• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA E PARË SHQIPE NË VERI, NDËR TË PARAT NË SHQIPERI – 120 VJETORI I SHKOLLËS SHQIPE NË IBALLE TË PUKËS

January 6, 2024 by s p

Prof.Asoc.Dr. Pashk Lekaj, “Mësues i Merituar”, ish- drejtues arsimi në rreth.

Puka ndodhet në qendër të veriut Shqipërisë, ndërsa Iballja është në pjesën verilindore të saj, në një rrafshnaltë 850 m mbi nivelin e detit, e rrethuar me pyje dhe e banuar nga dy besime fetare, katolik e mysliman. Të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ka qenë e banuar që në lashtësi. 

Iballja ishte rrugë kalimi nga Shkodra për në Gjakovë. 

Popullsia e saj është dalluar si punëtore, bujare, mikpritëse, por edhe për një histori të pasur qendrese e trimerie në shekuj, kundër pushtuesve turq. Pjetër Bogadani thotë se 100 iballas venë përpara 1000 turq të Vuçi Pashës së Bosnjës (Çeta e Profeteve)…  

Malsorët e këtyre zonave të dalluar për trimëri e bujari, por që nuk iu ka munguar dëshira për arsimim. Faktet historike tregojnë se në kisha e xhami, jepeshin mësime shqip fshehtas, mbasi nga turqia ishte e ndaluar mësimi i gjuhës shqipe. 

Personalite të arsimuar ka patur ky fshat. Me origjinë nga zona e Iballes kanë qenë vëllëzrit Ndre Mjeda dhe Lazër Mjeda, Arqipeshkvi i Sapës, Shtjefen Gjeçovi, nga Kryeziu etj. Kanë qenë këto rilindas që mirëpritën kërkesën e patriotëve vendas: Frrok Pemati, Vocerr Prela, Kol Nik Alia, Palush Pjetra. Ata siguruan mbështetjen nga Konsullata Austrohungareze në Shkodër, mbasi Porta e Lartë Osmane ia kishte njohur të drejtën e hapjes së shkollave kësaj Perandorie në Ballkan, që të hapnin shkollën e parë shqipe në veri, në vitin 1903 në Iballe. Këta patriot vendas morën përsipër dhe me fondet e veta ngritën një ndërtesë të bukur, dy katëshe me 8 dhoma.

Mësues i parë ishte Kolë Zezaj i arsimuar në Bosnjë për prift, por nuk e vazhdoi profesionin, që dinte disa gjuhë të huaja edhe ky me origjinë nga Puka. Ai erdhi në këmbë nga Shkodra së bashku më bashkshortën e cila u mahnit nga bukuria e zonës.    

  1. Shkolla shqipe  në Iballë para çlirimit të vendit 

Shkolla që u hap në Iballe në tetor 1903 me 20 nxënës, mashkuj dhe femra, të besimeve, katolikë e myslimanë. Nga tetori 1903 deri në vitin 1907 nxënësit mësuan shkrim dhe këndim, duke qenë brezi i parë i fëmijëve të Iballes që filluan të shkruanin shqip. Disa qarqe të administrates turke që ishin kundër shkollës shqipe, por edhe për të futur në grindje në mes besimeve fetare e dogjën kështu qw shkolla u mbyll. Bashkëjetesa fetare nuk u cenua  në saje të bisedimeve që u zhvilluan nga krerët e fiseve.

Gjatë viteve 1915-1917 shkolla vazhdoi me ndërprerje tek kisha e Iballës. Shkolla e Iballes u rihap në vitin 1918, ku dha mësim, për herë të parë një vendas, Kol Bib Miraka, në një dhomë të shtëpisë tij, ish nxënës i Kol Zezaj.

Në vitin 1922 Iballja me popullsi 357 banorë, kishte në shkollë 49 nxënës. Në vitin 1926 në Iballe kishte 40 nxënës.  Në vitet 1925-1933, si mësues kanë shërbyer priftërinj të ndryshëm që kanë dhënë mësim, jo rregullisht, në banesën e famulltarit .

Nga kërkesat e vazhdueshme të Iballasve, në vitin 1934, qeveria e Zogut rihapi shkollën dhe dërgoi mësuesin Lin Çurçia, me arsim të mesëm pedagogjik. Fshatari Mark Marashi i lëshoi një dhomë për mësim. Në shkollë vazhdonin 55 nxënës nga të cilët 9 ishin femra.   

Në vitin 1936 u ndërtua godina e re e shkollës e cila u ngrit edhe me ndihmën materiale të popullit të Iballes. Në kërkesën e komunës Iballe me shkresën nr.105, dt.24.02.1936, që i bën nënprefekturës së Pukës, shënon se kanë vazhduar mësimin gjatë vitit 60 nxënës, me 14 vajza e priten të shtohen edhe 22 të tjerë, prandaj kërkohet të shtohet edhe një mësues tjetër. Në vitin 1937 shkolla kishte të regjistruar 91 nxënës, nga të cilët 14 femra .

 Mësuesi Lin Çurçia, në Iballë, nxiti dashurinë për shkollën dhe zgjimin e ndërgjegjës kombëtare. Ai përgatiti një almanak me titull “Pena dhe parmenda”, me hartimet me të bukura, vjersha dhe krijime të nxënësve. Almanaku u pëlqye shumë nga Migjeni. Ai e shumëfishoi dhe ua shpërndau gjithë shkollave të rrethit, i cili si kryemësues i Pukës, porositi që të gjithë të merrnin shembull nga nxënësit e Iballes.   

Një mbresë të thellë në popull la festimi i 25-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë edhe në Iballe, organizuar nga mësuesi Lin Çurçia i cili tregon: ”Natën e 28 Nëntorit në Iballë bëmë një dritë të përkohshme, vendosëm në shtylla dhe në pemë pece të lagura me vajguri, i ndezëm duke bërë dritë tërë qendrën e saj. Natën e festës biseda më ishte ngarkuar mua. Fola për vuajtjet e popullit tonë në kohën e Turqisë dhe për ngjarjen e shpalljes së pavarësisë. Nxënësit kishin bërë vetë vjersha e monologje që i kushtoheshin atdheut, gjuhës shqipe, figurave të ndritura të Rilindjes etj. Skeçi “Shqipëtari i vogël” ku tregohej se kur të rritemi do të bëhëmi njerëz të aftë për Shqipërinë, i luajtur nga një nxënës i shkollës, la mbresa të këndshme. Këtë natë të entuziasmuar nga bisedat e shfaqjet e fëmijëve, u falën 11 gjaqe. Sipas zakonit u qit pushkë dhe gjakësorët u përqafuan. Këtu, në Iballë, nuk ishte parë asnjëherë kësi lloj manifestimi“.

Me 1938, për herë të parë, duke ndjekur shëmbullin e shkollës së Pukës edhe në shkollën e Iballes, me nismën e mësuesve, arsimi fillor u bë i plotë me 5 klasë.

Në vitet 1939-1941, megjithëse me ndërprerje, mësimet vazhduan në shkollën e Iballes. Me gjithë vështirësitë e luftës në vitin 1942, në shkollën e Iballes vazhdonin mësimin 44 nxënës.  

II. Shkolla e Iballes në vitet 1945-1991

 Me 11 mars 1945 u rihap shkolla e Iballes me 92 nxënës që frekuentonin 88, nga të cilët 28- femra, në një lokal të papërshtshëm. Me këtë rast u organizua një mbledhje, ku morën pjesë mbi 500 vetë. Populli ndihmoi në rregullimin e mjedisve të shkollës dhe të ambjenteve përreth saj, ku një gazetë e kohës shkruante se janë bërë mbi 450 orë punë vullnetare, ndërsa nga nxënësit 500 orë pune në kopshtin e shkollës. 

 Mbas ҫlirimit të vendit, në shkallë kombëtare, duke qenë pjesa më madhe e popullsisë analfabete, u hapën kurse kundër analfabetizimit të cilët vazhduan deri në vitin 1955. Mësuesit e kësaj shkollës luajtën një rol kryesor në kurset kundër analfabetizmit për popullsinë e Iballes. Ata drejtuan 8 kurse që u ngritën për zhdukjen e analfabetizmit.

Aksioni kundër analfabetizmit në Iballe përfundoi në vitin 1954, një vit para afatit. Në Iballe,  gjatë gjithë periudhës për zhdukjen e analfabetizmit, u pajisën me dëshmi 250 vetë, nga këta 70% femra. Një punë e mirë u bë, jo vetëm  në Iballë, por në tërë fshatrat e zonës. Për këtë zona e Iballes, në vitin 1954, u nderua me flamur, si zona më e mirë në këtë drejtim. 

Në vitin 1946, në Iballe, numri nxënësve ishte 115 me 45 femra, të ndara në dy klasa, duke përfshirë 15 nxënës nga Lëvosha (konsiderohej lagje e Iballes) dhe 17 nga Arapi. Në vitin 1948 shkolla Iballe kishte 4 klasë me 152 nxënës, ndërsa në lagjen Lëvoshë dy klasë me nga 20 nxënës. Në këtë vit doli Vendimi nr. 226 i Këshillit të Ministrave që detyronte të gjithë mësuesit pa arsim përkatës  të vazhdonin shkollën në profilin pedagogjik me korespondencë. Fillimi i vitit 1948 i gjeti dhe mësuesit më të përgaditur. Për ngritjën e nivelit të tyre ndikoi dërgimi i mësuesve gjatë pushimeve dimërore në kurse kualifikimi. Shkolla e Iballes në vitin 1949 kishte 142 nxënës, në 4 klasa dhe tre mësues. 

Përvojen e mirë, Seksioni i Arsimit e përhapte me anë të seminareve, që quheshin “rrethe metodike”, ku mblidheshin mësuesit e zonës. Rrethi i Pukës ishte ndarë në dy zona, me qendra: një  në Pukë dhe tjetra në Iballë. Mësuesit mblidheshin në këto rrethe metodike dhe ndaheshin sipas profileve për zhvillimin e seminareve. Ato bëheshin të dielën e parë të çdo muaji. Nga seksioni i arsimit dhe kabineti pedagogjik organizoheshin çdo vit seminare kualifikuese sipas profileve: mësime të hapuara, përgjthësime të përvojes së përparuar etj.

Me 1 mars 1953 në Iballë, në këtë zonë të thellë të rrethit, u hap për herë të parë shkolla 7-

vjeçare.  Klasa e V kishte 15 nxënës, nga të cilët 6-ishin femra. Këshu u krijua drejtori shkolle me drejtor të parë Prendush Gjergji, nga Qelza. Në vitin 1955 në klasat V-VII kishte 38 nxënës, nga të cilët 19-femra. Në këtë vit drejtor shkolle ka qenë Beslim Hoxha, nga Puka, ndërsa zëvendësdrejtor Ndue Jak Pjetri, “Mësues i Popullit“, nga Lufi. Kështu filluan të vinin nxënës në 7-vjeçare, jo vetëm nga të gjitha lagjet e Iballes, por edhe nga Lëvosha e Sapaçi.

Nga ana administrative rrethi i Pukës, mbas çlirimit ishte i ndarë në katër loklitete: Pukë, Fushë Arrëz, Gjegjan dhe Iballe. Lokaliteti i Iballes kishte në adminstrim fshatrat nga Arst-Miliskau deri në Berishë të Vogël. Nga një studim i bërë  me 1963, gjendja e arsimit, duke u krahasuar me vitin 1944, sipas lokaliteteve , për Iballën rezulton:

PopullsiaMe fillore7-vjeçareMesëmLartë
NrLokalitetiVitiGjFGjFGjFGjFGjF
1Iballe1944341114434731–3–––
1963472820271910811148302032–

Hapja e shkolles së mesme të përgjithshme në Pukë në vitin 1963, me konviktin pranë saj, krijoi mundësinë që edhe nga Iballja të vazhdonin, tashmë, shkollën e mesme në rreth. Në konvikt pranoheshin nxënësit që kishin mbaruar me rezultate të larta shkollë 7-vjeçare. Shumë nxënës nga Iballja patën rezultate të shkëlqyera në shkollën e mesme Pukë.

Deri në vitin 1966, në disa rrethe malore të vendit, shkollat fillonin mësimin me 1 mars, bënin pushime verore dhe mbaronin mësimin në nëntor. Në vitin 1967, të gjitha shkollat verore u kthyen në dimrore, pra u unifikua në shkallë kombëtare fillimi e mbarimi i mësimit: shtator-qershor. Në këtë viti mësimi filloi me 1 mars dhe mbaroi me 15 gusht, për të filluar me 1 shtator, vitin e ri mësimor. Kështu të gjitha klasat përfituan një vit mësimor.

Në vitin 1965 mbyllet cikli 7-vjeçar. Në vitin 1967 është e para klasa e tetë, që shënon ciklin e parë 8-vjeçar. Arsimi i mesëm ishte përseri katër vite. Ndërkohë ishte hapur edhe cikli i lartë me korespondencë.

Numri i nxënësve sipas planit të dërguar të vitit shkollor 1968-1969 ishte: 

Me shkëputjePa shkëputjeMësues
NrShkollaCikli i ultëCikli i lartëCikli i ultëCikli i lartë
1Iballe11892–1910

Me rastin e 30 vjetorit të çlirmit, në vitin 1974 u organizuan mitigje, ku në fjalimet e mbajtura u  përmendën rezultatet e arritura edhe në arsim. Në një të tillë thuhej  se kanë mbaruar  në Iballe 7-8-vjeçaren afër 400 nxënës, me e pa shkëputje nga puna. Iballja si zonë, kishte mbi 80 kuadro me arsim të mesëm e të lartë.  Në përgatitje kishte në të mesmen 32, ndërsa në të lartën 7.

Në vitin 1975 në Iballe, pranë shkollës 8-vjeçare u hap shkolla bujqësore e mbrëmjes dhe me korrespondencë.  Shkolla e mesme bujqësore, me shkëputje nga puna, u hap në vitin 1976.  Numri i nxënësve në këtë shkollë ishte: 1978-1979, 18 nxënës , 1979-1980, 34 nxënës, 1980-1981, 41-nxënës, që vinin edhe nga fshatrat përreth Iballes, Sapaç, Lëvoshë, deri nga Shopel, Berishë, Bugjon etj.

Në shkallë rrethi, pas vitit 1976, filloi lëvizja për shtimin e bazës materiale në shkolla  me moton: “Çdo klasë të kthehet në laborator dhe çdo mësues të jetë një eksperimentues”. Në këtë drejtim shkolla e Iballes u bë model jo vetëm për zonën, por edhe për rrethin. Ajo u pajis me mjete mësimore dhe me laboratore fizike, kimie, biologjie, agronomie e zooteknie ku shumë prej tyre u ndërtuan nga mësuesit e shkollës. Kishte bazë prodhuese, ku kultivoheshin bimë të zonës, por edhe bëheshin eksperimente, me qëllim përmirësimin e farave të drithërave të zonës. Kishte edhe kabinet të punës me dru e metal etj. Lidhja e shkollës me praktikën dhe e mësuesve me jetën e fshatarëve ishte një drejtim i rëndësishëm i edukimit të përgjithshëm shoqëror. Mësuesit kishin për detyrë që krahas mësimdhënies do të merreshin edhe me veprimtari shoqërore e edukuese me fshatarët.

Në vitet ʼ80 rrethi mori një zhvillim të madh ekonomik si rezultat i pasurive të mëdha nëntoksore e mbitoksore, duke zënë edhe vendin e parë në Republikë, si në pyje miniera etj. Gjithashtu edhe arsimi në rreth, krahas sektorëve të tjerë, mori një zgjerim të madh për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë. 

Në këtë shkollë kanë ardhë në vite shumë mësues nga disa qytete të Shqipërisë. Më shumë 

mësues kanë qenë nga Shkodra, por edhe nga Tirana, Vlora, Lushnja, Fieri, Gjirokastra, Korça, që të gjithë me shkollë të lartë, sipas profileve dhe me përgatitje profesionale që ndikuan në rritjen cilësore të mësimdhënies e mësimnxënies që u vlersuan edhe mbasi u larguan. Këtu ka dhënë mësim Ilia Mikerezi, në lëndën e kimi-biologjisë, që u emërua pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe mori gradën shkencore “Doktor” dhe titullin Akademik, “Profesor”; Gjyher Cani, mësues i gjuhë-letersisë, punoi edhe si inspektor arsimi, merrej me etnografi dhe kur u transferua në Shkodër, mori titullin Doktor i Shkencave; Ilir Burhani, që jepte lëndët shoqërore, u emërua pedagog në Universitetin e Shkodrës e mori gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Tomorr Bido, mësues fizike, nga Korça, me gjithë familjen në Iballe, drejtoi për disa vite me kompetencë profesionale shkollën e Iballes në vitet ‘80-të.

     Drejtor shkolle të tjerë deri në vitin ‘91, në këtë shkollë kanë qenë edhe Xh.Meçi (Mjeshtër i Madh), E.Gjylbegu, N.D.efi, U.Rexhepi, M.Prela, B.Doda.

Të gjithë ata që mbaronin shkollat e mesme dhe të larta, nga rrethi në tërësi dhe Iballja në veçanti, përgatiteshin të shërbenin si specialist në sektor të arsimit dhe të ekonomisë, vetëm brenda rrethit të Pukës, duke përjashtuar oficerët. Ky rregull dhe “ligj” i pashkruar synonte të plotësohej Puka me kuadro vendas, për të zëvendësuar ata që vitin nga rrethet e tjera dhe që të mos leviznin familjet nga fshati. Të ishe nga Iballja dhe të punoje në qytetin e Pukës, e të bëhej pasaportizimi aty ishte e pamundur, ndërsa në Fushë-Arrëz, vetëm për raste  të veҫanta.

Një ngjarje e veçantë për shkollën e Iballes ishte ndërtimi i godinës së re dykatëshe në vitin 1984. Në vitin 1989 u hap edhe dega zootekni me numër të pakët nxënësish.

 Në vitin shkollor 1988-1989, në këtë shkollë kishte 750 nxënës në 8-vjeçare dhe të mesmen, me dy degët e saj: agronomi e zooteknikë. Në këtë vit shkollor jepnin mësim 35 mësues. 

Deri në vitin 1988 kanë mbaruar 278 nxënës degën e agronomisë me e pa shkëputje nga puna. Shkolla kishte kishte laboratore, kabinete për lëndë të ndryshme, bibliotekë, kënd sportiv, muzeum dhe parcela eksperimentale bujqësore.

Për tërheqjen e më shumë nxënësve nga zona në shkollën e mesme u hap konvikti në një godinë të bukur të ndërtuar pranë shkollës, në vitin 1989, i cili funksionoi deri në vitin 1995, me deri 32 konviktorë. Dega e zooteknikës  me degën e agronominë  u mbyllën në vitin 1994.

Shkolla e Iballes ishte dhe qendra ku zhvilloheshin veprimtari artistike për gjithë zonën dhe zinte vende të para në saj të punës me pasion të përgjegjesit të shtëpisë kulturës Ton Smaili dhe mësuesit të muzikës Lin Gjni.  

Terreni sportiv i ndërtuar nga mësuesit e shkollës ishte model për gjithë rrethin. Shkolla mori vlerësime të larta për këtë terren sportiv, nga ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, që kontrolloi rrethin në vitin 1989. Gjithashtu u vlerësua puna e mësuesit të fizkulturës Ndue Mirashi.

 Mësuesit e Iballes ishin një shembull i mirë për gjithë rrethin. Nga ata u grumbulluan fjalë e shprehje të rralla, në kuadrin e aksionit kombëtar, këngë popullore dhe u hartua historiku i disa fshatrave. Shkolla e Iballes, për punë të veçantë në përhapjen e arsimit dhe arsimimin e nxënësve jo 

vetëm të fshatit, por edhe të zones, është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Repiblikës së Shqipërisë. 

Më 1967 u dekurua më Urdhërin “Naim Frasheri të klasit të III”, me motivacionin „Është një nga shkollat që ka dhënë kontribut të vlefshëm për përhapjen e arsimit“. Më 1974 u dekurua më Urdhërin “Naim Frasheri të klasit të II”. 

  1. Shkolla e Iballes në vitet 1991-2023

Pas vitit 1991, në shkollën e mesme Iballe u hap dega gjimnaz dhe dega bujqësore u mbyll në vitin 1994, me mbarimin e ciklit dhe maturës së saj të fundit, mbasi u shpërbënë kooperativat bujqësore. Disa ndërmarrje shtetërore u mbyllën. Migrime dhe emigrime të popullsisë, edhe të këtij fshati, sollën zvogëlimin e numrit të nxënësve në vite që vazhdonin shkollën.

Në vitin 1995 shkolla u rikonstruktua tërësisht me fonde të Bankës Botërore, duke u pajisur me 

mobilje të reja të gjitha klasat.

 Duke krahasuar popullsinë e fshatit të Iballes nga 1991 deri 1997 vërehet rënja nga viti në vit. Në vitin 1997 kishte 1542 banorë, ku brenda një viti ishin larguar 9.24%. Numri i nxënësve në 8-vjeçare ulet në 12 %, ndërsa për arsimin e mesëm të përgjithshëm vazhdon të ketë interes.

Shkolla Iballe1991199219931994199519961997
1.Arsimi 8-vjeçar349295282267251244214
2.Arsimi i mesëm  116125130107101101104
Gjithsej465420412374352345318

Shkolla e mesme e përgjithshme mbyllet në vitin shkollor 2018-2019, mbasi bien numri i nxënësve. Arsimi, tashmë 9-vjeçar, ka pasur këtë ecuri në këto vitet e fundit.

Shkolla Iballe20122013201420152016201720182019202120222023
1.Arsimi 9-vjeçar124109846961585345413527
2.Arsimi i mesëm52494857342816

Aktualisht japin mësim në këtë shkollë 8 mësues, prej të cilëve 4 femra, që janë të gjithë nga Iballja. Gjithashtu jep mësim dhe një mësuese me nxënës që kanë zhvillim të vonuar.

Në përfundim, nga të dhënat e grumbulluara nga ish-mësues, shenojmë se në shkollën e Iballes nga viti 1903 kanë dhënë mësim 256 mësues, nga të cilët 79 femra. Nga këta: janë nga Iballja 83 mësues (32.4%), ish-nxënës të kësaj shkolle, femra 47 nga të cilat 20 prej tyre të martuar në Iballe. Me banim jashtë rrethit kanë dhënë mësim 67 mësues nga të cilët 9 femra. Drejtor shkolle kanë qenë 14, nga të cilët vetëm një me banim jashtë rrethit dhe tre nga Iballja.

Pas vitit 1991 demokracia dha mundësinë e lëvizjes së lirë edhe të kuadrove e specialistëve të Iballes. Familje të tëra kanë gjithë fëmijët me arsim të lartë. Nxënës të shkollës Iballe që mbaruan shkollat e larta u bënë mësues e drejtues shkollash brenda rrethit të Pukës por edhe në rrethe të  tjera, duke qenë të suksesshëm. Disa nxënës të kësaj shkolle, ish- mësues nga Iballja, morën gradën shkencore “Doktor i Shkencave”, si Vitor Maluta, Sokol Bajraktari, etj. u bënë pedagog në Universitete të Tiranës e deri në New Jersey në SHBA, dr. Esmeralda Vata.

Janë me dhjetra ish nxënës të Iballes, që u bënë specialistë të fushave të ndryshme të ekonomisë, mjekësisë, bujqësisë, drejtësisë që kanë drejtuar e drejtojnë institucione, ndërmarrje dhe sektorë brenda e jashtë rrethit, me rëndësi kombëtare, që u zgjodhën në organet e pushtetit vendor, deri deputetë si Fran Pjetri, Ludovik Hasani u bënë biznesmenë shumë të suksesshëm. 

IV.. Mbi festen 120 vjetorit të hapjes së shkollës së Iballe.

Me iniciativën e intelektualve, biznesmenve të fshatit ku si drejtues e sponsorizues kryesor ishte Dede Maluta, u organizua një festë shumë e bukur në Iballe, në përkujtim të këtij pervejtori të lavdishëm.

Mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Prof. Bajram Bega, deputeti, ish kryeministri i Kosovës Ramush Hajradinaj, i cili e pohoi poublikisht se e kishte origjinën nga ky fshat, kryetari i bashkisë  Fushë Arrëz, Hilë Curri etj. Morën pjesë, historian, arkeolog, specialist të fushave të ndryshme, ish mësues, nxënës specialist vendas e të fshatrave përreth dhe qindra banorë nga e gjithë zona.

U organizua një sesion shkencore me nivel të lartë, u inagurua muzeu i ri i shkollës, i bukur dhe i pasur me dokumenta, u organzua panair i prodhime bujqësore të vendit si dhe u zhvillua një koncert me pjesëmarrjen r artistvre me emër, nga Shqipëria e Kososva. Shkollës iu dha emri “Frrok Pemati”, e u vendos bust i tij në hyrje të saj. 

  Kjo festë mendojmë se tregoi që Iballja do të mbetet gjithmonë e banuar, nisur burimet natyrore, arkeologjike, mundësitë e shtimit të bimëve me rendiment të e lartë e me vlera kombëtare  e më gjërë, nga interesimi  që po bëjnë disa biznesmen vendas,  që nuk harrojnë vendlindjen, duke investuar këtu, si një hotel-restorant  modern, nga Lazer Mhilli e të tjerë që shpresojmë të shtohen, apo kontribuar së bashku, për të organizuar veprimtari të rëndësishme në bazë zone, me mikpritjen e veçantë të banorve, Iballja do jetë plotë vizitor gjithëvjetor, vendas e të huaj.  

Shkolla 9-vjeçare, trashgimtare e kësaj tradite të çmuar, gjithmonë do shërbejë si një rreze drite e cila shpërdan dituri, që fëmijët e Iballasve edhe në të ardhmen, do të jenë specialist në disa fusha me vlera kombëtare e ndërkombëtare.  

Referenca:

  1. “Shkolla pionere në Shqipërinë e Veriut”. Revista Pedagogjike, nr.4, 1976.
  2. Sabah Sinani, Historiku i Arsimit të rrethtit Pukë, 1989.
  3. Jaho Brahaj. Buletini  “85-vjetori i shkollës Iballe”, 1988.  
  4. Shkresa nr.105, dt.24.02.1936.
  5. Përgjigjja shkresën nr.105, dt.24.02.1936
  6. Muzeu i Shkodrës, Fondi Migjeni.
  7. Buletini “Puka dhe shkolla”,1974. 
  8. Arkiva e shkollës Iballe (regjistrat e nxënësve në vite dhe statistikat).
  9. Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit,1985
  10. Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit, 1989
  11. Pashk Lekaj. Zhvillimi i arsimit parauniversitar e prognoza e tij, gjendja e infrastrukturës shkollore dhe nevojat e saj, në rrethin e Pukës.1998.
  12. Ing.Kol Deda, „Iballa vatër e dijes dhe atdhedashurisë“,  kumtesë në sesion shkencore në Iballe 28 tetor 2023,
  13. Gjelosh Nikolla, „Kontributi i Rilinadasve Lazër dhe Ndre Mjeda ne hapjen e shkollës Iballe“, kumtesë në sesion shkencore në Iballe 28 tetor 2023.

Filed Under: Komente

“Echoes from Iliria”, Echoes from Parashqevi Simaku

January 6, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Parashqevi Simaku është nje artiste e rrallë që edhe pse ka kohë pa dalje në publik, të ngacmon kujtesën dhe vjen me një jehonë flladitëse shpirtërore dhe të frymëzon për të shkruajtur dhe pë ta kujtuar me plot respekt, por mbi të gjitha me dashurinë si artdashëse e saj.

Ajo erdhi nga një qytet i vogël i Shqiperise, Kavaja dhe u ngrit plot meritë në tempullin e artit, me zërin e saj melodioz, bukurinë femërore, delikatesën në plastikën e lëvizvjeve të shoqërimit, buzëqeshjen e trëndafiltë si gonxhe shqipërie.

Që ne moshë të re filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar dhe duke rrëmbyer zemrat e artdashësve. Dalja e saj në skenë elektriozonte publikun, si me magnet tërhiqte me lirikën e mrekullueshme dashurore. Ajo i këndoi rinisë me të cilën zuri vendet e para, apo në Festivalin e 27-të të Këngës në RTSH me këngën për fëmijët “E duam lumturinë”, teksti Agim Doçi dhe kompozitor Pirro Çako u vlerësua me çmimin e parë.

Sa herë vijnë festivalet e Këngës në RTSH edhe pse larg 9 male kaptuar, e pamundur mos të më shfaqet imazhi i saj i bukur, i freskët, sharmante, kultura e intepretimit dhe shumë detaje të tjera që sot disa nga “artistët” tanë i kanë rrokullisur në humnerë…

Por le të hidhemi në takimin e fundit që patëm ne si artdashës me Parashqevi Simakun në Manhattan kryeqytetin e botës, në vitin 2006. Në atë kohë bashkë me Qemalin ishim të punësuar në kolegj në Globe Institute dhe jo shumë larg ishim nga vendi ku do të promovohej CD-ja “Echoes from Illyria”. Ftesën e marrë prej saj ia pranuam me një kënaqësi shumë të veçantë dhe brenda ishte emocioni, nga ato emocionet e bukura që të dhurojnë kjo racë artistësh. Ne shkuam me disa student të kolegjit.

Në hyrje na mirëpriste Parashqevia me flokët e gjata si pendë palloi të zeza te derdhura mbi supet dhe me buzëqeshjen e saj aq të çilter dhe të bukur, veshur thjesht, CD –ja me Illyrinë dhe autorja e saj më ngjasonte si mbretëresha Teutë. Në krah të aritistes ishte bashkëshorti simpatik, muzikanti Robert Nolfe bashkë me birin si yll. Djali i saj i veshur me kostum tradicional shqiptar ishte një pjesë e shkëlqimit të artistes, por edhe si nënë shumë e devotshme. Natyrisht duke e parë për dore me djalin e saj, e pamundur mos të të vinin në mendje vargjet e mrekullueshme të shkruara nga poeti brilant Agim Doçi si: Mos ja u prishni lumturinë/ mos iu prekni dashurinë/ askërrkush mos ta provojë/ se nënat s’ju lejojnë/ Fjala “Nënë” kudo në botë/ zgjon në zemra dashurinë/ mirëmëngjes jetës i thotë/ Mos ja u prishni lumturinë/ mos iu prekni dashurinë/ askërrkush mos ta provojë/ se nënat s’ju lejojnë/ Fjala “Nënë” kudo në botë/ zgjon në zemra dashurinë/ mirëmëngjes jetës i thotë.

Promovimi u realizua në “Borders books, music & coffe”, ku është mjaft e njohur për librat dhe revistat më të famshme në botë.

Parashqevi Simaku dhuroi dhe firmosi autografe me CD-në e saj. Shpirti i madh i saj si një artiste me shumë vlera shquhej qartë në sytë e bukur.

Brenda sallës ndodheshin Yje të muzikës, të artit, figura publike etj. Ndrinte në ballë regjisori I famshëm botëror, shqiptari me origjinë nga Dragoti i Tepelenës Stan Dragoti “Nderi I Kombit”, Fotografi i shquar Fadil Berisha, artisti i skenës, kampion bote Toni Dovolani etj.

Mirë se erdhët dëgjohej zëri i ëmbël i Parashqevisë dhe na përqafonte të gjithëve me radhë, ndalonte duke na pyetur e biseduar si shqiptarë dhe emigrantë.

Një moment ndaloi pranë nesh Stan Dragoti me një mirësjellje prej një xhentëlmeni të vërtetë dhe me kuriozitetin e shqiptarit donte të dinte se nga ishim, ngase ishte i befasuar që ishim aq shumë shqiptarë të mbledhur në këtë sallë promovimi. Nuk do ta harroj kurrë gëzimin dhe krenarinë e tij që ndjeva kur i thashe se jam nga Mezhgorani i Tepelenës dhe sa afër me Dragotin. Ah tha Dragoti është pengu i jetës sime që nuk shkova dot ta vizitoja edhe pse ishja aq pranë pasi më ndaluan në Gjirokastër dhe helikopteri s’mund të shkonte dot për shkak të kohës së keqe… Miqësia jonë vazhdoi me këtë artist të madh edhe në Kalifornia derisa mbylli sytë, por do ta kujtojmë përjetësisht, sepse është krenari kombëtare dhe botërore. Stan Dragoti tha se Parashqevia është një yll dhe me këtë CD me një emër shumë të bukur, duket sikur sjellë këtu në Manhattanin tim ku u linda dhe u rrita jehonën e stërgjysherve tanë, jehonën e Ilirisë.

Ajo që bëri shumë përshtypje ndër pjesëmarrës, studentë të shumtë ishte se CD-ja “Echoes from Iliria” për gjithë shqiptarët e trojeve do ta jepte falas.

Thellë shpirtit te saj ka qenë arti për të na magjepsur dhe na bëri fatlum, të jetonim shpirtshëm ne dekadat që kaluam dhe që vazhdojmë ta dëgjojme me ëndje edhe sot.

Albumi është një pasuri e vyer për artin kombëtar, për artdashësit e shumtë të saj, ato kanë origjinalitetin e artistes të kënduara në shqip ku midis autorëve të teksteve janë autorët më në zë të kombit si Poradeci, Çajupi, Fan Noli etj me producent Robert Nolfe.

Parashqevi Simaku është legjendë e skenës, është legjendë e kohës që kaluam me bukuritë dhe dhimbjet që përjetuam, me vezullimin e saj sidomos në vitet 80-90 të shekullit të kaluar, me një vokal herë shpërthyes dhe herë melankolik. Sot më trishton drithshëm me një tis pikëllimi që nuk ka kontakte me skenën atje ku ajo rrezatonte mrekullisht. Sidoqoftë në këtë fillim të vitit të Ri zëri i saj më erdhi si “Echoes from Illyria”, Echoes from Parashqevi Simaku.

Disa nga këngët e intepretuara ndër vite:

Në CD “Echoes from Iliria” janë këto këngë: “Haxhireja”/”Ura e Shijakut”/ “Pranvera do të vijë”/ “Anës lumenjve”/”Dashuria”/”Se-sa”/ “Jug-Veri”/”Kur jam me ty”/ “Pak më shumë”/ “Dielli”.

Pop songs janë: “Gëzimi i shtepisë së re” (1983),/”Në moshën e rinisë” (1985), Festivali i Këngës winner”Një mëngjes” (1986)

“Kur lulëzon bliri” (1986), “Me sytë e tu” (1987), “Çdo mëngjes”, “Çdo gjë bashkë ne e ndajmë”, “Buzë detit jemi rritur”, “Bashkëmoshatarët” (1987), “Koha nuk na pret” (1987), “E duam lumturinë” (1988), Festivali i Këngës winner,”Gusht e prush” (1988), “Jetoj” (1989), “Nuk jam vetëm” (1989), “Sonetë për vete” (1990), “Lejla” (1990), “Dëgjoma këngën” (1991), “Se dashuria”, “Kur të prisja ty”, “Tik Tik Tak”, “Mes nesh është dashuria”, “Më the të dua”, “Në sytë e tu”, “Qyteti im”, “Shoqet”, “Bashkë ne të dy”, “Sytë e një vogëlushi”,”Dashuria e vërtetë”, “Pyes veten”.

6 janar, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste

Të dy, për t’u admiruar

January 6, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Kush ishte gjeneral romak më i mirë, Jul Cezari apo Scipio Africani? Të dy kanë shumë histori, duke përfshirë disa libra ku flitet për luftrat e tyre.

Cezari kishte një etikë pune legjendare, një aftësi të çuditshme për të ndikuar dhe udhëhequr njerëzit, dhe një njohuri të mprehtë strategjike. Ai ishte në më të mirën e tij, kur i bindte njerëzit e tjerë të pranonin vizionin e tij. Metodat luftarake që mbase përshkruhen më së miri, janë marshimet e vështira që pasohen nga punë e madhe xhenjere që i dhanë atij një avantazh kundër fise gale dhe britane. Cezari udhëhiqej nga bindja dhe butësia. Megjithatë, gjithashtu bëri gabime të përsëritura, duke përfshirë disa beteja ku duhej të kishte humbur, si ajo me Pompeun, afër Durrësit. Ai është në një farë mënyre ideali romak – një njeri që rrëzohej, por gjithmonë ngrihej – dhe e çoi fatin aq larg sa mundi.

General and burrë shteti, Jul Cezari e ktheu Republikën Romake Republic në Perandori të fuqishme Romake. 15 marsi 44 pes ishte ndoshta data më famëkeqe në të gjithë historinë e lashtë. Diktatori romak 55-vjeçar Gaius Julius Cesar u vra nga një grup senatorësh të pakënaqur.

*

Scipio, shqiptohet Shipio, nga ana taktike, ishte me shkëlqim të veçantë. Megjithëse disa njerëz mendojnë se betejat e veçanta nga gjeneralët e tjerë janë më të mira. Megjithëse ai tregoi një aftësi taktike përtej çdo gjenerali tjetër klasik.

I paparashikueshëm, por në kontroll, Scipio mundi të përshtatej, të kapërcente dhe të luftonte sipas kushteve të tij çdo herë. Scipio ishte në gjendje të krijonte mbështetje, të fitonte zemrat e njerëzve për kauzën e tij dhe t’u bënte përshtypje të huajve. Ai drejtohej nga virtyti personal; aftësia taktike ishte e patejkalueshme dhe njohuritë e tij strategjike ishin të shkëlqyera. Megjithatë Scipio ishte padiskutim arrogant, nganjëherë dukej dembel. Nëse ishte i paprekshëm në fushë beteje dhe i popullarizuar në mesin e atyre që pushtoi, ai kurrë nuk duket se fitoi mbi njerëzit e tij. Mund të quhet me ideal dhe aftësi të pakrahasueshme, por krenaria ishte një e metë tij fatale.

Në çdo fushë beteje, ai thjesht do ta arrinte Cezarin, i cili kishte njohuri të ngjashme strategjike, dhe më shumë gjasa të fitonte aleatë. Ishte energjia, aftësia politike dhe drejtuese që do t’i siguronin Cezarit të shkëlqente në çdo kohë ose rrethanë.

Scipio ka të ngjarë se do të kishte jetuar në errësirë, por fakt ishte se Roma ishte kaq e dëshpëruar sepse Hanibali vazhdonte të vriste gjeneralët e saj më me përvojë. Arritja më e madhe ushtarake e Scipios ishte humbja e Hannibalit në Betejën e Zamës në 202 para erë sonë. Kjo fitore në Afrikë i dha atij epitetin e nderit Africanus, që duhej kuptuar si një pushtues i Afrikës. Ndonëse nga populli romak konsiderohej hero, në radhë të parë për fitoret e tij kundër Kartagjenës, Scipio kishte shumë kundërshtarë, veçanërisht Kato Plakun, i cili e urrente shumë. Në vitin 187 pes, Scipio, ai u gjykua së bashku me vëllain e tij për ryshfet që supozohej se kishin marrë nga mbreti Seleucid Antiochos III gjatë Luftës Romako-Seleukide. I zhgënjyer nga kjo mosmirënjohje, Scipio u largua nga Roma dhe u tërhoq nga jeta publike në vilën e tij në Liternum (Lago Patria) afër Napolit.

Të dy rridhnin nga fillimet e Romës. Scipio ishte me prejardhje etruske. Ai vdiq i dëshpëruar më 183 pes, 53 vjeç. Cezari, që thoshte se rridhe nga Enea, vdiq në vitin 41 pes, 55 vjeç. Të dy janë për t’u admiruar; njëri nderonte Iliadën; tjetri, Aleksandrin e Madh.

Ata janë të famshëm edhe për thëniet që kanë mbetur:

“Përgatitu për luftë, nëse paqja bëhet e patolerueshme.

Jeta është 10% e asaj që më ndodh dhe 90% se si reagoj.

Është budalla ai që thotë se nuk duhet të mendosh, para se të bësh diçka”. Scipio Africanus.

“Erdha, pashë, fitova.

Është më e lehtë të gjesh burra që do të dalin vullnetarë të vdesin, sesa të gjesh ata që janë të gatshëm të durojnë dhimbjen me durim.

Përvoja është mësuesi i të gjitha gjërave.

Nëse duhet të shkelni ligjin, bëjeni për të kapur pushtetin: në të gjitha rastet e tjera respektojeni. Jul Cezari.

Filed Under: ESSE

Iljas Bej Mirahori, personaliteti shqiptar që themeloi Korçën

January 6, 2024 by s p

 Zani i Nalte


7628822994_844f9cd5be_o

Një personalitet madhor shqiptar i mesjetës – Iljas Bej Mirahori (1410-1512)

nga Hysen Kobellari, Ph.D.

Hyrje

Nga thellësitë e shekujve na vijnë shenja, të dhëna, fakte e dokumenta interesante për një personalitet të shquar e të rëndësishëm shqiptar dhe jo vetёm shqiptar, të periudhës së mesjetës – Iljas bej Mirahorin. Kjo figurë madhore, pak e ndriçuar nga historiografia jonë, por i përjetёsuar në memorien e popullit, i kalon caqet e historisë së një vendi, për nga ndikimi dhe veprimtaria e gjerё, e gjatë dhe e shumanshme në kohë dhe hapësira. S. Frashëri, N. Naçi, Ilo Mitkë Qafëzezi, P. Pepo, S. Pulaha, S. Ramo, etj., kanë dhënë informata me rёndёsi e të vlefshme për të ndriçuar sadopak këtë figurё sa shumëplanëshe, aq madhështore e tërheqëse. Janë me mijëra faqe dokumentash e shkresash që dergjen nëpër arkivat e Turqisë; në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në fondin me emrin e tij, gjenden katër dekrete (fermanë) të Sulltanit, që u përkasin viteve 1484, 1496, 1497 dhe 1503; tregime, këngë e legjenda gjallojnë akoma në popull për jetën dhe veprat e tij; toponime, kufij, emra vendesh dhe objektesh e përkujtojnë edhe sot e kësaj dite, pas pluhurit qё lё pas harresa e shekujve. Pasuria e lënë prej Mirahorit ndodhet në disa vende të Ballkanit, ndoshta në dy kontinente; veprimtaria bamirëse dhe qytetёruese iluminuese e Iljas Beut është ndër të parat dhe ndër më të rrallat në kontinent; pasardhës të tij jetojnë ende në Korçë e gjetiu nën mbiemrin Myteveli, vëllezërit Frashëri kanë qenë nga nëna e tyre, stërnipër me famё, dijetarё e mёmёdhetarё tё dobishёm e tё njohur; një monument madhështor kulture dhe historie u ka rezistuar kohërave, Xhamia “Iljas bej Mirahori”, ndër më të vjetrat dhe më të bukurat në rajon; e mbi të gjitha një qytet i tërë, Korça, sa i lashtë, po aq edhe i ri, i bukur e bashkëkohor mban emrin e tij…

PAMJE KORCE
  • Vendlindja dhe paraardhësit

“Ilia ishte një fshatar trim me origjinë nga fshati Panarit që bënte pjesë në Kazanë e Përmetit, të varur nga Vilajeti i Janinës” (Sami Frashëri “Kamus-Ul-Alam”)

Nga të dhënat konkrete, për të cilat kanë rënë dakord të gjithë studiuesit, është qartësuar se Iljas bej Mirahori u lind në fshatin Panarit të Qarkut të Korçës, fshat i cili kufizohet me fshatra të tjerё tё rretheve Korçë, Kolonjë, Përmet dhe Skrapar. Pas pushtimit osman të krejt Ballkanit dhe të vendit tonë, në ekspeditat e viteve 1385 dhe 1431, fshati Panarit bënte pjesë në Ziametin e Çakderit, ose siç e quanin turqit Vilk-Ili (Pronat e Vilkut). Emri i këtij fshati vjen nga fjala e lashtë shqipe panare, që përdoret edhe sot në Krahinën e Oparit e gjetkё, që do të thotë, vend i ngritur, kapuç, shport. Profesor Çabej ka shpjeguar se emri Panarit afron me fjalën greke panaris, që do të thotë shport, por ka ndryshim në theksim.

Këtë emër ka edhe një fshat afër Këlcyrës. Me emrin Panarit janë disa fshatra në Greqi, tre prej të cilëve kanë origjinë nga ai i Korçës, për shkak emigrimi. Madje edhe në SHBA ndodhet një vend me emrin Panarit…

 Iljas bej Mirahori u lind në fshatin Panarit të Korçës midis viteve 1408-1410. Emrin fillestar e kishte Ilia, si bir i priftit të kishës më të madhe të fshatit; ky është një emër shenjtori në fenë krishtere, Shën Ilia. Për emrin e të atit nuk ka të dhëna, përveç asaj se në Testamentin fetar të Mirahorit, të quajtur Vakëfname, i shkruar në vitet 1504-1505, emri i islamizuar është Abdullah. (Vakëfnameja është shkruar në gjuhën arabe, me dorë, në një letër të trashë rreth 7 metra të gjatë, përkthyer pa autor dhe botuar nga Petraq Pepo.) Për emrin e nënës deri tani nuk ka asnjë të dhënë.

Babai ishte edukatori i parë i misionarit me famë. Duke qenë prift me emër e me kulturë, i dëgjuar dhe i njohur jo vetëm në Panarit, por në gjithë Ziametin e Çakderit, ai ndikoi fort në formimin e karakterit të djaloshit, që në vitet e para të jetës së tij. Prift, bujk, blegtor, zanatçi i mirё, me veti tё larta njerёzore, njeri me kulturё tё qёndrueshme.

Porteti, karakteri dhe tiparet e Ilias janë transmetuar brez pas brezi nga veteranët në kujtimet e tyre… Ishte një djalë i fortë, i zgjuar, i hijshëm e trim; trupgjatë e shpatullgjerë. Sytë e tij, që shkëlqenin si uji i burimeve të Soropullit, shihnin larg, si sytë e shqiponjës. Fytyra e tij hijeshohej nga flokët e dendur, të ashpër e pak të dredhur, ashtu si pllajat e sheshet e bukura të fshatit të lindjes. Duke jetuar mes panaritasve të dalluar si blegtorë e muratorë shumë të zot, këto zanate ai i përvetësoi shpejt e i nguliti nё kujtesё, çka e ndihmuan të kishte sukses të madh në jetë, kudo që shkoi. Njeri plot virtyte, i urtё, durimtar dhe i sakrificёs pёr gjithë jetёn e vet tё gjatё e plot peripeci.

Pema e Madhe, pengu i atdhedashurisë dhe kujtesës

Puna e parë që bëri sapo u kthye në vendlindje ishte mbjellja e një peme, pikërisht në atë vend, të cilin e kishte lënë përpara gjashtëdhjetë e ca vitesh. Për shumë shekuj ai vend u quajt “Pema e Madhe”. Ky vend është në lindje të fshatit Panarit të Korçës, mbi rrugën për në fshatin Treskë, afër Bogovës. Të moshuarit edhe sot i mbajnë mend kujtimet e trashëguara brez pas brezi për Pemën e Madhe. Ajo ishte një pemë e veçantë; një krijesë drunore të tillë kurrë nuk ka patur në tërë Zonën e Vakëfeve, siç u quajt mё vonё. Thuhet se këtë pemë e kishte mbjellë vetë Iljas bej Mirahori, me farën e sjellë nga Stambolli i largët. Kur ai i ktheu pronat e tij në Vakëf, bëri të tillë edhe arën e vetme Jeze Bexhik, në kufijtë e fshatit Panarit, vetëm se aty ishte Pema e Madhe, pengu i dashurisë dhe kujtesës. Vendi aty ka shërbyer si Vakëf i shenjtë.

Pas shumë e shumë vitesh pema u tha, ngaqë ishte shumë e vjetër, nga gërryerjet e ujrave, por më tepër ngaqë i zoti i saj nuk ishte më në jetë; koha, vetmia dhe harresa than e përthan çdo gjallesë që gjendet mbi dhe… Pema u tha, por vendi ndër shekuj vazhdoi të quhej Pema e Madhe. Banorët deshën të mbillnin një pemë tjetër në atë vend, por ngaqë nuk e gjetën farën e së parës e për ta nderuar atë, thjesht e shndërruan vendin në një muranë përkujtimore. Edhe kur në vendin tonë me ligj u ndaluan besimi dhe veprimtaritë fetare, panaritasit aty luteshin; te ky vakëf i shenjtë …

Hanet e Mirahorit – falas për panaritasit shtegtarë …

Qyteti Korçës, i themeluar nga Iljas Hoxha, para shumë shekujsh ka patur disa hane, natyrisht, tё ndёrtuara qё nё kohёn e tij. Kur shkonin në qytet për pazar, banorët e fshatrave malore të Vakëfeve kalonin ditën ose natën nëpër hane. Për vite e vite me radhë, fshatarët panaritas shkonin në hanet e Mirahorit, kalonin aty natën dhe nuk paguanin taksa për kohën e qëndrimit, duke përfituar falas edhe tagji e ujë për hajvanët e tyre. Thuhet se Iljas bej Mirahori e kishte lënë me gojën e vet si amanet që fshatarët e Vakëfeve të mos paguanin asnjë taksë edhe pas vdekjes së tij; ky amanet u zbatua për një kohë të gjatë, saqë këto tregime i rrëfejnë edhe sot të moshuarit e fshatit Panarit të Korçës. Jo vetëm kujtimet e veteranëve, por edhe dokumentat kadastrale të periudhës së sundimit turk vёrtetojnë privilegjet që gëzonin panaritarët në atë kohë…

  • Epoka – Parakalim telegrafik Sulltanësh …

Iljas bej Mirahori, ose ndryshe Ilia Panariti, pati një jetë të gjatë e plot peripeci, brodhi botën, në Europё, Turqi, Persi, Ballkan e gjetkë, kaloi nëpër ngjarje me rëndësi të madhe për njerëzimin, derisa mbylli sytë në dheun që e lindi, në moshë mbi njëshekullore. Për martesën e tij nuk ka të dhëna të dokumentuara. Nuk na duken të sakta të dhënat e pabazuara në disa shkrime, ku thuhet se Mirahori është martuar me të bijën e Sulltan Mehmetit II, por që është martuar në rrethin e oborrit sulltanor, kjo është më e arsyeshme…

 Ai jetoi e veproi nën epokën dhe sundimin e këtyre sulltanëve osmanë: Sulltan Murati – Murati i Dytë ( 1404-1451), djali i Çelebi Sulltan Mehmetit, nipi i Bajazit Bubullimës; ka hipur në fronin sulltanor në moshën 18 vjeçare. Ishte i gjashti sulltan në atë fron. Mbretëroi duke luftuar me kryqtarët dhe kryengritësit; pasi vendosi dhe konsolidoi paqen në perandorinë e tij, ia dorëzoi fronin të birit, Princit Mehmet II dhe u largua për në Manisa, por nuk qëndroi gjatë aty, se rifilluan sulmet e kryqtarëve dhe vezirët e thirrën të merrte përsëri fronin. Shkroi poezi shumë të bukura dhe fliste me fjalë të rimuara.

Avni Fatih Mehmet Khani (1432-1481), djali i Sultan Muratit të Dytë, sulltan i 7-të i Perandorisë Osmane. Ka pushtuar Stambollin dhe ka qenë jo vetëm njeri lufte, por edhe pasionant dhe dashamirës i dijeve dhe kulturёs. Themeloi disa universitete dhe xhami, duke u marrë me arte, muzikë e letërsi; ka patur poetë që janë ndikuar nga arti i tij poetik.

Adliu- Bajaziti i Dytë (1447-1512), djali i madh i Sulltan Mehmet – Pushtuesit. Teksa u bë guvernator në Amasya, jeniçerët e lutën që të bëhej Sulltan, por i vëllai, Xhema e kundërshtoi emërimin e të vëllait në postin që po mbante vetë. Ka ndërtuar shumë universitete, xhami dhe mensa publike, duke qenë mbrojtës i madh i arteve. Ka qenë mjeshtër i madh i artit të pikturës kaligrafike, ndërsa në poezitë e tij përdorte pseudonimin letrar Adliu. Për këtë sundimtar Iljas Mirahori u bë edukator në dije, kulturë dhe fe. Me kohë u bë edhe vjehrri i tij. Me Ferman tё kёtij Sulltani, Iljas bej Mirahori u nis pёr nё vendlindje, u bё zotёrues i trevave tё gjera tokёsore, rindёrtoi qytetin e Korçёs, duke e bёrё strumbullar tё njё zone tё tёrё tё begatё e tё rilindur…

Princi Xhemë (1454-1495), djali më i vogël i Sulltan Mehmet Pushtuesit, kunati i vajzës së I. b. Mirahorit, i arsimuar më së miri. Ka bërë kryengritje kundër vëllait të tij Sulltan Bajazitit II, duke marrë ndihma nga pashallarë dhe popullsia e disa qyteteve. Bajaziti e mundi Xhemën, ndërsa ky gjeti strehim te Mamlukët egjiptianë. Kalorësit e St. Joh, me në krye Mjeshtrin e Madh të Kalorësve, kur ai arriti në Rodus e pritën me nderime, pastaj e çuan në Francë. Me urdhër të Papa Aleksandrit VI është burgosur. Ka qenë poet i shquar dhe ka shkruar poezi në gjuhën perse dhe turke.

Sulltan Selimi i Pamëshirshëm, Yavuz Sulltan Selim (1466-1520), djali i Sultan Bajazitit II, nipi i I. b. Mirahorit, një nga Sulltanët më luftarakë dhe poet i shquar. Shkroi në gjuhën perse dhe turke, duke përkrahur artet dhe njerëzit e artit; ka mbrojtur shkencëtarët dhe gjykonte siç gjykojnë poetët.

Qerim Princ Korkuti (1470-1513), djali i Sulltan Bajazitit II, nipi i Mirahorit. Ka qenë ulur në fronin sulltanor vetëm për 17 ditë. Për shumë kohë luftoi kundër babait të vet, derisa e kanë prerë në fyt. Një fis me mbiemrin Korkuti kanë jetuar në Plasë të Korçës dhe thuhet që i ka prurë I. b. Mirahori me vete, kur themeloi Korçën. I shkolluar mirë, mbrojtës i zjarrtë i artit, ka qenë edhe kaligrafist i mirë. Ka kryer studime shkencore në gjuhën arabe dhe në turqisht.

imrahor_camii_ic_gorunumu4

Rrënojat e xhamisë së Mirahorit, Jedi Kule, Stamboll.

  • Jeta në Stamboll dhe kthimi në vendlindje

Pak të dhëna kemi për jetën e Iljas bej Mirahorit në Stamboll. Ato më kryesoret po i renditim telegrafisht:Me të mbërritur në Stamboll, pastaj në Edrene, kryeqendër e Perandorisë Osmane, nisi edukimi i Ilia Panaritit, mё pas Iljaz bej Mirahori. Në fillim ai iu nënshtrua mësimit intensiv të gjuhës turke, gjuhës arabe dhe mësimit të Kur’anit në original. Krahas kёtyre, mёsoi edhe shkenca tё tjera. Ai nuk u trajtua si pengjet e tjerë, të cilët mobilizoheshin si nizamë dhe jeniçerë, mbase edhe për arsye të moshës së njomë, por edhe për shkak të karakteristikave të veçanta e tё spikatura intelektuale, me shenja gjenialiteti. Që në vendlindje ai dinte gjuhën shqipe, por mbase edhe greqishten. Edukimi i tij u kompletua nëpërmjet institucionit të icogllanëve dhe të gulameve. U shkollua në Enderun-i Humajun në Edrene, sipas historianëve. Aty Iljas beu mori edhe gradën Lale – Profesor i Dinastisë Turke… U bё njё nga mjekёt veterinerё mё tё zotё tё Perandorisё.Studiuesi i talentuar, historiani osmanolog Selami Pulaha na i ka shpjeguar këtë sistem në veprën e vet “Pronësia feudale në tokat shqiptare” (f.36) “Pushteti osman, gjatë një periudhe gati shekullore, përdori një varg rrugësh dhe metodash të karakterit ekonomik, politik dhe ideologjiko-fetar për të kthyer klasën feudale vendase, për ta zhdukur atë si forcë ekonomike dhe politike të pavarur. Zbatimi i tyre filloi herët, qysh në kontaktet e para shqiptaro-osmane, në fund të shek. XIV, me kthimin e feudalëve shqiptarë në vasalё të Sulltanit.

Një vemendje të veçantë ai i kushtoi marrjes peng të fëmijëve të feudalëve, rritjes së tyre pranë oborrit të Sulltanit si pazh i oborrit ose pranë dijetarëve të mëdhenj ushtarakë, si gulame (djalë, bir)” Qëllimi ishte që duke iu dhënë djemve një edukatë të tillë të lartë osmane dhe me zanate civile, të zëvendësonte klasën vendase feudale, me anëtarë të zakonshëm të klasës sunduese osmane, ndërthurur kjo edhe me karrierën ushtarake e administrative. Kjo ishte rruga kryesore e integrimit, për të krijuar kështu mbeshtetjen politiko-shoqërore në vendet e pushtuara. Kjo politikë dha frytet e saj që herët në Ballkan. Pas kësaj përgatitjeje, nga njëra anë dhe për shkak të trimërisë dhe talentit të veçantë, mbase edhe tё gjenialitetit, që tregoi Ilia Panariti në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga Porta e Lartë, nga ana tjetër, do të merrte poste të ndryshme administrative e ushtarake gjatë periudhës së sundimit të Muratit II dhe të Mehmetit II, Pushtuesit. Kur u kthye në mysliman emri Ilia u bë Iljas. Në vitin 1453 u pushtua Kostandinopoja nga Potra e Lartë. Iljas beu mori pjesë në luftë dhe tregoi trimëri dhe zgjuarsi të madhe, si komandant i shquar ushtarak, duke udhёhequr kalorёsinё dhe prapavijёn. Për trimëritë dhe talentin e rrallë ushtarako-administrativ Iljasi kaloi nëpër poste të ndryshme gjatë periudhës së sundimit të Sulltanëve Murati II dhe Mehemeti II. Ai u bë gjithashtu edukator i Sulltan Bajazitit II, të cilit i dha pastaj për grua të bijën. Iljas beu u martua me një grua nga dera sulltanore dhe pati 3 djem dhe 3 vajza. Djemtë ishin: Muhamet, Mehmet dhe Sefer Shah Çelebi. Mehmet bej, ose Ine bej, siç e quan Sami Frashëri është vrarë në luftë, në Bagdad; ky ka lënë një xhami në Stamboll me emrin e tij. Djali i parё vdiq para të atit dhe u varros në Korçë, ndërsa i vogli, pas të atit dhe e ka varrin në një tyrbe me të atin po në këtë qytet. Nё Muzeun Kombёtar tё Armёve nё Tiranё, para disa vitesh ёshtё dorёzuar njё shpatё nga njё qytetar korçar, i cili e kishte marrё atё nё varr-vakёfin pranё xhamisё “Iljas bej Mirahori”; shpata i pёrket personazhit pёr tё cilin po flasim dhe mendohet se ёshtё dhuratё e Sulltan Bajazitit II pёr tё… Vonё ёshtё pёrkthyer nga osmanishtja shёnimi nё tehun e kёsaj shpate, dёshmi e historisё…

SAHATI1

Sapo Sulltan Bajaziti II hipi në fron, Iljas bej Mirahori u caktua Mirahor Evel, pra Gjeneral i Parë. Në lagjen Jedi Kule (shtatë kullat), në Kostandinopojë, ku ishte një kishë, me lejen perandorake Iljas bej Mirahori e ktheu në xhami, e cila, siç pohon Sami Frashëri në Enciklopedia turke, mbante emrin Xhamia e Mirahorit, ose kisha-xhami; pranë saj ka një teqe, vakëf i Mirahorit.

medreseja korce

 Me leje dhe Ferman-Dekret Perandorak të Sulltan Bajazitit II, në pleqëri, pasi i kishte provuar të gjitha hyneret e jetës metropolitane osmane, Iljas bej Mirahori vendosi të kthehej në vatanin e tij, larg nga rrëmuja dhe rrëmeti, siç do të shkruante pas shekujsh poeti ynë kombëtar Naim Frashëri; kjo ndodhi para vitit 1484; mori si dhuratë nën pronësi tokat e mëmëdheut, të fshatrave të Vakëfeve dhe ato të Fushës së Korçës me rrethina. Pronat e blera fillimisht dhe pastaj të falura nga Sulltani, i mori me dokumentacion të rregullt, të noterizuara nga Kadiu dhe dëshmitarë të tjerë vendas dhe të ardhur. Këto dokumenta kanë mbërritur deri në ditët tona, gjë që tregon seriozitetin e administratës shtetërore të asaj kohe. Ky ndërtim u kompletua për shumë vite pune me radhë dhe veç ndërtesës së xhamisë, kompleksi-bërthamë i qytetit të ri kishte hanet, imaretin, medresenë, hamamin, etj. Mё parё u ndёrtuan Tyrbja dhe banesat e Iljas beut dhe shpurёs qё e shoqёronte. Në atdhe I. b. Mirahori nuk erdhi vetëm, por me një bylyk njerëzish të rrethit farefisnor e miqsh, midis tyre edhe turq, arabë e afrikanë, të cilët formonin përnjëherësh një fshat të tërë në vendfushim. Njё fis arab ka pasardhёs edhe sot nё fshatin Pojan, po edhe nё fshatra tё tjerё. Korça si qytet, nё planet e Iljas Hoxhёs ishte piketuar si njё qendёr rrethi me rrathё tё tjerё bashkёqendrorё, me ndёrtime e vendbanime nga tё gjitha anёt …Mbeten mister qëndrimet dhe marredhëniet e tij me lëvizjet çlirimtare të Skënderbeut (Gjergj Kastrioti), etj., në Stamboll, Shqipëri dhe pas rënies së Krujës…

Iljas Bej Mirahori u bë Hafiz, Haxhi, dijetar i shkencave veterinere, Vezir, administrator vizionar, etj. Njeri me pёrmasa tё mёdha ishte ai nё Perandorinё Osmane. Disa nga këto mjeshtëri i ushtroi edhe në atdhe, megjithëse në moshë të thyer…Ai ishte Hafizi i parë i xhamisë që ndërtoi vetë, mёsues i Medresesё po ashtu edhe Myftiu i Parë i Krahinës.

Iljas bej Mirahori ishte edhe administrator kryesor i pronave të tij, të cilin turqit e quanin Myteveli, baras me Epitrop, Kujdestar, Administrator. Myteveli i parë ishte ai vetë, ndërsa me vonë, me Vakëfnamenë e vitit 1505-ës, ku ai caktoi fondacionet që do krijoheshin me pronat dhe pasurinë e vet, Myteveliu do të ishte nga vatra e familjes së vet brez pas brezi. Edhe sot në Korçë ka pasardhës nga fisi i Mytevelinjve të fundit, familja e Rustem Hysen Myteveliut, inxhinier urbanist i njohur; nga ky fis është dëshmorja e atdheut rënë gjatë Luftës së II të Përbotshme Floresha Myteveli, emrin e së cilës e mban një rrugë afër Xhamisë “Iljas bej Mirahori” të qytetit të Korçës…

– Iljas bej Mirahori ka jetuar, vepruar dhe ka lënë histori e prona në Stamboll (Lagjja e Xhamisë Jedi Kule-7 Kullat dhe Ivlanka.); në Janinë, sepse Sulltan Bajaziti II e emëroi në postin e Valiut të Janinës (Dekretet 1496-7), duke e quajtur “Beu i Sanxhakut të Janinës”; në Korçë me rrethina, ndërtoi xhaminë e famshme, një nga më të lashtat në rajon, me projekte të xhamisë së Firuz Agait në Stamboll, vakëfin e Tarikatit Symbyli pranë saj, shkollën, tregun si bërthama të një qyteti të ri, të cilit i dha emrin e vet Koxha=Korça (Nuçi Naçi dhe Petraq Pepo). Iljas Beu erdhi në vendlindje në moshë të thyer, ndaj për respekt prej vitesh kishte marrë emrin Koxha Mirahori, siç e thërrinin në Stamboll e Janinë. Ky emër vjen nga turqishtja, që shkruhet Koca e lexohet Koxha dhe ka dy kuptime: si mbiemër; i madh, i moshuar, plak; si emër, bashkëshort, burrë. Gjatë përdorimit nё popull pёr njё kohё tё gjatё e përshtatjes në fjalorin vendas, fjala Koxha u shndërrua në Korça…

Korce

Xhamia e Iljaz bej Mirahorit, Korçë

– Pasi njihesh me materiale e dokumenta të botuara e të pabotuara për personalitetin, jetën dhe veprën e Iljas Bej Mirahorit (Ilia Panaritit), tё lind njё ndjenjё krenarie e ligjshme, mbushesh me ndjenja e mendime pozitive.

  • Krenohesh me talentin dhe aftësitë e pashtershme të gjenit shqiptar, të cilat kur gjejnë kushte të përshtatshme për t’u zhvilluar në mënyrë të gjithanshme, çlirojnë energji tё pashtershme për vepra të mëdha nё shёrbim tё paqes e prosperitetit tё mbarё njerёzimit.
  • Bindesh në vazhdimësinë e besimit, drejt besimit më të mirë e të vërtetë, duke kultivuar gjithkund vetitë më të mira të qenies njerëzore.
  • Beson në frytshmërinë e prurë si vlerë e shtuar, me krijimin e kushteve më të mira për zhvillim të shpejtë në vendbanimet e lashta, kushte të cilat kanë si baza: demokracinë, përvojën botërore, kulturёn, harmoninë, tolerancën, humanizmin, diturinë, tregun e lirë, sjelljen e urtë e paqedashëse të administratёs, etj. …

Në kupolën e brendshme të Xhamisë “Iljas Bej Mirahori” tё qytetit të Korçës është shkruar me idenё dhe dorën e themeluesit të saj, pesë shekuj e gjysëm më parë: “O njerëz ! Premtimi i Zotit është i vërtetë; mos t’ju mashtrojë jeta e kësaj bote; mos t’ju mashtrojë për Zotin, djalli mashtrues.” (Krijuesi-Fatir, ajeti 5, Kur’ani Kerim.)

3736244256_18457ae89a_o

Literatura kryesore e konsultuar:

Sami Frashёri: “Kamus –Ul-Alam”- Enciklopedia turke.

Nuçi D. Naçi: “Korça dhe fshatrat pёrqark”, 1901.

Evlija Çelebi: “Shqipёria para dy shekujve”.

Pirro Thomo: “Korça, Urbanistika dhe Arkitektura”.

Univ. Tiranёs: “Historia e Mesjetёs”.

Gjerark Karaiskaj: “ 5000 vjet fortifikime nё Shqipёri”.

Vexhi Buharaja: “Regjistri i Korçёs dhe Pёrmetit”, shek. XV e XVI.

Petraq Pepo: Rev. Studime Historike, 1967 “Katёr Dekrete tё Sulltan Bajazitit tё Dytё pёr Mirahor Iljaz Benё”.

Petraq Pepo: “Kodiku i Korçёs dhe Selasforit”, etj.

Selami Pulaha: “Defteri i Sanxhakut tё Vlorёs”, dorёshkrim i filmuar.

Zija Shkodra: “Qyteti shqiptar”.

Vladimir Dino: Rev. “Tradita”, 2002, “Fshatrat me emrin Panarit nё Greqi”.

Sejdin Ramo: “Ilia Panariti dhe Korça”, 2003.

Riza Lahi: “Lirika dashurie tё Sulltanёve”, 2012, etj.

Filed Under: Reportazh

FAN S. NOLI PATRIOTI MADH DEMOKRAT

January 5, 2024 by s p

Description: F:\Foto Fan S Noli\Noli%20at%20League%20o%20fNations.jpg

“Flamur bujar për Njerëzi”- Fan S. Noli

UNË JAM KUNDËR ÇDO DIKTATURE- Noli 1961

Agim Xh. Dëshnica

Në vitin 1982 me rastin e 100 vjetorit të lindjes  së Nolit,  Vatra  dhe UNESKO, në konferenca  të posaçme shkencore përkujtuan  me nderim, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar, Theofan Stilian Nolit

Ndërkohë në gazetën Bashkimi në Tiranë, u botua një shkrim kritik ndaj Fan Nolit, përgatitur nga kalemxhijtë  “nolistë”, nënshkruar nga E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe urdhër, të mos merrnin pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua  me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të presidiumit, i ndriçuar nga prozhektorët, qëndronte drejt busti i diktatorit. Lart në këndin e djathë, fotografia  e vogël e Nolit, kishte humbur  në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë, dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në radhët e para. Në ato çaste kur ndonjë hidhte sytë drejt fotografisë në kënd  kishte përshtypjen se Noli në shënjë proteste ishte larguar nga salla.

Reporterët e kameramanët , sipas udhëzimeve,  në TV dhe në gazetën Bashkimi paraqitën vetëm ata që ishin ulur në presidium dhe në tri rradhët e para.  Pra  si zakonisht krijuan pamjn  se  salla ishe mbushur  përplot.

JETA E NOLIT- PARA E GJATË LUTËS SË PARË BOTËRORE

Brenda hapësirës e këtij shkrimi përkujtimor është e pamundur të tregohet jeta dh e veprimtaria e gjithanëshme  e Nolit.

Nëse Autobiografia e tij,  lexohet pa hyrje e parathënie, Noli merr pamjen e një mali të lartë, të cilin „profesorët nolistë“ janë orvatur më kot ta vendosin në krahun për të cilin nuk pat ëndërruar  kurrë.

Fan S. Noli lindi më 6 janar 1882 në një familje shqiptare, në qytezën Ibrik Tepe, pranë Edrenesë, në Turqi. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën gjashtëvjeçare për katër vjet. Mësimet e mesme i kreu në gjimnazin grek të Edrenesë. Ndërkohë bashkëpunon me shoqëri të ndryshme artistike. Më 1900 për pak kohë punon në Stamboll. Me shpresë për t’u regjistruar në universitet, niset për në Athinë. Gjen punë vetëm si sekretar pranë një mësuesi grek. Me rekomandimin e tij, pranohet në një kompani artistike. Askush nuk e beson  se Noli i ri qenka “arratisur natën për borxhe”, siç nxihet në një letër të sajuar.nga dora  e një shkrimtari që merrej me tregime  fantastike venturash..Në shoqërinë e aktorëve Noli u shqua për mirësjellje dhe për talent në artin dramatik. Punon me ta rreth tre vjet. Viziton shumë vende të Perandorisë Turke, Ballkanin, Turqinë dhe Afrikën, të cilat i lanë mbresa të pashlyeshme. Në këto kohë kërkon të lidhet me lëvizjen patriotike shqiptare, me Nikolla Naçon në Bukuresht dhe Faik Konicën në Belgjikë. 

Me kompaninë u nda në Egjypt.
Më 1902 nis veprimtaria e tij atdhetare, e lidhur ngushtë me krijimtarinë artistike. Boton në gazetën Drita, të Shahin Kolonjës. Siç del nga letrat dërguar  atdhetarëve shqiptarë në Egjypt, u njoh e bashkëpunon me Jani Vruhon, Thanas Tashkon, Spiro Dinen.“ Me ndihmën e tyre financiare, përkthen e boton në greqisht veprën e njohur të Sami Frashërit, “Shqipëria, ç’është, ç’ka qenë, e ç’do të bëhetë.” Sipas këshillave dhe ndihmës së tyre bujare, në moshën 24 vjeç, më 10 maj 1906 mbërrin në Nju Jork. Po atë ditë niset për në Bafallo, ku ndodhej shoqëria “Mall’i Mëmëdheut“, themeluar nga Petro Nini Luarasi. Pas tre muajsh, me ftesë të Sotir Pecit, vjen në Boston dhe bashkëpunon në gazetën Kombi. Më 8 janar 1907, themelon shoqërinë patriotike Besa-Besën dhe më 15 shkurt 1909, gazetën Dielli. Kjo gazetë historike i shërbeu çështjes së madhe, lirisë dhe pavarësisë së Atdheut. Aty lexuesit shqiptarë njohën penën e artë të Fan S Nolit.
Theofan Stilian Noli njihet si themeluesi dhe drejtues i Kishës Ortodokse Shqiptare të pavarur në Amerikë.Eshtë koha, kur më 1908 dorëzohet prift në Kishën e Shën Kollit, në Nju Jork.Meshën e parë e jep në gjuhën shqipe, në Boston.Ndërkohë studion për katër vjet në Universitetin Harvard dhe më 1912 diplomohet me sukses për letërsi. Të kësaj kohe janë krijimet në revistën Albania, në gazetat Dielli, Drita etj.
Description: https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2023/01/Noli-Boston-21-640x479.jpg

Në vitet 1910 e 1911, përpara shoqërisë Besa-Besën, mban fjalime të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptare në Kosovë, duke ngritur lart luftën e trimërinë e tyre, me Isa Boletinin e Idris Seferin në krye, në betejat e Cernalevës e në Grykën e Kaçanikut.
Më 1911, i ngarkuar me mision fetar e atdhetar, viziton kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofje e gjetkë, i pritur me dashuri nga shumë bashkatdhetarë.Në praninë e tyre meshon me gjuhën e bukur shqipe. Pas një largimi të gjatë, në Sofje pati një takim të mallëngjyer me prindët e të afërmit e vet, mandej një ndarje tepër të hidhur.
Në kohën kur Perandoria Turke po humbiste Ballkanin, me nismën e Nolit e Konicës, shoqëritë shqiptare Besa–Besën, Arësimi, Malli i Mëmëdheut, Hylli i Afërditës etj. u bashkuan në Federatën Panshqiptare Vatra, me seli në Boston, më 28 prill 1912. Sekretar i Komisionit 

Description: C:\Users\Agim\Desktop\Foto cel\foto noli.jpg

Qendror u zgjodh Fan Noli, kurse Faik Konica me Kristo Floqin u caktuan organizatorë të degëve. Noli zgjidhet kryetar i Vatrës më 17 korrik 1915 dhe më 1 korrik të vitit 1917. Krahas Diellit botohet në anglisht, Revista Adriatike.
Federata Panshqiptare Vatra në ato vite, mori pamjen e një qeverie në mërgim. Drejtuesit e saj u mirëpritën nga institucionet zyrtare, si përfaqësues të Shqipërisë. Me ligjëratat e tyre të shkëlqyera, mbrojtën çështjen shqiptare. Fan Noli shpesh largohej i ngarkuar me detyra të rëndësishme. Në vjeshtën e vitit 1912, kur Atdheu ndodhej para rrezikut të copëtimit, i dërguar nga Vatra ndodhet në Londër.Nga kryeqyteti britanik, përshëndet Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.
Më 1913 Federata Vatra, me udhëhqës si Noli dhe Konica, me anën e gazetës Dielli, mitingjeve të fuqishme, momerandumeve dhe telegrameve, të shumta, protestoi me vendosmëri, kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të ciëtt përgjysmonin teritoret e Shqipërisë.
Në mars të atij viti Noli së bashku me veprimtarë të tjerë, merr pjesë e flet në Kongresin e Triestes, të organizuar nga Faik Konica, për çështjen e tërësisë tokësore të shqiptarëve. Në korrik viziton për herë të parë tokën amtare. Më 1914 ndodhet përsëri në Shqipëri, në shërbesat e Kishës Ortodokse Shqiptare.
Gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, Shqipëria u kthye sërish në një arenë të rrezikëshme për të ardhmen. Në emër të Vatrës, vatranët me Nolin në krye, vepruan gjallërisht me një politikë të zgjuar, kundër qëllimeve grabitqare të shteteve ndërluftuese.
Në momerandumin e dates 28 nëntor 1918, dërguar Preidentit Uillson, ku firmatari kyesor është Fan Noli, pasi parashtroi histornë e Shqipërisë jugore, kaloi  në çështjen e Kosovës. Ndër të tjera shkruan“Arsyet etnografike nuk janë të vetmet ato, të cilat kërkojnë korigjimin e kufijve në emër të Shqipërisë.. Humbja përfundimtare e krahinave pjellore të Kosovës dhe Çamërisë, apo Epirit të Jugut, do të gjymtojë jetën ekonomike të shtetit shqiptar. Qytetet e Pejës, Prizrenit, Gjakovës , Strugës e Dibrës që iu dhanë Sërbisë e Malit të Zi janë tregje të krahinave që iu hoqën Shqipërisë në mënyrë krejtësisht absurde dhe të padrejtë nga Konferenca e Londrës.”
Lidhjet e fuqishme me veprimtarët në Atdhe, ndihmat dhe nxitja e luftës së tyre për çlirimin e mbrojtjen e tij, u kurorëzuan me Kongresin e Lushnjës dhe formimin e Qeverisë së Sulejman Delvinës.
Më 1920, në emër të Qeverisë Shqiptare, Noli merr pjesë në bisedimet e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë. Në debatet për çështjen e kufijve, si një diplomat i madh, hedh poshtë argumentet e delegatëve fqinjë, me ligëratat e njohura në histori. falë zotësisë së tij, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Description: F:\dokumente shkrime e letra\letra dokumente foto\New folder\noli-gjeneve.jpg

 Më 1921 kthehet në Atdhe. E shohim Peshkop në Korçë, Metropolit në Durrës. Si i dërguar i Vatrës merr pjesë në jetën politike dhe zgjidhet deputet. Gjatë seancave parlamentare Noli ngrihet e flet për çështje të pazgjidhura kombëtare, për probleme të ndryshme ekonomike e shoqërore.Ligjerata e njohur e Nolit në nderim të presidentit amerikan Udrou Uillson, shpreh respektin e thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA, si e vetmja shpëtimtare e Shqipërisë.
Vrasja e Avni Rustemit, më 20 prill 1924, shkaktoi papritur zëmërimin e anëtarëve të Shoqërisë Bashkimi dhe deputetëve të opozitës. Kjo ngjarje në histori njihet me disa emra. Analistët e historisë e quajnë, disa “Kryengritje, disa “Revoltë”, disa “Grusht Shteti” dhe “i ashtuquajtur Revolucion”, por zakonisht në tekstet e historiografisë së majtë, emërtohejme bujë „Revolucioni Demokratik i Qershorit“. Kjo lëvizje intelektualësh, e përkrahur nga qytetet dhe zonat fshatare, u zhvillua pothuaj paqësore, herë si marshim me armë në sup, herë si procesion fetar me qirij ndër duar, ku fryma gandiste e Peshkopit Theofan, ishte e pranishme kudo. Në gjendjen e krijuar, Noli gjykoi drejt, ku mori përsipër me short drejtimin e Qeverisë e re,
Më 10 e 12 qershor 1924, në emër të Vatrës Konica përshëndeste:“Lutemi bëni të njohur ushtërinë kombëtare simpatitë tona prej zemre për veprimin patriotik të saj…Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtariakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e shkëlqyer.”
Sipas Qerim Panaritit, “Me bekimet e Konitzës dhe të Vatrës Noli më 17 qershor 1924 formoi Kabinetin si pason: Noli, Kryeministër; Sulejman Delvina, Ministër i Punëve të Jashtme, Kolonel Kasëm Qafëzezi, Ministër i Luftës; Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave; Qazim Koculi, Ministër i Punëve Publike; Stavro Vinjau, Ministër i Drejtësisë.”
Programi i Qeverisë me tipare amerikane, në fakt ishte një hap përpara në zhvillimin demokratik të viteve 20, por siç dihet për mungesë kohë nuk mundi të zbatohej tërësisht.. Më 24 dhjetor 1924, kur Qeveria Demokratike ra pas kërcënimit  me armë të Zogut.   Noli me  qeverinë u detyrua të largohej nga Atdheu, duke shmangur luftën vëllavrasëse.
Panariti sqaron se “Viti 1924 i dha funt karierës politike të Nolit dhe filloi kariera letrare. Në shumë bisedime me Nolin gjatë tridhjetë vjetëve të funtme, shpesh herë bisedonim për vendin e tij në historin’ e Shqipërisë, i cili thoshë: nëqoftëse emër-i im do të mbahet mënt në të ardhmen, munt të rronjë, vetëm në fushën e letrave.”I vendosur në Gjermani, krijon poezi të fuqishme dhe shqipëron kryevepra nga letërsia botërore. .Një pjesë e tyre u botua në gazetat Republika, Imigranti, Liria Kombëtare etj. Në mbarim të vitit 1932, vendoset përgjithmonë në SHBA. Republika, Imigranti, etj. u mbyllën, kurse Vatra dhe Dielli vijuan më tej, veprojnë gjallërisht edhe sot.
Sipas Faik Konicës, qysh në vitin 1921, Fan Noli e Ahmet Zogu u njohën e bashkëpunuan në një parti.Pas qendrimeve të kundërta për zgjidhjen e çështjeve kombëtare që shtronte koha, më 1933 u miqësuan sërish dhe patën marrëdhënie të qendrueshme. Kjo u duk në kursin e ri të shtetit shqiptar, nga viti 1933 deri më 1939. Në gazetën Republika të datës 12 mars 1931, Noli boton shkrimin „Atentati kundër Ahmetit.“ Pasi parashtron disa nga idetë e veta demokratike, mban një qendrim të vendosur kundër përdorimit të dhunës: „Atentati i vajtur mbarë munt t’i bënte dëm ca më të math Shqipërisë dhe një shërbim të paçmuar Musolinit dhe fashizmës italiane.“
Gjestet bujare të Ahmet Zogut flasin qartë. I pari më 1933, financimi për shërimin e Fan Noli. I dyti më 1938, për diplomimin në Konsevatorin e Nju Englandit në Boston.

JETA E NOLIT GJATË DHE PAS  LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Jo vëtëm më 1932, por as në vitet që do të vinin, Noli nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë në shërbim të Kombit të vet. Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarsisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: „me alfabetin e Manastirit merrte një herë e mirë fund çështja e shkrimt të gjuhës shqipe, historia e të cilit ka një rëndësi të posaçme për historinë e kulturës e të letratyrës s’onë, pse me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyerë të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një sërë shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë: Naimi, Fishta, Konica e Noli.” Në Albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S Nolit.
Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të kllasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
Kur Atdheu u rrezikua përsëri më 1939, Fan Noli, Ahmet Zogu, Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. janë në krye të detyrës. Në gusht të vitit 1942, Konica i dërgon mbretit Zog një letër mjaft me rëndësi për temën që trajtohet. Letrën e gjetëm në anglisht në librin “Faik Konitza- Selected Correspondence.”, botuar në vitin 2000, me hyrje nga Robert Elsie. Ndër të tjera, shkruhet: „Opinioni i popullit shqiptar tashtiështë në favorin Tuaj Madhëri. Dhe ky kryesisht për shkak të gojëtarisë dhe influencës së Imzot Nolit. Unë mendoj se Imzot Noli, do të ishte njeriu ideal për kryeministër, por për fat të keq fakti që tani ai është qytetar i Shteteve të Bashkura një zgjidhje e tillë paraqet vështirësi…“Më 27 maj 1943, Noli i shkruan ministrit të oborrit, Sotir Martinit: “Jam gati të jap gjithçka për Frontin e BashkuarShqiptar.”Në letrën për Anton Logorecin, gazetar i BBC më 1943, shkruan: “Njohja e mbretit Zog, është po aq e domosdoshme si prove e pa ekivoke.”Njëkohësisht interesohet të njihet me grupimet nacionalistë që luftonin kundër fashizmit.Miraton marrëveshjen e Mukjes. Përshëndet rininë trime e cila pat dalë malit kundër pushtuesve fashistë, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Situatën e luftës në Shqipëri e njihte pak a shumë mirë. Në raste të veçanta shprehej optimist, për sigurinë e tërësisë tokësore, me ndihmën e SHBA.Historiani Beqir Meta shkruan:“Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. Merita u takon, sigurisht, Fan Nolit, Faik Konicës dhe miqëve amerikanë.
Pas luftës, Noli u ftua të kthehej në Shqipëri për të bashkëpunuar me “Guvernën Demokratke”.Përgjigjet vetëm me një përshëndetje diplomatike.Mosardhja në Atdhe fliste qartë, se ai nuk mund të miratonte një qeveri, e cila drejtohej nga një parti, sado e fshehur në maskën e Frontit Demokratik apo Republikës.Megjithatë punoi energjikisht për njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, vetëm për popullin dhe vendin e tij. Me autoritetin e një personaliteti të njohur në SHBA, këtij misioni patriotik, ashtu si dikur, ia doli mbanë.
Më 1945, në moshën 63 vjeçare, në Universitetin e Bostonit, mbron dizertacionin, Gjegj Kastrioti Skënderbe, dhe nderohet me titullin doktor në filozofi. Si kryetar nderi, merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Vatrës.Ndërkohë, me aftësinë e një peshkopi të nderuar, drejton Kishën Ortodokse Shqiptare.
Nga letrat e Nolit dërguar diktatorit E. Hoxha, merret vesh se viti 1946 shënon fundin e marrrëdhënieve të Vatrës me „Guvernën Komuniste të Tiranës“. Shkaqet qenë të shumta që nga mosvarveshjet për çështje kombëtare, politike dhe për ndërhyrjet në punët e brendëshme të Vatrës nga njërëz të dërguar nga diktatori. Në këtë kohë bisedon me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për çështjen e varrimit të Faik Konicës në Atdhe. Ata u përgjigjen: „Shumë mirë munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, por më parë duhet ta sjellim para gjyqit të popullit“. Noli tha: „Po dëgjojmë dita ditës se jeni duke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë! Por kurrë nuk na kishte shkuar mendja se jeni aq trima sa të hithni në gjyq dhe të vdekurit!“
Më 1947 boton dy vepra në anglisht, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbe” e “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, më 1948, “Albumin” me shkrime letrare, më 1950, „Historia e Skenderbeut“ në shqip, një version i ri dhe më i plotë shkencor Fan Noli ishte i lidhur shpirtërisht me popullin e vet, i cili vuante nën sundimin e një diktature të paparë në histori. Sipas shkrimtarit Petro Marko, në librin “Retë dhe Gurët,, me rastin 28 Nëntorit më 1952, do të fliste në Zërin e Amerikës me këto fjalë: „O ti që je në fuqi me hanxhar në dorë për të prerë kokat e patriotëve, thuam ç’po bën… Shqipëria pret një Shën Kostandin për të shpëtuar nga kjo kasapanë.”
Në takimin e 50-vjetorit të Diellit më 1958, me një zë djaloshar tha: :“Kishim në program një Shqipëri indipendente, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë. Kishim në program një Kishë Autoqefale, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë.U a lëmë si barrë të tjerëve ta mirësojnë, po ne e bëmë.”Kjo ligjëratë e bukur e inçizuar dhe në një disk, fillon me përshendetjen drejtuar Baba Rexhepit dhe Imam Vehbiut. Në ligjërimet e botuara nga Profesor Jorgaqi, në shënimet e veta këto dy emra kuptimplotë, nuk shpjegohen as më 2002. Por fotografia në gazetën Dielli me deçiturën “Besnikët e Nolit”, tregon në heshtje se si Noli buzëqesh në mes të Baba Rexhepit, Imam Vehbiut dhe demokratëve Anton Athanasit e Kristo Thanasit.
Description: https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2023/01/Noli-Boston1.jpg

Petro Marko përmend dhe një ndodhi të vitit 1960.Mehmet.Shehu vjen në Nju Jork për të marrë pjesë në një mbledhje të hapur në OKB.Pas dërgimit të tri letrave, për një takim me Nolin, nuk mundi të merrte asnjë përgjigje. Duke kërkuar në arkiva, përgjigjen e gjetëm në gazetën Dielli, 28 shtator 1960: „Letër e hapur Mehmet Shehut.“ Nga mbarimi i kësaj letre të gjatë noliane, lexohet: “Nga sa mund të kuptojmë neve së largu, sistemi juaj, sistem fashist, nuk vepron në bazë të kanunit, shvillohet në bazë të kobures dhe të burgut…“
E kësaj kohe është deklarata tjetër.: „Shteti shqiptar nuk mund të mbahet më këmbë dyke vrarë, persekutuar dhe dyke burgosur kundërshtarët që s’bashkohen me politikë me mejtimet tuaja.”
Më 1961, Fan S Noli, krijon kryeveprën “Sulltani dhe Kabineti”. Më 1963 merr pjesë në një seancë të rëndësishme,në Parlamentin e Masaçusetsit në Boston, kurse më 1964 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington. Nga fundi i vitit 1964, i sëmurë rëndë, shkruan poezinë e fundme “Vdekja e Sulltanit.”
Ditët e fundit të jetës, i kalon në shtëpinë e bukur, të dhuruar nga Vatra qysh më 1953, në Fort Lauderdale, Florida.Më 13 mars 1965, pasi u ndie më mirë, doli të shetiste nëpër bregun e oqeanit. Befas pranë valëve të zhurmëshme, shpirti i tij fluturoi si një shtërg paqësor i lirisë.
Në gazetën Dielli të datës 24 mars, shkruhej: „Ati ynë kaloi ngakjo jetë, si dita që i zen vendin natës.”

NOLI DHE POEZITE E FUNDIT

Lexuesit të njohur tashmë me Fan S Nolin e vërtetë, për marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun dhe me Qeverinë komuniste të Tiranës, e kuptojnë lehtësisht Albumin-1948, me poezi në dukje të “majta”, “antifetare”, “leniniste” dhe “antizogiste”. Në kohën e diktaturës komuniste ato merrnin një kuptim krejt të ri, ndër to, edhe “Sulltani dhe Kabineti“-1961, ku personazhet kryesorë të udhëheqjes komuniste, mbulohen me ofiqe zyrtarësh osmanë dhe tituj fetarë, të pajisur me Bibëll e Kuran. Si diell i ndritur, aty shfaqet gjenialiteti i Nolit të Madh. Edhe krijimi i tij i fundit “Vdekja e Sulltanit”- 1964, i komentuar keq nga profesorët, nuk ka të bëjë aspak me mbretin Zog, është një poezi intime e Nolit! Ashtu si veprat e Shekspirit, edhe veprat e Nolit, jetojnë në kohë përjetësisht.
Për poezine Kabineti dhe Sulltani,  nuk është e nevojëshme  të jepen  sqarime të tjera  e lëmë lexuesin të nxjerr përfundimet nga vetë poezia e Nolit më 1961, nga shkrimi  i   plotë i Qerim Panarit dhe jo i cunguar nga “nolistët”, në Albumin II, Boston 1966.
Në origjinalin Albumi- 2, kuptohet menjëherë se për cilin ishte shkruar poezia kryevepër noliane: Kjo vlen edhe për disa historianë të rinj te cilët shqyrtojnë hollë me paanësi dokumentet arkivore.

FAN S NOLI

SULLTANI DHE KABINET
Fragment- botuar për herë të parë në gazetën Dielli- 1961 -skica nga Xhafo

Description: C:\Users\Agim\Desktop\Dokument\Noli\Fan S. Noli poet e shkrimtaret tjere shqiptar - Copy\Intimate Glimpses of Albania - VIII\Intimate Glimpses of Albania - VIII 12.jpg

Shokë, sot kam panair
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë.

Kupë e parë, jam aga,
Kup’ e dytë, jam Pasha,
Kup’ e tretë, shpall ferman,
Ngjesh një pall’ e jam Sulltan.

Jam Ali Qopeku i Parë,
Qen si unë s’keni parë;
Pra kur leh duartrokitni,
Zbrasni topat brohoritni!

Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhenemi e Xheneti ,
Kijameti e selameti.

Jam xhamia e jam namazi
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi
Kush ngre kokën e merr lumi,

Kush do ligj’ e republikë
Me statut e me logjikë,
E ka pisk e ngordh si hor
Në konop si tradhëtor.

Ju a nisa historinë,
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim e për lavdi.

Nukë pata parëardhës,
ju lë një bir pasardhës
Gjurmën time të pasonj
Dhe vatanin ta sundojë.

Shkruaj ti o Bash –Qatip
Shkruaj mprehtë’ e me tertip,
Lidhi llomotit’ e mia,
Shkrepi nesër te xhamia.

Ty Abdull- Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrezem;
Merr nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil.

Ty Abdull- Xhahil Nefer
Ty të bëra Serasqer;
Bjeru armiqve, shuaji,
Thyeji e bluaji.

Ty Halim që s’di këndim
Je vezir për arsim.
Mbylli shkollat se na nxinë,
Me kallamn’ e tradhëtisë.

Leri hapur medresetë
Seminaret e teqetë
Po me gjuhët arabishte,
Hebraishte dhe turqishte.

Këtë urdhër çpalle vrap;
Libër ti laik, mos hap;
Me Ungjillin e Kuaranin
Merret Prifti me Imamin.

Ty Haxhi Domuz evlat
Ty të bënj Vezir Xhelat
Lidh litar dhe mbreh sëpatë
Var e ther po pa shamatë.

Vraji , preji kundërshtarët
Si të funtmët dhe të parët
Se ma prishën qetësinë

Ma çkallmuan mbretëtinë….

U desh një  kohë e  gjatë nën sundim,e  pa liri,  deri sa më në fund studentët e dhjetorit  e shkallmuan  mbretërinë e sulltan diktatorit..

 Fan Noli nuk la as trashgimtar  as ndonjë pasuri. Pasuria e  tij  janë veprat letrare dhe historike, që lexohen me ëndje  kudo,ku flitet shqip.

.Noli ky patriot i madh demokrat la mesazhin e ndritur:

-Unë jam kundër cdo diktature!

                       *** 

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1388
  • 1389
  • 1390
  • 1391
  • 1392
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT