• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra dhe çështja Shqiptare sot në Ballkan

January 16, 2024 by s p

Artur Vrekaj, Massachusetts/

Noli, Konica, Dako, Çekrezi dhe shumë burra të tjerë të kombit e bënë Vatrën organizatën më të fuqishme të periudhës së Rilindjes kombëtare kur shqiptarët në Ballkan nuk kishin shtet. Për këtë Tirana e dekoroi  Vatrën me titullin e lartë “Nderi i kombit “ . 

Vatra është një trashëgimi e pastër dhe e dielltë për mirëorganizimin dhe fuqizimin e Shqiptarëve të Amerikës edhe sot. Ndaj Vatrën duhet ta ruajmë si vlerë e muar për kombin. 

Shumë Shqiptaro-Amerikanë të mirëedukuar janë pjesa më e shëndoshë e mendimit dhe veprimit intelektual që i mbushin me krenari e dinjitet Shqiptarët e Amerikës. Këta janë një kapital i florinjtë për ne këtu dhe Shqiptarët kudo në botë.

Fare mirë kjo elitë e mërgatës duhet të afrohet te Vatra dhe të  bashkëpunojë për lobim, por edhe që të thellojë punën studimore për shqiptarët etnikë në trojet Shqiptare. Kështu këtë lëndë studimore mund ta përdorë më pas në doktoratura apo dhe në klasa të veçanta në ndihmë të pasurimit të Albanologjisë.

Çështja Shqiptare do të jetë në rend të ditës për Shqiptarët e Amerikës deri në anëtarësimin e plotë të shteteve të Ballkanit perëndimor në BE dhe në NATO. Vatra historikisht ka lobuar për çështjen Shqiptare që me themelimin e saj. Peshën më të madhe të lobimit këto katër dekadat e fundit e kanë mbajtur Federata Vatra, Liga Qytetare e Dioguardit dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Koha po thërret sërish Vatrën ta udhëheqë lobimin në Amerikë për çështjen Shqiptare me program të qartë e të detajuar për shqiptarët e trojeve etnike. Sot duhet një bashkëveprim brilant me të gjithë organizimet e mërgatës Shqiptare në botë, sepse do ta bënte më frytdhënëse këtë nismë kombëtare. Vatra eshte historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve te Amerikës. Te gjithë duhet ti bashkangjiten Federates Vatra ne misionin e saj patriotik.

Nuk mund të lobosh me sukses të plotë në Amerikë përshëmbull pa përfshirë mërgatën disamilionëshe vetëm në Turqi apo pa bashkëkuvenduar me mërgatën e Europës, sepse lobimi duhet njësuar me program si për në Kongresin Amerikan edhe në parlamentin Europian.

Duke parë se takimet e Mërgatës në Tiranë janë kthyer në një dokumentar televiziv pa përmbajtje nga politikanët Shqiptarë partikapur e shtetkapur nevoja për një forum të përvitshëm intelektual të të gjitha organizimeve dhe individëve me peshë në Mërgatë është kërkesë e kohës për shqiptarinë. 

Mërgata disamilionëshe Shqiptare e bashkuar është një lumë malor që po ta krahasojmë me Drinin ku derdhen rrëke e lumenj e deri tek bashkimi i dy Drinave Bardh e Zi do ta përndritë ardhmërinë e kombit, ashtu sikundër Drini u dhuron dritë vatrave Shqiptare në Ballkan përditë. 

Mërgata në tërësi, duhet të harxhojnë më shumë energji se si mund të organizohen më mirë në komunitetin  ku banon. Duke qënë lokalisht të organizuar bëhemi faktor, bëhemi të besuar për Amerikanët edhe më shumë. Por çështë më e rëndësishmja ne duhet të fuqizojmë Vatrën dhe të  bëjmë më të sigurt lobimin e pastër për çështjen Shqiptare.
Le ti shërbejmë kombit perjete e mot. Le ti shërbejmë ardhmërisë së Shqiptarëve kudo që janë, që të jemi NJË dhe trojet tona të lulëzojnë nga Shqiptaria.

Sllavët dhe grekët ende mundohen të tkurrin territore Shqiptare në Shqipëri e Kosovë, ndërsa me metoda të kthjellëta antishqiptare bazuar në ligjet që ata bëjnë kërkojnë ta përhumbin faktorin Shqiptar dhe vetë Shqiptarin pa identitet, pa flamur Shqiptar, pa emra në Shqip të rrugëve e vëndbanimeve, pa adresë apo shenja vëndbanimi a vëndvarrimi në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Krimet Serbe në Kosovë nuk janë ndëshkuar ende. 

Vetëm fakti se ka më shumë Shqiptarë në mërgatë se në Ballkan është një thirrje e kohës për bashkëveprim në të mirën  e kombit. Kombi pret ende nga mërgata. 

Nëse mërgata e bashkuar punon me një strategji kombëtare, shumë probleme të çështjes Shqiptare në trojet etnike do të marrin rrugën e zgjidhjes më shpejt se deri më tani. Por nëse mërgata merr urdhra nga Tirana apo Prishtina, lumi i mërgatës që ujit shqiptarinë do shterojë Edhe për këtë shkak shpërngulja e detyruar e Shqiptarëve nga sllavët apo dhe nga makutëria e gjithë klasës politike Shqiptare do të jetë e pandërprerë në shifra që do të tronditin fuqinë e Shqiptarëve në Ballkan. 

Vatra ka shpirt te paster patriotik dhe atdhetar e do ishte e udhës që të marrë nismën e ta udhëheqë forumin e mërgatës Shqiptare që ta  detyrojë klasën politike Shqiptare të bashkëudhëheqin çështjen Shqiptare jo për prezantime televizive në Ballkan a Europë, por se duhet të bëjnë çfarë  thotë kushtetuta për ta mbajtur gjallë identitetin kombëtar në trojet etnike.

Kosova ende e ka plagë çështjen e pazgjidhur me Serbët e Veriut. Perëndimi në luftë të hapët me Rusinë nuk po e sheh të udhës zbatimin e reciprocitetit për Serbët në Kosovë sikundër për Shqiptarët në Serbi. 

Sot është nevojë emergjente për konsullata Shqiptare në Pazar të Ri dhe në Preshevë dhe për një buxhet ndihmues për Shqiptarët e Kosovës Lindore dhe të Sanxhakut të Pazarit të Ri përfshi Malin e Zi. Vatra duhet ti adresojë fuqishem këto kërkesa pranë qeverive shqiptare jo vetëm me takime formale, por me projekte duke treguar se çfarë ka bërë dhe mund të bëjë vetë dhe çfarë mund të bëjë në bashkëpunim me shtetet Shqiptare.

Për një punë me program e të detajuar për bashkëpunim me mërgatën dhe shtetet Shqiptare Vatra duhet të ketë koordinatorë të punës saj në çdo shtet të Ballkanit perëndimor ku ka Shqiptarë me qellim që ta parandalojë përkeqësimin e detajeve të çështjes Shqiptare në trojet etnike. 

Shqiptarët e Pazarit të Ri ose Masbjeshkës kanë qënë të harruar për  tre shekujt e fundit. Këta janë Shqiptarët e mbijetuar nga genocidi Turko-Serbo-Malazez që kanë provuar metodat më çnjerëzore në sy të fuqive Europiane që në fundshekullin e shtatëmbëdhjetë e deri sot.

Sot për sot vetëm shoqata “Kosova për Sanxhakun” me kryetar Ismet Azizi, KKSH dhe gazetari Marin Mema me programin “Gjurmë Shqiptare” kanë mbjellë shpresën e ringjalljes së Identitetit kombëtar në krahinën e Sanxhakut me shumicë Shqiptare. Shtetet Shqiptare ende heshtin për Shqiptarët e Sanxhakut. 

Tashmë, prej këtij ndërveprimi Shqiptar në Peshter dasmave u janë shtuar muzika dhe vallja Shqiptare. Në Pazar të Ri zyra e Shqiptare e KKSH kujdeset për mësimin e gjuhës Shqipe dhe veprimtari kulturore me temë kombëtare. Ky është vetëm fillimi i një pune kombëtare që do kujdes dhe përkushtime njerëzore. 

Problem parësor në Sanxhak të Pazarit të Ri mbetet vetëdeklarimi i kombësisë nga Shqiptarët. Kjo do të ndodhë më shpejt nëse mërgata dhe shtetet Shqiptare punojnë së bashku. 

Krahina e Sanxhakut është nën një vëmëndje të veçantë këtë vit nga regjimi i diktatorial i Vuçiç për të mbajtur nën kontroll partitë politike dhe njëkohësisht lëvizjet fetare, me qëllim për ta shuar kërkesën për statusin e veçantë të kësaj krahine në kuadrin e autonomisë ose të një zone gjeografike ndërshtetërore me kujdes të veçantë nga BE. 

Ora e Shqiptarëve të Sanxhakut tashmë është kurdisur për të ecur me hapin e kohës. Vëllezërit Shqiptarë etnikë, sidomos në Serbi,  kanë nevojë për dorën e ngrohtë të shteteve Shqiptare dhe të mërgatës. Atyre u ndalohet deklarimi i hapur Shqiptar, gjuha Shqipe në shkolla, përdorimi i flamurit kombëtar, përdorimi adresave si dhe u pengohet pjesëmarrja në vendimmarrje me mënyra të ndryshme.

Në Senatin dhe Kongresin Amerikan as që është specifikuar  Sanxhaku i Pazarit të Ri si problem kombëtar i Shqiptarëve. Kur shumica e Shqiptarëve do të vetëdeklarojnë kombësinë Shqiptare në Pazar të Ri e Peshter, Serbët dhe Perëndimi do të jenë përballë faktit se Shqiptarët e Sanxhakut janë tre herë e më shumë se ata të Kosovës Lindore sot. Serbët e dinë. Perëndimi do të dëgjojë, verifikojë e veprojë vetëm kur të deklarohet kombësia Shqiptare në regjistrimin e popullsisë brenda kuadrit ligjor Serb.

Por ne duhet të punojmë që tani me bashkëpunim në terren që të dokumentojmë faktet e genocidit ndaj Shqiptarëve dhe vetëdeklarimin e Shqiptarëve sipas adresave dhe vëndbanimeve të tyre. Këtë paketë dokumentare duhet t’ja dorëzojmë pastaj parlamentit të Serbisë, kuvëndit lokal të Pazarit të Ri, qytetit dhe qarqeve administrative të Sanxhakut nën Serbi,  parlamentit Europian, OKB-së dhe Kongresit Amerikan. 

Vetëm kështu do ta detyrojmë Serbinë që të njohë Shqiptarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri si komunitet. Pastaj hapërimi kombëtar vjen vetvetiu, por të paktën si fillim i jepet fund përgjithmonë dhunimit e mohimit të deklarimit të kombësisë Shqiptare në Serbi.

Kështu, këtë dekadë ne mund të shpresojmë që  edhe prej Sanxhakut shqiptarët në Serbi të rritin numrin e përfaqësimit të tyre në parlamentin e Serbisë me një subjekt të mirëorganizuar të kombësisë Shqiptare.

Lobimi i sotshëm në SHBA sidomos nga Vatra kërkon gjithëpërfshirje nga te gjithe faktoret rreth Vatres si zeri me i fuqishem i shqiptareve te Amerikes. Të jesh Vatran është përgjegjësi e madhe kombëtare. Veprat duan veprimtarë që sot.

Filed Under: Vatra

Të dashurosh deri në pamundësi është… e mundur!

January 16, 2024 by s p

Agim Baçi/

“Të të ripërtërihet kënaqësia e leximit dhe të mbulohesh me shenjën e pranimit të fuqisë së fjalës, për shkak të asaj që prodhon për lëkurën dhe sytë”- Kjo ndjesi të vjen nga poezitë e Vlora Ademit, teksa ndjen se ngulitesh në murmurimën e vargjeve dhe shtysën për t’i recituar me veten. Sepse poezia, ajo poezi që të rrok gjithë shqisat, ka nevojën e pashmangshme të recitimit, sidomos atij recitimi të brendshëm, me veten, me dëshirën për t’i mbajtur mend. Dhe teksa i thua ngadalë me veten kupton atë fuqi të së pashmangshmes brenda teje për të ëndërruar edhe syhapur, duke përsëritur se vetja është një lëkurë e pafundme prekjesh, ndjesish, fantazish, imagjinatash dhe se çdo herë duhet të shohësh atë që të bën ty të ndjehesh Ti, sa herë zgjohesh e sa herë qepallat të mundin në rrugëtimin e përditshëm.

Vlora nuk ngutet të na shtrojë një rrugë të lehtë për hapat tanë, por të lehtën e peshon aq mirë sa, pasi murmurin vargje të ndryshme, kërkon t’i rishohësh peshën e përbashkët. Ashtu siç na e sjellë edhe essteti Italo Calvino aq natyrshëm atë dallim aspak matematik mes të lehtës dhe të rëndës, duke na dhënë një peshore shpirtërore.

Nëse admiruesit dhe studiuesit e konsiderojnë poezinë si kurorën e imagjinatës në krijimtarinë letrare, mund të futen në këtë vëllim përmes velave që na dhuron vetë autorja për të udhëtuar në këtë det imagjinate, ku kufijtë janë mes lotit dhe buzëqeshjes. Madje, duket sikur të fton të mos turpërohesh teksa kap veten duke dashur të lexosh dhe të rilexosh, pasi “edhe dimnat mërdhasin”. Sepse brenda të bardhës ka gjithnjë nuanaca edhe më të bardha, e brenda të zezës ka edhe një tjetër errësirë, e ne veç duhet me vëzhguar me kujdes.

Është emocionuese të kalosh nga “Dimnat e fëminisë” te “Boshi i birit”, pasi duket sikur kalon një urë të qëndisur herë me fërshërfimë kënaqësie dhe ëndërrimi e herë me nevojën e ulërimës për atë çfarë na lidh me atë që s’mundena me e humb.

“Mundem me t’u ba erë që të lëviz velat

N’drejtime t’pagabueme,

Por nuk mundem me t’u ba lëkurë që ta fsheh

Secilën plagë….

…Mundem me t’u ba qiell që ta kupton etjen për nji

Pikë shi,

Por jo shi, që t’i shuen tana etjet”

( Shkëputur nga ‘nuk’ Mundem”, pjesë e vëllimit “Katërdhjetë e pak”)

Vlora nuk e fsheh se shumëçka është e vështirë të gjejë rrugën e shpjegimit. Madje, duke na ardhur me vargjet e poezisë “Mos i fol botës për te”, na shtron atë udhën e pamundësisë së rrëfimit, edhe pse poezia është gjithnjë ajo thirrja e fortë për ta arritur të pamundurën, sepse të dashurosh deri në pamundësi qenka e mundun, dhe se bota ka nevojë ta prekë, ta di atë forcë, edhe kur e dimë se prekjet dhe t’pamet e të njëjtës dorë, e të njëjtit sy, janë herë ngjitur e herë aq larg sa nuk mund të kesh fuqinë fjalësh për gjithë urat që duhen me mbërritur.

Teksa mbyll vëllimin ndjen direkt dëshirën për ta rihap, për ta rilexu, pasi të duket sikur kanë mbet aty imazhe që nuk ke arritur dot t’i rrokësh sa duhet. Pastaj, në rilexim kupton kurthin e amël të asaj që poezia e ka të nevojshme- të rilexosh dhe të përpiqesh ta thuash vargun, deri sa të të kthehet në lëkurën e kënaqësisë.

(Shënime për vëllimin poetik “Katërdhjetë e pak” e Vlora Ademit)

Filed Under: LETERSI

Dr. Osman Jonuzi (1879-1966) dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në vitin 1926

January 16, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Babai i kirurgjisë dhe gjinekologjisë moderne shqiptare Dr. Osman Jonuzi lindi në Gjirokastër në vitin 1879. Arsimin fillor ai e mbaroi në Janinë ku familja e tij u zhvendos për arsye ekonomike. Më pas ai u regjistrua në gjimnazin e Manastirit.

Studimet e larta Dr. Osmani i vijoi në Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll. Për disa kohë ai shërbeu si mjek i ushtrisë osmane në Mekë, Jemen dhe Tuniz. Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, ai kthehet në atdhe ku vihet në shërbim të Qeverisë së Vlorës dhe nevojave që kishte populli shqiptar.

Pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920 Dr. Osmani bëri përpjekje për organizimin e sistemit shëndetësor. Për këtë, ai u emërua drejtor i spitalit civil në Tiranë dhe së bashku me ndihmësin e tij Dr. Ruzhdi Pobrati fillimisht hapën dy pavione, atë të kirurgjisë dhe gjinekologjisë. Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim dha kryetari i Bashkisë, kleriku dhe patrioti Ismail Efendi Ndroqi. Ai aprovoi në Këshillin Bashkiak propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Frashërit dhe Dr. Osman Jonuzit për hapjen e spitalit të parë të Tiranës tek Hani i Pashës (Hani i Elbasanit) në krahun e djathtë të Kullës së Sahatit. Ky spital qëndroi i hapur deri në vitin 1932 kur u ndërtua spitali tjetër modern “Zogu I”. Ai kishte një kapacitet prej 50 shtretërish dhe ishte i organizuar në disa reparte. Në këtë spital kryeheshin vizita të ndryshme ambulatore dhe ndërhyrje kirurgjikale.

Më 21 qershor 1926, Dr. Osman Jonuzi i cili vazhdonte specializimin për kirurgji dhe gjinekologji si bursist i shtetit shqiptar në një nga spitalet më të njohur të Parisit, nënshkroi me urdhër të ministrit të Jashtëm Hysen Vrioni anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kjo marrëveshje u regjistrua në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve më 18 korrik 1926. Nga kjo konventë Shqipëria përfitoi bursa për studentët dhe mjekët, ndihma mjekësore dhe shëndetësore nga fondacione të ndryshme nga e gjithë bota, e sidomos nga fondacioni Rokfeler i SHBA-së.

Në foto spitali civil i Tiranës pranë Kullës së Sahatit i cili funksionoi nga viti 1920-1932 dhe Dr. Osman Jonuzi (1879-1966)

Filed Under: Histori

Vetëm peshku i ngordhur shkon me rrymën

January 16, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 3 janar 1521, Papa Leo X lëshoi ​​urdhrin papal Decet Romanum Pontificem, duke shkishëruar Martin Luterin, priftin dhe teologun gjerman i cili nisi Reformacionin Protestant.

Perandori Charles V i ofroi Luterit mundësinë të pendohej e të shpëtonte veten nga burgosja apo edhe ekzekutimi. Por Luteri iu përgjigj:

“Unë nuk mund dhe nuk do të heq dorë nga asgjë, sepse të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë dhe as e sigurt. Ky është qëndrimi im, nuk mund të bëj ndryshe.”

Përpos përhapjes së menjëhershme të Protestantizmit në trevat gjermane, vendet e ulëta, ato nordike, britanike e më pas në kolonitë amerikane, qëndrimi i Luterit themeloi konceptin e ndërgjegjes së individit në raport me veten, shoqërinë, besimin dhe ideologjinë. Nga ky qëndrim i Luterit ndërgjegja u bë matësi dhe guida e aktivitetit njerëzor duke çuar ndër epoka lëvizje transformuese, revolucione dhe ideologji sfiduese ndaj shtypjes dhe kontrollit. Kjo është arsyeja që edhe të arrestuarit për shkak të mendimeve apo ideologjive të tyre quhen të burgosur të ndërgjegjes pasi e vënë atë mbi normat e imponuara apo të diktuara.

Mesazhi i Luterit u integrua e u cimentua në shoqërinë evropiane duke u përhapur edhe më tej, duke i bërë njerëzit e popujt të vetëdijshëm se vetëm peshku i ngordhur shkon me rrymën, dhe se të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë e as e sigurt, por është vetëm skllavëri e verbëri.

Sot, ky parim themeltar dhe e drejtë njerëzore aplikohet në vendet e zhvilluara ndaj edhe shohim në mënyrë të vazhdueshme qëndresa popullore ndaj çdo diktimi e imponimi vertikal dhe kjo është arsyeja kryesore pse vendet perëndimore janë më pak të korruptuarat në renditjen botërore sepse ndërgjegja luan rolin themeltar në jetën e individit, qoftë ai apo ajo në pozicione qeverisëse e drejtuese qoftë edhe në ato zbatuese dhe në hallkat e fundit të hierarkisë së pushtetit.

Shoqëria shqiptare do jetë më e emancipuar dhe në anën e drejtësisë nëse secili do e dëgjojë zërin e ndërgjegjes së vet duke mos e kompromentuar kurrë atë, e nuk mos shkuar e vepruar asnjëherë kundër saj.

Është dhurata më e çmuar që ne kemi si individë dhe si shoqëri.

Është garantja e vetme e drejtësisë dhe e zhvillimit.

Filed Under: Fejton

Sot, kujtojmë lindjen e Babait të Kombit, Ismail Qemali, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

January 16, 2024 by s p

Muzeu Hisorik Kombëtar/

Lindi në Vlorë më 16 Janar 1844 në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll. Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj. Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi. Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë. Mori pjesë në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër Xhonturqve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Më 1909 mori pjesë në kundërrevolucionin kundër Xhonturqve dhe u zgjodh kryetar i Partisë Liberale (Ahrar). U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjes kundërosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme. Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1367
  • 1368
  • 1369
  • 1370
  • 1371
  • …
  • 2942
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT