftohtësi dhe të përfillen kërkesat e institucioneve të Kosovës.


“E kuptojmë thellësisht shqetësimin dhe revoltën e qytetatëve të Kosovës pas ngjarjes tragjike të fëmijëve në lumin Ibër në Mitrovicë dhe solidarizohemi me dhembjen e tyre.

Poashtu e kuptojmë pakënaqësinë e tyre të thellë me bllokimin e rrugëve nga bandat e ekstemistëve serb dhe inskenimet e tyre të ndyta, por, në të njëjtën kohë, kërkojmë që pakënaqësitë e dhe protestat e qytetarëve me zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë të shqiptohen me rrugë paqësore dhe përmes institucioneve legjitime të Kosovës”, thuhet më tutje në këtë deklaratë dhe theksohet se “manifestimet e dhunshme, mbi të gjitha konfrontimi me forcat e KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut e të SHPK-së si dhe aktet e djegieve e të shkatërrimit të shtëpive e të pronave sjellin para rrezikut të ardhmen e Kosovës”.


“Këto ditë, kur Kosova është duke kaluar nëpër ethet e rënda të një gjendjeje të jashtëzakonshme, mbi të gjitha duhet të mbretërojë arsyeja dhe veprimet e matura, vetëpërmbajtja nga aktet dhe manifestimet e dhunës. Sepse veprimet e dhunshme krijojnë imazhin për Kosovën si për një vend të dhunës, imazh ky për të cilin mbi të gjitha janë të interesuar armiqtë e popullit shqiptarë”, thuhet në deklaratë.


Në fund të kësaj deklarate, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Nju Jork me rrethe, edhe njëherë i bëb apel qytetarëve tanë që të udhëhiqen nga udhëzimet e lëshuara nga institucionet legjitime të Kosovës, në krye mer Presidentin Ibrahim Rugova dhe që në bashkëpunim me organet e rendit e të sigurisë, me ato vendore dhe ndërkombëtare, t’i kontribuojnë normalizimit të situatës e të gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe që kërkesat e tyre t’i shqiptojnë me anë të rrugëve institucionale.

SOT DITË ZIE NË KOSOVË NË NDERIM TË QYTETARËVE QË HUMBËN JETËN GJATË TRAZIRAVE TË FUNDIT  

Prishtinë, 22 mars 2004 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka shpallur ditën e sotme ditë zie në Kosovë për nderim dhe kujtim të qytetarëve që humbën jetën gjatë trazirave të fundit në Kosovë.

PRESIDENTI RUGOVA VLERËSOI SOT PARA GAZETARËVE SE GJENDJA KA FILLUAR TË NORMALIZOHET NË KOSOVË

Prishtinë, 22 mars 2004 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pati sot një takim me gazetarë të vendit dhe të huaj në të cilën foli për situatën aktuale në vend.

Pasi përkujtoi se sot është ditë zie në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar viktimat e trazirave të javës së kaluar, Presidenti Rugova vlerësoi se gjendja ka filluar të normalizohet, duke thënë se ishte më qetë gjatë këtyre ditëve në gjithë Kosovën.

“Ne do të fillojmë shqyrtimin e shkaqeve dhe të pasojave që u paraqitën në këto trazira.

Do t’i shqyrtojmë raportet me UNMIK-un që të jenë më produktive dhe më efikase”, tha më tutje ai. Presidenti theksoi se objektet e dëmtuara kulturore e historike, ato publike, si dhe shtëpitë e qytetarëve do të rindërtohen dhe në lidhje me këtë përkujtoi se Qeveria tashmë ka marrë një nismë në këtë drejtim.

Duke pasur parasysh progresin që ka arritur Kosova gjatë pothuajse pesë vjetëve të kaluara, Presidenti Rugova tha se vazhdimisht ka kërkuar të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se pavarësia është një çështje vitale për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Pra një Kosovë e pavarur, demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, si dhe në marrëdhënie të mira me të gjitha fqinjët”, theksoi ai.

“Pavarësia i duhet Kosovës për të përshpejtuar zhvillimin e saj demokratik dhe ekonomik, sepse do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha Presidenti Rugova, duke shprehur optimizëm se do të kapërcehet gjendja e krijuar në vend pas trazirave.


“Jam optimist se do të tejkalojmë shpejt këtë gjendje dhe do të vazhdojmë progresin dhe afirmimin e Kosovës në botë”, u shpreh zoti Rugova.


Duke u përgjegjur në një pyetje nëse pas ngjarjeve të fundit, pavarësia e Kosovës është vënë në rrezik, Presidenti Rugova e mohoi këtë pikëpamje, duke thënë se shtypi ndërkombëtar dhe personalitetet e ndryshme pohojnë se është e domosdoshme dhe është urgjente pavarësia e Kosovës, por edhe vetë këtë e thekson vazhdimisht. “Këto ngjarje mund të dobësojnë imixhin e progresin e Kosovës, por të gjithë e kanë kuptuar se pavarësia është e domosdoshme”, nënvizoi zoti Rugova.


Në pyetjen tjetër në lidhje me përpjekjet për ndërtimin e një Kosove multietnike dhe nëse pas ngjarjeve të fundit mund të ketë reperkusione, Presidenti Rugova tha se Kosova është si çdo vend tjetër në Evropë. Është një vend ku ka shumicën shqiptare dhe grupet etnike, minoritetet…

Koncepti multietnik do të thotë komunikim brenda shoqërisë, kurrsesi një inxhiering i popullsië të një vendi, tha ai. “Pra, unë kam thënë shpesh se edhe sot Kosova është multietnike, ka shumicën shqiptare, ka minoritetet, ato që ekzistojnë në Kosovë, prandaj perspektiva është që do të ketë komunikim mes të grupeve etnike, popullit të Kosovës, qytetarëve të saj”.


Duke komentuar raportet me UNMIK-un dhe ndërkombëtarët, Presidenti tha se këto çështje shpesh i ka theksuar, dhe UNMIK-u është dakord që këto raporte të shyrtohen, për të pasur marrëdhënie më produktive, më efikase, siç tha, në kuptimin normal të fjalës dhe jo në kontekst të këtyre ditëve. “Pra çështja e kompetencave, pastaj e institucioneve dhe autoriteteve të Kosovës dhe çështjet e tjera që të kemi një efikasitet më të madh të dy palët”.


I pyetur për 24 marsin, për bilancin e pesë vjetëve të kaluara në Kosovë, Presisdenti Rugova tha se është një bilanc pozitiv dhe është shënuar progres i madh në të gjitha fushat e jetës vazhdimisht. Pra 24 marsi është një datë e shënuar, tha ai, duke shtuar se të rinjtë e Kosovës e kanë quajtur “ditën e shpresës”. “Një respekt dhe një nderim i madh për NATO-n, për focat e KFOR-it, të cilat prej pesë vitesh që ndodhen në Kosovë po bëjnë sigurinë e vendit”, tha ai.


Në pyetjen tjetër, rreth pohimeve për ndarjen e Kosovës, dhe nëse bashkësia ndërkokmbëtare mund të bëjë ndonjë kompromis për pavarësinë dhe ta ndajë Kosovën, Presidenti Rugova u përgjegj:
“Këto janë spekulime të ndryshme, të cilat nuk vijnë në konsiderim as për bashkësinë ndërkombëtare as për ne.

Pra kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Dhe askund nuk janë prekur kufijtë e mëparshëm. Çdo lëvizje në këtë drejtim do të shkaktonte probleme të reja dhe çështje të reja”, tha Presidenti Rugova, duke ritheksuar se kufijtë janë të paprekshëm dhe të pandryshuar.

“INDIPENDET”: FUQITË E MËDHA DUHET PATJETËR TË CAKTOJNË DATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

Londër, 22 mars 2004 – Gazeta “Indipendent” e Londrës ka botuar një koment në të cilin përkujtohen fjalët e Riçard Hollbrukut që kishte paralajmëruar serbët se duhet të zgjedhin Kosovën apo Evropën, duke konkluduar se nëse zgjedhin Kosovën do të humbin të dyjat.


Në tekstin e Markus Tanerit, i cili më herët ka qenë korrespondent nga Ballkani i kësaj gazete, e tani bashkëpunëtor i Institutit për Luftën dhe Paqen, theksohet se politikanët e Beogradit nuk po tregojnë publikisht kurrfarë shenje se ky paralajmërim i Hollbrukut ka arritur deri në veshët e tyre.


Të gjithë druajnë, shkruan “Indipendent”, madje edhe nëse paralajmëroni diçka të tillë, Kosova me të vërtetë do të jetë e humbur. Tani Serbia rrezikon sërish të karakterizohet si vend jostabil, ngapak tmerrues dhe i pasigurt për investime.


Dhe, siç pritet, nëse në zgjedhjet presidenciale në Serbi fiton partia ultranacionaliste, e cila angazhohet për kthimin e të gjitha territoreve serbe të humbura gjatë viteve nëntëdhjetë, atëherë sheqetësimi vetëm sa do të rritet.


Autori në “Indipendent” përfundon se fuqitë e mëdha duhet patjetër të caktojnë datën për pavarësinë e Kosovës dhe të punojnë në këtë drejtim se si të sigurojnë autonomi për bashkësinë serbe në Kosovë, ose të ofrojnë ndonjë alternativë madje edhe nëse do të nënkuptonte ndarjen në vija etnike.

NË PROTESTAT E FUNDIT NË KOSOVË KANË HUMBUR JETËN 24 PERSONA DHE 551 JANË PLAGOSUR

Prishtinë, 22 mars 2004 – Sipas bilancit më të ri të KFOR-it në Kosovë në protestat e fundit kanë humbur jetën 24 persona dhe 551 janë plagosur, prej tyre 22 në gjendje të rëndë. Në mesin e të plagosurve janë edhe 98 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së, si dhe 55 pjesëtarë të KFOR-it.


Ndërkaq, anembanë Kosovës janë djegur 27 makina të UNMIK-ut, 19 makina të SHPK-së dhe 24 makina të civilëve. Kështu kanë theksuar burimet e administratës së UNMIK-ut në Kosovë.

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË ÇIKAGO APELON TË RUHET MIQËSIA E KRIJUAR ME MUND ME SHBA-të

Çikago, 22 mars 2004 – Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan i Illinois-it, me seli në Çikago, në bashkëpunim me partitë politike dhe organizatat që veprojnë në këtë shtet, denon ashpër përshkallëzimin e dhunës dhe prishjen e rendit dhe qetesisë publike në Kosovë, kurse familjeve të viktimave u shpreh ngushellimet më të thella.


Ky komunitet, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë me Kosovën dhe me popullin e saj. Prandaj, ai apelon te populli i Kosovës që të mos bjerë në provokimet dhe kurthat e sherbimeve të huaja të cilat gjatë kohe janë të përgatitura dhe planifikuara nga qeveria serbe në Beograd që me çdo kusht të pengohet Pavarësia e Kosovës.


Ky komunitet apelon te populli i Kosoves që institucioneve te saj dhe atyre ndërkombetare t’u japë përkrahje të plotë në zgjidhjen e problemeve dhe në normalizimin e situates.


Ky komunitet denon ashper sulmet ndaj forcave ndërkombetare te KFOR-it dhe te UNMIK-ut si dhe djegjet e monumenteve fetare ne Kosove dhe fton popullin e Kosoves të jetë me tolerant ne situata të vështira.


Ne i kuptojmë veshtiresitë dhe pengesat e popullit te Kosoves, por, jemi të bindur se ekzistojne forma tjera demokratike per realizimin e qellimeve kombetare, te cilat , nuk kane kurgje te perbashket me dhunen.


Populli i Kosoves është i vetëdijshem për kontributin e Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe të aleatëve të saj në çlirimin e Kosoves. Prandaj, ky popull duhet të jetë i përgatitur të sakrifikojë edhe durimin. Populli i Kosoves, me institucionet vendore dhe ndërkombetare duhet të bashkëpunojë maksimalisht me qëllim që të ruhet miqësia e krijuar me mund, sidomos me ShBA-të.

LAJMI QË KAM SHKRUAR NË 22 SHTATOR  2006: KOSOVË, ARRESTOHEN SHTATË VETA PËR NGJARJET E MARSIT 2004

Në Kosovë janë arrestuar dje shtatë persona të dyshuar për pjesëmarrje dhe kryerje të veprave gjatë trazirave të marsit 2004. Zyra për informim e Shërbimit Policor të Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi është kryer me autorizimin e prokurorit, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga hetuesit e SHPK-së dhe ata ndërkombëtarë. Policia ka  bërë të ditur se hetimet janë të mbikqyrura nga prokurori kompetent, pa dhënë hollësi të tjera.

Deri tash për ngjarjet e marsit 2004 janë gjykuar dhe kanë marrë dënime të ndryshme rreth 240 persona. Trazirat e marsit, ku humbën jetën 19 veta e pati  qinda të plagosur, pasuan një ngjarje tragjike të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në veri të Kosovës.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë ka publikuar emrat e 11 shqiptarëve e 6 serbëve të vrarë gjatë protestave më 17 e 18 mars, si dhe emrat e tre fëmijëve shqiptarë të mbytur në Ibër më 16 mars, në rrethana ende të pandriquara.

Filed Under: Reportazh

Opinionin Publik, Shoqëria Civile dhe Media

March 20, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Duke e parë opinionin publik si një mishërim, si shprehës por dhe si arkitekt të fjalës së përbashkët për problemet më themelore të jetës, të prodhimit, të mënyrës së jetesës mund të themi se opinioni publik është përtej gazetave, radiove, televizioneve, shtypit të shkruar dhe radiove në distancë, është një emërues i përbashkët që gjithmonë e më shumë duhet kumton të përcaktojë disa nga piketat e qeverisjeve.
Opinioni publik mund të ndikojë shumë në vendimet e ligjvënësve. Parlamentet dhe Presidentet në mënyrë të kuptueshme duhet të janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në mbështetjen e publikut për qëndrimet e tyre në çështjen kombëtare. Një çështje themelore e qeverisjes është se në çfarë shkalle drejtuesit ekzekutiv dhe ligjvënës duhet të reflektojnë opinionet e zgjedhësve të tyre në raport me gjykimin e vlerësimin e tyre lidhur me interesat kombëtare.
Ka një sërë përfitimesh që lidhen me përfshirjen e qytetarëve në procesin e politikëbërjes. Përveç transparencës, përgjegjshmërisë dhe legjitimitetit, arritja e mirëkuptimit midis komuniteteve dhe vendimmarrësve duhet konsideruar si qëllimi final i pjesëmarrjes së publikut në procesin e politikëbërjes. Ndërtimi i konsensusit midis qeverive dhe komuniteteve çon në një politikë publike gjithëpërfshirëse, demokratike dhe mbi të gjitha të një cilësie të lartë, e cila reflekton interesin publik përballë axhendave politike në nivele të ndryshme qeverisëse. Pjesëmarrja e qytetarëve ndihmon në zgjidhjen efektive të konflikteve jo vetëm në nivel kombëtar por edhe në nivel global.
Të drejtosh në nivelin kombëtar nuk është e lehtë. Dhe kjo për disa arsye, në radhë të parë jo të gjitha parashikimet, rregullat, ligjet apo normat e vendosura nga kjo instancë janë plotësisht të aplikueshme, zbatueshme apo i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të popullsisë, të asaj shtrese që edhe e ka votuar e zgjedhur këtë nivel për ta drejtuar. Nga ana tjetër, nevojat për parashikime dhe planifikime lindin në jetën e përditshme, në aktivitetin e gjallë dhe konkret të punës së njerëzve dhe sidomos të atyre që merren direkt me prodhimin e të mirave materiale. Njëkohësisht, përvojat mbarëbotërore kanë treguar se, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e publikut në politikëbërje dhe qeverisje aq me produktiv dhe efektiv do të jetë rezultati.
Udhëheqësit e këtyre niveleve duhet në mënyrë të vazhdueshme të shqyrtojnë vendimet dhe veprimet e parashikuara prej tyre, ndikimin që vendime dhe veprime të tilla mund të kenë në gjendjen shpirterore të publikut, në grupet mbështetës, në elementët e shoqerisë, që ka mundësi të preken, përfshirë këtu edhe organizatat e ndryshme dhe median. Media duhet që të japë një vështrim të balancuar të gjithë situates. Në të vërtetë ndodh se, media jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve demokratike, beson se ato po bëjnë më të mirën për shoqërinë. Megjithatë, të mos harrojmë se ato merren me biznesin e plotësimit të dëshirës dhe kërkesës së publikut për lajme, që do i tërheqin lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit e tyre.
Media, natyrisht që të do përgatisë kronikën dhe do të bëjë njoftimin e lajmeve. Media mundet që të ndikojë shpejt e në mënyrë dramatike opinionin botëror dhe vetë politiken.
Shoqëria civile përfshin një numër të madh shoqatash vullnetare dhe lëvizjesh shoqërore, të cilat përfaqësojnë interesa të ndryshme shoqërore dhe lloje të ndryshme veprimtarish. Me fjalë të tjera njerzit vullnetarisht formojnë grupe për të avancuar vlerat dhe interesat e tyre, dhe angazhohen në jetën publike jashtë. Megjithëse përgjithësisht me këtë term, i referohemi organizatave jo fitimprurëse, koncepti i shoqërisë civile është më i gjërë dhe ai mund të përfshijë gjithashtu grupet e mbrojtjes, grupet e interesit, kishat dhe grupet fetare, shoqëritë profesionale, shoqëritë akademike, grupimet e grave, grupimet rinore, sportive dhe çdo formë tjetër të grupimeve shoqërore vullnetare.
Në përgjithësi shoqëria civile vlerësohet si tepër e rëndësishme për procesin e demokratizimit dhe është shprehje e këtij procesi. Ekzistenca e një shoqërie civile energjike është e domosdoshme për shoqëritë demokratike, dhe ato u kujtojnë udhëheqësve politik se kur duhet të marrin vendime të rëndësishme për politikat shtetërore, duhet të kenë parasyshë një larmi kërkesash që në shumicën e rasteve janë dhe kunkuruese.
Institucionet akademike, grupet e ekspertëve, (Organizatat jo fitimprurëse) OJF-të që merren me të drejtat e njeriut, por edhe ato të politikës në përgjithësi, kanë mundësi të plota për të ushtruar gjithë ndikimet e tyre tek vendimet dhe politikat që ndiqen dhe merren në fushën e sigurisë, dhe qeveritë duhet t’i mbështesin të gjithë këto organizma jo thjeshtë që të ndihmohen në një vendimarrje më të plotë por edhe si një shprehje e transparencës së saj ndaj publikut.
Shoqëria civile është sot një koncept i rëndësishëm në analizën e politikave bashkëkohore, dhe sot ajo duhet të jetë një faktor thelbësor në ndihmën për kufizimin e qeverisjes autoritare, forcimin e pjesmarrjes politike të njerëzve, interesin mediatik dhe në ushtrimin e presionit për të arritur llogaridhënien politike. Sot organzatat e shoqërisë civile, shërbejnë si kanale për të shprehur diversitetin dhe ndonjëherë interesat sociale kontradiktore ose konfliktuale në një demokraci.
Organizatat e shoqërisë civile janë shumë të rëndësishme, për arësye se anëtarët e tyre mund të posedojnë ekspertiza të specializuara për aspekte të qeverisjes dhe të çështjeve të sigurisë dhe mund të përfshijnë edhe departamentet e universiteteve, institucionet akademike, shoqëritë profesionale, grupet e të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, grupet e paqes, gazetarë, etj.
Organizatat e shoqërisë civile mund të asistojnë qeverinë në gjetjen e përgjigjejeve dhe qasjeve për çështjet e politikave publike. Ndërmjet diversitetit të pikpamjeve dhe eksperiencave që ato përfaqësojnë, imputi i tyre mund të ndimojë për të bërë politikbërjen e qeverisë më përfshirëse, dhe duke shërbyer si burim shtesë i analizës dhe informacionit mbi politikën dhe vendimarrjen e qeverisë, hetimi publik nga ana e organizatave të tjera të shoqërisë civile, kontribuon në një qeverisje më efektive.
Ato ndikojnë në problemet e qeverisjeve në shumë drejtime si: Duke shpërndarë në parlament, media dhe publik analiza dhe informacione të pavarura për prolemet e politikëbërjes; Duke monitoruar dhe inkurajuar respektimin e studimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut; Duke futur në kalendarët e veprimtarisë së tyre çështje të sigurisë që janë të rëndësishme për shoqërinë; Duke organizuar kurse kualifikimi dhe seminare, për parlamentarë, përfaqësues të medias por edhe për persona që dëshirojnë të trajnohen në këto fusha; Duke paraqitur pikpamje alternative nga ekspertët e politikave përmes nxjerrjes së debatit publik; Duke dhënë informacion për vendimet e legjislativit dhe ekzekutivit në lidhje me politikën e sigurisë kombëtare.
Qytetaret mund të marrë pjesë dhe duhet që të marrin në veprimtaritë e shoqërisë civile i nisur nga nevojat shpirtërore personale për realizimin e vetvetes. Koncepti i shoqërisë civile parimisht e përjashton veprimtarinë prodhuese që drejtohet drejt përmbushjes së nevojave materiale të qytetarit. Tendenca është për të përjashtuar nga hapësira e shoqërisë civile organizimet fitimprurëse, si ndërmarrjet tregtare apo prodhuese dhe për të përfshirë në të lëme të tilla si kultura, shkenca, arsimimi, feja, sporti, shërbimet e përkujdesjes sociale etj, që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me prodhimin dhe fitimin material.
Për këtë arsye, sindikatat dhe organizime të tjera me bazë profesionale bëjnë pjesë në shoqërinë civile për aq sa ndikimi i tyre kapërcen lëmin e punës dhe i lidh anëtarët e tyre me interesa më të gjera shoqërore dhe politike. Përfundimisht, mund të thuhet se në shoqërinë civile ndodhemi atëherë kur nuk votojmë ose paguajmë taksat, që janë veprimtari të lidhura me shtetin, dhe atëherë kur nuk jemi duke punuar, prodhuar ose blerë, që i përkasin rrafshit fitimprurës dhe përmbushjes së nevojave materiale. Nëse këto ndodhin, siç ka tendenca kohet e fundit, nuk mund të themi më se kemi shoqëri civile.
Partitë politike si bashkime vullnetare me synime për të ruajtur ose marrë pushtetin shtetëror për realizimin e programeve të tyre lokalizohen diku ndërmjet shoqërisë civile dhe shtetit, duke i ndërthurur të dy lëmet dhe duke shërbyer si një hallkë lidhëse midis tyre.
Ideja e vetërealizimit të lirshëm të qytetarit me anë të zhvillimit të potencialeve vetjake në një hapësirë ku ai është i mbrojtur prej ndërhyrjes së shtetit, e afron idenë e shoqërisë civile me utopinë marksiste të zhdukjes së shtetit në etapën e komunizmit. Por në të vërtetë, për krijimin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë civile nevojitet një shtet i konsoliduar ligjor, i cili duhet të garantojë ndarjen rigoroze të shoqërisë civile prej shtetit dhe ekonomisë. Një shtet i tillë duhet të jetë neutral përsa i përket pyetjes: “Cila është jeta më e mirë?”, përgjigjen e së cilës duhet ta kërkojë e ta gjejë çdo qytetar për veten e tij duke ndërvepruar me qytetarët e tjerë në shoqërisë civile.
Shteti duhet të sigurojë mosprekjen e të drejtave të qytetarit, të jetë garantues i kontratave shoqërore që qytetarët lidhin me njëri-tjetrin dhe të ndëshkojë veprimet që dëmtojnë lirinë e të tjerëve ose bien ndesh me rendin publik. Midis shoqërisë civile dhe shtetit në kohën tonë nevojitet vendosja e një barazpeshe mjaft delikate që duhet ruajtur me kujdes. Kur shteti dhe shoqëria civile janë të dy të shëndoshë, ata shërbejnë si dy shtylla ku mbahet dhe është frytdhënës rendi demokratik. Kur shoqëria civile është e fortë dhe shteti i dobët, ky i fundit nuk mund të përmbushë kërkesat që lindin në shoqërinë civile dhe për pasojë nuk mund të përmbajë konfliktet që lindin në të. Kur shteti është më i fortë dhe shoqëria civile e dobët, kemi rrezikun e kapërcimit të kompetencave shtetërore dhe vendosjen e një qeverisjeje autoritare, madje diktatoriale. Më katastrofike është situata kur shoqëria civile dhe shteti janë që të dy të dobët përballë veprimeve të pakontrolluara të individëve të udhëhequr vetëm nga interesi vetjak. Në një rast të tillë, jo vetëm që nuk bëhet më fjalë për ruajtjen e rendit dhe të mirëqenies të qytetarëve, por është rreziku që shoqëria ekzistuese të shkërmoqet.
Diversiteti i pafund i formave të aktivizmit qytetar dhe ndikimi i tyre mbi politikat, për pjesën më të madhe reflekton shumëllojshmërinë e konteksteve, tendencat aktuale dhe sfidat e së ardhmes.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1254
  • 1255
  • 1256
  • 1257
  • 1258
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT