• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR ISHULLIN E SAZANIT

March 20, 2024 by s p

Asllan Bushati/

Ishulli i Sazanit është pjesë shumë e rëndësishme e teritorit të Republikës së Shqipërisë, si edhe bazë ushtarake e rëndësisë së veçantë. Masmedia këto ditë e ka nxjerrë pa pritur si të thuash në “shitje’. Gjëja e parë që të shkon në mendje është kjo: është një e vërtetë apo një truk për të larguar vemendjen e opinionit nga “patatet e nxehta të momentit”? Në se është truk “hallall e paci” se ka plotë të pamend që ju ndjekin qorrazi nga pas prej kaq kohësh. Por në se është e vërtetë, unë si shqiptar dhe si ish komandant ushtarak i atij teritori, protestoj hapur kundër kësaj ”shitjeje”, duke e konsideruar vehten (si shumë të tjerë) pronar për aq sa më takon, si një nga 6 milion shqiptarët në trojet etnike. Në këto kushte prirem të kërkoj përgjigje nga Kryeministri për sa më poshtë: Ky problem a është diskutuar më parë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare (USH) dhe në se po, cili është mendimi i tij dhe vecanërisht i specialistëve të fushës operacioneve? A është pyetur Kamandanti Përgjithshëm (Presidenti) i cili është autoriteti numër një për fushën e sigurisë kombëtare? A është pyetur Shtabi i NATO-s dhe së fundi a është pyetur Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së se ndoshta ata kanë plane perspektivë për ta përdorur ate si një bazë ushtarako detare jo permanente?

Me këtë rast dëshiroj të cfaq disa mendime, të cilat mund të mos kenë asnjë peshë në vendimmarrjen e ardhëshme, por si ish ushtarak i lartë në USH dua ta kemë ndërgjegjen të pastërt se e kam thënë hapur mendimin tim.

Kujtoj këtu se në shtator 1992 në Ishullin e Sazanit kam përgatitur e drejtuar një stërvitje të madhe me trupa dhe me qitje luftarake me të gjitha llojet e armëve dhe me pjesmarrjen e Divizionit “Labria”, Bazës Ushtarako Detare (BUD) të Vlorës dhe regjimenti i aviacinit gjuajtës bombardues i Bazës Ushtarako Ajrore (BUA) të Kucovës. Stërvitja kishte si qëllim aftësimin luftarak dhe bashkpunimin në operacion sepse lufta që po zhvillohej në Kroaci e Basnje pritej të zbriste në Kosovë e për rrjedhojë edhe në Shqipëri. Të pranishëm në stërvitje ishin Presidenti Sali Berisha, Ministri Mbrojtjes Safet Zhulali, dhe kuadrot kryesore të Shtabit Përgjithshëm dhe të njësive operative. Stërvitja ishte plotësisht e suksesëshme ku segmente te vecanta të së cilës u transmetuan edhe në TV kombëtar.

Për këtë stërvitje me sa duket ishin njoftuar edhe atashetë ushtarak të akredituar në atë kohë në Shqipëri. Kështu si rastësisht më pyeti për të, atasheu ushtarak britanik me rezidencë në Romë por që ndiqte edhe bashkpunimin me USH-në. Pyetja ishte: në rast se flota ruse e Mesdheut tenton të futet në ujrat e Adriatikut për ti ardhur në ndihmë Milloshevicit a mundet që USH-ja të bashkpunojë ushtarakisht me forcat e NATO-s? Përgjigja ime ishte: të drejtën për të shpall luftë e ka Parlamenti me propozimin e Presidentit. Në rast se kjo ndodh bashkpunimi është i mundur.

Në pranverën e vitit 1993 vjen për vizitë në Shqipëri edhe në Ishullin e Sazanit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Zoti Manfred Vërner. Për nder të tij u demostruan pjesë nga stërvitja e shtatorit 1992 të cilat ai i vlerësoi si shumë të suksesëshme. Në mbarim të demostrimit në prezencë të Presidentit, Ministrit dhe Shefit Shtabit Përgjithshëm, Zoti Vërner më pyeti mua si Komandanti i Divizionit pikërisht pyetjen që më kishte bërë 6 muaj më parë atasheu ushtarak britanik në se flota ruse hyn në Adriatik? Unë i thashë përgjigjen mund ta ja kërkoni Presidentit Shqipërisë, unë jam vartës i Shefit Shtabit Përgjithshëm. Presidenti Berisha më tha ti përgjigjesha pahezitim. Atëherë unë i thashë: Po është e mundur në qoftë se operacioni bëhet njëherëshi nga brigjet italiane dhe shqiptare dhe konkretisht nga Sazani dhe Otranto dhe nga Shëngjini e Brinisi si një pritë e madhe detare dhe më pas nga Durrësi e brigjet italiane të nis sulmi për asgjësimin përfundimtar të forcave të kapura në pritë. Zoti Vërner duke më shtërnguar dorën më tha ju falenderoj shumë dhe këtë mund ta quajmë fillimin e një bashkpunimi midis partnerësh. Shënoje si ide i tha shoqëruesit të tij.

Gjatë presidencës së Zotit Obama në SHBA, pati zëra se amerikanët mund të tërhiqeshin përfundimisht nga Baza Ushtarake e Bonstillit në Dardani duke ja lënë ate një antari tjetër të Nato-s (emër konkret). Të shqetësuar për këtë zhvillim, së bashku me disa miq të tjerë i kërkuam ish kongresmenit Xhozef DioGurdit (Joseph GioGuardi) të na mundësonte të takoheshim me senatorin Xhon Mekein (John McCain) e cila shpejt na u mundësua në Manhattan NY. Senatorit të nderuar që ishte dhe Kryetar i departamentit të Sigurisë, i spiegova se ne shqipratër ndjehemi të tradhëtuar nga amerikanët në se ata largohen nga trojet shqiptare (Kosova). Madje shtova se sygjeroj që edhe bazat ushtarake ajrore te Gjadrit e të Kucovës të riparohen e ti vihen në dispozicion NATO-s. Po ashtu bazat ushtarako detare të Sazanit e Pashalimanit të bëheshin pjesë e aleancës me prani të përherëshme amerikane. Vec sa më lart fusha e Bizës Martaneshit të përgatitej si një bazë e helikopterve të NATO-s me rreze të gjatë veprimi. Senatori i nderuar na i përkrahi mendimet dhe na premtoi se do ti shihte me përparësi.

Kur në Mitrovicë erdhi nga Beogradi një tren me mbishkrime fyese e provokuese për shqiptarët, i kërkuam takim kongresmenit Dana Rohrabacher (ish kryetar i Depatramentit te jashtëm te Kongresit Amerikan) edhe një herë ato ceshteje që ja kishhim kërkuar senatorit Xhon Mekein. Ai na dëgjoi me vemendje, na premtoi përkrahje dhe mua më tha ti shkruaja në një gjysëm faqe kërkesat ushtarake. Ashtu bëra dhe ata duhet të jenë në zyrat e Departamentit të Sigurisë.

I thashë këto gjëra, (disa edhe sekret më parë por jo tani) se gjykoj se Ishulli Sazanit nuk është vetëm në planet e turizmit e të biznemenëve të vecantë amerikan (qofshin ata edhe bij e dhëndurrë presidentësh), por edhe ne tavolinat e “skifterëve “ të Pentagonit. Prandaj lypset të mos fluturojmë, por të ecim me këmbë në tokë e me mend në kokë. Mund të kërkohet edhe për mundësi të tjera që Ishulli Sazanit të ruaj strukturën e të qënurit bazë ushtarake e rëndësisë vecantë, dhe të adapotohet si objekt pushimi për ushtarakët në detyrë e në pension (madje edhe të partnerëve) në plazhin e vogël që ka dhe të krijohen pishina me ujë deti duke shtuar hapsirën pushuese.

Shkurt, në ceshtjet teritoriale e ushtarake lypset të mos bëjmë avantura.

Filed Under: Rajon

Prioritetet e OKB për barazinë gjinore

March 20, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Vijojnë të mbahen në New York punimet për sesionin e 68 të Komisionit për Statusin e Grave. OKB e kanë njohur muajin Mars si muajin e Gruas dhe kudo në botë organizohen konferenca e tubime për të drejtat e tyre. Kjo është mbledhja më e madhe vjetore e OKB për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave nën temën prioritare “Përshpejtimi dhe arritja e barazisë gjinore, duke adresuar varfërinë dhe forcuar institucionet”. Fokusi kryesor i këtyre takimeve është trajtimi i varfërisë dhe financimit, sipas statistikave të OKB globalisht 10.3 % e grave sot jetojnë në varfëri ekstreme dhe janë më të varfëra se burrat. Progresi drejt përfundimit të varfërisë kërkon investim në politika që adresojnë pabarazitë gjinore. Për të arritur suksesin deri në vitin 2030 angazhimet e vendimarrjet duhet të jenë shumë herë më të shpejta.

Me këtë rast OKB dhe OJQ e grave sëbashku janë duke zhvilluar programe tërheqëse me folës dhe ekspertë të qeverisë, OJQ dhe aktiviste nga e gjithë bota për të rënë dakort mbi veprimet dhe investimet që mund t’i japin fund varfërisë së grave dhe të avancojnë barazinë gjinore. Për të ndjekur nga afër punimet e këtij sesioni është ftuar edhe Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane “Shpresë & Paqe” në SHBA. Referuar materialeve informative dalë nga OKB mësojmë se ky program gjithashtu synon të aplifikojë zërat dhe përvojat e grave dhe vajzave rurale nga rajone të ndryshme dhe të përforcojë rolin e tyre. Fuqizimi i grave baritore në zonat malore shihet si pritshmëri e sfidave mjedisore dhe gjinore.

Rajonet malore në Europë strehojnë jo vetëm bukuri natyrore mahnitëse por edhe komunitete që kanë të rrënjosura thellë traditat baritore. Për shkak të rolit jetik që luajnë, fuqizimi i grave në komunitetet baritore është një strategji e pazëvëndësueshme dhe thelbësore, pasi siguron qëndrueshmërinë e blegtorisë dhe zhvillimet efektive ndaj kërcënimeve ekologjike dhe sociale. Sipas fushave të përcaktuara panelistet ishin veterinere, përfaqësuese të shoqatave bujqësore, blegtore, djathëbërëse, baresha nga Austria, Italia, Spanja, Rumania, Armenia etj. Disa nga punimet e këtij komisioni po mbahen online, ku përveç të drejtave të tyre gratë dhe vajzat janë bashkuar për të nderuar të kaluarën e punës së tyre dhe për të fuqizuar të ardhmen.

Në kuadër të Sesionit të 68 për Statusin e Gruas edhe Konsullata Italiane në New York në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Italiane në New York, organizuan një drekë pune me kreun e delegacionit italian për samitin e W7 Martina Rogato dhe Presidenten e W7 Claudia Segre, W20, avokate, gazetare të televizionit amerikan dhe lidere të OJQ të grave nga vende të ndryshme të botës. E ftuar dhe prezente në këtë event ishte edhe Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” .

Për të nxjerrë në pah fuqinë dhe potencialin e grave kudo në botë ky forum shërben si një platformë dinamike për dialogun, avokimin e bashkëpunimin e OJQ dhe palëve të interesuara, të përkushtuara ndaj drejtësisë dhe barazisë gjinore, kundër trafikimit njerëzor, ku hyn edukimi, shkollimi dhe punësimi, pasi në solidaritet hartohen ura drejt një të ardhmeje ku çdo grua mund të lulëzojë. Mos të harrojmë dinjitetin dhe bujarinë e grave dhe vajzave kudo në botë që pasqyrojnë angazhimin e përbashkët për avancimin e të drejtave njerëzore.

Filed Under: Komente

Masakra e Tivarit

March 20, 2024 by s p

Uran BUTKA

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Masakra e Tivarit e 31 marsit 1945 është një nga plojat më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar kundër shqiptarëve. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me shtetin komunist shqiptar.

Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, hercegovinas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.

Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore u bënë program dhe veprim konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë”.

Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre.

Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaro-madh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.

Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithë më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër në Kosovë, për ripushtimin e dhunshëm të saj, pas mbarimit të kësaj gjëje mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.

Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.

Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V.Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç.

Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë.

Po në këtë datë, mentori i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I:

“Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviç, shën.im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!”.

Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:

“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”.

Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata e të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas “Besa Kombëtare” dhe Organizata NacionalDemokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare.

Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.

E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.

Në muajin nëntor 1944, u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV dhe Divizioni VI (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve.

Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:

“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjakatorëve, do të dënohet…”

Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovice e Drenicë, e dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç. Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem ishin prologu i masakrës së Tivarit.

Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak.

Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare triumfin dhe forcimin e pushtetit jugosllav.

Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.

Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz. V dhe VI tek ushtria jugosllave.

Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës;

Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë.

Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar.

Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin te ushtria jugosllave.

Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:

“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.

Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, përfundonin si robër lufte , me të cilët komanda e ushtrisë jugosllave mbushte kolonat ushtarake, që i dërgonte në Srem apo në Tivar. Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.

Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut, ishin 13.323 rekrutë shqiptarë. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur “Golgota e madhe Shqiptare”, konstatonte Zekeria Cana.

Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:

“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.

Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:

“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”.

Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu:

“Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin.”

Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.

Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë , jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Ne nuk na konsideronin as si kope bagëtish.

Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie. Kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj.

“Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, deri sa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!”.

Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër, gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.

Në mesditën e datës 31 marsit 1945 në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.

Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.

Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë.

Edhe nga Kolonat e tjera me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën. Kolona e tretë me 2.680 shqiptarë të rekrutuar nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova etj. u nis më datën 27 mars 1945 e përcjellë ushtarakisht nga një batalion i Brigadës 27 të Jugosllavisë. Sipas raportit të shtabit të Divizionit 46, gjatë rrugës se kalvarit nga Prizreni ku ishin grumbulluar e deri në Shkodër nga Kolona e tretë humbën nga sëmundjet, uria dhe torturat 170 rekrutë shqiptarë, pjesa tjetër u masakrua thuajse plotësisht në masakrën e Tivarit më 31 mars 1945 dhe në rrugëtimin e tutjetushëm.

Luftëtari i Brigadës IV, mandej ushtarak i lartë i ushtrisë Jugosllave në Shkup, Bajram Gola, i cili u mor me kurajë me studimin dhe denoncimin e masakrës së Tivarit, sjell fakte dhe dëshmi nga kjo plojë e përgjakshme: “Përgjatë rrugës Prizren, Kukës, Shkodër, Ulqin Tivar do të mbesin gjurmët e përgjakshme të gjakut. Të lodhur e të rraskapitur nga udha e gjatë, të uritur, të djegur e të përvëluar nga etja, për shkak se nuk iknin as të pinin ujë as t’i kryenin nevojat fiziologjike. Pasi arritën në Tivar i vendosën në mes të detit dhe mitralozave të Brigadës X malazeze rekrutët shqiptarë, që i kishin përcjellë nënat shqiptare të luftonin për çlirimin e Jugosllavisë”.

Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, numrit prej 2933 vetash të masakruar në Tivar, Trogir, Dubrovnik etj., po t’i shtosh shifrën prej 1000 shqiptarësh të vrarë e të zhdukur në Shqipëri, sipas dokumenteve jugosllave e shqiptare, rezulton shuma prej 3933 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e quajtur të Tivarit.

Filed Under: Opinion

Osmani i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Do të dalësh sërish i dështuar

March 20, 2024 by s p

M.Shefkiu/RTKLive/

Deklaratave kërcënues të presidentit të Serbisë se “do ta sulmojë Kosovën”, i është përgjigjur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila thotë se Vuçiq do të dal sërish i dështua. Osmani tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që Vuçiq i ka dhënë duke kërcënuar Republikën e Kosovës.

“Deklarata që u publikua mbrëmë është vazhdimësi, njësoj si edhe në të kaluarën, ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje, që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës, kanë dështuar”, deklaroi presidentja Osmani.

Ajo përmendi sakrificën e popullit të Kosovës dhe luftës çlirimtare, por edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbrojtur, siç tha ajo, vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë.

“Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës jemi me fat e të bekuar si popull që në krahë kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Kështu që Vuçiq, sipas saj, sërish do të dështojë, mirëpo përmes këtyre deklaratave ai po shpërfaq një fakt shumë të rëndësishëm, që “është që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”.

Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës.

Filed Under: Ekonomi

SHËNIME ME RASTIN E 303 VJETORIT TË SHKUARJES NË AMSHIM TË PAPA KLEMENTI XI (1721-19 mars-2024)

March 20, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Mund të thuhet pa drojtje se ekzistenca e shqiptarisë në shekujt XVI-XVIII-të, ka qenë më në zgrip se kurrë. E kjo pasi pushtuesi Otoman jo vetëm ishte instaluar dhunshëm, por mbi të gjitha ishte “betonuar” me një “mur” të pakapërcyeshëm, jo vetëm nga shqiptarët e mbyllur këtu, por edhe nga pjesa tjetër e Europës që u zgjonte “kureshtje” qytetërimi e besimi që po “lulëzonte” pikërisht në zemër të Europës… Ato kohë në të vertet shpesh kishin qenë të ligështa edhe për vetë Europën, e cila për të shpëtuar veten, të paktën heshte para sakrifikimit e martirizimit që i bëhej një prej popujve më të vjetër të saj, arbëro-shqiptarëve, ku për 25 vite me radhë (1443-1468) me në krye Gjergj Kastriotin Skenderbe kishin luftuar me guxim kundër perandorisë turke-osmane për mbrojtjen e trojeve arbënore, por edhe të atyre europiane… Fatësisht në këto momente kritike për ne arbënoro-shqiptarët u zgjodhë në vitin 1700 në krye të selisë së shenjte Gjon Françesk Albani , që do të merrte emrin fetar Papa Klementi XI.

PAK HISTORI FAMILJARE!

Historia familjes ALBANI (nga Kurbini), sipas shumë studiuesve fillon që në kohen e Gjergj Kastriotit –Skenderbeu . Si paraardhesi i Papa Klementit XI njihet fisniku Mikel Laçi , i cili kishte dy djem ; Gjergj Mikel Laçin dhe Filip Mikel Laçin (që njihen si luftetar të shquar të ushtrisë së Skenderbeut). Këta dy arbër emigruan në Urbino të Italisë. Gjergi në Itali pati dy djem ; Altobelin dhe Hanibalin. Edhe Altobeli kishte dy djem ; Horacin dhe Karlin. Karl Altobel Gjergj Mikel Laçi është babai i Gjon Françesk Albanit (Papa Klementit XI). Mbiemrin Albani trashigimtaret e familjes “Laçi” filluan ta marrin rreth një shekull pas emigrimit në Itali. Fillimisht trashigimtaret e Mikel Laçit muaren mbiemrin Albanesi ,që “dalngadal” e bënë ALBANI…

NËPËR JETSHKRIMIN E PAPA KLEMENTIT XI.

Jetshkrimin e Papa Klementit XI mendova t’a filloj me Biografin e njohur të këtij Papë, francezin Reboulet, i cili në veprën (monografinë) e tij “Historia e Klementit XI”, ndër të tjera ciotoj: “Gjon Françesk Albani lindin në Urbino (Itali) me 23 korrik të vitit 1649. Familja fisnike Albani e kishte origjinën në Epirin e Vjetër, domethënë Shqipërinë e sotme. Gjon Françesk Albani, pasi u shkollua me një pasion të pashoq, arriti të laurohet po në Urbino të Italisë nga ku dhe i hyri karierës Kishtare, ku edhe hyri në shërbim të Rietit, Sabinës dhe Orvietit për rreth shtatë vjet. Pas kësaj për aftësitë e tij u bë Sekretar i letrave Papnore, ku qëndroi derisa u zgjodh Papë. Gjon Françesk Albani u zgjodhë në krye të selisë së shejtë me daten 23 nëntor të vitit 1700 ,duke filluar zyrtarisht ketë detyrë hyjnore e “toksore” me daten 08 dhjetor (1700), si Papa i 243 në historinë e Selisë së shejte.. Zgjedhjen e Gjon Françeskut si Papë padyshim e kishte ndihmuar Papa paraardhës Aleksandri VIII, që në fakt këtë besim edhe tek mbarë kristianizmi e shpërbleu me punën e tij doktrinare në shërbim të fesë e njerëzimit. Papa Klementi XI u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me inisiativën e tij u mblodh kuvendi i Peshkopëve Katolikë të Ballkanit nën kryesinë e Imzot Vincent Zmajevskut, Kryepeshkop i Tivarit dhe Primat i Kishës. Kështu filloi “rekrutimi” i djelmoshave shqiptarë që mësuan me u ba priftën në Kolegjin e Assisit. Ata u bënë misionarë të Shën Françeskut. Ky ishte një fitim i madh për Nacionalizmin dhe kulturën shqiptare, pasi Kleri Katolik ishte i pari që filloi me shkrue në gjuhën amtare dhe krijoi monumentin e parë të letërsisë shqipe…”. Papa Klementi XI në këtë detyrë të shenjtë qëndroi 21 vjet,(deri sa nderroi jetë me 19 mars 1721) , duke mbetur në histori si një ndër Papët më të sukseshëm të historisë Papale, por edhe i katerti papë më jetëgjatë në historinë e papatit deri sot në fillimet e shekullit XXI. ( I pari Shen Pjetri 35 vjet , I dyti Papa Piu i IX me 31 vjet I treti Papa Gjon Pali II me 26 vjet dhe i katërti Papa Klementi XI me 21 vjet)… Vlenë të cilësohet se kur Gjon Françesk Albani u zgjodhë Papa Klementi XI, meshtari i njohur arbër Imzot Vincent Zmajeviku, ndër të tjera do të shkruante: “O Shenjt atë Papë nën hijen tënde dheu i Shqipënisë po gazmohet, se mbas shumë vitesh po hynë të marri frymë e të çeli sytë… nën një Papë shqiptar po del në dritë e mezi ç’pret me fitue emrin e Lumninë. Ndërkaq unë me gjithë Popullin e Shqipërisë i lutemi Zotit që ty, Papë shqiptar të ruaj për gjatë e mot me jetë e shëndet, për të mirën e Kishës e për fatin e mirë t’anin…” Megjithatë duhet theksuar se kjo zgjedhje u prit me gëzim jo vetëm nga Bota Katolike, por edhe nga ajo jo katolike, ku vetë Pashai i Kajros e sundimtari i Bitinjes, shkruan G. Moroni, e priti jo pa gëzim për lumninë e Zotsinë që kishin “Shtetasit” e Perandorisë… Froni i Papës kishte një rëndësi të veçantë si dhe sot, pasi ky ishte froni i trashëguar nga Shën Pjetri (një ndër Apostujt e Jezusit dhe përhapësit e doktrinës Kristiane në Botë). Përveç sukseseve që i ka shkruar historia në zhvillimin e shenjtërimin e doktrinës së Jezu Krishtit në mbarë Botën e veçanërisht në atë Katolike, rëndësi ka se ai që kur hipi në fronin e Shenjtë të Papës, në Selinë e Shenjtë, “tregoi” origjinën e tij shqiptare dhe shprehu interesin e tij për të mbrojtur mbarë shqiptarët e të gjitha besimeve e veçanërisht organizimin e atyre me besimin Katolik kudo në Shqipëri. Papa Klementi XI në vitin 1703 urdheroi zhvillimin e kuvendin e dheut të Arbërit.. Ku ky kuvend krahas problemeve të “ngushta” fetare, nën kryesinë e Imzot Vinçent Zmajeviku-t që ishte edhe Kryepeshkopi i Tivarit dhe Primat i kishës katolike shqiptare, ndër të tjera vendosi që shënimet në regjistrat shqiptarë të bëhen në gjuhën shqipe, si dhe meshët të thuhen po në gjuhen shqipe .. Gjithashtu u vendos zbatimi pa ekuivok i sakramenteve të shenjta. Këto vendime shqiptarin kristian (katolik) do ta kthenin në rrugen e Zotit… Duke filluar po nga ky vit (1703) Papa Klementi XI ndihmoi në përhapjen e letërsisë fetare në gjuhën shqipe.. Me kujdesin e Papa Klementit XI më 1711 u hap katedra e gjuhës shqipe në shkollën e Montorinos në Romë (Itali). Po nën urdhëresën e këtij Papë me origjinë shqiptare, në vitin 1720 në Voskopojë u themelua shkolla e mesme e quajtur “Akademia e Re”, si dhe u hap edhe një shtypshkronjë, duke e bërë këtë qytet shqiptar qendër të rëndësishme kulturore e fetare për kohën.. Gjithashtu ky Papë me origjinë shqiptare arriti të ndihmojë e sensibilizojë Europën në luftën e madhe që bënte në këto vite Malësia e Madhe e veçanërisht Fisi i Kemendit kudra Turkut. Por një ndihmë e përkrahje të pakursyer dha ky Papë edhe për Himariotët (që në ato vite ende ruanin besimin Kristina-Katolik), duke i ndihmuar të hapnin shkolla e Kisha të reja e ruajtur të vjetrat, duke e bërë kështu këtë trevë shqiptare vatër Feje e atdhedashurie. Padyshim autoriteti i Papës ishte mjaft i madh aq sa çoi peshë jo pak në Venedik , Austri e tjera vende europiane të kohës që kishin kontribuar deri në një fare mase në mbrojtje të besimit e të drejtave të shqiptarëve që donin t’i merrnin nëpër këmbë pushtuesit Osmanë, ku për të mos hapur fronte të reja lufte e armiqësie dalëngadalë kjo perandori erdhi duke u zbutur e bërë më “tolerante”.. Në këtë kohë me ndihmën e Papës shqiptar nga vendi jonë filluan të “rekrutohen” djelmosha shqiptarë të cilët shkuan të shkollohen në kolegjin e Assisit, duke u bërë kështu misionarë të Shën Françeskut dhe barinjtë shpirtërorë të Grigjës katolike deri atëherë mjaft të çorganizuar. Gjithashtu po në fillim të shekullit XVIII nën kujdesin e Papa Klementit XI u krijua Kongregacioni i propagandës Fide, ku padyshim edhe shënon kthesën e qëndresës pa-kthim dhe organizimin më të lartë të komunitetit katolik i cili trashëgonte virtytet më të mira të Shqiptarisë. Gjithsesi tashmë Katolikët në veçanti e shqiptarët në përgjithësi kishin një Engjëll mbrojtës që ishte Papa shqiptar dhe Selia e Shenjtë që ishte i vetmi vend ku shqiptarët mundeshin të hynin pa “trokitur”. Natyrisht Papa Klementi XI, nuk ishte thjeshtë një Papë që kishte për mision vetëm mbrojtjen e popullit të tij.. Misioni dhe veprmtaria e Papa Klementit XI ishte jashtëzakonisht e madhe dhe e sukseshme në shërbim të njerëzimit e shenjtërimit të jetës tij jo pak të trazuar nepër Botë…Historia e jetes dhe vepres së Papa Klementit XI në krye të Selisë së Shenjtë ka të memorizuara dhjetra misione e vizita baritore në Abisini, në Afrikën Veriore, në Persi, në Indi, Japoni, Kinë, në Amerikën Jugore, Meksikë, Kaliforni etjerë etjerë që tregojnë punën e palodhshme e të guximshme të këtij Papë me origjinë shqiptare, që vetë gjaku nga rridhte ia shtonte dhuntinë e guximin për të plotësuar misionet e tij kristiane shpesh edhe me rreziqe për jetën…Në fushën e dokumentave të shkruar për këtë misionar mëkëmbës të Shën Pjetrit shënohen 1412 letra, 28 ligjërata, 130 biseda të shkruara në dy blej (vëllime) që ruhen edhe sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan, siç thotë Ludoviku Von Pastor: “Se këto shkrime janë një përmendore e bukur, e zellit Barituer, e trimërisë Apostolike dhe e veprimtarisë së palodhshme të një pape ndër më të mëdhenjtë e Kishës Katolike”.Vlen të theksohet se Papa Klementi i XI ishte nxitësi dhe financuesi i fillimit të veprës madhore “Ilirikum Sacrum” (Iliria e Shenjtë), për të cilën ka edhe një kontribut jo të vogël edhe si historian. Gjithashtu nën kujdesin e këtij Pape u ruajtën visaret arkeologjike të Romës, si dhe mbledhja e të tjerave nga vise të ndryshme, ku sot Muzeu i madh i Romës ka në themel kontributin e shqiptarit Papë, që nga historia njihet si një nga themeluesit e kësaj vepre madhore të kulturës Botërore. Papa Klementi XI njihet edhe si një ndër “kudjestarët” më të mëdhenj të ruajtjes, meremtimit e stolisjes së përmendoreve e objekteve antike të trashëguara, si dhe shkrimeve, kanuneve e dokumentave të tjerë që vërtetonin jetën e kaluar të popujve….

NË VEND TË NJË EPILOGU

Është interesant të thuhet se banoret e Kelmendit , Papa Klementin e XI e “konsiderojnë” me origjinë nga Kelmendi, ku per ketë thonë se paraardhesi i Gjon Francesk Albanit , Mikel Laci (e jo Laçi) së bashku me dy djemt e tij (Gjergjin e Filipin) janë larguar nga Kelmendi per në Kurbin ku u rrjeshtuan në ushtrinë e Gjergj Kastriotit. Largimi per në Itali i Gjergj e Filip Mikelit ka ndodhur pas vdekjes të Skenderbeut. Ndersa trashigimtari i tyre… Gjon Francesk Albani kur u bë Papë mori jo vetem “emrin” e Shën Klementit (shenjetorit mbrojtes të Kelmendit, Shën Klementi i parë), por edhe “pak” nga origjina e tij e largët…Kelmendi. Sidoqoftë kjo është vetëm një gojëdhënë pasi e rëndësishme është që ai ishte me origjinë të pakontestuar Arbënore (Shqiptare). Natyrisht nga ajo kohë e “Lumnueme” kanë kaluar shekuj bashkë me baticat e zbaticat që suallën motet e shekujt, por të gjitha këto janë disi më të “natyrshme”, se vetë Shenjtëria që është Hyjnore e Qiellore , e si e tillë nuk shuhet kurrë, ashtu si drita e këtij Shenjtori shqiptar që shndritë jo pak Botën, por për fat të keq tek ne ende ka “hije” që vazhdojnë ta zënë disi dritën e ketij shenjtorit shqiptar që na bënë krenar…

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1255
  • 1256
  • 1257
  • 1258
  • 1259
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT