• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani pas takimit me ambasadoren Ziv: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

January 30, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.

Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike.

Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve.

Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi.

Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa Presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Filed Under: Ekonomi

Gjeniu shfaqet gjithnjë e më i heshtur pasi i ka kryer të gjitha

January 29, 2024 by s p

Prof.Agron Gjekmarkaj/

Nuk ishte vetem një kohë e terrorit që edhe kohë e letersisë. Shkrimtari mbretëronte përballë tiranit. Në murin pas të cilit ishin mbyllur burra e gra shqiptare mijëra faqe nga letërsia e Ismail Kadaresë gdhendëshin. Ato lexoheshin në dy anët njësoj. Para atij muri ai luante vallen si instikt bazik i njeriut që therret liri. Nuk ishte një valle makabre. I lëvizte këmbët pafajësia. Ishte pafajësia e një buzëqeshjeje të pergjakur. Nëse do i kërkonim ndihmë Kunderes sivëllaut më në lindje mbase këtë do na thoshte. Jeta, mbijetesa, ndërgjegjia e lidhjes që nuk ndryshket kurrë mes së mires dhe së keqes, të qënit i huaj në token tënde por edhe përgjegjës madhor për fatin e saj nga një ngjizje misterioze i bëjnë tekstet e Kadaresë vështruese të një “momentumi”, pa të shkuar po kaq pa të ardhme sikur ato rrinë në të pameëshirshmin shtrat të Prokrustit.

Paradoksalisht, ose si dëshmi e e një spirance ngulur në rrënjët e tokës si dhëmbet e Kadmosit, në kujtesen mitologjike të lexuara sot ose nesër ato paraqiten të domosdoshme, duke ndikuar mbi axhenden kulturore dhe mendimin e çdo kujt duke humbur disa përmasa për të fituar të tjera, tek universalja, vija trashendentale e ” botes sanë”. Gjithmone është sot. E djeshmja ka ikur, e ardhmja ënde s’ka trokitur. Aktualja si e transformuar me teknologji artificiale nuk mplaket kurrë aty. E ndjek njeriun personazh , shiptarar, francez, polak, rus, kinez, amerikan qoftë apo personazhin që rikthehet tek njeriu ore e çast përtej krahinës, moteve, kombeve, gjeografisë, sistemeve dhe gjuhës. Një kulturë (ajo shqiptare) nuk rritet duke u asimiluar brenda kulturave më të forta , por nëse ajo dialogon me ato, kurioze për të mësuar. Kadare e shkaktoi këtë kuriozitet, më saktë e imponoi, edhe përtej dëshirës së të tjerëve, sapo e kudo si gjithë gjërat e forta natyrore që nuk marrin leje po shndërrohen në fenomene. Brenda historinë, gjenerues i saj, me letërsinë dhe bërës i saj, tek Europa si bir i vet që i përkufizon identitetin me “ulërimen civile” të Mun në fytyrën noprane e nazike, shqiptar i vjeter sa të gjithë shekujt bashkë, bashkëbisesues i Pirros dhe Teutes, Skenderbeut, Naimit e Fishtës, At Zef Pllumit, i prindërvë tanë, i yni dhe fëmijëve tanë, në pritje të atyre që do vinë i pa moshë për ata që do kalojnë mbi këtë tokë e nën këtë qiell, Ismail Kadare “në veçantësinë që paraqet Europa qendrore e ajo lindore ( shkruante dikur Itsvan Bido) përkatësia gjuhësore shndërrohet në faktor politik e historik, e mbi të gjitha një faktor që u paraprin përckatimeve territoriale në kufijtë ekzistues, e në disa raste formimin e kombeve te reja”.

Një prej rëndësive që kjo enciklopedia kadareane ka për shqiptarët mund të gjindet edhe në këto fraza ku gjuha kultura dhe ekzitenca plotësojnë njëra-tjetrën. Gjeniu shfaqet gjithnjë e më i heshtur pasi i ka kryer të gjitha! Le të bëjmë detyrën tonë, të perpiqemi ta kuptojme Atë.

Filed Under: Sofra Poetike

Venera Gjenashaj zgjidhet kryetare e Shoqatës “Kraja” në New York

January 29, 2024 by s p

Sokol Paja/

Venera Gjenashaj, aktivistja e shkëlqyer e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës u zgjodh kryetare e shoqatës “Kraja” në New York. Ajo do drejtojë një ndër shoqatat më aktive të komunitetit shqiptar në dy vitet që vijnë. Zonja Gjenashaj fitoi mandatin e saj në zgjedhjet e përgjithshme të shoqatës zhvilluara sot më 28 Janar 2024, duke marrë 51 vota kundrejt patriotit të nderuar krajan Safet Doçi me 40 vota. Venera Gjenashaj është kryetarja e parë femër në historinë 33 vjeçare të Shoqatës “Kraja”. Venera është bijë e Krajës, lindur më 7 mars 1981 në Ulqin. Aty kreu arsimin fillor e të mesëm, ndërsa studimet për gjuhë angleze i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në Kosovë. Në New York përfundoi magjistraturën si mësuese për fëmijë me aftësi ndryshe. Më herët ne shoqaten “Kraja” zonja Gjenashaj ka kontribuar për dy vite si nënkryetare dhe koordinatore e shkollës shqipe dhe aktivitete patriotike. Edhe pse prej 2 vitesh kontributore aktive, Venera ka shkëlqyer në të gjitha aktivitetet komunitare duke qenë frymëzim për gratë dhe vajzat shqiptare. Aftësitë e saj të spikatura në drejtim, koordinim e menaxhim, energjia e saj e pasioni i flaktë patriotik e kanë kthyer shoqatën “Kraja” një institucion të fuqishëm shqiptarie në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Në një prononcim për gazetën “Dielli” të Federatës “Vatra” në New York, ajo falënderon të gjithë krajanët për besimin dhe familjen e saj të shtrenjtë për mbështetjen. Mesazhi i saj patriotik është: “Të qëndrojmë të bashkuar për të ruajtur vlerat tona, kulturën tonë, gjuhen e pastër e të bukur shqipe, traditën, vlerat e identitetin tonë kombëtar shqiptar”. Në programin e saj 2 vjeçar zonja Venera Gjenashaj shprehet se do të ketë primare rritjen e prezencës shoqatës në komunitetin shqiptar në New York e më gjërë, promovimin e femrave shqiptare e rinisë shqiptare, forcimin e shoqatës “Kraja”, aktivitete kulturore, patriotike, turistike e komunitare në Krajë, kalendar veprimtarish patriotike e atdhetare në New York etj.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i urojnë suksese zonjës së nderuar Venera Gjenashaj, i ofrojnë bashkëpunim të afërt dhe shprehin mirënjohje për mbështetjen ndaj Federatës Vatra në veprimtaritë e saj sidomos në kohën e Mirsad Kovaçit e Sami Kanaqit. Shoqata Atdhetare “Kraja” është e formuar që në vitin 1991 në New York, USA me synim mbajtjen gjallë të lidhjeve shpirtërore e tradicionale mes patriotëve krajanë që jetojnë në Amerikë dhe vendlindjes së tyre në Krajë. Në fokus të aktiviteteve dhe veprimtarisë së shoqatës është ruajtja e traditave kombëtare, ruajtja e identitetit kombëtar shqiptar, ruajtja e gjuhës, forcimin e lidhjeve shpirtërore të patriotëve krajanë në vendlindje dhe mergatë. Shoqata Atdhetare Kraja ka një model organizimi të shkëlqyer dhe për organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Amerikë. Shoqata Atdhetare Kraja është shumë pranë veprimtarive patriotike të diasporës shqiptare në Amerikë ku ka marrë pjesë gjithmonë masivisht në të gjitha aktivitetet patriotike si festa e Flamurit Kombëtar, Pavarësia e Kosovës, Parada Shqiptare dhe organizime të tjera atdhetare në New York, Uashington, New Jersey etj.

Filed Under: Komunitet

GJITHË DITA NË DALLAS…AH, RRUGA, KU U VRA PRESIDENTI…

January 29, 2024 by s p

Në aeroportin e Dallasit, jashtë na priste një diell plot dritë dhe ngrohtësi, që sikur e shtonte dhe pritja z. Adil Besiri, burrit nga Kërçova që na mori me makinën e tij të bardhë e të madhe për të na çuar në restorantin e tij dhe pastaj të na shëtiste nëpër qytet…

– Dua të shoh rrugën ku vranë Presidentin Kenedi, – thashë unë me një padurim të dhimbshëm, por i mbledhur kohë më parë.

Dhe aty shkuam. Pikërisht te vendi ku kishte ndodhur atentati i shekullit, i hatashëm, mu në rrugë kishin vënë

shenjat, 4 ikse të mëdha: XX XX, 2 ku nisi dhe 2 ku mbaroi ai tmerr dhe ende mister. Ndalëm t’i shihnim ashtu të verdha si dëshpërimi, si gjarpërinj, sikur të kishin shkruar Shekullin XX, si kryqe.

– Ja, dhe taraca nga u qëllua, – po na tregonte Adili. Një re aty sipër m’u duk si fantazma e atentatorit. Në katin sipër ishte dhe muzeu, s’e di a ishte hapur, po s’doja ta shikoja, mjaftonte ajo ndjesi e rëndë si me plumbat pezull në ajër si zogj të ngrirë… Njerëz nga trotuari, fotografonin ikset e çoroditura në rrugë: XX XX, pashë dhe fytyra të nemitura, por tashmë e gjitha kjo ishte histori. Po unë doja një kryq tjetër në muzg, një kishë, të bëja kryq, të lutesha… u lidha me Edēn time, fola nē celular edhe me video. Ajo s’mundi tē vinte, punẽt… por ēshtẽ gjithmonē me mua…

Rrota makinash i kalonin përsipêr atij kryqit në rrugë si gjithkund, zakonshëm, si harrimi, si pamëshirshmëria, asnjë makinë s’prishej befas aty, s’plaste asnjë gomë… mbase ndonjë zemër…si imja…

Edhe rrotat e makinës tonë kaluan aty me shpejtësi. Ura të mëdha dhe perëndim dielli si flakë… Qiellgërvishtëse të kaltra si qielli. Po kërkonim skulpturën e Syrit, t’i shpëtonim syrit të keq. Dritnajë. S’kishte më kryqe rrugëve. As president tẽ vrarẽ… Njerëz të lirë. Ishte mbrëmja e po kësaj date, kur unë u lirova… dikur… larg… nga burgu… 28 janar… kurrë nuk do të mund ta besoja atëhere, madje dhe mund të dukej çmenduri nēse do tē nē thoshin se në një datë të tillë do të ndodhte të vije në një qytet të madh në SHBA, në Dallas, do të shikoje vendin ku u vra Presidenti Xhon Kenedi, ngjarje që do të më trondiste në fëmijëri dhe mua, kurse të nesërmen e kësaj date, – e ç’rëndësi do të kishte viti, – do të përurohej romani im “Këpuca e aktorit”, këtu, te ky qytet, mes shqiptaro-amerikanēve. Kështu po bisedonim gjatë darkës me miqtë, me Taipin, me Xhabirin, Jani telefonoi se do të vinte më vonë, me vëllain e Taipit, Adilin e mirẽ, të zotin e restorantit, kaq të bukur, i tēri qelqnajē e me ndriçime të ëndërrta, me muzikë italiane. Do të vinin dhe Zonja e Adilit, edhe djali, Albani, të përplasnin gotat e verës me ne, “gëzuar!”, por do të largoheshin shpejt, ishin në krye të punëve dhe dihet sa shumë punë ka restoranti në mbrëmje.

Koha ikën, sidomos ajo e brendshmja, ngjan me atë shishen e verës mbi banak, të rrëzuar, që derdhte verë të kuq si gjak, po ajo ishte vepër arti dhe vera e derdhur ishte xham si kohë e ngrirë.

Çfarë hëne ishte jashtë, kur shkuam për në hotel, – i shkruajta prapē Edēs time, “Natēn e mirē” – një hënë aq e madhe nga ato që nuk harrohet, prani prej ari, hënë vërtet amerikane… jo, jo, je ti, ti…

Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

Bankat e para në Shqipëri: bankat osmane, austro-hungareze dhe italiane

January 29, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Për shumë shtete duke nisur që nga shekulli i XIX-të një nga institucionet më të rëndësishme në aspektin financiar ishte sistemi bankar. Por kur i ka fillimet ky sistem në territoret shqiptare?

Në kuptimin bashkohorë të fjalës ai fillon relativisht vonë.

Pas Luftës së Krimesë (1853-1856) në Perandorinë Osmane lindi nevoja për krijimin e një banke. Një hap i tillë u imponua edhe nga presioni i shteteve auropiane me qëllim për të garantuar shlyrjen e borxheve që i kishin dhënë shtetit osman.

Kështu, më 4 shkurt 1863 u krijua Banka Otomane nën kontrollin e grupeve financiare dhe kapitalit anglo-francez. Këto shtete ishin edhe kreditorët kryesorë të perandorisë.

Për nevojat e administratës Banka Otomane hapi degët e saj në vilajete të ndryshme. Nga hulumtimet e bëra deri tani na rezulton se degë të kësaj banke kanë funksionuar edhe në disa qytete shqiptare, si: në Manastir (1903-1914), Shkup (1903-1914), Janinë (1910-1921) dhe Shkodër (1911-1914). Banka Otomane ishte bankë emisioni dhe kreditimi. Prandaj edhe në Shqipërinë e atyre viteve, ashtu si kudo në shtetin osman, qarkullonin lira prej ari, mexhidije dhe groshare prej argjendi, nikeli etj.

Më 15 gusht 1888 u krijua Banka Agrare Otomane e cila kishte si qëllimi kreditimin e fshatarëve dhe pronarëve që zotëronin sipërfaqe të punueshme. Ajo synonte që t`i jepte një impuls të ri zhvillimi bujqësisë. Kapitali i kësaj banke, përveç 10 milion lirave turke të akorduara nga shteti osman, formohej dhe nga 1% që vilej nga të ardhurat vjetore të fshatarësisë. Kjo bankë kishte filiale edhe në disa qytete (kaza) të Shqipërisë, si: në Elbasan, Tiranë, Shkodër, Kavajë, Berat, Korçë etj.

Në vitin 1907 në Shkodër u çel një filial i Banco Tozzi e C, me qendër në Venedik. Por deri tani nuk kemi të dhëna që konfirmojnë aktivitin intensiv të këtij filiali. Në këtë periudhë përpjekjet e kapitalit italian hasën në pengesën e autoriteteve osmane dhe në rivalitetin e politikës austro-hungareze, e cila e shihte me xhelozi depërtimin e tij në territorin shqiptar.

Më 4 tetor 1913, Ismail Qemali, i cili kishte filluar përpjekjet për krijimin e një banke shqiptare, i gjendur nën presionin italo-austro-hungarez nënshkroi një marrëveshje me përfaqësuesit e bankës austriake Wiener Bank Verein, me qendër në Vjenë dhe përfaqësuesin e bankës italiane Banca Commerciale Italiana, me qendër në Milano. Këto dy banka të huaja ishin përfaqësuese të grupeve financiare në shtetet e tyre dhe kishin si qëllim kontrollin ekonomik të shtetit të sapo krijuar shqiptar.

Për shkak të fillimit të LPB, projekti i krijimit të Bankës Shqiptare me kapital austro-italian nuk u realizua. Emblematike mbetet deklarata ironike që I.Qemali i bëri ministrit të Jashtëm italian, kur ky i fundit i bënte presion për hapjen e kësaj banke: “ne lindorët kemi parë një burrë të martuar me dy gra, por nuk kemi parë një grua të martuar me dy burra”. Kjo tregon se I.Qemali ishte i vetëdijshëm se pas kapitalit italo-austro-hungarez të kësaj banke, fshiheshin synimet e këtyre shteteve për të ushtruar ndikimin e tyre.

Në vitet 1917-1918, kur Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u pushtua nga Austro-Hungaria, në Shkodër funksionuan disa filale të bankave austriake, si: Wiener Bank Verein, Pester Bank dhe Ungarische Bank, të cilat, si qëllim kryesor kishin grumbullimin e arit nga popullsia shqiptare kundrejt banknotave (korona), që pas lufte nuk patën asnjë vlerë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1337
  • 1338
  • 1339
  • 1340
  • 1341
  • …
  • 2936
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT