• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TERRORI I HAMASIT, TË DREJTAT, PAQJA

November 3, 2023 by s p

Nga ALDO CAZZULLO – “Corriere della Sera”, 31 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika/

Kundërsemitizmi  mund vetëm të  dënohet e të kundërshtohet. Nga sulmi udhëtarëve në aeroportin e Dagestanit, tek dhunimi i flamurit në FAO-n e Romës kush i mohon hebrenjve dhe Izraelit të drejtën e të jetuarit duhet të luftohet. Megjithatë do të ishte i gabuar të quajturit e valës së simpatisë për Palestinën që përshkon Perëndimin si një shfaqje të thjeshtë kundërsemitizmi, që ekziston, e përsëris, në të majtë e në të djathtë, dhe duhet ndaluar. Por në universitetet italiane dhe anglosaksone nuk ka vetëm kundërsemitë.

Ka mjaft të rinj të bindur se milicët e Hamasit, edhe se në përdorim të metodave të papranueshme, janë duke luftuar për të drejtat e palestinezëve e të popujve arabë. Pikërisht atyre të rinjve mundemi e duhet t’u flasim, për t’u thënë se po lajthisin. Jo vetëm se Hamasi ka kryer më 7 tetor  një krim të llahtarshëm. Jo vetëm se Hamasi përdor si shqyt njerëzor në Gaza më shumë se dy milionë civilë. Jo vetëm se Hamasi bën të keqen e palestinezëve. Mbas Hamasit është Katari, që i trajton emigrantët siç kemi parë në Botërorin e futbollit: duke mos mbajtur parasysh jo vetëm të drejtat njerëzore, bija të revolucionit francez, por as barazinë e njerëzve para Zotit, që është një nga themelet e Islamit; sepse ka vënde në Katar në të cilët një punonjës egjyptian apo pakistanas madje edhe palestinez nuk mund të hyjë, sepse janë të ruajtur për katariotët e për perëndimorët,  sigurisht edhe për krerët e Hamasit si Ismail Hanieh që, në ndryshim nga civilët e Gazës, nuk janë nën bomba por të mirëpritur në rehatin e tyre në Doha. Dhe mbas Hamasit është Irani, që trajton gratë siç i kemi parë këto ditë: i rreh për vdekje me shkopinj nga “policia morale” – quhet pikërisht kështu – se nuk mbajnë si duhet shaminë e kokës.

Për të drejtat njerëzore, Hamasit e financuesve të tij e mbështetësve, absolutisht nuk i bëhet vonë fare. Duan të marrin fuqinë në Çisjordani mbasi e kanë marrë me armë në Gaza, duke kthyer një fitore zgjedhore në një diktaturë të terrorit.

Çdo diktaturë, si çdo grup terrorist, ka gjithënjë një bazë mirëkuptimi, që është e vështirë të matet, meqë kundërshtia nuk është e lejuar. Megjithatë, shumica e popullsisë së Gazës është në fakt sot peng i Hamasit. Është plotësisht e kuptueshme që Izraeli është i vendosur të agjësojë Hamasin nga Lindja e Mesme. Por nuk do të mjaftojë vrasja e krerëve. Në pranverën e vitit 2014 Ariel Sharoni vrau në tri jave udhëheqësin shpirtëror të Hamasit, sheikun Jasin dhe drejtuesin politik, Abdel Aziz Rantissi; Hamasi nxori krerë ende më të pamëshirshëm. Për të asgjësuar terrorizmin duhet të veçohet politikisht e financiarisht ai. Në këtë çast po ndodh e kundërta, siç dëshmojnë fjalët – tejet të rënda – të Erdoganit, që sigurisht nuk bashkëndan vlerat tona, por na pëlqen apo jo, komandon ushtrinë e dytë të NATO-s dhe është zgjedhur si president i Turqisë pesë muaj më parë me 28 milionë vota. Në fakt Bideni, që sigurisht nuk është armik i Izraelit, po kërkon t’a frenojë Netaniahun, për të shmangur si gjakderdhjen e gjakut të pafajshëm, si zgjerimin e luftës.

Kush po merret me civilët e Gazës? Jo Egjypti, që e ka mbyllur qafën e Rafahut e nuk pranon të preso të ikurit. As bashkësia ndërkombëtare, që nuk ka dashur e mundur të hapë korridorë njerëzorë, edhe nga deti.

Kush po merret me palestinezët e Çisjordanisë? As ata nuk janë një bllok monolit. Në Xhenin, në Veri, është i fuqishëm Xhihadi islamik; në Hebron, në Jugë Hamasi; Ramallahu mbetet selia – e sulmuar çdo natë dhe e mbrojtur nga policia – e Akp, Autoriteti kombëtar palestinez, që megjithëse i dalë boje, për çastin është i vetmi ledh kundër terrorizmit islamik. Prandaj nga kriza e armëve nuk do të dilet vetëm me armë.

Izraeli nuk do të ndalohet deri sa të ketë arritur një synim ushtarak të tillë që  të mund të shpallë se 7 tetori është hakmarrë, e që edhe kjo luftë, e deklaruar nga Hamasi, është fituar. Por një pritshmëri politike megjithatë duhet hapur.

Nuk ka qënë vetëm Netaniahu, dhe shumica relative e zgjedhësve izraelianë që e ka mbështetur në këta vite, që janë gënjyer me mendimin se çështja palestineze mund të mënjanohet. Janë gënjyer edhe qeveritë arabe që kishin nënëshkurar pakte të përcaktuar propagandistikisht “të Abramit”, tashmë të hedhur në kosh.

Paqja është zbuluar si një iluzion, mbas dështimit të Oslos e traktativës Barak-Arafat; por edhe ideja e pushtimit të Çisjordanisë me ngulime pallatesh, simbas premtimeve zgjedhore të Netaniahut, doli e pamundur.

Nëse Perëndimi – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian – mund të shpresojnë ende të luajnë një rol në këtë krizë, duhet t’a kenë të qartë mirë se kush janë, cilat janë vlerat e tyre e cilët janë interesat e tyre. Siguria e Izraelit dhe të drejtat e palestinezëve nuk janë të papërputhëshme, madje janë të lidhura. Nuk mjafton të shpallet domosdoshmëria e një Shteti palestinez; asnjë qeveritar i Izraelit, edhe më i ndrituri trashëgimtar i Netaniahut, nuk do të pranojë kurrë një Shtet palestinez në dorë të Hamasit apo të secilit grup tjetër që nuk do të njohë Izraelin, për më shumë të jetë i vendosur t’a shkatërrojë.

Të kritikohet qeveria izraeliane është diçka e ndryshme nga kundërsemitizmi, sigurisht. Por në sheshet e Perëndimit sot duken si urrejtja kundër-hebraike, si lajthitja për natyrën e vërtetë të Hamasit. Këto dy dukuri shqetësuese nuk i ndihmojnë as kuptimit të gjërave , dhe as lidhjes së brëndëshme të shoqërive perëndimore: një fuqi për të cilën do të kemi nevojë të madhe në vështrimin e kohëve tejet të ashpra  që kemi për fat.

“Corriere della Sera”, 31 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

TAQ BUDA – FARMACISTI PATRIOT E POLITIKAN I ELBASANIT

November 3, 2023 by s p

Roland Gjini

Marin Haxhimihali*

Taq (Dhimitër) Buda është një personalitet i njohur në fushën e farmaceutikës, por edhe patriot dhe politikan i Elbasanit, i gjysmës së parë të shekullit XX. Lindi në vitin 1869 në lagjen Kala të këtij qyteti, lagje me tradita patriotike dhe arsimdashëse, dhe ndërroi jetë në vitin 1941. Vitet e para të shkollimit i kreu në vendlindje, arsimin e mesëm në Manastir, asokohe qendër e vilajetit me të njëtin emër, më pas, arsimin e lartë për farmaci e ndoqi dhe e përfundoi në Athinë, në vitin 1892. Po këtë vit kthehet në Elbasan, duke qenë farmacisti i parë i specializuar dhe i arsimuar jo vetëm për këtë qytet, por në tërë trojet shqiptare. Vetëm dy javë pas kthimit në vendlindje, Taqi (sikurse e thërrisnin elbasanasit dhe ky emër i mbeti në vazhdimësi), u caktua të punonte si inspektor arsimi në shkollat e qytetit, por kjo punë nuk i solli asnjë kënaqësi. Ai shet pronën e trashëguar dhe hap një farmaci që bëri emër, sepse kishte shërbim modern dhe barna të efektshme, melheme (pomada që i bënte vetë), etj. I pajisur me eksperiencën e trashëguar prej të atit, i cili ishte mjek, si dhe me një diplomë me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Mjekësisë së Athinës, Taq Buda filloi ta ushtronte profesionin e farmacistit në Elbasan që nga viti 1894. 

Farmacia ka qenë përballë Hamamit. Në katin sipër Reshiti, çiraku, grumbullonte dhe ndihmonte në përgatitjen e barnave. Poshtë ishte pritja e klientëve dhe një holl ku rrinin shpesh dhe mjekë që lëshonin recetat, si dr. Miraku etj. Farmacia, e quajtur “Shëndeti”, u pajis me barna që vinin nga Italia, ku T. Buda kishte marrëdhënie me një bazë grosiste të njohur në Bari, me pronarin e së cilës familja e ruajti miqësinë deri pas Luftës II Botërore. Letrat dhe kartolinat dërgoheshin me siglën e shtypur enkas sipër: “Farmacia Shëndeti Taq Buda-Elbasan”. Farmacia në qendër të pazarit ishte moderne për kohën, nëse i besojmë përshkrimit të një udhëtari austriak në një revistë vjeneze.

Në vitin 1897, Taq Buda martohet me Elena Kasapi (Xhufka) në një dasëm të madhe që u bë në shtëpinë e re, të sapondërtuar të Budave në qendër të qytetit. Gjatë viteve të regjimit komunist kjo shtëpi u shtetëzua dhe u kthye në Degën Ushtarake të Elbasanit. Sot është prishur dhe mbi trallin e dikurshëm të saj është ndërtuar një pallat shumëkatësh. Një rastësi fatlume bëri që dasma e tij të përjetësohej nga peneli i Edith Durham, e cila ishte mikeshë në shtëpinë e Budave, që i vizitonte sa herë kalonte nga Elbasani gjatë udhëtimeve të saj nëpër viset shqiptare. Nga kjo martesë u krijua një familje e gjerë me pesë djem (Herakliu, Stasi, Mihali, Aleksi, Sofokliu) dhe tri vajza (Athinaja, Liria, Roza).. Pra, Taq Buda është edhe babai i akademikut të njohur elbasanas, Aleks Budës. Situata e qëndrueshme ekonomike i dha mundësinë Taq Budës që të shkollonte gjashtë prej fëmijëve të tij, katër djem e dy vajza, me shpenzimet e veta. Po ashtu, ai ndihmoi financiarisht edhe familjarë të tjerë, si për shembull të mbesën, vajzën e vajzës së madhe, Enerieta Dodbiba nga Elbasani, e cila gjithashtu ka ndjekur 4 vjet Gjimnazin e Tiranës. 

Taq Buda nuk spikat vetëm si një farmacist i suksesshëm. Ai ishte gjithashtu një luftëtar i rradhëve të para për pavarësinë e Shqipërisë, për alfabetin e gjuhës shqipe si dhe për autoqefalinë e Kishës ortodokse shqiptare, pas vitit 1921 u bë edhe një politikan aktiv në Parlamentin shqiptar. Kishte njohje me patriotë shqiptarë të klubeve të ndryshme që u hapën në Elbasan, menjëherë pas shpalljes së Hyrietit (1908), sidomos me ata të shoqërisë “Bashkimi” ku bënte pjesë. Këto klube, u bënë vatra të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip, ndërsa shtëpia e Budave, në një dokument të vitit 1907, përshkruhet si “çerdhe subversivësh”, ku bëheshin plane kundër pushtimit osman e kundër helenizimit të Shqipërisë.  

Më 14-22 nëntor 1908, Taq Buda merr pjesë si delegat e përfaqësues i Elbasanit në Kongresin e Manastirit. Ai ishte partizan i përdorimit të alfabetit latin dhe ju kundërvu hapur përpjekjeve për ta shkruar shqipen me alfabetin grek. Këtë e dëshmon më së miri letra që T. Buda, më 27 gusht 1908, tre muaj para se të shpallej platforma për shkrimin e shqipes në Kongresin e Manastirit me dy alternativat e saj, i drejtonte gazetës Alithia (E vërteta) të Selanikut. Aty i kundërvihej me argumenta grupimit të quajtur “Shqiptarët Ortodoksë të Selanikut dhe të fshatrave përreth”, të cilët donin ta shkruanin shqipen me gërma të alfabetit grek. 

Më 2-9 shtator 1909, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, T. Buda merr pjesë si delegat i Elbasanit, në Kongresin e Elbasanit, ku u propozua midis të tjerash hapja e së parës shkollë që do të përgatiste mësues, të cilët do të përhapnin diturinë jo vetëm në Elbasan, por në mbarë viset shqiptare. Që nga ai moment Taqi u bë njëri nga financuesit kryesorë të kësaj shkolle. E çmonte vlerën e arsimit edhe si atdhetar, sepse nëpërmjet tij, si të gjithë rilindësit, mendonte që do të çelej një perspektivë e mirë për Shqipërinë. 

Taq Buda është firmëtar i Pavarësisë së Elbasanit me grupin e parisë së qytetit në nëntor 1912, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, të nxitur nga përparimi i ushtrisë serbe drejt Elbasanit. Ka bërë pjesë, madje dhe e ka drejtuar grupimin politik “Pleqësor” të Shefqet Vërlacit, fillimisht si pjesë e Partisë Popullore (1921) pas formimit të Këshillit Kombëtar nga Kongresi i Lushnjes dhe një vit më pas (1922) ai së bashku me përkrahësit e Vërlacit, kaluan në Partinë Përparimtare. T. Buda ka qenë gjithashtu dy herë deputet në Parlamentin shqiptar: më 5 prill 1921 u zgjodh në Këshillin Kombëtar, kurse më 27 dhjetor 1923, sërish deputet në Asamblenë Kushtetuese. Ndërkaq kishte abstenuar më 2.12.1922 në votëbesimin ndaj qeverisë së Zogut. Edhe pas vitit 1922 vazhdoi të bënte pjesë në grupimin politik të Shefqet Vërlacit “Pleqësorët”. Ky pozicionim i tij pranë Vërlacit nuk kishte të bënte me ndonjë pakënaqësi të tij ndaj Aqif Pashë Elbasanit, për të cilin ruante respekt e vlerësime, por me familjen Vërlaci kishte një miqësi familjare të trashëguar. Ndërsa në planin politik, mendojmë se ndoshta fakti që “Pleqësorët”, apo “Përparimtarët”, ishin për një regjim politik në formën e republikës, e kishte joshur atë, pasi dihej që ai zotëronte një kulturë perëndimore. Një arsye më shumë mund të ketë qenë edhe fakti që Shefqet Vërlaci ishte pro italian, vend me të cilin Taq Buda kishte interesa jetësore ekonomikë, pasi qyteti i Barit ishte furnizuesi kryesor i barnave të farmacisë së tij. 

Në parlamentin e parë legjitim, të formuar nga zgjedhjet popullore, Taq Buda luan një rol tepër aktiv. Pas zgjedhjes si deputet në pranverë të vitit 1921, ai u caktua anëtar i Komisionit për Punët e Administratës e të Ushtrisë. Mori disa herë fjalën në parlament (Këshillin Kombëtar), duke ngritur probleme nga më të ndryshmet. Kështu, në një seancë parlamentare ai ngriti problemin e ndërtimit të Urave mbi lumin Shkumbin në Qukës dhe të urës së Ali Beqarit. Duke qenë profesionalisht i lidhur me mjekësinë, në një diskutim të tijin u ndal në çështjet e sigurimit të ndihmës dhe të ushtrimit të lirë të detyrës së mjekut, sidomos për ata që janë përgatitur apo po përgatiten jashtë vendit: “Në vend që t’i jepet një hovë përparimit të kësaj dege, përkundrazi, i vëmë një palë pranga, që jo vetëm të mos mundi të përparojë, por ta shtyejë për ma poshtë… Për me i dhanë një encuragemente (inkurajim) studentave që ndodhen jashtë dhe që studiojnë në këtë degë. Se i përket nderit, shëndetit, jetës e dinjitetit të popullit shqiptar”. Në fushatën e zgjedhjeve për Asamble Kushtetuese të vitit 1923, Taq Buda u vu në krye të grupit elektoral “Pleqësorët” që mbështeste Shefqet Vërlacin. Ishte në listën e kandidatëve për deputetë të Asamblesë në radhët e këtij grupi. Ky grup i fitoi zgjedhjet e dhjetori për Asamble Kushtetuese dhe mes 10 deputetëve të Elbasanit, njëri ishte Taq Buda.

Vijoi të jetë aktiv në jetën politike shqiptare edhe pas dhjetorit të vitit 1924, pra pas riardhjes së Ahmet Zogut në pushtet. Tërheq vëmendjen fjalimi i tij në Parlament gjatë diskutimit të Statutit të Republikës Shqiptare në fillimin e vitit 1925, ku T. Buda ishte i vetmi deputet që kundërshtoi sanksionimin në statut të nenit që vendoste si kryeqytet të Shqipërisë Tiranën. I ndërgjegjshëm se shumica e kolegëve tashmë e kishte vendosur Tiranën si kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, T. Buda e merr fjalën duke u shprehur: “i sigurue se forca e arsyes nuk tremet nga forca e shumicës gishtit”. Gjatë ushtrimit të funksioneve parlamentare, Taq Buda mbajti edhe postin e kryetarit të Odës ekonomike në parlament. Në këtë kuadër, hartoi edhe një raport për qeverinë ku konstatohej shfrytëzimi që i bëhej krahut të lirë të punës në Shqipëri nga kompanitë e huaja, sepse “s’ka ligje të posaçëm që të rregullojnë punëtorin me atë që jep punën”. Të njohura janë gjithashtu debatet e tij në parlament në lidhje me projektligjin për shërbimin shëndetësor dhe farmaceutik si dhe propozimi i argumentuar për shpalljen e Elbasanit kryeqytet. 

Në vitin 1925 është përsëri në listën e kandidatëve për deputetë të Elbasanit, por fakti që këtë rradhë ai nuk fitoi, e bëri që të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në politikë për një farë kohe. Rikthehet përsëri si politikan në prill të vitit 1939, duke u përfshirë në listën e delegatëve të Elbasanit për në Asamble Kushtetuese, përkrah kryeministrit proitalian Shefqet Vërlaci.

Një aspekt tjetër ku Taq Buda ka qenë mjaft aktiv lidhet me autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Më 1922 ai është përfaqësues i Shpatit në Kongresin e Beratit, ku u shpall autoqefalia e kishës shqiptare. Më 1929 është përsëri delegat i Shpatit në Kongresin II të Autoqefalisë në Korçë. Në prag të këtij kongresi, firma e Taq Budës figuron krahas atyre të Lef Nosit, Dhimitër Papajanit e Kov Delianës në telegramin përshëndetës që populli i Elbasanit i dërgonte kongresit. Elbasani shquhej për harmoni fetare, banorët e qytetit kishin miqësi të sinqerta e përpiqeshin ta ndihmonin njëri-tjetrin në çdo rrethanë, pa bërë asnjë diferencim fetar. Në këtë kuadër duhet parë edhe miqësia me shumë e shumë familje të tjera elbasanase pa dallim feje, ku dallohej miqësia me familjen e Shefqet Vërlacit, të cilin Taqi e vlerësonte për disa qëndrime e mendime, sipas tij, të spikatura.

*Dr. i shkencave Marin Haxhimihali është nipi i Prof. Aleks Budës dhe stërnipi i Taq Budës.

Filed Under: Kronike

Presidentja Osmani u takua me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

November 3, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

Filed Under: Ekonomi

Simon Gjoni dhe shenjat që nuk i shlyen koha

November 3, 2023 by s p

Arta Marku/

Pash’ ma t’bukurën stinë t’pranverës,

Pash’ ma t’bukurin drandofill,

Mos t’ja falish kuj ti erën,

Se për mu vetëm ke çilë!

Fjalët dihen, muzika po ashtu kurse muza që i nxiti ato “fshihet” pas njërës prej dhjetëra mëtueseve që ua ka ënda të paraqiten në vend të saj, duke e shndërruar historinë e një kënge në legjendë.

A ka ekzistuar në të vërtetë një LULEBORË, në një kopsht, n’ma t’bukurin në Shkodër, që e ka nxitur një poet t’i kushtonte ato fjalë dashurie?

Po poeti vetë cili është?

Po kompozitori që i veshi fjalët me nota për t’i shndërruar ato në një him për dashurinë që do të merrte dhenë?

Në të vërtetë, për këngën LULEBORË lulëzuan rrëfenjat e secila ka emrat e vet të protagonistëve, gjithnjë të ndryshëm nga varianti në variant.

Dikush thotë se lulebora e vërtetë është një vajzë e ardhur prej larg me të cilën ra në dashuri poeti. Dikush tjetër thotë se bëhet fjalë për një pasion dashurie të vetë kompozitorit. Dikush se dashuria lindi në një stinë pranvere në mes të një oborri tipik shkodran plot me lulebore, e tjetërkush se bëhet fjalë për një dashuri të lindur në zemër të dimrit nën flokët e borës. Me gjasë përvetësimi i këngës duhet të ketë qenë një joshje e parezistueshme. Nëse jo përvetësimi, pështjellimi, ndërsa protagonistët e vërtetë duhet të kenë nënqeshur duke i shpërfillur ngatërresat e duke e pranuar se gjithçka vinte prej madhështisë së këngës. E kush do të donte të identifikohej me një këngë të kotë, në fund të fundit?

Megjithatë cilët ishin protagonistët?

Cili ishte kompozitori?

Cili ishte poeti?

Cila ishte lulebora? A ka ekzistuar vërtet ajo në realitet, këtu e 75 vjet më parë? Apo ka qenë thjesht një përfytyrim krijuesish, një vegim a ëndërr?

***

LULEBORA (ose LULEBORËS) është një pikë uji në oqeanin e veprës së kompozitorit, por duket se ishte pika që i spërkati të gjithë shpirtrat e njerëzve, për të lënë gjurmë të pashlyeshme tek ata. Ndaj, të flasësh për Simon Gjonin duhet doemos të ndalesh te LULEBORA ashtu sikurse të flasësh për LULEBORËN duhet doemos ta identifikosh me autorët e saj të vërtetë.

Në fakt, nëse dikush e dëgjon a këndon luleborën, zor se mendon për autorët e saj aq sa për shijen që përfton. Megjithatë, mes historive të shumta që lulëzojnë lidhur me të, ja vlen të veçojmë të vërtetën. Atë të vërtetë që del nga sirtarët e studios së kompozitorit. Dhe është momenti tani, për shkak të botimit të librit SIMON GJONI – MUZIKA DHE EPOKA, që autori, djali i kompozitorit, Andis Gjoni zgjodhi ta sillte me rastin e 100-vjetorit të lindjes së babait.

Gjatë punës për përgatitjen e monografisë, mes shënimeve të të atit, veç veprave të plota muzikore të përmasave të ndryshme, të njohura e të panjohura, të ngjitura në skenë e ende të pangjitura, biri gjeti edhe fletoren një faqe e të cilës ishte e Luleborës. Në atë fletë, e zeza mbi të bardhë, me shkrimin e atit, djali lexoi se kënga LULEBORËS ishte me tekst të Zef Palit. Pra, ai paskësh qenë poeti që i ka dorëzuar Simon Gjonit fjalët e vjershës të cilën ky i fundit do ta bënte këngë. Dhe do ta bënte, sërish siç e dëshmon fletorja, në verën e 74 viteve të shkuara, pikërisht në 15 gushtin e 1949-ës.

Sigurisht, ajo është një fletore muzike me pentagramë dhe nota të renditura në vija e fusha e s’ka vend për fjalë rrëfimesh të gjata. Ndaj nuk kish si të ishte në atë fletore historia që fsheh kënga, protagonistët që ka në zanafillë, dashuria që e ngjizi.

Por i biri i kompozitorit e di, ia ka rrëfyer e ëma, Hermira, e cila e ka njohur Luleborën e vërtetë.

Paskësh qenë një vajzë nga Tirana, një gazetare që mbërrin në Shkodër dhe takon Zef Palin. Madje e takon në një oborr tipik shkodran të mbushur me lulebore të harlisura. Porse poetit, tjetër luleborë i intereson, tjetër lulebore i ngul shikimin pa mundur ta largojë. E atëherë merr një copë letër e shkruan vargjet: në nji kopsht ma t’bukurin në Shkodër, ty të gjeta luleborë…

Kështu zuri fill një histori dashurie që do të vazhdonte, kështu zuri fill edhe një këngë që do të bënte rrugë të gjatë.

***

Sigurisht LULEBORA është përtej historisë që ka në zanafillë, përtej dashurisë që e lindi, përtej legjendave që solli pas vetes, përtej të dëshiruarve për ta përvetësuar… Në fund të fundit u bë një himn që shumë shpejt i erdhi koha të kapërcente kufij dhe jo vetëm në kuptimin metaforik e emocional. Nuk shpërtheu vetëm dyer zemrash, por edhe sinorë qytetesh e madje shtetesh.

Në fillim doli nga Shkodra për të ardhur në Tiranë e më pas përmes radios u përhap nëpër të gjithë Shqipërinë pa ndalur këtu gjithsesi. Rrugëtimi për në Moskë a Pekin nuk do të ishte i vështirë për një këngë si ajo, që dinte të prekte shpirtra. Dhe nuk do të këndohej vetëm në radio por edhe nëpër parqe nga vendasit që ndoshta nuk i kuptonin fjalët por ndjenin muzikën…

Në monografinë e Simon Gjonit të shkruar nga i biri ka, veç të tjerash, rrëfime shumë të papritura dhe interesante për LULEBORËN edhe pse në të vërtetë kjo këngë me të gjithë historitë, legjendat e gjysmë legjendat është veç një stacion që pasohet nga stacione të tjerë, të shumtë e madje më të rëndësishëm për një kompozitor të përmasës së Simon Gjonit.

Në fund të fundit bëhet fjalë për një nga kompozitorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX.

***

Djali i kompozitorit ka bërë një rrëfim të qetë e të shtruar: Për luleborën dhe lulet e tjera të kopshtit të një kompozitori; për pasionin që lind me njeriun; për shndërrimin e pasionit në profesion; për rrugëtimin e një muzikanti; për shkollimin në Pragë dhe zbulimin e botës së madhe; për rikthimin në Shqipëri dhe hapjen e rrugëve të reja; për dirigjentin dhe kompozitorin që japin e marrin brenda të njëjtit njeri; për veprën e tërë të shkruar me nota; për muzikën e që njohu skenën dhe atë që ende pret ta njohë… Dhe natyrisht rrëfimi vijon për njeriun e veçantë që mbështjell velloja e artistit, për burrin, bashkëshortin, babain.

Është fjala për SIMON GJONIN, është MUZIKËN dhe EPOKËN e tij…

Filed Under: Kulture

Marjan Hoxhaj u shpall Kampion Bote (over all) ne garen e Bodybuilding-ut

November 3, 2023 by s p

Përgatiti: Albano Kolonjari/

Durrësaku, Marjan Hoxhaj, u shpall Kampion Bote në bodybuilding për kategorinë Fitness “Men’s Physique Junior” për moshat U-20, beri te ditur Komteti Olimpik Shqipëtar. Kampionati Botëror i bodybuilding-ut po zhvillohet në Santa Susanna të Barcelona-s bëri të ditur KOKSH. Shqipëria në këtë eveniment përfaqësohet nga 14-të sportistë të cilët drejtohen nga Sekretari i
“Një përgatitje e gjatë dhe shumë sfiduese u shpërblye. Jam jashzakonisht shumë i gëzuar për këtë sukses, si për veten time ashtu dhe për ekipin tonë përfaqësues”, u shpreh Marjan Hoxha. Ai gjithashtu tha:”Pata shumë emocione kur juria therriti emrin tim. Krenaria me e madhe ishte vendosia e dyfishtë e himnit Kombëtar në atë skenë të madhe botërore. (kampion bote në kategoritë “Men`s Physique junior – 20 vjeç dhe “Men`s Physique junior overall”, në Kampionatin Evropian të “Bodybuilding & fitness). Gjithcka nisi në moshen 17 vjecare dhe me progrese të vogla arritëm të bënim hapa të medhaja. Falenderoj jashtë mase @ifbb_albania ekipin tim, pa ndihmën e të cileve ky sukses nuk do ishte e mundur, palestren @_powerhouse_gym_ e cila është shtepia ime dyte si dhe familjen tim. Shpresoj qe ky rrugetim i ekipit tone te vazhdoj edhe në të ardhmen”.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1343
  • 1344
  • 1345
  • 1346
  • 1347
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT