• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTA SHQIP E KRISHTLINDJES ORTODOKSE, NGA VITI I ARDHSHËM EDHE NË MANASTIR

January 8, 2024 by s p

Manastir, 7 janar 2024 – Në nderim të festës së Krishtlindjes Ortodokse, sot në Manastir qëndroi një grup studiuesish nga Shkupi e Tetova, i udhëhequr nga drejtori i ITSHKSH, Prof. dr. Skender Asani. Stacioni i parë i kësaj vizite ishte kisha e Shën Dhimtrit, e ndërtuar në vitin 1834, aty ku ishin pagëzuar disa gjenerata të familjes së madhe Qiriazi dhe familjeve të tjera ortodokse shqiptare nga Manastiri dhe rrethina. Oborri i kësaj kishe, ende ruan gjurmët e prezencës së ortodoksisë shqiptare, përmes varreve ku me dekada prehen eshtrat e familjes së gjerë të Qiriazëve dhe të familjeve të tjera ortodokse shqiptare nga ky rajon.

Për të nderuar mysafirët, familja e Oliveri Qiriazit, bashkë me vajzën e vogël Kirijana, kishte shtruar edhe drekën e Krishtlindjes.

Në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme kulturore e shpirtërore të ITSHKSH, nga viti i ardhshëm, pikërisht më 7 janar, do të kremtohet festa shqip e Krishtlindjeve Ortodokse në Manastir, ngjashëm si festa shqip i Krishtlindjes katolike që mbahen për çdo 23 dhjetor.

Ky aktivitet do të përkojë edhe me fillimin e punëve të Departamentit të trashëgimisë kulturore për rajonin e Pellagonisë – “Qiriazët”, bartës i të cilit do të jetë Oliver Qiriazi.

ITSHKSH në kuadër të këtij Departamenti dhe të veprimtarisë së vet hulumtuese-shkencore, do të fokusohet në ndriçimin dhe afirmimin e vlerave të harruara të trashëgimisë kulturore-shpirtërore të ortodoksëve shqiptarë nga rajoni i Pellagonisë dhe jo vetëm.

Studiuesit nga Shkupi dhe Tetova, Dr. Besnik Rameti, udhëheqës i Departmanetit të historisë në ITSHKSH dhe Mr. Ismet Krosi, pedagog në UT, të udhëhequr nga drejtori Prof.dr. Skender Asani, me këtë vizitë në Manastir, në nderim të festës së Krishtlindjes Ortodokse, hapën një shteg të ri në ribërjen e një realiteti të ri kulturor-shpirtëror, duke i dhënë vendin e merituar ortodoksisë shqiptare në Maqoninë e Veriut.

Filed Under: Reportazh

Gjeneral Abaz Kupi, ndër figurat më të shkëlqyera politike dhe ushtarake të nacionalizmit shqiptar

January 8, 2024 by s p

Av.Ilir Kuka/

Se pari ju falenderoj qe me krijuat mundesinë që t’ju drejtohem në këtë aktivitet qe dega e PLL New York zhvillon ç’do vit në përkujtim të figures se gjeneral Abaz Kupit, i cili ë shtë figura një ndër figurat më të shkëlqyera politike dhe ushtarake të nacionalizmit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij dhe ne veçanti me aktivitetin e tij politik dhe ushtarak në periudhën së L.II Botërore: 7 prill 1939 – 1944
Referuar dokumenteve arkivore pranë Arkivit Qëndror të Shtetit aktiviteti i Abaz Kupit në këtë periudhë zhvillohet në drejtim të:
– organizimi i luftës kundër pushtuesit fashist,
-bashkimi i të gjithë elementit nacionalist dhe antifashist në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare në luftën kundër pushtuesit fashist,
– rivendosjen e legjitimitetit të shtetit shqiptar ( Monarkisë Shqiptare) nëpërmjet një referendumi për formën e qeverisjes mbas çlirimit të vendit nga pushtuesi fashist dhe nazist.
-shmangia e luftës vëllavrasëse (luftës civile) të nisur nga komunistët shqiptar nën drejtimin e komunistëve jugosllavë. Pra aktiviteti i Abaz Kupit përfshin në vetvehte aktivitetin: ushtarak, organizativ dhe politik dhe organizativ
Me qëndresën e organizuar ushtarake e drejtuar nga gjeneral Abaz Kupi me 7 prill 1939 ju tregua mbarë opionionit botëror se shqiptarët jo vetëm nuk e pranuan por kundërshtuan me armë pushtimin fashist kontribut i cili është pohuar nga diktatori komunist E. Hoxha në një shkrim të vitit 1943 në gazetën “Z.P”

Perseri referuar burimeve arkivore në gjuhën frengjisht 1942-1943 thuhet: “Titulli si hero kombëtar Abaz Kupit nuk ju dha as nga Legalistët ( Legaliteti) dhe as mundet me ju heqë nga Nacional Çlirimtarja. Ky titull i është njoftë nga mbarë populli shqiptar dhe të huajt mbas datës 7 prill 1939…

Përpjekjet dhe aktiviteti i Abaz Kupit nuk mund të mbetej vetëm qëndresa me armë me 7 prill kundër pushtuesit fashist.
Pushtuesi fashist duke pasë në konsideratë ndikimin dhe reputacionin që gëzonte Abaz Kupi do të mundohej jo vetëm asgjesimin fizik të Abaz Kupit dhe forcave të tija ushtarake, kjo edhe duke u përpjekur për të penetruar elemente të ndryshëm profashistë në çetat e Abaz Kupit.
Në dokumentet arkivore gjendet një letërkëmbim i shumtë ndërmjet Ministrisë së Brendshme Tiranë dhe Prefekturës së Krujes, Shkodër e rretheve të tjera ku kërkohet informacion nëse Abaz Kupi ndodhet jashtë Shqipërisë apo është kthyer në Shqiperi, shkëmbim i informacioneve për lëvizjet, organizimin dhe numrin e forcave zogiste dhe deri në pagesën që pushtuesi fashist do t‘i bënte personave të xhandarmarisë fashistë të vrarë në luftimet kundër Abaz Kupit dhe forcave të tij.
Pavarësisht se Abaz Kupi konsiderohej nga pushtuesi fashist si kundërshtari më i fortë ne një relacion të Ministrisë së Brendshme drejtuar Mustafa Krujes të bie të sy mënyra se si përshkruhet Abaz Kupi dhe Myslim Peza… etj:
Në dokumente të vitit 1943 thuhet:
“Abaz Kupi për prestigjin që i favorizon pozita që ka pasë në të kaluarën është për tu konsideruar në marrëdhënie me Muharrem Bajraktarin e Myslim Pezën një nga banditët më të rrezikshëm. Përkundrazi deri para 6 muajve ishte më i frikshmi ndër te gjithë
Ish majori i gjandarmarise së Zogut me 7 prill 1939 komandonte bandat qe tentonin te rrezistonin kundër zbarkimit të trupave italiane në Durrës dhe marrshimit të tyre në Tiranë”
Ndërsa po në këto dokumente të tërheq vëmendjen etiketimi i Myslim Pezës jo si nje kundërshtar por si një vrasës, ku thuhet: “Myslim Peza dhe shokët e tij gjakatar……
Mbas kthimit në Shqiperi qëllimi kryesor i Abaz Kupit ishte organizimi i luftes kundër pushtuesit fashist duke mbledhur të gjithë nacionalistët dhe patriotët e ndershëm shqiptar pavarësisht bindjeve politike.
Në Konferencën e Pezës dhe Konferencen e Mukjes 1-2 gusht 1943 roli i Abaz Kupit tashti si kryesues i delegacionin Keshilli Nacional Çlirimtar do të ishte determinues.
Marrëveshja e nënshkruar në konferencën e Mukjes ku pjesmarrësit shpreheshin duke nënshkruar për:
-Lufte imediate kunder armikut okupator per çlirimin e Shqiperise, -Indipendencen e plotë të Shqiperisë në kufijtë e vitit 1913 dhe bashkimin me atdheun te trojeve te banuara prej shqiptareve të shkëputura padrejtësisht,
-Forma e rregjimit te caktohej prej vehte shqiptarëve nëpërmjet një asambleje kushtetuese. do të përbënte një moment kulminant në përpjekjet e Abaz Kupit.
Por fatkeqësisht kjo marrëveshje do të hidhej poshtë nga P.Komuniste dhe E. Hoxha
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi siç shprehej Xhorxh Sejmor, përfaqësues i misionit SOE në Shqipëri 1943 ne relacionin drejtuar qëndres në vitin 1943 : “Sikundër ju kam patur njoftue nji pjesë e madhe e udhëheqësve komunistë janë të përbame prej njerzish me kombësi jo shqiptare. Këta jane: Dushan malazias, Miladin Popoëitch-i Sulovic-I; Dr Milani serb, Peter Piruself dhe Thoma Sovronovs ky rrjedhin nga Makedonija, Dr Gjergjes dhe Dhima gre-kër. Këto kanë pasë si rrjedhim mosbesimin e popullsive kundrejt udhëheqsit komunist. Shum prej tyne kan fillue për të pyet, nëse këta elementa të huej mejtojnë të mirën e Shqipenisë. Dyshimi vjen gjithnji tue u perhape kundrejt udhëheqsit e Nacj- Çlirimt. qi janë në shërbim të këtyne anmiqvet të Shqipnisë”.

Mbas tradhtise së Mukjes nga P.Komuniste, sulmit të armatosur te datës 21 tetor 1943 të komunistëve ku u vranë 67 anetarë të Ballit Kombëtar me dt. 21 tetor 1943 Abaz Kupi do të bënte edhe një përpjekje për të shmangur vëllavrasjen e nisur nga komunistët .

Por Komunistët shqiptarë jo vetëm nuk do të tërhiqeshin nga platforma e tyre vëllavrasëse por do të mundoheshin që të pengonin krijimin e Legalitetit nëpërmjet eleminimit fizik të Abaz Kupit

-Njoftim i major Abaz Kupit drejtuar kryesise se Keshillit te Nacional ]lirimtares 19 nëntor 1943 do të konfirmonte qëndrimin antifashist, nacionalist e patriot të Abaz Kupi do të shprehej ( citoj)
“Duke parë nevojën e një bashkimi të plotë i të gjitha tendencave politike për luftimin e okupatorit, me dt.10 shtator 1942 u bë mbledhja e Pezës ku u thirrën gjithë nacionalistat dhe komunistat shqiptarë.
Gjatë bisedimeve në këtë mbledhje iu deklarova haptazi se: “ Jam bashkuar me Ju me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue ç’do okupator; po të formohen partira, Une jam me Mbretin ZOG!
Pas kësaj mbledhje u shfaq Partija Balliste”
Në Mbledhjen e Mukajve me 2 gusht 1943 u bë Bashkimi dhe u zgjodh një Komitet i Përbashkët “ Shpëtimi i Shqipërisë”
Mjerisht më vonë u konstatua se, vendimet e marruna unanimisht në Mukaj nuk u respektuan dhe kjo shkaktoi përsëri keqsimin e relatave midis dy Partirave Nacional Clirimtar dhe Balli Kombëtar
Duke qenë përpara kësaj ngjarje të papëlqyer, Unë me shokët e mij pamë se bashkimi i tyre është i pamundur dhe vendosëm shpalljen e Legalitetit siç ka qenë para datës 7 prill 1939
Këtë vendim iu njoftuam me dt 28 tetor 1943 Këshillit Nacional Shlirimtar. Përgjigja e tyre na erdhi me vonesë me datën 15 nëntor 1943, e cila caktonte datën 20 të këtij muaji për një takim. Me qenë se data 20 nëntor 1943 është caktuar për Kongresin e Legalitetit, për këtë arësye nuk ka qenë e mundur që t’ia mrrijshim këtij takim.
Ne jemi gati që të pranojmë një datë pas dëshires s’uaj për një pjekje në ndonjë vend të përshtatshëm.
Me nderime Abaz Kupi (19 Nanduer 1943)
Dhe me vendimin e Kongresit të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit dt 21 nëntor 1943 do të rikonfirmonte edhe njëhere qëndrimin:
Legjitimiteti i Mbretërisë Shqiptare shpallur nga Asambleja Kushtetuese me 1 shtator 1928 i njohur nga të gjithë shqiptarët dhe gjithë shtetet dhe se ndryshimi i kësaj gjendje është bërë nëpërmjet forcës së armëve. Dhe në fund të këtij vendimi shkruhej:

Kongresi vendosi: Ripohimin e këtij Legaliteti dhe Njoftimin përkatës gjithë botës si dhe kërkimin e të drejtave Etnike Shqiptare

Qëndrimi antifashist dhe nacionalist, shmangia e luftës vëllavrasëse i shpalosur në të gjithë aktivitetin e Abaz Kupit do të ishin thelbi i platformës së OKLL, do të pasqyroheshin në qëndrimi publik dhe zyrtar të çdo drejtuesi dhe përfaqesuesi të OKLL

Një një trakt të hartuar dhe nënshkruar nga Patër Lek Luli në vitin 1943, trakt i cili do të alarmonte pushtuesin fashist shkruhej:

“ ……pra lirija e pavaresia e te gjithe kombevet dhe te vogla dhe e Shqipnis, Ky eshte dishiri i papes se shejte e peshtimi i Shqipnise e jo bashkimi i perjetshem i Shqipnise me italine……
…….Pra detyra kryesore e misioni ma i shejti i katolikve te shqipnise sot a me bashkepunu me te gjithe nacionalistat e vertete shqiptare e me i vu pushken italis.
Kemi nevoje per meshtare por per meshtarë shqiptarë, me gjak, me gjuhe, me ndjesi me zakoneme karakter e me educate shqiptare.
Sot atdheu e ka nevojen e juej ma tepër se kurre e ju e keni detyren me i ndihmue me te gjithe forcat t’uaja. Vete zoti e don qe ta shpetoni atdheun. Italija na zaptoi vendin me pushke e me topa e tha se ket pune e bera per me na pru qytetnimin oksidental e kulturen kristiane. Kultura e qytetnija kristiane nuk i imponohet kuje me topa e me bajoneta.Pra me pushke e me bajoneta duhet me e percjelle italine andej detit…………..

Qëndrimi i Abaz Kupit dhe OKLL për luftën kundër nazifashistëve dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare konfirmohet edhe nje trakt ( fletushkë) e hedhur nga RAF (Royal Air Force) Britanik dhe USA ku shkruhet se:
“Abaz Kupi ne nje deklarate qe i bani me 7 prill 1944 u betue tue thane këto fjale: Unë bashkë me shokët e mij kemi lutë zotin që të na japë mundësinë të derdhim gjakun tonë për mbrojtjen e Kosovës. Kosovarët janë vëllaznit t’onë”

Që Legalistët do të banin cdo përpjekje për të shmangur luftën vellavrasëse që kishin nisur komunistët shqiptar si dhe për të mos rënë pre e provokimeve të tyre e provon edhe nje letër dt 26 shtator 1944 që nje figure tjetër e rëndësishme e Legalitetit Sali Myftia i dërgonte përfaqësuesit Anglez Kol Nill në mallet e Cukalit, ku i shkruan se: ..komunistët kishin rrethuar në fshatin Rrjodh dy përfaqësues të Legalitetit në shtëpinë e një miku të tyre dhe këto për të shmangur përplasjen e armatosur kishin dorezuar armët, por se ky veprim sipas zakoneve të zonës përbëntë një provokim të rëndë.

Te nderuar Pjesemarres.
Duke Ju shprehur edhe njëherë respektin dhe mirenjohjen për këtë aktivitet që Ju zhvilloni, vënë në dukje faktin se do të ishte mirë që ky aktivitet të zhvillohej në Shqipëri aty ku P.L.L. zhvillon aktivitetin e saj politik.
Historia e OKLL ( Partisë Lëvizja e Legalitetit) gjatë L.II.Boterore është krejtë e pastër pavarësisht akuzave të padrejta për 50 vite komunizëm. Por historia nuk zbardhet me deklarata shabllone e sa për të kaluar radhën.
Fatkeqësisht edhe sot mbas 30 viteve drejtuesit e Partisë Lëvizja e Legalitetit nuk ka arritur që të bëjë objekt debati publik nëpërmjet ballafaqimit të dokumenteve arkivore historinë dhe aktivitetin e OKLL dhe figurave kryesore drejtuese të saj.
Abaz Kupi, Sali Myftia, Patër Lek Luli gjithë bashkëluftëtarët zogistë gjatë L.II. Boterore, por edhe gjithë drejtuesit e OKLL mbas vendosjes së komunizmit në Shqipëri e kryen detyrën e tyre ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve duke mbajtur të gjallë idealet zogiste jashtë Shqipërisë.
E vërteta mund te fshihet për disa kohë por nuk mund te zhduket.
Duhet të jemi realist dhe të vërtetë më vetvehtën: Ato drejtues që morën përsipër drejtimin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” mbas viteve 90 nuk justifikuan pritshmëritë e shqiptarëve por as legalistëve.
foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori

GËZUAR DITËLINDJEN e 25 -të RADIO “KOSOVË E LIRË”!

January 8, 2024 by s p

Shkruan: Dr.Vaxhid Sejdiu/

Më 4 janar 2024, para një çerek shekulli filloi emetimin e programit të saj Radio “Kosova e Lirë” si dhe filloi shpërndarja e lajmeve nga Agjencia Kosovapress

“Shtëpia” e parë e Radios “Kosova e Lirë”, 4 janar 1999, në malet e Berishës, nga e cila u dha “kushtrimi” për Lirinë e Kosovës

Sot, njëzetepesë vjet më parë zëri i dashurisë për atdheun, zëri për liri jehoi maleve të Kosovës duke u dhënë zemër trimave të lirisë në fushëbetejë, aty ku zhvillohej lufta për jetë a vdekje. Dhe plot njëzetepesë vjet atdhetarët i shoqëroi në sfidat e kohës zëri i lavdisë dhe krenarisë shqiptare “Ju flet radio Kosova e Lirë!”, Ju flet Radio Kosova e lirë!” sepse zërat që jehojnë njëherë për Atdheun dhe për Lirinë nuk shuhen kurrë. Edhe nganjëherë kur vështirësitë na ndalin frymën, zëri jehon në mendjen e shqiptarëve, sepse ata që shkruan historinë më të re kombëtare nuk e shkruan për një ditë apo për një muaj, por e shkruan përgjithmonë.

Luftëtarët e lirisë në të katër anët e Kosovës ngrohnin shpirtin me zërin e Radios “Kosova e Lirë”, e cila gjatë gjithë jetëgjatësisë së saj janar – qershor 1999 u bë zë i fortë i luftës çlirimtare në Kosovë dhe jo vetëm, në bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare në rrugëtimin historik në luftën e drejtë të popullit shqiptar.

Dhe sot Radio “Kosova e Lirë” është zëri më i dashur, më i pastër, më frymëzues për të gjithë ata, të cilët atdheun dhe lirinë e kanë rend të parë. Një staf simbolik, tepër profesional dhe i përkushtuar fillimisht Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nysret Pllana, pastaj Valdet Hoti, Shaqir Zeneli, Fatmir Dugolli, Ismet Sopi, Rizah Berisha si dhe reporterët nga shtatë zonat operative të UÇK-së, nën drejtimin e prof. Ahmet Qeriqit i bënë ballë stuhisë së egër dhe sulmeve brutale të pushtuesit duke dëshmuar se zërin e lirisë nuk ka artileri që mund ta ndalë.

Shqiptarët në vazhdimësi ashtu siç janë mirënjohës për sakrificën e luftëtarëve të lirisë kanë qenë dhe janë mirënjohës edhe për sakrificën e stafit të radios, jo vetëm gjatë luftës por edhe pas saj.

Sot është pra 25 – vjetori i Radios “Kosova e Lirë”, kësaj radioje që u bë zë shpirti i gjithë atyre që ëndërronin dhe vepronin për lirinë e Kosovës, duke mbijetuar jo vetëm përballë armikut të egër shekullor por edhe përballë zërave mohues.

Në arkivin e Radio “Kosova e Lirë” do të shkruhet me shkronja të arta emri i prof. Ahmet Qeriqit, që deri më sot nuk u dorëzua, por punoi me gjithë familjen me qëllim që zëri dhe emri i radios “Kosova e Lirë” të mbetet gjallë në mesin e shqiptarëve.

Gjatë luftës kemi ëndërruar dhe besuar se pas përfundimit të saj radio “Kosova e Lirë” do të shndërrohet në një radio kombëtare, por për fat të keq lufta e padrejtë në tregun mediatik, lufta e pistë për klikime në forma të ndryshme, qoftë edhe në forma amorale la shumë media të vlefshme për të ardhmen e dëgjuesit dhe shikuesit shqiptarë jashtë loje.

Por, radio “Kosova e Lirë” që njëzet e pesë vjet punon dhe vepron në frymën e edukimit kombëtar, të një informimi të drejtë dhe të pavarur dhe në vazhdimësi në prizmin e një realiteti historik dhe kombëtar të popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Ajo mbeti po ajo shtëpia e vogël ku atdhetarët shpërndajnë lajmet në shërbim të së drejtës njerëzore kombëtare, duke mbetur model i lajmeve serioze, i emisioneve edukative dhe programeve kombëtare për të cilat në kohën e sotme apo në rrëmujën e sotme mediatike kemi shumë nevojë. Shumë media në gjuhën shqipe lënë shumë për të dëshiruar sa i përket gjuhës, pastërtisë së saj dhe programeve të dobëta televizive. Pra radio “Kosova e Lirë” dhe Televizioni “Dielli” janë një rreze drite në horizontin “tepër të pasur” të televizioneve private në gjuhën shqipe dhe në të ardhmen kanë nevojë për të gjithë ne.

Dhe lajmi më i mirë sot është se edhe më tutje kjo shtëpi e vogël mediatike lëshon rreze për të gjithë shqiptarët njësoj ku jetojnë dhe veprojnë sepse vetëm në këtë mënyrë përhapet e vërteta dhe prezantohet gjeografia dhe historia reale shqiptare.

Filed Under: Politike

LËVIZJET ME NOL…

January 8, 2024 by s p

– Kujtohet për të kuptuar se si jemi harruar –

Nga Visar Zhiti

Ishte datëlindja e Fan Nolit pardje, atij që ka hyrë në Historinë moderne të Shqipërisë duke e lëvizur atë histori, duke i shprishur datat e saj, si deputet, si rebel, si kryeministër, është themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, guxoi si askush, “Apostull”, do të quhej në një libër të ri, të porsa dalë në Tiranë, është mërgimtari mahnitës, plot kulturë e dije, qê themelon në SHBA shoqata e gazeta e shkon deri te Presidenti për “çështjen shqiptare”, është pjesë e ndjeshme e kulturës së re shqiptare si orator, poet e përkthyes brilant, është… e çfarë s’është, veprimtar dhe ndërgjegje, kalorës skënderbejan e shkatërrues, arritës, furi, kryq dhe udhëkryq, u shkon gjërave deri në fund, pa mbaruar asnjërën, i madh dhe në gabime, baladesk, triumfator i mospërmbushjeve, gjeni i dështimeve, vigan po prej tyre, ëndërr dhe përvojë dhe kujtesë…

Dje kishte datëlindjen?

1.

E kujtoi qeveria? Se si kryeministër Noli është frikshmërisht i padobishëm, nuk bëri reformat që premtoi dhe si i majtë, solli ambasadën sovjetike në Tiranë, të parën në Ballkan, çoriditës.

2.

Po Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare u kujtua për Imzot Nolin – themeluesin e saj? Që guxoi rrezikshmërisht me patriotizëm? Atë që ai donte të ndalte, pikërisht ndikimi grek ka përparim të ndjeshëm dhe me cënime të rënda në mëvetësinë e saj.

3.

Po Noli shkrimtar, përkthyes, muzikant a u kujtua? Shqipëria që ai la, tani nuk ka fare institucion të shkrimtarëve dhe artistëve, mendimi i atyre që kanë mbetur nga Realizmi Socialist nuk e kalon lartësinë e shtatores së rrëzuar të diktatorit Hoxha dhe ka thellësinë e gropave septike në shtëpitë e tyre, do të thoshte mbase Noli vetë.

4.

Po diaspora shqiptare në SHBA, ku ai themeloi “Vatrën” e saj dhe gazetën e saj “Dielli”, ku jetoi si lider shpirtëror, na la kishën dhe ka varrin, që duan t’ja shpërngulin në Shqipëri, gabim tjetër ky, që do t’u ngjante veprimeve të çrrënjosjeve të punëve të tij të vlefshme.

Natyrisht që “Dielli” shkruajti dhe vatranë në Boston çuan lule te vendi i shenjtë, ku prehet Noli. Po meshë?

Përkujtimore? Po që e kujtonin në fb njerëz plot…

Në Nju Jork tani ka një rrugë me emrin e Nolit, një metaforë e ecjes së tij, e kahut të ri, nga SHBA – aleate jetike e dy Shqipërive në Ballkan dhe e gjithë shqiptarëve kudo.

Para Paramanentit në Tiranë është një shtatore e Fan Nolit, që nuk mëton t’i ngjajë atij, por mendimit dhe bëmave të tij ose më saktë si mund të shihen ato, të forta dhe vrazhdë deri në një si grotesk të qetë, etj, etj. Po e madhërishmja? E pambërritshmja? Gjeniiteti?

***

Shqiptarët, jo vetëm të Amerikës, por sidomos ata, grupet dhe shoqatat e tyre, kisha, akademitë, katedrat deri dhe çdo student shqiptar, kanë se ç’mësojnë nga Noli, nga vullneti i tij për dije dhe përkushtimi, nga zemërimi i tij dhe guximi, nga atdhedashuria, nga fjala dhe muzika, nga miqësia dhe bashkëpunimi me korifeun tjetër, Faik Konica, nga veprimet e tyre, vlera që shkëlqejnë si gurë të çmuar, edhe kur s’janë të gdhendura përsosmërisht…

5.

Noli do të ketë dhe datëlindje nesër. Ç’do të përgatitet të thuhet për të?

Ndërkaq simboli i Nolit më duket si një figurë shahu në skakierën e realiteteve shqiptare, me ato kutitë e fatit bardhë-e-zi dhe siç thuhet në këtë lojë, ja, u bë një lëvizje me oficer (komplotet ushtarake) apo me ushtar (sa janë vrarë, jo vetëm në luftë), luaje torrën, çoje atje (po rrënohen kështjellat tona), hidhe kalin (të Skënderbeut?), mbretëreshën kujdes, (sa mbretëreshë të bukur kishte Shqipëria!), lëviz mbretin patjetër, sekretarin e parë, presidentët, etj, etj, por po një lëvizje me Nol a do të duhej? Dhe si do të mund ta bënte Shqipëria? Ai është i shumë mundësive, i sfidave joshëse si humnerat dhe si majat e maleve me borë, si përvojë dua të them, ku fryn ashtu si simfonitë bethoveniane…

Pres me dëshirë dhe me një si ankth që ç’Nol do të na sjellë në vazhdim autori i veprës së re për të, “Apostulli”, historiani i shkëlqyer Ilir Ikonomi? Se Noli mbetet dhe poeti tribun me një tragjizëm shekspirian, hokatar i trishtë si ajo që solli nga Servantesi, i dalldisur si një Khajam, që donte që ai të bëhej Shqipëria dhe mbeti i copëzuar ndër shqiptarë, vezullueshëm, si ata dhe ai, por ca më lart, olimpik, gjithë vetëtima dhe me brerore, që dhe kur s’e kujtojmë, kujtohemi se kush jemi dhe si jemi harruar…

Filed Under: Emigracion

Rrugëtimi i ekspozitës “Sanxhaku, histori e dhimbjes kombëtare”

January 6, 2024 by s p

Artur Vrekaj, Massachusetts/

Për tre vjet rresht në trojet Shqiptare në Ballkan, shoqata “Kosova për Sanxhakun” e ka hapur ekspozitën në Tiranë, muzeu historik kombëtar dhe në Dajt; Shkodër, galeria Oda; Lushnjë, Ulqin, Lezhë, Koplik, Tuz, Tetovë, Prishtinë në muzeun kombëtar të Kosovës; Gjakovë, Vërmosh, Pejë, Istog, Prekaz, Tropojë, Gjilan.

Mijëra shqiptarë që e panë nga afër këtë ekspozitë fotografike mësuan më shumë se kush janë shqiptarët e Sanxhakut nën Serbi, për traditat e vjetra që ruajnë, për plisin si një element të Identitetit Shqiptar dhe rigjallërimin e tanishëm me dasmat tipike me këngë e valle Shqiptare.

Më shumë interes tregojnë njerëzit që gjejnë në këto foto stërgjyshërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre që dallohen për veshjen tradicionale kombëtare.

Projekti në fjalë u mbështet financiarisht nga shoqata kulturore shqiptaro-gjermane Sali Çekaj e drejtuar nga Osman Ferizi.

Materialet fotografike i shpjegojnë Ismet Azizi dhe Ali Daci studjuesa të mirëfilltë të Shqiptarëve të trevës së Sanxhakut dhe njëkohësisht drejtues të shoqatës. Ndër 300 fotografi u përzgjodhën 65 prej tyre që datojnë në shekullin e kaluar.

Është bërë një punë e palodhur fshat më fshat në Peshter dhe në qytetin e Pazarit të Ri për të mbledhur fotografi të vjetra dhe për të pasqyruar sa më mirë trashëgiminë kombëtare dhe kulturore të Shqiptarëve të Sanxhakut, Masbjeshkës që ende e flasin gjuhën Shqipe.

Ky bashkëpunim i mirëfilltë i shoqatës Kosova për Sanxhakun me shqiptarët e mërgatës dhe insitucionet e pushtetit lokal në trojet shqiptare është një risi e bukur për veprimtaritë atdhetare gjithëpërfshirëse në terren. Rrugëtimi për hapërimin kombëtar të Shqiptarëve të Sanxhakut vazhdon.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1385
  • 1386
  • 1387
  • 1388
  • 1389
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT