• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve shënoi 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

March 7, 2024 by s p

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne -përkujtimore për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz, tashmë një aktivitet tradicional i Institutit, që i bashkohet nderimeve që i bëhen kësaj dite në mënyrë institucionale edhe në Tiranë dhe Prishtinë.
Me prezencën e tyre përkujtimin e kësaj ngjarjeje historike kombëtare e pasuruan ambasadori i Republikës së Kosovës – Florian Qehaja, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, si dhe bashkëluftëtarë të Adem Jasharit nga Maqedonia, gjegjësisht nga grupi i parë i stërvitjes në Shqipëri në vitin 1991, si: Femi Beqiri, Qenan Haziri e Nuri Bexheti nga Tetova, Halil Palloshi, Jakup Limani e Fatmir Stavileci nga Shkupi.
Pas hapjes solemne, nën medolinë e këngës së Adem Jasharit tashmë e kthyer në një himn mbarëkombëtar, mori fjalën drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, i cili bëri një retrospektivë të ngjarjeve historike që sollën 5, 6 dhe 7 marsin 1998, si data të përkujtimit të sakrificës për lirinë e kombit.
“Adem Jashari është edhe i Shkupit, është edhe i shqiptarëve të Maqedonisë. Në Tiranë ai ka shkuar me grupin përmes aeroportit të Shkupit, dhe jo rastësisht edhe komunikata e parë e UÇK-së doli nga Shkupi, që do të thotë se këto tri shkronja ndryshuan rrjedhën edhe falë kontributit të qytetit tonë”, u shpreh Asani.
Në vazhdim fjalën mori ambasadori Qehaja, i cili nisur nga konteksti historik iu referua së ardhmes, duke thënë se pikënisja e çdo oficeri të ri të ushtrisë së Republikës së Kosovës është UÇK-ja, sepse ideja e sakrificës që dhanë luftëtarët e kombit është frymëzim për të pasur një forcë sigurie që sot po konsolidohet gjithnjë e më tepër dhe përpiqet në sigurimin e paqes sa herë që Kosovës i kanoset rreziku.
Ndërkaq, kësaj ngjarjeje i dhanë një shije të veçantë fjalimet e Femi Beqirit dhe Jakup Limanit në emër të bashkëluftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, duke përcjellë emocione, kujtime dhe mesazhin e vlefshëm që të ruajmë atë çka u arrit me shumë sakrificë nga Adem Jashari dhe dëshmorët e kombit.
Në këtë manifestim mori pjesë dhe veprimtarja Halide Palloshi, si dhe njëri nga ushtarët më të rinj nga Maqedonia në luftën e UÇK-së, Izmit Nura.

Filed Under: Rajon

DIÇKA BËMË PËR VËLLEZRIT KOSOVARË TË SHPËRNGULUR NGA LUFTA

March 7, 2024 by s p

Nga Fuat Memelli, Boston/

(Mbresa në vitin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.)

“ Ajo që bëjmë për vete, vdes me ne, ajo që bëjmë për të tjerët, mbetet dhe është e pavdekëshme.” Albert Pike.

Ngjarjet e rënda që ndodhen në Kosovë në vitet 1999, me vrasjet, persekutimin dhe deportimin e rreth 1 milionë kosovarëve nga vatrat e tyre familjare, tronditën çdo zemër shqiptari. Dikush nga Shqipëria shkoi të luftojë në front tok me vëllezrit kosovarë. Kukësi u shndrrua në një nga vatrat kryesore të strehimit të familjeve të shpërngulura. Mijra familje të tjera u vendosën në Tiranë e qytete të tjerë të Shqipërisë, ndërsa një pjesë tjetër u sistemua në një kamp në Maqedoni. Ne ndiqnim me trishtim shpërnguljen e kosovarëve për të shpëtuar jetën. Ndiqnim edhe bombardimet e NATO-s kundër Sërbisë. Media në Shqipëri dhe nëpër botë, përcillte çdo ditë këtë situatë. Mbaj mend që sapo mbritën familjet kosovare që u strehuan në ish Pallatin e Sportit në Tiranë, shkova aty, bisedova me disa kosovarë, bëra fotografi dhe botova një shkrim te gazeta “Devolli”, që atë kohë isha edhe kryeredaktor i saj. Shkrimi kishte titullin:” Kosova- krenaria jonë, dhimbja jonë”. Por kjo situatë zgjati tre muaj dhe vetëm një publikim i tillë, më dukej pak. Bisedova me shokun tim, operatorin Fatos Loli, me të cilin punonim bashkë për të bërë edhe disa kronika si dhe ndonjë emision televiziv të veçantë për kosovarët e shpërngulur nga lufta. Fatosi u shpreh i gatshëm, pasi është patriot i veçantë. Veç kësaj, nëna e tij ishte me origjinë nga Gjakova e në dejet e tij rrjedh edhe gjaku kosovar, krahas atij përmetar nga e kishte me origjinë të jatin. Detyra jonë shtetërore ishte për pasqyrimin e punëve të bujqësisë dhe të fshatit, por ne e gjenim “shtegun” për të pasqyruar edhe jetën e kosovarëve të shpërngulur nga lufta. Niseshim në rrethet ku kishte kosovarë për të bërë filmime për bujqësinë dhe krahas tyre, bënim edhe kronika për ta. Kështu për shëmbull shkuam në Durrës dhe përgatitëm një kronikë në port ku dy amerikanë, një grua dhe një burrë, kishin sjellë ndihma për fëmijët kosovarë. Filmuam ndihmat e tyre, intervistuam dy amerikanët, bëmë edhe fotografi. Trasmetuam kronikën në Televizionin Shqiptar ku e kishim derën të hapur, ndërsa unë botova edhe një fotoreportazh. Dy amerikanët u sistemuan më hotel në Tiranë dhe qëndruan aty disa ditë. Ata shkonin dhe vinin në Durrës. Për të komunikuar më mirë në anglisht ( Fatosi e unë dinim pak) morëm shokun tonë, Veli Stafa, nip i Qemal Stafës, me profesion veteriner, i cili punonte në Ministrinë e Bujqësisë dhe e zotëronte mirë anglishten. U takuam 2-3 herë të tjera në Tiranë.

FATMIR KALLBAQI, DEVOLLIU QË STREHOI 80 KOSOVARË

Ato ditë ne mësuam se devolliu Fatmir Kallbaqi, pronar i një kompleksi serrash në rrethin e Durrësit, bashkë me gruan e tij, Luljetën me origjinë kosovare, kishin strehuar 80 vetë të ardhur nga Kosova. Ishte një rast i rrallë ky që tregonte shpirtin e tyre bujar. U nisëm me Fatosin dhe shkuam aty posaçërisht. Kishim qënë edhe më parë për të filmuar punën e tij, por këtë rradhë ishte fjala për strehimin që i kishte bërë kosovarëve. Inforamcioni që morëm, kishte qënë i saktë. –Shkova deri në Kukës ku ishin strehuar kosovarët dhe i solla në shtëpi në rrethin e Durrësit ku jetoj, na tha Fatmiri. Pasi biseduam me atë dhe bashkëshorten, na çoi për të parë strehimin e kosovarëve në kapanonet që kishte bërë posaçërisht, ku kishte krevatë, dyshekë, batanije, etj. Për të siguruar qumështin që i nevojitej për ta, kishte blerë edhe dy lopë. Mjeljen e lopëve e bënin me dëshirë dy gra kosovare. Disa burra kishin qef të punonin dhe i pamë duke mbledhur domate në serrë si dhe duke i seleksionuar ato. Intervistuam Fatmirin si dhe disa kosovarë. Kjo mikpritje e bërë nga ky çift, na befasoi. Shkuam në Tiranë dhe përgatitëm një emision prej 15-20 minutash, i cili trasmetua menjëherë si emision special në Televizionin Shqiptar dhe ishte parë kudo në Shqipëri e përtej kufijve nga kosovarët. Nëpërmjet televizionit ata mësonin fatin e njerëzve të afërt, pasi pjesëtarë të disa familjeve gjatë përpjekjes për të shpëtuar nga dhuna sërbe, ishin ndarë. Ky emision ishte parë edhe nga poeti e shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli. Ai ishte çuditur se si një familje mund të mbajë 80 persona! Kishte gjetur numurin e telefonit të Fatmirit dhe e kishte pyetur: “Janë të vërteta ato që na thotë Fuati se ti mban 80 kosovarë?” “ Po, i kishte thënë Fatmiri. Po deshët, mund të vini t’i shikoni”. “ Ju besoj”- i kishte thënë Dritëroi. Dua të them se edhe familja e Dritëroit, kishte strehuar në shtëpinë e tyre disa kosovarë. Pasi kishin ikur kosovarët, unë shkova në familjen e tyre dhe bërë një shkrim të veçantë. Gruaja e tij fisnike, Sadie Agolli e cila u ndodh në shtëpi, më tregoi për ta. Ndër të tjera më tha se për të respektuar kosovarët e shpërngulur nga lufta, fëmijët e tyre flinin përdhe’, pasi krevatët e tyre i kishin lëshuar për mysafirët.
Kur mbaroi lufta, Fatmiri me gruan e tij i përcollën kosovarët deri në Kosovë, me flamurin shqiptar si dhe me këngë e valle si të ishte dasmë. I çuan deri në shtëpiat e tyre që i kishin në Pejë, Glinë, Deçan dhe Prizren. Miqësia e devolliut dhe gruas së tij me kosovarët, vazhdoi edhe pas luftës. Ata shkojnë e vijnë te njëri-tjetri. Ishte kjo një miqësi që u brumos në vitin e luftës së Kosovës.

YLLSON TOPALLI, NJË DEVOLLI TJETËR QË HAPI DYERT PËR KOSOVARËT

Yllson Topalli, me origjinë nga fshati Braçanj i Devollit por që jetonte në Tiranë, ishte devolliu tjetër që hapi dyert për kosovarët. Qysh kur mbritën në Tiranë kosovarët e parë, ai kishte shkuar te Pallati i Sportit ku u strehuan ata që mbritën në Tiranë dhe kishte marrë aty dy familje me 15 veta. -Me që ishin shumë, shkova me makinë dy-tre herë, thotë Yllsoni. Ai ishte veprimtar i Shoqatës “Devolli” dhe në takimet me ne, na kishte njoftuar për këtë fakt. Sapo e mora vesh lajmin, i thashë se do vij bashkë me operaorin për të bërë një kronikë.-Mirëse të vini!- më tha ai. Një fundjavë kur ishim të lirë shkuam tok me operatorin Fatos Loli te shtëpia e tij. Disa nga mysafitët ishin duke pushuar, ndërsa gratë e tyre mereshin me ndonjë punë. Vjollca, gruaja e Yllsonit, na tregoi se gratë kosovare kishin dëshirë të gatuanin dhe ajo i kishte vënë të hapin peta për byrekë e lakrorë si dhe punë të tjera grash. Na bëri përshtypje një djalë i plagosur dhe me një dorë. Ai na tregoi se si ishte bombarduar nga sërbët karvani i tyre duke ardhur në Shqipëri, ku disa njerëz ishin vrarë dhe ai ishte plagosur. Ky djalë i ri ishte një nga dëshmitarët e shumtë të krimeve sërbe. Mbaruam xhirimet, shkuam në televizion për ta trasmetuar dhe njoftuam Yllsonin për ta parë bashkë me miqtë kosovarë. Sapo u trasmetua kronika, ai na mori në telefon e na falenderoi edhe në emër të kosovarëve. Kjo kronikë ishte e shumta që mund të bënim për ta. Yllsoni na tregoi se i ndihmoi kosovarët për t’u lidhur me njerëzit e tyre kudo që ishin. Njoftoi kryefamiljarin e një prej familjeve që ishte në Gjermani, duke i thënë se njerëzit e tij ishin mirë dhe ndodheshin në shtëpinë e tij. Peroni në anën tjetër të telefonit nuk i mbajti dot lotët. Pastaj foli me pjesëtarët e familjes. Tha se do vinte në Tiranë pas katër ditësh. Dhe ashtu bëri. Yllsoni pa i thënë , kishte dalë ta priste në aeroportin e Rinasit. Nuk e njihte fare vetëm në fotografi e kishte parë. Kishte hyrë deri në pistën e aeroportit. E dalloi nga fotografia dhe sapo zbriti shkallët e avionit, i tha: ”Ti je filani ?” ”Po!”- u përgjigj ai. E çoi në shtëpi ku u përqafua me njerëzit e tij.Të gjithë nuk i mbanin dot lotët e gëzimit.
Më vonë kur mbaroi lufta, Yllsoni na tregoi se i kishte përcjellë deri në Kosovë mysafirët që u strehuan në shtëpinë e tij. Ata e vazhdojnë miqësinë e tyre dhe kanë shkuar disa herë te njëri-tjetri. Ishin nga Gjakova, thotë Yllsoni. Kam shkuar te ata jo vetëm me gruan por një herë i çova te ajo familje edhe disa anëtarë të Shoqatës “Devolli” kur ishim bashkë në Kosovë. Tek shkruaj këto rradhë, më kujtohet libri i Ismail Kadaresë për dramën kosovare me titull:” Ra ky mort e u pamë”.
***
Veç këtyre filmimeve, bashkë me Fatosin përgatitëm edhe kronika të tjera për ta siç ishte ajo për kosovarët e strehuar në kampin e punëtorëve në Korçë, atë te pularia e këtij qyteti ku njëri nga pronarët ishte me origjinë nga Devolli; përgatitëm në rrethin e Lushnjës ku kosovarët ishin strehuar në mjediset e ish SMT-së. Në këto shërbime më kanë mbetur në mendje njërëz të plagosur, dikush me një krah apo me një këmbë nga maskrat sërbe. Megjithatë në sytë e tyre vihej re shpresa se një ditë do ktheheshin në Kosovë. Këtë besim e kishin nga bombardimet që po bënte NATO-ja në Sërbi si dhe nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇk-ja.
Më mbeti peng që nuk mora kosovarë për t’i strehuar në shtëpi. Pengesa ishte se familje ime ishte e madhe që tok me nënën bëheshim 7 vetë. Nga ana ekonomike gjithashtu ishim dobët, pasi gruaja kishte dalë nga puna sepse Uzina “Traktori” ku ajo punonte, ishte mbyllur dhe familja mbahej vetëm me rogën time. Megjithatë them se diçka bëmë me oprtarorin Fatos Loli për vëllezrit kosovarë të shpërngulur nga lufta, pasi media ishte “arma” jonë.

Filed Under: Reportazh

Profil Arbëresh- Të shkruajmë arbërisht 

March 6, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga  A Bellusci  më 1980/

Duke lexuar vëllimin poetik të poetes arbëreshe Margherita Scilippa\ Margarita Shilipa.  

C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240122-WA0017 (1).jpg

Keni  rastisur ndonjëherë të prekni borën e sapo rënë në natyrë, perceptoni atë ndjesi të shkrifët, të butë, të lagësht, dhe pasi ajo është shkrirë rrezet argjente të diellit  lënë pikëza margaritare, të cilat si mornica të lehta të pushtojnë shpirtin në hapsirë dhe kohë. Një ndjesi të tillë mund të përjetoni ndërsa do të lexoni poeten arbëreshe Margarita Shilipa. 

Margarita, lindi në Palermo\ Sicili nga prindër arbërshë, të Horës së Arbëreshëve\ Piana degli albanesi. Poetja Shilipa ka botuar vëllimin poetik “Trëndafilje Rërje\ rëre”, “Ëndërra si re”, “Re me rreze dielli”. Margarita ka përshtaur në varjantin arbërisht të Horës Arbërshe përrallën“Kësulkuqja”

Ajo ka vënë në skenë për shkollën fillore të Horës disa vepra teatrale, si dhe  njohuri për mësimin e strukturës së gjuhës. 

Ndërsa lexon poezitë e saj,vozit si në pikturat surrealistike. Janë të thjeshta vargjet e saj. Ato përmbajnë nota egistencializmi, lirike, por edhe nota dramatike. 

Me stilin e saj “puplore”, mbëthen  me kontraste të forta, dhe arrinë të japë sa thjeshtësinë, aq edhe forcën e fjalës. Vargjet depërtojnë midis artit dhe psikes dhe  janë një iconografi të botës interiore.   

Në qetësinë e natës melodia e përmallshme e  së së bukurës More, vjen  në pllajën e Horës nën shushërimën e erës, si një serenatë ku tretet romantiçizmi dhe krenaria arbëreshe. Autorja lundron pranë pejsazheve liqenor si një Penolope,  nuse e dlirë, besnike, dhe me  petalet e një Margarite luan me ritin e dashurisë,  e cila  “Të dua” –thotë- Dua botën çë më lindi, dua gurët çë kam shkelur. Ndër retë puplore, dëshiron të ishte  një  balon\ akuilonë në kaltërsi ku sodit  nën magjinë e natës, yjet që nën një shilars gjigand, përkunden në djep  si në valsin e Strausit. 

Nga sytë e natës, dritare të dhezura. Në këtë galaktikë humane kontepla natyrën; një pëllumb, një laraskë, një dallëndyshe pjesë e kaltrësisë së pa përlyer. Një varkë e vogël karte e kujtimemeve lundron në oqeane të pashkelura. Autorja vesh dhe zhvesh natyrën që lidhen me një hapsirë intime. Këronjë te gjumi harrimin- thotë ajo- Si në mjergull shtëpia e vjetër e gjyshit. Kalldrëmi badhëlor, myshqe të moçme, të thyera nga nyjëzime të thata si duart e tij, dhe loti  i mallit që dridhej si një flakërim dielli bluan. Njeriu dhe bota, liria dhe nevoja. 

Vitet rrjedhin,“kur të sosem nuk do të lëmë njeri çë derdh lot për ne. Apokalis i shpirtit, vështirë për tu shëruar”. Autorja në poesinë e saj krijon atë  puzzle kontrasti;njeriun dhe botën, Njeriun dhe njerëzimin,Njerëzimin dhe përjetësinë, Lumturia dhe mjerimi, Dashuria dhe vdekja, të cilat si mentesha të mbledhin në dualitetin e tij. 

Me vështrimin e hapsirës së paanë autorja hyn në zgavrat e errta e vizaton labirinte mendime të fshehura, e trishtimi sulmon papritur. Ajo në penën e saj ështé sensibile ndaj probleme të shoqërise, dhe nxjerrë  në pah indinjatën e saj ndaj padrejtësive dhe krimeve human të një shoqërie që ende sot mban ematoma dhe emorragjinë që më lindjen e njerëzimit.  Njeriu bombardon qytetin. Në Lampeduza  vdesin me dhjetra e dhjetra afrikanë në det. Në këmbët e Napolit është “Toka e përvëluar”. 

Çështja i egsistencializmit, aksioma më fuqishme dhe më eger e njerëzimit. “Më i forti kundër më të dobtit”, çpon si hosten, e na shpie te Purtelja- Atë ditë  ish edhe tata im. Ku plumbat qëlluan e currila gjaku kulluan mbi tokë”. Në trajektoren e saj poetike si Lampedusa, Purtelën, Udhëtim kategorik, Krahasime. Kjo Mega pianetë, “Një sisë e madhe” në fole,  dhe dëshira e madhe për të marrë arratinë në një univers që rrotullohet,  për tu ndjerë i gjallë. 

Jemi imazhe të kondensuar,dhe si të tillë  kemi ëndrra. Ëndërra të bardha të trëndafilta shkumëzuese qiellore, të besës,e këshu autorja “humbet në dejtin e jetës së gjallë”, i kundërvë yllit të mëngjesit dhe mesnatës peizazhin e trigonometrisë, hyn në ekuilibër të çastit me harresën, e mbi liqen hënza besëplotë buzëqesh. Avuj togje reshë si një kurorë, ngrihen si ëndërra të papërlyera në kaltërsi.  

Poezitë e Margaritës janë dy gjuhë në italisht dhe shqip. Në varjantin arbërisht, gjejmë në vargjet e saj format antike të gjuhës si: kloftë, klenë\kanë qenë,glishtrat, por edhe leksiku i saj i pasur në varjantin arbërisht si;  prorën, thomse,skamandili etje, të cilat shtojnë bukurinë artistike të vargut.

Vargu i saj është elegant, lakonik, i ngrohtë dhe në karakterin e saj metafizik,tematika në poezitë e  Shilapës, është e  larmishme. Ajo është një soditëse ngazëlluese e natyrës(retë, djelli, hëna, yjet); Shpendet( korbi, dallëndyshe, laraskat, bukanvilet;Stinët(dimri, vera, pranvera, vjeshta) si dhe elemente të posicionit gjoegrafik të Horës si; liqeni, mali.  

Në vargjet e saj nuk mungon tema historike si; Hora, Arbëria, Shqipja, ku gjenden ato nuanca patriotike identiteti të një karakteri të kamufluar, e jo të një pathosi. 

Mitologjia është pjesë e krijmarisë së autores Margherita Scilippa. Përmendim këtu titujt e disa poezive të saj; Meduza, Efesti, Teti, Kronos, Odiseo, etje. 

Poezitë e saj Haiku “përfshin atë çka ajo sheh, dëgjon, të apostrofuar në një horizont minimal fjalësh e të transporton në një botë të pezulluar midis asaj që stronkohet dhe intensitetit.

Vargjet e saj janë një fuqi të jashtëzakonshme evokuese ku arrin të kapë dhe të komunikojë ritmet sugjestive, harmoninë e thellë me natyrën dhe me momentet e jetës së përditshme,  duke u zhytur në një udhëtim ndijor që jep e trasmeton emocione intensive.  

Poesia e saj është  kërkimi i harmonisë dhe bukurisë. Ato janë vargje sugjestive,të gjalla, joshëse ku  gjuha është e pasur me imazhe dhe e ngarkuar me kuptime simbolike. 

Ato vargje të bëjnë të penetrosh në mbrëmje,midis yjeve. Njeriu, ku çdo njeri, është vetëm, i humbur në kufijtë e natyrës së tij  e komunikon  një ndjenjë të lidhjes universale. Vargjet pasi kanë përfunduar një udhëtim në errësirë,  autorja i ngarkon me  dritë dhe shpresë, për veten dhe për një botë më të mirë. 

I urojmë kësaj Poeteje suksese në krijimtarinë e saj dhe e falenderojmë për këtë vëllim poetik sa interesant aq edhe krenar për botën arbëreshe, të cilët vozhdojnë të ruajnë  në gjirin e tyre  gjuhën 600 vjeçare.

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga  A Bellusci  më 1980.  

Filed Under: Emigracion

1920 / KONGRESI SHQIPTAR I SHKUPIT, I KRYESUAR NGA NEXHIP BEJ DRAGA, BËRI KËTO KËRKESA NDAJ QEVERISË SË MBRETËRISË JUGOSLLAVE

March 6, 2024 by s p


Nexhip Bej Draga (1867 – 1921)
Nexhip Bej Draga (1867 – 1921)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Mars 2024

“L’Information financière, économique et politique” ka botuar, të hënën e 28 qershorit 1920, në faqen n°3, kërkesat e formuluara asokohe nga Kongresi shqiptar i Shkupit ndaj qeverisë së mbretërisë jugosllave, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Një kongres shqiptar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Në ditët e para të këtij muaji u mbajt një kongres shqiptar në Shkup, ku mori pjesë zyrtarisht edhe komisari i policisë së qytetit.

Mbledhja, e cila u kryesua nga Nexhip bej Draga, një fisnik shqiptar, vendosi t’i adresojë një kërkesë qeverisë së mbretërisë jugosllave për t’i kërkuar asaj — në përputhje me ligjet e reja liberale — të zbatojë lirinë komunale në rajonet e banuara me shumicë shqiptare, duke u lejuar të kenë shkolla në gjuhën e tyre dhe përdorimin e saj në gjykata. Ata kërkuan, ndër të tjera, që xhandarmëria, oficerët e policisë, kryepleqtë dhe kryetarët e këtyre komunave të emëroheshin nga radhët e banorëve të zonës.”

Filed Under: Reportazh

K A L I (Equus Caballus)

March 6, 2024 by s p

Dr. Agim Z. Dobruna/

Kali është simbol i fuqisë, shpejtësisë, qëndrueshmërisë, e dominimit. Njeriu fillimisht e (keq)përdori kalin duke i ngrënë mishin e marrë lëkurën. Më vonë ai arriti që ta zbusë atë dhe ta përdorë për kalërim e bartje të barrës. Katërmijë e pesëqind vjet para erës sonë ndodhi një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Ishte rrota ajo që ndryshoi shumë gjëra në jetën e njeriut dhe rrjedhimisht kali u përdor edhe për tërheqje.
Kali është luftëtari më jetëgjatë dhe numerikisht më pjesëmarrës, si në ndërtimin, ashtu edhe në shkatërrimin e civilizimeve të shumta gjatë historisë njerëzore. Mjafton të kujtojmë Konkuistadorët e Spanjës dhe pushtimin e aztekëve me vetëm rreth gjashtëdhjetë e dy kuaj dhe të inkasve me jo më shumë se njëqind sosh, duke mashtruar prijësit e tyre Montezuma dhe Atahualpa. Kaq pak kalorës e pushtuan e më vonë e shkatërruan një civilizim të tërë! Përdorimi i kalit në luftë ishte aq esencial sa që edhe në Luftën e Dytë Botërore, deri në shtatëdhjetë për qind e ushtrisë gjermane (Wehrmachtit) ishte e tërhequr jo me makina, por me kuaj. Përgjatë kësaj lufte vetëm Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania përdorën më shumë se gjashtë milion kuaj.
Kali është bërë pjesë e pandarë edhe e shkencës. Skocezi Xhejms Uat e futi në shkencën e fizikës njësinë matëse kalë-fuqi për ta krahasuar rendimentin e motorëve me avull me fuqinë e kuajve tërheqës. Një kali, për shembull, mund të zhvendoste një peshë prej 75 kg në metër për një sekondë.
Kuaj të famshëm
Kali më i njohur e më i përmendur këtu e mbi tremijë vjet, i cili për paradoks nuk ishte kali i vërtetë, është ai i Trojës. Troja i bëri qëndresë pushtimit nga grekët duke qëndruar e rrethuar për dhjetë vite. Ndërkohë, grekët erdhën në ide që të ndërtojnë një kali nga druri ku do të fshiheshin disa luftëtarë dhe ua dhanë trojanëve si dhuratë. Luftëtarët e fshehur pastaj gjatë natës dolën nga kali, hapën dyert e kështjellës dhe Troja u pushtua. Në aspektin ushtarak kjo cilësohet si një nga strategjitë më të mira të kohës. Termi “Kali i Trojës”, rrjedhimisht, mori konotacionin alegorik të mashtrimit, tradhtisë, apo kolonës së pestë. U bë e famshme thënia “mos u beso grekëve edhe kur sjellin dhurata”. Në rastin aktual të rrethanave në Kosovë, fqinji ynë verior imponoi një të ashtuquajtur “Asociacion”, që s’është gjë tjetër pos një Kalë Troje (kolonë e pestë)! Sot madje emërtimi “Kalë Troje” ka zënë vend edhe në teknologjinë informative. “Trojan” quhen ato viruse kompjuteri të cilat e infektojnë një sistem kompjuterik, pasi përdoruesi t’i ketë pranuar gabimisht si softuerë apo skedarë legjitim.
Bucefali kishte një shenjë në kofshë në formë të kokës së demit. Ai ishte kali i Aleksandërit të Madh. Filipi II, babai i Aleksandërit nuk ishte i kënaqur me fuqinë, zotësinë, zhdërvjelltësinë e djalit të tij dhe vazhdimisht e bullizonte. Një ditë në tregun e kuajve Filipit iu ofrua një kalë nga tregtarët me një çmim shumë të lartë. Kali ishte aq i padëgjueshëm sa që edhe kalorësit zbutës nuk arritën ta shalojnë. Aty ishte edhe Aleksandëri, fëmijë vetëm trembëdhjetë vjeç. Ai e kishte pikasur se kali po frikësohej nga hija e vet. I mori leje babait që ta provonte ta shalojë. Pasi u lejua, ai butësisht iu ofrua kalit dhe e ktheu në drejtim të diellit që të mos e shihte hijen e vet dhe arriti që ta shalojë me sukses. Ky mund të konsiderohet si një moment i “vrasjes së babait” dhe një katapultim i pakthyeshëm i Aleksandërit drejt strategut, gjeneralit, ushtarakut më të famshëm në historinë e njerëzimit!
Incitatus (i shpejtë) ishte kali i perandorit Kaligula. Ai e emëroi kalin e tij për Senator me qëllim që më vonë ta bënte konsull. Marengo ishte kali i Napoleonit, i emërtuar sipas Betejës së Marengos më Itali. Llamri ishte kali i mbretit Artur, Magnolia i Xhorxh Uashingtonit, kurse Rosinante i Don Kishotit.
Për kalin e Skënderbeut nuk dihet dhe nuk shkruhet, as në veprat e Marin Barletit, Mojkom Zeqos e Aurel Plasarit, mirëpo Barleti vetëm shkruan se pas vdekjes së Gjergjit, kali i tij ishte ende gjallë dhe nuk lejoi ta kalëronte më askush.
Gjithandej janë të zakonshme përmendoret me kuaj të luftëtarëve, pushtuesve, ushtarakëve, e mbretërve të famshëm anekënd botës. Pos nderit dhe respektit për ta, thuhet se ka edhe një simbolikë në ato përmendore: nëse kali i përmendores i ka të dyja këmbët në ajër, kalorësi ka vdekur në betejë; nëse e ka njërën këmbë në tokë e tjetrën në ajër, kalorësi ka vdekur nga plagët e marra në betejë; kurse nëse i ka të dyja këmbët në tokë, ai ka vdekur jashtë betejës. Mikelanxhelo, njëri nga skulptorët më të mirë në historinë e njerëzimit ka thënë se “në çdo gur të mermerit është e burgosur një skulpturë të cilën unë vetëm duhet ta nxjerr nga burgu”.
Kali në traditën shqiptare
Kali është bashkudhëtar në jetën dhe traditën shqiptare. Madje, liria e popullit shqiptar ka kaluar mbi kurrizin e kalit (N. Çoçaj)! Gjatë luftës së fundit, thotë ai, në periudhën 1998-99 rreth 60-70 kuaj bartën armë dhe asnjëri nga ta nuk ra në mina.
Kali i UÇK-s është pjesë e lirisë së Kosovës. Në rrethana të një tereni shumë të vështirë, të motit me shi, borë, stuhi, e acar, ai shërbeu për të bartur pesha të rënda armësh, municionesh, ushqimesh, e barërash. Ai barti të plagosurit, të vrarët, të sëmurët, me pak ose aspak ujë e ushqim. Po bëhen gati tridhjetë vjet që Kali i UÇK -së nuk i mori meritat që i takojnë. Ai mbetet i burgosur në një bllok mermeri duke e pritur dorën e një Mikelanxheloje dhe vullnetin e politikës, që të lirohet dhe të marrë të gjithë vlerësimin e merituar!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1278
  • 1279
  • 1280
  • 1281
  • 1282
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT