• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT DHE KONFERENCA E PAQËS NË PARIS ! 

January 22, 2024 by s p

NDUE  BACAJ/

(PJESA E DYTË)

Me 7 nëntor 1918 Patriotët në Shqipërinë e Veriut formuan Komitetin e Mbrojtjes Kombëtar të Kosovës, ose thjeshtë Komitetin e Kosovës , me qëndër në Shkodër. Ai gëzoi përkrahjen e shumë udhëheqësve dhe intelektualëve, botoi organin e tij Populli dhe shpalli se shqiptarët duhet të mbështeteshin në forcat e veta politike dhe ushtarake për të siguruar çlirimin kombëtar.1.  Ndërsa megjithse në dukje lokal, një zhvillim domethënës dhe me vlera kombëtare shqiptare që vlenë të cilësohet, dhe i ”parapriu”  Konferencës së Paqës në Paris kishte qenë inisiativa e prijësve malësor të Hotit, Gudës e Trieshit të cilët me 14 nëntor 1918 do t’i  dorzonin gjeneralit francez Bardi de Fortu, (që Fuqitë e Mëdha Europiane e kishin vendosur të komandante  Shkodrën), kërkesën drejtuar: Washingtonit, Londrës, Parisit dhe Romës, me objekt ribashkimin me Shqipërinë. Ndër të tjera në këtë kerkesë thuhej: “Mjerisht konferenca e Londrës (1913) nuk deshi me na njoftë të drejtat , e viset tona ia la Malit të Zi, tue u bashkue kështu me fatin e keq që patën shumë vise të tjera të Shqipnisë, të cilat kjenë shkëputun prej atdheut… Konsujt e pushteteve të mëdha e ushtritë ndërkombëtare të Shkodrës kanë qenë dëshmitarë të shterngimit tragjik, të rëndë e të patregueshëm që i kemi vuajtë rrokull vjetëve 1913-1915, tuj shkuam jetën andej e këndej larg votrave e të shveshin prej pasunive tona. Këto janë pësimet e vajtueshme të fiseve të Hotit e Grudës. Po tashti kur Pushtetet e Mëdha (Fuqitë e Mëdha N.B.), për sa e sa herë kanë shpallur botnisht se kishin rrokë armët për mbrojtjen e lirinë e kombeve të vogla, e po bahen gati me hellun themelet e njaj paqe të drejtë e qëndrueshme , të mbeshtetur mbi këto parime fisnike, shpresat tona po ngjallen. Tue pasë besim të plotë se do të kryehen dëshirat tona, marrim leje me iu sjellun drejtësisë tuj duke iu lutun përvujtësisht , në emën të drejtave  të shejta të Shqipnisë e të parimit të vetvendimit të popujve, që të kenë mirësinë me vendos që fiset tona të lidhen prapë me atdheun tonë, Shqipninë, mbasi jemi nji pjesë e pandame e saja, si për arësye etnografike e gjeografike, ashtu edhe për gojëdhana e dëshirat kombëtare të banorëve të Hotit e Grudës…. Kërkesen e firmosin 24 perfaqësues,  të Hotit: Deli  Meta, Tomë Nikollë Hasanaj, Gjekë Uci, Nikollë Luca (Junçaj), Gjush Marku, Nikë Martini, Lekë Marku, Lucë Ulaj, Marash Dokaj, Zef Muça, Prelë Dushi, Prekë Gjetja, Gjon Ujka, Haxhi Mustafa, Lucë Nishi, Prelë Keri, Gjon Ujka, Sokol Mali, Nikë Gjeloshi, Gjokë Elezi, Nikë Gjeloshi, Dedë Gjoni, Prekë Zeka, Gjon Nika,  Dhe 21 të Grudës: Dedë Nika (Ivezaj), Pjetër Preka, Mirash Hasi, Dodë Nika, Lulash Baca, Lekë Luli, Palok Marku, Lucë Gjeloshi, Kolë Leka, Dodë Ujka, Tomë Gjeku, Losh  Gjeka, Dodë Preka, Tomë Gjoni, Prelë Doka, Gjekë Preloçi, Mirash Pëllumbi, Prekë Dedë Gjolaj, Mehmet Murati, Bisho Caku, Zef Martini.  Për dorzimin e kërkesës te Bardi de Fortun në Shkodër, përveç P.Anton Harapit që i “shoqëron”, ndihmë japin edhe At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi.2.  Ndërsa një ngjarje e rëndësishme që mori “jetë” pak ditë para fillimit të Konferencës së Paqës në Paris  ishte Kongresi i Durrësit, i cili zhvilloi punimet me 25-27 dhjetor 1918. Kongresi u shpreh për ruajtjen e pavarësisë, tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe rishikimi i kufijve të vitit 1913…. Në të morën pjesë 53 delegatë. Nuk duhet harruar se në fund të vitit 1918, Shqipëria ishte ende e pushtuar nga shtetet fituese, ushtritë e të cilave nuk largoheshin nga tokat shqiptare edhe pse kishte mbaruar Lufta e Parë Botërore. Pas disfatës së Austro-Hungarisë, shpresat më të mëdha shqiptarët atë kohë i kishin tek Italia e cila insistonte që të mos formohej një Qeveri po një Këshill ose Komitet Kombëtar. Delegatët vinin nga pjesa më e madhe e vendit. Por, nuk merrnin pjesë ata nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e atij qyteti. Në Kongres mungonin edhe përfaqësuesit e pjesës nën pushtimin serb, si nga Dibra, Peshkopia e Luma, dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, nga qyteti i Korçës. Ndersa gazeta “Agimi” për kongresin e Durrësit ndër të tjera shkruante: “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”. Megjithatë, Kongresi u shpreh për formimin e Qeverisë së përkohshme me 14 anëtarë, edhe pse ishte vendim sfidues kundrejt diplomacisë së Romës.3.   Ndërkohë në dhjetor 1918 do të krijohej edhe Qeveria e Përkohëshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar në Paris, të kryesuar nga Turhan Pasha. Në Paris do të mbërrinte edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pashë Toptani  në cilësinë e kryetarit të vetshpallur të Qeverisë “Shqiprtare”… Ky dualizëm në përfaqësim nuk ishte për të mirën e trajtimit të statusit të Shqipërisë në Konferencën e Parisit. Ndërsa diplomati  Ismail Qemali (edhe pse kishte vite që ia kishte lënë qeverisjen e Shqipërisë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit),  ishte  caktuar  nga komuniteti i fuqishëm shqiptar në SHBA dhe VATRA, për të përfaqësuar ata dhe Shqipërinë në Koferencën e Paqës në Paris, i cili do të parashtronte kërkesat dhe të drejtat e shqiptarëve e Shqipërisë për konferencën.4.  Mirpo Ismail Qemali gjatë rrugës , në Peruxhia Itali) do të pësonte një hemoragji e cili i solli vdekjen (26 janar 1919). Pas kryesimit disa mujor Turhan Pasha dha dorheqjen , pëveç të tjerave edhe se nuk dinte shqip. Dokumentet zyrtare të paraqitura nga ana e dërgatës shqiptare, të botuara nga ana e qeverisë së përkohëshme të Durrësit, tregojnë se Turhan Pashë Përmeti firmoste dokumente si kryetar i dërgatës shqiptare nga data 12 shkurt deri me 5 qershor 1919. Dokumente që ia adresonte Shkelqësisë së tij  Z. Zh. Klemanso, kryetar i konferencës së Paqës.5.   Pas dorheqjes të Turhan Pashës në vend të tij do të merrte kryesimin e delegacionit  imzot Luigj Bumçi (që kishte qenë edhe një ndër delegatët e dergatës të kryesuar nga Turhan Pasha) me sekretar (të tij) At Gjergj Fishten.6.  Pas ndryshimit të kreut të dërgatës shqiptare do të bëhej, edhe një riformatim i antarëve të dergatës, e cila tashma përbëhej nga: Imzot Luigj Bumçi, Dr.Mihal Turtulli, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica, si dhe At Gjergj Fishta (sekretar i Luigj Bumçit, por që realisht kryente detyrat e sekretarit të dergatës). Organizata Panshqiptare Vatra dhe komuniteti shqiptar në SHBA (pas vdekjes të I.Qemalit) do të dergonin si përfaqësues të tyre, pastorin protestan Reverend  Erickson.  Por mbasi Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në luftë si shtet (lufta e parë botërore), delegacioni shqiptar nuk u njoh zyrtarisht në Paris dhe u lejua vetëm të shfaqë pikpamjet e veta në komisionin e ngarkuem me çeshtjet tokësore. Çka është më keq, Italia kishte mbajtur fshehtë për një muaj formimin e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit (me kryeministër Turhan Pashë Permetin), dhe nuk i njoftoi përfaqësuesit e shteteve që ishin mbledhë në Paris… Esat Pasha e kishte transferua qendrën e tij në Paris me bekimin e e qeverisë franceze dhe u njoft si i vetmi kryetar i nji qeverie.7.  Në fakt në Paris do të shkonin edhe përfaqësues të diasporës  shqiptare nga Rumania, Turqia e SHBA-ja… Në Paris kishte shkuar (gjoja) edhe një delegat i Epirit të Veriut, njëfarë Karapano, veprimtarinë e të cilit e kishte përgënjeshtruar dërgata shqiptare me anën e një letre, që ia dërgon kryetarit të Konferencë së Paqës Z.Klemanso, me datën 5 maj 1919 me nënshkrimin e Turhan Pashës  si kryetar i dërgatës.8.  Vlenë të cilësohet se gjatë udhëtimit për në Francë, Imzot Luigj  Bumçi së bashku me At Gjergj Fishten ishin ndalur në Romë. Në qytetin e shenjtë ku u takuan me Kryetarin e Urdhërit të Fretnëve, At Serefino Cimino, dhe me 6 mars 1919 u pranuan në audience te Papa Benedikti XV-të.9. Delegacioni shqiptar që shkoi në Paris do t’i  paraqiste Konferencës së Paqës, gjatë muajit shkurt 1919 dy memorandum. Me anën e tyre , pavarësia e Shqipërisë konsiderohej e siguruar me vendimet e Konferencës të Ambasadorëve të vitit 1913, dhe kërkohej që të nderqëshin padrejtësitë, që ishin bërë me coptimin e tokave shqiptare nga Kongresi i Berlinit 1878, dhe nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913.  Për këtë delegacioni shqiptar i paraqet konferencës memorandumin e 12 shkurtit 1919 që parashtronte vetëm këto rivendikime si vijon: “Kufini etnik i Shqipnisë fillon prej gjinit të Spicës (në veri të Tivarit), kthehet drejt veri-lindjes duke përfshi Tuzin, Hotin, Grudën, Trieshin, Podgoricën e tue ndjekë kufinin e Malit të Zi që ka pasë para vitit 1912, përfshinë Pejen, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinen, Gjilanin, Ferizajt, Kaçanikun, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Kërçoven, Dibrën pë me mbërrijtë te “Mali i Thatë” nëpëmjet liqenit të Ohrit e të Prespës. Që prej kësaj pike kufini ndjekë rrugën e 1913- deri te maja e malit Gramoz e vijon drejt jugut për të dalë afër gjinit të Prevezës. Të gjitha viset që gjinden në perendim të këtij kufini përbajnë Shqipninë etnike e historike. Brenda këtyre kufijve që caktuem ma sipër jetojnë 2.500.000 shqiptar….  Siç shihet delegacioni shqiptar në Konferencën e Versajës ishte i shtërnguem të merrte parasyshë qëndrimin armiqësore të kryesuesve të konferencës, ku kështu sakrifikohej një vend i madh etnik shqiptar ndërmjet Shkup-Velës-Prilep-Manastir-Follorinë e Kostur në Lindje, Kostur-Liqeni i Prespës-Kalkandelën në perendim dhe Kalkandelë Shkup në Veri”. Në këto kushte, duke parë se kërkesat për zgjerimin e kufijëve (rivendosjen e kufijeve etnik të Shqipërisë N.B.) nuk po përfilleshin , kurse pretendimet e shteteve fqinjë ballkanike po gjenin mbështetje , delegacioni shqiptar që me 7 mars 1919 i paraqiti konferencës propozimin që krahinat  shqiptare  që kishin mbetur jashtë kufijëve të 1913, të vendoseshin forcat e SHBA-s për t’i administruar për një ose dy vjet , me qellim që të organizohej atje një plebishit për caktimin e fatit të tyre të mëtejshëm10.  Mjerisht disa nga fuqitë fituese që thirrën Konferencën e Paqës së Parisit  ishin  fuqitë e Antantes  që kishin nënshkruar Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915). Qeveria Italiane  kërkonte Vlorën dhe pretektoratin mbi “shtetin” autonom shqiptar, që do të formohej në Shqipërinë e Mesme , siç parashikohej në Traktatin e Fshehtë të Londres (1915), ose me kufijët e vitit 1913. Qeveria greke kërkonte të aneksonte  Korçën e Gjirokatren. Ndyshe vepruan në fillim përfaqësuesit e mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene ku bënte pjesë edhe Mali i Zi që me 1918 (ose Jugosllavia), të cilët për shkak të rivalitetit Italo-Jugosllav  në Adriatik dhe në Shqipëri , u shprehen për pavarësinë e Shqipërisë në kufijët e 1913-ës. Në këtë mënyrë mendohej që Italia të mos vendosej në Shqipëri dhe kjo të ishte nën ndikimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovane (ku bënte pjesë pa emër edhe Mali i Zi). Por në këkesen e kësaj të fundit, parashikohej gjithashtu që në rast të një shteti tjetër do t’i  njihej e drejta e pushtimit, ose e pretektoratit mbi Shqipërinë.11.  Delegacioni shqiptar edhe pse në këto kushte të pafavorshme, bënte përpjekje të vazhdueshme për të bindur konferencën për të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta etnike. Nga këto përpjekje jehonë të madhe do të bënte ligjërata e mbajtur në Universitetin Katolik të Parisit nga Kryetari i delegacionit shqiptar Imzot Luigj Bumçi, me titullin d.m.th. “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”. Këtë ligjëratë me përmbajte të shkelqyer historike, filozofike, juridike, kanunore, letrare, logjike e diplomatike e kishte pergatitur e shkruar mrekullisht At Gjergj Fishta, gjë që e tregon edhe Imzot  Bumçi. Kjo fjalë kje shtypë ma vonë në një broshurë në shtypshkronjen Franceskane në Shkodër me 1920, dhe që mbetet edhe sot e kësaj dite porsi shembull oratorie ciceroniane me kostum arbënor. Kjo ligjëratë “la” pa mend profesorë, diplomatë, politikanë etjerë. Pas kësaj ligjerate që shpesh e quajten edhe konferencë u shtuan takimet e delegacionit shqiptar me autoritet më në zë kishtare e laike, mbrenda e jashtë konferencës… Në këto takime është për t’u nënvizua sidomos ai,  që u zhvillua ndërmjet Imzot Bumçit  e At Gjergj Fishtës me Kardinalin e famshëm të Brukselit, Desidre  Mercier (1851-1926), Primat i Belgjikës , filozof i përmendur e udhëheqës shpirtëror i rezistencë belge në luftën e Parë Botërore.12.  Vlenë të shënohet se për botimin e ligjëratës “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”, të mbajtur në sallën e Universitetit Katolik të Parisit, nga kryetari i delegacionit shqiptar Imzot Luigj Buçi ( e përgatitur nga At Gjergj Fishta), gazetat franceze u kërkonin shqiptarëve 50000 franga për një artikull. Me këtë çmim të çuditshëm për t’u  njoftë ndër prralla , zotruesit e gazetave franceze, donin veç si me u mbyllë shtigjet e publikimit të drejtave të shqiptarëve.13.  Megjithë këtë kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencen e Paqës, Imzot Luigj Bumçi do të takohej përsëri (në ditët e para të vitit të ri 1920), me Papa Benediktin e XV (të cilit Shqipnija do t’ia di shpëtimin e Korçës e Gjinokastrës, pasi sipas akordit Titoni-Venizellos do t’i lëshohej Greqisë). Nga ky takim Imzot Bumçi do të merrte premtimin: “Kam me ba çmos, çka të mundem për me iu ndihmua që Korça e Gjinokastra të mbeten shqiptare”.14.  Me 5 janar 1920 bëhet mbledhja e lënë që me 25 shtator 1919, ku u krijua Komisioni i “Besës”. Ky Komision doli me një thirrje vllaznëve shqiptar shkodranë si vijon: “Lajmi i ri se konferenca e Paqës ka mendimin e shëmtuem me e nda Shkodrën deri në Dri prej Shqipnije, ka helmue gjithë zemrat e  shqiptarëve. Sado që koha asht mjaft e kritikshme, duhet që të gjithë t’a  mbani ma nalt se kurr moralin tuaj, sepse i madh e i vogël, trim e grue, që përfshinë malet e mëdha ; Dukagjinin, Malëcinë e Madhe, Pukën, Malëcinë e Gjakovës, Mirditën, Bajraqet e Lezhës e Shqipnija e Mesme , me të cilën tash vonë  bashkuen Besën, janë kurdoherë për ndihmën tuej dhe për mbrojtjen e Shkodrës, thjeshtë shqiptare, me derdhë edhe ma të mramen pikë gjaku  që në kjoftë se mendimi i shëmtuem që u diftue sipri këmbehet në vendim. Mjaft një kushtrim i jueji e ky popull vjen me i ba ballë këtij rreziku…”.15.  Grekët dhe serbët kishin menduar me shkëputë sa më shumë toka shqiptare, Traktati i Fshehtë i Londrës u paraqit në tryezën e Konferencës të Paqës si një kambijal që duhej paguar. Shkurt Shqipnija u ba edhe njëherë monedhë shkëmbimi në pazardhëqet e fuqive europiane , që e kanë zanat me dhurua toka që nuk janë të tyne. Në një memorandum të gjatë, drejtue konferencës së paqës, kryeministri grek Venizellos përsëriti kerkesen e Greqisë me aneksue Shqipninë e Jugut, tue dhanë si argument “qytetnimin” ma të naltë që përfaqëson Greqia, ndërsa Shqipnija nuk ka nji jetë politike”.  Venizellos pohonte se Greqia nuk mund t’i kërkoj këto toka në bazë të parimeve kombëtare, mbasi edhe ortodoksët e Shqipnisë së Jugut flasin shqip në familjet e tyne. Por ai holli poshtë parimin e gjuhës dhe të racës, tue ngulë kambë se faktori vendimtar asht ndergjegja kombëtare. Këtë pikë të memorandumit të tij kryeministri grek e ilustroi me faktin se disa krenë të luftës së pavarësisë greke ishin prej fisi shqiptar…. Por sipas qeverisë greke marrveshja e Korfuzit ishte prova e karakterit grek të “Epirit të Veriut”, (d.m.th të Shqipnisë së Jugut me kufijë që ndryshojnë simbas rrethanave ndërkombëtare). Gjatë luftës parë Botërore , Greqia dërgoi ushtri në “Epirin e Veriut” me pelqimin e fuqive të mëdha. Italia okupoi Vlorën dhe traktati i fshehtë i Londrës e vulosi këtë zhvillim…. Shqipëria kishte qëndruar neutrale gjatë luftës parë botërore, ndaj  këto vendime ishin të “vlefshme” nga pikpamja ndërkombëtare. Ky argument vlente edhe përsa i përket ambicjeve të Jugosllavisë me zaptue Shqipninë e Veriut megjithë Shkodrën , për hesap të malit të Zi që nuk ekzistonte ma si shtet në vehte. Konferenca e paqës emnoi një komision me në krye diplomatin francez Jules Cambon (Zhyl Kambon) për me u marrë me çeshtjen greke. Delegati Italian në këtë komision  kërkoi që protokolli i Firencës të merrej si bazë për të përcaktuar kufirin jugor të Shqipnisë. Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe vuni në dukje se vendimet e komisionit të kufijëve që përpiloi protokollin e Firencës nuk ishin unanim, mbasi Franca dhe Rusia nuk kishin votua me shumicën. Për këtë arësye qeveria britanike pelqente në parim kerkesen greke përsa i përket Shqipnisë së Jugut…. Ndërsa delegati shqiptar Dr.Mihal Turtulli i përgjigjej  me  deklaraten e tij: “Unë jam prej Korçe ku kam ushtrue mjeksinë. Jam nji burr plak dhe i ndershëm. Unë shpallë këtu në mënyrë të preme se nuk ka asnjë banorë grek, as në qytet e as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grek ata që janë të fesë ortodokse; unë jam ortodoks por nuk jam grek. Bullgarët dhe serbët janë ortodoks, por nuk janë grekër. Epiri nuk ka qenë kurr nji pjesë e Greqisë. Shkollat greke atje janë në të vertet shkolla ortodokse shqiptare…16.  Në konferencen e Paqës, serbo-malazezët për të arritur qellimet e tyre të grabitjes të trojeve të tjera etnike shqiptare (pas atyre të grabitura me bekimin e kongresit të Berlinit 1878, dhe Konferencës së  ambasadorëve në Londer 1913), me ndihmen e Francës direkt dhe dados Rusi “indirekt”, gjatë Konferencës të Paqës propogandun “idenë” se popullsia katolike e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Lezhës e Mirditës , është dakord  t’i bashkëngjitet Malit të Zi (e për rrjellojë “Jugosllavisë”) me shumicë  popullsie ortodokse, pra kristiane. Me inisiativën e Imzot Luigj Bumçit, At Gjergj Fishtës dhe patriotit Luigj Gurakuqi, nga këto troje shqiptare iu dërgua një protestë energjike Konferencës së Paqës, ku ndër të tjera thuhej: “Popullsia katolike shqiptare, ka interesin më të madh të qëndroi e bashkuar në një Shqipëri të lirë, dhe për këtë e shtyjnë motive kombëtare dhe fetare. Po qe se do të kërkoni të na bashkoni me Malin e Zi , atëherë Konferenca e Paqës do të bëjnë një krim ndaj vendit tonë, gjuhës tonë dhe religjionit tonë. Katolikët dhe muslimanët janë vëllezër, dhe si të mirën ashtu edhe të keqen e ndajnë sëbashku”. Protestën e nënshkruajnë: përveç Imzot Luigj Bumçit, At Gjergj Fishtës dhe patriotit Luigj Gurakuqi,  Imzot Jak Serreqi- Arqipeshkës i Shkodrës, Imzot Gjergj Koleci-Arqipeshkëv i Sapës, Don Zef Gjinali-Administrator i abacisë Mirditë, Don Pjetër Gjura-famulltar i Shkodrës, At Vinçens Prenushi dhe At Engjëll Serreqi.17.  Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.  Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA….
Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .
Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920.18.  Në Konferencen e Paqës në Paris edhe për çeshtjen shqiptare ishte diskutua gjatë,  por në përgjithësi të drejtat dhe kerkesat e shqiptarëve nuk u pëfillën. Konferenca u përpoq më shumë të kënaqte pretendimet që kishin ndaj Shqipërisë  shtetet që kishin luftuar përkrah Antantës. Kështu që me 9 dhjetor 1919 , përfaqësuesit e Anglisë, të Francës dhe të SHBA, kishin hartuar një memorandum të pëbashkët me anë e të cilit ata i njihnin qeverisë italiane sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe krahinat e saj , si dhe mandatin mbi shtetit shqiptar të cunguar. Kufijët e këtij shteti me Mbretërinë Serbe-Krote-Sllovene do të ishin ato të 1913, por duke i njohur kësaj të drejten e një dalje tregtare në Shqipërinë e Veriut. Greqia do të pushtonte treven e Gjirokastrës në Perëndim të maleve të Nemërçkës, duke përfshirëedhe Tepelenën dhe Kurveleshin, kurse për fatin e Korçës do të diskutohej më vonë.  Nga kjo zgjidhje mbeti e pa kënaqur Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, e cila paraqiti kundërpropozimet e veta . Përfaqësuesit e Anglisë, të Francës dhe Italisë arritën një kompromis me 13 janar 1920, sipas të cilit Shqipëria coptohej ndërmjet tri shteteve, Italisë, Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene dhe Greqisë pak a shumë ashtu si ishte parashikuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915)…. Por për shkak të qëndresës së shqiptarëve, asnjë nga këto projekte të Fuqive të Mëdha nuk u zbatua.19.  Bijët besnik të shqipës, kudo që ishin, i dhanë një përkrahje të patundur delegatëve që përleshëshin për çeshtjen shqiptare në Konferencën e Paqës në Versajë. Në mbrojtje të Shqipërisë dolën edhe shkrimtarë asnjënës. Në gusht 1919 gazeta franceze Petiti Parisien botoi një artikull, që doli në të përjavshmen politike në Romë. Gazetari shkruante: Shqipëria ka qenë gjithmonë nën thundrën e pushtuesve, nuk u thye kurrë. Për shekuj me radhë shqiptari ka luftuar me mish e me shpirt për të mbrojtur lirinë dhe vendin e tij. Veç kësaj, ajo që të bie më shumë në sy, veçanarisht në Ballkan, është se shqiptari nuk ka ndërmarrë kurrë luftra pushtuese. Ai kurrë nuk ka sulmuar njeri, por gjithmonë është mbrojtur.20.  Vlenë të shënohet se kur edhe po i afrohej fundi Konferencës të Paqës në Paris dhe serbo-malazezët po e shihnin se nuk po realizonin projektet e tyre për grabitjen e mëtejshme të trojeve shqiptare, ata “përshëndeten” Konferencën me një masakër kriminale mbi popullsinë autoktone të Hotit të Malësisë Madhe, ku në histori njihet si MASAKRA SERBO-MALAZEZE E 26 DHJETORIT 1919. Rreth 70  Hotën, në Drume të Borës serbo-malazezët i pushkatuan dhe i qitën në një grope gelqereje, ndërsa shtëpitë ua  plaçkitën dhe i dogjën…21.

REFERENCAT:

1.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.404.   

2.Më hellësish shih, Ndue Bacaj: Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, fq.16-24, me citime nga Andrra e Pretashit fq.159-169, dhe  “Posta e Shqipnisë”, fq.89 e dates 23 nëntor 1918.  

3.https://telegrafi.com/viti-1919-konferenca-e-padrejtesive/ . + Histori e popullit shqiptar; fq.153, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

4.Gazeta “Dielli” , nr.5 , date 25 nëntor 1988.  

5.Më hollësisht shih: Turhan Pashë Permeti, SHQIPËRIA përballë Konferencës së Paqës , Paris 1919, ribotim-shtëpia botuese Eugen  2007.  

6.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.405, Tiranë 1995, + Histori e popullit shqiptar; fq.153-154, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

7.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.254, botim i dytë, Phoenix 2008, + Histori e popullit shqiptar; fq.153, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

8.Turhan Pashë Permeti, SHQIPËRIA përballë Konferencës së Paqës , Paris 1919, fq.101-105, ribotim-shtëpia botuese Eugen  2007.  

9.Hylli i Dritës , nr.8, viti 1921, fq.163, +Sejfi Vllamasi, Ballafaqime Politike 1897-1942, fq.116-121.  

10.Histori e popullit shqiptar; fq.153-154, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994,+ At Marin Sirdani; Ndriçime të histories, të kulturës dhe të artit shqiptar, fq.48-49, botim i Shpresa Prishtinë, 2002. 

11.Histori e popullit shqiptar; fq.153, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

12.At Daniel Gjeçaj , Gjergj Fishta -Jeta dhe vepra , fq.111-112, botime Franceskane , Shkodër 2007.  

13.Shqiptarët dhe të Drejtat e tyne, fq.4, botim i shtypshkronjës Franceskane, Shkodër 1920.  

14.Hylli i Drites, nr.4, viti 1934, fq.221.  

15.Gazeta “Populli”, nr.51 e 52, përkatësisht e dative 27.01.1920 dhe 06.02.1920.  

16.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.254-255, botim i dytë, Phoenix 2008.  

17.Gazeta “55”, datë 03.10.2009.  

18.https://punetejashtme.gov.al/konferenca-e-paqes-paris-1919-dhe-shqiperia/.  

19.Histori e popullit shqiptar; fq.154, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

20.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.405, Tiranë 1995, citim nga KUVENDI 29 gusht 1919.1.  

21.Më hollësisht për masakren është shkruan në librin me titull: Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, fq.51-61, botim i Fiorentia, Shkodër 2020, me atutor Ndue Bacaj.  

Filed Under: Histori

Si lindin emrat e personazheve nё letёrsi?

January 22, 2024 by s p

Dr.Iris Halili/

Problemi i lindjes së emrave në letërsi është po aq i ndërlikuar sa ai i lindjes së personazheve dhe kuptohet është i ndërthurur me këto të fundit. Sipas kësaj linje mendimi, pyesim nëse lindja e një emri është e motivuar plotёsisht ose jo, me mitin që e përcjell.

Historia e letërsisë botërore ka treguar se emrat e personazheve dhe roli që luajnë nё njё vepёr, nuk është i rastёsishёm. Kjo traditë vjen që me mitet antike, ku emrat mbajnë një simbolikë të veçantë dhe ku me shënjimin e tyre të parë, receptuesit i vjen mesazhi i asaj që do të përcjellë personazhi apo një pjesë e reagimeve apo dramës së tij. E gjitha kjo të çon tek ideja se emrat nё letërsi përbëjnё një simbolikë të veçantë, të argumentueshme dhe të nevojshme për zbërthimin e mesazheve të krejt veprës. 

Ndalemi te mitet. Mjafton të kujtojmë atë të Psikës që dashurohet me Erosin dhe prej kësaj dashurie lind Hemona. Gjithçka qё tregon miti është një histori dashurie, deshifrimi i së cilës vjen që me emrat e protagonistëve, që përkthyer nga greqishtja e vjetёr janë përkatësisht: Shpirt, Dashuri dhe Kënaqësi.

Shpesh emrat në letërsi na ndihmojnë të vendosim përkatësinë kombёtare të personazheve, apo një rrethanë tjetër që ka zgjedhur në vendosjen e këtij emri. Kështu, një personazh si Natasha Bollkonski tek Lufta e paqja (1867) e Tolstoj-it, në çdo faqe tё njeh më shumë me temperamentin rus tё feminilitetit.

Sikurse edhe në simbolikën antike, emrat kthehen në simbole të personazheve që ato përcjellin. Përsëri nga Lufta dhe Paqja mund të kujtojmё Marien, atë personazh aq tё dёlirë dhe tё nënshtruar, që krijon një lidhje me vetë Shën Mërinë, dhe simbolika është e dukshme.

Por këtë traditë të simbolikës së emrave e shfrytëzon edhe letërsia absurde. Në dramën Duke pritur Godonë (1952), tё Beckett-it, emrat e personazheve kanë  gjithashtu veshje simbolike. Duke kujtuar se vepra në origjinal i takon gjuhës angleze, shënojmë se Godo të kujton fjalën “god”, që në anglisht do të thotë Zot. Pikërisht, shfrytëzimi i këtij deshifrimi i jep dramës një interpretim filozofik dhe bën shënjuesin Godo t’i afrohet një të shënjuari që i përngjan shpresës tek Zoti apo pritjes së pafund për t’iu afruar atij. Gjatë gjithë zbёrthimeve që i bëjmë veprës, kemi parasysh këto dritёhije emrash, që shpesh u japin rrjedhёn përfundimeve filozofive dhe interpretimeve ndёrtekstuale.

Sërish nga letërsia moderne le të kujtojmë emrat e personazheve të Kafka-ës. Ata herë janë të thjeshtë dhe të zakonshëm, si Klajdi apo Gregori Samsa, herë vijnë me iniciale A-ja, B-ja (Rrëmujë e përditëshme) etj. Pikërisht, kjo formё e shkurtuar, ose gjymtimi i njё emri, rrit misterin e personazheve dhe shkon në funksion të idesë së autorit për një padepërtueshmëri filozofiko-psikologjike. Ka raste që Kafka i lё edhe pa emër personazhet, duke na bërë ne si receptues t’i cilësojmë me një Unë apo Ai dhe duke krijuar kështu një bashkёbisedim tё pёrkryer midis Atij – Autorit, Atij – Personazhit dhe Unë – Receptuesit hipotetik, që mund të jetё i çdo kohe dhe i çdo vendi. Kjo gjetje e zhveshjes së personazheve nga mendёsia i jep mundësi Kafka-ës të krijojё universalen në vepër.

Kёtё traditë do ta përcillte edhe letërsia postmoderne. Ёshtё tipike, në shfaqjen postmoderne të antiromanit, identifikimi i personazheve me iniciale. Gjithmonë, kjo ёshtё përdorur për të zhdukur mëvetësinë dhe problemet e rëndomta individuale dhe për të hyrë në një zonë më të ërrët, që quhet me një emër të përgjithshëm, “shpirt”.

Ka raste që brenda një teksti letrar, një pjesë e personazheve janë pagёzuar me emra, kurse pjesa tjetër jo. Sipas një gjykimi letrar ato janë shënuar si zëra. Po t’i kthehemi novelave të Zweig-ut, kujtojmë se personazhi i parë që shfaqet edhe si narratori i parë, pothuaj gjithmonë, mbetet pa emër. Kjo nuk duhet të nënkuptohet si rëndësi e dorёs sё dytё, por si gjetje e autorit për ta afruar me receptuesin dhe, ndoshta më tutje, për ta vendosur në tё njëjtёn linjё me të. Pra, si në përrallat popullore, ku rrëfyesi i parë mbetet i paidentifikuar, edhe në letërsinë e kultivuar, mund të kemi një shfaqje, ku një zë mё tepër ёshtё njё spektator apo një rrëfyes jashtë ngjarjes, domethёnё, nuk kemi tё bёjmё me një personazh mirёfilli qё i lipset njё emёr i pёrveçёm. 

Le tё kthehemi te metoda psikoanalitike, e cila nuk do ta quante asnjёherё rastёsi lindjen e një emri në letërsi. Përkundrazi, pёr tё, me siguri është i fshehur brenda skutave të padukshme të pavetёdijes, ndonjё emёr “çuditёrisht” i harruar, areketip. Mjafton të japim një rast nga shembujt e shumtë që na ofron psikoanaliza. Kështu, Freud-i përcakton se midis emrit të Hamletit dhe babait të Shakespear-it ka një ngjashmëri të madhe. Kjo i duhet atij të tregojë se edhe autori, sikurse Hamleti ka gjasa të ketë pasur kriza incesti, të cilat sublimohen tek vendosja e emrit të të atit tё personazhit që kalon tё njёjtёn gjendje. Nga ana tjetër, praktika e metodës psikoanalitike, nuk harron të theksojë se gjetja e një emri nga autori mund të duket edhe rastёsore për vetë autorin, por është, tërësisht, e motivueshme për analistin psikoanalitik që ka bindjen se gjithmonё kemi të bëjmë me instiktin dhe botёn e tij.

Tek T.S. Eliot dhe poema e tij Këngë Dashurie e Alfred Prufock-ut, pyetja që bëjmë kur lexojmë titullin, vjen si  rezultat i lidhjes që do të na duhet të vendosim midis dashurisë si një ndjenjë e denjë për heronjtë dhe një emri që shfaqet më tepër si komik. Këtu vijmë tek një tjetër funksion simbolik i emrave në letërsi. Kështu, përveçse një efekti të drejtëpërdrejtë, emrat mund të krijojnë dhe një efekt të tërthortë. Sipas kësaj ideje, të duket sikur autori kërkon të lidhë pamje që duken të palidhshme. Ky është deshifrimi që bëjmë ne duke u nisur vetëm nga titulli i poemës. Si qëndron vërtet interpretimi përfundimtar, kjo vjen vetёm pas një shoshitjeje të njёpasnjёshme të kodeve në tekstin poetik, ku dy janë çështjet që na lindin me titullin: Elioti ka pasur vërtet ndër mend të lidhë të palidhshmet, duke sjellë te lexuesi deshifrimin efekt-tërthor, apo ky deshifrim shkon drejpërsëdrejti me atë që jo vetëm titulli, por edhe poema shënon? Në qoftë se do tё analizonim titullin e do të mbështeteshim vetëm tek ajo që thotë teksti, atëherё me siguri do t’i jepnim përparësi tezës, sipas të cilës, ai ka dashur të lidhë dy gjëra që nuk rrinë natyrshëm pranë tyre, duke krijuar, kështu, një shfaqje, apo figurё prej dadaisti. Por, kur hulumton në jetën e vetë Eliot-it, bindesh se teza e tij qё nuk përjashton biografinë e autorit në analiza kritike, gjen zbatim në faktin se Prufrock-u nuk qenkërkёsh një emër i sajuar, por paska qenë një furnizues në kohën kur djaloshi Eliot ndodhej në vendlindje, nё Saint Luis. Kjo ta përmbys disi tezën e parë dhe të kthen tek ideja se më tepër se trillim, Prufrock-u mbetet një emër i marrë me qëllim nga autori për të kryer një funksion të caktuar estetiko-filozofìk.

@Ky frangemrn është shkëputur nga Libri i autores “Letërsia në psikanalizën e Freud-it dhe dilemat eksistenciale”. 

A stack of books with a picture of a person

Description automatically generated

Filed Under: LETERSI Tagged With: Iris Halili

“NË MIQËSI TË PËRHERËSHME ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!” 

January 22, 2024 by s p

Në 18 -vjetorin e shkuarjes anë amshim të Presidentit historik të Republikës së Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugovës dhe në kujtim të 35-Vjetorit të vizitës së Tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1989).

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë historik i ...

Aktivitete dhe ceremoni sot në Prishtinë, me rastin e 18-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e Presidentit të parë historik, Dr Ibrahim Rugova. Morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Nën patronatin e Presidencës së republikës së Kosovës Sh.Së.Dr Vjosa Osmani-Sadriu mbahet, “Akademi Përkujtimore Për Ptresidentin Ibrahim Rugova.

May be an image of 7 people

“Kosova ishte me fat që kishte për prijës njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani gjatë një fjalimi me rastin e një ceremonie përkujtimore me këtë rast.

May be an image of 4 people, television, the Oval Office and text

“Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë”, është shprehur Kryeministri I Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

              May be an image of 8 people and the Oval OfficeKryeministri Albin Kurti bashkë me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe Ministrin Çeku, kanë vizituar familjen Rugova, ndërkohë njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës zyrtare të Presidentit Ibrahim Rugova.

May be an image of 12 people and the Tomb of the Unknown Soldier

Udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës bënë dnerimet e rastit pranë varrit të Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.

Ndodh që ky vit shënon gjithashtu edhe 35-vjetorin e vizitës së parë të Presidentit historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovës në Shtetet e Bashskuara të Amerikës, në  vitin 1989. 

A group of men sitting on a bench

Description automatically generated

Foto ekskluzive nga vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Washington — Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqët e dashur kaluan dy netë e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj.  Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të Zërit të Amerikës.

A group of men standing together

Description automatically generated

Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989.  Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

Unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë as për Dr. Rugovën as për Dr. Sedajn, perveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në New York me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Megjithëkëtë, e prita mirë vizitën e tyre pasi ishte një privilegj për të patur në shtepinë time dy mysafirë të tillë, të nderuar.  Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qënder të informatcionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakëta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çeshtjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte.  Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtëme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve, torturave dhe krimeve që diktatura serbe bënte mbi popullësinë shqiptare në atë krahinë.  

A group of men sitting on a couch

Description automatically generated

Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989

Kanë kaluar 35-vite, por me kënaqësi e kujtoj atë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithse isha pak më i ri nga mosha.  Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhëshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenen ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si studiues i mirë i historisë dhe  atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqët nga armiqët e Kombit shqiptar. Megjithse ishte vizita e parë e tij në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte bindur në mendjen e tij se Kosova dhe shqiptarët — në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar — do të gjenin mikun dhe përkrahsin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur c’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson, e këtej.

Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vet këtë gjë në atë kohë — mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosoves, ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u këthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miqë të tij mund të thonë se i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.

Historia e mëvonshme tregoi se megjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hesitim ia venin në dukje vazhdimisht disa edhe sot — jo vetem Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte në Ibrahim Rugovën, një zëdhenës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë.

Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqsues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme — si nga pikëpamja historike  ashtu dhe njerëzore.  Si askush tjetër – para tij ose pas tij — Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta ndëgjonte dhe më në fund filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare. 

Natyrisht, se kushdo që është takuar me Dr Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë, ruan kujtime të mrekulueshme. Në këtë 35-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, deshta vetëm të shënoj dhe të ndajë me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht — por për mua të paharrueshme — nga ajo vizitë Dr. Rugovës në shtëpinë time në Washington, me 1989.   Ajo vizitë nuk më harrohet mua as familjes time dhe njohuria ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumë vjeçare, deri sa ai ndërroi jetë.  

Frank Shkreli: Presidenti Dr. Ibrahim Rugova - Udhërrëfyesi i Kombit

Takimi i fundit i autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005

Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këte udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këte është se, si asnjë udheheqs tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar në shekullin e XXI, për tu radhitë ndërshmërisht në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit euro-atlantik të Kombit shqiptar.

Ndër të tjera, e kam respektuar Dr Ibrahim Rugovën për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatëkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e XX dhe për faktin se ai besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë. 

Ibrahim Rugova fliste pak. Nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë për Kombin e vet, duke i dhenë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. 

E respektova Dr. Rugovën sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste – as në mendime as në veprime — si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot dhe për klasën aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare. 

Unë jam sigurt se në këto dy përvjetorë sot – 18-vite nga kalimi i tij në amshim dhe në kujtim të 35-vjetorit të vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Dr Ibrahim Rugova do të kërkonte nga klasa e sotëme politike Arbërore që, urgjentisht, të bashkojë të gjitha forcat e veta për të kapërcyer krizat e vështira aktuale që po pëson Kombi shqiptar, në këtë këthesë të historisë – sidomos të përballen me zbrazjen tragjike të trojeve shqiptare, para se të bëhet vonë!

Frank Shkreli

A person in uniform standing in front of a wreath

Description automatically generated

Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006

*Ribotim i përpunuar dhe përditësuar –

Filed Under: Politike

Presidentja Osmani: Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi

January 21, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, djali i Presidentit Rugova Ukë Rugova, zëvendëskryeministret Donika Gërvalla, Emilija Rexhepi si dhe kryetarë të komunave.

Presidentja Osmani, në fillim të fjalimit përkujtues për presidentin historik, citoi vargun e famshëm  të poetit Ali Podrimja: “Unë biri yt, Kosovë”.

“Nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm e më të thellë për karakterin e një Presidenti i cili nuk ishte vetëm President, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën e trashëgiminë e vendit të vet; njeri i dijeve, i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshme trashëgiminë e popullit të vet; prijës nga ata që, sikur thoshte at Zef Pllumi, ishte “ma i dijuni e ma i urti i të gjithëve”, ka thënë Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, asgjë më mirë nuk mund ta tipizonte Presidentin Rugova më mirë e më thellë sesa shprehja “Unë biri yt, Kosovë”, e cila e lidhë me vendin, me popullin, me vlerat e trashëgimisë, si dhe me përkushtimin për ta krijuar shtetin e ruajtur lidhjen me aleancën euroatlantike.

“Ai qe vërtet biri i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit dhe për këtë e mori dashurinë e përhershme të popullit të saj”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë  e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë.

“Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme.  Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”, ka pohuar Presidentja.

Sipas Presidentes Osmani, Presidenti Rugova i dha politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, atë human.

“Në personalitetin e Dr. Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj. Sa më shumë e ka njohur historinë e popullit të tij, ai e ka njohur dhe kultivuar edhe filozofinë e popullit të tij. Sa më shumë e ka kultivuar ndjenjën e refuzimit si koncept filozofik, aq më shumë e ka njohur e kultivuar sjelljen e urtë e të matur, por jashtëzakonisht të vendosur; sprovat për të kanë qenë provë qëndrueshmërie, sa më shumë është sprovuar në jetë, në politikë e në letra, është bërë aq më i durueshëm, e më këmbëngulës. Ai fliste shkurt, por fjalët i kumbonin shumë. Jehona e tyre u ndie larg, dhe atë jo vetëm në Kosovë. Ai e rizgjoi ndjenjën kombëtare e ndjenjën për liri dhe bashkoi një popull të tërë rreth kësaj kauze. Mbase poezia “Unë biri yt, Kosovë”, poezia që na kujton se dashuria për atdheun është e pafund, mund të mbante sot edhe një titull tjetër: Ne bijtë e bijat e tu, Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë”, ka thënë Presidentja.

Ajo, më tej ka thënë Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse ai përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi.

“Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme. Roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejt lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euro-atlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë. Vdekja e tij, në datën e acartë të 21 janarit të vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën e veprës së tij e kumbimin e përhershëm të personalitetit të tij. Përkundrazi, sot ai është fanar që na udhëheq teksa punojmë për mirëqenien dhe suksesin e vazhdueshëm të vendit tonë dhe popullit tonë”, ka shtuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, për Presidentin Rugova miqësia e besimi ishin vlerë. Prandaj, i kultivonte fort miqësitë e i forconte ato. Njohu respektin e personaliteteve më të mëdha botërore, sepse dinte ta shprehte mirënjohjen ndaj miqve dhe të punonte ngushtë me ta. Këto miqësi, ishin aty kur ju deshtën më së shumti popullit të Kosovës. Amerika qe busulla orientuese për veprimin e tij politik e për ndërtimin e jetës demokratike, modeli i vyer dhe udhërrëfyesja e tij për Kosovën e lirë.    

“Përfundimisht, presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij.  Lidhjen e tij me popullin e dëshmoi edhe vargu i pafund i njerëzve të cilët në ditën e shkuarjes së tij në amshim, më 21 janar 2006, nuk iu nënshtruan acarit e të ftohtit por pritën me orë të tëra, për ta përcjellur prijësin e tyre historik. Ky lum i pafund i njerëzve, shprehte dashurinë e pafund të një populli për atë që i priu qytetarëve tanë në një mision, në një kauzë, por mbi të gjitha, në një rrugëtim: rrugëtim drejt Kosovës së pavarur e sovrane, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Filed Under: Reportazh

“Kolonia Shqiptare” e vitit 1980, gazeta që bashkoi nacionalistët shqiptarë në New York, New Jersey e Connecticut

January 21, 2024 by s p

Sokol Paja/

Shtypi i shkruar nacionalist i mërgatës shqiptare të emigracionit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një epokë të ndritur të përpjekjeve patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Historia e shqiptarëve të Amerikës është pjesë e pandarë e historisë së medias që ky komunitet krijoi në dekada përpjekjesh për atdhe, komb dhe komunitet shqiptar. Organi mediatik i patriotëve nacionalistë “Kolonia Shqiptare” ishte një fletore në formë gazete u botua në New York në muajin maj të vitit 1980. Ishte organ mediatik i patriotëve shqiptarë me bazë në New York dhe përfshin veprimtarinë e mërgatës nacionaliste edhe në New Jersey e Connecticut. Kjo fletore mediatike në formë gazete ishte organ përvjetor, u themelue prej patriotëve me qëllim trajtimin e festimeve të ditës së flamurit kombëtar. Si organ i komunitetit shqiptar në botën e lirë, kjo gazetë kishte në thelb veç trajtesa patriotike kushtuar ditës së pavarësisë. Kjo gazetë u bënte thirrje për bashkim të gjithë patriotëve vullnetmirë në New York, New Jersey e Connecticut që të kontribuonin për komb shqiptar dhe flamur kombëtar.

“Kolonia Shqiptare” ishte gazetë që bashkoi nacionalistët e kolonisë politike antikomuniste në New York e më gjërë. Në vitin e parë të botimit, në numrin e parë, në faqen 3 paraqiten detaje të mbledhjes dhe bashkimit të të gjitha organizatave patriotike shqiptare në New York, New Jersey e Connecticut. Mbledhja e përgjithshme e nacionalistëve u zhvillua më 9 shtator 1979. Morën pjesë:

Qendra Islamike Shqiptare(Imam Isa Hoxha, Abdullah Kaloshi), Lidhja Katolike Shqiptare(Mons. Zef Oroshi dhe Don Rrok Mirdita), Komiteti “Shqipnija e Lirë” (Dr. Rexhep Krasniqi), Organizata Kombetare “Levizja e Legalitetit”(z. Reis Agaj e z. Rasim Sina), Blloku Kombëtar Indipendent(Dr. Gjon Buçaj), Bashkimi Demokrat Shqiptar(z. Adem Hodo e z.Jonuz Ndreu), Lidhja Prizrenit në Mërgim (Ismet e Selim Berisha), Organizata Balli Kombëtar (z.Qazim Emra e z. Banush Laze), Qendra Ortodokse Shqiptare(Zef Mirakaj), AANO(Zef Mirakaj), si observator Federata Vatra (Tonin Mirakaj, Ymer Doda) gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe personalitete të shquara si zonja Lume Juka, Adem Hodo, Ndue Kola dhe organizuesi Zef Mirakaj. Komisioni përgatitor që u votua për festën e flamurit kombëtar kishte këtë përbërje: Abdullah Kaloshi, Qazim Emra, Dr. Fuad Myftija, Ismet Berisha, Adem Hodo, Zef Mirakaj, Fran Sokoli, Rexhep Krasniqi dhe Lume Juka. Në faqen 17 gazeta i bën jehonë fjalimit kryesor të festës së flamurit kombëtar mbajtur nga Dr.Rexhep Krasniqi i cili thekson rëndësinë e bashkëpunimit e bashkimit kombëtar të faktorit politik e patriotik në mërgim. Përveç lutjes fetare të darkës së pavarësisë udhëhequr nga Mons.Zef Oroshi e fjalimeve të rastit, gazeta boton specifikisht një mesazh patriotik dërguar popullit shqiptar prej bashkësisë shqiptare të New York-ut me rrethe që mban firmën e Dr.Rexhep Krasniqit ku përveç trajtimit të çështjes së shtypjes së popullit shqiptar në regjimin komunist, e ngre lart simbolikën e ditës së lirisë kombëtare si frymëzim për brezat dhe mbarë popullin shqiptar. Në këtë gazetë patriotike përveç se përmblidhet jeta kulturore, atdhetare e sociale e mërgatës, publikimi ka një vlerë të jashtëzakonshme arkivore e historike për një periudhë të pa studiuar më parë rreth rolit dhe veprimtarive atdhetare e antikomuniste të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1351
  • 1352
  • 1353
  • 1354
  • 1355
  • …
  • 2936
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT