• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për dashamirësit e gjuhës shqipe

January 2, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Gjuha shqipe është nga më të vjetrat në botë e provuar kjo shkencërisht. Është e pasur dhe mund të shprehesh shumë bukur me të, në art, letërsi, publicistikë apo raporte pune e administrative. Çuditem me disa (pa i fyer) që shprehen se ky apo ai dialekt, duhet hequr e duhet vendosur ky tjetri se është më i plotë dhe më i saktë. Madje ka edhe që ulërijnë. Të gjithë popujt e kanë një variant zyrtar dhe ne e kemi. Ndoshta duhet përmirësuar dhe kjo është logjike. Por kur thonë që ky apo ai dialekt është më i bukur e më i pasur se ai tjetri më vjen të qesh. Unë lexoj në gegnisht romane e poezi. I shijoj pambarimisht. Është një dialekt që të mrekullon, gjithë tinguj e ngjyra, ku fjala zë vend, pa huazuar kërkund e që të befason. Mjafton të lexosh Gjergj Fishtën apo Ndre Mjedën. Me gegnishten mund të shprehësh gjithçka del nga shpirti, e shohin sytë e poetit, shkrimtarit apo zyrtarit.

Në toskërisht fjala buron, e rrjedh si përrenjtë e lumenjtë e kulluar kur përcjellin ujin e dëborës së porsa shkrirë, lartësohet si kodrinat e malet e gjelbëruara që rrethojnë labërinë e kullojnë mjaltë. Mjafton të lexosh poezitë e Naimit apo Çajupit. Lexoni folklorin tonë, epikën dhe lirikën e Jugut, e të Veriut. Ka aty materiale burimore të paprekura, që vijnë nga thellësitë e shekujve. Dallohet që atje tej që është gjuhë shqipe. Po jap për ilustrim dy poezi kushtuar gjuhës shqipe njëra shkruar nga Naim Frashëri dhe tjetra nga Ndre Mjeda. Nuk mund të ndash dot muzikalitetin, anën artistike, dashurinë e madhe për gjuhën shqipe e atdheun. Aty janë të gjitha të bukura, tingëllojnë hyjnore në të dy dialektet dhe nuk mund t’i ndash dot duke duke bërë krahasime pa vend e të kota.

Gjuha jonë

Nga Naim Frashëri

Gjuha jonë sa e mirë

Sa e ëmbël sa e gjerë

Sa e lehtë sa e lirë

sa e bukur sa e vlerë

*

Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë

Që bije qytetërinë

Gasthin e vëllazërinë

Njerëzin’ e miqësinë

*

Pa shihni ç’gjuh’ e mirë

Sa shije ka e hije

Ç’e bukur’ edh’ e lirë

Si gjuhë perëndie.

*

Se njerëstë gjithë vdesin

Po jeta s’mbetet shkretë

Gjuha, Mëmëdheu mbesin

Të patundurë për jetë.

Gjuha shqype

Nga Ndre Mjeda

Përmbi za që lshon bylbyli,

Gjuha shqipe m’shungullon;

Përmbi er’ që jep zymbyli,

Pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,

Ku e shkoj jetën tash sa mot,

Veç për ty m’rreh zemra e mjera

E prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

Jan’ të bukra me themel

Por prap’ kjo, si diell pa hije,

Për mue t’tanave iu del.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia

Jan’ nji komb, m’u da, s’duron;

Fund e maj’ nji a Shqipnia

E nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Ngjyrimet e krahasimet ndryshojnë por janë aq të bukura, aq të afërta, sa tablotë e piktorëve të mëdhenjë, që trajtojnë të njëjtën temë por me ngjyra krejt të ndryshme. Nuk duhen harruar për asnjë çast dialektet e mrekullueshme të Çamërisë e të Arbëreshëve të Italisë, që veç nostagjisë, përcjellin vlera të tjera të paçmuara. Nëse gjuhëtarët e shohin të arësyeshme është punë e tyre ta ndryshojnë e ta përsosin gjuhën zyrtare. Po të marrësh përsipër të vërtetosh se ky apo ai dialekt duhet hequr e ky tjeri duhet vendosur e sidomos kur e politizojnë problemin kjo më duket energji e harxhuar kot. Mund të shkruash e krijosh në çdo dialekt, kjo vetëm mirë i bën gjuhës shqipe dhe e pasuron më tej atë.

Filed Under: Analiza

VATRA PËRSHËNDET LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

January 2, 2024 by s p

New York, 2 Janar 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përshëndet liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës me shtetet e Bashkimit Europian. Kjo është një ditë e veçantë dhe e gëzuar për çdo shqiptar. Kjo arritje e merituar e qytetarëve të Kosovës dëshmon punën e vazhdueshme transformuese dhe reformat e fuqishme shtetërore të institucioneve në Kosovë. Kosova ka qenë historikisht pro perëndimore dhe liberalizimi i vizave e afron Kosovën më afër familjes europiane.

Liberalizimi i vizave është një ngjarje e jashtëzakonshme për kombin tonë jo vetëm se tregon aspiratën shekullore pro perëndimore, pro amerikane, pro atlantike por sjell një zhvillim të fuqishëm ekonomik, konsolidim të institucioneve, vazhdimësi të reformave, demokraci aktive, shtet të fortë e qytetarë me mundësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e tyre.

Shpresojmë që Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe kurdoherë do të jetë në mbështetje të interesit të kombit, çështjes kombëtare dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe viset e tjera etnike.

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Politike

GËZUAR VITI I RI DUKE KUJTUAR AT GJERGJ FISHTËN

January 2, 2024 by s p

Në 83-vjetorin e kalimit të tij në amshim

Nga Frank Shkreli

“A vdesin njerëzit e mëdhej?”

30 dhjetori 2023 shënoi 83-vjetorin e vdekjes së françeskanit e poetit të madh kombëtar shqiptar, At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) — një prej figurave më të mëdha të Kombit dhe Kishës Katolike shqiptare. Në varrimin e Homerit të shqiptarëve kanë marrë pjesë mijëra banorë të Shkodrës dhe personalitete fetare, kulturore e politike nga Shkodra dhe më gjërë. Një prej tyre, Hafiz Ali Kraja — Hafiz Ali Kraja, nderi i fesë dhe krenaria e Kombit shqiptar | Gazeta Telegraf — njëri prej personaliteteve më të njohura fetare në Shkodër dhe përtej – mik i ngushtë At Gjergj Fishtës, ka mbajtur me atë rast një fjalim historik që kujtohet dhe citohet edhe në ditët tona, 83-vite pas vdekjes së Fishtës së madh. Kur një klerik i lartë mysliman shqiptar fliste për një klerik tjetër të madh katolik shqiptar, si At Gjergj Fishta, bota shqitare i respektonte dhe i nderonte dhe i dëgjonte si para-ardhës të bashkjetesës fetare për të cilën shquipotarët kanë marrë fame anë e mbanë botës.

Me këtë rast të 83-vjetorit të vdekjes së At Gjergj Fishtës, ia vlen ta sjellim pjesë nga fjalimi i Hafiz Ali Krajës:

“Poet kombëtar, Patër Gjergj! Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdha edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.

Nga varrimi i At Gjergj Fishtës 31 dhjetor, 1940

“Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë”, ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar. Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, kanë qenë fjalët e Hafiz Ali Krajës në varrimin e At Gjergj Fishtës.

Ndërsa Profesori i njohur shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Z. Sami Repishti –Frank Shkreli/ Dr. Sami Repishti, veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut | Gazeta Telegraf — në një artikull që ka ndarë me lexuesit, botuar disa vite më parë, ka sjellur kujtimet e tija, si dëshmitar i asaj dite të zezë për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, të vdekjes së At Gjergj Fishtës, 83-vite më parë. Në artikullin me titull, “At Gjergj Fishta: Kujtohet e Nuk Harrohet për Jetë”, Profesori i nderuar Sami Repishti kujton se, “Me 30 Dhjetor 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut “At Gjergj Fishta”, dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës, shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte figurë të madhe të Kombit tonë. Edhe ashtu ngjau! Grupe studentësh u grumulluen para Kishës Françeskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej në supe vullnetarësh, filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Isha i magjepsun para nji pamje të ktillë e thellësisht i emocionuem!

Profesori Repishti vazhdon kujtimet e tija të asaj dite, duke shkruara ndër të tjera: “Fishten –ashtu e quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni. E kam njohë që në klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste. Në këte grup, u zgjodh edhe baba i im, i ndjeri Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës. Në mes të dy klerikëve lindi dhe u zhvillue nji miqësi që zgjati deri në fund: 1940 për Fishten dhe 1943 për baben tim. U fikën të dy, dhe fatmirësisht nuk përjetuen katastrofën komuniste në Shqipëri”.

Me 30 dhetor 1965, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes, gazeta DIELLI e Vatrës kishte botuar nji seri shkrimesh kushtuuar At Gjergjit, ku Profesor Repishti ka shënuar kujtimet e tija të njohjes së tij me At Gjergj Fishtën:

“E kam pa Fishten për të parën herë në vitin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra tradicionale, përcolli në banesën mortore të re trupin ba skelet i këputun të Hasan Riza Pashës…U desht Fishta atëherë me thanë fjalen e tij, ka kujtuar Profesor Repishti. “Aty kam pa ftyrat, me mijëra, drejtue kah ai që i tërhiqte pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta përmbajshin nji mshehtësi të paditun ma parë. Asnji herë ma vonë për mue, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk ashtë paraqitë ma e qartë. Rradhën tjetër kur e pashë, Fishta shtrihej, pa lëvizje, pa za, ndehej pa shpirt mbi podin mortor të vendosun në mesin e Kishës Françeskane, banesa e tij për shumë vite të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi vendin e qetë për pushimin e përjetëshëm”.

Profesor Repishti kujton atë ditë të varrimit të Fishtës kështu: “Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi.

Mështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq, me të bardhin litar ngjeshë që tre premtimet e bame të Lumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duertë bashkue në nji kryq druni të zi, Fishta që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon. Cila ishte ndjesia që na mbushte zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj? Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjallin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na bajnë, me nji fjalë, me qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim, nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht, paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve. Por Fishta kishte mbyllë sytë përjetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbarë percolli veshun në zi, njeriun që ma shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsinë e nji turme që kurr nuk deshti me njohë peruljen…”, ka përfunduar në kujtimet e tija prej dëshmitari, Profesor Sami Repishti, nga varrimi i At Gjergj Fishtës.

Nga varrimi i At Gjergj Fishtës, i cili ka ndërruar jetë në 30-dhjetor, 1940. Gjergj Fishta është varrosur më 31 dhjetor duke i vendosur një kryq druri tek kryet e varrit të tij, sipas porosisë së vet Poetit: “Nji kryq druni, t’kojsha true/nxierre e venma përmbi krye…”.

Por për fat të keq të Kombit shqiptar, nuk do të kalonte shumë, sipas dëshmitarëve të asaj kohe, disa njerëz u futën në kishën ku ishte varrosur At Gjergj Fishta, për të zhdukur çdo kujtim të tij, duke marrë trupin e eshtrat e Poetit dhe duke i hedhur në lumin Drin, duke bërë aktin e fundit të hakmarrjes për të zhdukue kujtimin e tij, duke zhdukur eshtrat dhe varrin e tij. Duke menduar se me zhdukjen fizike të At Gjergj Fishtës – madje edhe i vdekur nuk do të kishte më burra si Fishta të cilët nuk do ishin më, “mburojë me i ndejtë Shqipënisë. Por si për çdo gjë tjetër, komunistët ishin të gabuar, megjithëse ia tretën eshtrat dhe varri i tij nuk dihet – veprat e At Gjergj Fishtës as nuk vdesin as nuk do të harrohen kurrë. Varri mund të jetë i zbrazët por Lahuta nuk hesht!

Lahuta e At Gjergj Fishtës – Lahuta e Malëcisë — vazhdon të këndojë sot e mot: Gëzuar Vitin e Ri, 2024!

————————————————————

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,

Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,

E me dije e me Lirí

Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.” At Gjergj Fishta

“Edhè hâna do t’ a dijë,

Edhè dielli do t’ két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!” (At Gjergj Fishta)

Frank Shkreli

“Sot mundohen Grekët të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësuar se Lahutën.” (Faik Konica).

Filed Under: Opinion

Shqiptarët e Masbjeshkës (sanxhakut të Pazarit të Ri) me qindra vjet mbijetesë

December 31, 2023 by s p

“Ne e kemi zemrën Shqipe, ne e kemi gjakun Shqipe, jemi të djegur për Shqypni!”.

Artur Vrekaj, Massachusetts

Reflektim nga telereportazhet e Marin Memës më 26 Nëntor 2016 dhe RTV Kosovës bërë më 24 Prill 2017 në fshatrat Shqiptarë të Peshterit në Serbi.

Rafshnalta e Peshterit ngrihet 1200 metra mbi nivelin e detit dhe ka rrënjë të hershme iliro-shqiptare. Jo më kot shqiptarët e quajnë sanxhakun e Pazarit të Ri me emrin domethënës Masbjeshkë, vëndi ku shtegtuan e mbarështruan bagëtinë me shekuj.

Në Peshter jetojnë fiset më të fuqishme të Veriut të Shqipërisë, të Shkrelit, Kelmendit, Gjoka,Gjeka, Nikaj, Uka, Kuqi, Kurtaj, Camaj, Bibaj, Kastrati etj që u përballën brez pas brezi me regjimin e trefishtë shfarosës Turko-serbo-malazez.

Deklarimi boshnjak i shumicës së Shqiptarëve ishte e vetmja mundësi e mbijetesës në Peshter prej regjimit shfarosës Serb e Malazez.

Shqiptarët e moçëm e vuajnë më shumë dhimbjen e këtij asimilimi sot. Kjo është një nga dramat më të mëdha ndër Shqiptarët etnikë që ende pikon dhimbje.

Në Bashicë, Murat Haliloviç me dhimbje thotë se boshnjakçe flas, por jam Shqiptar.

Hilmi Salihoviç saktëson se kur fillova shkollën nuk dija boshnjakçe, por vetëm Shqip.

Nazif Salihoviç shprehet se unë e mbaj plisin se baba e ka mbajtur, stërgjyshat e kanë mbajtur. Nuk guxojmë të themi se jemi Shqiptarë.

Kambo Hukic (Huka), në fshatin Ugla shprehet vendosmërisht : ne jemi Shqiptarë. Ai nxjerr flamurin kombëtar Shqiptar fshehur nën divan dhe ja tregon gazetarit Marin Mema. Kam dëshirë që kur të vdesë të mbulohem me flamur Shqiptar. Kemi jetuar terror. Shqiptarët nga këtu u shpërngulën në Sarajevë, Pazar i Ri, Turqi etj. Kemi dëshirë me na çue një mësues me u mësue gjuhën Shqipe fëmijëve, të paktën një a dy orë në javë.

Sali Bajri, nga Uglla përgjigjet: më djeg shpirti që po humbet Shqipja. Ne kemi fol me stërgjysha. Mos na harroni! Të djegur jemi për Shqypni, por s’kemi gjë në dorë, hiç.

Selim Hukic, thotë: me gjak jam Shqiptar, por shumë po e humbim Identitetin se nuk kemi shkollë.

Eso Hukic po nga Uglla thotë jam Boshnjak, por me zemër jam Shqiptar. Kjo është pasojë e regjimit,por ai rrëfen emrat e vëndeve përreth Ugllës që ruhen ende shqiptarë: maja e Shkjaut, maja e Shiut, maja e Aliut, maja e Kaçizakut, maja e Molikes, maja e Mprehtë.

Murat Kuc, kujton se Serbia nuk lë Shqip, baba jem, ai ka mbajtur shallin dhe plisin.

Villka Kuc, thotë se ne kurrë s’kemi për ta humbur Shqipen.

I moçmi Bajro Hukic (Hukaj) thotë shkollën nuk na e kanë lënë Shqip.

Boroshtica është fshat Shqiptar i banuar kryesisht nga fisi Shkreli. Nezir Shkriel (Shkreli), mësues shfaqet me plis të bardhë. Ai i gëzuar flet se këtu po gjallon Shqiptaria. Gjuha Shqipe nuk do të vdesë këtu. Sikur betohet : Ne e kemi zemrën Shqipe! Ne e kemi gjakun Shqipe!

Hilmi Shkriel nga Boroshtica shprehet se prej pleqve ne jemi prej Shkrelve të Rugovës. Shqipen e kam mësuar prej babe. Kushërinjtë i kam në Kosovë.

Hafiz Shkriel, mesoburrë, dimë pak. Nuk kemi bërë shkollë. Vëllai im është Shqiptar.

Përkundër mohimit absolut të Identitetit kombëtar, në literaturën shkencore serbe pranohet që në Peshter banojnë Shqiptarë.

Shenjat më të dukshme të Identitetit kombëtar në publik në qytetin e Pazarit të Ri dhe në fshatrat e Peshterit më së shumti në shekullin e kaluar kanë qënë plisi i bardhë dhe shalli i bardhë që ruhen ende edhe sot.

Ismet Azizi, intelektual, kryetar i Kosova për Sanxhakun rrëfen në RTV e Kosovës masakrën më të madhe në numër të Çetnikëve Serbë me komandant Pavle Gjurishiq më 5 e 6 Janar 1943 ndaj Shqiptarëve e Sanxhaklinjve në Bihor, krahinë me 82 fshatra.

Myftiu i Sanxhakut Muamer Zukorliq e quan “Sebrenica e Sanxhakut” këtë masakër. “Sipas raportit të komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, gjeneralit Serb Mihajlloviq se 1200 të vrarët ishin të aftë për ushtri, ndërsa 8000 të tjerët ishin gra, fëmijë e pleq”, shkruan ai në bosnjaci.net.

Dokumentet arkivore shqiptare japin shifrën 4628 Shqiptarë të vrarë, therur e masakruar këto dy ditë tmerri në Bihor.

Shoqata Kosova për Sanxhakun është kthyer në një institucion qytetar e mediatik duke vepruar në terren në Peshter e Pazar të Ri për evidentimin e rezistencës së Shqiptarëve dhe të kulturës së tyre. Kjo shoqatë aktive po i jep jetë me veprimtari akademike hapërimit kombëtar në Masbjeshkë. Ajo më së shumti po bashkëpunon me autoritetet vendore në Sanxhak, dhe ato qëndrore në Kosovë dhe Shqipëri.

Thirrja e gjakut Shqiptar ndër Shqiptarët e Peshterit është kushtrimi i kohës që jetojmë për ti dhënë më shumë frymë hapërimit kombëtar ndër ta.

Kështu, më 22 Nëntor 2023, Këshilli kombëtar Shqiptar në Serbi hapi zyrën Shqiptare në Pazarin e Ri dhe ndërkohë po synohet kursi i Gjuhës Shqipe. Është koha për të ndihmuar vëllezërit tanë. Kudo ku jemi.

Filed Under: Mergata

Falja shëron dhe bashkon njerëzit

December 31, 2023 by s p

Artan Nati/

Dy vjet pas atentatit, Gjon Pali II vizitoi qelinë e burgut të Ali Agca. Ai shkoi ta falte. Ata shtrënguan duart dhe u përqafuan me njëri-tjetrin. Agca puthi unazën e papës. Ndërsa Papa mbërriti në qelinë e Agca-s në burg në Itali, ai pa në sy vrasësin e tij të mundshëm, i shtrëngoi dorën dhe Agca puthi dorën e Gjon Palit II.

“Paqja e vërtetë nuk është vetëm një çështje strukturash dhe mekanizmash. Ajo mbështetet mbi të gjitha në adoptimin e një stili të bashkëjetesës njerëzore të karakterizuar nga pranimi i ndërsjellë dhe aftësia për të falur nga zemra. Ne të gjithë duhet të falemi nga të tjerët, kështu që ne të gjithë duhet të jenë gati për të falur. Kërkimi dhe dhënia e faljes është diçka thellësisht e denjë për secilin prej nesh,” tha Papa Gjon Pali II. Gjatë dimrit të vitit 2014, pasi u konvertua në të krishter, Ali Agca vizitoi varrin e Papës. Atje, ai la trëndafila të bardhë dhe u lut.

Të falësh nuk është të harrosh. Në shumë raste, është e pamundur të harrojmë ngjarje që ndikojnë thellë në jetën tonë. Ato i japin formë jetës sonë për mirë ose për keq.

Të falësh nuk do të thotë të falim veprat mizore të nazistëve ose të nacionalistëve serbë ose autorëve të tjerë. Por në disa raste, dhënia e amnistisë e pastron çështjen për viktimën. Çështja e drejtësisë është e ndarë nga çështja e faljes.

Ky koncept i faljes ka pak ose aspak të bëjë me dhunuesin. Ajo ka të bëjë gjithçka me nevojën e viktimave për t’u çliruar nga dhimbja që u është shkaktuar. Ky koncept i faljes nuk ka të bëjë me asnjë fe. Të gjithë njerëzit dëshirojnë të jetojnë pa dhimbjen dhe barrën e së kaluarës. Nëse është i kufizuar në një fe, atëherë disa njerëz nuk do të jenë në gjendje të falin.

Secili person mund të falë vetëm në emrin e tij. Nuk mund të falet në emër të të gjithë të mbijetuarve të Holokaustit ose spastrimeve etnike. Falja është një gjë shumë personale, por nëse ndihemi të shqetësuar dhe të lënduar duke mësuar për viktimizimin e të tjerëve, atëherë kemi të drejtë të ndërmarrim veprime.

Ish-senatori zviceran Dick Marty, i cili u bë i njohuri për raportin e tij në Këshillin e Evropës mbi krimet e supozuara të luftës, përfshirë trafikimin e organeve të kryera nga guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, vdiq të enjten në datën 28 dhjetor 2023 në Zvicër.

Marty, ishte një politikan i Partisë Demokratike të Lirë, autor i disa raporteve të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. E gjithë kjo parathënie kaq e gjatë është për faktin se në shumë shkrime e komente të komunitetit shqiptar kryesisht në diasporë u përdor një gjuhë urrejtje ekstreme dhe fare e padenjë kundrejt senatorit Marty, që nuk e mendoj se është e denjë të citoj se si u shprehën kundër zotit Marty. Në se hetimet e senatorit Marty ishin apo jo të drejta dhe të vërteta, është temë tjetër,por ajo që doja të thoja, është fakti se ne synojmë të aderojmë në Europë dhe ne nuk mund të marrim drejtsinë në duart tona dhe duhet të besojmë te drejtësia europiane dhe institucionet e saj. Gjithashtu gjuha e përdorur ishte më e pakta jo e denjë. Mënyra e jetesës së Mandelës me falje është një shembull për të gjithë racën njerëzore. Emri i tij është sinonim i faljes. Mandela tha se “Falja çliron shpirtin, largon frikën. Kjo është arsyeja pse është një armë kaq e fuqishme.”

Kur jetojmë në një vend ku jeta jonë është në rrezik të drejtpërdrejtë, mendësia e mbijetesës lind dhe mbijetesa dhe falja nuk shkojnë së bashku. Ne mund të falim vetëm pasi dhuna të ketë mbaruar dhe viktima të jetë në paqe me mjedisin rrethues dhe dëshiron ta shërojë atë kapitull të jetës. Falja është proaktive dhe jo pasive. Ne bëhemi viktima në mënyrë të pavullnetshme, Pa falje jeta drejtohet nga një cikël i pafund inati dhe hakmarrjeje.

Falja sheron mendjen dhe jetën tonë, duke na lejuar ta shikojmë botën përmes vizionit të papenguar, të shohim bukurinë përreth nesh, të jemi të hapur ndaj përvojave të reja pozitive dhe të përqafojmë njerëzit e mrekullueshëm në botën e mrekullueshme që takojmë. Nëse nuk do të falnim, nuk do të mund t’i përjetonim këto ndjenja.

Falja është si një recetë ose ilaç për shëndetin dhe mirëqenien fizike. Nëse qëndrojmë të zemëruar, ky zemërim helmon jetën dhe shëndetin tonë. Falja për mendimin tim sjell qetësi, shërim, respekt, liri, paqe dhe dashuri. Le të shohim se çfarë sjell e kundëta: dhimbje, zemërim, hakmarrje dhe luftë. Falja ofron zgjedhjen për të jetuar në paqe dhe për të qenë të lumtur.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1394
  • 1395
  • 1396
  • 1397
  • 1398
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT