• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PIKANTE”

September 24, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

       

Kur humori shkodran ngjitet në majat e artit me Sandër Ruçin

Salla e Teatrit “Migjeni” u ndez sërish nga drita e artit, e mbushur për të pritur spektaklin më të ri të “Mjeshtrit të Madh” të humorit shkodran, Sander Ruçi. Me premierën “Pikante”, aktori i dashur i publikut të mrekullueshëm riktheu jo vetëm të qeshurat, por edhe emocionet, mesazhet dhe atë thumbim të hollë që vetëm arti i vërtetë di t’ia falë shoqërisë. Ky artist i madh i humorit, pas një karriere të shkëlqyer, solli një shfaqje që u cilësua si një nga majat e tij artistike. “Pikante” dëshmoi se Shkodra ka trupë, ka talente dhe mbi të gjitha një publik që e do dhe e ndjen artin. Publiku shkodran, i njohur për shijen e hollë artistike, e mirëpriti me duartrokitje të gjata dhe të ngrohta këtë premierë, ku bashkë me Sandrin ndanë skenën artistë e këngëtarë të njohur, duke e shndërruar këtë mbrëmje në një festë të gjallë të dashurisë për artin.

   Me një monolog të mbushur me ndjeshmëri, Sandri rrëfeu nderin dhe krenarinë që ndien për t’i shërbyer qytetit të tij të artit, në këtë tempull të shenjtë të artit, ku janë ngjitur ndër vite emra të pavdekshëm. “Edhe unë kam vendosur gurin tim të vogël në mozaikun e madh të varietesë shkodrane,” u shpreh ai me përulësi, duke e ndjerë veten pjesë të një panteoni të lavdishëm. Ishte një detyrë, por edhe pasion qytetar ta sjell këtë energji në skenë. “Publiku është motivi ynë më i madh,” u shpreh Sandri pas shfaqjes, me emocion dhe mirënjohje. “Pikante” ishte më shumë se një shfaqje: ishte një gur i çmuar në mozaikun e humorit shkodran. Ishte një udhëtim mes humorit, muzikës dhe reflektimit mbi realitetin e përditshëm. Në krah të kolegëve dhe artistëve të rinj, Ruçi ndërthurte të qeshurën me mesazhin, duke e kthyer spektaklin në një pasqyrë të jetës që shijohej njëkohësisht me buzëqeshje e mendim të thellë.

   Puna disa mujore e Sandrit, si aktor, regjisor dhe organizator, u shpërblye nga reagimi i ngrohtë i publikut. “Dashuria që ndjej prej spektatorëve të mrekullueshëm shkodranë është shpërblimi më i madh,” tha ai, duke theksuar lodhjen, sakrificat dhe mundin e një pune të bërë me përkushtim të plotë, aty ku dikur shteti ishte sponsor dhe sot arti mbijeton nga pasioni individual.

   Në skenë shkëlqyen edhe talente të reja, mes tyre një vajzë 15-vjeçare që ngriti publikun në këmbë me energjinë e saj të papërmbajtshme. Ky emocion u pasua nga figurat më të mëdha dhe më me përvojë, si Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”, duke dëshmuar se arti i bashkon brez pas brezi. Ky është arti që vazhdon. Ky është humori që bashkon.

   Në këtë skenë u ngjitën edhe miq e bashkëpunëtorë të çmuar. Regjisori i njohur Zeraudin Dokle, që kishte ardhur enkas nga Bullgaria, e përshkroi Teatrin “Migjeni” si një magnet të fuqishëm që tërheq shpirtin e artistit, ndërsa “Mjeshtrja e Madhe” Dana Xhaj solli emocionin e rikthimit pas një kohe shkëputjeje. “Sandri është kërkues dhe gjithçka e do në perfeksion, por ia vlejti çdo përpjekje,” u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e kësaj premiere.

   Një tjetër moment kulmor ishte prezantimi i shfaqjes nga moderatorja elegante Uarda Albunesa, e cila përjetoi emocione të veçanta duke u ngjitur sërish në skenën ku dikur kishte debutuar si fëmijë. Po ashtu, interpretimi i ngrohtë i “Mjeshtres së Madhe” Merita Smaja i dha skenës dritë dhe gjallëri të veçantë. Spektakli, i pasuruar me këngë e humor, u regjistrua edhe nga TV1 Channel, duke e bërë pjesë të historisë së gjallë të artdashësve shkodranë. Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm një shfaqje, por një dëshmi e gjallë se arti nuk shuhet kurrë atje ku publiku është i etur për të. Shkodra, me “Pikante”-n e Sandër Ruçit, dëshmoi se mbetet kryeqyteti shpirtëror i humorit dhe artit skenik shqiptar, ndërsa artistët e saj vazhdojnë të mbajnë ndezur flakën e një tradite të pavdekshme.

Filed Under: Reportazh

“Respoetica”

September 24, 2025 by s p

Agim Baçi/

Festivali Ndërkombëtar “Respoetica”, zhvilluar për të dytin vit në Prizren, nën ideimin dhe drejtimin e poetes Vlora ZN. Ademi, solli në ditën e tretë të festivalit, një diskutim për Martin Camajn, zërin poetik që vijon të na marrë përdore drejt njohjes së Njeriut, duke na rrëfyer se kur një zë është origjinal, ai mundet ta gjejë gjithnjë shtegun drejt lexuesit, edhe kur ndaj tij kanë vërshuar lumenjë pengesash, në atë kohë errësire, apo edhe sot që duket se kemi ndezur disa drita për të parë të penguarën, të mohuarën. Fatmirësisht për ne, për bukurinë e gjuhës shqipe, për mrekullinë e imagjinatës, Camaj po njeh çdo ditë e më shumë lexues, duke qenë padyshim zëri që meriton të jetë fytyra e poezisë.

Shënime për përmbledhjen “Vepra poetike”, botuar nga Onufri në vitin 2017.

Camaj, polifoni e zërave njerëzorë!

Poezia e Martin Camajt shket mes akullit dhe zjarrit duke kërkuar që të rrokim dashurinë, dridhjen, trishtimin dhe këngën njëkohësisht. Eshtë zë prej kohës që kurrë s’ndalet e që e merr njeriun përdore duke e shëtitur në viset e admirueshëm të së bukurës dhe mallit.

E gjithë poezia e tij është një udhëtim drejt njeriut dhe vendlindjes. Të gjitha stacionet e tjera të përkohësisë janë thjesht për të mbushur atë tren të duhur, që bart shumëçka për të patur së fundmi një grafikë të gjithë shfaqjes së tij letrare, ku ezkistojnë gjithë ngjyrat e duhura për ta pikturuar fytyrën e njeriut që dëshirojmë të njohim.

Nuk mundesh ta kuptosh Camajn përmes krahasimit, edhe pse thuajse i gjen aty gjithë zërat e mëparshëm të poezisë shqipe apo bashkëkohësve të tij botërorë. Ai është zëri origjinal pa prishur dhe pa mbytur meloditë e mëparshme poetike. Duket si një sfidë me gjithçka, por varg pas vargu kupton se është veç dashuri për gjithçka. Gjuha e tij bart gjithë shpirtin e gegnishtes, të cilën e sjell si një violinë, me telat e gjithë dashurisë së mundshme. Si gurgdhendës Camaj ndërton kullën e tij të fjalëve – një kullë ku shtretërit janë me fjalë zemre dhe mall prej mëmëdheut.

Poeti të lë të kuptosh se e di shumë mirë se cilët emra e fytyra mbeten përherë për ta udhëzuar njeriun, ndaj dhe vjen e vesh kostumin e rojtarit të fjalës, të fytryrës së përhershme të njeriut që ka nevojë për të skalitur gjithçka që deshi. Jo si mungesë. Jo si protestë. Por si dashuri për atë që mundi dhe për atë që deshi ta kishte gjithnjë pranë vetes.

ROJTARI I MUZEUT NACIONAL

Ndër bebza ka gdhendun fytyra

Guri rilindësish

Varg mbi lëpiza si mbas kohe.

Në rrugë i digjen në tru

Fytyrat çdo mbrëmje

Me rrezet e sprapsme

Ndër qelqe dritaresh.

S’dallon as faqen e malit përballë

E ec tue prekë me shkop.

A thue i verbët? (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.321)

Martin Camaj noton lirshëm në lumin e mendimit të tij për botën, femrën, tjetrin, mungesën dhe praninë. E fut veten në hullinë e atyre që e rrok njeriun që nga udha më e hershme, e ia hap shtegun edhe për të nesëmren. E ndërkaq, për të kuptuar gruan me gjithë dëshirat dhe ëndrrat e saj, zgjedh Dranen. Më prozat poetike nis të udhëtojë në kohë dhe hapësirë, të ketë ligjet e dheut nga ky mësoi gjuhën e nanës e gjer në udhëtimin për të cilën ka nevojë njeriu – në udhëtimin për t’u njohur me veten dhe botën. Vargjet apo proza poetike e Camajt vjen përmes një ledhatimi fjalësh, a thua se gjithçka e bukur është bërë për gjuhën dhe mendjen e tij.

NJI SHPIRT

Gjithmon’ heshton e veç kur t’pyesin flet.

Bota shqimin kur ndër sy ta ngul

E me i kallxue shpirtin e mshefun pret

Ti ballin ul.

Ballin e ul, jeton n’vedi si vjollca

E mshefun n’çuba, ku njeri s’kalon.

Por prujtunija t’del në gjak ndër mollza

E shpirtin t’zblon:

Nji bot’ t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,

Ku andrra bredhin si re t’bardha n’qiell,

Ku vllajt e luleve presin n’vetmi

Me i nxe nji diell. (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.625)

Filed Under: LETERSI

Kur diplokracia hesht për kërcënimin e paqes, stabilokracia flijon demokracinë për autokraci

September 24, 2025 by s p

Ambasador Blerim Reka/

Dy vite pas agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, vazhdon heshtja në institucionin kryesor botëror për ruajtjen e paqes.

Çuditërisht, mblidhej urgjentisht për ndalimin e qarkullimit të monedhës së një shteti të huaj në një shtet tjetër, por jo edhe për sulmin e armatosur të një shteti kundër një shteti tjetër.

Aleati i Vuqiqit, kryekrimineli përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, shëtit i lirë në Serbi, kurse kreu i këtij shteti, mban ligjërata për “paqen” në organizatën botërore.

Kur diplokracia hesht për kërcënimin e paqes, stabilokracia flijon demokracinë për autokraci.

Filed Under: Politike

REFLEKTIME PARADOKSALE

September 24, 2025 by s p

Zija Vukaj/

Në disa çaste heshtjeje të brendshme, ku shpirti ynë zhvishet nga të gjitha funksionet e zakonshme dhe sytë na bëhen më të mprehtë e më depërtues, shohim veten tonë në jetë; dhe jetën në vetvete, pothuajse si në një lakuriqësi shterpë, shqetësuese: ndjejmë të sulmohemi nga një përshtypje e çuditshme, sikur vetëtimthi, na sqarohet një realitet i ndryshëm nga ai që perceptojmë normalisht, një realitet i gjallë përtej pamjes njerëzore, jashtë formave të arsyes. Atëherë në mënyrë të shkëlqyer kompaktësia e ekzistencës së përditshme, thuajse e varur në boshllëkun e asaj heshtjes sonë të brendshme, na shfaqet pa kuptim, pa qëllim; dhe ai realitet i ndryshëm na duket i tmerrshëm në vrazhdësinë e vet të patundur e misterioze, mbasi të gjitha lidhjet tona të rreme të zakonshme të ndjenjave e të imazheve janë copëtuar e shpërbërë në të. Boshllëku i brendshëm zgjerohet, i kapërcen kufijtë e trupit tonë, bëhet boshllëk rreth nesh, një boshllëk i çuditshëm, si një ndalim i kohës dhe i jetës, sikur heshtja jonë e brendshme të jetë zhytur në humnerën e misterit. Atëherë kërkojmë me një stërmundim të epërm të rifitojmë vetëdijen normale të gjërave, të vendosim me to raportet e zakonshme, të rilidhim idetë, të ndihemi të gjallë si më parë, në botën e zakonshme. Por kësaj ndërgjegjeje normale, këtyre ideve të rilidhura, asaj ndjenje të zakonshme të jetës nuk mund t’ia kemi më besën, sepse e dimë tashmë që janë një mashtrim i yni për të jetuar; dhe poshtë ka diçka tjetër, së cilës njeriu nuk mund t’i paraqitet, përveçse me kusht që të vdesë ose të çmendet. Ka qenë një çast; por zgjat shumë tek ne mbresa e tij, si marramendje, me të cilën pengohet stabiliteti, megjithëse i palëndë, i gjërave: dukje ambicioze ose të mjera.

Atëherë jeta, që rrotullohet, e vogël, e vetme mes këtyre dukjeve na ngjan sikur nuk është më e njëmendët, se është një fantazmagori mekanike. Po si i japim rëndësi? Pse e respektojmë? Sot jemi, nesër jo. Çfarë fytyre na kanë dhënë për të na paraqitur jetën? Një hundë të shëmtuar. Çfarë mundimi është ta nxjerrësh përditë hundën në shëtitje… Fat, që me kalimin e viteve nuk e vëmë re më. E vënë re të tjerët, vërtet, kur ne madje arrijmë të besojmë se kemi një hundë të bukur; dhe atëherë nuk dimë më të shpjegojmë pse të tjerët qeshin, kur na shikojnë. Ka shumë budallenj! Ngushëllohemi duke parë çfarë veshësh ka njëri dhe çfarë buze ka tjetri; të cilët as nuk e vënë re këtë gjë dhe kanë guximin të qeshin me ne. Maska, maska… një frymë dhe kalojnë, për t’u marrë me të tjerët.

Ai i çalë i gjorë atje… Kush është? Shkon drejt vdekjes me patericë… Jeta këtu, i ka gjymtuar këmbën njërit; atje i ka nxjerrë syrin një tjetri… Këmbë druri, sy qelqi e kështu me radhë! Gjithkush e vë maskën si mundet- maskën e jashtme. Sepse brenda, pastaj, ka tjetrën, që shpesh nuk përputhet me atë të jashtmen. Dhe asgjë s’është e vërtetë! I vërtetë deti, po, i vërtetë mali; i vërtetë guri, e vërtetë fija e barit; po njeriu? Gjithnjë i maskuar, pa e dashur, pa e ditur që ai në mirëbesim mendon se është: i bukur, i mirë, i këndshëm, bujar, fatkeq etj., etj. E kjo është qesharake kur e mendon. Po, sepse një qen, ta zëmë, kur t’i ketë kaluar ethja e parë e jetës, çfarë bën? Han dhe fle: jeton siç mund të jetohet, siç duhet jetuar; mbyll sytë i qetë dhe e lë kohën të kalojë, i ftohti i ftohtë, i nxehti i nxehtë; dhe po i dhanë një shkelm e merr, sepse është shenjë që i takon edhe kjo. Po njeriu? Edhe në pleqëri, gjithnjë me ethe: dalldiset e nuk e kupton: s’mund të bëjë dot pa u shtirur, edhe para vetvetes në ndonjë mënyrë; dhe mendon se shumë gjëra ka nevojë t’i besojë të vërteta dhe t’i marrë seriozisht.

Për këtë e ndihmon një mekanizëm skëterre që natyra deshi t’ia dhuronte, duke ia ndrequr brenda, për t’i dhënë një provë të madhe të dashamirësisë së vet. Njerëzit, për shëndetin e tyre, do ta linin të gjithë që të ndryshkej, nuk do ta lëviznin, nuk do ta preknin kurrë. Po po! Disa janë treguar kaq krenarë e të vlerësuar që e kanë, sa kanë filluar menjëherë ta përsosin me një zell të madh. Dhe Aristoteli shkroi bile edhe një libër, një traktat të hijshëm që u përshtat edhe në shkolla, që fëmijët të mësonin shpejt dhe mirë të zbaviteshin. Është një lloj pompe me filtër që vë në lidhje trurin me zemrën.

E quajnë LOGJIKË zotërinjtë filozofë.

Truri pompon me të ndjenjat nga zemra dhe nxjerr prej tyre ide. Përmes filtrit ndjenja lë sa ka në vete të nxehtë, të turbullt: freskohet, pastrohet, i-d-e-a-l-i-z-o-h-e-t. Një ndjenjë e gjorë, kështu, e ngjallur nga një rast i veçantë, nga një rrethanë çfarëdo, shpesh e dhimbshme, e pompuar dhe e filtruar nga ai mekanizëm bëhet ide abstrakte e përgjithshme; dhe çfarë ndodh? Ndodh që ne nuk duam të brengosemi vetëm për këtë rast të veçantë, për këtë rrethanë kalimtare; por duhet edhe të helmojmë jetën me ekstraktin e përqendruar, me helmin e fuqishëm të deduksionit logjik. Dhe shumë fatkeqë besojnë se shërohen kështu nga të gjitha të këqijat, me të cilat bota është e mbushur dhe pompojnë e filtrojnë, deri sa zemra e tyre të ndalet e ftohtë si një tapë dhe truri i tyre të jetë si një raft farmacie plot me kavanozë që mbartin mbi etiketën e zezë një kafkë mes dy kërcinjve në kryq dhe shpjegimin: Helm.

Njeriu nuk ka një ide për jetën, një nocion absolut, por një ndjenjë të ndryshueshme dhe të ndryshme sipas kohëve, rasteve, fatit. Tani logjika, duke abstraguar ndjenjat nga idetë, tenton pikërisht të ngulisë atë që është e lëvizshme, e ndryshueshme, fluide; kërkon t’i japë një vlerë absolute asaj që është relative. Dhe rëndon një të keqe që është e rëndë në vetvete. Sepse rrënja e parë e së keqes sonë është pikërisht në atë ndjenjë që ne kemi për jetën. Druri jeton e nuk e ndjen: për të toka, dielli, ajri, drita, era shiu nuk janë gjëra që ai nuk është. Përkundrazi njeriu, që në lindje e prek këtë privilegj të trishtë që ta ndjejë veten duke jetuar, me iluzionin e bukur që rezulton: ta marrë si një realitet jashtë vetes këtë ndjenjë të tij të brendshme të jetës, të ndryshueshme e të ndryshme.

Të vjetrit tregonin përrallën se Prometeu i vodhi një shkëndijë diellit për t’ua bërë dhuratë njerëzve. E pra, ndjenja që ne kemi për jetën është pikërisht kjo shkëndijë e përrallës prometeane. Ajo na bën të shihemi të humbur mbi tokë; ajo lëshon rreth nesh një rreth pak a shumë të gjerë drite, përtej së cilës është hija e zezë, hija e frikshme që nuk do të ekzistonte nëse shkëndija nuk do të ishte ndezur tek ne; hija që ne mjerisht duam ta besojmë të vërtetë, deri sa ajo të mbetet e gjallë në kraharor. E fikur në frymën e fundit të vdekjes, a na pret vërtet ajo hije e rreme, na pret nata e përjetshme pas ditës së tymtë të iluzionit tonë; apo nuk do të mbetemi ne më mirë në falënderim të Qenies, që do të thyejë vetëm format e zbrazëta të arsyes njerëzore? Gjithë ajo hije, mister shumë i madh që ka bërë të zhyten në spekullime më kot shumë e shumë filozofë e tani shkenca edhe duke hequr dorë nga kërkimi i saj, nuk përjashton, a mos vallë do të jetë në fund një mashtrim si çdo tjetër, një mashtrim i mendjes sonë një fantazi që nuk merr bojë. Po sikur gjithë ky mister, pra, nuk ekziston jashtë nesh, por vetëm tek ne dhe domosdoshmërisht për shkak të privilegjit të famshëm të ndjenjës që ne kemi për jetën? Nëse vdekja është vetëm një frymë që e shuan tek ne këtë ndjenjë të mundimshme, të frikshme, pse është i kufizuar nga ky rreth i rremë hijeje përtej mjedisit të shkurtër të dritës së mangët, që hedhim përreth dhe ku jeta jonë mbetet e burgosur, si e përjashtuar për ca kohë nga jeta universale, e përjetshme, në të cilën na duket se do të kthehemi një ditë, ndërsa tashmë jemi e do të qëndrojmë, por pa këtë ndjenjë mërgimi që na fut në ankth? A nuk është edhe këtu iluzive pafundësia dhe relative ndaj asaj dritës sonë të paktë të individualitetit tonë?

Dhe nesër një humorist mund ta paraqesë Prometeun në Kaukaz në aktin e trishtuar të kundrimit të pishtarit të tij të ndezur dhe të shohë në të fundin e kauzës fatale të torturës së vet të pafund. Më në fund ai vëren se Jupiteri s’është gjë tjetër veçse një fantazmë boshe, një mashtrim i mjerë, hija e trupit të vet që projektohet gjigante në qiell, pikërisht për shkakun e pishtarit të ndezur që mban në duar. Me një marrëveshje Jupiteri mund të zhduket me kusht që Prometeu të fikë qiriun, domethënë pishtarin. Por ai nuk di, nuk do, nuk mundet; dhe ajo hije mbetet e frikshme dhe despotike, për të gjithë njerëzit që nuk arrijnë të vërejnë mashtrimin fatal.

Kështu kontrasti na shfaqet i pashmangshëm, i pandashëm si hija me trupin. Ne kemi parë në këtë vegim të menjëhershëm të zgjerohen dora- dorës kufijtë e qenies sonë individuale dhe të shtrihen përreth. E ka zbuluar reflektimi, që sheh në gjithçka një ndërtim apo një ndjenjë të shtirur ose të rreme dhe me analiza të mprehta, të holla e zhbiriluese e çmonton dhe e shpërbën.

Një nga humoristët më të mëdhenj, pa e ditur, ishte Koperniku, që çmontoi jo në kuptimin e vërtetë, mekanizmin e universit, por imazhin e lavdishëm që kishim bërë për të. Zbulimi i teleskopit na jep goditjen për vdekje: një tjetër mekanizëm i skëterrës, që mund të bëhet palë me atë që na ka dhuruar natyra. Por këtë e kemi shpikur ne, që të mos jemi më të vegjël. Ndërsa syri shikon poshtë, nga lentja më e vogël dhe e sheh të madhe atë që natyra mrekullisht kishte dashur ta shihnim të vogël, çfarë bën shpirti ynë? Kërcen të shikojë sipër, nga lentja më e madhe dhe atëherë teleskopi bëhet një instrument i tmerrshëm që rropos tokën, njeriun dhe të gjitha lavditë e madhështitë tona.

Është fat që reflektimi humoristik shkakton ndjenjën e të kundërtave, e cila në këtë rast thotë: – Po vërtet është kaq i vogël njeriu, sa teleskopi na bën ta shohim? Nëse ai mund të kuptojë dhe të konceptojë vogëlsinë e tij të pafund, do të thotë se ai kupton dhe koncepton madhësinë e pafund të universit. E pra, si mund të quhet i vogël njeriu? Por e vërtetë është edhe se ai ndihet i madh dhe një humorist e din, mund t’i ndodhë si Guliverit, gjigant mes liliputëve dhe lodër fëmijësh në duart e gjigantëve të Brobdinjakut.

Filed Under: ESSE

Mbresa nga vështrimi i ‘Darkës së fundit’ të Leonardo da Vinçit

September 24, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kur e pashë për herë të parë “Darkën e fundit” të Leonardo da Vinçit, ndjesia ishte e dyfishtë: madhështi dhe brishtësi. Tabloja, megjithëse e dëmtuar nga koha, ruan një prani të jashtëzakonshme. Ajo nuk është thjesht një pikturë murale, por duket si një skenë e ngrirë në kohë, ku personazhet flasin me gjeste, sy dhe heshtje.

E para që të bie në sy është qetësia e Krishtit në qendër. Ai është boshti rreth të cilit rrotullohet gjithçka, një figurë e dritshme që ndriçon nga brenda, duke kundërshtuar rrëmujën dhe tronditjen e apostujve. Kjo qetësi të prek, të jep ndjesinë e një force shpirtërore që asnjë dramë nuk mund ta thyejë.

Nga ana tjetër, reagimet e dishepujve janë aq të gjalla, sa duket sikur tabloja flet. Shikon duart e tyre të ngritura, shprehjet e fytyrës, lëvizjen e trupit dhe ndjen ankthin e çastit kur Jezusi shpall tradhtinë. Është si të dëgjosh një valë emocionale që shpërthen në tryezë.

Më la mbresa edhe mënyra si Leonardo ka përdorur dritën dhe perspektivën. Të gjitha vijat të çojnë drejt Krishtit, por njëkohësisht dritaret në sfond hapin horizontin, duke të dhënë përshtypjen se kjo ngjarje tokësore lidhet me një univers më të gjerë, hyjnor.

Por, mbi të gjitha, mbresa më e madhe është humanizmi i veprës. Nuk sheh vetëm apostuj biblikë, por njerëz të zakonshëm me frikë, dyshim, besim dhe emocione të përziera. Tabloja të kujton se tradhtia, besimi dhe dashuria janë pjesë e natyrës sonë njerëzore, prandaj veprës i mbetet gjithmonë një jehonë aktuale.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • 155
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT