• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse ne zgjedhim gjithmonë liderë politikë të gabuar?

January 3, 2024 by s p

Artan Nati/

Pushteti tërheq ata që kanë më shumë gjasa ta abuzojnë me të dhe më pas i bën ata më të keq. Pra, si të ndalojmë së votuari për psikopatët narcisistë?

Autori Douglas Adams dikur shkroi për një planet në të cilin njerëzit sundohen nga të fortët e hardhucave. Ka një paradoks: planeti është një demokraci, njerëzit urrejnë hardhucat dhe janë më të shumtë në numër se ato dhe megjithatë hardhucat gjithmonë zgjidhen në krye. Rezulton se njerëzit votojnë për hardhucat për një arsye të thjeshtë: “Nëse nuk do ta bënin … hardhuca e gabuar mund të marrë pushtetin.”

Duket sikur ai planet është më afër Tokës dhe shumë më afër Shqipërisë në situatën në të cilën ndodhemi. Ne na pëlqen të urrejmë udhëheqësit tanë dhe ata shpesh e meritojnë urrejtjen tonë. Liderët tanë kryesorë të tranzicionit 30 vjeçar nuk bëjnë përjashtim dhe në rastin tonë ne zgjjedhim liderin e një partie(hardhucën më pak të rrezikshme) sepse kemi frikë se hardhuca tjetër (lideri i partisë tjetër) mund të marrë pushtetin. Ndërsa ne të tjerët ndiqnim rregullat që ata vendosën, ata vetë i thyen me paturpësi këto rregulla. Në fakt, në Shqipërinë e sotshme, sistemi ynë i qeverisjes i shpërblen ata që gënjejnë, mashtrojnë dhe përfshihen në zullume, përderisa ata përdorin fjalor demokratik dhe duke na i servirur me buzëqeshje mashtruese.

Përse ndodhemi në këtë situatë?: Ne mund të kemi alternativa më të mira dhe udhëheqës më të mirë. Por për të kuptuar se si, duhet të gjejmë përgjigjen e pyetjes: pse përfundojmë me këta njerëz në pushtet që nuk janë të aftë për të menaxhuar pa vjjedhur e mashtruar?

Së pari, pushteti është magnetik për njerëzit e korruptuar. Pothuajse kudo që shikonjmë, lloji më i keq i njerëzve tërhiqen nga fitimi i autoritetit mbi të tjerët. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit me një koktej psikologjik veçanërisht shkatërrues siç janë makiavelizmi, narcisizmi dhe psikopatia.

Nuk besoj se është fare e vështirë të kuptosh se këta janë liderët tanë të pozitës, opozitës si edhe drejtuesit e bizneseve të korruptuara,, të cilët janë narcisistë makiavelianë, ndoshta me një dozë psikopatie. Në ekstremet, këta individë janë në mënyrë të paimagjinueshme shkatërrues.

Së dyti, pushteti tenton të korruptojë. Ka shumë studime që tregojnë se njerëzit e mirë dhe me qëllime të mira shpesh i nënshtrohen efekteve gërryese të pushtetit.

Së treti, ne u japim pushtet njerëzve të gabuar për arsye të gabuara. Pushteti është relacional dhe nuk mund të jesh lider pa ndjekës. Ne mund të dëshirojmë ta harrojmë, por shumë nga liderët që ne urrejmë më shumë, u zgjodhën me votë të lirë, të tillë janë Hitleri dhe Hugo Chavez, Rodrigo Duterte dhe Vladimir Putin duke mbërritur tek liderët tanë kryesorë si edhe drejtuesit e institucioneve të tjeraj. Ka arsye të ndërlikuara pse ne joshemi nga sharlatanët dhe njerëzit e fortë, me rrënjë në të kaluarën e lashtë të specieve tona. Psikologët evolucionarë argumentojnë se truri ynë nuk ka evoluar shumë që nga Epoka e Gurit, kur ndjekja e një gjuetari të fortë me shumë vetëbesim mund të ketë qenë një ide e mirë. Shoqëritë tona kanë ndryshuar rrënjësisht dhe kjo nuk është më një strategji e zgjuar, ndërkohë që truri i qënieve njerëzore nuk ka ndryshuar shumë.

Ajo që i bën këto tre tendenca toksike më interesante është se ato janë të njohura në të gjithë globin dhe përgjatë mijëvjeçarëve. Më e keqja është se, secila nga këto tendenca përforcon tjetrën, duke e komplikuar problemin. Njerëzit e korruptuar tërhiqen në mënyrë disproporcionale në pushtet, janë disproporcionalisht të aftë për të hapur rrugën e tyre drejt pushtetit dhe në mënyrë disproporcionale ka të ngjarë të kapen pas pushtetit pasi ta kenë marrë atë.

Si mund ta zëvendësojmë klasën tonë të korruptuar në pushtet me njerëz që nuk e duan pushtetin, por do ta përdorin atë me drejtësi?

Përgjigja qëndron në ndryshimin e sistemeve që qeverisin shoqëritë tona. Sistemet ose përshpejtojnë mundësinë e angazhimit të njerëzve të korruptuar në pushtet ose i ngadalësojnë ata. Ne nuk mund të ndalojmë disa prirje të lindura, por mund të bllokojmë më të këqijtë mes nesh që të marrin pushtetin, ose të paktën të kufizojmë dëmin që ata bëjnë pasi të arrijnë atje.

Sistemet e mira tërheqin njerëz të mirë dhe sistemet e kalbura tërheqin njerëz të kalbur. Njerëzit mund të kenë disa prirje shkatërruese kur bëhet fjalë për përdorimin e pushtetit, por ne mund t’i kundërshtojmë ato me reformat e duhura. Për shembull Danimarka dhe Shqipëria. Danimarka si një nga vendet më demokratike në botë ka ndërtuar një sistem të tillë që thith në qeveri dhe administratë publike njerëz të pakorruptuar dhe niveli i korrupsionit pothuajse është zero,ndërsa në Shqipëri sistemi egsistues dhe i manipuluar qëllimisht nga liderët tanë të korruptuar thith njerëzit e korruptuar dhe ka shance të ulëta që njerëit e ndershëm të mbijetojnë në këtë sistem.

Si fillim, ne nuk duhet të pranojmë të votojmë për kandidatë që zgjidhen nga kryetarët e partive pa asnjë meritë dhe pa kaluar në primare. Ne duhet të zgjedhim vetë përfaqësuesit tanë përndryshe do të udhëhiqemi nga njerëz inferior apo hajdutë ordinerë siç ndodh rëndom tek ne dhe lista vazhdon. A duhet të habitemi që megalomanët e etur për pushtet janë ata që janë më të etur për ta vënë veten përpara për të kërkuar pushtet?

Më mirë është të zgjedhim ata që do ta shihnin pushtetin si një barrë dhe jo si një thirrje.Thelbi jetësor i një demokracie është pjesëmarrja aktive e njerëzve. Nuk ka asgjë më demokratike sesa t’i ofrosh secilit qytetar një mundësi të barabartë për të udhëhequr. Nëse presim të shohim se kush ecën përpara, siç bëjmë shpesh në shoqërinë tonë, ne kemi vetëm veten për të fajësuar kur përfundojmë me një narcisist të etur për pushtet në krye.

Shkrimtari dhe komentatori politik amerikan William F. Buckley Jr thotë:”Unë do të pranoja më mirë të qeveriseshim nga 535 personat e parë në librin e telefonit se sa nga kongresi amerikan”. Kjo për shkak se njerëzit më të tërhequr nga pushteti janë zakonisht më pak të përshtatshëm për ta përdorur atë.

Nëse do të ketë një sfidë lidershipi, mbase ne duhet të krijojmë sisteme që prodhojnë lider jo të sigurtë, por të aftë sepse ne shpesh ngatërrojmë sigurinë me aftsinë. Përndryshe ne do të vazhdojmë të ngecim në planetin tonë absurd të Douglas Adams, të dënuar të jetojmë me vlerësimin e tij të mprehtë, por fatkeq: “Është një fakt i njohur që ata njerëz që duan më shumë të sundojnë njerëzit janë ata. më së paku të përshtatshëm për ta bërë këtë … kushdo që është në gjendje të bëhet president apo drejtues kryesor nuk duhet të lejohet në asnjë rast të bëjë këtë punë.”

Filed Under: Ekonomi

“Përpjekja e Jonë”, emblemë e shtypit fetar islam në mërgatën shqiptare të Amerikës

January 3, 2024 by s p

Sokol Paja/

Shtypi fetar i komuniteteve fetare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një kontribut shumë të rëndësishëm në historinë e shtypit shqiptar në diasporë. Shtypi fetar krahas organeve të tjera mediatike të organizatave patriotike e politike në mërgim ka luajtur një rol vendimtar në rritjen e ndërgjegjes fetare, patriotike, atdhetare e kulturore të shqiptarëve në Amerikë. Me fokus rritjen e njohurive në fenë islame dhe rritjen e njohurive në kulturën shqiptare, revista e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane për shtetet New York e New Jersey “Përpjekja e Jonë” zë një vend të nderuar për kontributin si medie në rangun e medias fetare e kulturore në mërgatën e Amerikës. Revista “Përpjekja e Jonë” si revistë fetare e kulturore e shqiptarëve myslimanë në New York e New Jersey përmbledh në vetvete kontribute fetare, kulturore e atdhetare të penave të spikatura të klerit e besimit islam në radhët e mërgatës shqiptare të Amerikës. Problemet e shqiptarëve në Jugosllavi, epopetë e luftërave për liri, meraku i zhvillimit të gjuhës shqipe, nekrologjitë e njoftimet rreth anëtarëve të komunitetit e bënë këtë revistë shumë të ndjekur e shumë të dashur për shqiptarët myslimanë e jo vetëm. “Përpjekja e Jonë” si e përkohshme fetare e kulturore, doli për herë të parë në shtyp në muajin Janar të vitit 1970. Kryeredaktor i saj i parë ishte Dr.Fejzi Domni. Volumi XIII-të i muajit Prill-Maj të vitit 1987 që po ia paraqesim lexuesit është një botim special kushtuar 20 vjetorit të themelimit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane për shtetet New York e New Jersey. Ky numër special evidenton rrugëtimin dhe kontributin e kësaj qendre fetare-kulturore e patriotike për dy dekada në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare. Në vitin 1987 kryeredaktor është Azem Gjidija dhe bashkëpunëtor Hysen Mulosmanaj e Mustafa Elezi. Në këtë numër special gjejmë trajtesa të ndryshme fetare, arganizative, komunitare, kulturore e patriotike nga: Remzi Barolli, Azem Gjidija, Lutfi Limani, Zenun Nezaj, Prof.Hysni Hoxha, Dr.Elez Biberaj, Dr.Nihat Bakalli, Rexhep Kumbarçe, Imam Isa Hoxha, Imam Osman Zagaj, Mustafa Elezi, Dr.Fuad Myftija. Rasim Sina etj. Kjo revistë ishte e përtremuajshme, me kontributorë nacionalistët më të shquar të kombit shqiptar në mërgim. Emra të tjerë të shquar që kanë kontribuar ndër vite janë : Imam Vehbi Ismajli, Dr.Hamdi Uruçi, Ing.Mahmut Cungu, Idriz Lamaj, Prof.Rexhep Krasniqi, Selaudin Velaj etj. Pas ndryshimeve politike në Shqipëri e rrëzimit të regjimit komunist, emigracionit masiv, ky shtyp fetar shkoi drejtë shuarjes pasi në një farë mënyre e kreu misionin e tij nacionalist. Sa më shumë thellohej propaganda ateiste shtetërore në Shqipëri aq më shumë forcohej shtypi fetar në diasporë.

Trajtesat mediatike në këtë organ mediatik fetar janë të një niveli e cilësie shumë të lartë. Thellësia e analizës, rrafshi problemor i shkrimeve e raportet nga jeta e gjallë e mërgatës i ka dhënë kësaj reviste një vlerë autentike si regjistër historik i veprimtarive patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Si revistë fetare-kombëtare, “Përpjekja e Jonë” organ i Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane për shtetet New York e New Jersey, ka luajtur një rol specifik për mbajtjen gjallë të kauzës kombëtare te shqiptarët e Amerikës.

Filed Under: Politike

Adonis, poet i mërgimeve

January 3, 2024 by s p

Luan Rama/

Shumica e kritikëve dhe letrarëve të botës kanë menduar shpesh për Adinis si nobelist. Dhe Adonis e meriton një «palmë» të tillë: si poet dhe si një qytetar i botës arabe dhe universale njëkohësisht. Pasi Adonis nuk është vetëm poet i Sirisë, ku u përkund gjer në rininë e hershme të tij, as libanez, ku i bë shtatas i tij dhe përjetoi luftrat civile, të cilat e detyruan të mërgojë sërrish dhe të vendoset në Francë. Adonis është poet i botës, një poet i shtegtimeve dhe i shumë horizonteve, i dramës njerëzore dhe i dashurisë, një poet i brengave të mëdha dhe i mërgimeve të dhimbshme që lënë gjurmë të pashlyeshme, nga ku lindin vaje. Poet që na kujton Nerudën, Lorkën apo Ricosin. Kur lindi në Kasabine, pranë Latakies në agun e parë të janarit të vitit 1930, ai quhej Ali Ahmad Said. Që fëmijë punoi tokën si një bujk i vërtetë dhe në tokën që shkeli këmbëzbathur ai thurri vargjet e para. Kështu ai u lidh pas poezisë dhe deshi të bashkohej me bardët dhe poetët e kombit të vet. Studjoi në një lice francez dhe meqë poezitë e tij nuk i botonin revistat e kohës, ai vendosi ta quajë veten Adonis, duke na kujtuar kështu mitologjinë greke. Rastësisht ai kishte lexuar diku legjendën mitike të Adonisit të dashuruar pas Afërditës, por që më së fundi, derrat e egër e coptuan atë. Mallkimi do ta ndiqte dhe atë, pasi poeti i ri do të burgosej shpejt nga Partia Nacionaliste në fuqi që kërkonte një Siri të madhe. Pas një viti burg, ai mundi të largohej drejt Libanit, duke krijuar atje revistat e para letrare dhe duke iu kushtuar poezisë. Tashmë ai përkthente nga frëngjishtja në arabisht poezitë e Baudelaire, St. J. Perse, Henri Michaux, etj. Nga vëllimet e para poetike Toka tha, Gjethe në erë, ai botoi Këngët e Mihyar dhe Damascene, duke vazhduar me Kujtesa e erës, Kënga e qyteteve apo Pylli i dashurisë brënda nesh, të botuara në shumë gjuhë të botës. Mërgimi ishte përvoja e tij jetësore dhe ai e vazhdoi atë në tokën e fjalëve, duke u bërë përcjellës i kulturave dhe një mesazher i poezisë dhe duke shkruar se «Poezia e bën jetën mbi tokë më të bukur, më pak efemere, më pak e mjerë. Ndërsa lufta e çon njeriun mbrapa, drejt barbarisë dhe fundit të njerëzimit». Dhe këtë luftë ai e pa në Bejrutin e djegur dhe të copëtuar, e pa në Ballkan apo në Lindjen e Mesme, Irak e Afganistan, e shikon sot në vëndin e tij të origjinës, Siri, ku bashkë me lirinë vritet dhe fjala e poezia e lirisë. Dhe poeti nuk nguron të godasë përmes fjalës së tij, përmes poezive të tij. «Njeriu është në qëndër të universit dhe jo Zoti!» – deklaron ai, duke shtuar se «shamia në kokën e gruas nuk mbulon vetëm fytyrën por dhe trurin e saj». Ja pse shpesh poezitë dhe librat e tij janë ndaluar dhe çenzuruar në vëndet arabe, dhe vargjet për dashurinë dhe gruan, janë konsideruar si herezi. Vëllimi poetik Lutja dhe shpata është vizioni i tij për kulturën e lashtë arabe, duke u ngritur kundër vizionit kuranik dhe duke kërkuar riorganizimin e vlerave dhe të «cité»-së muslimane: «Jeta është viktima ime /dhe unë nuk di si të vdes/ koha më është fshehur/ është poshtë syve të mij…/

Por mbi të gjitha, tek ky poet dhe filozof, të cilit aq shumë i pëlqen dhe bota pikturale, në krijimtarinë e tij, mbizotëron një lirizëm i thellë, një humanizëm i skajshëm dhe misteri i kujtesës, pasi siç shkruan ai diku «era ka kujtesë», meqë dhe jeta e tij personale është ngjizur nga malli, nostalgjia dhe mungesa, duke e detyruar të shtegtojë gjithnjë larg dhe ta rrahin erërat e furtunat. Malli është mungesë dhe aty siç duket kujtesa merr të tjera vlera dhe kthehet në buronjë poetike.

Luan Rama

Pylli i dashurisë është brënda nesh

Thirrjes tënde nuk i përgjigjem, diell

Mos më ngrej tani. Jo

Jastekët janë ende të dehur

Nga shkëlqimi i trupave tanë

Dhe shtrati është mall…

Gjumi ynë është udhëtim në galaksinë e pasioneve

Gjumi ynë është dielli ynë.

* * *

Shtrati u përshkëndrit dhe nata ime rri zgjuar

Në këmbët e saj që dritaren bëjnë të dridhet

Jo, nuk dua mbulesë

Nuk dua të mbuloj shkëlqimin e hireve të tua

Yjet e dashurisë sonë Natën e kanë larë

Me qerpikët e tyre

Ne përjetojmë lumturi, ngrihemi, biem

Dhe depërtojmë brënda njëri tjetrit

Midis syve të tu dhe të mij

Kur vështrimi im zhytet në sytë e tu

shoh agun e thellë

shoh të djeshmen e lashtë

shoh atë që nuk njoh

dhe ndjej se midis syve të tu dhe të mij

ecën universi

Ura e lotëve

Një urë lotësh shtegëton me mua

Thyhet nën qepallat e mia

Në lëkurën time porcelani

Një kalorës fëmijërie

Lidh kuajt me litarët e erës

Nën hijen e degëve

Dhe me një zë profetik na këndon:

O erëra, o fëmijeri!

Ura lotësh të thyera

Pas qepallave

Vetëtima

Një rrufe më bëri shënjë

Ajo qau dhe u përgjum

në pyllin e parandjenjave

Ajo nuk e di kush jam unë

Nuk e di që jam Zot i errësirave

Një rrufe më bëri shënjë

Ajo qau dhe u përgjum mbi dorën time

sapo pa sytë e mij

Adami

Adami më pëshpëriti me një zë të mbytur

Midis heshtjeve e rënkimeve

Unë nuk jam ati i botës

Parajsën kurrë nuk e kam parë

Mermë drejt Zotit

Guri

E dua këtë gur të paqtë

Në vijëzimet e tij pashë fytyrën time

Pashë aty poezinë time të humbur

Udhëtim

Do të udhëtoj në harkun e një dallge

Të një krahu

Do të vizitoj kohët e mia që kam lënë pas

Dhe shtatë galaksitë

Do të vizitoj buzët

Dhe sytë e rëndë të akullt

Tehun xixëllues në ferrin hyjnor

Do të zhdukem

Me gjoksin rrethuar nga erërat

Duke lënë hapat e mij në kryqëzimin e udhëve

Larg

Në shkretëtirë

Udhëtari

Udhëtar, lashë fytyrën time

Në xhamin e fenerit tim

Harta ime e botës është një tokë pa krijues

Refuzimi është ungjilli im

Ndoshta atdheu im

Ja tek po i ngjitem mëngjesit të atdheut tim

Duke kacavjerrë rrënojat dhe majat e tij

Dhe ja ku u çlirova nga pesha e vdekjes së tij

Duke iu larguar për ta vështruar më mirë

Ndoshta nesër ky vend do të jetë i imi

Sizifit

U betova të shkruaj për ujin

U betova të ndihmoj Sizifin që të mbaj gurin e tij

U betova të qëndroj me të

Të duroj ethen, dhe në përshkëndritje

Të kërkoj në orbitat e verbëta

Një penë të fundme.

Për tokën time

Për token time i pres këto vena të mallkuara

Midis plagëve të mia për të kam fshehur

Të nesërmet e mia dhe erërat e mia

Toka ime profete dhe hajmali

Tokai me e dehur!

Supet e saj janë dy princa perlash

dhe një krim

Tokë e mungesës

Ja toka e dhimbjes

Tokë pa të nesërme

Që ansjë erë nuk e ndriçon

Çfarë lajmi do të vijë

O të dashurit e mij

Në këtë tokë të mungesës?

(përkthyer nga L.Rama.)

Filed Under: Fejton

“Në Rrugën e Plepave”

January 3, 2024 by s p

Prof. Ardian Ndreca/

“Në Rrugën e Plepave” i Át Donat Kurtit (1903-1983) asht nji libër i shkruem në periudhën kohore 1967-1970, nji libër i pazakontë që ngërthen nji tension pedagogjik autentik por pa u kthye për asnji çast në nji manual sistematik apo në nji përmbledhje rregullash jete.

Asht libri ma i bukur që kam lexue vitet e fundit. Ligjërimi asht fjollë, i thjeshtë dhe modern, larg prej skematizmit të pedagogjisë së kohës e megjithatë përban nji alternativë ende të vlefshme për mirërritjen e brezit të ri.

Në nji kohë të zymtë, Autori, që mbasi kishte vuejt 17 vjet burg të egër prej regjimit komunist dhe jetonte i vetmuem në nji kësollë në “Rrugën e Plepave”, në periferinë lindore të Shkodrës, gjen motive për me besue tek njeriu, sidomos tek brezi ma i ri.

Asht nji libër që të kujton stilin e thjeshtë e të përkorë të Jules Renard, nuk ka retorikë, nuk ka premje paternaliste.

Për me e formue njeriun duhet ma parë me e njohtë atë, por as kjo nuk mjafton: duhet kryekreje me e dashtë njeriun. Donat Kurti mton me shti rishtas në procesin e ndërlikuem të edukimit familjen, mbas dekadash që kjo e fundit kishte abdikue me forcë prej rolit të saj në edukimin e fëmijëve në favor të institucioneve. Këtyne të fundit, edhe në rastin ma të mirë, kur funksionojnë rregullisht, u mungon ai kohezioni i parahershëm që mban të lidhun individin me familjen, fëmija për familjen asht unik dhe i papërsëritshëm, prandaj edhe mundi për me e edukue nuk ka nji masë konvencionale të rregullueme prej normash pozitive por asht i udhëhequn vetëm prej dashunisë.

Ia vlen me e lexue dhe me e shijue, ndokush që “Rrugën e Plepave” e mban mend si ka qenë asokohe, ka me gjetë edhe mjaft detaje që tashma janë zhdukë tash katër dekada.

Filed Under: LETERSI

Kur Roma filloi të qeverisej nga jo-italianë

January 3, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Pasi Kaligula u vra në vitin 41 nga kreu i gardës pretoriane, Cassius Chaerea u arrestua dhe u dënua me vdekje. Kërkesa për të vdekur mbi shpatën e tij iu pranua. Kjo ishte “hakmarrje e ëmbël” për ‘të.

Chaerea mund të shihet edhe si tradhtar edhe si hero. Ai e tradhtoi betimin për të mbrojtur Perandorin e Romës, por i dha fund sundimit të tiranisë. Chaerea njihej edhe si bashkëluftëtar i gjeneralit iliro romak Bato Deasitiati, para se ky të kalonte në anën e ilirëve në rebelimin e njohur si lufta e Batos kundër romakëve në vitet 6 – 9.

Përveç Chaereas, burimet romake nuk përshkruajnë sa komplotistë kishte, identitetin e tyre, sa u arrestuan dhe as dënimin e tyre kur u kapën. Komploti ishte me sa duket një nga shumë përpjekjet për të eliminuar perandorin Gaius (Caligula), djalin e Germanicus, dhe linjën e fundit të gjakut me Jul Çezarin.

Gaius ishte një personazh i ndërlikuar. Ndër incidentet më të famshme të mbretërimit të tij ndodhi, kur u përpoq ta bënte kalin e tij senator. Është ende mister pse në mënyrë progresive ai i largoi të gjithë rreth tij, duke përfshirë edhe truprojet.

Kaligula u bë perandor kur ishte 24 vjeç. Një falltar i kishte thënë në mënyrë alegorike se ai do të gjente vdekjen nga kali i tij – Kaligula u vra pas 4 vjetësh nga pretoriani Cassius Chaerea, të cilin e kishte përdorur si kal, duke i hypur në kurriz, kur ishte fëmijë.

Garda e tij gjermane ishte afër dhe me sa duket nuk ishte përfshirë në komplotin e vrasjes. Së bashku me pretorianët, ata kishin gjithashtu përgjegjësi për sigurinë perandorake, por për çfarëdo arsye, nuk ishin në gjendje ta mbronin Kaligulën ose gruan dhe vajzën e tij.

Megjithatë duket se garda gjermane ishte kapur në befasi. Ndoshta të zënë ngushtë nga dështimi, ata u lëshuan duke kërkuar vrasësit që përpiqeshin të fshiheshin. Kërkimi vazhdoi derisa pretorianët, të pa përfshirë në komplot, gjetën rastësisht Klaudin dhe e shpallën Perandor për të shmangur trazirat. Klaudi u bë i pari perandor romak i lindur jashtë Italisë, në Lyon, në vitin 10 pes. Ai ishte i çalë dhe deri diku shurdh, i papërfillshëm, dhe kjo e shpëtoi nga komplotistët. Kaligula kishte qenë nipi i tij.

Suetonius vëren se kur ishte i qetë dhe i ulur, Klaudi ishte një figurë e gjatë dhe me dinjitet. Kur ishte i zemëruar ose i stresuar, simptomat i përkeqsoheshin; belbëzonte, hutohej në fjalimin e tij, llomotiste dhe i rridhte hunda, kur ishte i emocionuar. Seneka thekson se zëri i Klaudit nuk i përkiste asnjë kafshe tokësore dhe se duart e tij ishin të dobëta.

Historianët pajtohen se kjo gjendje u përmirësua me ardhjen në fron. Vetë Klaudi thoshte se i kishte ekzagjeruar sëmundjet për për të shpëtuar jetën e tij. Ai i befasoi të gjithë, duke qëndruar si perandor i Romës për 13 vjet, derisa vdiq në vitin 54.

Garda pretoriane kishte anëtarë të tërhequr nga grupe etnike në të gjithë Perandorinë. Emrat e rojeve krijojnë pak konfuzion. Asnjë nuk përbëhej ekskluzivisht nga gjermanë. Perandorët i besonin Gardës së tyre gjermane më shumë se Pretoriane, sepse ajo nuk kishte lidhje keqdashëse politike ose familjare me fisnikërinë romake. Klaudi gjithashtu hapi rrugën që të tjerë gjeneralë romakë që kishin lindur në vende të huaja – përfshi ilirë – të bëheshin një ditë edhe perandorë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1392
  • 1393
  • 1394
  • 1395
  • 1396
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT