• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poeti Gjekë Marinaj solli magjinë e poezisë te “Bijtë e shqipes”

January 10, 2024 by s p

Në Philadelphia u organizua promovimi i vëllimit me poezi, ‘’Paradigma e Parajsës’’, të poetit, Gjekë Marinaj

Nga dr. Sadik Elshani

“Shpirt i zbardhur gjer në shpirt

Çdo fjalë

lëshon tinguj marramendës

nga kontakti i filozofisë

me ndjenjën.”

(Gjekë Marinaj, “Poezia”, nga përmbledhja “Lutje në ditën e tetë të javës”, Prishtinë, 2008.)

Dr. Gjekë Marinaj, poet e intelektual me përmasa botërore

Ky citat i mësipërm mishëron, shpreh botën e pasur poetike, botëkuptimin filozofik të poezisë së Gjekë Marinajt. Poezia e tij është e rrjedhshme me plot figuracion, nënkuptime filozofike për jetën. është poezi e shkruar nga një njeri shumë pozitiv, nga një shpirt i bardhë me zemër të çiltër e të pastërt prej nga burojnë vargje të rrjedhshme për jetën, atdheun, prindërit, bashkëshorten, dashurinë e mirësinë njerëzore, të bukurën. Po, poezia e tingujt muzikor shprehin edhe ndjenjat më të holla të njeriut. është shkruar shumë e do të shkruhet edhe më shumë për poezinë e Gjekë Marinajt, por kush më mirë se shkrimtari yne i madh, Ismail Kadare, mund ta shprehë më mirë?!

“Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë evropianë…Kur lexojmë poezinë e tij për kalimin e Akeronit, lumit të skëterrës, atë që ndanë jetën nga vdekja, s’ka si të mos na kujtohet episodi prekës, ku ai, djaloshi i ri, u arratis dramatikisht nga Shqipëria totalitare më 1990, duke kapërcyer me ‘not’ një lumë, që shërbente si kufi”.

Për poezinë e Gjekë Marinajt kanë shkruar edhe shumë të tjerë, përfshirë edhe ëole Soyinka-n, fituesin e Çmimit Nobël në letërsi, 1986. Vlen të cekët edhe një citat nga ëashington Daily Neës: “Gjekë Marinaj është poeti për të cilin bota ka pritur kaq gjatë”.

Ka kohë që edhe ne po e prisnim të na vinte në shoqatën tonë. Dhe ja na erdhi edhe çasti i lumtur, të shtunën, më 6 janar, në mjediset e Shoqatës Marëshqiptare “Bijtë e shqipes” u organizua një veprimtari mbresëlënëse me rastin e promovimit të librit më të ri me poezi të Gjekë Marinajt, “Paradigma e Parajsës”, kushtuar bashkëshortes së tij, Dusitës, me rastin e 30 vjetorit të martesës së tyre. Edhe pse atë ditë bënte një kohë shumë e keqe në tërë pjesën verilindore të ShBA-ve, anëtarët më entuziastë të shoqatës sonë dhe adhuruesit e poezisë nuk munguan në këtë veprimtari. Kishin ardhur edhe miqtë tanë nga Connecticuti e Nju Jorku: poeti Mhill Velaj, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, i shoqërua nga prof. dr. Besim Muhadri, aktori Shaban Lajqi e veprimtari Prend Qetta.

Sipas traditës së shoqatës sonë veprimtarinë e hapi kryetari, z. Dritan Matraku, i cili që në fillim shprehu kënaqësinë që në mesin tonë kemi të pranishëm një personalitet të shquar si dr. Gjekë Marinajn, poet, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar, si dhe themelues i një forme të re të kritikës së artit e letërsisë, e njohur si Teoria e Protonizmit. Z. Matraku i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, sidomos atyre që kishin ardhur nga larg, edhe përkundër kushteve shumë të vështira atmosferike, vazhdimisht frynte, binte shi e borë.

Zoti Vlashi Fili, ish- sekretari shumëvjeçar i shoqatës, kishte përgatitur një material të detajuar për jetën dhe veprën e Gjekë, Marinajt, titulluar: “Dr. Gjekë Marinaj – intelektuali me përmasa botërore”. Në fjalën e tij z. Fili bëri një pasqyrë të jetëshkrimit të z. Gjekë Marinaj, nga largimi i tij nga Shqipëria për shkak të poezisë së tij, “Kuajt”, deri te vendosja e tij në ShBA, shkollimin e tij, angazhimin në veprimtari të ndryshme letrare, akademike, botuese. Dr. Marinaj është themelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, si dhe kryetari i pare i saj. Z. Fili përmendi edhe krijimtarinë e begatë e cilësore të dr. Marinajt dhe numrin e madh të veprave të tij të botuara, dekoratat dhe çmimet e vlerësimet e shumta kombëtare e ndërkombëtare. Z. Fili vuri në dukje se, “poezitë e dr. Marinajt janë përkthyer në katërmbëdhjetë gjuhë anëkënd botës. Vetëm poezia “Kuajt” është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme. Teoria e tij kritike, e quajtur Protonizëm është vlerësuar në të gjitha vendet ku është shpërndarë”.

‘’Paradigma e Parajsës’’, himn i dashurisë

‘’Paradigma e Parajsës’’ ështeë një himn i dashurisë, kurorë adhurimi që poeti Gjekë Marinaj ia ka kushtuar bashkëshortes së tij të dashur, Dusitës, me rastin e 30 vjetorit të martesës së tyre. Janë këto vargje, kuptohet, të thurura me shumë dashuri, ndjenja të sinqerta, adhurim e përkushtim, që prekin nivelet e hyjnores, i hapin dyert e Parajsës. Vargje që tingëllojnë si një vals i lumtur, një simfoni magjepëse për jetën bashkëshortore, shpalosin botën e pasur shpirtërore të autorit më tërë fuqinë e universit të tij krijues.

Zoti Lutfi Brami, veprimtar i dalluar i shoqatës sonë, kishte përgatitur një material të pasur e cilësor për krijimtarinë e Gjekë Marinajt dhe posaçërisht për vëllimin poetik, ‘’Paradigma e Parajsës. Zoti Brami e vlerësoi lart poezinë e Gjekë Marinajt, dhe në veçanti përmbledhjen poetike në fjalë:‘’ “Paradigma e parajsës”e Gjekë Marinaj është një libër me lirika dashurie, ku, zbulohen këndvështrime e qasje të reja poetike, të cilat poeti ia ka kushtuar dashurisë së jetës, bashkëshortes, të bukurës Dusitë, dashuri e njësuar përjetësisht “si një shpirt në dy trupa“,Mesazhi që rrezatojnë këto vargje, ngjan sikur i tejkalon dimensionet personale të kësaj dashurie, e bëhet natyrshëm përçuese e ndjenjë universale, për të cilën bota sot ka shumë nevojë. Vargjet e poezisë ‘’Unë dhe Ti’’: “ngjitëm dashurinë në parajsë/ në parajsë ngjitëm dashurinë/ dashurinë në parajsë ngjitëm”, ngjajnë si një melodi e pa këputur duke e bërë më të fort qëndrueshmërinë e duke lartësuar drejt qiellit shpirtin e dashurisë.Një harmoni perfekte mes formës e përmbajtjes, që fillon me ngjitje e vazhdon ngjitjen si synim a rrugëtim jetësor, si përsosje shpirtèrore, si dashuri që nuk shterron, si fuqi poetike gjithnjë në rritje, kèrkuese drejt përsosmèrisë, në esencën e gjithçkaje, si lèngu i jetës, si magji e lidhjes në çift, fryma e shenjtë nga tè cilat lindin ndjenjat, fjalët e vargjet’’. Ndërsa për cilësinë e lart të poezisë së Gjekë Marinajt, z. Brami u shprerh: ‘’Shprehja e bukur artistike dhe mendimi pozitiv janë përbërës të poezisë së autorit’’.

Poeti Mhill Velaj para të pranishmëve paraqiti një material mjaft cilësor e të përgatitur bukur me mjaft shije artistike e profesionalizëm të lartë, me titull: ‘’Parajsa shpirtërore e dashurisë shndërruar në art poetik’’. Edhe z. Velaj me mjaft autoritet foli për vlerat artistike, motivet e poezisë së autorit Marinaj: ‘’ Poeti Marinaj është poet i përmasave të lartësuara sepse di t’i këndojë psalme jetës, paqes , harmonisë dhe dashurisë. Mu në magjinë e kësaj pemase parajsore ai gjakon parajsën e perjetuar e jo atë te kujtesës dhe asaj që ndoshta nuk do të vij më kurrë’’. Po japim edhe një fragment nga materiali i z. Velaj për përmbledhjen poetike, ‘’Paradigma e Parajsës’’, sepse vërtet është shkruar bukur dhe cdo perifrazim do ta zbehte atë: ‘’ Të mençurit e Rilindjes Europiane si Dante dikur kanë thënë se: poeti është një lloj profeti i cili ia hap portat parajsës. Andaj pena poetike dhe magjia letrare që na ofron çdoherë Gjekë Marinaj është sfiduese për lëxuesit por njeherit edhe një shkallë katarzimi e përthellimi në fenomene letrare të cilat shquhen për stilin e veçantë, elegancen e të shkruarit, mjeshterisë dhe rezonimit letrar, por edhe rikapitullimit reminishent që të lë pa frymë kur lëxuesi vertikal reflekton për planin ideo artistik dhe mesazheve hera hera meta psikologjike. E lexova me një frymë ketë vëllim poetik, ku te pjesa, ‘’Dashuria dhe fati ‘’ reflektohet për një dimension krejt tjetër letrar e shpirteror, kulturor e human nga poetet tjerë të cilët hapesirën qiellore të dashurisë nuk e shohin të shkëputur nga melankolia dhe instinktivja. Këtu, ndaj mendimin, qendron magjia poetike e plani ideo artistik i këtij poeti të përmasave mbarëkombetare dhe i nivelit nderkombetar. Gjeka e nuhat, perjeton, shijon dhe e e jetëson dashurine në një dimension me të lartësuar se sa e bukura e estetikja, me lart se shija e ëndrra, por edhe me lart se e përkohshmja sepse fuqia e tij mendore, pervoja empirike dhe intuita e tij e bejnë të meditoj për fenomene me të lartësuara se sa vet arti, poeti. E mbi të gjitha zgjodha dashurinë shprehet shën Pali në letrën dërguar Korintianëve. Këta përbërës letrar janë uji, dielli dhe mendimi. Poeti është gjithmonë i etshëm për dashuri dhe atdhedashuri’’.

Bashkëbisedim i ngrohtë vëllazëror

Prof. dr. Besim Muhadri, profesor i letersisë së sotme shqiptare në Universitetin e Gjakovës, i njoftoi të oranishmit se edhe krijimtaria e z. Marinaj është e përfshirë në programet mësimore të kësaj lënde universitare. Z. Sadik Elshani në fjalën e tij ceku se edhe poetët e mëdhenj të Rilindjes Europiane, Dante Aligieri (1265 – 1321) e Françesko Petrarka (1304 – 1374) kishin shkruar vargje të bukura kushtuar të dashurave të tyre, Beatriçes e Laurës, përkatësisht, por ato ishin dashuri në distancë, të parealizuara në jetë. Ndërsa Gjeka i këndon bashkëshortes së tij me të cilën jeton në harmoni bashkëshortore për më shumë se tri dekada. Në këtë veprimtari diskutuan edhe zotërinjtë: Prend Qetta, Tajar Domi e Iliaz Shehu. Për të pranishmit aktori, Shaban Lajqi, me mjeshtëri të lartë artistike e recitoi poezinë, “Kuajt”, poezi satirike që aludonte në popullin e shtypur shqiptar nën diktaturën komuniste. Vlen të përmendet këtu se në këtë veprimtari u fol mjaft për këtë poezi tashmë emblematike të letërsisë së sotme shqiptare, e cila në njëfarë mënyre edhe e vulosi fatin jetësor të autorit. Pa këtë poezi ndoshta rrjedha e jetës së autorit do të kishte ndonjë kahje tjetër. Ndoshta këta “Kuajt” ia dhanë edhe ndonjë shqelm diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo poezi është edhe një dëshmi se forca e fjalës godet më fort se gjylet e topave.

Në fund të kësaj veprimtari fjalën e mori edhe mysafiri i nderit, i cili falenderoi shoqatën për organizimin e këtij promovimi, falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu kënaqësinë që ndodhet në një mjedis të tillë, në mesin e njerëzve entuziastë që dijnë ta vlerësojnë artin, të bukurën. Z. Marinaj pastaj foli për krijimtarinë e tij, frymëzimet dhe angazhimet e tij letrare, pedagogjike e diplomatike. është dashuria ajo që sjellë lumturinë u shpreh ai duke kujtuar jetën e varfër (materiale) të familjes së tij, por ishte dashuria në familje që e bënte jetën të lumtur, të durueshme. është dashuri, mirësia njerëzore që e përshkon tërë krijimtarinë artistike të z. Marinajt. Pastaj ai foli për poezinë e shkruar, të botuar, por theksoi se është edhe një poezi tjetër, e pashkruar, që shumë njerëz a bartin në brendinë e qenjes së tyre. Ai me personalitetin e tij tejet të përzemërt rrezaton dashurinë e mirësinë njerëzore në jetë dhe në vargjet e tij. është thjeshtësia ajo që ia shton madhështinë një njeriu. I tillë është Gjeka, i thjeshtë, i përzemërt dhe i dashur nga të gjithë. Me qetësinë e poetit, fisnikërinë e malësorit e urtësinë e intelektualit “par excellence” ai krijoi një atmosferë të ngrohtë bashkëbisedimi. Të pranishmit u interesuan edhe për teorinë e tij të Protonizmit, dhe ai me një gjuhë të drejtpërdrejtë e me terma mjaft të kuptueshme e me pak fjalë të thjeshta ua bëri atyre të afërt këtë teori, e cila është duke u përhapur anembanë botës. Bisedat e ngohta e shumë miqësore vazhduan edhe gjatë koktelit që shoqata jonë shtron pas çdo veprimtarie të saj.

Ishte kjo në veprimtari e vecantë e mbresëlënëse që për një kohë të gjatë do të mbetet në kujtesën e të gjithë të pranishmëve si një përjetim i këndshëm që rrallë ndodh në jetë. Të gjithë shprehën kënaqësinë që në mesin tonë kishim një personalitet të shquar si z. Marinaj, shprehën krenarinë kombëtare për të arriturat e tij. Në një ditë të ftohtë janari e me shumë shi ai na solli çaste të lumtura, motive me diell, do të thoshte Kadare – solli magjinë e poezisë, ndjenjën e së bukurës. Dera jonë mbetet gjithmonë e hapur…

Philadelphia, më 9 janar 2024

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes.

Filed Under: Reportazh

Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit

January 10, 2024 by s p

Albin Kurti*/

…Serbia nuk është rrezik siç shihet e dihet vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan. Ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj, sidomos ndaj atyre që kanë guximin të pranojnë se përmes kërkim faljes për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ndërtojnë bazë të zhvillimit të marrëdhënieve të mira paqësore e të pajtimit. Kështu është rasti me liderin opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, Kryetar i Partisë Republikane atje, për të cilin krahas torturave fizike ndaj tij, shteti serb zgjedh të ngritë aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare, sepse ai u përkul para varrit të 7-vjeçares Blerina Jashari, e vrarë nga forcat serbe në Prekaz, në marsin e vitit 1998.

Trajtimi i Nikolla Sandulloviq nga Agjencioni i Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë flet për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetes. Mënyrat, sjelljet dhe veprimet anti-demokratike pasqyrojnë realitetin e hidhur atje, vendin ku nuk njihet fjala e lirë, nuk vlejnë konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, e ku me frikë dhe dhunë tentohet të mposhtet opozitarizmi dhe çdo zë që i kundërvihet pushtetit autokratik të Aleksandër Vuçiqit. Serbia është vendi ku Millan Radojçiq, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, në vend se të përgjigjet para autoriteteve të rendit, merr pjesë në rrahjen brutale të Nikolla Sandulloviq.

E përcjellë në dritën e shkeljeve të të drejtave të njeriut e çdo zëri opozitar e paqësor, Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të Marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, ata gjithnjë e më larg vlerave të Bashkimit Evropian dhe të integrimit evropian e euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak…

*pjesë nga adresimi i Kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e 182-të të Qeverisë së Kosovës.

Filed Under: Politike

#SiSot, më 10 janar 1920, u vra gazetari i dytë në historinë e shtetit shqiptar, Sali Nivica

January 10, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Angazhimi i tij parësor u shpreh në radhët e Komisisë Letrare, në drejtim të lëvrimit të gjuhës shqipe. Ishte një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Aty bashkëpunoi me veprimtarë të spikatur, si: Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçenc Prenushi etj.

Si anëtar i Kryesisë së Komitetit, vuri në gatishmëri gazetën e tij “Populli” për të artikuluar përpjekjet dhe aspiratat e kombit shqiptar. Nivica u vra në Shkodër në moshën 30-vjeçare. Viktimë kishte rënë edhe pararendësi i tii në krye të gazetës “Populli”, Mustafa Qulli.

Bashkëlidhur, një foto ku paraqitet Nivica në prani të Sotir Martinit dhe të një grupi miqsh. Po ashtu, një përshkrim mbi veprimtarinë e Nivicës nga fletorja “Populli”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#SaliNivica

#AQSH

Filed Under: Kronike

Historia

January 10, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Tirania, e gjithë kjo qenie e keqe dhe e neveritshme duhet të shfaroset nga shoqëria njerëzore. Dhe kjo mund të bëhet; sepse, një pjesë e trupit, nëse tregon shenja se është pa gjak dhe praktikisht pa jetë dhe rrezikon shëndetin e pjesëve të tjera të trupit, kështu edhe tirania përbindëshe e egër në formë njerëzore duhet të shkëputen nga trupi i përbashkët i njerëzimit.

Absolutisht.

Historia është famëkeqe për aplikimin e një shtrese boje për personazhet e saj, qoftë politikan, ushtarak ose artist. Enveri paraqitej me ngjyra të çelura të kuqe, më pas me të zeza dhe tani ngjyrë rozë. Bonoparti e dekoroi ushtarin për shqëtimin e anijes, por nuk e fali për dëmin që i shktoi asaj. Nga bota artistike, Mozarti nuk bën përjashtim. Kur imagjinoni Mozart-in, ka të ngjarë të ngjallni imazhin e një kompozitori të talentuar, një njeriu me shije të rafinuara dhe prani të shquar – një gjeni i martuar në mënyrë harmonike me artin e tij. Realiteti? Ai ishte një njeri si të tjerët, me të gjitha çuditjet e egra dhe humorin e vrazhdë që rrallëherë tregohen kështu në libra shkollorë. Historikisht është dashur t’i fshijmë, si pluri nên qilim, për të ruajtur dinjitetin e ‘dijetarit të jashtëzakonshëm’.

Dhe duke folur për dijetarët, Mozart u përshkrua si një lloj lidhësi hyjnor i muzikës, notat që notonin në trurin e tij nga vetë muzat. Kjo anashkalon stërvitjen e tij intensive dhe rigoroze nga një baba i rreptë, që në moshë shumë të re. Mozarti punoi shumë – një fakt që ndonjëherë fshihet në favor të një narrative më romantike.

Gjendja e tij financiare është një tjetër pjesë që historianët kanë arritur disi ta keqinterpretojnë. Djaloshi nuk ishte tipi i shoqërisë së lartë që jetonte në luks të bollshëm. Ai luftoi, nxitoi për koncerte dhe shpesh ishte i stresuar për paratë. Ashtu si shumë prej nesh që përpiqemi të sigurojmë jetesën – është historia shekullore e artistit që luftoi, përveçse kjo luhet me paruke dhe penë.

Dhe këtu është çështja e marrëdhënieve të tij me kompozitorët e tjerë. Filmat dhe tregimet pëlqejnë ta vendosin atë kundër bashkëkohësve të tij, si Salieri. Dramatizimi i marrëdhënies fiktive të tyre në filmin Amadeus, i bëri historisë një shërbim të keq, duke shtrembëruar rivalitetin profesional në një koktej vdekjeprurës obsesioni dhe hakmarrjeje.

E gjithë kjo ka çuar në një ikonë monumentale të përsosmërisë, të një kompozitori të panjollosur nga veset dhe banalitetet e jetës së vdekshme. Por duke e bërë këtë, ne i kemi hequr Wolfgang Amadeus Mozart humanizmin e tij, kemi penguar të mësohet historia e tij e plotë dhe ndoshta i kemi bërë arritjet e tij paksa më pak të jashtëzakonshme.

Historia, në përpjekjen e saj për të idhulluar, shpesh i lë jashtë papërsosmëritë. Por janë të metat, dhe batutat pa ngjyra midis rregullimeve të parukës që e bëjnë Mozartin më intrigues, më të afërt dhe, sinqerisht, më të ftohtë.

Kështu, herën tjetër që do të pini një filxhan kafe dhe një melodi e Mozartit do t’ju ëmbëlsojë veshët, mbani mend se ai ishte më shumë punk rock si i ditëve tona.

Filed Under: ESSE

Naum Veqilharxhi dëshmor i Atdheut

January 10, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Fjalorët shqiptar për Naum Veqilharxhin

Naum Panajot Bredhi, Veqilharxhi, sipas Fjalorit të Pedagogjisë (1983), Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) dhe Fjalorit Enciklopedik Shqiptar vëll. 3 (2009) është një nga përfaqësuesit më të hershëm të Rilindjes Kombëtare, autor i abetares së parë shqiptare dhe i një varianti orgjinal të alfabetit shqip, avokat dhe studiues shqiptar, një ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.

Fjalori i Pedagogjisë me autor Shefki Osmani thekson fjalën “dëshmor i arsimit’ tonë kombëtar. Në fakt, me akt juridik, Naum Veqilharxhi është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 141, datë 7.9.1985, të Komiteit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Në të dy fjalorët e Enciklopedisë të botuar nga Akademia e Shkencave nuk përmendet që është dëshmor i atdheut, po kështu dhe në konferenca dhe sesione shkencore, në shkrimet e vijueshme në shtypin e përditshëm, në raste të përvjetorëve të tij.

Është kjo një harresë, një pakujdesi e atyre që bëjnë zërin në fjalor, apo dhe e autorëve të tjerë, apo nuk dinë si është vlerësuar dhe nderuar ky përfaqësues i madh i hershëm i Rilindjes tonë Kombëtare Shqiptare. Dhe më tej akoma, në fjalorin e Pedagogjisë (1983) dhe Enciklopedik (1985), shkruhet se ka ndërruar jetë rreth vitit 1846, ndërsa në Enciklopedinë e vitit 2009, del se ka ndërruar jetë në vitin 1854. Ne Republikën e Shqipërisë ka një rregullator shkencor që është Akademia e Shkencave e që duhet t’i ketë të qarta standardet, vlerësimet e nderimet që i bëhen në jetë një atdhetari dhe përfaqësuesi të hershëm të arsimit tonë kombëtar…

Nderime për dëshmorin e arsimit kombëtar

Në sistemet që ka kaluar Shqipëria, institucionet dhe rrethet shkencore janë munduar ta shquajnë figurën e Naum Veqilharxhit dhe ta vlerësojnë me shkrime, me konferenca shkencore dhe me studime për të gjithë veprën e tij, të botuar dhe të shkruar që ka arritur deri më sot.

Më 6 dhjetor 1957 figura e Naum Veqilharxhit është vendosur në një pullë shqiptare. Në Korçë, në një nga lulishtet më të bukura është vendosur një bust i Naum Veqilharxhit, si dhe një bust i tij gjendet dhe në shtetin e Rumanisë.

Në Shqipëri një shkollë 9 vjeçare në Korçë mban emrin e tij, si dhe një shkollë fillore po me emrin e “Naum Veqilharxhi” në fshatin Mohlan të Suharekës, në Kosovë.

Në Tiranë në Njësia Bashkiake nr. 3, tek Varri i Bamit, është një rrugë me emrin e tij, si dhe një rrugë në Bashkinë Kamzë. Rrugë me emrin “Naum Veqilharxhi” gjenden dhe në Gjakovë e Prishtinë të shtetit të Kosovës.

Familja Veqilharxhi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, në Shqipëri dhe në Rumani. Konstandin Veqilharxhi ishte i pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes. Shqipëria dhe Rumania e kanë vlerësuar njeriun që lidhi urën e miqësisë mes tyre, duke i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është muze dhe ruhet nga shteti rumun. Shteti shqiptar dhe akademikë e tij konsiderojnë Naum Veqilharxhi figurë të spikatur të diasporës shqiptare në gjysmën e parë të shek. XIX.

Për Naum Veqilharxhi, jetën dhe veprën e tij janë organizuar tryeza shkencore, si në Prishtinë me 24 maj 2007, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ndërsa në Tiranë më 13 dhjetor 2022 nga Akademia e Shkencave është organizuar një tryezë shkencore për nder të Naum Veqilharxhit, në 225-vjetorin e lindjes së tij.

Akademik Emil Lafe, në kumtesën e tij “Parime kulturore dhe gjuhësore të Naum Veqilharxhit”, u shpreh se Naum Veqilharxhi ka qenë pa dyshim një fenomen në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë në mesin e shek. XIX dhe se ky qe burizani e përçuesi i vetëm i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare në atë kohë, titan ndërlidhës mes territ tokësor e qiellit të ndritun. Kushtrimi i tij nuk ra në vesh të shurdhët”.

Prof. dr. Fedhon Meksi ka theksuar se Naum Bredhi-Veqilharxhi meriton një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar. Naumi i takonte një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi, ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. Meksi rendit rrethanat e bashkëpunëtorët me të cilët Veqilharxhi luftoi për “zgjimin e vetëdijes” së shqiptarëve, e njëri prej tyre ishte Vangjel Zhapa, i cili financoi hapjen e shkollave shqipe dhe botimet e abetareve të para.

Në këto tryeza shkencore është theksuar porosa dhe modeli i Naum Veqilharxhit për besimet fetare në vend, të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë. Ai vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë.

Përkushtimi për arsimin shqiptar

U lind në Vithkuq më 6 dhjetor 1797. Familja e tij e trashëgoi mbiemrin Veqilharxhi nga pozita që i ati, Panajoti, kishte në oborrin e Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Naumi mësimet e para i ka marrë në shkollat angleze në ishujt jonianë.

Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane, si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Me shkatërrimin e Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Aty u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.

Ëvetar shqip i Naum Veqilharxhit, botim i vitit të hershëm 1844 është Abetarja e Parë Shqipe, e njohur gjer më sot. Shkronjëtorja e tij shërbeu si nismëtarja e teksteve të abetareve shqipe, që përveç misionit didaktik, patën rol historik dhe shtrirje e përdorim të gjerë në shkollat shqipe. Naum Veqilharxhi me “Ëvetarin shqip” e renditi Shqipërinë në radhët e kombeve të qytetëruara dhe të ndriçuara të Europës. Në hyrje të librit na fton për lexim të mbarë “për çdo si cilë që do të mësonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.

Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Për të gjtihë këtë veprimtari patriotike dhe kulturore u helmua nga Patrikana dhe vdiq në Stamboll. Me veprën e tij, Naum Veqilharxhi, dëshmor i atdhut u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.

foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1381
  • 1382
  • 1383
  • 1384
  • 1385
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT