• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë

December 20, 2023 by s p

-Kryeministri Kurti mori pjesë në ekspozitën ‘’Bebëzat e mallit’’, dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë\

Prishtinë, 20 Dhjetor 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vizitoi ekspozitën “Bebëzat e mallit”, të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë.

Krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë, është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

“Në qorrsokakun e përgjakshëm

Ku e vranë foshnjën e sapolindur

Dhe babanë e saj

U desh të kalojnë 20 vjet

Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet

Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,

I afroi tek gjiri i saj.

Më paska pritur a?
Se nuk qenka rritur fare tha

E buzëqeshi

Mu para se të hapej toka

E ta përpinte.”

Këto janë vargje të poetit tonë të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.

Këtë po e gjejmë edhe sonte, këtu, në një dimension të veçantë, me kujtimet për fëmijët dhe kujtimet e fëmijëve në luftë.

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

E nderuar kuratore e ekspozitës, znj. Vesa Sahatçiu,

I nderuar z. Korab Krasniqi,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

na ka mbledhur kjo ekspozitë me titull poetik “Bebëzat e mallit”, kushtuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë. Na flet për “fëmijëri të rrëmbyera”. Sikurse titulli i libër kujtimit mbi të cilin bazohet ajo.  

Krahas së qenurit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë është edhe ftesë për reflektim e përfshirje në diskutim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.

Mirënjohje e falënderim për bashkërendimin e përpjekjeve të institucioneve dhe partnerëve tanë që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.

Ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.

Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre.

Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri. Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë!

Filed Under: Kronike

Haxhi Zeka, një ndër organizatorët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit, kontributor i shquar i çështjes shqiptare

December 20, 2023 by s p

Albert Vataj/

Haxhi Zekë Byberi i njohur në histori Haxhi Zeka ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës së Lidhjes, ku u shqua si prijës ushtarak me kontributor në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.

Lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, i biri i Mehmetit të Abedin Byberit dhe Zelfije gjocaj nga Deçani. Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte tejet karizmatik. Qe ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.

Më 21 shkurt 1902, në qarshinë e Pejës u vra udhëheqësi i madh nacionalist shqiptar Haxhi Zeka. Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zajmin. Ky nxiti të birin, Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën. Haxhi Zeka u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë. Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar atij para vrasjes. Në foto Haxhi Zeka (i ulur në mes) me Ali Pashën e Gucisë (ulur, i pari nga e majta) dhe anëtarë të tjerë të Lidhjes së Prizrenit.

Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.

Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë. Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane.

Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 në Kuvendin e Pejës ku u mblodhën 450-500 vetë u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj, dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.

Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë. Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt të 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe. Mendohet se Haxhiu i ofroi disa herë Perandorisë Austro-Hungareze shërbimet e veta dhe idenë për një bashkim mes Vilajeteve shqiptare dhe saj, por autoritetet vjeneze nuk i zinin besë sepse qe tejet i lidhur me oborrin sulltanor.

Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën; kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë. Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorërasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes.

Mulliri i Haxhi Zekës është kompleks i madh i trashëgimisë industriale i cili i takon pjesës së dytë të shekullit të 19-të. Është ndërtuar me ndihmën e austro-hungarezëve. Ndërtesa përbëhet nga mulliri dhe hambari. Për kohën në të cilën u ndërtua ishte objekti më i lartë i cili posedonte tre kate. Fasada është nga guri i kombinuar, tulla, dritare hark dhe korniza. Mulliri i Haxhi Zekës është mulliri i parë në Kosovë dhe regjion i cili ka pasur teknologji më të përparuar të sjellur nga Austria. Fillimisht mulliri ka punuar me ujë, pastaj është përdorur energjia elektrike. Aty ka filluar ekonomia industriale në Pejë. Në të kaluarën i gjithë regjioni ka kryer shërbimet e bluarjes së drithit dhe prodhimit të miellit.

Pas vdekjes së Haxhi Zekës, udhëheqës u bë nipi i tij, Jashar Pasha. Në vitin 1997 u mor në mbrojtje nga shteti. Gjatë luftës së vitit 1998-1999, mulliri u dogj por u restaurua dy herë: në vitin 2004 pjesa e mullirit dhe në vitin 2016 pjesa e hambarit.

Në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” gjendet Kulla e Pashës apo e njohur edhe si Kulla e Haxhi Zekës, muret e së cilës janë të përbëra me punimet karakteristike të mjeshtërve shqiptar të asaj kohe si: luani, vula e Sulejmanit etj. Ka arkitekturë karakteristike të shekullit XVIII dhe XIX, është dykatëshe e ndërtuar prej guri dhe me dritare e frëngji të punuara me përkushtim nga mjeshtër shqiptarë.

Në nder të tij

Universiteti publik i Pejës, pasardhës i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Biznes, mban emrin “Haxhi Zeka”. Gjithashtu një sheshit i është vënë emri i tij, në qendër të sheshit ndodhet shatërvani i ndërtuar në shek. XVI afër të të cilit ndodhet edhe shtatorja e Haxhi Zekës.

Wikipedia

Referime

Gjergj Fishta (3 mars 2006). The Highland Lute. I.B.Tauris. fq. 472–. ISBN 978-1-84511-118-2. Marrë më 29 nëntor 2012. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Historia e Popullit Shqiptar II, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë, 1979

Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913. London: IB Tauris. fq. 125, 127. ISBN 9781845112875. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Sipas vëllimit “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze v. 1” Haxhi Zeka nuk figuron të ketë pasë rol qendror tek Aksioni. Theksohet si nxitës Ahmet efendi Kornica, kadiu i Gjakovës.

Gawrych 2006, p. 125.

Belegu, Xhafer (1939). Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë. Tiranë: Kristo Luarasi. fq. 76nb. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Hasan Kaleshi, Ismet Dermaku (1971). Dokumenta nga arkivi i Vjenës mbi Lidhjen e Pejës. Prishtinë: Godišnjak arhiva Kosova 4/5. fq. 149–211. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening. Princeton: Princeton University Press. fq. 194. ISBN 9781400847761. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Gawrych 2006, p. 126.

Phillips, John (2004). Macedonia: Warlords and Rebels in the Balkans. I.B.Tauris. fq. 29. ISBN 9781860648410. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Historia e Popullit Shqiptar II, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë, 1979

Skendi 1967, p. 198.

Bartl, Peter (1995). Albanien: vom Mittelalter bis zur Gegenwart. Pustet. fq. 108. ISBN 9783791714516. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Skendi 1967, p. 271.

“Kopje e arkivuar”. Arkivuar nga origjinali më 28 mars 2016. Marrë më 19 mars 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

http://www.pejatourism.org/kultura-ne-peje.html

https://kk.rks-gov.net/peje/

http://unhz.eu/historiku-i-institucionit/

Filed Under: Histori

“LAJMTARI I TË MËRGUEMIT”, LAJMËTARI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

December 20, 2023 by s p

Sokol Paja/

“Lajmtari i të Mërguemit” organi zyrtar mediatik i Bllokut Kombëtar Indipendent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën pjesë në historinë e lavdishme të antikomunistëve shqiptare, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për një Shqipëri pa komunizëm. Ky organ mediatik në vetvete zë një vend të konsiderueshem në historinë e medias shqiptare në diasporë dhe në historinë e shtypit shqiptar.

Veprimtaria e patriotëve antikomunistë në mërgatën e Amerikës përbën një aspekt të rëndësishëm historik të kësaj mergate e cila meriton që të ekspozohet dhe të studiohet më shumë nga ekspertët e shkencave politike dhe të medias shqiptare. “Lajmtari i të Mërguemit” ishte një zë potent dhe përbashkues për kauzën e shqiptarëve të mërguar dhe antikomunistë. Ishte një media që mbajti gjallë dhe bashkoi veprimin patriotik, publicistik, kombëtar e atdhetar shqiptar. Kjo media bashkoi energjitë patriotike dhe penat intelektuale, mendjet më të ndritura të mërgatës së Amerikës e jo vetëm duke u kthyer në një tribunë veprimi, lirie e shpresë për ëndrrën e shqiptarëve të mërguar: një Shqipëri pa komunizëm.

Kapacitete intelektuale shqiptare të njohura e të promovuara ndërkombëtarisht, nëpërmjet trajtesave të veçanta në botimet e tyre, përbëjnë një model ekskluziv që “Lajmtari i të Mërguemit” edhe sot kur e shfleton ndjen një krenari të veçantë për rolin e kontributin për shqiptarinë, peshën e mendimit, forcën e argumentit, thellësinë e trajtimit e mbi të gjitha depulesën e amanetin për kauzën kombëtare. Si botim i Partisë Antikomuniste Shqiptare, “Lajmtari i të Mërguemit” mbetet një enciklopedi në historinë e medias që në trojet shqiptare njihet fare pak.

Nëse do të stiduosh e vlerësosh punën dhe përpjekjet historike të një mërgate, shqyrtimi i medias fakton dhe evidenton gjithçka. “Lajmtari i të Mërguemit” nëse marrim në shqyrtim vitin 1987 në numrin 19-të arrin të kuptosh rëndësinë e këtij organi mediatik, peshën intelektuale të mërgatës, fuqinë e veprimtarive, çështjet e ngritura e mbi të gjitha patriotizmën që ka qenë frymëzim në të gjitha aktivitetet kombëtare e komunitare e antikomuniste të mërgatës së Amerikës.

“Lajmtari i të Mërguemit” në të gjitha faqet e tij përshkruan me detaje: Aspekte të veprimtarive të Bllokut Kombëtar Indipendent, trajtesa nga personalitete dhe rreth figurave kombëtare si Ndue Gjomarkaj, Dr.Ismail Vërlaci, Dr. Fuad Myftija, Ing.Viktor Darragjati, Petro Vuçani, Prof.Rexhep Krasniqi, Jonuz Ndreu, Qazim Emra, Zef Mirakaj, Ahmet Nezaj, Enver Bakalli, Gjon Buçaj, Gasper Shkreli, Ago Agaj, Xhevat Kllajxhiu, Zef Nekaj, Dr.Isuf Luzaj, Xhevdet Blloshmi, Adem Hodo, Tahir Kolgjini, Çesk Ashta, Prelë Bajraktari, Gjon Kadeli, Imam Isa Hoxha, Imzot Zef Oroshi, Don Rrok Mirdita, Baba Rexhebi, etj përbëjnë një elitë kombëtare intelektuale të pa zëvendësueshme me ndikim historik në mërgatën e Amerikës dhe në mendimin politik shqiptar në diasporë.

Përveç trajtesave të kalibrit të lartë shkencor, intelektual, aktivist, albanologjik e patriotik, “Lajmtari i të Mërguemit” i kushton rëndësi ngjarjeve të komunitetit shqiptar në Amerikë, ngjarjeve fetare e figurave të shquara fetare, nekrologjive të ndryshme rreth personaliteteve të spikatura kombëtare, reportazheve komunitare, çështjes së Kosovës, antikomunizmit e persekutimit fetar në Shqipëri dhe aspekte të mërgatës në Europë e specifikisht njoftime rreth anëtarëve të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Lajmtari i të Mërguemit” ashtu si mërgata e Amerikës përbëjnë krenari kombëtare, histori të lavdishme e të qënësishme idenditare, e përpjekje të pashtershme për komb, atdhe dhe çështje kombëtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

Roli i Klerit Ortodoks Shqiptar në themelimin e “Vatrës”, kontributi për Pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e Shtetit Shqiptar

December 20, 2023 by s p

Nga Arhimandriti +THEOFAN (Koja) Ph.D./

Kur përpiqemi të flasim sot për Federatën Gjithë-Shqiptare në Amerikë, akti i krijimit të saj është i pandashëm me rolin vendimtar të Klerit Ortodoks Shqiptar këtu në SHBA, dhe ky është një fakt i pamohueshëm.

Ndonëse Federata “VATRA” u themelua 111 vjet më parë, nuk mund të harrojmë paraardhësen e saj: Organizatën “BESA-BESËN” e themeluar më 6 janar 1907 nga Fan Noli, i cili dy vjet më vonë, boton Gazetën “DIELLI”, më 15 shkurt 1909. Ishte kjo organizatë, njerëzit e saj, themeluesi dhe gazeta e saj që u bënë thelbi dhe shtylla e asaj që do të bëhet organizata më e madhe shqiptare nga të gjitha të tjerat.

Figura më e shquar në historinë e Federatës “VATRA” është prifti i atëhershëm ortodoks i sapo dorëzuar Fr. Theophan (Fan) Noli, i cili ishte jo vetëm një nga organizatorët e Federatës “VATRA”, por për shtatë vjet ai disa herë ka qenë redaktor i Gazetës Shqiptare “DIELLI”. Në vitin 1918 ishte themelues i revistës mujore “THE ADRIATIC REVIEW” (“Pasqyra e Adriatikut”), e cila u bë më vonë botim i “VATRËS”. Ai ishte edhe themelues i së përjavshmes “REPUBLIKA”.

Vitet më të rëndësishme dhe vendimtare për Federatën “VATRA” ishin 1915 dhe 1917 kur At Theofan (Fan) Noli u zgjodh Kryetar i “VATRËS”. Si një organizatë e sapoformuar, “VATRA” duhej të organizohej mirë, të afirmohej, duke fituar popullaritet jo vetëm në mesin e bashkëatdhetarëve shqiptarë, por duke u bërë një organizatë më e madhe dhe shndërruar atë një institucion të respektuar mbarëbotëror në qarqet politike, diplomatike, kulturore të asaj kohe.

Në atë kohë, Federata “VATRA” gjeti personin e duhur që i përshtatej në mënyrë të përkryer nevojave të saj, duke e shndërruar atë në një organizatë jashtëzakonisht aktive, e cila mund të lobonte me sukses në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Që nga ajo kohë e tutje, At Theofan (Fan) Noli do të bëheshe zëri zyrtar i Federatës “VATRA” në botë, veçanërisht në Lidhjen e Kombeve, si dhe në pothuajse të gjitha kryeqytetet dhe qeveritë më të rëndësishme evropiane të asaj kohe. Ai u bë një maratonist i vërtetë që vrapoi për kauzën e kombit të vet, duke mbajtur lart në dorë pishtarin me dritën e lirisë shqiptare, duke u bërë në fund të atij vrapimi të gjatë i njëjti pishtar që ndriçoi ata që kishin më shumë nevojë.

Është një fakt i njohur tashmë, se për shkak të Luftës së Parë Botërore, gjatë asaj kohe, Shqipëria nuk kishte qeveri, prandaj Këshilli Ekzekutiv i “VATRËS” veproi si një qeveri shqiptare në mërgim.

Vlen të theksohet këtu se “VATRA” ka ndihmuar financiarisht At Theofan (Fan) Nolin gjatë gjithë karrierës së tij diplomatike, madje edhe më pas kur u dorëzua në Gradën Peshkopale më 21 nëntor 1923, duke u bërë Kryepeshkop i Shqipërisë.

Një tjetër figurë e shquar e Federatës “VATRA” është At Vasil Marku, i cili u dorëzua prift dhe u emërua prift i Kishës Ortodokse Shqiptare së Shën Dhimitrit, Dëshmor i Madh, në St. Louis Missouri. At Vasil Marku ishte tejet i përfshirë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, veçanërisht në çështje të rëndësishme që kishin të bënin me pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Patriarkana Ekumenike.

At Vasil Marku e kuptoi fare mirë në atë kohë se për të pasur një shtet të pavarur shqiptar ishte e domosdoshme që Kombi Shqiptar të kishte edhe një Kishë Ortodokse të pavarur, duke iu referuar rregullit të përgjithshëm “Kishë e pavarur në Shtet të pavarur”. Ai ishte shumë aktiv në përpjekjet e tij për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Puna e tij e jashtëzakonshme u finalizua me veprën më të madhe; thirrjen Kongresin e Parë Panortodoks në Berat të Shqipërisë më 10 shtator 1922 i cili do të hyjë në historinë shqiptare si Kongresi Themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai u zgjodh në këtë Kongres si Kryetar i Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Për shtatë vjet, nga viti 1922 deri në vitin 1929, ai drejtoi punët e Kishës Ortodokse Autoqefale të sapoformuar të Shqipërisë, duke ndjekur hap pas hapi platformën e planifikuar dhe hartuar me kujdes, ndërsa ndodhej në Shtetet e Bashkuara së bashku me At Theofan (Fan) Nolin dhe me At Vangjel Çamçen.

At Vasil Marku punoi pa u lodhur dhe me zell të madh për organizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për rritjen e saj dhe vendosjen e marrëdhënieve me kishat e tjera ortodokse simotra në mbarë botën, duke punuar njëkohësisht në drejtim të njohjes së saj.

Si rezultat i këtyre shtatë viteve të suksesshme dhe të frytshme, erdhi koha për të thirrur Kongresin e Dytë Panortodoks që u mbajt në Korçë të Shqipërisë më 16 qershor 1929, ku u deklarua se puna për një Kishë Ortodokse Autoqefale e cila ishte e organizuar dhe plotësisht funksionale ishte kryer me sukses dhe kishte përfunduar. Ky Kongres miratoi Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe krijimin e Sinodit të Parë Ortodoks Shqiptar.

Kongresi e nderoi At Vasil Markun duke i dhënë titullin “Ikonom i Madh Mitrofor” (Mitërbartës) më 24 shkurt 1929, si dhe duke e bërë atë, anëtar të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Në vitin 1923 At Vasil Marku udhëhoqi delegacionin shqiptar në Kostandinopojë për të diskutuar çështjen e Autoqefalisë.

I lindur në Vlorë, në vitin 1857, shkollën fillore e mbaroi në Vlorë. Ai u rrit me tregimet që tregonin të parët për trimat, luftërat dhe shenjtorët e vjetër të Spiranicës dhe Manastirit të Zvërnecit. Shkollën e mesme dhe të lartën e bëri në Janinë. Më vonë, Marko Moçka, me dëshirën patriotike dhe fetare i thirrur nga Perëndia shkoi në SH.B.A., ku studioi më tej nga ku diplomohet me tituj e grada teologjike. Në vitin 1911 të Vjeshtës së Parë, një grup studentësh shqiptarë në Amerikë të udhëhequr nga At Marko Moçka u takuan me Presidentin e 28-të të SHBA-së, Uillson, takim që mund të quhet edhe si fillimi i marrëdhënieve midis personaliteteve shqiptare dhe amerikane të asaj kohe, nga ku morën mesazhin dhe dakordësinë për moscopëtimin e Shqipërisë dhe Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.

Pas këtij suksesi kthehet në Shqipëri dhe hyn në lidhje me Ismail Bej Qemalin. Nga Londra, Plaku i Urtë e përgëzon për këtë nisëm shpirtërore dhe patriotike, ku midis të tjerave i shkruan: “Siç kemi biseduar herë të tjera, duhet të ngremë së bashku Flamurin tonë”. Ndërsa At Marko Moçka i përgjigjet: “Mirë se të vini Ismail Bej, besimtarët, patriotët dhe e gjithë Shqipëria ju presin dhe mirë se të vini si një burrë i Kombit”.

Në 28 Nëntor 1912, në mes të tribunës së Pavarësisë, ku valëvitej Flamuri i Skënderbeut, Ismail Bej Qemali i drejtohet përballë At Marko Moçkës dhe i thotë: “U lodhe, o At”? “Ismail Bej, – ia ktheu Ati, – Po u mor me punë të mëdha e të ndritura, njeriu i Zotit nuk lodhet kurrë!” Të dy burrat rrokën duart dhe puthën Flamurin Kuq e Zi. Kështu, midis përfaqësuesve të tre komuniteteve fetare u bekua flamuri i ynë, në ditën e Flamurit. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe Amerikë: “At Marko Moçka nga SHBA-ja në Vlorë për Ditën e Flamurit”… ishte titulli i artikujve të shkruar në gazetat “DIELLI”, “ILIRIA”…, një kartolinë austriake paraqet daljen ceremoniale të Ismail Qemalit në datën 28 Nëntor 1912, ora 17-30, duke ngritur flamurin, me Luigj Gurakuqin, Hoxhën Haxhi Muhametin, Priftin Marko Moçka etj., në Sarajin e Selamllëkut të familjes Vlora.

Presidenti i SHBA-së Uillson e ka vlerësuar At Marko Moçkën, Shqipërinë dhe në një takim tjetër me të. Këtu kemi një pjesë të mesazheve midis tyre, si vijon: “I nderuari z. President i SHBA-së, Pavarësinë e Shqipërisë e shpallëm! … Mesazhin tuaj për moscopëtimin e tokave shqiptare dhe për mos qenë të varur e lexuam Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor 1912 dhe u prit me duartrokitje e brohoritje të fuqishme, Shqipëria dhe shqiptarët do t’i jenë mirënjohës SHBA-së dhe juve Z. President”! Pas kësaj, Presidenti Uillson i përgjigjet duke shkruar: “Gëzohem shumë që ju takoj përsëri Z.Marko dhe u informova se gjithçka shkoi shumë mirë. Ta gëzoni Pavarësinë! … Këtë takimin tonë mund ta quajmë edhe si fillimin e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-amerikane; apo jo, z. Marko”?!

 Në vitet e mëpasme At Marko Moçka i futet një aktiviteti fetar për mëmëdhenë duke predikuar në meshat e tij frymën patriotike, dashurinë për atdheun dhe për një Shqipëri të lirë demokratike. Duke pasur dhe përkrahjen e patriotëve të mëdhenj si; Petro Nini Luarasi, Thimi Mitko, Jani Vreto, e zgjeroi këtë aktivitet duke e shtrirë edhe në kishat e tjera të vendit. Në vitin 1922 në Berat zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me Kryetar At Vasil Markun.

Kur flitet për veprën më të madhe në jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare që është Autoqefalia e saj, ka edhe një tjetër figurë aktive në personin e At Vangjel Çamçes.

Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1913 ku menjëherë spikati si një aktivist i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai u dorëzua prift në vitin 1919 në Jamestown, Nju Jork dhe më vonë u zhvendos në Natick Massachusetts, ku themeloi një komunitet të ri të Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Mërisë.

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1921 ku një vit më vonë në 1922 u ngrit në gradën e Arhimandritit dhe iu dha emri Agathangjel. Në shkurt të vitit 1929 dorëzohet peshkop nga Hirësia e Tij Peshkop Visarioni dhe Hirësia e Tij Peshkop Viktori, duke u emëruar në Dioqezën e Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Në vitin 1941 Imzot Agathangjeli u fronëzua si Mitropolit i Korçës në Shqipëri.

At Vangjel Çamçe bashkëpunoi ngushtë me At Theofan (Fan) Nolin në Boston dhe me At Vasil Markun në St. Louis për të krijuar the Kryepeshkopatën Ortodokse Shqiptare të Amerikës, e cila u themelua më 16 mars 1919 në Kongresin e Kishave Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Siç e përmendëm më lart, mes këtyre tre klerikëve ekzistonte një marrëdhënie e veçantë, jo vetëm si miq të mirë, por edhe si organizatorë të mirë dhe persona me vizion të madh për të ardhmen e Kishës Ortodokse Shqiptare në veçanti dhe të Kombit Shqiptar në përgjithësi.

Një figurë e rëndësishme e Komunitetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara është dhe At Stathi Melani. Ai është bërë sinonim i rezistencës dhe luftës për një Shtet të Pavarur Shqiptar, të lirë nga pushtuesit, të tokës ku njerëzit mund të flasin, këndojnë dhe luten në gjuhën e tyre të bukur dhe një vend ku fëmijët dhe brezi i ri mund të arsimohen në shkolla ku gjithçka mësohet në gjuhën e tyre amtare.

Pasi doli nga burgu në Shqipëri ku ishte burgosur për veprimtarinë e tij të fortë patriotike, u largua për në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të dhjetorit ai arriti në Boston dhe u prit me nderime të mëdha.

Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara jo sepse kishte frikë nga armiku i vendit dhe ishte i frikësuar për jetën e tij, por erdhi këtu për të ndërgjegjësuar komunitetin shqiptar në SHBA për situatën e rrezikshme në Shqipërinë e asaj kohe, duke bërë thirrje për mbështetje morale dhe materiale. Ai ishte gjithmonë në lëvizje nga një cep i vendit në tjetrin, duke u përpjekur t’i bindte njerëzit të ktheheshin në atdhe dhe të luftonin për vendin e tyre.

Pasi qëndroi këtu në SHBA për tre vjet, në fillim të vitit 1917 vendosi të kthehej në Shqipëri. Ai u përfshi menjëherë në lëvizjen patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit.

At Stathi Melani ishte mjaft i njohur ndër udhëheqësit e tjerë patriotë, si Mihal Grameno etj.

Atij i zunë pritë dhe u vra barbarisht nga grekët në Vigjiljen e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1917. Atij i’u pre koka dhe i’u dërgua në Greqi për t’ja u treguar atyre që vendosën një çmim për kokën e tij, duke dhënë urdhrat për vrasjen e tij.

Vrasja e tij krijoi një reagim të madh tek shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj. Një pikëllim i madh u shpreh për figurën madhështore të At Stathi Melanit, madje edhe At Theofan (Fan) Noli shkruajti: “Nuk jam në gjendje t’i përshkruaj shërbimet e mëdha dhe të jashtëzakonshme që ai i bëri atdheut. Por shërbimet e tij të larta dhe të rralla do të mbeten në histori. Nuk ka zemër shqiptare që të mos brengoset për vdekjen e tij. Nuk ka asnjë sy shqiptari që nuk do të derdhë lumenj lotësh për martirin e madh heroik dhe të pavdekshëm të Shqipërisë, At Stathi Melani”. Për ta nderuar atë, At Theophan (Fan) Noli mbajti një shërbesë përkujtimore në Worcester të Massachusetts.

Në fjalën përmbyllëse mund të themi se Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka qenë që nga themelimi i saj një mbështetëse e fuqishme e Komunitetit Shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm, ka qenë një faktor kyç në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për unitetin tonë kombëtar në mbarë botën.

“VATRA” shqiptare përgjatë këtij shekulli ka krijuar dhe promovuar vlera të mëdha në arsim, letërsi, botime, arte, fe, politikë dhe diplomaci.

Ky ka qenë një shekull i mbushur me suksese dhe arritje të mëdha që na bën të gjithëve krenarë që jemi të lidhur me të, një pasuri e trashëgimisë sonë të lavdishme kombëtare, një organizatë e shkëlqyeshme, një diamante, që edhe pas 100 vjetësh, ende shkëlqen mrekullisht.

Zoti e bekoftë “VATRËN” shqiptare.

Perëndia i bekoftë shpirtrat e themeluesve të “VATRËS” shqiptare dhe i prehtë në paqe!

Perëndia e bekoftë Amerikën, atdheun e trimave dhe tokën e lirisë ku patriotët shqiptarë, ata të atëherëshmit dhe këta të sotshmit, kanë lulëzuar dhe kanë pasur mundësinë të luftojnë dhe të punojnë për atdheun e tyre, Shqipërinë tonë të shtrenjtë dhe të dashur!

(Botuar me shkurtime)

Filed Under: Politike Tagged With: THEOFAN (Koja)

Francesk Radi The Indomitable Musician – Trilingual Monograph by Tefta Radi Launched in Melbourne

December 19, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

To promote the new release of The Indomitable Musician – Der Musiker und Die Diktatur – Gjurmë në Pentagram, a trilingual monograph of Francesk Radi by Tefta Radi, the organizers hosted a book launch on Friday at RMIT, Royal Melbourne Institute of Technology, a public research university in Melbourne, Australia.

Miranda Xhilaga, Director, Research Program and Perparim Xhaferi, Research Fellow at RMIT moderated the event that had both an on-site audience and guest speakers as far away as Florida, Virginia, New York, Worcester and Wisconsin engaging in one-and-a-half hour long discussion about the book. Authored by Tefta Radi, a career TV personality of RTSh – Radio Televisioni Shqiptar – and wife of the esteemed singer songwriter, the book tells the story of a gifted musician with a unique style and a signature voice who despite receiving a harsh punishment by Albania’s authoritarian system made a successful comeback into the music scene that is truly inspirational.

Footage of a 2019 film documentary produced by Tefta Radi and a touching message from their daughter who resides in Germany set the scene for the new book promotion. In her presentation, Dr. Lidia Radi, Professor of Languages, Literatures and Cultures, University of Richmond, Virginia, and also a family member examined the political and historical factors that contextulized the events described in the monograph.

Talking about Radi’s impact, Mimoza Arapi, a reporter and artist who lives in New York, said that the story transcends the time period of a generation that was cut down in its prime, therefore “it’s about censorship of free thinking and individuality.” Furthermore, said Raimonda Moisiu, guest speaker and a Florida freelance journalist, “his notes equipped with the strength of rebellious dreams were embraced by us as part of our collective awareness.”

As far as making the product available and accessible to a wider audience, the author decided to have it written in three languages: Albanian, English and German, “which was a major endeavor,” said publisher Kit Russell. Included in it are singer’s manuscripts and photos, some of which are part of family records and some are obtained from the state archives, a few of them published for the first time in the book.

During the presentation, author Tefta Radi touched on a number of contributions credited to “Franko” Francesk Radi, such as the elevation of a new genre of Albanian Pop music, arrangements of Albanian folk songs, Albanian version of American classics like White Christmas – Krishtlindjet e Bardha – and Elvis Presley song covers culminating with a whole list of Beatles titles – a tribute to one of Radi’s early and most enduring influences.

From a young age, Radi found himself in music and developed his signature voice along with a recognizably distinctive style that stood out. As punishment, he was sent away to be re-educated in a remote location of Northwest Albania in the 70s. With the collapse of communism, two decades later, Radi came back to the stage with his talents and his guitar to delight the audiences.

A singer, songwriter, composer and multi-instrumentalist, Franko, who passed away in 2017 at the age of 67 in Albania, “created a body of work that brought innovation to the light music genre and did it with an individual style that raised the bar for other musicians,” organizers said. In her remarks, Tefta Radi stated “What makes the book special are the transcripts of Franko’s best musical creations, which represent Albanian pop music of the seventies.” Welcoming this new addition to the biography genre of Albanian musicians and specifically “Franko” who not only survived but made an impact as an artist, Ardian Murraj, a seasoned freelancer of broadcast and print media in Worcester, also a friend and colleague of the Radis from Albania, suggested to have the book included in the inventory of local and public libraries in the US.

The book is printed by Busybird Publishing and contains 446 pages. It is available for purchase on several online sites. Tefta Radi is the winner of multiple media awards. Currently she resides in Melbourne, Australia.

May be a graphic of 5 people, television and text that says 'PROMOVIM LIBRIT "FRANÇESK RADI, MUZIKANTII PAEPUR" Albania 70s, Rock music, the Dictatorship FRANCESK RADIN FRANÇESERAM Dokumentari Xhaferi P0 "But the regime did not realised that the sound of music can not be jailed' Univ. Melbourne, Ndërlidhja me diasporën shqiptare Letra e pa nisur për Adriano Celentano'

Like

Comment

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1419
  • 1420
  • 1421
  • 1422
  • 1423
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT