• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deklaratë e Presidentes Vjosa Osmani pas aprovimit të Departamentit amerikan të Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemeve mbrojtëse të armëve Javelin

January 12, 2024 by s p

Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.

Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes.”

Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian.

Filed Under: Rajon

Karl Gega, fama e shqiptarit që u rëndit me Moxartin, Frojdin, Kafkën e Frans Jozefin

January 12, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Hekurudha e Semeringut, sfida e inxhinierisë së fundshekullit XIX ka në vetveten e qenësishme një ndër më të kurajshmit të inxhinierisë, gjeniun me prindër shqiptar, Karl Gega.

Karl Gega, figurë e shquar shqiptare e teknikës hekurudhore në shek. XIX, ndërtuesi gjenial i hekurudhës së famshme të Semmeringut. Karl Gega lindi në Venedik me 10 janar 1802 dhe vdiq në Vjenë, më 14 mars 1860, duke vrarë veten nga dëshpërimi. Të parët e Karlit kishin mërguar në Venedik së bashku me shumë bashkatdhetarë të ikur nga Shqipëria Veriore, pas pushtimit osman.

Si individ, Karl Gega u zhvillua para kohe. Mbasi kreu një kolegj për filizofi e matematikë me rezultate të shkëlqyera, në moshën 15 vjeçare u regjistrua në Universitetin e Padovës. Vetëm mbas një viti u diplomua në degën e inxhinierisë. Më 1819, kur sapo kishte mbushur 17 vjeç merr titullin “Doktor në matematikë”.

Iu kushtua ushtrimit praktik të inxhinierisë në shërbim të hekurudhave të Mbretërisë Lombardo-Venete (krahinë e Perandorisë Austriake), duke u marrë edhe me trasimin e rrugëve, kanaleve dhe ndërtimin e godinave të mëdha. Ai punoi në hapjen e rrugës së madhe malore në provincën e Belunos. Gjatë periudhës 1824-30 në provincën e Trevisos, në një pjesë rruge drejtoi punimet edhe nga ana hidraulike. Nga 1830-33 ishte inxhinier në Rovigo dhe pastaj deri në vitit 1836, u caktua në departamentin e ujërave pranë drejtorisë së bujqësisë në Venedik. Në vitin 1840 u gradua dhe u bë zëvendës në Drejtorinë e ndërtimeve për mbarë Tirolin. Aty projektoi rrugën malore që kalon nëpër Val Sugana, pastaj atë që kalon nëpër Oberinnthal, tek Qafa e Finstermünsenit dhe bëri projektin e urës së varur mbi Etsh pranë Mores. Në vitin 1848, si inspektor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ndërtimeve, drejton ndërtimin e hekurudhave të Jugut deri në Laihah. Në këtë kohë bëri një udhëtim të gjatë studimi në Gjermani, Belgjikë, Francë e Angli dhe, me t’u kthyer, hyri përsëri në shërbimin e hekurudhave shtetërore dhe u mor me trasimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, tunel i gjatë 1430 metra. Asokohe diskutohej lidhur me mundësinë e trasimit të një hekurudhe me aderencë të thjeshtë. Kësaj zgjidhjeje ai iu kushtua mbas një udhëtimi të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Më 1849 u bë drejtor i Seksionit të Ndërtimit të Hekurudhave dhe më 1850 drejtor i drejtorisë së përgjithshme për ndërtimin e hekurudhave shtetërore në Vjenë.

02ghega

Zgjidhja e problemit të hekurudhës së Semmeringut nga Karl Gega u kundërshtua nga shumë specialistë, mbasi asohohe diskutohej shumë rreth vështirësive që lokomotiva të ngjitej në atë lartësi me kaderencë të thjeshtë, por eksperienca provoi se ishte një gjë e mundshme, siç e kishte parashikuar ai, që lokomotiva me tren të përshkonte një pjerrësi 25‰ dhe rreze 180 metra. Enkas për hekurudhën malore të Semmeringut u shpall një konkurs midis konstruktorëve të lokomotivave për të ndërtuar një lokomotivë më të fuqishme, sepse zgjidhja e problemit kushtëzohej edhe prej forcës tërheqëse të lokomotivës. Në vitin 1860 përfundoi kjo linjë që është shëmbulli parë i hekurudhave malore.

Të dhëna për urën e Semmeringut

10ghega

07ghega

Për të pasur një ide rreth kësaj pune vigane, po japim disa shifra: gjatë linjës së kësaj hekurudhe u ndërtuan 16 ujësjellësa, me gjatësi të përgjithshme prej 1502 metra, dhe 15 tunele, me gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra. Përveç këtyre u ndërtuan disa qindra ura të vogla dhe një mori muresh mbrojtëse për sigurimin e trenave nga shëmbjet e dheut. Për të gjitha këto u hodhën në erë 1500000 m3 shkëmbinj, u zhvendosën 3500000m3 dhé , u stivuan 65000000 tulla dhe u ngritën 80000 blloqe guri. Duhet pasur parasysh se asokohe, për shpimin e formacioneve shkëmbore, s’kishte mjete të tjera veç turjelave me dorë. Edhe në ndërtimin e ujësjellësave dilnin shumë vështirësi, meqë në atë kohë nuk njiheshin vinçat e mëdhenj; ndërtimi i atyre shtyllave madhështore që arrinin deri 45 metra lartësi dhe një gjërësi deri 20 metra, bëhej nëpërmjet skelave të luhatshme. Por vështirësitë e shumta i nxori sidomos shpimi i tunelit kryesor, që është si të thuash pika kulminante e kësaj hekurudhe malore, tuneli i Semmeringut, në lartësi 818 metra mbi nivelin e detit. Ky tunel, për arsye të gjatësisë së tij, nuk u shpua vetëm horizontalisht e nga të dy anët, por edhe vertikalisht në gjashtë vende, për të hapur galeri porsi puse, nga të cilat nxirrej dheu e gurët.

Qasjet për njohjen e Karl Gegës

Mjerisht, të dhënat e jetës dhe të veprimtarisë së Karl Gegës na kanë arritur mjaft të gjymtuara, aq sa nuk e kënaqin kurreshtjen e ligjshme për ta njohur tërësisht. Vitet e fundit të Karl Gegës qenë të mbushura plot me brenga e hidhërime. Pak kohë përpara se të përfundonte ndërtimin e hekurudhës së Semmeringut, qeveria austriake e dërgoi atë në Sibenburg që të ndërtonte një rrjet hekurudhor të ri. Në të vërtetë, kjo ishte një manovër e bërë me paramendim për ta larguar së andejmi, pikërisht në një kohë kur po përfundonte vepra e tij kryesore. Ai u mërzit e u shqetësua shumë për këtë luftë që po i bëhej prapa krahëve. Mjaftonte një lajthitje banale e teknikëve, që dy anët e tunelit të mos takoheshin në pikën e dëshiruar, por t’i shmangeshin njëra-tjetrës, në drejtime të kundërta. Gjithçka mund të ndodhte në mungesë të tij. Ndodhej në Vjenë kur dikush i tha se dy anët e kundërta të tunelit të Semmeringut paskeshin devijuar gjatë shpimit pa u takuar. Ky lajm e tronditi tej mase Karl Gegën. Me dështimin e kësaj vepre, në të cilën ai kishte derdhur të gjithë përvojën e njohuritë, sikur po i gremisej sedra dhe krenaria e tij. Ndoshta vdekja iu duk më e lehtë se sa poshtërimi, përqeshja dhe përbuzja e kundërshtarëve, prandaj përfundoi në vetëvrasje, në një banesë të Vjenës, në rrugën “Kulla e kuqe”, nr. 6.

09ghega

Lavdia pas vdekjes e mjeshtrit

Ndërkohë tuneli i Semmeringut kishte përfunduar me sukses, por Karl Gega nuk arriti të gëzonte përurimin e veprës së tij madhore.

Karl Gega u vendos në panteonin e njerëzve të mëdhenj. Shtatë vjet më vonë, d.m.th. në 1867 eshtrat e tij u vendosën përfundimisht në një varr përmendore. Edhe në stacionin e Semmeringut. Ppas dy vjetësh, iu ngrit një përmendore në kujtim të këtij nismëtari të hekurudhave malore. Vite më vonë u emetuan pulla poste dhe kartmonedha me fytyren e Karl Gegës. Ndërkohë filluan shtrembërime tendencioze lidhur me kombësinë, gjoja italiane apo gjermane të këtij personaliteti. Por në vetë qarqet e kulturës austriake nuk munguan autorë objektivë, që e kanë vënë në dukje origjinen e tij shqiptare, siç është p.sh. rasti i Friedrich Uallisch, i cili, në librin me titull “Neuland Albanien”, botuar në Stuttgart 1931, thotë në faqen 113: “Karl Gega, ndërtuesi gjenial i hekurudhës së Semmeringut, ka qenë me prejardhje shqiptare, siç dëshmon vetë mbiemri i tij “Gega”, që do thotë nga Shqipëria Veriore”.

Karl Gega ka lënë shkrime për teknikën hekurudhore si “Pamje e përgjithshme e përparimeve në hekurudha, 1840-1850” (botim 3, Vjenë 1853), “Mbi ndërtimin e urave në Ameriken Veriore dhe kalkulimi i aftësive bartëse të urave Houe” (botin 2, ebd 1855). Gjithashtu ai shpiku një zhalon të përmirësuar si edhe një oktantë me nonius për trasimin e kurbave. I tij është koncepti i gjatësisë virtuale të një hekurudhe.

Faktimi i origjinës së Karl Gegës

01ghega

Dr. Alvin Saraçi gjatë një simpoziumi, zhvilluar në Vjenë më 2005, ai argumenton gjenezën e Gegëve mbi bazën e dokumenteve origjinale të gjetura në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias, të pabotuara më parë, hartuar në vitin 1835 nga Giovanni Battista Ghega, prift në Kishën e San-Markos dhe kushëri i parë (djalë i xhaxhait) i Karl Ghegës. Katragjyshërit e Karl Gega dhe Giovanni Battista Gheges ishin vendosur në Perast, pranë Kotorrit, në Mal të Zi, pasi u larguan nga Shqipëria, e cila ra plotësisht nën sundimin turk me mposhtjen edhe të Shkodrës më 1479. Prej më shumë se tre shekujsh, ata kishin shërbyer si oficerë marine dhe zyrtarë të lartë të Republikës se Venedikut. Një dokument i 3 tetorit 1739 mund të konsiderohet si dokumenti i parë, e gjetur deri tani, që fakton linjën e Gegëve, që fillon me Giorgio (Gjergj) Ghegen dhe vazhdon me të birin e tij, Cristoforo (Kristofor), që del si oficer marine në Venedik, por edhe si pjesëmarrës në luftën Veneciane të Thesalisë, kundër turqve, ku mbetet i plagosur dhe humbë një krah. Kristofor pati një djalë me emrin Gasparo (Gaspër), i cili në vazhdën e traditës familjare u bë oficer marine, duke arritur gradën e kolonelit. Gaspari pati tre fëmijë: Antonion (Anton), Giovanniantonion dhe Angelan. Antonio Ghega është babai i Karl Gegës, kurse Giovanniantonio është i ati i Giovanni Battista Gheges, prift në Kishën e San-Markos.

Dr. Saraçi nënvizon se duhen vazhduar kërkimet e mëtejshme në arkivat e Perastit në Mal të Zi. Në këtë simpozium iu dha fund edhe hipotezës mbi vetëvrasjen e Karl Geges. Dr. Artan Canaj mbi bazën e dokumenteve origjinale të gjetura në arkivin e Shtetit të Austrisë dhe Muzeut Teknik të Vjenës, dëshmoi lindjen e Karl Ghegës më 10 janar 1802 (dhe jo më 13 qershor 1802), si dhe provoi se Karl Ghega ka vdekur më 14 mars 1860 në Lugeck në Vjenë (hipoteza e vetëvrasjes hidhet plotësisht poshtë) dhe se ceremonia fetare është zhvilluar ne Katedralen kryesore të Vjenës, Shën-Stefan, kurse trupi është varrosur në varrezat e Vahringer-it në Vjenë.

Më 1887, kur këto varreza u shpërngulën, sarkofagu me eshtrat e Gegës u vendos në panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë, pranë Mozartit, Beethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahmsit dhe Alois Negrellit (projektuesit të kanalit të Suezit).

06ghega

Gega dhe sfidat e tij inxhinierike

Në vitin 1836 Banka Rotschild merr me konçension nga Perandoria Austro-Hungareze, ndërtimin e Kaiser Ferdinand Nordbahn, një hekurudhë që duhet të lidhte Vjenën me Triesten, në drejtim të Karpateve me Galicinë

Karl Gega dhe e Luixhi Negrelli

Gega merr si detyrë të parë një udhëtim përmes Evropës për të hetuar dhe për të parë problemet e hekurudhave, shikon ato franceze, belge, gjermane dhe arrin deri në Angli, ku takon Stivensonin që furnizon hekurudhat perandorake me lokomotiva. Stivenson kishte parë ndërkohë Amerikën në fillim të viteve ’30 dhe në kthim kishte publikuar një vëllim, ndoshta ndër të parat me të dhëna nga hekurudhat amerikane në të cilin ilustronte zhvillimet në ndërtimin e urave, hekurudhave dhe porteve.

Me t’u kthyer në Vjenë, Gega u emëruar kryeinxhiner të hekurudhës që përmendëm më lart. Një detyrë tepër e rëndësishme e marrë edhe pas mbështetjes së këshilltarit të oborrit Ermenegildo Francesconi, me origjinë nga Veneto.

Loti i parë Vjenë-Bernë, u realizua në 1837, por ishte segmenti i radhës që do të vinte në provë Karl Gegën. Në një kohë rekord për epokën, rreth një vit u përfunduan rreth 150 km hekurudhë, duke realizuar volumet masive, vendosur binarët, dhe duke hapur rreth 600 metra rrugë anësore.

10ghega

Ndërtimi ishte një sukses për Karl Gegën, i cili ndërkohë duhej të rikthehej në detyrën e tij të mëparshme në Venecia dhe u zëvendësua nga Negrelli. Por pas katër viteve të kaluara duke drejtuar punimet e ndërtimit të një hekurudhe, Gega nuk gjeti më stimul për të ndërtuar rrugë fushore. Për këtë arsye pranoi detyrën e zëvëndësdrejtuesit të punimeve për rajonet e Tirolit e të Voralbergut, rajone që në atë kohë kishin kufijtë të ndryshëm nga ato që kanë sot. Në fakt ndër detyrat që mori Gega ishte edhe të risistemonte rrugën e Valsugas sot Treintino që ishte në këtë kohë nën juridksionon e Tirolit.

Ishte vetëm një devijim sepse në 1842 Gega u kthye në administratën perandorake të hekurudhave për të studiuar mundësinë e shtrirjes së hekurudhave drejt detit Adriatik.

11ghega

Gega direkt dhe në mënyrë indirekte ndoqi momentet e projektimeve të Brunel në ndërtimin e hekurudhave dhe të anijeve dhe u interesua për makineritë me avull, perceptoi dhe kishte intuitën që disa nga këto shpikje të reja mund të përdoren edhe në ndërtimet e hekurudhave dhe sidomos të urave me harqe.

Në Amerikën e Veriut Gega dhe Lohr udhëtuan shumë, studiuan vijat hekurudhore, vagonat, urat dhe në mënyrë të veçantë ato të inxhinier Squire Uhipple që ishte i pari që projektoi ura me strukturë harkore.

Uhipple ishtë marrë më realizimin e hekurudhës Baltimorë-Ohajo, ku urat ishin ndërtuar me sistemin Houe, në të cilin Gega ishte një admirues. Me t’u kthyer në Vjenë, Gega e përmbledh eksperiencën e tij amerikane në dy libra në të cilat njërin kushtuar urave hekurudhore. Në këtë kohë filloi ndërtimi i segmentit nga Vjena në drejtim të jugut qe përfundon nën drejtimin e Gegës dhe Lohr në tetor 1884.

Katër vite më pas përfundoi segmenti Celje-Laibach, por ai ishte edhe viti i revolucionit. Gega mori detyrën për të realizuar veprën e tij më të rëndësishme, hekurudhën e Semeringut që prej të gjithëvë quhej e pamundur për t’u realizuar. Semering ishte një terren i vështirë megjithëse jo shumë i lartë ( rreth 1000 metra) i rrethuar nga male dhe lugina që arriheshin me shumë vështirësi, ai përfaqësonte kufirin në mes të Austrisë së ulët dhe Stiria dhe ishte një vend antik tranziti drejt Vjenës që vinte nga Adriatiku.

Ky terren ishte zgjedhur sepse dukej më i sigurit për të arritur adriatikun në krahasim me të tjerët, shumë afër më Hungarinë dhe Sloveninë të konsideruara si territoret më të paqarta të perandorisë.

Një ushtri punëtorësh rreth 20 mijë persona, me familjet e tyre, filluan të punonin në një perimetër prej rreth 40 kilometrash në fund të vitit 1848, rreth 1 mijë nga ato nuk u kthyen nga ky kantier duke humbur jetën në aksidente apo sëmundje të ndryshme. Gega u mbyll në një lokal fshati dhe e transformoi në shtabin e tij të përgjithshëm, ishte i mbështetur nga Lohr që merrej me ndërtimin e ndërtesave dhe anekseve të tjera të hekurudhës dhe kishte rreth 50 inxhinierë dhe arkitektë në drejtimin e punimeve të ndarë në lote.

Ekoja e këtij revolucioni u ndje edhe në mes luginave të egra të Semeringut ku ishin luftra të brendëshme, sabotime e sulme, por në pranverën e 1849 punimet rifilluan pa ndërprejrje duke mbetur e paqartë akoma ndërtimi i një lokomotive që do të mund të ngjitej në ato shkrepa. Vija e parazgjedhur, i gjatë dhe torturues ishte përfunduar në vija të përgjithshme dhe ishte modifikuar në përputhje me punimet që kryheshin.

U realizuan galeri të panumërta me gjërësi të tillë që të mund të përballonin dy trase më e gjata e të cilave është ajo e Semeringut në një lartësi prej rreth 900 metra mbi nivelin e detit dhe gjatësi gati 1.5 km. Madhështore është kalimi Kalte Rinne, përfunduar në tetor të 1853, një lloj ure gjigante i tipit roman, realizuar me harqe me nje fuqi të tillë ndërtuese që megjithëse pësoi ndërhyrje për të vënë në punë trenat elektrike dhe i përballoi me sukses. Por në vitin 1851 mungonte akoma lokomotiva që të mund të bënte të mundur kalimin vagonat në pjerrësinë e Semeringut.

U organizua një konkurs për të realizuar një lokomotivë e aftë të tërhiqte të paktën 125 tonelata dhe me një shpejtësi prej rreth 11 km/h në një pendencë 25 për mijë. Mbi të gjitha lokomotiva duhet të ishte në gjëndje duhej të ishte në gjëndje të ndalonte në distanca të shkurtëra dhe në atë kohë nuk ekzistonin frenat e tipit Uestinghouse, të cilat do projektoheshin pas rreth 20 vitesh. Në konkursin për ndërtimin e lokomotivës pas shumë provash fitoi Bavaria e shoqërisë Maffei e Monakos së Bavarisë, lokomotivë që ishte në gjëndje të tërhiqte 150 tonelata me 16 km/h.

Hapi i mëtejshëm ishin linjat hekurudhore drejt Bavarisë, pra Pragës, Pest, ( më vonë Budapest), etj. Por mbetej edhe një segment tjetër shumë i rëndësishëm për t’u përfunduar lidhja e Triestes me Lubjanën. E filluar në vitin 1850, kjo linjë hekurudhore e gjatë rreth 150 km që duhej të kalonte lartësinë e Karsos, që kërkonte të paktën dyfishin e kohës dhe kostos.

Ura më e madhe para Triestes, ajo e Aurisina, me pjesë të harkura dhe e gjatë rreth 650 metra, e cila mbajti për shumë vite primatin europian në terma dimensionesh. I kthyer në një zyrtar të lartë austriak, Gega pa të pakësohej reputacioni i tij me lënien në duar të privatëve të menaxhimit të hekurudhave. Ai u ngarkua edhe me drejtimin e punimeve të hekurudhës Lombardo-Veneto, pastaj me studimin e hekurudhës së Apenineve dhe me atë të Rumanisë, ishte një mënyrë për ta larguar nga Vjena dhe nga administrata publike ku ndihej si “peshku pa ujë”. I hidhëruar nga situata dhe i sëmurë Karl Gega vdiq në mars 1860, vetëm 58 vjeç megjithësë ka disa variante të tjera që mendojnë se ai vrau veten për shkak të mos bashkimit të tunelit të Semeringut.

Filed Under: Kulture

Piramida

January 11, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë vetë thonë se egjiptianët e lashtë dërguan eksplorues në Amerikë dhe kjo është arsyeja pse ka piramida. Një ditë, një zbulim i pazakontë u bë në gjirin e Rio de Janeiro. Forma e dallueshme e enëve është e pagabueshme. Këto janë amfora.. amfora romake. Pra, si përfunduan në anën tjetër të Atlantikut?

Dihet se romakët bënin tregti përgjatë bregut perëndimor të Afrikës, kështu që ndonjë anije mund të ishte shtyrë nga era drejt oqeanit të hapur dhe më pas rrymat e çuan në Amerikë. Një zgjidhje tjetër, megjithëse më pak emocionuese, është se amforat u përdorën në Evropë shumë kohë pas rënies së Romës dhe këto u hodhën nga disa detarë portugez që vizitonin koloninë e tyre të re në Amerikë.

Në çdo rast, edhe nëse do të ishin romakët e kohës Perandorake, ishte padyshim një incident i izoluar. Nuk është gjetur asnjë shenjë tjetër e vizitës së Romakëve (ose të dikujt nga Bota e Vjetër). Sidomos nëse kjo do të ishte një rrugë tregtare, ne do të prisnim të gjenim monedha romake, siç bëmë në Indi dhe në bregdetin lindor të Afrikës. Do të prisnim që speciet e kafshëve dhe bimëve të shkëmbeheshin, siç bënë duke filluar nga shekulli i 16-të. Dhe nëse romakët do të dinin për Amerikën, ne do të prisnim që ajo të ishte e pranishme në hartat e botës së njohur në ato periudha. Të tilla si Harta e Ptolemeut, nga shekulli II, ku format duken të çuditshme, por mund të shohim tipare mjaft të largëta, të tilla si Briri i Afrikës, Sri Lanka, madje edhe Malaya në lindje. Megjithatë, Amerika nuk gjendet askund.

Gjëja kryesore është se Ptolemeu, autori i hartës, ishte i dinastisë egjiptiane të maqedonasve. Me sa duket, nëse egjiptianët lundruan qëllimisht në Amerikë me arkitektë për të ndërtuar piramida, kjo do të ishte e çuditshme. Një faraon egjiptian Nekho II (610–595 pes) dërgoi një ekuipazh fenikasësh në një udhëtim mjaft të gjatë për të lundruar rreth Afrikës. Këtu është një pasazh nga Herodoti:

“Pra, fenikasit u nisën nga Deti i Kuq dhe lundruan në detin jugor; sa herë që vinte vjeshta, ata qëndronin dhe mbillnin tokën në cilëndo pjesë të Libisë që kishin arritur, dhe atje prisnin të korrat; pastaj vazhdonin lundrimin, kështu që pasi kaluan dy vjet, mbërritën në shtyllat e Herakliut dhe erdhën në Egjipt. Aty ata thanë se gjatë lundrimit rreth Libisë e kishin diellin në të djathtën e tyre.”

Kjo periudhë kohore përkon edhe me Olmekët, të cilët ishin qytetërimi i parë amerikan që ndërtoi piramida. Megjithatë, është gjithashtu një mijë vjet pasi vetë egjiptianët kishin ndaluar ndërtimin e tyre. Piramida e fundit në Egjipt u ndërtua nga faraoni Ahmose, i cili mbretëroi në vitet 1550 – 1525 pes. Olmekët u formuan rreth vitit 1000 pes, kështu që ka një mospërputhje të madhe kohore, edhe nëse egjiptianët kaluan Atlantikun. Të cilën nuk e bënë. Nëse jo, do të ishin fenikasit, të cilët në të vërtetë ishin mjeshtrit e marinarëve të Mesdheut, mjerisht nuk ndërtuan kurrë një piramidë në të gjithë historinë e tyre.

Ideja në pyetje është intriguese dhe do të ishte vërtet ndriçuese nëse do të kishte kontakt transatlantik parakolombian. Sidoqoftë, të lashtët padyshim nuk e kishin idenë se ekzistonte Amerika. Kjo është arsyeja pse Kolombi duhej ta zbulonte në radhë të parë.

Arsyeja pse ka piramida në të dy vendet (dhe të tjera gjithashtu) është me të vërtetë kaq e thjeshtë sa duket tepër e shurdhër – piramidat janë forma më e lehtë për të grumbulluar gurë nëse doni të bëni një strukturë të madhe të lartë. Njerëzit mund ta kuptojnë atë në mënyrë të pavarur në të njëjtën mënyrë si bujqësia që u shpik në të gjithë botën në periudha të ndryshme nga popuj të ndryshëm. Dhe me të vërtetë, piramidat egjiptiane ngjajnë vetëm sipërfaqësisht me ato në Amerikë:

Piramidat egjiptiane janë anash të lëmuara, me një varr të brendshëm dhe një tempull masiv të bashkangjitur. Ndërtesa private.

Piramidat amerikane janë grumbuj gurësh, pa dhoma të brendshme dhe përballë një sheshi, vend publik, ku mblidheshin njerëzit.

Filed Under: ESSE

Shqipëri-Kosovë, 10 vjet nga mbledhja historike e parë e përbashkët e dy qeverive

January 11, 2024 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Janar 2024/ Para 10 viteve, në 11 Janar 2014,  në Prizren është mbajtur mbledhja historike e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës.

Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni të organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.

Në mbledhjen historike, të hapur me fjalimin e Kryeministrit (të atëhershëm) të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, janë shqyrtuar:

1.      Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;

2.      Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë;

3.      Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës;

4.      Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës;

5.      Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë;

6.      Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë;

7.      Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë;

8.      Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës;

9.      Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor;

10.  Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DOKUFEST në Prizren;

11.  Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria;

12.  Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës;

13.  Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.

Mbledhja e ardhëshme e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jetë e nënta.

Para mbledhjes së tetë të përbashkët – të 20 Qershorit 2002, në Prishtinë,  Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.

Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.

NË 10 JANAR 2014 – NJË DITË PARA MBLEDHJES SË PËRBASHKËT TË QEVERIVE SHQIPËRI-KOSOVË ATSH SHKRUANTE:

Udhëtimi për në Prizren….

PRISHTINË, 10 Janar /ATSH-Behlul Jashari/.- “Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.

Ai reportazh është  botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

Në të dy anët e kufirit që i ndante shqiptarët që edhe e kishin të ndaluar ta kalojnë, madje edhe t’i afrohen, janë botuar edhe shkrimet tjera në këtë “udhëtim”  titujve nëpër vite e nëpër kohë.

Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si titullohej shkrimi  që u botua në 19 mars 1996.

“Sa afër e sa larg Shqipëria” thoshte titulli i shkrimit të asaj kohe, botuar në 11 gusht 1996.

“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova të asaj kohe, që nga maji 1992 nga korrespondenti në Prishtinë, në fundivitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Ishte koha e pragluftës dhe e luftës, e sulmeve me “Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë”, që  i raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 5 maj 1996.

Por, ishte edhe kohë me “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” (titull shkrimi i botuar në 5 janar 1997), sepse u bë “Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar” siç thoja në titullin e shkrimit të botuar që në 6 korrik 1996.

Ishte “Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon” që e raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 8 korrik 1995.

“SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës”, ishte titull shkrimi botuar në 10 gusht 1996.

“Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë” ishte titulli i shkrimit botuar në 12 shkurt, 1998, pikërisht  1 vit e 4 muaj para 12 qershorit 1999, kur herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin nga ana e Maqedonisë në orën 05 e 17 minuta (të nesërmen nga ana e Shqipërisë) raportoja për ATSH-në se “në Kosovë po ndodhë liria”.

Në vendin e lirë, që shpalli edhe pavarësinë në 17 shkurtin historik 2008,  një prej shumë shkrimeve ka titullin “Kosova e komuniteteve të barabarta”  botuar në 20 maj 2001.

“Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve”, ishte qëndrimi i përsëritur shumë e shumë herë nëpër vite, para, gjatë e pas lufte, dhe ky ishte dhe titulli i shkrimit  botuar në 2 korrik 1997.

Ishin vite udhëtimi edhe drejt ditës së 11 janarit 2014 për në Prizren. “Ecim kah një mrekulli”, ëshë titulli i librit që kam botuar në 1973 te Rilindja në Prishtinë për mrekullinë e lirisë së Kosovës që e ëndërronim. E ajo ishte “E teta mrekulli” sipas titullit të vjershës, të cilën e hoqi censura nga libri…Megjithate, titulli i librit i dalë nga ajo vjershë mbeti në ballinë, dhe gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku janë edhe titujt e shkrimeve gazetareske që përmenda dhe të tjerë.

Si edhe Shqipëria, edhe Kosova e lirë dhe e pavrur  është mrekullia, arritja historike e shqiptarëve në “udhëtim për në Prizren”, ku në ditën hitorike të 11 janarit 2014 qeveritë e dy shteteve në mbledhjen e përbashkët do të bisedojnë edhe për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve edhe në udhëtimin për në Bruksel, drejt Bashkimit Evropian./a.g/

Filed Under: Politike

NJË KONTRIBUT ME VLERË NGA “ÇUNAT E BOSTONIT”

January 11, 2024 by s p

– Ndihmojnë me ushqime familje të varfra në Shqipëri-

Fuat Memelli/

Rastësisht dje datë 8 janar 2024, në emisionin “ Stop” të TV KLAN, pashë kontributin në ushqime të grupit” Çunat e Bostonit” për njerëz në nevojë në Shqipëri. E ndoqa edhe shpërndarjen e tyre në disa familje. Spikaste edhe logua e çunave. Një gjë e vogël kjo në dukje, por që fliste shumë. Sinqerisht u gëzova nga ky veprim. Në Shqipërinë tonë krahas milionerëve të rinj, ka me qindra ose më sakt me mijra famijlje që jetojnë në varfëri. I shoh këto familje në emisionet televizive dhe më kap trishtimi. Sa mirë do ishte që shëmbullin e çunave të Bostonit ta ndiqnin edhe shqiptarë të tjerë në Amerikë dhe kudo që ata jetojnë. Ata duhet të jetë më solidarë. Sigurisht së pari

ndihmojnë familjet e tyre, ndërkohë sipas mundësive duhet të ndihmoen edhe familjet që jetojnë në varfëri ekstreme. Sigurisht shëmbuj të kontributit të emigrantëve ka plot, por duhet zgjeruar ky numër. Tek shkruaj këto rradhë më vijnë ndërmënd fjalët e Nënë Terezës: “ Ne nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Sigurisht kontributi i emigrantëve nuk e shëron këtë plagë, vetëm sa e zbut për pak ditë. Për ta shëruar atë, duhen masa nga shteti për të miratuar minimumin jetik, por kush e di kur vjen kjo ditë, e cila tani për tani duket larg. Situata aktuale e bën më të domosdoshme kontributin e emigrantëve. 100 e ca vjet më parë, thirrjes së Vatrës për të ndihmuar Shqipërinë, ju përgjigjën emigrantët e asaj kohe, megjithëse ishin në kushte shumë më të vështira se sot.

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1378
  • 1379
  • 1380
  • 1381
  • 1382
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT