• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EVE (1926) / LEGJENDA SHQIPTARE E BLETËS – ÇFARË NUK BËJNË SHQIPTARËT KUR KANË NJË KOSHERE NË SHTËPI ?

December 27, 2023 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Dhjetor 2023

“Eve” ka botuar, të dielën e 28 marsit 1926, në faqen n°2, një shkrim rreth legjendës së bletës te shqiptarët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Legjenda e Bletës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqiptarët kanë një kult të vërtetë ndaj bletëve, një kult që shpesh shkon deri në idhujtari : një shqiptar nuk do të blasfemojë (mallkojë) kurrë në një shtëpi ku ka koshere. Ndër legjendat e vjetra të vendit, ka një, shumë kurioze, që ka të bëjë pikërisht me bletët : një grua shumë e moshuar dhe e sëmurë kishte tri vajza.

E para, Merimanga, ishte flirtuese dhe kujdesej vetëm për veten e saj; e dyta, Gjinkalla, edhe më e shkujdesur (mëndjelehtë), i kalonte ditët duke kënduar; e treta më në fund, Bleta ishte punëtore dhe nuk humbiste asnjë çast të ditës.

E gjora plakë, shumë e sëmurë dhe e paaftë për t’u kthyer në shtrat, thirri vajzën e saj të madhe : “Unë jam duke endur rrjetën time dhe nuk mund të shqetësohem,” u përgjigj ajo. Pastaj nëna tha : “Përgatite gjithmonë pa arritur kurrë ta mbarosh”. Dhe merimanga thur një rrjetë pa fund. E dyta u përgjigj : “Unë këndoj dhe nuk mund ta ndaloj këndimin tim”. “Këndo, këndo, derisa të vdesësh,” tha nëna plakë. Dhe gjinkalla ende këndon dhe vdes e tharë, me kurrizin e lidhur në një degëz bari. Vajza e tretë ndihmoi nënën e saj dhe i bëri një ëmbëlsirë që e ngushëlloi.

Atëherë nëna tha : “Qofsh e bekuar ! Ti do të jesh drita e paraardhësve dhe ushqimi i të gjallëve !”

Dhe bleta prodhoi dyllin për qirinjtë e të vdekurve dhe mjaltin e ëmbël për të gjallët…

Filed Under: Kronike

VERIU I DARDANISË DHE SHKAQET E KRIZËS

December 27, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Me qëllim që të analizojmë me sukses situatën e sigurisë në veri të Dardanisë, duhet të analizojmë disa nga faktorët kryesorë demografikë, gjeografikë, politikë, diplomatikë dhe ushtarakë të cilët ndikojnë në këtë krizë. 

Në muajin shtator të vitit 2021, vendosjes së reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për serbët të cilët futen në Kosovë, Serbia iu përgjigj me provokime, bllokime rrugësh, sulme me armë kundër forcave të policisë së Kosovës, etj duke urdhëruar strukturat e saj paralele të cilat organizohen, financohen dhe drejtohen nga shërbimet serbe të sigurisë në bashkëpunim me agjensitë ruse të inteligjencës.  

Në këtë rajon të Kosovës, sulmet e strukturave paralele serbe të ekzekutuara ditët e fundit me përfshirjen edhe të agjentëve rusë të grupit ‘Wagner’, kanë qëlluar drejtëpërsërdrejti kundër forcave të policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, kanë bllokuar rrugët në vendkalimet kufitare zyrtare në Jarinje dhe Bërnjak, kanë ekzekutuar gjashtë sulme me armë gjatë muajit prill të vitit 2021, etj duke treguar qartazi se pas këtyre incidenteve qëndron Beogradi dhe Rusia, të cilët kërkojnë të vështirësojnë sa më shumë situatën në këtë rajon tashmë që vazhdon pushtimi ushtarak Rus në Ukrainë. 

Në datën 7 gusht 2022, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm serb Gjenerali Milan Mojsiloviç së bashku me drejtuesit kryesorë të komandave të tjera ushtarake vizituan njësitë e xhandarmarisë dhe të njësive të armatosura serbe në zonën kufitare tokësore me Dardaninë, konkretisht bazat ushtarake “Tabalije” dhe “Rudnica” dhe aftësitë e tyre operacionale për të reaguar sa më shpejtë në rast nevoje. Në këtë këndëvështrim, gjykoj se në këtë krizë ka rëndësi studimi i faktorit demografik në këtë rajon.

  1. Faktori demografik.

Në pjesën veriore të Kosovës jetojnë shumë pak serbë. Ata në vazhdimësi e kanë refuzuar regjistrimin për të vetmen arsye se dalin më pak se 30.000 qytetarë. Në qytetin e Mitrovicës ndodhet një universitet i cili frekuentohet nga studentë nga Serbia, për të vetmen arsye se diplomat merren me lehtësi. Qyteti më i afërt në Serbi nga Mitrovica është qyteti i Kraljevas rreth 150 km i cili është qytet në “zhdukje” për shkak të largimit të madh të popullsisë serbe jashtë vendit. 

Në pjesën e Gjilanit, Novobrdos, Kamenicës, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës dhe Shterpcës jetojnë më tepër se 100.000 qytetarë serbë, por Serbia nuk shqetësohet shumë për ta. Në fakt, muajt e fundit Serbia i ka shtuar forcat e saj në kufirin e Kosovës në pjesën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Podujevës. Ky në fakt është një mashtrim dhe tërheqje vëmendje, sepse objektivi i tyre përfundimtar është marrja e kontrollit në veriun e Kosovës. 

Shpesh herë vendime të tilla janë mbështetur nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm Rus Sergei Lavrov dhe zëdhënesës së tij Maria Zakarova, të cilët kanë deklaruar se: “Atje ku ka popullsi serbe nuk duhet të ketë prezencë shqiptarësh”, pra haptazi pasi dështuan në marrjen e pushtetit gjatë zgjedhjeve në Malin e Zi, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci, serbët vazhdojnë të insistojnë për mundësinë e zgjerimit të territoreve nëpërmjet shkëmbimit të tyre, krijimit të Asociacioni i komunave me shumicë serbe (Zajednica), zgjerimit të influencës sërbe në rajonin  e Ballkanit me zgjerimin e nismave ekonomike.   

  1. Faktori gjeostrategjik i Kopaonikut, parë nga aspekti i luftës elektronike, sinjaleve dhe telekomunikacionit.

Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të bjeshkëve të Kopaonikut (pasuritë nëntokësore, pikat strategjike të telekomunikacionit, lartësinë e Ravna Goras, etj), kërkesave të vazhdueshme të Serbisë dhe dakortësimit të tyre me ‘miqtë’ e tyre shqiptarë për ndryshimin e kufirit, qasjen e ndryshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën veriore dhe shtetasve të cilët jetojnë në brendësi të Republikës së Dardanisë, në prapavijë qëllimi strategjik i Serbisë është ndryshimi i vijës kufitare.

Siç e dimë edhe nga historia e kaluar, kur Serbia nuk ka interes strategjik nuk lëshon pe. Por në mënyrë të heshtur në prapavijë nëpërmjet “metodave serbe„ nën drejtimin e lidershipit të tyre “perëndimor“ do të vazhdojnë të tentojnë të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur. Psh në vitin 2007, Serbia dërgoi për vizitë zyrtare në SHBA shefin e tyre të shtabit të ushtrisë serbe Gjeneralin Ponosh, i cili gjatë takimeve me autoritetet e sigurisë amerikane kërkoi që ta mbështesnin që maja e Kopaonikut t‘i takonte Serbisë.

Në vijim duhet bërë një analizë për rëndësinë që kjo majë sa i përket Luftës Elektronike, Sinjaleve dhe Telekomunikacionit, të cilat në gjykimin tim më shumë se Serbisë mund t‘i shërbejnë Federatës Ruse. 

Në këtë majë (si në foton e publikuar) është vendosur një radar me rreze të mesme operacionale rreth 400 km. Ky radar u shkatërrua nga aviacioni amerikan në vitin 1999. Por në atë kohë u shkatërrua vetëm kupola e radarit, sepse nëpërmjet një ashensori ai ndodhej thellë në tokë. Para disa vitesh Serbia kërkoi që të kontrollonte hapësirën ajrore të Kosovës, për kontrollin e qarkullimit të aviacionit civil, kërkesë e cila u refuzua nga NATO, duke mos lejuar aktivizimin i këtij radari. 

Serbët nuk hoqën dorë nga kjo ide, sepse në atë kohë vetëm nga kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës ata fitonin një sasi prej 13 milionë euro në vit dhe në të njëjtën kohë serbët planizuan të ndërtonin në bjeshkën Besna Kobila në afërsi të Vranjës një bazë tjetër radarësh për qëllim ushtarake dhe inteligjente.

Si përfundim, marrja e kontrollit të majës së Ravna Goras, do t’i mundësonte serbëve dhe rusëve vendosjen dhe instalimin e radarëve të fuqishëm të luftës elektronike (EW) dhe pajisjeve të tjera moderne ruse të zbulimit elektronik (ELINT) të afta që të kontrollinin sinjalet telefonike por jo vetëm në katër vende të NATO-s Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe deri në Greqi.

Foto të vijës kufitare dhe pozicionit gjeografik të qendrës telekomunikimit. 

  1. Liqeni  i Gazivodës ( Ujmanit).  

Liqeni i Gazivodës është liqeni më i madh në Kosovë. Ai ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 i përkasin Republikës së Dardanisë dhe vetëm 2.7 km2 Serbisë. Ky liqen furnizon me ujë të pishëm qytetet: Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq por në të ardhmen edhe qyteti i Prishtinës të mund të furnizohet nga ky liqen. Termocentralet Kosova A dhe Kosova B furnizohen me ujë po ashtu nga ky liqen artificial. Ekzistenca e këtij liqeni është shumë i rëndësishëm për mbijetesën e banorëve të këtyre qyteteve, për zhvillimin industrial dhe bujqësor të Dardanisë. Pa shfrytëzimin me ujë nga ky liqen, termocentralet mbyllen dhe Kosova mbetet pa energji elektrike. 

   Liqeni i Gazivodes. 

  1. Faktori ekonomik.

Në shtesë sa më lartë, në këtë rajon ekzistojnë pasuritë e jashtëzakonshme të pasurive minerale, të cilat gjenden në pjesën veriore të Dardanisë dhe janë vlerësuar në mbi 200 miliardë Euro. Në këtë rajon gjenden me shumicë mineralet qymyrguri, plumb, zink, argjend, ar dhe shumë minerale të  tjera. Këto pasuri përrallore padyshim që i lënë pa gjumë mercenarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarfolës. 

  1. Faktori ushtarak. 

Në Serbi ndodhet baza rajonale e Sputnikut në Beograd, në ministrinë serbe të mbrojtjes ndodhet zyra e përfaqësisë së MM ruse, ndërkohë në Nish rreth 160 km ndodhet ‘Qëndra Humanitare’ e Rusisë, e cila vepron në mënyrë të fshehtë në të cilën punojnë shumë agjentë të shërbimeve sekrete të sigurisë FSB, GRU dhe SVR, misioni të cilëve është grumbullimi i informacioneve për vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.   

Por agresiviteti i shfaqur gjatë ditëve të fundit nga Serbia, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, ku vetëm në kufirin me Kosovën janë ndërtuar dhe dislokuar 48 baza operative ushtarake, nga të cilat 28 janë të ushtrisë dhe 20 të xhandarmarisë. Këto baza kanë filluar të ndërtohen që nga muaji gusht 2001, nën asistencën informative të Rusisë dhe të shërbimeve të saj të sigurisë FSB, SVR dhe GRU. Bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë shfaqet edhe tek grupi i miqësisë Serbi-Rusi, ku nga 250 anëtarë të Parlamentit serb 151 prej tyre janë pjesë e këtij grupi.  

Serbia për momentin i ka pozicionuar forcat e saj përgjatë kufirit me Republikën e Dardanisë. Forca kryesore e cila patrullon kufirin janë efektivët e Brigadës së Xhandarmarisë. Brigada e xhandarmarisë serbe përbëhet nga 4 batalione. Batalioni katërt psh përbëhet nga shumë pjestarë të forcave speciale ‘Kobra’, njësi anti-terroriste dhe një forcë elitë policore. 

Këto janë forcat të cilat ruajnë dhe patrullojnë kufirin me Dardaninë. Patrullimet e tyre realizohen 24 orë në ditë dhe realizohen nga efektivë prej katër personash të armatosur: Dy persona të pajisur me automatik AK-47 model i përmirësuar serb, i treti me automatik/mitraloz prodhin serb model M-84  kalibër 7.62 x 54 mm dhe personi i katërt me sniper ‘Crna Strela’ prodhim serb kalibër 12.7 mm ose M-76 7.92 x 57 mm.  

Harta kufitare në Veri-Lindje të Dardanisë. 

KFOR-i ka një prani të dobët në Veri të Dardanisë. 

Përgjithësisht Republika e Dardanisë kontrollohet nga trupat e KFOR-it nga ajri me dron dhe më rradhë me helikopter. Duhet theksuar se prania e tyre me mjete ushtarake dhe me ushtarë në veri është shumë e vogël, pavarësisht sasisë prej 4000 forcash të dislokuara në vend. 

Në Veri të Kosovës ndodhen dy vendkalime kufitare zyrtare, Jarinje (Gate-1) dhe Bërnjak (Gate-31). Nga Jarinje (Gate-1) trupat e KFOR-it janë tërhequr tërësisht dhe për momentin ndodhen prapa Leposaviqit në Camp Notting-Hill, por aty ka pak mjete ushtarake dhe pak ushtarë. 

Pika kufitare në mes Novi Pazarit dhe Banjska nuk ruhet nga askush. Më herët kjo zonë është kontrolluar nga trupat e KFOR-it dhe është lejuar transporti i automjeteve deri 3.5 ton. 

Në Gate-31 në Bërnjak është i pozicionuar KFOR-i dhe policia e Dardanisë. Ky vendkalim është shumë pak i rëndësishëm dhe i qarkullueshëm. Nga Gate-31 deri në Zubin Potok nga ana e kufirit me Serbinë, ndodhen shumë vendkalime ilegale që askush nuk i kontrollon. 

      Bazat e KFOR-it në Rajonin e Mitrovicës

Bernjak-Gate-3140° 57′ 40.06”20° 32′ 56.64”
Camp Notting-Hill43° 04′ 49.61”20° 48′ 43.60”
Camp Novo Selo42° 47′ 06.61”21° 01′ 55.97”

Filed Under: Politike

KATËR NDALESA NË BURGJET E ARSHI PIPËS

December 26, 2023 by s p

KOSTA NAKE/

(Vëllimi “Libri i burgut”, Tiranë 1994)

  1. Mujo Ulqinaku i rrëfyer ndryshe

(Poema “Mujo Ulqinaku”, f.15)

Për të besuar atë që Arshi Pipa rrëfen artistikisht, po sjell informacionin që ofrohet në internet për një dëshmor që mban titullin e lartë Hero i Popullit:

Mujo Cakuli, i njohur më së shumti si Mujo Ulqinaku, u lind më 1896 në Ulqin në një familje të vjetër qytetare ulqinake, të cilët ishin detarë dhe pronarë velanijesh. Që në moshë të vogël hyri muço në Ulqin dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Lezhë. Si nënoficer në një nënrepart të marinës në Durrës, më 7 prill 1939, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu në krye të detarëve të braktisur nga oficerë tradhtarë dhe organizoi me vullnetarë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut duke u bërë shembull i lartë atdhedashurie. 

Ja dhe materiali i botuar te kolana “Yje të pashuar”, vol.1, f.12:

“Një mitraloz, me të shtënat e tij të parreshtura rrëzoi përtokë ushtarët e parë italianë dhe dha sinjalin e luftës së madhe kundër okupatorëve të huaj. Ishte mitralozi i Mujo Ulqinakut. Fashistët ua mbathën këmbëve dhe u strukën në anën e detit. Hynë nëpër anijet. Si duket, ata prisnin t’u hidheshin lule dhe jo plumba. Dollën përsëri. Dhe përësri me plumba u pritën. Mujua ndërroi pozicion. U dëgjua sërish krisma e mitralozit të tij. Herën e tretë fashistët u përplasën të çoroditur nëpër anijet e tyre. Në pozicion grumbull gëzhojash. Mitralozi hesht. Një flamur i bardhë ngrihet. “U dorëzuan!” – thanë ata që qenë në det dhe u lëshuan drejt bregut. Mujua numëroi fishekët. “Pak, shumë pak!” Priti të afrohen. Mbërtheu duart në mitraloz. Uli diftakun e shënjestrës. I kishte afër, shumë afër! Shtrëngoi dhëmbët. Shtrëngoi dhe gishtin. Edhe pesëdhjetë fashistë të tjerë të vrarë!

Plumbat e armikut ia përshkuan trupin Mujos. Dhe u mbyt trimi në gjak, për një truall, për një prak! Ai ra që një popull i tërë të ngrihej në luftë.”

*

U befasova kur lexova poezinë e Arshi Pipës sepse në çast përjetova edhe një herë artistikisht diku afër Trojës, në një tjetër qytet si Durrësi, me të njëjtën strukturë të vargut, por me emra të tjerë, skemën e ndarjes së Hektorit me Andromakën. Po nëse Hektori shkoi në një përballje pothuaj të barabartë me Akilin, Mujoja pozicionohet para një formacioni luftarak pushtues, me një shpërpjesëtim të raportit numerik dhe me shpërpjesëtim edhe më të madh në teknikë luftarake.

Poezia fillon me një vendosje në kohë të ngjarjes dhe me një konstatim tashmë të njohur e të gjithëpranuar: 

“Errej trishueshëm ajo mbrëmje prilli… 

Jepej Shqipnija atë natë ndër duer t’anmikut. 

Po jo pa luftë, po jo pa gjak t’ atyne

Qi pritën me krahnuer n’ullishta t’Vlonës,

Durrës, Shëngjin e n’rranza t’Rozafatit.”

Fill pas kësaj vjen apostrofa atdhetare e lartësimit të figurës dhe mirënjohës për aktin e sakrificës sublime:

“Lavdi mbi tjerët ty, o burr’ i Ulqinit,

Qi edhe nji herë mâ shumë i shpalle botës

Se e gjallë âsht kjo Shqipni…”

Poezia i kushtohet një figure reale, prandaj fabula e ngjarjes e bën atë epike. Ka dy dialogje që zbulojnë dy skena të ndryshme të jetës shqiptare. Skena e parë – qëndrimi i tregëtarit dhe shtresës që ai përfaqëson:

Fuqi e madhe fort âsht, thonë, Tajlani

Dhe murit, Mujo, me krye s’i bihet.

Na shemb me top, na djegë…E çka na duhet

Shqipnija atbotë? A s’âsht sot mjaft e vorfën?

Vuen populli e tregtija ka mbarue.

Skena e dytë, Mujoja ishte mbi dyzet vjeç kur u vra, ishte familjar, por kjo gjë kalohet në heshtje në dy shkrimet e mësipërme. Pikërisht këtu qëndron rrëfimi ndryshe i Arshi Pipës që e bën dyfish më sublim aktin e tij. Është një parapërgatitje e vetëdijshme për qëndresë ndaj pushtuesit, prandaj gruaja përpiqet ta ndalojë:

“Pash Zotin, mos –  e i ra ndër këmbë e e rroku.”

Pastaj tri detaje të bukura të një ndarje të dhimbshme pa kthim që e konvertojnë amanetin me simbole të qëndresës martesore dhe familjare:

“Foli e prej xhepi qiti tash kuletën

E ja la grues, mandaj sahatin zgjidhi

Prej qostekut e hoq prej gishtit unazën…”

Gruaja përpiqet të shpëtojë fortesën e fundit:

“Jo, ti s’e don – tha – gruen, ti foshnjet tua

Aspakë s’i don qi zemër ke kësisoj!

E kush i ushqen ata kur ti t’u hiqesh?”

Të nesërmen qëndresa merr përmasat e legjendës dhe realizimi artistik është gjithaq mjeshtëror:

“Tri herë e msyni me tallaze zjarmi

Pyrgun e Mujit, thue po e shembë anmiku,

E mbrapsht tri herë u kthye tue u përplasun

Te ledhi i saj, si e mbushi me kufoma.

Si njaj ariu qi keq ngushtue te shpella

Prej nji kopeje, dimnit, ujqish t’unshëm,

Pezmatohet e malin zhgulë e poplat

Vigane ua fërfllon tue i dërmue:

Ashtu luftoi kreshniku der’sa predha

Prej aeroplanit nalt nji copë e shembi.”

Përmbyllja është një formulim i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe mbresëlënës:

“Shembull i paharrueshëm n’bijt e nipat

Ta dinë se jetën humbë për me fitue

Tjetrën t’pamort, kush bie në fushë të nderit

N’emën t’atdheut me lavdin e dëshmorit.”

  1. Ferri Dantesk shpërngulet përkohësht në Vloçisht

 (Poema epike “Kanali”, f.63)

Për ata që s’e dinë, kampi i të burgosurve të punës në Vloçisht nuk ka ekzistuar, për ata që e dinë, është si dallgë e turbullt e një vërshimi që përmbyt, për ata që e provuan mbi shpatullat e tyre ishte një ferr dantesk i shpërngulur përkohësisht atje për të marrë 73 jetë njerëzish ndër 2500 të dënuar vetëm në shtatë muaj. 

Brezi im e ka njohur vetëm anën heroike të punës për tharjen e kënetës së Maliqit nëpërmjet romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës dhe ekranizmit të tij, kurse ky shfrytëzim mizor i të dënuarve politikë dhe ordinerë ka humbur gjatë në terr informativ. Mjafton të përmend tri figura të shquara të kombit: Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej dhe Arshi Pipa të cilët e provuan atë kalvar dhe arritën të dalin gjallë prej andej, që të kuptohen përmasat e goditjes së verbër të diktaturës së proletariatit. Prej tyre, vetëm Arshiu u arratis dhe dëshmoi për atë që ndodhi atje, Eqremi dhe Mitrushi heshtën që të mos i bënin të tjerët të heshtnin. 

Thelbin e trajtimit e sjell në kujtimet e veta një i dënuar që përsërit fjalën e komandantit të kampit, Tasi Marko: “Ky është kamp i punës së detyruar dhe nuk është kamp pushimi”. 

Poema përbëhet prej 25 tingëllimash, mjedisi dhe vargu i tyre është dantesk, por ka dhe një dallim të rëndësishëm: Dante shkon në Ferr si vizitor, i shoqëruar nga Virgjili, kurse Arshi Pipa shkon atje si skllav. 

Tingëllima  e parë ka vetëm dy vargje për natyrën: 

“Nga Korça bumbullon. Currila shiu

rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje” (f.63), 

Pastaj menjëherë zbulohet mjedisi i skëterrshëm ku luftohet për mbijetesë. Tingëllima e tretë fillon me një portretizim të të dënuarve: 

“A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj. 

Fëtyra dheu ku syt e shojtun ngrohen

kur shofin bukën; faqe që gropohen

e nofulla qi dalin si patkoj.

Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,

automa kockash, nji bërsi, nji pleh,

ku veç prej emnave dallon e njeh.” (f.64-65) 

Norma e punës ishte e panegociueshme dhe nuk bëhet asnjë përjashtim për moshën dhe gjendjen fizike: 

“Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri…

bani ja vdis: ankimi s’ban dobi.” (f.65) 

Të dënuarit zgjoheshin në orën tre të mëngjesit për të filluar punë në orën gjashtë, pasi fronti i punës ishte deri në Nizhavec. 

“Sa zente çquhej nata nga mëngjezi

ndër balta zhyteshim deri te brezi.” (f.66) 

Me dy vargje jepet gjendja e vuajtësve: 

“Zbathun ishim shumica e natja e brymtë

na futej deri n’eshtnat e krahnorit.” (f.70)

Tingëllima 12 vendos një paralele me skllevërit që ndërtuan piramidat e Egjiptit dhe koloseun e Romës, me të dënuarit që hapën kanalin që lidhi lumin e Moskës me Vollgën. Poeti fokusohet te vdekja që rrëmbeu jetën e dhjetra të dënuarve, sepse nuk u bënë dot ballë urisë, mungesës së ujit të pijshëm dhe lodhjes: 

“Vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,

vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.” (f.71) 

Ai lë për një çast vuajtjet dhe vdekjet për të ngjallur shpresën: 

“Ju shelqet e Vloçishtit qi shkëlzeni

kur lehtë puhija gjethin ju valvit,

te djerri  qi veç kallma  e driza rrinë

uzdajën time ndoshta shembëlleni?” (f.72) 

Dy tingëllima sjellin një skenë barbarie që prevalon nga dëshira për jetë: 

“Posa dha shpirt, e tu i plaçkitun krodhën

e bukës, krypën e çka n’torbë ju ndodhën.” (f.73) 

Plotësohet me një konkluzion të drejtpërdrejtë te tingëllima pasuese: 

“E pamë si prej urije pezmatohet

e bahet kafshë njeriu e bahet bishë.” (f.74)

Tingëllima 20 lë skenat e mjerimit dhe shpërthen me një apostrofë: 

“O paqe e votrës, ambëlsi e fmis!

Rreze e një malli t’ fortë qi nuk u shkime!

A  do t’i shofim prapë ato bekime?

A vinë mâ dit’ e humbuna t’rinis?” (f.76) 

Dy tingëllima bëjnë përqasjen e kampit të punës me kampet e përqëndrimit nazist dhe konstatimin e hidhur që dhuna e xhelatëve shqiptarë ndaj bashkëkombasve të tyre ua kaloi atyre të turqve, serbëve dhe grekëve.

Përmbyllja u vë vulën vuajtjeve, qëndresës dhe shpresës: 

“Me shpirt ndër dhëmbë duruem na kët skëterrë,

lirin andrruem te nata e bame sterrë,

e zemrat tona atë për flamur rrokën.

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë

nga tyranija e randë atdheu do t’shkundesh,

dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

mâ e bukur do t’shkëlqente besa jonë.

Vuej po qëndro! Merr zemër te burrnija!

E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!” (f.78-29)

  1. Kjo qëndresë shqiptare që s’ka shoqe

(Balada “Sheme hajduti”, f.120)

Duke filluar që shekulli XV në territorin e Perandorisë Osmane dhe deri në katrahurën e Luftës Ballkanike u shfaqën grupime të armatosura që morën emra të ndryshëm sipas vendeve: hajduk në Galici në jug të Polonisë, kleft në Greqi, hajdut në Shqipëri, vojvodë në Maqedoni, etj. Shkaku kryesor i kësaj dukurie ballkanike ishte kundërshtimi i detyrimeve ndaj pushtetit osman dhe mobilizimit të gjatë ushtarak. Për shkaqe natyrore dhe ekonomike këto çeta vepronin nga Shën Gjergji deri në Shën Mitër dhe strehoheshin në raste të veçanta në shtëpi të sigurta që quheshin jatakë. Jeta prej kaçaku bënte që hajdutëria të shtrihej edhe mbi familje të pasura dhe karvanet e tregëtarëve. Mbijetesa lidhej edhe me krijimin e territoreve të qëndrueshme të ndikimit e strehimit, prandaj mund të kishte edhe përplasje mes çetave. Një ilustrim të qartë për këtë dukuri sjell balada “Sheme hajduti” e Arshi Pipës e frymëzuar nga figura reale e Sheme Kaso Ibrahimit (1822 – 1875).

Balada hapet me një apostrofë drejtuar qytetit të Gjirokastrës, sepse lagjja Manalat pati qenë vendlindja e Shemes, duke komunikuar atë që mund të ishte mbyllje konkluduese: 

“Kape, vrave një shqiponjë,

Le pa këngë një milonjë.”

Pas kësaj e ka radhën lajmi që shkon në Stamboll për kapjen e hajdutit pas një qëndrese 9-vjeçare për të mos shkuar ushtar. Pandehmat për kapjen e tij me trajtat pyetëse-mohuese ngrihet në rrafsh artistik:

“Mos u lodh a mos u mplak,

U mërzit nga çeta, vallë?

Mos ju shkrep, i ra një mall…

Për fëmijt’, gruan e re.”

Përgjigjja është ajo që pritet, me ngarkesë të madhe krenarie:

“Jo, mor jo, s’u mplak hajduti,

As u lodh, as falje luti.”

Ajo që nuk pritej, është pabesia e kushëririt:

“Faqeziu i shtroi gosti,

Mish të  pjekur dhe raki,

Kallëzoi në qeveri.”

Vetëm plagët e detyrojnë Shemen të kapet rob:

“Katër plagë trimi muar,

Dy në brinjë, një në duar,

Tjetrën mu në kraharuar.”

Peshën kryesore të baladës e merr ballafaqimi me pashain në burgun e kalasë së Janinës, ku hajduti tregon për jetën dhe bëmat e tij dhe ku përfshihen edhe aktet e bamirësisë:

“Edhe çupa kam martuar,

Pleq, bonjakë kam ndihmuar…”

Të gjitha ato që përmend Sheme hajduti i kam ndeshur edhe te hajdutovinat e Devollit gjysmë shekulli më vonë, por këtu marrin një përndritje me deklaratën që vijon:

“Jam hajdut, pëlqej më mirë

Të rroj malesh ujk i lirë,

Se sa balo me zinxhirë.”

Përballja mbyllet me një skenë që i ngjan një lirishte dashurie, është amaneti për gruan dhe fëmijët: gruaja le të martohet, fëmijët t’i marrin vëllezërit e Shemes. Befas balada ngrihet në një lartësi të re nga përgjigjja e gruas besnike të cilën e ka rrëmbyer që kur ishte kërthi:

“Lulja jote s’merr më burrë!

Do rris djemtë, t’u kall zjarrin

Gjakun tënd ata ta marrin!

Pasuri, oxhak nuk dua!

Do të bredh krua më krua

Të dëgjoj këngët e tua!”

Balada është ndërtuar me tetërrokshin e këngëve popullore dhe rimë të përputhur. Siç duket, kompozicioni i baladës është i gjetur me një raport harmonik të rrëfimit dhe dialogut. Ajo serviret si këngë popullore edhe pse ka një autor dhe pse nuk është e vetmja që i kushtohet kaçakut. Gëzim Zilja sjell një informacion të pasur për Shemo Ibrahimin, citon vargje këngësh të tjera dhe ka një emër për atë që e futi në kurth duke e lidhur me vrasjen e vëllamës Muhedin Vasjari.

  1. Heronj që i larton çasti dinjitoz

(Poema “Kupe Danja”, f.124)

Nga Gjirokastra në jug ngjitemi në Shkodër në veri me një tjetër figurë reale, madje me një fotografi të Marubit. Nëse Shemo Ibrahimi kishte një histori qëndrese prej 30 vitesh, Jakup Danjës iu desh vetëm një rastësi që të hynte në këngë për hir të një akti simbolik që i kapërcente kufijtë e moshës.

Baza historike: Kupe Danja, një burrë në moshë të thyer që banonte në lagjen Perash, po dilte nga shtëpia e tij, kur pa dy gra katolike, të mbuluara me çarçafë,  që vinin nga lagjja Tepe dhe po nxitonin në rrugën e Qafhardhisë. Ato po ndiqeshin nga dy ushtarë turq për t’u abuzuar seksualisht, por, për fatin e tyre, vunë re plakun dhe i thirrën me zë të lartë: “Në dorën tande, se po na merret erzi sot!” Ushtarët nuk e vlerësuan aspak shkodranin dhe u vërsulën mbi gratë. Atëherë koburja e Kupes rrëzoi njërin nga ata, tjetri e mësyu, por Kupja qe më i shpejtë dhe e shtriu për tokë.

Kaq mjaftoi që Arshi Pipa ta bënte plakun një karakter ngrihet në piedestalin e heroit, kurse akti i tij përcolli modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri një qasje e përsëritur me qindra herë dhe e pranuar botërisht.

Poema fillon nga rruga, duke prezantuar së pari dy agresorët seksualë, që për t’u bërë edhe më të urrejtshëm, janë ushtarë turq. Ndryshe nga episodi i sipërpërmendur, objekti i dhunës është vetëm një grua së cilës “fjolla flokësh prej shamis/ nëpër ball’ i janë përndarë.” Dhuna paralajmërohet nga romuzet e hedhura: 

“Kam nji shok, âsht pak qyqar

Fort maraku n’ty e ka kapë,

Hidhja syt’ e ban sevapë.”

Vargjet pasuese, me këmbënguljen e mëtuesit dhe bukurinë e shprehjes,  futen në hullinë e lirikave të dashurisë, po zbulojnë dhelprën e Lafontenit: 

“Bâhem gjarpën, n’u bâfsh ferrë!

Bâhem zog, n’u bâfsh qershi…

Ato duer, mori sulltanë,

s’jan’ për vegjë e për gjylpanë.

Në m’i dhanç, moj, gji e gushë,

me flori kam me t’i mbushë,

me flori e me inxhi..”

Sipas rrëfimit të mësipërm, ngjarja ndodhi në zhegun e vapës, kurse te poema e Pipës është buzëmbrëmje, Jakupi mbyll shitoren dhe shkon të falet, por përballet me skenën e përdhunimit dhe thirrjen e gruas: 

“Mjera vetë qi ndodha e hueja!

Mjera vetë ndër gjith kta njerëz

qi m’la Turku pa erz!…

Kupe Danja, ndore tande!”

Në raste të tilla ose duhet të tërhiqesh, ose duhet vepruar menjëherë dhe Kupja reagoi me një gjest rinor duke i vrarë të dy ushtarët turq.

Poema merr përmasa të tjera kur çështja shtrohet në rrafshin e besimit: një mysliman hyn në konflikt me qeverinë turke për të mbrojtur nderin e një gruaje katolike. Përgjigja është një variant i asaj të Pashko Vasës “feja e shqiptarit âsht shqiptarija!”: “Ndryshe kem’ Bajram e Pashkë,/besë e nder i kemi bashkë.” Arsyetimi i ndërhyrjes shoqërohet edhe me një vetëprezantim:

  “Nuk kam emën, pasuni,

jerevi m’ka lanë baba

kam dugajë me tri taraba.”

Poema mbyllet me solidaritetin e komunitetit shkodran, pa dallim feje, duke refuzuar ta dorëzojë personin e shpallur në kërkim: “S’e qet Shkodra kurr Jakupin.”

Sipas kronikës, Kupe Danja u arratis, u strehua ndër miqtë e tij, të cilët e pritën me shumë bujari, sepse kishte “qitë pushkë për nder” dhe ia kishte zbardhur faqen Shkodrës. Ky solidaritet vazhdon edhe pasi pashai dha urdhër për djegien e shtëpisë: 

“U çue prifti, vendi mbarë,

shehërlij e katundarë,

me t’ungjillit e t’islamit,

turrevrap iu gjegjën damit.”

Përtej poemës dhe kronikës, fakti që Marubi e ka fotografuar Kupen në moshë të thyer, tregon se atij ia fal jeta dhe  u vendos në konakun e bukur që ia ngritën “me një qoshk përmbi çardak.”

Durrës, 1 -12 shtator 2023

Filed Under: Ekonomi

BARDHYL GRACENI, MËSUESI DHE PEDAGOGU I PASIONUAR, STUDIUESI DHE HISTORIANI I ZELLSHËM

December 26, 2023 by s p

Prof.Dr.Roland Gjini/

Të shkruash një artikull e të pasqyrosh në mënyrë të plotë kontributin e një njeriu që tërë jetën ia kushtoi arsimit, forcimit të shkollës dhe studimeve në fushë të pedagogjisë e të historisë, nuk është edhe aq e lehtë. Për më tepër, në rastin tonë, vështirësia rritet më tepër sepse duke njohur nga afër të tëra përmasat e personalitetit dhe të aktivitetit të Prof. i asoc. Dr. Bardhyl Gracenit e kemi të pamundur t’i shpalosim tërësisht ato.

Bardhyl Graceni i përket asaj plejade të apasionuar normalistësh elbasanas të viteve ‘50, që pas përfundimit të Normales, filluan me zell e përkushtueshmëri profesionin sa fisnik aq edhe të vështirë të mësuesit. Militoi si mësues në çdo shkollë ku e emëruan, jashtë qytetit të lindjes. Edhe më pas, për vite të tëra, me familjen e re që krijoi, banoi larg shtëpisë së tij dhe pranë shkollës ku mësonte nxënësit e tij.

Kudo, si mësues, u dallua për dashuri ndaj profesionit e ndaj nxënësve, për profesionalizëm e korrektësi në punë. Paralelisht me ushtrimin e profesionit të mësuesit ndoqi e përfundoi studimet e larta në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën histori-gjeografi me rezultate të mira. 

Si mësues gëzonte respektin dhe dashurinë e nxënësve, të kolegëve si dhe të njerëzve të shumtë që e njihnin dhe e nderonin si mësues të aftë e të përkushtuar. Për këtë mjafton të bisedosh me banorë të qytetit të Cërrikut ku ai punoi gjatë si mësues, duke u vendosur në këtë qytet megjithë familjen e tij.

Që herët, në vitet ’60-të, Bardhyl Gracenin e ka tërhequr jo vetëm profesioni i mësuesit por, edhe fusha e kërkimeve dhe e studimeve shkencore. Që nga kjo kohë e deri në fund të jetës së tij, ai ka dhënë një kontribut të gjerë në fushën e studimeve pedagogjike dhe të shkencës historike. Veprimtaria shkencore e Bardhylit është shumëplanëshe. Nga vitet ‘70 e deri në vitin 1997, kur ndërroi jetë, Bardhyl Graceni mund të renditet si një nga studiuesit e botuesit më të njohur e më të zellshëm të qytetit të Elbasanit në fushat e mësimdhënies, të historisë së arsimit e të shkencës historike.

Studimet e tij ai i ka referuar e kumtuar në mjaft simpoziume e konferenca shkencore jo vetëm lokale por edhe kombëtare e ndërkombëtare. Ka botuar nga artikuj deri në tekste e monografi. Ka dhënë një kontribut të vyer në kualifikimin e mësuesve të historisë, duke referuar me dhjetra kumtesa e informacione të karakterit pedagogjik e shkencor. Studimet e shkrimet e tij në fushën e arsimit, rrokin problematika të tilla, si të metodave të mësimdhënies, të përmirësimit e ristrukturimit të planeve, programeve e teksteve shkollore dhe universitare. Për t’u përmendur në këtë rast, është kontributi i tij në fillim të viteve ‘80, së bashku me grupin e punës, për konceptimin dhe ndërtimin e kurrikulumit (planeve e programeve) të degës së re që përgatitmësues me arsim të lartë për klasat I-IV të shkollës 8-vjeçare.

Është për t’u theksuar edhe këmbëngulja e tij për hapjen e degës së re Histori-gjeografi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, sot Universiteti “Aleksandër Xhuvani”. Ai me argumenta, pranë hallkave shtetërore, shtroi me forcë domosdoshmërinë e hapjes së kësaj dege edhe në Elbasan. U arrit kështu që në vitin shkollor 1990-1991 të hapet pranë Universitetit të Elbasanit dega e mësuesisë për lëndët histori-gjeografi.

Një përkujdesje dhe vullnet të veçantë Bardhyli tregoi për tërheqjen si pedagogë të kësaj dege të një stafi të aftë e të kualifikuar. Në marrëdhënie me ta ai nuk rreshti për t’i ndihmuar e për t’i nxitur në rrugën e kualifikimit të mëtejshëm dhe në punën shkencore. Një drejtim tjetër i aspektit arsimor që tërhoqi vëmendjen dhe interesin e Bardhyl Gracenit, veçanërisht pas vitit 1990, ishin problemet e edukimit qytetar të brezit shkollor.

Periudha e tranzicionit, pas shembjes së regjimit totalitar, krijoi probleme të reja sociale. Situata e re kërkonte edukimin e mentaliteteve të reja, veçanërisht në moshat shkollore. Bardhyli gjykonte se shkolla do të kishte rolin parësor për edukimin qytetar të brezit të ri në kushtet e një shoqërie demokratike. Ai mbështeste mendimin që edukimi qytetar në shkollë realizohet me sukses atëhere kur janë përgatitur kuadrot me mësues të aftë dhe të specializuar. Ishte pikërisht iniciativa dhe përkushtimi i tij për të hapur në Universitetin e Elbasanit një degë të re, që krahas përgatitjes së mësuesve të historisë e të gjeografisë, të përgatiste edhe specialistë për edukimin qytetar për shkollat 8-vjeçare. Nga kontributi i tij dhe i pedagogëve të departamentit të historisë që ai drejtonte, u arrit të hartohet një modalitet i plotë dhe një kurrikulum i arrirë për degën histori-gjeografi-edukatë qytetare. Ministria e Arsimit, duke gjykuar dokumentacionin e paraqitur nga Universiteti i Elbasanit në vitin shkollor 1999-2000, miratoi hapjen e kësaj dege të re, e para degë kjo në universitetet e Shqipërisë për këtë profil.

Veprimtaria e gjerë studiuese e Bardhylit në fushën e arsimit dhe të mësimdhënies u pasqyrua edhe në shtypin shkencor të Institutit të Studimeve Pedagogjike. Në Revistën pedagogjike, organ shkencor i këtij Instituti, ai botoi artikuj si “Veçori të shkollës shqiptare në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare” në vitin 1978, “Aleksandër Xhuvani mbi sistemin e ri arsimor” në vitin 1979, “Mbi përgatitjen me arsim të lartë të mësuesve të ciklit të ulët’, 1982 etj. Mjaft artikuj pedagogjikë ai botoi edhe në gazetën “Mësuesi” si dhe në shtypin lokal.

Bardhyl Graceni ka qenë një bashkëpunëtor i afërt i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. Ai ka marrë pjesë si bashkëautor në hartimin e disa librave shkollorë të historisë si “Historia e kohës së sotme” (për shkollat e mesme profesionale) botim i vitit 1970,“Histori e kohës së re” (për shkollat e mesme të përgjithshme) botime të viteve 1983 dhe 1988. Në fund të viteve ‘80-të bashkëpunoi me grupin e punës të caktuar nga ministria e Arsimit për të rikonceptuar programin dhe tekstin e Historisë së Shqipërisë për klasën e IV të shkollës 8-vjeçare. Ishte një ideator aktiv në hartimin e programit të ri të kësaj lënde që historia të trajtohej me koncepte e njohuri më të thjeshta e më të kuptueshme për nxënësit e kësaj moshe shkollore. Ai mori pjesë edhe në hartimin e tekstit të kësaj lënde, i cili u titullua “Të njohim historinë e popullit tonë”, botuar në vitin 1989 dhe ripunuar në vitin 1990, tekst i cili është ende në përdorim (viti 1999). Me ideimin dhe ndërhyrjen profesionale të Bardhylit,materiali mësimor i këtij teksti u ndërtua duke ndërthurur trajtimin shkencor me paraqitjen e letrarizuar të ngjarjeve e proceseve historike.

Në vitin 1988 ishte bashkëautor në hartimin e tekstit universitar “Historia e Shqipërisë” për studentët e degës së mësuesisë së klasave I-IV të shkollës 8-vjeçare. Gjithashtu leksionet, që Bardhyl Graceni përgatiste dhe mbante me studentët e tij, ishin të një niveli të lartë shkencor e pedagogjik. Ka punuar vazhdimisht që kurrikulumi i degës Histori-gjeografi të përmirësohet duke iu referuar edhe standarteve e modeleve të përparuara botërore.

Prof. i asoc. dr. Bardhyl Graceni ishte edhe një shkencëtar i zellshëm dhe i apasionuar pas shkencës së historisë. Ai është marrë me një sërë studimesh, një pjesë të të cilëve i ka botuar apo referuar nëpër konferenca e simpoziume shkencore. Fushat e studimeve të tij janë të ndryshme. Ai ka ndërmarrë studime për probleme të rëndësishme të historisë së trevës së Elbasanit si dhe të rrafshit kombëtar, për figurat kryesore të historisë sonë kombëtare, për historinë e arsimit shqiptar etj.

Në organin shkencor të Institutit të Historisë, “Studime historike”, ka botuar artikujt “Kriptokristianizmi në Shpat në fund të shekullit XIX deri në vitin 1912” në vitin 1984 dhe “Laramania e shpatarakëve dhe ndërhyrja e tri kishave të huaja” në vitin 1987. Pas vitit 1990, një drejtim i rëndësishëm që tërhoqi vëmendjen e tij si studiues ishte studimi dhe rivlerësimi i jetës dhe aktivitetit të mjaft personaliteteve të kulturës së qytetit të Elbasanit që rregjimi komunist i kishte harruar apo denigruar.

Një pjesë e mirë e studimeve të Bardhyl Gracenit janë botuar, por duhet thënë se mjaft të tjera ai i la në mes, mjaft dokumenta historike të mbledhura në arkiva e burime të ndryshme nuk mundën të interpretohen e të studiohen deri në fund, megjithëse ai punoi në mënyrë intensive deri ditët e fundit të jetës së tij. Aleksandër Xhuvani, një ndër personalitetet e kulturës së Elbasanit e mbarë kombit, për vite të tëra tërhoqi vëmendjen e Bardhylit si studiues. Pas një pune disa vjeçare, ai arriti që në vitin 1980 të botojë monografinë për këtë figurë të shquar të kombit tonë. Në vitin 1995 së bashku me një mikun e tij francez, studiuesin Dr.Gerard Gardes botuan një libër njohës për Shqipërinë, “Le guide de L’Albanie” që u prit mirë në opinionin lexues të Francës. Ky libër është ribotuar tri herë në Francë dhe në një konkurs të zhvilluar në Lion në vitin 1996 ka marrë çmim të parë.

Ka qenë pjesëmarrës në disa studime të ndërmarra nga institucionet shkencore të vendit. Kështu, ai ka marrë pjesë në grupin e punës të ngritur nga Instituti i Studimeve Pedagogjike dhe ka kontribuar dukshëm në kryerjen e studimit për historinë e arsimit në Shqipëri. Ka qenë pjesëtari më aktiv ndër historianët e Elbasanit në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave.

Ishte i përkushtuar dhe i aftë për organizimin dhe zhvillimin me sukses të veprimtarive shkencore. Me një aftësi dalluese përcaktonte problematikat e konferencës apo simpoziumit shkencor, mbante kontakt me personalitete të shkencës historike jo vetëm brenda vendit por edhe me historianë të huaj. Përpiqej që të realizonte pjesëmarrjen e tyre në aktivitet. Janë disa veprimtari shkencore të ideuara e të organizuara nga Bardhyl Graceni. Por ne po përmendim njërën prej tyre, që pati një sukses të dukshëm.

I propozoi kolegëve të vet të departamentit të historisë për mbajtjen e një simpoziumi shkencor për çështjen e feve në Shqipëri. Idenë e tij e thelloi më tej duke ftuar historianë nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë dhe Arkivi Qendror i shtetit. Duke shfrytëzuar njohjen e vet personale me disa studiues të huaj, të njohur për trajtimin e problemeve fetare në Ballkan e Shqipëri, hyri në lidhje me ta dhe i ftoi për të kumtuar. Në fillim të viteve ‘90-të, sapo kishte dalë nga botimi studimi i profesorit italian Roberto Maroko dela Roka “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, i përkthyer edhe në shqip. Megjithëse me këtë studiues nuk kishte njohje të mëparshme, hyri shpejt në lidhje me të dhe arriti të marrë premtimin e tij për të kumtuar në këtë aktivitet. Kështu që në 6-7 qershor të vitit 1994 në ambientet e Universitetit “A.Xhuvani” mbahet kolokiumi (simpoziumi) ndërkombëtar me temë “Rrënjët historike të tolerancës fetare të popullit shqiptar”. Në këtë aktivitet, që është ndër më seriozët e më cilësorët të zhvilluar në këtë universitet, iniciuar e organizuar nga Bardhyl Graceni, referuan e kumtuan studiues jo vetëm nga departamenti i historisë dhe historianë të njohur nga Tirana, por edhe personalitete shkencore nga shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, studiues të huaj nga Franca, Gjermania, Italia e Greqia.

Në vitet ‘90 ishte ndër të parët studiues të Elbasanit që ndjeu nevojën e përgjegjësinë e rivlerësimit dhe të rishkrimit të historisë sonë kombëtare për mjaft probleme që gjatë viteve të sistemit totalitar ishin shmangur ose ishin deformuar. Me modesti bisedonte me çdo koleg, edhe me ne më të rinjtë, kërkonte mendime, ballafaqonte ide, shtronte sipërmarrje të reja në fushën e studimeve. Ndërkohë forconte lidhjet me miqtë e tij studiues të huaj, kërkonte nga ata literaturë dhe mendime. 

Me respekt e nostalgji e kujtoi, pas vdekjes,  prof Bardhylin një nga miqtë e tij të ngushtë, studiuesi grek Teodoris. Madje ai na nxiti që ne të shkruajmë sa më shpejt këtë shkrim. Por kujtimin dhe respektin më të madh profesor Bardhyli e la te kolegët e shokët e vet, te studentët dhe populli i Elbasanit, te familja e tij për të cilën ai u përkushtua deri në fund, te të gjithë ata që e njihnin dhe e nderonin.

Filed Under: Sociale

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE STRATEGJIA USHTARAKE E SAJ

December 26, 2023 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Situata politiko-ushtarake në të cilën u krijua Lidhja

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua dhe veproi prej 10 qershorit të vitit 1879 deri më 30 prill të vitit 1881, në periudhën e krizës që kishte përfshirë Lindjen. Kriza Lindore e viteve 1877-1878 e shoqëruar me përfundimin e luftës ruso-turke dhe disfatën e Turqisë, përkeqësoi autoritetin dhe aftësitë e kësaj perandorie për të ruajtur sferën e influencës mbi shtetet që kishin qenë pjesë e saj. Situata e krijuar me Turqinë dhe veçanërisht vendimet e Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, i cili parashikonte copëtimin e trojeve shqiptare në interes të vendeve fqinjë, shtoi rreziqet për Shqipërinë. Në këto situata, Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët shovinistë të Shqipërisë nuk njohën kombin shqiptar dhe nxituan ta coptonin atë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit mëshiroi në të njëjtën kohë edhe vetë lëvizjen kombëtare që zhvilloi populli shqiptar për të realizuar programin e Rilindjes Kombëtare. E lindur në situata kërcënime e agresione, Lidhja qysh në fillimet e saj mori përmbajtjen e një organizate politike me karakter të theksuar luftarak. Synimi i saj kryesor ishte të mos lejonte copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare nga shtetet fqinje dhe të arrinte shpalljen e autonomisë nga Porta e Lartë. Meqënëse kërkesat e Lidhjes nuk u morën parasysh, lufta me armë për mbrojtjen e territoreve shqiptare u bë objektivi kryesor politik dhe ushtarak i veprimtarisë së saj.

Përcaktimi i qëllimit kryesor dhe i strategjisë ushtaarke

Në përputhje me strategjinë politike, si qëllim kryesor të luftës, Lidhja përcaktoi mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe thyerjen e çdo agresioni të mundshëm nga jashtë. Nisur nga ky qëllim, lidhja përcaktoi edhe konceptin strategjik, thelbin e të cilit e përbënte kryesisht karakteri mbrojtës i luftës, por pa hequr dorë nga lufta për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara nga Mali i Zi dhe Serbia gjatë viteve 1877-1878. Në këtë kuadër ajo formuloi edhe strategjinë e saj ushtarake, objektivat kryesorë të së cilës ishin: organizimi dhe kompletimi i ushtrisë vullnetare; pajisja dhe armatimi i saj; hartimi i planeve për mbrojtjen e territoreve si dhe të kundërmësymjes për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara; organizimi i prapavijës dhe zgjidhja e problemeve të drejtimit etj.

Në kërkesat e saj për mobilizimin e burimeve njerëzore, lidhja synonte për një angazhim mbarëkombëtar, baza kryesore e të cilit do të ishte vullnetarizmi i tyre. Kriteri bazë i mobilizimit mbështetej në traditën shumë shekullore “një luftëtar për shtëpi”, por në raste të situatave kritike dhe në krahinat kufitare shpesh gjente zbatim parimi “tre luftëtarë për shtëpi”. Forcat e Armatosura do të quheshin “Roja Kombëtare” dhe bazuar në regjistrimin e popullsisë të bërë nga Lidhja do të arrinte në 260.000 veta. Në varësi të situatës, koncepti për mobilizimin e popullsisë do të realizohej i pjesshëm dhe i përgjithshëm. Mobilizimi i pjesshëm do të bëhej për kompletimin e reparteve dhe njësive që do të përdoreshin për mbrojtjen e zonave kufitare në rast mësymje të armikut. Mobilizimi përfshinte moshat 15-70 vjeç. Të mobilizuarit, grumbulloheshin në “Kampe Ushtarake”, në të cilat pas organizimit në reparte dhe njësi, i nënshtroheshin stërvitjes ushtarake. Qendra të tilla u krijuan në rajonet kufitare si në Ulqin, Shkodër, Plavë, Guci, Pejë, Novipazar, Gjakovë, Shkup etj.

Strukturat e Lishjes Shqiptare të Prizrenit

Struktura e “Rojës Kombëtare” do të përbëhej nga pesë korpuse, prej tyre katër në Shqipërinë e Veriut dhe një në Shqipërinë e Jugut. Çdo korpus do të përbëhej nga disa brigada dhe në tërësi do të ishin forca këmbësorie. Në disa drejtime forcat e Lidhjes u përforcuan me artileri, mjete lundruese, ndërlidhje, shërbim të zbulimit, reparte shetitëse dhe reparte të mbrojtjes së kalave. Në planet e Lidhjes kërkohej që në çdo batalion këmbësorie të formohej kompania kalorëse e cila do të përdorej për transport njerëzish dhe të materialeve luftarake. Strukturat e mëdha ushtarake, korpusi dhe divizioni nuk konceptoheshin si njësi të përhershme. Ato qëndronin të grumbulluara për aq kohë sa vazhdonte kërcënimi për luftë. Karakteristikë ishte se strukturat dhe organikat luftarake ishin përcaktuar me detaje. Çdo njësi, repart e nënrepart kishte të përcaktuar strukturën vartëse, sasinë e luftëtarëve, strukturat mbështetëse, nivelin e gradave të drejtuesve etj. Sipas organikave të përgatitura çdo kompani do të kishte 100 luftëtarë; batalioni do të kishte katër kompani këmbësorie dhe një kompani kalorësie me efektiv të përgjithshëm 500 veta; një regjiment do të kishte katër batalione me efektiv të përgjithshëm 2.000 veta; ndërsa brigada do të kishtë 4.000 veta. Në raste situatash të ngutëshme strukturat mund të reduktoheshin, kështu batalioni mund të kishte 3.000 veta, regjimenti rreth 1.200 veta dhe brigada rreth 2.500 veta. Sipas përllogaritjeve të Lidhjes “Roja Kombëtare” do të kishte 380 batalione në Shqipërinë e Veriut dhe 100 batalione në Shqipërinë e Jugut.

Në pikëpamje të përdorimit të forcave sipas nevojave për përballimin e kundërshtarit, lidhja ngriti një sistem të admirueshëm gadishmërie i cili përfshinte forcat e ruajtjes, zbulimit, sigurimit, të përballimit të agresionit etj. Në varësi të veprimeve të kundërshtarit, të kohës së nevojshme për futje në luftim, largësisë së rajoneve të mobilizimit, forcat e gadishmërisë ndaheshin: të radhës së parë, të dytë dhe të tretë. Forca të radhës së parë ishin repartet kufitare, të ruajtjes dhe të zbulimit, të cilat zakonisht formoheshin nga vullnetarët e popullsisë kufitare. Detyra kryesore e këtyre reparteve ishte vrojtimi, zbulimi dhe pengimi i kundërshtarit.

Forca të radhës së dytë ishin forcat që formonin njësitë kryesore për mbrojtje. Ato formoheshin nga vullnetarë, nga popullsia në thellësi të territorit të vendit dhe organizonin mbrojtjen për të përballuar mësymjen e armikut.

Forca të radhës së tretë ishin forcat e rezervës strategjike dhe dilnin nga viset e thella të vendit. Detyra kryesore e tyre ishte përforcimi i mbrojtjes dhe dhënia e kundërgoditjeve dhe kundërmësymjes. Në planin e lidhjes, forcat e Shqipërisë së Mesme ku bënin pjesë popullsia e Matit, Krujës, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit përbënin rezervat strategjike të Lidhjes dhe do të përdoreshin për në përforcimin e mbrojtjes në drejtim të Shkodrës si dhe do të merrnin pjesë në kundërmësymjen për të rimarrë territoret e pushtuara nga Mali i Zi. Në konceptin e saj për mbështetjen, lidhja krijoi aparatin e prapavijës, i cili do të merrej me sigurimin e armatimit, municionit, ushqimit, veshmbathjes, strehimit të efektivave etj. Në krye të këtij aparati qëndronte një komision i cili kishte strukturat vartëse në çdo krahinë. Këto komisione kishin në varësi reparte speciale shëndetësore, transporti dhe ruajtje.

Drejtimi dhe organizimi ushtarak i Lidhjes

Drejtimi – Organizimi më i lartë ushtarak i Lidhjes ishte Seksioni i Financës dhe i Mbrojtjes. Ky seksion mori formën e një Këshilli dhe Shtabi Ushtarak Madhor duke vepruar kështu deri në fund të aktivitetit të Lidhjes më 1881, kohë kur Lidhja u shyp nga ushtria turke. Seksioni i mbrojtjes kishte për detyrë të hartimit të planeve dhe urdhërave për mobilizimin dhe plotësimin e formacioneve luftarake; të organizimit e të kontrollit të gadishmërisë; të drejtimit e bashkëveprimit strategjik etj. Ky sektor drejtohej nga Sulejman Vokshi dhe aktiviteti i tij drejtues u ndje në njësitë e Shqipërisë Veriore, Kosovës, Rafshit të Dukagjinit, Dibrës dhe Shkupit.

Organe drejtuese politiko-ushtarake të një shkalle më të vogël ishin “Komitetet e Mbrojtjes” të degëve kryesore të Lidhjes. Këto komitete kryesisht morën karakterin e shtabeve ushtarake dhe u morën me problemet e organizimit të mbrojtjes. Në situata të veçanta këto komitete edhe shtabe ushtarake speciale të cilat merreshin me drejtimin e operacioneve të veçanta u quajtën edhe “Komitete shpëtimi”, “Qendra të operacioneve“, ose “Këshillat e oficerave të divizioneve” etj.

Zgjedhja dhe përcaktimi i kuadrit komandues u vlerësua si një nga çështjet më serioze në organizimin e strukturave ushtarake. Udhëzimet e dhëna nga Lidhja ishin që përzgjedhja të bëhet nga njerëzit që kishin aftësi, përvojë dhe autoritet. Zgjedhja e tyre të bëhet vetëm me pëlqimin e popullsisë. Një kontigjent i mirë komanduesish ishin dhe ish-ushtarakë shqiptarë që kishin shërbyer më parë në ushtrinë turke. Për realizimin e objektivave ushtarake, Lidhja formuloi edhe “Planet Strategjike”, qëllimet e të cilave shpehen qartë në urdhëresën ushtarake të saj të 18 qershorit 1878 ku parashikonte: “….ndarje pune për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë prej veriut deri në jug, ndihmën ushtarake të shoqishoqme”. Në planet strategjike jepen udhëzime për organizimin e mbrojtjes me drejtime të përcaktuara strategjike.

Drejtimet kryesore strategjike

Drejtimet kryesore strategjike u vlerësuan ai kundër Malit të Zi dhe Serbisë e më pas vinte ai Greqisë. Në këtë kuadër ishte parashikuar edhe ndarja e përgjegjësive dhe detyrave operacionale të strukturave ushtarake që kishte Lidhja. Kështu Korpusi i Kosovës, i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta duhej të mbronte një front prej 250 km. Detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes Serbe, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara nga serbët para vitit 1878. Korpusi i Shkodrës i cili parashikohej të arrinte 60.000 veta duhej të mbronte një front prej 200 km. Detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes malazeze, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara të tyre. Korpusi i Shkupit i cili parashikohej të arrinte 40.000 veta duhej të mbronte një front prej 40 km. Detyra kryesore e tij ishte mbrojtja në drejtim të Bullgarisë. Ky korpus ishte parashikuar të përforconte Korpusin e Kosovës për mbrojtje si dhe gjatë pjesëmarjes në kundërmësymje. Korpusi i Shqipërisë së Jugut i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta, detyrë kryesore të tij kishte përballimin e agresionit grek. E veçanta ishte se mbrojtja në këtë drejtim parashikohej me sektorë të veçantë. Korpusi i Novipazarit, i cili parashikohej të arrinte 20.000 veta, do të shërbente si forcë plotësuese e Kopusit të Kosovës dhe atij të Shkodrës dhe nuk kishte front të veçantë mbrojtje.

Vlerësimi i terrenit dhe madhështia e Lidhjes

Vlerësimi real i terrenit, veçanërisht i viseve kufitare shqiptare ku pjesën dërmuese të tij e përbënte terreni i thyer malor, bëri që organizimi i mbrojtjes të bëhet me drejtime, duke mbuluar rrugëkalimet dhe luginat kryesore. Kjo bëri që fronti i vendosjes për mbrojtje të zvogëlohej dhe njëkohësisht krijonte mundësi të kursimit të forcave të cilat mund të përdoreshin në drejtime të tjera. Në kuadër të parashikimit të kalimit në kundërmësymje veçanërisht në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë Lidhja parashikoi jo vetëm sasinë e forcave pjesëmarrëse, por edhe masat që do të shoqëronin këto operacione si mbështetja dhe sigurimi i prapavijës materialo-teknike, kryerja e manovrës së forcave, organizimi i bashkëveprimit midis njësive të mëdha etj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në të njëjtën kohë një lëvizje kombëtare e mbarë shqiptarëve, të cilët kudo që u ndodhën, në qytet apo në fshat, në malësi apo në fushë, në atdhe apo në mërgim, luftuan për të realizuar programin e saj, pavarësisht nëse bënin pjesë në hallkat e saj organizative. Veprimtarinë e saj tre vjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e zhvilloi në rrethana politike të brendshme dhe të jashtme më të ndërlikuara se ato të lëvizjeve antiosmane të shekujve të kaluar. Këtë radhë shqiptarët patën kundër tyre jo vetëm Perandorinë e Gjysmëhënës, jo vetëm qarqet feudale dhe klerikale sulltaniste, por edhe reaksionin ndërkombëtar, të gjitha Fuqitë e Mëdha që diktonin fatin e popujve të vegjël së bashku me monarkitë fqinje ballkanike.

Madhështia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qëndron në faktin se duke vepruar në kushtet e zgjidhejs shekullore të huaj ajo u lëshoi sfidë të gjithë armiqëve të Shqipërisë. Madhështia e saj qëndron në udhëheqjen e lëvizjes kombëtare për autonominë e Shqipërisë në mënyrë të shkallëzuar por gjithnjë në rritje, derisa arriti në momentin e saj kulmor, të formonte qeverinë e përkohshme shqiptare dhe të hynte në luftë të armatosur me Portën e Lartë për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1405
  • 1406
  • 1407
  • 1408
  • 1409
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT