• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTA E FLAMURIT DHE KUJTIMET PËR VEPRIMTARËT NË ÇIKAGO

November 17, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

28 Nëntori-Dita e Pavarësisë së Shqipërisë apo si thonë në diasporën shqiptare në Amerikë-Festa e Flamurit, është një ditë e veçantë me plot emocione dhe kujtime për veprimtarët tashmë në amshim që, për festën dhe çështjen kombërare kanë bër udhën me shokët siç thoshte Ismail Qemali.

Në Çikago tash e një shekull në krah të atdheut e të kombit shqiptar, kur e kur nga vatrat tona etnike në Ballkan erdhën breza-breza shqiptarë në Amerikë për të mbrojtur substancën kombëtare e familjare nga dora armiqësore të fqinjve tanë grabitqarë të tokave tona nga serbët, grekët, malazezët dhe boshti pansllavistë të Moskës, të Athinës, të Beogradit dhe të Podgoricë.

Erdhën djemë të rinj dhe u plakën në Amerikë, thonë në kujtimet e kronikave të kohës së diasporës shqiptare…Erdhën dhe bën punë e veprimtari kombëtare në krah të atdheut e të kombit shqiptar në hapësirën etnike në Ballkan.

Për këto vite, pjesa më e dhimbshme ishte fati i Kosovës nën regjimin e krijesës Jugosllavia dhe tutela fashiste e Serbisë, që për një shekull u përgjakën shqiptarët në kërkim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës!

Në Çikago, më shokët e udhës tashmë në amshim, që,kanë lënë gjurmë në historinë e diasporës shqiptare për atdheun dhe kombin shqiptar ishin veprimtarët Hydajet Bregu,Faik Ajroja,Ajet Rushiti,

Jusuf Azemi, Qazim Ismaili, Tefik Ashiku e tjerë.

Në kujtimet tona ishte nderim të jemi bashkë në KSHA në udhën kombëtare me veprimtarin dhe nxënësin e Normales së Elbasanit Hydajet Bregu, i cili përmes testamentit dhe të djersës së tij pati lënë në një llogori 5 milion dollar për të hapur shkollë, për të botuar libra për gjuhën shqipe apo ndonjë katedër për shqipen si gjuhë e lashtë indo-evropiane për brezin e ri shqiptar në Amerikë dhe për miqtë tanë amerikan që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe!

Në ditën e manifestimit të Festës së Flamurit e të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë tonë, i përkujtojmë veprimtarët në Çikago që ndër vite ishin në udhën e madhe të atdheut e të kombit për sublimimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, ëndrra shekullore e brezave shqiptarë në diasporën në Amerikë…!

Veprimtarët e devotshëm në Çikago,historia e tyre do të shënohet në kronikat e historisë kombëtare dhe,ata do të jenë program i jetës e veprimtarisë për brezat e rinj që lindin dhe rritën në Amerikë ,miken tonë të përjetshme për hapësirën shqiptare…!

E paçim për jetë të jetëve Shqipërinë tonë !Gëzuar Festa e Flamurit!

Çikago, nëntor të motit 2023

Filed Under: ESSE

Lef Nosi: Kujtesa e kombit

November 17, 2023 by s p

Çelo Hoxha/

Ekzekutimin e Lef Nosit, në shkurt 1946, mishëron thelbin e komunizmit shqiptar: zhdukjen e kombit shqiptar. Lef Nosi ishte profili kombi shqiptar në miniaturë: paqësor, dashamirës, punëtor, konservator dhe zotërues i koleksioneve të rralla historike.

Lef Nosi lindi në Elbasan në 9 prill 1877 në një familje të njohur tregëtare. Kreu gjimnazin në Athinë dhe dy vjet universitet në degën e farmacisë. Në 1902, në moshën 25 vjeç, u arrestua për veprimtarinë e tij politike. Në maj 1908, ai bëri një udhëtim në Filandelfia, SHBA. Në 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”. Një vit më vonë, Lef Nosi themeloi gazetën “Tomorri”, e cila doli në Elbasan dhe ishte e para në historinë e këtij qyteti. Për shkak të disa artikujve të botuar në gazetën e tij, të cilat nxitën reagimin e qeverisë xhonturke, Lef Nosi u arrestua dhe u dënua me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim. Në 1911, Nosi u lirua nga intenimi dhe u kthye në Elbasan. Aleksadër Xhuvani i shkroi nga Kajroja të bënte kujdes, ose të largohej nga Elbasani nëse do të vazhdonte botimin e gazetës.

Në 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte njëri nga delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Mid’hat bej Frashërin, Shefqet bej Daiun dhe Qemal bej Karaosmanin. Më 25 nëntor 1912, delegacioni i Elbasanit, së bashku me një pjesë të delegacionit të Kosovës, iu bashkuan delegacionit e prijësit të historisë, Ismail Bej Vlorës, te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit. Në 28 nëntor, Lef Nosi dhe Shefqet bej Daiu shkëmbyen disa telegrame me Elbasanin, duke i nxitur që dhe ata, ashtu si Durrësi, të ngrinin flamurin. “Ngrini-e sa ma shpejt. Mbë nj’anë i dërgoni ushtëriës serbe komision të posaçëm e më tjetërt anë flamurin nuk e ngrini. Si bahet kjo punë,” pyeste telegrami i Lef Nosit. Më tej, thuhej se kongresi (Kuvendi i Vlorës) nuk kishte filluar ende, “ndashti hapet”. Elbasani e kishte ngritur qeverinë e përkohshme pa ngitur ende flamurin. Kryetar i saj ishte zgjedhur Aqif Pashë Elbasani.

Pak më vonë, Lef Nosi ishte një nga personazhet kryesorë të ngjarjes më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë: shpalljes së pavarësisë. Në 4 dhjetor, me votimin me dytë, ku mori 37 vota, Lef Nosi u zgjodh anëtar i Qeverisë. Ai mori postin e ministrit të Postë-Telegrafës.

Sipas baroneshës Marie Amelie Frein von Godin, dëshmitare okulare e ngjarje të shpalljes së pavarësisë, Lef Nosi “dallohej për një atdhetarizëm të padyshimtë”. Ajo vlerëson shumë rolin e Lef Nosit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit, një fakt që në burime të tjera nuk gjendet. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar thuhet që në 1908 ai ka dhënë mësim në një shkollë nate në Elbasan dhe që “dha ndihmesë” në punimet e Kongresit të Elbasanit, 1909, dhe në hapjen e Shkollës Normale. Kurse baronesha thotë: “Do të gëzohesha shumë, nëse në muajt dhe vitet e ardhshëm do të dëshmohej se ai do ta gjejë veten dhe do të japë prova si ministër për Prostën dhe Telegrafën, ashtu siç e kishte gjetur veten dhe kishte dhënë prova si drejtor shkolle.”

Në 25 dhjetor 1918, Lef Nosi ishte delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit së bashku me Shefqet bej Vërlacin dhe Ahmed Daklin. Ai propozoi t’i dërgohej një përshëndetje falënderimi qeverisë italiane “për ndihmë qi asht tyke i bamë Shqipnis”. Kongresi zgjodhi një qeveri të përkohshme, e cila do të dërgonte një delegacion në Konferencën e Paqes. Lef Nosi ishte njëri nga anëtarët e delegacionit në Paris.

Në vitet 1918-1919 Lef Nosi ishte një nga drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi letrar”, e cila dilte në Elbasan.

Ai është një nga koleksionistët më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë. Koleksionet që ai grumbulloi gjatë gjithë jetës, objekte antike, etnokulturore, dokumente historike, dorëshkrime, pulla e të tjera, janë objekti diskutimi edhe sot, sepse nuk dihet ende fati i tyre. Dihet vetëm që, kur erdhën komunistët në pushtet, Lef Nosi i mbylli ato në Bankën e Shqipërisë, dhe komunistët nuk dihet çfarë i kanë bërë. “Ai nuk e kishte për gjë që të merrte paketën bosh të cigareve e ta koleksiononte si një gjë të rrallë. Shtëpia e tij në Elbasan ishte kthyer në një muze me vlera të patjetërsueshme,” shkruan historiani Kastriot Dervishi. Sipas Dervishit, “pas Lufte (e Dytë Botërore), në Arkivën e Partisë së Punës kishte shumë pak trakte të kësaj partie të hedhura gjatë viteve 1941-1944. Për faktin se askush nuk kishte menduar ruajtjen e tyre, ky aspekt ishte pothuajse në shifra të papërfillshme. Por kur komunistët hapën shtëpinë e Lef Nosit gjetën atje koleksionet e trakteve të tyre që Nosi i kishte grumbulluar në mes të luftës si koleksione.”

Mund të thuhet, pa frikë, se pa kujdesin e Lef Nosit prej koleksionisti, do të kishim një histori të mangët të fillimeve të shtetit shqiptar. Në 1924, Lef Nesi botoi revistën historike “Dokumenta historike, për t’i shërbye historiës tonë kombëtare”. “Rastet e mira dhe kujdesi qi kam pasun, u banë shkak me futë në dorë dal nga dalë, nji numër të math dokumentash, të cilët janë një visar i paçmueshëm i Rilindjes tonë Kombëtare,” shkruan Nosi në parathënien e botimit të parë të revistës. Botimi i dokumentave u nxit nga shqetësimi i tij se mos i humbiste ose nga droja se mos dëmtoheshin. Revista (Fletorja e quante Nosi) ishte e përmuajshme. Me anën e saj, ai synonte të nxiste dhe botimin e dokumenteve të tjera, të cilat mund t’i zotëronin njerëz që ua kishte “sjellë puna me u ra në dorë”. Shumica e dokumenteve ishin në gjuhën osmane. Ai botoi vetëm përkthimin e tyre me shpresën se në të ardhmen mund të realizonte botimin e origjinaleve në një libër të veçantë. Ky botim që nuk u realizua, për shkak të historisë së trazuar të Shqipërisë dhe fatit të tragjik të Lef Nosit.

Lefi Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar nga delegatët. Origjinali i dokumentit që duhet të kishte indeksin “Fondi 1, Viti 1912, Dosja 1, Fleta 1”, nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Nuk dihet ku është. Në arkivë ndodhen vetëm kopje të tij. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të Lef Nosit, fati i të cilave është gjithashtu ende i pasqaruar. “Një pjesë u vodh. Studiues që sot mbahen “profesorë” në kohën kur nuk lejohej njeri t’i prekte studimet e tij, i vodhën ato dhe morën tituj të pamerituar,” shkruan historiani Kastriot Dervishi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore jeta e Lef Nosit ngjan shumë me fatin tragjik të Shqipërisë që nga pushtimi fashist dhe gjerman ra në duart e komunistëve, duke vuajtur më dhumë e për një kohë më të gjatë. Fashistët e internuan në Itali Lef Nosin. Deri në 1943, ai nuk pati asnjë aktivitet politik. Pas rënies së fashizmit, ai mori pjesë si anëtar i Këshillit të Naltë (Regjenca), institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit, në një shtet shqiptar që i ishte kthyer pavarëia që i morën fashistët. “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët,” deklaroi në gjyq Lef Nosi. Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Kundrejt aleatëve Regjenca mbante qëndrim asnjëanës. Ai shpjegon dhe dallimin mes gjeneral francez që u dënua si kolaboracionist dhe anëtarëve të regjencës. “Pëteni në Francë kishte bërë aleancë me gjermanët. Regjenca nuk mori ushtri t’ua dërgonte gjermanëve për të luftuar aleatët,” tha Lef Nosi në Gjyq.

Kur komunistët erdhën në pushtet, përmes luftës civile, Lef Nosi u arrestua dhe u ekzekutua në 1946. Rreth një vit, ai qëndroi në arrati. Ai nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Sipas rrëfimit të nipit të tij, Lef Nosi, gjatë kohës që ishte në arrati, mbante në dorë një bllok ku kishte të shkruar të gjithë biografinë e tij. Gjatë kohës që Lef Nosi ishte anëtar i Këshillit të Naltë e mbante me vete koleksionin e pullave të postës. Në Bankën e Shtetit kishte depozituar dokumentet e rralla historike. Çelësin e kasafortës e kishte Aleksandër Xhuvani. Librat e Lef Nosit u grabitën nga një komision i krijuar nga Ministria e Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, në mars 1945. Drejtuesi i komisionit, më vonë u bë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Në Shqipëri qëndrova me qëllim që të dorëzohesha kur të normalizohej koha e të zbuteshin gjakërat, pse kishte njerëz që vepronin me pasion,” deklaroi Lef Nosi në gjyq. Ai qëndroi një periudhë i fshehur, por gjakrat nuk u zbutën kurrë. Kështu një moment Lef Nosi vendosi të bënte atë që kishte refuzar ta bënte më herët, kur e ftoi Mehdi Frashëri: të largohej nga Shqipëria për të cilën ai kishte punuar me përkushtim. E vetmja mënyrë për të dalë nga Shqipëria e shkelur gjithandej nga partizanët ishte vetëm ndihma e ndonjë misioni ushtarak të huaj. Lef Nosi shkoi te misioni britanik, por ata nuk nuk pranuan ta ndihmonin. Kështu i erdhi fundi një njeriu që gjatë gjithë jetës së tij kishte bërë vetëm mirë.

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Burimet e konsultuara janë: Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; AMPB, Dosja N1086-A; AQSH, Fondi MSHPKP, V 1945, Dosja 126; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Marie Amelie Frein von Godin, Nga Shqipëria e re, Botimet Koçi, Tiranë, 2007; Akademia e Shkncave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Arbënia, Nr. 427, 28 nëntor 1936; Gazeta 55, 28, 29, 30, 31 mars 2008; Gazeta “Standard”, 15 shtator 2012.

Foto: elbasani.org

Shenja/ 2012

Filed Under: Histori

EKZEKUTIMI KOMUNIST I  INTELEKTUALEVE SHQIPTAR 28 TETOR- 17 NËNTOR 1944

November 17, 2023 by s p

BESIM NDREGJONI/

U  mbushen 79 vite kur u krye masakra masive në Tiranë nga data 28 tetor deri me 16 nëndor 1944. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani… Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. (AQSH, F.14, d. 2/Av.1944.) Natyrisht, ky genocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga kryeterroristi Enver Hoxha.Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Në njësitin terrorist merrnin pjesë edhe dy shtetas jugosllavë që ishin sjellë në Pezë nga D.Mugosha: Papa Hasani nga Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, që sipas dokumentit të Arkivit të Shtetit, f.279, d.10,Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigadën e Parë për të luftuar bashkë me të kundër gjermanëve, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Këtë intelektual i lauruar në Austri dhe Vatikan dhe nacionalist të njohur sipari i masakrës masive hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë te shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën.“Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Një nga ata ushtarakë të zhdukur, jo të dorës së dytë, siç thotë Hoxha, por ushtarakë të kalibrit të lartë, si Rakip Kalenja, nga Mallakastra, i lauruar shkëlqyeshëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, dega e xhenjos. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i gjindërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në Rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar, bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vjenë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, oficerë në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret. Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. i shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri.Po atë natë terroristët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Ai ndihmoi në modernizimin e ushtrisë shqiptare. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg. Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit, të dy bij të një familjeje të madhe. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëritjetrin në një përrua pesë viktima të tjera: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafiz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist. Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria. Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq e 11 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!” Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre, Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë, terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, gazetarin, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të vdekur e të mbuluar me gjak.Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës.. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes. Kështu u mbyll kjo masakër, që përgjaku Tiranën, më tutje edhe masakrave të tjera të përgjakshme në Shqipërinë e Veriut, që i hapën rrugën pushtetit komunist, që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë. 39 intelektualë shqiptarë, mes të cilëve, deputetë, gazetarë, juristë, ushtarakë, por edhe studentë, u pushkatuan në rrethinat e Tiranës, midis datave 28 tetor dhe 16 nëntor 1944, në emër të “Pushtetit Popullor”

Në 65 vjetorin e vrasjes së intelektualve Ambasadori i SHBA-së, John Withers e cilësoi makabre ngjarjen e ndodhur 65 vjet më parë, duke u shprehur se “ata u ekzekutuan vetëm sepse i shërbenin borgjezisë anglo-amerikane dhe jo proletariatit. Kjo mund të jetë një përgjigje midis një debati, por jo t’i merrej jeta atyre”.
Ndër të tjera, ambasadori Withers bëri një paralelizëm mes “të djeshmes” dhe “së sotmes”, ku beteja e njerëzve me ideale, sipas tij, duhet të jetë më aktive.
“Beteja që ata intelektualë u përballën dikur, është e njëjta me atë që po përballemi edhe sot. Sa herë që shohim censurë nga qeveria, duhet t’a kundërshtojmë atë, ashtu edhe kur kanoset apo intimidohet shtypi i lirë. Ne duhet t’i ndalojmë të gjitha këto akte. Ne nuk mund t’i japin pavdekësinë atyre, por përkushtimin tonë në nderim të intelektualëve që sakrifikuan jetën për ato ideale”, tha Withers. 

Kush ishin 39 intelektualët!? Ata ishin në Tiranë , në profesionet e tyre, në shërbim të strukturave të shtetit shqiptar, dhe jo në shërbim të pushtuesve! Ata nuk ishin pajtuar me pushtuesin! Ata  i shërbenin shtetit të tyre, dhe pse ishte luftë, ata ishin në shërbim të qytetarve shqiptar! Njihuni me cv e tyre.

Foto: Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK

. 

I 

. 

.    

.

FAIK SHKUPI

NDUE PALI

MINELLA KOTKOCI

FARI DOBULLA

Filed Under: Opinion

SHËNIME HISTORIKE NGA XHAMIA E PLUMBIT NË SHKODËR…

November 16, 2023 by s p

(Me rastin 16 nëntorit 1990, ditës së rihapjes të kësaj Xhamie)

NGA NDUE BACAJ

Që nga viti 1773 në historinë e besmit të Shkodres ka zënë një vend të rendesishem objekti i kultit Islam , “Xhamia e Plumbit”. Kjo Xhami ishte ndertuar në lagjen e vjeter “Qafe “ , sot “Tabake”, në breg të lumit Drin afër Kalasë…Historia e ndertimit të kesaj Xhamie i perket periudhes më të sukseshme të Pashallekut të Shkodres e më gjërë kur drejtohej nga Dinastia famemadhe shqiptare e Bushatelinjëve , që me luftë e perpjekje kishte fituar autonomin substanciale nga perandoria Osmane , duke marrë trajtat e një shteti të pavarur me shumë kufijë Etnik – Arbënor e njohur edhe nderkombetarisht…Perfaqësuesi më sinjifikativ i kësaj dinasti ka qënë Karamahmud Pasha i cili me dy prill të vitit 1786 (nga Potgorica) kishte shpallur Konfederaten Ilirike me pjesmarrjen e 500 delegatëve shqiptarë , të besimit katolik e musliman , të cilet ishin betuar me dorë në bibel e me dorë në kuran..

HISTORI NDËRTIMI E VLERSIMI

Studiuesi shkodrane Hamdi Bushati shkruan se Xhamia e Plumbit është monumenti historik ma i bukur ndër të gjitha objektet e tjera të lagjes “Tabake”, është ndertesa madhështore e artistike në stilin turko-arab , që ka terheq interesimin e vazhdueshem të vizitoreve…Xhamia e Plumbit është veper e Mehmet Pashë Plakut … Pllaka e gdhendur mbi porten e xhamisë është një dokument i padiskutueshem që shkruan se kjo xhami është një veper e ndertuar në vitin 1187 Hixhri , që me kalendarin e sotem Gregorian korespondon me vitin 1773 …1.Të dhënat e kronikaneve të kohes tregojnë se Mehmet Pashe Plaku xhaminë e ndertoi me gurë të gdhendur e të sjellur prej popullit me sistemin zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi e deri në vendin e ndertimit…Mustafa Pasha jo vetem investoi , por edhe mori pjesë direkt në ndertimin e Xhamisë Plumbit , ku per ketë tregojnë edhe një “anektodë” e cila thotë se : “Kur një fshatare donte me i paraqitë Pashës një ankesë personale ,dhe e kishte marrë vesh se ai ndodhej në mes puntoreve , por nuk e dallonte , sepse ai ishte i veshur thjeshtë… Rastisi që personi ta pyeste (vet Pashën) se ku gjindej Pasha dhe mori pergjigjen që të priste pak. Pas perfundimit të punes , Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli perpara hallexhiut , që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij..” 2. Studiuesi tjeter shkodran Smajl Bala “tregon” se Xhamia ishte e ndarë në dy pjese: pjesa e jashtme ,që ishte pjeserisht e pa mbuluar, dhe salla e faljes e mbuluar me një Kube të madhe… afersisht 15 metra të lartë , aq sa është edhe lartesia e xhamisë…Në pjesen e jashtme (pjesa e hyrjes në xhami ) , faleshin besimtaret që vinin me vonesë dhe kishte këto përmasa : gjatësi 15 metra dhe gjerësia 13 metra. Kjo sallë kishte katër dyer…katër dritare në ball të hyrjes , katër në anësoren majtas dhe tre dritare në anesoren djathtas. Të gjitha dritaret ishin me grila hekuri e të stilizuara.. Kishte edhe dy dritare nga një anësore , që janë të salles së faljes. Harqet dhe bordurat anësore të dritareve që gjinden në pjesen e hyrjes të xhamisë janë të zbukuruara me dekoracione “bimore” (Imitime në forma të bimve dhe luleve, N.B.). Pjesa e Brendeshme ( salla e faljes)..është në formë katerore 10 X 10 metra. Ajo ka derën e hyrjes dhe një paradhomë të hapur nga salla .., ose vendi ku rrinte Imami në xhami… Në fasadë ka pesë dritare të vogla , ku njera është më e lartë , gjithashtu salla ka tetë dritare poshtë dhe kater lartë. Kubeja është tetëkëndëshe ,ku secili kend ka nga një dritare te vogel… Ka pasur edhe çardakun prej dërrase… parmakë dekorativ… shkallë dërrase per tu ngjitur në çardak dhe që komunikonte me deren për t’u ngjitur në minare. Në mes të Kubes që mbulonte sallen e faljes kishte të varur në vargj (zinxhirë) hekuri një shandan me kandila qelqi , që fillimisht funksiononin me vaj ulliri , me vonë me vaj guri e llampa elektrike… Dyshemja ka qenë e shtruar me çimento dhe me matriale izoluese nga lageshtira. Përsipër ishte e shtruar me qilima. Ka pasur edhe rafte per vendosjen e këpucëve…3. Por më interesantja ka qenë se Salla e faljes ka pasur edhe kanalin e zërit që deportonte nepermjet mureve në të gjitha ambientet e Xhamisë… Minarja është ndertuar me gurë të gedhendur të lidhur me hekur dhe pikur me plumb.

XHAMIA NË FOKUSIN E STUDIUESVE TË HUAJ

Ky objekt kulti me vlera të medha besimi ka terhequr vemendjen e studiuesit dhe ish konsullit francez në Shkodër, Hekard (Hecquard) i cili shkruan se vetem njëra nga Xhamit të terheq më shumë vemendjen , Xhamia e Plumbit e ndertuar nga Pasha Bushatli i Shkodrës. Kjo xhami kupolat e saj i ka të mbuluara me plumbë dhe të mbeshtetura mbi kolona graniti , me kapitele të uredherit Korintas… Në të njejten kohë (me xhaminë ) Pasha ndertoi uren e Kirit…Ura ka qënë e ndërtuar (mbi lumin Kir) në vitin 1768 jo shumë largë vendit ku ujrat e tij derdhen në Bunë . Ajo urë sherbente per të lidhur qytetin me fshatin e madh Bahçallek . Konstrukti i fortë i kesaj ure , harqet e larta e të guximeshme , si dhe gjigantizmi i saj paraqesin një pamje që gjithsesi të imponohet…4.

Është interesant se sipas Hekardit Ura dhe Xhamia janë ndertuar në vitin 1768 , pra pesë vite më heret se shkrimi i gjetur në pllaken e derës së xhamisë. Per ketë ne mendojmë se viti 1768 eshte koha e fillimit të projektimit e ndertimit të xhamisë, ndersa viti 1773 është viti i inagurimit të ndertimit të plotë. Studiuesi dhe albanologu i njohur i shekullit XIX-të Johan Georg Hahn pershkruan me nota brilante natyren dhe xhamin e plumbit ,ku ndër të tjera citoj: ”Nga Juglindja syri të sheh fushen e Drinit dhe vargjet e bukura të maleve që si në panoramë vijnë njeri pas tjetrit.. Perpara shkon rruga e gjatë e lagjes së Tabakeve, në mes kodrave dhe Kirit ,i cili në perendim të kodrës së Kalasë bashkohet me Drinin. Mbi lumin Kir është e ndertuar një Urë Guri …me të cilen lidhen me lagjen e Bahçallekut… Lagja e Tabakeve ka një xhami të bukur të mbuluar me pllaka plumbi..5. Një studiues i njohur italian (Ermanno Armao) duke shkruar per disa vepra ndertimi me vlera (si Ura e tjer) në Shkoder do të “thoshte” ; Vëreni harten tonë dhe shihni se që në atë kohë (shekulli XVII), ishin Dy Ura, ndoshta prej druri ; njera mbi Bunë më poshtë se ajo e sotmja prej hekuri , dhe tjetra mbi lumin Kir , e zevendesuar njeqindë vjet më vonë me një urë guri, kur u ndertua edhe Xhamia e Plumbit në vitin 1773… Ura e gurit mbi Kir është rrezuar nga ujerat e rrembyeshem të Drinit në vitin 1880 , kjo urë gjindej në mes Xhamisë Plumbit dhe ures së sotme të Bahçallekut ..6. Vlen të kujtohet se Ura e ndertuar nga Mehmet Pash Plaku (Bushatliu) kundrejt lagjes “Ajasem” ose “Tabake” kishte lidhje me rrugën tregtare Shkoder-Lezhë të shekullit XVIII…

“FATI” I NDËRTUESIT TË XHAMISË

Ndertuesi dhe themeluesi i Xhamisë së Plumbit Mehmet Pasha ka pasur varrin (dhe tyrben..) ngjitur me xhamin në anën e djathtë të murit , në skuten për nën minare , në pjesen e qarkueme me hekura të trashë dhe që ishte e mbuluar me pullaz , siç e vertetojnë fotografit e vjetra. Si rezultat i permbytjeve të vazhdueshme , lymi i lumit ka arritur deri në dritare ,duke mbuluar edhe varrin e Pashes , per të cilin flitet se është vet i dytë..7, ku një studiues shkodran shkruan se varri i dytë ketu sipas gojdhenave ka qenë i Ibrahim Pashes. Ndersa në hyrje të oborrit të Xhamisë ka qenë një ndertese e vogel ku brenda saj ka pasur një saraxhë uji.8.

XHAMIA NË MES DEKADAVE E SHEKUJVE

Xhamia si çdo objekt tjeter i ndertuar nga dora e njeriut është ndeshur ndër dekada me pasojat e shekujve dhe shekullareve.. Ndaj per t’i perballuar këto pasoja ka pasur nevojë disa herë të riparohet , gjë që konfirmohet per herë të parë në vitin 1863. Në vitet e pushtimit Austro-Hungarez (1916-1918) xhamisë fatkeqesisht iu dëmtua shtresa e plumbit (duke iu grabitur). Në vitin 1920 ky dëm u riparua. Në vitet 1930 ranë disa gurë të minares, ndersa në revisten “ Zani i Naltë” të vitit 1938 jepet alarmi se Xhamia e Plumbit ndodhet në shkaterrim e siper prej vershimeve të lumit Drin per çdo vit , sa të thuash se krejt xhamia brenda është mbushur me lym (dhe), si dhe minarja e kësaj xhamie mbas pak kohet rrezikohet per të rënë… Xhamia e Plumbit në vitin 1930 e kishte pushuar aktivitetin fetarë..9. Me gjithë rrokopujat historike , xhamia e plumbit me ndihmen e besimtareve kishte mbijetuar dhe fituar statusin “ monument kulture “. Në vitin e zi atesit 1967 Xhaminë e Plumbit e goditen dy fatkeqësi , së pari një rrufe që i këputi pergjysëm minaren e bukur të ndertuar me gurë të latuar, që dukej madheshtore prej së largu, 10, dhe së dyti “lufta” kundër besimeve që shpalli shteti komunist. Në fakt Xhamia e Plumbit nuk u shkaterrua me kulm e themel , si shumë objekte kulti të besimeve muslimane e kristiane , por u la thuajse në harresë… Si për çdo veper që është ndertuar në emer të Zotit edhe per Xhamin e Plumbit me16 nentor të vitit 1990 vjen dita e rilindjes saj . Hafiz Sabri Koçi në një miting madheshtore (ku muaren pjesë besimtare musliman e kristian) ,”deklaron” rihapjen e e ketij tempulli të Zotit. Që nga ajo ditë kjo xhami me ndihmen e Krijuesit të gjithësisë dhe vullnetin e besimtareve iu kthye normalitetit , por ky normalitet sot (shpesh) rrezikohet nga vershimet e ujrave të Drinit , që shpesh pa meshirë kerkojnë t’a perpijnë …

Foto e “mitingut”me rastin e rihapjes së xhamisë së plumbit, 16 nëntor 1990

R E F E R E N C A T :

1. Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet .I. fq.56.

2. Hamdi Bushati ,po aty fq.58.

3.Smajl Bala ,Institucionet Islame dhe Hoxhallaret e Shkodres,fq.128-131.

4.Hyacinthe Hecquard ,Historia dhe pershkrimi i Shqiperise se Eperme ,ose i Gegerise ,fq.42-43.

5.Johan Georg Hahn ,Studime Shqiptare ,fq.136.

6.Ermanno Armao ,Vende , kisha , lumenj , male e toponime te ndryshme te nje harte te lashte te Shqiperise Veriore, fq.116.

7.Hamdi Bushati ,po aty ,fq.57.

8.Smajl Bala , po aty, fq.128-131.

9.Smajl Bala , po aty, fq.128-131.

10.Hamdi Bushati , po aty ,fq.57-59..

May be an image of crowd

Like

Comment

Filed Under: Uncategorized

Disa fakte për jetën e Mësonjësit të Rilindjes Petro Nini Luarasi

November 16, 2023 by s p

Processed with VSCO with kp6 preset

Gëzim Zilja/

Petro Nini Luarasi (22.04,1865-17.08.1911) është një nga ikonat e përhapjes së gjuhës shqipe në kohë shumë të vështira për kombin shqiptar. Ai bëri atë që pak të tjerë mundën ta bënin. Për veprimtarinë e tij në përhapjen e gjuhës shqipe u helmua nga përfaqësuesit e kishës greke në bashkëpunim me qeveritarët turq. Petro ishte i bindur në misionin që kishte marrë përsipër megjithëse rreziqet ishin të mëdha. Atij i përket thënia e famshme: “Dhe nëntëdhjetenëntë herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” ( Nga fjalimi mbajtur në provimet e shkollës shqipe në Korçë, qershor 1909.). Kisha greke, dhe përfaqësuesit e qeverisë turke në bashkëpunim iu vunë egërsisht pas Petros, jo vetëm me kërcënime por edhe duke vepruar haptas ta asgjësonin fizikisht. Mirëpo si thotë Sali Butka: “…Me anën e Dhespotit dhe të qeverisë turke e ndoqën shumë kohë për ta vrarë por zoti Petro ruhej tepër dhe armët nuk i lëshoi nga dora kurrë…dhe sado e ndiqnin në të gjitha anët prap nuk rreshti së punuari për shkronjat shqipe ndonëse ishte i vobekët nga gjëja…” Letër e Sali Butkës më 8 janar 1924. Më 20 shtator 1892 Mitropoliti i Kosturit, Fillaret, shkroi një Çkishërim dhe një Mallkim për mësuesin patriot shqiptar.

“…. Meqënëse Petrua nga Katundi tuaj Luaras u përlidh me shoqëritë Masone dhe Protestane dhe meqënëse përndau predikime kundër Krishtërimit dhe libra të çvetëmuara (aforisura) është i çkishëruar fëmijërisht. Nuk kini pra të drejtë t’a kishëtoni atë, as të bëni ndonjë meshë për fëmijët e ti, gjer sa të pendohet dhe të kthehet nga udh’ e keqe që po ndjek,” Çkishërimi u bë vetëm se ai shpërnate libra shqip dhe u mësonte shqiptarëve gjuhën e nënës. Mallkimi është tekst shumë më i gjatë dhe përfundon”…Qoftë mallkuar prej Perëndis së Gjithëpushtetëtshme : pastë nëmën e të 318 dhe të tjerëve Atë të kishës; e zëntë krroma e Jeziut ; mbetë pas vdekjes i patretur dhe kotruf;dhe të mirë mos paftë as përparim mos bëftë gjersa të pendohet dhe të marrë ndjesën dhe përlarjën kanuntare.”

Në parathënien e Librit të Skënder Luarasit. “Jeta dhe vepra e P. N. Luarasit,” Andrea Varfi shkruan për Dhespotin e Kosturit:”Fillareti ishte një nga kuadrot më të përgatitura dhe më të shquara të kishës greke,… është një nga korifejtë e hierarkisë së re greke, një nga shkrimtarët më të mirë elkiastikë; është autor i një sërë vëllimesh e monografish me karakter historiko-fetar, përfaqësonjës me autoritet i Patrikanës në forumet dhe kongrese botërore fetare… “

Petro Nini ktheu një përgjigje të gjatë ( rreth 100 faqe libri) të mbështetur në historinë e Shqipërisë, në parimet bazë të fesë ortodokse, prejardhjen e shqiptarëve, traditat, zakonet dhe përpjekjet që ata po bënin për gjuhën e shkruar shqipe e një atdhe të pavarur. Është një punim i vërtetë shkencor që hedh poshtë gjithë vrerin dhe të pavërtetat e Dhespotit të Kosturit dhe të kishës greke. Po hedh një copëz nga “Mallkimi i shkr0njave shqipe,” shkruar nga Petro Nini Luarasi më 1911.

“… Le të mos frikësohemi përpara llomotitjevet e përrallavet t’atyre që nuk dashurojnë, por urrejnë mbrothësinë e njerëzisë dhe nën maskim shënjtorësh e mendimtarësh duan të na gabojnë ne; dhe le të dimë se ay që është frikacak përkundrejt së drejtës, ay bëhet tradhëtor i Mëmëdheut dhe i vehtes së tij… “

Fragmentet e mëposhtëme janë huazuar nga libri: “Petro Luarasi Mësonjësi im i shqipes.” Kujtime prej GURI KR. SEVOS. Shtypshkronja Tirana. Në Tiranë 1936. Autori Guri Sevo ka qenë nxënës i Petro Luarasit dhe shkruan ato që ka parë e përjetuar vetë atë kohë. Libri ka githësej 110 fletë. Në të jepen me vërtetësi shumë hollësi ku del figura e plotë e Petro Ninit si atdhetar por edhe si një njeri syptrembur që nuk e hoqi për asnjë çast koburen nga brezi dhe dogranë nga supi.

“…Përfaqësuesi turk i propozoi të merrte 50 lira në vit prej Turqisë (ndryshe do të burgosej. Shën im) të hiqte dorë prej shqipes, e t’i jepej detyra e inspektorit të propagandës greke. Petrua u pëgjigj: “Pesëdhjet mijë e di sa vlejnë . S’i kam për të zënë për gjithë jetën t’ime. Po të m’i japç nuk i marr. Udhën që kam nisur do ta ndjek Këtë ma tregoi Petroja vetë më vonë dhe shtoi: “Si të tradhëtonja vëllezërit e mij te Turqia e t’i bënja shërbim ati shteti që po na mban nënë thundër dhe na mohon gjuhën e nënës?”

:.. Dy përfaqësonjës të fuqishëm të këtyre shtypësve ( të kishës greke dhe qeverisë turke. Shën,im) ardhnë vetë në Kolonjë që t’i shuanin këto gjashtë drita të popullit shqiptar…. Kështu u mbyllnë shkollat shqipe në qarkun e Kolonjës dhe të Vakëvevet. Vetëm në Luaras u përmbajt më gjatë me harxhe e ca të pakë mëmëdhetarëve shtëpiakë. Por edhe këtu mësonjëtoreja, duke u përluftuar egërsisht nga të gjitha anët u shtrëngua të përulet më 1894 nën forcën e rexhimevet. Kështu u mbyll kaptina e parë dhjetë-vjeçare (1884-1994. Shën im) e vepërimevet për të filluar dy të tjera nga jeta e Petro Nini Luarasit… Faqe 46-47.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1319
  • 1320
  • 1321
  • 1322
  • 1323
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT