• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa, Romës e Botës: me sytë e ngulur te Krishti Fëmijë, kërkoj paqe

December 25, 2023 by s p

Nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku shqipton mesazhin tradicional të Krishtlindjes dhe e çon mendjen në Tokën Shenjte, nën dhunë: “Të ndalen operacionet ushtarake dhe t’u hapen dyert ndihmave”. Pastaj, lutjet për Ukrainën, Sirinë, Libanin, Jemenin, Korenë, Afrikën. Ati i Shenjtë denoncon masakrat e shumta të të pafajshmëve në botë dhe tregtinë e armëve, që “lëviz fijet e luftërave”: “Sa para publike destinohen për armatime”

R.SH. / Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Krishtlindjen!

Sytë dhe zemrat e të krishterëve anembanë botës drejtohen sot nga Betlehemi; atje ku këto ditë mbretëron dhimbja dhe heshtja, kumboi lajmi i pritur ndër shekuj: “Për ty lindi Shëlbuesi, që është Krishti Zot” (Lk 2,11). Janë fjalët e engjëllit në qiellin e Betlehemit e na drejtohen edhe neve.  Mbushem me besim dhe shpresë kur mësojmë se Zoti lindi për ne; se Fjala e përjetshme e Atit, e Hyjit të pafundëm, e bëri shtëpinë e tij mes nesh. Ai u mishërua, erdhi “të jetojë mes nesh” (Gjn 1,14): ja lajmi që ndryshon rrjedhën e historisë!

 Me këto fjalë të Papës fillon mesazhi Urbi et Orbi, që Ati i Shenjtë, siç është traditë, ia drejton për Krishtlindje Romës dhe botës. E me këto fjalë, redaksia e gjuhës shqipe në Radio Vatikan / Vatican News, iu uron të gjithë juve, për shumë mot Krishtlindjen. Foshnja hyjnore sjelltë bekime e gëzime në të gjitha familjet e në jetën tuaj.

Në Betlehem – shpjegoi sot Papa në mesazhin Urbi et Orbi – shpallet një “gëzim i madh” (Lk 2:10). Çfarë gëzimi? Jo lumturia kalimtare e botës, jo gëzimi i argëtimit, por një gëzim “i madh” sepse na bën “të mëdhenj”. Sot ne, qeniet njerëzore, me kufizimet tona, rrokim sigurinë e një shprese të paparë, atë që na kujton se lindëm për Parajsë. Po, vëllai ynë Jezusi erdhi për ta bërë Atin e tij, Atin tonë: Fëmijë i brishtë, ai na zbulon butësinë e Perëndisë; e edhe shumë më tepër: Ai, Biri i vetëm i Atit, na jep “fuqinë për t’u bërë bij të Zotit” (Gjoni 1:12).

Ja pra gëzimi që ngushëllon zemrën, përtërin shpresën e dhuron paqen: është gëzimi i Shpirtit Shenjt, gëzimi se jemi fëmijë të dashur.

Vëllezër dhe motra, – nënvizoi Ati i Shenjtë – sot në Betlehem mes errësirës së tokës u ndez kjo flakë e pashuar, sot mbi errësirën e botës, sundon drita e Zotit “që ndriçon çdo njeri” (Gjoni 1,9). Le të gëzohemi për këtë hir. Gëzoju ti, që e ke humbur besimin dhe sigurinë, sepse nuk je më vetëm: Krishti lindi për ty! Gëzohu ti, që hoqe dorë nga shpresa, sepse Zoti po ta jep dorën: nuk të jep gishtin, por të shtrin dorën e tij të vogël prej ferishteje, për të të çliruar nga frika e nga mundimi dhe për të të treguar se në syte e tij ti vlen ma shumë se çdo gjë tjeter . Gëzohu, ti që nuk mund të gjesh paqe në zemrën tënde, sepse për ty është përmbushur profecia e lashtë e Isaisë: “Na lindi një fëmijë, na u dha një djalë […]  emri i tij do të jetë: […] Princi i Paqes” (9.5)”. Me Të “paqja nuk do të ketë mbarim” (9.6).

Në Shkrimin Shenjt, Princit të Paqes i kundërvihet “princi i kësaj bote” (Gjn 12,31), i cili, duke mbjellë vdekjen, vepron kundër Zotit, “dashuronjësit të jetës” (Dija, 11,26). E shohim në veprim në Betlehem kur, pas lindjes së Shëlbuesit, ndodh masakra e të pafajshmëve. Sa masakra të të pafajshmëve në botë: në barkun e nënës, në rrugët e të dëshpëruarve në kërkim të shpresës, në jetën e shumë fëmijëve, fëmijëria e të cilëve është shkatërruar nga lufta. Janë Jezusët e vegjël të sotëm.

Pra, t’i thuash “po” Princit të Paqes, do të thotë t’i thuash “jo” luftës, çdo lufte, vetë logjikës së luftës, udhëtim pa cak, humbje pa fitues, çmenduri pa justifikime – vuri në dukje Papa gjendjen aktuale, në të cilën ndodhet bota. – Por për t’i thënë “jo” luftës, duhet t’i thuash “jo” armëve. Mbasi, nëse njeriu, zemra e të cilit është e paqëndrueshme dhe e plagosur, mban mjete vdekjeje në duar, herët a vonë do t’i përdorë. E si mund të flasim për paqe, nëse rritet prodhimi, shitja dhe tregtia e armëve? Sot, si në kohën e Herodit, komplotet e së keqes, që i kundërvihen dritës hyjnore, lëvizin nën hijen e hipokrizisë dhe të fshehjes: sa masakra të armatosura ndodhin në heshtje shurdhuese, pa dijeninë e shumëkujt! Populli, që nuk do armë, por bukë, që lufton për të ecur përpara dhe për të kërkuar paqen, nuk e di sa para publike përdoren për armatim. E pra, ai duhet ta dijë! Duhet folur, duhet shkruar për të, që t’i dimë interesat dhe fitimet të cilët i lëvizin fijet e luftërave.

Isaia, i cili profetizoi Princin e Paqes, shkroi për një ditë kur “një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një kombi tjetër”; për një ditë, në të cilën njerëzit “nuk do të mësojnë më artin e luftës”, por “do t’i shkrijnë shpatat e tyre dhe do t’i bëjnë parmenda e shtizat e tyre do t’i shndërrojnë në drapinj” (2.4). Me ndihmën e Zotit le të bëjmë çmos që ajo ditë të afrohet! – kërkoi Françesku, duke përmendur më pas vendet e planetit, më të përflakura nga konfliktet.

U afroftë në Izrael dhe Palestinë, ku lufta trondit jetën e atyre popullsive. I përqafoj të gjithë, në veçanti bashkësitë e krishtera të Gazës dhe të gjithë Tokës Shenjte. Kam në zemër dhimbjen për viktimat e sulmit të dhunshëm të 7 tetorit dhe përsëris thirrjen e ngutshme për lirimin e atyre që janë ende peng. Lutem të marrin fund operacionet ushtarake, me pasojat e tyre të frikshme të viktimave të pafajshme civile dhe të korrigjohet situata e dëshpëruar humanitare duke lejuar mbërritjen e ndihmave. Mos vazhdoftë ushqimi i dhunës dhe i urrejtjes, por të zgjidhet çështja palestineze, përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës ndërmjet palëve, të mbështetur nga një vullnet i fortë politik dhe nga ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.

Mendimi im shkon më pas te popullsia e Sirisë së martirizuar, si dhe tek ajo e Jemenit, që vijon të vuajë. Mendoj për popullin e dashur libanez dhe lutem që së shpejti të gjejnë stabilitet politik dhe social.

Me sytë e ngulur te Krishti Fëmijë, kërkoj paqe për Ukrainën. Ta përtërijmë afërsinë tonë shpirtërore dhe njerëzore me popullin e saj të munduar, që me mbështetjen e secilit prej nesh ta ndjejnë konkretësinë e dashurisë së Zotit.

U afroftë dita e paqes përfundimtare ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit. U inkurajoftë nga vazhdimi i nismave humanitare, kthimi i të shpërngulurve në shtëpitë e tyre lirisht dhe në siguri si dhe respekti i ndërsjellë për traditat fetare dhe vendet e kultit të çdo bashkësie.

Të mos harrojmë tensionet dhe konfliktet që tronditin rajonin e Sahelit, Bririn e Afrikës, Sudanin, si dhe Kamerunin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.

Ardhtë dita kur lidhjet vëllazërore në gadishullin Korean do të forcohen, duke hapur shtigje dialogu dhe pajtimi që mund të krijojnë kushtet për paqe të qëndrueshme.

Biri i Zotit, që u bë Fëmijë i përvujtë, frymëzoftë autoritetet politike dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë në kontinentin amerikan, që të gjenden zgjidhje të përshtatshme për të kapërcyer mosmarrëveshjet sociale dhe politike, për të luftuar kundër formave të varfërisë që fyejnë dinjitetin e njerëzve, për t’i rrafshuar pabarazitë dhe për të përballuar fenomenin e dhimbshëm të migrimit – vijoi Ati i Shenjtë.

Nga Shpella e Betlehemit, Foshnja na kërkon të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë: zëri i të pafajshmëve, që vdiqën për mungesë uji dhe buke; zëri i atyre që nuk gjejnë punë ose e kanë humbur; zëri i atyre që detyrohen të largohen nga atdheu në kërkim të një ardhmërie më të mirë, duke rrezikuar jetën e tyre në udhëtime sfilitëse dhe në mëshirën e trafikantëve të paskrupullt.

Vëllezër dhe motra, – iu drejtua Papa besimtarëve, që e kishin mbushur plot Sheshin e Shën Pjetrit – po afron koha e hirit dhe e shpresës së Jubileut, e cila do të fillojë pas një viti. Kjo periudhë e përgatitjes është mundësi për kthimin e zemrës; për t’i thënë “jo” luftës dhe “po” paqes; për t’iu përgjigjur me gëzim ftesës së Zotit që na thërret, ashtu siç profetizoi Isaia, “për t’u sjellë lajme të mira të varfërve, / për të lidhur plagët e zemrave të thyera, / për të shpallur lirinë e skllevërve, / për lirimin e të burgosurve (Is. 61,1).

Këto fjalë u përmbushën në Jezusin (shih Luka 4:18), që lindi sot në Betlehem. Ta mirëpresim, t’ia hapim zemrat Atij, Shëlbuesit, Princit të paqes! – me këto fjalë e përfundoi Papa Françesku mesazhin Urbi et Orbi.  

Në përfundim, të gjithë atyre, që morën bekimin e tij apostolik, edhe përmes mjeteve të komunikimit, Ati i Shenjtë u dha ndjesën e plotë sipas normave të zakonshme të Kishës Katolike, që parashikojnë pendesën e rrëfimin e mëkateve.

Filed Under: Sociale

Vatra, shpirti i shenjtë i patriotizmës dhe shqiptarizmës

December 25, 2023 by s p

Andrea Sotir Pani/

Ngritja e degës së Vatrës në Boston është një eveniment historik që unë si stërnip i Josif Panit, nip Vasil Panit dhe i biri Sotir Panit i edukuar me atdhedashurinë dhe i rritur me historinë e Vatrës ju bashkëngjita grupit organizues të Bostonit dhe kandidova për të dhënë kontributin tim për këtë organizatë të vyer me histori unike dhe të lavdishme patriotike. Falenderoj të gjithë vatranët e vjetër dhe të rinj të Bostonit, kryetarin e Vatrës, kryesinë, Këshillin dhe të deleguarit e kryesisë së Vatrës që ndodheshin në kuvënd për nderin dhe respektin që kanë treguar për famijen Pani ndër vite dhe sërishmi në kuvëndin zgjedhor të Vatrës së Bostonit. Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit për nderimin dhe respektin që më bënë si person, si histori familjare dhe mbi të gjitha si Vatër e të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Amaneti, nderi dhe respekti, fjalët e z. Malota i cili solli në jetë një dialog midis Kostë Çekrezit dhe Vasil Panit mi njomën sytë. Urime z.Mentor Maksutaj dhe suksese degës së Vatrës Boston. Uroj që Vatra të eci gjithmonë në gjurmët dhe me idealin e atyre që e themeluan. Rrënjët e saj duhet të ushqehen nga brezi i ri që të mos shuhet kurrë, por ta trashëgojmë nder breza. Unë jam gati të ndihmoj për këtë mision dhe betohem në emër të Zotit dhe për këtë flamur që do ta mbaj amanetin e të parëve të mi dhe do bëj ç’është e mundur për ta pasuar tek pasardhësit e mi. Jam krenar dhe i gëzuar që Vatra qëndron e shenjtë, shpirti i patriotizmit dhe

shqiptarizmës qëndron i gjallë në zemrat tona. Me krijimin e Vatrës Boston komuniteti shqiptar i Bostonit dhe rrethinave të tij u zgjua nga gjumi i gjatë letargjik. Falenderimet më të veçanta i takojnë grupit organizator për punën e shkëlqyer. Këtij grupi patriotik me vizion unë iu bashkëngjita që në hapat e para i frymëzuar nga vepra e atyre që themeluan dhe e mbajten Vatrën gjallë ndër dekada. Midis tyre, stergjyshi dhe gjyshi tim Josif e Vasil Pani kanë pasur një rol dhe ndikim jashtëzakonshëm. Ata luftuan me penë, pushkë dhe të holla për atdheun

dhe mëmëdheun e tyre. Vasil Pani financoi personalisht në vitet e depresionit të madh për

ta patur Vatrën edhe sot të fortë e trashëguese të jetëgjatësisë historike. Faik Konica në gazeten Dielli është shprehur: “Josif Pani ishte një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të kthejllta, një bashkëpunëtor imi i vjetër dhe një mik i patundur”. Ndërsa Noli shprehet se Vasil

Pani ka qenë gjithmonë në ballë të taborrit të shqiptarizmës”. Duke marrë pjesë në punën patriotike të Vatrës në Boston, i qëndroj besnik misionit patriotik dhe amanetit të të parëve të mi të cilët me patriotizmin e tyre më frymëzuan dhe edukuan me dashurinë për atdheun tim. Historikisht shqiptari ka qenë dinjitoz, i qetë dhe krenar se ka luftuar për atdheun dhe mëmëdheun e tij. Ne po e forcojmë Vatrën në vendlindjen e saj në Boston. Mendoj që duhet të punojmë fort dhe t’ia lëmë stafetën brezit të ri që Vatra të ketë një të ardhme të sigurtë dhe të ndritur si vetë historia e saj. Nderim dhe respekt themeluesve të Vatrës dhe atyre që e mbajtën Vatrën gjallë deri më sot. Zoti na ndihmoftë që të trashëgohet brez pas brezi. Rroftë populli shqiptar, kombi shqiptar dhe miqtë tanë kudo ku ndodhen.

Filed Under: Komunitet

Papa falënderon Kardinal Ernest Simoni për dëshminë, me rastin e 60-vjetorit të arrestimit

December 25, 2023 by s p

https://www.vaticannews.va/

Papa kardinalit shqiptar Simoni: “Dëshiroj t’Ju shpreh afërsinë time shpirtërore me rastin e 60-vjetorit të arrestimit tuaj. Faleminderit për dëshminë, faleminderit për çka bëre e bën për Kishën. Vijo të jesh ikona gëzimplote e dashurisë së Krishtit, Bariut të Mirë, që flijoi jetën për të gjithë. Duke Ju uruar Krishtlindje të Shenjta, ju jap me gjithë zemër bekimin tim, të cilin e shtrij edhe mbi të gjithë ata të cilët ndajnë me ty këtë çast hiri”.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku i shpreh afërsinë shpirtërore kardinalit Ernest Simoni, sot, kur mbushen 60-vjet nga arrestimi i tij nga regjimi komunist në Shqipëri, duke i uruar përzemërisht Krishtlindjen.

Françesku falënderon Kard. Ernest Simoni për dëshminë, dhënë për Kishën  

Letra Papëa dërguar kardinalit Simoni

Letra Papëa dërguar kardinalit Simoni

Më poshtë, Letra papnore:

Nga Vatikani 30 dhjetor 2023

I dashur Vëlla,

Dëshiroj t’Ju shpreh afërsinë time shpirtërore me rastin e 60-vjetorit të arrestimit tuaj. Faleminderit për dëshminë, faleminderit për çka bëre e bën për Kishën. Vijo të jesh ikona gëzimplote e dashurisë së Krishtit, Bariut të Mirë, që  flijoi jetën për të gjithë.

Duke Ju uruar Krishtlindje të Shenjta, ju jap me gjithë zemër bekimin tim, të cilin e shtrij edhe mbi të gjithë ata të cilët ndajnë me ty këtë çast  hiri. Lutuni për mua, ashtu si e edhe unë do të lutem për Ju e të dy do të lutemi për paqen në botë.

Vëllazërisht

Françesku

Filed Under: Opinion

Jeta

December 25, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Pas një rrëzimi, njeriu është në ngjitje malit të lartë. Ka më shumë se gjysmë milioni njerëz që jetojnë në mbarë botën të cilët janë të moshës 100 vjeç e lart. Falë përmirësimeve në kushtet e jetesës, ushqimin dhe kujdesin shëndetësor, thotë shkenca – apo dorës së Zotit, thotë feja – numri i njëqindvjeçarëve është rritur ndjeshëm dhe vazhdon të zgjatet.

Në vitin që 1960, kur kishte vetëm rreth 20,000 njerëz që jetonin një shekull. Kjo moshë, larg nga kohët kur figura biblike, Adami, Noa e të tjerë, jetonin mbi 900 vjeç. Atëherë askush nuk i referohej shkencës – ajo as që ishte – por dhuntisë së Perëndisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë numrin më të madh të njëqindvjeçarëve, rreth 100,000 persona. Në fakt, deri vonë, Japonia ishte vendi i personit më të vjetër në botë, Kane Tanaka, i cili vdiq në vitin 2022 në moshën 119-vjeçare. Njeriu më i vjetër i të gjitha kohërave (mosha e të cilit është dokumentuar) ishte Jeanne Calment, një superqindvjeçare franceze me një jetëgjatësi prej 122 vjetësh e 164 ditësh.

Mënyra se si njëqindvjeçarët arrijnë të jetojnë për kaq shumë vite ka pushtuar prej kohësh imagjinatën e publikut. Ata shpesh pyeten për stilin e tyre të jetesës, sekretin e jetëgjatësisë dhe mençurinë që kanë mbledhur në vitet e tyre të avancuara. Megjithatë, përgjigjet e tyre priren të jenë po aq të ndryshme sa edhe jetët që kanë jetuar:

Nëse pyesni se cili është çelësi i vetëm më i rëndësishëm për jetëgjatësinë, ata thonë se është shmangia e shqetësimit. Jeta është ajo që bëjmë, gjithmonë ka qenë, gjithmonë do të jetë.

Lumturia qëndron në momente dhe ndërkohë nuk je as i vetëdijshëm; vetëm më pas e kupton se si ishe. Kur kujtojmë të kaluarën, zakonisht zbulojmë se janë gjërat më të thjeshta – jo rastet e shkëlqyera – ato që në retrospektivë japin shkëlqimin më të madh, thoshte Bob Hope.

E rëndësishme është të jetosh në të tashmen – e djeshmja ka ikur, e nesërmja nuk e di nëse do të vijë. Njeriu duhet ta marrë atë që vjen, me të qeshur. Gjysma e suksesit në jetë vjen nga përpjekjet për të gjetur se çfarë dëshiron të bësh vërtet.

Kuptoni ndryshimin e kohërave – mos qëndroni kurrë të mbërthyer në të kaluarën.

Gjithmonë ka diçka për të cilën mund të shqetësohemi. Sekreti është të ngrihemi mbi të dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për ta tejkaluar. Nëse përpiqeni të jeni të sjellshëm me njerëzit, do të jeni në rrugën e një jete të mirë.

Filed Under: ESSE

Christo Peter Athanas, jetëgjati që mundësoi uljen në Hënë të Apollo 11

December 25, 2023 by s p

Artur Vrekaj, Massachusetts/

Christo P. Athanas lindi më 25 Dhjetor 1914, ditën e Krishtlindjeve në Southbridge, Massachusetts nga prindër shqiptarë, prandaj babai i tij e pagëzoi me emrin Christo. Mbylli sytë, 108 vjet më pas, më 13 Tetor 2023.

Christo Athanas ishte një sipërmarrës me aftësi bashkëhore inxhinierike dhe pse la në mes studimet në shkollën e mesme Mary E Wells, ai mori leksione për matematikën dhe biznesin në Boston University.

Pas eksperiencës inxhinierike në American Optical, më 1957 ai hapi në Southbridge, Massachusetts kompaninë ATHBRO Precision and Engineering ku punoi për departamentin e mbrojtjes Amerikane, për programet e hapësirës së NASA dhe të marinës detare. Christo shfaqi talentin e tij kur u përkushtua për sistemet e drejtimit, lundrimit dhe kontrollit të anijes kozmike Apollo 11, në veçanti , që është e para anije kozmike që kozmonautët Amerikanë e ulën në Hënë më 20 Qershor 1969.

Massachusetts Institute Technology në Cambridge, MA e ka vlerësuar me titull për punën e tij kërkimore-shkencore bazuar në përmbushjen e programit të hapësirës. Athanas zotëronte disa patenta lidhur me funksionimin e motorrit të anijes kozmike. Ai u bë një nga mësuesit më praktikantë të shkollës technike rajonale të Charlton, MA për 13 vjet.

Christo do të mbetet në breza shqiptaro-amerikanësh një emër mëndjendritur që frymëzoi Shqiptaro-Amerikanët dhe Amerikanët për aftësitë dhe talentin e tij në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Këto janë Krishtlindjet e para pa Christon, më jetëgjatin e Massachusetts në Southbridge, atje ku shqiptarët e brezit të dytë të shekullit të kaluar përcjellin ende traditat kombëtare me kishën Shqiptare.

24 Dhjetor 2023

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1407
  • 1408
  • 1409
  • 1410
  • 1411
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT