• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dashuria që e kemi dhe s’e kemi

December 18, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Ilirian Zhupa është një nga ata poetë që nuk i lexon thjesht vargjet e tij , por i mbart gjithmonë me vete si memorje kulturore. Poezia e tij vjen gjithmonë si një surprizë e ndjeshme, si një përshkëndritje e butë që të zgjon emocionin pa paralajmërim. Ka diçka thellësisht intime në vargjet e tij, një mënyrë të rrëfyeri që nuk kërkon spektator, por edhe bashkëudhëtar. Prandaj edhe ribotimi i librit “Mos më pyetni ku kam qenë” (2016) ishte më shumë se një akt editorial: ishte një rikthim në një kohë leximi, në një moshë ndjeshmërie, ku brezi im i gjeti këto poezi herët dhe tani ka nevojë t’i rilexojë me një peshë tjetër përvoje.

Kur i kthehesh leximit të poezisë së Ilirian Zhupës pas vitesh, e kupton se poezia e tij nuk na ka moshuar. Përkundrazi, ajo ka fituar një shtresë të re kuptimi, sepse mungesa, pritja, dashuria e pambërritur dhe vetmia urbane që ai përshkruan, sot duken edhe më të njohura. Poezia e tij nuk është kurrë deklamative; ajo ecën përmes gjesteve të vogla, përmes lëvizjeve të përditshme që mbajnë brenda një dramë të heshtur.

Këtë e ndien qartë në poezinë “Është vonë të më mungosh”, e cila mund të lexohet si një rrëfim i brendshëm i njeriut modern, i humbur mes turmës, bibliotekave, kafeneve dhe rrugëve që gjithmonë të kthejnë aty ku ke nisur. Mungesa nuk është vetëm e sé dashurës; ajo shndërrohet në mungesë orientimi, mungesë fjale, mungesë vendi ku të mbështesësh kokën. Pyetjet e përsëritura – “Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?” – janë më shumë se ankth dashurie: janë pyetje ekzistenciale.

Ilirian Zhupa e vendos subjektin e tij poetik mes njerëzve, por thellësisht vetëm. Pleqtë me fytyra të njëjta, shokët që largohen drejt dashurive të tyre, librat që “kërrusin nga dashuria” – të gjitha këto krijojnë një botë ku gjithçka duket e pranishme, por asgjë nuk e mbush boshllëkun kryesor. Edhe zjarri që ngroh të tjerët, nuk ngroh atë që mungon. Kjo është një poezi e mungesës që nuk shërohet me zëvendësime.

Megjithatë, në fund, poezia shpëton vetveten. Akti i të shkruarit, i këndimit të një dashurie që “e kam dhe s’e kam”, e kthen mungesën në krijim. Poeti bëhet njëkohësisht demiurg dhe pre e dashurisë, zot i një bote që e ndërton me vargje, por edhe i dorëzuar ndaj brishtësisë së ndjenjës. Në këtë çast Ilirian Zhupa është më i sinqertë se kurrë: poezia nuk e shëron plotësisht dhimbjen, por i jep asaj formë, dritë dhe kuptim.

Ribotimi i këtij libri është, në këtë kuptim, një ftesë për ta rilexuar veten. Brezi që e lexoi herët, sot e gjen veten në vargje me një qetësi tjetër, ndoshta më të dhimbshme, por edhe më të ndërgjegjshme. Dhe kjo është forca e vërtetë e poezisë së Ilirian Zhupës: ajo rritet bashkë me lexuesin, pa e humbur kurrë emocionin e parë.

ËSHTË VONË TË MË MUNGOSH

=============================

Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.

Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.

Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha

Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?

Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,

Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,

Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.

O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,

Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.

Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,

Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.

Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,

Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.

Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,

Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.

Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.

Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.

Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe

E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.

Është vonë të më mungosh, e dashura ime!

Filed Under: ESSE

“Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie

December 18, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Jo ndërhyrje në punët e brendshme

Ismail Qemali e kishte pranuar ndihmën e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e problemit shqiptar, por nuk kishte pranuar ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të ri. Ishte koha kur Ismail Qemali pati biseduar me Beqir Grebenenë për daljen në gjyq të tij, ku nuk tha asgjë, çuan në rënien e prestigjit të tij te disa patriotë shqiptarë. Kundërshtarë ishin Syrja Vlora, Myfid Libohova dhe Esad Pasha. Komisioni i Kontrollit e gjeti rastin për ta kthyer shtetin dhe qeverinë Kombëtare të Vlorës, në një provincë dhe qeveri lokale me kushte. Esad Pasha po luante rolin për ardhjen e princ Vidit dhe pjesëmarrës në qeverinë e tij. Kështu Fuqitë e Mëdha dhe princ Vidi e larguan nga skena politike qeverinë e Ismail Qemalit.

Ismail Qemali para popullit të Vlorës për vendimin e Fuqive të Mëdha për të sjellë Komisionin

Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri ka thënë se qëllimi i Evropës nuk mund të ketë shkak vetëm të mirën tonë, por një kontroll sa i zbutur e i zbukuruar që quhet, duke qenë që vjen prej mendimit që kanë bota për mos mundjen e shqiptarëve të qeverisen vetë, na jep ndjenjat të cilat s’janë fort të kënaqshme për shqiptarin që do lumturinë morale të Shqipërisë. Kështu ka thënë një e vërtetë të pamohueshme, duke theksuar se ardhja e princ Vidit në Shqipëri dhe Komisioni i Kontrollit nuk do t’i sillnin asgjë Shqipërisë. Ardhja e Vidit në Shqipëri nuk u konsideruar konsideruar si një akt pozitiv, pasi sa kohë që ishte Vidi në fuqi, në Shqipëri vepronte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit.Ismail Qemali kishte meritën se e kishte kuptuar këtë më mirë nga të tjerët në periudhën ku vepronte.

Thuaj pakënaqësitë një nga një

Ismail Qemali nuk kishte shkuar mirë me konsullin italian në Vlorë, ndaj ky i kërkonte që të mbajë qëndrim krejtësisht të sjellshëm dhe korrekt ndaj Italisë. Ismail Qemali i kërkoi ti thoshte pakënaqësitë një nga një. Konsulli De Fagendis iu ankua për tarifat doganore për mallrat e importuara, merreshin në natyrë. Ismail Qemali ju përgjigj se ndodhte në Durrës, ku nuk kishte pushtet. De Fagendis ishte ankuar se mitropoliti ortodoks i Durrësit dhe disa ortodoksë të tjerë nuk trajtoheshin mirë nga Qeveria e Vlorës, sidomos në Elbasan dhe në Shpat. Ismail Qemali i kishte thënë se ushtronte një tolerancë të madhe, mbasi metropoliti në fjalë e ka harruar se është nëpunës kishtar shqiptar dhe jo agjent politik i një vendi të huaj. Ismail Qemali kishte plotësisht të drejtë. Ky mitropol në një letër dërguar Fuqive të Mëdha u bënte thirrje të siguroheshin privliegjet e vjetra të patrikanës në Shqipëri.

Ismail Qemali i kërkonte konsullit italian, ta këshillonte kolegun në Durrës, që të mos ndihmonte mitropolitin e Durrësit, por të gjithë ortodoksët për tu bashkuar me qeverinë e Vlorës”. De Fagendisi kërkonte të vendosej prej Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit, ligjërisht, një kajmekam i lidhur ngushtë me Esad Pashën. Ismail Qemali nuk bëri asnjë lëshim. Ismail Qemali i ishte përgjigjur se në Shqipëri do tyë kishte një anarki të plotë sepse bejlerë të tjerë nuk do të vononin që të imitonin shëmbullin e tij. Ky ju ankua kryetarit të qeverisë se çështjen e studimit të një vije hekurudhore ja kishte ngarkuar disa kapitalistëve austriake dhe jo atyre italianë. Ismail Qemali i kishte thënë se oferta austriake ishte më e leverdisshme për Shqipërinë. Ismail Qemali i kishte thënë Lejhanecit se zëmërimi i qeverisë italiane kundër tij, nuk mund ta pengonte atë që ta ndalonte një ndërhyrje dhe sundim të politikës italiane në Shqipërinë e Jugut. Kjo do të kishte pasoja katastrofale për vendin e vet. Në këto kushte qeveria italiane mblodhi kundërshtarët kundër Ismail Qemalit, si Myfid Libohovën me shokë.

Ishte një front i gjerë lufte

Myfid Libohova ishte një nga kundërshtarët më të rrezikshëm të Ismail Qemalit dhe në këtë qëndrim, ai nxitej nga Italia. Ai thoshte se Qeveria Kombëtare e Ismail Qemalit, së shpejti do t’i vinte fundi, por edhe sikur kjo të mos ndodhte, Myfid bej Libohova, Esad Pasha dhe feudalët e tjerë do të kërkonin rrugë të tjera për t’i dhënë fund sundimit të Ismail Qemal Beut. Këta feudalë ia kishin arritur qëllimit, të ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha. Ky ishte një front i gjerë luftë për Ismail Qemalin, të cilin nuk mundi ta përballonte, pavarësisht se nga lufta më vonë, në kushte dhe rrethana të reja, ai nuk do të hiqte dorë.

Me Ismail Qemalin në krye të Qeverisë Shqiptare, Fuqitë e Mëdha dhe Komisioni i tyre i Kontrollit e panë se nuk mund të luanin në kurriz të popullit shqiptar, nuk mund ta skllavëronin Shqipërinë. Vjena njoftonte se solidariteti i Austro-Hungarisë dhe i Italisë shtrihej në mënyrë të barabartë mbi Shqipërinë. Ishte një solidaritet grabitqar që nuk mund të pajtohej me rilindjen e një vendi të vogël as me karakterin e Ismail Qemalit.

Përgjegjësia e Fuqive të Mëdha të atëhershme ndaj historisë së popullit shqiptar ka qenë e rëndë. Zhurma që bënë në këtë çështje Fuqitë e Mëdha, kishte qëllim likuidimin e Qeverisë së Vlorës dhe zëvëndësimin e saj me qeverinë e princ Vidit. Feudalët e mëdhenj që i përkrahnin nuk guxuan ta bënin Esad Pashën, kryetar të qeverisë shqiptare, por bënë një feudal tjetër të madh Ymer Pashë Vrionin.

Qeveri për të gjithë Shqipërinë

Më 22 janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen. Në vendimin e dorëheqjes Ismail Qemalin ishte i bindur se i vetmi mjet për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë në vend, të formohej një qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë. Ky qëllim, sipas tij, mund të arrihej vetëm po t’ia dorëzonte pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ai përsëriti kërkesën që i kishte paraqitur më parë, në prani të ministrave të tij, atij Komisioni, që të merrte përsipër këtë detyrë dhe pushtetin në dorëzim.

Aqif pashë Elbasani, prefek i Elbasanit në telegramin dërguar Ismail Qemalit i thoshte gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj i shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj. Ismail Qemali në telegramin e lamtumirës si kryetar i Qeverisë Kombëtare të Vlorës i drejtonte Aqif pashë Elbasanit, se kishte ushtruar për 14 muaj rresht pushtetin shtetëror të dhënë nga Asambleja Kombëtare. Në këtë periudhe ishte përpjekur me të gjitha mundësitë, “me gjithë të metat e mia”, të punonte në favor të bashkimit kombëtar dhe të tërësisë tokësore. Dhe shkaku i dorëheqjes ishte se disa ngjarje të hidhura të nxitura nga interesi vetjak janë shfaqur, kanë turbulluar harmoninë qeveritare për të cilën atdheu yne ka gjithnjë nevojë, dhe kësisoj çështja kombëtare u rrezikua shumë.

Ismail Qemali kishte ndërhyrë pranë Fuqive të Mëdha dhe u kishte propozuar që deri në ardhjen e princ Vidit, Qeverimi i gjithë Shqipërisë të merret në dorë prej Komisionit të Kontrollit. Ai u bënte thirrje bashkëkombësave të vet që t’i bindeshin autoritetit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Përfaqësuesit e popullit të Elbasanit në telegramin e që i dërgonin kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, thuhej se me gjithë shpirt iu lutemi ti pranoni urimet tona të nxehta për burrërinë e atdhedashurinë që treguat. Kjo therori me të vërtetë i ngjanë asaj burrërie që ngritët flamurin për të parën herë në Vlorë. Këto dy punë nuk ka për t’i harruar Shqipëria kurrë. Rrofsh edhe shumë kohë! Gjesti i Shkelqësisë S’uaj, thuhej në telegramin e përfaqësuesve të popullit të Lushnjës më 23 janar 1914, që synon bashkimin e kësaj copëze Shqipërie, ka bërë të dështojnë qëllimet djallëzore të disa keqdashësve të kombit, të cilët në të kaluarën e në të tashmen nuk i kanë kursyer tradhëtitë për ta bërë Shqipërinë viktimë të interesave të tyre personale të poshtra, është glorifikuar dhe ndëruar prej të gjithëve. Më tej theksonte se është e plotë shpresa për ta parë në një kohë shumë të afërt Shkëlqesinë Tuaj përsëri në atë post të shenjtë dhe me shumë nderime ju puthim duart tuaja të ndershme. Veprimtaria e Ismail Qemalit dhe e qeverisë së tij kishte lënë mbresa në popullin që kishte qeverisur, ndërsa të këqija për feudalët e mëdhenj dhe Fuqitë e Mëdha.

Nga viti 1914 e derisa vdiq Ismail Qemali qëndroi jashtë vendit dhe nuk u kthye në Shqipëri. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Një njeri i ditur si ai nuk mund të punonte midis feudalëve injorantë dhe lakmitarë, një ndershëm si ai nuk mund të jetonte midis të pandershmëve që kishin tundur çdo flamur, një besnik si ai ndaj atdheut dhe popullit nuk mund të qëndronte midis tradhëtarëve feudale që të vrisnin natën dhe të qanin ditën. Kjo për vendin e vet s’do të kishte asnjë kuptim në ato kushte të rënda të krijuara.

Filed Under: Komente

Arti dhe kultura në Dardani

December 18, 2025 by s p

Prof. Dr. Luan Përzhita/

Gërmimet dhe studimet arkeologjike, në Kosovë në dekadat e fundit po sqarojnë cdo ditë e më shumë historinë antike të ilirëve dardanë që banonin në qendër të Ballkanit. Një drejtim i këtyre zbulimeve kanë treguar se arti dhe kultura tek dardanët ka qenë shumë e zhvilluar dhe herë herë është përfaqësuar dhe ndër popujt e tjerë të botës antike. Por jo vetem arti por edhe qarkullimi monetar, si një fenomen ekonomik i përgjithshëm, ka qenë i shtrirë pothuajse në tërë territorin e Dardanisë. Për herë të parë, shek. IV p.Kr., është qyteti, Damastioni që pret monedhën prej argjendit. Në këtë periudhë (shek.IV-I p.Kr.) te dardanët filluan të qarkullojnë monedha me prejardhje nga treva të ndryeshme; Teba (400-390), Apollonia (Thraki) 350 p.K. Maqedononia, Athina (177-176), Iliria shek. III-I p.Kr., Pelagonia, Paonia etj,. Në shekullin II p.K., shfaqet në qarkullim denari romak, i cili do të jetë më vonë dhe paraja kryesore në Dardani.

Me ardhjen në pushtet të Oktavian Augustit, monedhat kryesore, ishin prerje të perandorëve romakë ose anëtarëve të familjeve të tyre, por përveç Senatit, e drejta e emetimit të parasë iu dha edhe provincave, qyteteve dhe njësive të ngjashme administrative të cilat prodhonin kryesisht monedha bronzi dhe bakri, të destinuara për tregtinë lokale, kjo si një domosdoshmëri që lidhej me likuidimin e pagesave të personelit të administratës romake, si dhe për funksionimin më të mirë të minierave, bujqësisë dhe të gjitha aktiviteteve ekonomike.

Në qarkullim kishte edhe disa prerje të tjera të vogla bronzi (quadrances), të emetuara gjatë mbretërimit të Trajanit dhe Hadrianit. Këto monedha kishin në faqe kokën e perandorit, ndërsa në shpinë një personifikim femëror me mbishkrimin Metalla Ulpiana, siç ishte monedha e emetuar në minierat e zonës së Prishtinës dhe tipi tjetër me mbishkrimin “Dardanici”, që vjen nga minierat e Kopaonikut. Këto të fundit kishin të paraqitur figurën e një hyjneshe, e cila mendohet të jetë Hyjnesha Dardane. Po ashtu, me interes është dhe zbulimi në Lipjan i një prej depove më të mëdha me centenionalet e Konstantinit të Madh dhe anëtarëve të familjes së tij, si dhe medaljoni i rrallë i perandorit Prob. Sasia e monedhave në qarkullim në këto territore u rrit gradualisht deri në mesin e shekullit IV m.Kr., periudhë kur fillojnë të shfaqen në Dardani monedha të perandorëve romakë të Lindjes.

Arti dhe kultura pasqyrojnë një dukuri tjetër të kësaj periudhe në Dardani. Nisur nga materiali plastik zbuluar te dardanët është konstatuar se, krahas prodhimit të importit që është prezent që nga shekulli I m.Kr., prodhimi lokal i skulpturave që lidhet me kultin, shfaqen në shekullin e II m.Kr. Gjatë shekullit të III dhe në fillim të shekullit IV, në qytetin e Naisit ishin ngritur atelie të nivelit të lartë, të specializuara për prodhimin e veprave të plota në skulpturë.

Nga fundi i shekullit II dhe deri në shekullin IV, me vlerë paraqitet dekoracioni plastik i aplikuar në stelat e varreve, që paraqet elemente të artit dardan të përhapur në këtë rajon. Mozaiku polikrom i Orfeut rrethuar me shtazë, mozaikët në Nerodime me shtatë mendimtarë grekë, monumenti i Hyjneshës Dardane me dy labirinthe apo, nekropolet e pasura të Ulpianës, të Municipium DD dhe të Vendenis në të vërtetë, i takojnë fondit të kulturës materiale provinciale romake, por që kanë fituar tashmë veti të reja. Objektet e vlefshme artizanale me vlera artistike nga nekropolet dhe vendbanimet e kësaj periudhe pasqyrojnë nivelin e zhvillimit kulturor. Artistët në punimet e tyre kanë dhënë figura te skalitura njerëzish, me prejardhje nga arti tradicional dardan, ku ndër tiparet e tyre dalluese janë veshjet popullore dhe stolitë.

Në shekullin III- IV ndryshimet bëhen më të larmishme në disa lloj stolish si dhe në veshjet tradicionale të popullsisë dardane, siç është rasti i kapitelit të zbuluar në Çifllak i cili paraqet në dy anët e tij pamjen e një vajze dardane. Stelat e varreve kanë ruajtur mjaft elemente autoktone, si në anën arkitektonike ashtu dhe stilistike të tyre ku veçojmë kombinimet e hardhisë së rrushit me gjethet e lerthit që gjenden në bustin e Hyjneshës Dardane nga Kllokoti, në monumentet e Perëndeshës dardane nga Rumania apo në shtatoren e Hyjneshës nga Theranda. Studiuesit nënvizojnë se në stelat:.. dallohen elemente vendëse, gjuha vulgare latine dhe onomastika, si dhe emrat ilirë siç janë Longarus, Bato, Monunius, Etuta, Andia, Anna, Cinna, Dasius/Dassius, Epicaris, Tata/Tatta etj,.

Në Dardani ndër perënditë dhe kultet më të njohura ishin Jupiteri, Minerva, Furtuna (mbrojtëse e familjes Furija në Ulpianës), Merkuri dhe Diana; perënditë që vinin nga lindja, siç ishin Mitra, Izida, Serapisi dhe Jupiteri Dolihen dhe perënditë helene Nemezisi, Orfeu, Hekata, Asklepi, Higia dhe Telesfonti, të zbuluara në qendrat kryesore si në Nais, Skup, Ulpianë, Muncipium D.D dhe në treva të tjera dardane. Jupiterit i kushtohet një mbishkrim nga Peja: I(upiter) O(ptimo) M(agno)/ P(ublius) Ael(ius) Cel(erinus?)/ sinus/ dec(urio) l(ibens) p(osuit), që është një nga perënditë më të privilegjuara nga dardanët, fenomen ky i ngjashëm edhe me provincat e tjera fqinje, si për shembull në Dalmaci. Epiteti, me të cilin shoqërohet më shumë emri i Jupiterit, është Maximus, por ndonjëherë ndeshet edhe Dolichenus apo Capitolinus.

Ndërkohë që në Ilirinë e Jugut, dedikimet mbi Jupiterin janë më të pakta në krahasim me Dardaninë dhe Dalmacinë. Kemi vetëm një shembull nga Bylisi, ku Jupiteri shoqërohet me epitetin Sabasios dhe një tjetër nga territori i kolonisë së Dyrrachiumit. Jupiterit i dedikohen dy altarë nga Suhareka, por në këtë rast nuk paraqiten emra të tjerë përveç se IOM në atë të gjetur në zonën e Reqanit, dhe IOM /…]RTAI në atë të gjetur në Samodrazhë. Përveç këtij altari, Suhareka na ofron edhe shumë fragmente të tjera arkitektonike. Ndërsa një mbishkrim nga Istogu dokumenton një tjetër perëndi shumë të rëndësishme për dardanët e periudhës romake, Merkurin, i cili gjithashtu, është dokumentuar edhe më parë në zonën e Pejës. Edhe në këtë rast, personazhi që bën dedikimin, i përket një personi që e ka fituar qytetarinë në kohën e Trajanit, pasi edhe ai ka cognomen Ulpius.

Një tjetër informacion me vlerë, përsa i takon jetës religjoze në Dardani gjatë periudhës romake, na pasqyrohet nga mbishkrimi i Zllakuqanit në Klinë. Bëhet fjalë për një altar që i kushtohet perëndeshës egjiptiane Isis: Daeae/Isidis/Eufro/nius/votum, që dëshmon praninë e kulteve orientale në territorin e Dardanisë gjatë shekullit III p.Kr., kjo me sa duket për shkak të ushtarëve me origjinë lindore në ushtrinë romake, stacionuar që nga periudha e Hadrianit në provincat e Ilirikut. Vihet re se në Dardani është respektuar pak a shumë pjesa më e madhe e panteonit romak, duke përfshirë dhe perënditë e tjera me origjinë lindore si Mitra dhe Dielli që i takojnë shekullit III.

Natyrisht, mendojmë se në përhapjen e këtij kulti në Kosovë, rol parësor luajti Via Lissus-Naissus. Isis është e pranishme edhe në Ilirinë e Jugut. Disa mga emrat e përmendur në mbishkrimet latine janë Aurelio, Dassio dhe Claudius Maximu. Nga këta të tërheq vëmendjen emri Dassius, i cili është dokumentuar edhe më parë në territorin e Kosovës, më konkretisht në një stelë kushtuar një ushtari romak, gjetur pranë Prishtinës. Njëkohësisht janë vërejtur perëndi të ndryshme, siç është rasti në fshatin Bajicë ku është zbuluar një altar kushtuar hyjit Sivano Deo, i cili nderohej nga fiset ilire, respektivisht dhe ato dardane.

Prezenca e kultit të perëndeshes dardane“Dea Dardanica” është dëshmuar nga ana epigrafike në qendrat e ndryeshme të pjesës qendrore dardane, si në altarët me dekurim plastik të Gllamnikut të sotëm, dhe në Smirë të Vitisë afër Gjilanit.

Monumenti nga Smira, përkatësisht labirinthet e relievuara në faqet anësore, njëri rrethor dhe tjetri katërkëndësh, i përbërë nga një kompozicion më i gjerë me domethënie të thellë filozofiko-religjioze, paraqet sfondin e krijuar shpirtëror e mendor të dardanëve që përqendrohet te funksione të shumta të Perëndeshës dardane. Edhe busti i njohur i Gruas nga Kllokoti (II-III) duket të jetë po ashtu personifikim i kësaj perëndeshe, pasi ka ngjashmëri me paraqitjet figurative të Deas nga monumentet e Rumanisë. Nga mbishkrimi i gjetur në Banja e Kushumlisësë sotme përmendet se në trevën e Dardanisë është ngritur një tempull Dea Dardanica para fundit të shekullit II.

Filed Under: Politike

Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve

December 18, 2025 by s p

Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha/

Nga të parët humanistë që u bë i njohur jashtë trojeve amtare, Gjon Gazulli ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit XV, pra në kohën e luftërave të Skënderbeut kundër hordhive osmane. Të parët e Gjon Gazullit qenë larguar nga Shqipëria për shkak të pushtimit osman dhe qenë vendosur në Republikën e Raguzës në Dalmaci. Ata rridhnin, sipas pohimeve të studiuesve, nga Mirdita apo Zadrima, megjithëse ky patronim është mjaft i përhapur në këto krahina. Ndonjë studiues e vendosin prejardhjen e tij në Kukël, Lezhë, ku mendohet edhe të ketë lindur. Familja e Gjon Gazullit e shpërngulur në Raguzë nuk i shkëputi lidhjet me krahinat shqiptare dhe nuk e reshti punën me dobi të Atdheut. Gjon Gazulli mori një edukim të fortë atdhetar në familje si edhe nëpër shkollat humaniste të porsahapura të Raguzës. Shkollat e këtij qyteti nen shembullin i shkollave humaniste të Gadishullit të Apenineve, kishin lënë pas mënyrat e vjetra skolastike dhe kishin bërë hapa përpara në kultivimin e dijeve njerëzore mbi bazën e përvojës së fituar dhe nga trashëgimi i vyer i antikitetit.

Gjon Gazulli nuk u mjaftua me kulturën që fitoi në këto shkolla, por në moshën 25 vjeçare vazhdoi studimet në Universitetin e Padovës. Atje ai u shqua si një ndër studentët më të përgatitur, me këmbëngulës dhe me vullnet e dëshirë të madhe për të fituar dije të reja. Në Padova, afërsisht në moshën 30 vjeçare, përpara nje komisioni të gjerë të përbërë nga personalitete të shquara më 31 janar 1430 ai mori titullin “Doktor në shkencat e lira”. Sipas dokumenteve, rezulton se, para komisionit, Gjoni e ka shprehur me krenari origjinën e tij shqiptare, po me këtë dinjitet, si shqiptar, ai do të shquhet më pas në fushën politike, shkencore e pedagogjike. Shkencat e lira, ose shtatë artet e lira, në mesjetë ishin gramatika, retorika, dialektika, aritmetika, gjeometria, astronomia dhe muzika. Po drejtimet kryesore të studimeve të tij do të jenë matematika dhe astronomia, krahas oratorisë dhe diplomacisë. Është me interes, të theksohet fakti, se krahas gjashtë personaliteteve në komisionin e dhënies së titullit janë edhe dy personalitete me prejardhje nga Durrësi. Dëshmon ky fakt, jo vetëm se shqiptarët e ditur nuk ishin pak në atë kohë, por edhe se ata ishin të pranishëm në qendra universitare dhe jepnin kontributin e tyre të çmuar në lëvizjen e madhe humaniste në Evropë.

Gjatë shek. XV dhe më parë, marrëdhëniet e principatave shqiptare me Republikën e Raguzës qenë të mira. Ashtu si shumë qytete shqiptare të Mesjetës si Durrësi, Shkodra, Vlora, Berati etj., edhe Raguza ishte e zhvilluar, por ndërsa qytetet tona u rrënuan dhe trashëgimia kulturore pësoi shkatërrimin, humbjen, Raguza i shpëtoi vlerat e saj kulturore e artistike si dhe arkivat e dokumenteve që përmbajnë të dhëna me shumë interes edhe për historinë e Shqipërisë. Në vitin 1432, Gjon Gazullin e gjejmë në Raguzë ku bën emër si personalitet me rëndësi në jetën politike e kulturore të qytetit. Edhe më parë ai nuk është shkëputur nga ky qytet. Qëndrimet si dhe lëvizjet e tij sa në Raguzë dhe në Padova i kanë shërbyer për të ngritur një bibliotekë të pasur për kohën, funksionale për të cilen shkriu, sic del nga deshmite, që na kane arritur, cdo pasuri qe pati. Në këtë kohë kur trojet shqiptare ishin nen pushtimin osman, Raguza luftonte te shmangte varesine e ndikimin qe kishin ne jeten e saj politike por dhe ekonomike mbreteriae Hungarise dhe e Napolit si dhe Republika e Laguneve, Venediku.

Duke cmuar aftesite, pergatitjet dhe personalitetin e rralle te humanistit shqiptar, Gjon Gazulli, Senati i Raguzës e ngarkoi me mision diplomatik pranë mbretit të Hungarisë. Ai duhej të ndërhynte për të siguruar mundësitë që anijet tregtare të Raguzës të lundronin dhe të tregtonin lirisht në vendet e Lindjes. Sipas të dhënave që dalin nga dokumentet del se Gjon Gazulli shperblimin personal qe arriti te perfitonte nga ky mision diplomatik e vuri per te blere arme për Shqipërinë. Ky mision e bëri atë të njohur në Raguzë por edhe në vendet evropiane të kohës. Në dokumentet e botuara lidhur me marrëdhëniet politike e diplomatike të Republikës së Raguzës me Mbretërinë e Hungarisë, emri i Gjon Gazullit përmendet shpesh duke u cilësuar si diplomati i zoti dhe shkencëtari i shkëlqyer. Më 1433 Gazullin e gjejmë në Universitetin e Padovës, por kësaj radhe me detyrën e pedagogut. Veprimtaria e tij pedagogjike shkencore në këtë Universitet të vjetër dhe në këtë qendër të rëndësishme të Rilindjes Evropiane është e madhe.

Në qarqet shkencore më të përparuara të kohës ai fitoi njohuritë e reja shkencore, shfrytëzoi veprat origjinale të autorëve të vjetër dhe i përktheu ato. Në katedren e matematikës dhe të astronomisë, ku shume shpejt ai merrfunksionin drejtues, ai shquhet si një nga pedagogët më të përgatitur. Edhe pse Republika e Raguzës e çmon, i ofronte edhe të qëndronte aty, ai nuk i ndërpret lidhjet me Universitetin e Padovës. Ai ndërmerr një varg udhëtimesh diplomatike në Hungari, në Italinë e Jugut si përfaqësues i Republikës së Raguzës. Si politikan, diplomat dhe shkencëtar, Gjon Gazulli kishte autoritet të madh në Raguzë. Me interes është fakti se ai ndërthuri veprimtarinë në mbrojtje të interesave të Republikës së Raguzës me interesat dhe synimet e lëvizjes çlirimtare shqiptare për kthimin e Skënderbeut për të cilat vepron dhe ndërhyn në mënyrë energjike në Vatikan, në Mbretërinë e Hungarisë e gjetiu. Si pedagog universiteti bën emër në shkencat matematikë dhe astronomike. Njihte mirë gjuhët klasike, latinishten dhe greqishten dhe qe i pari që iu vu punës për përkthimet e dorëshkrimeve të gjeografit e astronomit grek Ptolemeut.

Në kohën e zbulimeve të reja gjeografike, të udhëtimeve të largëta detare, shkencat matematikë e astronomike merrnin një rëndësi të dorës së parë. Veprimtaria e Gazullit si pedagog e shkencëtar ka qenë e shquar, ai ka qenë një autoritet shkencor, fama e të cilit pat kapërcyer kufijtë e Dalmacisë dhe të Italisë. Ai u kërkua si i tillë në Oborrin Mbretëror të Hungarisë më 1458. Edhe vëllezërit e Gjon Gazullit, Pal e Andrea Gazulli qenë të ditur dhe me formim humanist. Përveçse pedagog, Pal Gazulli ishte për dy vjet edhe rektor i shkollave humaniste në Raguzë. Me kthimin e Skënderbeut në Krujë më 1443, Pali dhe Andrea Gazulli kaluan në shërbim të Skënderbeut. Senati i Raguzës zgjedh si ambasador të vetin në Hungari Gjon Gazullin jo vetëm si njeri i ditur dhe orator i aftë, por edhe si shqiptar, funksion të cilin shkencëtari do ta shfrytëzonte edhe në të mirë të çështjes shqiptare. Ftesës për të bashkëpunuar me astronomë të shquar në oborrin mbretëror hungarez, Gjon Gazulli nuk iu përgjigj për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore. Por me sa duket ai nuk donte të shkonte në një vend nga do ta kishte tepër të vështirë të ndiqte zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri.

Në shenjë mirënjohjeje për konsideratën e lartë për të dhe nga dëshira për një bashkëpunim shkencor, ai u dërgoi atyre veprën e tij të përfunduar, një traktat mbi astronominë, në dorëshkrim. Humanisti kroat, Jan Panoni (1434–1472) i entuziazmuar nga kjo vepër e dijetarit shqiptar, i shkroi atij këto radhë: “Shpresën që kemi patur prej kohësh për të njohur kërkimet e juaja, tashti ne mundemi ta provojmë me të vërtetë… Na kënaq për së tepërmi ai libri juaj, të cilin tashti vonë na e keni dërguar. Vepra është e mbushur me kaq dije e gojëtari, sa libri është i këndshëm për lexim dhe i dobishëm për studim. Duhet të themi të vërtetën, se disa mendime te ngatërruara të astronomëve të moçëm, të cilat ka kohë që dëshironim t’i kuptonim qartë, tek vepra juaj i gjetëm si në dritën e diellit. Prandaj ju porosisim me gjithë zemër që të mos përtoni dhe të shkruani për t’i dhënë fund veprës suaj sepse kjo është në dobi të studiuesve, për famën tuaj dhe dëshirën tonë…”

Në bibliotekën e astronomit austriak bashkëkohës me Gjon Gazullin, Johan Myller, i njohur me pseudonimin Regio-montanus i cili nuk pajtohej plotësisht me teorinë e Gazullit, megjithëse e vlerësonte shumë, është gjetur edhe vepra Libri i Gazullit mbi astronominë. Astronomët bashkëkohës dhe ata më pas kanë çmuar tek Gazulli arritjet e tij në astronomi si: tabelat e koordinuara astronomike, gjeometrinë e sferave qiellore, vrojtimet konkrete astronomike. Vepra e Gjon Gazullit ka shërbyer si pikë referimi në mendimin e mëtejshëm astronomik. Gazullin e përmend edhe astronomi me famë botërore, Kepleri.

Në veprimtarinë dhe personalitetin e shumanshëm politik, diplomatik, astronom dhe matematicien hedhin dritë shumë dokumente, ndër to edhe fjalimi që mbajti para Papës Nikolla V, në Romë në vitin 1451. Aty shfaqet krahas veprimtarisë, mendimi i thellë dhe gojëtaria e tij e veçantë, ndërsa testamenti i hartuar dhe i firmosur “me mendje të shëndoshë e ndërgjegjie të plotë” prej tij, dy ditë para vdekjes sjell informacion të pasur personal. Nga ky testament kuptojmë se Gjon Gazulli nuk ka tjetër pasuri veç librave dhe shtëpisë që janë gjithë fryti i jetës së tij. Ai lë porosi që librat t’i dhurohen një kishe në Raguzë dhe të shfrytëzohen aty pa dalë jashtë. Ai ndër të tjera porosit që libri origjinal i Ptolemeut, gjeografit të lashtë, t’i kalojë në pronësi një miku të tij. Sa u tha del qartë kujdesi dhe kulti që kishte ky dijetar i shquar shqiptar për librin.

Gjon Gazulli vdiq në Raguzë më 19 shkurt 1465. Ai la pas një emër dhe një vepër të shquar në lëmin e politikës, diplomacisë, të atdhetarizmit si dhe në fushën e shkencave matematikë e astronomike. Ai përpunoi teorinë e ndarjes së gjithësisë në shtëpi qiellore apo në sistemin e “yjësive qiellore” duke i shoqëruar me tabelat llogaritëse të tij që janë përdorur në Evropë nga shkencëtarë e astronomë. Me interes për objektin tonë është se si në fjalimet ashtu edhe në librin e tij për astronominë, ai, siç vërejnë studiuesit, i është përmbajtur parimit, sipas të cilit, shkenca e dija pajtohen me letërsinë dhe artin, ashtu siç ndodh në veprat e gjithë autorëve humanistë.
Foto: wikipedia.org

Filed Under: Opinion

“Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual

December 18, 2025 by s p

Artan Nati/

Festivali i librit është çasti solemn ku fjala e shkruar ngrihet në lartësinë e një atdheu të përkohshëm. Ky festival librit i organizuar ne New York nga Varta’ nuk u zhvillua për pushtet, por për vetëdije, jo për zhurmë, por për mendim, jo për lavdi të rreme, por për dinjitet kulturor. Arsyeja është e thjeshtë: diaspora nuk jeton vetëm nga ekonomia, por nga kultura dhe nuk vlerësohet vetëm nga remitancat, por nga idetë. Idetë ushqejnë shpirtin, shpirti formon mendimin, mendimi ngre kombin – kjo ishte arsyeja kryesore e festivalit të organizuar nga Vatra. Në këtë ngjarje, diaspora dëshmon se nuk është vetëm burim remitancash ekonomike, por një burim i fuqishëm kapitali kulturor, shpirtëror dhe intelektual.

Festivali i librit në diasporë “Albanian BookFest” është prova më e qartë se identiteti kombëtar nuk mbahet gjallë vetëm me kujtime dhe mall, por me ide, me mendim kritik dhe me krijimtari. Aty ku libri kthehet në ngjarje, diaspora pushon së qeni thjesht një largësi gjeografike dhe shndërrohet në hapësirë ideore, ku Shqipëria dhe shqiptaria rimendojnë veten përtej kufijve. Në thelb, ky festival nuk është thjesht një panair botimesh, por një tribunë e hapur kombëtare. Është vendtakimi i autorëve të diasporës me ata të vendit amë, një urë jetike mes përvojës së ikjes dhe realitetit të qëndrimit. Këtu, përvoja e emigrimit rishkruhet në gjuhën e letërsisë, të filozofisë dhe të reflektimit politik, duke i dhënë zë një Shqipërie që mendon nga larg, por ndjen nga afër.

Njëkohësisht, festivali i librit në diasporë shërben si pasqyrë kritike e shoqërisë së origjinës. Shpesh është diaspora ajo që flet më lirshëm për atdheun, sepse distanca i jep guximin e së vërtetës dhe qartësinë e mendimit. Prandaj, ky festival nuk është vetëm festë e librit, por akt patriotik i vetëdijes kombëtare, ku fjala e lirë dhe kultura bëhen forma më e lartë e atdhedashurisë.

Pyetja se kush duhet ta organizojë Festivalin e Librit në diasporë nuk është thjesht çështje organizative, por çështje vizioni kombëtar. Pse “Vatra” dhe jo një shoqatë e ngushtë shkrimtarësh shqiptaro-amerikanë? Sepse Festivali i Librit nuk është aktivitet korporativ i një rrethi profesional, por ngjarje publike e gjithë diasporës. Vatra, si institucioni më i vjetër dhe më simbolik i diasporës shqiptare në SHBA, përfaqëson jo vetëm shkrimtarët, por kombin në mërgim. Ajo lindi si vatër mendimi, shtypi, gjuhe dhe atdhedashurie, si hapësirë ku libri, politika dhe çështja kombëtare ecën krah për krah. Pikërisht për këtë arsye, një festival libri nën ombrellën e Vatrës nuk do të ishte pronë e askujt dhe do të ishte pronë e të gjithëve.

Shoqatat e shkrimtarëve, sado të respektueshme, kanë natyrë më të kufizuar: ato përfaqësojnë autorë, jo lexuesin e gjerë, krijuesit, jo komunitetin në tërësi. Një festival libri kërkon më shumë se letërsi: kërkon publik, kërkon debat qytetar, kërkon histori, gjuhë, identitet dhe vizion kombëtar. Këto janë fusha ku një organizatë ombrellë si Vatra ka legjitimitet historik dhe autoritet moral.

Organizata më e përshtatshme për të organizuar një festival libri në diasporë është ajo që ka përfaqësim të gjerë komunitar, kredibilitet historik, neutralitet ndaj klaneve kulturore, dhe aftësinë për të bashkuar autorë, botues, studiues, studentë dhe publikun e zakonshëm.

Në këtë prizëm, Vatra plotëson më mirë se kushdo tjetër kriterin e një organizatori kombëtar, ndërsa shoqatat e shkrimtarëve mund dhe duhet të jenë partnere aktive, jo pronare të ngjarjes.

Përvoja e diasporave të tjera në Amerikë e dëshmon qartë këtë model. Diaspora hebraike, italiane, irlandeze apo armene i kanë festivalet e librit dhe kulturës të organizuara nga institucione komunitare të mëdha, qendra kulturore ose fondacione historike, jo nga shoqata të ngushta profesionale. Shkrimtarët janë zemra e këtyre ngjarjeve, por organizimi mbetet në duart e institucioneve që përfaqësojnë gjithë komunitetin dhe jo vetëm elitën krijuese.

Sepse libri, në diasporë, nuk është çështje grupi, por çështje kombi. Dhe kur fjala e shkruar ngrihet në nivel festivali, ajo ka nevojë për një shtëpi të madhe, me dyer të hapura për të gjithë. Për diasporën shqiptare në Amerikë, kjo shtëpi quhet Vatra.

Suksesi i Festivalit të Librit në New York, i organizuar nën ombrellën e Vatrës, mban firmën e qartë të përkushtimit dhe vizionit të dy figurave të spikatura të kulturës shqiptare: botuesit Bujar Hudhri, themelues dhe drejtues i shtëpisë botuese Onufri, si dhe publicistit dhe patriotit Frano Kulli. Ky festival libri nuk do të kishte arritur nivelin, dinjitetin dhe jehonën që pati pa kontributin e tyre të drejtpërdrejtë dhe vendimtar. Bujar Hudhri solli në New York jo vetëm librin si objekt, por librin si institucion kulturor. Me përvojën e gjatë botuese, me standardin profesional dhe me autoritetin që gëzon në botën letrare shqiptare, ai i dha festivalit peshë, seriozitet dhe përfaqësim të denjë të letërsisë shqipe. Prania e Onufrit ishte një garanci cilësie dhe një dëshmi se kultura shqiptare di të përfaqësohet me dinjitet edhe në metropolet më të mëdha të botës.

Nga ana tjetër, Frano Kulli i dha festivalit frymën qytetare dhe atdhetare që i takon një ngjarjeje të tillë. Me fjalën e tij publike, me angazhimin intelektual dhe me ndjeshmërinë ndaj misionit kombëtar të diasporës, ai e ktheu festivalin nga një aktivitet kulturor në një akt vetëdijeje kombëtare. Kontributi i tij dëshmoi se publicistika dhe patriotizmi, kur bashkohen, mund të ndërtojnë ura të forta mes librit dhe komunitetit.

Vatra, si institucioni historik i diasporës shqiptare në Amerikë, u bë skena ku këto përpjekje u bashkuan dhe u kurorëzuan me sukses. Prandaj, mirënjohja për Bujar Hudhrin dhe Fran Kullin nuk është vetëm institucionale, por mbarëkombëtare. Është mirënjohje nga Vatra dhe nga i gjithë komuniteti shqiptar në diasporë, që pa në këtë festival jo vetëm një ngjarje libri, por një dëshmi se kultura shqiptare jeton, punon dhe nderohet edhe larg atdheut.

Në Festivalin e Librit të organizuar nga Vatra në New York mungoi Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Një mungesë që, për habinë e askujt, nuk ndikoi aspak në suksesin e festivalit. Përkundrazi, aktiviteti ecën i qetë, librat u lexuan, debatet u zhvilluan dhe publiku u ndje si në shtëpi — një dëshmi se letërsia shqipe di të marrë frymë edhe pa protokolle të lodhura.

Shoqata në fjalë duket se ka mbetur peng i një kohe tjetër: i dosjeve të vjetra, i smirave personale dhe i inateve provinciale të eksportuara në kontinentin e gabuar. Në vend që të shfrytëzojë energjinë e hapësirës amerikane për të ndërtuar diçka të re, ajo sillet sikur New Yorku të ishte një zgjatim i kafenesë së lagjes, ku ftesat maten me qoka dhe vlerat me miqësi.

Librat e dobët që promovohen me zell ceremonial dhe përkëdheljet e ndërsjella që zëvendësojnë kritikën serioze nuk janë thjesht problem shijeje, por ato kthehen në fyerje për letërsinë shqiptare. Sepse letërsia nuk rritet me duartrokitje automatike, por me standard, konkurrencë dhe guxim intelektual.

Ndërkohë, Festivali i Vatrës tregoi se komuniteti shqiptar në Amerikë është gati për një mentalitet të ri, më të hapur, më meritokratik, më amerikan në formë dhe më shqiptar në thelb. Një mentalitet ku libri nuk shërben për të ushqyer egon e autorit, por për të zgjuar mendjen e lexuesit.

Ndoshta është koha që edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të zgjohet nga gjumi i vetëkënaqësisë, të dalë nga hija e së shkuarës dhe t’i hapë rrugë një fryme të re. Sepse në Amerikë nuk mjafton të quhesh shkrimtar: duhet të shkruash mirë, të mendosh lirë dhe të përballesh me publikun. Dhe publiku, siç u pa në këtë festival, tashmë ka filluar të zgjedhë vetë.

Mbyllja e Festivalit të Librit të organizuar nga Vatra shënoi më shumë se përfundimin e një aktiviteti kulturor: ajo përfaqësoi një hap cilësor dhe historik, që e vendos diasporën shqiptare në një nivel të ri vetëdijeje dhe përfaqësimi kulturor. Ky festival dëshmoi se diaspora nuk është më thjesht një zgjatim emocional i atdheut, por një faktor aktiv në ndërtimin e kulturës kombëtare.

Ky moment nuk është një kulm i rastësishëm, por fillimi i një rruge të re. Një rrugë ku libri, gjuha dhe mendimi kritik bëhen boshti rreth të cilit forcohet identiteti shqiptar në mërgim. Festivali i Vatrës tregoi se diaspora ka kapacitetin të prodhojë, të organizojë dhe të imponojë standarde kulturore, duke i dhënë komunitetit shqiptar në Amerikë dinjitetin që i takon.

Në këtë kuptim, festivali nuk mbylli një cikël, por hapi një epokë. Ai do të shërbejë si katalizator për rritjen e vetëdijes kombëtare dhe të ndjenjës estetike, duke edukuar brezat e rinj me dashurinë për librin dhe respektin për kulturën. Nëpërmjet fjalës së shkruar, diaspora rigjen rrënjët dhe ndërton të ardhmen.

Sepse kur diaspora investon në libër, ajo investon në shpirtin e kombit. Dhe kur Vatra ndez këtë dritë kulturore, ajo nuk ndriçon vetëm një sallë festivali, por një horizont të tërë shqiptarësh, sot dhe nesër.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT