• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Bijtë e Shqipes” organizon Festivalin e Ushqimit , Kulturës dhe Biznesit shqiptar

October 4, 2025 by s p

Qindra njerëz në mjediset e jashtme të Shoqatës “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, me dhjetëra të tjerë nëpër rrugët që drejtoheshin drejt shoqatës, ditën e diel, datë 27 shtator, prej orëve të para të mëngjesit deri pasdite vonë. Festivali i Ushqimit , Kulturës dhe Biznesit shqiptar u shndërrua në një Festë të madhe. Këshilli Drejtues i Shoqatës i angazhuar plotësisht shumë kohë më parë, kishte përgatitur dhe realizuar me shumë kujdes për më shumë se një muaj, listat e vendorëve, bizneseve pjesëmarrëse, vendodhjes së tyre, reklamimin dhe pasqyrimin, e këtij eventi jo vetëm në social media, por me postera, tabela, banderola të vendosura kudo në Northeast. Orët e para me shumë nxitim të mëngjesit (vendosja e tendave , çadrave, nga bizneset dhe të ndihmuara nga vullnetarët të drejtuar nga KD), do të pasoheshin nga alegria, gëzimi, gjallëria në 7 orë në vijim.

Takime miqësore ( miq, shokë që kishim kohë pa i parë ), shijimi i ushqimit të shijshëm tradicional, prezantimi me bizneset , shqiptarë që kishin ardhur nga New York, Washington, Maryland dhe New Jersey, dhe nga Connecticut, Rrok Merdita, fëmijë që rendnin të gëzuar, do ta ndiznin më shumë atmosferën. Por oborri i shoqatës nuk do të ishte bosh, me qindra njerëz, vizitorët shqiptarë dhe të huaj do të bashkoheshin në ritmin e vallleve dhe këngëve shqiptare të interpretuar pasion dhe profesionalizëm nga këngëtarët: Kristina Marku, Ariol Shpuza, Mikel Bego, muzikantët Flamur Hafesllari, Pashk Marku dhe Dj Tonini.

Të gjithë në valle, të rinj , fëmijë , të moshuar. Sa shumë të rinj dhe sa shumë energji përcollën ! Kryetari i shoqatës “ Bijtë e shqipes z. D. Matraku dhe dy nënkryetarët z. M. Koboçi dhe D. Gjuzi do të falenderonin të gjithë të pranishmit, të gjithë vendorët pjesëmarrës, bizneset, vullnetarët, muzikantët. Vençarisht bizneset që sponsorizuan festivalin, këtë aktiviteti kaq të bukur, të lirshëm dhe kuptimplotë. Shtëpia jonë e madhe mbahet nga shpirti ynë i madh dhe të dielën ajo ishte shumë gjigande. Në epilogun e kësaj dite , gjithë vendorët, bizneset, pjesëmarrësit pas falenderimit për shoqatën për organizimin e këtij eventi u larguan me pyetjen: “ Kur do të organizohet Festivali tjetër??!

Rudina Bani – mësuese e shkollës “ Gjuha Jonë”

Filed Under: Reportazh

Roli i diplomacisë dhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në administratë

October 4, 2025 by s p

Eneida Jaçaj/

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria u përball menjëherë me sfidën e madhe të mbijetesës politike, shtetërore dhe kulturore. Në një rajon ku interesat e fqinjëve ishin të fuqishme dhe ambiciet e Fuqive të Mëdha të dukshme, diplomacia shqiptare u bë arma kryesore e mbrojtjes së pavarësisë. Në këtë kuadër, roli i diplomatëve shqiptarë nuk kufizohej vetëm në paraqitjen e dokumenteve dhe kërkesave, por ishte një mision i gjerë: ruajtja e identitetit kombëtar, mbrojtja e gjuhës shqipe dhe njohja e Shqipërisë, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Roli i diplomacisë shqiptare në vitet 1912–1939, ishte vendimtar për mbijetesën e shtetit shqiptar. Diplomatët shqiptarë nuk ishin thjesht përfaqësues politikë: ata ishin mbrojtës të identitetit, gjuhës dhe kulturës. Nga ana tjetër, përdorimi i shqipes në administratë është një tjetër çështje që vlen për t’u diskutuar, i cili ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, i lidhur ngushtë me luftën për pavarësi dhe ndërtimin e shtetit. Para vitit 1912, administrata në trojet shqiptare funksiononte kryesisht në osmanisht, duke e lënë shqipen të kufizuar në jetën e përditshme dhe në arsimimin kombëtar të fshehtë.

Duke iu referuar viteve, 1912-1913, Shqipëria nuk kishte institucione të konsoliduara shtetërore; diplomacia e saj në këtë fazë u mbështet kryesisht te patriotët dhe përfaqësuesit që kishin njohje ndërkombëtare. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), delegatët shqiptarë, edhe pse shpesh të përçarë në qëndrime, përpiqeshin të bindnin Fuqitë e Mëdha se shqiptarët ishin një komb më vete, me gjuhën dhe kulturën e tyre, që meritonin shtetësinë. Përballë pretendimeve të fqinjëve (Serbia, Greqia, Mali i Zi), diplomatët shqiptarë u detyruan të përdorin argumente historike dhe gjuhësore: fakti që shqipja ishte një gjuhë e lashtë dhe e ndryshme nga gjuhët e tjera të rajonit, ishte një element identiteti që ndihmonte kauzën e tyre. Edhe pse vendimet e Londrës e coptuan Shqipërinë, vetë pranimi i një shteti shqiptar ishte një fitore e diplomacisë së kohës. Lufta e Parë Botërore e ktheu Shqipërinë në fushëbetejë dhe e copëtoi nga pushtime të ndryshme. Megjithatë, diplomacia shqiptare nuk pushoi. Patriotët dhe diplomatët në mërgim, si Mid’hat Frashëri, Mehmet Konica, Fan Noli e të tjerë, punuan në kryeqytete evropiane për të mbajtur gjallë çështjen shqiptare. Ata botuan artikuj, memorandume dhe libra, për të treguar se shqiptarët kishin identitet të qartë dhe se shqipja ishte një gjuhë e mëvetësishme.

Pas luftës, ekzistonte rreziku real që Shqipëria të zhdukej si shtet. Delegacionet shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, paraqitën memorandume, ku theksohej e drejta e shqiptarëve për shtetësi. Këtu dallohet figura e Fan Nolit, i cili jo vetëm si klerik dhe intelektual, por edhe si diplomat, arriti të paraqiste argumente të fuqishme në mbrojtje të kombit shqiptar. Kjo diplomaci kulturore dhe politike lidhej ngushtë me gjuhën shqipe: çdo herë theksohej se shqiptarët kishin gjuhën e tyre, letërsinë e tyre dhe traditat e tyre, pra, nuk ishin një degë e kombeve fqinje. Rezultati i këtyre përpjekjeve ishte Kongresi i Lushnjës (1920), i cili krijoi një qeveri kombëtare që rifilloi marrëdhëniet diplomatike. Një nga sukseset më të mëdha ishte pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një fitore e pastër diplomatike që vulosi ekzistencën ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Në periudhën e Zogut, diplomacia shqiptare u institucionalizua. U hapën ambasada në kryeqytetet kryesore evropiane dhe u konsolidua përdorimi i gjuhës shqipe, si gjuhë shtetërore në administratë dhe në dokumentacionin zyrtar. Edhe pse në komunikimet ndërkombëtare përdorej ende frëngjishtja ose italishtja, brenda aparatit shtetëror u bë përpjekja që shqipja të ishte gjuha e plotë e administratës. Diplomatët shqiptarë përballeshin me sfidën e madhe të balancimit mes Fuqive të Mëdha. Ata përpiqeshin të ruanin pavarësinë përballë ndikimit italian, duke lidhur marrëveshje edhe me Britaninë dhe Francën. Në këtë periudhë, diplomacia nuk ishte vetëm politikë e jashtme, por edhe mjet për të njohur identitetin kombëtar brenda dhe jashtë vendit. Megjithë përpjekjet e diplomatëve shqiptarë, Shqipëria nuk arriti t’i shmangej presionit italian. Megjithatë, puna e diplomatëve nga 1912 deri në 1939 nuk shkoi dëm, ajo kishte hedhur themelet që shqiptarët të njiheshin si komb i veçantë dhe që gjuha shqipe të mbetej e pandashme nga shteti i tyre.

Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, për herë të parë shqipja u përdor në dokumentet zyrtare të qeverisë së Ismail Qemalit. Megjithatë, kalimi nuk ishte i menjëhershëm, pasi mungonin administrata të përgatitura në gjuhën amtare. Kuvendi i Vlorës shpalli “Aktin e Pavarësisë” në gjuhën shqipe. Ky akt përfaqëson dokumentin e parë shtetëror, ku shqipja u përdor si gjuhë e administratës. Po ashtu, qeveria e Ismail Qemalit nisi të nxjerrë urdhëresa dhe njoftime në shqip, edhe pse për një periudhë kalimtare në disa institucione u përdorën paralelisht osmanishtja dhe italishtja. Kongresi i Lushnjës në vitin 1920, ishte një hap i rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve shqiptare, ku shqipja filloi të zinte vend të qëndrueshëm në shkresat dhe komunikimet zyrtare. Vendimet e Kongresit dhe procesverbalet e tij u hartuan në shqip, duke i dhënë gjuhës një bazë të re ligjore dhe institucionale. Në histori duhen theksuar pluset dhe minuset e liderëve të kohës.

Gjatë periudhës së Zogut (1925–1939), procesi i shqiptarizimit të administratës mori hov të plotë. Ligjet, dekretet dhe aktet shtetërore u hartuan në gjuhën shqipe, duke i dhënë asaj statusin e gjuhës zyrtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e shtetit komunist, përdorimi i shqipes në administratë dhe në jetën publike u bë i detyrueshëm, duke konsoliduar përfundimisht rolin e saj. Roli i gjuhës amtare në një shtet sovran është themelor, pasi ajo mishëron identitetin kombëtar dhe garanton funksionimin e institucioneve. Botimi i Fletores Zyrtare në vitin 1922 dhe më pas hartimi i Kodit Civil të vitit 1928 në gjuhën shqipe shënuan formalizimin e plotë të gjuhës amtare si gjuhë ligjore dhe administrative. Kjo periudhë konsiderohet nga studiuesit si koha kur shqipja fitoi përfundimisht statusin e saj të gjuhës zyrtare.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e regjimit komunist, përdorimi i shqipes në administratë u bë detyrim ligjor. Në vitet ’70 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972, i cili standardizoi gjuhën shqipe dhe e unifikoi përdorimin e saj në administratë, arsim dhe botime. Ky akt shënoi përfundimin e procesit të institucionalizimit gjuhësor. Prandaj, çështja shqiptare dhe ruajtja e gjuhës shqipe janë përpjekje shumë të mëdha që kanë bërë që sot të kemi një Shqipëri si territor dhe një gjuhë të folur dhe të shkruar shqipe. Sakrificat e ditëve të sotme duhet të jenë zgjatim i pambarimtë i atyre përpjekjeve që e kanë larë me gjak mbrotjen e kombit dhe gërmat shqipe.

Filed Under: Opinion

Oratori unik politik Dritero, “ i varur në pemën e moralit”

October 4, 2025 by s p

Aleksandër Çipa/

Këto ditë më ra në dorë libri “ Dritero Agolli 10 vjet oratori dhe gazetari politike 1990-2000”, botim i Kuvendit të Shqipërisë. Një antologji oratorie dhe gazetarie politike nga shkrimtari ynë i shquar. Njëkohësisht falë përvojës së tij edhe si parlamentar, kjo antologji mund të konsiderohet, pa asnjë mëdyshje, edhe si një artefakt unik i një përfaqësuesi të shquar e aristotelik i parlamentarizmit shqiptar në gjithë kohët.

Përmes një parathënieje prej ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, shkrimtarit Namik Dokle, ky botim i rrallë, mund të konsiderohet pjesa më aureolike e botimeve të Kuvendit dhe të oratorisë politike shqiptare në përgjithësi.

Dicka të tillë si botim më herët, e kanë ofruar disa ish, dhe parlamentarë aktualë, në një mënyrë tjetër; (më kujtohen dy botime të deputetit të disaherëzgjedhur Bujar Leskaj), por ky është libër që shton plotësueshëm për njohjen dhe dijeninë publike, portretin dhe specifikat e personalitetit të Driteroit në jetën politike dhe atë parlamentare. Ky libër i Dritëro Agollit, ardhur pas vdekjes, është një antologji unike.

Aty janë intervistat e tij politike e si parlamentar, fjalime dhe ligjërata seancash e jashtë seancash, janë artikuj politikë, polemika dhe ligjërime të tilla që së bashku me ciklin e aforizmave, sentencave, epitafeve, epistolateve dhe poezive të shkruara ( brenda dhë nëpër seanca agresive të Kuvendit), janë materia më kristaline e filozofisë dhe ndërgjegjes reale politike të shkrimtarit brilant të atdheut e kombit shqiptar.

Agolli formuloi konceptin se “ Shteti nuk është gjithmonë atdhe”, sepse ai e pa të parin, të rënë, të shembur, të keqpërdorur dhe sidomos të shitur, por nuk e pa asnjë herë të tillë Atdheun.

Sepse si shkrimtar dhe si politikan i tribunalizmit dhe vetëdijes kombëtare, Driteroi atdheun e pati dhe e konceptoi si gjithëqenshmëri dhe trashëgimni që ekziston nga e shkuara për t’u lënë për cdo të ardhme.

Oratoria politike e shkrimtarit Agolli është hise e botëkuptimit rilindas dhe dritështues në dy ndërgjegjet e pandashme dhe më jetëgjata të një kombi: ndërgjegjes kombëtare dhe asaj shoqërore. Si askush prej korifejve të mendimit publik, në mbi shtatëdhjetë vitet e fundit, por sidomos në të ashtuquajturën “ kohë të tranzicionit postkomunist shqiptar”, Dritero Agolli shtoi dhe bëri të përfaqësueshme, më të munguarën dhe fatkeqësisht në mungesë ende shtuese: Shqipërinë e Mendimit. (sikundër do të thoshte Branko Merxhani në vitet ‘30-40 të shekullit të shkuar).

Antologjia e oratorisë dhe gazetarisë politike të Driteroit është një artefakt jetëgjatë dhe shumëpeshuese, për shkak edhe të vlerës profetike që mbart fjala dhe kumti politik i tij si aktivist i madh e i shqueshëm politik. Kjo vlerë jetëgjatë, e mishëruar në këtë libër, e tillë ka për të mbetur tejësisht edhe përgjatë kohës së mosqenies fizike të trupit të Driteroit. Nuk ka nevojë që të kërkosh më tepër në bibliografinë politike, atë të tranzicionit apo nga fondi i memorialistikës politike të kësaj periudhe, (mjaftueshmërisht është ky libër), për të patur dije apo për të krijuar një imazh real për kohën e pakohë të me nder tranzicionit.

Tekstet e këtij libri antologjik të mundësojnë plotësisht krijimin e imazhit të dimensionit sharlatanesk, të deviacionit nga virtytet, të shembjes totale të shtyllave morale dhe të ndotjes deri në kënetësim, të shoqërisë sonë tranzicioniste apo të klasës pa klas të përfaqësimit dhe drejtimit politik të Shqipërisë sonë, në këtë periudhë. Sikundër e thotë oratori-poet Agolli, për kategorinë deputet të kësaj kohe: “ Këtu ku mblidhet parlamenti/ Kam vetëm një karrige…/ E di se c’bluan deputeti/ Kjo kafshë politike”.

Në kësi karakterizimesh Agolli, kishte shëmbëllimin e plotë karakterizues me Oruellin. Por si i ndryshëm, politikani unik apo më saktë sui generis Dritero Agolli, ka epitafuar ndërgjegjen e vet sipas përcaktueshmërisë së Pol Elyarit, për të qenë dhe për të mbetur qytetari aktiv dhe luftëtar i civilitetit të fismë, vetëm “ …i varur në pemën e moralit”. Faleminderit bija e gjenialit Dritero, zonja Elona Agolli që ma dhurove këtë libër! Faleminderit Luan Muhameti që më dhurove këtë fotografim kaq profesional!

Filed Under: ESSE

KËTEJ KU KA QENË FRANZ KAFKA DHE PIKTURA E GEORGE K.

October 4, 2025 by s p

Visar Zhiti/

Ku? Në Arco, në Riva del Garda? Në Italinë e Veriut?

“Franz Kafka ka qëndruar në Sanatoriumin e Dr. von Hartungen, e dokumentuar në ditarët/letërkëmbimet e tij dhe në burime muzeore/komunale”, – lexoj. Pra, këtej ku po endemi dhe ne pas një shekulli e më shumë. Një herë ai erdhi si turist rreth vitit 1909, – sipas biografëve, – dhe pastaj në 1913…

– Të gjitha këto ngrehina kanë qenë sanatoriume, – na tregon Gjergji, që udhëheq vizitën tonë. – Këtu kanë ardhur Franz Kafka… po edhe Gustaf Klimt, Gëte…

Ndjej dhimbje, kap nga krahu Edën time. Shohim liqenin, malet përreth, që i ka kundruar dhe Kafka sigurisht. Ç’do ketë menduar? Gjej një foto të tij si të këtejshme… Ecim nga ku mund të ketë ecur dhe ai. Gjithkush ka një rrugë dhimbjeje të veten…

Kur Franz Kafka vizitonte Riva del Garda a Arcon, qyteti nuk ishte pjesë e Italisë, por i përkiste Perandorisë Austro-Hungareze, Tiroli i Jugut / Welschtirol (Trentino), provincë e Perandorisë Habsburge. Pra, kur Kafka vinte këtej, ai udhëtonte brenda kufijve të perandorisë së tij, jo në Itali.

Çudi, e njëjta gjë dhe jo. Dhe shtetet kanë metamorfozat e tyre si njerëzit, ndonjëherë po aq kafkiane…

TRILL SHQIPTAR ME KAFKËN

E pse të mos guxonte? Po e risjell pikturën e George K., që më mahnit, Franz Kafka me qeleshe shqiptare dhe ja, ç’kisha shkruar dikur:

…s’është fjala për ndonjë personazh të Kafkës, George K., por për piktorin e mrekullueshëm, mikun tim, Gjergj Kola, që është këtu me ne.

Më ngazëllen vërtet dhe më godet ajo pikturë, me një si pikëllim timin, gati rutinë, që më jep një lloj lehtësimi për gjithçka kafkiane.

Kur rri para këtij kompozimi-ëndërr, edhe buzëqesh lehtë a fshehurazi, as unë s’e di si…

Çfarë e shtyu për këtë vepër? Ç’zë ia tha, kush ia kërkoi? Apo fantazma e Kafkës këtej?

…me qeleshe shqiptare mbi krye, jo me kippa-n hebraike dhe sikur të mos mjaftonte kjo, me qeleshe dhe tjetri pranë tij, ngjan me mua. E pse të mos jem unë?

Kafka shikon thellë, që nga brenda vetes, pak pjerrët si për të çarë terrin para nesh dhe të ardhmes. Mos po më priste këtu, në Riva? Çfarë të tha ty, Gjergj?

Në pikturën postkafkiane unë kam venë nën mjekërr dorën e djathtë, me të cilën shkruaj. Dhe kam një fillim buzêqeshjeje gjithë adhurim për Kafkën, kjo sikur më jep më dritë dhe sikur dua të kryqëzoj vështrimin tim me të tijin. Kam një si makth a peng a të dyja bashkë.

Ç’dalldi e shenjtë a demon e shtyu Gjergj Kolën ta shqiptarizonte Kafkën duke më vënë pranë tij? Apo të atyre situatave jemi, gjithë terr dhe alienim dhe i kalojmë aq lehtë e ai, Kafka, duke na i lënë të shkruara siç zbulonte veç ai, (bekur qoftë Max Brod që nuk e zbatoi testamentin!), na ndih të jemi… çfarë? – postkafkianë në postdiktaturë… Të tregojmë dhe ne Kafkën që kemi në kokë.

…ta ketë nxitur kjo dhe piktorin tonë, që të hedhë ato ngjyrat gëzimerrëta? Kisha druajtje ta nxirrja atë tablo, mëdyshesha. Të ishte një ngushëllim artistik siç dhe fillon arti?

Misteri vazhdon, madje përthellohet. Po midis nesh, më afër meje, cili është ai, në një si largësi të vegimtë, por dhe ngjitur, në të ardhmen e shkuar a në të shkuarën e ardhme? Vetëm me të Kafkës unë i përziej kohët dhe e di vetëm unë se cili është ai pranë meje, që më vështron symbyllur si një alter ego e re, me ato duar të kuqerremta si me gjak britme të heshtur…

Por jo, nuk thuhen dot të gjitha dhe le të vazhdojmë shëtitjen buzë liqenit Garda, një endje dhe në kohë… dhe brenda vetes…

Filed Under: LETERSI

“𝐆𝐫𝐮𝐚𝐣𝐚 𝐦𝐞 𝐛𝐮𝐤𝐞̈𝐥” – 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐯𝐞𝐩𝐫𝐚 𝐞 𝐋𝐞𝐨𝐧𝐚𝐫𝐝𝐨 𝐝𝐚 𝐕𝐢𝐧𝐜̧𝐢𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐭𝐨𝐢 𝐧𝐠𝐚 𝐞𝐫𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐫𝐚 𝐞 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐬𝐞̈

October 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Një nga portretet më të rralla dhe të bukura të Leonardo da Vinçit, “Gruaja me bukël” është më shumë se thjesht një pikturë – është një dëshmi e gjeniut, pasionit dhe dramës historike që ka kaluar Evropa.

Pikturuar rreth vitit 1489–1490, kjo vepër përshkruan Cecilia Gallerani, një grua e re dhe e ditur, e dashura e Ludovico Sforza, Duka i Milanos – një nga patronët më të rëndësishëm të Leonardo da Vinçit. Bukla në duart e saj simbolizon pastërtinë, por edhe vetë Dukën, i cili kishte si pseudonim “Bukla e Bardhë”. Bukla është kafshë dredharake dhe e pakapshme, por Cecilia e mban butë por vendosshmërisht me dorën e saj, mesazh përkushtimi dashuror ndaj Dukës.

Eleganca dhe realizmi i portretit, teknika e rrallë e sfumaturës, shikimi i saj i kthyer, drita që përkëdhel fytyrën, kompozimi perfekt– të gjitha janë dëshmi e mjeshtërisë së rrallë të Leonardos.

Por historia e kësaj vepre nuk ndalet te krijimtaria e artë e Rilindjes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Polonia u pushtua nga nazistët, kjo vepër, sikurse edhe një peizazh i Rembrandtit e një portret i Rafaelit, u vodh nga nazistët dhe u dërgua në Gjermani. Ajo qëndroi për një kohë në koleksionin personal të Hans Frank, guvernatori nazist i Polonisë së pushtuar.

Pas përfundimit të luftës, pas shumë përpjekjesh diplomatike dhe hetimesh nga Aleatët, piktura u kthye në Poloni – një nga veprat e pakta që shpëtuan nga pluhuri dhe flakët e luftës.

Sot, “Gruaja me bukël” ruhet në Muzeun Kombëtar në Krakov, si një nga thesarët më të çmuar të artit botëror dhe simbol i trashëgimisë kulturore që mbijeton edhe në kohërat më të errëta.

Bashkë me të edhe Rembrandti u kthye, por portreti i Rafaelit mbetet i zhdukur prej 80 vitesh, dhe gjurma e vetme e veprës është vetëm një fotografi e saj bardhë e zi.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT