• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA  E  FLAMURIT

November 22, 2023 by s p

Mendime e kujtime

Dërgoi për botim: Eugjen Merlika

Në nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet Turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet të vet. Por trupi i tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i Atdheut !

Trimat, shokët e tij, qi bashkë me tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe, e luftarët e tij mâ të përmendunit mirrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në të katër anët. Qytetet e tija mâ të fortat, fole sokolash e sqifterësh, bijshin njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.

Në atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën, Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye kundër Turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të mbrâme të të drejtavet kombtare.

Po nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës. Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga Qeveria turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara, fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat për të na helmuem gjakun, për të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet kombtaret mâ të shtrenjtat.

Mjerimet e salvimet qi ka hekun komi shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të robniës së vet, janë të panjehuna.

Ndonse kom më vete e të ndamun prej Turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e kështu do të ngjante edhe mbas luftës balkanike, kur Europa, tue mohuem të drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me copa t’Atdheut t’ënë, fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit. 

Mbase 450 vjetë kishin kaluem, 450 vjetë të gjata pësimesh e të vështirash, që kur se flamuri i kuq me shqipen e zezë dykrenshe, ai flamuri i lumnueshëm i Skandërbeut, ishte shdukun prej qiellit të kaltër të Shqipniës. Anmiqt shekullorë të komit shqiptar kishin shkelun me kâmbë dhunuese tokën arbnore të lame me gjakun e bijvet të vet, mbi trupat e të cilvet topitej pareshtun tehi i shpatavet e i thikavet të pushtuesvet barbarë. Të dehun nga fitimi i papritun kundër Turqiës, e të ndezun prej mëniës gjakpijse kundër fisit t’ënë, ushtarët beslidhun të Balkanit kishin urdhën qi të mos kurseshin asfare jetën vllazënvet t’anë, pse kështu qeveriët e tyne do të mundshin mâ vonë me mbretnuem e me sunduem mâ lehtas mbi pakicat shqiptare të shpëtueme prej atyne therjeve të pamëshira.

Përpara këtij rreziku të kobshëm qi varej mbi fatin e Atdheut, Shqiptarët, ndonse të turbulluem e të turitun prej rrjedhës së vrulltë t’atyne ngjarjeve të papandehuna e të trishtueshme, e mblodhën mendjen, i bashkuen zemrat e i dhan besën njeni tjetrit qi me u përpjekun e me marrë masat e duhuna për shpëtimin e vendit të të parvet.

Pa humbun kohë, burrat e krenët e tyne mâ të vjefshmit u mblodhën në Vlonë ku, nën kryesiën e të ndëjyemit Ismail Qemal Bej, prokllamuen mvetësiën  e Shqipniës e ngritën flamurin të kuq e të zi, qi shtërgjyshat u kishin lânë trashigim të palosun e të mbyllun në varret e veta.

Kujtimin e kësaj dite gazmore, të cilën të parët t’anë e kishin pritun me aqë dëshir e qi na, mâ të lumë se ata, patëm fatin e bardhë qi t’a shohim me sy, komi shqiptar po pregatitet t’a kremtojë me lulzim më 28 të këtij mueji.

Po të hedhim një sy mbi të ndodhunat e panumërta, të ndryshme e të vajtueshme qi kanë përsjellun jetën e Shqipniës së lirë e qi na vërtiten përpara me shpejtim si fytyrat mbi pëlhurën e nji kinematografi, nuk duem t’i besojmë vetes s’onë, na duket si të jemi n’andërr : e shtatë vjetët, qi na ndajnë prej ditës së proklamimit të mvetësiës s’onë, na bâhen mâ të gjata e na dalin mâ të hidhuna se 450 vjetët e robniës së vjetër.

Përpara mjerimit t’Atdheut të cunguem prej Konferencës së Londonit, e tue pamun vendin e të parvet e vllaznit e vet akoma të paliruem prej thonjvet t’anmiqvet, Shqiptarët e humbën shpresën, e buerën guximin. Të lânun prej Qeverivet të mëdha pa atë mbështetje e pa atë ndihmë për të cilat ka pasun nevojë çdo komb i vogël në kohët e para të të mkambunit të vet, Shqiptarët muerën prapë tatpjetën e nisën përsëri t’u vên veshin propagandavet të hueja e, sikurse pësimet e të ligat e vuejtuna të mos u kishin vjeftun fare mësim, ran për prapë në fajet e përparshme.

Edhe nji herë gjaku i Shqiptarvet nisi me shkuem rrëkeë, edhe nji herë flamuri i ynë u rrëzue e u shduk, edhe nji herë anmiqt e pushtuen tokën e Shqipniës e sunduen edhe mâ rreptësisht mbi popullin t’ënë të ndamun në çeta e në partië gjithfarësh. E as sot të zezat t’ona nuk kanë marrë fund, e fati i Atdheut t’ënë ndodhet akoma i padalluem.

E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë pra për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet t’ona, të harrojmë hidhnimet e anmiqsiët qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njeni tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshavet t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të mirën e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderin e flamurit t’ënë. 

Në veprimin e në sjellën t’onë të mbajmë gjithnji ndër mend këshillet e vlerta urtësie, vllaznie e atdhetarie qi, në veprën e tij profetike, u jipte Shqiptarvet, ndëpër gojë të Marash Ucit, vjershëtori i ynë kombtar tue u thânë :

Armët e mbushme mos me i dhânë,

Me shokë t’uej kurr mos me u zânë.

Kurr ujt turbull mos me i rá, 

Mos me dalun n’và t’pa và.

Vendin t’uej me e dashtë për ore, 

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

T’huejnë me fjalë mos t’a poshtnoni,

Bukën para por t’i a shtroni

Në Shqipní si âsht qênë zakoni ;

Me i besue mos i besoni !

Paris më 20 nânduer 1919                        LUIGJ  GURAKUQI

KUVȆNDI Romë, 30 Nëntor 1919

Filed Under: Politike

Syrja Bej Vlora (1860-1940) patriot dhe veprimtar i shquar i pavarësisë shqiptare

November 22, 2023 by s p

Prof.As.Dr. Hasan BELLO/

Autorë e studiues vendas dhe të huaj me të drejtë kanë theksuar se jeta dhe vepra e Syrja Bej Vlorës paraqet portretin tipik të një politikani dhe intelektuali që reflekton dramën e dhimbshme të kalimit nga perandoria në shtetin kombëtar shqiptar.

Jeta e Syrja Bej Vlorës jo vetëm që nuk është rrëfyer siç duhet deri më sot, por edhe ata historianë që kanë shkruar pak rreshta mbi të, për shkaqe ideologjike që tashmë dihen, janë gabuar dhe nuk i kanë dhënë vendin e duhur kësaj figure.

Ai e ka preardhjen nga dera e Vlorajve, kësaj familjeje fisnike shqiptare që duke nisur nga shek.XV-të, ka shërbyer si djep funksionarësh për shtetin osman deri në fundin e perandorisë.

Për arsye se familjet e njohura në Shqipëri lidhnin krushqi me njëra-tjetrën Syrja Bej Vlora ka lidhje farefisnore me të gjitha familjet e rëndësishme të Shqipërisë.

Në moshën njëzetvjeçare Syrja Beu u emërua në detyrën e drejtorit të sekretariatit të sanxhakut të Korçës, gjatë kohës kur i ati ndodhej atje me detyrën e mytesarrifit (qershor – dhjetor 1879). Kjo periudhë përkon me vitet e vështira të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Fuqitë e Mëdha dhe ato Ballkanike përpiqeshin për copëtimin e trojeve shqiptare. Pikërisht në këtë periudhë, Syrja Beu fare i ri në moshë u orvat të mblidhte në Vlorë krerët e qyteteve përreth “për të formuar një lidhje kombëtare e për të vendosur mbrojtjen e atdheut”. Ky bashkim i shqiptarëve të Jugut, i ngjashëm me atë të Veriut konsiderohet si fillimi i nacionalizmit shqiptar.

Rrethanat e kohës e detyruan Syrja Bej Vlorën që krahas veprimtarisë administrative dhe patriotike, t`i kushtonte vëmendjen e duhur edhe manaxhimit të ekonomisë familjare. Siç tregon i biri, Eqrem Bej Vlora, në sajë të gjenialitetit tregtar të Syrja Beut, i cili nga mëngjesi në drekë e kalonte kohën në studion e punës me sekretarët dhe miqtë e tij, pasuria e familjes në Vlorë, në 25 vjet u gjashtëfishua. Me përpjekjet e tij, u hapën fabrikat e para të vajit në Vlorë dhe Kaninë, u ngritën mullinj me avull, u rrit vëllimi tregtar me Triesten dhe standardi i jetesës për shtresën e mesme të vendit.

Në vijim të këtyre përpjekjeve në vitin 1888 Syrja Beu solli nga Italia 22 familje me origjinë shqiptare që e njihnin mjaft mirë bujqësinë dhe me ta krijoi një fermë pilot në tokat e tij, në mënyrë që edhe fshatarët vendas të mësonin teknikat e reja.

Në periudhat në vijim Syrja Beu do të ushtroi një sërë funksionesh, të cilat kulmuan me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave të Perandorisë Osmane (1903-1908) dhe si deputet në vitin 1912.

Në Parlamentin osman, Syrja Beu do të bëhet zëri dhe përçuesi i mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar, i cili në këtë fazë kishte hyrë në një kontradiktë të ashpër me qeverinë osmane, që tashmë drejtohej nga xhonturqit. Nga foltorja e Parlamentit ai i drejtohet kryeministrit dhe deputetëve xhonturq me fjalët “për nënshtrim mjafton forca. Por për të arritur kënaqësinë dhe satisfaksionin e popullit, nevojitet mirëqeverisja”. Ai denoncon me emër nënpunësit civilë dhe ushtarakë osmanë, që me sjelljen e tyre të ashpër kishin ngjallur urrjetjen e popullit shqiptar.

Sipas Syrja Bej Vlorës tre ishin arsyet kryesore që i kishin acaruar marrëdhëniet e perandorisë me shqiptarët: mbledhja e armëve nga duart e popullsisë myslimane, mësimi i shqipes në shkolla dhe çështja e shkrimit të gjuhës shqipe me gërma latine. Ai kritikon ashpër shpalljen qeveritare sipas së cilës “gërmat latine bien në kundërshtim me fenë”. Këto kritika shkaktuan reagime të forta në Parlamentin osman. Por, ai, me qetësi dhe logjikën e një personaliteti poliedrik deklaron se “në këtë epokë të qytetërimit, shteti as nuk duhet ta përdorë fenë si mjet e as të pengohet prej saj”. Deputetëve kundërshtues ai i drejtohet me fjalët “Nëse ky Parlament nuk merret me çështjen shqiptare, me cilën çështje do të merret?”.

Këto rrethana e detyruan atë dhe patriotët e tjerë shqiptarë që më 12 janar 1912 të mblidheshin në shtëpinë e tij, në lagjen e njohur të Taksimit në Stamboll. Në këtë takim u vendos për organizimin e një kryengritje mbarëkombëtare, duke përfshirë Kosovën dhe të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Në këtë periudhë Syrja Beu dhe i biri i tij Eqremi, me mbështetjen e Austro-Hungarisë luajtën një rol të rëndësishëm për Shpalljen e Pavarësisë. Por për rrethana historike që ende sot e kësaj dite mbeten enigmatike, ata megjithëse ishin planifikuar si ngitës të flamurit kaluan në plan të dytë dhe roli kryesor iu besua Ismail Qemalit, i cili përsëri ishte kushuri i tyre.

Kjo meritë për vite me radhë ka qenë mohuar nga historiografia komuniste, por me ardhjen e pluralizmit figura dhe kontributi i Syrja Bej Vlorës por merr çdo ditë e më shumë vendin që meriton.

Në qeverinë jetëshkurtër të Princ Widit Syrja Beu do të emërohet si ambasador i Shqipërisë në Vjenë. Kjo tregon për vlerësimin që ai kishte për Syrja Beun.

Ndërsa gjatë viteve të LPB ai do të vendoset në Lozanë e Zyrih të Zvicrës nga ku do të përpiqet për të shpëtuar fatet e atdheut së bashku me shumë shqiptarë të tjerë.

Në përfundim të luftës ai do të përpiqet të rimarrë pronat e konfiskuara nga xhonturqit në Stamboll. Ndërsa qëndron larg zhvillimeve dhe ngatërresave politike që ndodhin në Shqipëri.

Pas lëvizjes së qershorit 1924 për një kohë të shkurtër Syrja Beu vendoset në Itali dhe pas kthimit të Ahmet Zogut rikthehet përsëri në Vlorë.

Falë formimit dhe bibliotekës së pasur që dispononte ai do t`i përkushtohet leximit dhe shkrimit të kujtimeve, të cilat krahas atyre të të birit, Eqrem Bej Vlorës, përbëjnë një burim të pazëvendësueshëm për letrat shqipe.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori Tagged With: syrja vlora

Mirënjohje

November 22, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Mirënjohja është virtyt kaq i lartësuar saqë disa vende kanë një festë të tërë të bazuar rreth saj. Megjithatë, kultivimi i një mendësie të përditshme mirënjohjeje mund të ketë gjithashtu ndikim të thellë në edukimin e marrëdhënieve dhe nxitjen e mirëqenies. Kur e pranojmë vazhdimisht mirësinë dhe mbështetjen që kemi marrë nga të tjerët, ne forcojmë lidhjet tona me miqtë dhe familjen dhe inkurajojmë një kulturë vlerësimi – ndjeshmërie. Mirënjohja është gjithashtu një mjet i fuqishëm për të rritur lumturinë tonë, për të përmirësuar shëndetin dhe për të zhvilluar elasticitetin emocional.

Mbajtja e një ditari mirënjohjeje, dërgimi i një shënimi ose emaili të sinqertë falënderimi ose përfshirja e vlerësimit në rutinën tonë të përditshme të vëmendjes mund të përmirësojë mirëqenien tonë mendore dhe emocionale gjatë gjithë vitit.

Shprehja e rregullt e falenderimeve na kujton lidhjet që ndajmë me njerëzit tanë dhe inkurajon akte mirësisë që mund të valëviten në të gjithë shoqërinë, duke kontribuar përfundimisht në një dhembshuri më të madhe.

Le të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na bëjnë të lumtur; ata janë si kopshtarët që e bëjnë shpirtin tonë të çelet.

Nëse më shumë njerëz do të ishin më mirënjohës për atë që kanë, në vend që të vajtojnë për ato që nuk kanë, shumë të mira do të vinin në botë. Pesimizmi ushqehet me vetveten. Po kështu edhe optimizmi. Mirënjohja është një emocion hyjnor; e mbush zemrën, por jo për të shpërthyer; e ngroh, por jo në temperaturë,thoshte Charlotte Brontë.

Kur një person nuk ka mirënjohje, diçka i mungon humanizmit të tij. Një person pothuajse mund të përcaktohet nga qëndrimi ndaj mirënjohjes. Falënderimi është forma më e lartë e mendimit; dhe

mirënjohja është lumturi e dyfishuar nga habia. Kaq shumë për të shijuar, aq shumë për të qenë mirënjohës. Dhe meqenëse nuk jam i sigurt për adresën në të cilën të dërgoj mirënjohjen time, e vendos atë në çdo gjë që bëj. Këtu është dhurata e mirënjohjes: Për ta ndjerë atë, egoja duhet të tërhiqet. Ajo që shfaqet në vend të saj është dhembshuria dhe mirëkuptimi më i madh. Dhe sa më mirënjohës të bëheni, aq më shumë duhet të jeni mirënjohës. Seneka shkruante se kush merr një përfitim me mirënjohje, e kthen këstin e parë të tij. Falënderimi për bollëkun është më i ëmbël se vetë bollëku. Bollëku jep shkujdesje; falenderimi sjell vigjilencë: kërko begati me rrjetën e mirënjohjes.

May be an image of 1 person, television, newsroom and text

Like

Comment

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për 16 vjet rreth Flamurit të përbashkuar

November 22, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Mbi njatë Flamur Perendia,

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!” Gjergj Fishta

Këto ditë festuam Ditën e Flamurit Kombëtar!

Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit pothuajse në të gjitha lagjet e Nju Jorkut festuan me madhështi Ditën e Shenjtë të Flamurit

Për shkak se javën tjetër në fundjavë shkollat publike janë të mbyllura ngase është Dita e Falënderimeve, ne e festuam Ditën e Flamurit në bazë shkollash një javë më parë.

Është krenari kombëtare që edhe pse jemi larg Atdheut Shqiponjat e Shkollës Shqipe e festojnë me plot dashuri dhe krenari Ditën e Shenjtë të Flamurit. Nxënësit nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara si Fatlinda Gashi dhe Rozeta Daci në Brooklyn, Entela Muda, Elona Shkreta në Staten Island, Kade Lajqi, Helena Ujkaj, Albana Lazri dhe Mehrije Shala së bashku me asistentet si Edona, Erlinda, Blenda dhe Sara dhanë një program të shkurtër artistik me vjersha, valle dhe këngë patriotike.

Kënaqësi është kur pranë nesh vinë ish mësues si Vjosa Rraci Gruda apo dhe ish nxënës të tjerë që shprehin dëshirën për ta festuar Ditën e Flamurit bashkë.

Në ekran në cdo shkollë u dha deklarata e Pavarësisë, mbajtur më 28 Nëntor 1912 nga Ati i Pavarësisë Ismail Bej Vlora. Në tekstin origjinal të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë shkruhet:

“Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

Shkollat u mbushën plot e përplot nga gumëzhitja dhe cicërrimat e nxënësve që vinë me aq dashuri dhe pasion pranë shkollave shqipe “Alba Life” dhe natyrisht ky është bashkëpunimi i frytshëm midis mësueseve, nxënësve dhe Bordit.

Nxënësit të gjithë me flamuj në duar, vajzat me kostume popullore apo me fjongot kuq e zi e bënin dhe më të bukur dhe ndiznin atmosferën në këtë ditë të shenjtë.

Ceremonitë u hapën me Himnin Kombëtar shqiptar si:

Rreth flamurit të përbashkuar,

me një dëshirë e një qëllim,

të gjithë atij duk’iu betuar

të lidhim besën për shpëtim.

Të gjithë nxënësit në shkollat ku kishte mundësi të merrte pjesë z. Qemal Zylo i përshëndeti dhe iu uroi ta gëzojnë ditën e Flamurit përjetësisht. Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave Shqipe “Alba Life” në New York dhe në Online foli me krenari për festimin e Ditës së Shenjtë të Flamurit që realizohet me një program serioz cka e bën shkollën tonë të jetë një ndër shkollat më prestigjioze dhe plot sukses në rritje.

Nxënës të shumtë recituan poezi patriotike dhe vallëzuan valle tradicionale të mrekullueshme. Psh në Brooklyn dhe në Bronx grupet e valleve intepretuan mjeshtërisht nën drejtimin e asistenteve Blendës, Edonës si dhe Erlinda, ndërkohë zonjusha Gjidija interpretoi këngën aq të dashur ndër shqiptarë: Mora fjalë kushtuar Heroi legjendar Adem Jashari.

Prindi shembullor i Emilisë Mirela Arifaj solli tortën e festës së Pavarësisë, ku të gjithë nxënësit u kënaqën dhe ndanë momente gëzimi së bashku.

Në Brooklyn u shfaq në ekran kënga kushtuar Shkollave Shqipe Alba Life interpretuar nga grupi “Thesaret Labe” të cilët i kishim mysafirë javën e kaluar.

Ata përshëndetën: Alba Life mirë se të gjetëm/ Tempulli i diturisë…

Flamuri kuq e zi bashkon shqiptarët anë e mbanë globit ashtu si në Shkollat Shqipe “Alba Life” që kanë 16 vjet që e festojnë me madhështi, sepse frymëzohen nga Himni Kombëtar për Kombin që thotë: “Shqipëria do të rrojë/

Për të, për të, luftojmë ne!”

18 Nëntor, 2023

New York

Filed Under: Reportazh

“Fjalët e shpirtit”

November 22, 2023 by s p

Monda Mara/

“Fjalët e shpirtit”, në edicionin e saj të 6-të, mblodhi të dielën që lamë pas në Brescia të Italisë, poetë, artistë, nxënës të shkollave shqipe me banim në këtë shtet. Kjo veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe nën kujdesin e mbështetjen e Konsullatës sonë në Milano, bëri që fjala shqipe të kumbojë fuqishëm, si për të na treguar se edhe pse mërguar, për ne asgjë nuk do të ndryshojë. Sipas Konicës, shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti. Dhe pikërisht këtë të fundit, artin shqiptar, u munduam ta shpalosnim në shumë forma atë pasdite, duke patur edhe një qëllim tjetër: transmetimin e tij brezit të ri që po rritet në mergim.

E konceptuar në formën e një konkursi të poetëve shqiptarë që bëjnë pjesë në Antologjinë II të Lidhjes dhe interpretimeve të nxënësve të shkollave shqipe, emocionet që na shoqëruan përgjatë gjithë kësaj veprimtarie, ishin vërtet të mëdha. Të ardhur nga shkollat: “Dora e Pajtimit” Milano , “Mësonjëtorja” Brescia , Qendra kulturore “Margarita Xhepa ” Asti, “Besëlidhja ” Rovereto, “Shqiponja ” Reggio Emilia dhe “Ura” Novara, me anë të recitimeve të poezive të ndryshme nga autorët shqiptarë, nxënësit na befasuan me pregatitjet dhe nivelin e paraqitur. Edhe pse u ndanë 3 çmime, secili prej tyre ishte një fitimtar. Të shprehurit në gjuhën e nënës, angazhimi dhe përkushtimi për t’u përfaqësuar sa më mirë në këtë garë, i bën ata fitues të padiskutueshëm.

Përsa i përket konkursit të poezisë shqipe në Itali, ndër 51poetët pjesë të Antologjisë II, u përzgjodhën 20 prej tyre. Dhe këto poezi, u vlerësuan nga një juri e jashtme. Poetët fitues Agim Bajrami, Rudina Muharremi Beja dhe Lumo Kolleshi (sipas vendeve respektive III, II, I), shprehën kënaqësinë për përfshirjen e tyre në Antologji dhe përgëzuan organizatorët për veprimtarinë. Për të pranishmit 3 poezitë fituese u sollën nga vetë këta autorë, duke rrëmbyer edhe duartrokitjet e publikut.

Siç dhe e theksova në fillim, arti u shpalos në shumë forma atë pasdite. Piktorja Vjola Fusha, foli me gjuhën e pikturës. Njëra prej tyre e bërë enkas për këtë ngjarje, iu dhurua autoriteteve lokale italiane, në shenjë falënderimi për mbështetjen që i japin komunitet shqiptar. Gjithashtu tingujt e muzikës sonë nën interpretimin e sopranos së talentuar, pjesë e teatrit “La Scala” në Milano Anila Hoxha Gjermeni, këngëtarit lirik bass me një karrierë të pasur në Itali Artan Lika dhe këngëtarit Neptun Gjata, pjesëmarrës në shumë festivale dhe i vlerësuar me çmime, na bënë të ndihemi akoma edhe më shumë pranë vendlindjes.

Çast i rëndësishëm gjatë veprimtarisë ishte dhe certifikata e nderit dhënë Konsulles sonë dhe Komisares së Diasporës në Itali, znj. Luljeta Çobanaj, për angazhimin dhe mbështetjen e pakursyer ndaj shoqatave dhe shkollave shqipe në këtë vend. Gjithashtu edhe përshëndetja e presidentit të LSHASHI-t, z. Skendër Lazaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe uroi që organizime të tilla të tërheqin edhe më shumë vëmendjen e komunitetit tonë për t’u bashkuar në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave tona kombëtare.

Kanë thënë për shpirtin se ai ka ngjyrën e mendimeve. E pra mendimet tona atë pasdite të së dielës u lidhën me artin, atë i cili u vesh me ngjyrat tona të flamurit.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1308
  • 1309
  • 1310
  • 1311
  • 1312
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT