• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SAGA E MËRGIMTARËVE SHQIPTARË NË NJË ROMAN

December 19, 2023 by s p

Prof. Bexhet Asani/

Romani “Kush na mallkoi..?!” i shkrimtares Age Ivezaj, vjen në kohën kur te populli shqiptar shpërngulja kishte arritur kulmin. Këto pesëdhjetë vjet jo vetëm që u zbrazën fshatra të tërë, por u zbrazën edhe qytete kudo në trojet etnike shqiptare. Shpërngulje kaq masive nuk kishte përjetuar populli ynë që nga shekulli XV, që nga Moti i Madh, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, çdo katund e kishte një “Lëndinë të lotëve” apo “Kodrinë të lotëve” ose “Gur të lotëve” etj., nga ku përcilleshin kurbetçinjtë, në fillim vetëm burrat e pas viteve tetëdhjetë të shekullit njëzetë filluan të emigrojnë edhe gratë me fëmijë. Tema të tilla sociale në letërsinë shqiptare janë trajtuar edhe më herët. Le të përmend këtu disa prej tyre: Novela “E puthura e Mihal Gramenos e botuar në Selanik, në vitin 1909. “Bija e shqiponjës” (Daughter of the Eagle) e Nexhmie Zaimit, botuar në vitin 1937 në Nju Jork në gjuhën angleze. Për këtë vepër të panjohur në letërsinë shqiptare Astrit Lulushi shkruan: “Më 1937, kur “Bija e shqiponjës” (Daughter of the Eagle) u botua në Nju Jork, mori përshtypjen e librit të parë i shkruar në fillim nga një shqitare e re, ajo ishte 20 vjeç. Nexhmie Zaimi paraqet me stil të çuditshëm dhe sharm konfliktin dramatik midis zakoneve të lashta dhe piktoreske të vendit dhe miqve modernë. Ajo fillon me kujtimet më të hershme, fëmijë tre katër vjeç, në tokën e mbushur me lule, mes shkëmbinjve të zymtë, me det që thyhet shpateve malore; mbuluar me hardhi, fiq dhe ullinj.”

Më pas “Lëndina e lotëve” e Teodor Laços, “Nuse përtejdetit” e Bexhet Asanit e shumë vepra të tjera. Kësaj plejade shkrimtarësh i bashkohet me dinjitet artistik edhe shkrimtarja Age Ivezaj me romanin e saj “Kush na mallkoi…?!”

Ideja e autores së romanit “Kush na mallkoi…?!” është të na paraqesë realitetin e hidhur të emigrimit të popullësisë në Malësinë e Hotit, në veçanti dhe të trojeve shqiptare në përgjithësi.

Tema e romanit është marrë nga shpërnguljet masiv e të rinjve shqiptarë nga trojet e veta në ish Jugoslavi në fillim të gjysmës së dytë të shekullit njëzetë. Ngjarja zhvillohet midis dy kontinenteve në Evropë dhe në Amerikë, më saktë në Hot dhe në Nju Jork.

Në roman ngjarjet rrokullisen njëra pas tjetrës. Lexuesja apo lexuesi pret me padurim të shikojë se ç’ do të ndodhë me protagonistët, ç’ përfundim do të kenë ata?! Autorja e romanit Age Ivezaj ka një stil agollian, shkruan thjeshtë, qartë, bukur.

Ngjarjet janë plot dramaticitet. Ngjarja zhvillohet në familjen e Lekë Pjetrit, në Hot. Leka është një tip sanguin. Ndikohet shpejt nga të tjerët dhe vepron aty për aty pa e logjikuar as vetë se çfarë bën?! I ndikuar kryesisht nga zakonet prapanike dhe nuk bën asnjë hap për t’ i ndryshuar ato, po gjer në fund të jetës së tij i qëndron “besnik” atyre dhe ndihet krenar për këtë. Leka është tipik si ai burri shqiptar me tiparet e “dembelit të Stambollit”, që aq bukur e përshkruan Andon Zako Çajupi në poezinë e tij “Fshati im”: …Burrat nën hije, Lozin Kuvendojnë. Pika që s’ u bie, Se nga gratë rrojnë!… I tillë është Leka që rron në kurriz të së shoqes Prenës. Me shkuarjen e tij në Amerikë, vesi i përtacisë së tij do të ndryshojë, do të marrë fund. Ai do të dallohet si punëtor i mirë në ndërrmarje. Leka është një personazh fatkeq që e shkeli koha dhe një njeri sa fatkeq po aq tragjik i mërgimit. Sa e sa kurbetçinj nga trojet shqiptare në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të njëzetë, u kthyen në arkivole si Lekë Pjetri. Pra, drama e familjes së Lekë Pjetrit, nuk mbetet vetëm një dramë familjare por është një dramë që përfshiu gjysmën e popullit tonë në trojet shqiptare në ish Jugosllavi.

Që në fillim e deri në fund të romanit është në luftë e vjetra me të renë. E vjetra që po shkon dhe e reja që triumfon.

Hana, protagonistja e romanit “Kush na mallkoi..?!” e rritur në mesin e ligjeve të kanunit dhe ligjeve të pashkruara të malësisë, si e re thyen fshehur zakonin e Hotit, por nuk ia arrinë qëllimit, ndrydh në vetvete dashurinë e saj të fshehtë që ka ndaj Nikës, bashkëvendësit të saj. Një lules së vetme në mesin e ferrave dhe gjembave, thënë në mënyrë figurative, nuk mund t’ i marrësh erë. E tillë është Hana, si vajzë e re dhe e vetme, nuk e lufton dot zakonin i cili ndalonte fejesat e martesat e të rinjve brenda Hotit. Të rejat dhe të rinjtë e këtij rajoni, të gjithë ishin “motra e vëllezër” midis vetes edhe pse s’kishin lidhje gjaku. Ajo nuk i lufton dot por sakrifikoi vetveten për t’ i luftuar zakonet e pashkruara të Hotit. Hana vazhdoi luftën e saj kundër zakoneve tadicionale dhe prapanike nëpërmjet artit dhe kulturës. Pas shumë përgojimesh e peripecish, arrin të themelojë Shoqërinë Kulturore Artistike “Malësia”, me qëllim që të tubonte të rinjtë dhe të rejat e fshatit. Ajo ishte e sigurtë se perveç argëtimit, të rejat e të rinjtë aty do të njiheshin e do të dashuroheshin. Hana u bë kurban i zakoneve të Hotit, sepse fejesat dhe martesat midis të rejave e të rinjve të ishin të ndaluara. Në rininë e saj martesat e tilla ishin tabu edhe pse nuk kishin kuptim as arsye të mirëfilltë. Erdhi dita kur të rejat e të rinjtë e Hotit dashurohen, fejohen e martohen pa pyetur askënd për traditat qindravjeçare që me përpikmëri zbatoheshin në bajrakun e Hotit. Shembull tipik është vajza e re, e cila është e gëzuar që dashuron një djalë nga Hoti, prej nga ishte ajo. Hana është e lumtur që arriti të përjetoj lumturinë e të rinjëve që ata të martohen dhe të dashurojnë pa pangesa dhe paragjykime më në fund edhe në Hot.

Lexuesi tanimë e di se Hana ishte viktimë e zakoneve prapanike, atë nuk e lejonin të martohej me të dashurin e zemrës Nikën, po asaj nuk ia ndalonin të martohej në ndonjë vend tjetër, Grudë, Triesh apo Kojë. Lexuesi mbetet kureshtar të dijë: në u martua Hana në një vend tjetër apo mbeti gjithmonë vajzë lëneshë?!

Shkrimtarja Age Ivezaj e sheh jetën e personazheve bardhë e zi, ashtu siç ishte në Hot, pa i zmadhuar, pa i zvogëluar gjërat. I paraqet thjeshtë ashtu siç ishin në realitet. Leka dhe xhaxhai i tij, përfaqësojnë malësorin fanatik; të cilët i shikojnë femrat ”si gra që janë vetëm për të bart thes!”, atyre u duket vetja superior dhe gruan e shikojnë si krijesë e qenien më të dobët. E keqtrajtojnë dhe nuk e ndihmojnë gruan, u dukej vetja “si burra të vërtetë” edhe pse rrojnë në kurriz të saj. Në anën tjetër autorja e romanit vë në pah virtytet e larta të popullit shqiptar dhe të malësorit tipik, siç janë: besa dhe mikpritja etj. Ata paraqiten trima, të fjalës e të besës, që dinë të mbrojnë me pushkë nderin, pragun e shtëpisë dhe trojet e tyre. Zot shtëpie të denjë, të urtë, që dinë të vlerësojnë familjen dhe rrethin ku jetojnë. Bashkëshortë të devotshëm që dinë ta duan, ta nderojnë dhe ta respektojnë gruan. Këtë autorja e rrëfen nëpërmjet gojës së shoqeve të Prenës, të cilat ishin të lumtura me bashkëshortët e tyre.

Në romanin e shkrimtares Age Ivezaj “Kush na mallkoi…?!”, vend të rëndësishëm zënë frazeologjitë që paraqiten si porosi që babai i jep të birit para se niset për në kurbet. Këto fjalë janë si një lloj udhërrëfimi, ligj që i biri duhej t’ u përmbahej për t’ i dhënë kahje të duhur jetës. Në vend të huaj duhej të adaptohej dhe të përballej me sfida të panjohura nga babai por edhe nga i biri. Ato porosi janë aty ku janë më se të nevojshme, përdoren me vend pa ia humbur vlerat artistike e estetike romanit dhe pa e mërzitur lexuesin.

Romani “Kush na mallkoi…?!” i Age Ivezajt do të mbetet një dokument faktografik i realitetit të hidhur shqiptar, pasqyruar në aspektin letraro- artistik dhe estetik. Mabse, edhe mund të mbeten edhe si dëshmi e kohës së ekzodit të shqiptarëve, nga ajo treve shqiptare prej nga vjen edhe autorja e këtij romani. Emigrimi, zbrazja e trojeve etnike janë plagë që i mundon ata që mbeten në vendlindje, por edhe mërgimtarët. Megjithë shpresën dhe betimin se shpejtë do të kthehen në atdhe mërgimtarët përsëri mbesin në dhe të huaj. Ata janë të gatshëm të japin maksimunin nga vetja për t’ i dalë zot vendit të tyre të dashur. Personazhet janë paraqitur si patriotë të vërtetë me dashuri të pakufishme për atdheun dhe trojet e tyre.

(Age Ivezaj “Kush na mallkoi?!” Roman. Shtëpia botuese “Lena Graphic” – Prishtinë, 2023.)

Filed Under: ESSE

Vështrim historik mbi shqiptarët

December 19, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër dhe autoktonë të Ballkanit. I njohur me shumë emra si “Ilirë”, “Albanë”, “Arbëreshë”, “Shqiptarë”, përsëri qëndrojmë ndër themeluesit e qytetërimit në Gadishullin e Ballkanit edhe më gjerë. Shqiptarët e lashtë shtriheshin në pjesën kryesore të Ballkanit, duke nisur nga Veriu i Detit Adriatik deri në thellësi në Jug të Detit Jon, nga Perendimi bregdet dhe deri në Lindje në Luginën e Danubit. Ka shumë teza e hipoteza për origjinën e shqiptarëve, ajo që dominon shkencat historike, arkeologjike e gjuhësore është teza e pranuar ndërkombëtarisht dhe e bazuar në të dhëna materiale dhe të shkruara, se shqiptarët jetojnë në trojet e veta, prej shumë shekujsh dhe janë vazhdimësi autoktone e paraardhësve të tyre, ilirëve.

Ballkani kishte lëvizje dhe transformime të pandërprera të popullsisë, sidomos nga lashtësia deri në mesjetën e mesme. Në këtë proces brenda edhe vetë fiseve ilire, pati diferencime të konsiderueshme. Duke folur për transformimet brenda fiseve ilire në kohën e Perandorisë Romake, studiuesi Gjerman, E.Hosch thekson: “Popullsia në pjesën më të thellë veriore u tjetërsuan nga asimilimi dhe humbi gjuhën dhe formimin ilirjan. Në të kundërt, duke zotëruar një nivel shumë më të lartë zhvillimi, kulture dhe dallimi etnik, ilirët në jug mundën që të ruanin identitetin e tyre edhe nën Perandorinë Romake me gjithë presionin e fortë të civilizimit të saj”. Ilirët shumë shpejtë filluan të bëheshin të preferuarit e Perandorisë Romake. Në mënyrë të veçantë ata filluan të zinin vend me rëndësi në strukturat ushtarake dhe më vonë edhe politike hierarkike të Perandorisë.

Në fund të shekullit IV Perandori Teodos ndau Perandorinë në dy pjesë të pavarura; Perandorinë Romake të Perendimit dhe të Lindjes, me dy kryeqëndra Romën dhe Konstandinopojën. Vija ndarëse ishte në mes të Ballkanit, duke ndarë politikisht fiset ilire. Nga ajo kohe, vetëm provinca e Panonias me qendër Shkodrën mbeti nën Perandorinë Romake të Perendimit, ndërsa dy provincat e tjera ilire, Dacia dhe Macedonia ngelën nën Perandorinë Romake të Lindjes.

Në shekullin VII filloi dyndja masive e sllaveve në Ballkan. Sllavet u vendosën shumica në pjesën e Perandorisë Romake të Lindjes, me qendër Konstandinopojen. Dyndja sllave ishte kaq masive, e dhunshme dhe kaotike saqë ngatërroi gjithë hartën demografike dhe etnokulturore të Ballkanit. Për shqiptarët kjo është ndër periudhat më të vështira, që solli tkurrjen e tyre në më pak territore, por kurrsesi nuk solli humbjen e tyre dhe zhdukjen e identitetit.

Shekulli XI rezultoi me ndryshime fondamentale për aspektin kulturor e shpirtëror në Ballkan. Pikërisht në këtë periudhe u realizua ndarja e Kishës, në Kishën Katolike Romake Perendimore dhe Kishën Ortodokse Bizantine Lindore. Edhe vija ndarëse ndërmjet dy kishave ra mes për mes shqiptarëve, duke ndarë kristianët shqiptarë në katolikë romakë dhe kristianë ortodoksë.

Shqiptarët i mbijetuan dy prej ndarjeve më të mëdha dhe më të thella të historisë politike dhe civilizuese të njerëzimit; ndarjes së Perandorisë Romake në dy Perandori dhe të Besimit Kristian në dy kisha. Këto momente përbejnë provat më të mëdha të autenticitetit dhe identitetit shqiptar. Asnjë nga këto dy ndarje të mëdha nuk i shpërbëri shqiptarët si popull.

Që në lashtësi Ballkani kishte një dinamike të madhe demografike e politike. Ndër gjithë popujt e Ballkanit shqiptarët ishin ndër të parët që filluan organizimet e tyre të brendshme. Principata e Parë e Pavarur Shqiptare u krijua në fund të shekullit XII në territorin e Shqipërisë së sotme Qendrore, me kryeqytet Krujën. Burimet e kohës i referohen popullsisë me emrin Arbëresh. Principata u formua nga aristokracia shqiptare e pasur, e kulturuar dhe ushtarakisht e fuqishme. Që në fillimet e saj marrëdhëniet e Principatës Arbëreshe ishin jo miqësore me sllavët dhe me Perandorinë Bizantine. Si pasoje e luftës për mëvehtësi, në fillim të shekullit XIII, Principata Arbëreshe arriti të shkëputej nga Bizanti, por shumë shpejtë ra sërish nën sundimin e Despotit të Epirit në Jug, të Principatës Sllave të Zhetës në Veri dhe të Republikës së Venedikut në Perendim.

Në Mesjetën e vone, pra gjatë shekullit XIII, Arbëreshët patën një zhvillim të lartë e të shpejtë organizimi politik e shoqëror. Brenda një periudhe të shkurtër u formuan rreth 14 principata arbëreshe. Marrëdhëniet e tyre kryesisht u përqendruan me Republikën e Raguzes. Në këtë periudhe Arbëreshet u bënë objekt sulmi nga Despoti i Epirit. Pasi Despoti i Epirit u thye nga Cari Bullgar, Asen, arbëreshet ranë nën sundimin e këtij të fundit, derisa Perandroi Romak, Nikea i ofroi sërish arbëresheve vetëvendosjen.

Nga fundi i shekullit XIII, aristokracia arbëreshe filloi bashkëpunimin e ngushte me aristokracine italiane dhe franceze të kohës. Lidhjet arbëreshe me aristokracitë evropiane kulmuan në periudhën e Anzhuineve, përfshi Mbretërit Charles dhe Philip. Bashkëpunimi me Anzhuinet i shërbeu arbëresheve për të ruajtur identitetin nga sulmet që vinin nga sllavet, sidomos nga Krajli Serb dhe Mbretëria e Zhetes dhe për ta zhvilluar atë. Por, në mesin e shekullit XIV, sërish arbëreshet ranë nën sundimin e Mbretit Serb, Stefan Dushanit. Vetëm vdekja e Krajl Dushanit i dha fund sundimit sllav mbi shqiptaret.

Çlirimi nga sllavet e Stefan Dushanit krijoi hapësirë për lulëzimin e principatave shqiptare. Më të rëndësishmet ishin: Topiajt me qendër Krujën dhe simbol ”luanin”; Muzakajt me qendër Beratin dhe simbol “shqiponjën me dy krena”; Dukagjinët me qendër Lezhën dhe simbol “shqiponjën e bardhë me një kokë”; Kastriotët nisën, që të lulëzojnë më vonë, me simbol “shqiponjën e zezë me dy krena, të vendosur mbi një sfond të kuq”. Simboli i Kastriotëve do të bëhej shumë shpejt, simboli i përjetshëm i identitetit kombëtar shqiptar.

Marrëdhëniet tregtare dhe sidomos me Pricipatat e Adriatikut rigjallëruan shumë portet shqiptare. U rigjall tradita portuale e lashtë e Portit të Durrësit, Ulqinit, Vlorës dhe Lezhës. Shqipëria filloi kështu, nga fundi i shekullit XIV deri nga mesi i shekullit XV, të shndërrohej në korridorin më të madh Rajonal në lidhjet e trafikut tregtarë midis Ballkanit dhe Adriatikut, rol që do ta luante edhe në të ardhmen.

Kjo periudhë filloi me probleme të marrëdhënieve në Ballkan. Fundi i shekullit XIV shënoi fillimin e ofensivës otomane në Ballkan nga Lindja dhe nga Jugu. Rënia e Selanikut i hapi rrugë ofensivës otomane mbi veriun e Ballkanit, duke u futur përmes jugut në territoret e shqiptareve. Duke hyrë nga lugina e Lumit Devoll dhe e Lumit të Osumit në qytetin e Beratit osmanet nisen marshimin e tyre drejt pjesëve qendrore të shqiptarëve.

Në këtë ofensive përgjithësisht në pjesët e jugore dhe qendrore të vendit, osmanet nuk ndeshën në ndonjë rezistence të dukshme. E vetmja zonë ku osmaneve iu bë rezistencë e madhe ishte pjesa Veriore e Principatës së Vëllezërve Balshaj, sundimi i të cilëve niste nga Mali i Zi deri në Vlorë.

Në këtë periudhë osmanet drejtoheshin nga Hajredin Pasha, një ushtarak i lartë shumë i famshem, turk. Hajredin Pashen arriti ta ndalojë në ofensivën e tij vetëm Balsha i Dytë, i cili mund të konsiderohet i pari prijës shqiptar kristian që arriti të ndalonte ofensivën ushtarake të Hajredin Pashes dhe të hapte me këtë akt rezistencën e armatosur të shqiptarëve kundër osmaneve gjatë gjithë shekullit XV. Vetë Balsha i Dyte vdiq në krye të betejës kundër osmanëve, duke i krijuar mundësi prijësit të Kastriotëve që të merrte pozitat dominuese në Shqipërinë kristiane.

Megjithë rezisteëncën dhe skarificat e medha të shqiptarëve, sërish ofensiva osmane ishte e papërmbajtshme. Kështu, në vitin 1389, Osmanet arritën të ngjiten deri në Fushë Kosovë. Atje, shqiptaret dhe serbët, në solidaritet me njeri-tjetrin bënë një rezistencë të fuqishme për të mbrojtur lirinë, identitetin dhe besimin kristian nga Osmanët. Kjo betejë u fitua nga Osmanet.

Mbas humbjes në Fushë Kosovë situata e shqiptarëve u rendua shumë nga sulmet Osmane. Pikërisht në vitin 1392 Karl Topia, për të mos ia lënë Pricipaten e tij me qendër Durrësin, Osmaneve, u detyrua t’ia linte me testament mbas vdekjes, Republikës së Venedikut. Pikërisht në këtë periudhë edhe Gjergj Balsha e pranoi vasalitetin e Venedikut, si shprehje e kompromisit për t’u mbrojtur nga Osmanët. Në këtë mënyrë, pjesa Perendimore bregdetare e Shqipërisë, duke nisur nga Ulqini, Lezha, Durrësi dhe Vlora i mbetën nën sundim Venedikut.

Ndërsa në Veri, princat shqiptar vijuan rezistencë, duke e detyruar Sulltan Mehmetin I që të mos i përzinte ata nga trojet e tyre dhe të njihte pushtetin e tyre, nën vasalitetin e sovranitetit të tij. Kjo situatë vazhdoi deri nga mesi i Shekullit XV, kohë kur Principata e Kastriotëve do të ngrihej në Mbretëri dominuese të mbarë principatave shqiptare dhe do të bëhej faktori qendror i rezistencës anti Osmane dhe i politikës dhe diplomacisë së kohës në Ballkan.

Në Shekullin XV, shqiptarët arritën të krijojnë shtetin e unifikuar më të fuqishëm në Ballkan, të ndërtojnë institucione të brendshme të qëndrueshme për më shumë se një çerek shekulli, të përballonin me sukses ofensivat e njëpasnjëshme Osmane, të ndërtonin aleanca ushtarake dhe marrëdhënie diplomatike me vendet e Rajonit e sidomos me vendet Përendimore, duke e shndërruar Shqipërinë dhe shqiptarët në qendër të ngjarjeve dhe të historisë së Ballkanit.

Fitoret historike të Skënderbeut tërhoqën vëmendjen e shteteve fqinje dhe sidomos atyre të përtej detit, Mbretërisë së Napolit, Republikës së Venedikut dhe Shtetit të Vatikanit. Këto shtete panë te Skënderbeu, te politika dhe forca e tij një aleat potencial në mbrojtje të civilizimit Evropian dhe të mbarë kristianizmit nga sulmi otoman.

Skënderbeu, gjithashtu e kishte kuptuar se po hynte në një lojë të madhe vlerash e interesash të përbashkëta me Perendimin. Përputhja e vlerave dhe interesave krijoi bazën për aleancën e shenjtë të shqiptarëve me shtetet italiane. Përkrahësi më i madh i Skënderbeut në këtë kohë u bë Mbreti i Napolit, i cili i ofroi Skënderbeut ndihma të konsiderueshme ushtarake, pajisje dhe ndihma sanitare. Edhe Shteti i Vatikanit u afrua me Skënderbeun. Katër Papë radhazi patën në qendër të veprimtarisë së tyre të jashtme Skënderbeun. Papë Kaliktus, Papa Piu, Papa Piu II mbështetën njëri mbas tjetrit Skënderbeun e bashkëpunuan ngushtësisht me atë.

Rënia e Konstadinopojes në vitin 1453 tronditi jashtëzakonisht Vatikanin. Në këto rethana Papati dhe Skënderbeu koordinuan politikisht dhe ushtarakisht për të penguar ofensivën turke në Mesdhe.

Duke parë fuqinë e madhe të Osmanëve, Skënderbeu si një ushtarakë i zoti kërkoi që të zgjeronte aleancën me shtetet fqinje. Në këtë aleancë ai përfshiu edhe Republikën e Raguzes, Republikën e Venedikut si dhe kërkoi bashkëpunim edhe me fqinjët tokësor, Mbretërinë e Serbisë, Mbretërinë e Bullgarisë dhe Mbretërinë e Arpadit. Skënderbeu synonte të krijonte një aleancë të shenjtë me bazë vlerat e përbashkëta, por edhe interesat e përbashkëta për ruajtjen e lirisë nga Osmanët. Ai nuk rreshti së punuari për arritjen dhe aktivizimin e kësaj aleance Adtriatiko-Ballkanike. Skënderbeu ishte i bindur se pa një aleancë të tillë turqit herët ose vonë do të thyenin rezistëncen në Rajon dhe do të pushtonin gjithçka, ashtu siç ndodhi në të vërtetë pas vdekjes së Skënderbeut.

Përpjekja e Skënderbeut për të arritur aleancën e shenjtë Adriatiko-Ballkanike nuk u realizua sepse pati dy lloj kontradiktash; Së pari, shtetet italiane po gërryheshin nga kontradikta të tyre të brendshme që buronin nga rivalitete të mëdha. Së dyti, shtetet italiane dhe ato sllave ortodokse të Ballkanit nuk kishin besueshmërinë dhe mirëkuptimin aq të nevojshëm për këto lloje aleancash. Kështu konfliktit e vjetra Perendim-Lindje ndante dy anët e kristianizmit. Midis këtyre kontradiktave, rivaliteteve dhe ndryshimeve të civilizimeve, Skënderbeu mbeti relativisht i pa mbështetur. Pasojat e një veprimi të tille, shtetet italiane, Vatikani, por edhe ato të Ballkanit do t’i kuptonin vetëm mbas vdekjes së Skënderbeut. Kjo solli me radhe rënien e Krujës në vitin 1480, të Shkodrës në vitin 1501. Madje turqit sulmuan dhe pushtuan edhe qytetin Italian të Otrantos në vitin 1480. Kështu edhe Shqipëria ra nën pushtimin pesë shekullor Turk.

Filed Under: Politike

“Fan Noli – Apostull” promovohet në New York më 23 dhjetor 2023

December 18, 2023 by s p

“Fan Noli – Apostull” promovohet në New York më 23 dhjetor 2023.

Filed Under: Analiza

Patrioti Naser Hoxha dhuroi 500 usd për Vatrën Çikago

December 18, 2023 by s p

Vatra Çicago falenderon përzemërsisht patriotin, aktivistin, veprimtarin e komunitetit shqiptar në Çicago z. Naser Hoxha për dhuratën e tij prej 500 usd dhënë degës së Vatrës Çicago. Z. Naser Hoxha është sipërmarrës i kompanisë Network Home Remodeling Inc. dhe është gjithashtu edhe nënkryetar i Xhamisë shqiptare të Çikagos. Kontributi bujar i z. Naser Hoxha për Vatrën në Çikago është një mbështetje e madhe në veprimtarinë e Vatrës në shërbim të çështjes shqiptare. Fisnikëria e z. Naser Hoxha dhe shqiptarëve që kontribojnë në Vatër e bëjnë këtë institucion kombëtar vazhdues të traditës historike dhe të lavdishme në diasporën shqiptare të Amerikës. Mirënjohje pa fund për bujarinë dhe fisnikërinë e shumë të nderuarit në komunitetin tonë z. Naser Hoxha. Kush mbështet Vatrën mbështet kombin e komunitetin shqiptar.

Filed Under: Kronike

ESAD MEKULI (17 DHJETOR 1916 – 6 gusht 1993)

December 18, 2023 by s p

Saimir Kadiu/

Poet dhe intelektual i madh kosovar.

Kryetari i pare i Akademise se Shkencave dhe Arteve te Kosoves.

Sipas Robert Elsie, Mekuli eshte ” babai i letersise moderne te shqiptareve te ish Jugosllavise”.

Sapo u zbulua qëllimi (elaboarati) fashist i Akademikut serb, Ivo Andriq, kundër kombit shqiptar, nje pakenaqësi, frikë, urrejtje dhe zhgënjim shpertheu në mesin e disa intelektualëve patriotë shqiptarë.

Në këto situata të rënda të kombit shqiptar, Esat Mekuli nuk rrinte i qetë…

Intelektuali shqiptar reagoi, kundërshtoi dhe rrezikoi burgim dhe likuidim fizik nga politika nacionaliste serbe e ish-Jugosllavisë.

Po postoj polemikën e guximshme dhe largëpamëse të poetit të madh shqiptar Esat Mekulit, i cili përmes një poezie të botuar fillimisht në gjuhën shqipe në Prishtinë, në vitin 1979 në revistën “Jeta e Re”, pastaj edhe në kroatisht në revistën “Forum”, të Akademisë së Shkencave Jugoslave në Zagreb, më 1980, ku ai shpreh kundërshtimin dhe zemërimin e tij ndaj dokumentit te vitit 1939 te nobelistit te ardhdhem serb Ivo Andriq.

𝐒𝐢 𝐤𝐞 𝐦𝐮𝐧𝐝𝐮𝐫?

Fjalë pas fjale – faqe të tëra ke shkruar –

faqe dhune, robërie e smire?…

Ëndërrues i dikurshëm, në burgje i sprovuar,

t’i robërosh të tjerët? Të ndjellish ditë errësire?!

Si t’i marr sot, në këto ditë lirie,

fjalët e tua farmak?

Po shkrimet tua të tjera, që aq të patën hije?!

Syve si ti’u besoj?… Ti, që nderimin e pate hak,

vallë,

lirinë e tjetrit ta vësh në darë e lak?!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1422
  • 1423
  • 1424
  • 1425
  • 1426
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT