• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CILËS NGJARJE I KUSHTOHET “KËNGA E GJORG GOLEMIT”? 

March 4, 2024 by s p

– A e përkujton “Kënga e Gjorg Golemit” ngjarjen historike të rënies së Sfetigradit? –

Shkruar nga AVNI ALCANI

  1. Hyrje

      Çdo ngjarje e madhe historike, duke filluar nga lufta legjendare të Trojës, e cila u përjetësia në këngët e “Iliadës” së Homerit, kanë pasur jehonën e tyre ndër vite.  Edhe ngarjet e ndodhura rreth vitit 1467 në trevat ku sundonte princi Gjergj Araniti, si rënia e kështjellës së tij në Sopot nga osmanët, u përjetësuan në disa legjenda dhe në një këngë epike (“Epika Historike”, Tiranë 1983, f. 151-159). 

      Në vitin 1938 z. Shahin Zharri, nxënës i shkollës Normale të Elbasanit, kishte mbledhur dhe botuar këngën historike: “Kanga e Gjorq  Golemit, Princi i Sopotit”, me 60 vargje (Sh. Zharri: Revista “Shkolla Komtare”, Nr. 16-17, 1938, f. 22). Qysh pas botimit të saj, rreth 85 vite më parë, kënga ka marrë një famë të jashtëzakonshme. Ajo është bërë shumë e njohur, si në rrethet akademike, por dhe në aditoret e shkollave të mesme dhe të larta. Kënga e Gj. Golemit dhe figura e Gjergj Aranitit kanë qenë objekt studimi nga autorë të ndryshëm, si dhe burim frymëzimi për krijimin e disa veprave letrare dhe artstike (A. Alcani: “Sh. Zharri dhe kënga e Gj. Golemit”. Çështje të folklorit shqiptar, 2010, f. 236-240). Ngjarja e këngës së Gjorg Golemit, thonë studiuesit, është e mbështetur mbi një legjendë. “Kjo këngë, që rron edhe sot e kësaj dite në Bërzeshtë, Sopot e Polis, shkruan Q. Haxhihasani, është trajtuar sipas një legjende shumë të përhapur në këto vise” (Q. Haxhihasani: Hyrje. Këngë popullore historike, Tiranë 1956, f. 10). Kurse prof. Dhimitër Shuteriqi, shkruan: “Me sa duket kënga është krijuar në mesin e shek. XIX e këtej dhe është krijuar në bazë të legjendës së vjetër” (Dh. Shuteriqi: “Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe historisë”, “Gazeta shqiptare”, 10 qershor 2007).

      Kënga e Gjorg Golemit është futur në tekstin e “Historisë së popullit shqiptar” (2002), duke i kushtuar asaj disa rrjeshta, gjë që dëshmon për rëndësinë e saj historike, e cila ka shërbyer si dokument për të pasqyruar një ngjarje të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, atë të qëndresës kundërosmane gjatë shek. të 15-të. 

      Por, nga ana tjetër, duhet të themi se këngës së Gjorg Golemit i është bërë një inrerpretim i gabuar në libër, pasi ajo trajtohet sikur ngjarja historike, toponimastika, antroponimia që pasqyrohet në këtë këngë dhe legjendat për Gjorg Golemin (Gjergj Aranitin) lidhen me luftën e Sopotnicës (Sfetigradit) të vitit 1448. Aty shkruhet: “Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi” (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës” (“Historia e Popullit Shqiptar”, Tiranë 2002, f. 412).

      Në vijim do të shohim me detaje në se janë elementët e këngës së Gjorg Golemit, si toponimia, antroponimia dhe tregimet popullore, për të nxjerrë përfundimin se a e përkujton vërtetë kënga e Gj. Golemin ngjarjen historike të vitit 1448, luftën për mbrojtjen e kështjellës së Sopotnicës (Sfetigradit)? 

      2. Ngjarja sipas tekstit të historisë dhe sipas këngës së Gjorg Golemit 

      Në tekstin e librit “Historia e Popullit Shqiptar-1” (Tiranë 2002) shkruhet se në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga sulltan Murati II, i përqendruan forcat e tyre për ripushtimin e kështjellës së Sopotnicës (Stefigradit), e cila ishte pikë e shumë e rëndësishme strategjike, si për ushtrinë Osmane ashtu dhe për ushtrinë e Skënderbeut. Sopotnica, e njohur në historiografinë shqiptare me emrin “Sfetigrad”, në fund të shek. të  14-të u pushtua nga Osmanët, por, pas kthimit të Skënderbeut në Arbëri, ajo u ripushtua nga Moisi Golemi (Araniti), i cili komandonte ushtrinë e këtij të fundit (M. Barleti. “Histria e Skënderbeut”, Tiranë 1983, f. 103-104). Sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e kështjellës, por garnizoni i drejtuar nga Pjetër Perlati, e hodhi poshtë kërkesën e tij dhe e mbrojti kështjellën me heroizëm, duke i thyer disa herë sulmet e trupave osmane (Historia e popullit shqiptar, f. 411). Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës, shkruhet në libër, e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila ishte nën komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit, që vepronte në rrethinat e saj, duke organizuar sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës. Luftëtarët shqiptarë depërtuan në kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme (Po aty). Por osmanët arritën ta zbulojnë kanalin e furnizimit me ujë të pijshëm të kështjellës dhe e shkatërruan atë. Ajo e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve dhe etja i detyroi mbrojtësit e kështjellës të hynin në bisedime me sulltanin dhe të pranonin ofertën e tij për t’u larguar me gjithë armët, por me kusht që të dorëzonin kështjellën. Dhe kështu ndodhi. Në gusht të vitit 1448, pas gati tre muaj rrethimi, Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Rënia e saj në duart e armiqve ishte një humbje e madhe për Skënderbeun, pasi i hapi rrugën ushtrisë osmane për pushtimin e mëtejshëm të trojeve arbërore, si dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të lira.

      T’i kthehemi ngjarjes që pasqyrohet në këngën e Sopotit (Gjorg Golemit), e cila është ndërtuar sipas rrëfimeve të Marës, bijës së Gjorgut. 

      Ngjarja shkurtimisht është kjo: Në viset e Sopotit sundonte Gjorg Golemi (Në mal Plak, më nji brek/ Gjorq Golemi thotë jam mbret…), i cili kishte 20 vjet që luftonte kundër turqve. Sulltani i kërkoi një regati me emrin “Kostivaras”, që të shkonte në Sopot, të flinte një natë atje dhe t’i sillte informacione për Sopotin, Gjorgun dhe ushtrinë e tij. Kostivarasi e informoi sulltanin: “Unë fjeta dhjetë vjet/ Po Gjorq Golemi trim me fletë/ N’Galigat shkon dy net/ N’Galigat për Shën-Mëri/ Do të shkojë me gjithë ushtri”. Para nisjes së Gjorgut, e bija, Mara, i lutet të mos shkonte në Galigat, pasi kishte parë një ëndërr sikur Sopoti ishte djegur (Pash nji andërr këtë natë/ Sopoti na mori flakë…). Gjorgu nuk ndalet, por niset me gjithë ushtrinë e tij për në Galigat. Pas ikjes së tij Sopotin e sulmoi ushtria turke. Mara shikon e tmerruar numrin e madh të ushtrisë osmane: “Shtiva sytë në Shkall-Kurorë/ Po vjen turku si floqe bore”. Njëri nga trimat e Gjorgut, Mark Milloshi, lufton me heroizëm kundër turqve (Mark Milloshi n’liqe/ Luen shpatën porsi dre/ Luen shpatën si dragoi/ Edhe turqit i coptoi…). Një tjetër luftëtëtar, me emrin Bos, i hap portat e kështjellës ushtrisë turke. Mara e mallkon: “Ti o Bos, o kambë hollë/ Lëshove turkun në Shkall-Kurorë/ Farë e bimë ty mos të mbetë/ Shove Sopotin përjetë!” Në mbrojtje të Sopotit ngrihen gratë sopotare, të cilave Mara u bën thirrje: “Sopotare, moj të ngrata/ Rrokni thiuka, rrokni shpata./ A do ikim të shpëtojmë?/ A po rrimë të lëftojmë? Na do rrimë e të lëftojmë/ Gjorq Golemin s’e turpërojmë…” Kënga mbyllet me mallkimin e Marës: “O Pasha, kordhëgjatë/ S’lëfton burri me gratë/ O Pasha qënke pa shpirt/ S’lëfton burri me fëmit!” 

      3. “Antroponimet në këngën e Gjorg Golemit” 

      Në këngën e Gj. Golemit ndeshim gjithsej 12 emra njerëzish (antroponime), të cilët i kemi grupuar në: 1. emra individësh, si: Gjorg Golemi, Sulltani, Kostivarasi (banor i Gostivarit). Maria (e bija e Gj. Golemit), Gjel Çeliku (djali i Gj. Golemit), Mark Milloshi (luftëtar), Bosi (luftëtar) dhe Pashai (sulltani i Turqisë); 2. emra grupe personazhesh: Asqeri (ushtria turke) dhe Sopotaret (gratë lutëtare të Sopotit); dhe 3. emra shenjtorësh: Shën Mëria (shenjti) dhe Zoti Krisht (shenjti). 

      Një pjesë e personazheve të këngës janë figura të njohura historike, si 1. Gjorg Golemi (Gjergj Araniti), 2. sulltani (Mehmeti II), 3. Maria, 4. Gjel Çeliku (Kostandin Araniti) dhe 5. Bosi, ndërsa emrat e tjerë, si 6. Mark Milloshi dhe 7. Kostivarasi mendojmë se janë personazhe të krijuara nga legjenda. 

      1. “Gjorg Golemi”. Sipas studiuesve, kënga i kushtohej figurës historike të shekullit të 15-të, princit shqiptar Gjergj Aranit Komneni (Dh. Shuteriqi: Këngë popullore mbi Skënderbeun, Literatura Jonë, nr. 3, 1949; Q. Haxhihasani: Këngë popullore historike, 1956, f. 81). Ka dhe studiues, si Agron Xhagolli, i cili është shprehur mosbesues ndaj kësaj figure: “Gjorg Golemi, shkruan ai, është një figurë e paqartë historikisht” (A. Xhagolli: Kënga historike dhe legjenda për Gjorq Golemin, Çermenika-1, 2004, f. 84). Ku ndodheshin pronat apo zotërimet e Gjergj Aranitit? Po t’i referohemi librit “Historia e Skënderbeut” (botim i vitit 1983) e Marin Barletit, i cili shkruan se zotërimet e Gjergj Araniti ndodheshin: “…pranë lumit Shkumbin, ku ishte zot princi Arianit Komneni, i vjehrri i Skënderbeut… pranë popullsive që quhen jatë, brateskozanë, kërrabas, buzersekë dhe sopotanë…” (faqe 645). Kurse Gjon Muzaka, një nga njohësit më të mirë të familjeve aristokrate shqiptare të shek. të 15-të, shkruan: “Zot Aranit Komneni, ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia) deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me tonin dhe e ka kufi” (Gj. Muzaka: “Memorie”, 1996, f.19). Të dy autorët kanë qenë  bashkëkohës dhe njohës të  Gj. Aranitit. Ata nuk e kanë  përmendur kurrë Gj. Aranitin si zot të  kështjellës së  Sopotnicës dhe rrethinave të  saj. 

     2. “Sulltani”. Studiuesit mendojnë se bëhet fjalë për Sulltan Mehmetin e Dytë, i cili, në vitet 1466-67, bashkë me ushtrinë e tij bëri masakra të mëdha dhe shkatërroi të gjitha viset e aranitëve në luginën e Shkumbinit (Dh. Shuteriqi: “Aranitët-Zotërimet”, Rev. St. Historike-1, 1967, f. 67). 

      3. “Mara apo Maria”. Prof. Dhimitëe Shuteriqi, në një artikull të shkruar prej tij, merr në analizë disa nga emrat e këngës së Gj. Golemit, duke i përarfruar ata me figurat historike të kohës (shek. 15). “Tjetër pikë krahasimi midis legjendës dhe historisë, shkruan ai, është emri i gruas së Gjergj Aranitit. Gruaja e parë e Gjergj Aranitit quhej Maria. Ajo ishte nga dera e Muzakajve të Myzeqesë… Legjenda i ngatërron, nënën-Marë me bijën-Marë”. (Dh. Shuteriqi: “Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe historisë”, “Gazeta shqiptare”, 10 qershor 2007). 

      4. “Gjel Çeliku”. “Takim tjetër i historisë me legjendën, shkruan Shuteriqi, është përmendja e një djali të Aranitit, të cilin legjenda e quan Gjel Çeliku. I ati, këtë Gjel Çeliku, e dërgoi në Itali “foshnjë të ri” (“Gazeta shqiptare”, 10 qershor 2007). Shuteriqi mendon se bëhet fjalë për Kostandin Aranitin, djalin e Gjergjit nga martesa e tij e dytë me Despinën, i cili kishte vajtur në itali në moshën 12 vjeç. “Historikisht kjo është e vërtetë”, shkruan ai, duke iu referuar historianit gjerman F. Babinger (F. Babinger: “Fundi i arianitëve”, Tiranë 2004, f. 24).

      5. “Bos/i”. Emri Bos përmendet në disa dokumente të kohës. Një Ilia Bosi ishte paraqitur në vitin 1467 pranë Senatit të Venedikut, i cili, në emër të princeshës së tij, Despina Araniti, u kishte kërkuar venedikasve ndihmë për të luftuar osmanët. Ata kishin mbi 12 mijë luftëtarë të armatosur që ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre (Dh. S. Shuteriqi: Dy dokumente të kohës së Skënderbeut, Gazeta “Drita”, datë 24 janar 1966). Në regjistrin Osman të vitit 1467 gjejmë disa banorë me mbiemrin “Bosi”, si Gjon Bosi  nga fshati Babjani (f. 135), Nikolla Bosi në Mirakë (f. 136), Gavril Bosi në Prapungjin (f. 144) etj. (Defteri i Hollësishëm për zonat e Dibrës i vitit 1467, Tiranë 2019). Mbiemrat Bosi dhe Boçi ekzistojnë ende edhe sot në disa fshatra të Çermenikës dhe të luginës së Shkumbinit. 

(Vijon)

      4. Toponimet në këngën e Gjorg Golemit

     Në këngën e Gjorg Golemit ndeshen dhe emra (toponimet) gjeografikë. Ato janë 7 (shtatë) gjithsej, si: 1. Sopoti, 2. Mal-Plaku, 3. Galigati, 4. Shën-Mëria (kisha), 5. Shkallë-Kurorë, 6. Italia dhe 7. Vneshtë (Bërzeshtë).

      1. “Sopoti”. Emri “sopotanë”, siç e pamë më sipër, ishte përmendur nga Barletit në librin “Historia e Skënderbeut” (faqe 645) për banorë të Sopotit. Sopotin e ka përmendur dhe një tjetër autor i rëndësishëm, si Naim Frashëri, i cili, në librin e tij “Histori e Skënderbeut”, shkruan kështu për Sopotin: “…Trimërinë e ati Zoti/ me të madhe oshëtimë/ e rrëfen dhe sot Sopoti,/ që nxjerr zë e vetëtimë…” (N. Frashëri: “Histori e Skënderbeut”, Tiranë 1967, f. 113).

      2. “Mal-Plak”. Emrin Mali-Plak e ka përmendur Naim Frashëri në poemën e mirënjohur “Bagëti e Bujqësi”, në  vargjet: “Dhe ti Mali Plak që  ke parë/ luftra të  shumta që  kanë  ngjarë …” (N. Frashëri: Bagëti e Bujqësi, Vepra të zgjedhura, Tiranë 1980, f. 76). “Ky mal, shkruan Dhimitër Shuteriqi, është pikërisht Mali-Plak mbi Sopotin e Bërzeshtën në Librazhd, për të cilin, kënga popullore “Kanga e Gjorq Golemit, Princit të Sopotit”, thotë: “Në Mal-Plak e mbi Sopot/ Gjorq Golemi kryezot!”. A nuk ishte Sopoti, sipas legjendës dhe historisë, kryeqendra e anëve të Librazhdit të sotëm, që ra i fundit në duart e osmanëve? Sipas historisë kjo ngjau pikërisht në vitin 1467. Një mot më parë (1466) turqit kishin bërë gjëmën në krahinat tona, porse nuk kishin arritur t’i thyenin plotësisht ato anë”. (Botuar në “Gazeta Shqiptare”, datë 10 qershor 2007).

      3. “Galigat”. Shahin Zharri shkruan në shënimet në fund të këngës së botuar prej tij; “Galigati nji katund në Shpat” (Rev. “Shkolla Komtare”, Nr. 16-17, 1938, f. 22). Galigati sot ndodhet në rrethin e Gramshit, shumë pranë  Sopotit. Sipas këngës dhe legjendave Gjorg Golemi shkoi për të festuar me ushtrinë e tij në kishën e Shën-Mërisë, duke e lënë Sopotin në duart e ushtrisë turke, që e pushtoi Sopotin me anë të tradhtisë.  

      4. “Shën-Mëri”.  Është emri i kishës së Galigatit, ku shkoi Gjorgu me ushtrinë. 

      5. “Shkallë -Kurorë”. Ai është emri i një vendi, i cili ndodhet në malin e Sopotit. Ende dhe sot ai vend njihet me këtë  emër.

      6. “Itali”. Italia përmendet në këngë si vëndi ku Gjorgu kishte çuar djalin “foshnjë të ri”.

      7. “Vneshtë”. Sipas Sh. Zharrit Vneshtë është emri i vjetër i fshatit të tij: Vneshtë-Bërzeshtë (A. Alcani: “Sh. Zharri”. Monografi, 2006, f. 5).

      Pra, shihet fare qartë se e gjithë toponimia dhe antroponimia e këngës së “Gjorgj Golemit” (Gjergj Arianiti) flet për vende që dikur kanë qenë nën zotërimin e princit Gjargj Araniti dhe sot ndodhen trojet e Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit. 

      5. Legjendat që i kushtohen figurës së Gjorg Golemit dhe ngjarjeve të pasqyruara në këngën e Gj. Golemit

      Figura e Gjorg Golemit, dmth, e Gjergj Aranitit, ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e popullsisë ku shtrihej shteti i tij i Aranitisë. Edhe sot, pas 600 vitesh, në fshatrat Qukës, Bërzeshtë, Polis etj. (që i përkasin rrethit të Librazhdit), Shpatit në Elbasan, Mokrës në Pogradec, Vërçës (Gramsh) etj., këndohen këngët dhe rrëfehen legjendat që i kushtohen bëmave të Zotit të tyre (Gjorg Golemit), Gjithashtu ka një numër të madh toponimesh që lidhen me Gjergj Aranitin dhe bashkëkohësit e tij. 

      Në librin “Epika Historike” (1983), botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH (Instituti i Kulturës Popullore), janë botuar disa nga legjendat që i kushtohen figurës së Gjorg Golemit, si dhe ngjarjeve të pasqyruara në këngën e Gj. Golemit. Në libër ndodhet një kapitull i veçantë, me titull: “Kujtime dhe gojëdhëna për Gjergj Golemin” (f. 155-159). Që në hyrje të tij shkruhet: “Kujtime dhe gojëdhëna që ruhen nga tradita popullore për Sopotin dhe Gjergj Golemin në fshatrat e rrethit të Librazhdit dhe të Elbasanit” (f. 155). Kemi përzgjedhur (me disa shkurtime) legjendat që i kushtohen figurës së Gjorg Golemit dhe Sopotit të Librazhdit, si:

     1. “…Gjork Golemi ditën e Shëmrisë shkon n’Galigat e s’le shumë njerëz në pajtaht; ato ditve mun merret. Ky sulltani ruan ditn e shëmrisë e i futet Sopotit. E shoqj-e krajlit kur pa se hypi forca, rrmeu djalin dhe shkoi për Galigat. Rrugës i plasi djali prej shpejtsisë e ai ven u quajt te Qaf’e Markut’ ma tutje plasi edhe kali e atij i thonë  Qaf’e kalit; te brijti ajo shoqj’e krajlit “u muar Sopoti” plasi dhe vetë e ai ven quhet sot Çuk’e Zarës” (f. 155).

      2. “Gjork Golemi e ka pas pajtahtin n’Sopot mas t’ngjumes. Ate e pishi Turqia. Lufta u ba n’Qafëfurkë. Pasha i Turkies pat ba jemin: “Pa e çu gjhakun mje mshalë t’kalit, s’do ta la pushkën”. Polis – Librazhd 1954

      3. “… Fanja kanë qanë vreshtat e Sopotit. Në fushë të Domosdovës Sopoti mbante derrat. Në Karkavec, në Rrashtan edhe në Përrenjas kishte arat. Sopotaret vinjin prej Sopoti me fmitë në krah, punonjin gjith ditën dhe shkonjin në mramt në Sopot. Ishin njaq të mdheja sa ja vinte nana cicën në sup të krahit e ngojë të fmisë tuj shku rrugës. I qante fmiri, i fuste cicën në gojë edhe ikte.  (f. 156).

      4. “Sopoti ka qanë dukë; ka qnë Gjorq Golemi krajl aty; ka qanë qytet Sopoti atëherë… Gjorq Golemi qe për pashkë në kishët t’Galigatit…”

     5. “Vilani ka qenë katuni math… N’Grykë t’ Tarushit, ke Guri i Qorrit ka qenë kisha e madhe… Gjysmën e Polisit e ka pas Turqija, gjysma mahesh me Sopot… Eprami u thye veni dhe u prish ene Sopoti”. Polis-Librazhd, 1954 (f. 157).

      6. Kur u mur Sopoti, vajtën e i thanë krajlit t’Sopotit qi “na e murën venin”. Krajli po piqte peshq me ‘i tavë dhe i thotë: “Sopoti merret kur të njallen kto peshq prej tavës. Kur peshqit hovën na tava! Ah, tha, na e paskan marrë vërtetë Sopotin”. Shushicë-Elbasan, 1954.

      7. “Ni prej Polisit, qi kishte qanë me Gjork Golemin, e murën turqit e e çuan nga Turqia, Kur e pyetjin nji herë në vit (se e kishin mbyllur n’burg) “si e ke hallin”, ai u thonte: Pa pirë ujë në Sheremet,/ pa pi ujë në Gurrëshpatë,/ pa vanë sahatin n’vith të gjatë/ mua shpitrti mos më daltë! Ai s’e hiqte shpresën qi t’kthehej prap në Polis, dhe kujtonte kto vene me shejë t’katunit” (f. 158).

      10, “Galigati sot asht nji katund i rrethit të Gramshit. Ktu ka qenë kisha e Shëmrisë, ku meshonte për shëmri Gjork Golemi me njerëzit e tij. Vendi i kishës sot asht mbushë me pyll. Në kët vënd ka shkuar deri vonë populli i Shpatit ditën e Shëmrisë për të ndezur qiri etj. Galigati asht 7 a 8 orë lark Sopotit”. Gjinar-Elbasan, 1954 (f. 159).

      6. A e përkujton “Kënga e Gjorg Golemit” ngjarjen historike të rënies së Sfetigradit?

      Së pari, nëse do ta pranonim se kënga i kushtohet rënies së Sopotnicës (Sfetigradit), atëhere do të pranonim se ajo është e mbështetur mbi një ngjarje historike, kurse ngjarja e këngës së Gjorg Golemit, siç e pamë, ishte e mbështetur mbi një legjendë. Së dyti, a janë elementët e këngës së Gjorg Golemit, si toponimia, antroponimia dhe tregimet popullore, që e përkujtojnë luftën e Sopotnicës? Përkundrazi. Mendojmë jo, pasi të gjitha elementet që u përmendën, si personazhet e këngës, emrat e vendeve që përshkruhen në këngë, legjendat dhe tregimet popullore për Gjorg Golemin, siç e pamë,  ndodhen në Sopotin e Librazhdit, në kryeqendrën e dikurshme të Gjergj Aranitit, i cili gjeografisht ndodhet disa qindra kilometra larg Sfetigradit të sotëm.

      Nuk i dimë arsyet e vërteta dhe qëllimin që kanë pasur autori (apo autorët), kur patën shkruar në libër se toponimia dhe antroponimia e këngës Gjorgj Golemit dhe tregimet popullore për Gjergj Aranitin dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës, kur, siç e pamë, si toponimet dhe antroponimet e përmendura në  këngën e Gj. Golemit, si dhe tregimet popullore (legjendat) për Gjorg Golemin, nuk kanë  asnjë lidhje me Sopotnicën, e cila ndodhet në  viset e sotme të Maqedonisë  së  Veriut. 

      Jemi në dijeni se në Akademin e Shkencave të RSH është ngritur një grupi ri pune, për të rishkruar tekstin e ri të “Historisë së Popullit Shqiptar”. Shpresojmë shumë grupi i punës do të korigjohjë pasazhin e mësipërm të teksit të vjetër të “Historisë së Popullit Shqiptar”, Vol. 1, që e përmend këngën e Gjorg Golemit sikur përkujton rënien e Sfetigradit, kur e vërteta është ndryshe, që “Kanga e Gjorq Golemit” përkujton ngjarjen historike të rënies së Sopotit të Librazhdit.

Filed Under: LETERSI

“NATO, mesazhe gjeostrategjike nga Baza Ajrore e Kuçovës”

March 4, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro AHMETAJ/

Siç është bërë gjerësisht e njohur, sot, “datë 4 Mars 2024”, nëpërmjet një ceremonie të shtetit shqiptar, Aleancës Euroatlantike, SHBA-së, etj do të inagurohet përfundimi i projektit të NATO-s për: “ndërtimin e Bazës Mbështetëse Ajrore të Kuçovës”.

Në pamundësi për t’ju përgjigjur fizikisht ftesës “gjithëpërfshirëse” të Ministrit Peleshi, në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, po adresoj disa këndvështrime rreth mesazheve gjeopolitike, strategjike, operacionale dhe ndoshta ekonomike të këtij projekti, ose mbi prezencën, për herë të parë me instalime ushtarake në kohë paqe (Peace Establishment) të NATO-s në territorin e RSh:

Pikësëpari, për (a) peshën gjeopolitike të këtij projekti mjafton të sjellim në memorjen kombëtare, që jo rastësisht, përfundimi i këtij projekt u konfirmua nga Sekretari i Shtetit të ShBA, z. Blinken, gjatë vizitës në Tiranë: “muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore NATO-s në Kuçovë”!

Kjo pasi, si për çdo vënd tjetër anëtar, prezenca (footprint) ushtarake në kohë paqe e NATO-s në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbart jo vetëm mesazh strategjik për sigurinë kolektive (artikulli 5) por edhe për mbrojtjen e interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO) në Rajon dhe Mesdhe. Për rrjedhojë, besoj se vendi i parë mes 31 vendeve anëtare të Aleancës që ka përfitime gjeopolitike është RSh!

Për më tepër, përzgjedhja e kësaj e baze nga NATO, sigurisht lidhet edhe me (b) pozicionin gjeostrategjike të bazës së Kuçovës, e cila “prej 1955 deri 1992 ka shërbyer si bazë me peshë strategjike, kryesisht për shkak të Mig-ve, që edhe pse përtej mundësive të një vendi mjerisht të izoluar, për prapagandën e regjimit konsideroheshin si “legjione kamikaze” të fuqisë Ajrore të RPSSh, pra kundër kampeve të imperializmit (USA/NATO) si dhe revizionistëve Sovjetik (Varshav), ose edhe të dyja së bashku” !!

Por në situatën aktuale, ndërtimi kësaj baze, ose prezenca në kohë paqe e NATO-s në territorin e RSh, sigurisht mbart edhe një “mesazh force” ndaj Rusisë – Putiniste dhe çdo vendi tjetër që vijon të shpërdorohet nga Kremlini: “kush guxon të sulmojë ushtarakisht jo vetëm integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, por tashmë edhe prezencën e NATO-s (siç është Baza Ajrore e Kuçovës), do të përballet dhe do të ndëshkohet në mënyrë shëmbullore nga fuqia e pakonkurueshme Ajrore e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, që u konfirmua si e tillë në 1999, kundër makinerisë kriminale të Millosheviçit, apo Jo ?

Nga ana tjetër, ndërtimi kësaj baze në territorin e RSh (edhe pse gjithësesi modeste), i jep (c) peshë shtesë aftësive operacionale të NATO-s por edhe garanci besimit publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës për mbrojtjen e tërësisë teritoriale në kuadër të artikullit-5, por edhe në kuadër të mbështetjes së stërvitjeve dhe manovrave operacionale të NATO-s dhe Forcave Ajrore të RSh.

Përsa (d) përfitimet ekonomike nga ndërtimi i kësaj baze (gjithësesi modeste në kapacitete), nuk janë as pjesë e ekspertizës, as qëllimi i këtij opinioni. Megjithatë mund të përmend: “projekti ka nisur në 2018 me reciprokisht 50 milion € nga nga fondi përbashkët i Aleancës (NATO Common Funds) si dhe 5 milion € nga pala Shqiptare”, që ka edhe përgjegjësitë e vendit pritës (RSh) për: “shpronësimet, ndërtimin e perimetrisë së sigurisë dhe rrugëve lidhëse, standartet e mirëmbajtjes së hangarëve, depositave të karburantit, ndriçimit, kamerave të sigurisë si dhe të sensorëve të zbulimit përreth bazës”.

Ndërsa përtej konfuzionit që e ushqehet jo vetëm nga ushtria e “sekserëve mëndjendryshkur”, shtoj se, mundet edhe të ketë efekte ekonomike modeste, për komunitetin e biznesit në zonën e Kuçovës, përfitime që gjithësesi do të ndërvaren nga personeli aktiv ushtarak për sigurinë e bazës, operatorët, mirëmbajtjen si dhe kryesisht nga dinamika e aktiviteteve ushtarake, siç janë stërvitjet e NATO/USA (p.sh Steadfast 2024), apo të FARSh, etj që mund të organizohen në këtë bazë. Sigurisht do doja dhe uroj të jem i gabuar, por nuk besoj kurrësesi se komunitetit të rrethinave të Kuçovës: “bashkë me këtë bazë do t’i vijë ndonjë parajsë ekonomike, as do shpërthejnë puse elektorale punësimesh, etj”.

Së dyti, pikërisht për këto vlera dhe asnjë mëdyshje, 4 Marsi 2024 meriton të skalitet si “një datë që i bën nder historisë së marrëdhënieve të RSh me NATO-n”. Por përtej vullnetit konstant politik në 1994, 2008, 2013, apo 2018, nuk janë kurrësesi vitet që e “veshin me dekorata të ekzagjeruara Partinë në pushtet”, ndërsa 2018 është inventarizuar si viti që NAC/NATO ka miratuar projektin e propozuar nga SHAPE për ndërtimit e Bazës Ajrore Mbeshtetese të Kuçovës.

Kështu përtej kakofonisë së jo vetëm opinionistëve të gjithëditur dhe për shkak të së vërtetës duhet qartësuar se: “parimi i pa negociueshëm” për miratimin e projekteve që ndërtohen nga fondi i përbashkët i Aleancës, nuk janë kursësesi kërkesat/ambiciet e Qeverisë së radhës/rastit, por vetëm pesha gjeostrategjike dhe operacionale që ofrojnë projekti konkret në dobi të misionit të NATO-s për mbrojtjen e sovranitetit të 31 vendeve anëtare.

Si ndër dëshmitarët teknik të reformës së mbrojtjes, më tej si Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE), më duhet ta konfirmoj me përgjegjësi se “lista me të gjitha infrastrukturat strategjike” (bazat tokësore, detare dhe ajrore të RSh, përfshi Bazën Ajrore Kuçovës etj,) janë vënë vullnetarisht në dispozicion të Aleancës që mbas aplikimit të RSh për në programin e Partneritetin për Paqe në 1994 (PfP/NATO). Ndërsa për më tej, këtë listë e kam/kemi dorëzuar zyrtarisht (në emër të RSh) në SHAPE sipas një formulari standart (të detyruar) për secilën (çdo infrastrukturë të listës) mbas marrjes së ftesës së anëtarësimit në Samitin e Bukuresht, në Prill 2008.

Pra miratimi i projekteve që investohen nga Fondi i Përbashkët i Aleancës (NCF) nuk bazohet kurrësesi në orekset dhe axhendat elektorale të 31 vendeve anëtare apo nga Emri, gjatësia apo Partia e KM, apo MM në detyrë, por vetëm nga nevojat dhe impaktet operacionale që prodhohen për mbështetjen e policimit ajror si dhe përmbushjen e misionit bazë (artikulli 5) apo/dhe rast pas rasti në angazhimet paqebërëse të Aleancës.

Konkretisht, miratimi për financimin e 50 Milion € për ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës është bërë nga NAC në 2018 (pa asnjë kërkesë specifike të Qeverisë RSh), por vetëm pasi u peshua (nga një listë me qindra baza ajrore të ofruara nga vendet e tjera) si dhe u rekomandua nga Komanda Supreme e NATO-s (SHAPE) si një “bazë ndihmuese eficiente për mbështetjen e operacioneve të Aleancës”.

Në përmbledhje të sa më sipër, ndërtimin e kësaj baze të NATO/RSh e çmoj me interesa të larta gjeopolitike, strategjike, operacionale, ekonomike si dhe për besimin publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës Euroatlantike. Ndërsa përtej përfitimeve, Tirana Zyrtare duhet të demostrojë mirënjohje kombëtare dhe përgjëgjesi shtetërore shtesë duke përmbushur të gjitha detyrimet dhe standartet e Aleancët të përcaktuara në marrëveshjen e SOFA-s për personelin aktiv të angazhuar në sigurinë fizike, elektronike si dhe përmirësimin e kulturës së bashkëpunimit me Forcat Ajrore të USA/NATO (Ramstein, Gjermani).

Nga ana tjetër, ky projekt jo vetëm zyrtarizon prezencën (footprint) e parë në kohë paqe të NATO-s në teritorin e RSh por edhe që demostron peshën gjeostrategjike si dhe konsistencën 15 vjeçare të RSh (prej anëtarësinit, 4 Prill 2009) si anëtare serioze ndaj kërcënimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta, pasi edhe në këtë rast: “Tirana Zyrtare demostron mbështetje të pa kushtëzuar ndaj projekteve për modernizimin e fuqisë ushtarake të Aleancës në interes të sigurisë kolektive (artikulli-5) të 31 vendeve të NATO-s, mbrojtjen e vlerave dhe interesave Euroatlantike (USANATO); si dhe deri në fitoren “ jo vetëm për Ukrainën”!

Duke e vlerësuar me interesa të larta/afatgjata kombëtare ndërtimin nga NATO të Bazës Ajrore të Kuçovës, duhet edhe ta nënvizojmë se kësaj arritje nuk i vlejnë kurrësesi as ekzagjerimet dhe as privatizimi Partiak; as llogjet cinike me “opozitën me/pa brava dhe vulë”; as shpërdorimi i Institucioneve Kushtetuese si infermeri (pa) shërimi nga “sëmundja bolshevike e të gjithaPushteteve”, POR: “vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi si dhe “bekimi” nga/ndaj vlerave perëndimore dhe partneritetit strategjik me SHBA, NATO dhe BE”.

Së fundmi, duke j’u uruar suksese personelit të Fuqisë Ajrore të NATO-s si dhe kolegëve Shqiptarë, e meritojnë po ashtu t’ju shprehim mirënjohjen projektuesve, kontribuesve për ndërtimin e kësaj baze si dhe domosdoshmerinë e: “ppërditësit të mëtejshëm i Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat demokratike të pushteteve si dhe kulturën Euroatlantike të bashkëpunimit me NATO-n”.

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

ALFRED, PO MACET A KANË NINULLË TË TYREN PËR NE?

March 4, 2024 by s p

Visar Zhiti/

Maestro i dashur, Alfred!

Siç kam shkruar, i ndjek poezitë që përzgjidhni ju dhe përktheni, jo vetëm nga anglishtja në shqip, po edhe nga shqipja në anglisht, vërtet bukur, por dhe një dashamirësi e rrallë për poezinë dhe autorët…

Sot pashë që kishit nxjerrë “Ninullë për Macen” e poetes amerikane Elisabeth Bishop, krahas përkthimit ishte edhe origjinali siç bëni ju gjithmonë.

Më pëlqyen muzikiteti, ju jeni dhe muzikant, fjala, thjeshtësia e virtytshme dhe më befasoi ironia, aq e butë dhe e thellë, do të thosha. Mund të prisja fjalën ‘mjaullimë’, por gjithsesi jo ‘marksist’ në atë poezi. Unë kështu e shoh dhe me sa delikatesë e keni sjellë në shqip…

Dhe gjeta një foto të poetes me mace, Elisabeth Bishop ka qenë këshilltare në Bibliotekën e Kongresit amerikan, ka marrë dhe çmimin ‘Pulitzer’, etj, pashë se ka lindur në po atë vit, kur ka lindur dhe im atë dhe ka ndërruar jetë në vitin që unë jam burgosur. E di që këto s’kanë asnjë lidhje sidomos me poezinë, por ja, që më erdhën si asosacion mendimi dhe po mendoja për macet, aq shtëpiake dhe sa shumë vetanake, s’përshtaten lehtë e aq të dashura. Kam dhe unë poezi për to, kam shkruar dhe për macet në burg, shoku im Maks R. u jepte bukë nga racioni i tij, ua ngjyente me supë burgu… edhe ai përkthen shumë tani, ndërkaq më shfaqet një dritare nate me një mace që pret a ndoshta do të shikojë rrugën dhe e kam fotografuar dritaren e botës pa leje, kam imazhe te tjera me mace, macet e Shtëpisë Botuese Onufri janë të mrekullueshme, njëra nga ato, sa herë kisha ndonjë shkrim në gazetēn ExLibris, rrinte mbi emrin tim, më tregonte z. B. Hudhri, më ka dërguar dhe foto, më mbronte, – kam shkruar, – nga thonjtë e kritikëve socrealistë, s’ka shaka me ta…

…kujtoj që kur shkuam pelegrinë në Tokën e Shenjtë, një mace i vinte nga pas Edës time. Po sa shumë mace kishte në Romë në “Largo Argentina”, edhe në Stamboll, si nëpër poezira… Etj, etj. Macja është kryeneçe si gruaja, jeton dhe vetëm, diku e mbajnë dhe si perëndeshë a gjysmë perëndeshë, jo, jo thonë për gruan ashtu, është dhe një varg i…

Dhe teksa po e lexoja prapë “Ninullë për macen” mendova dhe kahun tjetër, ninullën e maces për njeriun e saj, duhet të ketë, s’dihet se si, e mistershme dhe po shkruaja mbi përkthimin tuaj, i frymëzuar për një tjetër poezi, një lloj parodie. Besoj ma lejoni këtë lojë dhe po i sjell këtu në murin e fb tim, poezinë e përzgjedhur nga ju dhe fotot e mia bardhë e zi, siç shohin macet, gati në gri…

1.

LULLABY FOR THE CAT

Nga ELISABETH BISHOP

(1911-1979)

Lullaby For The Cat

Minnow, go to sleep and dream,

Close your great big eyes;

Round your bed Events prepare

The pleasantest surprise.

Darling Minnow, drop that frown,

Just cooperate,

Not a kitten shall be drowned

In the Marxist State.

Joy and Love will both be yours,

Minnow, don’t be glum.

Happy days are coming soon–

Sleep, and let them come.

2.

Dhe përkthimi kaq i bukur

nga ALFRED KOLA

Elizabeth Bishop

(1911-1979)

Ninullë për Macen

Vogëlushe, shko fli dhe ëndërro,

Mbylli syçkat e ëndshme;

Ngjarjet rreth shtratit përgatisin

Të papriturën më të këndshme.

Ngri vetullat, Vogëlushe e dashur.

E bashkëpuno sërish,

Asnjë kotele nuk do të mbytet

Në Shtetin Marksist.

Me ty do jenë Gëzimi e Dashuria,

Vogëlushe, largo mërzinë.

Ditë gëzimi po vijnë së shpejti–

Fli, dhe lëri të vijnë.

Korçë, 3 mars 2024

*******

3

NINULLA E MACES

PËR NJERIUN QË PO FLE

– sipas Elisabeth Bishop –

Fli edhe pak dhe ëndërro,

Jam macja jote ledhatare.

Mbi shtratin tënd po kotem,

Paç befasira edhe ngjarje!

Je bërë me prona dhe veturë…

Dhe bashkëpunëtor dhe narcizist.

S’kam frikë kotelet të m’i mbysin,

Shteti s’është më marksist.

As ti nuk do të jesh siç ishe,

Po e kupton dhembshurinë

Dhe do vijnë ditë të lumtura,

“Fli dhe lëri të vijnë!”

Fli dhe lëri të vijnël… ditët! – kaq e qartë është porosia, e dhënë kaq çiltër gjuhësisht, pa inat, me mëshirë dhe rreptë: fli dhe mos pengo si dikur. A e sheh që është më mirë dhe për ty, ja, kështu si ne, megjithëse s’të rrihet pa çjerrë…

Çdo ngjashmëri me mace dhe persona reale (s’)është e rastit.

Filed Under: Kulture

Glauk Konjufca: Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive

March 4, 2024 by s p

Nën organizim të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe me mbështetje të organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), filloi sot në Prishtinë Konferenca ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”.

Në këtë konferencë po marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deputetë të Kuvendit të Kosovës, diplomatë të huaj, përfaqësues nga shoqëria civile etj.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, në cilësi të nikoqires gjatë ceremonisë së hapjes theksoi se në këtë konferencë, e cila po organizohet për herë të parë në Kosovë, do të diskutohet për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian, si dhe për tema të tjera që lidhen me bashkëpunimin dhe zhvillimin e demokracisë.

“Po ashtu do të diskutohet për sigurinë në një kohë kur konfliktet janë aktuale në disa vende të botës, për rolin dhe ndikimin e shoqërisë civile dhe mediave në demokratizimin e shoqërisë tonë dhe të ardhmen, që sigurisht është synim i të gjithëve, një përpjekje që të kemi një të ardhme sa më të ndritur për vendin tonë”, tha Kryeziu-Hyseni.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se diplomacia parlamentare është një nga mjetet më të fuqishme për të ndërtuar marrëdhënie bilaterale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm.

“Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive me parlamentet e vendeve mike, por edhe krijimi i miqësive të reja me deputetë dhe përfaqësues të vendeve që ende se kanë njohur Kosovën”, tha kryetari Konjufca.

Sipas tij edhe vet shtetësia e Republikës së Kosovës ka kaluar nëpër procese diplomatike.

“Vetëkrijimi i shtetit të Kosovës ka marrë shumë përpjekje diplomatike dhe ka kaluar në shumë faza të trajtimit diplomatik”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i legjislativit përmendi disa institucione të rëndësishme evropiane, pjesë e së cilave është Kuvendi i Kosovës, ndërsa shtoi se po punohet për forcim të bashkëpunimit diplomatik.

“Jemi pjesë e Këshillit të Evropës, Kuvendi e ka një delegacion atje, i cili vërtet bën një punë të mirë. Jemi pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e Asamblesë Parlamentare për Procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, e po ashtu edhe pjesë e Frankofonisë dhe shumë trupave të rëndësishëm në botë, në të cilët Kosova jep kontributin nëpërmjet pranisë së përfaqësuesve të saj”, tha kryetari Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti tha se diplomacia parlamentare është e rëndësishme për të ndihmuar Evropën në navigimin e kompleksiviteteve dhe përballjen me narrativat e vjetra.

“Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socio-ekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”, tha kryeministri Kurti.

Sipas tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor shihet se si regjimi në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë.

Kreu i Qeverisë tha se në dy vitet e para të qeverisjes Serbia ka sjellë katër herë ushtrinë te kufiri, ka sponsorizuar terrorizmin, ka shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e saj ndaj Kosovës dhe rajonit.

Drejtori i Friedrich-Ebert-Stiftung për Kosovë, Peter Hurrelbrink, ndërkaq tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi, por kjo kërkon një numër të madh reformash në vendet e rajonit.

“Është e rëndësishme që të diskutohet për sfidat në siguri, luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfshirjen e shoqërisë civil dhe mediave në rolin primar dhe shumë reforma tjera që duhet të bëhen për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Hurrelbrink.

Filed Under: Rajon

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

March 4, 2024 by s p

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s,

Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA,

Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.

Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar.

NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën.

Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës.

Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite.

Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.

Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike.

Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë.

Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit.

Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme.

Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë.

Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri.

Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë.

NATO feston këtë vit 75-vjetorin e krijimit dhe Shqipëria 15-vjetorin e anëtarësimit. Nuk ka më mirë që këta përvjetorë të festohen me investime të tilla të rëndësishme.

Kjo bazë, si dhe angazhimi ynë në NATO,

është investim në mbrojtjen e vendit tonë,

është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas nesh,

është dëshmi e përkushtimit tonë për të punuar së bashku me aleatët tanë për të ndërtuar një botë më të sigurt për të gjithë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1282
  • 1283
  • 1284
  • 1285
  • 1286
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT