• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTĒPIA E POETIT EDGAR ALLAN POE ĒSHTĒ POEZIA E TIJ…

January 19, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti

Ne shkuam nē shtēpinē e tij nē New York… ēshtē poet i madh amerikan, – Edgar Allan Poe, – sa bukur i kumbon emri si poezia e tij, qē Fan Noli u ka bērē shqipērime tē shkēlqyera… “Korbi”… “Annabel Lee”… – kēshtu po thoshim rrugēs me bashkẽqytetarin tim, gazetarin Dalip Greca, kryredektor i “Dielli”-t atēhere, kur po mē çonte nē atē shtēpi… e bardhē, tipike amerikane, me çati, me verandē, e ēndērrt, e rrethuar me kangjella si me vargjet… Ka shkruar dhe tregime tē shkurtra plot mister dhe llahtar… si jeta – po vazhdonim bisedēn, – i ke lexuar? Edgar Allan Poe ēshtē figurë qendrore e romantizmit nē SHBA, e fiksionit gotik, i fantashkencẽs, ēshtē shpikësi i zhanrit të letērsisē detektive, shkrimtari i parë amerikan që mundi ta sigurojē jetesēn vetëm duke shkruar, por pati jetē tē vēshtirē… s’mjaftonin paratē, etj, etj, – dhe heshtēm, teksa i binim rrotull shtēpisē.

– Do na dalin fantazmat e tij? – buzēqesha.

M’u nēpērmendēn tē gjitha kēto sot, nē 19 janar, qē ēshtē dita kur lindi Edgar Allan Poe 215 vjet mē parē…

Dhe nē nderim tē atij qē mē çoi te ajo shtēpi, pērktheva njē poezi nga origjinali, paksa çlirēt. Se shtēpia e vērtetē e poetit ēshtē poezia e tij.

ĒNDĒRR BRENDA ĒNDRRĒS

Nga Edagar Allan Poe

Merre kētē puthje nē ballē

Dhe duke ikur nēpēr shkallē

Premtoj qē jam i gjallē.

Tē besoj, tē kam nē zemēr,

Qē ditēt e mia ishin ēndērr.

Dhe nēse shpresē kemi pak,

Nē njē ditē a nē njē natē,

Nē njē vegim ose jo,

S’ēshtē zhdukur kurrē ajo.

Gjithē ç’jemi e shohim me ēndje

Ēshtē ēndērr brenda njē ēndrre.

Qēndroj i vetēm mes zhurmave

Bregut tē ftohtē tē torturave.

Me rērē mbush dorēn time, –

Kokrriza ari gjithē vezullime.

Sa pak! Nga gishtrinjtē pastaj

Nē ç’thellēsira mund tē çajnē,

Ndērsa unē qaj, – ndērsa unē qaj.

O Zot! Do arrij tē kuptoj?

A ka njē kapse ta shtrēngojē?

O Zot! Ç’mē shpēton vallē

Nga e tẽ pamēshirshmes dallgē?

Gjithē ç’jemi e shohim me ēndje

A ēshtē ēndērr brenda njē ēndrre?

____________________

Nē shqip nga Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

Pjetër Arbnori, i mbijetuari i kaluarit komunist, politikani i dinjitetshëm dhe shkrimtari i paepur i “luftës për të mbetur njeri”

January 19, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Një burrë shtatshkurtër, me kokën që e mban ulur sikur numëron hapat që hedh, kalon hyrjen kryesore të godinës trekatëshe; sendërgjon një përshëndetje që merr formë përmes zërit që i kumbon prej zhguallit të një timbri paqtues, teatralitetit të dorës dhe buzëqeshjes që shkruhet me shumë dëlirësi në portretin e tij. Pëshpërit ata hapa të lehtë në korridoret e selisë së Partisë Demokratike për t’u shterur nga shikimi në kthinat ku e shtegton për në zyrën e tij, gjysmëdrita e zvargët. Ky ishte rituali i përditësuar i politikanit, demokratit, themeltarit dhe drejtuesit të PD-së, Pjetër Arbnori. E ndërsa rrekemi të ravijëzojmë nëpërmjet një ndërmendje të vagullt portretin e këtij burri të pashoq, këtij fisniku që erdhi dhe u fik ndër ne si një pishtar, këtij intelektuali qëndrestar, kësaj pene të mendimit disident, këtij shpirti të kurajshëm e zemre delikate, veçse një mirënjohje e përunjur, kurrçka tjetër nuk bën fajde. Ai si erdhi iku, për të mbetur, jo një Shën Pjetër, por një dishepull i tij.

Ai është ndoshta nga të vetmit politikan që erdhi dhe iku pa marrë asnjë privilegj apo favor, pa kërkuar dhe pa u ankuar. E donin dhe e respektonin të gjithë, dhe kjo nuk ju ofrua si një privilegj por si një meritë, sepse diti të ishte i ndershëm dhe i paanshëm dhe kaq i mjaftoi të ishte i mirë deri në fund sepse nuk u përlye dhe nuk bëri pakte.

Sot 89 vite më parë, më 18 janar të vitit 1935 u lind në Durrës, Pjetër Arbnori, për t’u shuar në moshën 71-vjeçare më 8 korrik 2006 në një klinikë në Napoli, pas një sfide të pamundur me zemrën, e cila pushoi për t’ia ndalur rrugën për më tej, pas një hemoragjie cerebrale.

Tek Pjetër Arbnori, Partia Demokratike kishte të mishëruar udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe tek ai ngulmonin njërin prej kalorësve më të zëshëm të disidencës; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së mbinjerëzores, “Mandelën” e Ballkanit.

Pjetër Arbnori, përkarshi krejt kësaj shpërfaqje mbetet i ngulmët si përfaqësuesi i denjë i letërsisë shqipe, asaj letërsie të shkruar në kushtet e terrorit. Ai do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës. Si politikan, ai formësoi një figurë dinjitoze në politikën e zallamahishme shqiptare, e vlefshme për t’u respektuar për ekuilibrin, tolerancën dhe vetëpërmbajtjen, derimsot e mbetur vetanake në mbamendjen e gjeneratës. Si deputet i plejadës së parë politike të viteve ’90, ai ishte dhe mbeti deri në fund pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale. Ndërsa, si kryetar i Parlamentit, ligjvënës, ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare.

Sa jetoi ia doli të mbushte me një densitet të lartë kumtues, golgotën e tij të mundimshme me shëmbëllimit më të përkorë të një vullneti lirie. Në këtë kalvar të stërgjatë që gjarpëronte nëpër skutat më të terrta të ferrit komunist dhe vërshimet e përbindshme të llavës së ngadhënjimit, ai mbeti shpirtshëlbyer. Prej nistores deri në të mbramë, Pjetër Arbnori mundi të sillte në jetë veprimtarin politik të zellshëm dhe të apasionuar, një krijues plot sqimë dhe dritëkungues, një njeri të ndershëm dhe të urtë. Jetoi fatin e tij tragjik pa u ankuar asnjëherë dhe pa lypur ndere dhe favore.

Rrugëtimi i korifeut

Rrugëtimi i Pjetër Arbnorit si korife i veprimit dhe mendimit, i zërit dhe kushtrimit nisi që kur ishte 14 vjeç, moshë që ndërmendet të jetë angazhuar në grupet ilegale të asokohëshme. Dy vjet e gjysmë studime në Fakultetin e Filologjisë dhe rezultatet e shkëlqyera, e përcaktojnë qartë pritshmërinë e tij dijetuese. Më tej, ai u hedh supeve të njoma barrën e rëndë të krijimit të një organizate social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Prej këndej, i shkruhet me thëngjill të kuq fati i tij tragjik. Më 1961, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propogandë. Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989 lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysëm heqje lirie në burgjet famëkeqe të diktaturës. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste në Shkodër, e cila daton 25 vite të shkuara, më 14 janar 1990, kohë kur u shtri përdhe torsi prej betoni i diktatorit. Ajo kacafytje me komunizmin që përpëlitej në agoni shënon shkënditë e para të flakadanit të lirisë në qytetin verior. Ishte në grupin themelues dhe zgjidhet kryetar i degës së PD-së për Shkodrën gjatë periudhës 1991-1992. Veprimtarinë e tij politike e pasuron besimi i vullnetit të sovranit, zgjedhja deputet në kohështrirjen 1991- 2001, kulmim i së cilës është detyra e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, 6 prill 1992- 24 korrik 1997. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Pjetër Arbnori dëshmoi vlerat më të epërme të një politikani bashkëkohor. Ai shquhej si rrallëkush për sensin e humorit dhe maturinë, tolerancën dhe urtësinë.

Nderet dhe vlerësimet

Përgjatë 71 viteve të jetës, Pjetër Arbnori është nderuar me titujt “Mësues i Popullit”, “Pishtar i Demokracisë”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Vaut të Dejës. Gjithashtu, Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse, i ka akorduar titullin “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës”. Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medaljonin e argjendtë, “Nënë Tereza” dhe prerjen e artë “Georgus Castriotus-Scanderbeg” 27.11.1996. Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në “Who is Who” të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore, Romë i ka dhënë medaljen “Scodrinon” dhe diplomën 2001. Me Urdhrin “Nderi i Kombit”, dekorohet (pas vdekjes) më 28.10.2011 nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”.

Galeria krijuese e Arbnorit shkrimtar

Profili i këtij personaliteti do të ishte i paplotë nëse nuk do të kumtohej krejtçfarë përbën galerinë e kreativitetit letrar të Pjetër Arbnorit, të cilën megjithëse ai do ta rendiste si sekondare, pas politikës, mbetet më e qenësishmja veprimtari. Tharmi i atij shpirti krijues mëtohet për veçantinë e vet te ditari sekret”Lufta për të mbetur njeri”, të cilin ka mundur ta mbajë larg flakëve të ferrit dhe makthit të qelive për 28 vite. Veprimtaria e botimeve e zgjatur në kohërendjen 1992-2000 nis me “Kur dynden vikingët”, novelë, 1992, për të vazhduar me romanin “Mugujt e mesjetës”, 1993; novelën “Bukuroshja me hijen”, 1994; “E bardha dhe e zeza” roman, 1995; “E panjohura” – Vdekja e “Gebelsit” novela, 1996; “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997; për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg. Kolanën e tij krijuese e pasurojnë: Romani “Vorbulla”, 1997; “Letër nga burgu”, “Nga jeta në burgjet komuniste”, studime historike 1992; “Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman 2000; “Lufta për të mbetur njeri” – intervista 1990-2000 dhe “Andre Morua, Historia e Anglisë”, përkthim 1996. Shtresohet më tej ky humus i përtëritjes së vlerave të letërsisë dhe kumtimit me “10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht); “Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht); “Martirët në Shqipëri – The New Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht). Për ta përmbyllur këtë punë vetëmohuese me përkthimet; Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998; William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” në dy vëllime, përkthyer në burg, në vitin 1988. Në ditën e lamtumirës, Dritëro Agolli shprehet se vlera e Pjetër Arbnorit, i cili vuajti 28 vjet burg në kohën e diktaturës, qëndron në radhë të parë tek vlerat e tij njerëzore. Ndonëse me një jetë tejet të vështirë, ai nuk i maste kurrë njerëzit me metrin e përkatësisë partiake, por me vlerat e tyre njerëzore dhe morale. Pjetër Arbnori është shkrimtari dhe figura e mbijetesës së intelektualit në kohëra të vështira. Eshtë vërtet e pamundur të ndash figurën e tij si shkrimtar me atë të njeriut human dhe të butë. I tillë ishte dhe mbeti, atëditë e sot. Ne e kujtojmë dhe i shprehim mirënjohjen më të thellë për krejtçfarë ai bëri.

Epilogu

Sot e përkujtojnë të gjithë ata, tek të cilët mungesa e tashsavitshme e këtij personaliteti ka lënë një bosh të thellë, por në veçanti, bashkëshortja dhe dy fëmijët. Arbnori duke u rikthyer nëpërmjet kësaj “In memoriam” ysht në vetëdijen e politikës pendimin për harresën, me të cilën ata e ndëshkuan. Por emri dhe vepra e Pjetër Arbnorit do të mbetet e gjithmonshme në kujtesën e atyre që guxojnë edhe sot të besojnë në idealet, të cilave ai iu dha me mish e me shpirt. Sepse ai besoi te vlerat si në të veçmet cilësi që e përkatësojnë dinjitetshëm vendin në përfaqësim dhe kujtesë.

Filed Under: Komente

“Are Albanians the descendants of the Pelasgians?”

January 19, 2024 by s p

Shkolla Shqipe Arizona (ACCA), Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Shqipe e Arizonës”(AACC), Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës(AAWAA), Albanian American Community of Illinois(AACI), Albanian American Organization of SW Florida (AAOSWFL), Albanian Heritage Foundation of Tampa Bay, Florida (AHFT) do të organizojnë simpoziumin e tretë të diasporës shqiptare në Amerikë me temë:

“Are Albanians the descendants of the Pelasgians?”

Zbuloni misteret e Historisë së Lashtë Shqiptare!

11 studiues të shquar do të prezantojnë punimet e tyre novatore, që I japin përgjigje dhe pyetjes intriguese: “A janë shqiptarët pasardhës të pellazgëve?”

Mos e humbisni këtë mundësi për një udhëtim në vazhdimësinë pellazgo-iliro-arbërore-shqiptare.

Uncover the mysteries of Ancient Albanian History!

Zoom webinar on Jan 20, 2024, at 9 AM MST, 10 AM CST

https://us02web.zoom.us/j/86780336798

11 distinguished scholars will explore groundbreaking research, including the intriguing question:

“Are Albanians the descendants of the Pelasgians?”

Don’t miss this chance for an enlightening journey through time.

Me respekt grupi organizator

1) Dr.Ardian Kraja, Albanian Heritage Foundation of Tampa Bay, Florida (AHFT)

2) Genti Arifi, Albanian American Community of Illinois,(AACI)

3) Bjondi Dervishi, Albanian American Community of Illinois, (AACI)

4) Gentian Puro, President of Albanian American Organization

Southwest Florida, (AAOSWFL)

5) Eni Xhoxhi, Secretary of Albanian American Organization

Southwest Florida, (AAOSWFL)

6) Florim Ymeri, AACC Eagle of AZ

7) Elira Canga, Albanian Civic Center of AZ (ACCA)

8)Dr. Elonia Lasku, Albanian Civic Center of AZ (ACCA), Albanian-American Women Association of AZ (AAWAA)

9) Prof.Dr. Arben Lasku, AACC Eagle of AZ

10) Diellza Hoti-Shkodra, AACC Eagle of AZ

Filed Under: Komunitet

NË TESTIMIN PISA NDËR TË FUNDIT – PËRSE!?

January 19, 2024 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

– reformat në arsim që s’do të bëhen kurrë –

Që nga fillimi i pluralizmit, në Maqedoni është folur për reforma në arsim. Deri më sot nuk është bërë kurrfarë reformë. Reforma s’do të bëhen as sot e tutje. Reformat duhet t’i bëjnë institucionet e arsimit. Këto institucione nuk dinë t’i bëjnë reformat, nuk kanë aftësi, nuk janë të përgatitura. Këto institucione apo organe të arsimit janë: Ministria e Arsimit, Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve (merret me realizimin e maturës shtetërore), Inspektorati i Arsimit, këshilltarët e arsimit. Disa prej këtyre organeve apo institucioneve janë të shkallës qendrore dhe të shkallës vendore, d.m.th. komunale. Këto farë institucione të lëmit të arsimit s’kanë njohuri të duhura, as në shkallën qendrore, as në atë vendore. Personi i cili s’ka mbajtur regjistër në duar, nuk mund të bëhet ministër i mirë. Ai nuk i di mirëfilli problemet që ekzistojnë në arsim. Fushën e arsimit duhet ta njohin në hollësi anëtarët e kabineteve të ministrave. As këta s’e dinë dhe kurrë s’kanë për ta ditur. 

Kur një popull, bashkësi etnike apo shtet në testimin Pisa del ndër të fundit në botë, atëherë del se kanë ngelur në klasë të gjitha verigat e zinxhirit që e përbëjnë sistemin arsimor. Kanë dështuar Ministria e Arsimit, Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve, inspektorët e arsimit, këshilltarët e arsimit, drejtoritë e shkollave fillore dhe ato të shkollave të mesme, përfshi edhe arsimin universitar dhe pasuniversitar. 

Çështja e arsimit është punë e politikës së shtetit. Me fjalë të tjera, çështja e arsimit nuk është vetëm punë e Ministrisë së Arsimit. Politika dhe strategjia arsimore e shtetit është mbi ministrinë. Ministria nuk ndërton politikë arsimore. Ajo zbaton politikë arsimore. E zbaton politikën arsimore të shtetit. Shteti këtu s’ka politikë arsimore, ministria aq më pak. Prandaj s’ka reforma dhe s’ka për të pasur. 

Në shtetin ku arsimi është i politizuar dhe i kapur prej partisë, arsim cilësor s’ka. Në shtetin e tillë për reforma as që mund të flitet. Politizimi apo partizimi i arsimit nuk është shkaktari i vetëm i rënies së cilësisë në arsim. Cilësia në arsim varet nga shumë faktorë. 

Kur shkolla apo sistemi i arsimit, që nga foshnjorja deri në universitet, shndërrohet në ent për punësim, aty s’mund të flitet për arsim cilësor. Aty kemi zhvlerësimin, devalvimin dhe degradimin e tërë ciklit arsimor. 

Projektin e reformës në arsim nuk mund ta bëjnë kuadrot pedagogjike të shkollës së Josip Brozit. Këta pseudo-pedagogë brenda periudhës së tranzicionit fare s’kanë kontribuar për përcaktimin e diagnozës së arsimit. Demagogët kanë për synim ruajtjen e interesave të vet meskinë dhe jo të kërkojnë ndryshime. Kuazi-pedagogët dhe demagogët as që e dinë saktë lëngatën e shkollave. Shpesh flitet për ekspertë të një lëmi të caktuar. Po ku t’i gjejmë këta farë ekspertë?! Ku e kanë varrin t’u çojmë lule? Në vendet e prapambetura secili e merr veten për ekspert. 

Duhet dalluar shkollën në sistemin komunist nga ajo e sistemit kapitalist apo kuazi-kapitalist. Arsimi në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk dallohet fort nga ai i qindvjeçarit XIX. Thuhet se, krahasuar me arsimin në kohën e monizmit, ky i periudhës së pluralizmit shënon rënie. 

Projektin e reformës në arsim, në bashkëpunim me subjektet praktike të arsimit, duhet ta paraqesin institucionet shkencore dhe arsimore më të larta të kombit. Reforma duhet bërë duke u bazuar në praktikat e vendeve me arsimim cilësor. Reforma duhet t’u përshtatet kushteve dhe rrethanave të vendit. Nuk mjafton t’i kopjosh modelet japoneze të arsimit, kur s’i ke kushtet dhe rrethanat e Japonisë. Nëpër institucione arsimore punojnë njerëz të cilët mezi e shkruajnë gjuhën amtare. Një popull e fiton lirinë atëherë kur mëson ta shkruajë drejtë gjuhën amtare. 

Ka shumë që flasin për testimin apo për testin Pisa, por të paktë janë ata që dinë se si duket ai. Ndonëse ndër të fundit në testimin Pisa, përgjegjësi s’mban askush. Përgjegjësit arsyetohen me justifikime të pabazuara. Rezultatet ishin të këqija për shkak të pandemisë Covid-19. Maqedonia ishte ndër të fundit në botë edhe atëherë kur s’kishte kovid. Nuk duhet hedhur hi syve të publikut. Dobësinë duhet shikuar drejt në sy. Duhet ballafaquar me të. Ndryshe, ndër të fundit, në mos të fundit do të jemi edhe radhën tjetër. Në mesin e 80 shteteve të testuara, e katërta në botë nga fundi. Mirë që Qendra Shtetërore e Provimeve nuk i publikon rezultatet sipas bashkësive etnike. Ndryshe, rezultatet për njërën sosh do të kishin qenë akoma më dëshpëruese. 

Ç’është reforma? Është prerje. Është e dhimbshme. Reformë do të thotë mbi njëzet për qind të kuadrit arsimor ta largosh nga puna. Cila qeveri e Ballkanit kodrinor mund ta bëjë një gjë të tillë? Cila parti parapolitike e gadishullit e bën një gjë të tillë dhe i humb votat, e humb pushtetin, i humb kolltukët, privilegjet, tenderët. Si t’i lërë pa punë partizanët e partisë dhe militantët e saj?! Një shtet i pazhvilluar si Maqedonia nuk mund t’i lërë pa punë dhe pa bukë mijëra mësues, arsimtarë, profesorë dhe pedagogë.  

Ka shkolla ku artin muzikore ligjërojnë tre arsimtarë, ndërsa punë s’ka as për dy. Si kompensohen këta? Kompensohen duke u dhënë aktivitete të lira. Me fjalë të tjera, ata kanë gjysmë fondi të orëve. Gjysmën tjetër e kompensojnë me të ashtuquajturat aktivitete. Ka arsimtarë, në mos të gjithë, që s’e dinë dot se me ç’aktivitet janë të ngarkuar. Për aktivitetin e lirë ata mësojnë ditën e fundit të vitit shkollor, kur duhet të plotësohet ditari. 

Reforma në arsim i jep fund nepotizmit. Nepotizëm, që nga çerdhja e fëmijëve deri në universitet. Arsimi cilësor njeh profesionalizëm dhe jo politikë, parti, partizan partiakë, militantë partiakë, nepotizëm, korrupsion, mitë, ryshfet dhe imoralitet. 

Në shtetin që vlon nga korrupsioni në nivelet më të larta, mos prit arsimim cilësor. Në shtetin e tillë mjetet financiare në vend që të destinohen për shkolla dhe universitete, përfundojnë në xhepat e pushtetarëve, si të nivelit qendror ashtu edhe të atij vendor. Sidomos në xhepat dhe në llogaritë e fshehta të pushtetarëve të pushtetit qendror. Ç’pret prej një shteti si Maqedonia e cila në fillim të viti shkollor nuk është në gjendje t’u sigurojë nxënësve tekste shkollore për të gjitha lëndët. Çfarë arsimi pret aty?! 

Nxënësit, me përjashtim të atyre pa të ardhura apo me të ardhura të kufizuara, vetë duhet t’i blejnë librat në librari. Dhënia e teksteve falas nuk paraqet kurrfarë ndihme për nxënësit. Ndërkaq nxënësve me të ardhura të ulëta shteti duhet t’u kompensojë një shumë përkatëse mjetesh financiare me të cilat tekstet do t’i blinin në librari. S’bëhet dot shkolla me libra të grisur, të vjetruar, të përlyer, të shkarravitur dhe me mungesë faqesh! 

Shkollat kanë këshill prindërish dhe këshill shkolle ose pleqësi shkolle. Këta të ashtuquajtura këshilla të prindërve apo këshilla shkollorë nuk luajnë kurrfarë roli në shkollë. Dhe kurrë s’kanë për të luajtur. Po të kishin luajtur ndonjë farë roli, gjendja në arsim nuk do të ishte në këtë derexhe. Po të suprimoheshin këshillat e prindërve apo këshillat shkollorë, procesi edukativo-arsimor do të zhvillohej normalisht.

E di ti se në qytetin universitar ende ka shkolla pa sallë fizkulture?! Pa sallë edukate fizike në qindvjeçarin XX, në shtetin evropian, e që synon integrimin në BE?! Mjerim dhe  mëkat!       

Arsimi nuk duron eksperimente dhe pseudoreforma. Shpesh kanë ndodhur do ndryshime. Të gjitha, për një, kanë dalë shterpe, s’kanë sjellë rezultate. S’ka reformë dhe ndryshim pa e përcaktuar diagnozën e sëmundjes në arsim! 

Kush shkon në fakultetet e arsimit?! Në Fakultetin Filozofik, në atë të filologjisë, të matematikës dhe të shkencave të natyrës? Prej tyre dalin mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e arsimit të mesëm. Nxënësit e dalluar të një gjimnazi apo të shkollës së mesme të mjekësisë shkojnë në Fakultetin e Mjekësisë, në stomatologji, në informatikë. Ata që kalojnë me dysh apo me tresh ndjekin kryesisht fakultetet e mësuesisë. E nxënësi me dysh apo me tresh s’bëhet dot mësues, arsimtar apo profesor i mirë. Nuk mund të marrësh diplomë universitare, kurse profesionin ta mësosh gjatë përvojës në punë. Një dijetar i madh i qindvjeçarit XX thotë: “Shkolla shërben për t’u pajisur me informata, kurse dituria mësohet gjatë përvojës në punë”.  Por ky dijetar i madh kur ka thënë kështu nuk ka menduar për nxënësin i cili mezi kalon mjaftueshëm. 

Përse të dalluarit apo ekselentët (të shkëlqyeshmit) parapëlqejnë mjekësinë?! S’ka dyshim se një prej arsyeve është edhe ana financiare apo materiale. Nxënësit dhe prindërit e dinë mirëfilli se një mjek ka të ardhura dhe të hyra më të mëdha se një mësues, se një arsimtar apo se një profesor shkolle të mesme. Si mjek apo si stomatolog ai mund të punojë edhe privatisht në ambulancën e vet. Mund të gjejë punë edhe në Gjermani. Rrjedhimisht, fakultetet e mësuesisë u mbeten nxënësve me sukses të dobët, për të mos thënë nxënësve të dobët. 

Nga kjo del se reforma në arsim duhet të përfshijë edhe pagën apo rrogën e mësuesit, të arsimtarit apo të profesorit të shkollës së mesme. Paga apo rroga e mjekut duhet t’i jepet mësuesit në mënyrë që nxënësi i dalluar apo ekselent të ketë motiv të ndjekë studimet e mësuesisë dhe jo vetëm mjekësinë. Paga mujor sot e një mësuesi, arsimtari apo profesori të matematikës, të fizikës, të kimisë, të informatikës duhet të jetë të paktën njëmijë euro, në mos dhe më shumë. Këto janë degë deficitare. Për fat të keq, numri i nxënësve që dinë matematikë dhe fizikë është i vogël. 

Nxënësi me dysh regjistrohet në degën e pedagogjisë. Në afat rekord merr diplomë fakulteti. Ky mësues apo arsimtar si do t’ua mësojë nxënësve matematikën në katër vitet e para të shkollës fillore?! Si pasojë, mungesa e njohurive në matematikë, përcillet gjatë tërë ciklit arsimor, që nga fillorja deri në të mesmen. 

Vitet e fundit janë organizuar dhe janë mbajtur të ashtuquajturat trajnime të arsimtarëve. Nuk rritet cilësia në arsim me trajnime mësuesish apo profesorësh. Në shumë raste, për të mos thënë në të gjitha rastet, trajnuesi është shumë më i dobët se mësuesi apo se arsimtari që trajnohet. Trajnim i thonë kësaj?! Trajnim na qenkësh kjo?! Diploma universitare nuk është leje drejtimi apo patentë shoferi që ta trajnosh një person që ka të kryer fakultet. Atëherë del se institucioni që e ka certifikuar me diplomë universitare nuk qenkësh në krye të detyrës. Trajnimi i kuadrit arsimor, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti vë në dyshim vlerat e universitetit. Nuk përkryhet profesioni me trajnim, por me lexim dhe studim të ditëpërditshëm të përjetshëm. 

A thua ç’do të kishte ndodhur sikur testit të maturës shtetërore t’i nënshtroheshin së pari profesorët e pastaj nxënësit?! Po sikur provimet e maturës shtetërore të mbaheshin me kamera dhe pa telefona mobilë?! Po sikur ditën e provimeve të maturës shtetërore valët e internetit të eliminohen?! A thua ç’do të kishte ndodhur?! Vitet e fundit maturën shtetërore nuk e kalojnë më pak se një për qind e nxënësve. Po të merreshin masat e sipërthëna, ngelja do të arrinte mbi 20 për qind.

Regjistrimi në gjimnaze duhet të bëhet me provime pranuese. Për t’iu shmangur shpërdorimeve, provimet pranuese duhet t’i realizojë Qendra Shtetërore e Provimeve. Prej gjimnazeve duhet të hiqen lëndët që janë pjesë e plan-programeve të shkollave të tjera, si: biznesi, menaxhmenti, ekonomia, hyrje në drejtësi. Vlerësimi në lëndë të caktuara duhet të bëhet në mënyrë përshkruese dhe pa nota. Vlerësimet në ato lëndë nuk duhet të llogariten në mesataren e nxënësve. Prej gjimnazeve duhet të hiqet sa më parë mundësia për të qenë nxënës i çrregullt. 

Shteti që nuk e forcon arsimin profesional të mesëm nuk mund të ketë arsimim cilësor. Për ta forcuar arsimin profesional, shteti duhet të ketë industri dhe ekonomi të zhvilluar. Shteti që mbytet në korrupsion nuk mund të ketë ekonomi dhe industri të zhvilluar. Shteti, gjyqësorit të të cilit i besojnë jo më shumë se 4 për qind e shtetasve të vet, është larg integrimit në BE.   

Në fakultetet që përgatisin kuadër për degët e arsimit, të drejtë regjistrimi duhet të kenë kryesisht nxënësit e gjimnazeve. Regjistrimi në ato degë duhet të bëhet me provim pranues, pavarësisht nga diploma e maturës shtetërore. Në shtetin ku ngelja në maturën shtetërore është rreth një për qind, më mirë është që në atë shtet matura shtetërore të hiqet. Por kjo nuk është punë e lehtë se pa maturë shtetërore nuk mund t’i ndjekësh studimet jashtë vendit.

Reformat eventuale në arsim duhet të bazohen edhe në sistemet arsimore të vendeve të suksesshme, përshtatur kushteve dhe rrethanave tona. Nuk është mirë të mësohet kimia pa laborator apo fizika dhe biologjia pa kabinet. Në vendet e suksesshme, në vend të laboratorëve dhe të kabineteve ka kohë që përdoren edhe pajisjet audio-vizuale, video-bimet etj. Shkollat tona s’kanë as laboratorë e kabinete, as pajisje tekniko-teknologjike bashkëkohore. Në rrethana të tilla s’duhet të habitemi se testimin Pisa dalim ndër të fundit dhe në krahasim me atë të vitit 2018 shënojmë rënie si asnjë shtet tjetër bë rruzull.       

Shkollat duhet ta respektojnë disiplinën, rendin dhe rregullin. Humbja e orëve nëpër shkolla, përpos në raste të veçanta, duhet të eliminohet si mundësi. Kriteri nëpër shkolla nuk duhet të banalizohet apo të nëpërkëmbet. 

Shkollat dhe arsimi në përgjithësi duhet të depolitizohen dhe të departizohen. Kriter i vetëm për pranimin e kuadrit arsimor duhet të jetë aftësia profesionale, virtytet njerëzore dhe vlerat morale. Kush është ai që i mat këto parametra dhe vlera? Personin e diplomuar nuk mund ta pranosh në punë me testim.  

Akulli i trashë një metër nuk është bërë për një natë – thonë kinezët. Problemet në arsim nuk janë krijuar sot as dje. Ato trashëgohen nëpër dhjetëvjeçarë. Arsimi nuk është propagandë dhe reklamë. As mashtrim partiak i lemerishëm i bërë para fushatës zgjedhore. Kjo lemeri zgjatë që nga viti 1991. Trashëgohet edhe nga periudha bolshevike e Josip Brozit. Kështu do ta çojnë edhe politikanët dhe udhëheqësit e mëdhenj që do të vinin pas kësaj qeverie.   

Përmirësimi i cilësisë në arsim është proces që mund të zgjasë tridhjetë vjet. Pra, sot ta fillosh, pas tri dekadave t’i vjelësh frytet. Procesi i formimit të inteligjencies së një kombi zgjat njëqind vjet. 

Pa më të voglin dyshim, në trojet tona shqiptare ka fëmijë, nxënës dhe studentë që mund të ndeshen edhe në arena kriteresh të ashpra. Askush nuk ka të drejtë t’i marrë në qafë të tillët. Ata janë fatosa, shpresa të shqiptarisë dhe të njerëzisë.   

Prof.Xhelal Zejneli                                            

Filed Under: Sociale

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

January 19, 2024 by s p

KOSTA NAKE 

PISHTARËT E DASHURISË

(Vepra 3, Onufri 2010, novela “Pishtarët e natës”)

“Pishtarët e natës” është një prerje kohore e malësorit prej fillimit të shekullit të kaluar deri në lëvizjet patriotike për pavarësi që kalojnë vetëm tangent rërë bjeshkës, pa ndryshuar rrjedhën e jetës buzë Drinit. Është një vepër që tregon lidhjen e fortë të njeriut me tokën si burimi më i sigurt i ekzistencës dhe i vazhdimësisë së jetës. Vepra fokusohet te Nika që ndahet jo vetëm nga vëllazëria, por edhe nga familja e vet për të rrëmbyer tokë nga shkëmbi, për të shfrytëzuar gjuetinë si mjet financiar të ndryshimit të madh:  zgjerimit të ligjshëm të pronës nëpërmjet blerjes. 

Nika mishëron dyzimin e malësorit që beson në qenie mitologjike e njëkohësisht ka besim në ndjekjen e riteve të besimit. në një zot të vetëm. Ai beson në ekzistencën e orëve dhe të zanave, nuk u përmend as emrin, përdor eufemizma për to, nga ana tjetër e sfidon besimin se Fundina është e pushtuar nga orë e zana, atje hap e zgjeron toka, e kthen në vend të banueshëm nga njerëzit, megjithëse vetëm ai mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në një vend të tillë. Dimri gjithmonë e bën dyshues dhe bestytës, gjatë kësaj periudhe ai jeton me frikën e qenieve të mbinatyrshme. Nika e parandjen vdekjen. Ai sfidon frikën për të gjuajtur, pasi sipas besimit popullor në kafshë gjendet dhe shpirti i qenieve të mbinatyrshme, ka përfituar prej gjuetisë të mirat materiale dhe ka arritur të shtojë pasurinë, e ka arritur të blejë toka të reja, t’i sigurojë familjes të ardhmen. Por e gjithë kjo e di që do t’i kushtojë. E vetmja gjë që nuk shkel mbi paragjykimet është sepse nuk ua zbulon bijëve sekretet e gjuetisë. Gjithsesi, gjuetia është e ndaluar, prandaj dhe vdekja i vjen prej saj. 

Nika u ngjan kreshnikëve: “dy metra i gjatë, hija e tij përzihej me hijet e lisave e të currave, me sy shigjetë që në dritën e qiriut e të zjarmit shkëlqenin si krena gjarpijsh mes vetullave të trasha.”  Ai mallkon me shprehje të hiperbolizuara karakteristike të eposit, shpërthime të vrullshme që mbartin zemërimin e njeriut dhe përcillet përmes zërit që ngjall frikë tek njerëzit dhe natyra: “…nuk shante, por nemte e truente tue thirrë gjamë e vetëtimë që t’i gjuente me kokërr të vet, me rrëfenë, e të çfaroste çdo send të gjallë që i shkelte dhenë.” “Fjalët e tij burrnore tmerronin shtazë e njerëz dhe depërtonin jehonë në jehonë prej shkambit në shkamb dhe shuheshin tue ra në pushim larg gjije e humnere, përkueshëm, si petk i mbajtun prej të njëjtit trup, sepse andej pari shungullonin vetëm zani i Nikës e bubullima e motit të keq, ndërrueshëm simbas rastit e kohës.” 

Portretizimi i Nikës realizohet edhe përmes hiperbolizimit të thashethemeve për të, pasi Nika ka kohë që ka krijuar distancën kohore dhe hapësinore me të tjerët, aq sa gruaja dhe fëmijët fillojnë të zgjojnë përfytyrimin e njeriut të jashtëzakonshëm që ka lidhje me Orë e Zana. “Ata kallzuen edhe për mrekullinë e pishtarëve të natës dhe për Nikën, burrë gjigant, i veshun në lëkura e sukuj zhgunash, me një za që mbushte me shungullimë lugina e bjeshkë; gjithçka kallëzohej bindshëm se ai paska punë edhe me Orë e Zana.” Lena u krijon të bijve përfytyrimin e njeriut që duhej respektuar e pasur drojë prej tij: “Fliste ashtu sikur Nika të ishte zoti i ernave…” si Lena, të bijtë dhe të afërmit fillojnë të kenë hijen e dyshimit, në këtë mënyrë thuren legjendat rreth tij. 

Portretizimi i Nikës plotësohet me besimin i tij në qeniet e mbinatyrshme, në bestytnitë si gjahtar, në ankthin e vetmisë, në dëshirën për të qenë me një grua, qoftë kjo dhe zanë. Duhani që kultivon dhe përdor Nika është pjesë e ritualit mikpritës. Ai paragjykohet pasi nuk njeh me emra nipat, mbesat, gjakun e tij dhe nga ana tjetër mikpritja e tij nuk ka humbur asgjë nga madhështia primitive, nga besa, nderi, bujaria. Kjo mikpritje paksa paradoksale shërben si urë lidhëse me botën. Ai luhatet mes frikës dhe guximit për të jetuar e punuar vetëm, ky dyzim e ka bërë akoma më të afërt me të mbinatyrshmen. Nika e parandjen vdekjen, atij i përsëritet e njëjta ëndërr: vrasja dhe ringjallja e një ujku. Frika e tij lidhet me besimin se kafshët janë bartëse të shpirtit të qenieve të mbinatyrshme. Gjithë pasurinë e tij ai e ka siguruar përmes gjuetisë, të cilën ia pohon vetëm të shoqes. Vdekja e Nikës shihet si përmbushje e ëndrrës paralajmëruese. Jeta dhe vdekja e Nikës janë rindërtimi dhe portretizimi arkaik i malësorit që jeton mes natyrës më shumë se mes njerëzve, që gjithçka e mëson rreth vatrës së zjarrit, nga miqtë që u bie rruga, siguron jetesën me tokën dhe egërsirat e malit, që ëndërron për fuqinë e mbinatyrshme, parandjen të ardhmen, ruan e përçon traditën, kur vdes vishet me rrobat më të mirat, vajtohet me gjamë e fjalët më të zgjedhura, dita e vdekjes bëhet ngjarja më e rëndësishme se e gjithë historia e jetës së tij. 

Mjaft interesante është figura e Lenës, bashkëshortes së Nikës që ka një zhvillim në rritje. Nga bashkëshorte që duron dhunën fizike të burrit, ajo kthehet në një kultivuese të traditës patriarkale tek fëmijët e vet dhe kulmon me një behar dashurie në moshën 40-vjeçare, pasi ka përballuar thashethemet që mund ta bënin xhelozinë vrastare, pasi ka ndjerë pushtetin e vet në Gurrë, pjesërisht të deleguar prej Nikës që më shumë punon e jeton në Fundinë. Dëshira e saj për të patur një fëmijë tjetër, kur të tjerët tashmë janë rritur, është një lloj emancipimi i brendshëm shpirtëror që materializohet me ato eceejaket mes Gurrës e Fundinës me pishtarët që i kanë dhënë emrin novelës dhe me atë përkujdesjen e shtuar ndaj burrit e shprehur te këmisha e përgatitur me qëndisma për të.

NJË SHKUNGULLIMË QË M’I SHEMB PËRQASJET

(Vepra 3, Onufri 2010, novela “Shkundullima”)

Inxhinieri arbëresh Vitoi kthehet në fshatin e lindjes që po braktiset nga të rinjtë. “Katundësit e kishin ndie veten të fyem nga fjalët e mërgimtarëve kundër Vinoit, kinse të gjithë ata që qenkan të zotët e vetes e lankan vendlindjen, dënue me qenë e banueme vetëm prej pleqsh, grash e fëmijësh.” (f.159)

Kaq më mjaftoi për të krijuar një përqasje me fshatin shqiptar të ditëve tona. Shtëpitë e braktisura kanë filluar të mbulohen me danga lëmyshku e bari, të tjera të rrënohen dhe inxhinierit i rekomandojnë të bëjë një shtëpi të re jashtë fshatit në vend të rimëkëmbë të vjetrën. Mirëpo Vitoi ndreqjen e shtëpisë së vjetër e shikon si çlirim të ndërgjegjes  pas pendesës së braktisjes. Ai vjen vetëm për dy muaj, por miqësia me Ntonen e bën të qëndrojë tetë muaj dhe të hedhë idenë e ndërtimit e urës mbi Përroin e Thatë. “Kuptimi i të mirave që binte ura u gdhend thellë në ndërgjegjen e popujve të lashtë.” (f.130) Kjo ide e shkund fshatin dhe novela mund të ishte titulluar “Ura” për simbolikën  e saj. 

Së pari, fshati është treguar konservues si vetëdijë e mbrojtjes së identitetit arbëresh, ata kanë sheshin e fshatit me emrin Skanderbeg. Ura do të ishte një hapje kontakti me të tjerët dhe asfalti do të sillte zhvillim ekonomik dhe mund ta kthente në qendër atraktive për turistët. Nga ana tjetër kjo do të sillte rrezikun e asimilimit.

Së dyti, fshatrat fqinje nuk donin një përparim ekonomik dhe kulturor të popullatës arbëreshe. Ndoshta edhe për shkak të refraktarizmit arbëresh të sintetizuar në fjalët e Ntones: “Na jemi të gjithë njerëz të qetë, por sikur ndokush të përpiqet me na nxjerrë me rranjë këndej, do të shihje si egërsohemi na!” (f.169)

Së treti, edhe brenda fshatit ka qëndrime të ndryshme. Ata që kanë mbetur në fshat, gjenerata e vjetër me në krye kryetarin e komunës, e shikojnë me smirë këtë projekt dhe e mbajnë të kyçur për familjet e tyre, prandaj Vitoit i duhet ta zgjasë qëndrimin në pritje të ardhjes së studentëve, pasi “përvoja e kishte mësue se vetëm të  rijët i pranojnë risijet krejt natyrshëm, pa paragjykime, instiktivisht tue pasë gjithnjë parasysh të mirën e ardhmërisë së tyre (f.128). Në ato rrethana iu desh ta fillojë duke e shpalosur projektin te nxënësit e shkollës. Himni i tokës që shpaloset te novela “Pishtarët e natës”, rimerret edhe këtu në deklarimin e Vitoit: “Dhenat nuk shiten. Mbaje mend! Çdo nismë ashtë aventurë: industria, ndërtimi i pëllasëve apo i urave. Ajo që mbetet ashtë toka!” (f.152)

Ideja e ndërtimit të urës zhvendoset përkohësisht me forcimin e miqësisë së Vitoit me Ntonen që kurorëzohet me bashkëjetesë. Ntonia bëhet kështu përfaqësuesja e së resë që duke qenë edhe mësuese, u bën ballë thashethënave dhe përpjekjeve të emtës Mara, e cila është njëkohësisht tezja e Vitoit, për t’i ndarë dy të rinjtë. “Katundi u mësue me dashnorët e vet, pa ta mbrendë do të ishte ndie thatina e vorfnisë shpirtnore, andaj sosën edhe thashethanat.” (f.168)

Qetia e fshatit prishet edhe nga zbulimi i të fshehtave që mbante brenda. Ntonia mëson se i ati, pas vdekjes së gruas, paska patur marrëdhënie me dadon Marë, mëndeshën e saj. Vëllai i Ntones, antipodi i Vitoit, mohuesi i vendlindjes, vjen natën dhe merr nga shtëpia objekte të çmuara që lidhen me historinë e familjes.

Vitoi, pas idesë për ndërtimin e urës dhe bashkëjetesës me Ntonen, shihet me pakënaqësi edhe për dëmin që sjell si gjahtar “po e qet fare egërsinë!” (f.161)

Komunitetit arbëresh i shtohet edhe lypësi i verbër Lorku me qenin e tij, bartësi i lajmeve brenda arbëreshëve.

Ngjarja merr një kthesë të papritur. Vitoi shkon të qortojë tezen Mara që ishte treguar e padrejtë me Ntonen dhe “parandjeu se diçka e tmerrshme strukej edhe mbas dritës së syve të saj, si një hije që hidhej prej një lande të mistershme mbi katund…” (f.171)

Të nesërmen Vitoi shkel me këmbët e veta trasenë e ardhshme që do të lidhë fshatin me detit dhe ndodh shkundullima, një lloj cunami në tokë dhe në det që mund të përqaset pjesërisht vetëm me vërshimet e Drinit. Pikërisht këtu Camaj m’i rrëzon të gjitha pritshmëritë, kjo shkundullimë që mund t’i referohet një dukurie reale natyrore, edhe pse e paralajmëruar në sytë e plakës Marë, më vjen si një deus ex machina që i jep fund qëndresës identitare. Vala e detit godet edhe katundin arbëresh duke shkaktuar viktima, Mara digjet bashkë me shtëpinë ku ka rënë zjarri, Ntonia e mbetur pa strehë, shkon të kryeqendrën e krahinës, Vitoi nuk merr asnjë përgjigje prej saj dhe pas tetë muajsh largohet “i vendosun të prejë çdo urë me vend të vet, pa i thanë kujt lamtumirë.”(f.184) 

E megjithatë zezona e përgjithshme rrezaton ngrohtësi në komunitetin arbëresh. Tragjedia në rrafsh vetjak, mbushet me dritë në rrafshin komunitar, banorët që “s’kishin kah t’ia mbajnë” (f.185), vendosën të ndërtojnë një katund modern dhe sot, mbas shumë motesh, në katolinat turistike shihet edhe ura mbi Përroin e Thatë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1358
  • 1359
  • 1360
  • 1361
  • 1362
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT