• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONVENTA GREKO-TURKE NË SHKËMBIM TË POPULLSISË(1923) DHE PASOJAT PËR SHQIPTARËT NË ÇAMËRI

February 2, 2024 by s p

Dr.Nail Draga/

Abstrakt

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore harta politike e Evropës pësoi ndryshime në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha. Në këtë aspekt u arriten marrëveshje ne mes vendeve të ndryshme, ku nder ma të rëndësishmët është ajo e vitit 1923, në mes Turqisë dhe Greqisë. Kemi të bëjmë me një marrëveshje të veçantë e cila legalizoi shkëmbimin e popullsisë turke e greke nga njëri vend në tjetrin, që është rast i veçantë dhe i panjohur deri në atë kohë. Një veprim i tillë ishte për të konsoliduar këto shtete të cilët u homogjenizuan, ku si kriter ishte përkatësia fetare e popullsisë së shkëmbyer. Ne këtë aspekt e pësoi edhe popullsia shqiptare e Çamërisë, sepse duke i trajtuar shqiptarët të përkatësisë myslimane si turq, në mënyrë të dhunshme i detyruan të shpërngulën nga viset e vendbanimet e tyre duke u vendosur në Turqi. Ishte ky një diferencim fetar, duke eliminuar ate kombëtar, qe ishte në kundërshtim me interesat kombëtare të popullsisë shqiptare, ndërsa me pas në vendbanimet e tyre u vendosën popullsi greke qe si qellim kishte kolonizimin e vendbanimeve shqiptare për të ndryshuar strukturën kombëtare të Çamërisë.

***

Në sajë të vendimeve të Konferencës së Londrës(1912/13) me tepër së gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare, mbeti jashtë shtetit të pavarur të Shqipërisë. Një vendim i tillë ishte tragjik, sepse të tjerët përkatësisht Fuqitë e Mëdha vendosin për fatin e shqiptarëve. Të ndodhur ne fqinjësi me dy popuj, sllavët dhe grekët të cilët kanë pasur aspirata të vazhdueshme për zgjërim territorial ndaj hapësirës etnogjeofrafike shqiptare, politika e tyre pushtuese, si mision kishte spastrimin etnik e territorëve të reja të aneksuara.

Në këtë periudhë kohore popullsia shqiptare në Shqipërinë e Poshtme, ku bënin pjesë viset dhe vendbanimet shqiptare te aneksuara nga Greqia, ku në veçanti dallohej krahina e Çamërisë ishte në goditje të vazhdueshme të politikës të pushtetit grek. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe se kemi të bëjmë me një krahinë homogjene ku dominonte popullsia shqiptare e dy besimeve(myslimane dhe ortodokse). Por duke pasur parasysh se shteti grek si atëherë edhe sot çështjen fetare e ka parësore në politiken shtetërore, ndaj shqiptarëve të konfesionit islam kishte qasje të veçantë, për asimilimin apo shpërnguljen e tyre, ndërsa me pas helenizimin e kësaj krahine.

Çamëria krahinë shqiptare

Krahina e Çamërisë shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margelliçit, të Paramithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 km2, me një vijë bregdetare prej 100 km dhe popullsi shqiptare(myslimane e ortodokse) prej me shumë së 75000 banorë(viti 1913).

Përveç krahinës së Çamërisë hapësirës etnogjeografike shqiptare iu shkeputën edhe vise të tjera ku kishte numër të madh të popullsisë shqiptare, si Janina qe kishte qenë kreqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, konica, rrethet e Kosturit, e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur dhe numrin e këtyre kazave,numri i popullsisë shqiptare në trojet qe iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë se 120.000 frymë.

Cekim me këtë rast se nga krahina e Çamërisë ne kuadër të Shqipërisë mbeti një pjesë e vogël, e ate kryesisht nga ana e Konispolit me 13 fshatra.

Dhuna ndaj popullsisë shqiptare

Ne rrethana të reja shoqërore e politike ndaj popullsisë shqiptare në viset e tyre pushteti grek vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe ndalimit të qarkullimit të shqiptarëve jashtë juridiksionit të fshatit apo qytetit të tyre. Autoritetet ushtarake dhe administrata civile filluan të shpronësojnë popullsinë myslimane shqiptare dhe të ushtrojnë dhunë mbi ta për ti detyruar që të shpërngulen. Nga ana tjetër popullsinë shqiptare ortodokse e shtërngonin të mohonin përkatësinë kombëtare shqiptare dhe të pranonte entittein helen dhe të deklarohej greke. Për të shtypur qendresën e shqiptarëve u ndërmoren masa të egra terrori dhe u shkatërruan qindra shtëpi në fshatrat e Çamërisë.

Ne lidhje me këtë çështje F.S.Noli ka shkruar se “fati i shqiptarëve të provincës së Çamërisë, nuk ndryshon nga ai i Kosovarëve, s` është veç se një ribotim i tragjedisë në tre akte: ç´ pasurim, ç`përngulje, ç`farosje”.

Masakrat pas luftërave ballkanike

Në rrethana të tilla shoqërore, qe ka të bëjë me luftërat ballkanike ku fqinjet tanë, sllavët e grekët, pushteti grek masakronin popullsinë shqiptare, ajo ishte e detyruar të shpërngulej për të mbijetuar. Por grekët nuk u ndalën me kaq por por me 1913-14 kaluan kufirin jugor të Shqipërisë, duke bërë masakra të pa para duke djegur fshatra e vrarë popullsinë vendase, kryesisht ate të përkatësisë myslimane. Ne popull dhe në historiografi njihen si: Masakra e grekëve në Panarit, Masakra e grekëve në Hormovë, Masakrat e grekëve në Frashër, Masakrat e grekëve në Kolonjë etj.

Krimet e grekëve në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 kanë një emërtim e me të drejtë quhet Gjenocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile. Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha titujt e artikujve, në gazeta e libra te botuara që bënin fjalë për këto krime, dënuar dhe cituar dukshëm krimet e Greqisë.

Konferenca e Parisit vulosi padrejtësinë

Nga ana tjetër gjatë Luftës së Parë Botërore e pas saj shqiptarët menduan se gabimet e mëparshme nga Konferenca e Londrës(1913) do të përmirësohen, por ishte vetëm iluzion, sepse në Konferencën e Paqës e Versajës në Paris(1919-1920), nuk u miratuan kërkësat e shqiptarëve, për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Kemi të bëjmë me vulosjen e përseritur të padrejtësisë kundër shqiptarëve, sepse Shqipëria ishte dhe është edhe sot vendi i vetëm i cili kufizohej me popullsinë e vet shqiptare. Por, edhe në vitët pasuese keqtrajtimi i popullsisë shqiptare nga qeverisja greke do të vijoj në të dy anët e kufirit, qe ndikoj në emigrimin e saj, qe dëshmohet nga të dhënat statistikore të kohës(6).

Traktati i Lozanës(1923)

Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombëve, më 30 janar 1923, u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në sajë të këtij Traktati pushoi zyrtarisht konflikti qe kishte ekzistuar midis Perandorisë Osmane dhe aleatëve: Perandoria Britanike, Republika Franceze, Mbretëria e Italisë, Perandoria e Japonisë, Mbretëria e Greqisë dhe Mbretëria e Rumanisë, që nga mbarim i Luftës së Parë Botërore. Traktati u ratifikua nga Turqia me 23 gusht 1923, nga Greqia më 25 gusht 1923, nga Italia më 12 mars 1924, nga Japonia më 15 maj 1924, nga Britania e Madhe më 16 korrik 1924.Traktati hyri në fuqi më 6 gusht 1924, kur instrumetet e ratifikuara u depozituan zyrtarisht në Paris(Francë).

Ndonëse ishte Traktat paqeje, pikë referimi kishte shkëmbimin e popullsisë turke në Greqi me ate greke në Turqi. Në lidhje me këtë çështje u vendos të formohej një komision i Lidhjës së Kombëve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit me disa nënkomisione. Sipas marrëveshjes, duke filluar nga 1 maji 1923, duhej të kryhej shkëmbimi i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks, grekëve të vendosur në tokat turke me shtetasit grekë të besimit mysliman të vendosur në tokat greke.Edhe pse të dy palët ranë dakord qe nga kjo marrëveshje të përjashtonin popullsinë shqiptare qe jetonte në Greqi, por si Athina edhe Ankaraja nuk iu përmbajtjën zotimeve të tyre.

Vrasja e gjeneral Telinit

Duke marrë parasysh se si kriter për shkëmbimin e popullsisë ishte ai fetar, lejonte mundësi për abuzime, qe ka të bëjë kryesisht me popullsinë shqiptare në Çamëri dhe në viset tjera në Greqi. Nuk ka dilemë se kemi pasur të bëjmë me spastrim etnik i bazuar me kriterin fetar duke eliminuar ate kombëtar e gjuhësor qe ishte i pabazuar në të drejtën ndërkombëtare të kohës. Duhet cekur se në këtë vit Komisioni Ndërkombëtar për Përcaktimin e Kufijve ne mes Shqipërisë e Greqisë, pati pengesa nga ana e grekëve, sepse ata nuk ishin të kënaqur me qendrimin parimor në favor të drejtësisë nga gjeneral E.Telini, i cili ishte në rolin e kryetarit të Komisionit. Pikërisht nga një qendrim i tillë ati dhe grupit shoqërues iu bë atentat me 27 gusht 1923, në rrugën Janinë-Kakavi, duke i vrarë të pesë anëtarët e komisionit. Ndaj vrasjës së tillë pati reagim ushtarak nga ana e Italisë, të cilët pushtuan Korfuzin dhe vranë 65 qytetarë si hakmarrje ndaj likuidimit të anëtarëve të komisionit.

Kundër veprimeve të padrejta të Traktatit të Lozanës, qe kishte të bënte kryesisht me popullsinë shqiptare të Çamërisë janë shquar diplomatët shqiptarë si Mit`hat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, Benoit Blinishti, konsull i përgjithsëm i Shqipërisë në Gjenevë dhe Mehdi Frashëri, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve.

Roli negativ i klerikëve

Ndonëse nuk kishte dilema se popullsia me përkatësi fetare myslimane në Çamëri ishte shqiptare, kishte tentime për manipulime nga qeveritarët grekë, të cilët kishin arritur të bëjnë për vete klerin mysliman, hoxhallarët dhe myferinjtë shqiptarë. Këta kishin mision që të bëjnë propagandë qe shqiptarët të shpërngulen në Turqi. Pikërisht në lidhje me këtë çështje me 31 tetor 1923, 22 përfaqësuese të krahinave të ndryshme të Çamërisë i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të ndërhynte pranë qeverisë turke për të mos pranuar në Turqi shqiptarë të mashtruar nga propaganda e këtyre klerikëve të shitur. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë realizohej me skenar të qeverisë greke, ku klerikët e tillë si “myftiu i Filatit dhe ai i Gumenicës vepronin duke gënjyer popullin që të mos rrefejnë se janë shqiptarë”.

Spastrimi etnik i hapësirës shqiptare

Në këtë situatë të pasigurt për jetën, masave shtërnguese dhe poshtëruese të marra nga qeveria, rekrutimit dhe përvetësimit me forcë të pasurive dhe të te ardhurave, filloi shpërngulja e dhunshme dhe boshatisja e viseve të tëra me popullsi shqiptare si e Konicës,Fallorinës, Kosturit, Janinës, Prevezës etj.

Sipas të dhënave për vitët 1920-1926, gjatë shpërnguljeve me dhunë u dërguan me forcë në Turqi, 35000 shqiptarë, banorë të 24 krahinave të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 55000 shqiptarë myslimanë të Epirit(Çamërisë), pjesa ma e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe të Pargës. Këto qytete, qe deri në atë kohë kishin mbajtur të gjallë frymën kombëtare, me shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane në Anadoll, filluan të asimilohen.

Të përzënë prej trojeve të tyre me forcë, shqiptarët myslimanë u vendosën në Anadoll, ku nuk duruan dot as klimën dhe as kushtet e jetesës. Për, pasojë vdiqën në mas pleq, fëmijë e gra. Një pjesë fare e vogël mundi të kthehej në Shqipëri, ndërsa të tjerët iu nënshtruan vuajtjeve dhe mjerimit në tokat e shkretan të Anadollit.

Izmiri kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë

Vetëm në zonën e Izmirit e qytetet përreth, si Meneme, Saqe, Çesme,Menisa etj., u vendosën mbi 2000 familje çame. Sot Izmiri konsiderohet kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi.Popullsia e dëbuar me forcë u vendos kryesisht në rajonin e Stambollit, Izmirit, Bursës,Kasierit, Konjas, Ankarasë, Samsunit etj.

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga vendbanime të ndryshme në Çamëri, për në Turqi, ndikoj dukshëm në dekompozimin e popullsisë, sepse vendbanimet shqiptare pësuan rënie të numrit të banorëve, por në vend të tyre u vendos popullsia greke e ardhur nga Azia e Vogël.Kemi të bëjmë me kohën e kolonizimit dhe të shkombëtarizimit të shqiptarëve sipas strategjisë se politike greke të helenizimit të kësaj krahine.

Angazhimi i ambasadorit Mit´hat Frashëri

Mit`hat Frashëri në cilësinë e ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Greqi(1923-1926) i kushtoi vëmendje rolit që duhej të luante shteti dhe diplomacia shqiptare në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve që preokuponin minoritetin shqiptar në Greqi. Ai bëri përpjekje të vijueshme për ta bërë efektive veprimtarinë e MPJ të Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore në këtë drejtim. Për këtë qëllim, ai, veç takimeve direkte që pati me autoritetet shqiptare, dërgoi mbi 280 informacione dhe raporte, në të cilat informonte për gjendjen e shqiptarëve në Greqi, qëndrimin e autoriteteve greke ndaj tyre etj. Në të njëjtën kohë ai propozoi masa konkrete që duheshin marrë nga shteti për të ndaluar pasojat negative që kishin për Shqipërinë dhe shqiptarët veprimet dhe politika e shtetit grek. Ai mendonte se ishte e domosdoshme të shfrytëzohej më mirë autoriteti i Lidhjes së Kombeve në interes të çështjes shqiptare.

Në një letër drejtuar kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut, më 4 nëntor të vitit 1925, ai theksonte se “Punët tona në Shoqatën e Kombeve sa vete po shtohen dhe e shoh fort të nevojshme që në Gjenevë të emërohet një zyrtar i zoti me vullnet të madh që të dijë mirë punët e Shqipërisë”.

Gjithashtu ai sugjeronte që qeveria shqiptare të bënte më shumë presion ndaj Athinës për të ndërprerë veprimet e dhunshme ndaj shqiptarëve dhe të kërkonte njohjen e zbatimin e të drejtave të tyre të ligjshme.

Për të detyruar autoritetet greke të ndryshonin qëndrim ndaj shqiptarëve, ai i sugjeronte ministrit të Jashtëm, H. Vrionit, të merreshin masa reciproke ndaj minoritetit grek në Shqipëri, si ndalimi i minoritarëve për të votuar, t’u ndalohej shitja e pasurive të patundshme, t’u sekuestroheshin shtëpitë e në vend të tyre të futeshin refugjatët çamë të përzënë nga Greqia. Ai propozonte që t’i kërkohej qeverisë greke që të këmbeheshin grekofonët me çamët e Epirit etj.

Në pamje të parë masat e propozuara nga Mit`hat Frashëri duken si ekstreme dhe të rrepta, por, – siç theksonte ai, – nuk duhen vlerësuar si të tilla pasi ishin kopjuar besnikërisht nga masat që zbatonte Greqia ndaj shqiptarëve.

Ndërprerje e shpërnguljes

Por, pas shumë memorandumesh e protestave nga shteti shqiptar dhe nga popullsia çame, procesi i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi në vitin 1926 u ndërpre. Në këtë kohë rol pozitiv luajti qendrimi i kryetarit të shtetit grek Theodoros Pangallos, i cili deklaroi zyrtarisht përpara Lidhjës së Kombëve në Gjenevë se “Republika Greke njihte minoritetin shqiptar qe jetonte në Greqi dhe nuk i konsideronte më shqiptarët myslimanë si popullsi turke”.

Çështja çame ende e pazgjidhur

Kemi të bëjmë me një periudhë të veçantë kur në shtetin grek filluan të respektohen disa të drejta të shqiptarëve në këtë vend. Por, këto të drejta ishin minimale dhe të përkohshme sepse më vonë, shqiptaret në Greqi, do të përjetojnë urrejtje patologjike. Një qendrim i tillë u dëshmu në fund të Luftës së Dytë Botërore e ate në vitin 1944-1945, ku u masakruan nga Zerva dhe mbeshtetësit shovinist, ndërsa ata qe shpëtuan u shpërngulën për në Shqipëri. Ishte kjo goditja vendimtare nga ana greke për të realizuar spastrimin etnik në Çamëri nga popullsia shqiptare.

Konventa jugosllave-turke(1938)

Për këtë periudhë kohore shpërngulja e shqiptarëve nuk ishte e definuar vetëm në Greqi për shkëmbim të popullsisë me Turqinë, por janë realizuar edhe konventa tjera të veçanta. Fjala është për Konventën Jugosllavo-Turke e cila u përgatit në vitin 1938.

Kontaktët e para shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi në mes Jugosllavisë e Turqisë filluan në vitin 1926. Deri më 1933 këto kontakte do të paraqiten në një platformë të re drejt përgatitjes së terrenit për spastrim të përgjithshëm etnik.

Veprimtaria politike konceptuale për hartimin e Konventës Jugosllavo-Turke ishte zhvilluar në Stamboll nga data 9.6.-11.7.1938. Atje ishin mbajtur tetë seanca, ku palët ishin marrë vesh për shpërnguljen e 40.000 familjeve shqiptare. Nënshkrimi i Konventës Jugosllavo-Turke u bë me 11 korrik 1938, me kusht qe të fuqizohej pas ratifikimit nga ana e të dy parlamenteve.

Sipas kësaj konvente parashihej që gjatë viteve 1939-1944 në Turqi të shpërnguleshin rreth 400.000 shqiptarë, të cilët do të vendoseshin në shkretëtirat e Anadollisë. Përveç vendbanimeve në Kosovë në planin e shpërnguljës ishin paraparë edhe vendbanime nga Maqedonia dhe ana e Preshevës. Sipas konventës parashihej të realizohej shpërngulja me dinamikë të veçantë sipas vitëve përkatëse, ku më parë do të shpërnguleshin shqiptarët e këtyre rretheve:Peja, Gjakova, Prizreni, Kaçaniku, shkupi, Tetova, Kumanova, Presheva, Gjilani, Kërçova, Dibra, Struga, Ohri, Manastiri, Prishtina dhe Ferizaj. Shpërngulja duhej të bëhej me dhunë.

Konventa Jugosllavo-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll paraqet gjenocidin permanent ndaj popullit shqiptar për serbizimin e Kosovës në tokat e okupuara nga viti 1912. Ky dokument nuk u ratifikua dhe nuk u zbatua ashtu si planifikohej, sepse ndryshuan raportet gjeopolitike me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, e cila i shpëtoi shqiptarët nga shpërngulja e dhunshme.

Shpërngulja e shqiptarëve pas LDB

Por, angazhimi i Jugosllavisë për të shpërngulur shqiptarët nga Kosova nuk është eliminuar as pas Luftës së Dytë Botërore(LDB). Pikërisht në lidhje me këtë çështje Jugosllavia krijoj lidhje me Turqinë, ku si qellim ishte të bëhëj riaktivizimi Konventës jugosllavo-turke e vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Një ide e tillë ishte në favor të Turqisë, sepse do ti përdorte shqiptarët në luftë kundër kurdëve dhe duke i vendosur shqiptarët në kufi me ta. Në lidhje me këtë çështje gjatë vitit 1952 u zhvilluan takime në mes dy vendëve, ndërsa në vitin 1953, përveç marrëveshjeve tjera, u arrit edhe Marrëveshja “xhentëllmene” mes Jugosllavisë e Turqisë. Me këtë marrëveshje ku ishin të pranishëm Tito dhe Fuad Kuperliu-ministër i punëve të jashtme të Turqisë, do të realizohej shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova, ndërsa Turqia do të fitonte banorë vitalë dhe mjete financiare. Por, pas bisedimeve të zhvilluara në Split(janar 1953) qe ishin në dëm të popullit shqiptar, asgjë nuk u nënshkrua, andaj u quajt Marrëveshje “xhentëllmene”. Por, pavarësisht se nuk u nënshkruan marrëveshjet ne mes dy vendëve, shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova në sajë të dhunës nga pushteti jugosllav ishte dukuri e vazhdueshme. Sipas të dhënave nga viti 1944-1966, nga Kosova dhe viset tjera shqiptare në Turqi janë shpërngulur 452.371 persona.

Vetëm pas vitit 1966, në sajë të rrethanave nga Plenumi i Brioneve, situata në Kosovë ndryshoj në favor të shqiptarëve, ku u ndalua shpërngulja dhe filloi avancimi i Kosovës, në aspektin politik, shoqëror, arsimor e kulturor, që më pas do të verifikohet edhe me Kushtetutën e vitit 1974.

Përfundim

Traktati i Lozanës(1923) ishte fitore për Qeverinë e Ankarasë ne krye me Mustafa Kemalin(Ataturkun) e cila fitoi njohjen ndërkombëtare me kufijt e tashëm, fitore e cila u kurorëzua me 29 tetor 1923, me shpalljën e Republikës së Turqisë moderne. Nga ana tjetër Greqia pësoi një humbje të madhe ushtarake e politike, sepse me humbjen e luftës dhe tërheqjen e ushtrisë greke në verën e vitit 1922, u varros miti për “Greqinë e Madhe”.

Nga ana tjetër shkëmbimi i popullsisë ne mes Traktatit të Lozanës në mes Turqisë e Greqisë, mundësoi homogjenizimin kombëtar të tyre shtetëve. Kemi të bëjmë me këmbim të detyrueshëm të popullsisë në mes dy vendeve qe arriti rreth dy milion qytetarë, duke u zhvendosur nga trojet e tyre në mjedise të huaja. Në këtë shkëmbim të popullsisë më së shumti e pësuan shqiptarët në krahinën e Çamërisë dhe në viset tjera shqiptare në Greqi. Ata u shpërngulën më dhunë jashtë vullnetit të tyre, ku si kritër ishte përkatësia fetare e duke mos përfillur ate gjuhësore e kombëtare. Kemi të bëjmë me spastrim etnik të hapësirës etnogjeografike shqiptare, ku administrata greke ndryshoi edhe emërtimet e vendbanimeve shqiptare, për të humbur identitetin e tyre.

Por, në sajë të veprimit të qeverisë shqiptare me Athinën e Ankaranë u ndërpre shpërngulja e shqiptarëve në vitin 1926, duke i trajtuar çamët me përkatësi fetare myslimane si shqiptarë me përkatësi kombëtare. Por, një veprim i tillë ishte i përkohshëm, sepse shqiptarët në viset e tyre në Greqi vazhduan të ishin të diskriminuar pa të drejta qytetare e nacionale qe përfundoi me masakrën ndaj tyre në vitin 1944 e 1945 dhe shpërnguljën e të mbijetuarve e vendosjen e tyre në Shqipëri. Dhe nga ajo kohë e deri me tash çështja çame në Greqi ka mbetur e pazgjidhur e cila duhet të zgjidhet sipas standardëve ndërkombëtare.

(Kumtesa është paraqitur në Simpoziuminn shkencor ndërkombëtar ”Marrëdheniet shqiptaro-turke: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, mbajtur në Tiranë, më 15-16 nëntor 2023).

Filed Under: Politike

#SiSot, më 1 shkurt të vitit 1880, lindi një prej ideologëve të Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani

February 1, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Jubani i kreu studimet në shkollën tregtare të vendit të origjinës mëmësore. Më pas, do të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, për të nisur angazhimin në detyra të shumta. Në vitin 1948, ai nisi të punonte si sekretar në konsullin francez të qytetit, si edhe u bë asistent i zëvendës i konsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853-n (lexo dokumentin).

Gjithashtu, Jubani ka shërbyer si nëpunës, ekonomist, folklorist dhe shkrimtar. Ndërkaq, ka dhënë kontribut thelbësor në themelimin e organizatës së shegertëve “Shoqëria ndihmëtare” në Shkodër. Në orvatjen e vazhdueshme për lirinë e vendit ndaj zgjedhës së huaj, Jubani bashkëpunoi në organizimin e lëvizjes antiosmane të Mirditës, në vitin 1862.

Vepra e tij letrare karakterizohet nga një diametër identitar, që hedh dritë mbi pasurinë folkorike dhe përpjekjet për pavarësi të shqiptarëve. Në këtë frymë, ai shkroi serinë e publikimeve: “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare”, “Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut” dhe “Kundrime mbi gjendjen morale dhe intelektuale të popullit shqiptar”. Qe autor edhe i librave të tjerë me tematikë historike, mes të cilëve “Histori e Gjergj Kastriotit”, mbeti i papërfunduar dhe i pashtypshkruar.

Në vitin 1868, nga galeria e paraardhësve të shquar të shqiptarëve, ai zgjodhi t’i kushtonte një poezi Elena Gjikës (Dora d’Istria) të titulluar “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”. Domosdoshmëria e “rilindjes së letërsisë” ka qenë tema qendrore e diskutimeve që Jubani ka patur me shkrimtaren e publicisten Gjika. Sipas tij, krijimi i një alfabeti të përbashkët për shqiptarët ishte parakusht për zhvillimin e letërsisë kombëtare.

#ZefJubani

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: Histori

U NIS PËR NË PËRJETËSI INTELEKTUALI USHTARAK AVNI HAJRO

February 1, 2024 by s p

Asllan Bushati/

Nga Çikagoja na njoftojnë se më 30 janar 2024, u nda nga jeta intelektuali i nderuar ushtarak Avni Hajro. Ai lindi më 19 dhjetor 1947 në Boshanj të Ersekës. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm shkollën shtatë vjeçare në vendlindje, studio në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë e Mbrojtjes. Punoi me përkushtim në të gjitha detyrat që ju ngarkuan që nga komandant toge deri ne Shef Katedre në Akademinë Ushtarake, duke mbajtur gradën e lartë shkencore Profesor Doktor.

Avni Hajro, veç të qënit shok, mik, bashkëshort e babai i mirë, ishte edhe mësimdhënës elokuent, pedagog kompetent, intelektual i mirfilltë ushtarak e mbi të gjitha atdhetar i përkushtuar. Ja cfarë shkruante ai në statusin e tij më 17 shkurt 2022 ”Urime Kosovë, jetofsh dhe lulëzofsh në shekuj. Ne krenohemi me ty o pjesa e atdheut tonë. Lavdi heronjve të cilët derdhën gjakun për liri”.

Duke qenë i shqetësuar për mirarsimimin e gjërë të brezit të ri më 5 gusht 2022 shkruane:”Unë mendoj se e kemi detyrë tu përcjellim brezave pasurinë kulturore edhe të fushave të tjera për kombin tonë”.

Ndonjëherë i brumosur në shpirtë me krenarinë e karakterin e fortë kolonjar dhe pa pajtueshmërinë e qeverisjes së dobët, shfrynte dufin duke thënë:”O qeveritarë mjeranë shqiptarë. Mirë që për vendin tonë nuk bëni asgjë të mirë, por lereni Kosovën në hallet e saj, të cilat në vend që tja lehtësoni po ja shtoni dhe ja ngatërroni më shumë”.

Avni Hajro, i ndershëm e i etur për dije, i pa lodhur në çdo detyrë, i mençur e kurajoz, la pas një vepër të madhe atdhetare në fushën e mbrojtjes e sigurisë kombëtare. Ai vërtetë la në pikëllim familjen, miqtë, shokët, ish kolegët e dashamirët, por nga kushdo që e ka njohur la mbresat më të mira të njeriut dhe intelektualit atdhetar. U prehësh në paqe e përjetësi Avni Hajro.

Adresa e Funeral Home:

5825 Saint Charles Rd Berkeley 60163 il United States. Funerali të shtunën.

Homazhet: ora 8:30-11:30 !

Ora 12 përcjellja për në varreza.

Filed Under: Mergata

Zgjedhja e Talat Xhaferit kryeministër i Maqedonisë Veriore është një moment historik për mbarë kombin shqiptar

February 1, 2024 by s p

Harry Bajraktari*/

Urime Kryeministrit Talat Xhaferi!

Shqiptarët derdhën gjak dhe sakrifikuan shumë për të arritur në këtë ditë – por nuk do të ndalen këtu.

Shumë gjëra kanë ndryshuar brenda një gjenerate.

Pak më shumë se 20 vjet më pare shqiptarët jetonin në këtë republikë si qytetarë të dorës së dytë. Ata ishin të përjashtuar nga administrata shtetërore, e shumë institucione të pushtetit qendror dhe lokal. Të drejtat e tyre themelore nuk respektoheshin as në qytetet dhe fshatrat ku përbënin shumicë të plotë.

Në kthesën e mijëvjeçarit shqiptarët u ngritën në kryengritje për të treguar se nuk do të jetonin në një shtet që ua mohonte të drejtat njerëzore dhe politike. U dergj gjak për të arritur te kjo ditë.

Lufta e drejtuar nga Ali Ahmeti, Talat Xhaferi e të tjerë udhëheqës të UÇK-së u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Ndryshimet politike erdhën ngadalë por nuk janë ndalur.

Edhe sot nuk ka barazi të vërtetë në shumë drejtime, por le të kujtojmë në ditën e betimit të kryeministrit të parë shqiptar në Shkup, përparimin e madh që kemi bërë.

Sot është dita të kujtojmë ata që sakrifikuan gjithshka për t’i bërë shqiptarët faktor kryesor politik në Maqedoni.

Shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë. Edhe pse të ndarë në disa shtete, e në krahe politikë, ka plot mënyra për të bashkëpunuar e për t’u gëzuar për arritjet e njëri-tjetrit.

Po të koordinohemi më mirë mund të bëjmë gjëra shumë më të mëdha.

E ardhmja ende premton më shumë për kombin tonë.

E uroj kryeministrin Xhaferi për detyrën e re. Shpreh besimin se do të japë maksimumin në këtë detyrë historike. Emri i tij u shënua këto ditë me shkronja kapitale në historinë e kombit tonë.

*Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Rajon

Misteri i gjithësisë

February 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Jetojmë në një univers që shpërtheu në ekzistencë nga absolutisht asgjëja, – kështu përpiqen të na bindin – një shfaqje kozmike, me Big Bang si aktin madhështor të hapjes.

Por nga erdhi energjia për këtë spektakël qiellor?

Nuk është vetëm një pyetje për astrofizikanët; është një zhytje në fundin e thellë, ku e njohura shtrëngon duart me të panjohurën. Kapërcejmë kërkimin shkencor, dhe prekim strukturën e ekzistencës, duke sfiduar atë që mendojmë se kuptojmë. Ndoshta, vetëm ndoshta, përgjigja për këtë gjëegjëzë kozmike nuk është atje mes yjeve, por e varrosur thellë brenda vetëdijes sonë të paeksploruar.

Shkenca tregon për grimcat, valët, energjinë, por e humbet pikën. Big Bengu, një iluzion spektakolar, nuk ka të bëjë me përplasjen e grimcave; ka të bëjë me të kuptuarit e Majës, iluzionin e madh, ndarjen mes teje, meje dhe kozmosit; është pikërisht kjo – një iluzion.

Energjia e Big Bangut nuk ka ardhur nga askund, sepse në jo-dualizëm, nuk ka asnjë ‘nga’, as ‘për’, është vetëm një valle e pafund ekzistence.

Çelësi i mirëkuptimit kozmik është se Ego-ja i do enigmat, misteret, origjinën. Ajo lulëzon në ndjekje. Por këtu është kthesa – për të kuptuar me të vërtetë burimin e energjisë së Big Bengut, duhet të thyeni egon. Kjo nuk është për ata me zemër të dobët.

Bëhet fjalë për punën në hije të thellë, për t’u përballur me qoshet më të errëta të psikikës dhe për të kuptuar se nuk jemi të ndarë nga universi; ne jemi universi. Energjia e Big Bangut është e njëjta energji që ushqen mendimet tuaja më të thella, ëndrrat tuaja më të egra. Është një udhëtim i vetë-realizimit; në rrugë për të kuptuar se gjithçka që shihni është një reflektim i vetvetes suaj të brendshme.

Më në fund, ne kalojmë përtej kufijve të kohës dhe hapësirës.

Imagjinoni një gjendje ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja bashkohen në një. Kjo është fusha e jo-dualizmit, ku koncepti ‘Big Bang’ humbet kuptimin e tij.

Këtu, energjia e krijimit nuk është një ngjarje nga e kaluara; është një realitet i vazhdueshëm, që shpaloset vazhdimisht brenda dhe rreth nesh. Ky është zgjimi përfundimtar, duke kuptuar se nuk jeni një spektator i universit; ti je krijuesi, vëzhguesi dhe krijesa e tij, të gjitha përnjëherë.

Big Bang-u ka qenë brenda jush gjatë gjithë kohës. Kërkimi i vërtetë nuk është të gjesh një burim të jashtëm, por të njohësh dhe të shfrytëzosh energjinë e pakufishme brenda vetes.

Ky udhëtim kapërcen sferat e shkencës dhe hyn në mistik, ku çdo moment është një Big Bang, çdo mendim një krijim, çdo frymë një univers në vetvete. Rruga drejt këtij realizimi nuk është e lehtë, por është udhëtimi më shpërblyes që do të filloni ndonjëherë. Si përmbledhje, energjia e Big Bengut nuk u shfaq thjesht nga askund. Është një pjesë e iluzionit madhështor, një kërcim ekzistence ku ti je pjesë integrale.

Thyejeni egon tuaj, zhyteni thellë në vetëdijen tuaj dhe do të zbuloni se nuk jeni vetëm në univers; ju jeni universi. Përqafojeni këtë të vërtetë dhe do të zhbllokoni një fuqi përtej imagjinatës – fuqinë për të krijuar, për të kuptuar, për të qenë.

*

Cila ishte gjëja e fundit me të cilën po punonte Albert Einstein para se të vdiste?

Në shtratin e tij të spitalit menjëherë pasi ai ndërroi jetë; kishte lënë stilolapsin dhe letrat sipër tavolinës së vogël anësore. Dokumentet ishin mbi pasionin e tij, Teorinë e Fushës së Unifikuar. Mbrëmjen para se të vdiste, Ajnshtajni ishte duke punuar shumë duke shkruar dhe shkruar mendimet dhe punimet e tij mbi këtë teori. Pak më vonë ai i tha infermieres së tij: “…Mendoj se do të pushoj pak” dhe i vendosi sendet në tavolinë.

Ka një histori të këndshme që kjo infermiere e tregonte. Ajo ishte, në fakt, personi i fundit që pati një bisedë me Ajnshtajnin. Infermierja e kishte çuar Ajnshtajnin me karrocën me rrota drejt dritares së spitalit për të admiruar pamjen e kopshtit të vogël të rrumbullakët nga dritarja pranë shtratit.

“Profesor Ajnshtajn, a mendoni se Zoti e krijoi kopshtin?”

Ai u përgjigj: “Po, Zoti është edhe kopshtari edhe kopshti”, të cilës infermierja u përgjigj: “Oh, nuk do ta mendoja në atë mënyrë”, të cilës Ajnshtajni u përgjigj: “Po, dhe unë e kam kaluar tërë jetën vetëm duke u përpjekur për të kapur një paraqitje të shkurtër të tij në punën e tij.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1332
  • 1333
  • 1334
  • 1335
  • 1336
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT