• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E SKËNDERBEUT E MARIN BARLETIT QË DATON NGA VITI 1493 – INKUNABULË … APO FALLSIFIKIM I VITIT TË BOTIMIT?

January 19, 2024 by s p

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest/

Ksomblla e veprës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, që ruhet në bibliotekën universitare ELTE të Budapestit është e vetmja ksombëll e kësaj vepre e njohur deri më sot që përmban edhe vitin e botimit të saj. Një e dhënë e tillë saktëson edhe shumë hamendësime të tjera dhe hap rrugë për shumë pista të tjera studimesh barletiane siç do të shohim më poshtë.

Viti i botimit të një prej librave më të rëndësishëm të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka qenë një prej elementeve munguese në të gjitha ksombllat e njohura deri më sot të këtij libri, gjë që i ka çuar të gjithë studiuesit ta marrin me hamendësim këtë të dhënë duke e nxjerrë atë në mënyrë të tërthortë nga përmbajtja apo nga elemente të tjera të botimit të tij. Sigurisht që hamendësimet e ndryshme kanë çuar në rezultate të ndryshme disa më kryesoret e të cilave do t’i përmendim në vijim. 

Rreth vitit të botimit të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, është debatuar dhe hamendësuar nga albanologë, historianë, bibliografë dhe specialistë të tjerë, shqiptarë e të huaj, por sigurisht që për aq kohë sa nuk kanë pasur në dorë ksombllën e Barletit ku viti i botimit jepet shprehimisht, duke ju dhënë fund të gjitha këtyre, njëherë e përgjithmonë.

Pra ishte viti i botimit një ndër arsyet kryesore se përse asnjë studiues, albanolog, historian, bibliograf apo bibliotekar, nuk është marrë seriozisht me këtë vepër, për të na ofruar diçka përfundimtare, të saktësuar. Të gjithë ata që duke u marrë me Gjergj Kastriotin Skenderbeun u është dashur të merren edhe me këtë vepër të Barletit dhe me kohën e botimit të kësaj vepre u është dashur të mjaftohen vetem duke shkruar ndonjë radhë, duke hedhur ndonjë ide, duke bërë ndonjë hamendësim, por pa arritur të saktësojnë asgjë.

Është për të ardhur keq që ky libër nuk ka tërhequr vëmendje të mjaftueshme nga specialistët e shkencave të ndryhme për të bërë studime e analiza shkencore specialistike të profileve të ndryshme për të saktësuar të paktën vitin e botimit të atyre tre ksombllave që disponojmë në trojet shqiptare, dy në Shqipëri, Tiranë (B.K.T.) e Shkodër (B.U.L.G.Sh) dhe një në Prishtinë, familja Pacolli. Një analizë e hollësishme e fizikut të këtyre ksomblave si e filigraneve, peshës, cilësisë, rrjetit të letrës, inicialve, portretit si dhe matjeve të sakta të fletëve, portretit, inicialeve, grafemave dhe krahasime të tjera do të kishte ndihmuar me siguri për saktësimin e vitit të botimit të këtyre ksomblave, derisa nuk dihej për inkunabulën e Budapestit nga viti 1493.

Hamendësimet dhe mendimet kryesore që kanë mbizotëruar për vitin e botimit të librit të Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis pluskojnë në periudhën kohore prej vitit 1502 [E. Çabej, Kastritotët. Në: Studime gjuhësore. (Botimi i dytë). Prishtinë, 1988, vëll. V, f. 328] deri në vitin 1521 [Aurel Plasari, Arbëria e Skënderbeut dhe Burgundi i Filipit të Mirë. Në: Skënderbeu dhe Europa. Tiranë, 2006, f. 128, ref. 8]. Megjithatë, si vite më të përafërta, për të mos thënë të sakta, kudo janë konsideruar vitet 1508-1510. Kështu shkruhet viti i botimit i kësaj vepre edhe në pothuajse të gjitha bibliotekat evropiane që e kanë këtë vepër në fondet e tyre, por ka edhe nga ato biblioteka që shënojnë si vit të mundshëm botimi vitet 1506, 1508, 1510, 1520… etj.

Pavarësisht nga sa u tha më sipër, duhet të pohojmë edhe faktin që ka pasur edhe studiues të cilët vitin e botimit të këtij libri e japin jashtë kornizës së sipërpërmendur duke thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. Këtë informacion, e ndeshim për herë të parë te rumuni, Francisc Pall, Marino Barlezio: uno storico umanista. Në: Melanges d’Histoire Generale. Cluj, 1938, v. II, f. 135-315. 

F. Pall, shkruan se Jovan Popović (Život i viteža kneza Epirskoga Đorđa Kastriota Skenderbega. Opisana Ioannome S. Popovićeme.  Budim, 1828, f. V), dhe Vilmos Franknói, (A Hunyadiak es a Jagellok kora (1440-1526). Budapest, 1896, f. 667) shënojnë si vit botimi të këtij libri vitin 1493, por duke qenë se ata nuk sjellin ndonjë burim të saktë për të mbështetur këtë datë edhe vetë F. Pall e konsideron si gabim vitin 1493. Ky veprim i F. Pallit, deri diku mund të duket i arsyeshëm, sepse përveç këtyre dy autorëve të lartëcekur, të cilët veprat e tyre i kishin botuar në Hungari, të gjithë të tjerët kanë konsideruar si të më të përarfërta vitet 1506-1510. Natyrisht, ka edhe disa hamendësime të ndonjë autori, veçanërisht bibliografi, pa të mbështetura në ndonjë burim të saktë, se viti i botimit mund të lëviz në mes viteve 1508-1522.

Nëse ne shënuam se për vite botimi janë marrë vitet 1502-1521, me theks të veçnatë vitet 1508-1510, këtë e bëmë qëllimisht për të saktësuar se ka pasur edhe më shumë se një rast tjetër kur është thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. [Para disa kohësh, (23 mars 2009), dr. Aurel Plasari na njofton në vitet 1995-1996, kur kishte punuar në Paris dhe sapo kishte filluar kërkimet bibliografike për Skenderbun, kishte hasur në të dhënën se në tekstet maqdone flitet për një botim të Historia-s së Barletit të vitit 1493, por në Paris nuk kishte gjetur ndonjë informacion për këtë dhe në Shqipëri një të dhënë të tillë nuk i kishte kushtuar kujdes, ose e kishte quajtur “pa gjasë” se mund të ishte e saktë.

Në trojet shqiptare, studiuesi Aurel Plasari është i pari që është marrë seriozisht me analizimin e hamendësimeve për vitin e botimit të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, duke e vendosur datën e botimit rreth viteve 1515-1522. Duke qenë se informacionin për këtë analizë të Plasarit e gjetëm në internet, për të mos lënë shteg për spekullime dhe duke dëshiruar të saktësojmë edhe një herë këtë informacion, iu drejtuam vetë Plasarit me një letër nga Budapesti, më 30 maj 2008. Dr. A. Plasari pati mirësinë, gjë për të cilën e falënderojmë publikisht, të na përgjigjet menjëherë, duke na dërguar një informacion të thukët dhe shumë interesant, të cilin e sjellim në vijim, meqenëse e konsiderojmë si një kontribut të çmuar rreth debatit për vitin e botimit të librit të M. Barletit.

Aurel Plasari shkruan: “Në librin tim “Skënderbeu. Një histori politike”, tanimë të faqosur, në një nga shënimet përfund faqeve në Hyrje-n kam vërejtur – pa mbajtur qëndrim timin për datimin, sepse më duket punë fort e vështirë – çfarë po e bashkëlidh (in attachment) këtu. ‘84 Vetë botimi i parë i Historisë së Barletit nuk mban vit botimi (absque anno), përpos një shënimi për botuesin-shtypshkruesin në fund të librit “impressum Romae per B. V.”. Për ç’i takon vitit të botimit, ata që kanë menduar se ndërkoha 1506-1510 është “caktuar nga Noli” (Çoba & Prela: Albanica, nr. 3) janë gabuar. Hamendja për një ndërkohë të mundshme botimi rreth 1508-s duket ta ketë zënë fillin te bibliografi i botimeve të shekujve XV-XIX, Brunet: Manuel du libraire, I, 658, si vijon: “Hamendohet që dy shkronjat V. B. duan të thonë Bernardinus Venetus de Vitalibus, shtypshkrues që shtypte në Romë më 1508, por që kishte realizuar tanimë në Venedik, më 1504, veprën e Barletit Mbi rrethimin e Shkodrës, in-4”. Kjo hamendje është bartur tradicionalisht. Noli: Gorge Casitrioti, 78-79, ka pranuar si vite të mundshme botimi të saj ndërkohën 1506-1510. Edhe Pall, Gegaj, Buda dhe thuajse gjithë skënderbegologët e tjerë, deri te Frashëri dhe Biçoku sot, kanë pranuar si ndërkohë të mundshme botimi 1506-1510 ose 1508-1510. Duke u nisur nga një ndryshim shkronje shtypi në këtë botim, së fundi Norton: Italian printers, 103-104, e ka zhvendosur shtypjen e tij mes viteve 1515 dhe 1522. Si kufi i fundit i të qenit të autorit (Barletit) në jetë, ose së paku në mundësi pune, është marrë viti 1512, kur mbarojnë shënimet në veprën e tij Compendium (shih); por nëse pranohet që Compendium-i është vepër apokrife me burim Engjëllorët (gli Angeli) e Italisë, sikurse mendohet tanimë, kufijtë kohorë ndërlikohen edhe më. Kështu si paraqitet, çështja nuk mund të quhet e mbyllur.’” 

Pra, A. Plasari kishte shumë të drejtë për një ndërlikim të kufijve kohorë të botimit të librit të M. Barletit. Në fakt, nuk ishte i pari Norton (F. J., Norton, Italian printers, 1501-1520. An Annotated list, With an introduction by F. J. Norton, under-Librarian, University Library Cambridge. London: Bowes and Bowes, 1958) ai që shënoi në f. 104, të studimit të tij, vitina 1522, sepse një gjë tillë e kishte bërë shumë më herët, përkatësisht në vitin 1909, Prince d’Essling (Les Livres a figures Vénitiens de la fin du XVe Siècleet du Commencement du XVIe. (Études su l’Art de la Gravure sur bois a Venise). Seconde Partie. Ouvrages impromés de 1501 à 1525. FLORENCE: Libraire Leo S. Olschki 4, Lungarno Acciaioli; PARIS: Libraire Henri Leclerc 219, Rue Saint-Honoré, 1909), i cili në blenin e dytë, të vëllimit të dytë, të veprës së tij, (vëll. II/2), f. 527, shënon si vite të mundshme botime periudhën kohore 1508-1522.

Shënimi i Francisc Pall-it, na bëri që të kërkojmë në biblioteka dhe arkiva hungareze, ekzistencësn e mundshme të një informacioni që përmendin J. Popović dhe V. Franknói. Rezultatet nuk munguan. Pas disa kohësh, në Biblioteken Universitare, ELTE të Budapestit arritëm të kishim në dorë, librin e Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ku në dy vende të ndryshme, poshtë portetit dhe në kolofon   (faqen e fundit) ishte shënuar viti i botimit, 1493. Një vit i tillë automatikisht e klasifikon veprën e Barletit si inkunabulë.

Përshkrimi fizik i inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga viti 1493

Kopertinat e inkunabulës janë prej lëkure ngjyrë kafe dhe datojnë nga mesi i shekullit XVIII . Të dy kopertinat janë pa dekorime. Kopertina e parë është e dëmtuar nga koha (krimbi) në fund majtas. Kurrizi është i ndarë në 8 (tetë) gishtërinj proporcionalë. Brenda gishtërinjve ka dekorime floreale të praruara me flori, të gjitha identike. Në të ndarën e dytë ka këtë shënim me grafema të praruara ne flori:

           HISTORIA:/

           DE VITA/

           SC ANDER:/

    BEGI/

Në kapakun e brendshëm të kopertinës së parë kemi këto shënime: lart në të majtë, shkruar me pendë me ngjyrë kafe: XLII. A, menjëherë më poshtë, është shkruar me laps plumbi në kohët moderne: fol. 558, pastaj në fund të faqes majtas: me laps plumbi, e njëjta dorë si më lart: Koráblan: Inc. 465, poshtë këtij rreshti është një etiketë e bardhë që mban këtë shënim: BUDAPEST, Vet. 13/35. Të dy fletët (4 faqet) në vijim janë boshe, dhe janë të kohës së lidhjes së librit aty nga mesi i shek. XVIII. Nuk kanë shenja filigrane, por kanë ndarjet vertikale në 9 (nëntë) kolona (fusha).

Inkunabula ka dy lloj pagjinimesh: njërin origjinal me numra romakë, si të gjitha kopjet e tjera që njohim deri tani, dhe tjetrin të kohës moderne, me vulë, me numra arabë që fillojnë nga nr. 1r dhe përfundon me nr. 163r.  Në pagjinimin e dytë (modern) është llogaritur edhe frontespici, faqet e indeksit dhe portreti; f. Ir, e origjinalit, korrespondon me f. 5r të pagjinimit të ri, etj. dhe f. CLIXr e origjinalit me f. 163r të pagjinimit të ri. 

Inkunabula është restauruar. Kjo gjë vërehet lehtë nga letra në të djathtë të secilës faqe e cila mesa duket ka qenë e dëmtuar nga lagështia.

Frontespici është i shtypur në dy  ngjyra, kuq e zi, sikurse edhe ksomblat e tjera të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Në të djathtë brenda kuadratit të titullit, ka vulën e bibliotekës ELTE, e brenda që mund të lexohet teksti: BIBLIOTH.REG.SCIENT. VNIVERSIT. HVNGARICÆ., dhe poshtë vulës, në të djathtë, jashtë kuadratit të titullit, është firma e botuesit Bernardinus de Vitalibus, e shkruar me ngjyrë të kuqe, e cila është mjaft e dëmtuar, por ne kemi arritur ta lexojmë me ndihmën e rrezeve ultraviolet. Frontespici është i dëmtuar dhe është pothuajse i shkëputur nga lidhja me kopertinën dhe pjesën tjetër të tekstit. Po ashtu frontespici është i dëmtuar (grisur) poshtë në të djathtë, menjëherë pas përfundimit të fjalës Privilegio. (shih ilustrimin). Në frontespic, lart, menjëherë sipër titullit kemi të shënuar signaturën aktuale të librit në Bibliotekën ELTE: Ant. 1308, me laps plumbi dhe menjëherë në vazhdim, kemi të shënuar po ashtu me laps plumbi signaturën e  vjetër: Vet. 13/35.

Viti 1493 poshtë portretit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe 

dallimet me portretet tjera 

Portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ashtu si edhe në dy botimet e mëvonshme (1508 dhe 1522) është në f. 4v. Sipër portretit, në hapësirën e parë, aty ku te portretet tjera vendi është bosh, ka këtë shënim: Obiit. Anno Domini 1466 XVI. Kalend. Februar. Ætatis A°. 63. Imperii verò XXIV. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim). Poshtë portretit në hapësirën e fundit, që te faqet e botimeve të tjera është boshe, kemi të shënuar në mes të gjethit të parë dekorues14 dhe menjëherë pas gjethit të dytë dekorues 93, ose më saktë: I4. |SIGNOR . SCANDER BEGO||  93. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim). 

Pra, për herë të parë, në një ksombël të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, gjejmë të shënuar vitin e botimit, 1493. Pos shënimt të vitit të botimit, dhe shënimit sipër portretit, kemi edhe disa ndryshime të tjera në portret, nga botimet e mëvonshme. 

Një ndryshim tjetër janë gjethet dekorative, forma e tyre, para dhe pas vitit 1493, por ndryshim edhe më të rëndësishëm fizik kemi në portetin (gravurën) e Gj. K. Skënderbeut: në këtë botim portreti i Skënderbeut na paraqitet i shtrirë në tërë faqen. Hapësira midis portretit dhe margjinave boshe te ky botim janë fare të vogla, p.sh. ajo poshtë portetit pothuajse nuk ekziston fare. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim).

Ndryshimet në frontespic të  librit të M. Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga ELTE, me botimet e tjera

Frontespici i librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, botim i vitit 1493 që ruhet në Bibliotekën e universitetit Eötvös Loránd (ELTE), të Budapestit, ka ndryshime në tekst. Këto ndryshime, janë vetëm në këtë inkunabulë dhe nuk ndodhen në asnjë prej 32 librave-antikuarë të tjerë të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, të cilat i kemi konsultuar deri më sot. 

Disa nga ndryshimet e frontespicit janë si më poshtë: 

a). Rreshti i 3 i tekstit poshtë titullit, te fjala: Apostolice, është grafema “e” fundit e cila dallon te botimet e tjera; 

b). Në rrreshtin 10 të tekstit te fjala Interprete, grafema e fundit “e” dallon nga botimet e tjera, ku në vend të “e” është shënuar: “a”;

c) Te rreshti i parafundit, në fjalën magnis ndryshon grafema e parafundit e fjalës që është “i” te botimi i ELTE, ndërsa te botimet e tjera është “u”. 

d) Ndryshim tjetër kemi në dimensionet e faqes së frontespicit. 

Pra kemi tre ndryshime të theksuara, të cilat nuk kanë mundur të ndodhin rastësisht apo si gabime të tipografit-shtypshkruesit, por janë dallime të botimit të parë të inkunabulës së librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga viti 1493.

Ndryshimet në kolofon   (faqen e fundit)  të  librit të M. Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga ELTE, me botimet tjera

Përveç ndryshimeve në frontespic, te portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut në f. 4v, libri i Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka ndryshime shumë të rëndësishme edhe në kolofon   (faqen e fundit të librit).

Ndryshimi thelbësor dhe shumë i rëndësishëm është se edhe këtu, për herë të parë e gjejmë të shënuar vitin e botimit ë inkunabulës së Marin Barletit, përkatësisht vitin 1493 me numra romakë: M.CCCC.XCIII. Pra, për herë të dytë, në këtë inkunabulë shënohet viti i botimit në dy forma të ndryshme, gjë e zakonshme kjo edhe për inkunabulat e tjera që na janë ruajtur nëpër biblioteka e arkiva të ndryshme. 

Viti i botimit M.CCCC.XCIII., kësaj radhe është shënuar në f. CLIXv, pra vetëm në këtë ksombël të njohur deri me sot. Shënimi i vitit vjen menjëherë pas vendit të botimit: Rome dhe inicialeve të botuesit: B. V.. Në botimet e mëvonshme nga vitet 1508 dhe 1522, nuk është shënuar fare viti i botimit.

Shënimi i vitit të botimit të inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, për albanologjinë dhe historiografinë shqiptare ka rëndësi të jashtëzakonshme: 

E para, kjo është inkunabula e tretë prej autorëve shqiptarë, të njohura deri me sot. Dy autorët shqiptarë që kanë shtypur inkunabula dhe na janë ruajtur deri me sot janë: Marin Beçikemi dhe Michael Marullus Tarchaniota, Hymni et epigramata. Florenz: Societas Colubris (comp. del Drago), 1497.

E dyta, saktësohet viti i botimit, 1493 i kësaj inkunabule, që është botimi i parë, por kemi arritur të saktësojmë edhe dy ribotime të mëvonshme po të kësaj inkunabule, në vitet 1508 dhe 1522. Ndërsa për vitin 1508, ka pasur shumë hamendësime, sepse shpesh shënohej si vit botimi edhe viti 1510, për vitin 1522, askush deri më sot shprehimisht nuk e ka theksuar si vit të ribotimit të tretë të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. 

E treta, saktësohet se M. Barleti, ka shkruar: “Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis” para librit të dytë të tij, i llogaritur si libër i parë deri me sot: “De Obsidione Scodrensi–ad Serenissimum Leonardum Laurentanum Aristocratiae Venetae principem. Conciones variae a Moumathe Turcharum principe et ab aliis militiae praefectis artificiosae compositae. Libri tres. Venetiis: Bernardinum Vitalibus, 1504, etj.

E katërta, vërtetohet se B. Vitalibus, shtypshkruesi me origjinë shqiptare i veprës në fjalë, e kishte filluar veprimtarinë e tij botuese shumë më herët sesa viti 1494 siç konsiderohet deri më sot nga historianët dhe bibliografët.

Në kolofon   të inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis,nga viti 1493, ka edhe ndryshime të tjera përveç shënimit të vitit të botimit. Disa nga këto ndryshime janë: a) në rreshtin e parë, menjëherë pas fjalës së parë, është shënuar grafema “M” për vitin njëmijë, që nuk është e shënuar të dy ribotimet e mëvonshme nga vitet 1508 dhe 1522. b) ndryshim tjetër kemi në rreshtin e tretë, përkatësisht në fjalën e 5 (pesë) nga e majta, që është shënuar në inkunabulë: “barbam” ndërsa në dy ribotimet nga vitet 1508 dhe 1522 është shënuar: “barbara”. Ka edhe ndryshime të tjera të shumta të cilat lexuesit dhe studiuesit mund t’i gjejnë me lehtësi në faksimilet që po botojmë në vazhdim. Këto ndryshime kanë të bëjnë p.sh. me: shenjat e pikësimit, format e grafemave, madhësinë e tyre, paraqitjen grafike, gjerësinë e margjinave, etj. etj.

Ndryshimet e inkunabulës nga viti 1493 me ksombllat tjera si: filigranes, shenjat e fijve (rrjetës), dimensionet e ksomblave, dimensionet e letrës, pesha (gramatura) e letrës, cilësia e letrës, inicialet

Ndryshimeve të cekura më lartë, ju shtohen edhe disa elemente tjera shumë të rëndësishëm dhe pothuajse të padiskutueshëm, siç janë: filigranes, shenjat e fijeve (rrjetës), dimensionet e ksomblave, dimensionet e letrës, pesha (gramatura) e letrës, cilësia e letrës, inicialet etj. të cilat i kemi analizuar një për një duke bërë krahasimet e duhura në mes të inkunabulës nga viti 1493, me 31 ksomblat tjera nga viti 1508 dhe një ksomble nga viti 1522, të cilat kemi pasur rastin ti studiojmë.

Problemi i përcaktimit të autorësisë dhe të datës së krijimit të një dokumenti të shkruar dhe në këtë kontekst edhe ekzaminimi i një dokumenti të caktuar, është i vjetër po aq sa edhe vetë shkrimi. Megjithatë ashtu si çdo gjë tjetër që ka nevojë për kohë e për maturim, edhe ky aspekt i shkrimit pati nevojë që të kalonte në shkallë të ndryshme evoluimi gjersa të krijohej një sistem i plotë kriteresh dhe vetë ekzaminimi i dokumentit të shndërrohej në një shkencë më vete, që nuk lë më hapësirë për hamendësime në gjykime të këtij lloji.   

Krahas njohurive paleografike, ku dorëshkrimi është kriteri më i njohur dhe gjerësisht i përdorur, për përcaktimin e saktë të datës së një letre-dokumenti, sot përdoren edhe cilësia e prodhimit të letrës (pesha, gramatura), dimensionet, shenjat e fijve (rrjetës), pothuajse të padukshme me shikim normal, dhe filigranes – shenjat e ujit. 

Filigranes apo shenjat e ujit

Filigranes (Watermark, angl.; Wasserzeichen, gjerm.; le filigrane, fren.; filigrani, ital.; filigranos, span.; vodjanoj znak, rus.; vodoznačka, çek.; vodeni znak, kroat.; znaki wodne, pol.; shenjat e ujit, shqip, etj) është figurë, grafemë apo shenjë e dallueshme në letër, që duket qartë vetëm kur pas letrës vendosim një burim drite. Quhet shenjë uji sepse shenja në letër duket sikur ajo pjesë të jetë e lagur nga uji. Shenja krijohet me anë të fijeve të metalit të cilat ngjiten në letër dhe në momentin kur shtypet letra konturet e shenjës (gjurmës, fotografisë, gravurës, grafemës) dalin më të holla për shkak të shtypjes më të madhe që krijohet nga fija e metalit. Është pak a shumë një proces i ngjashëm me punimet e metaleve të çmuara, psh. të floririt, prandaj edhe quhet filigranes. Në fakt, ky term, nuk është gjithpërfshirës, përkundër përdorimit zyrtar, por më afër përmbajtjes së tij është p.sh. termi në gjermanisht “Papierzeichen” (shenjë letre), spanjisht “markas transparentes” (shenjë transparente), italisht “marche, segni,” latinisht “signum” etj. 

Për herë të parë filigranes janë përdorur në Bolonjë në vitin 1282, dhe qëllimi ishte që të letra e prodhuar aty të mos ngatërrohej me letrën e prodhuar gjetkë. Që nga paraqitja e parë e filigranes në vitin 1282, përdorimi i tyre është i pandërprerë si kur prodhimi i letrës bëhej në mënyrë manuale ashtu edhe me aplikimin e teknologjisë shkencore moderne. Në ditët e sotme, filigranes kanë një përdorim të pakontestueshëm në filateli, në kartëmonedha e në dokumente ekskluzivisht shtetërore, etj. 

Të gjitha filigranet e lashta, janë të thjeshta dhe të shenjuara me fije metali dhe nuk paraqesin ndonjë punim estetik me vlerë të veçantë. Me kalimin e kohës, filigranes, përsosen duke arritur një shkallë të lartë saktësie, bukurie dhe cilësie, kombinime të elementeve të shumtë dhe të ndryshëm nga fusha të llojllojshme. Filigranet e shenjuara në letër gjatë shekujve, është e pamundur të fshihen, ndryshohen ose plotësohen, përkundër zhvillimit të shkencës së sotme dhe përdorimit të përbërjeve të ndryshme kimike. Kjo është e veçanta e tyre dhe ajo që i bën të dallueshme për gjatë gjithë historisë që nga aplikimi i parë i tyre e deri në ditët e sotme.

Vendosja e filigranes në letër, ka ndërruar pozicion gjatë historisë shekullore të aplikimt të tyre. Fillimisht filigranes janë vendosur në këndet e letres, poshtë ose lart, pothuajse çdoherë djathtas, e në raste tepër të rrallë vendosej edhe majtas, gjë që ndodhte kur kishte porosi ekskluzive të shtypshkruesve për një gjë të tillë. Nga gjysma e dytë e shek. XV, filigranes filluan të vendosen në mes të letrës (fletës), por nuk përjashtohet edhe aplikimi i tij poshtë e lart në këndet e letrës: filluan pra të aplikohen vetëm tre pozicione të vendojes së filigranes në letër. Në Venedik dhe Gjenovë, që prej shek. XV, filigranes vendosen në këndin e poshtëm të letrës, në atë pjesë që është e pashkruar, përkatësisht në marginë. 

Në vitin 1562, në Gjenevë, botohet një rregullore se ku duhet të vendosen filigranes. Në të thuhet saktësisht se duhet të praktikohet kryesisht vendosja e filigranes në njërin kënd: poshtë ose lart dhe gjithmonë djathtas, që të mos pengohen teksti, ilustrimet, inicialet, tabelat etj, e dorëshkrimeve, dokumentave dhe ilustrimeve. Në kohët moderne, filigranes vendoset në pozicione të ndryshme, sipas funksionit dhe qëllimit që ka, por dominon aplikimi i tij në mes të faqes, ku shpesh shenohen edhe inicialet ose emri i prodhuesit.

Zgjedhja e paraqitjes së simboleve të ndryshme të filigranes nuk ishte punë e lehtë për prodhuesit e letrës, përkundrazi, kërkohej mjeshtri por edhe përgjegjësi e plotë e tyre, sepse paraqitja e një elementi simbolik, kishte vlerë alegorike dhe dykuptimësia e tij shpesh mund të sillte probleme dhe keqkuptime. Ka raste kur në shenjat e filigranes janë vendosur simbolet e shoqërive të fshehta, urdhërave fetarë, dhe organizatave të ndryshme. Simboli më i vjetër deri sot i njohur i filigranes, ai që daton nga viti 1282, është fetar, monogrami i kryqit, element ky që vazhdoi të ishte shumë i shpeshtë deri në fund të shek. XV, pothuajse te të gjithë prodhuesit e letrës që aplikonin filigranes. Po ashtu “numri 4” është element i shpeshtë i periudhës që përfshin shek. XIII-XV, numër ky që përdorej për të shënuar armët, kafshët etj, por edhe si monogram i shkurtër për fjalinë: “in hoc signo vinces.” Përkundër të gjitha funksioneve të tjera, pothuajse të gjithë specialistët, studiuesit dhe historianët janë të mendimit se përdorimi i filigranes në letër, ka funksion dallues dhe mbrojtës të prodhuesit, për të shmangur keqpëdorimet e ndryshme si dhe si element garantues për cilësinë dhe në të njëjtën kohë si moment kyç për saktësimin e datimit të vitit të letrës. Shenja të tilla mbrojtëse nuk janë karakteristikë vetëm e letrës, por edhe e prodhimeve të tjera të ndsyhme, artizanale, por edhe seriale. 

Në manuscripte, dokumenta dhe libra të shypur, jo rrallë ndeshim në dy apo më shumë filigranes! Një gjë e tillë, sipas specialisteve të filigranologjisë, ka ardhur si pasojë e përdorimit të dy apo më shumë llojeve të letrës së prodhuara nga fabrika të ndryshme. Një veprim të tillë, përdorimin e disa lloj letrash të ndryshme, botuesi e ka bërë me qëllim që të krijonte një mbrojtje të dyfishtë për produktin e tij (dorëshkrimin, dokumentin apo librin) ose me kërkesen e autorit. Ka edhe raste kur një veprim i tillë ka ardhur nga pakujdesia e punëtorëve gjatë transportimit të letrës nga depot e shtypshkronjës. Një tjetër moment është edhe paraqitja e të njëtit simbol filigranes, por në forma dhe dimensione të ndryshme! Për raste të tilla mendohet se kemi të bëjmë, kur një prodhues ka përdorur mjeshtra të ndryshëm të shënjimit të filigranes gjatë prodhimit të letrës. Secili nga këta mjeshtra e ka realizuar simbolin e dhënë për filigran në mënyrën e tij. Natyrisht, që gjatë punës së tyre, prodhuesit e letrës kanë përdorur disa lloj filigranes, për cilësi të ndryshme letre, si shenja dalluese për punën e tyre profesionale. Të dyja rastet e mësipërme, si atë të një libri me më shumë se një filigranes në fletët që e përbëjnë atë, ashtu edhe filigranes të njejtë por me realizim e dimensione të ndryshme i ndeshim te libri i Marin Barletit, Historia de vita…. Edhe rastin e tretë atë të filigranes të ndryshme për cilësi të ndryshme letre e ndeshim te historia e Skënderbeut e M. Barletit, ku më shumë se një herë na paraqitet letër me peshë të ndryshme në gramaturë.

Filigranes gjatë historisë

Filigranes në librat e shtypur ndeshen për herë të parë në Angli dhe Gjermani. Botuesi i parë që i përdori filigranet në botimet e tij ishte anglezi Caxton, nga fundi i shek. XV shkruan Jon Lewis, në vitin 1737, edhe ky i pari studiues që merret me historinë e filigraneve. Ndër gjermanët debati shkencor për filigranes filloi në vitin 1736 me J. Hering i cili shkruan studimin e tij “Unvorgreifliche Gedanken.” Lewis, boton 20 shenja filigranes, të cilat ribotohen nga Joseph Ames në vitin 1749 dhe W. Herbert në vitin 1785. Në Zvicër, për filigranes i pari debaton Samuel Engel në vitin 1741. 

Interesi për shenjat e filigranes rritet në fundshekullin e XVIII, dhe veçanërisht, për librin e shtypur, për të saktësuar vitin e botimit të parë, të dytë apo të tretë të një libri. Nga kjo kohë shquhen punimet e Breitkopf 1784, Sir John Fen 1787, Schwartz 1793, Samuel Denne 1795, Camus 1799, Fischer 1801, Koning 1816, etj. 

Koleksioni i parë i rëndësishëm i shenjave filigranes botohet në Paris në vitin 1808, nga Jansen dhe përmban 287 fotografi (skica, ilustrime, por edhe fotografi origjinale) të filigranes, të cilat ishin të zvogëluara dhe jo në formatin origjinal të tyre. Samuel Denne, është i pari që bëri datimin e dokumentave në bazë të filigranes (S. Denne, Observations on Papers, 1795), për ta vazhduar Goth Fischer (G. Fischer, Beschreibung typographischer Seltenheiten, 1801) dhe A. Ebert në vitin 1820 (A. Ebert, Die Bildung des Bibliotekars, Leipzig). Ndërsa te rusët është I. Laptev, që debaton për filigranes, në vitin 1824, duke nxjerrë 145 shenja filigranes për periudhën kohore 1439-1700. 

Përfundimisht në shek. XIX fillojnë të bëhen kërkime dhe hulumtime shkencore për filigranes dhe nga kjo kohë kemi botime të koleksioneve shumë të mëdha dhe tepër të rëndësishme për këtë shkencë të re. Hassler në vitin 1844 dhe F. Gutermann në vitin 1845 debatojnë për prodhimin e letrës së vjetër të lanenog-it. Po në vitin 1844, rusi K. Tromonin, boton një koleksion të jashtëzakonshëm filigranes prej 1.493 shenjash, ku 287 i kishte përshkruar nga Jansen-i, ndërsa në vitin 1845, Sotheby, boton koleksionin prej 600 filigranes, duke i plotësuar ato në vitin 1868 (Londër) edhe me 500 shenja të reja filigranes. Botimet e koleksioneve vazhdojnë, kështu në vitin 1868, francezët Midoux e Matton botojnë 600 filigranes nga dokumentet e shek. XIV-XV që ruheshin në arkivat franceze; holandezi Stoppellar në vitin 1867 boton 265 filigranes dhe belgët Piot e Pinchard, në vitin 1872, botojnë 1.544 shenja nga arkivat belge. Në vitin 1881, A. Zonghi, përfundon koleksionin e tij të filigranes të cilin e paraqet në një ekspozitë në vitin 1884. Ky koleksion, shumë i rrallë dhe i veçantë, përbëhet nga 1.887 shenja filigranes për 306 vitet e prodhimit të letrës në Fabriano të Italisë. 

Gjatë këtij shekulli, Franca ishte qendra e debateve dhe botimeve të veçanta për shkencën e filigranes, ku veçojmë: Ch. M. Briquet-in, i cili merret me studime të specializuara për historinë e letrës dhe atë për fillimet dhe përbërjën e saj, që nga koha e përdorimit tek arabët, e ashtuquajtuara “bombicine” për të cilën më parë ishte menduar se është prodhuar nga pambuku, por Briquet (dhe austriaket J. Karabaček e J. Wiesner, në të njëjtën kohë, por në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri), arrin të dëshmojë se ajo ishte prodhuar nga fijet e litarit, sikurse më vonë edhe letra europiane. Me vlerë është edhe studimi për prodhimin e letrës në lindje në shek. X-XIV, me një teknikë tjetër nga ajo e mëvonshmja në perëndim, dhe ishte vetëm teknika e re e perëndimit e cila mundësoi që të viheshin në letër shenja filigranes, në vitin 1282, pra fundshekulli i XIII, etj. 

Studimet e filigranes janë të ndara në tre kategori sipas specifikave të ngushta: a) sipas kriterit regjional, b) sipas ikonografisë së filigranes dhe c) sipas kronologjisë. 

a). Sipas kriterit të parë, atij regjional, elementi më i rëndësishëm është historia e prodhimit të letrës në vende të ndryshme, duke studiuar specifikat e veçanta të çdo vendi veç e veç si dhe elementet e përbashkëta me vende të ndryshe. Rezultate inkurajuese janë arritur veçanërisht në: Zvicrër, Itali, Francë, Poloni, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Austri, Rusi, Hungari, Kroaci, etj. 

b). Sipas kriterit të dytë, atij ikonografik, del që studimi i filigranes është i pamundur nëse nuk analizohen dhe studiohen shenjat e veçanta në letër, p.sh. figurat e ndryshme të kafshëve, shpezëve, por edhe ato abstrakte dhe të tjera të veçanta, p.sh, çelsi, numrat, grafemat, etj. 

c). Kriteri i tretë, ai i kronologjisë, ka rëndësi parësore, sepse përmes tij mund të përcaktohet viti i futjes në përdorim të një shenje – filigranes të veçantë, duke gjetur pastaj, vendin, por edhe duke zbërthyer ikonën dalluese. Elementi i kronologjisë, përdoret shumë shpesh te datimi dhe përcaktimi i elementeve të tjera tek inkunabulat duke saktësuar vitin e botimit, përkatësisht të prodhimit të letrës, pastaj vendin e prodhimit ose edhe prodhuesin konkret, deri te i cili arrijmë përmes ikonës së caktuar, të cilën ai prodhues e ka përdorur në vitin e caktuar, gjatë prodhimit të letrës, si shenjë mbrojtëse për punën e tij dhe në anën tjetër si dëshmi cilësie dhe profesionalizmi.

Për studimin e filigranes në inkunabula është me rëndësi studimi i Heitz-it (1902-1903), i cili sjell shenja nga inkunabulat origjinale që ruhen në Strasburg si dhe nga ato që ruhen në Bazel (1904), duke aplikuar metodën kritike krahasuese dhe në duke ballafaquar të gjitha filigranes e njohura deri në atë kohë, qofshin ato në manuscripte, dokumenta apo inkunbaula të ngjajshme. 

Dimensionet dhe pesha (gramatura) e letrës

Përveç filigranes, një rëndësi të madhe në ekzaminimin e dokumenteve zënë edhe pesha dhe dimensionet e letrës. Pesha është njëri prej elementeve rëndësishme, dhe i domosdoshëm për njohjen dhe datimin e letrës. Ky element është i rëndësishëm posaqërisht për mesjetën kur, prodhimi i letrës ishte ende shumë specifik dhe mjaft i rrallë, veçanërisht kur ndryshimet në llojet e letrës paraqiten në momente të ndryshimeve të mëdha historike dhe aplikimit të prodhimit serial me teknologji të re më të avancuar të këtij produkti. Ndryshimet më të mëdha janë vërejtur te mënyra e prodhimit të letrës te kinezët, arabët dhe europianët në lashtësi, përderisa në kohët e mëvonshme kjo gjë vërehet te prodhimi modern i letrës me aplikimin e elementeve të celulozës së drurit aty kah mesi i shekullit XIX. Gjatë prodhimit të saj në periudha të ndryshme historike, dimensionet e letrës jo gjithherë mund të ndiqen me sukses, por, megjithatë, ekzemplarët e ruajtur deri në ditët e sotme na mundësojnë të nxjerrim konkludime të sakta dhe preçize. 

Është fakt i njohur se dimensionet e letrës gjatë procesit të prodhimit nuk janë absolute, por ndryshojnë për shkak se gjatë tharjes dhe përpunimit të shtresave të saj me ngjitës, ato mund të lëvizin, përkatësisht të tkurren deri në 3 cm nga dimensioni normal. Te prodhimi arab i letrës, janë të njohura nëntë dimensione të vogla nga 14 x 21.3 cm deri te prodhimi “gjigand” i ashtuquajturi “Tumara” ose i “Bagdadit” që kishte dimensione maksimale 73.3 x 109.9 cm. Dimensionet e letrës në Evropë gjatë shekujve nuk kanë ndryshime të tilla ekstreme. Ato janë kryesisht brenda kufijve “normal” dhe deri në shek. XVIII, nuk kishte dimensione më të vogla se 23 x 35 cm dhe jo më të mëdha se 50 x 74 cm. Si ilustrim po përmendim rastin e prodhimit të letrës në Borgo Polese, paralagje e Bolonjës në Itali, ku na janë ruajtur katër lloje dimensionesh të letrës që ka përdorur shtypshkronja e njohur “Merlani” deri në fund të shek. XV. Këto dimensione na janë ruajtur në një pllakë mermeri gri, në të cilën janë gdhendur katër katërkëndësha ku në çdonjërën janë të shënuara këto dimensione së bashku me emrin përkatës të dimensionit: a) Imperial (perandorak) 50 x 74 cm; b) Realle (mbretëror) 44, 5 x 61,5 cm; Mecane (i mesëm) 34,5 x 51,5 cm dhe Recute (i voglë) 31,5 x 45 cm. Specialistët mendojnë se dimensioni Mecane (i mesëm) është më i lashti dhe në dimensionet e tjera Realle (mbretëror) dhe Recute (i vogël) ndeshim “vetëm” në vitin 1310 për herë të parë. Ndërsa dimensioni Imperial (perandorak) ndeshet në vitin 1379, por në përdorim shumë të kufizuar, dimensioni i Mecane (i mesëm) për herë të parë dëshmohet në vitin 1390. 

Për ne shqiptarët ka rëndësi Venediku, ku dimensionet e letrës ishin ato të lashtat edhe në fund të shekullit XV, dhe fillim të shekullit XVI, ato ishin 32 x 44 cm me shenjën filigranes në këndet e djathta të letrës. Në këtë kuadër, theksojmë p.sh. në Francë, me 18 shtator të vitit 1741, janë të rregjistuara në “Conseil d’Etat” 53 lloje dimensionesh, 25,7 x 35,8 cm minimali dhe 67 x 98,8 cm maksimali. Edhe për vendet e tjera europiane prodhuese të letrës, kemi pothuajse dimensione të njëjta pa ndryshime të theksuara.

Shenjat e fijve (rrjetës)

Shenjat e fijve (rrjetës) janë njëri ndër elementet më të rëndësishëm për datimin e letrës, sepse ato ndryshojnë në etapa të caktuara kohore dhe mund të përcillen pa ndonjë vështirësi të madhe. Ky element shenjohet në letër me vija horizontale paralele, dhe filigranes gjendet në mes të tyre ose mbi to. Zakonisht janë të shënuara njëzet vija të tilla, e në disa raste kur dimensionet janë të vogla ka “vetëm” 10 “pontuseaux ose ponticelli” të tilla. Gjatë shek. XIV, “pontuseaux ose ponticelli” në dimensionet normale (31,5 x 45 cm) ishte i shënuar me 7 deri 10 vija me një largësi prej njëra-tjetrës nga 4,5 deri në 6 cm. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe fillimit të shek XV, “pontuseaux ose ponticelli-n” i ndeshim me nga 10 deri 14 vija me një largësi prej 2,8 deri në 4 cm (Ksombla e Marin Barletit që ruhet në BKT dhe ajo te Pacollët ka 12 vija  me një largësi prej 2.8 cm); kurse në gjysmën e dytë të shek. XV, dhe fillimin e shek. XVI,  ndeshim 20 deri 24 “pontuseaux” me një largësi prej 1,8 x 2,5 cm. Sa më shumë “pontuseaux” të ketë letra, është shenjë se ajo është e cilësisë së lartë, ndërsa te dimensionet e mëdha, numri i “pontuseaux” është i njëjtë ndërkohë që rritet largësia në mes vijave.

Veprimtaria botuese e Bernardinus de Vitalibus

Veprimtaria botuese e Bernardinus de Vitalibus fillon në vitin 1480 e jo 1494

Përkundër informacioneve që gjenden në të gjitha bibliografitë dhe katalogjet e specializuara të autorëve me eminentë botërorë, për vitin e fillimit të veprimtarisë botuese të Bernardinus de Vitalibus, ne me sigurinë më të madhe, korrigjojmë datën e deritanishme, vitin 1494, si vit i fillimit të shtypshkrimit të librave nga ky botues. Data e saktë është viti 1480. 

Në këtë vit (1480), Bernardinus de Vitalibus botoi inkunabulën e autorit: Arnaldus de Villanova: Regimen sanitatis Salernitanum.Venetiis: Bernardinus de Vitalibus 1480, e cila ruhet në fondet e bibliotekës së Vienës “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ me signaturë JB 6402. Kjo është njëra nga 16 inkunabulat që ruhet në fondet e “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ dhe njëra nga gjashtë inkunabulat e kësaj biblioteke që janë shtypur në Venedik. Informacionin e parë për ekzistimin e kësaj inkunabule e kemi shënuar nga: Georgii Vvolfgangi Panzer, Annales typographici ab artis inventae origine ad annum MD Maittairii Denisii aliorumque doctissimprum virorum curas in ordinem redacti emendati et aucti. Opera Georgi Vvolfgangi Panzer, Capituli eccles. Catheral. ad D. Sebald. Norimberg. Praepositi Societatis Florigerae ad Pegnesum praesidis. Volumen Tertium. Norimbergae: Impensis Joannis Eberhardi Zeh, Bibliopolae, 1745, vëll. III, f. 158, nr. 464, për ta përforcuar me vonë edhe me linkun: http://www.b2i.de/fabian?Geschichte_Der_Medizin_(Wien). Për të qenë të sigurtë, në pamundësi që fizikisht ne vetë të konsultojmë fondet e bibliotekës së lartëcekur, ju drejtuam me një letër më 18 dhjetor 2009 zonjës Linda Aksan përgjegjëse për informacion në “Universitätsbibliothek der Medizinischen Universität Wien,” dr. Linda Aksan, e cila shprehimisht na shkruan: “S. g. Herr Ahmeti, ich habe soeben nachgesehen. leider haben wir die von Ihnen gewünschte Arbeit nicht in unserer Bibliothek aufliegen, weder in Buchform noch in Zeitschriftenform”, pra marrim një përgjigje negative. Duke menduar se W. Panzer dhe faqja zyrtare e vetë bibliotekës nuk mund të sjellin informacione të gabaura, ne ju drejtuar edhe një herë zonj. Linda Aksan me një letër të dytë me 23 mars 2009, duke e lutur të shikojë me vëmendje fondet e inkunabulave të bibliotekës ku punonte dhe duke i ofruar informacionet që kishim ne. Me 24 mars 2009, marrim një përgjigje tjetër, në të cilërn dr. Brigitte Kranz, na konfirmon ekzistimin e inkunabulës së shtypur nga Bernardinus de Vitalibus më 1480, duke na dhënë edhe singantrurën e saktë JB 6402 si dhe duke na premtuar se brenda disa ditësh do na dërgonte riprodhimet e frontespicit dhe të kolofon  it të kësaj inkunabule. Ne shfrytëzojmë rastin që dr. Brigitte Kranz, ta falënderojmë publikisht për ndihëm e ofruar.

Qëllimisht deri në hollësi përshkruam informacionet për këtë inkunabulë, në dukje të parë edhe jo shumë e rëndësishme për ne! Por, në anën tjetër, kjo ka rëndësi të veçantë, për shkak se botuesi i inkuabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, tani na del në plan të parë, duke eliminuar një moment shumë të rëndësishëm, fillimin e veprimtarisë së tij botuese, me 1480, e jo më 1494, sikur që ishte menduar deri me tani. Pra, inkunabula jonë, nuk është e para, por është e katërta me radhë te botimet e B. Vitalibus. Inkunabula e dytë është ajo e John Estwood, Summa astrologlae judiclalis. Venice: Bernardinus de Vitalibus, 1489, (për më shumë informacion shih: Stillwell, R. 72.), ndërsa inkunabula e tretë është me autor: Fran Lucijan Gundulić, Baptistinus. Venetiis: Bernardinus de Vitalibus, 1490, dhe ruhet në Biblioteken Kombëtare dhe Universitare të Zagrebit, sektori i inkunabulave, dorëshkrimeve dhe librit të rrallë. Ne këtë inkunabulë e kemi konsultuar dhe ka disa ngjajshmëri me inkunabulën tonë, veçanërisht te katër iniciale. Pra, janë tre tituj inkunabulash, që i paraprijnë, inkunabulës së katërt nga viti 1493, të Marinus Barletius, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Impressum Rome per B. V. A.o M. CCCC. XCIII.

Qytetet në të cilat ka zhvilluar veprimtarinë e tij botuese Bernardinus de Vitalibus

Siç e cekëm edhe më lartë, veprimtaria botuese Bernardinus de Vitalibus, filloi në vitin 1480 në Vendik, ku shtypi edhe 2 inkunabula të tjera dhe në vitin 1493, Bernardinus de Vitalibus lenë Venedikun për të ka shkuar në Romë, ku shtypi inkunabulën e Marin Barletit Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. 

Ecejaket e B. Vitalibusit nga Venediku në Romë e anasjelltas dhe qytete të tjera italiane janë të dokumentuara saktësisht: në nëntor të vitin 1493, kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në korrik të vitit 1507; në shtator të vitit 1507 e gjejmë përsëri në Romë, ndërsa në nëntor po të vitit 1507 kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në qershor të vitit 1508; në fund të qershorit të viti 1508, kthehet në Romë ku qëndron deri në fund të nëntorit, për të shkuar në dhjetor po të vitit 1508 në Napoli; në shkurt të vitit 1509, kthehet prapë në Venedik për të qëndruar aty deri në dhejtor të vitit 1515. Në Romë e gjejmë po ashtu gjatë vitit 1516, përkatësisht nga janari deri në dhjetor. Ndërsa në fillim të vitit 1517 e gjejmë në Venedik, ku qëndroi deri prill të vitit 1521. Në Rimini e gjemë në dhjetor të vitit 1521, ndërkohë që në Romë qëndroi gjatë tërë vitit 1522, përkatësisht nga fillimi i janarit e deri në fund të dhjetorit. Përfundimisht kthehet në Venedik në janar të vitit 1523 ku qëndroi derisa vdiq në vitin 1539.

Veprat e botuara për 51 vite të Bernardinus de Vitalibus

Gjatë veprimtarisë së tij si shtypëshkrues-botues (tipograf), për 56 vite me radhë, B. Vitalibus botoi 152 tituj të njohur deri me sot. Për ta disponojmë të dhëna të sakta, si për vendndodhjen, bibliotekën, arkivin ose koleksionin privat të tyre, poashtu /signaturën/ dhe të dhëna tjera, si titulli, kopertinat, frontespicet, kolofon  ët, ilustrimet, inicialet, gravurat, portretet… etj. 

Prej këtyre 152 titujsh, 74 janë inkunabula të botuara deri më 31 dhjetor të vitit 1500, dhe sipas vitit venedikas deri më 31 mars të vitit 1501. Të gjitha këto inkunabula si dhe pjesa tjetër prej 78 titujsh të librave antikuarë-rarae nga viti 1500 deri më 1536 (kur Vitalibus botoi edhe librin e fundit) janë të ruajtura në biblioteka e arkiva të ndryshme. 

Siç vërehet Bernardinus de Vitalibus ka botuar një numër të jashtëzakonshëm inkunabulash, 73 tituj, dhe diçka më shumë libra antikuarë, ku 4 nga këto nuk kanë vit botimi, por kanë vendin e botimit. Nëse shohim numrin e veprave të botuara sipas viteve, qofshin ato inkunabula apo libra të rrallë-antikuarë do të kishim këtë pasqyrë: trembëdhjetë herë boton nga një titull në vit, përkatësisht në vitet: 1480, 1489, 1490, 1493, 1513, 1514, 1517, 1518, 1523, 1524, 1526, 1532, 1534; ndërsa shtatë herë boton dy tituj në vit: 1495, 1506, 1509, 1522, 1529, 1533 dhe 1536; kurse tre tituj në vit ka botuar pesë herë dhe përkatësisht në vitet 1504, 1519, 1521, 1531 dhe 1535; ndërsa katër herë në vit botoi katër tituj: në vitet 1503, 1505, 1507 dhe 1525; po ashtu shtatë tituj ka botuar katër herë në vitet 1494, 1499, 1502 dhe 1508; ndërsa tetë tituj ka botuar vetëm një herë, në vitin 1501. Vitet më të frytshme të veprimtarisë botuese-shtypëshkruese të B. Vitalibusit kanë qenë viti 1500 kur boton njëzetë e gjashtë inkunabula dhe kulmin e arriti në vitin 1498 kur botoi njëzetë e tetë inkunabula, ndërsa për katër tituj siç cekëm më lart, nuk dihet viti i botimit. 

Megjithatë ka pasur vite kur Bernardinus de Vitalibus nuk ka botuar asnjë titull. Të marra së bashku këto vite shtrihen në periudhën nga viti 1480 deri në vitin 1536 dhe janë gjithsej njëzet e dy vite, të cilat janë si vijon: 1491, 1492, 1496, 1497, 1510, 1511, 1512, 1515, 1516, 1520, 1527, 1528 dhe 1530. Nuk kemi ndonjë informacion për arsyet e mungesës së aktivitetit botues në këto vite, por mund të supozojmë se njëra ndër pengesat për këtë kanë qenë lëvizjet e shpeshta nëpër qytete të ndryshme italiane ose shtërngesat financiare, edhe pse Bernardinus de Vitalibus, botonte vepra të autorëve shumë të njohur të kohës së tij, apo vepra të autorëve klasikë.

Mënyra e firmosjes e Bernardinus de Vitalibus në veprat që ka botuar ai në 

vitet 1489-1536

Në të gjithë titujt e inkunabulave dhe librave të rrallë-antikuarë që kemi konsultuar ne, por edhe nga literatura e shumtë e shfrytëzuar, kemi saktësuar mënyrën se si firmoste B. Vitalibus në librat që shtypte vetë. Këto forma janë: B. de Vitalibus; B. V.; Bernardin di Venezia; Bernardin Vinitian; Bernardini de Vitalibus; Bernardino da Veneto; Bernardino da Venezia; Bernardino de Vidali; Bernardino di Vitale; Bernardino di Vitalli; Bernardino Veneto de Vitalibus; Bernardino Veneto; Bernardinus Venetus; Bernardino Veneziano; Bernardinus de Vitalibus; Bernardino Vitale; Bernardino Vitale; Bernardinus Albenesotus; Bernardinus de Vitalibus; Bernardinus Venetus de Vitalibus; Bernardinus Venetus; Bernardinus Vitalis dhe në vitin 1498 firmoset: Bernardinvm et Mathevm Venetos. Qvi vvulgo dicvntvr li Albanesoti. (Shih ilustrimet që po i bashkangjisim këtij shkrimi). Pos firmosjes me grafema, ne shume raste, B. Vitalibus, firmoste edhe ane te simboleve-figurave te veçanta. Deri me tani na jane te njohura 6 menyra te tilla te firmosjes, tre ne inkunabula dhe tre te tjera ne libra te rralle-antikuare.

Filed Under: Komente

MISSIONARY HERALD (1912) / SHQIPËRIA NË LUFTËN BALLKANIKE — NJË INTERVISTË ME KRISTO ANASTAS DAKON

January 19, 2024 by s p


Zoti dhe zonja Dako. — Zonja Dako ishte zonjusha Sevasti Qiriazi, dikur drejtuese e Shkollës së Vashave në Korçë, tani e drejtuar nga Bordi Amerikan. — Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564
Zoti dhe zonja Dako. — Zonja Dako ishte zonjusha Sevasti Qiriazi, dikur drejtuese e Shkollës së Vashave në Korçë, tani e drejtuar nga Bordi Amerikan. — Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2024

“Missionary Herald” ka botuar, në dhjetor të 1912, në faqet n°561 – 564, intervistën e patriotit, edukatorit dhe autorit Kristo Anastas Dako mbi situatën e kombit tonë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria në Luftën Ballkanike

Një intervistë me z. Kristo A. Dako

Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564
Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564

Z. Dako, emri dhe puna e të cilit në lidhje me Misionin e Bordit Amerikan në Shqipëri nuk janë të panjohura për lexuesit e “Misionary Herald”, është tashmë një mërgimtar në këtë vend dhe student i diplomuar në Kolegjin Oberlin. Një njeri me mençuri të pjekur, që flet dhjetë gjuhë, i ditur në çështjet e përfshira të asaj toke të shumë racave dhe feve, z. Dako është në gjendje të flasë me autoritet mbi një temë me interes të sotëm, për të cilën ka shumë konfuzion mendimi. Falë fakultetit të Kolegjit Oberlin, Missionary Herald është në gjendje t’ua prezantojë këtë artikull aktual lexuesve të tij. — Editori.

“Në çdo diskutim për krizën ballkanike, një pikë duhet bërë e qartë. Aktualisht, elementi më i rëndësishëm i Turqisë Evropiane është elementi autokton shqiptar. Megjithatë, turqit nuk do të pranojnë kombësinë e dallueshme të shqiptarëve, as grekët, as italianët dhe bullgarët, megjithëse Kançefi (Kantchef) vlerëson popullsinë shqiptare në Maqedoni në 124.000 frymë, ndërsa statisticieni serb, Gobsheviç (Gobchevitch), e vendos totalin në 165.000 frymë.

Tani ju pyesni për shkaqet e shqetësimit aktual. Për çfarë po lufton Shqipëria ? Nën Sulltan Hamidin II popullit tim iu ndalua të shkruante apo të lexonte në gjuhën e tij amtare. Filluam të formojmë organizata politike në Bukuresht, Sofje, Kajro dhe Boston dhe kur filloi lëvizja xhonturke, përfaqësuesit e tyre komunikuan me organizatën tonë. Kjo është shumë zbavitëse tani, sepse, përkundër mohimit grek dhe turk se populli ynë ekziston, pëlqimi ynë (mos harroni se ne jemi elementi më i madh kombëtar në Turqinë Evropiane) ishte absolutisht i nevojshëm për suksesin xhonturk. Ne ishim të ftuar të bashkoheshim kundër Hamidit. Na u premtua liri e plotë arsimore dhe fetare, dhe u tha se myslimanët do të ndërtonin rrugë nëpër krahinën tonë dhe do të ngrinin shkolla dhe spitale për ne. Prandaj, dhe kjo është e njohur në qarqet diplomatike evropiane, por nuk shfaqet në dërgesat amerikane, 100.000 njerëz të mi u mblodhën në Ferizaj dhe i dërguan një telegram Sulltan Hamidit, duke thënë : “Ne jemi pro Kushtetutës. Nëse nuk e jepni, ne do të marshojmë drejt Kostandinopojës.” Menjëherë pas kësaj, bota mësoi se xhonturqit kishin pasur sukses dhe se Kushtetuta ishte një fakt i vërtetë, por kabllogramet nuk përmendnin ata përmes të cilëve kishte ardhur në të vërtetë suksesi.

Dhjetë muaj pas Kushtetutës xhonturqit filluan të thyejnë premtimet e tyre ndaj nesh, dhe është një çështje e njohur sesi Turgut Pasha u dërgua kundër Malsorëve, fisit të famshëm malësor shqiptar që jetonte në kufirin malazez. Mizoria e Turgutit në këtë fushatë solli përfundimisht dorëheqjen e tij, në realizimin e së cilës pata privilegjin të merrja pjesë. Më lejoni t’ju tregoj diçka që kam parë. Populli im është i ndarë në fise, secili jeton nën udhëheqësin (bajraktarin) e vet dhe udhëheqja është e trashëguar. Kur babai bie në betejë, djali i madh e merr flamurin dhe kështu me radhë derisa të mos jetojë asnjë mashkull; pastaj gruaja e shefit të parë merr flamurin. Mirëpo, në një nga fushatat kundër Turgut Pashës, të gjithë pjesëtarët e fiseve shqiptare kishin rënë. Gruaja e shefit mori komandën dhe qëndroi në këmbë për dymbëdhjetë ditë. Me duart e veta vrau shtatëmbëdhjetë turq. Ajo u kap nga oficerët turq dhe vdiq, por jo para se t’i prisnin veshët, hundën, ta kishin verbuar – nuk mund të hyj në detaje të mëtejshme. I shkrova në shenjë proteste gazetës kryesore shqiptare, Bashkimi Kombit, që do të thotë “unification of the nation.” Artikulli im u riprodhua në shtypin gjerman, francez dhe anglez. Atashenjtë ushtarakë turq në Gjermani u kritikuan ashpër dhe unë u arrestova në Elbasan dhe më mbajtën me zinxhirë në një udhëtim gjashtëditor me kalë deri në Gjakovë. Pas një jave më lanë të lirë, sepse sigurisht që nuk mund të bëhej asnjë akuzë e rregullt kundër meje. Por menjëherë u zhdukën të gjitha gazetat tona, u konfiskua Bashkimi Kombit dhe na u mbyllën shtypshkronjat. Kombinimi i këtyre elementeve shkaktoi lëvizjen e madhe Malësore të vitit 1911, që është fara e gjithë situatës aktuale.

Dr. Mustafa Hilmi Leskoviku ose Muço Qulli (Redaktor i Dritës, “The Light”, një gazetë shqiptare) me veshjen e Shqipërisë Veriore — Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564
Dr. Mustafa Hilmi Leskoviku ose Muço Qulli (Redaktor i Dritës, “The Light”, një gazetë shqiptare) me veshjen e Shqipërisë Veriore — Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564

Pikërisht në maj të këtij viti z. Charles R. Crane, nga Çikago, erdhi tek unë në Manastir dhe më kërkoi ta drejtoja përmes Shqipërisë. Ne vizituam qytetet e rëndësishme dhe z. Crane i bëri shumë përshtypje gjithçka që munda t’i tregoja. Një ditë në burgun ushtarak të Shkodrës pamë dy gra udhëheqëse fisesh. Ato kishin udhëhequr popullin e tyre në betejë. Njëra vuante nga thyerja e krahut, tjetra nga thyerja e kofshës. Atyre iu mohua ndihma mjekësore dhe u rrahën para gjykatës së burgut. Z. Crane u kthye nga unë dhe më tha: “Kjo është një fyerje kundër qytetërimit të krishterë.” Unë u futa në burg si person i dyshimtë dhe sikur z. Crane të mos më kishte qëndruar pranë dhe të përdorte ndikimin e tij mbi guvernatorin vendas, ose valiun, do të isha dënuar përjetësisht. Pas udhëtimit tonë z. Crane deklaroi se ai i konsideronte shqiptarët si popullin më të shquar të Perandorisë Turke dhe se ata meritonin në çdo mënyrë ndihmën e botës së krishterë për të ndjekur çështjen e tyre. Mund të shtoj se për mendimin tim Europa i detyrohet Shqipërisë më shumë sesa e kupton ajo, sepse nëse gjenerali ynë Skënderbeu nuk do t’i kishte kontrolluar myslimanët në gadishullin Ballkanik, ata do të kishin shkuar në Vjenë dhe do ta kishin mbajtur Evropën Qendrore në mëshirën e tyre; por Skënderbeu mundi turqit në njëzet e dy beteja dhe mbajti nën kontroll hordhinë myslimane, duke i dhënë Evropës kohën e nevojshme për të zhvilluar qytetërimin e saj.

Kur z. Crane u largua, ai më dha 10.000 kurona austriake për të punuar në mesin e refugjatëve në Podgoricë në Mal të Zi, dhe ra dakord të mbështeste gjashtë djem në Kolegjin Robert (Robert College) dhe gjashtë vajza në Kolegjin Amerikan në Kostandinopojë, ku ata do të trajnoheshin për punë të veçanta në të gjithë vendin. Ishte privilegji im të përzgjidhja këta student (nxënës) dhe kolegët e mi ranë dakord se asgjë më domethënëse se kjo nuk mund të bëhej për lëvizjen kombëtare shqiptare. 

Tri vajza nga Elbasani. Ajo në të djathtë mbështetet në Kolegjin Amerikan për Vasha në Konstandinopojë nga Charles R. Crane, nga Çikago. Ajo trajnohet për të shërbyer në Shqipëri — Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564
Tri vajza nga Elbasani. Ajo në të djathtë mbështetet në Kolegjin Amerikan për Vasha në Konstandinopojë nga Charles R. Crane, nga Çikago. Ajo trajnohet për të shërbyer në Shqipëri — Burimi : Missionary Herald, dhjetor 1912, faqe n°561 – 564

Ju po më kërkoni gjykimin tim për gjërat më të rëndësishme në këtë moment. Së pari, më duhet të them se shqiptarët nuk e marrin parasysh interesin që pretendojnë të kenë bullgarët, serbët, grekët dhe malazezët për autonominë e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Populli im e di shumë mirë se çështja reale nuk është autonomia e Maqedonisë dhe Shqipërisë, por dhënia e territoreve atyre që protestojnë kundër miqësisë sonë. Prandaj, nëse lind nevoja, shqiptarët do t’i ndihmojnë turqit, jo sepse e duan Turqinë – duhet ta them qartë këtë – por sepse duhet të mbajnë kontrollin e territorit të tyre. Ne e shohim Anglinë si aleaten tonë më të fortë aktualisht, sepse Anglia ka qenë mikja jonë dhe nuk ka asnjë interes për Shqipërinë. Ne i besojmë asaj më shumë se çdo Fuqie tjetër të Madhe. Nga të gjitha punët institucionale në vendin tim, atë të kryer nga amerikanët ne e vlerësojmë më shumë. Grekët, bullgarët, italianët, madje edhe austriakët po punojnë për të na shkombëtarizuar, ndërsa Amerika dhe Anglia po punojnë në një mosinteresim perfekt për të mirën tonë.

Nuk mund të theksoj mjaftueshëm një pikë tjetër. Bota harron që njerëzit e mi ishin fillimisht të krishterë. Kur u pushtuam nga myslimanët, ata prej nesh që nuk donim ta përqafonim plotësisht Islamin, por nuk mund të hiqnim dorë plotësisht nga besimi mysliman, u bënë bektashi. Unë nuk mund t’ju shpjegoj saktësisht se çfarë do të thotë kjo, por të gjithë vendasit në rajonin tonë e kuptojnë këtë. Mendimi im është ky : para Skënderbeut, njerëzit e mi ishin të krishterë. Ndoshta nuk është e pamundur që këta myslimanë shqiptarë, që janë më shumë se dy milionë, të bëhen sërish të krishterë.”

Filed Under: Histori

DR.IBRAHIM RUGOVA E KA PASUR PARASYSH SE BESNIKËRIA DHE LIDHJA ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS PARAQET TË VETMËN GARANCI AFATGJATE DERI NË PËRJETËSI PËR MBIJETESËN TONË POLITIKE TË POPULLIT SHQIPTAR NË GADISHULLIN ILIRIK

January 19, 2024 by s p

Hysen Ibrahimi
Förslöv, Suedi, 20 janar 2024/

Në prag të 21 janarit të ndërrimit jetë të kryetarit të parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, na kujton kohën më të rëndë, kur nga kjo botë iku Profeti ynë Shqiptar Ibrahim Rugova. Dhembshuri i madhe, dhembshuri shpirtërore, dhembshuri që zemra e ndjenë mungesën e tij për shumë arsye.
Duke ditur persekutimet e Familjes së Prsidentit Rugova, nuk mund pa e përmendur se kjo familje e cila ka qenë në servijim të plotë nga pushtuesi serbo-sllav kur regjimi kriminel serb, asnjëherë nuk ia ndau sytë kësaj familje e në veçanti për të përcjellur Prsidentin Dr. Ibrahim Rugova. Edhe pse gjithmonë nën survejimin e pushtuesit, Presidenti u shkollua si jetim me mia mundime dhe u frymëzua nga rezistenca heroike të të parëve të tij kundër hordhive çetnike serbe siç ishte babai i tij Uka i Rrustë Sadrisë. Presidenti Rugova, me gjithë intelektin, talentin për formimin e tij prej një atdhetari të madh të kombit shqiptar, fitoj besimin dhe dashurinë e popullit shqiptar deri në skajshmëri. Duke i kujtuar të gjitha këto, pashmangshëm n’a kujtohet edhe 21 janar 2006, tani kur mbushen plot tetëmbëdhjetë vjetë prej se ka ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Gjatë takimeve të mia me Presidentin Rugova më kujtohen si sot të gjitha bisedat rreth çështjes kombëtare dhe rrugëtimi ynë drejtë bashkimit të një Shqipërie etnike. Ai më thoshte, citat ” Bashkimi i trojeve etnike do të ndodhë herët apo vonë sikurse që ndodhi Liria e Dardanisë do të ndodhë edhe bashkimi i trojeve etnike shqiptare me një shtet të vetëm që e quajm Shqipëri, deshën apo nuk deshën armiqtë tanë” fund citati.
Pastaj vazhdonte, citat ”Kjo do të ndodhë se Shtetet e Bashkuara të Amerikën janë fuqia më e fortë në globin tokësor e cila përcakton edhe rrugullat politike të njerëzimit dhe tani jemi populli shqiptar më miqësor, më falënderues dhe më besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse SHBA-ja din të vlerësoi vlerat dhe lirinë e një kombi. Për këtë ata janë në dijeni se ua kemi spjeguar në hollësi” fund citati – më thoshte kryetari Rugova.
Presidenit si një vizionar largëpamës, ka pasur njohur të thella për potencialin e fuqishëm të SHBA-së që garantonte sigurinë e Dardanisë dhe në vazhdimësi punoj për të sensibilizuar çështjen shqiptare dhe veçanërisht për të krijuar lidhje të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai, ka punuar shumë në këtë drejtim dhe ia ka dalur. Si? Me vet faktin e ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Dardanisë, është rezultat i drejtëpërdrejtë i punës dhe angazhimit të Presidentit Rugova. Këtë e ka thënë edhe vet Bill Clinton para opinionit botëror dhe botës shqiptare.
Ibrahim Rugova e ka pasur parasysh se besnikëria dhe lidhja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës garanton sigurinë e përjetshme të popullit shqiptar, në anën tjetër paraqet të vetmën garanci afatgjatë deri në përjetësi për mbijetesën tonë edhe politike të popullit shqiptar në Gadishullin Ilirik. Kjo miqësi duhet ruajtur si sytë e ballit.

Analizat e kohës dhe këto të tanishme po dëshmojnë se politikat shfrenuese mbi popullin shqiptar si ato serbe dhe ruse nuk respektojnë drejtësi e realitetit të popullit ILIR qoftë ai kulturor po ashtu edhe politik. Prandaj, në këtë kohë ka një kuptim të jashtëzakonshëm të flitet për peridhën e Ibrahim Rugovës dhe vizionin e tij politik për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë nyen e pazgjedhur shekullore e cila është e mbushur me padrejtësitë më të mëdha mbi shqiptarët. Rrugën për zgjedhjen e kësaj nyje shekullore e gjeti Profeti ynë Dr. Ibrahim Rugova.
Besimi më i qëndrueshëm në rrugëtimin e mbijetesës shqiptare Presidenti Ibrahim Rugova me shumë të drejtë e ka parë lidhjen e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sido qoftë mbetet i pakontestueshëm fakti se politikat serbe-sllave si ansjë popull tjetër në Gadishullin Ilirik, ka përgaditur planet më të egra për shfarosjen e popullit shqiptar.
Për këtë ”perandoria” serbe ishte e gatshme të bashkëpunoj me çdo kend vetëm e vetëm ti garantoj daljen e tyre në Detin shqiptar.
Presidenti Rugova ka vlerësuar lartë çdo lëvizje e cila ka qenë në mbrojtje të kulturës, gjuhës dhe traditave shqiptare dhe ka ngritur zërin se populli shqiptar ka origjinën e tij të pakontestueshme dhe askush nuk mund ta keqpërdorë.
Ndaj, me rastin e 18 vjetorit të ndërrimit jetë të Presidentit historik dhe shpirtëror të Dr. Ibrahim Rugovës, më lejoni të ua përkujtoj e idenë që Presidentit Rugova, që ma na ka thënë sa ishte gjallë, si vijon:
Dy shtetet shqiptare, Shqipëria, Dardania pastaj edhe Ilirida së bashku me trojet tjera etnike shqiptare dhe dy akademitë tona shkencore së bashku me institutet e historisë dhe albanologjisë një ditë duhet filluar që ta përgadisin dokumentin e përbashkët zyrtar për nismën e Bashkimit Kombëtar, të të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm që është SHQIPËRIA. Ne këtë rrugë do ta ndjekim, nuk do t’i shmangemi asnjëherë.
Sepse, kjo nënkupton në anëne tjetër se duhet hedhur poshtë të gjitha padrejtësitë historike që i janë bërë popullit tonë më të vjetër në Evropë, i copëtuar nga të gjitha anët. Ne këtë këtë bashkim e shofim si të vetmën zgjidhje karrshi politikave serbo-sllave dhe maqedono-sllave. Rrugë kjo e cila është e pakthim.
Këtë nismë populli shqiptar kudo që ndodhet do ta mbrojmë, do ta mbështesim si të vetmën rrugë për mbijetesë. Po ashtu t’i ruajmë lidhjet e ngushta me botën perëndimore në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë e respektojmë, e përkujtojmë dhe nderojmë çdo herë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, duke ia quar amanetin e tij në vendin e duhur.

E paharruar qoftë vepra e Presidentin të parë të Republikës së Kosovës,
Dr. Ibrahim Rugova.

Filed Under: Politike

Kuptimet dhe rreziqet për sigurinë tonë kombëtare

January 19, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Mënyra e përcaktimit të rreziqeve dhe kërcenimeve lidhet me interesat e sigurimit kombëtar, rajonal e global. Çdo shtet harton  strategjinë e sigurimit dhe parashikon rrugët për realizimin e objektivave të saj. Problemi themelor i strategjisë së sigurimit të  një shteti dhe kombi  është  përcaktimi i interesave kombëtare, të cilët mund të jenë të mbijetesës, jetësore, madhore apo periferike.

Nëse këto interesa përcaktohen me objektivitet, atëherë edhe rreziqet e kërcenimet  që cënojne ato përcaktohen drejt. Vendet kanë interesa kombëtare jo të njëjta, si pasojë edhe rreziqet dhe kërcënimet nuk janë njëlloj për të gjithë. Kuptohet që shtetet e vogla kanë më shumë rreziqe e kërcënime, sidomos kur ato janë shtete të rinj ose kanë pasur shndërrime të rëndësishme. Asnjë shteti nuk i duket e drejtë të trajtohet si inferior, secili synon të konkurojë në politikë, ekonomi dhe fusha të tjera. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo që për një shtet duket e logjikshme, për një shtet tjetër nuk është e tillë. Shtete të ndryshme për vetë kushtet e rrethanat e tyre rrezikohen e kercënohen në mënyra të ndryshme. Por  a janë e njëjta gjë rreziku dhe kërcënimi? Rreziku  përfshin në vetvete  një gjëndje të përgjithshme jo të zakonshme, jo normale, e cila sjell destabilitet apo mënjanim nga zhvillimi normal i ngjarjeve. Ai duhet të merret në shqyrtim për t’u menaxhuar  me masa e veprime  përkatëse në një kohë të caktuar, me përkushtim të caktuar,  për t’u mbajtur në gjendjen ekzistuese duke  parandaluar  përshkallezimin e mëtejshëm të tij.

      Kërcënimi është një evoluim i menjëhershëm ose i përshkallëzuar i një rreziku konkret  të paadministruar ose të administruar në mënyrë jo efektive. Ai konkretizohet deri në përdorimin e mjeteve të ndryshme, duke përfshirë mjetet e dhunës, duke vështirësuar dhe vënë në diskutim gjendjen ekzistuese. Kështu kërcënimi mund të përkufizohet si rrezik konkret,  i shkallëzuar dhe me objektiva të përcaktuar qartë.

        Kërcënimi ndaj sigurimit kombëtar kosiderohet kur një ose disa nga iteresat dhe vlerat  më të rëndësishme kombëtare të një shteti ose kombi denigrohen në ekstrem nga veprime të jashtme, të brendshme ose të kombinuara. Ndikim të madh në sigurinë e vendit sjellin ato kërcënime të jashtme, që mund të rezultojnë  në konflikt të armatosur. Nisur nga shtrirja, rreziqet dhe kërcënimet mund të jenë globale, kombëtare dhe rajonale. Me të drejtë mund të lind pyetja; Cilat janë rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë tonë kombëtare.

         Problemet etnike kanë qenë e janë të pranishme veçanërisht në Ballkan. Por më të mprehta janë ato që lidhen me vëndin tonë. Me probleme të tilla janë të lidhura pothuajse të gjitha shtetet kufitare. Kur kontradiktat ndëretnike nuk zgjidhen sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare, ato bëhen shkak për ndërmarrje të vështira,  deri ne konflikt të armatosur. Deri më sot janë të rralla ato shtete, ku etnitë janë asimiluar nga njëra- tjetra. Me fjalë të tjera që vlerat kulturore të etnise mbizotëruese  të jenë bërë edhe vlera kulturore për etninë më të vogël. Pra, kësaj të fundit t’i  jenë asimiluar vlerat e saj, nga vlerat e etnisë e të jetë homogjenizuar me të.       Ruajtja e vlerave kulturore të popullit apo etnisë është e drejtë e tyre e natyrshme, që buron nga vetë cilesitë e etnisë. Është pikerisht kjo cilësi, që buron nga thelbi i vetë etnisë, nga natyra e saj që përcakton dallimet e veçoritë nga etnitë e tjera. Cilësitë: si gjuha,  zakonet, doket,  flamuri, këngët,  marredhëniet e jetesës, përbëjnë vlera që të paktën deri tani nuk janë asimiluar, por edhe mbrohen nga normat ndërkombëtare. Në rastet kur etnitë jetojnë në territorin e tyre,  forca dhe qëndrushmëria e tyre është vitale dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare e drejta e tyre shkon deri në vetëvendosje.

       Shqiptarët që iu aneksuan  në kohët moderne padrejtësisht ish  Republikës Federale të Jugosllavisë, janë në lidhje e në vazhdimësi me tërësinë territoriale të shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë. Ata kanë vlerat e tyre kulturore (gjuhën, zakonet, doket, marredheniet, flamurin, këngën) që nuk kanë asgjë të përbashkët me ato serbe, por që u synua të asimiloheshin nga serbët ose të shkatërroheshin me çfardo mjeti e makinacioni. Në qoftë se problemi shikohet me vëmendje, shqiptarët e Kosovës,  nga përmbajtja natyrore kanë të gjitha karakteristikat e  të gjitha të drejtat që sot nga shtet edhe për tu bashkuar me  shtetin amë. Kjo është aresyeja që çdo zgjidhje jashtë logjikës së mësipërme,  e pjesshme,  asnjëherë nuk do ta zgjidhë problemin dhe githnjë e më shumë do të çojë në ndërmarrje të paparashikueshme, që do të kërcënojë sigurinë siç po ndodh.Tregusi më i qartë i papajtushmërisë ndërmjet etnive është vazhdimi i konfiktit deri edhe në përplasje me armë midis strukturave të sigurisë në Kosovë dhe forcave destruktive serbe të mbështetura nga Beogradi, të cilat me çdo mjet përpiqen të destabilizojn shtetin e Kosovës. 

Problemet e kontradiktat etnike janë të lidhura edhe me problemet territoriale. Për etnitë që nuk janë në territoret e tyre, synojnë t’i marrin ata nëpërmjet realizimit të shkëputjes. Kështu mund të themi se çështja e Kosovës,  më tepër se çdo gjë tjeter është një çështje territori. Dihet se territori i saj është nga më të pasurit me pasuri nëntokësore, mbitokësore e ujore. Pikërisht këta faktorë janë përcaktues për mbijetesë. Për serbët nuk është problem popullsia e Kosovës, pasi për ta nuk paraqet asnjë interes,  prandaj vazhdimisht kanë synuar largimin e saj nga trojet e veta. Territori  i saj ishte qendra e rëndesës ekonomike për Serbinë. Është kjo aresyeja  që edhe tani që Kosova është shtet, Serbia akoma përpiqet që ta kthejë atë pjesë të saj. 

Për analogji,  në kushtet tona rrezik mund të përbëjë nxitja padrejtësisht nga segmentet ekstremiste të minoritetit grek në Shqipëri. Dihet se atij i janë plotësuar të gjitha mundësitë për ruajtjen e vlerave të tij kulturore e të kontaktit me shtetin amë. Por pavarësisht nga këto, kjo  mundet që forcat ekstreme, siç kanë vepruar në të kaluarën dhe disa segmente të caktuara dashakeqëse edhe sot, në mënyrë të padrejtë,  të nxisin probleme territoriale (të ashtuquajtura teori të Vorio Epirit). Këtë gjë mund ta bëjnë nëpërmjet nxitjes deri në shkëputje të minoritetit grek në Shqipëri. Dihet se ato nuk janë në territorin e tyre, por që nga forcat ekstremiste  do të mundohet të justifikohet me teorinë e “Veriut të Epirit”. Probleme mund të lindin edhe nga mosnjohja e të drejtave që i takojnë popullsisë çame të përzenë me dhunë dhe për arsye se trojet e tyre iu aneksuan Greqisë.

        Nga këta shëmbuj del qartë,  se përsa u takon shqiptarëve dhe trojeve të tyre të aneksuara padrejtësisht nga fqinjët, se ata nuk janë shkak për destabilizim, por janë të tjerët. Ishte shteti serb që nuk u lejon atyre të gëzojnë të drejtat që u jep të qënurit komb dhe tani shtet. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të zgjidhë çështjen shqiptare në mënyrë të drejtë e përfundimtare, do të bëhet shkak për tensione e kërcënime deri në konflikt të armatosur,  siç ka ndodhur deri tani.

Kuadri i rreziqeve ndaj vendit dhe kombit tonë është i një karakteri tepër kompleks. Shqipëria po kalon një tranzicion kaotik të gjatë e teper të vështirë në kushtet e mungesës së një përvoje historike demokratike. Ky tranzicion pa rregulla loje (ishim i vetmi vend pa kushtetutë pas viteve 90-të) u shoqërua dhe po vazhdon akoma edhe pas 33 viteve demokraci me kriza politike, konstitucionale, ekonomiko-financiare etj. Pozicioni gjeografik dhe shtrirja etnike jashtë kufijve politikë,  ku më shumë se gjysma e popullsisë jeton jashtë shtetit amë ka bërë që rreziqet të jenë më të mundshme. Gjithashtu dominimi i popullsisë fshatare, destabiliteti i theksuar politik e prapambetja e thellë ekonomike,  ekziszenca e një përbërjeje rajonale heterogjene dhe përzjerje etnike, përplasje të qytetërimeve, kulturave e besimeve fetare në rang kombëtarë e bëjnë spektrin e rreziqeve e të kërcënimeve mjaft të mundshëm e të shumllojshëm. 

Shoqëria shqiptare është e rrezikuar në aspektin social për arsye të mbizotërimit të psikologjisë së vjetëruar, e ndërthurur edhe me prapambetjet ekonomike dhe mungesa e kulturës dhe e traditës demokratike në vendet e rajonit. Shqetësuese dhe alarmante është shpopullimi i vendit dhe këto pasoja do të jenë katastrofike pas jo më shumë se 20-30 vite. Akoma më shumë përbëjnë premisa për rrezik disa aspekte të urrejtjes së hershme kombëtare etnike midis vendeve, lëvizja e refugjatëve, terrorizmi transnacional e krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme etj. 

Dizinformimi i opinionit publik është një instrument i rrezikshëm për stabilitetin e brndshëm. Në sistemin demokratik ekzistenca e medias së pavarur dhe e gazetarëve të përgjegjshëm për misionin e tyre është domosdoshmëri dhe normë demokratike. Nëpërmjet tyre opinioni publik shqiptar mbahet i informuar me një frymë të pavarur dhe në gjendje të debatojë për interesat e tij.

       Situata e sotme e zhvillimeve gjeopolitike dhe gjeoekonomike nxjerr në pah vleresime të reja mbi rreziqet e kërcënimet ndaj sigurimit kombëtar. Ato karakterizohen nga kompleksiteti, natyrat e ndryshme dhe vështirësia e parashikimit. Mjedisi i sotëm dhe i ardhshëm strategjik do të perfshijë një spektër të gjërë të ndryshëm dhe të mpleksur të rreziqeve e kërcënimeve të jashtëme e të brendshme.

            Kërcënimet dhe rreziqet e jashtme vënë në rrezik sovranitetin,  pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit, si rezultat i përdorimit të forcës ushtarake ose formave të tjera që synojnë të njëjtin qëllim. Kërcënim aktual për rajonin tonë është nacionalizmi. Shembulli më tipik i një kërcënimi të tillë ka qënë politika e ndjekur nga Serbia në Kosovë gjatë konfliktit të armatosur në vitin 1999 dhe është për të ardhur keq që po vazhdon edhe sot pas mbi 20 vite që Kosova është shtet i pavarur. 

Zhvillimet e atjeshme patën ndikimin e tyre  të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Shqipërisë në formën e provokacioneve ushtarake dhe të shkeljes së territorit dhe hapësirës ajrore. Një rrezik i tillë behet më i pranishëm në Ballkan, si pasojë e gjendjes konfliktuale të trashëguar, ekzistenca e një numri të konsiderueshëm nacionalitetesh brenda një shteti, tendencat për krijimin e shteteve-kombe. Aresye tjetër që mud të bëhet shkak për konflikt është niveli i ulët i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i zhvillimit ekonomik. Trajtimi i një etnie si qytetarë të dorës së dytë është një shkak tjetër që mund të sjellë konflikt siç ndodhi në Maqedoni.

Një rast tjetër i kërcënimit me natyrë ushtarake mund të jetë kur një shtet ushqehet nga ndjenja nacionaliste të vijueshme dhe strukturat përjetojnë ose udhëhiqen nga këto ndjenja, dhe e çojnë vëndin drejt një konflikti ushtarak për të realizuar qëllime ekspansioniste, siç po përpiqet sot Serbia. Prania e një arsenali të madh armësh në rajonin për rreth vendit tonë përbën një tjetër rrezik.

Siç shihet, rreziqet dhe kërcënimet për sigurimin tonë kombëtar janë mjaft të komplikuara. Nisur nga kjo arsye, në një farë mase është mjaft e vështirë, si përcaktimi ashtu dhe marrja e masave efikase për parandalimin e tyre. Prandaj del i domosdoshëm kombinimi i masave në mënyrë që të minimizohet mundësia e rreziqeve dhe e kërcënimeve deri në parandalimin e tyre ose të arrihet minimizimi i mundshëm i pasojave që ato sjellin.

Nga masat më të domosdoshme mund të jenë stabilizimi i plotë i jetës politike në vënd, bazuar në vlerat e demokracisë, konsolidimi i insitucioneve të shtetit, si dhe rritja e besimit të publikut ndaj tyre. Ka ardhur koha që të kemi një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse.

New York, Janar 2024

Filed Under: Ekonomi

Natasha Lako një pegasiane që bashkoi autorët e shekujve në Olimpin e letrave

January 19, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

(Përshtypje dhe mbresa nga libri “Njeriu si një tjetër”)

Çdo libër që më dhurohet më krijon një ndjesi të veçantë.  Natyrisht secili libër është si nje zog pendë kaltër që ndërton një folezë në trurin dhe zemrën time.  Disa prej tyre dhe mund të mos jetojnë aq gjatë, por libri “Njeriu si një tjetër” me autore, shkrimtaren e shquar Natasha Lako do të më ngelet përgjithmonë ne kujtesë. 

E çuditshme të kesh foleza të argjendta brenda trupit dhe si emigrante lehtësohesh pakëz ose pajisesh me flatra për të udhëtuar drejt Atdheut, atje ku shqiponjat kanë folenë.  Dhe ky vendim do të jete nje akt i shenjtë ashtu siç shkruan shkrimtarja Lako si: “Kur vendosa të bashkoj në një libër shkrimet që për disa vite me radhë më janë botuar në gazeta të ndryshme, shtysë të parë kisha qëndrimin ndaj leximit, si një akt që mund ta quaj të shenjtë”.  

Libri fillon me një vështrim të thellë rreth shkrimit “Bogdani dhe Herakliti” ku me intuintën e një artisteje dhe me një imagjinatë të jashtëzakonshme na çon nga Bogdani tek Herakliti, ku citohet përmallshëm dhe ndjeshëm vargu i Bogdanit: “Qiellisht ngrihen gurë dhe zjarr”…

Kjo përmendje e ndezur si llavë më përkon me 334 vite më parë, më 6 dhjetor 1689 ku Pjeter Bogdani vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës.  

Eqerem Çabej shkruan se Bogdani është një stilist i rrallë, ai është maja e Gjuhës Shqipe.  Natasha Lako ka ngritur ushtrinë në këmbë rreth një studimi dhe pasurie të linguistikës artistike marramendëse ashtu siç ka bërë Bogdani tek “Çeta e profetëve” si nje bari shpirtëror. 

Ndaloj emocionalisht në faqen 17 të librit ku ka shkrimin: “Naim Frashëri dhe Uollt Witman”.  

Zoti i solli në jetë t’i kem fqinj të dy të mëdhenjtë, Naim Frashërin me vendlindjen time Tepelenë-Përmet, që sa herë e kemi vizituar shtëpinë e tij, apo me Uollt Uitman ta kem fqinj në Long Island, New York.  Para disa kohësh unë shkova brenda shtëpisë së lindjes kthyer në muzѐ në Long Island, atje ku i ra koka shkrimtarit botëror Uollt Uitman. Ajo që më ngacmoi më shumë për ta vizituar nje ditë të diele dhe ta harxhoja kohën kulturalisht ishin vargjet e tij që më frymëzuan si: “Kundërshtoni shumë, binduni pak”…  Po ne jetojmë në kohë të shpërfytyruara herë me skllevër përreth dhe herë matanë oqeanit bash m’u në zemër të Atdheut tim, ku shumica vazhdojnë të adhurojnë diktatorët që mjerisht lindin si kërpudhat, pa kuptuar se prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës nuk e fitoi dot përsëri Lirinë.

E shkruaj këtë sepse Witman dhe Frashëri ngelen frymëzim, ekrane të hapura të mendjes, piskama e dhimbjes dhe e bukurisë njerëzore të cilën e kanë emërues të përbashkët në pasurinë e tyre letrare.  Autorja me plot sqimë të penës së saj i sjellë të dy shkrimtarët Frashëri dhe Utiman si burra të një force epike.   Te dy përdorin enumeracione, një shkallëzim të natyrës, si në një zotërim të porsashfaqur të kthyer në himn.  Naimi e fillon poemën e tij të famshme me vargjet: 

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë/ Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë/ Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar/ Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!

Ndërsa Wollt Uitman këndon: “O kënaqësi që japin lisat, kopshti, korija, dushku, qitrat, pisha, pekanti.  O të këputësh hapësirën.”  Autorja si një studjuese e thekur pohon se: “Naim Frashëri mbetet demokrati i parë i shqiptarëve, Uollt Uitman mbetet demokrati i paparashikuari i gjithë botës.”  

Marrim pak frymë gjatë leximit, ndalem diku tek qelqi i akullt i janarit dhe shoh drurë të zhveshur nudo, dhe tek tuk ndonjë syth jeshil i sapoplasur në një të çarë lëvozhge me sy të kadifenjtë.  Gjatë këtij akti që janë elemente ujore dhe stërkala Sollokusheje ku jam nanurisur në fëmijërinë time filloj të lexoj përsëri.  Syri ndalon dhe më mbjellë fantazinë e shkrimtares Lako në rremba të gjakut, ngase ajo shkruan si: Wollt Uitman duket sikur e ka takuar Naim Frashërin kur i thote:

“Shok po të jap dorën!  Po të jap dashurinë që është më e shtrenjtë se floriri, po

të jap veten time në vend të predikimit dhe të ligjit.  A ma jep ti veten tënde? A vjen të udhëtosh me mua? A do që të qëndrojmë bashkë tërë jetën?  

Më bukur shkruan Lako që nuk njiheshin këta dy poetë, sepse bota duket edhe më e madhe.”  

Shumë të vlerta janë dhe tri letra si: “Rapsodia e Këngëve Arbëreshe”

Me shumë emocion do të ndalesha tek De Rada i madh, ky shenjtor i Gjuhës Shqipe matanë Adriatikut.  U ndala me një detyrim moral e shpirtëror duke më ngacmuar pejzat e shpirtit nga shënimi që Lako ka lënë në faqen e parë të librit dhuratë për mua dhe duke më pagëzuar si promotore të fjalës shqipe në gjirin Nju Jorkez të shqiptarëve.  Shkrimtarja uron: Jetë të gjatë “Alba Life”!  

Pena e saj ndrin dhe shkëlqen, kur thotë se De Rada me përmbledhjen “Rapsodia e këngëve arbëreshe” hodhi farën e këngëve.  Në këtë vit të madh të autorëve të jashtëzakonshëm botërorë u shquan dhe ca kënge të vogla të truallit shqiptar.  Është fara e një gjenialiteti, është fara e një geni që me të drejtë duhet të përkulemi para tyre për këtë pasuri përrallore, hyjnore.  

Tek letra e dytë për lexuesin, qënien më shpirtmadhe jepet qënia hyjnore e globit, femra.  Asgjë nuk mund të shijohet, asgjë s’mund të shkruhet dhe asgjë s’mund të dritëzohet pa hyjneshën: grua.  Kjo shkruhet në libër, kur çdo këngë ekziston vetëm përtej kqyrjes gjatë një dekantimi artistik.  Në barkën e parë hipën vashat, në barkën e dytë hipën trimat, në barkën e tretë kishte bukë dhe mëndafsh.  Kënga ka forcë magjike, drithërurese, jehonë të largëta zërash, dallgë detesh dhe oqeanike, vegime dhe shkëndijëza sysh, shkrepëtima dhe zjarre mallesh që djeg…  

Në moshën e vajzërisë kënga pyet: E kujt je mollë e pambjellë/ rrënjëhapura pa dhѐ? 

Dhe bashkëbisedimi ngre tallaze dashurie për mëmëzonjën si: O ti zonjë, o shegë e pjekur/ Dil në udhë që t’i takosh!…

Princi i Arbërisë është i adhuruar përjetësisht nga Arbërit dhe të gjithë shqiptarët sa të kenë frymë mbi dhe.  Ndaj me të drejtë autorja sjellë magjepsjen për bukurinë shqiptare, për Donikën si:

Te pallati i Aranitit/ Dërgojini fjalë zonjës/ Donikë Marineza…

Dhe në shtratin e zjarrtë të këtyre këngëve plot art, stilistikë, metafora goditëse shpirtërore, lindi kryevepra e letërsisë “Milosao” 

Natasha Lako e mbyll librin me një përsiatje të njderë të titulluar “Një pikë e zbehtë blu”, ku mjeshtërisht përdor bukur figurat artistike, imazhin, imagjinatën e saj gjer në kupë të qiellit, apo gjithë planetit aty prej 60 billion km ku është bërë fotografimi i planetit tokë nga roboti.  Ajo heq një paralele midis fotografimit dhe Ditës së Shën Valentinit meqënse është bërë pikërisht në këtë datë, më 14 shkurt, 1990.  

Brenda mistereve të Pikës së zbehtë blu autorja më mban pezull si pupël në ajer për të shkuar më tej imagjinatës së saj e cila shpreh vehten mjeshtërisht.  Fotografia është dhe guxim i një poeteje që e çon lexuesin ku dhemb dhëmbi vete gjuha.  Ajo guxon dhe i thotë lexuesve të saj se para se të na integrojnë në qytetërimin e tyre bota, robotët, etj, politikanët tanë na kanë integruar me kohë brenda një pike të vetme ku nuk duket asgjë.  Duke shkruajtur të mbahet edhe fryma, kur të pangopurit, grabitësit shpirtërorë dhe të pabesë, robotët do të na kullufisin të gjallë.  Dhe pena e Lakos ngre alarmin…  Autorja ka ndalur mahnitshëm në shkëlqimin e figurave më të epërme të kulturës dhe Gjuhës Shqipe filluar me Marin Barletin, Gjon Buzukun dhe vazhdon si një misionare e devotshme duke operuar me “bisturinë” e artit për të shëruar plagë që jo rrallë janë në trupin dhe unin shpesh malinj të shkrimtarëve…

Lexojme dhe vazhdojmë në çdo faqe dhe esse të librit dhe papritur ndjej sikur me dorën e nje arkitekteje artistike më ka ndërtuar në sytë e mi çerdhe dallandyshesh:  Dhe e dini pse?  Dallandyshet ndërtojnë foletë vetëm pranë shtëpive të njerëzve, pranë ballkoneve të tyre.  Natasha Lako është grua, është humane, është poete e cila vjen me kalin pegasian dhe ulet si mike në sofrën e vjetër. Poezitë dhe shkrimet e Lakos vinë herë si fllad dhe herë si jehonë malesh dhe kthjellojnë mendjet e lexuesve që aq shumë kanë nevojë në këto kohë duhmash të papërmbajtura, suname të egra. Me këtë liber autorja Lako të kujton novelisten e shquar amerikane Toni Morrsion e cila thotë: “Nëse ka një libër që dëshironi të lexoni, por ende nuk është shkruar, atëherë ju duhet ta shkruani.”

Natasha Lako jo vetëm që e shkruajti, por me këtë libër ka pasuruar universin e letrave shqipe me aktin më të lartë shpirtëror, poetik dhe eseistik.  Libri është si një katalizator ku çliron vetëm energji të pashterrshme, pasi gjtihë elementet artistikë, stilistikë, e vërteta dhe imagjinata marramendëse të burgosin derisa të shkosh në togfjalëshin e fundit: “Gjuhë njeriu”, dhe aty çlirohesh dhe frymëzohesh për të dhënë mendimin rreth librit si në rastin në fjalë. 

Autorja i bashkoi shkrimtarët e ndryshëm të epokave si Pegasi, qe është kali i mrekullueshëm fluturues i mitologjisë greke i cili kaloi pak kohë në tokë përpara se të fluturonte në malin Olimp, në shtëpine e perëndive ku shkoi për të jetuar në pallatin e Zeusit.

Natasha Lako është një pegasiane që bashkoi autorët e shekujve në Olimpin e letrave.

18 janar, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1359
  • 1360
  • 1361
  • 1362
  • 1363
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT